• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

HARALLAMB KOTA PËRURON NJË LIBËR PËR “PENDAT SHQIPTARE…”

November 8, 2014 by dgreca

Nga Murat Gecaj/
Në mjediset e Ministrisë së Kulturës, në kryeqytetin Tiranë, u organizua përurimi i librit publicistik, shkruar nga Harallamb Kota, “Pendat shqiptare dhe shkundja e harresës”. Redaktor është Albert Zholi dhe hyrjen e ka bërë vetë autori. Pjesëmarrës ishin poetë, shkrimtarë e publicistë, kolegë e miq të autorit etj.
Veprimtarinë e hapi moderatori A.Zholi, i cili nënvizoi disa nga vlerat kryesore të këtij libri të ri. Pastaj e mori fjalën historiani, prof. Hysen Kordha, i cili nënvizoi që, me këtë libër, autori na sjell në kujtesë, për mos harresë, ngjarje të rëndësshme dhe figura të ndritura të historisë sonë kombëtare, me mesazhin aktual për t’i njohur sa më mirë dhe për t’i përcjellur brez pas brezi.
Ndërsa folësit shprehnin mendimet e yre rreth këtij botimi, në ekran jepeshin pamje filmike, sidomos nga udhëtimet e autorit H.Kota nëpër vende e pranë simboleve përkujtimore, me rëndësi të veçantë historike kombëtare. Kështu, të tilla ishin: pamjet nga Vendvarrimi i Skëndërbeut, në Lezhë: monumentet e Bajram Currit (Tropojë) e Isa Boletinit (Shkodër), bustet e Vëllezërve Frashëri, Monumenti i Shpalljes së Pavarësisë, në Vlorë etj.
Në vazhdim, e morën fjalën, poeti e publicisti Çelik Petriti dhe studiuesi Memush Habilaj. Ndër të tjera, siç dëshmohet në këtë libër, ata treguan se edhe gjyshi i autorit, Llambi N.Kota zhvilloi veprimtari të çmuar atdhetare, si ndihmës në punimet e Kongresit I të Manastirit dhe delegat në Kongresin e Dibrës etj. Më parë, H.Kota kishte botuar dhe përmbledhjen poetike, po me këtë tematikë, “Im atë”(Tiranë, maj 2014).
Po kështu, folësit Kastriot Bezati e Bashkim Qeli nënvizuan se autori na e jep të dokumentuar bukur, veprimtarinë atdhetare të familjes së tij, nga Kalaja e Baratit, në vazhdimësinë e katër brezave. Rreth këtij libri u shrehën edhe pjesëmarrës të tjerë, në këtë perurim.
Në mbyllje, autori Harallamb Kota i falënderoi përzemërsisht, si folësit e pjesëmarrësit në këtë veprimtari mbrësëlënëse dhe nënshkroi mjaft libra, që ua dhuroi atyre me dashamirësi. Po kështu, së bashku morën pjesë dhe i vijuan bisedat në koktejin, që ai kishte shtruar, me këtë rast.
Tiranë, 08.11.2014

Filed Under: Kulture Tagged With: “PENDAT SHQIPTARE…”, Harallamb Kota, PËRURON NJË LIBËR PËR

Ku isha unë, kur ti më kërkoje?!

