Shkruan: Hazir MEHMETI, Vjenë/
Në Vjenë u mbajt kuvendi i rregullt zgjedhor i Shoqatës së Mësuesve/eve Shqiptarë në Austri. Morën pjesë mysafir nga Ministria e Diasporës z.HamdiBerbatovci, sekretar, z.YmerAvdiu, drejtor departamentit. Nga MASHT- së Kosovës z.NuhiGashi, koordinator për diasporë.Z.YmerLladrovci, konsull në Ambasadën e Kosovës.
Nga të gjitha Njësitë Federale të Austrisëmorën pjesë një numër i kufizuar i mësuseve të gjuhës shqipe. Z.HamdiBerbatovci, kuvendit i përcolli përshëndetjen e ministrit z.IbrahimMakolli, Z.Lladrovci: “Ju sjell përshëndetjen e z.BlerimCanaj, u.d. i ambasadorit Shkolla Shqipe në Diasporë është një institucion shumë i rëndësishëm dhe jemi munduar në çdo takim me përfaqësuesit e MASHT, M së D që t’i determinojmë problemet që janë grumbulluar me vite dhe akoma nuk kanë marrë rrugëzgjidhje që Shkolla Shqipe të jetë aty ku synojmë. Të përpiqemi të gjejmë ku janë faktorët kryesor, ku janë problemet, ku ngecim e ku çalojmë. Ju të nderuar mësues/e ju përgëzoj për punën që bëni dhe mund t’iu them se jeni me fat që jeni në Austri, shtet ky i cili e bënë financimin e juaj, të cilën gjë nuk e kanë kolegët tuaj në shumicën e shteteve tjera. Të dy ministritë janë aktivizuar në përkrahjen e Shkollës Shqipe. Ne si ambasadë do ju përkrahim në të gjitha format e mundshme. Sukses kuvendit tuaj!” Në emër të ambasadës z.Lladrovci dhuroi një mirënjohje Shoqatës për punën e saj të deritashme të cilën e pranoi z.Osman Ademi kryetar i deritashëm i shoqatës. Kuvendin e përshëndeti Z.NuhiGashi (MASHT), në emër të dikasterit të tij duke i dëshiruar sukses kuvendit zgjedhor. Raportin e aktiviteteve të deritashme e mbajti kryetari i deritashëm z.Osman Ademi, mësues.” Shoqata u themelua zyrtarisht në vitin 2010. Aktivitetet e saj janë bazuar kryesisht në organizimin e programeve kulturo artistike, kuizeve, ekskursioneve, bashkëpunimet ndërkulturore, sensibilizues etj.” Raportin e përkrahjeve materiale nga donatorët, shpenzimet organizative dhe gjendja momentale rreth financimit e mbajti z.IbrahimHasani, arkatar.“Shoqata e ka xhiro konton e saj dhe të gjitha donacionet regjistrohet dhe është transparent. Dy vjetët e fundit M e D e ka ndihmuar mbajtjen e kuizit të diturisë, ekskursionet dhe aktivitet me nxënës në Kosovë” Z.NuhiGashi, (MASHT) sugjeroi për një organizim të mirëfilltë e efikas të shoqatës. “Duhet kaluar në punën projektuese, ndërtoni planin e punës së aktiviteteve tuaj me kohë, kalendarin e punës. Ju jeni bartës të aktiviteteve, ndërgjegje kulturore në kuptimin e fjalës. Ju duhet njohje dhe lidhje me biznesin shqiptar, raport të hapur e të sinqertë me ta në nivel të Austrisë dhe kjo ju mundëson realizimin e programeve tuaja arsimore e kulturore të shoqatës. Hapja e faqes së internetit është e domosdoshme dhe është anakronike që ju të mos keni këtë sot kur dihet shkalla e komunikimit. Mos harroni komunikimin me autoritetet vendore, komunikimi me to sjell favore në interesin tonë. Një rol ndërmjetës i juaji mes Institucioneve të dy vendeve ka një rëndësi të veçantë. Ju jeni bartës të llogaritni edhe në mua, unë e ndiej se jam pjesë e juaja”. Z.YmerAvdiu (M e D) “Ne do ju mbështesim aq sa mundemi në disa nga aktivitete tuaja, natyrisht sipas planeve të punës suaj”. Nga të pranishmit u zgjodh kryesia e re me kryetar IsmetSinani, mësues në Linc, nënkryetare, Miradije Berisha (Tulln) anëtarë kryesie u zgjodhën: Ibrahim Hasani(Nied.) Osman Ademi(W), HazirMehmeti (W), Armida Biçaku(Szb). Z.IsmetSinani në emër të kryesisë së re e falënderoi për punën e deritanishme kolegët nga kryesia e kaluar.
Ambasada e Kosovës dhe Shoqata e Mësuesve/eve organizoi një takim lamtumirës për z.ShefqetGashi, mësuesi i parë në Austri i cili shkoi në pension. Një fjalë përshëndetëse mbajti z.BlerimCanaj, ambasador: Rreth punës së tij folën kolegë e kolege, u dha një videofilm rreth aktiviteteve të tij në punë dyzet vjeçare me nxënës. Një mirënjohje për punën e tij e ndau ambasada e Republikës së Kosovës. RrustemIbishVesli, bashkëveprimtar i z.Gashi e uroi për punën e tij të gjatë në procesin mësimor në Vjenë. Nxënësi Mirlinda Mehmeti, Alban Spahiu, Fiona Kabashi recituan e kënduan këngë me urimin për mësuesin e tyre. Mjaftë prekëse ishte letra nxënësve binjakë Edita e Edit Maliqi kushtuar mësuesit Shefqet e shoqëruar me buqetë lulesh.
Archives for November 2014
PRESHEVË: ATDHETARIZËM, ETJE PËR ARSIM E KULTURË SHQIPTARE…
Nga: Murat Gecaj/
Në datat 24-27 maj 2011, pra gjatë katër ditëve, një grup pune prej 11 vetash, nga organizmi joqeveritar, Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare me qendër në Tiranë, bëri vizita intensive në qytetet: Shkup, Preshevë e Prishtinë.
Në përbërje të tij ishin: Rezart Gashi, drejtor i Institutit dhe Dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror të tij. Gjithashtu, bënin pjesë përgjegjës sektorësh e specialistë të arsimit, kultures e shkencës: Prof. Emil Lafe, prof. Hulusi Hako, prof. Hasan Çipuri e prof. Murat Gecaj, Namik Selmani- arsimtar e shkrimtar, Zyba Hasa-arsimtare e poete, Fatbardh Danja-inspektor arsimi pranë Komunitetit Musliman Shqiptar, Ibrahim Hajdarmataj-drejtues shkolle e Liliana Gashi-specialiste arsimi.
1.Lugina e Preshëvës, me qytetin me këtë emër dhe Bujanocin e Medvegjën, ndoshta, ishte kërshëria më e madhe për ne, në këtë udhëtim në tri shtete të Ballkanit. Dhe kjo gjë, natyrshëm, është më se shpjegueshme.
Që në kufi dolën për të na pritur tre anëtarë të komisionit të IIKSH për arsimin në Preshëvë: Xhemaledin Salihu, Alixhemal Saliu e Musa Ajeti. Në ecje e sipër, ata na njohën me fshatrat shqiptare, që shtriheshin në të dyja anët e udhës së makinës, me fakte interesante nga traditat e tyre atdhetare e arsimore, për ruajtjen të pastër të gjuhës amtare etj. Na informuan se ky rajon autokton shqiptar ka tani 2 shkolla të mesme (gjimnaz e teknike) dhe 8 shkolla 9-vjeçare: në qendër (Preshevë), Rahovicë, Rainicë, Corroticë, Stacioni Hekurudhor, Leran, Miratoc e Caravajkë . Me këtë rast, m’u kujtua se, kohë më parë, kisha publikuar në gazetën “Mësuesi’ një shkrim për udhën e shkollës shqipe në Luginën e Preshevës dhe disa nga veteranët e saj.
Sapo hymë në Preshevë, kudo na ranë në sy mbishkrimet në gjuhën shqipe. Por, kryesorja, dëgjuam se sa mirë e flisnin banorët vendës gjuhën e njësuar amtare shqipe. Këtë gjë e vërejtëm edhe gjatë vizitave në shkollën e mesme teknike, me drejtor Telat Arifin dhe ku ka 1.300 nxënës e disa mësues. Kolegu ynë N.Selmani ndoqi një orë mësimi në klasën e parë dhe poetja Z.Hysa recitoi vjershën e saj të frymëzuar, kushtuar vizitës në Preshevë, shkruar me këtë rast.
Në Gjimnazin “Skënderbeu”, me drejtor Abdurrahman Zylfiun, pamë bustin e Heroit tonë Kombëtar. Kjo shkollë ka 1.025 nxënës e 87 mësimdhënës, nga të cilët 18 serbë. Pas mbarimit të maturës, nxënësit i ndjekin studimet e larta në Prishtinë, Tetovë e Tiranë. Këtu botohet gazeta periodike “Gjimnazisti” dhe funksionon grupi letrar ”Migjeni”. Që nga viti 1964-1965, kanë përfunduar 11 mijë maturantë. Drejtor i parë ka qenë Mehmet Jusufi, por dhe 10 drejtorët e tjerë kanë qenë shqiptarë.
Në afërsi të kësaj shkolle ndodhet një librari, ku ka tekste mësimorë, por dhe letërsi artistike. Për këtë gjë, na foli punonjësja Fitore Emini, e cila dëshmoi se mësuesit e nxënësit janë të etur për të blerë libra shqip e për të lexuar. Këtë gjë e vërejtëm edhe gjatë vizitës në Bibliotekën e qytetit, ku Vaxhid Mehmeti na tregoi se aty ka sektorë: për fëmijët, të rriturit dhe me literaturë shkencore. Kjo bibliotekë ka sektorë edhe në Miratoc, Rahovicë e Leran dhe numëron afër 1.000 lexues, të moshave të ndryshme.
2.Në konkursin e nxënësve recitues të shkollave të Luginës së Preshëves, që u zhvillua në sallën kryesore të Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krasniqi”, interpretuan me mjaft pasion, kryesisht vajzat. Bukur e tha një koleg i yni se ato, me pamjën e tyre të jashtme, me shprehjen gazmore të fytyrës dhe timbrin e zërit të tyre, ngjanin si zana mali. Por aty recituan edhe pjesëtarët e grupit tonë, poetët Z.Hasa e N.Selmani, që u duartrokitën nga të pranishmit, për vjershat e krijuara posaçërisht në këtë vizitë. Juria shpalli tre nxënëse fituese, nga Bujanoci e Presheva.
Po kështu, gjatë asaj dite, ishin mjaft mbresëlënëse edhe takimet e përzemërta me kryetarin e klubit letrar “Feniks”, Bilal Maliqi; me arsimtarin e poetin e talentuar nga Bujanoci, Arsim Halili; me kryetarin e Shoqatës së Arsimtarëve, Xhemaledin Rexhepi etj.
Plot mbresa të bukura ishte hapja e një ekspozite me vizatime në shkollë, me temë Çamërinë, nga mësuesi e poeti ynë Namik Selmani. Gjithashtu, për teleshikuesit e Preshëvës folën e iu përgjigjën disa pyetjeve të drejtueses së TV lokal, për detyrat e veprimtaritë e IIKSH, Dr. I.Gashi, Prof. E.Lafe e Prof. H.Hako.
Në mbarim të vizitës në Preshëvë, patëm një takim me kryetarin e Komunës, Ragmi Mustafa dhe përgjegjësin e kabinetit të saj, Fatlum Mustafa dhe me drejtoreshën e shkollës 8-vjeçare “Ibrahim Kelmendi”, Hafize Shaqiri. Ata shprehën kënaqësinë për vizitën tonë aty dhe pohuan se janë të gatshëm të bashkëpunojnë për studimin e teksteve ekzistuese, me synim kryesor përafrimin e tyre dhe që të kenë përmbajtje kombëtare shqiptare.
…Deri në kufirin me Kosovën, përsëri na shoqëruan mikpritësit tanë të pandarë, Alixhemali e Xhemaledini. Aty bëmë foto së bashku dhe premtuam se ky do të ishte vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë të ndërsjelltë. Dhe vërtet, përsëri në ditët vijuese ne shkëmbyem mesazhe dashamirëse, me anën e Internetit dhe folëm për punën e projektet tona, të kohës në vazhdim..
(Pjesë nga libri, M.Gecaj, “Rrahin zemrat arbërore”, Tiranë, 2011)
Skënder Luarasi në tempullin shilerian
Nga Petro Luarasi/Bota e qytetëruar nderon kujtimin e kolosit të kulturës gjermane Fridrih Shiler (Johann Christoph Friedrich von Schiller, 10.11.1759 – 9.5.1805) kushtrimi i të cilit për unitet dhe liri të njerëzimit (në vargjet ‘’Ode gëzimit’’) nën ritmin e muzikës bet’hoviane (‘’Simfonia e nëntë’’) mishëron himnin dhe vizionin e Bashkimit Europian. Nga mesazhet universale të tempullit vezullues shilerian, ka fituar dije, shpresë dhe kurajo për liri e dinjitet edhe kombi shqiptar.
Disa muaj mëparë, në përkujtim të Shekspirit (26.4.1564 – 23 .4.1616) Shtëpia Botuese “Onufri” u ofroi shqiptarëve kolanën shekspiriane ku përfshihen edhe gjashtë shqipërime prej Skënder Luarasit: ‘’Mbreti Lir’’ (‘’King Lear’’), ‘’Rikardi II’’ (‘’Richard II’’ ), ‘’Rikardi III’’ (‘’Richard III’’), ‘’Tregtari i Venedikut’’ (‘’Merchant of Venice’’) , ‘’Komedia e keqkuptimeve’’ (‘’Comedy of Errors’’) dhe ‘’Si ta doni’’ (‘’As You Like It’’).
‘’Edhe populli shqiptar ka mundësi ta njohë e vlerësojë më mirë tempullin shekspirian përmes librave e shfaqjeve në gjuhën shqipe, në aktivitete akademike apo programe shkollore, të cilat vazhdimisht ndiqen me interesim dhe japin rezultate të dobishme në arsim e kulturë.’’ 1.(P. Luarasi, Skënder Luarasi në tempullin shekspirian, Dielli, 25.12. 2013. https://gazetadielli.com/skender-luar…n-shekspirian/)
Këto ditë botuesi Bujar Hudhri shpalli edhe një tjetër lajm, pjesë e një plani ambicioz në përkujtim të dramaturgut më të madh gjerman Shiler: botimin për herë të parë në shqip të dramës “Don Karlos”, përkthyer nga origjinali prej Skënder Luarasit. Realizohet kështu pas gjysëm shekulli botimi i kësaj kryevepre, të planifikuar në vitin 1959 nga drejtori i N. Sh. Botimeve, Drago Siliqi , e ndaluar për shkaqe konjukturale politike.
Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që Skënder Luarasi u njoh në rini me veprën e Shilerit, u dashurua me dramaturgjinë, me romantizmin, sidomos me natyrën e mesazheve universal të tij drejtuar brezave, të cilat e frymëzuan për t’ i shqipëruar gjashtë veprat. Ai realizoi edhe një dëshirë të hershme të udhëheqësit të tij Fan S. Nolit, me orientimin letrar e politik të të cilit bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare. Imzot Fan S. Noli, theksonte se këto vepra të Shilerit duhen më tepër për popullin tonë të skllavëruar, sa për botimin e tyre ’’edhe për këtë ka Perëndia’’. Në përkujtim të dy përvjetorëve të Shilerit (10 nëntor 1759 dhe 9 maj 1805) ‘’desh Perëndia’’ të kurorëzohet rrugëtimi plot pengesa e sakrifica i Skënder Luarasit për botimin e të gjashtë veprave të kryedramaturgut gjerman: ‘’Wilhelm Tell’’ (‘’Vilhelm Teli’’, 1934), ‘’Kabale und Liebe’’ (‘’Intrigë e dashuri’’, 1955), ‘’Die Räuber’’ (‘’Hajdutët’’, 1958), ‘’Fiesco’’ (‘’Fiesko’’, 1958), ‘’Die Jungfrau von Orleans’’ (‘’Vajza e Orleansit’’, 2007) dhe ‘’Don Karlos’’ (‘’Don Karlos’’, 2014)
Skënder Luarasi, personaliteti ku ngjizet atdhetari i përkushtuar, mësuesi edukator, historiani, gjuhëtari, shkrimtari e dramaturgu, i kushtonte vëmendje të madhe përzgjedhjes së autorit e veprës që ti shërbente sa më mirë kombit shqiptar, inteligjencies e nxënësve të tij. Ai vlerësonte përmbajtjes dhe formën e veprës, stilin, ritmin, muzikalitetin të ndërthurur me fjalë të rralla e të reja që pasuronin gjuhën shqipe. Përdorte njohjen e thellë të gjuhëve të huaja, arsimimin cilësor dhe dijet e fituara, në mënyrë që përkthimi të vlente për lexim të lirë, për hartime, aktivitete mësimore-edukative dhe për shfaqje teatrale.
“Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasi ka përkthyer në shqip. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.” 2 (A. Kallulli: Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane, Drita, 16.1.2000, f.7)
Rezultatin e kësaj pune mjeshtërore në dobi të arsimit dhe kulturës kombëtare e dëshmojnë lexues, nxënës e kolegë të tij, regjisorë e aktorë që duhen evidentuar ndër studime e programe akademike. I talentuar nga natyra dhe me punë këmbëngulëse, Skënder Luarasi kreu organizimin dhe drejtimin e shoqatave dhe grupeve amatore teatrale të nxënësve në Shkollën Teknike të Tiranës, Institutin Tregëtar të Vlorës, në gjimnazin e Shkodrës dhe Konviktin e tij “Malet tona” si edhe në gjimnazin e Tiranës. Në këto aktivitete ai synonte të njiheshin dhe shfaqeshin pjesë me karakter edukativ e patriotik dhe tematika që i duhej shoqërisë.
Me ardhjen e mësuesit të letërsisë Skënder Luarasi në Institutin Tregëtar të Vlorës “u gjallërua më shumë edukimi patriotik dhe demokratik i nxënësve nëpërmjet procesit mësimor dhe lëvizjes kulturale artistike. Nxënësit shfaqën dramën ‘’Vilhelm Teli’’ (fragmente) dhe ‘’Agimi i Lirisë‘’(i Skënder Luarasit) me rastin e festës së 28 nëntorit të 1932. “Dramat ‘’Vilhelm Teli’’ apo ‘’Klubi i Selanikut’’ kanë patur jehonë mjaft të madhe në atë kohë…” (K. S. Xhani. Instituti Tregëtar i Vlorës, Kujtime.) Ndërsa në gjimnazin e Shkodrës ‘’jo pa qëllim nxënësit deshën të vinin në skenë, në fillim të vitit 1934, në kohën e tensionit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane, dorëshkrimin e S.Luarasit, dramën ‘’Liria’’ 3 (Petro Luarasi, Skënder Luarasi personaliteti, veprimtaria dhe vepra letrare, studim. http://www.forum-al.com/showthread.php?t=15197&page=2)
Skënder Luarasi edhe përmes veprave të Shilerit ka ndikuar në personalitetin, profesionalizmin dhe edukimin ideo-profesional të disa breznive lexuesish, tek nxënës si Qemal Stafa, Fadil Hoxha, Arshi Pipa, Vasil Llazari, intelektualë si Migjeni e Aleks Buda, regjisorët Sokrat Mio, Xhemal Broja, Mihal Luarasi e Drita Agolli. Me personazhet e dramave ‘’Vilhelm Teli’’ dhe ‘’Intrigë e Dashuri’’ (‘’Luiza Miler’’) janë edukuar dhe krenohen që i kanë interpretuar plejada e ndritur e aktrimit shqiptar: Aleksandër Prosi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Drita Pelingu, Marie Logoreci, Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Edmond Budina, Antoneta Papapavli, Elida Janushi, Yllka Mujo, apo më e reja e talentuar, Cubi Metka.
Regjisorë e aktorë dëshmojnë për marrëdhëniet me Skënder Luarasi, komunikimin e drejtpërdrejtë për përgatitjet e mbarëvajtjen e shfaqjeve.
‘’Vilhelm Teli’’
Skënder Luarasi e përktheu veprën “Vilhelm Teli” të Shilerit në kohën kur në Shqipëri sundonte mjerimi, malarja e analfabetizmi, terrori e përgjimi (‘’kishte gardhi veshë e muri sy”) që të ndizte pakëz dritë lirie e drejtësie.
Prej dramave të Shilerit, ”Vilhelm Teli” është i pari përkthim i plotë në gjuhën shqipe. U botua nga Shtypshkronja ”Gutemberg” në Tiranë më 1934 dhe u vlerësua shumë. Edhe tirazhi prej pesëmijë kopjesh i botimit të dytë ( ”Vilhelm Teli” , Stamles, Durrës,1936) u shit në një kohë të shkurtër. Në revistën ”Flaga” të Korçës (qershor 1935) shkruhej: ”Letërsia jonë e varfër u pasurua tani me shqipërimin e denjë të një vepre klasike nga më të mirat e literaturës gjermane…Ajo është një kryevepër ku mbrohet liria dhe të drejtat e njeriut, të cilat janë të vjetra sa edhe ekzistenca e njeriut vetë. Vilhelm Teli ka dalë kaq mirë në shqip, sa duhet të ndjejmë një farë mburrje që gjuha jonë qënka e zonja t’i japë bukur në kuptimin e tyre të plotë e të gjallë ndjenjat më të larta e më të thella të zëmrës njerëzore.”
”Vilhelm Teli” u bë libër i kërkuar për shkollën shqipe dhe inteligjencën e re progresive. Pjesë të dramës u shfaqën në teatrot e konvikteve ndërsa botimi i dytë, u pranua edhe si tekst shkollor prej Ministrisë së Arsimit me titullar Mirash Ivanajn.
Mësuesi Izet Bebeziqi, në gazetën”Kombi”, Vlorë, mars 1938, analizon brendinë e dramës ”Vilhelm Teli’’duke theksuar: ”Shigjetën e Telit e presin tani plot fise e popuj, që mjerisht vuajnë nën thundrën e tiranëve”. 4 (Skënder Luarasi, Shileri në Shqipëri, Nëntori, maj, f.170-174)
Subjektin e dramës mësuesi i letërsisë Skënder Luarasi e përdori për komente dhe tema hartimi (‘’E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë…’’ dhe ‘’Atdheut besnik t’i qëndroni…’’)
Shtypi i kohës e theksonte talentin e shqipëruesit Luarasi: ‘’kemi edhe përkthyesa që janë punëtorë, të aftë, të zellshëm,të cilët na kanë falur përkthime kryeveprash të vështira. Në krye të tyre qëndron Skënder Luarasi me Sakuntalën e Kalidasës, Vilhelm Tell-in e Schillerit dhe Novelat e Oscar Wilde…’’ 5 (Vilhelm Teli, Illyria, 15 korrik 1934, f.3)
Një student i tij shkruante:’’ Bota shqiptare e njeh Shilerin nga drama e tij e famshme ‘’ Vilhelm Tel’’që na është dhënë ne shqiptarëve me përkthimin e shkëlqyer nga një mësues i gjuhës sonë. Ajo u ka rrëmbyer zemrën të gjithëve’’ 6 (Tomorri i vogël, 10.5.1934)
Et’hem Haxhiademi vlerësonte se ‘’ Zoti Skënder Luarasi i cili ka ditur kaq bukur të përkthejë me gjithë hollësirat e saj këtë kryevepër e cila e mëson rininë të dojë dhe të mbrojë lirinë, letrarët e pakët shqiptarë duhet ta përgëzojnë dhe ta urojnë nxehtësisht.Nga pjesa ime përkthimin e Luarasit dua ta quaj një nga përkthimet më të goditura që janë ba deri sot në Shqipëri.’’ 7
( Et’hem Haxhiademi, Vilhelm Teli i Shilerit, Demokratia’’, 23.9.1934, f.3)
Ndërsa gazeta ‘’Besa’’ njoftonte se Akademia Gjermane e Munchen-it i dha Skënder Luarasti medaljen e argjendtë për përkthimin e veprës ‘’Wilhelm Tell’’.
Tashmë‘’Vilhelm Teli’’ është një nga përkthimet e mirënjohura për lexuesin e kulturuar shqiptar me tetë ribotime në Shqipëri e Kosovë.
Disa akte të dramës të përshtatura nga Skënder Luarasi, janë interpretuar nga nxënësit në ambjentet e Shkollës Tregëtare të Vlorës, në Gjimnazin e Shkodrës dhe në Konviktin ‘’Malet tona’’. Vlerat dhe mesazhet edukative-atdhetare të ”Vilhelm Telit’’ dhe peripecitë për shfaqjen e saj i kanë përmendur mjaft nxënës e intelektuale, si poeti Migjeni, pedagogu Aleks Buda, regjizori Xhemal Broja apo aktorët Sandër Prosi e Naim Frashëri.
Porse duhej të kalonin mbi 70 vjet që për herë të parë të jepej e plotë drama “Vilhelm Teli” sipas shqipërimit të Skënder Luarasit. Në muajin janar 2006 trupa e studentëve të Akademisë së Arteve me regjisor Milto Kutalin dhe skenograf Erald Bakallin e shfaqi dramën në skenat e teatrove të Korçës, Pogradecit, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Vlorës dhe Elbasanit. Disa nga aktorët qenë studentët Elis Mataj, Alban Krasniqi, Kushtrim Emërllahu, Bekim Guri, Anisa Dervishi, Klodiana Keco, Loredana Gjeçi, Cubi Metka, etj.
Në skenat teatrore shqiptare buçiti kushtrimi shilerian :
Prej kësaj koke, ku vendosën mollën,
Liri e re më e mirë do blerojë;
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,
Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.
Interesimi i madh i spektatorëve të shumtë provoi që “Vilhelm Teli” edhe në ditet e sotme çmohet për vlerat universale.
Projekti u realizua nga bashkëpunimi i Akademisë së Arteve me Ambasadën Zviceriane dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si edhe të disa subjekteve private.
\
Dramat në Prozë
Dramat e Shilerit ‘’Intrigë e dashuri’’ (1955), ‘’Hajdutët’’ (1958) dhe ‘’Përbetimi i Fieskos’’ (1958) të shqipëruara nga Skënder Luarasi, janë publikuar më vete ose të përmbledhura nën titullin ‘’Dramat në prozë‘’. Ato janë të mirënjohura në teatër nga interpretimet virtuoze të Aleksandër Moisiut (dramat ‘’Hajdutët’’ e ‘’Fjesko’’) dhe prej aktorëve të shquar të Teatrit Kombëtar (‘’Intrigë e dashuri’’ ose ‘’Luiza Miler’’ me regji të Mihal Luarasit e Drita Agollit)
Thuhet se për dramën ‘’Intrigë e dashuri’’ u përdorën dy emërtime dhe dy regji në kohë të ndryshme (1957 dhe 1979) meqë ‘’kuptimi i komunikimit artistik për pjesët klasike nga ana e Teatrit Kombëtar është parë më fort i lidhur me të kuptuarit e bashkëkohësisë.’’ Kështu anashkalohej faktori konjuktural politik, dënimi i regjisorit të shquar Mihal Luarasit. Ai në përfundim të studimeve në Hungari, si regjisor teatri, realizoi dy punë për mbrojtjen e diplomës: dramën e Leon Tolstoit, “Pushteti i Erresires” dhe në Shqipëri tragjedinë e Shilerit “Intrigë e dashuri” ku interpretuan aktorët Naim Frashëri, Loro Kovaçi, Prokop Mima, Sander Prosi, Maria Loloreci, etj. Suksesi qe i jashtëzakonshëm. Premiera e dramës u dha më 10 janar 1957 dhe deri më 14 qershor 1959 u shfaq 28 herë, me 17661 spektatorë, në një sallë ku nuk pati asnjëherë vend bosh. Aktori Naim Frashëri, nxënësi që donte të luante rolin e Melhatalit tek ‘’Vilhelm Teli’’, në shfaqjen e ndaluar nga fashistët më 1943, në vitin 1955 u nderua me ‘’çmimin e Republikës’’ për rolin e Ferdinandit tek ‘’Intrigë e Dashuri’’.
Mihal Luarasi mendon që drama “Dhelpra dhe rrushtë” dhe “Intrigë e dashuri”, së bashku me ngjarjet e tjera, çuan në mospëlqimin e veprave të tij nga sistemi dhe partia në pushtet. Luftëtari antifashisti, atdhetari dhe regjisori i talentuar i kushedi sa shfaqjeve të suksesshme u dënua si armik me 7 vjet burgim.
Vetë drama e Shilerit do të qe dënuar ‘’me vdekje’’ por e shpëtoi rastësia. Sulejman Dibra kujton një fakt interesant. Kur mendohej të rivihej në skenë tragjedia e Shilerit “Intrigë dhe dashuri ” (me regjisore Drita Agollin) ai me Reshat Arbanën shkuan për t’i mbushur mendjen Xhelil Gjonit, por ai nuk pranonte. Të nesërmen ai erdhi në Teatrin Kombëtar dhe kërkoi të falur sepse kishte lexuar se dikur Enver Hoxha kishte shkruar mirë për Shilerin dhe dramën “Intrigë e dashuri ”.
Aktori Edmond Budina tregon se regjisorja Drita Agolli qe shumë kërkuese dhe i thoshte: “Ti je fshatar, nuk je princ siç është Ferdinandi”. Kjo e bënte të vuante shumë, sepse punonte edhe pas provave… Pas shfaqjes e priste një burrë rreth 80 vjeç. Ishte Skënder Luarasi, përkthyesi i “Luiza Miler-it”, ‘’një nga kollosët shqiptarë, i cili kishte një mendje të ndritur’’. Ai i tha: “Ferdinandi je ti, edhe më shumë se ai i pari”…Nga ai moment pata miqësi me të, më ka dhënë librat që kishte në shtëpi për teatrin…’’ 8. (Valeria Dedaj, Interviste me aktorei Edmond Budina, Shekulli, 10.02. 2014 www.shekulli.com.al/website/index.php?)
Aktorja Yllka Mujo thekson ndikimin që ka patur Luiza Mileri, si rol i plotë dhe tepër dramatik, tek personaliteti i saj dhe formimin si artiste.
‘’Ekziston nje veti e magjishme e rolit …Fillimisht, këtë e kam ndjerë shume fuqishëm te Luiza Miler. Kur ecja rrugës pas provave, ndieja që ecja krejt ndryshe, që mendoja krejt ndryshe, shumë herë më tepër se zakonisht, ngreja sytë nga qielli, shume herë me tepër se zakonisht, flisja me yjet ….Përfundimisht, për mendimin tim, roli ka te bejë shumë në formimin e personalitetit njeri aktor ose aktor njeri.’’9. (Irhan Jubica, Interviste me aktoren Yllka Mujo, 55, 4.5. 2009 http://albanianmovies.blogspot.com/2…1_archive.html)
Ajo kujton edhe porositë e Sandër Prosit dhe mesazhet universale të Shilerit, amanete brezave në skenë: “Si thoshe ti mjeshtër i skenës tek interpretoje muzikantin Miler të Shilerit, në kryeveprën “Intrigë e dashuri”: “Ju jeni kryeministër i vendit, por jo zoti i shtëpisë sime”. Dhe bija jote, Luiza Miler (Yllka Mujo) është bërë e tillë si e dëshiroje ti Sandër i shtrenjtë.’’10.
(P. Kabo, Një letër për fisnikun Aleksandër Prosi, Gazeta shqiptare, 24.3.2010, f. 1, 28 – 29)
Emocionet në interpretimin e dramës i kujtojnë me nostalgji shumë personalitete të teatrit shqiptar. Për Elida Janushin ‘’Luiza Miler ishte roli që i ka falur jetë në teatër’’, ndërsa studjuesi Përparim Kabo e cilëson ‘’himnin e dinjitetit të njeriut’’.
Botimi i dramës ‘’Intrigë e Dashuri’’ të shqipëruar nga Skënder Luarasi u mirëprit nga lexuesi dhe institucionet kulturore. Në vjeshtën e vitit 1955, Shefqet Musaraj e vizitoi në shtëpi S.Luarasin dhe i kërkoi një ekzemplar të dramës me autograf. Do të vizitonte Weimarin si përfaqësues i inteligjencies shqiptare dhe donte t’ia dhuronte librin Institutit ”Goethe-Schiller”.
Së andejmi i dërgoi një kartolinë me pamje të dhomës ku punonte Shileri:
” Të fala. Të kam kujtuar vazhdimisht këto ditë që po kaloj në Weimar”
Shefqet Musaraj Weimar, 1 tetor 1955
Kur u kthye në Tiranë, i tregoi shqipëruesit se me të hyrë në Institut i tha drejtorit që kishte sjellë dramën ”Intrigë e Dashuri” në shqip, t’ia dhuronte bibliotekës. Ai e porositi i entuziazmuar të vinte të nesërmen në orën dhjetë. Në sallën e festave, dy rreshta shkencëtarësh të veshur në ornat akademike po prisnin përfaqësuesin e kulturës shqiptare, i cili kaloi përmes burrash të mëdhenj nga trupi dhe nga mendja. Libri u vendos në bibliotekë me ceremoni dhe nderime për gjuhën shqipe e popullin shqiptar që di të çmojë vlerat e kulturës bortërore.”
Ndërsa shteti e kultura shqiptare nderohej, Skënder Luarasi nuk lejohej të merrte pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar, as në Kosovën martire!
‘’Vajza e Orleansit’’
Vepra e Shilerit ‘’Vajza e Orleansit’’, e shqipëruar nga Skënder Luarasi, u botua nga InfBotues në vitin 2007. Ajo ishte planifikuar të botohej që në vitin 1960 nga Ndërmarja Shtetërore e Botimeve, por për shkaqe konjukturale u ndalua.
recenzentë tek Redaksia e letërsisë së huaj, shpreheshin se në dramën ’Vajza e Orleansit’’ Shileri kishte dobësi ideore, qe sentimental, idealist dhe figura e Zhanë d’Arkës, e rrethuar me një atmosferë mistike, bëhej ireale. Sipas tyre ‘’Shileri në këtë dramë jo vetëm që nuk është në pararojë të mendimit përparimtar të kohës së vet, siç ndodh në drama të tjera të njohura të tij, por mbetet në pozitat e një shkrimtari të cilin romantizmi i shkëputur nga jeta nuk e lejon të bëjë vlerësime objektive dhe të qëndrojë në një terren real. Ndonëse puna e përkthyesit në këtë vepër është e mirë kjo dramë nuk mund të botohet.’’
Përkundër mendimit kritik zyrtar, në debat me censorët, Skënder Luarasi theksonte se: ‘’ Shileri është i pari nga gjithë shkrimtarët, i cili shkroi me simpati për Zhanë d’Arkën. Gëteja e ka vlerësuar : ‘’Drama ‘’Vajza e Orleansit’’ është kaq e bukur sa nuk di me cilën ta krahasoj’’.
Autori nuk e ka kërkuar heroinën në botën ideale, por në botën reale: ajo është një vajzë e thjeshtë fshatare që bën veten fli për çlirim të atdheut. Ngjarjet e përshkruara në dramën e Shilerit janë reale, historike, vetëm se vdekja e Zhanës ngjau jo në zjarr por në fushën e luftës. Këtë ndryshim autori e ka bërë për efekt dramatik…Në ‘’Vajzën e Orleansit’’ Shileri dënon aristokracinë tradhëtare dhe shpreh besimin në forcat e popullit e në virtutet e tij morale të larta. Këtë e bën nëpërmjet një vajze trime, sypatrembur e të pushtuar nga dashuria për atdheun….Zhanë d’Arka në veprën e Shilerit ndrin si një shembull i dashurisë për atdhe. Përballë heroinës, vullneti i së cilës bën mrekullira, shohim pushtuesit anglezë tiranë, nënë-zezën mbretëreshë të zhveshur nga çdo motiv ideal, tradhëtarin dukë të Burgundit të etur për sundim e pasurim; mandej, edhe një mbret të zvetënuar e një aristokraci frënge të çartur, të pazonjën e mosmirënjohëse dhe klerin si mishërimin e së keqes e të djallëzisë.
‘’Kjo dramë përforcoi përgjithmonë popullaritetin e Shilerit dhe gjatë sundimit Napoleonik nxiti popullin gjerman në luftën nacional-çlirimtare të asaj kohe’’, këtë e pohon historia e letërsisë gjermane. Është përkthyer në të gjithë gjuhët e përparuara të botës.
Në gjuhën ruse e përktheu i pari Zhukovski dhe pas tij shumë e shumë të tjerë. Për këtë Bjelinski shkroi: ‘’Përkthimi i Zhukovskit ndihmoi letërsinë ruse ta bëjë të vetën këtë vepër të mrekullueshme’’. Çaikovski shkroi operën e tij ‘’Vajza e Orleansit’’ në bazë të dramës së Shilerit.
Çernishevski shkroi në ‘’Sovremenik’’, 1857: ‘’Poezia e Shilerit nuk do të vdesë kurrë. Vetëm njerëz zemërtharë e që nuk e njohin jetën mund ta quajnë Shilerin ëndërrues e sentimental. Poezia e Shilerit nuk është sentimentale e lojë fantazije të ëndërruar. Pathosi i poezisë së Shilerit është simpatia e flaktë për çdo gjë fisnike dhe të fortë në njerëzinë’’.
Herceni: ‘’Poezia e Shilerit kurrë nuk e humbi influencën e saj për mua. Kush e humbi shijen te Shileri është ose i mplakur, ose pedant ose i shterrur nga ndjenjat ose nuk është në vete’’.
Unë mendoj se ‘’Vajza e Orleansit’’ vlen të njihet edhe nga shqiptarët se ndihmon në rritjen e personalitetit të gruas shqiptare. Rinia shqiptare përmes kësaj vepre do të njohë më mirë kohën historike të luftës 100-vjeçare dhe heroizmat e Zhanë d’Arkës, e cila jetoi e luftoi në kohën e Skënderbeut, po për të cilën në gjuhën shqipe nuk është shkruar asgjë gjer tani.’’
Ndonëse dramat e Shilerit ’’Vajza e Orleansit’’ dhe “Don Karlos”, të shqipëruara nga Skënder Luarasi, u ndaluan për gjysëm shekulli, një pjesë e inteligjencies shqiptare është njohur ndër vite me subjektin dhe mesazhet e tyre, ndë mos nga literatura e huaj, nga realizimet kinematografike e teatrale. Drama ‘’Zhan D’ark’’ e Shilerit njihet nga filmi i famshëm ‘’Joan of Arc’’, i vitit 1948, ku Zhanën e luan Ingrid Bergman apo nga filmi sensacional ‘’Jeanne d’Arc’’ (‘’The Messenger: The Story of Joan of Arc’’) të vitit 1999 ku heroinën e luan Milla Jovovich.
Drama “Don Karlos”
Drama “Don Carlos”, është një nga veprat më të fuqishme të Shilerit, të cilin e shkroi
në vitet 1783-1787 . Premiera e saj u shfaq në verën e vitit 1787 me sukses të bujshëm. Në pesë aktet e dramës përshkruhen ngjarje mbi pushtimin spanjoll dhe luftës për liri të Holandës për tetëdhjetë vjet me radhë. Protagonistët janë mbreti Filipi II i Spanjës, djali i tij Don Karlos, mbretëresha Elisabet, markezi i Pozas, Duka i Albës.
Ngjarjet zhvillohen në vitin 1568 të traktatit të paqes mes Spanjës dhe Francës. Trashëgimtari i fronit të Spanjës Don Karlos pret të martohet me princeshën franceze Elisabetë, si shenjë pajtimi mes dy vendesh. Por Elisabeta detyrohet të martohet me Filipin II, mbretin e Spanjës dhe të atin e Don Karlosit. Të gjithë kundërshtarët e pushtetit, mes tyre edhe Don Karlos, shpallen heretikë e dënohen nga inkuizicioni. Në dramë ndëthuren me mjeshtëri kontradiktat politike, morale e klasore, konfliktet familjare dhe motivet e dashurisë.
Kontradikta politike është kryesorja, ndërsa motivi i dashurisë, ndonëse shumë i fortë, del në plan të dytë. Mbisundon teza politike mbi pamundësinë e një bashkëjetese mes absolutizmit të mbretit Filipi dhe liberalizmit të mishëruara në figurën e markezit të Pozës.
Përkthimi i Skënder Luarasit ishte planifikuar për botim nga drejtori i N. Sh. Botimeve, Drago Siliqi, sikurse dëshmohet në revistën “Nëntori’’ (artikulli “Shileri në shqip’’, nëntor, 1960: “Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve ka në plan për të botuar dramat: “Don Karlos’’ dhe “Vajza e Orleansit’’). Me rastin e 220-vjetorit të lindjes të Shilerit , në vitin 1979, u lejua të botohen fragmente të dramës ‘’Don Karlos’’ në gazetën ‘’Drita’’ ( Drita, 11.11.1979, f.15) dhe në revistën ‘’Nëntori’’( Nëntori, nr.10, 1979, f.240-251).
Në revistën ‘’Nëntori’’ shpjegohet : ‘’Drama e Shilerit, ‘’Don Karlos’’, kritikon ashpër despotizmin dhe inkuizicionin… Drama është një pasqyrë e shpirtit kryengritës të asaj kohe dhe shquhet për mbrojtjen e idealeve të lirisë…Kjo dramë u vu në repertor në Teatrin e Berlinit beharin e motit 1938, kur mercenarët e Hitlerit e të Musolinit ndihmonin Frankon kundër rezistencës së ushtrisë të Spanjës Republikane. ‘’Don Karlosi, Infanti i Spanjës’’ u ndalua të shfaqej në Gjermaninë e Hitlerit.’’
Enigmën e ndalimit të dramës ‘’Don Karlos’’ nuk e justifikonin as recenzentët. “Drama është shkruar në vargje pentametrike në jambe por pa rimë. Në një nivel të lartë artistik , me konfiguracion të vështirë e të fuqishëm ndërthurur me meditime dhe ndërfutje të thella filozofike, vepra paraqet vështirësi në të përkthyer.
Pra, si përfundim, me fare pak heqje (të pjesshme) vepra është shumë e mirë, e bukur, ka tingull të fortë aktual, vlen për edukimin ideorevolucionar dhe estetik të masave tona punonjëse.’’ (Afrim Koçi, Recensë)
Subjekti i dramës “Don Karlos” njihet edhe prej operës së famshme të Verdit që është ndër më të rëndësishmet vepra të repertorit operistik botëror. Ajo u shfaq në muajin maj 2011, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nga regjisori Nikolin Gurakuqi, me skenograf Alfredo Troisin e dirigjim koral nga Dritan Lumshi. Krahas 200 artistëve, shumica të huaj, spikati soprano shqiptare Sonila Baboçi, në rolin e mbretreshës Elisabeta.
Për shkaqe konjukturale politike, kjo vepër nuk u lejua të botohej në Shqipërinë popullore socialiste. Përkthimi me parathënien dhe shënimet përkatëse të Skënder Luarasit “humbën’’ në redaksinë e N. Sh. Botimeve. Shqipërimi i Skënder Luarasit u botua për herë të parë nga Onufri në vitin 2014, mbi bazën e dorëshkrimit.
Aktualiteti shilerian
Shileri, flamurtar i lirisë dhe barazisë së kombeve, ka shkruar për ‘’Vilhelm Telin’’ e Zvicrës dhe ‘’Don Karlosin’’ e Spanjës, për ‘’Zhan D’arkën’’ e Francës dhe ‘’Maria Stjuartin’’ e Anglinë duke u ndarë nga jeta mbi dorëshkrimet e ‘’Demitriusit’’ të Rusisë.
Ndaj ai nderohet e studjohet jo vetëm në Gjermani, por në gjithë botën e qytetëruar.
Himni i Evropës së Bashkuar është dëshmi e vlerësimit të kombeve europiane ndaj veprës vigane të poetit, dramaturgut e historianit Fridrih Shiler dhe mesazheve të tij universal për vëllazërimin dhe unitetin e kombeve. Tingujt e Himnit të BE të luajtur nga Orkestra Filharmonike e Kosovës pagëzuan shpalljen e Pavarësisë.
Studjuesi Zamir Zija Këlliçi, shef i Arkivit Historik të Teatrit të Operas dhe Baletit, dëshmon që vargjet e Shilerit (dy strofa nga ‘’Ode gëzimit’’ të shqipëruara nga Robert Shvarc më 1970) janë kënduar nga kori (koha e katërt e Simfonisë IX të Bethovenit) në koncertin përkujtim të 200-vjetorin të lindjes së kompozitorit gjenial.
Studimi dhe ribotimi i veprave të Shilerit, inskenimet e shumta në skenat evropiane e botërore tregojnë se vepra dhe mesazhet e tij i mbijetojnë kohës. Ai nuk i përket vetëm të shkuarës, por edhe të tashmes dhe së ardhmes, për sa kohë që shoqëria progresive njerëzore mendon dhe lufton për liri, demokraci, identitet e dinjitet. Kështu besonte edhe Skënder Luarasi, ithtar në tempullin shilerian.
Shënim:
Familja Luarasi kujton me nderim e mirënjohje Ak.Aleks Buda dhe studjuesin Dhori Qiriazi për vlerësimet e tyre, të cilat u kundërviheshin me argumente pretendimeve të censures. Përshëndesim edhe z.Afrim Koçi për recensën përkatëse. Për mungesë hapësire këto tre shkrime janë publikuar në forume (http://www.forumishqiptar.com/threads/143007-Petro-Luarasi/page3)
Pushteti si inspirim filmash
Një fije peri e ndan tragjiken nga komikja. Në fund të fjalës ne mund të mësojmë ide nga filmat si pjesa më e ndjeshme dhe mbresëlënëse e arteve që trajtojnë problematikat shoqërore, njerëzore, por nuk mund të veprojmë si në filma./
Nga Kolec TRABOINI/
Dalja titullarit më të lartë të pushtetit ekzekutiv nga Kryeministria në bulevard për tu përballur me studentet universitarë të Fakultetit të Gjeologjisë që nuk duan që ndërtesa e tyre të bëhet seli gjykatash, a thjeshtë për t’u thënë se nuk keni asnjë shkak për të protestuar, se ende nuk ju kanë nxjerrë në rrugë, është sikur në mënyrë të përkundërt tu dilte kryeministri i asaj kohe e tu thoshte demonstruesve me 21 janar 2011, çfarë keni që thërrisni, këta i qëlluam por ende nuk kanë vdekur, po i çojmë tu bëjmë autopsinë në spital. Prisni të vdesin pastaj protestoni. Por shkon edhe më tej kjo pandehmë e zbritjes në bulevard, thjeshtë për tu thënë studenteve “Çfarë keni? Shkoni në auditore! Vazhdoni mësimet”. Kështu u thanë edhe në shkurt 1991: “Vazhdoni mësimet!”. Çfarë janë këto reminishenca historike?!
Nuk e dimë a është kjo një këshillë e keqe prej Mefistofeli e ndokujt që rri pas kuintash, duke i sugjeruar titullarit të lartë për tu përballur me situatën kësisoj. Gjithsësi qoftë më duket si inspirim filmash sepse gjithçka në ditën e 12 tetorit 2014 para kryeministrisë u faneps si një përsëritje e një sekuence dramatike filmike. Kushdo që ka jetuar vitet 1980 të shekullit të kaluar dhe ka parë filmin e regjisorit amerikan Elio Kazan, i kujtohet një skenë mbresëlënëse. Një përsëritje e një situate të njëjtë por të përmbysur. Emiliano Zapata kur ishte frymëzues i revoltës së fshatarëve meksikane u fut me një grup të revoltuarish në zyrën e presidentit meksikan Francisko Madero e ky e pyeti Emilianon për emrin, të cilin u ngut ta shënonte me një rreth të kuq. Çfarë në një mënyrë a një tjetër shprehte idenë se pushteti nuk është për të zgjidhur por për të lidhur. Erdhi koha që Emiliano Zapata të gjendej vetë kolltuk të presidentit (pushtet i marrë prej revoltës popullore), por protestat e fshatarëve të varfër për drejtësi vazhdonin edhe më tej sepse nuk mund të zgjidheshin me ndërrimin e një presidenti – në rastin tonë për analogji të kryeministrit. Fshatarëve që i vërshuan në zyrë me ankesa, sepse problemet nuk zgjidheshin me frymë e me fjalë, Emiliano Zapata, tashmë nga kolltukun hijerëndë i presidentit pyeti njërin nga fshatarët që dukej si udhëhëqes i grupit të revoltuarve se si e kishte emrin. Fshatari ju përgjigj. Emiliano Zapata atëherë mori lapsin dhe nisi të shënonte me rreth të kuq emrin e fshatarit, por një çast gjithçka në kujtesë çoi në kohën e tij si kryengritës, kur edhe atij ja kishin qarkuar emrin me rreth të kuq. Atëherë mori listat me emrat e kryengritësve, e beri shuk, e hodhi, u bashkua me ta dhe e braktisi zyrën e presidentit të Meksikës. Ndjehej më mirë pranë popullin të tij. Kjo me shkakun se në atë zyrë e ndjeu të tjetërsohej dhe nuk qe në gjendje të zgjidhte hallet e brengat e njerëzve me të cilët nisi revoltën dhe bëri revolucionin përmbysjen më të madhe në historinë e Meksikës. Vendin e presidentit e zuri kryengritësi tjetër Panço Vila por edhe ky do të dështonte. Kryengritësi Zapata e nisi udhën nga protesta e fshatarëve, vazhdoi në kolltukun e presidentit e pastaj sërish në fshatarët në vorbulla ngjarjesh ku dhe përfundoi tragjikisht. Janë proverbiale fjalët e tij “Më mirë të vdesësh në këmbë se të rrosh i gjunjëzuar”. Filmi i Elio Kazan është një mësim i madh historik për të gjitha ata që në emër të luftës për drejtësi organizojnë protesta, udhëheqin revoltat, vinë në pushtet dhe pak e nga pak tjetërsohen. Por jo thjeshtë për një veprim kalorësiak. Një fije peri e ndan tragjiken nga komikja. Në fund të fjalës ne mund të mësojmë ide nga filmat si pjesa më e ndjeshme dhe mbresëlënëse e arteve që trajtojnë problematikat shoqërore, njerëzore, por nuk mund të veprojmë si në filma.
Anipse ka ngjashmëri historike ngjarjesh, rrethanash, personazhesh, asnjëherë mënyrat e zgjidhjes nuk janë njësoj, ky është shkaku që koha i ve njerëzit në provë, qofshin ata qytetarë të thjeshtë apo dhe udhëheqës shtetesh.
1984.Vlore-KUR RIVARROSEJ AVNI RRUSTEMI
NGA GEZIM LLOJDIA/
1.Viti 1984. Qyteti historik në jug. Vlora përjetonte atë prag vere entuziazmin e kohës. Një ngjarje ngjalli kureshtje. Nëpër kafenetë dhe tryezat e vakta,llafi u përhap çmendurisht duke kapërcyer edhe shpejtësinë e erës.I kallur, por i patretur. Të fshehtë apo ndonjë formulë fetare as që bëhet fjalë se mund të ketë. Mistere dhe enigma të fshira u thanë për atë rast. Në qytetin e Flamurit bëri bujë, sepse nuk ishte tretur trupi i tij, ndonëse 60 vite e kishin përshkruar. Çfare imagjinate, që u thur, folën gojët, një lloj i purpurt ose mjegullina llafesh mbuluan ose pushëzuan njerëzinë mes-viteve ‘84, kohë diktature në vendin e shqiponjave. Kam bërë një poezi 5 vite të shkuara, që e botuan mjaftë gazeta letrare.’Te lugu i murrmë. Kam ndjerë shpirtra, që notojnë në erë. Flasin gojët: ato janë shpirtra. Shpirtra, që presin në vendroje.’
Pra trupit i kishte ikur pjesa më kryesore shpirti edhe sipas riteve fetare trupi kthehet andej nga ka ardhur nga bota e baltës dhe ujit. Pjesa inteligjente zhdukej dhe mbetej vetëm pjesa lëndore. Por a do ti besonte këto vet personazhi kur Eqrem Beu ka thënë se në fillim ai ka qenë ose ka besuar komunizmin dhe këta nuk besojnë në Zot a Perëndi,. Shtegtimi i shpirtrave nuk ka kufij ndërsa teposhtë njerëzia flinte gjumë. C’ndodhi në atë vit? Ndërkohë atje tek sheshi po goditej betoni. Po hapej vendvarrimi i Avni Rustemit. Që prej prill-it te 1924, në bulevardin e Vlorës gjendej varri i Avni Rustemit. Mirëpo strukturat e asaj kohe kishin studiuar për të vendosur një përmendore në kohë rreth vitit 1984, filluan hapjen e varrit. Memoriali ne bronx i punuar nga skulptori i Popullit Kristaq Rama.
2.Shkojmë pikërisht atje me I.C. Aty ku është sot busti i tij në lulishten përpara teatrit të qytetit, shikoni më thotë Ilia, do të gjeni një pllakë të kuqe origjinale me 4 doreza çeliku, që është ende te varri. Sipas projektit aty nga viti 84 filloi hapja e varrit. Erdhën punëtoret dhe filluan hapjen e varrit. Ne ndiqnim punimet. U hoq pllaka dhe u pa se sarkofagu ishte me një xham ndërsa llagëmi, që e mbante ka pasur vend ku vendosej në kohë të shkuara kandil për shpirtin e tij. Ishte një arkivol i punuar me dru. Kishte xham në pjesën e sipërme të tij.
Trupi ishte i patretur. Në pjesën e fytyrës sidomos dallohej nga mustaqet. Dhe kjo ishte shenja treguese ndonëse dihej nga të gjithë, vendi ku prehej Avni Rustemi. Ishte i patretur për një arsye gati të thjesht. Ishte balsamosur që në kryeqytet kur u soll me shtrat topi për tu varrosur në Vlorë. Ndonëse kishin rrjedhur vite nën sarkofagun e tij të kuq me germa u gjet trupi Kundërmonte një erë të rëndë morti, arkivoli. Arkivoli ishte i mbuluar me një kadife të kuqe me ca zbukurime.
3.Trupin e morën në spitalin e qytetit ku besohet është bërë autopsi . Kur na dorëzuan neve arkivolin xhami ishte i thyer në pjesën e sipërme. Kur e morën nuk kishte thyerje. Trupin e tij e varrosën te piedestali ku ngrihej busti. Arkivoli gjendet edhe sot e kësaj dite në Muzeun historik të qytetit. Por është tmerrues nja arkivol i hapur. Nga varri i Avni Rustemit sot ruhet vetëm pllaka e kuqe e vogël rreth 1m x 1.5m.
Poshtë saj është llagëmi i zbrazur i mbushur me ujë. Pati shumë kuriozë që erdhën për të parë Avniun, mirëpo ata nuk e dinin se ne dispononim vetëm sarkofagun e tij, që e mbështolli në largimin e tij nga kjo jetë. Në muzeun historik vinin shpesh për të fotografuar sarkofagun e tij. Kjo është e saktë si një histori pa ngjizje të tepërta,përse trupi nuk u tret,ndonëse ishte i balsamosur për ti rezistuar nëntokës gjatë.
Sot në kthesën që të shpie drejt bishtit të kalldrëmit përball ambulantes së qytetit, rreth 5 m bar Init dhe statujës e Avniut është një pllakë e kuqe mes plakave te trotuarit jo shumë e dallueshme nga te tjerat dhe nëse nuk e di nuk ke për të mësuar kurrë që ai vend ishte vendvarrimi i Avni Rustemit në prill të 24 në qytetin e Vlorës. Shumë vite më para ishte i dallueshëm mirëpo spostimi asfaltit të rrugës e fshehu ose humbi varrin deri kur filloi rikonstruksioni i rrugës dhe trotuarit.
Avni Rustemi u vra në 22 prill të vitit 1924, nga Isuf Reçi, Vrasja frymwzoi Revolucionin 10 qershor të vitit 1924. Trupi u transportua për në Vlorë, ku Avni Trupi i tij që u balsamos nga mjeku i njohur i asaj kohe, dr. Shezai Çomo, drejtori i parë i spitalit të Vlorës daja i Avni Rustemit, u varros në kryqëzim të rrugëve.
Ishte fund prilli rreht datws 30 prill 1924 behet varrimi madheshtor i Avni Rustemit,ku morrwn pjesw mbi 10 mije vetw.
Baba Aliu Tomorri më 1924 mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë. Fjala e tij në ceremoninë e rastit: “ I shenjtëruari dëshmor i atdheut Avni Rustemi !… E çuditshme se më të shumtët e burrave të mirë, burrave të drejtë, burrave idealistë, janë ndarë nga kjo botë, kush viktimë e plumbit si ti, o Avni i dashur, kush prej helmit në burg e arrati”. Dhe e përfundon kështu : “Fli i qetë, Avni ! Prehu në gjirin e kësaj Vlore kreshnike, pranë Ismail Qemalit të ndjerë, pranë regjimentit apostolik të rilindjes shqiptare”.
Halim Xhelo:
Ne kete minute qe ne qajme Avniun, vrasesiu i vertete i tij,Ahmet Zogolli rri ne pallat duke ferkuar duarte me gjakun e Avniut dhe pregatit plane te tjere per te shkaterruar Shqiperine.Pra Zogolli eshte gjykuar dhe denuar prej ndergjegjes kombetare me vdekje dhe si tradhetar i duhet vene litari.
Fjala e F.S.Nolit:
Vlora ka te drejte ta mbakje Avniun ne gjirin e saj,sepse kjo e kuptoi shume bukur se cfare rendesi te madhe ka pasur gjesti i Avniut ne Paris,nje gjest, i cili nderoi faqen e historise shqiptare.
Bajram Curri:
Po te kishte shpetuar i gjalle,prape Shqypnise do t’ia falte jeten,sepse pe r Shqipnine kishte le Avnia.Luigj Gurakuqi…ne 12 vjetorin e Shpalljes se Pavaresise m2 2 8 nentor 1924…
Rustemit,qe sivjet po kremton diten e Flamurit prane plakut te arberoise ne gji te memes se lirise sone.
4.Lindi në Libohovë. Mësimet fillore i mori në vendlindje, vazhdoi në normalen e Elbasanit dhe më vonë në Shën Mitër Korone (Itali), kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës. Ndërkohë Avni Rrustemi punoi si mësues në Libohovë (1910), në Tragjas të Vlorës (1913), në Tepelenë (1916-1917) e në Vlorë (1917-1918).1908 bashkua me çetën e Çerçiz Topullit, 1910 bëri një përpjekje për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut.
1918 , me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës”. Në krye të saj organizoi demonstratën anti-imperialiste të 28 Nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.
Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare” për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esat Pashë Toptanin.
- « Previous Page
- 1
- …
- 37
- 38
- 39
- 40
- 41
- …
- 69
- Next Page »