• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2014

KRISTO KIRKA- Me mision në Stamboll

September 6, 2014 by dgreca

Nga Uran BUTKA*/
Shpallja e Kishës Autoqefale Shqiptare ishte një arritje kombëtare. Por, sipas rregullave kishëtare, duhej të njihej edhe nga Patriarkana. U vendos që një përfaqësi e Kishës Autoqefale të Shqipërisë të shkonte për bisedime me patriarkun e Kishës Ikumenike në Stamboll. Një komision kleriko-laik me në krye at Vasil Markon, kryetar i Këshillës së Lartë Kishëtare dhe i përbërë prej kryetarit të bashkisë së Korçës, Vasil Avramit, at Harallamb Tarkës, Thoma Orollogait, Dhosi Havjarit, Simon Shuteriqit dhe deputetëve Kristo Kirka e Dhimitër Kacimbo, u zgjodh për të shkuar atje. Delegacioni kishte një përfaqësi të gjerë, sipas kërkesës së Patriarkut të Stambollit, që delegacioni të kishte edhe përfaqësues të shtetit.
Korçë, më 24 mars 1923
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
Këshilla e lartë Kishëtare
Zotit Kristo Kirka
I nderuar Zot,
Ju bëjmë të njohur se Këshilla e Lartë Kishëtare, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, që bëri më 14 të këtij muaji për punën e zgjedhjes së komisionit, i cili do të dërgohet këto ditë në Patriarkin Ikumenike, për të bërë përçapjet e duhura përsa i përket çështjes së kishës sonë, e pa të pëlqyer t’ju zgjedhë anëtar të këtij komisioni.
Besojmë se kini për ta pranuar këtë detyrë të shenjtë dhe se do të përpiqi me tërë fuqitë tuaja, duke mbrojtur interesat e kësaj kishe, në bazë të statutit të Beratit, të siguroni për Kishën tonë Autoqefale nga Kisha e Madhe gjithë sa kanë siguruar edhe kishat e tjera simotra të Ballkanit.
Përfundoj me bekime dhe duke pritur përgjigjen tuaj,

Kryetari i Këshillës së Lartë Kishëtare
Ikonom at Vasil Marko

Ministri i punëve të Jashtme, Pandeli Evangjeli, e pajisi Kriston me pasaportë diplomatike si deputet, për të udhëtuar për në Kostandinopojë.
Facsimile 11( Kopje e pasaportës)
Kristoja pranoi me kënaqësi të madhe, sepse ky do të ishte hapi i fundit për kurorëzimin e Kishës së Pavarur Ortodokse Shqiptare.

“Ishte një veprim i guximshëm, me kokën në torbë, si i thonë fjalës, në gojën e ujkut, – kujtonte Kristo Kirka. – Aty ishte strofka e armiqve tradicionalë të Shqipërisë, nga ishin thurrur aq shumë intriga e platforma antishqiptare. Udhëtuam me vapor. Ishte një udhëim i bukur, por kur hymë në lagjen e Fanarit, ndjemë një pështjellim të rëndë. Godina e madhe e Patriarkanës, sikur të shtypte me ato mure të lartë e të heshtur, që mbanin brenda tyre aq shumë të fshehta të frikëshme.
Na futën në një sallë të madhe, zhytur në një gjysmerrësirë. Ishte një atmosferë e zymtë, angushti. Ajri ishte i rënduar nga era e temjanit dhe e qirinjve të djegur. Në krye, në një poltronë të lartë, rrinte Patriarku Ikumenik, i rrethuar nga shumë klerikë të lartë dhe priftërinj shërbestarë.
At Vasil Marko, në emër të Këshillës së Lartë Kishëtare, i paraqiti kërkesën për njohjen e kishës sonë autoqefale, duke parashtruar argumentet, si edhe dokumentet e Kongresit të Beratit dhe të dekretimit nga ana e shtetit shqiptar.
Patriarku na dëgjoi me vëmendje, mandej, me mospërfillje, na u përgjigj:
“Keni vepruar në kundërshtim me vullnetin e Zotit dhe urdhrat tona, kështu që ne nuk e njohim kishën tuaj të vetëshpallur. Autoqefale mund të jetë, vetëm nëse e dekretojmë ne me Tomos të veçantë. Ndryshe, është sakrilegj.”
Kjo përgjigje na indinjoi, por e mbajtëm veten. Sotir Peci e mori fjalën dhe foli me një urtësi e kulturë të admirueshme. Ai foli për vlerat universale të krishtërimit dhe për detyrat e kishës për t’i përcjellë ato tek njerëzit. Po shqiptarët nuk e kuptojnë gjuhën greke, nuk i marrin vesh predikimet kishëtare në atë gjuhë, as ungjillin, as meshën, as pagëzimin, as kurorëzimin, as përshpirtjen. Përse të mos i bëjmë në gjuhën tonë këto rite, për të qenë të krishterë të devotshëm?
Unë fola pak për themelimin e kishës shqiptare në Amerikë dhe për shërbimet që u solli ajo shqiptarëve ortodoksë. “Jemi kthyer në Shqipëri për ta vazhduar këtë mision të shenjtë. Tani që kemi shtetin tonë të pavarur, duhet të kemi edhe kishën tonë të pavarur, siç e kanë edhe vendet e tjerë” – përfundova unë.
Po Patriarku sërish mohoi. Mund të bisedojmë për një autonomi të kishës, por jo autoqefali, – tha ai.
Atëherë, at Vasili nuk vonoi: “Hirësi, ne erdhëm në selinë e shenjtë me mendimin se do të kishit mirëkuptim për çështjen tonë të drejtë. Por ju, për interesa jashtëfetare dhe në kundërshtim me nomet dhe frymën e besimit tonë të krishterë, po vazhdoni me historinë e vjetër. Por kohët kanë ndryshuar. Duhet ta dini mirë se kisha jonë tanimë është autoqefale dhe do të jetë e tillë në jetë të jetëve. Meqenëse ju po thoni se nuk na njihni, edhe ne po ua themi troç, që në këto kushte, edhe ne nuk ju njohim!”
Kjo ishte një shuplakë e fortë, për ata që ishin mësuar me bindje dhe nënshtrim të verbër. U kthyem shpinën dhe ikëm nga ajo botë e errësirës dhe e mallkimit. Por, gjithsesi, vizita dhe fjalët tona nuk mbetën në ajër, ato e bënë efektin e tyre dhe, në mos ai patriark, tjetri që do të vinte pas tij, do ta njihte faktin e kryer. Ne e bëmë detyrën tonë”
Për këtë akt kombëtar, Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë e dekretoi Kristo Kirkën dhe pjesëtarët e tjerë të Komisionit kishëtar që shkoi në Stamboll, me një dekoratë të veçantë nderi.
* Fragmenti eshte marre nga libri”Kristo Kirka” i autorit Uran Butka, Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për esenë në vitin 2012- Vepra eseistike “Kristo Kirka”, me motivacionin:-“Për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Kristo Kirka-Me sherbim, ne Stamboll, Uran Butka

DJALI DHE PLEPI

September 6, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku/
Ai ishte vetëm nëntë vjeç dhe mblidhte kanaçe. Kishte një biçikletë të vjetër, ku zhurmonte tringëllima e zinxhirit të ndryshkur, sikur të ishin zorrët e një endacaku të uritur. Kur kanaçembledhësit e mëdhenj e takonin shikonin në rrugë, e vështronin me përçmim dhe e shanin, sepse u kishte hyrë në pjesë. Hija e tij e vogël tkurrej më shumë dhe i jepte me shpejtësi biçikletës, të dilte jashtë rrezes së trazuar me vranësira .Ishte i shkurtër i dobët, ezmer, me dy vetulla që rrinin përherë të mbledhura, si dy shpate mali që ciknin majat e njëra-tjetrës. Flokët e zinj me baluke mbi ballë, sytë e vëmendshëm dhe veshët që reagonin ndaj çdo tingulli të vogël metali, të linin përshtypjen e një djali të vogël, që fati e kishte paracaktuar të bëhej i madh, duke mbajtur përgjegjësi të rëndë mbi supet e brishta, të siguronte ushqimin për pesë motrat dhe nënën e sëmurë. Pluhuri i rrugës, djersa dhe era e keqe e shoqëronin nëpër labirintet e orëve të ditës. Babai i tij ishte një pijanec i alkolizuar dhe asnjëherë nuk dihej ku ndodhej. Ai lypte dhe ato pak para që mblidhte, i blinte alkol. Djali i vogël jetonte në mes të botës së ëndrrave fëmijërore dhe realitetit të ashpër. Ah sikur të mund të ndryshonte fatin e tij, pikërisht si me shkopin magjik të Zanës, të jetonte në një shtëpi të bukur dhe me ushqim të bollshëm. I dukej shumë herë, se qielli disa i mbante me hatër, kurse atë e kishte dënuar. Njëherë tjetër mendja e tij prej fëmije imagjinonte, sikur biçikleta e tij të fluturonte dhe të ishte një magnet që të tërhiqte çdo metal në kazanët e mbeturinave. Në të dalë të qytetit, pikërisht atje ku shinat e trenit kishin marrë ngjyrën e lëkurës së gjarprit, kur e zhvesh dhe e lë në pluhurin e fatit, ishin katër kazanë të mëdhenj… Ishin thuajse bosh, sepse plehrat përreth tyre, përhapeshin nga qentë e natës. Kjo zonë, më parë i përkiste fshatit, ndërsa tani qytetit. Në të djathtë, pesëdhjetë metra më tej, kishte disa plepa të vjetër. Tek një plep i përkulur si ombrellë, djali ulej dhe çlodhej. I pëlqente të shikonte gjethet shtrirë, rrezet që depërtonin nga sytë jeshil të gjetheve dhe të kaltrën e dritës qiellore. Drejtonte gishtin tregues lartë dhe vizatonte konturet e gjetheve dritën, hijet e gjithçka që imagjinonte mendja e tij e vogël… Gjithmonë i mërmëriste plepit: “A ka djalë tjetër që vuan kaq sa unë?… Sa më pëlqen të shkoj në shkollë, të kem libra, ngjyra, të të pikturojë ty, të loz me top me shokë!….Por ah..duhet të punojë” Më pas vazhdonte ecejaket me biçikletë në kërkim të tingullit të artë, derisa dielli fshihej pas shallit të vjetër të horizontit. Peshonte kanaçet e vogla, merrte paratë dhe shkonte tek minimarketi i lagjes. Aty përherë blinte bukë, një kulaç të kuq për vete, pesë karamele për të pesë motrat dhe pak djathë të lirë. Shkonte te markato e madhe, sepse ishte koha kur pastrueset shkarkonin koshat me frutat dhe zarzavatet gjysmë të kalbura. Mund të mblidhte disa, që nëna e tij mund t’i gatuante. Të paktën këtu nuk kishte konkurrencë dhe sharje, por vështrime keqardhëse. Në darkë nëna i puthte duart dhe ia lante me lot dashurie. Motrat e vogla e rrethonin dhe e puthnin në shenjë falënderimi. Atëherë, gjithë mundimi dhe lodhja i largoheshin dhe ky ishte një çast që nuk e ndërronte me asgjë në botë.
-Vëlla, do më blesh një kukull me shtëpi kur të teprojnë lekët?-u dëgjua zëri i Mikenës trevjeçare.
-Do të blej ndonjë ditë -i tha i vëllai. Ajo iu hodh në qafë dhe i tha:
-Të kam shumë xhan…
-Edhe unë Genush…
Të nesërmen drita e bardhë e agimit, nuk e po e zgjonte s’i zakonisht, kur kërcente nga dritarja tek sytë e tij. Koha ishte e vranët. Megjithëse ishte mesi i korrikut, miniatura e ditës ishte pikturuar me bojën e errësirën së natës. Ai veshi këmishën e vjetër mori biçikletën dhe u nis. Mornica të ftohta i shkonin nëpër trup. Baraka e tyre e vjetër me zor mbahej në këmbë dhe purtekat prej balte ishin plasaritur. E gjithë bryma e ftohtë e natës depërtonte si një hije e lagësht brenda saj. ”Jam ftohur” mendoi djali dhe vazhdoi me zor rutinën e zakonshme. Një erë e marrë i uturinte tek veshët sikur donte t’a shurdhonte. Kur kaloi pranë kazanëve të mbeturinave në të dalë të qytetit, i zuri syri copëza të vogla tullash plastike të një shtëpie lodër të shpërndara sa andej–këndej. Qeskën me mbeturina e kishin hedhur fluturimthi, ndaj dhe lodrat gjysmat ishin jashtë dhe gjysmat brenda kazanit… Iu kujtua motra e vogël dhe filloi t’i mblidhte… Era pushoi dhe qetësia e stuhisë po e maste vendin pash më pash. Djali shikoi brenda kazanëve dhe në fund të tij pa kukullën. Zgjati shkopin e tij ta tërhiqte por ajo binte poshtë si për inat. Shiu kishte nisur të binte me flluska , dhe po e shtonte nxitimin e lojës së lagësht. Djali zgjati dorën në drejtim të kukullës dhe një “Ooooh!” e zgjatur i doli nga fyti. Ra duke u palosur më dysh brenda dhe goditi kokën. Trupi i tij i kequshqyer nuk mundi t’i bënte asnjë rezistencë forcës së rëndesës. U mblodh kruspull nga dhimbja dhe bota po i rrotullohej brenda atij kazani të qelbur. Dhimbja në kokë me erën e keqe i trazoi stomakun. Volli me shpërthim, duke nxjerrë thartirën e zorrëve nga goja dhe hunda njëherësh. Për momentin i bëhej sikur një qenie e padukshme po i priste dhe i tërhiqte gjithë zorrët e barkut. Nuk po mundej të frymonte. Hapi gojën dhe u përpoq të merrte frymë me gojë, por shukat e ajrit të ndotur nuk ia furnizonin dot trupin e sëmurë. Bota e madhe ishte zvogëluar brenda një drejtkëndëshi të qelbur. U mundua të ngrihej, por rrëshqiste në metalin e qelbur e lagështitur nga kalbja e mbeturinave. Rrebeshi ia shtoi dozën torturuese viktimës së tij. Teksa përpiqej për të dalë jashtë këtij kazani, djali ishte bërë qull nga shiu dhe më shumë dukej si një amfib i stërmadh në gjolin e plehrave. E gjithë bota përqark ishte shpopulluar nga qeniet njerëzore dhe ai po ndjente vetëm dhimbje vuajtjesh. Ethet e asaj dite dalëngadalë po i përpinin kockat, nëpërmjet dridhjeve gjarpëruese dhe kërcitjeve së dhëmbëve. Temperatura i shpërndau frymën e zjarrtë brenda lëkurës së drobitur… I dha edhe fuqitë e fundit trupit të vet, duke mbajtur kukullën me dhëmbë, dhe u zvarrit me duar derisa doli jashtë asaj vorbulle të tmerrshme. Tërhoqi këmbët e lagura me mundim deri tek plepi për t’u mbrojtur nga stuhia. Me sytë gjysmë të mbyllur, vuri re disa degë plepi që u përkulën për t’a mbrojtur nga stuhia. Për një çast, nuk ndjeu asnjë dhimbje. U ngrit lartë, i lehtë, si pupël ajri. Stuhia, shiu nuk e pengonin dot. Ai mund të fluturonte. Ndjesi të lumtura, kurrë s’i kish provuar më parë. Nuk e dinte në ishte zog, shpirt, apo engjëll, por dinte që kishte një impuls lumturie, një sinjal ekstaze, dhe do kishte vazhduar… Por dikush po përpiqej t’i hapte dorën që shtrëngonte kukullën…Një vajzë pothuaj në moshën e tij përpiqej t’i shkulte gishtërinjtë, për ti marrë kukullën. Ai hapi sytë duke vështruar rreth e përqark. Stuhia ishte fshehur dhe dielli me shigjetat e zjarrta kishte fshirë çdo gjurmë të saj. Djali nuk e lëshonte kukullën dhe po shikonte me hapi vajzën teksa klithte:
-Më jep kukullën time!… Ai më mori kukullën!- ajo filloi të qante… Një djalë tjetër i rritur me fytyrën më të zezë se katrani, i mori biçikletën dhe u bë erë. Një kalimtar i rastit, po i shikonte një copë here dhe vazhdoi rrugën e vet në heshtje…

Filed Under: Featured Tagged With: DJALI DHE PLEPI, Vjollca Pasku

DHJETË KËSHILLAT E PAPËS PËR TË QENË I LUMTUR

September 6, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Pak para disa ditësh lexova në median amerikane njoftime në lidhje me një intervistë që Papa Françesku kishte dhënë muajin e kaluar për gazetën Viva të Argjentinës, gjatë së cilës ai kishte rekomanduar dhjetë këshillat e tija bazuar në përvojën e tij, që ai thotë se po ti zbatojmë, do jemi më të lumtur në jetë. Ndonëse është fund jave dhe jemi si të thuash në vigjiljen e vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator, thashë me vete t’i ndajë me lexuesit, të cilët ndoshta nuk i kanë lexuar deri tani këto dhjetë këshilla të Papës, për të qenë i lumtur në jetë, pasi në fund të fundit, kush prej nesh nuk dëshiron të jetë i lumtur .
Me këshillat e tija, Papa në përgjithësi përpiqet të inkurajojë njerzit të kenë një qëndrim më pozitiv në jetë dhe të jenë më bujarë dhe zemërgjërë ndaj të tjerëve.
Këshillon gjithashtu familjet që të mos shikohet aq shumë televizion pasi nuk u jep antarëve të familjes mundësinë për të komunikuar me njëri tjetrin dhe propozon që njerzit të kërkojnë mënyra më të mira për të kaluar kohën e lirë. Ai tha se është zhdukur kënaqësia për të lexuar libra, njerëzit nuk lexojnë më, fatkeqsisht. Papa, madje rekomandon që të ndalohen përpjekjet për të bindur njerëzit që të përqafojnë
fenë tënde. Rekomandon që për arsye të jetës moderne shumë të ngjeshur, që të pushojmë më shumë, dhe të kalojmë më shumë kohë me familjen dhe të punojmë për paqë,sipas mediave të ndryshme amerikane që kanë botuar intervisten me këshillat e Papës për njerzit që duan të jenë më të lumtur në jetë. Disa prej këshillave të tjera përfshijnë mundësinë për të ndihmuar njerzit që kanë nevojë dhe
thotë se lumturia nevojitë përpjekjet e shoqërisë dhe të politikës për punësimin e të rinjve duke u gjetur atyre punë të dinjitetshme. Dhe mbi të gjitha, një ndër këshillat e Papës për të qenë i lumtur në jetë, është e nevojshme dhe rëndësishme që të respektohet besimi i të tjerve.
Ja edhe 10 këshillat e Papës dhënë gazetës argjentinase Viva, të përkëthyera shqip për ata, që sipas tij, dëshirojnë të jenë më të lumtur në këtë jetë:
1. Jeto jetën tënde ashtu si dëshiron vet, por lejo që edhe të tjerët të jetojnë si pas dëshirës së tyre. Të gjithë, tha Papa, duhet të udhëzohen dhe të jetojnë në bazë të këtij parimi.
2. Të jeshë bujar e zemërgjërë me të tjerët. Është e nevojshme, tha Papa, që njerëzit të jenë të sinqertë dhe bujarë ndaj të tjerëve. Në të kundërtën, shtoi ai, njerëzit rrezikojnë të bëhen egocentrik, duke u përqëndruar vetëm në nevojat e veta dhe askujt tjetër.
3. Përpiqu të jeshë i qetësuar në jetë. Reflekto mbi të kaluarën për të parë se si e ke kaluar jetën.
4. Që njeriu të ketë një kuptim më të shëndosh për pushim, për më shumë kohë të lirë. Papa tha se konsumarizmi i tepëruar ka sjellur shqetësime në shoqëri dhe u rekomandon prindërve që të caktojnë
kohë të posaçme për të luajtur me fëmijtë e tyre dhe që të mbyllin televizorin kur ulen rreth tavolinës për të ngrënë.
5. E Djela duhet të jetë ditë pushimi. Puntorët duhet të pushojnë të djelën, pasi sipas tij, e “Diela është për familje”.
6. Të gjënden mënyra të reja inovuese për të krijuar vende pune me dinjitet për të rinjët e të rejat. Duhet të jemi më të interesuar dhe më krijues për tu përballur me nevojat e rinisë, tha Papa për gazetën argjentinase, Viva.
7. Respekt dhe përkujdesje për natyrën. Degradimi i mjedisit, shtoi Papa Françesku, është një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetvetes, tha ai, është nëse, “njerëzimi po bën vetvrasje me përdorimin tiranik të natyrës dhe të burimeve të planetit, pa marrë parasyshë pasojat.”
8. Të mos jeshë negativ ndaj të tjerëve. Nevoja për të folur keq për të tjerët është në të vërtetë shënjë e mos respektit për vetveten, tha Papa. “Heqja dorë nga ndjenjat dhe qëndrimet negative ndaj të tjerëve sa më shpejt që të jetë e mundur, është shumë e shëndetshme për individin dhe njëkohsisht e bën njeriun më të lumtur, tha ai.
9. Mos u përpiq të këthesh dike në fenë tënde ose që të tjerët të pranojnë me doemos pikpamjet tua. Respekto besimin e të tjerëve!
Gjëja më e keqe, tha Papa, janë përpjekjet e tepëruara për të këthyer dike në fenë tënde. (“Don’t Proselytise: respect others’ beliefs”, ishin fjalët e Papës të përkthyera anglisht). Të tjerët tha ai, mund të frymëzohen nga shëmbulli ynë, po të duan. Çdo person, tha ai, dialogon duke filluar nga identiteti i vetvetes dhe se katolikët duhet të dialogojnë edhe me ata që nuk ndjekin besimin e tyre.
10. Puno për paqë. Jetojmë në një periudhë luftërash e konfliktesh dhe si përfundim duhet të ngrejmë zërin lartë në mbështetje të paqës.
Paqa nganjëherë le të nënkuptohet se është e qetë, por ajo në të vërtetë nuk është kurrë e qetë, tha Papa. Paqa është gjithmonë proaktive dhe dinamike, përfundoi Papa, duke u bërë thirrje njerëzve që të luajnë një rol më aktiv dhe më dinamik në zgjidhjen e konflikteve, anë e mbanë botës.
Këto ishin 10-këshillat e Papa Françeskut, dhënë azetës Viva të Argjentinës, për një jetë më të lumtur në këtë botë plot probleme. Por si individë kalimtarë në këtë botë edhe nëqoftse zbatojmë madje edhe vetëm një prej këtyre këshillave – përfshirë edhe ata që ndoshta nuk duan t’i marrin parasyshë seriozisht këto rekomandime pasi vijnë nga Papa – besoj se do të bëhemi njerëz më të mirë, jo vetëm për veten tonë, për familjen dhe shoqërinë ku jetojmë, por edhe për mbarë familjen e racës njerëzore dhe në proces, si përfundim, do të kontribojmë drejtë një jete më të lumtur, më të pasur dhe më të doemethënse për të gjithë.
Fund jave të këndshëm dhe jetë të lumtur, gjithmonë!

Filed Under: ESSE Tagged With: DHJETË KËSHILLAT E PAPËS, Frank shkreli, I LUMTUR, PËR TË QENË

HARADINAJ; ÇERTIFIKATE EVROPIANE PËR KOSOVËN…

September 6, 2014 by dgreca

Shkruan: Dëfrim CANI/Publicist,Studiues/ Tiranë/
Demokracinë si praktikë shtetërore, si qeverisje dhe si “rend” social e çertifikojnë rregulla të njohura, prej të cilëve përfitojnë individët, shoqëria, institucionet dhe bashkëpunimi gjithënivelësh. Në rendet totalitare, kjo praktikë ka qenë dhe është e pamundur, jo vetëm për shkakun e burimit doctrinarë ideologjik, mbi të cilin është ngritur shteti totalitarë, por dhe si praktikë e polarizimit të thellë të shoqërisë dhe parimit të luftës së klasave.
Në historinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përbën qëndrimin unikal të pranimit të rregullit demokratik, të parë brenda shoqërisë shqiptare dhe në raportin bashkëpunues me shoqërinë ndërkombëtare. Pas një akuze të njëanëshme dhe folklorike, të ngritur posaçërisht kundër tij dhe një rrethi të ngushtë bashkëpunëtorësh, pikërisht në momentin kyç të shtetit të ri të Kosovës dhe të karrierës së tij si kryeministër, Ramush Haradinaj i dha jetë dhe ambicie qytetare dimensionit demokratik, jo vetëm në Kosovë, por në Ballkan.
Përmes “dorzimit“ në Hagë, jo vetëm një herë, por dy herë, d.m.th, sa herë e deshi Haga, Ramush Haradinaj i bëri nderin më kapital Kosovës, në rrethanat më fondamentale që asaj i duhej, i bëri nder modelit të liderit politik dhe burrështetit, që drejton një vend të caktuar të sapodalë nga lufta, i bëri nder dhe çliroi nga kompleksi i forcës dhe paprekshmërisë nga drejtësia, duke e qytetëruar atë në kuptimin e të drejtës, njeriun me pushtetin që ai kishte atë rast, i bëri nder emrit shqiptar në hierarkinë e posedimit të vërtetës përballë drejtësisë.
Haradinaj nuk kapërceu vetëm vetveten, nuk kapërceu vetëm kultin e burrit trim dhe tradicional shqiptar, nuk kapërceu vetëm kutin e politikanit, por kapërceu realitetin tradicional ballkaniko- evropian. Duke besuar tek e drejta, Ai i çeli rrugë praktikës teorike – demokratike, se drejtësia është mbi të gjithë njerëzit, të çdo niveli qofshin ata.
Haradinaj e kapërceu emrin që ia ka thirrë nana dhe baba (Ramush) në djep, në fëmijëri dhe më vonë. Tashma ai thirret Haradinaj, thirret në mbiemër, me çfarë thirren njerëzit e shquar. E në emrin e tij të “ri”,- Haradinaj, simbolika e tij valorizuese, të njofton Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët dhe konceptin e tyre burrërorë, të kujton “mitin” e lirisë.
Për shërbimin kapital, që Haradinaj i ka bërë kohës shqiptare, rrugëtimit të gjatë shqiptarë në Botë, Kosovës dhe shqiptarëve, vetëm sa ka filluar:
-Ai rrëzoi mitin e mykur sllavo- serb, se shqiptarët nuk e njohin drejtësinë dhe se nuk i binden asaj,
-Ai rrëzoi akuzën e vjetër dhe të re të kundërshtarëve të shqiptarëve, se shqiptarët nuk janë bashkëpunues dhe se ata nuk njohin organizmat ndërkombëtarë,
-Ai përplotësoi ndërkombëtarisht të drejtën dhe luftën e UÇK-së për çështjen më jetikë të Kosovës, çështjen e çlirimit nga një pushtues, dhunues e barbarizues të njërit nga popujt më autokton të Ballkanit.
Haradinaj la detyrën e rëndësishme në Kosovë dhe iu bind thirrjes së Hagës. Askush qytetarë në botë nuk do ta rrespektonte me kaq qytetari dhe urtësi thirrjen për t’u gjykuar (në të vërtetë ai u thirr për t’u dënuar), por ai besoi dhe ylli i Kosovës shkëlqeu në përmasën ndërkombëtare, kur atë kërkuan ta groposnin.
Haradinaj la në kurthin e vet kundërshtarët historik të shqiptarëve, paragjykuesit ballkaniko- evropian, akuzë-ngritësit e tij për “krime lufte”, po ashtu dhe kundërshtarët e tij politik në Kosovë apo dhe Shqipëri.
Haradinaj është produkti më genetik i genit më të mirë tradicional dhe bashkëkohorë i shqiptarit, i cili në udhëtimin e tij historik s’ka harruar vatanin, lirinë dhe të drejtën. Rendi i Ri Demokratik në Botë është rendi i të drejtës dhe qytetarisë së saj.
Kush burrështeti në botë nuk do të ndjehej i suprizuar dhe nuk do ta mbështeste burrështetasin Haradinaj, i cili e ka dhënë provën e tij në të gjithë përmasën dhe nivelin e saj.
Sot, është mirë që Kosova e ka këtë Çertifikatë të Artë Europiane, në njërin nga liderët e saj si Haradinaj, ndër më aktivët dhe më të nevojshmit për Kosovën.

Tiranë, 5 shtator 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: certifikate, europiane, Haradinaj, per Kosoven

NJË FUNDVERE E TRISHTË

September 6, 2014 by dgreca

NGA ALEKO LIKAJ/
…Mesi i gushtit i vitit 1997 pati edhe një ngjarje të pazakontë atë verë në plazhin tonë të vogël buzë Adriatikut. Një vajzë e re fshati, e ardhur nuk e di se nga ç’rrethina, që ishin larg gati dy kilometra, u gjet e mbytur në orët e para të mëngjesit. Që nuk ishte pushuese, ashtu si ne hallexhinjtë e shumtë, që në atë vit të mbrapshtë të shqiptarëve, pas hapjes së depove ushtarake ku armët luftarake dolën sheshit, kuptohej edhe nga fakti që trupi i 20-vjeçares ishte tejet i bardhë dhe i paputhur nga dielli i asaj vere të çmendur. Ata që e panë ashtu pa jetë, te përkundej pranë bregut nga valët lozonjare, thanë se ishte e bukur si një yll edhe ashtu e vdekur. Dukej si një nuse e vërtetë në ditën e parë të dasmës së saj.
Ç’dasmë zeza. Pa e ditur se kush ishte ajo krijesë, që kishte përfunduar tragjikisht në një mënyrë të tillë, në bisedat tona ato ditë, tek rrotulloheshim për t’u pjekur në rërën e nxehtë të plazhit, hyri e mbeti si një histori që na tronditi e preku thellë në zemër, si ato që ishim mësuar të dëgjonim që nga pranvera e atij viti, i cili pa dyshim, ishte e mbeti i veçantë në jetën e gjithë shqiptarëve, që u bënë edhe pronarë kallashnikovësh.
Dy vjet më vonë vendosa të shkoj në plazh pas njëmijë e ca lutjeve të fëmijëve, që po më bëheshin burra dita – ditës, por edhe të gruas që po e bluante reumatizma, ngaqë njëzet vite të shkuara për më shumë se një duzinë kishte punuar si agronome baltërave të pafundme të Myzeqesë, duke i mbajtur në shumicën e rasteve këmbët të mbledhura me qese plastmasi brenda këpucëve. Nuk kishte e nuk gjendeshin të tilla këpucë, që ta përballonin atë lagështi, duke mos nxjerrë dot as edhe një dimër. Pra, vendosa ashtu siç i thonë, “t’i ve zemrës një gur” për të përmbushur betimin e marrë.
Së bashku me një shok ngritëm shpejt e shpejt nga një çadër që na e kishin dhënë hua, buzë detit në të njëjtin vend ku ishim mësuar dy vite më parë, pasi çmimi i shtëpive të fshatit ishte bërë tepër i kripur jo vetëm për xhepat tanë, që punonim si mësues, rrogëtarë shteti, por ndoshta më i lartë se kripa në ujët e detit për këtë verë. U duk se ditët ishin të njëllojta, ashtu si dy vjet më parë. Por dhe hapësira e gjelbër në krahun e djathtë, aty ku ishim mësuar të ngrinim çadrat vetëm ne arsimtarët, që i shtynim të njëqind ditët e pushimeve të sezonit të verës mes valëve e diellit, që të djeg si një saç i nxehtë përvëlues, ishte ngushtuar ca. Kjo edhe për shkak të prerjes deri në rrënjë të pemëve nga ndonjë, siç i thonë, ” i paudhë “, që i ishin dashur veçse për tregti. E shqiptarët këtu nuk të falin.
Kur u duk se po më kapte një mërzi e pakuptimtë pas dy apo tri vizitave në ujin e ngrohtë e të kaltër të asaj vere, pas një jave që u ruhesha rrezeve të diellit, Vasoja, gjitoni im i pushimeve, më ftoi për t’u bërë i gjallë andej nga klubi, sa për të pirë një tonik të ftohtë me akull. Ky i fundit më bëri që të çohem nga hija e çadrës ku shtyja gjithë ditën, duke u kotur pas leximit të romaneve të fundit, që më joshnin shumë. Pak freski mes asaj vape skëterrë të shijon për mrekulli. Ashtu ngadalë, me pantoflat që i tërhiqja si plor traktori mes rërës përvëluese, bëra nga mesi i pishave, në zemër të të cilave ishte kioska e Makut, bufetierit më origjinal që kisha njohur deri në atë kohë. Pak i kërrusur, me sy të futur e picërues, të cilët kurdoherë do t’i shihje të kuq si gjaku dhe me rremba të hollë poshtë një balli të sheshtë e të madh plot rrudha, vazhdonte kushedi prej sa vjetësh të përsëriste në çdo tri fjalë një lumë betimesh, që më shumë se të bënin t’u besoje, të ngjallnin të kundërtën. Edhe pse nuk tregonte kështu në shtat, i kishte të paktën nja 60 vjet, ndonëse nuk i pushonte kurrë e qeshura nën buzë, edhe kur delte me një leckë në dorë për të pastruar ato tri tavolina plastike të bardha, që kishte nxjerrë përpara derës. Ia dhisnin vazhdimisht mizat.
Vasoja më kishte bërë edhe një surprizë. Ishte ulur në krahun e majtë të Kozit, shitësit të bostaneve, në atë plazh të veçuar të Adriatikut, i cili tymoste i qetë, si njeriu që i ka mbaruar që të gjitha detyrat e tij. Me sa dukej, ftesa për mua kishte të bënte edhe me praninë e atij dyzetvjeçari, që dukej i lodhur nga jeta. Kjo ishte përshtypja e parë, sapo t’i hidhje sytë. Ai me një gomar, të cilit i kishte ngarkuar dy kosha, i binte tej e tej plazhit që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kabinë më kabinë e çadër më çadër, jo vetëm tek të “abonuarit”, për të shitur bostanet që të shijonin në ditët e nxehta, por edhe që të bënin, të të lëshonte goja lëng nga ëmbëlsira dhe aroma e këndshme. Nuk më kishte qëlluar që të shkëmbeja ndonjë fjalë apo ta pyesja për çmimin e mallit, me të cilin mbante familjen, pasi ime shoqe ishte kliente e rregullt tek ai burrë, që dukej sa një grusht ashtu i ulur në karrige dhe dridhte cigaren me duhan Dumreje, që ia sillte për merak një miku i tij nga Elbasani. Ishte vendës dhe në kohên e monizmit kishte punuar si qerrexhi në kooperativë. “Punë e zgjedhur mooo “,- thoshte sa herë që ia kujtonin apo qëllonin ta pyesnin, ashtu siç bëra unë atë mëngjes.
Një javë më parë, te po kalonte pranë nesh në një rërë të shkrifët e të nxehtë, me këpucët që i dilnin nga këmbët pas çdo hapi, i thashë Vasos, që kishte futur kokën nën hijen e një çadre të madhe plazhi, se bostanxhiu më kujtonte një personazh të Çehovit. Komshiu im kishte qeshur me të madhe dhe, pasi lëshoi një shprehje “ku të ka vajtur mendja edhe ty?”, u kthye nga ana e tjetër për të ekspozuar në diellin e mëngjesit atë pjesë të trupit të mbuluar me rërë. Sidoqoftë, ne tani ishim ulur përballë dhe bostanxhiu thithte e tymoste me një kënaqësi të rrallë cigaren, që në fakt nuk ishte rrumbullakosur mirë dhe që të kujtonte kështu një shkop thane me gunga.
Gomari kulloste aty pranë buzë një kanali i ngarkuar me frutin e verdhë që dukej i pjekur para kohe. Kozi aty e kishte merakun. Mbasi mbaroi rrugën e parë, në të dytën mbeti në rrjetën e Vasos, që s’e ka shokun për hokatar. Kuptova se rrinte si në gjemba, pasi i duhej që të bënte edhe dy rrugë të tjera deri tek ara me bostan, buzë fshatit, ashtu siç bënte çdo ditë. Me fitimet e verës Kozi shtynte edhe dimrin, që në këto anë është plot me lagështi e shira të bollshëm. “Kurbetin e kam këtu”,- fliste ngadalë kur e pyeta sa për të zënë muhabet. Por, siç i thonë, fjala-fjalën dhe ne para një filxhani kafeje e një tekeje raki “Përmeti” për të cilin zoti i klubit betohej se ishte “safi”, dolëm te ngjarja që tronditi plazhin dy vera të shkuara. Kozi u duk që psherëtiu thellë. Uli kokën e madhe dhe e vuri mbi gjoks. Heshti për një çast dhe pastaj nxori sërish kutinë me duhan Dumreje për ta dredhur përsëri, ndonëse një çast më parë na kishte thënë se do të ngrihej shpejt, se ishte për punë. Por Vasoja… nuk lejonte që fjala të binte për tokë.
– Ishte fatzezë, – tha Kozi për vajzën që u gjet e mbytur atë mëngjes gushti dhe u duk sikur u ngashërye. – Vajzë fshati mooo. Jetime. E kam pasur komshie. Nënë e babë nuk kishte. Rrufeja 15 vite më parë u kishte marrë jetën te hangarët e kooperativës, në ” Fushë të Kuqe “. Ishte stinë mbjelljesh në ara. Verën shtatëvjeçare e mori dhe e rriti një i afërm i babait të saj. Vëllezër dhe motra nuk kishin ata në katundin tonë, sepse nuk ishin nga ky fshat. Se ç’mesele kishin një zot e di. Vera e para në shkollë, por edhe e sjellshme fort. Për bukuri nuk kishte vajzë që t’ia kalonte këtu te ne. Kur u bë 17 vjeçe, ja këtu në plazh, njohu një djalë. Në mos gaboj, më dukej se prej Tirane, që edhe ai ishte si një yll. Shumë i bukur mooo. Vera u shiste pushuesve perime e zarzavate, ja, kështu siç bëj unë me ju. Djali që kishte edhe emrin Ylli, na shtiu sevda saqë u marros pas së gjorës vajzë. E mësoi jo vetëm plazhi, por edhe katundi ynë. Ylli sa vinte mëngjesi i dilte përpara gocës dhe shportat me perime ua shpërndanin vetë pushuesve. Pasi merrnin lekët, të dy vrapin e mbanin nga plazhi i “Gjeneralit”. Ja atje tek ata shkëmbinjtë. Gati një vrap pele që këtu. Kalonin së bashku orët e nga pasditja ktheheshin si dy pëllumba të bardhë. Djali aq shumë e deshi Verën, sa nuk u largua nga rëra e nxehtë gjithë sezonin.
U bë si i shtëpisë deri në vjeshtë. U duk se dashuria e dy të rinjve nuk do të shteronte si ujët e detit, por një pasdite tetori, e pashë të përlotur të shkretën gocë. Te graria ishte rrëfyer jetimja. Ylli që na i kishte pasur edhe prindërit e tij prej vitesh refugjatë përtej, në Evropë, atje në Francë, ku thonë se bëhet një verë e famshme, u nis. Djali që nuk i kishte kaluar të 25 pranverat premtoi se do të kthehej sërish. Madje për ta marrë Verën. Do ta pleqëronte me prindërit dhe do të kthehej, kur do të festoheshin Krishtlindjet. E gjora vajzë i numëroi ditët me kokrra misri, por ato të shkreta mbaruan shpejt. Djali nuk u bë i gjallë. Disa në katund i vinin faj, disa jo. Dimri si dimri, plot lagështi. Shi edhe erë. Historia e jetimes shkonte derë më derë e katundi shtynte ditët e lagura, vjen apo nuk vjen djali. Asgjë. Hiç. Pushuesit nisën përsëri dhe e mira vajzë nisi të shesë perime si më parë. Veç këtë herë me një brengë në zemër për të dashurin e saj, që i mungonte kësaj stine.
Ditët rrokulliseshin dhe vajza veçse ligështohej çdo çast. Kush mund t’ia shëronte plagët? Veç ai që i rrëmbeu zemrën një vit më parë. Në vitin e dytë, vajza mori një letër nga Ylli dhe u duk se për herë të parë edhe katundi mori frymë. Nuk kishte njeri në fshat, besoj unë, që të mos dinte se ç’shkruante ai djalë për miken e zemrës dhe bijën tonë, që e kishte lënë këtu në Shqipëri. Ylli ua kishte mbushur mendjen prindërve dhe i bindi ata për dashurinë e tij të zjarrtë. Lajmi se në fillim të tetorit do të vinte te ne në fshat, na gëzoi të gjithëve. Kush nuk lumturohet kur është fjala për një jetime. Por tetori erdhi shumë shpejt e goca u hijeshua si në fillim. U duk se ishte bërë edhe më e bukur, pasi në fytyrë i ra një nur nusërie. Do t’ia bënim dasmën fshatçe dhe do t’i përcillnim bashkërisht. Por s’qe e thënë. Djali nuk u bë sërish i gjallë.
Ai e kishte mbajtur fjalën. U nis që prej asaj Bordoje me tren deri në kufi me Italinë në veri dhe që andej mori një tren tjetër për të ardhur më në jug. Aty do t’i hipte tragetit, që të vinte për në Shqipëri. Por ç’na kishte ndodhur seee?! Aty, në Bari nuk kishte gjetur mjet që ta kalonte detin. Bënte një furtunë e zallamahi që zgjati tri ditë e tri net. Djali mooo, nuk e gjeti një kokërr hoteli. Duke ndenjur aty në mol, një zonjë italiane me qen në dorë po na e fton dhëndërrin tonë në shtëpinë e saj, sa për të kaluar natën. Edhe të nesërmen bënte kiamet e nuk mund t’i hyje detit për në Shqipëri. Boj hesap mooo! Aq shumë ishte egërsuar deti sa një mjet, që është më i madh se një pallat nuk e binte Yllin deri në Durrës. Të tretën ditë çunin e shoqëroi përsëri zonja, por edhe këtë radhë i thanë atje në kapitenerinë e portit, që nuk lundronte trageti. Çuni u kthye sërish në shtëpinë e zonjës, që po e priste me gjithë të mirat mooo. Edhe ky po e falënderonte se tepërmi për këtë nder kaq të modh. Por ajo ishte pasanike e madhe dhe vejushë. Rrospie. Ia vuri syrin djalit tonë dhe e mbajti aty. Ylli as që donte t’ia dinte për të. Kishte Verën këtu te ne sa për pesëqind. Thonë se zonja kishte qëlluar magjistricë dhe, sa herë që bëhej gati çuni ynë, ajo na e trazonte detin.
E kyçi djalin në një prej sarajeve të saj, se kishte plot shtëpi në Bari. Ajo nuk e linte më të shihte as ditë e as qiell. E donte si mashkull se ishte i kuveçëm kështu si djalë. Në lule të rinisë mooo. Goca këtu te ne e priti, por edhe ne si katund. Hyri nëntori. Pastaj dhjetori, janari… Një pasdite të ftohtë dimri vjen një benz prej Tirane këtu dhe një burrë pyet për Yllin. Thonë se ishte ndonjë i afërm i djalit të gjorë apo ndonjë shok i besës. Fshati e mori vesh se djalin e kërkonte familja atje, në Bordó më dukej se i thonë. Po, po, në Bordó të Francës. U bënë tre muaj. Kishin bërë telefonata se, ç’është e vërteta, është për t’u bërë merak. Boj hesap ti. Hane tetor, hane janar.
Vera u bë pikë e helm. Por edhe katundi që i vinte keq tashmë për dhëndërrin e vet. Por rrospia atje në Bari të Italisë e kishte burgosur çunin. Ne nuk dinim gjë në atë kohë se ç’i kishte ndodhur atij qyqari, por as edhe Vera, që çdo ditë tretej si qiriu. Ca nga malli, ca nga pritja. Pleqtë thonë se pritja të lodh shumë. Hajt t’i gjeje ilaçin seee… Iku dimri dhe pranvera doli dhe u bë kështu seneja e dytë që Ylli nuk u duk më në katundin tonë. Po ku të linte zonja atje në Bari të Italisë?! Të ketë shtrigë në këto kohët moderne, vetëm Ai e di, që është në qiell. Sa herë që çuni i thoshte asaj rrospisë se do të shkonte në Shqipëri se e priste Vera, ajo po e qiste në dritare dhe i tregonte kohën. Veç furtunë për fatin e zi të çunit. Edhe djali tretej e përpëlitej atje në thonjtë e italiankës, që e luste orë e çast për të shuar epshet e saj. Sepse për atë të shkretë punë e kishte robëruar tiranasin. Si div mooo. Në moshë. Po nuk dorëzohej djali. I mbyllur brenda katër mureve të një kështjelle.
Thonë se rrospia ishte nga familjet më të pasura, jo vetëm të Barit. Djali plaste prej marazit pa mundur që të nisë ndonjë haber, qoftë edhe policisë për të kallëzuar, se ia kishte marrë padrejtësisht lirinë. Por edhe për t’i çuar ndonjë lajm Verës së tij të dashur a ndonjë shenjë të paktën. Po italianka i kishte marrë që të gjitha masat, për ta plotësuar qëllimin e vet, duke i zhdukur edhe celularin. Kjo qyqare mbaroi këtu në katund. Nja dy çuna prej fshatit tonë morën përsipër të shkojnë në Bari e të pyesnin se ku kishte ngecur dhëndërri ynë. Të gjithë besonim në ndershmërinë e Yllit dhe e çmonim dashurinë e tij për jetimen. Thonë pleqtë. Fati parathuhet që në fillim. Nuk i qesh buza jetimit jooo!…
Goca filloi e zu thinja. Ime shoqe, Lefta, na tregon se Vera ngrihej në mesnatë nga shtrati dhe shkonte e rrinte te shkëmbinjtë. Aty i kishte kujtimet. Te plazhi i “Gjeneralit”, ku kalonte orët e mesditës me të dashurin e saj, Yllin, dhe fjalosej me valët që lëpinin shkëmbin si me njerëzit e gjallë, duke pritur deri në agim kthimin e zemrës së saj të dytë. Kaloi dhe dimri i tretë, por tiranasi, që ishte nisur prej asaj Bordoje, e që thonë se është atje në majë të Francës, dy vite më parë nuk ishte bo ende i gjallë. Tregojnë se e qau edhe familja, duke menduar se do ta kenë vrarë në traget dhe kufomën e kishin hedhur në det tek të shumtit, me ata që hedhin skafistët dhe që janë bërë ushqim për peshkaqenët e gjënë e gjallë të detit .
Këtij i thonë hall, or mik. Ta qash njeriun pa pasur varr. Po Vera mendonte ndryshe: “Nëse do të jetë i gjallë apo i vdekur, ai do të vijë njësoj ndonjë ditë. Deti nxjerr kufomat në breg dhe Ylli im në çfarëdo thellësie që të jetë futur, në breg do të dalë.” Kështu arsyetonte e mjera vajzë, që e kishte tretur dashuria dhe malli për të dashurin e saj. Plakat thonë që kishin vënë re te jetimja disa shprehje në fytyrë, që nuk dukeshin për njerëz normalë. Nënë Sofka dha e para alarmin. E kishte parë vajzën me flokë të lëshuara mbi supe një agim, që fliste me zogjtë. I pyeste dallëndyshet që posa ishin kthyer nga vise të tjera dhe që kishin ardhur të parat për të lajmëruar pranverën, nëse kishin parë Yllin e saj në bregun tjetër?! Fjalosej me pulëbardhat që i bien detit pash më pash dhe anë më anë.
Sofkës nuk ia vuri veshin njeri. Ku të falte katundi për Verën e gjorë. Të gjithë e konsideronim si gocën tonë dhe helmi që kish zënë atë ishte futur në çdo familje. Po hajde ta ndihmoje seee. Veçse fjalën e mirë i thoshim që të gjithë dhe i jepnim shpresë.
Dy vite të shkuara erdhi te ne për të bërë plazh një mjek i dëgjuar nervash prej asaj Tiranë mooo, i cili mori me qira një shtëpi në katund. Të zotëve të shtëpisë u shkoi mendja te jetimja, e cila kohët e fundit e shkonte ditën mbyllur në errësirën e një dhome dhe dridhej e gjitha. Doktori sa e pa me sytë e qitura, kafshoi buzën dhe u bë pikë e helm për vete. “Gjynah!”, -u tha atyre që e çuan te vajza. E vizitoi, por Vera as mjekun nuk pranonte. Nuk donte njeri afër. “Do të vijë, do të vijë!…”, -pëshpëriste dhe sytë i rrotulloheshin në të katër anët. Njeriu i mjekësisë këshilloi që të mos e lenë të dalë jashtë e vetme, sepse, sipas tij, është e papërgjegjshme. E gjora gocë, si u katandis ashtu. Po hajde ta besonin që të gjithë. Shumë vetë nuk ua vunë veshin fjalëve të doktorit, duke menduar se kthimi i Yllit do t’i kthente buzëqeshjen , gazin, e do t’ia hiqte taksiratet që e kishin zënë si me magji. Por ajo tashmë nuk ishte në këtë botë. Asgjë nuk bënte fajde, mooo.
Vërtet, një mesnatë ajo doli sërish fshehurazi dhe nënë Kristina, që e pa t’i drejtohej buzës së detit, mendoi se do t’i bënte mirë, do ta qetësonte dhe do ta lehtësonte nga ajo gjendje ku ishte futur. Nuk ndodhi kështu. Vera iu fut detit në këmbë për të vajtur tek i dashuri i saj, atje në Bari, duke mbajtur lart një shall me të cilin shpresonte të përshëndeste tiranasin, që i vodhi zemrën e ëndrrat vajzërore së bashku. Doemos që deti e sprapsi, se i thonë det, por vajza çau përpara. Atëherë uji i kaltër, që ndan dy brigjet përballë, mbylli rrugën më të shkurtër dhe i punoi rrengun e dytë dhe atë fatalin. E zhyti në thellësi derisa i mori frymën dhe pastaj e nxori përsëri në sipërfaqe, por këtë herë pa jetë, duke ua dorëzuar valëzave, të cilat e nxorën deri në agim në breg.
Kur na dhanë mandatin, vajtëm dhe e pamë që të gjithë. Ishte bërë ashtu si nuse. I kishte rënë një nur i bukur vajzërie që i mungonte prej kohësh. Dukej shend e verë e me buzën në gaz, ashtu siç nuk e kishim parë kurrë. Te këmbët ishte edhe shalli të cilin, thonë se e kishte kujtimin më të çmuar nga ai djalë prej Tirane. E shkreta goce! E treti dashuria dhe iku prej mallit për atë që i fali dashurinë e parë…
Kozi uli kokën e pastaj nxitoi të nxjerrë nga xhepi një shami. U mënjanua, sikur t’i vinte turp prej nesh dhe thau lotët që i vareshin mbi faqe.
– Më falni. E di që nuk bën burri kështu!
Ne të tjerët, që e kishim humbur pusullën, të rrëmbyer nga ai rrëfim tragjik, nuk u bëmë të gjallë. Atje tej u dëgjua një e pëllitur gomari, të cilin nuk e linin të kulloste dy çamarrokë plazhistë, duke e ngacmuar me një shkop të gjatë.
Kishte rënë mesdita dhe hija e pishës, që na freskoi në mëngjes, ishte zhvendosur nja dhjetë hapa më tej. Vasoja, që u kujtua i pari, tha:
– Rrofshi dhe e kujtofshi që të gjithë atë vajzë! Mos paçi të liga dhe mbretëroftë dashuria e lumturia në familjet tuaja!
Shitësin e bostaneve e nderuam ato ditë. Historinë tronditëse të Verës dhe Yllit ua rrëfyem edhe banorëve të tjerë në atë lëmë çadrash të grumbulluara në hapësirën prej pesë hektarësh të pishave dhe ata e përjetuan ashtu si ne.
– More, po ç’u bë me Yllin? Nuk mësuam ndonjë gjë.
– Nuk pyetet Kozi më. E pe si u bë atë ditë. I shkaktuam një plagë të thellë, – tha Vasoja me trishtim.
Por nuk do të zgjaste shumë dhe kjo, jo për kuriozitetin tonë se në fund të fundit nuk kishim asnjë të drejtë të hynim në jetën e brendshme të njerëzve, Kozi, që çuditërisht më kujtonte një nga personazhet e Çehovit, një ditë, sikur të ishte kujtuar që e kishte lënë përgjysmë atë rrëfim tragjik, erdhi dhe hyri në çadrën tonë që ishte si një tendë e madhe, ku mund të fusnin kokën deri në dhjetë plazhistë. Na tregoi se dy muaj pas vdekjes së Verës mbërriti në fshat edhe Ylli. E kishte mbytur kuçedrën në Itali dhe i kishte shpërthyer muret, për të qenë i lirë përsëri. Ishte shpërfytyruar dhe flokët ishin kthyer në thinja të bardha.
Ata që e panë tregojnë se qau e shqeu gjoksin si një bishë, sapo mësoi fatin e së dashurës së tij. Thonë se ndenji një natë e një ditë sipër varrit të saj, duke i refuzuar që të gjithë për të hequr dorë nga vendimi i tij. Të nesërmen tregojnë përsëri se, pasi unë nuk jam ndodhur në fshat ato ditë për shkak të një mbese në Durrës, e gjetën të tjetërsuar. Edhe ai i gjori kishte ikur nga kjo botë. Ca duan të thonë se tani gjendet në psikiatrikun e Elbasanit. Ca tregojnë se e morën disa të afërm të tij nga Tirana që i lajmëruan se djali mbaroi punë dhe, pak ditë më vonë, mbylli sytë dhe ai për t’i shkuar pranë, në botën e përtejme, vajzës që e deshi në të gjallë. Thonë pastaj se këtë histori e vuri në gazetë një gazetar, që nuk di se në ç’rrethana e mësoi ngjarjen tronditëse të dashurisë së dy të rinjve, por unë nuk e kam lexuar. Shpresoj.
Kaq tha bostanxhiu i plazhit.
Mua më ka mbetur në mendje prej kësaj historie ai fund stine, Vera, Ylli dhe shitësi i bostaneve.
Bordo, 19 qershor 2002

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Aleko Likaj, e trishte, nje fundvere, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT