Si ka mundësi që një roman, ku diktatori ngrihet në majat më të larta që mund të arrihen, gati, gati i barazuar me një perëndi, mund të quhet roman i denoncimit të krimeve në diktaturë?/
Opinion nga Reshat Kripa/
Lexova shkrimin me titull: – “Dimri i vetmisë së madhe”, romani i denoncimit të krimeve në diktaturë- të zotit Minella Aleksi, botuar në median elektronike “Fjala e Lirë”. Një gjë e tillë më habiti. Si ka mundësi që një roman, ku diktatori ngrihet në majat më të larta që mund të arrihen, gati, gati i barazuar me një perëndi, mund të quhet roman i denoncimit të krimeve në diktaturë? A i dini ju, mor zotni, krimet e kryera nga regjimi komunist i këtij diktatori? A e dini ju se me urdhër të po këtij përbindshmi janë ekzekutuar mbi 6000 intelektualë dhe figura të tjera të paarritshme të këtij vendi, shumicës prej të cilëve sot nuk u gjendet as varri ku prehen? A e dini se janë përdorur metodat më çnjerëzore të torturës kundër tyre, duke arritur edhe deri tek përdhunimi i familjarëve në sy të tyre, për t’i detyruar të pranojnë atë që i diktonin ata? Ku janë këto në faqet e këtij romani?
Dua t’ju pyes juve, si mund ta quani një vepër disidente, kur vetë autori i saj nuk ka pranuar asnjëherë të quhet disident? Mos vallë për ju ai është një Pasternak apo Solzhenicij shqiptar? Nga e nxorrët këtë përfundim, pasi vetë autori nuk e ka thënë një gjë të tillë. Në rast se do të kishte qenë, atëherë me të vërtetë edhe ai do të kishte fituar çmimin “Nobel” si dy të sipërpërmendurit, si një shkrimtar disident.
Mua më duket se kjo është një përpjekje për të krijuar artificialisht një model të rezistencës intelektuale antikomuniste në Shqipëri.
Autori i veprës, padyshim, është kreu i shkrimtarëve shqiptarë të ditëve tona dhe unë jam i mendimit se ai nuk ka nevojë për lëvdata dhe hymne lavdie. Si gjithë shkrimtarët e tjerë, në diktaturë, ai ishte i detyruar të shkruante ashtu siç e lejonte korniza e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, përndryshe nuk mund të gjente mundësi botimi. Atëherë, si ka mundësi që u botua kjo vepër kur, sipas jush paska qenë një roman i denoncimit të krimeve të komunizmit? Mos vallë institucionet që merreshin me verifikimin e veprave të autorëve të ndryshëm që i dërgonin për botim, ishin njerës injorantë dhe të paditur? Jo, mor zotni! Në rast se ata do të konstatonin se një vepër ishte antikomuniste, atëherë autorin e saj, sikurse ka ndodhur edhe në shumë raste të tjera, e priste vetëm një gjë, burgu ose internimi ne një vend të humbur. Në shkrimin tuaj ju shkruani se në roman shtresa e të deklasuarve politikë, është trajtuar artistikisht në mënyrën më realiste. Unë jam nje individ që i përkas kësaj shtrese dhe kam lexuar, pothuajse, të gjitha veprat e këtij autori në të kaluarën dhe mund t’ju them, se kjo shtresë, në shumicën e veprave, është paraqitur në mënyrën më të ulët, si një shtresë e degjeneruar dhe e pamoralshme, si një shtresë që priste çastin për t’u hakmarrur në mënyrën më çnjerëzore. Mund t’ju sjell këtu dy shembuj, atë të shoferit të makinës së mishit që ëndërronte se kur të vinte dita e tij do të vriste e priste të gjithë komunistët dhe atë të Beniaminit që ngulte piketat në kufijtë e pronës së tij për t’i patur si shenjë që kur t’i vinte koha të merrte pronën. Sistemi ndërroi, por a ke dëgjuar ndonjë të përndjekur politikë të jetë hakmarrur në mënyrë makabre kundër hetuesit apo denoncuesit të tij? A ke dëgjuar ndonjë pronar të rrëmbejë pronën e tij pa ia dhënë atë ligji? Kjo është mënyra realiste e pasqyrimit të të përndjekurve politikë në roman?
Në këto çaste më vijnë ndërmend dy vargje të poetit të pavdekshëm, Ali Asllani, nxjerrë nga poezia “Hakërrimi”:
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini, or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras!
Kjo është Shqipëria e sotme, ku pelivanët dalin në krye të mendimit intelektual shqiptar. Ndaj dhe juve, mor zotni, mos t’ju zerë meraku për shkrimtarin e madh, pasi ai e di vetë rrugën nëpër të cilën ka ecur dhe atë nëpër të cilën duhet të eci edhe sot, ndaj nuk ka nevojë për avokatinë tuaj. Në këtë mënyrë ju i bëni më shumë dëm atij dhe krijimtarisë së tij. Ndaj, ju lutem, mos na e paraqisni si roman disident një që nuk është i tillë.
Archives for September 2014
100 vjet rrugë për të arritur në Çamëri
Nga Uk Lushi/
Verë. Avenyja e Gjashtë e qytetit të New Yorkut është tërësisht e mbuluar me ngjyrat kuq dhe zi ndërkaq qiellgërvishtësit që e kufizojnë nga të dy anët dridhen ngazëllyeshëm nga tinguj të muzikës shqiptare. Qindra fëmijë, djem, vajza, gra dhe burra shqiptaro-amerikanë marshojnë krahas mijëra njerëzve tjerë në Paradën Vjetore të Imigrantëve të Amerikës.
Nga vendqëndrimi im shoh teksa nga deti kuqezi veçohet një burrë që ecën asfaltit por duket sikur fluturon. Ka të veshur qillotë 70 palëshe të bardhë si bora e kreshtave të Alpeve të Shqipërisë, bluzë të bardhë të mbuluar me xhamadan të zitë qëndisur me ojna ari, shokë shtatë-ngjyrëshe, në kokë mban festen e bardhë me bisht sipër dhe mbathur ka opinga të zeza me xhufka të kuqe në maje. Është një çam. Mos qenka ringjallur Osman Taka? Trilleve të botës së përtejme s’u dihet kurrë: ndoshta valltari i njohur nga Filati ka pasur mall dhe ka ardhur për një valle në këtë botë?
Osman Taka, një ndër udhëheqësit kryesorë të Lidhjes së Prizrenit nga Çamëria, por edhe një valltar i rrallë, një ditë u zu rob nga osmanët dhe dënua me varje. Para se të ekzekutohej ai shprehu dëshirën e tij të fundit të kërcente një valle. Të pranishëm ishin edhe valiu i Janinës me gruan e tij. Duke qenë se dëshira e fundit përpara vdekjes nderohej, atëherë i sollën fustanellën, festen, një krehër për flokët dhe një shami ta tundte me dorë. U gjet një orkestër me klarinetë, violinë dhe dajre.
Kryengritësi shqiptar filloi me ngadalë të lëkundej si valët e detit në pranverë dhe mandej u hodh përpjetë dhe u përkul në shpinë me kokë në tokë si një urë. I magjishëm, duke u rrotulluar zhdërvjelltshëm për 360 shkallë me elegancë, i la të habitur shikuesit me aftësitë e tij, midis tyre gruan e guvernatorit, e cila ju lut të shoqit t’i falte jetën valltarit të pashoq. Kështu u përjetësua guximtari i Epirit dhe kështu kjo valle hyri në folklorin çam si Vallja e Osman Takes. Por,ndonëse ndjeshmëria femërore e largoi nga vdekja, zemërluani, menjëherë pas lirimit, ju ribashkua luftës kundër osmanlinjve dhe nuk e reshti derisa u vra si një hero në betejën e Konispolit me 1887.
I përhumbur në xurxullinë e udhëtimit prapa dhe para në kohë, ju afrova dhe ju prezantova burrit çam që po hapëronte Avenysë së Gjashtë si të mos ekzistonte gravitacioni i tokës. “Quhem Sali Bollati. Jam nga Paramithia e Çamërisë.”— tha ai. Ndërsa shkëmbyem numrat e telefonit pa dvetje të hollësishme vura re që njeriu para meje kishte një fytyrë të ëmbël dhe shikim që rrezatonte diçka të mistershme, të pakapshme në çast.
Kanë kaluar gati 10 vjet nga takimi ynë i parë, por, pas asaj pjekje dhe dhjetëra tjerash prej asaj dite, unë tashmë e kam kuptuar shumë mirë thellësinë dhe intensitetin e shikimit të tij. Jeta, vuajtjet dhe triumfi i Sali Bollatit mbi kërdinë ndaj tij dhe njerëzve të tij janë arsyeja. Veç kësaj, për më rëndësishëm, bile mundtë thuhet që mbijetesa e çamit të mirë nga Paramithia është dëshmia më e dëlirë e historisë së dhimbshme të krejt Çamërisë.
Sipas rrëfimeve të Bollatit, gjithçka fillon me datën 27 qershor 1944 kur ai ishte vetëm 7 vjeç. Nata ishte duke ikur nga vendlindja e tij Paramithia dhe ferku i agimit sapo kishte nisur të lindte. Në dhomën e fëmijëve që përkundeshin në ëndrra sakaq futet me furi nëna e tyre, Betulla, dhe ju thërret: “Ngrihuni dhe vishuni sa më shpejt, sepse na duhet të ikim!” Ndërsa e vesh motrën e vogël, Magbulen, ajo arrin të mbledhë një bohçe me plaçka dhe të gjithë, përfshirë kryefamiljarin, pa vënë gjë në gojë, largohen me vrap nga shtëpia që gjendet në krye të qytezës.
Duke dihatur nëna dhe babai me zogjtë e tyre arrijnë në shtëpinë e dajës, Muhamet Bako, në qendër të Paramithisë. Pas disa minutash aty ja qetis edhe djali i xhaxhait të nënës, Qazimi, dhe i alarmuar i drejtohet babait: “Braho, çfarë bën ti këtu?! A nuk e more vesh që zervistat ja nisën vrasjeve? Mbath këpucët dhe hajde të fshihemi!” Por ati i familjes përgjigjet: “Është e pamundur të lejë gjithë familjen vetëm. Ne nuk u kemi bërë asnjë të keqe grekëve. Përkundrazi, i kemi ndihmuar vazhdimisht.” Dajë Qazua ikën nga skena dhe kjo i shpëton jetën më vonë.
Nuk kalojnë shumë çaste dhe te dera e jashtme dëgjohen trokitje të rënda si tunxhi. Babai që del të hapë portën rrëmbehet ashtu zbathur nga njerëz të armatosur dhe zhduket nga shikimi i fëmijëve dhe nuses së tij për sa të jetë jeta jetë. Mbas torturave të tmerrshme pushkatohet në oborrin e shkollës dhe gjuhet në një varr të përbashkët me trupat e qindra paramithiotëve tjerë.
Nëna e shkretë, si një shqiponjë e plagosur në zemër, e shqetësuar dhe turbulluar vendosë të kthehet në fole, te shtëpia e familjes. Në rrugë e sipër, Ferhati, vëllai më i madh i familjes, ndalon te shtëpia e Hallë Shazos, për të takuar kushëririn dhe bashkëmoshatarin e tij 13 vjeç Avniun; por zervistat që ishin duke u futur nga ana e prapme u lëshohen në ndjekje dhe ndërsa ata tentojnë të fshihen prapa disa kaçubave ekzekutohen me rafal. Kur arrijnë në shtëpinë e lindjes nëna dhe fëmijët shohin hatanë tjetër: gjyshi, Muharremi 82 vjeç, ose si nipërit dhe mbesat e quanin me respekt— Baba Efendiu, është i shtrirë dhe i mbuluar në gjak, i masakruar. Nëna e llahtarisur hedh në krah të vegjlit e saj dhe merr ikën drejt ndërtesës së vjetër të Medresës, ku janë mbledhur e bërë shuk dhjetëra familje tjera të trembura që dridhen si thuprat në ujë nga ankthi se ç’u është shkruar. Pas disa orësh një zervist i armatosur dhe me dy thika në duar i urdhëron të gjithë sa janë brenda të dalin në oborr dhe pa lëshuar asnjë zë.
Përjashta, te porta e madhe, është i pozicionuar një mitraloz. Nëna e gjorë duke mos ditur ç’të bëjë tjetër, shtrëngon çapaçulët e saj në gji, dhe, fillon t’i lutet Zotit për ndihmë. Një zervist tjetër shfaqet në ndërkohë dhe pasi bisedon me mitralozxhiun, ky i fundit largohet nga prita. Njerëzit ndiejnë një vakësi shprese në zemra dhe mendojnë që Zoti, me gjasë pasi i kishte dëgjuar lutjet e tyre, kishte vendosur t’i shpëtonte.
Mirëpo jo! Ndërhyrja hyjnore nuk kishte ndodhur— të gjithë ishin në dorën e robërve të Zotit që kishin armë. Një oficer zervist i afrohet nënë Betullës dhe e tërheqë atë dhunshëm. Në ahtin e fundit të pashpresës ajo nxjerr nga gjoksi të vetmen fotografi të burrit të saj tanimë të vrarë dhe ja jep Sali Bollatit të vogël ndërkaq që vogëlushi provon ta nxjerr të ëmën nga kthetrat e oficerit të pashpirt. Prej asaj dite dhe deri më sot Sali Bollati do ta ruajë atë fotografi si një gjësend të shenjtë, më të shenjtin mbi gjithçka të shenjtë. Pas një ore, Qerimeja 10, Saliu 7, Faruku 5 dhe Makbulja 2vjeçe, mësojnë se nënë Betulla, ende grua e re 36 vjeçe, ishte pushkatuar brenda Xhamisë së Bollatëve. Njerëzimit sapo i janë shtuar katër jetimë të rinj.
Vargani i dhimbjes dhe absurditetit kriminal njerëzor nuk këputen këtu. Rrëfimet e Sali Bollatit bëhen edhe më të zeza. Paramilitarët dhe ushtarët zervist i marrin katër bonjakët dhe së bashku me rreth 200 veta i mbyllin në Shtëpinë e Madhe të Muhedinëve që e shndërrojnë në kamp përqendrimi. Aty ata takojnë Teze Zydidenë,e cila i merr nën kujdes bashkë me djalin e saj 3 muajsh, Tahsinin, mbasi kishte mbetur e ve sepse burri i saj— Nelo 27 vjeç— ishte vrarë po atë ditë. Disa fqinjë duke ditur pafajësinë e tyre ngrihen mbi nivelin e kafshërisë zerviste dhe u sjellin një djep për foshnjën dhe ca rrobe për çamarrokët e çmeritur. Mirëpo bashkëqytetarët nuk kishin asnjë fuqi të ndikonin në epshin për gjak të zervistëve. Mungesa e ushqimit dhe kushtet higjienike jonjerëzore shkaktojnë dy-tri vdekje në ditë. Gjyshja e Sali Bollatit Rukija 72 vjeçe dhe motra Makbule 2 vjeçe vdesin të dyja në të njëjtën ditë.
Bollati tregon se pas disa muajsh mizorie dhe vuajtjesh të papërshkrueshme në kamp arrijnë ushtarët anglezë të cilët sjellin disa ushqime dhe ilaçe. Jetesa në izolim bëhet një çikëz më e përballueshme. Në nëntor 1944, anglezët u ofrojnë opsionin të shkonin si refugjatë në Turqi, Egjipt ose Angli. Sali Bollatit i ndrijnë sytë kur rikujton që të gjithë të burgosurit u përgjigjen njëzëshëm se ishin shqiptarë dhe dëshironin të shkonin në mëmëdheun e tyre, në Shqipëri, dhe në asnjë vend tjetër. Ndërsa ushtria britanike po i ngarkonte në kamioneta të ndjekurit nga vendlindja e tyre duke qenë të detyruar të braktisin gjithë ç’kishin, disa gra komshinje u sjellin ca tesha dimri që të mos vdesin rrugës.Shumica e grave ishin shqiptare të krishtera.
Vendndalimi i parë është Gumenica ku refugjatët strehohen në magazinat e portit. Ndërsa po flinin, zervistët provojnë të rrëmbejnë vajzat, por të dëbuarit luftojnë me dhëmbë e thonj dhe kur dëgjojnë zhurmën dhe lebetitjet ushtarët anglezë intervenojnë dhe i shpëtojnë edhe njëherë.
Nga Gumenica, çamët e ndjekur, të nesërmen, arrijnë me katër anije në Sarandë, dhe prej aty në Himarë. Pas ca kohësh, familjen e Sali Bollatit shteti shqiptar e çon në Vlorë, ku i vdes edhe një vëlla që ishte sëmurë gjatë krajatave disamujore. Kështu nga një familje e shëndoshë dhe lumtur me nëntë anëtarë, mbeten vetëm dy: motra Makbule 10 dhe vëllai Sali 7 vjeç. Pas sistemimit në Republikën e Shqipërisë, motra do të rritet në shtëpinë e dajës ndërsa Sali Bollati në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë.
Njeriu është më i fortë se çeliku. Sali Bollati, si çamët tjerë që ua vodhën vendlindjen, nuk do të dorëzohet kurrë. Pasi mbaroi Gjimnazin e Shkodrës, me1960 diplomon si inxhinier kimist në Bratisllavë dhe me t’u kthyer fillon punësi pedagog i Kimisë Analitike në Fakultetin e Shkencave. Mirëpo me 1966 nis aksioni “edukimi klasor” i intelektualëve dhe profesori i ri degdiset në Uzinën Kimike në Fier, prej andej në Vorre, dhe, më së fundi, me 1980, e rikthejnë në Tiranë.
Me rrëzimin e diktaturës me 1991, ai bashkë me patriotë tjerë themelojnë Shoqatën Atdhetare “Çamëria”, por shteti amë si për sarkazëm metaforik me 1993 e qet në pension të parakohshëm. Ngjarjet shumë të hidhura të vitit të keq 1997 e godasin në zemër dhe pas avokimit disa vjeçar për çështjen e Çamërisë dhe edhe me mbështetjen e shtetit amerikan, Bollati, në vitin 1998, zhvendoset në SHBA ku vazhdon të jetë aktiv si dëshmitar dhe provë e gjallë e krimit grek mbi Çamërinë. Në Amerikë ai bëhet kasnec i besimit që çamët, një ditë të afërt, do të marrin atë që është e tyre dhe përsëri do të jenë zotët e pronave dhe vendlindjes së tyre prej ku u shkulën me vdekje, hekur dhe zjarr.
Sipas Bollatit, dokumentet e Departamentit të Shtetit të SHBA-së të arkivuara në Dosjen Nr. 84/3, të hartuara nga zyrtarët e Misionit Amerikan në Tiranë në vitet 1945-46 thonë: “[A]utoritetet në Greqinë perëndimore gjatë vitit 1944 dhenë muajt e parë të vitit 1945 kryen masakra brutale duke dëbuar me dhunë më shumë se 25 000 banorë të Çamërisë nga shtëpitë e tyre ku kishin jetuar me shekuj dhe pastaj, pasi ju rrëmbyen tokat dhe pasuritë, u nxorën jashtë kufirit. Shumica a të vrarëve ishin fëmijë dhe pleq.”
Njeriu i dëbuar nga vatra e të parëve e mendon dhe ëndërron vendlindjen çdo ditë. Krimi grek ndaj çamëve bëhet edhe më i pështirë sepse shteti grek edhe sot, pas 70 vitesh, të gjithë ata çamë që në pasaportat e tyre shqiptare kanë të shkruar vendbanimet e krahinës së Çamërisë si vendlindje nuk u lejon hyrjen në Greqi. Kjo ndalesë absolutisht e padrejtë dhe në kundërshtim me të drejtat universale të njeriut vazhdon të aplikohet nga Greqia edhe në shekullin e XXI-të.
Por Sali Bollati e kishte ndarë mendjen që ta vizitonte Paramithinë e bukur jo vetëm në gjumë. Ai i kishte vënë vetes kushtin që s’do të jepte shpirt pa parë parajsën dhe tokat e fëmijërisë së tij sërish. Dhe, falë posedimit të pasaportës amerikane, ai e mundi shtetin helen.
Siç e dinë të gjithë ata që kanë lexuar librin e Homerit, Odiseut i merr 20 vjet të shohë prapë Itakën e tij të shtrenjtë. Sali Bollatit i mori 67 vjet të shohë të tijën përsëri. Në shtator të vitit 2010, së bashku me shoqen e jetës, Bule Pronjo, e cila ishte bebe 6- muajsh kur humbi babain e saj dhe u dëbua nga Çamëria si burri i saj, dhe djalin e tezës, Dr. Tahsin Demi, Sali Bollati nis udhëtimin e tij të kthimit në shtëpi.
Treshja me të kaluar kufirin shtetëror Shqipëri-Greqi dhe me të hyrë në dheun e Çamërisë shpërthejnë në lot gëzimi dhe hidhërimi njëkohësisht. Para tyre shfaqen fushat me pemë frutore dhe ullinj me më shumë kokrra se gjethe, kodrinat e gjelbra, livadhet me bar deri në gju dhe deti me ujë transparent kudo.
Stacioni i parë i ndalimit të Odiseut çam me bashkërrugëtarët është Filati. Aty ata vërejnë shumë shtëpi të reja, por edhe sosh gjysmë të rrënuara, që janë pronë e refugjatëve çam. Në Filat të tre bëjnë përpjekje të flasin shqip me kamarierin, por ai i informon se nuk ishte vendas dhe vazhdon me punën e tij sikur të mos dinte asgjë për të kaluarën e afërt të regjionit ku punon.
Stacioni i dytë është Paramithia. Kulla 400 vjeçare e Bollatëve është akoma aty, e ri-funksionalizuar në Muze të qytetit. Puq me të, shtëpia e lindjes së Sali Bollatit, e zaptuar nga banorë të paligjshëm. Dera e vjetër e shtëpisë është demoluar dhe në vend të saj qëndron një portë hekuri e mbyllur me çelës. Fusha përtej shtëpisë ku fëmijët loznin është e mbuluar me shkurre dhe ferra. Kopshtet dhe radhët me ullinj e fiq janë lënë në dorën e natyrës dhe gati janë mbuluar nga barishtet dhe gjembaçet. Prej shtëpisë së Bollatëve, trio vazhdonte shtëpia e lindjes së Tahsinit. Mbi rrënojat e shtëpisë së tij është ngritur një e re. Kur Dr. Demi e konfronton “pronaren” se ajo kishte ndërtuar në tokë dhe themele të huaja,zonja gjegj se ajo ishte e ardhur në Paramithi nga tjetërkund dhe nuk dinte e kujt ishte “toka e saj”! Me idhtësim në trupat e tyre, idhtësim të cilin mund ta kuptojnë vetëm të zhvendosurit me dhunë dhe azilantët në mbarë planetin tonë, dy burrat dhe Bulja nisen për te Sarajet e Pronjove, familje nga e cila rrjedh gruaja e Sali Bollatit. Këtu nuk shohin njeri të gjallë t’i shtrojnë një pyetje të vetme. Prandaj, prej aty, ecin për te varrezat. Por varret, sikur edhe 9 xhamitë e Paramithisë së para 70 viteve, nuk janë më. Janë bërë gërmadha dhe mbi to janë ndërtuar ose shtëpi ose rrugë. Mbi gropën, në të cilën ishin mbuluar me dhe trupat e 600 viktimave të xhelatit Zervas dhe larove e lakenjve të tij, pra varrin masiv të çamëve paramithiotë të masakruar, ka mbirë një fushë basketbolli. Greqia ka pasur dhe ka frikë jo vetëm nga çamët e gjallë, porse edhe nga çamët e vdekur dhe të varrosur. Shteti i helenëve modern ka tutë që nëse edhe një gjurmë do të mbetet si dëshmi për gjenocidin, historia dhe drejtësia do të godasin, prandaj përpos fshehjes së vrasjeve duhet zhdukur edhe kufomat dhe çdo provë tjetër.
Stacioni i tretë i udhëtimit është Parga. Qyteti i mahnitshëm gumëzhin me njerëz: turistë dhe vendës. Trio refugjate shkojnë për darkë te restoranti i Grigorit,i cili bashkë me vëllain Thimion—si kallëzon Sali Bollati në memoaret e tij— u flasin shqip dhe u zbusin etjen të dëgjojnë gjuhën e nënës në copën e dheut të lindjeve të tyre. Te Kalaja e Pargës takojnë një plak që u thotë: “Unë jam Panua nga Shën Djella, fshat këtu afër. U dëgjova që flisni gluhën tënë, e mirë se na keni ardhur. Ne në fshat të gjithë këtë gluhë flasëm, bile edhe me priftin ashtu meremi vesh.”
Stacioni i katërt dhe pestë janë Preveza dhe Margëlliçi. Si kudo tjetër në sagën e Sali Bollatit dhe Çamërisë edhe aty:dhimbja e historisë përzihet me mrekullinë e bukurisë së natyrës dhe nostalgjia me besimin se drejtësia do të vihet në vend për çamët e ndjekur.
Pas disa ditësh tre pelegrinët, përmes Korfuzit, kthehen në Sarandë, në Shqipërinë mëmë. Për ironi perfekte të rrëfimit të Sali Bollatit, në Sarandë nga Tirana u telefonon kushëriri Faiku, i cili i këshillon që të kenë kujdes kur të kalojnë nëpër Himarë sepse atje ka vajtur Peshkopi Janullatos me grekër të tjerë. Hirësia e tij nuk kishte gjetur kohë të asistonte në përshpirtjen për 2900 çamët e masakruar që do të mbahej në Tiranë, por e kishte parë më të vlefshme që atë të diele të shkonte në Himarë pasi që një shtetas kishte vdekur si rezultat i një aksidenti para 40 ditësh!
Siç e përshkruan Sali Bollati me sinqeritet në dëshmitë e tij të shkruara, udhëtimi për në shtëpinë e tij përfundon pa mundur të hyjë në shtëpi. Por Bollati megjithatë arrin deri te pragu. Ç’është më me rëndësi, ai ende e vazhdon udhëtimin e tij për t’u kthyer në shtëpinë e tij. Dhjetëra-mijëra çamë si ai besojnë që e mira do të ngadhënjejë mbi të keqen, drejtësia mbi padrejtësinë ,miqësia mbi armiqësinë. Përpjekjet herkuleane të çamëve për drejtësi kanë sjellë problemin e Çamërisë në qendrën e vëmendjes së botës dhe Greqisë dhe ata nuk do të ndalojnë ecjen e tyre deri në arritjen e qëllimit, edhe nëse duhet të ecin edhe 100 vjet derisa të arrijnë në Çamëri. Problemi i shqiptarëve çam— i pazgjidhur— është turp për Greqinë, shqiptarët dhe krejt njerëzimin. Zgjidhja e tij është fitore e grekëve, shqiptarëve dhe njerëzimit mbarë.
Grekët ngulmojnë që çamët u dëbuan sepse bashkëpunuan me pushtuesit nazi-fashistë. Por kjo nuk është e vërtetë dhe nuk justifikon pogromin gjenocidal. Sigurisht që grekët nuk kontrollojnë monopolin e gabimeve, ngase gabime, sidomos gjatë periudhës kur nazi-fashistët ishin armiq edhe të grekëve edhe të shqiptarëve, kanë bërë edhe një pakicë çame. Por burimet gjermane nga koha e Luftës së Dytë Botërore vërtetojnë që realizuesi i masakrave kundër çamëve gjenerali Napoleon Zervas ka bashkëpunuar dhe vetë për një kohë me nazistët okupatorë. Pyetja që duhet shtruar të gjithë akuzuesve për kolaboracionizëm të shqiptarëve çam është se si paskan qenë Sali Bollati 7, vëllai i tij i pushkatuar 13 apo motra 2vjeçe bashkëpunëtorë me sulmuesit nazi-fashistë?! Pastaj pse u ekzekutuan dhe ndoqën të gjithë çamët e besimit islam; pse nuk u hodhën në gjyq ku mund të dëshmohej (pa)fajësia e tyre?! Grekët dhe shumë popuj tjerë të Ballkanit kanë vështirësi ta konceptojnë faktin se një popull mund të jetë multifetar. E po ja që mundet dhe është më mirë të jetë ashtu. Ne shqiptarët jemi. Çamët nuk kanë shikuar dallimet fetare fare: p.sh.fiset e Rojbatëve, Kleftatëve apo familja shumë e pasur e Pronjove janë të përziera me martesa të çamëve ortodoksë dhe atyre myslimanë për breza e breza.
Bota dhe njerëzimi bashkëkohor ka filluar t’i korrigjojë gabimet e të kaluarës. Problemi çam është i shpaluar para ndërgjegjes së njerëzimit. Qeveritë e Greqisë dhe Shqipërisë duhet të trajtojnë atë seriozisht. Refugjatët çam nuk mund të mbesin refugjatë të përjetshëm. Udhëtimi i kthimit të tyre në shtëpi nuk mund të zgjas përgjithmonë. Sali Bollati luftoi 67 vjet të kthehej dhe vetëm shihte shtëpinë e tij. Pasardhësit e tij dhe të të gjithë çamëve, me përkrahjen dhe ndihmën e të gjithë njerëzve me ndjenjën për drejtësi, nuk do të ndalen deri në ditën që të gjithë çamët do të marrin prapa pasuritë e tyre. Shkrimtari amerikan Ernest Hemingway e ka një proverb lapidar që thotë:“Njeriun mund ta asgjësosh por nuk mund ta mundësh”. Sali Bollati dhe të ndjekurit nga Çamëria janë prova të vërtetësisë së aksiomës së Hemingwayt dhe ata do të kthehen në Çamëri, edhe nëse udhëtimi i tyre për atje do të marrë edhe 100 vjet!
Presidenti Nishani takohet me Organizatën “Rrënjët shqiptare”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me 28 Shtator ishte i ftuar edhe nga Organizata “Rrёnjёt Shqiptare”, qё punon pёr promovimin e trashёgimisё kulturore shqiptare, pёr tё kremtuar pesёvjetorin e themelimit tё saj.
Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit shqiptar iu drejtua të pranishmëve me këtë fjalim:
“Të dashur bashkatdhetarë,
Motra e vëllezër,
Zonja e zotërinj,
Dëshiroj t`ju falënderoj për ftesën dhe atmosferën vëllazërore, qe keni krijuar për mua dhe delegacionin shqiptar. Ju uroj, nga zemra pesëvjetorin e krijimit të organizatës tuaj me emrin kuptimplotë ‘rrënjët shqiptare’, këtij institucioni të komunitetit shqiptaro-amerikan, të ri në moshë, por me efikasitetin e një organizate të pjekur.
Vij gjithmonë me shumë kënaqësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka disa arsye për këtë.
Shtetet e Bashkuara janë miku më i ngushtë historik për kombin shqiptar, që na qëndroi gjithmonë pranë, pa kushte, në luftën tonë për mbijetesë, në betejën tonë të pareshtur për liri dhe demokraci. Ata janë aleati besnik dhe partneri ynë strategjik, më të cilin na bashkojnë vlerat e përbashkëta dhe përballimi i sfidave në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në një botë të ngarkuar me kërcënime të reja dhe të vjetra..
Amerika është vendi dhe avokati më i madh i lirisë dhe demokracisë në botë. Ky është atdheu i njerëzve të lirë, me mundësi të panumërta dhe që ofron shanse të barabarta për këdo, pavarësisht origjinës. Këtu diversiteti kulturor, fetar dhe racor është i prekshëm. Ai i jep forcë dhe e bën unikal këtë vend. Eshtë, njëherazi, modeli frymëzues për botën e së ardhmes.
Unë pres me padurim të vij në Shtetet e Bashkuara, sepse këtu jeton një diasporë aktive, plotësisht e integruar në shoqërinë amerikane, që ndërton jetën dhe prosperitetin e saj me sukses, duke shfrytëzuar hapësirën e pafundme të demokracisë amerikane dhe duke kontribuar për këtë vend.
Ju jeni të suksesshëm edhe për një arsye tjetër. Ju mbartni brenda vetes virtytet dhe traditat më të mira që burojnë nga rrënjët tuaja shqiptare. Ato janë të vjetra, të forta dhe ju japin personalitetin e origjinës së një populli të lashtë, popullit nga gjiri i të cilit dolën Papa Klementi XI, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Vaso Pasha, At. Gjergj Fishta, Faik Konica dhe Fan Noli, Nënë Tereza, Ferid Murad, Ismail Kadare, Jim dhe John Belushi e shumë e shumë të tjerë. Ju jeni krenar për atë që paraardhësit tuaj, me rrënjë shqiptare, bënë gjatë periudhës së Holokaustit, në mbrojtje të hebrenjve, për bashkëjetesën dhe dialogun fetar të trashëguar brez pas brezi, për kulturën e pasur dhe historinë e njërit prej popujve më të vjetër në Evropë, nga vijnë rrënjët tuaja.
Ju përgëzoj që ruani rrënjët shqiptare. Kështu i shërbeni vetes, gjeneratave shqiptaro-amerikane që do të vijnë, thesarit multikulturor të Shteteve të Bashkuara. Por, mbi të gjitha, kështu i shërbeni Shqipërisë dhe shqiptarëve, forcimit të lidhjeve shqiptaro-amerikane.
Më lejoni, ta mbyll këtë mesazh, duke i uruar “Rrënjëve shqiptare” punë të mbarë dhe suksese në punën dhe misionin e saj fisnik.
Ju faleminderit!”
*28 shtator 2014-New York
KESHILLI KOMBETAR SHQIPTARO-AMERIKAN NDEROHET ME URDHERIN”GJERGJ KASTRIOTI”
Presidenti i Shqipërisë zoti Bujar Nishani ka dekoruar KKSHA-në me urdhërin “Gjergj Kastrioti” si dhe me “Nderi i Kombit” aktivistët: Anthony Athanas (pas vdekjes), Nikolla Pano, Harry Bajraktari, Richard Lukaj dhe Jim Xhema./
NGA BEQIR SINA, New York City/
BIG APPLE NYC : Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Nju Jork, nderoi mbrëmë në lokalin e njohur Russian Tea Room në Nju Jork, me medalje dhe urdhra një organizatë dhe 5 personalitete të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë.
Në një ceremoni të organizuar nga Misioni i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, zoti Nishani falenderoi dhe vlerësoi lart kontributin e shqiptarëve të Amerikës, në dobi të çështjes kombëtare si dhe nderoi me këtë rast figurat e shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe sidomos disa personalitete të dalluara në diasporë, për kontributin e tyre në çështjen kombëtare.
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me këtë rast u shprehu mirënjohjen shqiptaro-amerikanëve për ndihmesën e tyre në krijimin dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar, pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës, për lirinë dhe demokracinë, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Maqedoni dhe në afrimin më të madh mes shqiptarëve dhe popullit amerikan.
Në fillim të fjalës së tij duke thënë se vizita e tij në vendin më të madh të demokracisë, e ka inspiruar gjithmonë, atë, ai tha:
“Andaj e ndjejë si obligim ta përsërisë kënaqësin time dhe të vendit timë – Shqipërisë, dhe të gjithë shqiptarëve për rolin dhe kontributin historik të gjithë diasporës shqiptare në SHBA – për të mbështetur fort të gjitha çështjet kombëtare shqiptare – Pavarësinë e Shqipërisë , pavarësinë e Kosovës për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni , Luginënë e Preshevës në Mal të Zi dhe kudo ku janë shqiptarët”.
Zoti Nishani tha se vlerësonte me nota të larta kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë në sfidat e vështira që kaloi kombi shqiptar në vitet e izolimit total komunist, sidomos në Shqipëri.
“Gjatë periudhës së izolimit të plotë absurd të Shqipërisë komuniste, shqiptarët e Amerikës ishin i vetmi zë që artikulonte interesat e shqiptarëve kudo në botë. Ata u kthyen në ambasadorë të aspiratave tona për liri dhe demokraci dhe zhvillim. Dhe, kurr nuk u dekurajuan nga sulmi plot vrer dhe itiketimet me baza ideologjike, që vinin në atë kohë nga elita komuniste.”
Ai foli më pas edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në përparimin e shqiptarëve në Ballkan, miqësin e madhe mes popullit amerikan dhe shqipëtar, kontributin historik të shqiptarëve të Amerikës të cilët tha Presidenti Nishani vendosën urat e lidhjes së kësaj miqësie, që i ka themelet e saj prej nga Presidenti Uillsion dhe deri në ditët e sotme.
“Sot është rasti të themi që jemi miku i madh dhe i përjetëshëm i SHBA, aleatë në NATO, jemi partnerë strategjikë, dhe jemi vazhdimisht në një bashkudhëtim që do ta çojë Shqipërinë në arritje të reja”.
Presidenti i Shqipërisë zoti Nishani falenderoi më pas dhe foli për figurat e shquara shqiptaro-amerikane, personalitetet e nderuara në mbrëmjen kushtuar shqiptarëve të Amerikës, duke dekoruar KKSHA-në me urdhërin “Gjergj Kastrioti” si dhe me “Nderi i Kombit” aktivistët: Anthony Athanas (pas vdekjes), Nikolla Pano, Harry Bajraktari, Richard Lukaj dhe Jim Xhema.
Gazeta shqiptaro amerikane Illyria shkruan sot se Presdenti Nishani u prezantua mbrëmë “Si një president i të gjithë shqiptarëve”
Mbasi si thotë editori i saj Ruben Avxhiu, në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti Nishani ishte gjithëpërfshirës, ndonëse urdhërat dhe nderimet po bëheshin në emër të shtetit të Shqipërisë, argumenti mbështetës ishte mbarëshqiptar.
“Nga fati i Kosovës, te shqiptarët e Preshevës, te faktori shtetformues në Maqedoni, apo te komuniteti në Malin e Zi, të gjithë u përmendën disa herë dhe në fakt, kontributi i atyre që u nderuan nuk është penguar nga kufijtë ekzistues. Ku ka pasur shqiptarë ka pasur një kauzë për të mbrojtur”, tha ai.
Në fakt, ndërsa profesori Pano dhe i ndjeri Athanas erdhën nga jugu i Shqipërisë, Jim Xhema është nga Lugina, Harry Bajraktari nga Kosova, ndërsa Richard Lukaj nga Mali i Zi. KKSHA që u nderua ka për President Bordi, një shqiptar nga Mali i Zi, Martin Shkreli, ndërsa zëvendës Ilir Rusin nga Dibra e shqiptarëve të Maqedonisë. Drejtori ekzekutiv është Avni Mustafaj nga Tropoja e zonat në Kosovë e Shqipëri.
Kështuqë në aktivitetin e të nderuarve nuk ka pasur dallime krahinore, fetare, ideologjike e partiake. Ka qenë një aktivitet kombëtar e qytetërues, demokratik e liridashës, në emër të paqes e begatisë.
Presidenti Nishani vlerësoi faktin që shqiptarët e Amerikës nuk e humbën shpresën dhe përkushtimin, as në 50 vitet që vetë Shqipëria i la jashtë, në kohën e sundimit komunist. Ai u tha të pranishmëve se shteti dhe shoqëria shqiptare u mbetet mirënjohëse shqiptarëve të Amërikës për gjithshka që kanë bërë.
Presidenti Nishani e dekoroi KKSHA-në (National Albanian American Council) me urdhërin “Gjergj Kastrioti”, për të vijuar më pas me nderimin e pesë individëve të tjerë, veprimtaria e të cilëve në periudha të caktuara lidhet gjithashtu me këtë organizatë.
Antoni Athanasin (Pas vdekjes) me motivacionin: “Veprimtarit të shquar të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili gjithë jetën qëndroi i lidhur fort me fatet e kombit dhe të vendit të tij e që derën e mbajti hapur për këdo bashkëkombës që kishte nevojë për mbështetje dhe ndihmë – Për kontribut të çmuar në zgjerimin dhe forcimin e veprimtarisë së Federatës “VATRA”, për ruajtjen e frymës kombëtare tek shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të përkushtimit të tyre ndaj vendit amë”.
Harry Bajraktari ka qenë qysh në vitet e para e deri sot, një nga figurat më të angazhuara. Themelues i gazetës “Illyria” dhe biznesmen i suksesshëm, ai ia përkushtoi suksesin e tij veprimtarisë lobuese në Ëashington.
Ai kujtoi se sa e panjohur ishte kauza shqiptare 25 vjet më parë kur bashkë me miqtë e tij kishte filluar angazhimin e drejtpërdrejtë në kryeqytetin amerikan për të edukuar politikanët e diplomatët amerikanë me të vërtetën për shqiptarët dhe Ballkanin.
Harry Bajraktari përmendi në veçanti kongresistin Eliot Engel me të cilin kanë tashmë një bashkëpunim prej një çerekshekulli si shembull të miqve të rëndësishëm që shqiptarët bënë në Ëashington e me të cilët bashkëpunuan në vite.
Vetë kongresisti Engel që kishte ardhur për të ndjekur ceremoninë, mori fjalën dhe kujtoi takimin e tij të parë me Harry Bajraktarin dhe bisedën e tyre të parë për Kosovën.
Engel, ky “Amerikano-Shqiptar” siç e etiketoi Presidenti Nishani, është tashmë një figurë e pandarë e veprimtarisë shqiptare në SHBA.
Edhe Avni Mustafaj nga KKSHA kujtoi një episod udhëtimi me Engelin dhe bashkëkryetaren e asaj kohe të Kaukusit Shqiptar në Kongresin Amerikan, një grup kongresistësh të themeluar nga Engel, që vepron edhe sot.
I jashtëzakonshëm në kontribute po kurrë i gjendur në ndonjë podium, aktivisti Jim Xhema nuk u pa të merrte çmimin dhe nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Mirëpo, më i riu në moshë nga të nderuarit, Richard Lukaj, e quajti gati të pabesueshëm që po shpallej “Nderi i Kombit”. Bankieri i njohur që priti pak ditë më parë në shtëpinë e tij, zv-presidentin Joe Biden, kujtoi edhe ai angazhimin e hershëm dhe takimin me Anthony Athanas, një takim të cilin e kishte shtyrë nga droja për të takuar një njeri aq të njohur dhe pastaj kishte zbuluar se ai jo vetëm që e njihte por kishte pasur dëshirën vetë që ta takonte.
Në kontrast prej tij, djali i madh i Anthony Athanas-it e pranoi nderimin e babait pa bërë asnjë koment.
Profesor Nikolla Pano e plotësonte të mozaik figurash të komunitetit. Eksperti i çështjeve shqiptare dhe studiuesi serioz ka një kontribut të gjatë në jetën e komunitetit dhe tëakademisë amerikane. Tashmë në pension pas një karriere të gjatë, ai foli në shqip, me emocion, duke marrë nderimin dhe duke premtuar se do të mbetej krenar që ishte shqiptar deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Për këta njerëz, shqiptarët dhe Shqipëria janë një, pavarësisht kufijve shtetërorë e ndarjeve të tjera. Ky sentiment shprehej më së miri në fjalët e Harry Bajraktarit kushtuar këtij nderimi.
“Vendlindja ime ishte jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë ndërsa unë u rrita në Amerikë. Por, Shqipëria ka qenë gjithnjë në zemrën dhe shpirtin tim dhe gjithmonë jam prezantuar me krenari si Shqiptar”, tha ai. “Historia na ka ndarë në disa shtete për më shumë se 100, po kemi mbetur të bashkuar si një komb, një shpirt dhe në vizion”.
Shembull i kësaj ishte edhe fakti që një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Kosova merrte urdhërin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë.
Kjo ceremoni u mbyllë kur pothuajse çdo i pranishëm “rrëmbeu” një fotografi kujtime të paharruar me çfitin presidencial Bujar e Odeta Nishani si dhe me performinin e dy artistëve të mirënjohur të komunitetit të cilët do të riktheheshin në skenë për të ofruar një repertor muzikor që do ta mbyllte mbrëmjen me klasin që u shkon ceremonive të tilla presidenciale.
FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES “VATRA” U DEKORUA ME “URDHËRIN E FLAMURIT”
Ndërkohë që VATRA u dekorua me dekoratën më të lartë të Shtetit Shqiptar, residenti i nderit i Vatrës, Agim Karagjozi dhe Kryetari aktual i VATRES Gjon BUcaj, u dekoruan me Urdhërin”Nderi i KOMBIT”/
Në mbrëmjen e së shtunës së 27 Shtatorit, në restorantin e njohur MAESTROS, vatranët dhe 15 shoqata të komunitetit shqiptar, pritën bujarisht presidentin e Republikës së Shqipërisë zotin Bujar Nishani.
Zotit Nishani ia uroi mirëseardhjen nën/kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj.
Në fjalën e hapjes, z. Rexhaj, duke iu drejtuar të pranishmëve tha:” Më lejoni që në emërin tuaj t’ia urojmë mirëseradhjen Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Bujar NISHANI dhe Delegacioneve që e shoqërojnë:
MIRËSE ERDHËT ZOTI PRESIDENT!
Është kënaqësi që në këtë darkë, vijon tradita 104 Vjecare e Federatës Vatra, më e vjetra, më historikja e Kombit, ku bashkësitë Fetare janë së bashku, Luten së bashku, duke përcjellë kështu, traditën e tolerancës dhe vëllazërimit ndërfetar, traditë që edhe Papa Francesku, e potencoi dhe e ngriti aq lartë, gjatë dhe pas vizitës së tij të suksesshme në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë Etnike.
Po ashtu Vatra ndjehet mirë që në këtë mbrëmje përfaqësohen përvec saj edhe shoqatat e New Yorkut dhe më gjërë si: Shoqata Camëria,Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe, Fondacioni Plavë e Guci, Levizja e Legalitetit,New York, Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe” Detroit, Shoqata Atdhetare “Ana e malit” New York, Fondacioni “Dedë Gjo Luli” në New York,Fondacioni “Dom Simon Filipaj” -New York, Fondacioni Humanitar “Malësia” në New York, Shoqata Atdhetare “Kraja” New York, Shoqata Atdhetare”Ulqini” Chikago, Shoqata “Rugova” në New York, Shoqata Kelmendi, Shoqata e Shkrimtareve etj. Pra e gjithë Shqipëria Etnike sic e ka ba Zoti ndodhet sonte këtu në këtë darkë bujare, duke përcjellë mesazhin e Kombit të bashkuar.
Kam nderin dhe privilegjin e vecantë që në emër të Vatrës dhe Vatranëve nga Amerika dhe Kanadaja, si dhe të gjitha shoqatave t’i uroj mirëseardhjen Zotit President dhe delegacioneve të vendlindjes. Mirë se keni ardhë në vendin e mikut më të madh të Popullit dhe Kombit Shqiptar, në Amerikën e Presidentit Ëillson, Klinton, Bush, që na janë gjendur në caste të vështira dhe kanë kontribut të vecantë në ekzistencën e Kombit Shqiptar.
Më pas ai ftoi koordinatoren e kësaj mbrëmjeje, studenten e dalluar shqiptaro-amerikane, fituese e një bursi të Fondit të Studentëve të Vatrës dhe së fundi përfituese e Fondit prestigjioz FulBright, zonjushën KRISELA KARAJA.
Më pas darkën e ka drejtuar studentja Krisela Karaja, e cila pas prezantimit të mysafirëve, ka ftuar pjesmarrësit që të ngrihen në këmbë dhe të përcjellin Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe të Hymnin Kombëtar Shqiptar.
Më pas:Një minut Heshtje për të rënët e Kombit!
Imam Edin Gjoni ka përcjellë Lutjen Fetare në emër të tre besimeve Fetare, rit ky tradicional i Vatrës që prej 104 vitesh.
Fjalën përshëndetëse në emër të Vatrës dhe të gjitha shoqatave e ka mbajtë Kryetari i Shoqatës CAMËRIA, Fuat Mamo.
Më pas ka përshëndetur Diplomati nga Kosova Korab Mushkolaj.
Presidenti Nishani ka fituar duartrokitjet e qindra pjesmarërsve tek ka vlerësuar diasporën shqiptare, Vatrën Historike dhe fjala e tij u shoqërua me duartrokitje të zgjatura.(Të plotë do të publikohet në Diellin e printuar)
Casti kulmor i mbrëmjes ishte dekorimi i Vatrës nga Presidenti Bujar Nishani me dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë” URDHËERI I FLAMURIT”. Po ashtu u dekorua me “Nderi i KOMBIT” Kryetari i nderit i VATRËS z. Agim KARAGJOZI dhe kryetari aktual Gjon BUCAJ. Duke marrë dekoratën e lartë, kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Bucaj, tha:
I nderuem z. President,
Në emën tim, të bashkëpuntorëve të mij dhe të gjithë vatranëvet dhe të dashamirëve te VATRËS, Ju shpreh mirënjohjen e thellë për nderimin që Ju i bani kësaj organizate 102 vjeçare, me dekoratën ma të lartë, Urdhëri i Flamurit Kombëtar, të cilën e marrim në dorëzim me krenari, si vlersim për ata patriotë të mëdhaj që e themeluen në frymën e atdhedashunisë dhe mbi bazat e demokracisë amerikane, dhe për të gjithë ata që e mbajtën pandërpremje në shërbim të kombit e të atdheut.
Për vatranët e sotëm dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan në përgjithësi, ky çmim prestigjoz na vjen edhe si mbështetje e fortë morale, në përpjekjet tona per t’a rritë dhe fuqizue Vatrën, që të mundet me i shërbye me dobi ma efektive çashtjes kombëtare. Me forcën morale dhe me prestigjin që i jep trashigimia e vet historike, ky institucion duhet të shfrytzohet për dobinë e kombit, me nji platformë që në rend të parë synon bashkimin e kombit dhe ecjen e tij drejt integrimit europjan, fitoren dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëvet që jetojnë në trojet e veta në shtetet për rreth, me nji përkushtim të veçantë për zgjidhjen e çashtjes çame.
Me këtë rast due të përshëndes të gjithë vatranët që, në këto dekadat e fundit, e kanë mbajtë Vatrën me përkushtim e sakrifica, si edhe vatranët e rij që po shtohen dita-ditës dhe që ata do t’ua përcjellin atë, të forte e të shëndoshtë, breznive të ardhshme.
********
Përsa i përket dekoratës time, Z. President, kjo më vjen si nji e papritun shumë e kandëshme, nji nderim i madh, për të cilin ju jam thellësisht mirënjohës, por edhe si nji obligim për t’u kujtue gjithmonë se shërbimi dhe nderimi për kombin janë detyra të vazhdueshme.
Gëzimin për këtë dekorim e shton fakti se, në këtë vit, me propozimin e VATRËS, do të dekoroni edhe vatranët që ranë viktima të pafajshme të regjimit gjakatar komunist.
Këtë nderim të sotem due t’a ndaj me bashkëpuntorët e mij dhe me të gjithë vatranët, si të hershmit për punën e përbashkët gjatë katër dekadave të fundit, ndër ta zoti Agim Karagjozi të cilin ju e dekoronii sonte me plot meritë, ashtu edhe me vatranët e rij që tash 3-4 vite i janë bashkue dhe gjithnji vazhdojnë t’i bashkohen VATRËS, tue krijue degë të reja në vendet ku banojnë shqiptarë në ShBA dhe ne Kanada, me vullnetin e fortë dhe me dëshirën për t’i shërbye çashtjes kombëtare me emnin dhe potecialin e saj. Jam i sigurtë se shumë prej tyne do të nderohen me çmime e dekorata të meritueme në të ardhmen.
Në anën përsonale, e ndjej nevojën me përmendë me krenari e mirënjohje farefisin tim dhe të gjithë banorët e katundin Arst, i ngjitun bashkë me Miliska, ku kam lindë dhe kam kalue fëmininë e parë, banorë të vorfën por fisnikë si të gjitha malsinat tona. E kujtoj me mall e mirënjohje Nanën, ndjesë pastë, që me ka dhanë bekimin me u largue në moshë të re, në kërkim të shkollimit, megjithë nevojën që kishte për ndimën e ma të madhit me i rritë katër fëmijt e mbetun heret pa babë.
Fati më ka sjellë me pasë mësuesa të mirë, shokë, miq te moshuem e të ri, në shtegtimin e gjatë prej vendlindjes, në Shkodër, ne Kosovë, në Itali dhe këtu në Amerikë, që kanë ndikue në formimin tim, me etjen për dituni dhe me frymën e atdhedashunisë. Tash jam bashkshort dhe prind i lumtun, dhe përjetoj gëzim të pafund kur ndëgjoj thirrjet në gjuhën shqipe: “Baba Gjysh, të due shumë”.
Në emër të z. Agim Karagjozi ka falenderuar i biri, Zuhdi Karagjozi dhe e bija.
Të pranishmit u argëtuan nga DJ Bujar Uka me bashkëshorten Anila , ndërsa Shoqëria Kulturore KELMENDI dhe Bashkimi Kombëtar, sollën Shqipërinë në sallën e mbrëmjes.
Deri në mesnatë ka vazhduar darka me këngë e valle shqiptare.(Me gjërë do të lexoni në Diellin e Printuar).
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 57
- Next Page »