November 8, 2014 by dgreca

-analogji-Përgjegjësia e prindit për fajet e fëmijës./
Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj/
Ajo qëndroi në pragportën e fëmijërisë, sepse vetëm ajo i dilte parasysh e qartë, e brishtë, ishte një kohë e papërsëritshme, kur ajo ndihej plotësisht e lumtur. Ndoshta në atë shtëpizë kishte ngelur një kënd i paqmë nga ajo kohë e qetë, e panjollosur, e papërdhosur, si dhe e pamolepsur me mashtrime dhe intriga. Qëndroi jashtë porte gjatë e përhumbur në mendime dhe e pavendosur…”Të hyj apo të mos hyj…? Cila jam unë në të vërtetë? Jam një hije që zvarg qorrazi ditët e ndotura të jetës sime të shpërdoruar. Sot kam ardhur nga një rrugë e largët dhe po aq e afërt, si në kohë, ashtu edhe në hapësirë. Rrugëtimi im ishte i kushtëzuar, i paravendosur, ishte pa kthim pas. Tek e fundit kjo është shtëpia ku linda e që më bëri kjo që jam sot.”- me dorën e dridhur trokiti në atë portë që tani i dukej e huaj. Papritur dera u hap dhe asaj iu përplas në fytyrë ftohtësira e diçkaje të vdekur prej kohësh. Në një çast të vetëm të pranisë së saj të padëshiruar, si për të dhe për …, aty kuptoi se asgjë nuk do të ishte kurrë si më parë…
Të dyja përballë njëra –tjetrës…, nënë e bijë. Ashtu në heshtje, pa folur, ajo priste shikimin e qashtër, të butë e tolerant të nënës, por…
-Ti¬…ti këtu? Nga dole? Nga mbive? Kishim vite që nuk merrnim asnjë lajm nga ty… çudi tani u kujtove se ke prindër, ke familje? Mirë të tjerat, por asnjë letër nuk dërgoje dot?
-Nuk po më fton të futem brenda? Gjithsesi unë ndodhem këtu, edhe pse s’ka nevojë për fjalë, pasi shikoj shumë më tepër në sytë e tu
-Natyrisht kur ngelen në udhëkryqet e jetës, fëmijët plangprishës kujtohen se kanë një derë ku mund të trokasin.
-Për këtë heshtje të gjatë, ti a nuk ndjen ndonjë lloj përgjegjësie, si nënë?
-Ti kishe një jetë të sigurt e punë të mirë, por mjerisht kërkove ëndrra në diell. Ike pa pyetur, pa lajmëruar, duke na lënë një barrë të rëndë, një foshnjë që kërkonte orë e çast nënën. Tani që u vele me të mirat dhe me jetën luksoze në një vend të huaj, një jetë që aq shumë e doje, kurse tani erdhe ta përplasësh kokën tek dy pleq.
-Sikur ta dije se ç’ jetë luksoze kam bër, nuk do të flisje në këtë mënyrë. Gjithsesi unë erdha…
E ëma heshtëte dhe qëndronte në këmbë si gur varri.
-Çudi, si nuk më kuptove kurrë, së paku njëherë të vetme?! O Zot, sa nevojë kam pasur për një këshillë tënden, moj nënë! Sa herë kam dashur të të hapja zemrën, që të të rrëfeja të pathënat që më mundonin, por…,për fat të keq“unë isha më e mira, më e bukura, më e mençura ,e përkëdhelura e mamasë. Për ty unë isha mbi shoqet, ndaj fati…më ironizoi e më hodhi në krahët e lojës së mëkatit… Besoj tani e di se cili ishte shpërblimi?!
-Ku isha unë kur ti kërkoje mbështetje?
-Kishe jetën tënde…ëndrrat dhe hallet e tua, nënë…Meqë më kishe dhënë në duar të sigurta, nuk doje ta dije nëse unë kisha nevojë për ndihmë.
-Çfarë të mungonte që ju dorëzove rrugës së madhe?
-Dashuria, kujdesi dhe vëmendja jote prej nëne që nuk ia zë vendin askush.
-Unë të dhashë burrë, që ti ta ndërtoje jetën më mirë se unë…
-Po është e vërtetë. Më dhe burrë, madje në kryeqytet. Por kishe harruar se martesa nuk të jep as fat dhe as lumturi…
-Nuk di çfarë kërkoje më shumë nga jeta, nuk di?
-Për sytë e tu dhe të babait, po…Mjafton që e patë ju, edhe e kishte parë e vulosur Perëndia.
-Nuk e kishe fat, se ai ishte djalë i mirë.
-Nënë, merr sytë dhe shpirtin tim për ta parë se si e përfytyroja unë jetën. Atëherë do të kuptosh se çfarë kam dashur unë.
-Natyrisht nuk jemi njësoj. Janë disa faktorë që ndikojnë në realizimin e një njeriu.
– Sa mirë që e kuptove. Janë mosha, koha në të cilën jeton dhe shkalla e qytetërimit, pa harruar formimin individual, ndjenjat, nivelin ekonomik etje…Veçse tani është vonë, shumë vonë , nënë.
-E di mirë se e bëra nuk mund të zhbëhet. Tashmë e keqja ka ndodhur. A e pyetët ndonjëherë zemrën time?
-Cili prind ia do të keqen fëmijës?
-Pa u thelluar, ju më nxorët në treg sikur isha bagëti. Vetëm skllevërit para se t’i shisnin i kontrollonin nga dhëmbët. Kurse mua ju më shitët lirë, vetëm për hiret trupore, për bukurinë, e cila më shndërroi në një lëkurë(peliçe) të rrallë që ka vlerë të madhe. Gëzofi origjinal që zbukuron jakat e palltove të grave, tregon edhe nivelin aristokratik të asaj apo atij që e zotëron. Me këtë çmim të lartë,por jo të paarritshëm, që kanë gëzofët e kafshëve të rralla si kunadhja, apo lëkura e bardhë e dhelprës polare, më detyruat ju, që unë me ato hire femërore, bleva mëkatin. Jetën time e barazuat me vlerën e gëzofit të palltove, që është veçse një tekë e zonjave të rënda për t’u dukur mbi të tjerat. E tillë ishte jeta ime, derisa ajo u kthye në mall ankandi, ku çmimi i tij rritej nga ofertat e epshorëve shtazarak, të cilët për të realizuar tekën e tyre foshnjarake, apo për mburrje, edhe symbyllur e zgjidhin kuletën. Kjo kam qenë unë…
-Vetë e zgjodhe atë mënyrë jetese. Tani mos të vjen turp nga vetja, vallë.
-Djalin dhe vajzën i ka ushqyer nëna me gjakun e zemrës, marrin ushqim nga trupi i saj, edukohen me atë kulturë që ajo zotëron. Sido që të bëhen, të mirë apo të këqij, ata janë pasqyrë e nënës dhe e babait. Edhe djali im që unë e braktisa, është im bir. Po kështu edhe unë ,e mirë apo e keqe, për ty dhe për të tjerët jam jot bijë. Jam ajo llastica, “më e mira e shoqeve, më e bukura e vajzave të qytezës që e kisha mirësinë në mes të shpatullave”, apo i ke harruar mburrjet e tua që më bënë të fluturoja nëpër ëndrra, nënë.
Po të tregoj një ndodhi të lashtë…“Një djalë për vjedhjet dhe krimet e panumërta që kishte bërë, e dënuan me varje në litar. Para se ta ekzekutonin e pyetën:
-Cila është fjala jote e fundit si pendesë apo falje para Zotit dhe drejtësisë?
-A mund t’ia them nënës ? Mundësisht afër, se dua faljen e saj.
-Patjetër…,- dhe ekzekutorët ia plotësuan dëshirën.
E ëma iu afrua me lotë në sy duke i thënë:
-E shikon se çfarë i bëre vetes dhe mua? Më le me duar në gji…Gjithësesi ti je im bir.
-Nënë,ti ke qenë dhe je avokatja dhe gjykatsja ime. Gjuha jote më lëvdoi se isha “djalë i mirë kur unë gënjeja dhe bëja prapësira.. Gjuha jote jo vetëm nuk më dënoi për gabimet që bëja, por më rrihje krahët duke thënë: ‘Ja kështu e kam dashur tim bir’. Ishte gjuha jote që i pranonte si trimëri gjithë krimet dhe vjedhjet që kam bërë. Ndaj afrohu këtu pranë që ta shoh se çfarë lloje gjuhe ke, si nëna që ka detyra dhe përgjegjësi ndaj fëmijës.
Sa u afrua ajo dhe i nxori gjuhën, ai ia kafshoi aq fortë sa iu preh mespërmes…”-kjo është fabula e jetës së çdo fëmije.
-Nuk e pranoj. Ne të rritëm me gjithë të mirat, kurse ti, more rrugën e të paudhit.
-Prej jetës sime të vështirë, fitova përvojë e dije. I njoh detyrat dhe përgjegjësitë e prindit. Madje di dhe si e kur edukohet për së mbari një fëmijë.
Oh, nënë! Lindja e një fëmije është e njëjta gjë si lindja e alfabetit. Nëse ky i fundit është krahasuar me një nga çelësat e historisë së njerëzimit, sepse alfabeti është kodi i çdo gjuhe që flitet në rruzullin tokësor, si dhe një nga veçoritë themelore të kombit. Kurse fëmija ngjason me mistikën e shkronjës fillestare , pra është bërthama nga ku nis gjeneza. Në këtë rast ka shumë mundësi që arsyeja nuk ka ndonjë domethënie të veçantë, pasi fjalët që fillojnë me të njëjtën shkronjë mbështillen nga diçka karakteristike, na një lloj misteri të cilat i bashkon vetëm shkronja e parë. Pra edhe fëmijët e ndryshëm të një komuniteti, i bashkon të qenit njerëz, por ata i ndan nga njëri- tjetri, geni dhe kultura e trashëguar.
Nënë, shpesh thuhet se nga ferra mbin trëndafili dhe nga trëndafili mbin ferra.Edhe në këtë rast arsyeja nuk ka ndonjë domethënie të veçantë. Për saktësimin e plotë të alfabetit është dashur shumë kohë që ai të plotësohej për të realizuar marrëdhëniet gjuhësore mes njerëzve të një race. Shumë kohë duhet edhe për edukimin e një fëmije, i cili nis me ngjizjen e tij. Pra qysh në embrion, nis edukimi i çdo krijese humane. Ç’ bëre ti nënë për të më edukuar me një karakter të forte e të qëndrueshëm? Mbaj mend se më ke plotësuar të gjitha dëshirat,edhe atëherë kur nuk duhej. Plotësimi i tekave të mia, lëshimet apo anashkalimet me vend e pavend, ja ku më çuan. Sot jam një vejushë e shpërfillur, për të cilën mungon respekti i të tjerëve. Mos vallë të gjitha gabimet e fajet bijen mbi mua? Po ti, ti, moj nënë nuk ke asnjë gabim ndaj meje?
-Mendoj se kam qenë nënë e mirë. Jam munduar që të mos mungonte asgjë. Nuk doja të ishe nën shoqet e tua…
-Sedra e sëmurë prej nëne egoiste, e ushqeu egon time duke më shndërruar në një tjetër njeri. Nuk kam dashur kurrë që të jem kjo që u katandisa. Ironia e fatit më rrëzoi për tokë, porse loja e mëkatit më mësoi se si të ringrihem. Veçse jeta ime kurrë s’ka për të qenë si më parë…

Rreth katër krimeve të fundit në Tiranë

Jo më kot -, për analogji, shkëputa fragmentin e mësipërm, prej romanit tim që kam në dorë me titull “Loja e mëkatit”. Të gjithë prindërit e dinë se fëmija që përfundon kriminel, trafikant, përdorues droge, arrogant, hajdut apo prostitutë, faji rëndon mbi familjen. Shkolla dhe formimi shkencor i jep njohuri, është vazhdimësi e bagazhit që i ka dhënë familja në procesin e gjatë të edukimit, pasi kohën më të madhe ai e kalon me prindërit apo me shoqërinë.
Jetojmë në një kohë të trazuar dhe të pasigurt, ku çdo mëngjes, qytetari sa hap sytë ndjen shijen e hidhur të kronikave të zeza, me të cilin nisin lajmet e ditës së re. Vrasjet tek ne kanë nisur të bëhen si diçka normale. Nga e njëjta dorë vrastare humbën jetën katër djemë nënash dhe një (Alfred Musabelliu) para tre vitesh, të cilët kishin faje në ndërgjegje apo jo, me këtë duhet të merreshin organet e drejtësisë.
Po kur ama?
Vetëm kur ajo funksionon si duhet duke zbatuar me përpikmëri ligjet që sanksionon kushtetuta.
Unë, si nënë, si gjyshe, si qytetare, u përciell ngushëllimet e mia të sinqerta katër familjeve , si dhe familjes Musabelliu që humbën djemtë nga dora kriminale e shokut të tyre.
Më vjen çudi se u çanë ekranet televizive duke dhënë opinione keqardhjeje për atë që kreu krimin dhe asnjë fjalë për viktimat. Dikush shprehet “jam me ty Luiza”, dikush tjetër “epo ç’faj ka nëna, kur i biri është 26 vjeç?”
Unë si prind i quaj gjykime të padrejta. Në vend që të analizojnë thellë këtë krim makabër, motivohen nga pozita shoqërore, kulturore apo politike e prindit. Nëse vrasësi nuk do të ishte bir i një familjje artistësh, apo i deputetes së Parlamentit shqiptar, jam e bindur se këta diskutantë apo opinionist do të ishin të parët që do të kërkonin nga drejtësia dënim kapital për kriminelin. Sepse atij i mungonte një ombrelë për ta mbrojtur nga stuhitë
Më ka bërë përshtypje rrëfimi i K.Xhuvanit, “se si u bëra vrasës”. Mendoj se të bëhesh kriminel e të vrasësh me gjakftohtësi katër persona në të njëjtën kohë, krim i përsëritur, të jesh person i kërkuar për trafikime, duhet shumë kohë. Prindërit e tij intelektualë dhe të kamur, për të qenë të lirë në përsosjen e profesionit të tyre, e kanë toleruar djalin e vetëm dhe ai me ndërgjegje se do të kishte përkrahjen e tyre, vazhdoi të gabonte. Ata të zhytur në ëndrrën e tyre, në rritjen individuale dhe në egon politike, nuk kishin kohë të shihnin gabimet e tij që me kohë mund të riparoheshin. Xhepat nuk ia linin kurrë bosh, gjë që solli pavarësinë e tij. Duke luajtur me para, si një elektron i lirë, pa kërkesë llogarie nga familja, u fut në rrugën e vesit, nga ku nuk dilte dot më. Karakteri i tij u formua me egoizëm, se ishte i biri i artistes, i deputetes dhe regjisorit, ndaj duhej të dëgjohej nga të gjithë dhe të ishte në krye, ndryshe, shokët i priste plumbi.
Ku ishte nëna kur i biri bënte jetë nate, kur dehej, sa nuk logjikonte më? Unë jam nënë dhe si e tillë e di se ku është im bir në çdo orë të natës, se të ditës poe po. Natyrisht ai do dalë nga burgu, siç doli edhe herën e parë e s’është çudi që të dalë i pafajshëm me kartelë mjekësore, si njeri me aftësi të kufizuara mendore. Drejtësia mos të kërkojë faje të paqena për njerëzit e zakonshëm si shpërdorues detyre,duke i futur në administratën e lartë. Mjerisht janë nëpunës të mesëm, të cilët numërojnë qindarkat dhe për ta kërkojnë qimen në qull, vetëm e vetëm t’i shohin pas hekurave . Para ligjit në një shtet ligjor të së drejtës qytetarët janë të barabartë para ligjit. Ndaj drejtësia duhet të shoh krimin që e përqesh, duke i nxjerrë gjuhën e duke i thënë: “Unë jam më i fortë se ligji, ndaj ti që zbaton e kontrollon zbatimin e ligjit, s’më bën dot gjë…Unë kam vrarë dje,vrava sot dhe do të vrasë edhe nesër.” A nuk është paradoks një opinion i tillë, që në vend të kalojë nga viktimat, i dhimbset krimineli.
Me të drejtë e ëma e tij, Luiza dhe e çdo vrasësi, duhet të pyes ndërgjegjen : “ku isha unë kur djali kishte nevojë për mua?

Filed Under: ESSE Tagged With: Ku isha une, kur ti, me kerkoje, Vilhelme Vrana Haxhiraj

Liderët naiv që nuk po e kuptojnë teorinë e mbretit për politikën

November 8, 2014 by dgreca

Shkruan XHAVIT ÇITAKU/
Këtë shkrim timin kësaj radhe po e filloi me një tregim të së kaluarës, por mendoj se është shumë i përafërt me aktualitetin e sotëm politik në vendin tonë apo më mirë më thënë të këtij cirku që po zgjatë tash e pesë muaj. Ka të bëj me definicionin politik praktik që e kishte sajuar një mbret, ndoshta nga përvoja që ai e kishte parë apo ishte pjesëmarrës i asaj loje nëpërmes së cilës arriti të bëhet sundimtar. Ky mbret e kishte këshilluar të birin që të studioj politikën në një universitet të njohur anglez. Kjo shkencë i hyri në qejf këtij djaloshi dhe u bë një student i dalluar. Sa herë që vinte në pushime, babai nuk pushonte ta pyeste se çfarë është politika. Djaloshi fillonte t’ia thonte përmendsh dhjetëra definicione të shkencëtarëve të ndryshëm botëror, por ato asesi nuk ia mbushnin mendjen mbretit. Edhe pasi i përfundoi studimet, mbreti vazhdoi me të njëjtën pyetje, por përgjigja e të birit nuk përkonte as përafërsisht më atë që kërkonte sundimtari. Një ditë mbreti e uli të birin afër vetit dhe po i thotë: Shiko biri im. Krejt çka ti po thua me ato definicione kurrë në praktik nuk do të hyjnë në punë edhe pse është mirë që i kë mësuar. Tash unë me dy fjalë po të tregoj se çka është politika e ti nëse je bektesh e merr vesh. Ti do të me trashëgosh dhe mbaje mend këtë që po të them: “ Gjatë gjithë kohës njërën dorë gjithmonë mbaje pas dhe kurrë mos gabo me e larguar, ndërsa me dorën tjetër bën çka të duash. Nëse vetëm pak e luan atë dorën që e kë pas, me nder me thanë, ta fasin që valla sytë duç t’i qesin. Kjo është politika biri im në praktik e sa për teori ma mirë e kë ti se unë”.
Menjëherë pas zgjedhjeve të tetë qershorit u mblodh blloku opozitar edhe nga ngutia pothuajse të gjithë e kishin harruar të mbajnë dorën pas. Ma i pari ishte Haradinaj që e vërejti këtë “ lëshim” të të tjerëve dhe i tha Isës: Më fal po definicioni i mbretit mua po ma jep postin e Kryeministrit. Edhe Isa e kuptoi çka kishte bërë dhe ia ktheu: “ Për hajr na koft” . Limaj si politikan jo edhe me përvoj aq të madhe, se qëllimi kryesor i tij është t’i hamirret ish- shefit të tij e jo ndonjë post, e ka rregulluar ai jetën e vet,, po qesh e po thotë: “ Pasi u “lage” pak Isë nuk po të lejojm me u ba “qull” krejt e po ta japim pozitën e Kryeparlamentarit. Ani pra po ia bajmë kësisoj, thanë ata. Albini me atë fytyrë serioze që ka, ishte kategorik se lë të bahet çka të bahet, Thaçin nuk kemi me e lanë edhe njëherë me u ba Kryeminister. Në fakt, Albini nuk ishte prezent në atë marrëveshje “ historike” se ai pati punë me bashkëpunëtorët e tij, që siç duket nga “ trysnia e tyre, edhe ai e hoqi dorën dhe iu bashkua bllokut opozitar. Po tash erdhi një përfundim tjetër. Isa me një përvoj të madhe politike gati dyzetvjeçare, i frikësuar nga reagimi i ambasadorës Jacobson, i erdhi momenti që ta zë në pat pozicion Haradinajn dhe tash po i thotë valla mua po me takon posti i Kryeministrit. Ende nuk është e qartë a e ka lideri i AAK-së dorën pas apo vetëm po sheh ëndërr Isa. Dikush thotë po çka u ba me Thaçin. Me këtë që po dua me e thanë, ndoshta fitohet përshtypja se po i mbaj “ paj”, por nuk është ashtu. Mendoj se me të kuptuar se posti i Kryekuvendarit, edhe pse vonë, nuk po i takon Isës po Arsim Bajramit, atëherë siç po e shihni, Isa po del prapë i lagur. Ecë e merre vesh këtë politik. Po bile dorën duhet me e mbajt pas. Siç duket Hashimi ende po mban qëndrim. Nuk i besohet as vëllait kur është puna për me marrë pushtet.

Më në fund u dorëzua Isa Mustafa
Isa Mustafës iu dashtë një kohë bukur e gjatë që më në fund të pranoj e të dorëzohet pa një pa dy se posti i kryekuvendarit nuk po i takon atij por subjektit fitues të zgjedhjeve. Pesë muaj luftoj e trumbetoj se ky vend udhëheqës i përket vetëm këtij “ politikani” dhe askujt tjetër. Dhe në fund pranoj pa fije turpi se e paska pasur gabim duke e krijuar edhe një humbje të radhës në sy të opinionit të brendshëm dhe në atë ndërkombëtar. Kur them në sytë e opinionit ndërkombëtar kam parasysh reagimin e ambasadores së SHBA-së, Jacobson. Tash po ka arsyetime të shumta se për hir të asaj apo kësaj po e bëjmë këtë, që në fakt është dashur të bëhet që pesë muaj. Po kjo nuk pi ujë më sepse po shihet qartë e mirë se kush ishte bllokuesi kryesor deri me tash. “Një katund që shihet kallauz nuk do- thotë një fjalë popullore”. Nuk humbi vetëm Isa Mustafa, sepse tashmë për të këto janë bërë përditshmëri, por në këtë valle humbjesh numërohen edhe të gjithë ata jurist, por edhe bashkëpunëtor të tjerë, që duke flirtuar për ndonjë post, e kishin “ ndërsy” se vetëm ai ka të drejt të ulët në ulësen e të parit të Parlamentit të Kosovës. Por humbje më të madhe pësoi vetë LDK, anëtarësia e së cilës nuk janë duke parë se sa dëm është duke i shkaktuar këtij subjekti politik. Duke hequr “ dorë” nga posti i të parit të parlamentit, e cila edhe ashtu nuk i takonte, tash me një fytyrë tjetër Isa Mustafa e përgatit terrenin përmes lajkatarëve të vetë për t’u bërë “ Kryeminister”. Sa mirë kur njeriu mundet të zgjedh kur të donë e sa të donë poste. Herë Kryeminster, herë Kreparlamentar e besa ia kishte mësy edhe postit të Presidentit. Si në bahqe të babës, sot po e dua këtë, nesër tjetrin post. Luaje macë, kryet e bullit.
PDK-ja të reflekton pozitivisht
PDK-ja dhe lideri i saj Hashim Thaçi në këto momente e kanë vështirë të “ dorëzojnë” pushtetin pa ndonjë marrëveshje paraprake me subjektet tjera politike, të cilat po e injorojnë partin fituese. Megjithatë, mendoj se Thaçi duhet të bëj të pamunduren dhe të reflektoj pozitivisht për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, në mënyrë që sa më parë të ndërtohen institucionet e shtetit dhe kështu të tregoj shembullin e një lideri që di dhe do të veproj në të mirë të prosperitetit të vendit dhe të qytetarëve të saj. Kohë më nuk ka.
Dhe krejt në fund. Lideri i AAK-së deri me tash ka qenë i paluhatshëm në qëndrimin se nuk lëshon pe nga posti i Kryeministrit. Pale mos po harron me largua dorën…

Filed Under: Analiza Tagged With: Lideret naive, teoria e mbretit, Xhavit Citaku

KUJTESË- MË 8 NËNTOR 1989 NDËRROI JETË GAZETARI XHEVAT KALLAJXHIU

November 8, 2014 by dgreca

*Duke përkujtuar Xhevat Kallajxhiun, editorin e Diellit, ish gazetarin e Zerit te Amerikes, k/redaktorin e “Demokracia” ne Gjirokaster,poetin, studiuesin…/
* “Liria është aq e rëndësishme për njeriun,sa ç’është dielli për jetën./
Atje ku s’ka diell, jeta bëhet robotike.”
Xhevat Kallajxhiu, “Lot e Shpresa”, 1976/
Shkroi Peter R Prifti/ Dielli-arkiv/
Xhevat Kallajxhiu pati jetë të gjatë, aktive dhe të frytshme, gjysmën e së cilës e kaloi në vendlindje, Shqipëri, dhe pjesën tjetër në mërgim, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U lind në kapërcyellin e shekullit dhe po u afrohej të 85-ave, kur vdiq më 8 nëntor 1989. Për një kohë të gjatë jetoi tok me familjen e tij në Forestwille, Maryland, afër Washington, D. C.
Kallajxhiu ishte besimtar i përkushtuar ndaj idealeve dhe mënyrave demokratike në jetë. Vdekja e tij përkon për çudi me shpërthimin e trazirave në të gjitha vendet e Evropës Lindore, ku regjimet komuniste po shembeshin njëri pas tjetrit, duke i hapur rrugën demokracisë. Ai vdiq me vetëdijen se ëndrra e tij politike po bëhej e vërtetë në pjesën më të madhe të Evropës, edhe pse jo akoma në vendlindjen e tij.
Skicë biografike – Kallajxhiu lindi në qytetin e Gjirokastrës, në Shqipërinë e Jugut, në të njëjtin vend ku lindi Enver Hoxha. Megjithëse të dy i përkisnin së njëjtes vendlindje, politika që ndoqën dhe pikëpamjet e tyre ishin të kundërta. Vite më vonë, Hoxha nuk la rast pa e sulmuar Kallajxhiun, me qëllim ta diskreditonte si figurë politike në mërgim.
Kundërshtar i politikës autoritare dhe radikale të Lëvizjes Komuniste Shqiptare gjatë Luftës II Botërore, Kallajxhiu u rreshtua me forcat e Ballit Kombëtar, që ishin kundërshtarët kryesorë të forcave komuniste. Sapo mbaroi Lufta, ai emigroi në Itali ku qëndroi pak kohë, pastaj erdhi në Shtetet e Bashkuara, ku kaloi gjithë jetën.
Kallajxhiu për një kohë të gjatë shërbeu në redaksinë e seksionit shqiptar të “Zërit të Amerikës” në Washington. E mbaj mend se për herë të parë e takova kur shkova bashkë me të ndjerin Lui Prifti, i cili punonte po atje. Pasi dha dorëheqjen nga “Zëri i Amerikës”, ai pranoi ftesën e Federatës Vatra, të bëhej kryeredaktor i gazetës “Dielli”. E pranoi grishjen nga respekti për gazetën më të vjetër shqiptare që vazhdonte të botohej dhe për bindjet e tij se komunitetit i nevojitej një gazetë me orientim demokratik sikurse “Dielli”. Ai e vazhdoi atë detyrë për dhjetë vjet (1976-1986), shumë më gjatë sesa e kishte menduar. Më pas për arsye shëndetësore u detyrua të jepte dorëheqjen.
Xhevat Kallajxhiu ishte mysliman bektashi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe bëri çmos ta ndihmonte fenë e tij. Ai luajti rol të rëndësishëm për ngritjen e Teqesë së Bektashinjve në Detroit, Michigan, më 1954. Teqeja ishte për të një vend pushimi shpirtëror dhe shoqëror dhe ai shpesh ndërrmerrte udhëtime nga Forestwille në Detroit, ku qëndronte disa javë e rrallë herë disa muaj.
Kallajxhiu ishte autor që impononte respekt. Nga viti 1961 deri më 1988, ai botoi shtatë libra, nga të cilët tri biografi: “Lincoln” (1901), “Skënderbeu” (1975) dhe “John Kennedy (1980); një vëllim historik “Bektashizmi dhe Teqeja shqiptare në Amerikë”; dy libra me poezi : “Lot e Shpresa” (1976) dhe “Tingëllimet e Zemrës” (1978), plus një përmbledhje me pjesë humoristike të titulluar “Për të qeshur” (1978). Te kjo e fundit janë futur ndodhi ose anekdota nga jeta e legjendarit filozof popullor Nastradin Hoxha, i cili zë vend të nderuar në folklorin shqiptar. Të gjitha këto vepra ai i botoi në gjuhën shqipe. Një vepër tjetër e Kallajxhiut “Larg atdheut”, të cilën ai e quante roman historik, ka mbetur e pabotuar.
Njeriu dhe veprat – Kallajxhiu në radhë të parë ishte njeriu që tregonte vazhdimisht kujdes për kombin shqiptar. Në të njëtën kohë ai kishte ndjenja të forta simpatie dhe admirimi për Amerikën. Nga kjo anë ai i ngjante shumë Fan Nolit, i cili gjithë jetën ia kushtoi mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar, duke punuar me përkushtim t’i sillte popullit shqiptar demokracinë wilsoniane. Kallajxhiu, po ashtu, ishte avokat i zjartë i parimeve dhe idealeve demokratike. Përkrahja e tij ndaj parimeve demokratike të jetës daton qysh nga Gjirokastra, ku ai botoi gazetën me titull “Demokratia”. Demokracia, liria, pavarësia dhe paqeja – këto nuk qenë thjesht slogane për Kallajxhiun, por kushte vitale të domosdoshme për një shoqëri të drejtë e të mirëqeverisur.
Libri i tij për Skënderbeun nuk qe thjesht një eulogji për Heroin Kombëtar Shqiptar, por përkujtim festiv i lirisë dhe pavarësisë. Respekti i madh që kishte për “virtytet dhe idealet” e Abraham Linkolnit e shtyri të shkruante një libër për Emancipuesin e Madh. I njëjti respekt për një tjetër president amerikan të shquar, e frymëzoi njëzet vjet më vonë të shkruante biografinë e John. F. Kennedy, të cilin e quante “kampion i paqes e i lirisë.”
Citati për lirinë në krye të këtij artikulli shpreh qartë filozofinë politike të Kallajxhiut. Këto fjalë vërtet do të meritonin të viheshin edhe si epitaf mbi varrin e tij.
Si editor i “Diellit”, ai e bëri gazetën e shumënderuar platformë të fuqishme demokratike. Në artikujt e tij të qartë e jetësorë, me argumente logjike dhe emocione të forta, ai evidentonte virtytet e lirisë dhe të qeverisjes me konsensus, në mënyrë të atillë që të kuptohej prej çdo lexuesi.
Kjo qe një nga arritjet e tij më të mira si gazetar. Vlen të vihet në dukje përkushtimi i tij i përhershëm për çështjen e Kosovës. Gjatë dhjetë vjetëve si kryeredaktor i “Diellit”, Kallajxhiu e bëri Kosovën “çështje të ditës,” duke i kushtuar në faqet e gazetës hapësirën e nevojshme, duke përkrahur dhe evidentuar kërkesat e kosovarëve. Kauzën e shqiptarëve në Jugosllavi, ai e trajtoi jo vetëm te faqet e gazetës “Dielli”. Qysh te vëllimi i parë me poezi “Lot e shpresa”, disa nga pjesët më të bukura janë për Kosovën, të cilën ai e quan “emër legjendar…tok’ e bekuar…që s’u munde.”
Xhevat Kallajxhiu ishte biograf, historian, por dhe përzgjedhës humori. Në tërësi shkruante duke pasur gjithmonë respekt për faktet dhe duke patur përmbajtje prej dijetari. Nga temperamenti ishte idealist me simpati të thella humanitare për të shtypurit. Në jetën e tij pati mjaft dhimbje e vuajtje, por fatkeqësitë i mbarti me shpirt të qetë dhe me sens humori. Pasi botoi librin “Për të qeshur” më dërgoi një kopje me autograf me këto fjalë: “…ta lexoni kur e ndjeni se ju kap mërzia.”
Do ta kujtoj Xhevat Kallajxhiun si shqiptar nacionalist të vendosur, si zë i fortë për liri e demokraci.( Nga Peter R. Prifti)

Filed Under: Histori Tagged With: Kujtese, me 8 nentor 1989, vdiq, Xhevat Kallajxhiu

MALLKUAR QOFTË AJO DITË!…

November 8, 2014 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/
Prej përvojës personale në këto 23 vjet të një demokracie të shpifur kam arritur në përfundimin se këlyshët e bushtrave të komunizmit, me gjithë iluzionin tonë, pak gjasë kanë të ndërrojnë ves. Janë bijtë e baballarëve të paepur për pushtet. Ashtu si ata edhe këta do të vazhdojnë të mbetën prepotentë, dhunues, megalomanë dhe shpifës e më kryesorja mosmirënjohës, sofistë dhe hipokritë të pandreqshëm. Jam distancuar në vitin 1990-1991 prej kolerës së kuqe, kam shkruar në shtyp i pari në Shqipëri të hiqet ylli i kuq komunist nga flamuri kombëtar e ata edhe sot e kësaj dite nuk ma falin, kam organizuar të parin miting për demokraci në qytetin e Tiranës (ani pse nuk jam çun Tirane por djalë Shkodre e Malësie) pikërisht aty ku sot është sheshi Nënë Tereza… por edhe sot e kësaj dite mjerisht e ndjej se ajri është molepsur prej sporjeve të kuqe, klima e krijuar i ka dhënë mundësi për një revansh dhe pak nga pak po të dalin prej letargjisë e gjallnojnë për të zezën tonë, nëse i lëmë të kalojnë…. Pikërisht sot që është 8 nëntori i tyre unë shfaqa në Festivalin Internacional të Filmit në Tiranë dokumentarin “Djaloshi me kitarë”, i cili është programuar gjithashtu edhe në javën e Filmit Shqiptar në New York. Kjo nuk është një përplasje në fytyrën e zezë të së kaluarës të krimit mizor, por që ne të mos harrojnë se po i lamë të dalin në krye këto sporie të kuqe, këlyshët e bushtrave të komunizmit, po u squllëm e u zgërlaqëm para tyre për ndonjë privilegj të vogël, fatin e Skënder Dajës do të kemi edhe ne. Kujtoni fjalët e Martirit 22 vjeçar pushkatuar si i ati, të cilin unë para fatin ta njoh në fëmijëri: “Edhe dhjetë jetë të kisha të njëjtën gjë do të beja, do të luftoja për lirinë time”. Po ne a do t’ia falim dreqit jetën apo do luftojnë ta mbrojmë lirinë tonë? Të mos harrojmë. Liria i ka rrënjët tek shpirti, tek kujtesa.
Sot është dita më e zezë e shekullit që shkoi për shqiptarët, 8 nëntori i tyre i zi.
Mallkuar qoftë ajo ditë!

8 nëntor 2014
Skica: nga Lek Pervizi

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT