• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

“Si shpëtuan Hebrenjtë në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog”

April 1, 2014 by dgreca

Kumtesë e mbajtur në Tiranë më dt. 29 mars 2014 në konferencën “Shqiptarët dhe Hebrenjtë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore” dhe që organizoi Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në bashkëpunim me Fondacionin Mbretëresha Geraldine/

Nga Sulejman Gjana/Kryetar i PLL/

Trajtimi i pranisë dhe strehimit të hebrenjve në vendin tone gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare ka qenë një temë e panjohur për studiuesit shqiptar dhe sigurisht edhe për opinion e gjerë, në kohën e diktaturës komuniste.Kuptohet lehtësisht se diktatura komuniste përdori historinë në shërbim të ideologjisë dhe pushtetit absolut; nuk pati komplekse kur e shtrembëroi atë, madje shpesh herë injoroi, anashkaloi ose manipuloi faktet dhe realitetet historike.Gjatë asaj kohe, u errësua gjithçka ishte arritur në kohën e Mbretit Zog në hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar si dhe në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare.

Në fakt, gjithçka lidhej me Mbretërinë Shqiptare duhej konsideruar dhe interpretuar negativisht për t’i lënë hapësirën e duhur indoktrinimit dhe “edukimit” të popullit me mitet që kishte sajuar sistemi për periudhën e Mbretërisë dhe vetë Mbretin Zog.

Eksperienca na ka mësuar se gjithçka propagandonte regjimi komunist si e bardhë, ishte në realitet e zezë; dhe gjithçka që do të ishte e zezë për ata, në fakt ishte e bardhë.  Ndërkaq, gjithçka u la në heshtje gjatë diktaturës komuniste ishte ose e rrezikshme për pushtetarët dhe sistemin, ose e lavdishme për atë të cilit i mohohej e drejta e vet.

Kështu ka ndodhur edhe me aktin fisnik të Qeverisë Mbretërore Shqiptare dhe të Mbretit Zog në raport me trajtimin e hebrenjve që ishin të persekutuar gjatë viteve 30 në vende të ndryshme të Europës dhe që gjenin strehim dhe shpëtim në vendin tonë.

Për fat të mirë, pas viteve 90, shumë studiues dhe historian shqiptarë dhe të huaj kanë hedhur dritë mbi ngjarjet e asaj kohe duke publikuar informacione dhe materiale të bollshme në libra, artikuj, intervista dhe dokumentarë që shërbejnë sot si referenca për të gjithë ata që janë të interesuar për këtë çështjeje.

Duhet të përmendim këtu punimet e grupit të arkivit të shtetit drejtuar nga Prof. Nevila Nika, librat dhe punimet e Prof. Shaban Sinani, Prof. Saimir Lolja, Dr. Apostol Kotani, Prof. Beqir Meta, Prof. Monika Stafa, Prof. Pellumb Xhufi, Prof. Mentor Petrela, Dr. Bernd Fisher, Dr. Robert Elsie, Dr. Patrice Najbor dhe Z. Kastriot Dervishi ; dëshmitë e të mbijetuarve Dr. Scarlett Epstein dhe Irene Grunbaum ose dokumentarët dhe filmat e Norman Gershman dhe Johanna Neumann si dhe të Z. Astrit Hyka që do të prezantohet në vazhdim.

Edhe pse, disa prej tyre kanë analizuar ngjarjet vetëm pjesërisht ose nga një këndvështrim jo gjithnjë objektiv dhe neutral, të tjerët kanë dhënë një kontribut të paçmueshëm në zbardhjen e të vërtetës së mohuar për më shumë se gjysmë shekulli.

*****

Por çfarë ishte pikërisht e vërteta e trajtimit të hebrenjve gjatë viteve të Mbretërisë shqiptare?Regjistrimi i parë i hebrejve në Shqipëri është bërë në vitet 1923 – 1930. Sipas Dr. Jakov Milaj-t, antropolog, autor i librit “Raca shqitpare” (1944) nga të dhënat e këtij regjistrimi del se bashkësia e hebrejve me banim të përhershëm në Shqipëri arrinte deri në afro 200 veta. Që prej vitit 1929, gjenden në arkivat e Mbretërisë shqiptare, kërkesa për shtetësi shqiptare nga imigrantë hebrenj në vendin tonë.

Por vihet re një shtim i lëvizjes së hebrenjve drejt Shqipërisë pas shpalljes së doktrinës së “Shfarosjes Përfundimtare” nga Hitleri dhe hyrjes në fuqi të ligjeve anti-Semite në vitet 1932-1933 dhe ku kërkohej, ndër të tjera, që të vendosej raca në pasaportë.

Në fakt, diplomacia shqiptare e kundërshtoi doktrinën naziste duke u mobilizuar për të strehuar ata që u persekutoheshin në Gjermani, Austri por edhe në vende të tjera t’Europës.

Konkretisht, qeveria mbretërore shqiptare bëri gjithçka ishte e mundur për të shpëtuar hebrenjtë dhe qëndrimet e saja ishin mirëpritur nga diplomacia botërore.

Në vitin 1934, Komisioneri i Lartë për Refugjatët pranë Lidhjes së Kombeve, Z. James Mac Donald, i kërkoi Mbretërisë Shqiptare nëse ekzistonte mundësia për vendosjen në Shqipëri të një numri jahudijnshë nga Gjermania dhe menjëherë mori përgjigjen pozitive.  Sipas Dr. Patrice Najbor, 500 familje hebreje përfituan nga kjo ndihmë.

Po atë vit, Herman Bernstein, që ishte ambasador i SHBA në Tiranë gjatë asaj kohe, shkruante në gazetën New-York-eze Jewish Daily Bulletin se “nuk ekziston asnjë diskriminim kundër hebrenjve në Shqipëri sepse Shqipëria është një ndër vendet e rralla të Europës së sotme ku paragjykimet fetare nuk ekzistojnë”.

Po ashtu, Bernd Fischer ka relatuar bisedimet dhe projekt marrëveshjen e Ambasadorit Bernstein me Ambasadorin e shtetit shqiptar në SHBA, Faik Konica, pikërisht për vendosjen e 500 familjeve hebrenje në Shqipëri.

Gazetat e bashkësive hebraike të vendeve të ndryshme të Europës i kushtuan gjatë viteve 30 një rendësi të veçantë Shqipërisë dhe strehimit që vendi ynë u ofroi hebrenjve.

Kështu, më 10 qershor 1935, gazeta “Moment” në Poloni botoi artikullin me titull “Hebrenjtë ftohen të vendosen në Shqipëri” dhe citohet mes të tjerash, se “qeveria shqiptare ka marrë një vendim të posaçëm duke ftuar edhe hebrenjtë e Çekisë dhe Gjermanisë” dhe se “qeveria e Mbretërisë së Shqipërisë është e gatshme të pranojë vendosjen e hebrenjve në vend dhe t’u ofrojë atyre kushtet e mundshme”.

Të njëjtën gjë shkruanin edhe gazetat “Jewish Telegraphic Agency” dhe “Jewish Chronicle” në Angli ndërsa gazeta britanike “Jewish Daily Post” shkruante më dt. 14 korrik 1935 se “shërbimi diplomatik i Shqipërisë qysh prej një muaji ka njoftuar vendimin e Tiranës për pranimin e hebrenjve në vend”.

Gjatë asaj kohe por edhe në vitet në vazhdim në Mbretërinë Shqiptare, nuk gjendet në shtypin shqiptar asnjë qëndrim ose relatim i një ngjarjeje anti-Semite në vendin tonë.

Siç e pohon Prof. Monika Stafa që ka studiuar qëndrimin e hebrenjve në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog, “Tirana nuk miratoi asnjëherë ligje anti-Semite; madje as vendime, as rregullore dhe asnjë akt me karakter racor”.

Nga ana tjetër, edhe pse Tirana ishte nën presionin e Italisë për të miratuar akte ligjore me karakter antisemit, në Fletoren Zyrtare botoheshin vendimet dhe qëndrimet e shtetit shqiptar lidhur me strehimin e hebrenjve në Shqipëri, sa që, në vitin 1935, gazeta e famshme sovjetike “Pravda” njoftonte se “vullneti i qeverisë shqiptare për të pranuar hebrenjtë po kundërshtohet nga Italia”.

Numri i refugjatëve hebrenj të strehuar në Shqipëri ose që kaluan nga Shqipëria pa rrezik gjatë kohës së Mbretit Zog nuk është përcaktuar ende përfundimisht por dihet se deri në prag të pushtimit të vendit nga Italia fashiste më 7 prill 1939, qindra ose mijëra prej tyre hynë në vendin tonë.

Dr. Apostol Kotani, Bernd Fisher dhe Martin Gilbert, evidentojnë se edhe në janar 1939 kishin hyrë në Shqipëri 100 hebrenj bashkë me familjet e tyre, po ashtu në shkurt ndërsa në mars 1939, kishin hyrë 95 familje.

Edhe Robert Elsie pohon në librin e vet “A dictionary of Albanian religions, mythology and folk culture” se “deri në 1939, Ambasada e Shqipërisë në Berlin pajistë hebrenjtë me viza”.

Po ashtu, Jutta Gerechter në kujtimet e veta për Shqipërinë gjatë viteve 1939-1945 shkruan “Mbreti Zog pranoi t’u jepte të gjithë emigrantëve hebrenj nënshtetësinë shqiptare, por pushtimi fashist e pengoi të realizonte atë vendim”.

Madje, Sir Martin Gilbert shënon në librin e vet “Winston Churchill: profeti i të vërtetës” se një emisar i Mbretit Zog kishte takuar Churchill-in në fillim të vitit 1939 për t’i propozuar që Shqipëria të bëhej vend strehimi për hebrenjtë dhe se për të realizuar këtë qëllim, Churchill-i do të duhej të frenonte oreksin e Musolinit dhe të garantonte pavarësinë e Shqipërisë.

Dr. Patrice Najbor thot se +/- 2.000 hebrenj kanë hyrë në Shqipëri para LDB ndërsa Bernd Fischer e kufizon këtë numër në rreth 800 veta, pavarësisht se, po Fischer, flet për “vite të arta për hebrenjtë në Shqipëri gjatë periudhës mbretërore”.

Në fakt, që në vitin 1937, Mbreti Zog kishte njohur zyrtarisht praninë e bashkësisë hebraike në Shqipëri si dhe të drejtën për të ruajtur fenë dhe zakonet e veta dhe, marrëveshja dy palëshe e vitit 1938 midis Austrisë dhe Mbretërisë Shqiptare për heqjen e vizave ndërmjet dy vendeve, stimuloi ardhjen në Shqipëri të shumë familjeve hebrenjsh që rrezikoheshin tjetërkund në Europë.

Në një shkrim botuar në gazetën Shekulli më 22 gusht 2010, pas një muaj gjurmimesh në arkiva, Dr. Mentor Petrela shkruan për “5 doktorë hebrenj që u sollën nga Mbreti Zog në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes së Hitlerit” (Prof. Wilhem Schlessinger, Prof. Walter Lehman, Dr. Ludovik Kalmar, Dr. A.M. Schlessinger, Dr. Quasler) dhe publikon urdhrin e pagesës së shoferit të Doktorit Schlessinger në një kohë kur dy ministra përdornin një makinë dhe një shofer.

Përveç trajtimit institucional nga autoritetet e Mbretërisë Shqiptare të refugjatëve hebrenj, dihet se vetë Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë e kishin Dr. Ourinovski si mjek të familjes mbretërore dhe Wilhem Weitzmann si fotograf zyrtar të Oborrit Mbretnor, që të dy refugjatë hebrenj të strehuar në Shqipëri.  Madje, në fillim të vitit 1939,  Wilhem Weitzmann u pajis, me shtetësinë shqiptare bashkë me 15 pjesëtarët e familjes vet.

Në fakt, Mbreti Zog kishte marrë shumë kërkesa personale nëpërmjet letrave që hebrenjë e rrezikuar në vendet e tyre i kërkojshin strehim në Shqipëri, siç është rasti i Dr. Martin Gottlif nga Gjermania dhe Richard Atlas nga Austria.

Ndër personalitetet e shquara hebrenje që shpëtuan në Shqipëri gjatë kohës së Mbretërisë, mund të dallojmë Prof. Stanislav Zuper, një nga baballarët e gjeologjisë shqiptare dhe zbuluesi i pellgut naftëmbajtës të Bakusë.  Po ashtu, edhe shkrimtari gjerman Dr. Leo Mathia dhe artisti izraelit Joli Jakov gjetën strehim në Shqipëri.

Supozohet se edhe fizikani dhe shkencëtari Albert Einstein kaloi nëpërmjet Shqipërisë në vitin 1930 para se të largohej për në SHBA.  Pavarësisht se ende nuk është vërtetuar vizita e tij me prova të pakontestueshme, mjaft studiues besojnë se ai ka vizituar Shqipërinë dhe kërkimet dhe studimet rreth kësaj çështjeje vazhdojnë.  Sidoqoftë, është e çuditshme që në 1931, kur albanologu më i shquar me shtetësi kroate Milan Sufflay vdiq si rezultat i atentatit nga një serb, menjëherë Einstein e denoncon publikisht këtë akt të shëmtuar në të përditshmen New York Times.

Për fat të keq, Dr. Norbert Jokli, një profesor i shquar i Universitetit të Vjenës dhe i njohur si një nga baballarët e albanologjisë, nuk arriti të shpëtojë dhe u zhduk nga shfarosja naziste në vitin 1942 edhe pse ai ishte i dekoruar nga Mbreti Zog me Urdhrin Skënderbeu.

*****

Pavarësisht se shumica e studiuesve kanë interpretuar strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në vendin tonë si një pasojë e traditës mikpritëse të popullit shqiptar duke iu referuar edhe kodit të nderit dhe të besës, këndvështrimi im është pak ndryshe.U përpoqa të sjell gjatë fjalës sime disa argumente dhe fakte në mënyrë jo-shteruese dhe të raportuar nga studiues të horizonteve të ndryshme dhe që provojnë angazhimin e Shtetit Shqiptar, të Familjes Mbretërore dhe personalisht të Mbretit Zog në shpëtimin e hebrenjve, për të dëshmuar se autoritetet e vendit tonë para LDB ishin orientuar thellësisht drejt botës perëndimore, vlerave humaniste dhe parimeve fisnike.

Ka akoma zëra që pretendojnë se vendimet dhe qëndrimet e Mbretërisë Shqiptare kundrejt hebrenjve ishin të interesuara për arsye të nevojave të zhvillimit ekonomik të shtetit shqiptar.  Nuk vihet në dyshim pragmatizmi i Mbretit Zog në drejtimin e shtetit shqiptar por analiza objektive e fakteve tregon se ishte një pragmatizëm në interes të vendit dhe kombit shqiptar dhe bazuar në vlera universale, pasi mund të kishte rrezikuar më pak personalisht nga Italia Fashiste dhe Gjermania Naziste nëse do të ishte radhitur në kampin e kolaboracionistëve.  Aq më tepër, kur dihet se në prag të pushtimit fashist, Qeveria Shqiptare nuk ndryshoi qëndrimin e vet ndaj hebrenjëve edhepse në shkurt të vitit 1939 qeveria italiane i kishte bërë të ditur konsullatës shqiptare në Romë se nuk e shihte me sy të mirë vendosjen e hebrenjëve në Shqipëri.

Natyrisht, unë respektoj mendimin e atyre që thonë se Besa e Shqiptarit ndikoi në shpëtimin e hebrenjve në vendin tonë.  Ashtu siç respektoj mendimin e atyre që thonë se përkatësia myslimane e shumicës së popullit shqiptar ndikoi për të shpëtuar refugjatët hebrenj sikur kishte ndodhur ne epoka dhe territore të tjera, në situata të ngjashme.

Filed Under: Histori Tagged With: “Si shpëtuan Hebrenjtë në Shqipëri, e Mbretit Zog”, ne kohen, Sulejman Gjana

BUKURITE E NATYRES SHQIPTARE-Magjia e ngjyrave në Kepin e Rodonit

April 1, 2014 by dgreca

Nga Nikolla Lena/ Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit.Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin. Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse : të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.

Gojëdhëna

Redoni sipas mitologjisë Ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Poseidoni i Grekëve apo Neptuni i Romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i Rodonit. Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët Hasan Ceka dhe Moikom Zeqo.

Sipas këtij të fundit Redoni ka qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit Ilir.Ai ka qenë i vlerësuar nga Ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit Ilir Gent.

Ndërkohë në traditën tonë popullore nuk ekziston ndonjë e dhënë që të tregojë drejtpërdrejtë që kepi i Rodonit e ka marrë këtë emër nga ndonjë legjendë për perëndinë e detit Redon. Ndoshta emri Redon është përpunuar në Rodon gjatë shekujve, duke na treguar se sipas mitologjisë Kepi lidhej me legjendën e perëndisë Redon, zotit Ilir të deteve.

 Historia

Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452 Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit.

Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Qëllimi I ndërtimit të kësaj kalaje ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga Venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim.

Ndërkohë kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për tu larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk. Për këtë qëllim në 22 Janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë midis Ambasadorit të Skënderbeut Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 Shkurtit1462 ku Raguza në rast lufte do ti vinte në shërbim Skënderbeut limanët dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve.

Vite më vonë pasi u pushtua prej turqve kalaja e Rodonit nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Ajo u la pas dore dhe sot ka mbetur një relike e kohës së shkuar ku shuajnë kureshtjen e tyre historike turistë të shumtë.Vërtet pozicioni i saj ndodhet në një vend piktoresk e rrethuar me det dhe qiell.Në qoftëse dikur atë e shqetësonin gjylet e topave detar,sot ngacmohet nga blicet e aparateve dhe kamerave fotografike.

Ndërtuesit

Mbas kryengritjes Çlirimtare të vitit 1443, Skënderbeu ringriti Principatën e Kastriotëve dhe krijoi lidhjen e Lezhës në 2 Mars 1444. Për tu mbrojtur nga sulmet turke Gjergj Kastrioti nisi ndërtimet mbrojtëse duke riparuar kështjellat ekzistuese, dhe duke vendosur në to reparte të zgjedhura. Gjithashtu ai krijoi edhe një sistem mbrojtës në pjesën lindore të vendit. Më vonë Skënderbeu ndërtoi edhe disa Kështjella sipas interesave strategjike: si ato të Rodonit dhe Modricës, ndërsa kreu ndërtime fortifikuese në Krujë, Petrelë, Gurin e bardhë, Stelush, Balec.

Kështjella u ngrit nga Skënderbeu për të pasur një dalje në det duke mos qënë në varësinë e Venedikut, që kishte nën kontroll bregdetin. Por Skënderbeut i duhej edhe një pikë portuale për të zhvilluar aktivitet tregtar me perëndimin, pasi lufta shqiptaro-turke “gëlltiste” të ardhura të shumta, për të cilat ai kishte shumë nevojë. Dokumentat Venedikase dëshmojnë se edhe gjatë shekullit të XVI-të në Rodon ka ekzistuar një skelë detare e kompletuar që quhej në shumës “Dyert e Redonit”.

Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qënë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. Ky i fundit ishte i vetmi objekt që ekzistonte deri përpara disa vjetësh në gjëndje rrënoje.Objekti ishte ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike e cila shihet tek harqet e mprehta.

Njëri prej këtyre manastireve përmendet në një document të vitit 1488.Në të thuhet që, Papa Inoçenti VIII-të u lejon Minareve Observante të Dalmacisë të marrin rishtaz nën kujdesin e tyre manastirin e Rodonit pranë Currilave.

Mrekullitë e natyrës

Turistët e huaj shprehen se “Kepi dhe plazhi i Rodonit janë një mrekulli e natyrës shqiptare”. Atje bregdeti përbëhet nga shkëmbej, të cilët krijojnë gjire me rërë të cilat janë në vetvete miniplazhe të një cilësie të lartë, për shkak të pastërtisë së tyre dhe ujit kristal të detit. Deti me përbërje shkëmbore dhe me një florë e faunë nënujore të hatashme përmban pasuri për amatorët e zhytjeve. Ata që e kanë provuar këtë plazh dhe kanë parë bukuritë e Kepit të Rodonit, janë të paktë dhe të rrallë, por ngritja e një infrastrukture bashkëkohore do të krijojë shfrytëzimin masiv të këtij bregdeti.Kepi i Rodonit është futur në guidat turistike të Shqipërisë dhe axhendat e turistëve të huaj nga shumë vende të botës, janë të përherëshme dhe shtohen nga viti në vit.

Vendet e bukura për një biznes të mirëfillt turistik,nuk mungojnë në vendin tonë.Ajo që s’po kuptohet akoma është menaxhimi i këtyre pikave të papërsëritshme si burim fitimi dhe prezantimi në botën shqipëtare dhe jashtë saj.

 

Filed Under: Reportazh

NE SOFREN E DIELLIT- URAN KOSTRECI ME KATER SONETE

April 1, 2014 by dgreca

NGA URAN KOSTRECI/

AHMET ZOGU/

Kur flamuri u ngrit në Vlor’more pjesë/

E më njëzet ministër ishe Ahmet;/

Teksa fashisnje n’Mirdit një ngatrresë,/

N’Tiran’ra shteti e erdhe e ngrite vetë./

Të bënë atentat ; të bënë e grusht shtet;/

Prap’ erdhe e mes aq kurthesh të pabesë,/

Me ndalë at’kaos, vendose u shpalle mbret;/

Sakaq, Ti,rregull vure e ngjalle shpresë./

 

E ndonse intriga e kurthe plot përballe,

Udh’,shkolla e ura e ministri ndërtove,

Monedhën ngrite,ekonominë e ngjalle;

Dhe vizat hoqe e djem jashtë edukove.

Ti,afsh për komb,në shpirt,nxënsve u kalle.

Shtet bëre,o Zog,po sa shumë u qortove.

 

MEHDI FRASHËRI

Sa her’shoh historin,Mehdi e ndjej

Me,Ty, vulë e fytyrë mori shteti,

N’kufij t’Atdheut,misione të mëdhej

Imazhi i atdhetarit flaktë mbeti.

Për Paris e Gjenev’Shqipria gjeti

Avokat mbrojtës,Ty,o Mehdi bej,

Kryeminister ishe kur qe mbreti.

Kur msyu fashizmi,n’radio,ata shkërbej.

 

I nxive,faqe botës,vetëm Ti.

Nën Rajhun,kur pe kuqo e shkjah zuzarë

Po vrisnin shqipo e fshatrat bënin hi,

 

Atbot,mbi supe,e more,Ti,një barrë,

Po,medet,kuqot erdhën,o Mehdi,

E në syrgjyn u shove zëmër vrarë.

 

DEDE ABAZI

Me dhunë iu gjegje dhunës,Kryegjysh,

Ja nise,në tabut,Enver tiranit

Nj’a dy klerikë të verbuar sysh:

Jezitë kuqo yshtur prej shejtanit,

 

Që donin-taç e grua-ata këlyshë

Për me përdhosë altarë e bektashianit,

Po,Ti,me plumba ua preve atë yrysh,

I dole zot teqesë edhe vatanit.

 

Kur në Shqipri sundonte një pafe,

Që vriste e s’linte asnjë me fol një fjalë,

Ti,fole….me kobure,o Dede,

 

E krisma e saj na ngrohu zëmrat valë.

Ti,n’dorë I gjall tiranit nuk I re,

U bëre fli,Dede,te qofsha falë.

 

Shpërndarësi I trakteve

(Kushtuar nacionalistit ZALO XHOMAQI)

 

Me laps në dorë unë isha n’tavolinë

Kur m’u faneps i veshur me savan

Një djal meit i zbet,shajni,shafran

E m’tha:-Për zogj bën vargje e për lëndinë?

 

“O pena ty t’u thaft,mos gjetsh derman!

“Po mua pse s’ma thure,elegjinë,

“Që trakte hodha e nxiva robërinë

“E për atë me plumb kuqot më vranë.

 

“Kur hymne,atbot,I thurnin mizorisë

“E komunizmit,që bënte kërdi,

“Un’vetëm fillikat,bonjak,i ri,

 

“Tek pashë i hapej varri Shqipërisë,

“E ngrita zërin kundra tiranisë

“E për Atdheun tim u bëra fli.”

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ahmet Zogu, Dede Abazi, kater sonete, Mehdi Frasheri, Uran Kostreci

Kosove-Serbi -Ashton: Paketa për drejtësi do të finalizohet në takimin e ardhshëm

April 1, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.-Në raundin e së hënës të takimit ndërmjet delegacioneve të nivelit të lartë të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është diskutuar për sistemin e drejtësisë në pjesën veriore të Kosovës.

“Ne  vazhduam punën në çështjet e ndërlidhura me implementimin e Marrëveshjes së Prillit”, thuhet në deklaratën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe sigurisw, Catherine Ashton,   dërguar nga zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiq, njofton Radio Evropa e Lire.
Në njoftim theksohet se “të dy palët gati e kanë përfunduar diskutimin e tyre për drejtësi dhe duke pritur harmonizimet e domosdoshme paketa do të finalizohet në takimin e ardhshëm”.
Në kumtesë thuhet se të dy palët, poashtu, “diskutuan për hapat e ardhshëm në këtë dialog dhe u pajtuan të takohen përsëri”.
Në takimin e sotëm Kosovën e përfaqësoi kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa Serbinë, kryeminsitri Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq.

Filed Under: Rajon

Merkel-Rama: Presim raportin e KE për statusin, do e vendosim në vështrim pozitiv

April 1, 2014 by dgreca

Nga B.Kastrati/.- Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi sot se vendimi për statusin e vendit kandidat për Shqpërinë varet nga raporti që Komisioni Europian do të publikojë në muajin qershor.Deklarata e znj. Merkel u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili ndodhet sot në Berlin për një vizitë zyrtare.

Gjatë takimit dypalësh zyrtarët e lartë diskutuan për procesin eurointegrues të Shqipërisë, domosdoshmërinë e një bashkëpunimi më të thellë ekonomik mes dy vendeve, si dhe situatën dhe rolin e shtetit shqiptar në rajon.
Në konferencën për mediat znj. Merkel tha se vendeve të Ballkanit Perëndimor i kemi dhënë perspektivë dhe në fund të një rruge të gjatë do të kemi integrimin e plotë të tyre.

E pyetur për qëndrimin që do të mbajë Gjermania në qershor në kuadër të marrjes së statusit kandidat për Shqipërinë, Merkel tha se “ne i trajtojmë vendet në bazë të raporteve të Komisionit Europian”. Sipas saj, Komisioni paraqet raport për statusin, për gjendjen e punëve dhe hapi tjetër që vjen për Shqipërinë është statusi i kandidatit. “Ne në qeshor do të marrim një raport të ri. Komisioni do të ketë regjistruar përparimet dhe ne do të shikojmë me një vështrim pozitiv për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Gjithmonë është një çështje, kur do ta merrni. Nuk duhet të keni frikë se nuk do të jepet statusi i kandidatit, por raportet duhet ta bëjnë të mundur që t’ua japim. Këtë e folën shumë hapur edhe me Kryeministrin”, deklaroi ajo.

“Kryeministri, tha Kancelarja, më ftoi për vizitë dhe unë i thashë se do ta respektoj këtë ftesë dhe nëse më pyesni pas një viti unë do të kem qënë në Shqipëri”.
Ajo gjithashtu vlerësoi pjesëmarrjen e grave në kabinetin qeveritar shqiptar, ndërsa tha se investimet gjermane në Shqipëri i sheh si një instrument të transformimit të kulturës së sipërmarrjes.

Kryeministri Rama në deklaratën për mediat tha se e njohu Kancelaren me ecurinë e procesit të integrimit të vendit ndërsa i shprehu asaj angazhimin e qeverisë për përmbushjen e reformave që kërkon ky proces, kryesisht ato në  luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe sundimit të shtetit ligjor.
Rama e konsideroi të domosdoshme rritjen e bashkëpunimit ekonomik, referuar edhe rolit transformues të Gjermanisë në sektorin privat. Kjo sipas kryeministrit e bën legjitime kërkesën për praninë e investitorëve gjermanë në Shqipëri.
“Ne e konsiderojmë Europën një destinacion brenda nesh dhe vendi ynë është në Europë, ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka, ditë pas ditë, që të meritojmë atë vend që shqiptarët aspirojnë dhe që ne, me ndihmën e Gjermanisë dhe të gjithë partnerëve tanë europianë, do të mund t’ua japim duke bërë çdo reformë, për një proces që nuk është i shkurtër”, deklaroi kryeministri Edi Rama sot në Berlin.

Merkel: Do të inkurajojmë investitorët gjermanë për të ardhur në Shqipëri

Nga Arlindaj Gjonaj

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi sot në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama se “do të inkurajojë investitorët gjermane për të investuar në Shqipëri”. Duke u ndalur në çështjen e bashkëpunimit ekonomik, Merkel në përgjigje të intertesit të medias tha se kishte folur me kryeministrin shqiptar për bashkëpunimin ekonomik. “Po unë fola. Folëm për faktin se projektet e caktuara të organizatës kreditore për rindërtimin regjistrohen shumë pozitivisht në Shqipëri, sa i përket konfigurimit të infrastrukturës në Shqipëri. Kryeministri Rama do të zhvillojë bisedime. Ne do të inkurajojmë investitorët gjermanë. Për investitorët privat ka shumë rëndësi siguria juridike. Ata duhet të kenë besim te sistemi juridik. Ndaj dhe ne ngulim fort këmbë të reforma e drejtësisë”, u shpreh Merkel. Kemi shumë sipërmarrje të mesme në Gjermani, tha ajo, që varen shumë nga fakti për të investuar kapitalin e tyre atje ku gjejnë kushte të mira. “Sa më shpejt të mirëformohet kuadri juridik, aq më i madh do të jetë edhe interesi i investitorëve gjermanë për Shqipërinë. Jam e sigurtë që edhe bilanci i import -eksportit do të balancohet”, tha kancelarja gjermane, Merkel.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama shtoi në këtë drejtim se ka patur një dakordësi të plotë me kancelaren gjermane, Merkel, lidhur me domosdoshmërinë që rajoni si i tërë të zhvillohet në mënyrë më të integruar dhe bashkëpunimi rajonal në aspektin ekonomik të shkojë duke u forcuar. Ai shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të bërë gjithçka për të krijuar kushtet, për të tërhequr sa më shumë investime gjermane në Shqipëri. Investimet gjermane në Shqipëri, për kryeministrin Rama, shihen jo vetëm si burim i të ardhurave, por edhe si si transformim i kulturës së sipërmarrjes dhe kulturës së punës. Për këtë arsye, tha ai, i konsiderojmë me një vlerë të dyfishtë. “Do të vazhdojmë kontaktet edhe me sipërmarrjen këtu dhe kemi planifikuar të çojmë më tutje këto kontakte në disa takime të mëtejshme me disa nga grupet e mëdha në Gjermani”, deklaroi Rama

 

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Angela Merkel, Edi Rama, raporti KE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT