NGA URAN KOSTRECI/
AHMET ZOGU/
Kur flamuri u ngrit në Vlor’more pjesë/
E më njëzet ministër ishe Ahmet;/
Teksa fashisnje n’Mirdit një ngatrresë,/
N’Tiran’ra shteti e erdhe e ngrite vetë./
Të bënë atentat ; të bënë e grusht shtet;/
Prap’ erdhe e mes aq kurthesh të pabesë,/
Me ndalë at’kaos, vendose u shpalle mbret;/
Sakaq, Ti,rregull vure e ngjalle shpresë./
E ndonse intriga e kurthe plot përballe,
Udh’,shkolla e ura e ministri ndërtove,
Monedhën ngrite,ekonominë e ngjalle;
Dhe vizat hoqe e djem jashtë edukove.
Ti,afsh për komb,në shpirt,nxënsve u kalle.
Shtet bëre,o Zog,po sa shumë u qortove.
MEHDI FRASHËRI
Sa her’shoh historin,Mehdi e ndjej
Me,Ty, vulë e fytyrë mori shteti,
N’kufij t’Atdheut,misione të mëdhej
Imazhi i atdhetarit flaktë mbeti.
Për Paris e Gjenev’Shqipria gjeti
Avokat mbrojtës,Ty,o Mehdi bej,
Kryeminister ishe kur qe mbreti.
Kur msyu fashizmi,n’radio,ata shkërbej.
I nxive,faqe botës,vetëm Ti.
Nën Rajhun,kur pe kuqo e shkjah zuzarë
Po vrisnin shqipo e fshatrat bënin hi,
Atbot,mbi supe,e more,Ti,një barrë,
Po,medet,kuqot erdhën,o Mehdi,
E në syrgjyn u shove zëmër vrarë.
DEDE ABAZI
Me dhunë iu gjegje dhunës,Kryegjysh,
Ja nise,në tabut,Enver tiranit
Nj’a dy klerikë të verbuar sysh:
Jezitë kuqo yshtur prej shejtanit,
Që donin-taç e grua-ata këlyshë
Për me përdhosë altarë e bektashianit,
Po,Ti,me plumba ua preve atë yrysh,
I dole zot teqesë edhe vatanit.
Kur në Shqipri sundonte një pafe,
Që vriste e s’linte asnjë me fol një fjalë,
Ti,fole….me kobure,o Dede,
E krisma e saj na ngrohu zëmrat valë.
Ti,n’dorë I gjall tiranit nuk I re,
U bëre fli,Dede,te qofsha falë.
Shpërndarësi I trakteve
(Kushtuar nacionalistit ZALO XHOMAQI)
Me laps në dorë unë isha n’tavolinë
Kur m’u faneps i veshur me savan
Një djal meit i zbet,shajni,shafran
E m’tha:-Për zogj bën vargje e për lëndinë?
“O pena ty t’u thaft,mos gjetsh derman!
“Po mua pse s’ma thure,elegjinë,
“Që trakte hodha e nxiva robërinë
“E për atë me plumb kuqot më vranë.
“Kur hymne,atbot,I thurnin mizorisë
“E komunizmit,që bënte kërdi,
“Un’vetëm fillikat,bonjak,i ri,
“Tek pashë i hapej varri Shqipërisë,
“E ngrita zërin kundra tiranisë
“E për Atdheun tim u bëra fli.”
Hektor Zoto says
Uroj poetin e vuajtjeve te medha Uran Kostreci per poezit e tij patriotike dhe njerezore, qe jane gure themeli ne rindertimin e ndergjegjes komtare