• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

Rama dhe Vuçiç – përplasen për Kosovën

November 10, 2014 by dgreca

Radiotelevizioni publik serb nuk përkthen 15 minuta të fjalës së Ramës/
Vizita e parë në Beograd e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, u përshkua nga mospajtimet thella që ekzistojnë ndërmjet Beogradit e Tiranës për Kosovën.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç u përplasën në Beograd për shkak të Kosovës . Mikpritësi serbe e cilësoi si provokim deklaratën e kryeministrit Rama në një konferencë të përbashkët me gazetarë “pavarësia e Kosovës është realitet i pamohueshëm, i cili duhet respektuar si i tillë” dhe se “pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm”.
Kryeministri serb tha se nuk e ka pritur këtë “provokim nga zoti Rama që e përmend Kosovën dhe nuk e di çfarë lidhjeje ka Kosova me zotin Rama, më vjen keq që e ka ngritur këtë çështje, për të cilën nuk jemi marrë vesh”, tha ai, duke theksuar se “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë”.
Ndërsa kryeministri Rama tha se pavarësia e Kosovës është “realitet që shumë e kanë njohur. Sa më parë që ta njihni aq më shpejtë do të ecim përpara” i tha ai mikpritësit të tij.
Më herët kryeministri serb tha se vizita e shefit të qeverisë së Shqipërisë në Serbi është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë dhe për Serbinë dhe për gjithë rajonin.
Ndërsa kryeministri Rama, foli mes tjerash foli për rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë dhe siç u shpreh “që fëmijët të mos vuajnë në të ardhmen, për shkak të së shkuarës së hidhur”.
Vizita e sotme e zotit Rama në Beograd shënon të parën e një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej 68 vjetësh.
Vizita e sotme po zhvillohet në një klimë tensioni mes dy vendeve, pas ngjarjeve në stadiumin e Beogradit 14 tetorin e kaluar, të cilat u pasuan nga një shkëmbim i fortë akuzash mes palëve.
Deri përpara ndeshjes, kur planet ishin që vizita të zhvillohej më 22 tetor, elementi që vihej në dukje ishte ajo e vizitës që realizohej për herë të parë pas vizitës së Enver Hoxhës në Beograd 68 vjet më parë.
Marrëdhëniet mes dy shteteve prej kohësh ishin mbajtur në nivel korrekt diplomatik, duke u ndikuar më së shumti nga temperaturat mes Beogradit dhe Prishtinës, apo zhvillimet e papritura në Luginën e Preshevës. Dialogu me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian mes Serbisë dhe Kosovës ishte një peshë më pak në përpjekjet për të ndërtuar një tjetër raport mes palëve. Shumëkush e kishte cilësuar edhe “historike” vizitën e 22 tetorit, dhe vetë pala shqiptare kishte folur për “hapjen e një kapitulli të ri me Serbinë”.
Por klima e helmuar nga gjuha e rëndë e përdorur pas incidenteve në ndeshjen e futbollit, veçanërisht deklaratat fyese të presidentit serb Nikoliç, duket se e bën të vështirë këtë objektiv. Në rastin më të mirë, vizita është një mundësi që së paku fletët e kapitullit të marrëdhënieve mes dy vendeve të mos vazhdojnë të kthehen pas, apo një përpjekje për të qepur plagën e hapur, e cila për t’u mbyllur duhet të kurohet me qetësinë e dialogut dhe jo duke u ngacmuar herë pas here me retorikat e nacionalizmit.
Kryeministri Rama duket më në avantazh, ndërsa për asnjë moment nuk u tërhoq nga ideja për të vizituar kryeqytetin serb, ku në të kundërt, duket se u bë gjithçka për të çuar në dështimin e saj. Në të vërtetë, ishte trysnia e komunitetit ndërkombëtar ajo që bëri që vizita vetëm të shtyhej për disa javë. Deklaratat e autoriteteve serbe, që kanë paraprirë vizitën, kanë lënë pikërisht shijen e diçkaje që janë të detyruar ta bëjnë më shumë se sa e dëshirojnë.
Ndërkohë që një etapë jo pak e rëndësishme për kryeministrin Rama do të jetë edhe vizita e tij të martën në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, zonë e banuar nga një shumicë shqiptarësh, një vizitë, konfirmimi i së cilës është mbajtur gjatë pezull nga ana e autoriteteve të Beogradit. Kryeministri shqiptar, i pari zyrtar i një niveli të tillë që viziton komunat shqiptare atje, pritet të ketë takime me drejtuesit lokal shqiptarë dhe popullsinë e atjeshme.
(Kortezi: Armando Mero-VOA)

Radiotelevizioni publik serb nuk përkthen 15 minuta të fjalës së Ramës/
BEOGRAD, 10 Nëntor/ATSH/-Radiotelevizioni serb, ka ndaluar së përkthyeri fjalimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ndërkohë që ai po fliste për realitetin e krijuar në Ballkan dhe pavarësinë e Kosovës.
Rama ka folur më shumë se 10 minuta, por shumica e serbëve, nuk e kanë marrë vesh fjalimin e tij, në mungesë të përkthimit. Pas konferencës nuk u lejuan as pyetje nga gazetarët.
Në anën tjetër Vuçiç ka reaguar ashpër ndaj Ramës, pas konferencës. Ai as nuk ia ka zgjatur dorën kryeministrit shqiptar, ndërkohë që i ka bërë me dije se nuk ka qenë e paraparë të flitej për Kosovën.

Filed Under: Rajon Tagged With: per Kosoven, përplasen, Rama dhe Vuçiç -

Personalitet i shquar, shqiptar i devotshëm , SHEUQET MUKA (Shkodrani)

November 10, 2014 by dgreca

* Mësues modern,mendimtar përparimtar,ithtar i evolucionit, publicist transparent,përkthyes dhe autor tekstesh,ligjërues elokuent,luftëtar i flaktë i Shqipërisë natyrale.Martir I Demokracisë./
*Pushka mund ta shtrijë njeriun për tokë ,ndoshta duke e lanë shakull,por mendimin e tij s’mund ta mbysë e s’mund ta shuej “- Shkodrani/
Nga Pertefe Leka/
Është mirë për brezat që vijnë të njohin vlerat e njerëzve të shquar, të njohin konkretisht punën e tyre vetëmohuese, nëpërmjet trashigimisë qe kanë lënë ata.Të njohin aktivitetin frymëzues, këshillat e vyera, qëndresën burrërore për mbrojtjen e parimeve të drejta. Të njohin humanizmin e thellë dhe vizionin e qartë që kishin për të ardhmen e popullit e të atdheut.
Një personalitet i tillë i këtyre përmasave është Sheuqet Muka me pseudonimin, Shkodrani.
Ai jetoi në ngjarjet më kulmore të vendit tonë, në vitet 1912-1939.Ecja e tij në këto tri dekada njeh vetëm punë intensive, duke dhënë një kontribut të madh në fushën e arsimit dhe si aktivist shoqëror e politik. Idealet patriotike i ka shprehur në shumë shkrime dhe poezi :”I dashtuni Flamur”,”I përzemërti Flamur”,”Rrnoftë Shqypnia”,”Atdhetaria”,Për të kremte të 28 Nandorit 1912”; etj. Ai ka qenë prezent në të gjitha ngjarjet historike e politike të kohës deri në organizimin e besëlidhjes “Besa Shqiptare” dhe “Lidhja e Shkodrës “1944. Ai u bë i njohur si mendimtar modern për Shqipërinë natyrale,me një Flamur:“Shpirtin e Shqyptarit Perendia nuk e la me u ligshtue,e mbajti gjallë dhe me sakrifica,heroizma mbas heroizmash Flamuri ynë valon i lirë.”
Historigrafia shqiptare i ka borxh një vend nderi këtij luftëtari të lirisë: Një institucion bamirësie, një shkollë, një bibliotekë do të krenoheshin po të mbanin emrin e tij.
Profesioni i tij si mësues nuk e ndaloi që të bëhej një forcë e pathyeshme në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe kombëtare.
Karrierën arsimore e filloi me 1910 si mësues në Mejtep,por shpejt po me ate klasë bëhet nismëtar për të kaluar në shkollën e Parrucës e cila u hap me 1913. Atje punoi si mësues e më vonë si drejtor për 20 vjet rrjesht, ku u dallua për një punë të çmuar organizative, edukative e kulturore .Etja për dije dhe njohja e shumë gjuhëve të huaja i dhanë mundësinë të njihte nga afër literaturën e pasur botërore në fushën e pedagogjisë dhe mendimit përparimtar bashkëkohor.
Gjënë e parë që bëri në këtë shkollë ishte krijimi i bibliotekës për nxënësit dhe mësuesit.Motoja e tij ishte: “Me i paisë bijtë e shqipes me flatrat e diturisë që janë stolitë ma të çmueshme të kësaj jete.” Po në këte shkollë qe nismëtar i krijimit të orkestrës me vegla frymore e quajtur “Trupi muzikuer, Shkolla e Parrucës “ku pati përkrahjen dhe ndihmen e dy mësueve shumë të njohur shkodranë, Shuajp Domnori dhe Ragip Gjylbegu. Kjo shkollë mbahej ndër më të mirat ne Shqipëri. Shumë mësues të vjetër që kishin punuar me Z. Sh Muka e mbanin në gojë përvojën e mirë të kësaj shkolle dhe meritat ia jepnin drejtorit ekzigjent dhe organizator. Ai vuri në jetë mendimin pedagogjik më të përparuar të kohës.
Si ithtar i Herbartit dhe Pestalocit nuk kurseu asgjë nga vetja për t’i dhënë shkollës një frymë të re . Ishte mësues autodidakt dhe s’pushoi së shkruari, artikuj pedagogjikë, tekste shkollore, poezi patriotike e përkthime për pjesë leximi . Duke pasë këte formim ai ndikoi për një arsim masiv të djemve dhe të vajzave të Shkodrës, luftoi kundër analfabetizmit, hapi kurse për mësimin e gjuhës amtare sepse thoshte “ka vorfnue mija djelmoça dhe duhet me u shti ne zemër dashninë për gjuhën shqipe “ Për këte nuk nguroi te ngreje zërin e të bëhet nje luftëtar i zjarrtë për arsimimin e vajzave dhe edukimin e tyre përmes shkollës. Në fjalën përshëndetëse, që mbajti ditën e inaugurimit të shkollës së vajzave në vitin 1917 e cilësoi këte eveniment si ngjarje shumë të rendësishme, sepse vajzat nesër do të bëhen nëna dhe femijët e ardhshëm prej tyre do të marrin edukaten.
Duke theksuar edukimin patriotik nepërmjet kësaj shkolle ai mburret se “ Vajzat përveç mësimeve që do të marrin nuk do të harrojnë nesër t’u kendojnë fëmijëve “U rritsh bir ,o loçka eme ,dëshmitar për Atdhe tand”
I entuziazmuar nga fillimet e mbara për hapjen e shkollave të para në gjithë vendin, lufton po me ate vrull për emancipimin kulturor të rinisë shkodrane. Me 10 Mars 1919 së bashku me një grup patriotësh themelojnë Shoqërinë patriotike, kulturore e sportive “Vllaznia” që bëri emër në shumë aktivitete. Përpjekjen më të madhe e bëri për të hapur në Shkodër një gjimnaz shtetëror. Në shumë artikuj e ligjerata, letra e peticione dërguar autoriteve vendore dhe shtetërore ”.. për nji shkollë të mesme d.m.th.për nji Gjymnaz Zyrtar Kombëtar me profesor krejt të mirë që fëmija të kenë ku të ndjekin mësimet e mesme, që kështu të mos bjerret shpresa e re e Atdheut tue lanë pa e pajisë me nji kulturë për të cilën ka nevojë.” Kjo shkollë do të vlente sipas tij edhe për bashkim dhe mirëkuptim fetar. Në këto kushte ai thekson se pjesa katolike i kishte shkollat përkatëse, ate të Françeskanëve dhe të Jezuiteve ndërsa pjesa myslimane nuk i dërgonte femijët në këto shkolla për arsye fetare.” Ne duhet të luftojmë që myslimanët e Shqipnisë duhet të jenë ma te zhvilluemit e të gjithë myslimanëve të botës për arsye se janë të Evropës”. Në përpjekje e sipër ai e realizoi qëllimin e shumë kërkuar. Gjimnazi i shtetit u hap me 1922. Ky institucion u bë shpejt një qendër e bashkimit kombëtar e fetar. Shkolla e re u mbush me nxënës nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Çamëria, me nxënës të besimeve të ndryshme. Tani ai afirmohet si organizator i arsimit Kombëtar. Në Maj të vitit 1922 Ministri i Arsimit, Rexhep Mitrovica i dërgon një njoftim me programin e Kongresit që do të mbahej së shpejti.
Nga pikëpamja fetare ishte mysliman dhe bashkëpunonte me klerikët më të kulturuar islam si H. Ibrahim Repishti, H.Abaz Golemi, H.Ali Tari, H Kaduku, H.Sabri Bushati etj. Ai solli të reja në mësimin e fesë ashtu siç bëri Noli me përkthimet e psalmeve në gjuhën shqipe. Në përkthimet e librave fetare ai vet shkruan:”Me botime librash e përkthimesh në gjuhën e dashtun t’onen, ka me pasë rasë zogu i shqiptarit mysliman m’e mësuem e me njoftë fenë e vertetë të veten e, tue mësuem urdhnat e ndalimet e fesë, ka me qenë vertetë nji gjymtyrë e shëndoshe për bashkëfetaret e bashkatdhetarët e vet e për gjithë shoqnin njerzore mbarë”.
Nga ana tjetër ishte shumë i lidhur edhe me klerikët katolikë me të cilët diskutonte dhe bashkëpunonte për çështje kombëtare, si Pater Gjergj Fishta, Pater Anton Arapi, Pjetër Meshkalla. për këte të fundit u jepte porosi fëmijëve të vet nga burgu :” Meshkallës , mos harroni me i shkue për Pashkë, të m’i sillni urimet, përshëndetjet e falenderimet e mija”.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e 60-vjetorit të lindjes së At Fishtës, Shkodrani(Sh.Muka) mbajti kumtesën ‘Gjergj Fishta për zgjimin kombëtar”. Në ate eveniment, Ai u radhit me personalitetet me të shquara të elitës shkodrane,duke promovue idetë përparimtare të Fishtës për bashkimin kombëtar.
Idenë e tolerancës fetare në Shqipëri e mbron me një ligjeratë të mbajtur me rastin e festës së Pavarësisë: ”Hala s’paskan marrë vesh armiqtë e tradhëtaret e kombit t’onë se ne Shqypni nuk ka turk e kaurr ?! S’ka jo, turk e kaurr ka vetëm shqiptar me besim mysliman,katolik e ortodoks.”
Për merita të veçanta në edukimin e brezit te ri në vitin 1933 e emërojne drejtor në shkollën modelore të Tiranës “Hoxha Tahsin” në të cilën qendron pak vite, por jep një ndihmesë të madhe në planin pedagogjik e shoqëror.Pas tre vjetesh, emërohet
drejtor i” Strehës Vorfnore” të Tiranës.
Atje vë të gjitha energjitë fizike e mendore në shërbim të këtij institucioni shkollë-familje, këte punë të dyfishtë si prind dhe si mësues e bën me shumë dashuri për t’ju dhëne fëmijëve jetim gjithçka që u mungonte .Edhe pse kishte një afeksion të madh për femijët, nuk bënte lëshime në drejtim të rregullit e të disiplinës, pastërtisë dhe punës sistematike. Me që shkolla financohesh nga Kryqi Kuq Shqiptar, ai mundohej që këto fonde t’i ekonomizonte sa më mirë në dobi të shëndetit të fëmijëve për të cilët kishte krijuar kushtet më të volitshme për jetë të kulturuar. I prirur nga mësimet e Xhon Djuit,pragmatisti i njohur amerikan, i cili i jepte rendësi praktikës mësimore, hapi reparte pune si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Organizoi orkestren me vegla frymore, zhvilloi veprimtari sportive e kulturore te larmishme.Në repartet e zdrukthtarisë,rrobaqepësisë, tezgjahut, qëndisisë, këpucarisë dhe gjithashtu në parcelat ku bëhej puna bujqësore në rrethinat e Tiranës,i aftësonte fëmijët të ishin në aktivitet të vazhdueshëm ku njëherësh mësonin dhe nxirrnin shumicën e shpenzimeve të veta. I kënaqur nga puna dhe sukseset që kishte arritur me fëmijët e strehës, i shkruante mikut të tij, mësuesit Jahja Domnorit, me anë të një kartoline ku nxënësit dukeshin të rreshtuar bukurt(shiko fotot) “Kjo fotografi vllai im, asht estetikë në vetvete. Për ditë më shkon mendja ma ba nga nji gja të re .Më knaqet shpirti kur i shoh në rregull. Detyra jonë asht gjithmonë përpara.” (fotografite jane marre nga arkivi i familjes se J.Domnorit )
Në kulmin e veprimtarisë së tij, pushtimi fashist ia ndërpret këte punë pasionante prej misionari të devotshëm . E arrestojnë dhe e internojnë si njeri i padëshiruar për rregjimin fashist. Po nga italianët ishte arrestuar dhe internuar si person i rrezikshëm në vitin 1919, kur ai ishte në Vlorë me detyra të rëndësishme.
Patrioti i flaktë që i kushtoi gjithë jetën përparimit të kombit, denimin më të madh e mori nga diktatura komuniste. Burgu i gjatë, peripecitë, torturat nuk e mposhtën, edhe atje në qelitë e errëta përhapte dritë duke mësuar të rinjtë për gjithçka dinte nga eksperienca e gjatë si mësues. Bashkëvuajtësi i tij, Sheuqet Kraja në shkrimin “Mësuesi ynë në shkollën e burgjeve “ ndër të tjera shkruante :“Ndonëse kalova një kohë të gjatë me mësuesin tim në burg e kam të veshtirë të vë në pah të veçantën, me çka ngadhnjeu disa herë ky luftëtar në fushat e përpjekjeve e të përleshjeve më rrënqethëse që pau me dhimbje Historia jonë Kombëtare. Për vite të tëra, përballë, pranë e pas tij, nuk arrita të zbuloj heroiken që e bëri të fitojë respektin e vendnderin krah burrave më të rrallë të Shqipërisë.”
Në të njëjtën kohë ai vazhdonte edukimin e fëmijëve të vet me letra nga burgu. Dëshmi për këte janë 200 letrat që edhe sot ruhen në arkivin e familjes Muka. Në të gjitha letrat shruante me fjalë të urta e këshilla që t’i shërbenin ardhmërisë së tyre dhe për secilin fëmijë shkruante në mënyrë të veçantë, ndërsa këshilla e përgjithshme për to ishte “Të jeni gjithmonë nxanës“.
Djali i tij, Adnan Muka, në një letër falenderimi që ia drejtonte auditorit në një konferencë kushtuar Z.Sheuqet Muka, pas 1990, shkruante:”Ne, 5 fëmijët e tij, fati na privoi të drejtën e ligjshme natyrore për t’u rritur e edukuar direkt prej tij.Po megjithate ai me mjeshtëri artisti nepërmjet letrave nga burgjet na ka dhënë leksione të mirëfillta edukative,shumë të çmueshme e të dashura. Na mësoi dhe na formoi me edukatë qytetare. I jemi pakufi mirënjohës.”
Mesazhi i vlefshëm që ka lënë për të gjithë ne, i cili do të transmetohet ndër breza është : “Sa ma të ditun që të jemi, aq ma të fortë e të pasun do të kemi komb e atdhe, përnjiherë edhe vetë do të jemi ma të lumtun,”
Veprimtaria Kombëtare e Z.Sheuqet Muka,pavarësisht nga nepërkembja, ishte e njohur. Shkodra ziente përbrenda nga këto padrejtësi që i bëheshin intelektualëve patriotë. Kjo u duk qartë në ditën e ceremonisë mortore ku pjesëmarrja masive pa dallim klase e feje ishte një sfidë për rregjimin e egër.Ai vdiq dy vjet pasi kishte dalë nga burgu.Ishte janari i ftohtë i vitit 1967, kur lufta e klasave ishte acaruar se tepërmi, por shkodranët, si gjithmonë, pa marrë parasysh se çfarë mund t’u ndodhte e manifestuan paqësisht urrejtjen ndaj persekutorëve për të lartësuar respektin ndaj atyre që u sakrifikuan për Kombin. Në krye të kortezhit krahas klerikëve myslimanë ishin edhe klerikët katolikë si Padër Meshkalla, At Frano Kiri, Padër Mark Arapi etj.Ky tubim ishte i papritur për autoritetet vendore.Ata nuk munden ta ndalnin ate lum njerëzish, ate nderim të veçantë që i bënë bashkëqytetarët, Martirit të Demokracisë.Më pas u morën disa masa, por s’mund të dënonin gjithë qytetin.
Sot studiues të ndryshëm të aktivitetit të tij e vlerësojnë me krenari trashëgiminë e vyer kulturore, edukative dhe politiko-shoqërore:
Studiusi i mirënjohur shkodran, Mentor Quku,i ka bërë këte vlerësim:”Ndriçimi i kësaj maje olimpike të qytetit tonë, do te shtojë nje gur tjetër në tempullin, ku brezat do të vijnë të mësojnë si të punojnë per vendin e vet “

“ Sheuqet Muka, intelektuali dhe atdhetari i njohur, nacionalisti i shquar dhe antikomunisti i vendosur, luftëtari i unitetit kombëtar dhe misionari i dijes,i arsimit, i kulturës dhe fesë.Njeriu që aqë shumë e deshi atdheun,lirinë e shkollën shqipe , por që aqë shumë u ndoq dhe u persekutua” .nga Dr. Vehbi Hoti

“Sheuqet Mukës, Burrë si burrat e motit shoq i paharrueshem i burgimit komunist, këte ligjeratë teologjike mbi te Shenjten Trini,shkrue sipas dishirit e nxitjeve të shpeshta të tij,autori në shenjë miqësie e çmimit me kënaqësi të vërtetë ja kushton . Nga vepra e P.Mark Harapi

“Ai është shembull tipik i MËSUESIT TË POPULLIT.” Nga studiusi i shquar i arsimit kombëtar, Islam Dizdari.

‘ Hallall’kjoftë e Shqipnisë buka./Xhemal Naipi e Sheuqet Muka /Patriotë fetarë e atdhetarë/ Egër i shtypi diktatura “ Nga rapsodi popullor Dedë Shyti

“ Ne vargun e krijimtarisë së Sh. Mukës është për t’u shënuar angazhimi i tij si ligjërues që shquhej për thellësinë e përmbajtjes, qartësine e trajtimit, bukurinë e natyrshmërinë e paraqitjes së fakteve e të argumenteve, pasurinë e gjuhës e stilin elokuent prej oratori.”Nga studiusi Dr. Faik Luli.

Për të njohur aktivitetin politik të Sheuqet Mukës po shënojmë disa pjesë të shkëputura
nga proces-verbali i hetuesisë ku ai pohon me kurajo çdo veprimtari që ka kryer .

A ke pasë ndonje nëpunësi në kohën e turqisë?
_Në vjetin 1910 kam mbaruar shkollën ushtarake ,
_A të pëlqente okupacioni turk?
_Në vendin tonë ka pasë elemente që punonin për t’u çliruar nga kjo zgjedhë nji nga këta jam edhe unë.
_A ke qenë antiitalian apo e ke simpatizuar?
_…Forcat italiane me kane arrestuar dhe më internuan si antiitalian…
_Ç’punë keni bërë në regjimin e Zogut e ke dashur këte rregjim apo ke qenë kundra tij?
_Gjatë regjimit të Zogut kam punuar si arsimtar … Regjimi i Zogut ka pasë statut, ku sigurohej demokracia,ka pasë liri shtypi,ka pasë Parlament dhe senat,pra i ka pasë të gjitha elementet e demokracisë.Në parlamentin e Zogut ishin shqiptarë, regjimi i Zogut si çdo regjim që krijohet në nji shtet te ri ka edhe të meta, nuk mund të kërkohet menjëherë shtet ideal. Per t’u bërë shtet ideal do kohë dhe mua me pëlqen zhvillimi i gjërave me evolucion.Unë jam ithtar i evolucionit.
_A të pëlqeu okupacioni Italian?
-Fashizmi nuk më pëlqeu.Jam arrestuar nga fashistet në daten 5 qershor 1939 …Une jam internuar si antifashist dhe jo si zogist.
– A i quaje gjermanët okupatore?
– Gjermanet i konsiderova si nje okupator më të rëndë se italianet.
– A mereshit me politikë?
– Në fillim të vitit 1944 u formua në Shkoder “Besa Shqiptare”.Inisiatoret e kësaj organizate qenë:Ndoc Çoba ,
Tef Gera,Hysen Lohja, Hys Draçini, Xhemal Naipi dhe unë Sheuqet Muka.
– Mbledhjen e parë për të organizuar këte organizatë e kemi bërë në shtëpinë e Ndoc Ç obës .
– Si pikë kryesore kishim bashkimin e popullit dhe me qenë gati me çlirimin e Atdheut,largimi nga vëllavrasja dhe pajtim gjaqesh.

Na trego për lidhjen e Shkodrës
…..është bërë një marrëveshje ndërmjet këtyre organizatave : “Besa Shqiptare”,”Grupi Nacional Indipendent”, dhe “Balli Kombëtar” Marrëveshja ka qenë në këto pika: Me i qëndrue larg vëllavrasjes dhe e dyta bashkim në rast mësymje nga jugosllavët. Në mbarim të luftës organizatat do të jenë të lira të tregojnë aktivitetin e tyre ….

A kishit marrëveshje me Lidhjen e Prizrenit?
……Nder të tjera pohon :”Tendenca e kësaj besëlidhje ka qenë ÇLIRIMI I KOSOVES nga jugosllavët dhe me u bashkue me Shqipërinë.
A ke qenë në mbledhjen e Zall-Herrit kur u bë Kongresi i Legalitetit?
-Organizata “Besa Shqiptare”u ftua në këte kongres si organizatë më vete …..
Ndoc Çoba mbajti një fjalim me rastin e hapjes së kongresit ….ai foli mbi mënyren e bashkimit të anëtarëve të Legalitetit.Në këte mbledhje u vendos që të bashkohen dhe të përgatiten forcat për të luftuar okupatorin…..

Zotëri të pushtetit, veprimtarinë time nuk e quaj tradhëti, pse s’ kam ba tradhëti që të pendohem e të dënohem .”Besa Shqiptare” s’ka qenë tradhëtare, as “Lidhja e Shkodrës”.

Materiali i plote eshte ne dosjen me numer arkivor 1162/a dhe në shkrimin e Astrit Jusuf Jegenit
‘Sheuqet Muka në personalitetin e tij politik e historik”

–

Filed Under: ESSE

SHQIPTARËT Në Mal të Zi- Politika e Shumicës ndaj Pakicës gjatë Kalimit në Demokraci*

November 10, 2014 by dgreca

Rochester, Michigan, më 1 nëntor, 2014 – Konferenca e Dytë Ndërkombëtare mbi “Shqiptarët në Mal të Zi” përfundoi sot në Universitetin e Oakland me një paraqitje historike të kërkimeve shkencore. E organizuar nën përkujdesjen e me mbështetjen e Departamentit të Shkencave Politike dhe të Programit të Studimeve Ndërkombëtare, së bashku me disa Shoqata Shqiptaro-Amerikane, në zhvillimet e kësaj conference morën pjesë student, shkollarë, udhëheqës të bashkësisë Shqiptaro-Amerikane, figura të spikatura të biznesit dhe të politikës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Europa.
Konferenca e këtij viti mblodhi bashkë kërkues nga fushat e ndryshme të studimit, të së drejtës ndërkombëtare e të qeverisjes, që u bënë bashkë me analizue dhe vlerësue problemet e cështjet që janë të pazgjidhura tash sa kohë dhe që preokuppojnë Shqiptarët në Mal të Zi. Që nga folësit kryesorë tek nuk numri I madh I propozimeve për pjesëmarrje që u paraqitën, Konferenca përfoundoi me sukses të plotë. Duke ndërtuar mbi konferencën e parë të zhvilluar në NYU në vitin 2012, kjo konferencë vazhdon t’iu ofrojë shkollarëve, kërkuesve e studjuesve mundësinë për me paraqitë e me diskutue problemet e shumta lidhur me politikat e dështuara të Malit të Zi për të përfshirë dhe për të trajtuar sin duhet edhe pakicën Shqiptare që jeton në trojet e veta.
Në konferencë u paraqitën kërkime që provojnë se bashkësia shqiptare në Mal të Zi vazhdon të viktimizohet nga poltiikat shtetërore malazese që synojnë asimilimin e tyre të dhunshëm dhe emigrimin përmes mundësive të kufizuara për edukim e punësim, prapambetje e qëllimte ekonomike, mungesë e decentralizimit të qeverisjes dhe programeve të tjera qeverisëse që kanë si synim që të mbysin e zhdukin gjuhën, kulturën dhe trashëgimninë shqiptare. Paraqitësit demonstruan me sukses se si shumë nga premtimet e angazhimet e Malit të Zi për të mbrojtur pakicat nuk janë zbatuar dhe nuk janë përkthyer apo përfshirë në legjislacionin e MAlit të Zi apo në politikat që ndiqen. Si rezultat, të dhënat konfirmojnë se frika e shqiptarëve se vendi I tyre ne një “bashkim” të Malit të Zi me Europën, nuk do ta përmirësojë statusin e tyre të ardhshëm është legjtiime. Po ashtu, kjo konfirmoi frikën e tyre se këto objektiva do të arrihen përmes një programi të premtimeve e flajëve boshe të cilat do të fshehin realitetin e shkeljes së lirive të njeriut dhe të drejtave të barabarta, deri sat ë arrihet në pikën që popullsia etnike shqiptare nuk do të jetë më factor me peshë në politikën e Malit të Zi.
Konferenca paraqiti dy punime kryesore nga profesorët Viktor Ivezaj dhe Shinasi Rama, si dhe një numër të ndjeshëm paraqitjesh nga folësit që diskutuan mbi një numër problemesh e cështjesh lidhur me identitetin e shqiptarëve, politikat e pakicës, dhe influencat e huaja dhe shtetet amë.
Mbas fjalës mirëseardhëse nga Prof. Paul Kubicek dhe prof. Ivezaj, Prof. Shinasi Rama (NYU) analizoi evolucionin e identitetit të malaziasve dhe duke sjelle evidencë historike argumentoi se malaziasit janë një grup etnik kompleks që kishin dy elemente të përbashkëta, luftën kundër Otomanëve dhe fenë ortodokse. Mirëpo, Në rrogën e shndrrimit të tyre ne komb, ata nuk u bënë një etni, por ata u lidhën me idene e shtetit, dhe në këtë process të zgjerimit të shtetit, por edhe gjatë pavarësisë e më pas, ata nuk janë ndalur asnjeherë nga përpjekja për të spastruar pakicat e ndryshme. Tani, shteti Malazes, po rreket të ndërtojë kombësinë dhe etninë malazese duke bërë një përpjekje të madhe për ti asimiluar të tjerët në kombësinë malaziase. Në rastin e shqiptarëve që nuk ndajnë me ta as fenë, as traditat, as lidhjen me shtetin, e as gjuhën, rruga që po ndiqet është përcaj e sundo, asimilimi e përjashtimi I studjuar përmes emigrimit etj. cka edhe ka pasoja të rënda për ta si pakicë që jeton në trojet e veta, ashtu dhe për Malin e Zi evtë radhmen e tij demokratike.
Profesor Viktor Ivezaj (WSU) paraqit një teori të dyfishtë dhe argumentoi se diskriminimi etnik I shqiptarëve në Mal të Zi është pasojë e “polarizimit etnik” një metodë e përdorur nga shteti dhe që nuk është rezultat I urrejtjeve të vjetra etnike, sic paraqitet në literaturë. Prof. Ivezaj, thotë se në së kjo politikë e polazimit etnik nuk ndalohet, atëherë pakica shqiptare në Mal të Zi do të vazhdojë që të ushqejë një qëndrim negative ndaj shtetit, dicka që kur të shprehet publikisht do ta kapë Malin e Zi në befasi dhe do të pasoja negative për zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike në atë shtet.
Dr. Nail Draga (Qendra Kulturore, Ulqin) ofroi një analizë të vecantë e të thelluar të regjistrimeve të popullsisë të bëra në Malin e Zi në periudhën 1948-2011. Ai paraqiti të dhëna të pakontestueshme se numrat e popullsisë zyrtare të Malit të Zi, nuk e pasqyrojnë si duket gjendjen e popullsisë aktuale. Duke vënë në dukje të meta e gabime në mbledhjen, analizmin e raportimin e të dhënave, Dr. Draga argumenton se gjithcka tregon se metodklogjia e përdorur nga Zyra e Regjistrimti të Popullsisë në Mal të Zi synon që të zvogëlojë numrin e poipullsisë shqiptare deri në atë pikë sa ata të kthehen në një factor krejt të parëndësishëm politik.
Doktorante Agata Biernat (Nicolaus Copernicus University, Turin Poland) në punimin e saj analizoi politikat e vetëqeverisjes në rajonin e MAlësisë. Në këtë Punim, ajo shpejgoi dhe paraqiti metodat e ndjekura nga shqiptarët për të influencuar sistemin politik në Mal të Zi për me arritë qëllimet e tyr edhe me e rivendosë komunën e Tuzit.
Dr. Sabina Osmanovic (Universiteti i Shkodrës dhe Universiteti I Tiranës) paraqiti një analizë të mbështetur në një pyetësor që ajo e kishtë mbledhur rajonet e banuara me shqiptarë të MAlit të Zi. Në analizën e saj, Dr. Osmanovic sqaroi se si një numër pyetjesh dhe përgjigjet e dhëna hedhin një dritë të re mbi pritshmëritë e shqiptarëve para referendumit për pavarësinë dhe perceptimet e tyre mbas pavarësisë. Duke krahasuar përmes një numri të ndjeshëm pyetjesh (a) premtimet që Malazesët kishin bërë para referendumit për pavarësi në vitin 2006 dhe (b) përgjigjet e tyre se sa kishte arritur Mali I Zit ë përmbushte këto premtime tetë vjet më vonë, në vitin 2014, dr. Osmanovic argumentoi se shqiptarët janë të diskriminuar dhe të pa integruar si duhet në të gjithë sferat e jetës ekonomike, politike dhe shoqërore dhe, cka është më ë erëndëishme, Mali I Zi, nuk e ka mbajtur premtimin për një të ardhme më të mirë e të barabartë për të gjtihë shqiptarët.
Dr. Angjell Gojcaj (University of Shkodra) paraqiti një analizë bashkëkohore të politikave sociale dhe shtetërore diskriminuese që tashmë janë tkonsistente në kohë të ndjekur nga qeveria e Malit të Zi. Duke ndjekur një ligjikë institucionaliste, Dr. Gojcaj, u përqëndrua në tre llojet e ndryshme të të drejtave të pakicës shqiptare – e drejta e simboleve kombëtare, e drejta e përfaqësimit politik, dhe e drejta e punësimit. Duke u mbështetur në statutet e të konvetat e të drejtës ndërkombëtare, mongrafitë dhe raportet e ndryshme të paraqitur, ai e provoi në mënyrë të pakundërshtueshme praninë e trajtimit diskriminues të shqiptarëve dhe të grupimeve të ndryshme që përfaqësojnë shqiptarët në Mal të Zi.
Doktorant Grid Rroji (CUNY) ekzaminoi efektet e mbështetjes së vakët të shtetit shqiptar për të drejtat e pakicës etnike shqiptare në Mal të Zi, si dhe pasojat që ka pasur kjo sjellje për stabilitetin rajonal dhe sigurinë. Rroji, mbeshteti argumentin se përkeqësimi I të drejtave njerëzore në Mal të Zi, së bashku me mungesën e mbështetjes së Shqipërisë për pakicat kombëtare shqiptare në shtetet fqinjë, paraqet një rrezimk të vazhdueshëm për të ardhmen e shqiptarëve por edhe për stabilitetin e mAlit të Zi dhe sigurinë rajonale.
Prof. Paul Kubicek (Oakland University) vlerësoi rolin e Bashkimit Europian në lidhje me statusin e shqiptarëve etnikë në Mal të Zi. Duke e ndjekur këtë rol nga këndvështrimi I të drejtave të minoriteteve, si dhe duke ndjekur qasjet e shqiptarëve ndaj BE dhe Malit të Zi, Prof. Kubicek, ofroi një listë të prioriteteve dhe bëri disa sugjerime të vyeshme se cilat rrugë duheshin ndjekur për të siguruar që qeveria e MAlit të zi dhe strukturat e tjera, si dhe shoqëria civile t’i respektonin të drejtat e shqiptarëve. Ai argumentoi se megjithëse Mali I Zi dukej sikur I respektonte te drejtat e shqiptarëve, në fakt gjendja ishte tjetër, dhe se ka shumë problem të lidhura me të drejtat e minoriteteve të cilat duhet të adresohen nga Mali I Zi përpara se ky shtet të bëhet I gatshëm për t’u integruar në Bashkimin europian.
Profesor Shinasi Rama analizoi rolin e diasporës shqiptare nga Mali I Zi dhe tregoi cilat janë ndjekur nga kjo diasporë për të ndikuar në administratën amerikane dhe në organizatat e tjera. Duke shpjeguar rolin në rritje të diasporës, Prof. Rama e vuri theksin tek roli në rritje I diasporës për kushtëzimin e sjelljes së politikanëve dhe ndërgjegjësimin e bashkësisë shqiptaro-amerikane, si dhe në ndërtimin e strukturave që po punojnë me administratën e më shoqërinë civile për të përcuar e sqaruar gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi.
Disa organizata Shqiptaro Amerikane e mbështetën dhe morën pjesë në konferencën e këtij viti përfshirë këtu fondacionin “Plavë-Guci,” Shoqatën Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe” dhe Shoqatën Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit”. Mbështetësit që nuk mundën të vinin por që I kontribuan mbarëvajtjes së konferëncës ishin fondi humanitar “Malësia”, Fondacioni “Ded Gjon Luli”, Fondacioni “Dom Simon Filipaj” dhe Shoqata Shqiptaro-Amerikane,“Kraja”.
Konferenca e vitit 2014 ka përfunduar dhe redaktorët po punojnë që të botojnë një libër që të përfshijë të gjithë punimet e paraqitura në këtë konferencë. Për me tëpër, Komiteti Organizues, po përgatitet që të organizojë Konferncën e tretë në Mal të Zi, në vitin 2016. Kjo do të koincidojë me 10 vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi dhe qëllimi I saj është që të shihet më qartë gjendja e shqiptarëve dhjetë vjet mbas pavarësisë së Malit të Zi, si dhe hedhja dritë mbi problemet shoqërore e politike që shqetësojnë shqiptarët. Në fakt, je kemi filluar të kontaktojmë kolegët nga Mali I Zi, Shqipëria, SHBA, UK, dhe Kosova për të siguruar që konferenca e vitit 2016 do të jetë një sukses I plotë.
Komiteti Organizues dëshëron të falënderojë të gjithë ata që e bënë këtë konferencë një sukses të merituar dhe në vecanti, paraqitësit, Shoqatat Shqiptaro-Amerikane, dhe Organizatën e Studentëve Shqiptaro-Amerikanë. Urojmë që të takohemi sërish në vitin 2016!
* DEKLARATË PËR SHTYP- Konference e Dytë Ndërkombëtare për “Shqiptarët në Malin e Zi”

Filed Under: Analiza, Komunitet Tagged With: - Politika e Shumicës ndaj Pakicës gjatë, Kalimit në Demokraci, ne Mal te zi, shqiptaret

KONFERENCA MBI SHQIPTARËT NË MAL TË ZI-Universiteti Oakland në Roçester në Miçigan-SHBA

November 10, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Tre javë më pare kisha shkruar mbi planet për mbajtjen e një konference ndërkombëtare mbi gjëndjen e Shqiptarëve në Mal të Zi, konferenca e dytë mbi këtë subjekt e cila u mbajtë më 1 Nëntor në sallën historike, “Meadow Brooke Mansion” të Universitetit Oakland në Roçester të Miçiganit. Konferenca u sponsorizua nga Departmenti i Shkencave Politike dhe Enti i Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Oakland, së bashku me disa shoqata shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku dhe nga Miçigani. Gjatë konferencës u paraqiten referate nga akademikë dhe specialistë nga Shtetet e Bashkuara dhe ekspertë të ftuar nga trojet shqiptare në Ballkan dhe nga Europa. Gjatë punimeve të konferencës, specialistë të fushave të ndryshme mbi gjëndjen e shqiptarëve në Mal të Zi, diskutuan, ndër të tjera, çështje siç janë arsimi, të drejtat e njeriut dhe të kulturës së shqiptarëve në trojet e veta autoktone nën Mal të Zi. U mbajtën referate mbi subjekte që prekin jetën e përditëshme të shqiptarëve në Mal të Zi, siç janë qeverisja vendase, aplikimi i ligjit ndërkombtar, por edhe mbi rolin që luan ose duhet të luaj Bashkimi Europian në promovimin e të drejtave të pakicave kombëtare, e veçanërisht të drejta e shqiptarëve në Mal të Zi.
Kjo konferencë u mbajtë në kohën e duhur për të tërhequr vëmendjen e botës, por veçanërisht vëmendjen e Shteteve të Bashkuara karshi situatës së shqiptarëve në Mal të Zi, e cila sipas vetë atyre që jetojnë atje është një gjëndje në të cilën ata e ndjejnë veten të diskriminuar në shumë fusha që preku Konferenca në Universitetin Oakland të shtetit Miçigan në SHBA. Vetëm ditë e fundit mësuam se komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka në plan të organizojë atë që organizuest e cilësojnë si një “Protestë për dinjitet”, duke i thënë Stop Diskriminit, sidomos në fushën e arsimit, duke shtuar se “duam të arsimohemi si shqiptarë”. Në njoftimin e tyre për protestë para Komunës së Ulqinit të premtën me 14 nëntor, organizuesit bëjnë pyetje nëse politikanët shqiptarë të atyre trojeve do të marrin pjesë në atë protestë paqësore. Konferenca si kjo që u mbajtë në Shtetet e Bashkuara mund të venë në dukje hallet dhe situatën jo të drejtë, në krahasim me të tjerët, të shqiptarëve nën Mal të Zi, dhe ekspertë si këta që morën pjesë në këtë konferencë, shqiptarë dhe të huaj, ndonëse ia paraqsin situatën e shqiptarëve botës, ashtu siç është dhe siç knaë bërëe dhe më parë, është pjesmarrja dhe qëndrimi i përbashkët i shqiptarëve pa dallim e sidomos bashkimi i faktorëve politikë shqiptarë atje, që të kërkojnë të drejtat që u takojnë atyre në bazë të konventave ndërkombëtare dhe në bazë të vet ligjeve të vendit.
Konferenca që u mbajtë në Universitetin Oakland të shtetit Miçigan është meritë e të gjithë pjesmarrësve dhe diasporës shqiptare në Amerikë, por mbi të gjithë është një kontribut që bashk-organizatorët e ksëaj konference, Profesorët shqiptarë në Amerikë, Shinasi Rama dhe Viktor Ivezaj i dhanë çështjes së shqiptarëve nën Mal të Zi dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre në trojet e veta.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Frank shkreli, KONFERENCA MBI SHQIPTARËT, ne Mal te zi

NISI ME $ 13,150 FUSHATA E VATRËS

November 9, 2014 by dgreca

FUSHATA VAZHDON DHE DO TE PERFSHIHET CDO VATRAN/
Të Shtunën me 8 nëntor 2014, në Shtëpinë e Vatrës, nisi fushata për mbledhjen e fondeve që do të shërbejnë për arkivin, bibliotekën dhe moblimin e zyrave të Vatrës.
Fushata nisi në mbledhjen e Këshillit të Vatrës nën drejtimin e kryetarit dr.Gjon Bucaj.
Pasi z. Bucaj informoi për masat që ishin marrë për realizimin e veprimtarive me rastin Ditës së Flamurit, shtroi kërkesën e editorit për një mbështetje në realizimin e numrit special të 28 Nëntorit të DIELLIT, bëri thirrje që të gjithë duhet ta mbështesin editorin, që nga kryesia, Këshilli e deri tek anëtarësia e Vatrës.Ai vecoi kontributin e z. Uka Gjonbalaj.
Kryetari i Vatrës përmendi gjatë këtij takimi edhe intervisten që anëtari i këshillit të Vatrës, Ramiz Mujaj, i kishte marrë At Nikolla Markut priftin që shërben në Kishën e “Shën Mërisë” në Elbasan dhe e trajtoi me detaje gjendjen dhe rolin e kësaj kishe.
Më pas u diskutua për fushatën për mbledhjen e fondeve. Vatra ka një përvojë të gjatë në organizimin e fushatave, fillimisht për Kombin, dhe vonë për mbijetesen e vet. Janë të njohura fushatat për “Shpëtimin e Shqipërisë”, që pat nisë me 3 Qershor 1917,ku u mblodhën 150 mijë dollarë, Fushata për “Huanë Kombëtare” 1920-21, ku u mblodhën më shumë se 197 mijë dollarë. Po ashtu janë organizuar fushatat më pas si ato të pas Luftës së Dytë Botërore për të ndihmuar popullin shqiptar të dëmtuar nga lufta me anë të Kryqit të Kuq etj.
Po me ndihmën e fushatave fondmbledhëse nën drejtimin e z. Agim Karagjozi, Vatra ka sot Shtëpinë e saj trekatëshe(të siguruar nga z. Zuhdi Karagjozi), e cila ka kontributin e shumë vatranëve( Zef Balaj, Ibrahim Kolari, Sejdi Hysenaj, vëllezërit Bitici, Arjan Myrtaj, Agim dhe Ramiz Mujaj, Ahmet Hoti,Zef Pernocaj dhe shumë të tjerë)…. dhe së fundi u rikonstruktua falas nga z. Rrustem Gecaj.
Për drejtimin e fushatës u ngrit një Komision, i cili do të merret me mbledhjene fondeve dhe pas tij, një komision tjetër do të merret me projektin e Bibliotekës, Arkivit dhe moblimin e zyrave.
Fushata, e cila sapo nisi të Shtunën, do të vazhdojë edhe për të ardhmen. Anëtari i këshillit të Vatrës, vatrani Sabit Bytyci, do të organizojë në restorantin e tij një darkë për mbledhjen e fondeve.

Kontributet e mbledhura deri tani janë :

1- Bedri Lita – $ 3000
2- Mehmet Kadrija $1000
3-Skënder Murtezani $550
4- Agim Rexhaj $500
5- Asllan Bushati $500
6-Mithat Gashi $ 500
7-Agim Alickaj $ 500
8- Albert Perndocaj $500
9-Fatos Mucho $ 500
10- Merdjan Hysen $500
11- Marjan Cubi $ 500
12-Uka Gjonbalaj $ 300
13- Ahmet Giafo $ 300
14-Ibrahim Kolari $ 300
15- Leke Gojcaj $ 200
16- Dalip Greca $ 200
17- Ramiz Mujaj $ 200
18- Adem Cukaj $ 200
19- Ahmet Hoti $ 500
20- Ndrece Gjergji $ 100

****
1- Nexhat Kaliqi $ 1000
2- Gjon Bucaj $ 500
3- Ismer Mjeku $ 300
4- Syle Lajci $ 200
5- Idriz Lamaj $200
6- Halil Mula $ 100
Kryetari i Vatres dr. Gjon Bucaj, i falenderoi kontribuesit dhe se në këtë fushatë do ët përfshihet cdo vatran sipas mudnësisë që ka. Ai porositi degët që edhe ato në ëprvojën e Vatrës në vite, ta organizojnë fushatën paarlelisht.
Dr. Bucaj shprehu falenderime edhe për tre kontributorët e më parshëm, që i patën nisë dhurimet para fillimit të fushatës:
1- Cezar Ndreu, që investoi rreth 2 mijë dollarë për redaksinë e Diellit për kompjutera dhe print.
2- Ahmet Hoti, për dërgimin e $ 500
3- Ndrecë Gjergji $ 100

Filed Under: Vatra Tagged With: 150, FUSHATA E VATRES, NISI ME $ 13

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT