• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2014

Shkrimtarët dhe poetët në nderim të shkrimtarit Ali Abdihoxha

September 17, 2014 by dgreca

Në datën 15 shtator 2014 u nda nga jeta personaliteti I artit dhe I kulturës kombëtare, shkrimtari I mirënjohur, Ali Abdihoxha.
Ai kalindur në Elbasan në vitin 1929. Qysh në orët e para u reshtua në rradhët e luftëtarëve të lirisë, të ushtrisë-antifashiste nacional-çlirimtare për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë. Pas çlirimit të vëndit vijon studimet e larta në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”në Moskë.
Gjatë jetës së tij u ngarkua me detyra të rëndësishme në zhvillimin e kulturës dhe arsimit kombëtar duke kryer detyrën e zv/ Ministrit të arsimit. Për një periudhë kohore ai kreu edhe detyrën e Drejtorit të Shtëpisë Botuese NaimFrashëri. Lexuesit e shumë brezave në vendin tonë e njohin atë nëpërmjet mjaft tregimeve me përmbajtje jetësore, në të cilat spikat fryma patriotike eatdhetare. Falë talentit dhe punës së tijvetmohuese, Ali Abdihoxha do të bëhej një ndër prozatorët më të njohur të letërsisë së kohës, në veprat të të cilit u ngrihet permendore djemve dhe vajzave të popullit që luftuan dhemb për dhemb me okupatorët nazi-fashuistë për çlirimin e atdheut gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Disa prej romaneve të tij janë botuar edhe në gjuhë të huaj.Ali Abdihoxha ka botuar veprat:
-Një vjeshtë me stuhi; roman -1959 ribotuar disa herë,
-Ëndradhedritë; tregime -1963 botuar disa herë,
-Tri ngjyratë kohës; roman – 1970
-Problemetë zhvillimittë letërsisë sonë -1970 ,studime dhe mendime kritike
-Dueliimadh : roman 1975, botuar disa herë,
-Sfida-1987
-Mirazh-1978
-Vila në periferi , roman -1982
-Vepraletrare nëdisavëllime -1983
-Kronika e një nate , roman – 1984
-Kronika e njënate -1984
-Sarajet – 1997
Vitet e fundit, shkrimtari Ali Abdihoxha u tërhoq nga jeta letrare, duke refuzuar madje edhe kërkesat e shumta për intervista mbikulturën dhe letërsinë.
Vepra letrare e Ali Abdihoxhës e kaskalitur emrin e tij ne panteonin e pavdekshëm të kulturës kombëtare.

Pandeli Koçi, Vasil Premçi, KolecTraboini, NikollaSpathara, PetraqRisto, Roland Gjoza, Albert Zholi, Faslli Haliti, Ibrahim Kadriu, IlindenSpasse, FatmirTerziu, XhahidBushati, Natasha Lushaj, AstritBishqemi, BasirBushkashi, NazmiSeiti,IljazBobaj, Hyjni Ceka, RizaBraholli,I rena Dono, Behar Gjoka.

Filed Under: Kulture Tagged With: -Ali Abdihoxha, në nderim të një shkrimtari të mirënjohur, Shkrimtarët dhe poetët

PAS 50 VITESH, ME PEDAGOGJIKASIT E SHKODRËS

September 17, 2014 by dgreca

Nga FRROK VUKAJ/
Pedagog, studiues – Tiranë/
Se si po më duket…vallëkaq shpejt kalojnë vitet e dekadat?!
Vocërrakë ishim atëherë, 13-14 vjeç e ndonjëri edhe 15, se shkolla 7-vjecare qe hapur me vonesë në fshatin e tyre. Më se 50 vite më parë, në shtatorin e vitit 1963, u mblodhëm një e nga një nga të katër anët e Shqipërisë, shumica nga Veriu i saj. Ashtu të ndrojtur e të padalë nga fshati, me rroba sa për të thënë, me triko leshi, xhaketa doku e pantallona shajaku, ndonjëri pse jo edhe me opinga llastiku e çorape leshi, u mblodhëm në qytetin verior, në djepin e kulturës, me histori 2500 vjeçare, në qytetin historik të Shkodrës.
Befasitë ishin të bukura e mbresëlënëse, por ana tjetër e medaljes na kujton edhe sot pamje tronditëse: varfëri e tejskajshme, kushte jo të mira jetese, komunikim i rrallë me familjet tona të largëta nëpërmes fletëthirrjeve telefonike 2-3 minutëshe në Postë-Telegrafën e vetme të qytetit, motii ftohtë e i lagësht, dimrat e ashpër, komunikacioni problematik pas të cilit shumica do të udhëtonin në këmbë 2-3 e deri në 8 orë neper rrugë të thepisura, dhomat e mëdha e të ftohta të konviktit me krevate marinari, autoklava primitive që na lante rrobat e pas jave thasët që zbrazeshin në shesh, rreshti i gjatë i konviktorëve me ndërresat e pakta në duarpër t’u larë në banjat publike të qytetit e pamje të tjera që edhe sot më ngjethin mishtë.
Megjithëkëtë nuk u tronditëm, as u thyem. Në zemrat tona kishim zjarr e në sytë tanë dritë e jetë që rrëzëllente. Vitet kaluan e ja ku u mblodhëm me 8 Shtator 2014, pas 50 vitesh, ashtu si dikur. Megjithëse flokëthinjur e paksa të kërrusur, e shpupuritëm hirin e para një gjysmë shekulli e në shpuzën e nxehtë pak e nga pak zbuluam edhe ca thëngjij të pashuar.
Po nga u mblodhëm e nga erdhëm në këtë ditë shtatori?
Takimi i parë u bë në Tiranë para disa vitesh, por sot si një magnet, na tërhoqi Shkodra ku kaluam pjesën më të bukur të rinisë e na dha rrugën e mbarë. Kështu ndodhi edhe 2-3 herë të tjera, por sot malli na ka marrë më shumë se herët e tjera. Shkojmë aty ku kaluam 4 vitet e shkollës së mesme e sytë tanë përloten si të ishim fëmijë. Ish Shkolla Pedagogjike nuk është më. Në themelet e saj e në hapësirat rreth e rrotull, është ngritur një park i bukur e në mes tij shatërvani ujëplotë. Na lehtëson kjo pamje se aty ku prodhohet dije për shekuj lind e rilind jeta. Lulishtet e bukura, drurë e pemë gjithfarësh, kalldrëme e zbukurime, pishat e selvitë e gjata.
Pedonalja që zgjatet deri tek Truma, si një ansambël i bukur. Rektorati i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, godina karakteristike e Bashkisë më se 100 vjeçare, Xhamia me 2 minare e rindërtuar në themelet e hershme pasi u shemb nga regjimi i kohës, Biblioteka “Marin Barleti”me fondin shumë të pasur e të rrallë, por me salla të vogla për kërkesat shumë të mëdha që kanë lexuesit e shumtë. Pjaca e rikonstruktuar nga mjeshtrit më në zë e duarartë që kanë ruajtur trashëgiminë shqiptare, por edhe ndikimin e hershëm Venecian, na lehtësojnë atë dhembje për shkollën tonë të hapur qysh me 1917.
Na nxjerr mallin simotra e saj përballë, Gjimnazi 29 a 28 Nëntori, edhe ky i hapur më 1922 (ama ç’na gjeti edhe me këto data?!).
Kanë ardhur nga Kukësi e Tropoja, Durrësi e Elbasani, Tirana e Kurbini, Lezha e Puka. Nuk i lodhi as rruga, as vitet. Të gjithë pensionistë, por secili me një jetë aktive a në ndonjë punë private. Vetëm Pali nga vendlindja e Gjergj Fishtës na rri pak si me mendje të madhe…vazhdon punën shtetërore.”Jam më i ri se ju, o pensionistë..”
-Mburru edhe 2 muaj o Pal e hajde edhe ti tek ne… e plas e qeshura e gallata.
Ndonjërin nuk e kemi parë qysh atëherë, në mbrëmjen e maturës. Ka ardhur Blerta nga Elbasani, ish/zëvendës drejtoresha e shkollës; kosovari nga Shën Vlashi, Bajram Gashi, për shumë vite drejtor i shkollës së mesme të Bashkuar, edhe unë homologu i tij nga thellësitë e Alpeve; SadriPonari, ish mësues për shumë vite e drejtor në një gjimnaz të Tiranës; kompozitori e muzikanti, udhëheqësi artistik i të njohurit ansambël Mirëdita; Gjergj Kola nga Mërturi i Pukës, për disa kohë pas viteve ’90 nëpunës në Ministrinë e Brendshme.
Nuk mund të harroj dhe nuk mund të lë pa përmendur shokun tim të bankës, ZeqirLushaj, pasardhësi i një shtëpie me emër që ka punuar përveç mësuesisë, dikur me Rininë e Frontin në Tiranë e më vonë emigron në Amerikë. Nuk do të ndodhte ndryshe, ai masoviku dhe patriotii kulluar që gjithë jetën ndërtoi ura bashkëpunimi e komunikimi, patjetër se një ditë do të kthehej përgjithmonë në vendlindjen e tij.
Hyra në këtë pyll të dendur mendimesh me një “sëpatë” të vogël në dorë që nuk di ta përdor edhe aq mirë (stilolapsi). Po a mund t’i përmend dhe t’u vlerësoj të gjithëve meritat dhe kontributet e shumta? Kjo është e pamundur.
Por është e pamundur të mos përmendësh shoqet dhe shokët tanë të nderuar, Lejlanë, Biseren, Sanijen, Havanë, Klementinën, tre Dritat, njëra prej të cilave aktore e nderuar (Drita Nikolla), Lukën, rekordmenen e sportit, Qemalin, Lekën, Halilin, Hanin, Eduartin, Skënderin, Hysenin, Shaqirin nga Tropoja që shijon pa da bukuritë e Shkëlzenit e të Valbonës…
Kanë qenë e janë të mrekullueshëm, të thjeshtë e modestë. Prandaj edhe nuk po i përmend të gjithë.
Takimi në Velipojë ishte i bukur e shumë mbresëlënës. Pas përshëndetjeve të para, kafenë e pimë në plazhin e bukur të shoqëruar nga bashkëshorti i Sanijes, Eljaz Salja, dhe ky pedagogjikas, një brez para nesh. Befasitë nuk na ndahen. Bukuritë e pamjet rreth e rrotull janë mbresëlënëse e nuk mund të përshkruhen. Do të veçojmë atë që ka ndodhur kohët e fundit: Velipoja një perlë e natyrës që është zbukuruar shumë edhe nga dora e njeriut. Ndoshta me pak dhimbje, por për një çështje të madhe… hapësira të mëdha të sistemuara e të gjelbëruara, këndi i lojërave, ndërtimet moderne e tradicionale, rrugë të gjera të mirëmbajtura, lokale shërbimi e mbi të gjitha Pedonalja interesante mbi 8 metër e gjerë që përshkon bregun e detit e ndan Plazhin me Qytetin e sa e sa gjera të tjera.
E dini si po më ngjet ajo pedonalja e gjatë? Si shiriti i kryetarit të komunës Pashk Ujka. Ka kryetar që mbajnë këtë post me dekada, pa ndërtuar asnjë vepër, duke vjedhur e shpërdoruar vit pas viti. Unë vetëm emrin ia di e asnjëherë nuk jam takuar me të, por Pashku meriton përgëzimet dhe fjalët më të mira për këto që ka bërë.
Plasin debatet e batutat, kujtimet e nostalgjitë. Flasin e flasin radhë e pa radhë, me etikë e “pa etikë”, por 50 vitet tona flasin shumë e janë një kontribut i madh në fushën e arsimit. Me respekt përmendim e vlerësojmë edhe pedagogët tanë të nderuar, shumë prej tëcilëve nuk jetojnë.
Ngjante Pedagogjikja si një akademi me ato personalitete që dhanë shumë për arsimin shqiptar, disa prej të cilëve vazhduan karrierën e tyre në universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Bisedat nuk mbyllen e plas “sherri” me bijën e Elbasanit, kur fillojë të flasë për Normalen e këtij qyteti. Ashtu siç gjuhen penalltitë, ashtu shtohen edhe argumentet njëri pas tjetrit për moshën e këtyre shkollave me emër, për personalitetet, për vitet kur u hapën. Palët sjellin argumente e kundër-argumente. Blerta përmend vitin 1909, por edhe Shkodranët përmendin disi të lëkundur vitin e hapjes së pedagogjikes “Shejnaze Uka”. Mësuesja nga Elbasani përmend personalitet që shërbyen në atë shkollë, Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Pecin, Sali Çekën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Simon Shuteriqin, etj. Nuk mbeten më pas ata që përmendin personalitetet e pedagogjikes në Shkodër, si Gasper Beltoja, Vehbi Bala,Jup Kastrati, Nuri Abdiu, Shefik e Tomor Osmani, Musa Kraja, Fadil Podgorica, Safet Hoxha, Ded Shala etj. që nuk kanë të sosur.
Si pa dashje sytë i drejtojnë tek unë për të saktësuar vitet kur u hapën këto shkolla. Në përfundim përcaktimet janë të sakta: pas Normales së Bukureshtit që u hap me 1892 ku mësuan edhe 15 djemë shqiptarë, Normalja e Elbasanit është e para shkollë brenda vendit që përgatiti mësues (1909), ndërsa ajo e Shkodrës u hap më 1917 për të përballuar urinë e madhe që kishte Veriu për mësues.
Flasim me pasion e bisedat janë gjithëpërfshirëse. Flasim edhe për letërsinë dhe artin. Dikush përmend edhe shkrimtarët e klasës që kanë botuar dhe vazhdojnë të botojnë vepra të arrira artistike e studime shkencore: Kolec Traboini, Zeqir Lushaj, Frrok Vukaj, Bajram Gashi, etj.
Sekush, në një menyrë apo tjetër, ka kontibuar shumë për afër një gjysmë shekulli e ka cfarë të flasë, por qëndrimi i tyre është modest e vepra e tyre nuk do të harrohet… Ajo do të kujtohet gjatë e do të lërë gjurmë në kujtesën e brezave që do të vijnë. Ky takim i ngrohtë, pas vitesh, na ka humbur edhe sensin e kohës.
Orët e pasdites po i afrohen mbrëmjes e ne duhet të përmbyllim edhe këtë takim shumë mbresëlënës, por me një propozim që miratohet njëzëri: takimi tjetër do të bëhet në 50-vjetorin e maturës… Vendin, kohën dhe veprimtaritë do t’i përcaktojë komisioni i ngritur.
Janë rinuar e nuk njohin vite, planifikojnë e propozojnë takime të tjera pas vitesh e pse jo ,ata më të guximshmit, edhe pas dekadash. Uroj të ndodhë ashtu!

Frrok Vukaj

Filed Under: ESSE Tagged With: E SHKODRËS, Frrok Vukaj, ME PEDAGOGJIKASIT, PAS 50 VITESH

KLARA KODRA: JU TREGOJ SE SI E MBROJTA POEMËN”DIELLI DHE RRËKETË” NE KUSHTET E CENSURËS

September 17, 2014 by dgreca

Nuk mburrem për ndonjë trimëri të veçantë.Jam treguar e matur, veç nuk më ka munguar guximi krijues, intelektual, për të shprehur mendimet e mia në mënyrë eksplicite, qoftë dhe për veprat me probleme të mprehta ideore dhe estetike-Nga Prof.Dr. Klara Kodra/
INTERVISTË e ALBERT Z HOLI ME PROF. DR. KLARA KODRËN/
– Në atë kohë gjithë krijuesit kishin një shpatë Demokleu mbi kokë, censurën
– Tani ka më tepër liri në dukje, po kjo liri është relative. Tani vepron ekonomia e tregut
-Edhe titullin që kishte qenë “Shkëndija rinie” ma bënë “Era e revolucionit”
– Në moshën nëntë vjeçe, si fëmijë që isha, thashë që do të shkruaja një roman policor dhe babai tha: “Roman policor?! Jo, ti duhet të shkruash gjëra më të mira!”
– Kam qenë fëmijë e parakohshme dhe që gjashtë vjeç shkruaja përralla dhe vjersha
– Arta Kokalari, mbesa e Musine Kokalarit ka qenë shtysa e botimeve të mia
– Revista “Nëntorit më botoi katër vjersha në rubrikën “Miq të rinj”
– Në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë më ofruan në saje të temës sime të diplomës për Zef Seremben
– Në kohën e diktaturës kam botuar dy monografi për Zef Seremben dhe De Radën që janë shkruar në bazë të metodës sociologjike marksiste
– Në atë kohë ishte e pamundur t’i mbroje, po për vete, të paktën nuk i kam sharë, as Fishtën, as Koliqin, as Skiroin
– Si mbrojta poemën «Dielli dhe rrëketë» të poetit F.Haliti si poezi e problematikës së mprehtë të trajtuar në detaje konkrete e formë sintetike
– Kam përkthyer nga italishtja në shqip vëllime të Kroçes, Leopardit, Injacio Silones dhe Tomaze Landolfit/
Nga Albert Z. ZHOLI/
– Jeni një studiuese dhe shkrimtare që ka jetuar në dy periudha, në diktaturë dhe në demokraci, çfarë mund të na thoni për këtë?
– E, ç’të them? Në atë kohë gjithë krijuesit kishin një shpatë Demokleu mbi kokë, censurën, që për më tepër ishte e padukshme. Zyrtarisht nuk ekzistonte, po në të vërtetë ekzistonte që ç’ke me të. Për shkak të saj më janë cunguar disa vëllime me poezi dhe disa të tjera nuk kanë parë dritë. Tani ka më tepër liri në dukje, po kjo liri është relative. Tani vepron ekonomia e tregut. Dikur na financonte shteti, po duhet të respektonim rregullat e tij.
– Kur keni filluar të shkruani?
Që fëmijë. Në atë kohë më dukej si lodër; kam qenë fëmijë e parakohshme dhe që gjashtë vjeç shkruaja përralla dhe vjersha në fillim në disa copëra letrash, pastaj në fletore. Prindërit e mi nuk e merrnin seriozisht prirjen time.
Nuk ju kanë inkurajuar?
Nuk më kanë penguar. Pastaj jam rritur në një mjedis letrar, të paktën nga ana e mamasë që ishte italiane, ishte kritike, përkthyese dhe poete. Babai ishte mësues fizkulture, i dashuruar me sportin, po as ai nuk më ka penguar të merrem me letërsi. Madje, më kujtohet një rast kur në moshën nëntë vjeçe, si fëmijë që isha, thashë që do të shkruaja një roman policor dhe babai tha: “Roman policor?! Jo, ti duhet të shkruash gjëra më të mira!” sepse edhe ai kishte paragjykime për zhanret “e ulëta” dhe “të larta” që në të vërtetë nuk i pengojnë shkrimtarët. Prindërit prisnin nga unë që të bëja diçka të bukur, po nuk ishin të sigurt se do ta bëja në fushën e letërsisë. Më vonë mamaja, kur e pa që nuk hiqja dorë nga të shkruarit, më këshilloi të botoja. Isha vetëm dymbëdhjetë vjeçe.
Kur botuat për herë të parë?
Një vit më vonë. Merita s’ka qenë e imja, po e shoqes sime të ngushtë që çoi pa lejen time një fletore me vjershat e mia në redaksinë e revistës “Nëntorit”. Ajo ishte dy vjet më e madhe se unë, po ishim në një klasë se unë kisha kapërcyer dy vjet në shkollën fillore. Ishte Arta Kokalari, mbesa e Musine Kokalarit. Në atë kohë isha në klasën e dytë të gjimnazit. Më botuan katër vjersha në rubrikën “Miq të rinj”. Ç’është e vërteta, redaktorët u treguan dashamirës, megjithatë, nuk e harruan aspektin ideologjik, u shqetësuan për ndonjë simbol që mund të keqkuptohej dhe që mund të vinte në dyshim punët e partisë me njerëzit. Ka qenë një krahasim midis luleshqerrës që sfidon stuhitë dhe trëndafilave që rriten në serë. Më kujtohet se si redaktori më pyeti: “Partia a s’kujdeset njësoj për të gjithë?” Mua s’më kishte vajtur mendja për atë ide, thjesht doja të himnizoja thjeshtësinë apo forcën shpirtërore për t’u ndeshur me problemet e jetës. Ja, kjo ishte ndeshja ime e parë me censurën, ndonëse s’e kuptoja. M’i shkurtuan pak vjershat dhe i botuan.
Kur botuat librin tuaj të parë?
Më 1968. Në kohën e revolucionarizimit, prandaj vëllimi më doli i cunguar, më hoqën shumë vjersha që i quanin si tepër intime dhe melankolike. Edhe titullin që kishte qenë “Shkëndija rinie” ma bënë “Era e revolucionit”, sipas titullit të një poeme.
Po më vonë?
Më vonë botova tri vëllime të tjera me vjersha “Buzëqeshje” (1970), “Ne rendim” (1974), “Bisedë me vëllezërit” (1984) po në luftë të rreptë me redaktorët, të cilët – duket e pabesueshme – po arrinin gjer aty sa thoshin se edhe “puthjet duhet të mbajnë erë benzinë”.
T’i kthehemi veprimtarisë suaj si studiuese. Kur e filluat ?
Shumë herët, në moshën njëzet vjeçe kur më morën nga bankat e Fakultetit Histori-Filologji në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë. Pata fat se më morën aty në saje të temës sime të diplomës për Zef Seremben dhe të dashamirësisë së udhëheqësit tim, profesor Ziaudin Kodrës. Për fat të keq, ai vdiq kur sapo kisha filluar punën në Institut. S’e kisha pasur ndërmend të bëhesha studiuesi, megjithëse e kisha mamanë kritike letrare. E kam pasur peng se ajo nuk pa as suksesin e temës sime të parë studimore për Seremben kur isha studente dhe fitova një çmim, as suksesin e temës së diplomës, as fillimet e mia në Institut. Kur fillova punë babai im qau nga gëzimi dhe tha: “Sikur të ishte gjallë mamaja!”
Po censura ideologjike ju pengoi në studime ?
Relativisht. Në kohën e diktaturës kam botuar dy monografi për Zef Seremben dhe De Radën që janë shkruar në bazë të metodës sociologjike marksiste, e vetmja që pranohej atëherë, po këto vepra s’do t’i mohoja as sot, vetëm se do t’i thelloja dhe t’i pasuroja. U mundova të mos bija në sociologjizëm vulgar dhe futa fshehurazi në ato vepra elemente të impresionizmit, analizës tekstuale, madje edhe të kritikës psikanalitike, po veç, e përsërit, në mënyrë klandestine se ato metoda zyrtarisht dënoheshin.
Në periudhën e pasdiktaturës kam botuar tri monografi të tjera për letërsinë arbëreshe “Tipologjia e poemës arbëreshe” (2001), “Dramaturgjia e arbëreshëve të Italisë” (2004) dhe tani së fundmi më 2011, një monografi për Jul Varibobën dhe një vëllim me studime për letërsinë e Rilindjes që ma botoi Shtëpia Botuese Uegen, madje edhe një studim të krahasuar për letërsinë për fëmijë te Shtëpia Botuese «Elite».
Bëtë një hop krijues në periudhën e dytë?
S’e them dot një gjë të tillë. Thellova ato elemente që ishin të fshehta, thellova analizën e formës. Nuk u shkëputa nga analiza sipas metodës sociologjike se mendoj që edhe ajo ka shumë mundësi. Do të isha për një kombinim të metodave, po duhet pasur kujdes nga eklektizmi. Mendoj se e keqja nuk qëndronte te metoda, po te ndërhyrja e partisë – shtet. Tani i akuzojnë studiuesit që kanë shkruar në diktaturë se kanë dëmtuar shkencën letrare, kanë helmuar rininë e gjëra të tilla.
Ç’është e vërteta, hartën e letërsisë e ka varfëruar mjaft mungesa e shkrimtarëve të mohuar për arsye ideologjike. Në atë kohë ishte e pamundur t’i mbroje, po për vete, të paktën nuk i kam sharë, as Fishtën, as Koliqin, as Skiroin, madje në ndonjë periudhë liberale jam munduar të them ndonjë fjalë të mirë për ta. Bie fjala, kur fillova punë në institut po bëhej gati vëllimi i tretë i Historisë së Letërsisë Shqipe që ishte mjaft objektiv nga ana shkencore dhe përfshinte kapituj për Fishtën dhe për Konicën. Më kujtohet se kisha sugjeruar të zgjerohej kapitulli për Fishtën, po shumë shpejt periudhën liberale e zëvendësoi “revolucionarizimi” dhe vëllimi që po bëhej gati u bë karton. S’mburrem për ndonjë trimëri të veçantë, por jam treguar e matur, por nuk më ka munguar guximi krijues, të thosha mendimin tim për ndonjë krijim me probleme ideore, revizioniste, siç ishte rasti për poemën «Dielli dhe rrëketë» të poetit F.Haliti. Në artikullin tim: “Probleme ideore dhe estetike të poezisë së të rinjve” (Drita 28 janar 1973 ) thosha në mënyrë eksplicite se … Poezia e F. Halitit është poezi e problematikës së mprehtë të trajtuar në detaje konkrete e formë sintetike”.
Tani ka një mendim që studiuesit që kanë botuar në diktaturë s’duhet të marrin pjesë në Historinë e re te Letërsisë, ç’mendoni Ju ?
Nuk jam dakord. Duket sikur mbroj brezin tim dhe veten time, po gjërat duhen parë në kushte të caktuara historike. Shumë nga ne dhanë më të mirën e vet për sa ishte e mundur. Do t’i kritikoja vetëm ata që kanë mbrojtur teza qartësisht të gabuara nga ana shkencore për të treguar militantizmin e tyre dhe kanë sulmuar pa të drejtë edhe në rrafsh estetik, ta zëmë, Fishtën a kanë keqkuptuar me qëllim Mjedën a Migjenin a ndonjë tjetër të shkrimtarëve të pranuar.
Disa prej tyre kanë bërë autokritikë, disa jo. Po jam e mendimit se brezi i vjetër i studiuesve të letërsisë duhet të bashkëpunojë me brezin e ri, duhet të shkëmbejnë përvojë.
Cilat janë planet tuaja krijuese?
Kam dy monografi në dorë, një për Santorin poet dhe romancier që njihet më pak se Santori dramaturg dhe një tjetër për motivet biblike në letërsinë shqiptare. Kam në plan edhe një studim për Migjenin që shihet në dritë të re dhe një vëllim artikujsh kritikë për shkencën letrare (kritika e kritikës po zhvillohet shumë pak). Dua të botoj edhe një vëllim me artikuj për letërsinë bashkëkohore “Letërsia e shkrirjes së akujve”. Po bëj gati edhe një vëllim me poezi lirike dhe disa vëllime me vjersha dhe prozë për fëmijë midis të cilëve edhe një vëllim me tregime “Tregimet e maçokut laraman” që ma pengoi censura e kohës së diktaturës si nxirës së realitetit. Kam në plan edhe disa romane, një trilogji për rininë, një roman që i kushtohet një zbulimi të supozuar në fushën e letërsisë arbëreshe dhe një tjetër për De Radën. Dua të botoj edhe një novelë që s’e botova dot gjer tani për problemet e familjes “Do ta kem vajzën time” ku janë në qendër një njerkë dhe vajza e gjetur që kërkojnë të arrijnë mirëkuptimin.
Kohët e fundit jeni marrë edhe me përkthime…
Është e vërtetë. Kam ndjekur rrugën e mamasë. Kam përkthyer nga italishtja në shqip vëllime të Kroçes, Leopardit, Injacio Silones, Tomaze Landolfit dhe vëllime të shkrimtarëve bashkëkohës nga shqipja në italisht. Kam në dorë përkthimin e romanit të Pirandelos “Burri i saj” për Shtëpinë Botuese Erik. Kam në proces përkthimi vëllimin me tregime po aq origjinale sa dhe poezia e tij, të poetit Faslli Haliti, një libër poetik të poetit të ri të talentuar Miltiadh Davidhi, si dhe disa libra me poezi të poeteshave, midis të cilave të poeteshës origjinale të dashurisë Fatime Kullit që do t’i jap për botim në italisht.
Shumë projekte … Ju uroj t’i realizoni.

Faleminderit!

Filed Under: Interviste Tagged With: Dielli dhe Rrekete, Faslli Haliti, Klara Kodra

KU I KANË VARREZAT KËTA BURRA..?!

September 17, 2014 by dgreca

■KËTA KLERIKË KATOLIK NUK KANË AS SOT VARREZA…/
■ASKUSH NGA VRASËSIT E TYNE NUK KA KERKUE FALJE…/
Nga Fritz RADOVANI/
1.■Don Lazer Shantoja (2 Shtator 1892 – 5 Mars 1945) Meshtar i njohun nder predikatarët ma të mirë. Fjalimet dhe konferencat e Tij janë të papersëritëshme. Ishte njeri i kulturës, i letërsisë dhe i artit, u masakrue deri në atë gradë sa nuk njihej kush asht…I sharruen kambët me sharrë druevari. Ishte në moshën 54 vjeç, kur asht vra në brigjet e lumit Lana në Tiranë, bashkë me Sulçe Beg Bushatin…
2.■Don Mark Gjani (1909 – 1945) Në shtator 1945, mbytet në tortura, në Mirditë. Ishte sekretar i Imz. Frano Gjinit. Kerkohet me dishmue kunder Tij, prandej, edhe masakrohet e vdes në tortura. Trupi i Tij tretet në breg të lumit, me ushqye qentë e fshatit…
3.■At Papa Pandi (1910? –Tetor 1945), mbytet në Korçë, në mënyrë shnjerzore… I prenë koken me sopatë në pyll, dhe ia vune mbi gjoks pranë Kryqit…Ishte klerik katolik që punoi per unifikimin me Kishen Ortodokse. Ishin një brezni që dallohej në shenjë…dhe, që nuk persëritet!
4.■At Anton Harapi (5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946), Në gjyqin special që u dënue me pushkatim tha: “Shqipnia u fitue me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijnë dita e, me Paqë dhe me Drejtësi do të fitohet!…”. E vranë në breg të lumit Lana, në Tiranë.
5.■At Giovani Fausti S.J. (1901 – 1946). Ishte profesor i teologjisë dhe filozofisë në Seminarin Papnuer të Jezuitëve në Shkoder. Një nga klerikët ma të kulturuem e dashamirës të Popullit Shqiptar. Erdhi porsa u shugurue meshtar nga Breshia, Itali, per me mbetë “pa varr” tek ne.
6.■ At Daniel Dajani S.J. (1916 – 1946)Rektor i Jezuitëve. Drejtues i Revistës “Lajmtari i Zemres së Krishtit”. Pushkatohet i pafaj si vllaznit…
7.■At Gjon Shllaku O.F.M. (1905 – 1946). I paisun me një kulturë të gjanë në universitetet e Holandës, Belgjikës dhe Sorbonës… Duhej “zhdukë” bashkë me themelet e Françeskanëve të Shqipnisë… Kështu, “kishte, urdhnue qeveria sllavokomuniste e Beogradit!”…
8.■Xhakoni Mark Çuni (1920 – 1946). Seminaristi që thëmeloi në vitin 1945 Organizaten “Bashkimi Shqiptar”, pa perfundue Lufta e Dytë Botnore. Ajo kishte pikpamje dhe program demokratik. Në këte organizatë nuk bante pjesë asnjë klerik.
9.■Don Nikoll Gazulli (1893 – 1946) Me 23 Mars 1946 vritet në Vrith tradhëtisht…
10.■Don Alfons Tracki (1892 – 1946). Vjen nga Breslau dhe edukon një brezni Atdhetarësh Shqiptarë. Pothuej, të gjithë u pushkatuen nga komunistët si Mësuesi i Tyne gjerman Tracki, me 17 Korrik 1946. Ishte një Misionar i vertetë që mbet i paharrueshem per veprat fetare e bamirëse!
11.■At Josif Papamihajli (23 Shtator 1912 – Tetor 1946?) Po në tetorin e 1946, mbytet mizorisht edhe At Josifi Papamihajli… nga Elbasani. Urrejtja per Emnin Klerik… e çoi në kampin e shfarosjes së Bedenit të Korçës. E mbyten në baltë për së gjalli…
12.■Don Mark Bici (1909 – Nandor 1946), mbytet në tortura në hetuesinë e Mirditës.
13.■Imzot Nikoll Tusha (1895 – 14 Nandor 1946). Asht mik dhe bashkpuntor’ i Cafo Beg Ulqinit, në ngritjen e Flamurit të Pavarsisë në 1940. Per këte akt Atdhetar, pushkatohet nga malazezët me 14 Nanor 1946 …
14.■Don Zef Maksen (1901 – 16 Nandor 1946). Misionar gjerman. Pa asnjë fakt, dënohet 2 vjet burg…Ka shpetue disa “komunistë” nga kampet naziste. Per këte si “shperblim”… merret mësheftas nga burgu i Tiranës dhe në rrugen e Kukësit…pushkatohet me 16 Nandor 1946.
15.■At Bernard Llupi (7 Shkurt 1886 – 25 Nandor 1946) Me 25 Nandor 1946, pushkatohen në Prizren me t’ ashtuquejtunit “antarë të Katoliçeskaja Banda”, kryesue gjoja nga At Llupi. Në fjalen e fundit tha: “Vdekja si kjo, vdekja per Shqiptarizem, asht kup’ e artë!”…
16.■At Bernardin Palaj (22 Tetor 1894 – 2 Dhjetor 1946) Dijetarin e mbyten në tortura… E varrosën naten tek qershija…në oborrin e atij konvikti, ku e masakruen, tek konvikti “Malet tona”.
17.■Don Luigj Prendushi (8 Janar 1896 – 24 Janar 1947) Arrestohet dhe pushkatohet pa faj me daten 24 Janar 1947, tue u kujtue i fisit tjeter Prennushi, pa asnjë fakt…
18.■Don Dedë Maçaj (5 Shkurt 1929 – 28 Mars 1947). E marrin ushtar. Me 28 Mars 1947, para togës së pushkatimit deklaroi: “…Po vritem per shkak t’ urrejtjes ndaj besimit Katolik…E them këte pa hidhërim apo urrejtje per ata, që mbas pak, do të më vrasin!”…
19.■At Serafin Koda (25 Prill 1893 – 11 Maji 1947) Nuk pranon me u shpifë… per këte torturohet derisa vdes i masakruem. Ishte 54 vjeç.
20.■Vlla Gjon Pantalia S.J. (2 Qershor 1887 – 31 Tetor 1947). Mbas largimit jezuitëve italian nga Shqipnia, shkoi në Kuvendin e Fretenëve, ku u arrestue dhe u masakrue si pak kush…”dinte shumë…po, nuk fliste!”. E hodhën nga kompanjeli, se gjoja, “ka dashtë me ikë…”.
21.■Don Nikoll Shelqeti (1892 – 1947) E torturuen, po nuk u thye…I dhane një dënim…dhe e nisën në kampin e shfarosjes së Kavajës …E mbyten në Beden dhe e zhytën nder baltat e kënetës…
22.■Don Anton Zogaj (1905 – 9 Mars 1948). Ishte sekretar i Imz. Vinçenc Prennushit, Argjipeshkëv i Durrësit, pushkatohet në Durrës me 9 Mars 1948, mbasi nuk pranon me akuzue Argjipeshkvin e vet.
23.■Imz. Frano Gjini (1886 – 11 Mars 1948). Asht i pari Rregjent i Delegacionit Apostolik të Vatikanit në Shqipni, klerik Shqiptar. Trim dhe guximtar i pashoq. Ka deklarue: “Unë nuk do t’ a ndajë kurrë grigjen time nga Selia e Shenjtë!”.
24.■At Mati Prennushi (2 Tetor 1882 – 11 Mars 1948). Asht kenë bashkpuntor i Dedë Gjo’ Lulit në 1911, në ngritjen e Flamurit… Në qelen e Tij u mblodh kuvendi i Malësisë, per “Memorandumin e Gerçës, “faje” per të cilat, Krajl Nikolla kerkoi me e varë në litar. E dënoi edhe Ahmet Zogu me vdekje…dhe, u ekzekutue nga Enver Hoxha, me 11 Mars 1948…kur ishte Provinçial i Françeskanëve.
25.■At Çiprian Nika (19 Korrik 1900 – 11 Mars 1948). Ishte rektor i Françeskanëve të Shqipnisë. Figurë e shqueme Atdhetare dhe trim që nuk i tutej syni nga vdekja per “Fé e Atdhé” …Asht pushkatue se nuk pranoi me akuzue vllaznit e vet “per futje armësh në kishë”…
26.■Imzot Nikoll Deda (1892 – 11 Mars 1948). Asht torturue aqsa i tha një shokut vet që nuk e njohu në qeli: “Mos harro, se kam pasë kenë Don Nikoll Deda…!”. Ka vdekë si burrat, ishte i pafajshem.
27.■Imz. Gjergj Volaj (1905 – 3 Prill 1948) Ishte ipeshkëv i Sapës. Predikatar i njohun dhe me kulturë të gjanë. Asht torturue aqsa, ndoshta, pak kush ka kalue vuejtje e tortura në sigurim si Ai.
28.■Don Dedë Plani (1889 – 30 Prill 1948) Meshtari i Dukagjinit që e mbysin nder tortura. Zhdukun dhe dosjet e hetuesisë sigurimit se, janë “pa firmë”, mbasi nuk ka pranue asnjë akuzë.
29.■Don Nikoll Laskaj (1898 – 15 Maji 1948). Vdes nga stermundimi, urija dhe vuejtjet në kampin e shfarosjes së Bedenit të Kavajës…në 1948.
30.■Don Aleksander Sirdani (1891 – 31 Korrik 1948)Dijetar dhe studjues i folklorit dhe i etnografisë… Masakrohet në hetuesinë e Koplikut të Shkodres, dhe e mbysin nder pusat e zezë të asaj hetuesi.
31.■Don Pjeter Çuni (9 Korrik 1914 – 31 Korrik 1948) Asht masakrue me Don Aleksandrin dhe asht groposë bashkë me Té, tue thirrë: “Rrnoftë Krishti…tek Ai, po shkoj…”, me 31 Korrik 1948.
32.■Don Ejëll Deda (1917 – 1948) Torturohet në burgun e Kishës së Fretenëve. Nuk perballon vuejtjet…vdes në spitalin e burgut në 1948.
33.■Don Jakë Bushati (1890 – 12 Shtator 1949)Torturohet në hetuesi të Lezhës. Nuk pranon asnjë akuzë. Vdes nga torturat dhe zhytja e trupit në ujë të ftohët…1949.
34.■At Gasper Suma (1897 – 1950) Meshtar i vendosun me vdekë pa njollosë zhgunin e Shen Françeskut me akuza fallse ndaj vllazenve të vet, edhe pse Ata, ishin të pushkatuem. Vdes në burg 14 Prill 1950.
35.■Imz. Jul Bonatti (1874 – 5 Maji 1951). Dijetar dhe njohës i mirë i disa gjuhëve të hueja. I njohun në Shqipninë e Jugut si Meshtari që u adhurue nga vlonjatët. Dënohet…e çojnë në manikomjo të Durrësit, atje me 5 Maji 1951 e shkyjnë të “çmendunit”…
36.■At Palë Dodaj (1880 – 5 Shtator 1951) Frati që shpetoi Ahmet Zogun, nen zhgunin e Tij në Rubik. Historian dhe demokrat që nuk pajtohet me asnjë diktaturë. Atdhetar i flaktë. Guximtar dhe luftar i vendosun per bashkimin e Kosovës me Shqipni. Vdes në burg në 1951.
37.■At Karlo Serreqi (26 Shkurt 1911 – 4 Prill 1954) Asht frati që nuk pranoi me kallëxue Rrëfimin që i kerkohej nga sigurimii shtetit. Per këte qendrim kaloi jetën burgjeve. Vdiq në burgun e Burrelit më 4 prill 1954.
38.■At Klement Miraj (1 tetor 1882 – 22 Nandor 1956) Ishte figurë e spikatun e klerit në lamen e letrarit, etnografit e folkloristit. Asht një nga Atdhetarët e shquem. Me 22 Nandor 1956, vdes në burgun Burrel.
39.■Don Rrok Frisku (21 Mars 1892 – Dhjetor 1956) vdes në burgun e Burrelit
40.■Don Pjeter Tusha (Noga) (1873 – 1958) Interrnohet në Kuq të Kurveleshit, ku vdes i pathyeshem perballë diktaturës mbas 4 vjetësh … Stermundimi dhe mosha bajnë punen e vet…
41.■Don Ejëll Kovaçi (5 Prill 1920 – 10 Nandor 1958) Torturohet dhe vishet me akuzat ma të pabesueshmet per Shqiptarin e vertetë. Pushkatohet se nuk ka pranue me nenshkrue Statutin e vitit 1951.
42.■Don Vlash Muçaj (1892 – 1963) Ishte nga Kruja. Arrestohet dhe vdes nga torturat dhe etja per ujë…
43.■At Rrok Gurashi (1894 – 1 Janar 1965)Ka lanë shumë faqe me procese të nenshkrueme në hetuesi. Nuk perballonte torturat…Atë ditë, me 1 Janar 1965, ka thirrë At Konrrad Gjolaj, që ishte i burgosun dhe asht Rrëfye…
44.■Don Marin Shkurti (1933 – 1 Prill 1969). U shugurue meshtar në 8.12.1961. U arratis se vazhdoi sherbimet fetare mbas 1967. E kthyen miqtë e sigurimit shtetit, UDB jugosllave, dhe e vranë me 1 Prill 1969…

45.■Don Shtjefen Kurti (24 Dhjetor 1898 – 20 Shtator 1971) Prifti që ka Pagëzue një fëmijë!
U pushkatue 20 Shtator 1971.

46.■Don Mikel Beltoja (17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974) Ky asht Kleriku që ka vue gojë kunder diktatorit Enver Hoxha. U pushkatue me daten 10 Shkurt 1974, per sëvdekuni, mbasi i shkyen gjymtyrët…

47.■Don Prekë Nikçi (2 Nandor 1921 – 15 Mars 1974) Nuk pranoi me mohue Fenë. E mbyten në kazanat e fabrikës së çimentos në Krujë.

48.■Don Lec Sahatçija (Dhjetor 1906 – 4 Prill 1986) Ishte ordinar i Abacisë së Mirditës. Njeri shumë i besueshem i Imz. Frano Gjinit. Sigurimi kerkon prej Tij letrat e Imz. Gjinit dhe dokumenta tjera, të cilat, mendohej se i ka Don Leci…Ky nuk i dorzon, pranon dënimin dhe vdes në burgun e Tiranës, me 4 Prill 1986…

49.■Don Nikoll Gjini (1911 – 1987) Asht arrestue vetem se ishte klerik katolik në vitin 1952… Një Kalvar i pafund që mbyllet dy muej para plotsimit të dënimit. Vdes në Zejmen në 1987.

50.■Don Pjeter Gruda (1 Gusht 1922 – 13 Janar 1989) Mbasi bani 15 vjet burg, ishte i sëmurë, vdiq në kampin e Sarandës, tre muej para lirimit të klerikëve me 13 Janar 1989…

Presidenti, Kryeministri, Gjykatat dhe Ministria e Punëve të Mbrendshme e Republikës së Shqipnisë, të gjithë i dijnë “Vendgroposjet” e Këtyne Martirëve!..
Moskallzimi asht vazhdimësi e URREJTJES !
URREJTJA NDAJ ATYNE “GROPAVE” DHUNON HARMONINË FETARE..?!
■ASKUSH NGA VRASËSIT E TYNE NUK KA KERKUE FALJE…

Melbourne, Shtator 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, KËTA BURRA..?!, KU I KANË, VARREZAT

IKJA E NJE POETI POPULLOR SI LEFTER HAXHIIRAJ

September 17, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
Poezisë popullore i iken nje nder zerat e bukur.Topallatia do të ndejë boshllkun që la vend i poetit.Sec zë kishte poeti dëgjoni se ç’lezt i ka vargu;;Te rrapi i cezmës në hijë/mblidhen burrat me qostek,kush qylaf e kush takije,/fjalë e tyre hekur pret./Mustaqe –dredhur tespie/fjollat punuar fildishtë,ajo farë djalërie/ trimërinë pirë në sisë…
Poeti popullor dhe i dashur shtegetoi ne prerin e Zotit.Në këtë udhë poetësh në këto ujëra burimesh kristali që ka Armeni ,piu me grushte poeti Lefter Haxhiraj.Kjo vjeshte sjell nje tjeter mungese ne letrat poetike.Mungesen e poetit popullor Lefter Haxhiraj.Ishtë një zë i vecantë i bukur, i kthjelltë,melodioz në poezinë popullore shqiptare e cila shekuj,që kur smbahet mend ‘,që ushqen këtë truall me poet.’
Ne moshen 72 vjecare shuhet poeti armenas Lefter Haxhiraj.Lefter Haxhiraj ka lindur ne 20 qershor 1942 .Rreth 22 dite pas vrasjes se deshmorit Lef Sallata dhe ka marre emrin Lefter per nder te ketij deshmori te luftes clirimtare. Natyra i ka dhënë bukuri Perëndie ,poetëve . Kanë gdhendur në “tenien epoetike ” gjurmë të mira, patriotike dhe liridashëse. Një gjurmë e një njeriu jeton gjatë nëpër shpirtra njerëzor, shkruajnë librat e shenjtë. Të kujt degë lëkunden prej tufanit. Ndërmend më vjen një vargëzim poetësh mistik. Degët e forcueshme artificialisht. Dhe nuk i tremben degët e forta me rrënjë. Shkruani veprat e mira të poetëve në gjuhën poetike.Një ndër ishte poeti popullor Lefter Haxhiraj
Lefter haxhiraj është një ndër prodhimtarët e shumtë poezisë popullore.krijimtaria etij është eshumtë,por vecohen rreth 5 libra me poezi dhe qindra këngë e vjersha poetike.Shumë nga krijimet e e këtij autori janë bërë edhe këngë me të cilat ka fituar edhe cmim.
Studiuesi i Qatip Mara ka shkruar kështu për kontributin e Lefter Haxhiraj në shkollën e fshatit Armen, Vlorë
Lefter Haxhiraj si mësues matematike ishte tepër korrekt dhe i përkushtuar për orën e mësimit të matematikës.Edhe pse kishte vetëm një dhome ishte shumë mikpritës dhe dashamirës.,ishte shume ekzigjent në shkollë, në famlije e shoqëri. Performanca e Lefter Haxhiraj ishte e admirueshme, një intelektual i mirë që rrezatonte kulturë qytetare .
Rapsodi Lefter Haxhiraj kujdeseshin për rritjen e cilësisë së polifonisë labe në Armen .Armenasit kishin lindur bashkë me këngën labe, të gjitha moshat e këndonin dhe trasmetonin emocione atdhedashurie për vendlindjen, për jetën në tërë kompleksitetin e saj.
Në librin Ärmeni në rrugën edijes .Shpresim Kasaj shprehet:Lefter Haxhiraj; pas mbarimit të shkollës shtatëvjecare dhe të mesme të Selenicës vazhdoi studimet në Institutin pedagogjik dyvjecar.Punoi mësues matematike në shkollën shtatvjecare të Trevëllazrit,Lubonjës,Armenit për afro 10 vjet dhe më pas mësues i ciklit të ulët deri sa doli në pension…
Poeti ti ike në udhën e Zotit,atje fusha dhe malet,kodrat e tija të amëshuara kanë vende të vecantë për gjurmën, që ke lënë në jetën tënde.
***
Dy fjalë ngushëlluese për vëllanë/

Sot më 17 shtator pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta mësuesi i matemetikës dhe poeti Lefter Teki Haxhiraj. Përmes vargjeve të tij lirik, ai si artist derdhi shpirtin e tij prej atdhetari. Në pesë librat e botuara, me rreth 400 poezi, Lefteri i këndoi natyrës së bukur të vendlindjes,i këndoi trimërisë, punës, arsimit , kulturës dhe dashurisë.

Lefter Haxhiraj është autori i këngës së kënduar nga grupi polifonik i Armenit,”Xinxërfille” e cila u shndërrrua në hit, si dhe në introduksione emisionesh për muzikën.
Poezia e tij me titull Partizan i vogël dole”, kompozuar nga Reshat Osmëni, fitoi çmimin e parë në një nga festivalet për fëmijë organizuar në Shkodër.
Për 40 vjet tekstet e këngëve të tij u kënduan anë e kënd trojeve mbarëkombëtare, në çdo festival, në çdo jubile, dasmë apo dhe kur bëheshin bashkë miqtë e tij ia merrnin ashtu bukur, lehtë dhe shtruar.
Familjes Haxhiraj do t’i mungojë bashkëshorti, babai dhe gjyshi. Grupit polifonik të Armenit apo Trevllazërit , me të cilët ai punoi për mbi 45 vjet do t’u mungojë ushqimi shpirtëror.Gjithsesi këngas dhe emri i tij do të ngelen në përjetësi
Si vëlla i madh i tij, uroj që familja e tij, bashkshortja, fëmijët dhe ne, vëllezërit, ta kalojmë me kurajo këtë dhembje. Vetëm duke kujtuar se kënga e tij do të vazhdojë të këndohet, ai gjithmonë do të jetë i pranishëm. E kjo na ngushëllon!
Vëllait tim i qoftë e lehtë balta! Iu prehtë shpirti në paqe!Fëmijëve ju uroj mbarësi në jetë!
Fitim Haxhiraj

Vlorë më 17-8-2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Llojdija, ikja, Lefter Haxhiraj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT