• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

Sfida e vështirë e ministrit Naco

November 6, 2014 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja/
Pothuajse gjithë periudha pas rënies së sistemit totalitar është shoqëruar pazgjidhshmërisht me zhurmën për nevojën e reformimit të drejtësisë, por fakti që edhe aktualisht, ky reformim i munguar, është në rendin e ditës, tregon se (pa)drejtësia shqiptare vazhdon të jetë e sëmurë rëndë. Krahët e ndryshëm të politikës shqiptare, përsa kohë ndodhen në opozitë, e kanë sistemin juridik targetin ndoshta më të preferuar, gjë që është e kuptueshme duke qene se drejtësia është ndoshta pushteti që nëpërmjet vendimeve që merren, ndikon më se shumti në jetën e qytetarëve të vendit pa lënë pas dore shërbimet ndaj klasës politike në pushtet. Kështu, nëse flitet për korrupsion, nuk mund të mos merret parasysh paaftësia e prokurorëve e gjyqtarëve për të dërguar prapa hekurave zyrtarë të korruptuar, sidomos ata të rangut të lartë, të cilët janë të paprekshëm. Nëse jeta e atyre që jetojne në Shqipëri përgjithësisht është e pasigurt, ku secili ndjehet I pambrojtur përballë plumbave e tritolit, natyrisht, kjo është edhe pasojë vendimeve tragjikomike që jepen në sallat e gjykatave ndaj serial killer-ëve, trafikantëve e eksponentëve të tjerë të botës së krimit. Vetëm në një vend si Shqipëria, dikush që vret dikë me paramendim, mund të dënohet me dy vite heqje lirie, për të mos thënë se nuk kanë munguar rastet kur i a “kanë hedhur” edhe “pa u lagur”. Dhe në jo pak raste, kriminelët e liruar nga gjykata kanë vrarë policë. E keqja më e vogël në rast të tilla mund të thuhet se con në dekurajimin e forcave të policisë për të kryer detyrën. Prandaj, në këtë aspekt e mirëkuptoj plotësisht kryepolicin aktual, Artan Didi, I cili po kërkon që policia të ndjekë në të gjitha hallkat e gjykatave, proceset ndaj atyre që ka vënë në pranga. Vështirë se mund të gjesh ndonjë vend tjetër në Europë, në të cilin zyrtarë të lartë mund të bëjnë c’të duan me atë që quhet pronë e shtetit, duke bërë “ndere” me arkën e shtetit dhe të mos u hyrë gjemb në këmbë. Vetëm në Shqipëri,cdo politikan mund ta shohë veten të akuzuar nga kundërshtari I tij si “hajdut”, “të korruptuar”, madje dhe “vrasës” dhe, të mos fillojë procesi hetimor as ndaj të akuzuarit por as ndaj akuzuesit. Në raste të tilla, kushdo që konsiderohet prokuror në kuptimin e vërtetë të fjalës, , normalisht, do të prangoste njërin prej të dyve; ose të parin për atë që e akuzojne ose te dytin per shpifje apo devijim hetimesh. Kjo është dhe arsyeja kryesore që në Shqipëri zhurma për korrupsionin dhe luftën kundër tij zhvlerësohet nga viti në vit në sytë e opinionit publik. Gjithashtu, katrahura me pronat, me tjetërsimet e paligjshme dhe mbivendosjet në një shkallë të konsiderueshme është dhe produkt I vendimeve të gjykatësve të korruptuar apo të paaftë në rastin më të mirë. . Përgjithësisht, Shqipëria është një vend ku faji në përqindjen më të madhe mbetet “jetim”. Gjendja, në të cilën ndodhet drejtësia shqiptare, ka treguar se politikës shqiptare, në të gjitha periudhat I ka munguar vullneti për t’I shtruar rrugën reformimit real të drejtësisë në mënyrë që kjo të luajë rolin e saj si një pushtet I rëndësishëm I ndërtesës shtetërore. Sigurisht këtu kemi të bëjmë edhe me mungesën e vizionit, por kryesisht drejtësia, pavarësisht nga fjalët është konsideruar si “plackë tregu” nga klasa politike që vjen në pushtet. Mjafton të shikohen ndryshimet në nivelet e ndryshme të pushtetit të drejtësisë në momentet e ndryshimit, për të konkluduar se e ashtuquajtura reformë përmblidhet në lëvizje njerëzisht gjë që I shërben vetëm synimit për ta kapur atë; pra është “reforme” ashtu sic e percakton avokat Ngjela; “hiq Shupen e vër Lupen”.
Përmenda pak më sipër “paaftësinë” e drejtësisë shqiptare për të ndëshkuar zyrtarët e lartë, po, në duhet harruar se tek të imunizuarit futen edhe gjyqtarët e prokurorët, ku nën parzmoren e “pavarësisë së gjyqësorit” të parët mund të japin cfardo lloj vendimi absurd, në kohën që të dytët hezitojnë të procedojnë “të fuqishmit” ku përfshihen dhe jo politikët , ose e shohin të udhës të kryejne formalitetin e radhës duke vepruar sipas shprehjes “m’ka cue nana me la gojën”. Edhë në rastet kur është reklamuar ndonjë masë ndaj gjyqtarëve, kjo ka qenë me efekte qesharake, zakonisht me ndonjë ulje në detyrë ose transferim gjë që të krijon përshtypjen se bëhet më tepër për të “qetësuar” opinionin, në radhë të parë viktimën e radhës të një gjyqtari i cili nuk bën drejtësi.
Duke i u kthyer refomës në drejtësi, masakra e ditëve të fundit në Tiranë me autor një të dënuar vetëm me dy vjet burg në vitin 2011 gjithnjë për vrasje, është ndoshta rasti më ideal për ministrin, Naco që të afrojë opozitën në ndërmarrjen e vështirë për reformimin e gjyqësorit. Në kohën që përmend termin “reformim”, më shumë se me ndryshime ligjesh e rregullash që kanë të bëjnë me funksionimin e këtij pushteti, e kam fjalën mbi të gjitha në venien para përgjegjësisë të gjyqtarëve lidhur me vendimet e tyre duke I ndëshkuar më së pari me gjoba të majme me detyrimin për të dëmshpërblyer atë që është dëmtuar nga një vendim i padrejtë I tyre, për të shkuar tek përjashtimi permanent nga sistemi qoftë edhe duke u hequr të drejtën për të marrë një licensë avokati, pa përmendur dënimin me burg. Personalisht, në masakrën “Xhuvani”, më shumë se me vrasësin, i cili po t’I besojmë kryeministrit Rama “do ta ketë të gjatë rrugën e kthimit në shtëpi” e kam me gjyqtarin i cili pa i u dridhur dora e dënoi vetëm me dy vjet për vrasjen me paramendim në vitin 2011. E kam gjithashtu dhe me individët e kupolës së pushtetit juridik në atë periudhë të cilët u vinin vulën e miratimit proceseve të tillë. Ministri, Naco, në situatën e krijuar pës masakrës së 4 nëntorit është mirë të rihapë pa humbur kohë të gjitha dosjet e krimit të kryer nga Xhuvani në vitin 2011, për të analizuar se në c’baza ligjore janë mbështetur gjyqtarët në argumentimin e një vendimi qesharak për një krim sic është vrasja me paramendim, duke përfshirë dhe personazhe të tjerë duke filluar nga sekserët për të arritur deri tek politika e lartë.. Në rast se ministri gjen të drejtë vendimin në fjalë, kam frikë se do t’i duhet të lirojë nga burgu jo pak të tjerë të dënuar për vrasje.

Filed Under: Analiza Tagged With: e ministrit Naco, Gacrosh Levonja, Sfida e vështirë

Refroma në politikat e imigracionit në Shtetet e Bashkuara

November 6, 2014 by dgreca

Beteja për reforma në politikat e imigracionit këtu në Shtetet e Bashkuara pritet të krijojë një përplasje të re politike në Uashington.
Pas fitores së qartë të republikanëve në zgjedhjet e së martës për Kongres, Presidenti Barak Obama është zotuar të gjejë gjuhën e përbashkët për disa akte ligjore me ligjvënësit e opozitës, të cilët do të fillojnë në janar mandatet e reja në Kongresin që për herë të parë që nga 2007 do të mbizotërohet nga republikanët në të dyja dhomat.
Por zoti Obama tha në një konferencë për shtyp këtë javë se para përfundimit të vitit do të marrë masa të njëanshme për të ndryshuar politikat e imigracionit, një hap që do të kundërshtohej me forcë nga pjesa më e madhe e ligjvënësve republikanë dhe atyre demokratë.
Masat që është zotuar të marrë zoti Obama, në varësi të përmasave të tyre, mund të lejonin miliona imigrantë që janë futur në mënyrë të paligjshme gjatë viteve, të lejohen të qëndrojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara. Senati që është kontrolluar deri tani nga demokratët, miratoi mbi një vit më parë ndryshime të gjithanshme në politikat e imigracionit për t’u dhënë mundësi imigrantëve pa dokumenta të bëheshin shtetas amerikanë.
Por shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve nuk ka hedhur në votë propozime për reforma, duke e bërë presidentin të thotë se do të veprojnë në mënyrë të njëanshme.

Filed Under: Emigracion Tagged With: e imigracionit, në Shtetet e Bashkuara, Refroma në politikat

NJË DITË QË NUK HARROHET

November 6, 2014 by dgreca

Me Shqiptarët e Amerikës në ditën fatlume të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë/
Nga Marjan Cubi/
E diela e 21 Shtatorit 2014, do të mbetet një ditë fatlume për të gjithë Kombin Shqiptar. Vizita mbetet historike për të gjithë shqiptarët, por veçanërisht për ne që u ndodhëm në Sheshin Nënë Tereza të dielën e 21 Shtatorit, do të mbetet e pa harruar në jetë të jetëve.
Herët në mëngjes në ora 7 e 30 minuta së bashku me bashkëshorten time, Dila, i jemi afruar Sheshit që mbanë emrin e të Shejtës, Nëna Tereza. Rrugët e Tiranës dukeshin se nuk mbanin më. Nga të gjitha rrugët e rrugicat, si një lum i rrëmbyshëm, vinin e vinin njerëz pa ndërprerje. Secili grup përpiqej që t’i afrohej sa më shumë Elterit, ku do te vinte Ati i Shejtë Papa Françesku, që për vizitë të parë në Europë, kishte zgjedhë Shqipërinë e shumëvuajtur. Ishte një kënaqësi e privilegj për ne Shqiptarët si Komb i nënë Terezës, që Papa Françesku na kishte përzgjedhë për të na parë nga afër e për të përcjellë mesazhe shprese. Edhe sot mendoj e ndjejë: Sa fatlum është Populli Shqiptar që e vizitoi njeriu i Shpresës, më i dedikuari ndaj njerëzimit, dhe më paqedashësi në Rruzullin Tokësor. Edhe pse pritja deri në mbërritjen e Atit të Shejtë, është e gjatë, ne thuajse nuk e ndjemë. Kaluan më se 3 orë dhe Shqiptarët nga të gjitha trojet afroheshin në shesh dhe nuk ishte lehtë që të gjendej vendi ku mund të shihej më mirë njeriu i Shpresës, i veshur me kostumin e bardhë, tamam si një Engjëll i Zotit. Tek kalonte përmes sheshit me Popmobilin e hapur, shpërndante veç mirësi, buzqeshje e shpresë!
Faleminderit At’ i Shejtë!
Të gjithë të pranishmit dëshironin ta preknin me duart e e tyre, t’i preknin qoftë edhe pak makinën që kalonte pranë, osë më së paku ta shihnin nga afër Shejtin e gjallë!
Dukej se ai Shesh nuk fliste vetëm gjuhën e ambël shqipe, por në shumë gjuhë. Nga e gjithë Bota kishin ardhë për të qenë të pranishëm në atë vizitë historike.
Kishin ardhur edhe nga shumë shtete të Europës , kontinenteve të ndryshme por për mua ishte një kënaqësi e veçant të shihja shqiptarët e ardhur nga ShBA , ti shihja dhe ti takoja në atë turmë qindramijëshe.
Famullitari Dom Pjeter Popaj, Leka e Pashko Gojçaj, Fran Shala, Ramiz Mujaj Mark Rexha, Zef Selca, Rmiz Llapatica dhe shumë e shumë të tjerë, ishin në atë Shesh në atë ditë historike. Mendoj se kanë qenë më shumë se një gjysëm miljoni njerëz atë ditë në sheshin Nana Terezë. Papa i Shejtë realizoi një vizitë madhështore me një pritje të shkëlqyeshme mes shqiptarëve. Bota e mori një Mesazh të madh se kush janë Shqiptarët,mësoi për autoktoninë tonë, kulturën Europiane,Simbolin e Flamurit Kuq e Zi- Shqiponjën që fluturon qiejve, por që kthehet sërish në fole….
Gjithçka nga ajo ditë ka mbetur në kujtesën time. Mesha dhe fjala e Atit të Shenjtë më emocionuan shumë. Ishte Meshë madhështore që u kremtua nga Papa Françesku së bashku me dy kardinalë, 18 Ipeshkëvinj, 240 meshtarë, seminaristë e diakonë.
Në hapësirën para Elterit qëndronin një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Françesku ka gjithmonë ka kujdes të veçantë,si dhe disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këta zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite.
Ati i Shenjtë, Papa Françesku , në prani të qindra mijëra besimtareve nisi Meshën e Shenjte në sheshin “Nënë Tereza” me thanien: ‘Paqe në këtë shtëpi’. Mendoj se kjo nuk thjesht përshëndetje, ishte me shumë se një dhuratë.
Ende i kam brenda vetes fjalët e Atit të Shejtë: Duke ardhur sot mes jush të dashur motra e vëllezër të Shqipërisë, në këtë shesh kushtuar bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës, Dëshiroj ta përsëris këtë përshëndetje, Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj”.
Një vlerësim të veçantë Papa Françesku ka bërë për popullin shqiptar; të cilin e ka cilësuar si ndër popujt më të vjetër në dritën e ungjillit. Ati ka kujtuar 40 martirët e kishës katolike, portretet e të cilëve ishin varura përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe ka lëvdue besnikërinë e klerikëve, që nuk iu përkulën diktaturës:“Duke sjellë përsëri në vëmendje dhjetëvjeçaret e vuajtjeve e të persekutimeve të egra kundër katolikëve , ortodoksëve e myslimanëve mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të pandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar! Shkoj sot , shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet dhe i prekur thellë në shpirt , vë lulen e lutjes e të kujtimit”.
Ati i Shenjte i ka entuzizmuar shqiptarët tek u ka kujtuar simbolin e flamurit shqiptar, shqiponjen e cila kthehet gjithnje ne folene e saj per te fluturuar lart.
“Uroj që shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira. Sot edha per t’ju falenderuar per qendresen tuaj por edhe per tju mbeshtetur per te rritur shpresen brenda jush dhe rreth jush. Shqiponja nuk e harron folenë po fluturon gjithnje lart”, tha Ati i Shenjtë.
Faleminderit At i Shenjtë!
Tirane, 21 Shtator 2014(Botoi DIELLI ne Print, tetor 2014)

Filed Under: Histori Tagged With: 21 shtator 2014”, dite qe nuk harrohet, Marjan Cubi, Tirane, VIZITA E PAPËS

TË KUJTOJMË TMERRET… JO LUKSIN E KRAJLAVE…

November 6, 2014 by dgreca

Kur Enver Hoxha na paska qenë antifashist, pse nuk u arrestua edhe ai për në Ventotene, kur shume patriote te tjere u degdisen atje …?
Opinion nga Zyba HYSA/
Të kthehesh pas e të ecësh me mend nëpër rrugën e historisë, sipas historisë që na është mësuar nëpër shkolla, sigurisht që mbetesh pa mend, se nuk mund të konceptohen mendërisht ngjarje dhe data të ndërtuara në bazë skenareve politikë të mirëmenduara për t’ia rrëfyer një populli foshnjor, si gjyshet përrallat të vegjëlve për t’i vënë në gjumë.
Dhe nuk qe pak, për rreth 45 vjet dëgjuam përrallën e komunizmit që do na e sillte Partia e 41 –it , por ajo përrallë na vinte në gjumë e zgjoheshim me kazmën e lopatën në dorë dhe me trastën me bukë të misërt që se hanin as derrat.
Unë i bazohem parimit tim të së vërtetës: Për çështje kombëtare nuk ka parti polike, por ka patriotë që udhëheqin luftën për liri e pavarësi.
Sigurisht që populli ynë, më shumë se çdo popull në ballkan është ndeshur dhe përleshur dhëmb për dhëmb me pushtues barbarë dhe pushtues dhelpërakë. Pushtuesit barbarë kanë qenë sllavët dhe grekët, të cilët jo vetëm e kanë grabitur mizorisht popullin, por edhe kanë kryer vrasje masive për të shfarosur. Ndërsa pushtues dhelpërakë kanë qenë turqit, austriakët, italianët dhe gjermanët, të cilët me “dashamirësinë” e tyre, vendosnin pashallarë shqiptarë, bile deri dhe deputetë në parlamentin turk dhe më pas pushtuesit e radhës ngrinin dhe qeveri shqiptare që të nxirrnin gështenjat nga zjarri me dorën tonë.
Kohët kanë evoluar dhe armiqtë tanë kanë ndryshuar taktikat e tyre, por asnjëherë strategji: zhdukje të shqiptarëve dhe pushtim të trojeve me anë të popullimit me serbë dhe grekë nuk ka reshtur kurrë. Ajo vazhdon deri në ditët e sotme me një strategji në bashkëpunim të fshehtë të gjithë armiqtë tanë shekullorë, marrëveshje që ne i shohim dhe i ndjejmë vetëm kur na pritet një copë truall, kur na merret një pjesë det, kur bashkohet autostrada Durrës – Nish dhe maunet “kosovare” me mallra serbë hyjnë e dalin pa doganë, portet tona janë pushtuar nga anije të huaja dhe asnjë anije jonë nuk duket gjëkundi, kur tenderat i fitojnë firma greke, serbe, maqedone, italiane, si të mos kishte në Shqipëri njerëz që dinë të organizojnë e punojnë, kur nëpër dyqanet tona shiten fundërrinat e shteteve fqinje dhe prodhimet tona groposen, kur në pushtet vijënë e shkojnë mbështetës të armiqve tanë, kur nuk përkrahen njerëzit e ditur dhe të mençur, por vihen në poste drejtues njerëz pa nivel, që mund të manipullohen lehtë të punojnë kundër vendit të tyre pa e kuptuar se çfarë po bëjnë, apo njerëz pasardhës të antishqiptarizmës.
Po unë doja të thosha se si e shikoj sot PKSH?
Nuk e di nëse është e vërtetë që Enver Hoxha po rikthehet ne varrezat e dëshmorëve, bashke me disa shokë të tij, po nëse është e vërtetë, shqiptarët duhet të përgatiten sërish një katastrofe të radhës e dihet, përsëri jemi të humbur!
Luftrat heroike të popullit tonë janë udhëhequr historikisht nga patriotë të vërtetë, për të mos shkuar shumë larg, po përmend Luftën e Vlorës të vitit 1920, e cila bëri të mundur të mos coptohej edhe më kjo Shqipëri që kemi sot.
Më pas, sërish patriotët shqiptarë pa i dhënë vetes ngjyrime politike të kuqe apo të zeza, por në ngjyrat e flamurit kuq e zi filluan të organizojnë luftën për liri, se gjithmonë patriotët shqiptarë kishin për qëllim të vetëm mbrojtjen e atdheut të tyre, nuk prisnim të vinin misionarë të huaj për t’u drejtuar shtëpinë, kush u ndihmua nga të huajt vërtet bëri karrierë, por nuk ka mbrojtur interesat e popullit dhe të vendit tonë. Po të ecim më pas filluan të organizoheshin në rang kombëtar forcat patriotike për çlirimin e Shqipërisë, që nuk kishin emër politik dhe nuk ishte nevoja për emër, por për një qëllim.
Kjo vërehetohet qartë se Italia fashiste arrestoi dhe burgosi në Ventotene (nga fundi i vitit 1940)kokat e patriotizmit shqiptarë, në një kohë që zgjimi i popullit për t’u hedhur në luftë ishte kryer më së miri. Në këto situata, pak të çuditshme, por që na çojnë të besojmë për një strategji të përbashkët me Jugosllavinë, se Italia fashiste nuk arrestoi asnjë komunist, por u la shesh veprimi për të korrur punën dhe përpjekjen e patriotëve për ta hedhur popullin në luftë gjoja për liri dhe bashkim kombëtar.
Është për të theksuar, se përderisa Enver Hoxha na paska qenë antifashist, pse nuk u arrestua edhe ai për në Ventotene???
Për ta dëmtuar këtë lëvizje, Italia fashiste terhoqi dhe manipuloi duke u dhënë para disa personaliteteve në qeverinë “Shqiptare” të asaj kohe dhe ata që nuk mund të bëheshin vegël e pushtuesve i burgosi duke e lënë popullin pa mbështetje dhe udhëheqje. Pikërisht në këtë kohë përhapet komunizmi në Shqipëri, grupet komuniste, deri u krijua edhe PKSH në 8 nëntor 1941.
U krijuan të gjitha struklturat e partisë dhe të ushtrisë Nacionalclirimtare e në këtë kohë lirohen nga burgu patriotët e vërtetë të Ventotenes, të cilët përsëri dolën në ilegalitet.
Ishte e kuptueshme që populli u gënjye lehtas për të shkuar me partinë komuniste, edhe ata dolën me idenë e një lufte për liri dhe bashkim kombëtar, se në fillim nuk shpallën luftë të hapur nacionalistëve që kishin krijuar besim në popull.
Fytyra e vërtetë e të ashtuquajturit komunizëm, por në të vërtetë nën atë maskë fshihej serbizmi, doli, kur me ndihmen e misionarëve jugosllavë, u arrit prishja e Marrëveshjes së Mukjes dhe shpallja e vëllavrasjes…
Pasi mori pushtetin Partia Komuniste, filloi të spastronte radhët nga patriotët, të cilët nuk i duheshin më e në vazhdim ekzekutonte ata që e donin vendin dhe popullin. Vrau, burgosi dhe internoi gjithë patriotët shqiptarë, apo më mirë të them gjithë bijtë e familjeve fisnike dhe patriote ndër shekuj, vrau dhe persekutoi dhe mjaft nga radhët partizane e të Partisë Komuniste, por që kishin në shpirt çështjen shqiptare, ai vrau patriotët e çdo krahu.
Për të mos bërë shumë histori me data e me fakte, se kam shkruar shpesh, por nga çfarë kam lexuar dhe studiuar nga shkrime të ndryshme dhe dokumenta arkivore… Partia Komuniste Shqiptare, vetëm emrin kishte kështu, ajo ishte pjesë e Partisë Komuniste Jugosllave, krejtësisht antikombëtare. Ajo parti solli një shtet serb me qeveritarë shqiptarë, ku sapo diktohej ndonjë që ishte patriot, e shpallte tradhëtar dhe ekzekutohej. Kjo mbeti legale derisa u spastruan patriotët dhe siguruan këtë e më pas për farsë u prishën me jugosllavët, por marrdhëniet ekonomike nuk u prishën kurrë, se nuk ishte nevoja më për ideollogji, ajo e ngriti flamurin, tashmë shtetet e dy vendeve ishin vetëm për marrëdhënie ekonomike, për të cilën luftohet me pushkë e me ideollogji. Punonim, ndërtonim, fitonim me pikatore, se “ndërtonim komunizmin në rrethim” dhe “hidhnim valle në gojë të ujkut”, për këtë të dytën më se e vërtetë, po nuk hidhnim valle, por kafshoheshim nga dhëmbët e ujkut, të pa roba në trup, të pa ngopur një herë me bukë, të pa pushuar dhe një ditë djele, duke ndjerë kafshimet dhe duke hedhur fajin njëri – tetri e jo “ujkut” gojëmadh.
Krijimi i asaj partie solli dramën më të madhe të kombit tonë, dramë që pjell dramë pas drame për shqiptarët edhe në ditët e sotme.
Ne jemi një shtet i pavarur, po në të njëjtën kohë jemi të varur kokëposhtë nga padronët e politikanëve tanë. Jemi një vend i pavarur, por për fat të keq këtë pavarësi e paguajmë me një shfrytëzim të dyfishtë: nga krajlat tanë dhe nga të huajt.
Si përfundim, ne vetëm qeverinë e Ismail Qemalit kemi pasur shqiptare dhe të Fan Nolit, ndërsa, më vjen keq ta nxjerr nga goja këtë fjalë, por ne kurrë nuk kemi pasur qeveri për të parë zhvillimin e vendit në dobi të popullit. Qeveritë tona janë bandideske, terroriste, diktatoriale dhe shfrytëzuese deri në palcë të popullit.
Një grusht njerëz në mes të Europës, në shekullin XXI mendojnë për mbijetesë, ku shteti, pasues i diktaturës komuniste, as që e di e as do ta dijë, se sa shtetas ka dhe as që do të dije se ka punë dhe kur e nxjerr nga puna as do të dije se si do të ushqehet ky njeri, shkurt: ne jemi në dorë të armikut dhe në mëshirë të fatit.
Dhe populli “kënaqet” me lajmet bombastike për “forcën dhe vitalitetin e qeverive tona”, që kurrë nuk u morën seriozisht me zhvillimin e vendit, po me punësimin e mbështetësve të tyre, qofshin kriminelë, injorantë apo antikombëtarë, me lehtësimin e firmave të huaja duke e nxjerrë vendin në treg me ligjin “Shqipëria 1 euro” për shfrytëzim skllavi të popullit dhe ku ishim, asgjëkundi, ku do shkojmë , në rrjedhë lumi…
Eh, o popull sa më dhimses/ Kurrë nuk shkove atje ku nisesh/ Vetëm tradhtia s’të lë të ngjitesh/ E pse lufton, prapë gremisesh…

Filed Under: Opinion Tagged With: : TË KUJTOJMË TMERRET, … JO LLUKSIN E KRAJLAVE…, Zyba Hysen hysa

SHQIPËRIA DHE FQINJËT E SAJ

November 6, 2014 by dgreca

NGA BAHRI OMARI*/
Shtetet që ka Shqipëria reth e rotull, asnjë syresh nuk e ka të besës; që të gjithë shikojnë si e si të mahen duke ngrënë nga misht’ e Shqipërisë. Shqiptarët duhet të marin përpara sysh që do të hahen me gjithë fqinjët në Konferencën e Paqes. Se Sërbi nuk afrohet gjëkundi të heqë dorë nga Kosova, gjith’ ashtu dhe Mali i Zi nuk duket të heqë dorë nga Jakova. Po e keqja nuk është në kërkimet e paturpshme të këtyre, por është tek të mëdhenjtë që shikojnë t’u fërkojnë kokën për çdo që kërkojnë.
Aleatët e shikojnë me një sy tjatër Sërbin, të cilin e quajnë më besnikun e tyre. Sërbia sot ka fituar simpathinë më të madhe të Aleatëve, shtypi i të cilëve e përkrah gjer në pikën e fundit. Të mos gënjehemi dhe të pandehim se parimet për mprojtjen e kombësive të vogla do zbatohen pikërisht dhe për Shqipërinë.
Ta dimë sigur që interesat e Shqipërisë nuk kanë hyrë në një radhë me të së tjerëve. Fqinjët tanë shikohen me një sy më simpathik; me fjalë të tjera ne jemi të njerkës. Që t’i bëjmë Aleatët të na kujtojnë duhet diç t’u rëfejmë që t’u heqim vrejtjen. Fatkeqësia jonë na la pa Qeveri, pa mëmë, duhet si bonjakë t’i bëjmë gjithë punërat vetë. Po të vonojmë së pregatituri këto gjëra, ta dimë që jemi të humbur kurdoherë.
S’duhet të mallëngjehemi nga fjalët e bukura duke pandehur se do na i njohin të drejt pas parimeve që kanë dekllaruar. Parimet janë dekllaruar për të tjerët dhe jo për ne, të mos na gënjejë ajo mëndje.
Fqinjët dhe sidomos Sërbia është një rezik i math, se asnjë herë nuk është përfillur Kosova e mjerë, që iu dha peshqesh sërbëve. A ka zëmër shqiptari që të kujtojë Kosovën dhe të mos tronditet nga mjerimet e saj? Kosova ishte që e gjëmojti zën’ e kushtrimit për vetëqeverimin e Shqipërisë, ajo ishte e para që ngriti flamurin e kryengritjes dhe qëndroj e patundur përpara ushtërive turke.
Jo! Kosova është e Shqipërisë, për të cilën derdhi gjakun. Nuk do të ketë padrejtësi më të madhe se sa ndarja e Kosovës trime nga gjiri i mëmës së saj. Kosova është mëm’ e atyre luanëve që luftuan besnikërisht për Shqipërinë gjer në orët e fundit. Ajo Kosovë i ka ushqyer heronjtë shqiptarë Isa Buletinin me shokë. Po ajo Jakovë qe që u qëndroi gjyleve të anieve të luftës të Fuqive të Mëdha më 1878, kur Evropa kërkonte t’ia falte Malit të Zi në Konferencën e Berlinit. Nuk ishte Gusina, një cop’ e vogël e Jakovës, ajo që nuk e peshoj një vendim aqe të padrejtë të Evropës, nuk ishin një grusht trima të çquar me kryesin’ e Ali Gusinës ata që i vunë kraharorin lakmimit të knazit?
Mirëpo Evropa e pamëshirëshme nuk i mori nër sy dhe ia fali të gjitha fqinjëve tanë. Ne, pra, në kemi atë më të pakën mëshirë për vëllezërit tanë, le të përpiqemi me çdo farë mënyrë për të kërkuar të drejtat që kemi në ato vise.
* Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhes, e drejtoi Gazeten Dielli qe nga viti 1914.Editoriali eshte marre nga Marrë nga libri në proces botimi: Bahri Omari – jeta dhe veprimtaria.)Editorialë nga gazeta DIELLI.Ky Editorial eshte botuar ne DIELLI ne -24 shtator 1917.
,

Filed Under: Editorial Tagged With: Bahri Omari, editor i Diellit, SHQIPËRIA DHE FQINJËT E SAJ

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT