Nga Ilir Levonja/
Pas plot 6 muajsh krize post zgjedhore, Kosova ka tashmë Kryeministrin e ri. Ai quhet Isa Mustafa, kryetari i LDK. Kjo amulli erdhi e gjitha për pasojë e një jo aleance para zgjedhore, prej forcave politike atje, të bindura se kishin arritur kulmin me politikëbërjen e tyre. Po rezultoi e kundërta.
Disa pika që mund të prekim shkurtimisht nga kjo përvojë e re, janë dhe mbeten tek natyra e politikës . Si, 1) sa më shumë të shashë kundërshtarin, aq më shumë I ngjan atij 2) Në politikë mos thuaj kurrë, kurrë. 3) Politika është kryekëput bishtëdredhur, ose kurvë siç e quan populli. 4) Politikanët tanë janë kuklla pa atdhe. 5) Burra me mentalitet otoman që hiqen sikur e lakmojnë Europën etj.
Megjithatë, unë sot do ndalem tek një rit, të cilin e kam parashikuar në një nga shkrimet e mëparshme. Faktin që tek ne, në arenën e politikës shqiptare, humbësi bëhet fitues. Pra kush humb zgjedhjet paraardhëse, bëhet fitues në ato të mëpasmet. Kështu edhe pse humbi bashkinë e Tiranës, (2011) E.Rama u bë Kryeministër në zgjedhjet e përgjithshme (2013) pas një koalicioni me atë që e shau më shumë. Edhe Isa Mustafa, humbi zgjedhjet e kaluara për kryetar të Komunës së Prishtinës, (2013) u bë Kryeministër i Kosovës.
Ndaj sot dua t’i kujtoj Kryeministrit të ri, krahas urimit, edhe atë tjetrën se paska qënë pikërisht ai, humbësi që e ka mbajtur peng Kosovën këto 6 muaj.
Archives for December 2014
Po turp a kanë politikanët tanë?
Nga Lek Mirakaj/
Duke ndjekur denoncimin që senati Amerikan i bëri sot metodave që janë përdorur nga C.I.A.,në mbledhjen e informatave prej teroristëve të arrestuar,vetvetiu më erdhi natyrshem pyetja«A KANË TURP POLITIKANËT TANË, ANALISTËT, GAZETARËT, SHOQËRIJA JONË CIVILE, që duan të na bindin se po u hapën dosjet e krimit cenohet sigurija kombëtare, rrezikohet «harmonia»e pjestarve të shoqërisë tonë të mrekullueshme,«fanar ndricues »që na e ka zili tëre bota etj.etj.Amerika e madhe, e angazhuar në një luftë pa kompromis me terrorizmin nderkombëtar denoncon dhe denon sjellje që bien ndesh me moralin e një shoqërije të lirë. Amerika nuk mshihet mbas slloganesh,siguri kombëtare apo nxjerje dhe publikim sekretesh,publikisht dhe jo në komisione sekrete denoncon,ate që ajo e konsideron te gabuar dhe të pa pranushme për shoqërinë Amerikane.E të mendosh se flitet për teroristë të vërtetë, jo të sajuar, e për një numur individësh që numrohen me gishtat e dorës,kur në atdheun tonë janë torturuar me dhjetra mijra shqiptarë,gra e jo rrallë edhe fëmij,të vjen të vejshë duart të në kokë.Amerika mendon se denoncimi i të keqes e bënë ate më të fortë e bënë të ardhmen më të sigurtë e të begatë.Sa qesharakë e të vegjël na duken sot ata analistë me tituj profesorësh ,ata gazetarë,ata përfaqësues të ashtuquajturës «shoqëri civile»,kur duan të na mbushin mendjen se po u hapën dosjet do bëhet kjahmeti.Jo zotërinjë,që vetëm zotrinj nuk jeni .Ju nuk e keni hallin te sigurija kombëtare, nuk keni hallin e harmonisë që do shkaktojë mijra viktima,a thua se pak na keni shaktuar me konfliktin për pronen,ju e keni hallin se shum nga ju jeni pjesë e kontigjentit kriminal ,që ka mberthyer për fyti politiken, gjygjësorin ,median dhe pushtetin ekonomik.Dihen krimet që janë kryer gjatë diktatures,pothuaj njihen edhe autorët që kanë kryer këto krime,në qoftë se dikush don të mësojë më shum,për torturat që janë përdorur dhe personat që i kanë kryer,le të lexojë librin e Fritz Rodovanit«NJË MONUMENT NËN DHE »dhe do vërë duart në kokë, e ndoshta do e ndjejë vehten të turpëruar se bishat ishin shqipfolës,le të na ngushëlloj fakti që komunistët nuk kanë atdhe.Amerika edhe njëherë po na vjen në ndihmë.Na shpëtoj nga skandali i turpshëm që na kishin pregaditur pushtetarët tanë me rastin e ditës ,çlirim pushtimit,na jep shembullin se si duhet të sillemi ndaj gabimeve e krimeve që janë bërë në të kaluaren,po na thotë ,se po denoncuem të kaluaren krijojmë një preçedent qe e kaluara nuk do përseritet.E së fundi eshtë një mesazh ,është një mbështetje për ata politikanë që janë bërë sponsor të shkëputjes nga e kalura,që janë bërë promotor të ligjit për hapjen e dosjevet dhe lustracionit,të vazhdojnë deri sa «sovjetët, spijunët e komunistët ,të shporen nga politika,gjygjësori dhe opinionbërja.Të marrim shëmbull nga Amerika ,që nesër mos të themi «A KISHIN TURP UDHEHEQËSIT TANË»
TË DREJTAT E NJERIUT, 365 DITË NË VIT
Nga Frank Shkreli/
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënon çdo vit më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, ditë kjo e cila kujton datën kur Asamblea e Përgjithshme e OKB-ës ka miratuar në vitin 1948 Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, duke shpallur se parimet e kësaj deklarate janë “standarde të përbashkëta për tu realizuar nga të gjithë popujt dhe nga të gjitha kombet.” Kjo deklaratë në tërësi, ndoshta si asnjë marrveshje tjetër ndërkombëtare, potencon se të gjithë njerëzit pa dallim, kanë lindur të lirë, me të drejta dhe liri të barabarta.
Sllogani që Kombet e Bashkuara kanë vendosur të përdorin këtë vit për të shënuar dhe për të promovuar ditën kushtuar zbatimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës është, “Të Drejtat e Njeriut 365”. Me idenë, sipas OKB-ës, për të promovuar zbatimin e të drejtave të njeriut çdo ditë të vitit dhe jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, me 10 dhjetor, duke nënvijuar kështu “Parimin kryesor të Deklaratës Universale, se secili prej nesh, kudo dhe kurdoherë ka të drejtë të gëzojë të gjitha të drejtat e njeriutdhe se ato të drejta janë për secilin indidvid të barabarta dhe pa dallim, të drejta këto të cilat nga bashkojnë si një komunitet global, me të njëjtat ideale dhe vlera.”
OKB-ja pranon se viti 2014 do të mbahet mend si viti i sfidave të mëdha në fushën e zbatimit të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, duke thënë se madje edhe në vendet ku më heret ishte shënuar përparim në zbatimin e këtyre të drejtave, tani vihet re një zmbrapsje, ndonëse thotë se ka patur edhe përparime të vazhdueshme në realizimin e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se 10-dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është një rast për të shpallur rishtas angazhimin e të gjitha shteteve anëtare ndaj zbatimit të parimeve dhe standardeve që janë zhvilluar dhe promovuar gjatë pothuaj më shumë se 6-dekada, ç’prej miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor, 1948.
Në mesazhin e tij me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon tha se kjo është dita që të gjithë të ngrejmë zërin së abshku duke “Denoncuar autoritetet që mohojnë të drejtat e cilitdo person ose grup”, kudo dhe kurdoherë. Udhëheqsi i OKB-ës shtoi në mesazhin e tij se, “Ne deklarojmë se të drejtat e Njeriut janë për të gjithë ne, dhe për gjithmonë, kushdo qofshim dhe nga do qofshim”, pa marrë parasyshë ndryshimet dhe dallimet midis nesh. “Kjo”, shtoi Ban Ki Moon, “është një çështje tepër me rëndësi për zbatimin e drejtësisë ndaj çdo individi si dhe ndaj stabilitetit shoqëror dhe përparimit global.” Shtetet ku njerëzit gëzojnë të drejtat e barabarta, shtoi udhëheqsi i OKB-ës, janë vende ku zhvillohet ekonomia dhe ku shoqëria jeton dhe vepron në paqë.”Shkelja e të drejtave të njeriut është diçka më shumë se një tragjedi personale për një person ose një grup.Dhunimi i të drejtave të njeriut është një alarm që mund të paralajmërojë paraqitjen e një krize më të madhe shoqërore”, nënvijoi në mesazhin e tij, Ban Ki Moon. Më në fund, ai than ë mesazhin e tij vjetor, se çdo person mund të bëj diçka në luftën kundër padrejtësive, mos tolerancës dhe ektstremizmit kudo në botë dhe iu drejtua shteteve anëtare të OKB-së që të “respektojnë dhe të zbatojnë të drejtat e njeriut për të gjithë dhe për çdo ditë të vitit”. Njëherazi, u bëri thirrje të gjithë popujve që të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre për zbatimin e këtyre të drejtave, për të gjithë dhe për 365 ditët e vitit.
Në vetë-vete — Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë gjatë më shumë se një gjysëm shekulli, ç’prej miratimit të saj më 10 dhjetor, 1948 — diskrediton tiranitë e sotëme dhe ato tëshekullit të kaluar si komunizmin dhe fashizmin si dhe diskriminimet, krimet dhe shkeljen e këtyre të drejtave për personat që vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me këto ideologji.
Nuk jam i sigurt nëse bota shqiptare e shënon këtë ditë ndërkombëtare të drejtave të njeriut. Por nëqoftse autoritetet dhe shoqëria civile e zbatojnë thirrjen e OKB-së për të kujtuar, jo vetëm këtë ditë por edhe për të promovuar çdo ditë të vitit këto të drejta bazë të njeriut “për të gjithë dhe përgjithmonë” – atëherë, kjo ditë duhet të shikohet jo vetëm nga realiteti i sotëm, por edhe nga një perspektivë historike.
Fryma e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, duhet të shërbejë sot në këtë Ditë Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, si një rast i përshtatshëm për promovimin e këtyre të drejtave sot, por edhe për të kujtuar gjithashtu shkeljet dhe dhunën serioze ndaj këtyre të drejtave bazë të njeriut për mijëra viktima të regjimit komunist, me qëllim që të pakën viktimat e atij sistemi që janë ende gjallë, më në fund, ta ndjejnë veten se janë pjesë e pandarë e shqoërisë dhe se gëzojnë të drejta të barabarta, dinjitet dhe liri të plotë për veten dhe për familjet e tyre në krahasim me të tjerët. Trajtimi dhe ndriçimi i këtyre krimeve ndaj kyëtre viktimave dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë një periudhe prej gjysëm shekulli — madje edhe 25 vjetë pas shëmbjes së Murit të Berlinit — do të çonte drejtë një shoqërie më të hapur dhe më normale, në pajtim me vetveten. Mos trajtimi i kësaj historie të dhëmshme gjysëm shekullore për shoqërinë shqiptare, nga pikëpamja e zbatimit ose jo e të drejtave të njeriut pa dallim dhe duke mos u bazuar në vlerat universale të të drejtave universale të njeriut dhe sipas OKB_së, të të gjitha kohërave, e mbanë shoqërinë në një ngërç konfliktesh politike dhe ekonomike, që fatkeqsisht mund të çojnë edhe në konfrontime të panevojshme shoqërore. Është e nevojshme që trajtimi i krimeve të regjimit komunist nga pikëpamja e shkeljes së të drejtave bazë të njeriut, të konsiderohet brënda përmbajtjes dhe kontekstit të këtyre të drejtave universale.Një gjë e tillë do t’i shërbentejo vetëm të vërtetes historike, por edhe lartësimit të nderit dhe interesit kombëtar të të gjitha kohërave. Le të jetë ky një angazhim nga të gjithëpa dallim — në këtë ditë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut — për tu zbatuar jo vetëm sot,por sipas OKB-së, për çdo ditë të 365 ditëve të vitit, për të gjithë dhe pa dallim.
Frank Shkreli
Margaritari i mërgatës shqiptare në Suedi
Saranda Iseni me sukses udhëheq firmën për ndihmë juridike në qytetin e Lundit dhe momentalisht është konsulente dhe ligjëruese edhe në Shkollën e Lartë Teknike në Malmo. Shkruan poezi, ndihmon shumë SHSHASH “ Papa Klementi XI Albani” dhe ka treguar një talent të rrallë si moderatore/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Në fillim e identifikuam vetëm si një figurë e dashur që me besimin e saj të pashoq në vetvete e frymëzon dhe e gjallëron punën dhe aktivitetin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Mirëpo, me vonë kuptuam se Saranda Iseni përmban në veti shumëçka dimensionale në aktivitetin e saj të përditshëm, që nuk mund t’i gjesh tek femrat tjera në këtë vend të largët skandinav. Në të vërtetë, ajo ka merita të mëdha për angazhimin e saj të pandërprerë që zhvillon dhe virtytet e saja burrërore që për fat të mirë janë të mjaftuara për të vërtetuar shpirtin e saj për t’u bërë e denjë dhe të dalë krenare para çdo sfide eventuale. Ajo ka edhe një ideal të lartë kombëtar duke bërë përpjekje të pandërprera për të mbajtur kontakte me personalitete e figura të shquara të jetës politike, kulturore e sportive në të gjitha trojet etnike shqiptare, për të ndihmuar bashkatdhetarët tanë në këtë vend dhe për të zhvilluar aktivitete të shumta e të dobishme për kombin e atdheun.
Shkëlqen në fushën e jurisprudencës
Është një e re me karakter ë fort, me mendje të kthjellët, me vullnet shumë të madh dhe aftësi profesionale e krijuese. Duke pasur këto karakteristika doemos se i paraprinë arritjes se sukseseve dhe rezultateve jashtëzakonisht të mira sidomos në profesionin e juristes që hëpërhë e ushtron në qytetin universitar në Lund të Suedisë. Puna e saj e palodhshme dhe elani i saj për punë e ngritje në shkallë të lartë të arsimit, kësaj të reje ia mundësoi që vetëm pak vite pasi u vendos në këtë shtet të regjistrohet në Fakultetin Juridik dhe në afatin optimal të marrë diplomën në fushën e jurisprudencës me notë të lartë. Ndërkaq vetëm pas një viti ajo e hap zyrën për ndihmë juridike të qytetarëve, zyrë kjo që tashmë është bërë e njohur jo vetëm në rajonin e Skonës, por edhe më gjerë. Në këtë zyrë ofrohen ndihma në lëndët civile, kontrata të ndërmarrjeve, emigracion,sigurime si dhe të gjitha lëmit juridike- administrative, pos atyre që kanë të bëjnë me vepra penale. Duke njohur mirë funksionimin e sistemit të drejtësisë, sidomos të organeve gjyqësore, si dhe të institucioneve që janë në shërbim të qytetarëve, deri me tash pothuajse doli gjithnjë fitimtare në zgjidhjen e lëndëve në favor të klientëve të saj. Dhe jo vetëm kaq. Saranda Iseni nga ky vit ka hyrë me sukses në portën e madhe në lëmin e jurisprudencës me plotë befasi e të papritura, duke u bërë konsulente dhe ligjëruese në Shkollën e Lartë Teknike në qytetin e Malmos. Nëse vazhdon me këtë ritëm të sukseseve të arritura, emri i kësaj gruaje të re shqiptare do të dëgjohet për profesionalizëm perfekt jo vetëm në këtë vend, por edhe më gjerë.
E ndjeu rëndë shpërnguljen në dhe të huaj
Saranda Iseni ka lindur para 33 vjetësh në Kalishtë të Strugës. Katër klasë të fillores i kreu në fshatin e lindjes, ndërkaq pjesën tjetër dhe gjimnazin me sukses të shkëlqyeshëm në Strugën piktoreske. Në Suedi për shkak të bashkimit familjar u shpërngul në vitin 2000. Këtë rrugë të hidhur kurbetçare ajo e ndjeu rëndë dhe ia si e shpjegon shkurtimisht situatën në të cilën ajo u gjend në ato momente: “ Isha e mbështetur në dritare me vështrimin kah liqeni. Edhe pse ishte muaj shtator, që në mengjez kishte zbritur ulët një mjegull, qielli ishte errësuar dhe fare mirë mund të parandieje se pas pak, ndoshta, mund të bie edhe shi. Tek rrija dhe po prisja, gjithçka përreth po nxihej, peizazhi kishte marrë një pamje të zymtë, që i përshtatej gjendjes sime shpirtërore. Në fytyrë me ishte ishte mbështetur një hije makthi, i një njeriu të frikësuar që edhe dy ditë do të marrë rrugën e largët të mërgimit. Zot me ndihmo”. Ndërkaq, kur ajo arriti në Suedi jeta iu dukë jeta e ftohtë, e distancuar. Në të njëjtën kohë, në shpirtin dhe mendjen e saj ndjeu një energji se duhet maksimalisht t’i përkushtohet mësimit të gjuhës suedeze se ndryshe ardhmëria e saj nuk do të ishte e ndritur. Natë e ditë ishte me libër në dorë, mund ky që iu shpagua sepse në vitin 2007 u regjistrua në Fakultetin Juridik në qytetin universitar të Lundit dhe e përfundoi në vitin 2012. Është nën e mrekullueshme e dy fëmijëve.
Shoqata e shkrimtarëve i dha krah e frymë të re në shumë aspekte
Sukseset e deritashme që ka arritur Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar” Papa Klementi XI Albani” në Suedi sigurisht që janë të lidhura ngusht edhe me emrin e Saranda Isenit. Kontributi i saj i pazëvendësueshëm ka të bëj posaçërisht me organizimin e sesioneve dhe formave tjera letrare, ndihmën në fushën juridike, e posaçërisht derdhja e mjeteve nga fondet e institucioneve shtetërore në llogarinë e këtij asosacioni, ka të bëjë pikërisht me njohjen e saj të burimeve që i përcakton shteti për këto forma të veprimit. Talenti i saj ka arritur shkallën më të lartë edhe në fushën e moderimit. Në secilin eveniment të organizuar ajo është e pakrahasueshme dhe do të ishte më së e domosdoshme që personalitet që merren me këtë lëmi në Shqipëri, Kosovë e trojet tjera etnike të kontaktojnë me të dhe t’ia besojnë udhëheqjen e ndonjë organizimi të madh, pse jo edhe në fushën e muzikës. Për këtë do të binden se nuk kanë bërë zgjedhje të “keqe”. Saranda e flet shumë bukur gjuhën shqipe dhe duke e folur aq pastër ajo në të vërtetë dëshmon për dashurinë që ka për të. Anëtarësia në Shoqatën e Shkrimtarëve në Suedi, asaj, siç thotë edhe vet, i dha krah dhe frymë të re në ngritjen profesionale në shumë aspekte për shkak se u përkrah, u mbështet dhe i dha hapësirë për të treguar gjithë atë bagazh të pasur intelektual që ka. Është e angazhuar në shumë grupe punuese, që kanë të bëjnë me grumbullimin e materialit të veprimtarisë mërgimtare jo vetëm në këtë shtet, të cilat më pastaj botohen në librat “ Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare” Deri me tash janë botuar tre libra të tillë, të cilët janë pritur mirë nga opinioni, komuniteti shqiptar dhe kritika. Është anëtare e Kryesisë së SHSHASH” Papa Klementi XI Albani” në Suedi dhe Anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Krijuesve Shqiptar në mërgatë.
Fjalë miradije nga të gjithë
Prof. Fetah Bahtiri, veprimtar i dalluar dhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve, e vlerëson kësisoj Saranda Isenin: “ Gjithmonë e buzëqeshur, e gëzuar e me diskonim të mirë. Gjithmonë e gatshme për të ndihmuar njerëzit në nevojë. E pasur me ndjenja patriotike për atdheun e vet, për kombin e vet, për mëmën Shqipëri. E gjindshme në të gjitha situatat kur moderon në ndonjë eveniment dhe shumë e aftë për këtë punë. Ka fjalor të pasur dhe gjuhën shqipe e njeh, e përdorë bukur dhe e shkruan me fare pak gabime. E do poezinë dhe merret me poezi. Shkruan lirika të bukura kryesisht nga jeta e përditshme e në veçanti merret me shkrimin e poezive kushtuar dashurisë. Si anëtare e Kryesisë së Shoqatës është e paprintueshme në punë dhe veprime. Detyrat i kryen me përkushtim dhe me sukses të plotë. Është e angazhuar në menaxhimin e shoqatës sidomos në fushën e veprimtarisë juridike. Një femër elegante, tërheqëse, e bukur”, përfundoi ai. Hysen Ibrahimi, Kryetar i Shoqatës, thekson: Saranda përgjithësisht është një grua intelektuale, e zgjuar, talente. Këto të arritura të zhvillimit të saj, mendoj se i ka trashëgimi nga familja e saj atdhetare. Ndërkaq, kur shohim talentin e saj në skenë si moderatore, ajo lë të kuptoj se ka një stil të tillë të të folurit dhe prezantimit, që i afrohet burimit të së folurës së pastër të gjuhës shqipe. Ajo arrinë ta përfitoj dhe t’i jap gjallësri atmosferës kudo që ndodhet, duke i bërë kureshtar për ta dëgjuar me vëmendje si të ishte një bilbil. Saranda Iseni është një grua e përmasave të mëdha që o shkon për shtati modelimi për të cilën gjë ka aftësi dominimi në çdo paraqitje, shoqëri dhe mjedis ku ndodhet. Në kuadër të veprimtarisë së saj në SHSHASH” Papa Klementi XI Albani”, po dëshmon se është shumë aktive, e sinqert në punë dhe e angazhuar për ta ndihmuar atë në të gjitha format e mundshme. Saranda në këtë asosacion gëzon respekt nga të gjithë anëtarët dhe tash ajo ka fituar një përvojë të konsiderueshme në fushën e krijimtarisë, modelimit, organizimit dhe sensibilizimit të punës së suksesshme të shoqatës sonë”, tha në fund Hyseni. Osman Ahmetxhekaj, veprimtar i dalluar, Saranda është një grua e shkolluar, e arsimuar, e edukuar dhe e zgjuar që ia kanë lakmi edhe shumë kolege e femra tjera jo vetëm të komunitetit shqiptar. Puna e saj e palodhshme dhe shumë intriguese është një shembull i dobishëm për brezat e tashëm dhe të ardhshëm jo vetëm në botën e mërgatës shqiptare. Është shokë shembullor, mikpritëse, gojëmbël, bujare, ambicioze, profesioniste në fushën e jurisprudencës, e gatshme për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë, moderatore e “ kalibrit” të lartë, bujare”. Me një fjalë, ajo është margaritari i mërgatës shqiptare në Suedi,theksoi Osman Ahmetxhekaj.
Ndërtimet pa leje në Shqipëri dhe Kosovë,ana tjetër e medaljes
Nga arch.Ylber Vokshi-Ylli/Prishtine/
I lejuam banorët me dekada të ndërtojnë pa leje ndërtimi,ato ndërtime shiheshin,prekeshin,bëheshin haptas,pengonin. Ku ishin organet shtetërore e të dy niveleve,që lejuan që kualiteti i jetës urbane në qytetet tona të degradohet të varfërohet në masë të madhe. Tani me disa ligje pretendojmë të vendosin rend dhe rregull në sferën e ndërtimeve,si pjesë integrale të Planifikimit hapësinorë dhe atij urban-rural të territorit,që qeverisën në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës. Dilema ma e madhe është se si të veprohet me këto ndërtime në këto vitet e “tranzicionit” si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë,që po zgjat pak si bukur shumë,si pjesë e ndryshimeve të mëdha politike dhe ekonomike në të dy anët e kufirit shqiptaro – shqiptar.
Është evidente se kjo situatë urbane është bërë e pa durueshme,që moti ka kaluar koha që duhej ndërmarrë hapa konkrete me e ndryshuar atë. Mos të kemi iluzione se atë çka e kemi toleruar me dekada mundemi ta ndryshojmë shpejtë me ndonjë “shkop magjik”. Jemi të gjithë ne fajtorë,sipas nivelit të përgjegjësisë,që lejuam të krijohet kjo anarki me ndërtime apo fashizëm urban,të cilin duhemi sanuar !
Të detyruar nga presionet e ”miqve”ndërkombëtar për të pasur rend dhe ligjshmëri në shtet,u aprovuan ligjet për “Legalizimin,urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” në Shqipëri,gjegjësisht në Kosovë “Ligj për trajtimin e ndërtimeve pa leje” në vitin 2013. Për hire të vërtetës ky ligj në Shqipëri është aprovuar dhe ka filluar me u zbatuar që në vitin 2006,kurse në Kosovë është funksionalizuar pas pesëmbëdhjetë (15) vite,tek në muajin korrik të vitit 2014,edhe se versionet e para të ligjit ishin të gatshme para dhjetë vite (2004),por nuk kishte “gatishmëri politike” pasi interesat klanore dhe përfituese dominonin.
Ekziston bindja se mos të ishte ultimatumi i bashkësisë ndërkombëtare, për ti plotësuar disa kushte elementare,këto ndërtime pa leje do të vazhdonin si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ashtu iu konvenonte qarqeve të caktuara pasi sfera e ndërtimit sjellke përfitime marramendëse materiale,fare pa u brengosur për atë se çka po ndodhë në hapësirën e tyre që e qeverisnin. Kjo mënyrë e ndërtimeve pa Planifikim Hapësinor dhe Urban,sot ka filluar të iu hakmerret edhe ndërtuesve pasi ka filluar të shfaqët NGOPJA e tregut,posaçërisht në sferën e banimit. Më duhet të theksoi se humbësit ma të mëdhenj jemi të gjithë ne që jemi të detyruar të jetojmë në këto hapësira.
Duhet theksuar se në maj 2014 në Kuvendin e Shqipërisë është aprovuar një ligj për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit ekzistues të vitit 2013. Ka këtu ca ndryshime dhe plotësime LIBERALE dhe shumë ma realiste për tu aplikuar legalizimi i objekteve. Duke marrë parasysh specifikat dhe mentalitetin e shqiptarëve të Kosovës,paksa dyshoi në suksesin e zbatimit të legalizimeve,në formën se si është paraparë të bëhet. Domosdo duhen pësuar ndryshime dhe plotësime të ligjit aktual ashtu si ka ngjarë në Shqipëri,
Se do të ketë reagime të ndryshme të kontrolluara dhe të pa kontrolluara po vërehet nga tereni këto ditë në Shqipëri, pasi ka ri-filluar të zbatohet ligji i legalizimeve të objekteve të ndërtuara pa leje,si dhe fillimi i legalizimit në Kosovë. Rrënimet e objekteve të ndryshme jo-banimi pos që kanë koston e vetë financiare e kanë edhe humbjen e vendeve të punës,në kohën kur papunësia është shumë e madhe.
Një dukuri tepër shqetësuese është prezent në Shqipëri këto ditë pasi ka filluar aksioni i rrënimeve,ai është politizimi i skajshëm i procesit i cili kurrsesi nuk duhet të vazhdoi. Nuk duhet lejuar që ky proces të kthehet në hakmarrje tipike ballkanike,ku dominojnë pasionet e ulëta klanore apo partiake,edhe përdorimi dy standardeve, për shembjen e ndërtimeve pa leje është i dëmshëm. Një herë e përgjithmonë duhet me u udhëhequr me interesin e përgjithshëm,që ma në fund të ketë rend dhe ligjshmëri për të gjithë në fushën e ndërtimit. Në Kosovë ende nuk ka filluar kjo fazë,uroi që të mos ndodhe ky fenomen e te mbushemi mend nga ndodhitë në Shqipëri.
Në rregull ligjet e legalizimit u aprovuan ashtu si deshën vendimmarrësit,në Kosovë munguan grupet punuese me profesionistë,edhe diskutimet publike me qytetarë,por nuk do të kthehemi pas,kryesore është se si do të zbatohen këto ligje. Në Shqipëri u vërejt se vetëm zbatimi i verbër i ligjit është shumë i dëmshëm,duhemi të iu përshtatemi rrethanave ekzistuese në teren. Qasja REALISTE ndaj situatës të cilën vetë ne e kemi lejuar të krijohet me vite dhe dekada,mekanikisht nuk mundet të zgjidhet duke u thirrur në disa ligje që janë kopjuar nga ekspertizat e shteteve tjera,që nuk kanë asgjë të përbashkët me mentalitetin dhe filozofinë jetësore të shqiptarëve. Ky është gabimi ma i madh që është duke ndodhur në Shqipëri e shpresoi se nuk do të përsëritët në Kosovë.
Shkaktarin kryesor të ndërtimeve pa leje nuk duhet kërkuar vetëm në kushtet e vështira të jetës, për të siguruar “kulmit mbi kokë”, por në paraqitjen e një kategorie njerëzish të ashtuquajtur “profiterë ndërtimi” të cilët për interes të tyre material, në mungesën e funksionimit të shtetit ligjor kanë vepruar haptas. Shkaktarët tjerë të kësaj dukurie,pos atyre objektive,duhet kërkuar edhe në filozofinë jetësore të popullit shqiptar, i cili ende nuk po din të iu nënshtrohet rregullave urbane të jetuarit në qytete,edhe tendencave fataliste për të imponuar mënyrën e jetës nga mjediset e tyre provinciale janë për çdo kritikë. Ajo çka është e domosdoshme është përshtatja e mënyrës së jetës në mjediset urbane (qytetet) çka është “thembër e Akilit” për ata, jo se nuk munden por nuk iu lejon ajo egoja primitive e kultivuar tek ata me shekuj. Pa dyshim se ky është proces shumë i vështirë i cili kërkon vullnet dhe angazhim të mirëfilltë profesional dhe gjithëpërfshirës e të gjitha faktorëve vendimmarrës në të dy nivelet shtetërore,atë lokal dhe qendrorë.
Tek tani po vërehen pasojat e këtyre ndërtimeve,pasi qytetarë me metoda korruptive janë “detyruar” të ndërtojnë në ketë mënyrë. Askush nuk është i marrë që të humb kapitalin e vetë nëse do të iu ishte mundësuar të ndërtojnë me leje,duke i paguar të gjitha detyrimet ligjore (taksat),të cilat në shumicën e rasteve edhe i kanë paguar,por jo në arkën e shtetit por në xhepat e sekserëve të ndryshëm që u shfaqen si ndërmjetësues apo “përfaqësues” të organeve vendimmarrëse.
Çka është ma turpëruese të gjitha këto ndërtime kanë zgjatur me vite dhe dekada,e zëri i arsyes i manifestuar me reagime publike me protesta dhe demonstrata paqësore mungoi. Profesionistët e ndryshëm,intelektualët e pastaj edhe shoqëria civile,është dashur të ndikojnë tek vendimmarrësit,që lejimi i këtyre ndërtimeve do të jetë i dëmshëm për tërë shoqërinë. Për fatin e keq të të gjithë neve këto reagime,pos rasteve të rralla pa ndikim,kanë munguar,jemi pajtuar të jetojmë jetën urbane të varfër të krijuar në të dy shtetet.
Procesi i legalizimit nuk do të duhej të ishte obligim ose privilegj e ndonjë grupi të interesit apo e ndonjë partie politike,ky është problem i tërë shoqërisë tonë. Qëllimi përfundimtar nuk duhet me qenë rrënimet masive të objekteve pa leje,e posaçërisht të atyre të banimit të cilat janë të mbrojtura me konventa ndërkombëtare. Kjo dukuri e shëmtuar,jemi të vetëdijshëm,do të ketë pasoja të rënda në proceset socio-demografike,mbrojtjen e mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore,për atë është i domosdoshëm çrrënjosja e fenomenit me metoda demokratike,pa dhunë,me punë dhe vetëm me punë profesionale.
Disa metoda të legalizimeve u treguan efektive në botë në kohëra të ndryshme,ato u anashkaluan në të dy shtetet tona,përse nuk u bënë hulumtime ma detale ? Rrënimet nuk janë zgjidhje,ato duhet të bëhen vetëm në rastet ekstreme. Duhet të pajtohemi me fatin tonë,duhet me iu treguar gjeneratave të ardhshme se si kemi jetuar,vepruar e besa edhe toleruar shumë çështje urbane që nuk duhej bërë. Nuk duhet lejuar që shoqëria jonë (shteti) të pësojë edhe ma shumë materialisht me rrënime. Jam i bindur se gradualisht do të vinte vetë te ndërrimi i titullarit të pronës, e në një mënyrë do të ndëshkoheshin të gjithë ata që nuk i respektuan ligjet e ndërtimit të kohës.
Uroi që kjo formë,e papranueshme nga aspekti profesional,të zgjidhjes së problemeve të ndërtimeve pa leje,bazuar në ligjet e legalizimit,të jenë të fundit. Kjo shoqëri duhet të frymoi dhe respektoi të gjitha ligjet aktuale të fushës Planifikimit Hapësinor (të territorit) dhe Urban, dhe së në të ardhmen të ndërtoi sipas normave dhe standardeve të ndërtimit,ashtu si vepron e tërë bota e civilizuar.
Prishtinë arch.Ylber Vokshi-Ylli
09.12.2014 arkitekt i pavarur ylberv1@yahoo.com,
ylberv@gmail.com,
- « Previous Page
- 1
- …
- 42
- 43
- 44
- 45
- 46
- …
- 64
- Next Page »