• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

VDEKJA E PUSHTETARIT

May 3, 2014 by dgreca

Nga Vjollca PASKU/
Ai ishte shndërruar si një enë balte plasaritur pa vlerë, për tu hedhur në fundin e destinuar. Sot ai bënte udhëtimin final, me kostum e kollare të shtrenjtë, dhe qivurin luksoz të punuar enkas për një rast të tillë. Gjithmonë kishte fjetur në komoditetin më luksoz të kohës, tani ishte shtrirë brenda kontureve të ngushtë të arkivolit me dorezë floriri. Pigmenti i vdekjes i kishte përpirë të gjithë trupin me grerëzat e padukshme të dekompozimit. Nofullat e tij lidhur me fasho, qëndronin paska hapur, si një hon i mistershëm. Gjithë jetën e kishte shpenzuar duke qenë një nga idhujtarët e parasë. Për të ishte sakrilegj të ndihmonte apo të dhuronte. Vodhi , mashtroi, bëri qejf sa deshi. Ndihma, bamirësia, dhurimi ishin mëkat. Fitimi, ishte Zoti më i dashur i tij. Tani që dergjej i shtrirë nuk mund t’i bënte asnjë ofertë vdekjes. Ishte tërësisht nën pushtetin misterioz e të frikshëm. Impulset e frymëve që e kishin mallkuar, ishin ngritur deri në qiell. Ishte një pushtetar që kishte goditur me kamxhikun e padrejtësisë shumë jetë. Vet jetonte në një kullë të fildishtë përrallash, rrethuar me lule enigmatike, me shikim drejtë diellit. Këpucët kurrë nuk iu baltosën. Kishte përherë njerëz që ia pastronin. Tani ai përfundoi në botën e baltës. Dukej si një parazit, nga prania e të cilit, edhe toka, sikur kishte kruarje alergjike. Dëshpërimi fals i miqve të tij, përsëriste alfabetin e djallit. Në sytë e tyre rrëshqiste pyetja rrufe: “kush do i zinte vendin “. Hipokrizia e tyre ishte si lulet e rreme, që imitojnë ato natyrale në dukje, por veç prezencës me bojëra false, nuk kanë asgjë të përbashkët me to. Vendosur në një sallë të madhe dhe të ndriçuar mirë, grimcat e dritës së bardhë e anashkalonin, duke i lënë një mjegull errësire. Panteoni i lavdisë, u shkëmbye me panteonin e vdekjes. Era e kalbur përzihej me erën e livandos dhe gjurmëve të pluhurit, në kortezhin që filloi të lëvizte ngadalë drejtë varrezave. Ekzistenca e tij dhe emri u fshinë më shpejt se fundosja e trupit brenda dheut. Sikur të fliste, ai do të mblidhte kryqëzatën e errësirës nën tokë, të protestonte pretendimin, ashtu, i ngrirë me eshtra dhe gravatë se “se emri i duhej gdhendur në ar”. Kur në të vërtetë ishte një vjedhës i licensuar, një përdhunues i ligjit, zengjin i mashtrimit, pra thjesht një vampir i virtytshëm. Tani një kontakt me tokën dhe ata krimba të vegjël , që kurrë nuk i kishte vlerësuar në gjallje, do të bëheshin përbindëshat e kësaj mbretërie. Asgjësimi ishte i dhimbshëm. Po shpirti?… Askush nuk e dinte. Endej,nëpër errësirë… Ndoshta një fjalë e mirë e ndonjë fryme, bëhej dritë….Por askush nuk e tha..”Po ç’farë do t’u kushtonte xhanëm…?”-mendonte qenësia e tij. Shpirti i tij nuk mund të çante retë e errësirë, sepse shpirti shikon vetëm me sytë e dashurisë. “Dashuri, po kjo fjalë ishte e huaj për të”…Ai ishte skeptik kundrejt çdo ndjenje të thellë. Bukuria e kësaj ndjenje, edhe kur u prek për herë të parë, u arratis, nga kraharori i ngushtë ,dhe zemra e tij ra në apatinë e kënaqësisë trupore….Endej nëpër errësirë, kujtonte ditët e kaluara në tokë. Kujtesa ia shndërroi ditët, s’i gjethet e ferrës dhe mendimet si gjembat shpues. Më pas përvëlohej, ngaqë i mblidhte të gjitha bashkë dhe donte t’i digjte…Jetë e kaluar, duke emetuar mbeturinat e trupit nga tretja e shijeve të shtrenjta, të fituara padrejtësisht. Ç’dëshpërim,ç’pikëllim, ç’trishtim. Çelësin për të hapur derën e përjetësisë, nuk mund t’a gjente. Shpirti i verbër u vetëparalizua, të mos mendonte, të mos lëvizte, të ishte thjesht një grimcë errësire. Errësira, pse është e frikshme vallë…? Mos ka edhe ajo grimca të vdekura, të cilat marrin arratinë nga drita e jetës?… Kush e di!…Ndoshta!…

Filed Under: ESSE Tagged With: VDEKJA E PUSHTETARIT, Vjollca Pasku

Poetja që depërton në qerthullin e një shekulli drite

May 3, 2014 by dgreca

Poetika e rrëfimit letrar, si kumt dhe prelud i këndvështrimit estetik të autores Zejnepe Alili REXHEPI/
Nga Agron Shele/
Poetika e rrëfimit letrar me studime dhe analiza, të cilat më së shumti kanë qënë tematika të koferencave letrare të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, vijnë si një përzgjedhje e artit estetik letrar të shkruar dhe hapin objeksion të ri në fushën e studimit analitik të veprës letrare, ose dritëthënies së autorëve në kohë dhe epoka të ndryshme. Në mënyrë krejt panoramike, autorja Zejnepe Alili REXHEPI, depërton në qerthullin e një shekulli drite, dhe nëpërmjet simbolikës, krahasimeve, epigrameve shumë dimesionalë, kushteve dhe rrethanave historike në të cilën është shkruar vepra letrare, por dhe deshifrimit të mesashit ravijëzon autorë dhe risi të tyre krijuese, sjell modele dhe dhe lançon dritëhijet e tyre, me të gjithë ornamentin dhe oshilacionet që i kanë shoqëruar. Për kohezionin e ri, ku kritika shqiptare duket se është në eranzë, ky publikim rizgjon dhe rikthen të tjera imazhe, përqas në mënyrë sinjikative sendërtimin e artit me pasqyrimin e universit të fjalës, kurbëzon semantikën e vargjeve me ekstratin dhe grafikat e zhvillimeve tërësore të artit. Është thelbësore që të citohet kategorizimi i panoramave estetike, si : panorama estetike e Rilindjes Kombëtare ( sintezim artistik që vjen si ide dhe qëllim për pavarësi dhe gjeografi të njëjtë për gjithë shqiptërët), panorama estetike e Lirizmit ( lajmotiv që shpesh nëpërmjet simbolikës “bukuri” , indentifikimin e vajzës hyjni, vajzës zanë, vajzës perri ), panorama estetike e Traditës, ( që shpreh më së miri zanafillën e historisë, fesë, folklorit, arkeologjisë, politikës, njohjeve mbi jetën , tipologjisë, etj), si dhe panorama estetike filozofike.
Panorma estetike filozofike e bën këtë vepër studimesh dhe analizash shumë të veçantë për faktin real të kompleksitetit të frymës dhe rrymave përafruese, për kultin e formëzuar të shkrimit me modelin krijues , për depërtimin analitiko -logjik dhe fuqinë shprehëse të argumentit. Në këtë vepër studimore gjen jo pa qëllim autorin P Coelho ose Charles Beudelaire, të cilët si sugjestionim dhe frymim modern e kanë drejtuar sot artin bashkohor letrar drejt frymave më të larta të mendimit dhe konceptimit, drejt postmodernizimit, paradokslaizmit apo teknikave të tjera eksperimentale, të cilat gjithësesi shprehin atributet e mendësisë dhe progresivitetit më të lartë njerëzor. Ndjesia dhe percepetimet, prekja e imazheve me frymë dhe përjetimet, njohja e thellë e stilistikës dhe burimet studimore, sintetizimi prurjes artistike me kompozicionin e veprës letrare, tedencat drejt moderaturës së re analizuese dhe natyra universale e rrëfimit filozofik bëjnë që vepra studimore e Zejnepe Alili REXHEPI, të radhitet në arshivën më të ndritshme të fushës studimore për librin tonë shqip dhe ti shërbejë të nesërmes tonë kulturë, si përqasje por dhe si hap drejt përsosjes, zhvillimit të pandërprerë dhe universalizimit të artit kritik dhe gjuhës tonë të bukur shqipe.

Filed Under: Featured Tagged With: Agron Shele, drite, e një shekulli, Poetja që depërton në qerthullin

Pese Poete ne SOFREN POETIKE TE DIELLIT

May 3, 2014 by dgreca

SORKADHJA/
NGA QAZIM SHEHU/
Yjet e ftohta mban mbi brirë,/
Lotin e qiellit në sy,/
Lulet që kanë mbirë/
Në hapin e saj, janë aty./

Dielli kur së pari ra,/
Në sy të saj u qetësua,/
Dhe një burim nuk u tha,/
Pa pirë buzët e tua./

Gjithçka të bukur i mori botës,
Hapin e brishtë me naze,
Pastaj u pendua e ndrojtur,
Emrin ia dhuroi çdo vajze…

ATA QË RRINË NË BURGJE
Kush diellin e jetës vret,
Diellin s`e meriton më,
Gurët i rrinë shkret,
Lotojnë pa zë.

Për vetminë e tyre , jo,
Për shpirtrat që ikin,
ditëve jeta lëshon një zë,
Që u ngul thikën.

Në jetën e tyre të mbaruar,
Tek frymë marrin gjaksorët,
Me lot acari ulërijnë gurët,
Dhe u kujtojnë therorët…

E ZAKONSHME
I gdhiva netët me lodhje fjalësh,
Siç e ka gdhirë Verleni,
poet rrethuar prej skandalesh,
Tek unë s`do ta gjeni.

Do gjeni veten e pjesëtuar,
Në qindra dashuri,
Ku nuk ndrijnë gurët e çmuar,
Të asaj që quhet marrëzi.

Ndodh me të marrët njejtësojnë,
Poetët që shkruajnë vargje,
Kur arsyeja na pëlqen,
Jeta normale.

s`më pëlqen lavdia qorre,
brohorimat e pasinqerta.
Veç fjala që lodhet e del,
Si bima në vlagë të nxehta.

E kur shpërthen koren e tokës,
Syrin e vet nxjerr në diell,
Bëhet bukë për t`iu dhënë botës,
Bëhet ajër ,bëhet qiell…

BURIMI

Nga gji i kujt doli burimi,
Siç gji i femrës një psherëtimë.
Vë buzën mbi të e shuaj etjen,
Ky gji përkëdhelet në brendësi.

Ngrihem.Ai rrjedh dhe s`mbaron,
Për të tjerë e të tjerë rrjedh.
Shembëlltyrën që shkëndijon,
S`dihet ku e hedh.

Dhe unë kujtoj se i kam aty,
Vështrimet kur rashë përmbys,
Si një shirit i mori, pa zë,
Në djep të kohrave i çeli zogj…
PILO ZYBA

KROI I BALADËS SIME

– poetit KOCI PETRITI –

Pena ime
Sot direzhon koncertin e fundit.
Kolonat e baladave të tua
I vendosa nota
Nëpër telat e tendosur të dhimbjes,
Dhe i ktheva në tinguj mallëngjyes…
Vargjet janë të shumtë, poet.
Me kosheren tënde të mjaltëzimit,
Me krahë-fëshfërimat e dëshirave
I mblodhe pllajave të lulëzuara
Kopështijeve të artit popullor…
Pive ujë burimeve të tyre,
E pastaj në hojet e ngritura të kohës,
Vendose mjaltin dhe aromën e këngëzimit…

Kurrë nuk të mendoja të shtrirë,
Me duar të kryqëzuara,
Sepse kryqin ti e mbajte mbi shpinë,
Dhe rende marathonomak
Për në Jeruzalemin e tembull-poezisë.
Kurrë nuk të mendoja të heshtur,
Sepse brënda luginës së gojës,që hesht,
Unë dëgjoj shushurimën e lumënjve
Të kthyer në balada.
Ato mërmërijnë mirësinë e brezave,
Ninullat dhe valvitjen e flamurit,
Bëlbëzimin e parë të çdo fëmije
Me krahë-puthje fluturore…
Ti në atdhe,unë në Londër…
Mes nesh një lumë i gjerë,
I gjatë e i thellë malli…
Por mbi këtë lumë largësish,
Qëndron ngritur ura e Qabesë,
Ura e Bruklinit, Urë e Drashovicës,
Urat që lidhin Kontinentet,dashuritë,agimet…

Çfar ka dielli këtë mëngjes?
Pse është flokërrezelëshuar,
Fytyrë shprishur,pa krah?
Pse endet i çartur
Si Ofelia brigjeve të tragjedisë Shekspiriane?
Koha ka humbur orientimin,
Lindja drejtpeshimin e saj shekullor.

Poet!
Lëshojë edhe njëherë
Tufat e frymëzimeve të tua
Në qiellin e jetës time,jetës tonë,
Të më puthi nënokja Shqipëri
Me buzët e thara nga padrejtësitë shekullore.
Dua që,si atëhere,
Të rend pas krahërrahjeve të tyre
Në kaltërsinë e mendimit.
Më pas,me goditjet ritmike
Të daulles së kohës,
T’ja çaj verbërinë dhe daullen e veshit vdekjes.
Ta shurdhoj dhe qorroj
Mortjen plakë, që hap plagë
Në trupin e brishtë e të lulëzuar të ndjenjës,
Dhe bukurinë e vashë-lirikës poetike.

Nuk e di,por,kam dëshirë
Të tërheq një valle të madhe,
Të marr pas vetes gjithë dashuritë
E krijimeve të tua,
Që të veshura me kostume ngjyrash poetike,
Të mbushin me tinguj skenën e madhe qiellore.
Engjejt,të marrin në krahët e tyre të brishtë
Kaltërsinë dhe tingujt e harpës, vibrimet
E mendimit në fantazinë e krijimit të botës tënde.
Çfar ti them hapësirës?
Ti linde në një vënd të coptuar
Nga thika e padrejtësisë,
Përjetësisht pushtuar nga forca e me të madhit.
Por me forcën e shpirtit pushtove botën,
Dhe më shumë, hapësirat e pa prekura të saj…

Dëgjoj larg një violinë,
Harku i këtij fillim shekulli luan melodi të trishta.
Sovjani ku linde ka ftohtë,
Shkumbini u rrenqeth,
E zvogëloi rrjedhën nga dhimbja,
Si një nënë që shtërzon e mblidhet nga lindja.
Atje,mes malesh,
Në luginat e thella të Librazhdit,
Që ngjan me fole legjendash,
Dëgjoj rrahje flatrash në shpate,
Flatra që ngjiten lart.
Ngrihen mbi kreshta
Dhe hijëzojnë arat e mbjella më parë
Nga bujqit poetë të kohës.
Në cep të çdo are,
Në bregore të vogla dhe çuka,
Dëgjoj të qeshura manare,
Që lëshojnë një tufë thëllëza,çupa!

Kur u ndamë
Më premtove se do më prisje.
Më the:
“Koha
Ka nevojë për Hidrocentrale të tjerë drite,
Ka ardhur koha,
Që mbi pluhurin e shekujve poetikë,
Të shkruajmë dhe orkestrojmë këngën finale.
Plori i parmëndës duhet të kalitet,
Të punojë ugare,ara,më pas të vaditet,
Që nga thellesia e saj të mbijnë të tjerë fidanë.
Dhe fara e mbjellur në çdo anë,
Të pushtojë me harlisje në beteja,
Trupin e vashave të reja,
Që bien përsëri në skenë,
Dhe lindin për mëmëdhenë
Përsëri Teutën,Buzukun, Skëndërbenë,
Që në trupin e kombit presin,kurrë nuk flenë”!

Stadiumet e leximit kanë mbetur bosh,
Koha qorre vrapon pas bukës,
Ka harruar sakrificat e njeriut të pushkës.
Drita e diturisë është lënë pas dore,
Njerzit vrapojnë pas ushqimit e krimit.
Mulliri i mendimit punon bosh,
Njerzit
Ushqehen me miellin krunde të propogandës,
Më shumë ka vlerë thurja e rrjetës së merimangës.
Helikat e krahëve të mullirit punojnë bosh,
Mokra e tij dhimbjen e bluan dhe e hedh në shoshë.
Më pas,më pas silazhi i gatuar
Bëhet ushqim për dhimbjen e krijuar.
Qielli zhurmon nga mijra bindje dhe ide,
E vërteta qëndron lakuriq,dridhet,
Por asnjë bashkëkohës nuk e sheh.
Kohë të vështira,
Re të dëndura enden hapësirës,
Dhe me rropamë përmbytin vreshtat,
Rrëzojnë kokërrzat e qelibarta
Dhe mushtin që qëndron nën fletë.
Bota dridhet nën pëllëmbët e blerta që gjetheve,
Prej dhimbjes dhe padrejtësitë e etheve…

Ti hesht,poet!
Krishtërimi do ti thyej ligjet e tij të vendosura.
Në rrugën e fundit nuk do të ti kryqëzojë duart,
Mjafton koha kur dekadat dhe diktatorët,
Të kryqëzuan mendimet dhe fluturimet.
Dora e poetit është një sqep,
Që çukit vezën e artë të agimeve,
Për t’u sjellë në jetë brezave,
Lindjen e cicërimeve…

Ti i shtrirë në shtratin e përjetësisë,
Unë shtrirë në shilarsen e poemave të tua,
Koha dorë e butë nëne,më përkund.
Flladi ardhur nga furra e mendimit shekullor,
Situr nëpër erashkën e talentit tënd
Më përkëdhel në fytyrë e flokë,
Dhimbja e paska peshën e saj me okë…

Shilarsja jote
Një djep,
Që nga lashtësia mërr dhe jep,
Dashurinë thurur nga një lis,pishë apo plep…

Vargu dhe harkimi i shilarses ka gojë,
Ai mund të bjerë dhe çojë
Karvanin e këngëve deri në Trojë…

Të shikoja,
Gjithmonë i buzëqeshur,
Rrobaqepës, që gjithë jetën
Botës i ke veshur
Kostumin e artit,të prerë e qepur me shije,
Koshere me balada trimërie…

Një fustanellë me “Vallen Gorare”
Në sofrën e madhe të Skëndërbeut,
Që tundet nga heroizmat dalë prej dheut.
Me tupin e Gjergj Elez Alisë,
Kthyer me shtatë plagë në një lis,
Në degën e madhe, atje te maja,
Hedh valle dhe kërcen Sefë kosharja…
Ti,koleksionisti i Karl Gegës,Babjenit,
Që shpon një Semering,
Dhe pse një sy e ke pa jetë,
Brënda qiellit të vështrimit të tij,
Zogjtë dhe endërrat marrin retë,
Firmat e poemave vrasin një helmetë,
Kur kërcellin e brishtë të barit e vendosin në fletë…

Ti,
Që mërr Drinin,Shkumbinin dhe Valbonën,
Në vargje u kthen valët dhe jehonën…
I lëshon në katarakte flokëlëshuar,
Që e ardhmja me krehrat duar,
Nuse e veshur dhe duke nusuruar,
I bën prikë për ditët që priten të vinë,
Me krisma pushkësh që lindin fëminë…
I pagëzon me emrin e Eneas së lashtë,
Atje ku historia dhe gjuha bashkë,
Ngrejnë për botën kalatë e themelit,
Nga vjen kultura,ngjyrat dhe boja,
Për firmën dhe legjendën që krijojë Troja.
Omeri nuk ishte qorr,
Por vëllavrasja dhe pabesitë,
E bënë të shkruante tragjeditë,
Në fund,kur lexojë vargjet, i mbetën në fyt,
Dhe përjetësisht ju qorruan sytë…
Që nga ajo kohë,
Kurrë nuk pushojë uragani i pabesisë,
Që piu qumësht në të tradhëtisë sisë,
Dhe duke shtuar etjen,dhunoi tokën e Ilirisë.

Ti i shtrirë në shtrat
Në dhomën e vogël,
Dritaret sy mbyllura
Nuk duan të lënë të dali lajmi hidhërimit,
Eshtë e rëndë, e dhimbshme e vërteta e flijimit.
Por, a mund të qëndrojë një koshere e mbyllur?
Bletët e tua poetike gumëzhijnë,
Ato kërkojnë fluturime me flatra,
Në kërkim të polenit, udhëtimeve të gjata…
Dritaret kërcasin eshtrat,
Heshtjen e dhimbjen e vrasin,
Shpirti që endet nëpër dhomë,
Kërkon Jeruzalemin me jehonë…

Nuk mjaftojnë vizitorët
Që hyjnë dhe dalin në këmbë.
Koha ha dhimbjen e saj me dhëmbë,
Bluan vetveten,
E gjatë rruga deri në hënë…

***
Më the,poet,që do më prisje!
Vreshtat e tua do të vadisje,
Dhe do mbillje fidanë të tjerë.
Koha, brezat dhe unë,
Kanë nevojë për verë…
Për vlerë,për mëngjese – ylbere në eterë…
Koha dhe kombi ka nevojë për lisa,
Për krahë të fortë dhe fletë,
Shqiponjat nuk i ngrejnë foletë në driza,
Por lart,atje ku përshëndeten me retë.

Është e besushme,unë e dija,
Kur fillon dhe vjen stuhia,
Zogjtë mblidhen nën pemë të trembur,
Ndërsa vdekja duke u endur,
Pret degë dhe të brishtat fletë,
Pa pyetur për lulëzimin aromë-çapa-lehtë.
Unë e dija se, ikja jote do ishte e rrallë,
Pa pyetur për vitet dhe për radhë.
Kosa e korrtarit vdekje në livadh,
Ka dhe dhimbjen e diktatorit të madh…
Kur retë shtrydhin urrejtjen mbi male,
Lumenjtë fryhen me ujë dhe tubullohen,
Nuk kanë kohë që të mendohen,
Marrin dhe përmbytin me dhimbje ara,
Dhe prodhimet e mbjella dhe të mbara…
Ti kësaj kose nuk ju trmbe,i qëndrove përpara.
Por nuk kishte si të ndodhte ndryshe,
Dëshira për fluturim një dallëndyshe,
E bën të kërkojë me sytë përpjetë,
Të preki me sqep dhe me krahë retë.
Për ty që këndove me zërin e brishtë të Trishtit,
Erdhi dhe të mori vetë ringjallja e Krishtit…

Për të marrë poetin lart te retë,
Zbriti në artin e tij vetë,
Bashkë me dritën e agimit,
Në datën e ringjalljes së Krishtërimit…
Dhe mori me vete këtë vit,
Shënjtorin poet për rit…

Lumi i rrëmbyer i jetës
Do rrjedhi në mote e brigje,
Nëpër lugina e nëpër shtigje,
Me oshëtimë,shkumë dhe jehonë,
Do dirizhojë për jetë kohën tonë,
Që Ju, poet,me frymëzim dhe penë,
Në pemën e përjetësisë ia ngritët folenë.
Çdo vit në përvjetorin Pashkë,
Me Krishtin tim,tonin,të dy bashkë,
Do plugoni e dizifektoni në botën e egër pabesitë,
Dhe do mbillni artin e bukur të dashurisë,poezitë!

Dhe brezat në vite duke pritur,
Ndjenjën e mirësisë duke vaditur,
Do presin ardhjen tuaj me fytyrën lart.
Atje ku koha mbi supet e saj mbart
Vlerat e të shkruarit në hejbetë e kohës,
Dhe mes dimrave,erës ngricës dhe llohës,
I çon drejt pavdekësisë…
Atje ku poeti, si Rozafa la një sisë,
Që buzët e lexuesve që shkojnë e vinë,
Këngën dhe historinë të pinë…

Po unë,poet,çfar të mbjell për Ty?
Një pemë të vogël miqësie,që të dy
E mbollëm bashkë nëpër këto vite,
E ujita me dhimbjen e kësaj dite.
Që nga mbjellja e një vreshti, fruti,
Nga rritja dhe deri te Buti,
Te vera e ëmbël e gradës së lartë,
Që Buti im mbushur me art,
Mban të mbyllur shijen dhe vlerën,
Dhe tani,po ja hap rrubinetin dhe derën…

Aroma dhe arti i ngjizur,
Mes miqësisë-urë të pa zgjidhur,
Bashkimi i esencave me vetëdije,
Për një të rrallë dhe të bukur shije,
Lë të rrjedhë nëpër porta miqësie…

“Koha e dehur nga liritë”,
Lë të dhunojë botën si hordhitë,
Por do jetë e humbur pa dashuritë,
Dhe pa lulëzimin që dhuron kopshti me poezitë…

Udhë të mbarë,mik!
Babai dhe perandori i më të madhit çiflik,
Që në shekuj si e vjetra verë
Rritet në gradë,cilësi dhe vlerë.
Dhe kënga juaj në të Kombit sy,
Do mbetet një burim mes gjethesh,pa dry,
Pemët do direzhojnë me degë e me fletë,
Zogjtë me cicërima lart nga retë,
Me buzët e sqepat ngjyer me verë e vargje,
Do këndojnë nëpër çati e nëpër pragje,
Cicërimën e rrallë gatuar në tënden magje…

Me valvitjen dhe lahurinë e një reje
Që atdheu e bie sot drejt teje,
Që pikat rubinë të tëndes poezisë,
Mbi pëllëmbë gjethet shekullore të njerëzisë,
Të bëjnë vaditjen e frut-dashuri-miqësisë,
Atje,te Rozafa juaj,të ulen dhe të pinë sisë !

Londër…25/4/2014

A JE BURRË I FORTË?!
Nga Ramiz LUSHAJ

Gurët e rrenave
Bluajnë krunde pa miell
Me ylber fjalësh:
-Mirë! Mirë! Mirë…!

Fjala e mekën shpirtin
Ecën tue rrgall’ e bjerrë.
Si parada me maska:
-Okej! Okej! Okej…!

Njerëzit po i ngajnë robotit
Me “program” kaq të lirë…
Dy fjalë i flet dhe papagalli:
-“Okej, Okej” – “Mirë, Mirë”…

Po klluqen në muze
Fjalët palcë e kockë:
-Tungjatjeta, vlla,
A je burrë i fortë?!

HIMNI I LIBRIT në “Kanunin poetik”

Nga Rrustem Geci – Dortmund/
Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
t´i që vjen nga gjiri tragjik i jetës
je shpërthim i shpirtit të munduar
je lavdi e popullit më të përgjakur

O t´i që e kupton ç´është një libër
jepju gjak rrezeve që bëjnë dritë
kjo poezi është gjak i jetës suaj
ky libër është krijim i jetës sime

Kosovë, unë e ti jemi një prush dielli
që nga pellazgët e lashtë dhe iliria
shesh i takimit të shpatave të egra
dhe arenë e gjakut të perandorive

Jam fletë e çdo dite muaji dhe viti
jam libri i popullit tim të pagjumë
gatuar jam betejave të secilit varg
jam shpirt jujaj vullkanor i poezisë

Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
Arti i çlirimit nuk njeh kufij
Në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..

Shoh një zonjë me sytë blu
Nga Përparim Hysi
Shoh një zonjë me sytë blu
Ububu! Ububu!
Unë u plaka, po kështu
Nuk kam parë të tillë:syblu!

Do jetë larë,- them,- në det
Se të sheh dhe bie tërmet!
Kur t’i ngul, që, thua, babaçe
Iku burri… kot bën llafe.

E që thoni: -Lele! Ngriva!
Sa mbi të unë sytë i shtira
Unë i shtira, po m’i shtiri
Tash e humba: shkoi fiqiri!

“Luajta” unë, po s’luan ajo
As i heq,,, more, çfarë do?
Për të folur, as që flet
Por me sytë më ndjellë, vërtet!

E, ç’më bëre syriblu!
Ta humbas burri kështu
Katandisa si vulëhumbur
Syriblu më ka “tundur”…

22 prill 2014

Sot

Më takoi mikja në udhë
Dhe u futëm në një klub
Pi e pi… godat me fund
Sa u deha, u bësh thumb.

Pastaj nga klubi dola
Pas mikes rrugën mora
Ngjita shkallët pas asaj
Ku mbaj mend ç’ndodhi pastaj?!

Se më humbi, o miq, filli
Në telashe më fut prilli
Mos nga prilli, nga rakia
Seç lajthiti pleqëria.

Fundprilli

“… sillet moti për së mbari”
Thuhet në një këngë shkdrane
Në këtë priill, unë, i moshuari
Rashë në “çarg” nga një nishane.

Kjo, nishania, symëshqerrë
Seç m’i nguli shtizë sytë
Sado unë kam erz e nder,
Po m’u mbytën, miq, gjemitë.

Dhe e hunba unë pusullën
Si Xhaferri,- thonë,- simiten
Lëshoj firmën ,edhe “vulën”
Dhe e bëj veç për miken.

Se me sy më goditi
Porse mëndjen mua më prishi
Pse, kështu, o moj nishane
Më ngre mua në alarme?!…

21- 29 prill 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: i dhe Perparim Hysi, Qazim Shehu, Ramiz Lushaj, Rrustem Gec, Sofra Poetike

AULONA INTER FOLK 2014

May 3, 2014 by dgreca

Festivali Folklorik AULONA I NTER FOLK 2014 është një festival i orientuar për muzikën folk /

Nga Gëzim Llojdia/
1.
Festivali Folklorik AULONA I NTER FOLK 2014 është një festival i orientuar për muzikën folk i cili filloi me Festivalin e Parë nga data 9-11 Maj 2009,kurse Edicioni i 6-të i “Aulona International Folk Festival” do të zhvillohet në qytetin e Vlorës nga datat 10-12 Maj 2014. Organizator i Festivalit është Qendra Kulturore “Aulona“, Vlorë. Festivali paraqet shfaqje nga folk, të realizuar nga grupet dhe muzikantë popullore.Në 5 vitet e krijimit të tij ai ka paraqitur interpretues nga zhanret bashkëkohore të lidhura, të tilla si folku i vendeve nga vijnë grupet pjesmarrëse.
2.
Festivali mbahet kryq e tërthor qytetit duke sjellë muzikë popullore dhe jetën popullore për shumë njerëz.Festivali filloi si një përpjekje e parë në ditët kur në qytetin e jugut startonte sezoni i turizmit.Cfarë karakteri ka ky spektal i madh popullor, që gjallon qytetin jugor më ta madh në jug te vendit.Sejmen Gjokoli shprehet:Festivali ka karakter burimor e spektakolar dhe është pjesë e Turizmit Kulturor të qytetit bregdetar. Data e hapjes së Festivalit do të jetë 10 Maj 2014. Kjo është edhe dita e çeljes së Sezonit Turistik të Vlorës për vitin 2014.Parashikohen të marrin pjesë rreth 10 Ansamble nga shtete të ndryshme të Europës e Botës si dhe grupe të ftuara nga Vlora e qytete të ndryshme të vendit. Festivali është pjesë e Kalendarit të CIOOF-it dhe mbështetet në parimet e tij.Festivali zhvillohet në skenë të hapur ku, nata e fundit do të jetë Koncert I Madh me numura të zgjedhura.Për të gjitha Grupet pjesëmarrëse ndahet Emblema e Festivalit ndërsa për Grupin më të mirë jepet Kupa e Festivali
3.
Një historik të këtij evenimeti kulturor është i vetmi ndër festivalet folk i cili mbahet në Shqipëri dhe që kapjesmarrje nga grupet folku të botës.
Festivali “Aulona International Folk Festival“ zhvillohet në qytetin bregdetar të Vlorës,Shqipëri. Ky Festival organizohet nga Qendra Kulturore “AULONA“ (më parë me emrin “Bilbilat e Jugut“) e cila është subjekt juridik privat që vepron në bazë të Legjislacionit shqiptar në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Aktiviteti synon të mbetet tradicional dhe shoqëron çeljen e Sezonit Turistik të qytetit të Vlorës në çdo muaj Maj. Festivali mbahet mbi bazën e donacioneve të ndryshme në partneritet me Bashkinë e qytetit, Dhomën e Tregëtisë dhe institucione apo subjekte të tjera të interesuara, vendase apo të huaja. AIFF është një festival i drejtpërdrejtë folklorik, mbështetet në parimet e C IOFF-it dhe drejtohet nga një Komitet Organizator (Staf) i përbërë nga personalitete dhe njerëz të artit e kulturës. Festivali i Parë është mbajtur nga data 9-11 Maj 2009.
4.
Grupet pjesmarrëse këtë herë mbrijnë nga qytete të ndryshme të botës pa haruar traditën e grupeveve folku të Kososvës,Maqedonisë dhe Arbëresheve të Italisë.
ANSAMBLI FOLKLORIK “ BILBILI” – Vlorë, SHQIPËRI
Ansambli Folklorik “ Bilbili” është krijuar në vitin 1994 , në qytetin e Vlorës dhe është në juridiksin të Qendrës Kulturore “ Aulona “, Vlorë.
Në përbërje të Ansamblit është grupi i Iso-polifonisë dhe ay i valleve tradicionale.
Ka një jetë mjaft të pasur artistike dhe pjesëmarrje në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.
Është pjesëmarrës i Folkloriadës së Parë Botërore , Hollandë, 1996 por edhe në mjaft Festivale Nderkombëtare Folku si Moldavi, Lituani, Itali, Turqi, Maqedoni, Kosovë, Poloni, Kroaci etj.
Drejtor Sejmen Gjokoli
Ansambli “Kemajl Aziz” –Viti, KOSOVË
Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Aziz” -Viti është trashëgimtar i shoqërisë kulturore artistike “Lajmëtari”nga Vitia, e cila vepronte në periudhen e para luftës së vitit 1998-1999.
Me emrin e ri ka vepruar pas vitit 2003 duke mbajtur emrin e dëshmorit të luftës Kemajl Aziz.
Kjo shoqëri me aktivitetet e veta arriti që të rrisë anëtarësinë dhe të gjallërojë jetën kulturore në bashkinë e Vitisë. Në këtë periudhe 10 vjeçare ky ansambël ka ndërtuar një karrierë, duke u nominuar me shume çmime të rëndësishme.5 çmimet të para në festivale kombëtare-ndërkombëtare;7 çmime të dyta;7 çmime të treta;
Ka marrë pjesë në 11 festivale ndërkombëtare si në Bullgari, Turqi, Shqipëri, Maqedoni etj;Ka pasur një mori pjesëmarrjesh në festivalet kombëtare në Shqipëri, Kosovë, Preshevë, në Mal të Zi etj Drejtor: Arianit Hetemi
Ansambli “ Bizovac”, Bizovac, KROACI
Ansambli “ Bizovac” është nga qyteti i me të njejtin emër nga Kroacia.Themeluar në vitin 1968.Ky grup është i shquar për shkak të kostumeve të pjesëtarëve të tij. Kostumet nga Bizovaci janë shumë të veçantë në Kroaci dhe shquhen për autenticitetin e tyre.
Grupi i kërcimtarëve dhe këngëtarëve drejtohen nga “orkestra – tamburitza”.
Tambura është një instrument me tela që u prezantua gjatë dominimit turk në Ballkan. AI është instrument kombëtar në Kroaci.
Ka marrë pjesë në shumë festivale si Maqedoni, Poloni, Hungari, Turqi, Hollandë, Bullgari, Itali, Francë, Gjermani etj.
President : Srecko Vukovic
Ansambli “ Jahi Hasani “, Gostivar, MAQEDONI
Shoqëria Kulturore Artistike “Jahi Hasani” Cegran – Gostivar është themeluar në vitin 1974.Karakteristikë për këtë grup folklorik janë vallet dhe këngët tradicionale, instrumentat e vjtër muzikor dhe kostumet tradicional nga rajonet e Pollogut.
Kjo shoqëri artistike kulturore , përveç aktiviteteve brenda vendit, është prezantuar me sukses të madh në disa festivale ndërkombëtare si Bosnjë dhe Hercegovinë, Turqi, Zvicër, Poloni, Shqipëri etj.
Është fituese e disa çmimeve kombëtare dhe nderkombëtare.
President i grupit është Zani Mehmedi
Il Gruppo Folkloristico “CITTA’ di PALAGIANELLO”, Taranto, ITALI
Grupi folklorik “Qyteti i PALAGIANELLO” u krijua me qëllim rivlerësimin, veçanërisht ruajtjen në kohë të trashëgimisë së madhe historike e kulturore të të gjithë Italisë jugore dhe të provincës së Tarantos. Grupi Folk “Qyteti i PALAGIANELLO” eshte themeluar në vitin 1982 . Në vitin 2009 grupi ishte i ftuar në Festivalin e 60-të Botëror të Kërcimit në Dizhon –Francë, duke marrë çmimin e madh. Grupi me udhëheqësit dhe artistët e tij prezanton në një shkollë të mesme leksione mbi traditat, muzikën, folklorin, këngët tradicionale dhe vallet . Është grup me pjesmarrje të jashtë zakonshme festivalesh brenda dhe jashtë Italisë si Greqi, bullgari, Qipro, Francë,Rumani,Serbi, Austri etj.
PRESIDENTI : Vittorio Coriglione
Ansambli “ Silesiane”, Katovicë, POLONI
Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Silesianie” në Universitetin e Katovicës, Poloni eshte themeluar në vitin 1977.Ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe nderkombëtare . Anëtarët e ansamblit nuk do ta harrojnë një koncert në Vatikan gjatë audiencës private me Atin e Shenjtë Gjon Pali II, sikurse në Korenë e Jugut gjatë Kupës së Botës të FIFA-s, apo në Kinë në Ekspozitën Botërore në Shangai.
Ka marrë pjesë gjithashtu në festivale folklorike në Portugali, Francë, Bullgari, Turqi, Brazil, Hungari, Siri, Qipro, Gjermani, Lituani, Kore, Danimarkë, Serbi, Rusi, Jordani, Izrael, Kinë , Bosnjë dhe Hercegovinë etj.
Ansambli “Uchetilite”, Sofie, BULLGARI
“Mësuesit” është krijuar në 1960 në Sofie nga Z. Boris Valkov. Përgjatë gjithë këtyre viteve ansambli ka patur një numër koncertesh, jo vetëm në Bullgari, por edhe nëpër botë. Është fitues i medaljeve të arta në të gjitha festivalet republikane (kombëtare). Gjithashtu është fitues në disa festivale ndërkombëtare –“Sëpata e artë” në Belgjikë, “Sëpata e argjendtë” në Poloni,“Gjerdani i artë” në Francë,etj.
Ansambli ka vizituar venda nga Evropa, Azia, Australia dhe SHBA. Tani drejtor është z.Dimiter Manov, një Artist i Nderuar dhe fitues i “Oskarit Botëror për Folklorin 2012”.
Ansambli “ Epirus “, Selanik, GREQI
Ansambli ” Epirus ” me qendër në Selanuk është themeluar në vitin 1983 kryesisht me inisiativë të studentëve.
Qëllimi i krijimit ka qenë dhe mbetet mësimi dhe përhapja e Valleve tradicionale greke , kryesisht nga Epiri por edhe pjesë të tjera të Greqisë.
Përveç mësimit të valleve anëtarët e grupit shtojnë njohuritë kulturore tradicionale si dhe vetëdijen kombëtare. Ansambli ka një veprimtari të gjetë kombëtare dhe ndërkombëtare. Është pjesëmarrës në disa festival nderkombëtare si Turqi, Bullgari, Croaci, SHBA etj
President : Stefanos Fasias

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Inter Folk, Vlore

HASAN PRISHTINA NDEROHET ME FLAMURIN KOMBETAR

May 2, 2014 by dgreca

Presidenti Nishani vlerëson atdhetarin e shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”
Tirane 2 Maj- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot atdhetarin e shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. Kreu i Shtetit shqiptar i dorëzoi Nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, zotit Dardan Sejdiu dekoratën e lartë me motivacionin: “Përjetësisht, një nga simbolet më të ndritura të historisë politike të kombit shqiptar: rilindas, patriot, politikan elitar me cilësi të larta organizuese dhe frymëzuese. Ky bir i shquar i Kosovës, së bashku me Ismail Qemalin u bënë dy kontribuesit më të shquar të të gjitha trojeve etnike të popullit shqiptar, të cilët me veprimtarinë e tyre politike dhe diplomatike bënë të mundur Shpalljen e Pavarësisë sonë Kombëtare më 28 Nëntor 1912”.
Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti Nishani u shpreh: “Jemi mbledhur sot në një ceremoni, ndoshta nga më prekëset në karrierën time, për të nderuar me dekoratën më të lartë që jep Republika e Shqipërisë, një prej bijve më të lavdishëm të kombit shqiptar, Hasan Prishtinën. Një nderim ndoshta i vonuar, për një nga kalorësit më të mëdhenj të historisë politike dhe kombëtare të Shqipërisë të së paku dy shekujve të fundit të saj.
Hasan Prishtina lindi në Kosovë, por nuk i përket vetëm botës së saj. Vepra më e mrekullueshme që ai kreu, përgatitja së bashku me Ismail Qemalin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe kryengritja madhështore që parapriu Pavarësinë, ka më se një shekull që u përket të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë. Emri i tij është kthyer në një simbol kombëtar të dashurisë për liri. Ndaj, është në nderin dhe krenarinë time si President i Republikës së Shqipërisë që ta ngre në piedestalin më të lartë të nderimit shtetëror, duke i dhënë pas vdekjes dekoratën më të lartë të shtetit, ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’.
Duke medituar mbi vendin që ai zë në historinë e Shqipërisë, natyrshëm të vijnë në mendje dy vargje që i janë kushtuar nderimit të një shkrimtari të madh francez me famë botërore (Molierit): ‘Lavdia e tij s’ka nevojë për asgjë / E jona ka nevojë për të’. Po megjithatë, kjo nuk mjafton për njeriun që na ka mbledhur këtu. Hasan Prishtina për arsye ideologjike shtetërore u tentua të lihej në harresë, u denigrua duke u lënë në heshtje dhe aq më keq, ndonjëherë dhe u luftua. Ndaj dhe vlerësimi i sotëm bën pjesë në atë nderim të vonuar që Shqipëria po vazhdon t’i bëjë birit të vet, i cili së bashku me Ismail Qemalin, ishin arkitektët e Pavarësisë së Shqipërisë, që u projektua që në mbledhjen e Taksimit në Stamboll e që fill më pas, vazhdoi me kryengritjen më të madhe anti-osmane në gusht të vitit 1912, duke mediatizuar kështu për herë të parë çështjen shqiptare kudo në Evropë.
Pak kush e di se në Shqipëri Hasan Prishtina ka qenë edhe ministër në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, por gjithashtu ka bërë pjesë edhe në atë të Princ Vidit. Shumë pak veta janë në dijeni edhe sot, se ai ka qenë për pak ditë Kryeministër i shtetit të cunguar shqiptar, e se ka qenë edhe deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Në piedestalin ku po e vëmë sot, po e risjellim në panteonin prej nga e përzunë.
Personaliteti kombëtar për të cilën jemi mbledhur sot pati një jetë tragjike. Dita për të cilën ai sakrifikoi deri edhe pasurinë kolosale, e gjeti të burgosur politik në burgjet e Serbisë. Edhe jeta e tij e mëpasme është kalvar i një legjende të botës shqiptare. Prej 28 nëntorit 1912 dhe deri sa e vranë më 14 gusht 1933, e gjithë karriera e tij është e përshkuar nga një simfoni heroizmi që iu përkushtua dy dashurive të pandara: Shqipërisë dhe Kosovës. Në rendin ndërkombëtar me aq shumë ndryshime të viteve 1912-1933 ai u turr përpara për të gjetur qoftë edhe një xixëllonjë të vetme shprese në fundin e tunelit të gjatë të mbushur me errësirë, që përhapnin vendimet e disa konferencave ndërkombëtare të cilat merreshin në dëm të kombit shqiptar.
Por gjithsesi dashuritë e mëdha nuk vdesin kurrë në kujtesën njerëzore. Një ditë të bukur ato ripërtërihen e shfaqen edhe më të bukura në ndërgjegjen njerëzore. Në fundin e shekullit që shkoi e gjithë bota u bë dëshmitare mediatike e rishfaqjes së një miti në drejtësinë e Çlirimit të Kosovës. Së bashku me luftëtarët e UÇK-së dhe forcat shumëkombëshe të NATO-s, më 12 Qershor 1999, ditën kur ato hynë në mënyrë triumfuese në Prishtinë, unë besoj për një çast, me pasionin e një besimtari, se ka parakaluar dhe një shpirt. Ka qenë shpirti i Hasan Prishtinës, engjëllit të lirisë së Kosovës, i cili atë ditë pranvere fluturonte si ai poleni me të cilin po ngjyrosej pranvera e vetë kombit shqiptar.
Në këto 15 vite të çlirimit të Kosovës ne kemi përjetuar shumë ngjarje të mëdha. Republika e Kosovës është shteti më i ri i kontinentit evropian, të cilit i përkasim të gjithë ne, shqiptarët. Bashkë me stabilizimin juridik, ekonomik dhe human të nënshtetasve të saj, dalëngadalë banorët e këtij vendi në rimëkëmbje e sipër filluan të nderojnë e të kthehen tek etërit e tyre themelues me dashuri dhe respekt, duke i nderuar së bashku me ata që ranë në luftën e fundit për çlirimin e saj. Vullnetarizmi kulturor i një qytetari biznesmen si Mehmet Prishtina nga fshati Polanc i Drenicës, që po jep një kontribut shembullor me ndihmën dhe iniciativat e tij personale për lartësimin e figurës së Hasan Prishtinës kudo është një rast që duhet të merret si shembull dhe të kuptohet se çfarë dashurie kanë për rrënjët e tyre qytetarët kosovarë.
Kjo mbrëmje besoj se do jetë e veçantë për të gjithë ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, sepse po kontribuojmë për t’i rikthyer respektin dhe mirënjohjen e merituar Hasan Prishtinës. Por është një përkim jo i rastit, që sot nderimi me dekoratën më të lartë për të shkon paralelisht me proceset e integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Europian. Në ëndrrat më të largëta për të ardhmen e shqiptarëve, patrioti Hasan Prishtina do të kish aspiruar një jetë të ngjashme me evropianët e tjerë. Vetë ai ishte personifikimi i intelektualit evropian që udhëhiqej nga iluminizmi.
Hasan Prishtina tashmë fle i qetë në parajsën e ëndërruar, sepse Shqipëria dhe Kosova janë më të lira se kurrë ndonjëherë dhe bashkë me to edhe ai. Nderim!”
Të pranishmit e shumtë nga të gjitha trevat shqiptare të rajonit u përshëndetën edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i cili mes të tjerash theksoi: “Hasan Prishtina ishte biri besnik i Kosovës kryengritëse ndër shekuj, por ai nuk i përket vetëm Vushtrrisë që e rriti, Prishtinës që e përfaqësonte dhe Kosovës martire, por gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, sepse veprimtaria e tij reflekton interesat e përgjithshme kombëtare dhe jo lokale e parciale. Dekorimi i Hasan Prishtinës nga Presidenti Nishani përbën një akt vlerësimi, mirënjohjeje dhe respekti të thellë për këtë burrë të madh të kombit dhe figurë të shquar historike e simbol të vlerave të larta kombëtare”.

Filed Under: Histori Tagged With: HASAN PRISHTINA NDEROHET ME FLAMURIN KOMBETAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT