• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

Histori Amerikano Shqiptare Suksesi

May 6, 2014 by dgreca

Duke festuar arritjet Amerikano Shqiptare, të lidershipit, frymës ndërmarrëse, ndikimi në komunitet, frymëzues dhe inspirues për çështjet njerëzore(bamirësi e humanizëm), ndikiminë art, biznes, arsim, shkencë, politikë, dhe më shumë …
Nga BEQIR SINA, New York City/

BATTERY GARDENS NYC : Mbrëmë, në Nju Jork, u mbajtë një mbrëmje e madhe gala për të nderuar disa nga shqiptarët e Amerikës, të konsideruar si nga më të suksesshmit në fusha tëndryshme të jetës. Në mbrëmjen, e mbajtur në lokalin luksoz Battery Gardens , psesën e poshtme të qytetit të Nju Jorkut, jo shumë larg Statujës së Lirisë, dhe ishullit të emigrantëve Ellis Island, qindra pjesëmarrës, u mblodhën duke festuar arritjet Amerikano Shqiptare, të lidershipit, frymës ndërmarrëse, ndikimi në komunitet, frymëzues dhe inspirues për çështjet njerëzor, ndikimi në art, biznes, arsim, shkencë, politikë, dhe më shumë ….
Organizatorët e këtij spektaklit të madh – thanë se nderimet për t’u bërë pjesë e një libri portretesh shoqëruar me fotografit e të përzgjedhurve për mbrëmjen gala , nuk ishin të fundit mbasi simbas tyre, histori suksesi të shqiptarëve të Amerikës, ka me qindra dhe ato do të pasqyrohen ose nderohen në të ardhmen. Por, organizatori kësaj rradhe kishte menduar të nderonte, me librin e protreteve “Histori Amerikano Shqiptare Suksesi “, dhe një film dokumentar 160 personalitete shqiptare në Amerikë.
Ky spektakël i pari i këtij lloji në Amerikë, nga shqiptarët, u moderua nga aktoria Eliza Dushku dhe Tony Dovolani , një aktore hollivudiane dhe një nga kërcimtarët e famshëm në botë.

Fjalën kryesore e mbajti Giorgio Kolaj drejtor i kësaj mbrëmje gala.
“Është kënaqësi e madhe që ne të kemi kaq shumë pjesëmarrës në të parën projekt “Albanian American Success Stories”, tha në fillim të fjalës së tij folësi i kësaj mbrëmje gala Giorgio Klaj, duke shtuar ” Unë do të doja të përgëzoj çdo njeri që nderohet sot , dhe unë do të doja të falënderoj me shumë dashuri të gjithë ju shqiptarë të këtij komuniteti të mrekullueshëm, që erdhët në këtë mbrëmje, për të u bërë pjesë e këtij projekti të rëndësishëm, i cili tashmë ; “nuk është vetëm një ëndër e bërë realitet , por edhe një sukses i madh i shqiptarëve të Amerikës!”
Për disa dekada të kaluara , Shqipërtar nga të gjitha trojet etnike, kan emigruar në të gjithë botën, kanë emigruar edhe në Amerikë, duke pasur çdo njeri një histori individuale, unike, kudo që jeton e punonë . “Shumë erdhën në kërkim të paqes dhe lirisë , tha Kolaj, dhe disa erdhën për të siguruar një jetë më të mirë për familjet e tyre . Të gjithë erdhën për shkak se ata besonin që pishtari i ndritshëm i Statujës së Lirisë do të u thoshte se çdo njeri prej tyre, mund të kishte një shans të madh në atë që quhet American Dream – Ednrra Amerikane . Kanë kaluar shumë dekada që nga koha kur erdhi shqiptari i parë, në Amerikë, duke “vënë” këmbë në tokën amerikane, për herë të parë . Dhe pse nga gjithë ato vite , që kan kaluar komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë fanar i vendit të lirisë, ashtu siç është Amerika. Të gjitha shqiptarët e Amerikës, e kanë pasur mundësinë që të gëzojnë bekimet e premtimit të tokës së Lirisë, Shtetetve të Bashkuara të Amerikës
Duke folur për këtë mbrëmje gala Kolaj, cilësoi se në thelb “Albanian American Success Stories” është kremtimi i sukseseve të jashtëzakonshme, të gjithë komunitetit shqiptar në Amerikë , mbasi komuniteti shqiptar në Amerikë, tha ai ka vendosur veten në të katër anët e këtij vendi të madh dhe e ka mbajtur me krenari qënjen e tij shqiptar, në traditat e saj . Në fund Kolaj, theksoi se” Pra , sot , dhe çdo ditë , le të mblidhemi për festuar triumfet dhe sukseset e shqiptarëve të Amerikës . Për, të kërkuar që ky projekt të ketë në të ardhmen përfshirjen më të madhe nga brezat që do të vijnë , dhe ne mund të tregojmë e nderojmë këto histori, që nxisin dhe tregojnë sukseset më të mëdha në komunitetin tonë . Këto janë momentet tona ; kjo është koha jonë ! Zoti e bekoftë Amerikën ! Dhe Zoti e bekoftë komunitetit shqiptaro-amerikan ! ka konkluduar në fjalën e tij, folësi kryesorë Georgio Kolaj.
Mbrëmja gala u organizua nga Bordi i “Albanian American Success Stories” me Vera Mjeku – Drejtore Egzekutive, dhe me Board Advisor : Kujtim Balidemaj MD, Donika Bardha, Beti Beno Esq.,Tony Dovolani, Amilda Dymi, Mark Gjonaj, Giorgio Kolaj, Mark Kosmo, Nick Markola, Avni Mustafa, Konsulents: Fadil Berisha, Ed Hammel, Ismer Mjeku, Marketingun, Blerta Alikaj, dhe Webmasterin, Arben Mehmetaj, të cilët kishin vendosur lidhje me qindra shqiptarë që kanë shënuar histori të reja suksesi në jetën e tyre të emigrimit, në SHBA.
Ky lloj spektakli mendon të promovohen të gjithë shqiptarët dhe që kanë bërë histori suksesi në Amerikë, duke ndërthuruar moshën dhe kohën e ardhjes së tyre në SHBA, fushën e jetës, ku çdo individë ka sukses dhe ku të rinjtë, dhe shqiptarët që kan arritur diçka, të shohin një mundësi promovimi. E veçanta e këtij evenimenti u tha se ishte që të nisej diçka ndryshe. Ndryshe, nga mënyra e mbrëmjeve, që zgjatin në kohë, me fjalime, ndryshe nga froma e nderimit nga që kjo lloj mënyrë, është zgjedhur që ta bëjnë mbrëmjen sa më të gëzueshme.
Grupi Shqiptar i Medias , Fadil Berisha Studio , së bashku me Këshillin Amerikanë, Fondin e Arsimit Ndërkombëtar Amerikan për Kosovën organizojë këtë mbrëmje gala si një spektakël të madh për nderuar mbi 160 shqiptarët, të zgjedhur kësaj radhe, si më të suksesshëm të viteve të fundit në gjithë fushat e dijes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E cila ishte dhe një nga qëllimet kryesore, thanë organizatorët, që të nisë krijimi i një baze të dhënash se kush janë shqiptarët më të sukseshsëm dhe cila është, puna e tyre, krijimitaria e tyre, suksesi i tyre në Amerikë. Po ashtu synohet që kjo ngjarje të bëhet vjetore.
Organizatori, për këtë qëllim në këtë mbrëmje gala me anë të materialeve filmike, portretizimit të çdo njerit nga ata që u nderuan këtë mbrëmje gala shfaqur në ekranet e televizorve, në çdo pjesë të lokalit luksoz, Battery Gardens, promovojë sukseset e individëve të komunitetit shqiptaro- amerikan dhe kontributet që ata kanë bërë në biznes , politikë, shkencë , arsimit , artit , etj
Mbrëmja Gala e së shtunës mblodhi edhe disa lider të komuniteti shqiptaro-amerikan, veprimtarë të dalluar, afaristë dhe biznesmen të suksesshëm, avokat, gazetar, artistë, studentë, policë shqiptarë që shërbejnë në departamentin e poliicisë së New Yorkut, mysafirë nga Shqipëria dhe Kosova: Albin Kurti, Shpend Ahmeti, Florin Krasniqi, Naim Dedushaj, përfaqësuesit e shtetit shqiptar dhe Kosovës, ambasdorin Ferit Hoxha dhe ambasdorin Bekim Sejdiu, e të tjerë, për të festuar në spektaklin “Albanian American Success Stories” – një iniciativë e paparë ndonjëherë, e cila tregoj disa nga sukseset dhe arritjet e shqiptarëve në Amerikë.
Ngjarja më e madhe argëtuese e kulturore shqiptaro amerikane në SHBA, e cila u shoqërua gjatë gjithë kohës me premierën e një dokumentari realizuar me protretizimet e mbi 160 shqiptaro amerikanëve më të suksesshëm , përfshiu edhe fituesin e çmimit Nobel për Mjekësi Dr Ferid Murad , të parin shqiptar të zgjedhur në një post zyrtar amerikan në atë të Kuvendit e shtetit New Yorkut, zotin Mark Gjonaj , aktoren e famshëme dhe të njohur në botë, aktoren Eliza Dushku dhe supermodelen Emina Cunmulaj , fotografin me renome në Amerikë, Fadil Berisha, bankierin Richard Lucka, gazetaren e Fox News Lidia Ujkaj, bamirsen Shpresa Xhaklli, komedian e famshëm James Belushi, Lisa Milicaj, Councilwoman Pleasant Valley, politikanin e Uashingtonit Ilir Zherka, aktori Mike Dusi, dhe shumë të tjerë .

Personalitetet në tapetin e kuq

Të gjithë pjesëmarrësit kishin mundësin të shohin teksa kalonin në tapetin e kuq me dhjetra shqiptarë të suksesshëm në Shtetet e Bashkuara. Në orën 19:00, dy orë para fillimit të spektaklit të madh, ishte shtruar një tapet i kuq, ku do të kalonin para se të hyjnë brenda në lokalin luksoz, për t’u fotografuar dhe intervistuar nga gazetarët dhe pjesëmarrësit, të gjithë shqiptarët e suksesshëm dhe pjesëmarrës të kësaj mbrëmje gala.
Fotoreporterët dhe gazetarët pritën me fotoapartet e tyre dhe kamerat personalitetet e nderuara, ku ata kishin një mundësi të parakalojnë vetëm për median, duke dhënë intervista edhe autografe dhe duke bërë foto me gazetarët, dhe pjesëmarrësit e tjerë.
Eliza Dushku krenare për Shqipërinë

Gjatë fjalës së saj duke drejtuar mbrëmjen e madhe gala në Nju Jork, “Histori Amerikano Shqiptare Suksesi “, duke përë promovimin e një libri dhe një film dokumentar me 160 personalitet shqiptare në Amerikë, Aktorja hollivudiane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, ka pohuar disa herë me plot bindje dhe madje dhe e ka bërë publike se vlerëson lart suksesin shqiptaro-amerikan.
Në paraqitjen e saj para publikut shqiptaro amerikan, aktorja e njohur ka treguar një tatuazh në qafën e saj ku shprehet se ndihet më shumë shqiptare dhe se vlerëson suksesin shqiptaro-amerikan.
Krenarinë e saj shqiptare, shqiponjën me dy krena në tatuazhin e saj ajo e ka bërë publikë edhe sot një ditë mbas mbrëmjes gala edhe nëpërmjet një postimi në një nga fotot e bëra publike, e cila është bë dje në mbërmjen e madhe gala në Battery Gardens në New York ku aktoria shqiptare në Amerikë, Eliza Dushku paraqitet me një fustan të kuq, e ndërsa tregon me krenari shqiponjën, mbi fot ajo ka shkruar fjalën shqiptar ndërsa mbrëm ka përshëndetur edhe në gjuhën shqipe.

Një mbrëmje 160 “çmimesh”

160 “çmime” do të ndaheshin për 160 shqiptarë të Amerikës. Sigurisht, që kjo nuk është një mbrëmje gala e cila do të përmblidhte, të gjithë atë suksesin e madh të shqiptarëve në Amerikë, por një fillim i ndarjes së këtij “çmimi” “Histori Amerikano Shqiptare Suksesi “, i cili është një motivim për të kërkuar më tepër, shqiptarë të suksesshëm kudo në botë.
Oraganizatori tha se tridhjetë e pesë për qind e të ardhurave neto të këtij projekti do të shkojnë për Fondin e Arsimit Amerikan të Kosovës – Këshillit Amerikan . Si dhe për realizimin e një libëri luksoz i lidhur që përfshinte në faqet e tij – individë dhe historitë e tyre të suksesit . Listimet tha organizatori në libër janë vendosur sipas rendit alfabetik. Historia e çdo njerit thuhet se është e redaktuar nga redaktorët e AASS shoqëruar me fotografi profesionale që janë marr nga studio prestigjioze “Fadil Berisha Studio” e fotografit të famshëm shqiptar Fadil Berisha.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Histori Amerikano Shqiptare Suksesi

Zërat që gjëmojnë në shkretëtirë

May 6, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Para syve të mi qëndron albuni me poezi të zgjedhura i të madhit Asli Asllani. Shfletoj faqet e tij dhe lexoj poezitë. Ndalem para njerës prej tyre, “Hakërrim”. E lexoj dhe e rilexoj dhe më duket sikur autori nuk e ka shkruar për kohën që jetoi vetë por për ditët e sotme. Kjo mund të duket e çuditëshme. Si mundi autori të parashikojë se çfarë do të ndodhte pas shtatëdhjetë vjetësh? Por, ja që kjo është e vërtetë. Lexoj

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka,\
Të pabrek’ ju gjeti dreka, milioner ju zuri darka!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
Gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: Peqe, lepe!

Para syve më dalin “njerëzit e rinj” të kohës së përmbysur që sot janë transformuar në politikanë, diplomatë, juristë të shquar, gazetarë apo analistë. Janë trashëgimtarët e sistemit të përmbysuar. Janë të shumtë. Ata e kanë zaptuar këtë vend dhe po i thithin gjakun. I gjen kudo, në partitë politike dhe në shoqatat “e pavarura”. I gjen në median e shkruar dhe atë televizive. I gjen në administratën shtetërore dhe në qeveri. I gjen në “Institucionet e Pavarura” dhe në parlament. I gjen në çdo qelizë të këtij vendi të mjerë. I shohim përditë, në rrugë dhe në jetën e përditëshme, në mbledhje përkujtimore dhe konferenca shkencore. Ata janë kudo të parët. Ata janë në faqet e para të shtypit dhe në ekranet e televizioneve. Janë specialistë për gjithçka, për politikë dhe për diplomaci, për art dhe për kulturë, për histori dhe për gjeografi, për shkenca dhe për teknikë, madje deri edhe për seks dhe për homoseksualizëm. Vetëm këto figura shfaqen çdo ditë para opinionit publik. A thua nuk paska ky vend figura të tjera?
Mos u mundoni t’i pengoni. “Heronjt” e sotëm janë në gjendje të kapërxejnë çdo pengesë. Janë të paarritshëm, janë xhonglerë të shkëlqyer. Ju a kanë kaluar edhe atyre të cirqeve më të famshëm. Janë të paimagjinueshëm sidomos në kapërximet me pengesa, ndaj i kalojnë me lehtësi edhe gjembat e ferrat. Mos u çudisni nëse sot i gjeni në një shoqatë dhe nesër në një tjetër me bindje të kundërta me të parën. Mos u çudisni nëse sot i gjeni në një parti të djathtë dhe nesër në një të majtë. Kjo është rruga e sotme e suksesit të shoqërisë shqiptare. Kjo është formula e pasurimit të shoqërisë së sotme. Nga kjo formulë kanë lindur biznesmenët dhe politikanët e sotëm. Kanë lindur komentatorët dhe analistët e përjetshëm. Kanë lindur gazetarët dhe “mëndjet e ndritura” të këtij vendi. Mundohuni të paraqisni një ankesë në ndonjë nga institucionet e ndryshme, por mos prisni përgjigje. Askush nuk merr mundimin t’ju përgjigjet Mundohuni të shkruani një artikull për këtë gjendje. Shpërndauani gazetave apo revistave që qarkullojnë në vend. Shumica e tyre do ta refuzojnë. Përse? Sepse drejtuesit e tyre i përkasin klasës së “njerëzve të rinj” që sundojnë mbi median. Zëri juaj është një zë në shkretëtirë.
Çuditërisht, pasojat e kësaj anarkie bien mbi kurrizin e atyre që, të lodhur nga rruga nëpër të cilën janë të detyruar të ecin, janë tërhequr të deziluzionuar në qoshkun e tyre, sepse nuk mund të pajtohen me sharlatanët që drejtojnë vendin. Nuk mund të pajtohen me hipokritët, servilët, mashtruesit, dallaverexhinjtë dhe lloj lloj tipash të këtij lloji që, fatkeqësisht, qëndrojnë në krye. Sharlatanët nuk e kanë për turp ta kthejnë faqen nga e majta në të djathtë, ose e kundërta, nga është më i madh interesi. Ata nuk kanë bindje. Ata kthehen nga fryn era. Ata që deri dje ishin me mazhorancën sot kthehen me opozitën, ashtu siç ishin kthyer përfaqësuesit e opozitës së djeshme me mazhorancën e dikurshme. Ata i dëgjon gjithmonë të thërrasin “Hosana Baraba” kushdo qoftë Barabai, për ta nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që atyre të mos u preken rrugët e pasurimit që poeti i pakrahasueshëm Ali Asllani do t’i quante “të pabrekë’ që darka do ti zinte milioner.
Por a thua kështu janë të gjithë shqiptarët. A thua nuk gjen shqiptarë të ndershëm? Jo. Përgjigjen na e jep poeti:

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera,
Kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja, grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
Koha është e maskarenjve, po Shqipëria e shqiptarve!

Në vendin tonë ka plot njerëz të denjë për t’u quajtur shqiptar. Ata përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë së këtij vendi. Por janë zërat e çjerrur të korbave të zinj që nuk lejojnë të dëgjohen zërat e tyre të pastër, zërat e tyre të dlirë. Vendi ynë ka intelektualë që sot shkëlqejnë në gjithë botën e përparuar por që në vendin e tyre dyert i kanë të mbyllura. A do ta gjejë rrugën e duhur atdheu?
Para disa ditësh më ndaloi në rrugë një qytetar i panjohur. Më drejtoi një poezi që porsa e kishte përfunduar. E hapa dhe lexova:

Në këtë kaos, këtë vend të nxirrë,
Nga këta “bandillë”, këta “xhevahirë”,
Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,
Zërat tanë të lirë, zë në shkretëtirë!”

Deri kur këto zëra do të gjëmojnë në shkretëttirë?

Filed Under: Analiza Tagged With: në shkretëtirë, Reshat Krips, Zërat që gjëmojnë

“MASAKRA ME KNAQË SHPIRTIN E TYNE…”

May 6, 2014 by dgreca

Imz. Jul Bonatti (4 Maji 1874 – 5 Maji 1951)/
Nga Nga Fritz RADOVANI/
Vështirë me u besue këto, e vështirë me u besue çka po u shkon mendja “disave”!
Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Jul Bonatti, në Vlonë, pra, pak muej mbas kthimit të Tij nga Italia.
Hapët dosja nr. 3616… “…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.”
Imz. Bonatti deklaron në hetuesinë e Vlonës dhe asht fat i madh se, në disa fletë që ruhen në shpjegimet biografike janë detaje që me siguri nuk do të ishin dijtë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Tregon me shka asht marrë edhe në vitet e fundit në Itali.
Një opinjon që vazhdoi mbi 47 vjet në hetuesitë e sigurimit shqiptar:
“… përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.” (dt. 10 qershor 1946).
Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti spijun i djallzuar…”
Namik Cakrani shënon: “… Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “… agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi…”
Me datën 27 tetor 1947, jepet vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”.
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né.
Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast atëherë,.. dhe sot.
***
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i Tij me té. Njëditë Ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë… Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni…. dhe çohet në manikomjo…
Fantazia e kriminelit asht e pafund….
Imzot Prof. JUL BONATTI, njëditë thanë se ndrroi jetë!
“Ndrroi jetë…”, një fjalë goje!
U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!
Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e… ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobres së zezë të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij.
***
A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo dishka ma shumë..?!
Imz. Jul Bonatti deklaron: “Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës!” Kjo thanje e Profesorit më ka terhjekë vemendjen që atëherë kur e kam lexue. Kam shkrue dhe mendoj mos me u ndalue këtu!
Imz. Prof. Jul Bonatti ishte Klerik Katolik Shkodranë, teolog, filozof, studjues dhe perkthyes i njohun i letersisë dhe gjuhës shqipe, një humanist i persosun, poliglot dhe mbi të gjitha një Klerik me pikpamje europjane, në vizionin e të cilit qendronte një nga perpjekjet e vazhdueshme të Atdhetarëve tanë: Unifikimi i Kishave Shqiptare!
Përgatitja e Tij n’ Austri, Itali, dhe sherbimi në Stamboll mbi 16 vjet, në Durrës, Vlonë, Siçili, dhe njohja atje e Kishave Unite Shqiptare prej Tij, duhet të bahet piknisje per një studim të plotë të perpjekjeve të dy palëve; katolikë dhe ortodoksë per unifikim.
E ky unifikim nenkupton Unitetin e Trojeve të Shtetit Shqiptar!
Një veper e tillë Atdhetare, ishte fillue me kohë nga Imz. Kristofor Kissi.
Kjo etapë e re fillon me kohë, madje vite perpara At Shtjefen Gjeçovi kur ishte në Vlonë, flet per perpjekje të dy kishave per Bashkim, dhe kam parasyshë edhe vlersimet.
Nga studjuesi z. Nelson Qiriaku, kam mujtë me u sigurue per fillimet e Kishës Ortodokse Autoçefale Shqiptare KOASH, e cila me disa nga drejtuesit e saj të nderuem filloi marrveshjet per unifikim dhe bashkpunim me Kishen Katolike Shqiptare, që në vitin 1920. Menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë në 1912 shihen dokumentat. Perpjekjet e Hirsisë së Visarion Xhuvanit, Kristofor Kissit, Irene Banushit, etj., dhe lidhjet e Tyne me Famullitarët e Vlonës, Durrësit dhe së fundi të Tiranës, dhe janë një prej episodeve ma të lavdishme të mardhanjeve mes Kishave tona Shqiptare.
Porsa Kisha Ortodokse Autoçefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga kishat sllave e greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe perdorimin e gjuhës Shqipe.
Patriarku i Konstantinopojës emnoi në Shqipni Hierotheos A. Jahon (Peshkop i Miletupolisit) si zevendsin e tij të plotfuqishem, i cili, i shoqnuem nga Imz. Kristofor Kissi, Peshkop i Sinadonit, mërriti në Korçë në vjeshten e vitit 1923, dhe shuguruen Fan Nolin, me 21 Nandor 1923, në katedralen e Shen Gjergjit.
Hierotheosi emeroi Imz. Kristofor Kissin, Peshkop të dioqezës së Beratit, e cila permblidhte edhe Vlonen; Fan Noli në 1924 u largue nga Shqipnia. Në nandor 1927 vizitoi Rusinë stalinjane, pra Bashkimin Sovjetik, si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit…
Po, nuk mungoi me i ba urimet edhe Enver Hoxhës në Janar 1946, per “varësinë e Republikës Demokratike Shqiptare nga Jugosllavia komuniste e Titos”…
Ishte koha kur Peshkopët e KOASH Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Irene Banushi(u burgos në 1947), Kozma Qirio, At Dhimiter Leka (u pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli(u pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, me 11 Dhjetor 1972), vetem pse vazhduen me punue per unifikimin e Kishave Shqiptare, njëherit me persekucionin e Tyne të vazhdueshem kryesisht mbas 1944.
Me këte “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Enver Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim dhe Fenë!
Kryepeshkopi metropolit Kristofor Kissi drejtoi KOASH derisa dha doreheqjen me 1949. Ai jetoi në pension pak kohë në manastirin e Ardenicës e me vonë në manastirin e Shën Prokopit afer Tiranës. Thohej se vdiq nga hemoragjia cerebrale (po, ma shumë mendohet se aty u helmuem nga Sigurimi komunist) me 16 qershor 1958.
Patrikana e Konstantinopojës e njohu Kishen e Shqipnisë si autoqefale vetem nga autoriteti i Imz. Kristofor Kissit. Ai ishte personi ma i respektuem per të gjitha palët e interesueme, per patrikanën e Konstantinopojës, per Popullin Shqiptar, per Klerin Ortodoks dhe lidhjet e KOASH me Kishen Katolike Shqiptare. Ndersa, Martiri At Josif Papamihali… asht mbulue me baltë i gjallë në kampin e shfarosjes, në këneten e Maliqit të Korçës, me 26 Tetor 1948 vetem, per lidhjet fetare me Klerin Katolik Shqiptar.
Kjo ishte Kisha e vertetë Ortodokse KOASH, per të cilen ruej respekt edhe sot!
Ishte pikrisht koha kur në Shkoder Hafiz Derguti torturohej në 1947, dhe po i tregonte një bashkvuejtësi: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
Cili kje qendrimi Europjan i Hafiz Ibrahim Dalliut në gjyqin e Tij në 1946 ?
Kush mundet me mohue veprat e Hafiz Ali Tarit, ndaj Klerit Katolik në Burrel ?
Ndersa, vrasjet e masakrat e sllavokomunistëve ndaj Bektashijve vazhdonin me korrë koka njerzish, vetem per qendresen e Tyne në perkrahje të katolikëve Shqiptarë.
Ashtusi mbyten At Papamihalin, ashtu shkyene dhe Imz. Jul Bonattin…
Historia pa të vertata e saja, nga Populli Shqiptar quhet “rrenë”!
***
Komunistët shovenistë sllavobolshevikë, ashtusi paraardhësit e tyne anadollakë, gjithnjë, kudo ku kanë sundue kanë perdorë metoden “Perçaj e sundo!”, jo “pa rezultat”.
Në Sheshin Skenderbe, Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë…
Por me një kusht, që të mbetët përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë.”
Pajtimi i vertetë arrihet vetem me hapjen e dosjeve…Dënimi i diktatorëve që kanë ushtrue Gjenocid kunder Klerit Katolik dhe Atdhetarëve Shqiptar asht detyrë!
Shqiptarët duhet gjithnjë ti bajnë vetes një pyetje:
Deri kur do të vazhdojë me u mashtrue Populli Shqiptar?!
Melbourne, Maj 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: “MASAKRA ME KNAQË, Fritz radovani, Imzot Jul Bonatti, SHPIRTIN E TYNE...”

Republika e Kosoves, Qendër Kulturore në Çikago

May 5, 2014 by dgreca

Në Çikago është përuruar Qendra Kulturore e Kosovës ndërsa janë themeluar edhe rrjetet e bizneseve në SHBA dhe Kanada.
Kështu njofton ministria e Diasporës, pas një vizite pune që kreu i këtij dikasteri, Ibrahim Makolli, i ka bërë këtyre vendeve.
Gjatë vizitës në Kanada, ministri Makolli u takua me shoqata të komunitetit shqiptar në Montreal, Toronto, London dhe Hamilton, si dhe me bashkatdhetarë në këto qytete.
Në Toronto, ministri thuhet se pati një takim pune me Robert Baines, nga Këshilli i Kanadasë për NATO, njëherësh koordinator i shoqërisë kanadeze-shqiptare për NATO. Me të thuhet se bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit mes këtij këshilli dhe Kosovës.
Në Detroid, Çikago e Dallas, ministri Makolli zhvilloi takime me përfaqësues të mërgatës, me të cilët bashkëbisedoi për bashkëpunimin mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mërgatës, si dhe për objektivat e përbashkëta.
Gjatë qëndrimit në Çikago, ministri Makolli u takua edhe me zyrtarë të Universitetit t ë Ilionisit, me të cilët bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet universiteteve të Republikës së Kosovës dhe këtij universiteti, si dhe për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit.
Në kuadër të projektit të rrjetëzimit të bizneseve në diasporë, më 19 prill u themelua edhe Rrjeti i bizneseve shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, kryetare e të cilit u zgjodh Lida Ragami.
Më 20 dhe 21 prill, në Toronto të Kanadasë u themelua Rrjeti i Bizneseve Shqiptare për Kanada. Kryetar i këtij rrjeti u zgjodh Bashkim Breznica.
Në Detroit të ShBA-ve, më 23 prill, po ashtu u themelua Qendra e rrjetit të bizneseve për shtetin e Miçiganit. Me këtë rast, u zgjodh edhe kryesia prej 15 anëtarësh, e cila do të udhëhiqet nga Prenk Gjokaj dhe Xhon Goqi.
Dy rrjetet e fundit të bizneseve në ShBA u themeluan në Çikago (më 24 dhe 25 prill)dhe në Dallas(më 26 dhe 28 prill).
Në Çikago u zgjodh edhe kryesia e përbërë prej 14 anëtarësh e shoqatës së bizneseve, e cila do të koordinohet nga biznesmeni Gani Ahmetaj.
Ndërkaq, në Dallasu zgjodh kryesia prej 15 anëtarëve të shoqatës së bizneseve, e cila do të udhëhiqet nga Nazar Mehmeti.
Ministri thonë se qëllimi i projektit të rrjetëzimit të bizneseve shqiptare nëpër botë është përafrimi i bizneseve dhe i biznesmenëve shqiptarë dhe bashkëpunimi mes tyre nëpërmjet projekteve të përbashkëta e investimeve në trojet shqiptare.
Në këto takime u bisedua edhe për konferencën e përgjithshme të rrjeteve të bizneseve, e cila do të mbahet në Kosovë, nga data 16 deri më 18 maj 2014.(Bota Sot)

Filed Under: Komunitet Tagged With: kulturore, ne Cikago, Qendër, Republika e Kosoves

EMIGRACION:Deportimet në Shtetet e Bashkuara

May 5, 2014 by dgreca

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar rreth 2 milionë emigrantë të paligjshëm në pesë vjet, që kur Presidenti Barak Obama mori detyrën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klein, disa amerikanë thonë se administrata është shumë agresive në zbatimin e ligjit të imigracionin, ndërsa të tjerë thonë se ajo nuk është agresive sa duhet.
Sipas Greg Chen me Shoqatën Amerikane të Imigracionit, administrata Obama po largon një numër rekord imigrantësh të paligjshëm nga vendi.
“Numrat janë shtuar vazhdimisht gjatë administratave të presidentëve Bush dhe Obama në dekadën e fundit dhe tani janë në nivelin më të lartë. Është e rëndësishme të pranohet se administrata ka qënë e fuqishme në praktikat e zbatimit të ligjit.”
Por numri i përgjithshëm i deportimeve ka rënë, thotë Jon Feere, në Qendrën për Studimet e Imigracionit.
“Nuk po shohim një angazhim serioz në zbatimin e ligjit të imigracionit. Numri i dëbimeve nuk çshtë shtuare, por në fakt është pakësuar. Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk duket shumë serioze në zbatimin e ligjeve të imigracionit.”
Si ka mundësi që ka ndryshim në shifra? Kjo vjen për shkak të ndryshimeve mes asaj që qeveria i quan “të kthyer” dhe atyre që i quan “të dëbuar”. Numri i të kthyerve – atyre që kapen në kufi dhe kthehen mbrapsht, ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Ndërkohë numri i të dëbuarve, atyre që arrijnë të hyjnë dhe që dëbohen pa të drejtë rikthimi, është rritur në nivelin më të lartë.
Jon Feere është i shqetësuar se numri total i të kthyerve dhe i të dëbuarve ka rënë.
“Numri i të dëbuarve është rritur disi. Por në se sheh numrin e përgjithshëm, të atyre që dëbohen dhe të atyre që kthehen në kufi, sheh se numrat janë zvogëluar.”
Por Greg Chen thotë se qeveria ende është treguar e ashpër me imigrantët e paligjshëm.
“Duhet të pranojmë se presidenti Obama ka shtuar praninë në kufi dhe kjo ka sjell rezultatin aktual. Pasojat e arrestimeve dhe dëbimeve nga vendi janë më të rënda, dhe kjo ka shtuar numrin e të larguarve nga vendi”.
Megjithatë, avokati veteran i imigracionit Jim Tom Haynes, thotë se nëpër gjykata, të cilat janë të mbingarkuara me raste deportimesh, po shkojnë më pak raste të reja.
“Rastet që shkojnë në gjykata duan vite që të zgjidhen. Pra mendoj se ka më pak deportime tani, thjesht për faktin se gjykatat nuk mund të përballojnë më shumë raste”.
Debati nëse duhen më pak, apo më shumë masa të forta, ka të ngjarë të ndikojë në debatin për reformën e sistemit të imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Kjo gjithashtu mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve për në kongres në muajin nëntor.(VOA)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Deportimet në Shtetet e Bashkuara, emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • …
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT