• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT- BAJAME HOXHA

May 16, 2014 by dgreca

Bajame Hoxha-Çeliku, Bruksel/

DASHURISË SIME/

I dashur/
Kishe një zemër të çiltër/
Prej floriri/
Që më thoshte çdo çast /
Të dua… /
Të dua përjetësisht!/
Dhe unë…/
Mes belbëzimeve të ndjeja/
Të dashuroja/
Mbrëmjeve plot yje/
Unë vajza lozonjare…/
Atëherë/
Kur rrinim shtrirë lëndinave/
Natyra bleronte mes nesh/
Kur numëronim yjet
Kur qeshnim
E kur ecnim asfalteve të boshatisur
Dhe udhëve të apeleve.
Gjithmonë, natyra bleronte mes nesh
E unë…
Të shikoja në sy
Të ndjeja në shpirt
Të dëgjoja me zemër.
Në thellësitë e zemrës tënde
Isha vetëm unë freskia e viteve të tua,
Flladi pranveror gjithnjë në lulëzim isha për ty.
Unë edhe ti
Në dashurinë e pafundme
Tjetër…
Askush!

DASHURISË SIME

Të dhurova shpirtin plot llavë
Të zbukurova jetën
Me palcën e dashurisë sime
Tani më vjen në mend një frazë e jotja:
Vuaj por qëndro!
Dhe ashtu bëra
Qëndrova burrëreshë!
Por ti…
Ike shpejt!
Më ngrive fjalën mbi buzë
Më ngrive lotin mbi qerpikë
Më ngrive jetën në mes.
E sot, më zgjoi era që fryn lehtë
E më solli këtë kujtim tëndin…
Që më bën të dridhem fuqishëm
Dhe filloj të ec ngadalë
Ku lëndoj shpirtin e lënduar,
Të vrarë
Të sfilitur
të vetmuar
Këtë mëngjes të freskët pranveror
Që se kuptoj dot
Sensin e kohës që kaloj pa ty.
Po të ishte se me lot, do të kthehet njeri,
Ti do të ktheheshe i pari
Tek unë
Shpirti im.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bajame Hoxha, Bruksel, Dashurise sime

Ukraina, shuplakë për elitën politike ruse

May 16, 2014 by dgreca

Nga Prof. dr.Lilia Shevcova/
Në jetën e disa kombeve dhe popujve nganjëherë ndodhin momente të një vullneti, të një kënaqësie me shpërthime maksimale. Këto momente quhen pasionare dhe me to nënkuptohet gatishmëria për sakrifica për arritjen e një objektivi të caktuar. Ka kombe, të cilëve nuk u është taksur të përjetojnë momente të tilla. Ato jetojnë, ekzistojnë dhe zhduken pa përjetime të tilla.
Ukraina, qoftë edhe jo të gjithë anëtarët e shoqërisë, gjatë dhjetë viteve, arriti të përjetojë dy momente të tilla, për të cilët kombe të tjera vetëm mund të ëndërrojnë.
Rusinë e ditëve tona unë do ta përcaktojha si më poshtë:
Ndiqni cilindo kanal televiziv të Ukrainës ose filma dokumentarë me metrazh të shkurtër ku transportuesit e blinduar pa shenja dalluese dhe ushtarakë me shirita të shqyer patrullojnë Sevastopolin dhe Simferopolin. Kjo është pikërisht Rusia. Një gjë të tillë ju mund ta prisni nga Rusia e ditëve tona.
Po e filloj me një thirrje. Hajde t’i hedhim sytë matanë gardhit ukrainorus, përtej të cilit ndodhet bota globale. Jo vetëm Evropa dhe Amerika, por përgjithësisht ajo që quhet rend botëror. Dhe do të vëmë re se kjo botë, besoj, nuk është nga më dashamirëset as me ju, as me ne gjatë më shumë se 50 viteve që kanë kaluar, ose, së paku, gjatë tërë kohës që ka kaluar pas Luftës së Dytë Botërore.
Pse? Sepse bota ka përfunduar në një gropë të zezë. Cila është arsyeja? Sepse demokracitë liberale, edhe Evropa, edhe Amerika, edhe gjithçka tjetër që mbështetet mbi parimet e shtetit të së drejtës, e kanë humbur orientimin dhe trajektoren, kanë humbur rrugën. Në këtë mes kemi të bëjmë ose me një gropë të zezë, ose me një zonë gri, kush e merr vesh. Dhe tani e vetmja gjë që i bashkon demokracitë liberale, është pikësynimi i udhëheqësve politikë në kryeqytetet perëndimore për ta ruajtur gjithçka me çdo kusht në gjendjen që është, duke i hedhur pas krahëve vlerat, parimet, idetë. Ukraina, bota arabe, Rusia nuk i hyjnë në punë demokracisë liberale, e cila ka humbur orientimin, është përqendruar në problemet e veta se atë e ka pllakosur kriza. Rezulton se Perëndimi, për të satën herë, është bërë i vetëdijshëm për një gjë: ai nuk mund të zhvillohet ndryshe, përveçse përmes krizave. Por ama kjo krizë që ka filluar nga ajo financiare dhe që po vazhdon edhe sot e gjithë ditën, është më e thella gjatë tërë kohës që ka kaluar që prej viteve ’30 të shek, XX. Ajo nuk është vetëm krizë ekonomike. Ajo është krizë e vetë parimeve dhe e formave të ekzistencës së tyre, është krizë e partive, e parlamentit, e presidentit.
Fukujama thotë:
“O Perëndi, Amerika në një të tillë krizë, si të dilet prej saj?”.
Fjala është për parimet themelore. Prandaj nëse demokracitë liberale dhe rendi botëror global kanë përfunduar ose në qorrsokak, ose në ngjë gjendje pa rrugëdalje, ose në gropë, ose në një zonë gri, atëherë çfarë mund të presin më prej tyre? Në situatën kur Perëndimi po mbyllet në guaskën e vet, shtetet e tjera i ngacmon josha për ta mbushur këtë vakum, qoftë edhe sikur këto shtete t’i përkisnin shekullit të kaluar apo edhe shek. XVI.
Prandaj janë duke lindur tre shtete në botë, të cilat megjithatë, pavarësisht se e kanë ngrënë krejtësisht çairin e vet, pavarësisht se nuk i kanë mundësitë për të mbijetuar në shek. XXI, janë duke luajtur një rol pseudopasionar nga më aktivët. Është fjala për Rusinë, për Kinën dhe për Iranin.
Këto shtete janë aktivizuar, ato e ndiejnë veten si pole antiperëndimore, antievropiane, si pole antivlerash. Ato janë duke luajtur. Më me agresivitet sigurisht që është duke luajtur Rusia, por edhe këto dy të tjerat, po ashtu, nuk mbeten prapa. Prandaj, duke folur për Rusinë dhe për Ukrainën, ju jeni duke i hedhur një sy mbarë botës dhe po e kuptoni se nuk mund të prisni kushedi se çë nga fakti se kush nuk ka dalë nga kriza. Ju duhet të mbështeteni mbi forcat e veta.
Momenti i dytë. Për Rusinë. Rusia është edhe s’është Rusi. Ajo është më shumë kontradiktore, qoftë edhe për shkak të një faktori të vetëm. Putini është po aty, të njëjtat fytyra janë po aty, Moska s’ka lëvizur nga vendi, Kremlini po ashtu, kurse regjimi është ndryshe.
Gjatë dy viteve të fundit, për fatkeqësinë e Ukrainës, të Moldavisë, të Bjellorusisë dhe të shteteve të tjera, të cilat mundohen të shpëtojnë nga përqafimet tona ngulmuese, Kremlini arriti të krijojë një regjim cilësisht të ri. Deri në vitin 2011, filozofia e pushtetit rus në Kremlin ishte e këtillë:
“Ne jemi po ashtu, si edhe Evropa, ne po imitojmë Evropën, ne jemi demokraci”.
Putini po e strukturonte pushtetin e vet mbi bazën e faktit që ai i drejtohej mbarë shoqërisë: edhe liberalëve, edhe nacionalistëve, edhe të majtëve. Në parim, ky ishte një autoritarizëm i butë, mjaft pluralist, i cili e lejonte shoqërinë të jetonte sipas qejfit. Ky ishte një regjim plastik që nuk ekziston më.
Tani në Rusi ka lindur një i tillë regjim, të cilin nuk mund ta quash të egër. Ky është një regjim krejtësisht i ri, një regjim jo fort i kuptueshëm për ne. Po, kjo është autokraci, por e një tipi të ri, me një tjetër cilësi. Kjo është një autokraci që u kthye përsëri në vitin 1991, para momentit të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Dhe kjo autokraci mbështetet tani mbi parimin: ne jemi ndryshe, ne nuk jemi Perëndim dhe ne do t’i vëmë fre Perëndimit.
Rusia, në thelb, është kthyer në rolin e Bashkimit Sovjetik. Dhe Rusia e Putinit tani ka pretendime shumë më tepër sesa thjesht t’i vërë fre Perëndimit në Ukrainë: në Krime, në Donjeck ose në Lvov. Rusia putiniste ka shumë më tepër ambicje. Rusia putiniste e shikon se fusha ka mbetur bosh. Në stadium nuk ka këmbë njeriu. Duhet hyrë në lojë, duhet sjellë topi me vete, duhet dalë me propozime, duhet diktuar, duhen shtruar kërkesa dhe duhen shtuar rregullat e veta të lojës: si kundërpërgjigje – asnjeri s’bëhet i gjallë. Dhe askush s’e hap gojën.
Koncepti i Putinit sot nuk ka si synim që thjesht t’i dalë ballazi Perëndimit kudo ku është e mundur, me të gjitha forcat. Ai ka si qëllim t’i propozojë Perëndimit konceptin e vet, vlerat e veta tradicionale, t’i mbushë menbdjen papës së Romës që t’i miratojë parimet tona. Dhe, natyrisht, të rivendos galaktikën, të rivendosë Aleancën Evroaziatike. Kjo ide ka qenë gjithmonë antiperëndimore. Kjo ka qenë gjithmonë një ftohje e Rusisë me Perëndimin. Ukraina në këtë koncept antiperëndimor ka luajtur gjithmonë një rol kyç. Pse? Ka shumë shpjegime në këtë mes. Po përmend disa prej tyre.
Ukraina është, para së gjithash, një projekt personal i Putinit, duke filluar që prej vitit 2004. Udhëheqja politike e Rusisë e konsideron Ukrainën si një vend që s’ka arritur të bëhet shtet, si dikë që s’ka arritur të bëhet njeri, si një bashkësi që nuk ka komb, që nuk ka identitet. Prandaj jo më kot Putini i deklaroi Bushit në vitin 2008:
“Xhorxh, çfarë po thua për Ukrainën, se ajo, përgjithësisht, nuk është shtet dhe i tillë s’ka për t’u bërë kurrë”.
Përveç gjithë të tjerave, Ukraina, për shumë njerëz në Rusi, konsiderohet si kryenëna e shtetit rus, pikërisht si puna e Kosovës për serbët. Dhe madje më shumë. Ukraina është një shuplakë që Majdani i dha elitës politike ruse.
Fjala është jo për natyrën perandorake të Rusisë kur Rusia ndërhyn në Krime dhe në Ukrainë. Fjala është për shumë më tepër sesa për natyrën perandorake. Është fjala për faktin se ukrainasit, me shembullin e tyre prej budallenjsh, po tregojnë rrugën, të cilën mund ta shfrytëzojnë rusët. Prandaj Ukraina nuk mund të jetë një shtet i suksesshëm, ajo nuk mund të shërbejë si shembull. Aq më tepër kur ukrainasit që, sipas udhëheqjes ruse, nuk janë komb, por janë degë e vetes sonë. Nëse dora apo këmba jonë u distancua nga ne në njëfarë mënyre dhe sakaq përftoi logjikën e vet, kësaj i thonë goditje për trupin. Prandaj Ukraina është një gjë e qytetëruar dhe një faktor ekzistues për pushtetarët e Kremlinit. Kjo shpjegon shumë gjëra nga ato që neve do të na duhet të përjetojmë.
Dy momente të tjera. Ku është opozita ruse? Mos vallë vetëm pushteti paska dalë të vallëzojë në Moskë, në fushë ruse? Aha, opozita ruse është shpartalluar. Liberalët praktikisht janë kooptuar. Të tjerët kanë mbetur brenda getos, së cilës së shpejti do t’ia ndërpresin oksigjenin. Kush mund të jetë forcë active? Ne nuk e dimë.
Por në Rusi ka ndodhur diçka e habitshme për ne, e habitshme për mua, si liberale. Unë vura re se e vetmja arritje, së paku, e viteve të fundit që bie në sy, është fakti që nacionalizmi rus në Rusi është kundër Putinit, është kundër Kremlinit, është kundër sistemit. Është interesante se në këtë mes askush nuk e di se ku do të çojë një gjë e tillë. Të majtët janë pasionarë kudo, të majtët janë gati për shpërthime. Por në kushtet e Rusisë, kur vidat janë duke u shtrënguar, kur po mbyllen dritaret, kur shoqëria ndodhet në situatën “me lakun në qafë”, çdo forcë e ka shumë të vështirë të marrë frymë.
Po shoqëria? Ajo doli në protesta në vitet 2011-2012, por atë e rrasën përsëri në ilegalitet. Sot, që të jemi konkret, shoqërinë po e betonojnë. Betoni është një gjë e brishtë, nëpër të çan dhe rritet bari. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne kur e kemi humbur orientimin, në këtë situatë kur po na zë frymën dhoma e gazit, kur jemi zhveshur nga pikësynimi për arritjen e qëllimit, kur janë shuar dëshirat, ambiciet?
Natyrisht që regjimi i tanishëm do të shembet në një mënyrë të pashmangshme. Kjo është punë çmimi që duhet të paguhet dhe thjesht punë kohe. Por është interesante se ky regjim gjen mbështetje te vetëm 5-10% e popullsisë.
Rusët e urrejnë Putinin. Rusët e urrejnë pushtetin. Nëse ju do të vinit në Moskë, ju nuk do të takonit asnjë njeri në rrugët e Moskës që do të votonte për Putinin, që do të votonte për partinë “Rusia e Bashkuar”.
Por ama kjo është një qetësi e çuditshme. Njerëzit e urrejnë njeriun në Kremlin, e përbuzin, njerëzit i përbuzin të gjithë rreth e rrotull tij. Por njerëzit tani nuk dalin në rrugë sepse ata nuk shikojnë ndonjë alternativë. Por edhe sepse nuk e ndiejnë veten dhe aq keq. Është renta shumë e lartë e gazit për gjithsecilin, ka shumë mundësi për të mbijetuar. Por kjo qetësi është shumë e brishtë, shumë e rreme. Në analizë të fundit, së paku, në vitet më të afërta, ja se çfarë kërcënimi na pret: njerëzit do të dalin në rrugë. Por kur popullsia që ka duruar gjatë do të dyndet sakaq nëpër rrugët e qyteteve ruse dhe nuk ka kurrfarë kanalesh komunikimi – as parti “Grusht”, as parti “Batkivshina” (Bashkimi Mbarukrainas – partia e Julia Timoshenkos – përkthyesi), as shtyp të lirë, as internet, atëherë kjo do të bëjë që në rrugë do të fillojnë të dalin edhe më shumë njerëz dhe do të nisin të thyejnë xhamat. Dhe kjo ka shumë mundësi të ndodhë. Ky është një shpërthim i fuqishëm me fuqi kinetike që do të ketë mbështetjen e provincës, e cila e urren pushtetin, pasurimin e bosëve të tanishëm dhe të së shkuarës. Kjo ngjall edhe më shumë urrejtje, ngjall më shumë etje për revansh. Dhe në të njëjtën kohë, mungon opozita politike, e cila këtë energji do të mund ta grumbullonte në një drejtim më të qytetëruar, më pluralist, më demokratik dhe më liberal. Këtu kemi të bëjmë vërtetë me kërcënim.
Së dyti, shëmtirën Putin, nuk ka rëndësi se në çfarë gjendjeje, kanë për ta flakur nga Kremlini vetë bashkëluftëtarët e tij. Dhe sistemi i autokracisë, për të cilin fola, do të vazhdojë të mbetet në fuqi, por për llogari të zëvendësimit të regjimit. Dhe përsëri për një kohë të gjatë.
Dhe aspekti i fundit. Për Ukrainën. Botën nuk e shqetëson aspak fakti që në pjesën evropiane të kontinentit është kryer një agresion. Ukraina është Evropë, është komb evropian, është shtet evropian. Në Ukrainë kryhet okupimi i një pjese të Ukrainës nga një shtet fqinj. Kjo është një situatë krejtësisht e re pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe bota vazhdon të heshtë. Për më tepër, bota parapëlqen të mos i quajë gjërat me emrin e vet. Këshilli i Sigurimit që u mblodh para pak kohësh, presidenti Obama, si edhe kryeministrat e vendeve evropiane thonë si më poshtë:
“Sikur në Ukrainë të kishte ndodhur një acarim, sikur të ishte kryer ndonjë agresion, – thotë Obama, – kjo do të kishte pasur pasoja shumë serioze”.
Sikur nuk po ndodh asgjë.
Unë nuk dua të përdor fjalën “i bashkuan”, por, së paku, tri fuqi të mëdha – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca – së bashku me Rusinë, në vitin 1994 ishin nënshkrueset e së ashtuquajturës marrëveshje të Memorandumit të Bukureshtit dhe garantonin tërësinë territoriale të Ukrainës.
Po mirë, po e hedhim prapa krahëve këtë marrëveshje. Në mbarë botën janë shkelur sa e sa marrëveshje. Por le të sjellim ndër mend faktin që Ukraina dhe NATO-ja patën nënshkruar një marrëveshje, në të cilën, po ashtu, jepen garanci për një stabilitet të caktuar në Ukrainë. Po edhe NATO-ja, po ashtu, në takimin e vet të ministrave të punëve të jashtme, deklaroi:
“Sikur në Ukrainë të kishte gjëra serioze, atëherë, ndoshta, diçka…”
Dhe bëri thirrje për paqe, për rend e kështu me radhë. Ç’është e vërteta, NATO-ja e ka një shkak për të kthyer krahët. Ukraina nuk iu drejtua NATO-s. Dhe kur Turçinovi ngrihet e flet dhe flet drejt për punën e agresionit, nuk dihet se cila është arsyeja që ai i drejtohet presidentit Putin:
“Ndoshta, do të merremi vesh në ndonjëfarë mënyre”.
Kurse Putini thotë:
“Po ne jemi duke vepruar në kuadrin e marrëveshjes me Janukoviçin për gjendjen e Flotës së Detit të Zi në gadishullin e Krimesë”.
Dhe Perëndimi e mbylli gojën.
Ju po mendoni për një gjë: vendin tuaj e okupuan, te ju po kryhet një agresion nga ana e një vendi fqinj, pushteti juaj nuk mund të gjejë rrugëdalje nga kjo situatë, nuk mund t’i drejtohet askujt, në përputhje me ca norma të caktuara. Iu drejtuat Këshillit të Sigurimit. A e dini se pse? Sepse Këshilli i Sigurimit është një mbeturinë e paralizuar e Luftës së Dytë Botërore. Të gjithë ata që i drejtohen Këshillit të Sigurimit, nuk marrin asnjë përgjigje prej tij, sepse t’i drejtohesh Këshillit të Sigurimit, është njëlloj sikur t’i drejtohesh ndonjë shtëpie pleqsh, duke e ditur se atje nuk do të merret kurrfarë vendimi. Atje janë dy fuqi të mëdha, Rusia dhe Kina, të cilat do ta bllokojnë çdo gjë dhe gjithmonë
Ukrainasit nuk i drejtohen NATO-s, sepse Turçinovit dhe qeverisë së re të Ukrainës, vendet e NATO-s dhe kryeqytetet evropiane, u thanë:
“Dëgjoni, djema, nga ne mos kërkoni gjë, ne në këtë mes nuk do të përzihemi. Ne do t’ju dërgojmë një komision, atë, ndoshta, do ta lejojnë të hyjë në Krime. Domethënë, ju, ore djema, nga Krimeja i latë duart. Nuk e dimë se në ç’masë e përjeton një gjë të tillë vetëvetësia juaj kombëtare, por është e nevojshme të jetoni tashmë me ca skenarë të tjerë”.
Po cili është qëndrimi i rusëve ndaj Ukrainës? Ka të dhëna që “Qendra-Levada” i ka vjelë në mesin e muajit shkurt. Nga ato të dhëna duket se deri në ç’shkallë është e demokratizuar shoqëria ruse. Por ajo nuk është fajtore, sepse asaj i drejtohet vetëm pushteti përmës kanaleve televizive mbarëkombëtare. Vetëm pushteti, orë e çast, çdo javë, çdo orë i detyron njerëzit të veprojnë në mënyrë të verbër. Njerëzit nuk marrin informacion, jo të gjithë e ndjekin internetin.
Çfarë ndjenjash u ngjalli rusëve sheshi Majdan më 20 shkurt?
“Admirim” – 1%, “Miratim” – 3%, “Simpati” – 16%, “Acarim” – 12%, “Neveri” – 36%, “Frikë dhe Tmerr” – 15%, “Kurrfarë ndjenjash nuk përjetojnë dhe nuk kanë për të përjetuar” – 14%.
Dhe e fundit. Cila është ndjesia ekzistenciale e Rusisë nga vetë rusët. Kjo ka rëndësi sepse Rusia ka qenë dhe vazhdon të mbetet për Ukrainën një lojtar kryesor gjeopolitik dhe brendapolitik, përderisa ju vazhdoni të ndodheni në një zonë gri. Dhe madje kur t’i jepni karar të dilni nga kjo zonë gri, Rusia, paçka se në të ardhmen e afërt ajo do të jetë një vend jomiqësor, do të vazhdojë të mbetet një lojtar kryesor dominues. Kjo edhe për faktin se në Ukrainë ekziston Juglindja dhe një lob i fuqishëm prorus.
Gjendja jonë e tanishme është pasqyrë e një anekdote të vjetër:
Një i sëmurë thërret “ndihmën e shpejtë”. Kur ajo erdhi dhe e mori, i sëmuri pyet doktorin:
– Ku po më më çoni?”
– Në morg.
– Por unë ende nuk kam vdekur.
– Por ne ende nuk kemi arritur.
Ja kjo është gjendja e kombit rus
A kemi ne të ardhme, e keni ju vallë një të ardhme më për së mbari? Sigurisht. Me sa duket, kjo do të na kërkojë më shumë se pesë apo, besoj, më shumë se dhjetë vjet. Stabiliteti i tanishëm neve na mjafton për nja tre vjet. Pas këtij afati askush nuk garanton ndonjë stabilitet. Dhe as vetë nuk e dimë nëse kjo valë do të na përfshijë vetëm ne, apo mbarë hapësirën që na rrethon.
Por ama ekziston një siguri absolutisht e qartë për diçka tjetër:
Faktori rus jo vetëm që është shkatërrimtar, por edhe për Ukrainën normale, konstruktive, për Ukrainën e vlerave, është duke luajtur disa role. Unë mendoj se Putini lau duart nga Ukraina normale. Faktori rus, në të gjitha rrethanat, edhe sikur Ukrainës t’i merret ndonjë pjesë, përfshirë edhe Krimenë, ka për të luajtur rolin e konsoliduesit të identitetit të ri ukrainas, ka për ta shtytur Ukrainën drejt Evropës.
Tashmë nuk ka dyshim se Ukraina ka për të dalë nga kjo zonë gri në një drejtim, në drejtimin evropian. Pikërisht për faktin se ju keni Majdanin, i cili nuk është ndonjë vis i caktuar, nuk është ndonjë pikë gjeografike, Majdanin ju e keni në kokë. Dhe kjo është shumë më e rëndësishme.
Për sa i përket çmimit që duhet paguar për një gjë të tillë, nuk dihet se kush duhet të hedhë fall. Ashtu siç dihet se askush nuk do të hedhë fall për kohën dhe për horizontin kohor. Por ama gjithçka brenda kuadrit të brezit të tanishëm (Citohet sias: Lilia Shevcova. “Ukraina, një shuplakë për elitën politike ruse”. Marrë nga faqja e internetit “LB.ua”. 02 mars 2014).
* Lilia Shevcova, e lindur në vitin 1949, është politologe ruse, doktor i shkencave historike, profesore e Katedrës së Politologjisë Krahasuese të Institutit Shtetëror Rus të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, bashkëpunëtore shkencore përgjegjëse e Qendrës Karnegi të Moskës. Analizën e saj e përktheu dhe e përgatiti për botim Prof.dr. Eshref Ymeri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eshref Ymeri, Lilia Shevcova, për elitën, politike ruse, shuplakë, Ukraina

Shkëlzen Maliqi, ”susta” e Thaçit dhe e Veselit!

May 16, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/Shkëlzen Maliqi është djali i ish-sekretarit të Punëve të Brendshme të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës të Federatës Jugosllave, Mehmet Maliqi, i njohur dhe ndërkombëtarisht për ashpërsinë ndaj “irredentistëve” dhe “nacionalistëve” shqiptarë. Jo vetëm i ati, por edhe i vëllai Gazmend Maliqi që ishte punëtor operativ i UDB-së në Prishtinë dhe përgjegjës për shumë keqtrajtime të shqiptarëve në vitet ’80-ta. Të kujtojmë se Edi Rama para disa vitesh Shkëlzen Maliqin e quante mashtrues ordiner kur ky i fundit organizonte sondazhet e ”Gani Bobit” në Shqipëri i kontraktuar nga Klan. Udhëheqësit e Shqipërisë duket e kanë të pamundur t’i shpëtojnë psikologjisë Bizantine. Rama pa dashje i bëri një të mirë Kosovës duke i larguar një person të padëshiruar për shqiptarët e Kosovës. Shkëlzen Maliqi nuk është një intelektual i madh dhe as një intelektual i pavarur siç thoshte Edi Rama në justifikimin e panevojshëm të emërimit të tij si këshilltar për rajonin. Kontributet e tij publicistike në gazetarinë e Kosovës janë produkte momenti dhe ka shumë pak gjëra që mund t’i ngelen kohës. Nuk është kurrsesi as i pavarur. Të gjthë e dimë afërsinë e tij me Hashim Thaçin dhe PDK-në. Ka qenë këshilltar në disa ministri gjatë dy mandateve të udhëhequra nga Thaçi dhe PDK-ja. Dihet edhe për bizneset e përbashkëta që kanë këta dytë, të publikuara nga mediat që janë nxjerrur nga Regjistrimi i bizneseve. Dihet edhe afërsia e tij me (ish) shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin, ku me ”analizat” e tij dhe debatet në TV dhe mediat tjera, shërbente si ”zëdhënës” i tij dhe SHIK-ut. Në shumicën e ”analizave” të tij mbronte pisllëqet e Thaçit dhe qeverisë dhe atakonte opozitën, e sidomos kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën. Shpesh sulmet e tij i drejtonte edhe kah Vetëvendosja. Por cak i sulmeve të tij (me siguri me urdhër të shefave të vetë, dihen marrëdhëniet jo të mira mes Veselit dhe Haradinaj) ishte edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Anësia politike e Maliqit është parë hapur prej qeverisjes së Thaçit. Thaçit sa herë i duhet për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë, e përdor Maliqin si ”sustë”. Shkëlzen Maliqi duhet t’i sqaroi opinionit, se a është këshilltar i Edi Ramës apo vazhdon akoma të jetë zëdhënës dhe ”sustë” e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit!

(Autori është bashkepunetor i Diellit, publicist nga Prishtina)

Filed Under: Opinion Tagged With: ''susta'' e Thaçit dhe e Veselit!, faik Krasniqi, Shkelzen Maliqi

U përurua muzeu dedikuar 11 shtatorit 2001

May 15, 2014 by dgreca

Obama : Muzeu 9/11 është: “Dashuria , sakrifica, dhe dhembshuria “/
Nga BEQIR SINA, New York City/
LOWER MANHATTAN NYC : Sot në qytetin e Nju Jorkut u bë inaugurimi zyrtar i Muzeut Memorial Kombëtar në vendin ku më parë qëndronin dy Kullat Binjake – World Trade Center, në shenjë kujtimi për viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit të 2001.
Ky muze u bë i hapur këtë mëngjes( në datën 15 maj) vetëm për ceremoninë e inagurimit, ndërsa, për publikun do të hapet javën e ardhëshme më 21 maj. Hyrja gjatë kësaj jave është e lirë, vetëm për familjet e viktimave, por si doqoftë nëse do t’a vizitoni ju duhet të regjistroheni në internet për të rezervuar hyrjen, mbasi siç thonë zyrtaret e këtij muzeu kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdha dhe të pa përballueshme, për momentin .
Për javët e ardhëshme biletat janë të shitura, mbasi interesimin më të madh e kanë turistët e huaj ose ata amerikan që vijnë nga shtetet e tjera. Kështu që zyrtarët e Muzeut Memorial Kombëtar, planifikojnë të ndjekin këtë urdhëresë deri në fund të tetorit.
Presidenti Barak Obama, ish Presidenti Bill Clinton dhe personalitetet e tjerë, ishin të pranishëm enjten në mëngjes, në Nju Jork, për një ceremoni emocionale në përkushtimin e e hapjes së Memorialit Kombëtar dhe Muzeut të 11 shtatorit në Lower Manhattan vendin ku më parë ndodheshin dy Kullat Binjake – Qendra Botërore e Tregëtisë .
Tre kryetarët e fundit të bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio , Michael Bloomberg , dhe Rudy Giuliani, të ndarë dolën në podiumin ku më parë foli Presidenti Obama, me disa nga të mbijetuarit dhe familjet që humbën të dashurit e tyre në sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001 të sjellin kujtimet e tyre të dhimbëshme .
Në një ceremoni solemne, Presidenti Obama foli përpara qindra të ftuarve, mes të cilëve kishte shumë prej atyre që humbën të afërmit në atë ditë tragjike të vitit 2011.
Presidenti Obama tha se Memoriali Kombëtar dhe Muzeu 9/11, do të ndihmojë amerikanët për të kujtuar dhe mos harruara kurrë, dhe për të treguar atë unitetin amerikanë në përgjigjen heroike ndaj tragjedisë, së sulmit terrosristë të ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, në Nju Jork, Pentagon dhe Pensllvenia .
“Është një nder për ne për t’u bashkuar në kujtimet e të gjithë amerikanëve , që të kujtojnë dhe për të reflektuar , por mbi të gjitha për të riafirmojmë shpirtin e vërtetë të 9/11 e cila shkruhet në zemrën e çdo amerikani : “Dashuria , sakrificë, dhe dhembshuri “.Të gjithë ata që vijnë këtu do të gjejnë një përvojë të thellë dhe frymëzuese. Dua t’u shpreh mirënjohje të thellë të gjithë atyre që morën pjesë në ndërtimin e kësaj vepre të madhe, duke na dhuruar një vend të shenjtë shërimi dhe shprese,” tha Presidenti Obama.
Në një mesazh derguar në nderim të këtij muzeu edhe ish Presidenti George W. Bush, që udhëhoqi SHBA gjatë atyre gnjarjeve tragjike, afro një vitë mbasi ai kishte, ardhur në Shtëpinë e Bardhë, në përurimin e Muzeut Memorial 9/11 tha :
“Amerikanët që jetojn nëpër kujtimet e 11 shtator 2001, nuk do të harrojnë tmerrin apo heroizmin që kemi dëshmuar të gjithë së bashku në atë mëngjes. Muzeu Memorial 9/11 e në New York City, do të ruajë kujtimin e asaj dite për brezat e ardhshëm. Ajo do tënderojë sakrificën e atyre që humbën jetën e tyre dhe trimërinë e atyre që shkuan të shpëtoin të tjerët. Dhe kjo do të ndihmojë për të siguruar që kombi ynë kujton dhe reflekton nga mësimet të 11 shtatorit: se ajo që ndodh jashtë vendit mund të na ndikojë këtunë shtëpi, se e keqja është reale, dhe se guximi dhe dashuria jan triumf mbi terrorin dhe urrejtjen. Laura dhe unë falënderojm të gjithë ata që kan luajtur një rol në krijimin e kësaj historie frymëzues, dhe ne jemi të nderuar për të dërguar urimet më të mira për ata që punuan për kët muze për t’ia kushtuar 9/11 “.
Ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg, shpjegoi se përse duhej ngritur ky muzeum:
“Ky muze është vendi ku njerëzit vijnë për të kuptuar 11 shtatorin përmes jetës së atyre që u vranë dhe të atyre që nxituan t’i shpëtojnë. Ai do të bëjë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë se çfarë ndodhi atë ditë dhe përse ndodhi”, tha zoti Bloomberg.
” Kjo është shpresa jonë më e madhe se kur njerëzit vijnë këtu dhe të shohin WELLS ‘ red bandana ata do të kujtojnë se si njerëzit e kan ndihmuar njëri-tjetrin atë ditë, nga më të vështirat . Dhe ne shpresojmë se ata do të jenë të frymëzuar për të njëjtën gjë në dy mënyra të mëdha dhe të vogla , ” tha duke folur në emër të famljeve të viktimave Allison Crowther , djali i të cilit ka humbur jetën në sulmet terroriste të 11 shtatorit në World Trade Center.

Një lule dhe një flamur amerikan qëndron në majë të emrave të viktimave në 9/11 Memorial/

-Muzeu Memoriali Kombëtar i 11 Shtatorit, në New York, do të hapet më 21 maj 2014 si institucioni kryesor ivendit në fjalë me eksplorimin e implikimeve të ngjarjeve të 9/11, dokumentimin dhe ndikimin e këtyre ngjarjeve të eksploruar me një rëndësi të vazhdueshëme. Në emër të shpirtërave të tyre, gjigandi i masmedias amerikane Conde Nast, ka deklaruar sot, se :” biletat për çdo vizitor janë falas(janë në dispozicion falas edhe për tu tërhequr edhe online) me 21 Maj në hapjen e Muzeut “Memoriali Kombëtar 11 Shtatorit” në Qendrën Botërore të Tregëtisë, në New York, njoftuan të mërkurën zyrtarët e kësaj kompanie.
Ata thanë se Condé Nast, është evntualisht edhe një nga sponsorët kryesorë të këtij muzeut , dhe është zotuar për të paguar për çdo biletë të qindra-mijëra njerëzve që pritet të marrin pjesë në hapjen e këtij muzeu . (Biletat janë ende në dispozicion për çdo vend të caktuar prej orës 09:00- të paradites deri në orën 7:00 të mbrëmjes pesë ditë të javës, sipas faqes së internetit të biletave . ” Ky është një kontribut i madh nga një partner i madh , ” tha Joe Daniels , presidenti i Muzeut Kombëtar të 11 Shtatorit” . ” Unë sinqerisht besoj se të tjerët do të jenë të frymëzuar në këtë mënyrë të veçantë nga bujaria – donacionet e Conde Nast, në mbështetjen e Muzeut Memoriali Kombëtar 9/11. Para fillimit zyrtar të hapjes së muzeut për publik , zyrtarët e këtij muzeu dekalruan sot se :”do të hapën një muze nëntokësore për gjashtë ditë , nga data 15 deri në datën 20 maj , si një respekt për anëtarët e viktimave të familjeve , dhe banorët e pjesës së Ulët të Manhattanit, vendit ku më parë ndodheshin Dy Kullat Binjake ose si thirreshin ndryshe Qendra Botërore Tregttare . Kjo kohë është menduar për t’u vizituar edhe prej punëtorëve të rimëkëmbjes që ishin në vendin e ngjarjes 24 orë në ditë pas sulmit për të ringritur qendrën. Zyrtarët e Muzeut “Memoriali Kombëtar 11 Shtatorit” në Qendrën Botërore të Tregëtisë, në New York, deklaruan gjithashtu se :” Pas 21 May dita kur biletat janë falas, bileta e muzeut do të kushtojnë 24 dollar, ndërsa do të jenë me ulje për , veteranët, studentët , të moshuarit deri në 50 përqind .
Organizatorët planifikojnë të ofrojnë pranim të lirë në netët e martë dhe e mërkurë nga ora 5 mbasdite deri në orën -8 mbasdite për të afërmit e viktimave të 9/11 por më parë se ata të shkojnë të vizitojnë muzen duhet të regjistrohen onile ose pranë zyrave të memorialit për pranim të lirë , thanë zyrtarët .
Muzeu do të përfshijë një ” In Memoriam “, e cila është e vedosur përr rreth dy ujvarave dhe është e rrethuar nga pllaka mermeri të zezë, me një lule dhe një flamur amerikan për çdo emër të 2,983 viktimave të dy sulmeve, që kan ndodhur në ish World Trade Center atë 9/11 dhe atë të bombës së 1993.
Në 11 shtator 2001, edhe kombi ynë – kombi shqiptarë, hyri edhe kësaj rradhe në historinë e heronjëve Amerikan, me tre emra, që do të mbeten simbol i kësaj ngjarje tragjike. Ata janë : Mon Gjonbalaj,Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj. Ata janë tre emra,të cilët do të kujtohen në mote, por në çdo përkujtimore 11 shtatori, si dëshmi e gjallë, se ne kombi shqiptarë – jemi Shqiptarë në rradh të parë, por,jemi edhe Amerikan.

9/ 11 Memorial – Muzeumi Kombëtar,
Muzeu bashkë me sheshin përkujtimor kanë kushtuar 700 milion dollarë dhe puna për ndërtimin e tyre zgjati shumë vite. Procesi i ndërtimit është karakterizuar shpesh nga probleme që lidheshin me kontruksionin dhe vonesat ndërkohë që ende vazhdojnë debatet nëse eshtrat e personave të paidentifikuar duhet të varrosen në thellësi të ndërtesës apo mbi tokë.
Muzeumi Kombëtare 9/11 Memorial & Museum, është i vendosura në një vend me sipërfaqe 6-akra në kompleksin World Trade Center, është një respekt në përkujtimin dhe nderimin e 2983 viktimave burra, gra dhe fëmijë të vrarë në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë. Duke përfshirë edhe disa nga materialet e gjetuara në aeroplanin që u rrëzua në Shanksville, Pennsylvania , dhe disa materiale nga Pentagoni, si dhe gjashtë vetë të vrarë në shpërthimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në shkurt 1993 në New York.
9/ 11 Memorial – Muzeumi Kombëtar, është i projektuar nga arkitekti amerikan Michael Arad i kompanisë së Arkitektëve Handel në lidhje me arkitekturën e peizazhve të firmës Peter Walker dhe Partners. Muzeumi 9/11 është i dedikuar zyrtarisht për të përkujtuar përvjetorin e sulmeve më 11 shtator 2001. Arad dizajn dhe Walker u zgjodhën 6 vjetë më parë nga 5201 firma të cilat hynë në një konkurs të hapur ndërkombëtar, të iniciuara nga Korporata për Zhvillim (LMDC), në Manhattan për specifikimet e arkitektit Daniel Libeskind.
Dy pishina, secila rreth një acre me thellësi 30-këmbë krijojnë ujvarat artificiale më të më madha në ujëvarat në Amerikën e Veriut – Kaskadat e tyre janë të rrethuara me pllaka mermeri të zeza dhe çdo pllakë janë të skalitur me daltë emrat e 2.983 viktimave . Ngjitur me kaskadën janë vendosur 76 pllakat prej bronzi bashkangjitur në muret parapeme që formojnë skajet e ujvarave përkujtimore, të rregulluar në bazë të “adjacencies kuptimplotë” – një algoritm i zhvilluar prej projekteve lokale që përfshin afërsinë në kohën e sulmeve , dhe është në pëlqim të plotë nga rreth 1.200 kërkesa nga anëtarët e familjeve të viktimave.
Plaza Memorial – Sheshi Muzeal përreth ujvarave ofron një park natyral meditues, me një korije prej më shumë se 400 pemë të llojit White Oak, secila e përzgjedhur brenda një rreze 500- feet dhe të sjell nga tre vendet e sulmeve të 11 shtatorit 2001. Një korije e vogël mjaft piktoreske, e njohur si Glade Memorial, përcakton një hapësirë për tubime dhe ceremoni të veçanta.
9 – 11 Memorial Muzeu Kombëtar është i projektuar nga Dykers Craig dhe Kjetil Thorsen e Snøhetta, është planifikuar të hapet për publikun më 21 Maj 2014. Muzeu është i vendosur në një sipërfaqe mbi 110.000 metra katror të hapësirës, dhe do të ketë ekspozitë me historinë e 9/11 në ndërkohë që përmes ekraneve multimedia, arkivave, tregimet do të shfaqen skenat e ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 dhe do të ketë një koleksion i objekteve monumentale dhe autentike të atyre ngjarjeve tragjike.

Këtu janë disa fotografi që ne kemi siguruar ekskluzivisht nga një turne vitin e kaluar, kur dyert u hapën vetëm për gazetarët e akredituar në New York.
Pishina e Jugut, duke kërkuar në veri në drejtim të hyrjes muzeut gjendet paneli i mermertë dhe emri i shqiptarit Simon Dedvukaj, pak më tej edhe dy shqiptarëve të tjerë Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj/

Filed Under: Histori Tagged With: 11 shtatorit, 2001, U përurua muzeumi dedikuar

Karl D. Shehu, i pari shqiptar që synon Senatin e Connecticut

May 15, 2014 by dgreca

Karl D. Shehu është banues prej tre brezash në Waterbury, Connecticut. Nip i një familje shqiptare vendosur në Waterbury në fund të viteve 50të, Karli edhe pse vetëm 28 vjeç ka arritur të ketë një rezume mbresëlënëse ku Diploma Master në Manaxhim Biznesi nga Universiteti i Oksfordit, dhe diplomimi Jurist nga Universiteti Pepperdine janë nga më të spikaturat . Më 13 Shkurt, 2014 ai shpalli kandidaturën për Senator në Distriktit e 15të në Connecticut dhe po kërkon të bëhet i pari Shqiptaro-Amerikan në Senatin e Connecticut. Pas disa kontakteve ai me kënaqsi na dha këtë intervistë për gazetën DIELLI.
Përshëndetje Karl…Faleminderit që pranuat kërkesën tonë për këtë intervistë…Për ata që nuk ju njohin ose ju njohin pak, si do t’i përgjigjeshit pyetjes, “Kush është Karl D.Shehu?”
Unë e shoh veten më shumë si një zgjidhës i problemeve. Kjo cilësi kërkon nga unë të jem mendimtar dhe njëkohësisht ëndërrimtar. Këto karakteristika forcohen më shumë nga sensi për te qëne realist dhe praktik. Lexoj shumë dhe përpiqem të asimiloj sa më shumë të jetë e mundur. Kur marr vendime mundohem te jem më shumë analitik.
Nga rezumeja duket se ju keni arritur shumë në një kohë shumë të shkurtër. Çfarë ju frymëzon dhe motivon ju, kur synoni për kaq shumë arritje?
Atë çfarë ju e formuloni si arritje, unë e shoh si një përgatitje solide. Unë kam të gjitha mjetet dhe përgatitjen intelektuale të kërkoj më shumë për qytetarët e mi. Sa për frymëzimin, prindërit prej fillimit më kanë mbështetur drejt suksesit. Duke patur tipin A të personalitetit, motivimi asnjëherë nuk ka qënë problem për mua.
Cila është filozofia juaj politike, dhe cilët janë shembujt njërëzorë që dëshironi të ndiqni?

Unë besoj në Kushtetutën e Sh.B.A-së the parimet qeverisëse të vendosura nga Baballarët e Kombit Amerikan. Substanca filozofike e këtij besimi bën që unë te jem konservativ në fushën ekonomike dhe mbështetës i fortë i të drejtave dhe përgjegjësive individuale. Shumë nga ne jemi të ndërgjegjshëm për impaktin e teorisë së të drejtave natyrale formuluar nga John Locke. Deklarata e Pavarsisë e Sh.B.A-së shpreh qartë se ne i kemi të dhëna nga Krijuesi ynë me sigurinë e vetë-evidencës dhe të pamohueshme të drejtat e jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë. Ne i japim sistemit qeverisës pak nga këto të drejta me shpresën se qeverisja do t’i mbrojë ato. Ky është roli i kufizuar i qeverisjes. Çdo zgjerim i autoritetit qeverisës përtej të drejtave të dhëna nga Kushtetuta do të jetë kufizim i të drejtave natyrale të inidvidëve. Admiroj gjyshin tim. Pasi regjimi i (Enver) Hoxhës i konfiskoi tokat dhe pasurinë personale, ai u arratis nga Shqipëria komuniste, duke rrezikuar jetën dhe lirinë e tij. Gjyshi më ka mësuar për njerëzit dhe mbështetjen në forcat e mia më shumë se çdo profesor në Kolegjin e Bostonit, Universitetin e Oksfordit, apo çdo jurist i magjistraturës ligjore në Pepperdine. Përsa i përket modeleve njerëzore—ne secili mund të kemi ndikimin personal në këtë botë. Përqendrimi në arritjet e të tjerëve ngurtëson novacionin dhe na kufizon në drejtimet tona personale.

Cila arsye ju shtyu të vendosni të vendosni kandidaturën për senator të Distriktit e 15të në Connecticut?

Është koha për një lidership të ri. Connecticut është një shteti që është i varur nga taksimi. Në çdo shkallë të qeverisjes ka politikanë me duart në xhepin tonë kolektiv. Ne kemi nje strukturë të rregullave që e bejnë klimën e biznesit në Connecticut më të keqen në gjithë kombin tonë. Përveç asaj çfarë thamë më lart, distrikti i 15të është me keq se në të gjithë shtetin. Ne kemi 12% papunësi, dhe papunësia e të rinjve është 16%. Në katër vitet e fundit ne kemi qënë dëshmimtarë të eksodit të bizneseve dhe punëve. Unë e pëlqej senatoren Hartley, por nuk jam i sigurtë nëse ajo e kupton shkallën e mundimeve të njerëzve të thjeshtë në Waterbury, Middlebury, dhe Naugatuck. Ndërsa ajo kënaqet në mbrëmjet e koktejit me lobuesit, të rinjtë e të rejat nuk mund të gjejnë dot punë. Ne meritojmë një senator që në këto raste është i gatshëm të kundërshtojë Guvernatorin Malloy, jo një që 99% të votimeve, voton si ai.

Pasi ju shpallët kandidaturën për Senator në Distriktit e 15të në Connecticut më 13 Shkurt, 2014, “Waterbury Observer” shkruajti, “ Më tepër se sa një karrierë akademike më diploma nga Kolegji i Bostonit, Universiteti Pepperdine, dhe Universiteti prestigjioz i Oksfordit në Angli, Shehu po kërkon të bëhet i vetmi Shqiptaro-Amerikan në Senatin e Connecticut.” Artikulli pastaj nënvizon fjalët tuaja kur thoni se, “Politikanët lokalë e kanë njohur rritjen e influencës së Komunitetit Shqiptar në Waterbury. Ata na marrin me të mirë në kohën e votimeve dhe na braktisin sapo marrin pushtetin. Unë do ta ndryshoj këtë.” A mund të komentoni për sa keni thënë? Çfarë do të bëni ndryshe nga të zgjedhurit e deritashëm për sa i përket Komunitetit Shqiptaro-Amerikan?
Arben, unë nuk e konsideroj veten time politikan. Në fakt, unë nuk i kam qejf politikanët. Shumë herë fjalët e tyre nuk përputhen me veprat. Waterbury ka komunitete nga më të ndryshme, dhe politikanë premtojë për çdo gjë, për t’u zgjedhur. Këtu ka politikanë që shkojnë për vota tek Shqiptarët dhe Hispanikët. Ata duken nëpër festat e tyre. Ata i marrin me të mirë dhe premtojnë favore për liderat e komuniteteve. Ata duken vetëm në kohë zgjedhjesh. Sapo zgjidhen këta politikanë zhduken si me magji. Sa komisione kryeson nga Shqiptaro Amerikanët? Sa Shqiptaro-Amerikanë janë anëtarë të këtyre komisioneve? Shqiptaro Amerikanët nuk janë vetëm votues si robotë. Ne nuk jemi të zotët vetëm për të dhënë votat. Në qoftë se si komunitet ne jemi të rëndësishëm përtej ditës së zgjedhjeve, atëhere pse të zgjedhurit nuk na pyesin më. Pasi të zgjidhem unë do të përpiqem deri në fund që interesat e Komunitetit Shqiptar të jenë kudo të mirë përfaqsuara.

Cilat janë problemet në Distriktin e 15të që do të duan vëmëndjen tuaj të menjëhershme pas zgjedhjes suaj?

Si thashë më sipër Distrikti 15, po dëmtohet dita ditës. Programi im përfshin rrëzimin e taksave të larta, çlirimin e biznesit nga rregullat e panevojshme, mos zbatimin e Common Core, rrëzimin dhe rehartiming e legjislacionit të vitit të kaluar për armët, dhe kufizimin e mandatit për senatorët e shtetit Connecticut. Ne kemi papunësinë më të lartë dhe taksat për pronësinë janë më të lartat se në gjithë shtetin. Vitet e fundit mosha mesatare e banuesve në Waterbury është rritur. Kjo do të thotë se të rinjtë po e braktisin luginën e lumit Naugatuck. Prandaj ne duhet ta ndryshojmë plotësisht këtë gjëndje.

Tashmë, konflikti Ruso-Ukrainas ka sjellë disa nga problemet dhe retorikën e Luftës së Ftohtë. Kjo pyetje është disi përtej axhendës së zgjedhjeve lokale….Cili është opinion juaj për hapat e ndërrmara nga Shtepia e Bardhë për të zgjidhur këtë konflikt?

Çfarë hapash? Barak Obama nuk po kupton asgjë. Ai është Neville Cahamberlain i kohëve modern. Një president i dobët që duhet të punojë vetëm si pedagog universiteti dhe jo në Zyrën Ovale të Presidentit. Një klip për fushatën e Presidentit Regan tregonte një ari në pyll. Komentatori thoshte, “Është një ari midis drurëve. Disa thonë ariu mund të shihet shumë lehtë. Të tjerët nuk e shohin fare.” Kuptimi ishte se Shtetet e Bashkuara duhet ta ndalojnë dominimin Sovjetik në Europën Lindore. Unë besoj në përpjekjet për paqe, por ka vende në botë që kuptojnë vetëm gjuhën e forcës. Ju nuk mund të lejoni një autokrat si Vladimir Putini të pushtojë dhe aneksojë pjesë të vendeve sovrane.

Subjekti i pyetjes së kaluar ka ndikim si shkojnë punët këtu në Connecticut. Këtu, politikat e ndërkombëtare, buxheti i mbrojtjes, të drejtat e mbajtjes se armëve direkt ndikojnë në ekonomi. Çfarë do të bëni ndryshe nga të zgjedhurit lokale dhe shtetërorë për të mbajtur dhe rritur numrin e vendet e mirëpaguara të punës të cilat lidhen me porositë nga industritë e aeroplanëve, mbrojtjes dhe prodhimit të armëve?(Te plote mund ta lexoni ne Diellin e printuar)
(Intervistoi: Arben Dulo)

Filed Under: Interviste Tagged With: Arben Dulo, e Connecticut, i pari shqiptar që synon, Karl D. Shehu, Senatin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT