• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

Rishkrimi i historisë vazhdon me projektin e Djathta Shqiptare në mbrojtje të Shqipëris Etnike

May 21, 2014 by dgreca

Doli nga shtypi libri „E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipëris Etnike XI“/
Nga Nue Oroshi/
Ndriqimi i historisë shqiptare ka 10 vite që e ka marrë të mbarën. Kjo ësht bër falë punës së Shoqatës së Intelektualëvë mbar Shqiptarë Trojetë e Arbrit, shoqatë e cila për momentinë po e luanë rolinë që duhetë ta ken pasurë dy akademitë shqiptarë në shqipëri dhe Kosovë. Falë punës titanike të 120 studiuesve,profesorëve, publicistëve, Shoqata e Intelektualëve mbarë Shqiptarë Trojetë e Arbritë në bashkpunimë me Shtepinë Botuese Lumbardhi nga Prizreni botoji Librin e XI e Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipëris Etnike, libër i cili vije si frytë i sesionitë të XI shkencorë mbajturë në Prizrenë pikërishtë me rastin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, me një volumë preji 936 faqësh.
Libri fillon me një shënim hyrës të nënkryetarit të Shoqatës Trojet e Arbrit mr.sc. Nue Oroshi i cili ndër të tjera tha: me 28 Nëntor 2012, kur mbarë shqiptaria më gëzim e hare festonte 100 vjetorin e themelimit të shtetit Shqiptar, kur shteti ynë po kalonte një shekull jetë të egzistimit të tij, edhepse i copëtuar për një shekull, shqiptarët kudo që gjindeshin dhe nga të gjitha pjesët e Shqipërisë Etnike, filluan ta ndjejnë veten krenar, se, jemi shqiptarë në tokën e Shqipërisë Etnike. Shumëkush gëzohej dhe festonte, por një gëzim i pashoq mbretëronte tek intelektualët e Shoqatës së Intelektualëve mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”, e cila në mesin e saj grumbullon 120 intelektualë, profesorë, studiues nga tërë viset Etnike Shqiptare dhe Diaspora atdhetare. Pikërisht në këtë ditë të madhe Shoqata e Intelektualëve mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit” i kishte mbledhur studiuesit nga të gjitha viset Etnike Shqiptare dhe Diaspora për ta mbajtur sesionin e 11 shkencor me temën, “Kosova dhe trojet tjera 100 vjet në luftë për Bashkim dhe Çlirim Kombëtar.
Ky sesion shkencor ishte i veçantë, pasiqë hapjen e këtij sesioni e mbajtëm pikërisht në oborrin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit. Fjalën e hapjes e mbajti prof.dr Ramiz Abdyli dhe kudo tek të gjithë studiuesit vërehej një kënaqësi e madhe, sepse tash shteti shqiptar kishte bërë 100 vjet të rrugëtimit të tij, jo te lehtë. Më pas, në ambientet e hotel “Alvidas” në Prizren, u shpalosën me dhjetëra ligjerata nga studiuesit, të cilët kishin përgaditur studimet e tyre lidhur me temën bosht. Ky libër që po ua japim në dorë lexuesve shqiptarë është i njëmbëdhjeti (11) me radhë. Është një libër ekskluziv ku me ligjeratat e tyre paraqiten 100 ligjerues, dhe me temat e tyre bënë që Shoqata e intelektualëve mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit” te mbetet, si gjithherë prijetare në ndriçimin e historisë Shqiptare.
Më pasë libri vazhdon me fjalën përshendetëse të prof.dr.Ramiz Abdylit i cili ndër të tjera thotë: Ndjehem i nderuar që më është dhënë rasti t’i them dy fjalë në emër të Këshillit Organizues të sesionit tonë të jashtëzakonshëm shkencor, i cili ka temë bosht: ”Kosova dhe trojet tjera 100 vjet në luftë për Bashkim dhe Çlirim Kombëtar”, pikërisht këtu në selinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për t’i hapur punimet e tij sesioni në këtë vend të shenjtë kur figurat më të shquara të kombit tonë i dolën zot Atdheut, që rrezikohej të copëtohej. Këtu ata shpalosën programin shumë domethënës dhe përcaktues për sigurimin e autonomisë së Shqipërisë në një vilajet të bashkuar, për çka ranë në fushë të nderit mijëra dëshmorë.Nga ky vend përulemi para veprës madhore të Plakut të urtë të Vlorës-Ismail Qemali, i cili me atdhetarë të tjerë shpallën pavarësinë e Shqipërisë, por që ajo u njohë nga Fuqitë e Mëdha në më pak se gjysmën e trojeve tona.

Prandaj erdhëm pikërisht në këtë vend për të vënë në dukje në mënyrë më përcaktuese kontributin e Trojeve tona Etnike që nga Presheva, Shkupi e Preveza deri në Tivar, Plavë e Guci, Pazar të Ri në luftë për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar në 100 vjetorin e pushtimit të huaj për bërjen e Shqipërisë Etnike.Është e domosdoshme t’ua përkujtojmë historishkruesve tendenciozë që janë përpjekur dhe nuk reshtin të pretendojnë Trojet tona etnike,t’u themi se përpjekjet e tyre djallëzore bien ndesh me të vërtetën historike, se argumentet e qëndrueshme shkencore nuk janë në anën e tyre. Është e domosdoshme t’ia themi edhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, se trungu etnik shqiptar nuk ishte ashtu siç pretendohet në një botim të saj (Historia e popullit shqiptar II), se në shek .XIX në brezin anësor të trungut etnik shqiptarë nuk përbënin pakicën, por edhe ai brez ishte pjesë e trungut etnik shqiptar, se një pjesë e atij “brezi” edhe sot bën pjesë në trungun tonë etnik, siç është Shkupi me krahinën e tij etj. Duhet t’ia themi edhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të mos bëjë lojën e dashakqinjëve të popullit tonë dhe historisë së tij, sikurse janë paraqitur këto troje në një harte, sepse Trojet tona etnike në kohën e Lidhjes së Prizrenit shtriheshin më në lindje dhe verilindje seç pretendohet në atë hartë, dhe ato troje vazhdojnë të jenë të banuara me shumicë shqiptare.Në këtë përvjetor të shenjtë shoqata jonë kërkon nga institucionet shtetërore të Shqipërisë e të Kosovës, nga bashkëqeveritarët shqiptarë në Maqedoni si dhe nga klasa politike në trojet e tjera etnike që t’i koordinojnë veprimet dhe të angazhohen më me ngulm për fatet e kombit, rrjedhimisht për bërjen e Shqipërisë Etnike. Jetësimi i këtij objektivi kërkon domosdoshmërisht që të vihet interesi kombëtar mbi atë partiak, konfesional, krahinor e material.

Me punimet e tyre ne kët vepër Enciklopedike te Historis sonë shqiptare u paraqitën studiuesitë:Prof. dr. Muhamet Shatri, Akademik. prof. dr. Mark Krasniqi, Prof. dr. Izber Hoti, Murteza Xajë Nura, Prof. dr. Jahja Drançolli, Prof. dr. Ramiz Abdyli, Ermelinda Kashahu, Prof. dr. Xheladin Shala, Dr. don Lush Gjergji, Dr. sc. Mehmet Rukiqi, Prof. dr. Qerim Dalipi, Mr.sc. Hiriet Ziberi, Prof. dr. Bahtije Gërbeshi Zylfiu, Mr. sc. Jeton Idrizi, Tomë Mrijaj, Willy Kamsi, Nasir Kabashi, Fazli Hajrizi, Brikena Bogdo, MA. Agon Rrezja, Mr. sc. Fitim RIFATI, Dr. sc. Ilmi VELIU, Mr. sc. Naim Musliu, Talat Pllana, Prof. dr. Bajram XHAFA , Dr. sc. Esilda LUKU, Dr. sc. Halit Shabani, Mr. sc. Mehmet Gjoshaj, Pjetër Nikolla, Dr. sc. Gjon Berisha, Dr. Simon Lufi, Prof. dr. Bedri Muhadri, Gjovalin Çuni, Mr. sc. Besim Morina, Mr. sc. Nue Oroshi, Prof. dr. Lush Culaj, Dr.sc. Nuridin Ahmeti, Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, Sabri Maxhuni –Novosella, Mërgim Korça, Eugjen Merlika, Mentor Quku, Uran Butka Atë Donat Kurti, Mr. sc. Sinan Gashi, Leonora Laçi, Frank Shkreli, Faik Krasniqi-Zhilivoda, Fatbardha Saraçi Mulleti, Dr. sc. Pjetër Pepa, Emin Fazlija, Prof. dr. Riza Sadiku, Rukije Rama, Adem Ajvazi , Mr. sc. Zelije Shala, MA. Pajazit Hajzeri, Çerkin H. Peci, Mentor Tahiri, Qerim Rexhaj, Ramë Thaçi, Ukë Qerreti, Nasir Kabashi, Adem Geca, Nexhmi Bushati, Valbona Hardolli –Mlika, Agron Shabani, Avni I. Bilalli, Ramadan Asllani, Mr. sc. Skender Lutfiu, Rrustem Seferi, Mr. sc. Sadri Rexhepi, Mr. sc. Bedri Tahiri, Ma. Luan Tetaj, Isuf Bajraktari-Mirashi , Shaban Gashi, Ismet Hasani, Klajd Kapinova, Hysen Azemi, Abas Fejzullahi, Ramadan Reshitaj, Daniel Gazulli, Mr.sc.Naile Demiri, Zef Pergega, Prof.dr.Haki Kasumi, Skënder R. Hoxha, Idriz Zeqiraj, Bedri Blloshmi

Ky libër enciklopedik përmbyllët me fjalën e mbylljës të mbajturë nga Kryetari i Shoqatës Trojet e Arbrit prof.dr.Muhamet Shatri, njëri ndër studiuesitë më të përkushtuarë dhe më atdhetarë që ka shqiptaria, ku për dhjetë vite arriti me plotë suksesë ta vën në binarë të duhurë rishkriminë e historis shqiptare, me gjuhën e argumentitë shkencor. Prof dr Muhamet Shatri Kryetarë i Shoqatës së Intelektualëve mbarë Shqiptarë Trojet e Arbrit, në fjalën përmbyllëse ndër të tjera tha” Sesioni XI shkencor me temën bosht Kosova dhe trojet e tjera etnike 100 vjet në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, i përfundoi me sukses punimet sot këtu në Prizrenin heroik dhe kryeqytetin shpirtëror të Shqipërisë Etnike.
Edhe pse ishte ditë e madhe e kremtes për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe 4-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e shumë prej nesh kishim edhe angazhime të shumta, u përcaktuam dhe ia dolëm që këtë ditë t’ia kushtojmë trajtimit të historisë së pjesëve më të dhembshme të Shqipërisë sonë, të cilat edhe sot e kësaj dite rënkojnë nën zgjedhën e Serbisë, të Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Greqisë. Pra, në këtë mënyrë deshëm të dëshmojmë përcaktimin tonë të palëkundur se nuk do të ndalemi në rrugën tonë të shenjtë që na e kanë trasuar dhe na kanë lënë amanet brezat para nesh.
Ne jemi krenarë se nisma jonë për rifreskimin e kujtesës historike për një Shqipëri natyrale e demokratike, sot është vënë në plan të parë të angazhimeve të mbarë shoqërisë shqiptare si në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet tjera etnike dhe në mërgatë. Kërkesa për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Mal të Zi, në Sanxhak dhe në Çamëri dhe për zgjedhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi është me e zëshmja se kurrë me parë. Këtë aspiratë dhe angazhim madhor e mbështet fuqimisht edhe shoqata jonë “Trojet e Arbrit”, me të gjithë veprimtarët e studiuesit shumë këmbëngulës nga e gjithë bota shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: Doli libri, E djathta shqiptare, Nue Oroshi

Putini, “demokrati” i dhunës

May 21, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Ngarjet e muajve të fundit në Ukrainë, të cilat ende nuk kanë shkuar drejt finalizimit të tyre, nxorën në pah përsëri një tipar karakteristik të shtetit rus dhe pikërisht natyrën e tij militariste. Qëndrimi ndaj Ukrainës ishte dhe vazhdon të mbetet dëshmia më domethënëse e thelbit militarist të politikës ruse.
Para pak kohësh, përmes faqes së internetit, u njoha me intervistën e prof. Nina Hrushovës, stërmbesës së ish-udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov (1894-1971), të cilën ia kishte dhënë gazetarit Oleg Sulkin, korrespondent i “Zërit të Amerikës” në Moskë. Prof. Hrushova i ka mbaruar studimet e larta në fakultetin filologjik të Universitetit Shtetëror të Moskës. Mandej i ka vazhduar studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka mbrojtur doktoratën në Universitetin e Pristonit. Është anëtare e Këshillit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili vlerësohet si njëri nga institutet studimore shkencore politike më me ndikim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani është profesore e Universitetit “The New School” në Nju Jork.
Në intervistën e vet Prof. Hrushova deklaron:
“Rusia… po sillet si një vend renegat. Putini po vepron pikërisht si një sherrak hesapi në oborrin e ndonjë pallati, si ndonjë trimosh, domethenë në një mënyrë krejtësisht të jashtligjshme” (Citohet sipas: “Rusia po sillet si një vend renegat”. Intervistë e Nina Hrushovës, dhënë Oleg Sulkinit, korrespondentit të Shërbimit Rus të “Zërit të Amerikës”. Marrë nga faqja e internetit “golos-ameriki.ru”. 07 prill 2014).
Gjatë intervistës, gazetari Oleg Sulkin bën këtë ndërhyrje për të vjelë mendimin e Prof. Hrushovës:
“Siç vërejnë vëzhguesit, shtrëngimi i vidave dhe sulmi kundër lirive demokratike, Rusinë po e kthejnë ca nga ca në një vend totalitar, sipas Oruellit”.
Dhe prof. Hrushova vazhdon:
“Po ne gjithmonë kemi vërtetuar atë që thotë Oruelli. Domethënë, ne nuk po kthehemi në epokën e amullisë, nuk po kthehemi te Brezhnjevi, sepse ne prej andej nuk kemi dalë ende plotësish, prandaj edhe vazhdojmë të sillemi vërdallë… Në qoftë se ne do ta lejojmë Putinin të vazhdojë rrugën në këtë drejtim, kjo do të jetë turp dhe faqja e zezë për Rusinë. Në rast se ne, tashmë jo për herë të parë në histori, do ta lejojmë carin të bëjë me ne si t’i dojë qejfi, atëherë ne jemi me të vërtetë bagëti” (po aty).
Në mars të vitit 2012, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, doli në qarkullim libri i gazetares Masha Gessen, me titull “The Man Without a Face: The Unlikely Rise of Vladimir Putin” (Njeriu pa fizionomi: ngritja e pabesueshme e Vladimir Putinit).
Në moshë të re, Masha Gessen, me prejardhje hebraike, emigroi familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më vonë u kthye në Moskë, ku ka punuar si kryeredaktore e revistës “Vokrug svjeta” (Rreth botës).
Në librin që i ka kushtuar presidentit Putin, autorja është përpjekur të analizojë se cilat ishin arsyet që i krijuan mundësinë atij në vitin 2012, për t’u rizgjedhur për të tretën herë në krye të vendit, për t’i çimentuar mirë pozitat e veta në pushtet, duke filluar që prej fundit të viteve ’90.
Zonja Gessen, së bashku me zonjat Hilari Klinton, Angela Merkel dhe ish-presidenten e Kirkizisë Roza Otunbajevava, më herët ka qenë përfshirë në listën e 150 zonjave më me ndikim në mbarë botën, sipas versionit të botimit të Newsweek Daily Beast.
Gjatë prezantimit të librit në mjediset e Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, zonja Gessen iu përgjigj edhe pyetjeve të të pranishmëve, të cilët më shumë ishin të interesuar për situatën në Moskë pas zgjedhjeve presidenciale. Ajo, ndër të tjera, e pranoi se pati shpresuar për zhvillimin e demonstratave më të fuqishme të nesërmen e asaj dite kur Putini pati shpallur fitoren në ato zgjedhje. Ajo deklaroi:
“Duke qenë edhe vetë njëra nga organizatoret e protestave, unë pata biseduar me shumë njerëz. Shumë njerëz patën shpresuar për një çudi dhe qenë vrarë keq shpirtërisht nga përmasat e falsifikimit të zgjedhjeve” (Citohet sipas: Valentin Makov. Doli në qarkullim libri i Masha Gessenit për Vladimir Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “newsland.com”. 25 prill 2012).
Për dijeninë e lexuesve, Putini ka një përvojë të pasur në falsifikimin e zgjedhjeve, prandaj nuk ka asgjë për t’u çuditur që edhe mandatin e tretë si president i vendit në vitin 2012, ai e rrëmbeu nëpërmjet falsifikimeve, siç deklaron gazetarja e mirënjohur Masha Gessen. Po t’i hedhim sytë prapa dhe të flasim me gjuhën e fakteve, do të shikojmë se Putini edhe mandatin e parë, si president i Federatës Ruse, e pati siguruar pikërisht përmes falsifikimit që i ka bërë procesit zgjedhor.
Putini erdhi në krye të Rusisë pas një dekreti të presidentit Jelcin të 31 dhjetorit të vitit 1999, kur ky, pa pritur e pa kujtuar, dha dorëheqjen dhe e caktoi si president të përkohshëm, deri në zgjedhjet presidenciale të 26 marsit të vitit 2000, zgjedhje këto që u dekretuan që atë ditë.
Me sa duket, kur lufta në Çeçeni kishte arritur në përmasa të paparashikueshme, presidenti Jelcin vendosi të largohej nga skena politike, në mënyrë që të shpëtonte paq nga fushata çeçene, e cila po zbulonte lakuriq gërmadhat e sistemit federal rus, të ngritur mbi themele dhune që nga periudha carosovjetike. Prandaj Putini, ende pa u zgjedhur president përmes votës së popullit, zbriti në tapetin e karatesë për t’i treguar popullit të vogël çeçen modelin e dhunës së tij, si njeriu i KGB-së.
Alternativa e vetme që ai afroi për zgjidhjen e nyjes çeçene, ishte thjesht dhuna që u demonstrua në një mënyrë shembullore përmes vrasjeve, djegieve, përdhunimeve dhe bastisjeve mizore.
Në gazetën “Shekulli”, 27 tetor 2002, f. 17, ishte botuar një fotografi rrëqethëse me këtë diçiturë:
“Kufomat e dy luftëtarëve çeçenë, duke u tërhequr zvarrë pas një kamioni ushtarak rus”.
Dhe pranë dy kufomave duket një ushtar entuziast rus që është duke i goditur ato me shkelma. Më tutje, në një plan të dytë të fotografisë, këtë skenë makabre janë duke e soditur dy ushtarë të tjerë. Kurse pak më thellë, në planin e tretë të fotografisë, tre të tjerë ushtarë të ngeshëm rusë, hipur majë një autoblinde, vazhdojnë ta ndjekin me kënaqësi skenën e mësipërme. Sigurisht që kjo skenë rrëqethëse ishte vetëm maja e aisbergut të krimeve të përbindshme që shovinizmi rusomadh dhe makina ushtarake e Putinit pati kryer asokohe kundër popullit liridashës të Çeçenisë. Poshtërimi i kufomave të dy luftëtarëve çeçenë nga ana e ushtarëve agresorë rusë, zbulon fytyrën vërtet gjakatare të shovinizmit rusomadh dhe përmbajtjen e kodit moral të ushtarëve rusë (kopje e kodit moral të ushtarëve serbë), të cilët Kremlini, në kuadrin e fushatës së dhunës putiniane, i kishte lëshuar si bisha të tërbuara kundër një populli të vogël, por heroik.
Putini e prezantoi veten si një pasardhës i zellshëm i politikës së dhunshme që ka ndjekur Rusia ndaj popullit çeçen, sidomos që prej vitit 1743, kur ajo nisi fushatën për futjen e popujve të Kaukazit nën zgjedhën e robërisë cariste.
Dhuna, të cilën Putini e ka pasur si yll karvani në ngjitjen e shkallëve të karrierës politike, pati shoqëruar edhe zgjedhjet presidenciale të 26 majit të vitit 2000. Atë vit më pati rënë në dorë një editorial i posaçëm i gazetës “The Moscow Times” të datës 09 shtator, që ma kishte dhënë drejtori i një gazete të mirënjohur të Tiranës. Editoriali mbante titullin “Kush i fitoi zgjedhjet, që ta marrim vesh?” dhe analizonte me hollësi zgjedhjet e 26 marsit.
Materiali përmbante fakte tronditëse për ecurinë e procesit zgjedhor. Në dispozicion të gazetës qenë vënë dëshmi boll të dokumentuara për falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, falsifikim ky që vinte në dyshim ligjshmërinë e të dhënave përfundimtare të votimit.
Gazetarja e mirënjohur, Evgjeni Borisova, pati përgatitur një sërë reportazhesh nga Dagestani, Saratovi, Tatarstani, Ingushetia, Bashkorostani dhe Moska. Me shumë interes ishin informacionet e saj telefonike nga Novosibirsku, Kursku, Njizhnjij Novgorodi, Kabardino-Balkaria dhe Mordovia. Veç asaj, mjaft interesante ishin edhe reportazhet e Hari Piçit nga Kaliningradi, të gazetares Nona Çernjakova nga Vladivostoku dhe të Majerbek Nunajevit nga Çeçenia.
Ushtrimi i dhunës dhe falsifikimi i rezultatit të votimeve qenë dukuri fort të pranishme gjatë procesit zgjedhor. Faktet e shumta që sillnin korrespondentët e gazetës, dëshmonin katërcipërisht se ç’hendek i thellë e ndan Federatën Ruse nga standardet demokratike të zhvillimit të proceseve zgjedhore. Nga moria e fakteve të shumta që dëshmojnë për batërdinë e falsifikimit të zgjedhjeve të 26 marsit të vitit 2000, këtu po mjaftohem vetëm me dy-tre prej tyre.
Alhat Zaripov, pensionist 65-vjeçar nga qyteti i Kazanit (Tataristan), rruga Fuçik, pallati 107, tregon:
“Shkova për të votuar, por sakaq vura re se në listën e zgjedhësve, ku firmosim dhe shënojmë të dhënat e pasaportave të gjithsecilit, qenkeshin shënuar adresa shtesë, sipas apartamenteve përkatëse, apartamente këto të paqena. Pallati ynë ka 180 apartamente, kurse në listë ishin shënuar 209 të tilla. Pra, 29 apartamente të paqena, në të cilat gjoja banuakeshin 70 zgjedhës të shpikur nga mendja apo “shpirtra të vdekur”, me sa duket, ishin produkt i fantazisë së komisionit të qendrës së votimit. Kurse në listën e zgjedhësve të pallatit fqinj, i cili ka 108 apartamente, figuruakeshin faktikisht 125 apartamente. Ky është mashtrim! Pse, zgjedhje demokratike janë këto?!” (Citohet sipas “The Moscow Times”, 09 shtator 2000, f. 7).
Ildus Sulltanov, njofton për qendrën e votimit nr. 372 të qytetit të Kazanit:
“Vëzhguesit tanë ishin duke verifikuar listat zgjedhore mu në prag të votimit dhe vunë re një dukuri befasuese: në njërin nga apartamentet e pallatit 25A, në rrugën Dubravnaja, qendra e votimit nr. 326, na qenkeshin regjistruar tre pleq, që të tre të lindur në vitin 1901, të cilët na jetuakeshin me një çift. Vëzhguesit u nisën drejt atij apartamenti, për t’u bindur për praninë e atyre pleqve, të cilët duhet të ishin rreth njëqind vjeç. Dhe çfarë zbuluan se? Në të vërtetë, rezultoi se, në vend të pleqve, vëzhguesit gjetën tre fëmijë të vegjël të çiftit në fjalë. Në listën zgjedhore të atij pallati qenkeshin shënuar edhe emrat e disa “pleqve” të tjerë. Pati edhe shumë raste të tjera si ky dhe sado paradoksale që tingëllon një dukuri e tillë, të gjithë këta “shpirtra të vdekur”, të hallakatur nëpër qendra të ndryshme votimi, paskeshin lindur në vitin 1901” (po aty).
Nga analizat e shumë fakteve të pamohueshme që kanë bërë gazetarët e organit “The Moscow Times”, rezulton se autoritetet e Kremlinit, në bashkëpunim të ngushtë me guvernatorët, nuk patën lënë mjet presioni pa përdorur mbi njerëzit e thjeshtë, në mënyrë që president të zgjidhej Putini detyrimisht. Shumë zgjedhës qenë detyruar nga pushtetarët lokalë të votonin për Putinin, nën kërcënimin e pushimit nga puna ose të ndërprerjes së ndihmës sociale. Madje në jo pak raste, ata zgjedhës, të cilët nuk pranonin të votonin për Putinin, qenë kërcënuar jo vetëm me pushim nga puna, por edhe me shpërngulje të detyrueshme nga vendbanimi i tyre i përhershëm (po aty, f. 3).
Për të krijuar një ide më të plotë për falsifikimin e zgjedhjeve dhe për psikologjinë e dhunës që mbizotëron në vetëdijen e kastës pushtetore të Kremlinit për zhvillimin e tyre, i ftoj lexuesit e nderuar të njihen me pikëpamjet e publicistit liberal rus Jakov Krotov (1957). Ja se si i analizon ai zgjedhjet në Rusi:
“Fryma antidemokratike e “shpirtit rus” qëndron jo në paaftësinë për të zgjedhur lirisht, por në dëshirën për të zgjedhur jo vijimisht, por një herë e përgjithmonë dhe të zgjedhë jo përfaqësuesin e vet, por shefin e vet, të zgjedhë jo përmes konkurrencës dhe votimit, por përmes kacafytjes së militantëve. Likuidimi i zgjedhjeve në Rusi që iu vu vula në tërësi në vitin 2006 me vendosjen e një morie kufizimesh të ashpra, ashtu si edhe shumica e bëmave “politike” të pushtetit, kishte një karakter deklarativ, shpresëkotë (iluzor). Zgjedhje të lira nuk ka pasur edhe më parë. Pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, të vetmet zgjedhje relativisht të lira kanë qenë zgjedhjet që u zhvilluan në vitin 1990, në çastet e agonisë së regjimit gorbaçovian. Por edhe ato zgjedhje nuk ishin fort të lira, përderisa zgjedhësi mund të votonte jo për demokratët, por vetëm për ata komunistë që kishin më shumë tendenca antikomuniste. Edhe më të palira kanë qenë zgjedhjet e mëvonshme. Historia e luftës rreth zgjedhjeve reduktohej në luftën e nomenklaturës së lartë dhe rajonale për të gëzuar të drejtën e falsifikimit të zgjedhjeve. Heqja e lirisë së sipërmarrjes private që sapo mori jetë në pranverën e vitit 1992, gjatë kohës që zëvendëskryeministër ishte Jegor Gajdari (1956-2009), kur u shfuqizua dekreti për lirinë e plotë të tregtisë, ishte goditja e parë e fuqishme kundër lirive politike. Kësisoj u shkulën themelet ekonomike të zgjedhjeve të lira. Goditja e dytë ishte ruajtja e varësisë nga pushteti të gjykatave dhe të policisë së fshehtë. Në këtë sfond, pasuan masat që mori Putini: u anuluan zgjedhjet në dhomën e lartë të parlamentit, u anulua zgjedhja e guvernatorëve, u hoq pragu i poshtëm i numrit të votuesve. Këto ishin masa thjesht kozmetike, pa të cilat edhe mund të dilej mbanë, pa të cilat ia pati dalë mbanë diktura komuniste. Ky është demonstrim i seriozitetit të qëllimeve të diktaturës së re, po nuk është aspak shenjë që të tregojë se sistemi paraardhës i zgjedhjeve ta kishte kërcënuar sadopak këtë diktaturë. Kurse si bazë psikologjike e zgjedhjeve antidemokratike, shërben psikologjia e natyrës ushtarake që mbizotëron në Rusi. Ushtria nuk pranon votim personal. Kjo është edhe arsyeja që madje njeriu i arsimuar rus, rezulton që është i paaftë të arsyetojë për zgjedhjet në një mënyrë racionale. Ai nuk kuturis t’i njohë zgjedhjet e palira për ndofarë konideradash të çastit, siç ndodhi me përkrahësit e Jelcinit në vitet ’90, të cilët, duke u nisur nga koncepti i së keqes më të vogël, refuzonin me këmbëngulje ta pranonin faktin e falsifikimit të zgjedhjeve. Njeriu i arsimuar rus, në parim, nuk arrin ta kuptojë se votën çdokush e hedh në mënyrë personale. Ai i kupton zgjedhjet si një lëvizje që mbarë vendi e kryen njëkohësisht. Kështu, në vitin 1993, “liberali antigorbaçovian” tipik, Juri Karjakin (1930-2011), revoltohej për faktin që “Rusinë e mbyti budallallëku”, sepse atë ditë paskej votuar kundër partisë së Kremlinit, kurse votë quhej ajo e atyre që kishin votuar për pseudoliberalët e Zhirinovskit dhe për komunistët. Në vitin 2006, po një i tillë “liberal i Kremlinit” i krahut të Jelcinit, Boris Pankin (1931), shkruante se respekti ndaj rezultateve të zgjedhjeve të lira “është pikërisht ai që “ne në Rusi” nuk mundemi dhe, besoj, nuk duam ta mësojmë kurrsesi”. Ndërkohë, demokracia nuk fillon atje ku respektojnë rezultatet e zgjedhjeve të lira, por atje ku mbajnë qëndrim të qetë ndaj diskutimit të çështjes se sa të lira ishin zgjedhjet dhe nëse liria e zgjedhjeve ishte garantuar në mënyrë të mjaftueshme. Të respektosh rezultatet e zgjedhjeve, të cilat kanë formatuar mbretërimin e Putinit, do të thotë të shkelësh parimet demokratike, të pranosh falsifikimin e tyre” (Citohet sipas: Jakov Krotov. “Rusia ushtarake. Një vend ushtarak: ç’do me thënë kjo?”. Marrë nga faqja e internetit “e-reading.ws”).
Psikologjinë e dhunës, Putini, si “demokrat” i dhunës, e manifestoi dhe vazhdon ta manifestojë fare açik në qëndrimin ndaj Ukrainës. Por jo vetëm kaq. Ai ka krijuar një rrjet të fuqishëm propagandistik, duke u zënë frymën mjeteve private të informimit masiv. Gazetarja Masha Gessen thotë:
“… Putini u ngrit si njeri dhe si politikan, me prirje për dhunë… E vërteta e thjeshtë që duket sheshit, qëndron në faktin se Rusia e Putinit është një vend i tillë, në të cilin kundërshtarët politikë dhe kritikët e vendosur, vriten shpeshherë, madje, në disa raste, së paku, urdhri për vrasjen e tyre vjen drejtpërdrejt nga administrata presidenciale” (Citohet sipas: Valentin Makov. Doli në qarkullim libri i Masha Gessenit për Vladimir Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “newsland.com”. 25 prill 2012).
Në pikësynimet e tij të dhunshme kundër Ukrainës, Putini kërkon t’i tregojë muskujt Perëndimit, duke iu hakërruar dhe madje edhe duke e kërcënuar haptas fare. Për këtë qëllim, ai ka ngritur rreth vetes një ushtri të tërë me puthatorë (sevilë) profesionistë, të cilët janë bërë zëdhënësit e tij të drejtpërdrejtë. Njëri nga këta puthadorë me paha të madhe është Dmitri Kiselovi (1954), gazetar, drejtues emisionesh televizive, drejtor i përgjithshëm i agjencisë informative ndërkombëtare ruse “Rossia sevodnja” (Rusia Sot) dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i KSHTRM (Kompanisë Shtetërore Televizive dhe Radiopërhapëse Mbarëruse). Në veprimtarinë e vet gazetareske, Dmitri Kiselovi, për puthadorësinë (servilizmin) e tij karakteristike ndaj Putinit, ka rënë në sy jo vetëm në sytë e opinionit publik rus, por edhe në radhët e opinionit publik ndërkombëtar.
Kështu, me rastin 60-vjetorit të lindjes së Putinit (07 tetor 2012), gjatë zhvillimit të programit me temë “Lajmet e Javës”, Dmitri Kiselovi pati përgatitur një koment që zgjati 12 minuta dhe 41 sekonda. Në atë koment, ai deklaroi:
“Për nga përmasat e veprimtarisë, Putini-politikan, në krahasim me paraardhësit e tij të shek XX, është i krahasueshëm vetëm më Stalinin” (Citohet sipas: “Zemrat e tyre duhen groposur ose duhen djegur, si të papërshtatshme për vazhdimin e jetës”. Marrë nga faqja e internetit “slon.ru”. 09 dhjetor 2013).
Ndërsa në një tjetër shfaqje puthadorësie, Dmitri Kiselovi i drejtohet Putinit me një tjetër deklaratë, këtë herë vetëposhtëruese:
“Vladimir Vladimiroviç, mua më ke besnik, çizmet do të të pastrohen me floknajën time, më pas do t’ju thur dhe këngë” (Citohet sipas: Helena Rikovceva. “Ishte Kiselovi ai që tha për Putinin: mua më ke besnik”. Marrë nga faqja e internetit “svoboda.org”. 13 dhjetor 2013).
Por, çuditërisht, ky Dmitri Kiselovi, ky puthador i regjur i Putinit, në një tjetër deklaratë, shpalos dyzimin e personalitetit të vet dhe kalon nga roli i poshtëruesit të vetvetes, në rolin e një ngrehaluci agresiv që bëhet karagjoz në sytë e opinionit publik rus dhe atij ndërkombëtar.
Në emisionin përmbyllës të lajmeve të javës të kanalit televiziv “Rusia 1”, të datës 16 mars 2014, Dmitri Kiselovi deklaroi:
“Federata Ruse, po të jetë nevoja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’i kthejë në hi radioaktiv, duke përdorur armët bërthamore” (Citohet sipas: Rusia mund t’i kthejë në hi radioaktiv Shtetet e Bashkuara të Amerikës – drejtuesi i emisioneve televizive Kiselov”. Marrë nga faqja e internetit “news.liga.net”. 16 mars 2014).
Pra, nga deklaratat e mësipërme, rezulton se në vetëdijen e Dmitri Kiselovit bashkëjetojnë dy ndjenja të kundërta: ndjenja e puthadorësisë ndaj agait të tij në Kremlin dhe ndjenja agresivitetit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, lakeu i Putinit, brenda qenies së vet, ka krijuar një të tillë mjedis moral që e ka çuar drejt shpërbërjes së vetëdijes së tij, një dukuri kjo, të cilën, shkrimtari anglez Xhorxh Oruelli (George Orwell – 1903 – 1950) e quan dyzim të vetëdijes, çka përbën një dyzim të personalitetit.
Dhe dyzimi i personalitetit të njeriut shpërfaqet fare kthjelltazi sa herë që këtij, sipas fjalëve të poetit dhe të publicistit të shquar polako-amerikan Çeslav Milosh (Česlav MiloŠ – 1911-2004), laureat i çmimit Nobel në letërsi për vitin 1980, i duhet “të thotë “kjo është e bardhë”, kur ajo është e zezë, të qeshë brenda vetes, kur, në dukje, i duhet të heshtë,.. të dijë të vërtetën dhe të shtiret si budalla hesapi…”.
Nëse në Rusi do të ishte ndërtuar me të vërtetë një shtet ligjor dhe nëse president i vendit do të ishte një tjetër individ, me një tjetër format intelektual, sigurisht që gazetari puthador i Putinit, me emrin Dmitri Kiselov, do të përfundonte pas hekurave për këtë kërcënim që u ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por këtij gazetari, të brymosur me ideologjinë e dhunës putiniane, pas kësaj deklarate prej krekacori të kulluar, nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, sepse pas tij fshihet vetë Putini.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eshref Ymeri, Putini apo “demokrati” i dhunës

VETMIA E ZERAVE

May 21, 2014 by dgreca

Me ndjek ylli im/
Nga Krstaq TURTULLI/
Vili Tare ishte në përgjim, në pritje. Përtej kesaj dere të vjetër, gjysmë të rrënuar, me plasa, gjendej një njeri, e që ai, kish vendosur ta dënonte me vdekje. Vdekja gjithnjë është e pavlerë, mbasi të kthen në pluhur, në asgjë. Cilido e ka mbi krye vdekjen, shpejt a vonë. Siç vijmë në këtë botë do ikim një ditë, sikur nuk kemi qënë kurrë. Por ikja prej kësaj bote, pra pluhurëzimi, nuk është kaq e thjeshtë sa mund të interpretohet nga sylesëshët dhe naivët. Pallavrat dhe marrëzitë janë të pafundme…
Ai donte prej tij dorëzimin pa kushte. Pluhurizimin përfundimtar. Vdekja natyrale, aksidentale është e vyer. Por ai donte prozvalje, qenëzimin, gjynjëzim, langaraqjen. Vili Tare ndjehej i ngopur, i mbushur deri në fyt. U mbush me frymë. Shkoi pëllëmbën mbi flokët e krehur me kujdes dhe shtyu derën gjysmë të rrënuar të haurit me besimin e patundur, Taqo Leka ishte bajgëzuar…
Vili Tare qëndroi në prag të derës, këmbë hapur dhe duart vendosi në brezin e lëkurtë. Përtej, në këndin e rrënuar, mes lojës të harbuare të fashave të dritave dhe hijeve dergjej ai njeri që ishte dënuar me pushkatim.
-E shoh, të pihet ujë,- i tha.
Taqo Leka luajti kryet. Zhurma të turbullta vërtiteshin rreth tij. Ato nuk i ndaheshin, kërkonin të shfaqeshin, të individualizoheshin, nuk mundnin. Çfarë luftë e çuditshme zhvillohej mes zërave dhe zhurmave! Ai ishte i goditur, i lodhur, i dërmuar, i torturuar, por kurrë i dorëzuar. Taqo Leka ishte goditur brinjë më brinjë nga pabesia. Besimi i ishte thërrmuar, bërë pluhur, baltë. Ai do të dëshironte të ndjehej i gabuar. Jo. Ai ishte tmerrësisht i tradhtuar. Dikur, ai pat kërkuar të perceptonte, ngjyrën , intonacionin, formën, hapësirën e tradhtisë. Gjithsesi , ishte ndërmarrje e çmendur. Nuk mund të gjendej, ngjyra, forma ,hapësira, përmasa. Në qindra , mijëra vjet ishte bërë tjetërsim i llahtarshëm. Vili Tare kërkonte t’i jepte ujë , kur ndërkohë ai ishte ujë prerësi i burimeve. Mynxyrë dhënësi Vili Tare.
Taqo Lekës i dhembte trupi,i përvëlonte zemra, koka i gjëmonte.
Përgjatë trullosjes ,Mara i shfaqej dhe i shumohej vazhdimisht. Ishte vegim i thellë,gati lëngonjës. Ajo hyri si shpërthim në jetën e tij. Ajo bujarisht i fali gjithçka. Po ai, çfarë i dhuroi dritës dhe flakadanit? Shqetësime dhe brenga përherë. Mara dikur u duk si shpërthim predhe, në realitet ishte e brishtë, si lule. Ajo ishte vetme mes malesh, e sëmurë, me krijesën e tij në bark .Në rastësinë banale, fati ulet dhe ngrihet në rrokopujë të ngjarjeve.
Ai dëgjonte zhurma dhe zëra, nervoze, kryeneçe, përplasje, shkundje gjatë kllapisë. Më pas zë femre që kërkonte ngulmueshëm të zgjidheshin litarët. Kra-të e shtynë, kri-kritë e tërhoqën, kru-krutë e mbështollën. Taqo Leka dëgjonte zëra te mekur dhe zhurma të çuditshme, pastaj qindra mijëra hapash që gjëmonin në asfalt. Nga u gjend ky asfalt mes bajgash! Përplasjesh zinxhirësh, thyerje, krisma dhe zhurma të tjera. Krumb-krumbet, godisnin si tokmak trurin e tij. Ai ishte shumë i sigurte që dëgjoi jehonën e zërit të femrës. Krim-krimet u turrën duke gërryer dheun. Llokoçitje ujërash të turbullta. Qetësi të rëndë të thellë. Ai u përmend.
Taqo Leka e kishte parandiere ardhjen e Vili Tares. I dëgjoi hapat. Ai kishte perceptuar hezitimin, kthimin. Mbase dhe largimin e tij. Sigurisht ,ata qëllimisht e flaken në haur, të ndyrë, mes bajgave. Kryqëzuar me litarët e ashpër dhe telat e sertë, për të përgatitur përfundimisht dorëzimin dhe shpartallimin e Taqo Lekës, pa pasur mundësi ri ngritje.
-T’i thërres rojës t’ju sjellë ujë,- dëgjoi përsëdyti zërin e Vili Tares.
Taqo Leka lëvizi kokën drejt tij ngadalë. Vili Tare ishte përgjysmë në terr. Sidoqoftë ai e kuptonte gazin e hidhët të tjetrit. Gojën e kishte farmak. Ujë. Ishte i etur për një pikë ujë. Gjuhën e kishte trokë dhe gjoksin dërrasë. Ujë. Sa e shtenjtë fjalë ujë, në ato momente. Por jo prej tij, kurrë. Koka i buçiste. Po vriteshin te gjitha kthimet.
-Për çfarë uji bëhet fjalë Vili Tare,- foli ftohtë Taqo Leka,- ti i ke prerë të gjitha burimet. Nga do të gjesh ujë të më japësh mua, të lag buzët. Ju e vratë ujin përpara se tu dhurohej njerëzve.
-Do ujë apo shurrë,- kërkëriti zëri i Vili Tares.
-Më mirë shurrë, sepse ujë nuk më jep dot.
Vili Tare përplasi me nervozizëm këmbën mbas tokës, u përhapën gjithandej stërkala bajgash në forma të ndryshme.
-Meqenëse kërkoni shurrë edhe shurrë do tu jap të pini pa masë,- bërtiti Vili Tare,- çfarë shurre e doni prej njeriu a kafshe?
-Do preferoja të kafshës. E njeriut është helm ,- ia bëri Taqo Leka.
-Mos kij merak, do ta pish,- foli me vrer Vili Tare:- Ne ishim pjesë e një të tëre. Janë fjalët e tua, apo jo?
-Te mijat janë,- ia ktheu Taqo Leka,- shpresoja që ishim vërtet pjesë e një të tëre. U përdhos besimi. Ndershmëria gaboi sepse besoi, fitoi mashtrimi. Nesër koha do të gjykojë për ndershmërinë e nëpërkëmbur. E njëherësh koha do të jetë ajo që, do vrenjtet, do gjëmojë, do të hedhë shi breshër, furtunë për fajet dhe ligësitë e të tjerëve. Egoizmi i neveritshëm, etja e pandalshme për gjak. Do të mbetesh përherë i vogël Vili Tare. Nëse kërkoje karrierë, pushtet dhe unë isha pengesa kryesore e qëllimeve të tua të shëmtuara. Ma thoshe, ta hapja unë krahun, të lëshoja rrugë. Dikush do dilte në krye.Vetëm zvarritjen përpara atyre dy plehrave, jugosllavëve te mos e pranoje. Është peshë e rëndë kjo për shpatullat e tua Vili Tare.
-Ashtu,- ia bëri me sarkazëm Vili Tare,-e hapa rrugën. Qëllimi justifikon mjetin, nuk kisha përse t’ju pyesja juve.
-Sigurisht, e hape,- foli ultazi Taqo Leka:- Ata dy kodoshë jugosllavë të ngritën, të shtynë dhe ti verbërisht hyre në rrugën e përmbytur nga errësira dhe gjaku.
-Gabohesh,- nënqeshi Vili Tare dhe shtoi gjithë besim:- Nuk më shtyu askush. Sa për dijeni mua më ndjek ylli im!
-Do shuhet…
-Veçse jo përpara yllit tënd, që është në karbonizim,-e ndërpreu Vili Tare:-Pas kësaj dere të pret skuadra e pushkatimit.
-Yjet e mëdhenj nuk shuhen…
-Ha, ç’na qenka, ha! Sa naiv që je. Ti e quake veten yll të madh!- bërtiti me të madhe Vili Tare dhe vuri duart në bark, si të mbante të qeshurën qe i vinte se thelli. Ai po kënaqej me naivitetin e tjetrit, -Ti yll! Ti! Nuk e kupton që i mbaruar Taqo Leka. Ke vetëm disa minuta jetë. Apo do të fal një orë, një javë, një muaj, një vit? Fol?
-Jo dua të përfundojë sa më parë,- foli Taqo Leka duke zgjatur zërin:- Është vdekje e vogël, kjo e imja. Ndërsa ju, Vili Tare, po hapni rrugën e një vdekje te madhe. Ju hodhët në erë ëndrrën e të parëve, bëtë fërtele një komb, për kasaphanën e nesërme. Kjo është vdekje e madhe e tmerrshme dhe ju jeni firmuesi i saj.
-Hë, ne nuk dimë a do të fitohet lufta,- foli nëpër dhembë Vili Tare, me shumë për ta provokuar.
– Lufta pothuajse ka përfunduar, veçse nuk dihet kush do jetë fituesi,- ia bëri Taqo Leka.
Vili qeshi fort.
-Goditja e Xhikes në kokë të paska trullosur Taqo Leka. Kur përfundon një luftë, gjithmonë ka fitues dhe humbës. Sikundër tani. Ju jeni humbës i madh zoti profesor, dhe unë fituesi modest, pa shumë pretendime, vetëm për pak pushtet, apo jo?!
-Ashtu!Pusht-et!
-He, sigurisht, he!?- Vili Tare po shkrihej i tëri. U tret përfundimisht kompleksi i inferioritetit, ai ishte i tërë.
-Nuk do jesh kurrë fitues Vili Tare. Ti do tërheqësh pa mëshirë, zvarrë një popull fukara,- thirri Taqo Leka,duke u përpjekur te flakte litarët, te çlirohej:-Paskësh qenë vërtët mbretëresha e djajve ajo ditë që të njoha dhe të besova ty. Ti mbartje mbi shpinë portën e ferrit Vili Tare. Mallkuar qofsh!
Vili Tare u tërhoq prapa, i trembur, i ç’orientuar, i egërsuar. U hodh përpjetë me epshin e një gjarpri helmues. Ai qëndroi larg, në anën e kundërt të dritës. Ujërat e detit te tij kishin ndryshuar ngjyrë…
Ai i thirri rojës.
-Lidhe, tërhiqja fort litarët,- bërtiti,- fort, dëgjon!
Roja kryqëzoi zellshëm Taqo Lekën. Ia shtrëngoi këmbët mbas trungjeve të pagdhendura, deri në lodhje. Fasha e dritës u tret. Hauri u përmbyt nga errësira…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: " Vetmia e zerave"), Kristaq Turtulli, Me ndjek ylli im

SKENDER DAJA-Një përkujtim për një martir

May 21, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Sapo dola nga salla e shfaqjeve të kinema Milenium. Shfaqesh filmi dokumentar “Djaloshi me kitarë” realizim i Pantheon Studio Traboini me mbështetjen e ish Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë, me regjizor Kolec Traboinin dhe skenarist Ilir Çumanin. Filmi i dedikohej njërit nga figurat e shumta të rezistencës antikomuniste të vendit tone, figurës së të paharruarit Skënder Daja, pushkatuar pas revoltës së madhe të zhvilluar në kampin famëkeq të Spaçit më 21 maj të vitit 1973. Një realizim i përkryer.
Kush ishte Skënder Daja? Një i ri jetim, që nuk njihte as babe, as nënë. Një i ri i rritur nëpër shtëpitë e ndryshne të fëmijës. Një i ri që babanë e vetë ia kishin pushkatuar me arsyen absurde se kishte propaganduar për shkëputje nga “vëllezërit” e Bashkimi të madh Sovjetik, me të cilin disa vjet më vonë do të bëheshim armiq të papajtueshëm.
Shoh filmin dhe para syve më del fëminija ime. Sytë më mbushen me lot. Shoh një ngjashmëri midis fëmijërisë time dhe asaj të Skënder Dajës. Edhe unë u ngrita kundër atij regjimi në të njëjtën moshë. Shpërndaja trakte nëpër rrugët e qytetit. Kurse ai këndonte këngët e Adriano Çelentanos me kitarën e dërguar nga Vaçe Zela. Këto këngë ishin një simbol i thirrjes për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike. Ishte vetëm 20 vjeç kur e arrestuan. E akuzuan për tentativë për arratisje. Kjo ndodhi për një bisedë fëminore për arratisje, nisur kur nuk ishte më shumë se 13 vjeç. Gjyqtari i tij ishte Fehmi Avdiu, për ironi të fatit, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese pas përmbysjes së sistemit totalitar. A keni dëgjuar ndonjëherë të dënohet dikush për një mendim që paska pasur në një moshë të tillë? Këtë e bëri fakt të kryer Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Panariti, më 22 dhjetor 1970, kur lëshonte urdhërin e arrestimit të tij, së bashku me të dy shokët Dashnor Kazazi dhe Sami Paja. Vini veshin kush ishin këta “armiqtë e tërbuar të sistemit socialist”, tre të rinj 20 vjeçarë që këndonin këngë që nuk lejoheshin nga regjimi obskurantist. Megjithatë gjykata i dënoi, Skënder Dajën me 10 vjet burg, Sami Pajën me 9 dhe Dashnor Kazazin me 7 vjet. Kjo ishte demokracia e sistemit socialist aq shumë e propaganduar nga sistemi.
Filmi vazhdon me pamjet e tij. Siç tha regjizori i tij, Kolec Traboini, nuk është një film i bazuar në dokumenta historike, por një film artistik. Por une, duke parë atë, shihja të vërtetën historike të atyre viteteve të tmerrshme që kaloi ky popull, shihja egërsinë e paimagjinuar të autoriteteve shtetërore karshi atyre që guxonin të ngrinin zërin për liri dhe demokraci. Një nga këta ishte edhe Skënder Daja që me këngët e tij donte t’i tregonte këtij populli se kishte ende njerëz të shquar që kërkonin të shpreheshin për liri, për demokraci, për flamurin kuq e zi, gjëra që, në atë kohë, ishin ende të parealizueshme.
21 maj 1973. Kampi i punës së detyruar të Spaçit. Një revoltë e paparë ndonjëherë në historinë e të burgosurve politikë të Shqipërisë kishte ndodhur. Në krye të saj qëndronin disa figura të shquara si Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi. Tre ditë në kampin e Spaçit valoi flamuri pa yllin e kuq të komunizmit. Tre ditë në kamp u ndje aroma e lirisë. Por drejtuesit e paskrupull të shtetit shqiptar nuk mund të pajtoheshin me një veprim të tillë. U derguan forca të shumta ushtarake të sigurimit të shtetit, a thua se kishte plasur një lufte e tretë botërore. Në krye të tyre një figurë e urryer e diktaturës, Feçor Shehu, që disa vite më vonë do të binte viktimë e vetë regjimit që e ngriti. Uria dhe presioni i paparë i qindra sigurimsave të dërguar me këtë rast, e shtypën revoltën. Pasojat tashmë dihen. Katër të pushkatuar. Dhjetra të ridënuar me dënime të ndryshme.
Bashkim Fishta, ish i dënuar politik në Spaç, tregon:

“Zëvendësministri i brendshëm, Feçor Shehu, i tha Skënder Dajës:
– Ti do të dënohesh, sepse je biri i një krimineli, që deshte të fuste në luftë popullin
shqiptar me popullin “vëlla sovjetik”. Rri i qetë se edhe ti do ta shohësh shumë shpejt tët atë”.

Ndërsa Bujar Tabaku, një ish ushtar i ndodhur në Spaç në atë kohë, tregon:
Njëri nga të dënuarit kërkoi ta kthenin me fytyrë nga dielli se prangat ishin shtrënguar aq shumë sa duart dhe këmbët kishin marrë ngjyrë vjollcë.
– Hë more ti, a do të këndosh më këngë italiane? – i tha ushtaraku Dino Zeqo,
Skënderit.
Përgjigja ishte:
– M’u largo more pis!
Ndërsa Dino Zeqo e shkelte nga gjunjët, Skënderi shtrëngonte dhëmbët, të cilët i kërcisnin
nga dhimbja.

Kuptimplotë është edhe dialogu i zhvilluar ndërmjet Skënder Dajës dhe operativit të sigurimit Fejzi Aloçi:

– Kush janë organizatorët e revoltës?
– Nuk e di
– Kush e ka hedhur parullën “Ja vdekje ja liri”?
– Nuk e di.
– Kush e përgatit flamurin pa yll dhe kush e ngriti?
– Nuk e di.
– Cili nga të burgosurit ka hedhur parullën “Ne jemi për Europën e lirë?”
– Nuk e di.
Një qëndrim stoik i një njeriu stoik. Ky ishte Skënder Daja.
Më 21 maj 1973 ndodhi revolta e Spaçit. Më 24 maj “Shkaktarët’ u dënuan nga gjykata. Po në këtë datë, Gjykata e Lartë, me në krye Aranit Çelën, dha vendimin për ekzekutimin e tyre, ekzekutim që u krye po atë mbrëmje te ura e fanit në Mirditë. Gjykojeni vetë shpejtësinë e rrufeshme me të cilën u zhvillua ky gjyq në atë periudhë mizore. Më prapa trupat u hodhën në një kamion dhe u nisën drejt Tiranës, pa ditur kurrë se ku do të përfundonin. Familjarët kanë vite që kërkojnë të dinë se ku prehen të afërmit tyre. Por daullja bie në vesh të shurdhër Askush nuk përgjigjet. Më kotë miku im, Agim Bejko, kërkon vendin e varrit të vëllajt të tij, Dervish Bejko, pushkatuar me martirët e Spaçit. Ka gërmuar në disa vende. Ka pyetur disa persona. Por gjithshka ka rezultuar me zero. Shtypi shqiptar bënë një zhurmë të madhe, dhe me të drejtë, për të zhdukurit në Kosovën martire. Po për të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri kush do të kujtohet? Unë mendoj se kjo i takon,kryesisht, shtetit shqiptar që. për fat të keq, deri tani as që eshte kujtusr.
Le të kthehemi edhe nje herë te shfaqja e filmit. Ishin ftuar për të marrë pjesë përfaqësues nga e djathta dhe e majta, por asnjëra palë nuk denjoi. Madje të dyja palët bëjnë zhurmë të madhe për përkrahjen e kësaj shtrese. Zotërinj! Ne nuk jemi kukulla me tw cilat ju mund tw luani.i. Ne jemi fitimtarët e këtij ndryshimi të madh, pasi ishim ne të parët që sakrifikuam veten për këtë sistem që gëzojmë sot kur ju ende duartrokisnin për sistemin totalitar. Këtë mos e harroni! Këtë thirrje ua drejtoj më tepër atyre përfaqësuesve të të dy krahëve që i përkasin shtresës tonë. Mos e harroni prejardhjen tuaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, pervjetor i martirit, reshat kripa, Skender Daja

ITALI – Inaugurohet busti i Skënderbeut në Vakarici të Kalabrisë

May 20, 2014 by dgreca

Sheshit të komunës i jepet emri i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu/
Inaugurohet në Vakarici të Kalabrisë busti i Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, ndërkohë që sheshi në qendër të komunës ka marrë emrin e Heroit tonë Kombëtar.
Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm deputetët Fatmir Toci e Mimoza Hafizi, ambasadori i Shqipërisë në Itali, Neritan Ceka, si dhe skulptori i njohur vlonjat, Zeqir Alizoti.
Kryetari i komunës së Vakaricit, Aldo Marino, njëkohësisht edhe kryetari i Shoqatës së Kryekomunarëve Arbereshe, ishte organizatori i kesaj veprimtarie. Nën drejtimin e tij prej 10 vjetësh Vakarici, është bërë jo vetëm një prej komunave më të zhvilluara arbereshe, por edhe një vend tërheqës për turistët italianë e të huaj.
Aldo Marino, një prej arbëreshëve më të njohur në Shqipëri pas viteve ’90 është i pranishëm në të gjitha ngjarjet dhe evenimentet e organizuara në zona të ndryshme të vendit tonë. Ai ka synuar gjithmonë zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe arbëreshëve që ato të mos mbeten në nivele kulturore e folklorike siç ka ndodhur deri tani, por të shtrihen edhe në fushat ekonomike me interes të përbashkët, zhvillimin e turizmit të ndërsjelltë dhe shkëmbimet deri me programe të përbashkëta në të gjitha fushat. Arbereshet e pranishëm kërkuan vëmëndje më të madhe nga shteti shqiptar për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, mësimin e shqipes për fëmijët arbëreshe në shkollat italiane, mbështetje me programe shkollore e libra shqip, bashkërendime të punës shkencore, arsimore e kulturore midis arbëreshëve të Shqiperise etj.
Ne Foto: Inagurohet Busti i Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Vakarici te Kalabrise dhe sheshi në qender të komunës mer emrin e Heroit Kombëtar

Filed Under: Kulture Tagged With: Busti i Skenderbeut, ITALI – Inaugurohet, në Vakarici, të Kalabrisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT