• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

TE NDEROHEN PERSONALITETET AMERIKANE TE CESHTJES SHQIPTARE

November 16, 2014 by dgreca

Hafëz Jusuf Azemi: Të nderohen përsonalitetet e shtetit amerikan që ndihmuan çështjen shqiptare në Ballkan/
Hafëz Jusuf Azemi është njëri nga themeluesit e Lidhjes Kosovare në vitin 1949 dhe në emër të kësaj organizate politike rregullisht ka marrë pjesë në Kongreset e Grupeve Etnike të Evropës,të cilat çdo vitjanë mbajtur në shtetet demokratike të Evropës,ku atdhetari i diasporës shqiptare në Amerikë,Hafëz Jusuf Azemi me fakte dhe argumente e pati pafraqitur pozitën e vështirë të popullit shqiptar nën Jugosllavi e në veçanti të Kosovës nën regjimin vrastar të Serbisë.Nëpër këto vite,Hafëz Jusuf Azemi,në emër të Lidhjes Kosovare ka kontaktuar me përfaqësues të ndryshëm të Administratës Amerikane në Uashington,si dhe me kryetar të qyteteve,Senator e Kongresmenë,Sekretar të shtetit dhe me disa president të SHBA-ve,prej te presidenti Lindon Xhonson e deri me Bushin e Ri,në të cilat takime gjithmonë është biseduar për çështjen e pa zgjidhur të Kosovës dhe të popullit shqiptar në Ballkan.Atdhetari nga Dobroshi i Tetovës është njëri ndër themeluesit e Lobit Shqiptar në Amerikë prej viteve të gjashtëdhjeta,si dhe protogonisti kryesor i organizimit të demonstratave në Çikago dhe qytete tjera në SHBA,përmes të cilave u bënë një zë i artikuluar për demaskimin e politikës shtypëse të regjimit të Beogradit ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe të tokës etnike shqiptare nën Jugosllavi.
Për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare që ka zhvilluar Hafëz Jusuf Azemi në mërgim prej viti 1945,në Kosovë përherë të parë pati ardhë më 28 nëntor 1999.Tërë udha e këtij atdhetari përshkruhet shpesh me fjalët e tij në biseda me mërgimtarët në SHBA:,,Po që se duhet vdekur,le të vdesim më mirë ne,se sa Atdheu ynë i shtrenjtë,,.
Në vegjile të festës së nëntorit Ditës së madhe të pavavarësisë së Shqipërisë,Hafëz Jusuf Azemi,prorsit nga Çikago Tiranën dhe Prishtinën që me anë të një dekreti të nderohen përsonalitetet e shtetit amerikan(Senatorë e Kongresmenë)dhe të tjerë kanë kontribuar ndër vite për avancimin e çështjes shqiptare dhe të lirisë e të pavarësisë së shtetit të Kosovës,që është një nderim dhe mirënjohje e SHBA-së dhe të popullit liridashës amerikanë.
Përkitazi me këtë nismë,Hafezë Jusuf Azemi ka shpaluar nga arkivi i tij historik emrat e të gjithë senatorëve dhe kongresmenëve në Shtpinë e Bardhë në Uashington që u bënë pjesë e lirisë dhe pavarësisë sëKosovës si dhe të avancimit të çështjes shqiptare me vlerat universale të demokracisë,të ndryshimeve të sistemit komunist në Shqipëri si dhe të avancimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoni.
Howard Baker Jr.,R-Tn,Joseph Biden,D-DE,Frank Church,D-ID,Alfons D,Amato,R-NY,Everett Diksen,R-IL,Alan Dixon,D-IL,Robert Dole,R-KS,Paul H.Douglas,D-IL,Philip Hart,D-MI,Hubert Humphrey,D-MN,Jacob Javits,R-NY,Joseph Leiberman,D-CT,Walter Mondale,D-MN,Claiborne Pell,D-RI,Charles Percy,R-IL,Larry Pressler,R-SD,Paul Simon,D-IL,Adlei Stevenson III,D-IL,Lowell Weicker Jr.,R-CT,Mario Biaggi,D-NY,Judy Biggert,R-IL,Frances P.Bolton,R-OH,David Bonior,D-MI,William Broomfield,R-MI,Edvard Derwvinski,R-IL,Joseph DioGuardi,R-NY,Robert Dornan,R-CA,Eliot Engel,D-NY,Paul Findley,R-IL,Gerald Ford,R-MI,Benjamin Gilamn,R-NY,Dennis Hastert,R-IL,James Howard,D-NY,John Kluczynski,D-IL,Thomas Lantos,D-CA,Carl Levin,D-MI,Stanley Lundine,D-NY,John Porter,R-IL,Roman Pucinski,D-Il,Charlotte Reid,R-IL,Peter W.Rodino Jr.,D-NJ.

Skënder Karaçica

Filed Under: Featured

SHQIPËRIA, GJAKU im që nuk falet

November 16, 2014 by dgreca

Nga Aurel Dasareti/*
Unë frikohesha prej armëve. Serbo-malazezët na terrorizonin me to. Pasi unë mora pjesë në beteja dhe vet u mësova në përdorimin e armëve, e kuptova se armët janë forcë dhe se ne mund të mbrohemi me armë kundër atyre të cilët duan të na shndërrojnë në skllevër.” – gjyshi im.
Shqiptari, si produkt i natyrës, është diçka e pallogaritshme, e padepërtueshme, kokëfortë, është rrëke që vërshon nga një mal i panjohur, një pyll i virgjër, i pakalueshëm dhe i ngatërruar. Dhe ashtu si pyll i virgjër që duhet rralluar, pastruar dhe sistemuar me forcë, edhe kolonizatorët në bashkëpunim me tradhtarët e vendit, me ndihmën e përçarjeve midis shqiptarëve përpiqen të mposhtin, të thyejnë e të sistemojnë me forcë shqiptarin natyral. Detyra e armikut është ta shndërroj atë në anëtar të shoqërisë, sipas parimeve që vendos autoriteti.
Le të përkujtojmë lavdinë e së kaluarës dhe begatinë e kohëve të perënduara, të vihet kombësia mbi dallimet partiake, krahinore e fetare, të përshkruhet gjendja e mjerueshme e asaj pjese të kombit tonë nën okupim dhe të dalin qartë rreziqet që i kanosen Shqipërisë Etnike, të cilën populli i saj do ta mbroj me çdo kusht, të tregohen mundësitë e plota të një të ardhmeje të lumtur në një atdhe të ribashkuar të lirë e të përparuar.
Bëjë thirrje që mediumet serioze të botojnë vetëm letra të nevojshme për ATDHEUN e jo shkarravina të dëshirueshme nga pseudo-“ekspertët”. Bëjë thirrje për të propaganduar fuqishëm popullin shqiptar, që opinioni botëror të njihet me prejardhjen e tij të lashtë legjendare dhe fazat nëpër të cilat ai është detyruar të kalojë gjatë rrjedhës së shekujve, për të arritur deri në ditët tona. Bëjë thirrje që “kalemxhinjtë” të zotërojnë plotësisht lëndën para se të shkruajnë në mediumet lokale dhe ato të huaja. Dhe, jam i bindur për forcën e të dhënave dhe argumenteve, për triumfin e drejtësisë e të çështjes kombëtare që unë dhe atdhetarët tjerë të mirëfilltë mbrojmë. Duke iu drejtuar lexuesve të huaj, krahas qartësisë së qëllimit, në letrat tona të ndihet edhe një nëntekst i fuqishëm polemik kundër keqdashësve. Le të shprehet temperamenti i shkruesit, zemra e zjarrtë e patriotit, horizonti i tij i gjerë kulturor dhe diplomacia superiore.
Liria kombëtare, liria e natyrshme, pavarësia, fundi i çdo forme sundimi, shfrytëzimi dhe poshtërimet nga grekët, kolonialistët sllavo-ortodoks dhe kodoshët shqipfolës, janë parakushtet e domosdoshme për të vënë në veprim të gjithë dashurinë e shqiptarit për Shqipërinë Etnike, për jetën, forcën e vetme që mund të mposhtë dashurinë e tij për vdekjen. Një shtegdalje në kuptim të gjerë do mund të gjendet vetëm nëpërmjet ndryshimeve rrënjësore në strukturën tonë politike e shoqërore.
O shqiptarë!
Kemi një detyrë të shenjtë për të mbushur. Nuk duhet të tolerojmë që Toka e Atdheut në të cilën stërgjyshërit tanë kanë duruar pa u tundur shumë stuhia, Toka nga të huajt e okupuar, e cila në një periudhë prej shumë kohe ka pat shumë gëzime por edhe shtypje, diskriminime, persekutime, masakra, terror dhe dhimbje të mëdha, t`arrijë të trajtohet si pronë private e aventuristëve shqipfolës të pa skrupull. Kemi përgjegjësi të shenjta përpara gjeneratave të ardhme; beteja sapo ka filluar, të shtypurit nuk e kanë ndër mend pa luftë ta falin lirinë ende të pa-fituar.
Njerëzimi, domethënë pjesa dërrmuese e njerëzve, është gjithnjë kundër atyre që duan të mirën, sepse turma s`është as e mirë, as e keqe por në thelb është e amullt dhe që urren më shumë se çdo gjë thirrjet drejtuar ndërgjegjes së saj. Kalimi në një shkallë më të lartë, kapërcimi i egoizmit dhe plogështisë janë kryer vetëm nga individë të veçantë, kurrë nga turmat.
Moj shqiponja me dy krena
Ta ndij zanin nëpër breza
O kur të kujtoj ty në luftime
Bahet pushkë kjo zemra ime
*USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Featured Tagged With: Aurel Desareti, gjaku im, qe nuk falet, shqiperia

HOTI E GRUDA, MË 14 NËNTOR 1918, I KËRKOJNË KONFERENCËS SË PAQES NË PARIS T’IU GARANTOJË BASHKIM ME SHQIPËRINË

November 16, 2014 by dgreca

NGA RAMIZ LUSHAJ/
1.
Hoti e Gruda janë dy fise të moçme të Malësisë së Madhe që i kanë dhanë lavdi kombit shqiptar, i kanë ba ndere historisë sonë kombëtare, ia kanë ngrit lart emnin vetes.
Aty ku është Hoti, patjetër, gjendet edhe Gruda, si vendbanim, si veprimtarim apo si toponim. Skej liqenit të Plavës, në lartime territoriale të Hotit të Vendit janë dhe Livadhet e Grudës. Në rrjedha të shekujve, gjithato gurra dokumentare, edhe kancelaritë e botës, i përmendin sëbashku.
Filozofia e popullit i ka udhë ndritë shprehjet e motmoteve: “Pushka e Hotit” dhe “Gruda shpatën”.
Ndër 12 fiset e Malësive, për shumçka, Hoti përmendet i pari. Historia e vrell herët Hotin, qyshse nga viti 1330, kurse Grudën nji shekull ma vonë, kah viti 1445.
Edhe në një Kërkesë zyrtare publike të 14 nëntorit 1918 drejtue Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëm të katër Fuqive të Mëdha: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Francës e Italisë, të dy fiset Hot e Grudë, sëbashku, si shpeshherë në histori, janë nënshkrues të saj me mendje e penë, me zemër, me emra e mbiemna, me vendbanimet si barqe e lagje-fshatna.
“Ne, – thonë ata, – të nënshenjuemit, përfaqësues të ligjëshëm të lagjevet të ndryshme qi përbëjnë fiset e Hotit e të Grudës, kemi nderin me i parashtuem vërejtjes dashmire të Pushtetevet të Mëdha të Kuptimit kërkesën qi vijon, tue i lutun përvujtnisht që të kenë mirësien me e marrë në kujdes e me kënaqun dëshiret t’ona kombtare”.
2.Hoti i Vendit në Plavë-Guci është pushka e parë e Luftës të Ultinës së Epërme të Limit (Luftës së Nokshiqit) më 4 dhjetor 1879. Ia shkrehi i pari kryeluftëtari martir Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit dhe ia hap ndjeki flakëpërflakë betejës së parë dhjetoriane dhe kryetrimi prijtar Alush Zmajli i Haxhajve të Hotit me mbi 40 luftëtarë nga vllaznitë e tij hotjane të atyhit: Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj e bashkë me ta dhe i vuthjani Bajram Musa – i Dedushaj, që la shtagen e çobanit në kullotë në Zabel e kapi pushkën e luftës. Në kit’ luftë frontale me dy beteja luftarake (dhjetor 1879-janar 1880) morën pjesë ballore te tana fiset e Malësive nga Kelmendi i Rrafshit, i Gurit, i Rugovës, nga Malësia e Gjakovës, nga Peja…e dekteri nga Tetova e Tepelena. Luftëtarë nga ma shumë se katër vilajetet e atëherit. Ishte hera e parë në histori që shqiptarët e “Arbnisë së Vogël” (Plavë-Gucisë) e të “Arbnisë së Madhe” (Shqipërisë Etnike), me frymëzim e drejtim nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e banin të vetëm një luftë të tillë frontale përballë 7 krajlive ma të mëdha të botës si dhe përballë dy krajlive të reja të Ballkanit: Malit të Zi e të Serbisë. Nuk është e rastit që pas kësaj lufte, në fushën e betejës, u gjetën disa flamuj të Rusisë perandorake.
Ajo çka due me thanë veçmas në kit’ fjaltim dokumentues ka të bajnë me faktin se Hoti i Rrafshit në afri të liqenit të Shkodrës e ndërmjet Shkodrës e Podgoricës, i përfshimun në vilajetin e Shkodrës, iu erdhi shpejt e fort në ndihmë vllaznëve të vet në Hotin e Vendit skej liqenit të Plavës, në kazanë e Gucisë të vilajetit të Kosovës. Atyne iu printe Çun Mulaj, bajraktari i Hotit. Iu dolën në krah vllaznëve të vet të gjakut e të pragut. I dolën në ballë luftës me malazezët. Patjetër, me hotjanët, ishin edhe grudianët. Kur ta ndijsh’ hapin e parë Hoti prite të dytin Gruda.
Hoti e Gruda nga vilajeti i Shkodrës shkuen e luftuen me trimni, gjak e plagë në Plavë-Gucinë e vilajetit të Kosovës, sepse ata luftonin shumëfish: dhe për Plavë-Gucinë (e Hotin e atyhit), dhe për Shqipërinë që e ka falë Zoti me kufijtë e vet natyral etnik, dhe për Hotin e Grudën e vet trojenike shqiptare. Po e çoj pushkën Hoti mu me ia ndal veç Zoti. Edhe sot e mot, kush lufton për tokat etnike shqiptare nën Malin e Zi ka luftue për Shqipëri dhe për shtëpinë e tij, për kryet e vet e brezat e vet.
Ambasadorët e Fuqive të Mëdha më 18 prill 1880, miratuan propozimin italian për “Vija Korti” për t’i dhanë principatës së Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Këta nënshkruan Protokollin e Stambollit, i njoftun si “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej më 22 prill 1880. Ditën tjetër, më 18 prill 1880, në Shkodër – kryeqëndrën e vilajetit, u ba nji miting popullor shumë i madh për besë e qëndresë panshqiptare ndaj Fuqive të Mëdha. Aty hotjanët e hoqën flamurin e Perandorisë Otomane dhe bajraktari i tyne, Çun Mulaj, e ngriti Flamurin e Shqipërisë. Te dyja akte të larta e të rralla për at’ kohë të vështirë. Më 22 prill 1880, pasi forcat otomane e lëshuan Tuzin shqiptar, aty u venduan mbi 5.000 forca shqiptare (në disa burime flitet për rreth 8.000 luftëtarë), të cilat luftuan e fituan për mbrojtjen e Hotit e të Grudës kundër ushtrisë së Malit të Zi, që kishte rreth 10.000 ushtarë të mobilizuem në luftime dhe gëzonte përkrahje ndërkombëtare në frymën e vendimeve të Kongresit të Berlinit. Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane. Dekteri në Luftën e Parë Ballkanike (1912-‘13) Mali i Zi i Krajl Nikollës nuk mundi me hy në Hot e Grudë, në Tuzin e historisë shqiptare. Kësaj here vetëm me gjak, hjekësi, ortaklli, me mbështetje sllavofile, çka është një (sh)pagim që mos e vujtshin deri nesër, brezat e rinj të rritës së sotme.
Hoti e Gruda, të dy fiset nënshkruese sëbashku, duen me ua rikujtue në atë Kërkesë të tyne të 14 nëntorit 1918 drejtue Konferencës së Paqes në Paris, Fuqive të Mëdha të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës e Italisë, luftnat e tyne për pragun e shtëpisë trojenike dhe për Shqipërinë Etnike: “Bota mbarë e dëshmon se currat e thepisun të Hotit e të Grudës kanë qenë kurdoherë për Shqipninë një murajë (barrierë) e pa kapërcyeshme për kundër Malit të Zi se banorët e tërhustë të këtyne viseve u janë kundërshtuem me armë në dorë, qi gjithnji pa u rreshtun turravet të Malazezëvet mbrenda tokës shqiptare. E për provë të fjalvet t’ona asht mjaft qi të leçisim qëndrimin e përgjaktë qi të parët t’anë patën bamun kundër lëshimit të dhunshëm të Fisevet t’ona Malit të Zi të venduem prej Kongresit të Berlinit, qëndrim qi ma në fund, i nxuer në shesh të drejtat t’ona e i mbushi mendjen Europës se Hoti e Gruda i duheshin lënë atdheut tonë Shqipënisë”.
3.Sigurisht,Hoti e Gruda, bashkalidhun si dy krena shqiponje në Tuz, përsa lëshon dielli rreze e lëshon toka ujë, kërkuen e luftuen, sakrifuen e jetojnë për lirinë e pavarësinë e vet dhe të Kombit Shqiptar në Ballkan.
Krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër e Malësitë e saj, u mblodhën pikërisht në Tuz – një nga vatrat e lavdisë kombëtare shqiptare, më 16 korrik 1880, për çështjen e Hotit e të Grudës dhe dolën me kërkesa konkrete, ku – ndër të tjera deklaruan: “…ne shpallëm luftën për pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën jemi të vendosur të sakrifikojmë edhe pikën e fundit të gjakut”.
Dy fiset e pushkës e penës, Hoti e Gruda, e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar në Deçiç më 6 prill 1911, e kthyen në përjetesi kit’ vend historik të bekuar, sikurse e jehon kanga e popullit shqiptar, në një “Krujë të Dytë, Vlorë të Parë”. Këto dy fise të krenarisë kombëtare shqiptare, përkrah fiseve të tjera kryengritëse të Malësisë së Madhe, ishin në Kuvendin e Gërçes (Kelmend i Gurit), ishin ndër nënshkruesit e Memorandumit të Gërçes (shqip-frengjisht). Në kit’ dokument historik panshqiptar, pjesë e vazhdimësisë të Platformës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Lidhjes së Prizrenit e nji Program plotor për Autonomi të Shqipërisë me 12 kërkesa, janë firmtarë nga fisi i Hotit Ded Gjo’ Luli e Gjet Mark Ujka dhe nga fisi i Grudës Sokol Baçi e Dedë Nika.
Në Kërkesën e tyne të 18 nëntorit 1918, të dy fiset sëbashku, Hoti e Gruda, e shohin me vend e me rend me ia njeh thuktë Konferencës së Paqes në Paris disa nga kontributet e veta kombëtare shqiptare e properëndimore: “Ndë 1911 banorët e Fisevet t’ona, të bashkuem me vllaznit t’onë të Këlmendit, të Shkrelit e të Kastratit, rrokën armët kundër ndrydhjes së Turqvet të Rinj, e ndë 1912 kanë luftuem prapë kundër Turqisë, krahpërkrah me Beslidhunit ballkanik, për liritë e mëvetësisë të Shqipnisë. Po, mjerisht, Konferenca e Londrës nuk deshi me na i njohun të drejtat, e Fiset t’ona ia lëshoi Malit të Zi tue i bashkuem kështu me fatik e keq qi patën shumë vise të tjera të Shqipnisë, të cilat qen shkëputun prej Atdheut shi mb’atë kohë kur vetë ajo Konferencë po e krijonte të lirë e më vete”.
Hoti e Gruda, me histori e traditë në gene e hapa, me dhimbjen në shpirt e zemra prej ndamjes nga trungu amë kombtar etnik i Shqipërisë, me pushkë në sy e krah për me u ribashkue me kombin e vet, me vuajtjet mbi shpinë nga pushtimi shoven i Mbretnisë së Malit të Zi, me plot sakrifica, shkatërrime, emigrime e spastrime etnike gjatë dy Luftnave Ballkanike (1912-1914) e Luftës së Parë Botërore (1914-1918), nga Shkodra i fjalathonë Konferencës së Paqes në Paris, tekstualisht: “…Konsujt e Pushtetevet të Mëdha e Ushtritë Ndërkombëtare të Shkodrës kanë qënë dëshmitarë të shmërgimit tragjik të banorëve të Hotit e të Grudës e të mundimevet të randa e të patregueshme që kanë vuejtun rrotull vjetëvet 1913, 1914 e 1915 tue e shkuem jetën andej e këtej larg votravet e të sdeshun prej pasunivet të veta”. Njëherash edhe iu bajnë me dije Fuqive të Mëdha të mbledhuna në Paris se: “Populli i visevet t’ona, qi për doke e zakone, e për gjuhë e gojëdhana të veta kombtare asht thjesht shqiptar protestoi rrebtësisht, disa herësh kundër këtij lëshimi të padrejtë e të dhunshëm…Këto janë pësimet e vajtueshme të Fisevet të Hotit e të Grudës”.
4=Dy bajrakët e Hotit e bajraku i Grudës, 45 burra të këtyne dy fiseve, me të Drejtën e Zotit, në emën të Tokës, Historisë e Ardhmënisë së vet lokale e kombëtare, u mblodhën më 18 nëntor 1918 në Shkodër plotpërplot dy muaj para Konferencës së Paqes në Paris. Ata kishin besë e shpresë se në kit’ Konferencë Ndërkombëtare “po bahen gadi me hedhun themelet e njij paqe të drejtë e të qëndrueshme të mbështetun mbi këto parime fisnike” dhe iu bajnë të ditun se në pritje të fillimit të punimeve të saj “shpresat tona po njallen”.

Nënshkrues të kësaj Kërkese zyrtare publike për Konferencën e Paqes në Paris, për ministrat e Jashtëm të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës e Italisë, janë burrat ma të shquar të Hotit e të Grudës:

Nga fisi i Hotit në Tuz kanë nënshkrue 24 burra të njoftun, dy bajraktarët, nji kryepar’ e kre të lagjeve (vllaznive, barqeve) të atyhit, sipas këtyne titujve zotnues e sipas rendit të atëherit:

Deli Meta – bajraktar e kryepar i rrethit të Rapshës (Hot)
Tom Nikolla – krye i lagjes Gjonaj
Gjekë Uci – krye i lagjës Gjonaj
Nikollë Luca – krye i lagjës Jungji
Gjush Marku – krye i lagjës Kolçekaj
Nikë Martini – krye i lagjes Pepaj
Lekë Marku – Krye i lagjës Gjelaj
Lucë Ula – Krye i lagjës Gjoknikaj
Marash Doka – Krye i lagjës Ndrekaj
Zef Muça – Krye i lagjës Vuksalaj
Prelë Dushi – Krye i lagjës Prekaj
Prenk Gjetja – Krye i lagjës Lulashpepaj
Gjon Ujka – Krye i lagjës Brigje
Haxhi Mustafa – Krye i lagjës Nënhelm
Lucë Nishi – bajraktar i rrethit të Traboinës (Hot)
Prelë Keri – krye i lagjes Arrza
Gjon Ujka – Krye i lagjës Gojçe
Sokol Mali – Krye i lagjës Dushaj
Nikë Gjeloshi – Krye i lagjës Vuksanlekaj
Gjokë Elezi – Krye i lagjës Bardhaj
Nikë Gjeloshi – Krye i lagjës Nabom
Dedë Gjoni – Krye i lagjës Rranza
Prenk Zeka – Krye i lagjës Çemerr
Gjon Nika – Krye i lagjës Skorraq
Nga fisi i Grudës në Tuz kanë nënshkrue 21 burra të njoftun, bajraktari, tre kryepar’ dhe kre të lagjeve (vllaznive, barqeve) të atyhit, sipas këtyne titujve zotnues e sipas rendit të atëherit:
Dedë Nika – bajraktar i Grudës
Pjetër Preka – kryeparë i rrethit të Rranzës së Sukës (Grudë)
Mirash Hasi – kryeparë i rrethit të Grudës së Poshtme – Grudë
Dedë Nika – kryeparë i Dinoshës
Lulash Baçi – krye i lagjës Pikala
Lekë Luli – Krye i lagjës Prifti
Palokë Marku – Krye i lagjës Levka
Lucë Gjeloshi – Krye i lagjës Bregcem
Kolë Leka – Krye i lagjës Kurreci
Dokë Ujka – Krye i lagjës Grimaj
Tomë Gjeku – Krye i lagjës Setanaj
Losh Gjeka – Krye i lagjës Ubrunçaj
Dedë Preka – Krye i lagjës Kalaj
Tomë Gjoni – Krye i lagjës Sinishtë
Prelë Doka – Krye i lagjës Vulaj
Gjek Preloci – Krye i lagjës Nikaj
Marash Pëllumbi – Krye i lagjës Meshkallë
Prenk Deda – Krye i lagjës Vucok
Mehmet Murati – Krye i lagjës Gjokaj
Bisho Caku – Krye i lagjës Haxhiaj
Zef Martini – Krye i lagjës Preçaj
Dy fiset e moçme shqiptare Hoti e Gruda, 45 firmëtarët e Kërkesës i drejtohen Konferencës së Paqes në Paris “tue pasun besim të plotë se do të kryhen dëshirat t’ona” dhe, njëherash, theksojnë në vargavijë të kësaj kërkese se “marrim lejen me i u sjellun drejtësiës së tyne tue i lutun përvujtnisht, nde’mën të drejtave të shëjta të Shqipniës e të parimit të vetvendimit të popujve që të kenë mirësiën me venduem qi fiset t’ona të lidhen prapë me atdhenë t’ënë, Shqipniën”. Në përmbyllje të Kërkesës së tyne ata paraqesin dhe argumentat e veta se Hoti dhe Gruda “janë nji pjesë e pandame e saja (Shqipërisë), si për arsye ethnografike e gjeografike, ashtu dhe për gojëdhanat e dëshiret kombtare të banorëvet të vet”.
Kjo Kërkesë e Hotit dhe e Grudës mbeti në Dosjen e madhe të pambyllun të Konferencës së Paqes të Parisit (1919-’20). Ajo mbeti si Ankesi II i Notës XXII, pasi Aneksi 1 ishte Kërkesa e Anës së Malit e Krajës. Sikurse këto treva etnike shqiptare në Bregdetin Adriatik e Ultinën e Podgoricës, në dy anët e Cemit e Moraçës, edhe ato në lartësitë alpine si Plavë-Gucia, Rrozhaja etj., mbetën nën Malin e Zi prej atëherit e dekteri më sot. Këto ishin padrejtësi të shekujve XIX e XXI, ndërsa shekulli XXI duhet të jetë ndryshe…

Filed Under: Featured Tagged With: HOTI E GRUDA, I KËRKOJNË, KONFERENCËS SË PAQES, MË 14 NËNTOR 1918, me Shqiperine, ne Paris, T’IU GARANTOJË BASHKIM

Eduard Selami kandidon për sekretar i përgjithshëm

November 16, 2014 by dgreca

Eduard Selami, 24 vite më parë ishte frymëzues i studentëve dhe themeluesi i PD-së, duke luajtur një rol të rëndësishëm në përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri që në vitet e para të demokracisë. Por ai është edhe ish-sekretari i parë i përgjithshëm i demokratëve që nga 12 dhjetori ‘90 deri më 22 mars, kohë kur PD-ja erdhi në pushtet ndërsa ai u zgjodh kryetar i saj. Pas kaq vitesh, z.Selami tregon për “Gazeta Shqiptare”, se ka vendosur të hyjë sërish në garën për postin e sekretarit të përgjithshëm, me besimin se do të fitojë. Ai ka telefonuar dy kandidatët e tjerë që hyjnë në këtë garë, Arben Ristanin dhe Enkelejd Alibeajn, ndërsa vetë thotë se kandidon për vazhdimësinë dhe vlerat e reja në PD. Eduard Selami ka vendosur të vijojë karrierën e suksesshme në PD, që nisi që në orët e para të krijimit të saj, vijoi me karrierën profesionale në SHBA dhe rikthehet sërish si i duhuri për të drejtuar postin e sekretarit të përgjithshëm. Sepse ka çfarë të ofrojë, pikërisht kontributin dhe eksperiencën e gjatë në Partinë Demokratike.
Z.Selami, si e shikoni procesin zgjedhor brenda PD-së, që nisi nga baza dhe po shkon drejt përfundimit të zgjedhjes së lidershipit të ri?
Këtë proces e konsideroj shumë të rëndësishëm, i cili nisi fill pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit. Procesi tashmë është drejt plotësimit dhe për mendimin tim e ka bërë Partinë Demokratike një forcë më të mirë, ka zgjeruar demokracinë brenda partisë, ka krijuar një hapësirë për thirrjen e elementëve të rinj, një harmonizim të vlerave dhe kontributeve brenda PD-së. Sot PD-ja ka rritje të ndjeshme të anëtarëve të saj. Janë plot 106 mijë anëtarë, me rreth 5200 seksione, 527 grup seksione në 53 degë në mbarë vendin dhe sot PD-ja është më e fortë dhe më e shëndetshme se ç’ishte më përpara. Ky proces do të vazhdojë. Ne po bëjmë një opozitë konstruktive, ballore, në interes të Shqipërisë dhe forcimit të Partisë Demokratike.
Është e vërtetë që ju do të kandidoni për sekretar të përgjithshëm?
Po, është e vërtetë. Do të kandidoj për postin e sekretarit të përgjithshëm.
Ju keni qenë sekretari i parë i përgjithshëm i PD-së në fillimet e saj, për dy vite me radhë, nga themelimi i saj më 12 dhjetor e deri në fitoren e ’92-shit. Çfarë përbën për ju rikthimi tek ky post në rrethana krejt të tjera?
Po të lëmë mënjanë anën emocionale, e cila është e paevitueshme sepse unë kam qenë sekretar i përgjithshëm që në themelimin e PD-së, është një detyrë që e shoh me shumë përgjegjësi. Në ato vite të vështira, së bashku me themeluesit e tjerë ne kemi shkuar në çdo cep të Shqipërisë, për të filluar gjithçka nga e para, duke qenë partia e parë opozitare që iu kundërvu diktaturës më të egër komuniste. Ne në një kohë shumë të shkurtër e kthyem urrejtjen që kishin shqiptarët kundër komunizmit, në shpresë për të ndërtuar një Shqipëri si gjithë Europa. Unë mendoj që PD-ja tashmë ka ndryshuar, është në një stad tjetër. Me shumë dëshirë kam pranuar që të ofroj kontributin tim, sepse gjykoj se PD-ja sot është në një proces të rëndësishëm të organizimit të saj, të bërjes së opozitës, të ruajtjes së shtetit ligjor dhe të interesave të qytetarëve tanë.
Kam dëgjuar se, në momentin e vendimit për të kandiduar për këtë post keni telefonuar dy rivalët tuaj, Ristanin dhe Alibeajn…
Po, është e vërtetë që telefonatat e para ua bëra dy kandidatëve të tjerë, për të cilët kam respekt. Kjo është një garë brenda familjes politike. Është një garë se kush e bën këtë punë më mirë dhe vendimi u takon me votim të fshehtë 278 anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Ju personalisht, ç’po bëni për ta pasur më të sigurt postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, pasi me sa di unë, kandidatët e tjerë po lobojnë me anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të PD-së?
Fillimisht kam biseduar dhe takuar shumicën e deputetëve, më shumë për të shkëmbyer vizionin dhe vlerat e përbashkëta që ndajmë. Ajo që mund të them është se kjo është një garë brenda familjes, është një garë që gjithkush ka të drejtë të mendojë se mund të japë kontributin e tij. Unë kam vendosur të jap kontributin tim. Mendoj që së bashku me kryetarin Basha, ky do të jetë një kombinim i mirë i historisë që unë mbart dhe gërshetimit të vlerave që e themeluan PD-në, si një forcë me orientim të qartë euroatlantik dhe përfaqësuese e vlerave të lirisë e demokracisë.
Në momentin që ju vendosët të kandidonit, kush ka qenë personi që ju telefonoi?
Kanë qenë disa, që unë dua t’i falënderoj, kanë qenë deputetë, kryetarë degësh, anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe mjaft anëtarë të thjeshtë, që prej muajsh më kërkojnë më shumë angazhim brenda partisë.
A është zgjedhja juaj, më e mira për PD-në?
Në këtë moment besoj se po.
Pse duhet të votojnë emrin tuaj anëtarësia e Këshillit Kombëtar të PD-së?
Mendoj se unë kam një eksperiencë të gjatë në PD. Kam një profil politik të cilin demokratët e njohin. Kam një eksperiencë dhe lidhje të rëndësishme në Amerikë dhe në Perëndim, aty ku Shqipëria është duke shkuar.
Të ndalemi pak tek qeverisja e majtë; si po qeveris ajo?
Është për të ardhur keq që është një qeverisje e cila lë shumë për të dëshiruar. Për mendimin tim, rrallë ka pasur një qeverisje që për një kohë kaq të shkurtër, të thyejë shumë premtime dhe ta vendosë Shqipërinë në një pozitë të vështirë në shumë plane. Ftesës sonë për konsensus dhe dëshirës sonë për të bashkëpunuar me të për interesin kombëtar për integrimin evropian, fatkeqësisht mazhoranca iu përgjigj me thyerjen e konsensusit dhe një raprezalje në spastrime nga puna, duke shkelur ligjin. Vërejtjet e mia janë po ato që shprehen dhe në progres-raportin e BE-së; përpjekja për të zhbërë institucionet, sulmi ndaj institucioneve të pavarura, përpjekja për të rrudhur demokracinë, futja e dhunës në parlament, janë shenja serioze që më shqetësojnë mua dhe shumicën e shqiptarëve.
A e ka ndjerë zona që ju përfaqësoni, ajo e qarkut të Elbasanit, këtë keqqeverisje që ju thoni?
Po, dhe shumë më shumë se ç’paraqitet në media! Madje shumë më shumë se ç’mendoja dhe unë si opozitar! Jo larg, por dje (të premten) unë isha në një zonë të Elbasanit, në Belsh, së bashku me kryetarin Basha, ku rreth 30 mijë vetë prekeshin drejtpërdrejt nga ai premtim i dhënë gjatë fushatës elektorale, që do të rritej çmimi i blerjes së duhanit deri në 600 lekë, nga 320 që ishte më përpara. Dhe jo vetëm që nuk u rrit, por tashmë ka shkuar tek 180 lekë, ku kostoja e tyre është tek 270. Pra preken rreth 30 mijë banorë dhe familjet e tyre. Ajo që është më shqetësuese është se nuk kanë mundur të kontaktojnë as me deputetët e PS-së dhe kryetari i Bashkisë së Belshit, Asqeri Kuqja më tha se prej kohësh përpiqet pa sukses të kontaktojë me kryeministrin e vendit. Këto nuk janë praktika bashkëkohore.
Për këto arsye del në protestë PD-ja më 22 nëntor?
Protesta e 22 nëntorit, nuk është vetëm e PD-së, është e të gjithë shqiptarëve; është protestë kundër premtimeve të pambajtura, është protesta e moshapjes së vendeve të reja të punës dhe e varfërimit të përditshëm, rritjes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe mungesës së shpresës. Prandaj iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë pa dallime partiake në protestë, si një formë e rëndësishme për mirëqeverisjen.
Në kushte të tilla, a po i përmbush PD-ja detyrimet e saj si opozitë?
Unë them që po. Ne po shkojmë tek qytetarët. Këto shqetësime që unë po ngre, janë hallet e përditshme të shqiptarëve, të prekur drejtpërsëdrejti nga arroganca e qeverisë. Nuk janë shqetësime të sajuara prej nesh. Ne po përcjellim problemet që kanë shqiptarët. Ajo që është për të ardhur keq është që qeveria dhe kryeministri janë larguar nga qytetarët dhe premtimet e bëra.(Kortezi:Valentina Madani-Gazeta Shqiptare)

Filed Under: Featured Tagged With: Eduard Selami kandidon për sekretar, i përgjithshëm

Shërbesa myslimane në Katedralen Kombëtare në Washington

November 16, 2014 by dgreca

Një grup myslimanësh u ftuan të faleshin dje në Katedralen Kombëtare në Uashington me shpresën se një shërbesë islamike në një nga kishat më të njohura të Amerikës do të dërgojë një mesazh për harmoninë ndërfetare për të kundërshtuar përdorimin e fesë nga ekstremistët si justifikim për urrejtje dhe konflikte.
Thirrjet e lutjeve tingëllonin dhe shpesh dukeshin si të ishe në një xhami – gjatë shërbesës në mbajtur në pjesën veriore të katedrales.
Nën harqet gotike të Katedrales Kombëtare, pastorja Gina Campbell ftoi besimtarët duke thënë se vendi i shenjtë ishte
“… përkufizuar nga Kongresi si shtëpia e luftjeve për të gjithë njerëzit”.
Organizatorët zgjodhën këtë ambjent në mënyrë që besimtarët të kishin lindjen përballë Mekës pa parë kryqet e katedrales dhe ikona të tjera të krishtera.
Në predikimin e tij ambasadori afrikano-jugor Ebrahim Rasool tha se toleranca është një rrugë me dy drejtime.
“Ato që dëshirojmë për vete, lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes në Shtetet e Bashkuara, duhet ta dëshirojmë për të krishterët dhe ata të besimeve të tjera në vatrat e Islamit.”
Zoti Rasool tha se shpreson që një ditë jo-muslimanët do të jenë në gjendje të luten gjithashtu në një nga xhamitë më të mëdha të botës.
“Mendoj se duhet të kthehemi tek tradita profetike myslimane në të cilën profeti, paqja qoftë mbi të, fton të krishterët në xhaminë e tij që krijoi në Medina për t’u thënë, mund të luteni këtu.”
Përveç një ndërprerje, këta muslimanë ishin në gjendje të kryenin lutjet e tyre në paqe.(VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Katedralen Kombëtare, Shërbesa myslimane në, Washington

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT