• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2014

VAJZA QË SFIDOI TALEBANËT, IKONË GUXIMI DHE SHPRESE E FRYMËZUAR NGA NËNË TEREZA

October 10, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Malala Yousufzai, vajza 16-vjeçare nga Pakistani e cila vitin e kaluar u qëllua me plumb nga talebanët, vetëm e vetëm se mbështeste dhe progandonte në favor të edukimit për vajzat, ishte ftuar të fliste të Premtën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, (OKB) në 16 vjetorin e lindjes dhe në ditën që organizata botërore ka shpallur si, “Dita e Malalës”, në nder dhe respekt për guximin e saj përballë sfidave tepër të rrezikshme për një vajzë të re. Vitin që kaloi, Malala Yousafzai u plagos rëndë, në luginën Swat në veri të Pakistanit, në jë sulm barbar nga talebanët, të cilët njëherazi plagosën edhe dy shoqe të saja, kur talebanë të armatosur u futën në autobusin e fëmijve të shkollës duke kërkuar me emër vajzën e re Malalën — e cila njihej si kundërshtare e politikës së tyre për të mos lejuar vajzat të shkonin në shkollë — dhe e qëlluan disa herë duke e plagosur rëndë. Fatbardhësisht, ajo u shërua plotësisht nga plagët e saja nën kujdesin e mjekëve pakistanezë dhe më vonë nga mjekët anglezë në një spital britanik.Ishte ky një incident i cili shokoi botën e qytetëruar dhe shkundi ndërgjegjen e botës rreth gjëndjes së vështirë të vajzave në shoqëritë islamike fondamentaliste. Ky akt, u dënua rëndë nga e gjithë bota si një akt barbar, kriminal dhe i shëmtuar.
Ishte Ish-Kryeministri britanik, Gordon Brown, tani Përfaqsues i posaçëm global i OKB-së për arsimin, ai që e paraqiti pakistanezen 16- vjeçare para nja një mijë studentëve të ardhur në OKB nga 100 vende nga mbarë bota, duke thënë se me të vërtetë ishte një mrekulli, që Malala gjëndej në mesin e tyre. “Më lejo”, tha ai, duke iu drejtuar Malalës, “të përshëndes me fjalët që Talebanët nuk do të dëshironin t’i dëgjonin: “Gëzuar 16-vjetorin e lindjes, Malala”. Ai e quajti vajzën pakistaneze, të plagosur nga talebanët, si ”vajzën më guximtare në botë”.Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon tha se, “Duke sulmuar Malalën, ekstremistët treguan se frika më e madhe e tyre ësht[ një vajzë me një libër në dorë.”
“Ata menduan se plumbat do të na heshtnin, por talebanët dështuan”.
Ajo e filloi fjalimin e saj në OKB — një fjalim që sipas shumë komentuesve nuk do të harrohet shpejt — duke falenderuar Zotin, “para të cilit”, tha ajo, ”të gjithë jemi të barabartë”, dhe shtoi se “kjo nuk ishte dita ime, por dita e çdo femre, e çdo djali dhe çdo vajze të cilët kanë ngritur zërin e tyre në mbrojtje të të drejtave të tyre.” Malala u tha të pranishmëve se, “nuk po flasë për veten, por për të gjithë ato dhe ata të cilët nuk kanë mundësi të flasin, për të gjithë ata dhe ato që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e veta, si dhe për të drejtën e tyre për të jetuar në paqë.”
“Terroristët”, tha ajo, “kanë vrarë me mijëra veta dhe kanë plagosur miliona të tjerë. “Unë”, shtoi ajo, “jam vetëm një prej këtyre të plagosurve….një vajzë ndër shumë të tjera…Terroristët menduan se do ndryshonin objektivat dhe të shuanin ambiciet e mia, por asgjë nuk ka ndryshuar në jetën time.” Por, ajo që ka ndryshuar pas sulmit kundër saj nga talebanët, vitin që kaloi, tha Malala, është se, “vdiq dobësia, u zhduk frika dhe u rivendos shpresa”, duke shtuar se sulmi taleban kundër saj, e kishte bërë atë më të fortë duke thënë se, si rrjedhim, për të “lindi forca dhe guximi.”
Duke thënë se pena është më e fortë se shpata, dhe se kjo është arsyeja që talebanët ”kanë frikë nga libri dhe pena”, ajo theksoi se, “Një fëmi, një mësues, një libër dhe një penë, mund të ndryshojnë botën”. Talebanët ekstremistë”, shtoi ajo, “kanë frikë nga femrat dhe nga zëri i fuqishëm i tyre….kanë frikë nga ndryshimet që barazia për të gjithë, do të sjellë për shoqërinë tonë.”
“Unë e ngre zërin tim jo për të tërhequr vëmendjen ndaj personit tim”, tha ajo, “por për të gjithë ata që luftojnë për të drejtën e tyre që të trajtohen me dinjitet njerëzor,për të gjithë ata që ngulin këmbë dhe kërkojnë tëdrejta të barabarta në çdo fushë dhe për të drejtën e të gjithëve për të shkuar në shkollë dhe për tu edukuar.”
Duke thënë se nuk po fliste në një frymë hakmarrjeje, ajo shtoi se dëshiron që edhe fëmijtë e ekstremistëve talebanë të shkojnë në shkollë dhe të edukohen. 16-vjeçarja Malala, tha në fjalën e saj në OKB, se ajo kishte ardhur në Kombet e Bashkuara e bindur dhe duke u mbështetur në trashëgiminë e pa dhunë të Martin Luter King-ut, Gandit dhe Nënë Terezës, si edhe në mëshirën dhe mësimet e Jezu Krishtit, Muhametit dhe Budës. “Zemra më thotë, paqë dhe dashuri me të gjithë, dhe për të gjithë”, tha vajza e re pakistaneze në paraqitjen e saj në OKB, në Nju Jork.
Ajo u bëri thirrje udhëheqsve botërorë që të mbrojnë të drejtat e femrave dhe të fëmijve anë e mbanë botës, dhe njëherazi u bëri thirrje të gjithë komuniteteve që të tregojnë tolerancë ndaj atyre që janë ndryshe, duke insistuar në mbrojtjen e lirisë dhe barazisë për femrat, dhe duke theksuar se asnjë shoqëri, “nuk mund të jetë e sukseshme, kur (femrat) gjysma e popullsisë së saj, “nuk gëzon të njëjtat të drejta me gjysmën tjetër të popullsisë”. Vajza pakistaneze u bëri thirrje, atyre që ajo cilësoi si, “motrave tona anë e mbanë botës që të jenë të guximshme — të besojnë në vetvete dhe të përqafojnë fuqinë mbrenda vetes së tyre, ashtuqë të realizojnë potencialin e tyre të plotë.” Askush nuk mund t’na ndalojë, tha ajo, në rrugën tonë për realizimin e paqës dhe të edukimit për të gjithë.
Presidentja e Fondacionit të Kombeve të Bashkuara, Kathy Calvin tha se, “Guximi dhe anagazhimi i Malalës na frymëzon të gjithëve”. Znja Calvin shtoi se, “Ajo mishëron vendosmërinë dhe guximin e të rinjve e të rejave anë e mbanë botës, të cilët ndeshin në pengesa të mëdha për të shkuar në shkollë.Por, të edukuar, ky brez i ri do të jetë një forcë e fuqishme për përparim në botë…..Le të nderojmë sot Malalën”, tha Zonja Calvin, “duke bërë realitet edukimin e të gjitha vajzave dhe djemve, anë e mbanë botës, pa përjashtim.”
Me fjalimin e saj në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Malala Yousafzai triumfoi mbi terroristët talebanë, megjithse prej tyre kishte marrë plumbin, vetëm e vetëm se nguli këmbë në mbrojtje të së drejtës së vet dhe shoqeve të saj të shkonin në shkollë për tu edukuar. Dy prej tyre u plagosën gjithashtu me atë rast. Ajo kundërshtoi guximshëm urdhërat e radikalve të çmendur talebanë dhe vazhdon të flasë në mbështetje të edukimit të vajzave në Pakistan dhe kudo në botë, megjithëse talebanët kanë kërcënuar se nqëoftse jeton, ata do të përpiqen gjithnjë që ta vrasin Malalën. Por Malala, jo vetëm që ka shpëtuar nga sulmi i talebanëve dhe nuk i ka frikë ata aspak, por nga fjalimi i saj në OKB të premtene cila me guximin e saj habiti botën, shihet se ajo është më e guximshme dhe më sy patrembur se kurrë më parë.
Guximi i Malalës dhe të tjerëve si ajo, duke kundërshtuar ideologjinë çnjerëzore mesjetare të talebanëve, është e vetmja shpresë për një lëvizje mbarë popullore për të mundur ideologjinë e talebanëve dhe për të mposhtur fushatën e tyre të shtypjes në Pakistan, Afganistan dhe kudo tjetër në botë.
Në mirënjohje dhe falënderim për guximin e saj të pashëmbullt, sipas BBC-së,janë mbledhur me mijëra nënshkrime“online” nga e gjithë bota, për një peticion, me të cilin bëhet thirrje që vajza trimëreshë pakistaneze Malala, të emërohet për Çmimin Nobel për Paqë.Ajo me të vërtetë është një kandidate e denjë për këtë çmim prestigjioz.

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, frymezim, Malala Yousfzai, nga Nene Tereza, sfide Talebaneve

Mesazhe Paqeje e Dashunie nga “Zoja e Shkodrës” në qytetin e Shkodrës

October 10, 2014 by dgreca

…Në vend të një kronike të vonuar për promovimin e një libri me mesazhe Paqeje dhe një ekspozite për piktorin Lin Delia….Udhëtimi i Tony (Ndoi) Prendushi nga SHBA, në Itali dhe Shqipëri dhe pak fjalë për librin e tij me mesazhe paqeje e dashunie…./
Nga Sami Repishti/
Ridgefield, CT. Pak kohë ma parë, miku i im Tony (Ndoi) Prendushi, shkodran, emigrant me banim në Santa Rosa, California, më njoftoi se kishte përfundue së shkruemi ekperiencën e vet dhe përpjekjet me ndihmue atdheun tonë, në ditët e vështira të viteve 90-ta. Ai kërkoi t’i hjedh nji sy dorëshkrimit dhe të jap sugjerimet e mia për çdo korrigjim.
E mora materialin. Fillova leximin me kujdes, dhe ma së fundi erdha në përfundimin se libri i mikut tim ashtë nji kontribut serioz në letërsinë e periudhës së tranzicionit në Shqipëri, dhe nji “shembull” që meriton me udhëheq të gjithë ata që kanë në zemër çështjen shqiptare, dhe mirëqenien e popullit shqiptar. Unë u përmallova nga leximi dhe njikohësisht u ndjeva kryenalt për këtë shqiptar që ndihmon shqiptarët pa asnji pretendim.
I fola Z. Prendushi në telefon, dhe e falenderova. Dy javë ma vonë i dërgova materialin e korrigjuem, dhe nji letër mirënjohje. Në mes tjerash unë thashë:
“I dashtuni Ndoi,Libri i juej ashtë nji mësim i vlefshëm për çdo lexues qëllimmirë dhe inteligjent.Ai dallohet sidomos per thellësinë e ndjenjave tueja njerëzore dhe shkrimit tuej të thjeshtë.
Kuptohet mirë fryma që ka mbajtë të fortë tek ti rezistencën kundër mortajës komuniste dhe vuejtjet mëdha të mërgimit të detyrueshëm. Ashtë pikërisht kjo frymë që dallohet në shkrimin tand dhe ashtë kjo frymë që ka sigurue suksesin tand në jetë.
Shpirti dhe vendosmënia e juej “me veprue”, me ba diçka, me u lëkundë nga leturgjia që mbyt shumicën tonë, në emën të frymës vëllaznore që na lidhë të gjithëve si racë e vetme njerëzore, meritojnë levdatat tona.
Ti ndihmove Shqipërinë e shqiptarët në kohën ma të vështirë dhe meriton lëvdatat tona. Ti punove me mish e me shpirt me mbajtë familjen dhe me i shërbye njerëzimit kurdoherë që të ashtë dhanë rasti, dhe kjo meriton lëvdatat e të gjithëve.
I dashtuni Ndoi: duhet të jeshë kryenalt për punën tande…!”
Vetë titulli i librit “Paqe e Dashuni” përfaqson thelbin e përmbajtjes. Nji botë ku njerëzimi të jetojë pa frikë, pa kërcënime, pa uri e sidomos pa ideologji shkatërruese, janë kondita të domosdoshme për “paqën”; ndryshej, do të trashëgojmë të kaluemen e vështirë, periudhën e diktaturave të çmenduna –
fashizëm, nazizëm, komunizëm e –izma tjera- që prunë kaq shumë vuejtje e vdekje e shkatërrim, Termi i dytë, “dashuni” reflekton filozofinë personale të autorit.
Ndoi Prendushi ka lindë dhe ashtë edukue në Shkodër, në qytetin e kulturuem të Shqipërisë, qendër e kulturës perëndimore., i ushqyem nga nji klasë intelektuale dhe me klerikë katolikë me orientim perëndimor. Shkodra e para-komunizmit ka perfaqësue anën ma urbane të popullsisë shqiptare, dhe njikohësisht modelin e tolerances fetare. Nji numër i konsiderueshëm shoqatash të reja e të vjetra,
studente, punetore, zhvillojshin veprimtaritë e tyne në këtë qytet historik që nderonte Shqipërinë para botës së jashtme. Në këtë botë, në këtë atmosferë, dhe me këtë kulturë u rrit dhe u formue Ndoi Prendushi, ma vonë arsimtari Ndoi Prendushi. Binomi “Fe e Atdhe” u ngulit në mendjen e zemrën e tij. Ai binom e inspiroi; ai binom e drejtoi , dhe ai binom nuk e lejoi me devijue në shtigje të panjohuna që ma vonë u treguen shkatërrimtare, të fesë e të atdheut.
Çka bani Tony (Ndoi) Prendushi që meriton sot mirënjohjen e falenderimet tona? Kjo u tha në ceremoninë e thjeshtë por kuptimplotë të promovimit të librit “Paqë e Dashuni” që u zhvillue në qendrën kulturore, ku zhvillohen shumë aktivitete të këtilla të bashkësisë shqiptaro-amerikane., “Qendra Nana Tereza” e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, në qytetin Hartsdale, New York, me 13 qershor 2014.
Me përkrahjen dhe inkurajimin e famullitarit tonë të nderuem, Dom. Pjetër Popaj, mbledhja kaloi në nji atmosferë shumë miqësore. Megjithëse shumë nga ata që erdhën në Meshën e së Dielles u kthyen në shtëpitë e tyne (ishte dita e kampionatit botënor të futbollit -Gjermani Argjentinë) audienca në sallën kulturore ishte e vëmendëshme dhe u prek nga përshkrimi për autorin dhe veprën e tij.
Mbledhja u organizue me nji ekspozitë të pasun të materialeve përkatëse për landën e librit. Në orën 2:00, Shumë i nderuemi Dom Pjetër Popaj, hapi seancën me fjalë inkurajuese për autorin dhe për veprimtaritë kulturore të bashkësisë sonë.
Përshëndetjen e parë e bani Z.Mark Koliqi Shkreli, në cilësinë e tij si kryetar i Qendrës “Nana Tereza” i cili konfirmoi për të gjithë randësinë e kësaj Qendre për bashkësinë tonë, dhe i uroj mirëseardhjen autorit dhe veprës së tij kuptimplotë Vepra të këtilla, tha ai, dhe përkujtime të këtilla u shërbejnë të gjithëve dhe duhen inkurajue.
Përshëndetjen e dytë e bani poeti premtues Z.Mehill Velaj, autor i disa vëllimeve me poezi, plot sentiment e talent. Z. Velaj i bani nji përshkrim librit tue theksue disa aspekte ma me peshë të materialit. Edhe Z. Velaj çmoi shumë punën edhe përpjekjet e autorit në shërbim të idealeve fetare e kombëtare.
Përshëndetjen e tretë, e bani Dr.Sami Repishti, i cili çmoi punën e kolegut tij, veprimtarinë e vlefshme dhe intensive që ai ka ba. Ai theksoi përgatitjen morale dhe kombëtare të autorit, dhe tha se si në qytetin e Shkodrës, me shumicë popullsie katolike, autori u frymezue nga nji qëndrim anti-komunist i popullsise së qytetit, e kundërshtoi komunizmin dhe ma në fund u arratis në Jugosllavi, ku e pritën shumë fatkeqsi të tjera.
Në fjalën mbyllëse dhe të falenderimit, autori Prendushi theksoi randësinë e mëshirës dhe ndihmës për nevojtarët, dhe përsëriti me forcë “paraja nuk ashtë gjithçka; ka diçka tjetër ma me randësi: ashtë dashunia për të tjerët, sidomos për ata që vuejnë”.
Mbledhjen e përshëndeti edhe Dr. Gjon Buçaj, kryetar i Federatës Vatra, i cili përgëzoi autorin Prendushi për punën e kryeme e ndihmën për nevojtarët në atdheun tonë, në Shqipëri.
Programi u mbyll me nji notë falenderimi për të gjithë bashkëatdhetarët që ndihmuen në suksesin e këtij libri të çmueshëm.
Mbas qëndrimit në New York –mik i familjes bujare të të ndjerit Zef Binaku- Z. Prendushi udhëtoi për në Itali, ku mori pjesë në nji ekspozite të veprave artistike të piktorti të njohun shqiptar Lin Delija (1926-1994). Dy mikpritësit italiane, kryetari i Bashkisë së qytetit Antrodoco, dhe kuratori i Muzeumit, e pritën me nderime si mik personal i piktorit të ndjerë. Punimet e tia janë tashti të ekspozueme për publikun
dhe gëzojnë nji admirim të veçantë, sidomos për temat me natyrë fetare.
Në udhëtimin e tij për Shqipëri, autori promovoi librin e tij, tashti të përkthyem në anglisht. Promovimi u ba në sallat e Bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës.
Më 30 korrik 2014, në orën 19:00 në muret e sallave të bibliotekës u prezantuen materialet, fotogafitë dhe dokumentet përkatëse. Seancën e hapi drejtori i bibliotekës, Z. Gjovalin Çuni i cili i uroj mirëseardhjen Z, Prendushi. Përshëndetjen e parë e bani Prof. Ahmem Osja, aktivist dhe përkrahës i fortë i autorit, në përgatitjen e shpërndamjen e librit, i cili numëroi meritat e shumëta të tij. Folësi i dytë ishte Prof. Hasan Lekaj, autor dhe kritik letrar, si dhe botues i librit në kolanën Camaj-Pipa. Ai nënvizoi aspektet ma me randësi të librit dhe veprimtarive të autorit. U lexue edhe nji përshndetje nga Dr. Sami Repishti, dhe urimet e tia.
Në përfundim, u çfaq edhe nji film i shkurtë për jetën e të ndjerir piktor Lin Delija.Autori Tony (Ndoi) Prendushi çfaqi kënaqsinë e tij për këto mirënjohje dhe falenderoj të gjithë të pranishmit

Filed Under: Kulture Tagged With: Dr. Sami repishti, e dashunie, libri, MESAZHE PAQEJE, Toni Ndoi Prendushi

LAJM TRAGJIK PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR NË SHBA:NDËRROI JETË Justin RAJA

October 10, 2014 by dgreca

Ka ndërruar jetë Justin Raja, i biri i Anton dhe Gloria RAJA/
Një lajm tragjik ka mbërritur në redaksinë e Gazetës DIELLI.Justin Raja, i biri i Anton dhe Gloria Raja, ka ndërruar jetë në Greqi. Familja Raja udhëtoi për një gazmend familjar në Greqi. Të enjten ajo kishte mbërritur nga SHBA në Shtetin Grek. Këtë të Dielë, ishte e planifikuar një ceremoni martese për vajzën e familjes Raja, e cila është e fejuar me një amerikano-grek. Së bashku me familjen ka udhëtuar edhe Justin, i cili ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, duke pikëlluar prindërit Anton e Gloria, bashkëshorten Laura, vellane, Mathew, motrën Dana dhe të gjithë familjen Raja, fisin dhe miqtë.
Federata VATRA dhe Gazeta Dielli i shprehin ngushëllimet më të thella Familjes RAJA!(Dielli)

Filed Under: Komunitet Tagged With: LAJM TRAGJIK, MATHEW RAJA, NË SHBA:NDËRROI JETË, PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR

Pensionet e emigrantëve shqiptarë në Itali: cila është e ardhmja?

October 10, 2014 by dgreca

Në një nga sallat e komunës së Romës, u mbajt një takim me temën “Punëtorët shqiptarë në Itali, ç’lloj sigurimesh shoqërore për të ardhmen”. I promovuar nga disa shoqata emigrantësh shqiptarë, nga mediat italo-shqiptare dhe nga ambasada e Shqipërisë në Romë, në takim u diskutua çështja e pensioneve për ata emigrantë, që kanë vite pune në Shqipëri, të cilat, sipas ligjit aktual nuk u shtohen viteve të punës në Itali, pra nuk llogariten për pension.
Kujtojmë se në Itali jetonë mëse 500 mijë emigrantë shqiptarë, nga të cilët rreth 250 mijë janë në marrëdhënie të rregullta pune, pra, paguajnë kontributet për pension. Por shpesh, ata nuk e plotësojnë minimunim e 20 vjetëve për të marrë pensionin e pleqërisë në Itali, pavarësisht se numri efektiv i viteve të punës, duke llogaritur ata të Shqipërisë, mund të arrijë edhe 40. Kjo sjell probleme jo vetëm për punëtorin, por për të gjithë familjen e tij, përveç faktit se kemi të bëjmë me mungesën e një të drejte, e cila do të njihet automatikisht pas integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Por ç’mund të bëhet më parë? A s’është e mundur të arrihet një marrëveshje dypalëshe me Italinë? E ndërsa në Vatikan vijon Sinodi për Familjen, na u duk se ky argument, specifik për familjet shqiptare të emigruara, mund të jetë interesant për opinionin publik. Prandaj, ia drejtuam mikrofonin, njërës nga relatorët, ekonomistes Shqiponja Dosti, e cila përshkruan gjendjen aktuale.
Rando Devole, studiues shqiptar, sekretar kombëtar i FAI CISL, një nga sindikatat e mëdha italiane, thekson nevojën e marrëveshjes për pensionin e emigrantëve shqiptarë.(Per me shume degjoni intervisten ne Radio Vatikani)

Filed Under: Mergata Tagged With: : cila është, e ardhmja?, Pensionet e emigrantëve shqiptarë në Itali, Radio Vatikani

KRYEMINISTRI RAMA NE BEOGRAD- JO DUARTHATE PER LUGINEN E PRESHEVES

October 10, 2014 by dgreca

Keshilla per axhenden e Kryeministrit shqiptar ne Beograd:Lule te permendorja e Tucoviqit; vizite ne kishen Orthodokse te Shen Saves; Vizitë xhamisë në Beograd,Kërkesa për njohje të pavarësisë së Kosovës, Jo duarthate per presheven etj…etj…/
Nga Nexhmedin SPAHIU- Analist/
Vizita e pritur e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd do të ndodhë pas afro 7 dekadash. Pikërisht për këtë edhe ka rëndësi historike dhe simbolika luan rrol të madh.
Edi Rama nuk duhet ta përsërisë gabimin e Ilir Metës, i cili kur shkoi në Beograd si ministër i jashtëm vuri kurorë lulesh mbi varrin e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq. Gjingjiqi vërtetë ishte njëri ndër kryeministrat më të zotë e më pro-perëndimor në historinë e Serbisë, por ai njihet si politikani serb që deshi ta ndante Kosovën mbi baza etnike dhe respekti për Gjingjiqin, simbolizonte pajtimin e Shqipërisë që Kosova të ndahet në baza etnike mes Shqipërisë e Serbisë. Është e sigurt që Ilir Meta nuk do ta ketë menduar kështu aspak këtë punë, por çështja është si e panë gjestin e tij opinioni publik në Beograd.
Kurorë lulesh tek pëmendorja e Dimitrije Tucoviqit
Edi Rama duhet të vëjë kurorë tek përmendorja e Dimitrije Tucoviqit (1881-1914) në qendër të Beogradit. Dhe ai duhet ta thotë arsyen përse. Tucoviqi ishte politikani i parë serb që kundërshtoi ushtrinë serbe për pushtimin e tokave shqiptare dhe përshkroi masakrat ndaj shqiptarëve. Kur pas luftës së fundit në Kosovë (1999), emrat e rrugëve dhe shesheve të Prishtinës u zëvendësuan me emra shqiptarë, edhe pse dominonte frymë ekstremisht nacionaliste, autoritetet lokale të Prishtinës e panë të udhës që emrin e Dimitrije Tucoviqit edhe më tutje ta bartë një rrugë e Prishtinës. Fatkeqësisht, në Tiranë nuk ka një rrugë më emër të tillë. Do t’ishte mirë të kishte. Do të shprehte kulturë e respekt për autorin e veprës monumentale “Serbia e Shqipëria”.
Ceremoni fetare në Kishën e Shën Savës në Beograd
Edi Rama do të duhej të vizitonte Kishën e Shën Savës në Beograd dhe të bënte kryqin sipas ritualit ortodoks. Kjo do të kishte jehonë tejet pozitive në opinionin serb dhe do të tregonte kulturë e respekt që do të shkrinte shumë paragjykime.
Paraprakisht Edi duhet ta praktikojë këtë në Kishën Ortodokse në Tiranë që, si fëmijë i komunizmit ateist, të mos bëjë ndonjë gafë gjatë ritualit dhe kësisoj të arrijë kundërefekt. Këtë ceremoni duhet ta zhvillojë jo për hir të bindjeve të tij fetare (sepse Edi ka të drejtë të jetë edhe ateist, tek e fundit është e drejtë personale e secilit), por pse si kryeministër i Shqipërisë përfaqëson edhe një komunitet të madh të krishteresh ortodoksë.

Vizitë xhamisë në Beograd
Edi Rama do të bënte mirë ta vizitonte edhe xhaminë e Beogradit, për të treguar se si kryeministër i Shqipërisë përfaqëson një komb myslimano-kristian. Natyrisht, në xhami nuk ka nevojë të kryej ceremoni fetare, sepse do t’ishte qesharake që një kryeministër të bëjë edhe kryq edhe namaz. Thjesht, Edi Rama në Beograd duhet të tregohet si një i krishterë, por që qeverisë me një komb që është myslimano-kristian.
Me këtë ai do të tregonte superioritet duke qenë se serbët janë një komb ekskluziv mono-fetar (ortodoks) përballë kombit shqiptar si komb multi-fetar.
Takim me artistë, por jo nga ata të kohës kur Shqipëria ishte inferiore e Serbia (Jugosllavia) superiore
Edi Rama bënë mirë të takohet me artistë serbë, pasi edhe vet është artist, por bënë mirë t’u shmanget takimeve me artistë serbë që krijuan famë në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar. Pra, Edi bënë mirë t’i shmanget takimeve me Goran Bregoviqin, Emir Kusturicën, Zdravko Qoliqin etj, për asgjë tjetër përveç se për arsyen se takimet me këto personalitete të artit e kultures serbe përkujtojnë kohën kur Shqipëria ishte inferiore karshi Serbisë (Jugosllavisë). Mund të takohet me artistë që kanë bërë emër viteve të fundit, kohë kjo që nuk ngjallë kujtime të kohës së kaluar kur Shqipëria ishte inferiore karshi superioritetit të Serbisë (Jugosllavisë).
Intesifikimi i marrëdhënieve ekonomike, autostrada Durrës-Nish
Pasi të ketë treguar superitet kulturor përmes simbolikës që përmenda më lartë (kurora lulesh te permendorja e Tucoviqit, kryqimi në kishë, vizita në xhami), pozicioni i tij do të jetë krejtsisht solid. Atëherë ka mundësinë të flasë i relaksuar për marrëdheniet ekonomike që duhen intensifikuar, ku theksi duhet vënë në ndërtimin e autostradës prej Nishi deri te kufiri me Kosovën, ku serish ka rastin të tregoj superioritet pasi që pjesa shqiptare dhe ajo kosovare e autostradës tashmë kanë përfunduar.
Jo duar thatë, për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Kryeministrit shqiptar nuk i ka hije të shkojë duarthatë tek komuniteti shqiptar që qeveriset nga shteti serb. Do t’ishte mirë që në emër të qeverisë shqiptare të bënte ndonjë donacion për ndonjë shkollë, çerdhe të fëmijëve, shtëpi kulture apo çfaredo qoftë që të ketë nevojë në Luginë të Preshevës.
Kërkesa për njohje të pavarësisë së Kosovës
Pika mbi shkronjën “i” vëhet në fund me kërkesën ndaj qeverisë serbe që ta njeh sa më parë pavarësinë e Kosovës, duke theksuar këtu se Qeveria e Shqipërisë mbështet plotësisht dialogun Prishtinë-Beograd.
Gjatë deklaratave publike e jo publike duhet të shmagen lajkat, por edhe tonet e ashpra, si kundërpergjigjie e toneve nga pala serbe.
Kombi shqiptar si fitues i konfliktit 140 vjeçar
Pozicionimi i kryeministrit shqiptar gjatë gjithë qëndrimit në Beogradi duhet të jetë i tillë që të dëshmojë se kombi shqiptar dhe ai serb ishin në konflikt 140 vjeçar, por ky konflikt ka përfunduar me fitoren e kombit shqiptar dhe aleatëve të tij, dhe si komb fitimtar nuk sillet me arrogancë e përçmim, po sillet me urtësi e respekt për humbësin. Natyrisht, punën e fituesit e të humbësit nuk duhet ta thotë shprehimisht, por veprimet e tij në Beograd duhet ta manifestojnë këtë.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Beograd, Nexhmedin Spahiu, vizita e Rames

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT