• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2014

PARA TE VERTETES HESHT EDHE ZOTI

December 7, 2014 by dgreca

Bisede e shkurter me shqiptarin ortodoks nga Reka e Eperme- Branko Manojloskin, lidhur me deklaraten e fundit te Liljana Sinadinovska- Andreevska , moter biologjike e Branislav Sinadinovskit, kusherinj te Brankos./
Nga Iliaz KADRIU/*
Konvertimet nga nje besim ne nje besim tjeter, nga nje komb ne nje komb tjeter nuk jane te lehta dhe pa pasoja. Sa eshte i rende dhe i dhimbshem konvertimi i pare, po aq ose me shume eshte permiresimi i tij, respektivisht kthimi ne gjendje te pare. Ne kete drejtim, shume shqiptare ortodokse te Rekes se Eperme ( dhe jo vetem te saj ), fillimisht te padishem dhe te pavetedishem per pasojat e mevonshme , pranuan rreshqitshem dhe lehtesisht te konvertohen ne MAQEDONE duke ruajtur ortodoksine ne dem te kombit shqiptar.
Me te lexuar ne Alsat deklaraten e Liljana Sinadinoskes, lidhur me qendrimet e saj per vellaun Branislav Sinadinoskin, ” se Branislav Sinadinoski nuk eshte shqiptar, por mashtrues ordiner ” , e thirra ne telefon mikun tim dhe bajraktarin e ceshtjes se ortodokseve shqiptare per Reken e Eperme, Z. Branko Manojloski, i cili ne kohe te fundit jeton veres ne Reke , kurse ne dimer kthehet ne pjesesn veriore te Chicago-s.
Ashtu sic u morrem vesh, Branko fiks ne ora 12:00 me priste ne restoranin e caktuar per takim.
Branuko, me thuaj: cka din ti per Branislav Dinadinoskin ? Kush eshte ai dhe nga i ka rrenjet?
– I ati i Branislav Sinadinoskit ishte Joaqim Sinadinoski. Kurse nena e Joaqimit ishte Keva e cila ishte motra biologjike e nenes time Zafirkes. Qe te dyja dem baba dem kishin lindur dhe rritur ne Belicice te Rekes se Eperme, ku kishin llafosur vetem shyp, pasi qe fshati yne dhe te tjeret per rreth llafonin shyp. Pleqet dhe prinderit tane nuk dinin maqedonisht. Te gjithe kuvendonin shyp. Kjo eshte e verteta e xha Brankut dhe e verteta e Zotit.
-Pastaj, vazhdon Branku: mbiemri yne eshte Tanashi e jo Manojloski. Me renjen e Perandorise Osmane, Serbia mbiemrin Tanashi na i beri Tanasheviq aty kah vitet 1870. Pas mbarimit te Luftes se Dyte Boterore, motra ime e madhja , me morri per dore gjer ne oficari per te marre certifikaten e lindjes. I punesuari ma leshoi certifikaten me mbiemer Manojloski duke na thene edhe mua edhe motres se ketu e tutje do jemi Manojloski e jo Tanasheviq, sigurisht per te humbur gjurmet e mbiemrit te mocem Tanashi.
– Xha Branku akoma vazhdon: nje dite ne kishen Shen Bigorski, takova rastesisht priftin dhe i kerkova ne prezencen time te hulumtoje rreth mbiemrit tim te vjeter Tanashi. Pas disa hulumtimesh neper librat e mocem- regjistrat e viteve 1870-80, prifti e gjeti mbiemrin e vertetet dhe me tha: PRA TE VERTETES HESHT EDHE ZOTI. Ne kete rast edhe prifti kun foli gje. I thash se kjo eshte e verteta e cila ne kete moment ka nevoje per guxim, kurajo dhe perkushtim. Familjet tona te Tanashajve flitnin vetem gjuhen shqipe te dialektit te Rekes se Eperme, te cilen ne studimet e tij te thella gjuhesore e permend edhe studjuesi me renome boterore Robert Elsie.
– Z. Manojloski me tregoi edhe kete: kryetari aktual i Struges Zijadin Sela e kishte thirrur ne dreke dhe gjate bisedes , ne mes tjerash me tregoi se Sela i takonte PDSH-se e jo BDI-se. Pa u habitur fare i thash: Branku nuk merret me politike, por me te verteten te ciles nuk i frigohet aspak, pasi qe te dyja nuk shkojne bashke.
Gjersa ishim duke ngrene me tha se kishte pasur qejf qe sa te jete gjalle ta tregoje me te madhe te VERTETEN e shqiptareve ortodokse ne Reken e Eperme, e cila te tjeret ne fillim do ti mundoje sa te pastrojne me vetvehten dhe perfundimisht do t’ju ndihmoje ta gjejne vehten dhe te kthehen ne rrenjet e te pareve te tyre, perndryshe rahati nuk do te kene as edhe ne boten tjeter.
Ne fund dua ti kujtoj lexuesit se para disa ditesh ne hotelin Palace te Shkupit ne prezencen e shume te pranishmeve, Branislav Sinadinoski promovoi vepren e tij me titull: ” Shqiptaret Ortodokse ne Republiken e Maqedonise” ku sipas autorit ne keto troje qe nga koha pellazgo-ilire jetojne me shume se 70. mije. Ne te njejten kohe dhe ne te njejtin vend u be promovimi i librit te gruas se tij znj. Gordana Sinadinoska me titull ” Rilindesit Shqiptare”.
Ne baze te informacioneve shume te sakta nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ne Cikago, ju njoftojme se se shpejti ky komunitet ne bashkepunim me shoqatat e interesuara kulturore , do te beje promovimin e te dy librave te lartecekur ne Qendren Shqiptare ne Chicago dhe poashtu te Kisha Ortodokse Shqiptare ku do te jene prezent te dy autoret e veprave te cekura.

*ILAZ KADRIU, Prof.
(Autori i ketij shkrimi kaqene kryetar i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan ne Illinois me seli ne Chicago si dhe bashkepunetor i ngushte i Presidentit historik te Kosoves dr. Ibrahim Rugoves)

Filed Under: Interviste Tagged With: HESHT EDHE ZOTI, Iliaz Kadriu, PARA TE VERTETES

HISTORIA E GIORGIO AMBROSOLIT TË KUJTON SKANADALET BANKARE NË SHQIPËRI

December 7, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në Shqipëri këto gjashtë muajt e fundit kanë ndodhur dy krime ekonomike të nivelit më të lartë shtetëror. Vrasja e drejtorit të Credins Bank Artan Santo dhe vjedhja e Bankës së Shtetit Shqiptar, që u shoqërua me arrestimin e Guvernatorit dhe të disa zyrtarëve të këtij institucioni.
Deri tani shteti shqiptar nuk ka zbardhur asnjë nga këto krime, të cilat duhet t’i zbardhë me çdo kusht. Asnjë investitor i huaj nuk ka siguri të vijë në Shqipëri, nëse vendi nuk garanton shtetin ligjor. Shtet ligjor i dënon shkelësit e ligjit, pa marrë parasysh postet e larta që ata mbajnë, prandaj thuhet se “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.
Megjithë pengesat, barrierat, vështirësitë, gjithçka duhet të jetë e tejkalueshme, sepse në një sistem demokratik, shteti i së drejtës duhet të triumfojë. Ne të gjithë duhet të besojmë se në Republikën e Shqipërisë duhet të ketë shtetarë të aftë e të ndershëm që ta kryejnë me devocion detyrën ndaj shtetit dhe qytetarit. Sepse ndryshe sistemi demokratik do të degradojë në sistem mafioz.
Këto ditë televizioni publik italian RAI UNO shfaqi filmin – “Qualunque cosa succede” –Çfarëdo që të ngjasë-, një miniseri televizive kushtuar Giorgio Ambrosolit. Një film kushtuar po Ambrosolit, me titullin “Un eroe borghese“, mban firmën e Michele Placidos.
Po kush ishte Giorgio Ambrosoli? Duke cituar Carlo Azeglio Ciampi, ish-Presidentin e Italisë « Giorgio Ambrosoli ishte një qytetar italian në shërbim të Shtetit, i cili thjeshtësisht dhe normalisht kreu detyrën». Ndërsa në fjalët që motivojnë Medaljen e Artë të Vlerave Qytetare midis të tjerave thuhet se “Giorgio Ambrosoli ishte shembull i shkëlqyer i sensit të lartë të detyrës dhe të integritetit moral absolut, deri në sakrificën ekstreme”.
Më thjeshtë, Giorgio Ambrosoli ishte një avokat profesionist me kompetenca, shumë i aftë dhe i ndershëm që sakrifikoi jetën për hir të vlerave të shtetit ligjor.
Pas crack-ut të Bankës Private të Italisë, Giorgio Ambrosoli emërohet në shtator të 1974 prej guvernatorit të atëhershëm Guido Carli komisar likuidues i kësaj banke, me qëllim hetimin e situatës ekonomike, ku dyshohej për krim ekonomik. Siç rezultoi, në këtë aferë mafioze kishte përfshirje të politikës, eksponentëve të financës së lartë, deri të figurave të Vatikanit si dhe mafies siçiliane këtej e përtej oqeanit, do me thënë në SHBA, që e kishin kthyer Bankën Private të Italisë në një kupolë të krimit të malavitës dhe shtetarëve të korruptuar.
Duke qenë se fjala ishte për fitime me miliona e miliona dollarë, Giorgio Ambrosoli merr sinjale kërcënimesh menjëherë sapo emërohet dhe pesë muaj pasi kishte marrë detyrën, në shkurtin e vitit 1975, i ndërgjegjshëm për situatën kritike, ai do t’i shkruante një letër së shoqes, ku i linte amanet rritjen e fëmijëve. Në fakt, ajo që priste do t’i vinte 4 vjet e sa më vonë, në 12 korrikun e 1979, kur ai gati e kishte mbaruar detyrën që kishte caktuar vetes, të paraqiste prova të mjaftueshme kundër Michele Sandonan, pronarit kryesor të Bankës Private të Italisë që kishte shumicën e aksioneve. Sandonan drejtësia do ta dënonte me burgim të përjetshëm, me akuza të provuara për veprimtari kriminale mafioze dhe si mandant (porositës) i vrasjes të Giorgio Ambrosolit.
Që kur e mori detyrën e deri në vrasje, Giorgio Ambrosoli pati pak mbështetës nga ana e shtetit, aq sa dukej sikur shteti mbante anën e mafies. Ndërkohë ai kishte mbështetjen e guvernatorit të Bankës të Italisë, Paolo Baffit, i cili kishte zëvendësuar Guido Carlin dhe të Mario Sarcinellit, që atë kohë ishte nëndrejtor i Bankës së Italisë dhe përgjegjës për mbikqyrjen e bankave të kreditit.
Për t’i dhënë goditjen përfundimtare Giorgio Ambrosolit, drejtësia e kapur italiane, në marsin e 1979, vetëm katër muaj përpara vrasjes, arreston edhe të dy mbështetësit e tij, Guvernatorin Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli, që akuzohen nga Prokuroria e Romës për shpërdorim të detyrës dhe favoritizëm personal. Sarcinelli u arrestua dhe doli nga burgu vetëm pasi u shkarkua nga detyra, ndërsa Baffit iu shmang burgu për shkak të moshës.
Arrestimi i dy figurave të shquara të botës të financës u prit me indinjacion të thellë dhe manifestime solidariteti, ku vlen të përmendet një apel publik i firmosur nga 147 ekonomistë nga më të famshëm të Italisë. Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli dolën të pafajshëm, por Baffi nuk pranoi më të vijonte detyrën e Guvernatorit të Bankës të Italisë, të cilën pas tij në gushtin e 1979, vetëm një muaj pas vrasjes të Giorgio Ambrosolit, e mori Carlo Azeglio Ciampi, i cili në vitin 1999 për dy mandate rresht, do të ishte Presidenti i Republikës Italiane.
E tregova këtë histori e cila ka shumë ngjashmëri me aktualitetin shqiptar, sa i përket krimit ekonomik, për të treguar se lufta kundër shkelësve të ligjit nuk ka lindur as sot dhe as dje, se kjo luftë është permanente dhe ku fitues duhet të jetë gjithmonë shteli ligjor dhe qytetari, pavarësisht bindjeve politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, HISTORIA E GIORGIO AMBROSOLIT, ne Shqiperi, SKANADALET BANKARE, TË KUJTON

DARDHARJA E BOSTONIT

December 7, 2014 by dgreca

Nga Vangjush ZIKO/
Rozi Theohari është një emigrante jo e vitit 1994, kur shkeli për herë të parë në brigjet e Amerikes, por që kur u lind. Po. Ajo, që kur u përmend, mësoi se ishte bija e një babai kurbetlli. Për këtë i fliste në familje e ëma dhe gjyshja, ia deshmonin letrat që vinin nga vendi i largët që përtej oqeanit; ia kujtonin në shkollë kur mbushte të dhënat autobiografike, në punë, në shoqëri. Dëshmia më e dhimbshme e asaj ishte brenga që nuk iu shqit kurrë. Edhe sot në moshën e thinjave ajo e ndien si një plagë të vjetër. Ajo nuk e ndieu fizikisht dorën dhe veshtrimin atëror, që përciell rritjen e fëmijës. Kjo brengë e pashlyer ishte dhe një nga ato arësyet që e yshtën të merrte udhën e emigrimit për të prekur me dorën e saj të dridhur atë gur varri dhe për të njohur dhe ndierë nga afër atë botë, atë vend dhe atë popull mes të cilit u thinj dhe u zhurit nga malli zemra e kurbetlliut të përjetshëm, që pati lindur jetë, por nuk i gëzoi dot nga afër ato. Ai, nga një qënie fizike e gjallë, nga një bashkëshort dhe prind u shndërrua në mall, në erë të shpirtit që fluturon me krahët e një zarfi të ftohtë për të përkëdhelur flokët e njerëzve të dashur përtej oqeanit, për të shpupuri- sur kaçurrelat e femijëve dhe thinjat që dalin nga dylbenka e zezë e zonjës së tij, që e la të vetme me barën e rëndë të punëve të përditshme për të prashitur gradinën, për të rregulluar avllinë e rrëzuar të oborrit, që shkon e pret dru e ngarkon shkarpa në korijen e fshatit për të gatuar gjellët dhe pjekur lakrorët, për të ngrohur fëmijët në acaret e akullta të dimmrit dardhar, ku vendi i tij rreth vatres mbeti tërë jetën bosh. flladi që ledhatoi flokët e Rozit në çastin e parë kur zbriti në aeroprtin e Bostonit, i ngjau asaj, me pëllëmbët e drithëruara të atit që e përkëdhelën dhe mbështollën me atë mall.
Emigrimi është vërtet një provë dramatike për çdo emigrant. Ai ka qenë dhe mbetet një betejë. Betejë me vetveten dhe me ëndrrën, me dëshirën dhe mundesinë, me kurajon dhe sakrificën, me qe- nien dhe mosqenien, me identitetin e trashëguar dhe atë të shartuar, me të tashmen dhe me të ardhmen. Edhe për Rozi Theoharin kjo betejë ka qenë e shumëfishtë. Si njeri. Si grua. Si shkrimtare. Asaj iu desh të përshtatej me klimën, me mjedisin e ri, me gjuhën e huaj. Karakteri i saj i gjallë dhe komunikues, natyra e saj e afruar me njerëzit, çiltërsia dhe humori i saj karakteristik e ndihmuan të lidhet jo vetëm me bashkatdhetarët e mërguar, por edhe me emigrantë të kombësive dhe racave të ndrysh-
me; të marrë pjesë në veprimtari të perbashkëta shoqërore apo familjare, në aktivitete kulturore dhe fetare. Ajo iu pervesh studimit për të përvetësuar gjuhën dhe kulturën amerikane dhe për të marrë një diplomë të re. Ajo shkruan lirisht vargje në gjuhën angleze dhe boton vëllime në këtë gjuhë. Ajo arrin kështu ëndrrën e emigrantit për t’u integruar në atdheun e dytë.
Si njeri dhe si femër, asaj jeta i serviri një provë të rëndë familjare. Sëmundja i rrëmbeu shokun e jetës në tokë të huaj duke e dënuar atë me vetminë. Jeta përsëriti kështu, në një variant tjetër, fatin e të atit të saj kurbetlli.
Ajo erdhi në Amerikë si krijuese e formuar me vepra të botuara në gjininë e humorit, në prozën tregimtare, në poezi. Pena e saj është bërë e njohur dhe e dashur në shtypin publicistik dhe atë artistik të vendlindjes dhe të diasporës duke u bërë jehonë problemeve, jo vetëm të së kaluarës, por edhe të jetës së sotme të bashkatdhetarëve në emigrim. 
Firmën e saj e gjen në gazetën më të madhe shqiptaro-amerikane “Illyria” në Nju-Jork, në gazetat lokale të Bostonit, në antologjitë amerikane, në revistën letrare të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë “Pena” etj. Nuk janë të paktë dhe librat që ka botuar, mbi trembëdhjetë. Libri “Mbi thinja fryn erë” i solli asaj çmimin “Pena e artë” të kësaj shoqate.
Jeta e Rozi Theoharit është një metaforë autentike e atij procesi të gjatë dhe të mundimshëm që e ka emrin “integrim”. Atë unë do ta quaja “Dardharja e Bostonit” sikurse mund ta quaja pa asnjë ngur- im “korçarja” dhe “shqiptarja” e Bostonit. Në këtë togfjalësh sintetizohet domethënia e vertetë e fjalës “integrim”, që pleks në vetvete ndjenja të dyfishta që motërzohen në zemrën e njeriut të mërguar, por të lidhur përjetë me djepin që e përkundi dhe vend- in që e thinji. Kjo nuk lidhet thjesht, me dyshtetësi- në. Kjo ka të bëjë me një cilësi të re morale dhe psikologjike të njeriut në emigrim, me atë dashuri të dyfishtë për vendlindjen dhe për atdheun e dytë.
Me të ndodhi ajo që nuk kishte se si të mos ndodhte. Ashtu siç ndodh me një luftëtar që merr pjesë në një betejë. Teshat e tij marrin erën e barutit, zemra e tij mbart plagët dhe ëndrrat e bashkëluftëtarëve ( të atyre që ranë, dhe të atyre që e arritën fitoren), në rrudhat e ballit të tij janë shkruar betejat, kurse në thinjat e tij ka ngrirë hiri i datave.

Filed Under: ESSE Tagged With: DARDHARJA E BOSTONIT, Rozi Theohari, Vangjush Ziko

LE TE LUTEMI PER SHKRIMTAREN ROZI THEOHARI

December 6, 2014 by dgreca

Të dashur miq, ju kërkoj që të lutemi me shpirt për miken tonë të mirë Rozi Theohari. A ju ka rënë në sy mungesa e Rozit? Gazetat e komunitetit janë përpjekë që të mos e shpallin mungesën e Rozit, duke risjellë nga arkivi shkrime të saj. Miqtë në mesazhe e telefonata kanë folë dhimbshëm mes tyre për Rozin. Por, nuk mund ta mbulojmë me heshtje dhimbjen.
Gazetarja, shkrimtarja, poetja, vatrania, Rozi Theohari, eshte duke kaluar caste te veshtira ne Nahant Hospital Jesmond Nursing House ne Boston, ne adresen:
271 Nahant Rd, Nahant, MA 01908
(781) 581-0420
Le të lutemi për shpirtin e Rozit tonë të mirë, që me shkrimet e saj, essetë, poezitë,tregimet, romanet, përkthimet, përcolli vetëm mesazhe mirësie.
Rozi, ashtu sic u lute ti per shpirtin tim ne Kishen orthodokse ne Lynn,ne kohen e semundjes sime, kur i kerkove priftit te lutej per editorin e Diellit, ashtu dhe une i lutem Zotit per lehtesimin e vuajtjeve me te cilat po perballesh ti motra ime! Lutem me shprese se do ta perballosh te keqen!(D greca)

KUSH ËSHTË ROZI THEOHARI?

Rozi Theohari është shfaqur në fushën e letrave shqipe në vitet ’60 të shekullit të shkuar. Provoi gjini të ndryshme të krijimtarisë si: vjershat humoristike, tregimin humoristik për të rriturit dhe për fëmijet. Për lexuesin e rritur ka botuar librat: “Telashe nga emancipimi” (1969), “Në mungesë të gruas sime” (1973), “Shoku Ndriçim hapi kasafortën” (1977), “Pa diagnozë” (1978), “Teto Kalina” (1990). Në vitin 1987 ka shkruar skenarin e filmit artistik “Familja ime.” Për lexuesit e vegjël ka botuar dy përmbledhje me tregime. Rozi emigroi ne Amerikë në vitin 1994 me familjen e saj. Përvec dy fakulteteve, atij Ekonomik dhe të Historisë e të Filologjisë, të kryera në Universitetin e Tiranës, në vitin 2000 ajo perfundoi me sukses e u diplomua nga North Shore Community College në Lynn, Mass, USA, në degën “Artet Liberale.” Emri i Rozi Theoharit u vendos në Librin e Nderit “The National Dean’s List”, 1997-1998, si studente e dalluar dhe e nderuar e kolegjeve amerikane. Që prej 13 vjetësh në Amerikë vazhdon të jetë anëtare e shoqërisë së nderit “Phi Theta Kappa”. Në vitin 2002 ajo botoi në anglisht vellimin me poezi “Tëo Halves”, në vitin 2003 botoi në anglisht e shqip poemën “Rozafat”, në vitin 2004 romanin “Lajthitje dimërore”, në vitin 2005 librin “Mbi thinja fryn erë”, ne vitin 2006 librin publicistik “Jehona Skënderbegiane”, në vitin 2007 vëllimin poetik “Rozafa’s Tears On The River Drina” në tri gjuhë, anglisht, rumanisht dhe shqip, në vitin 2008 librin “Më shumë se një jetë”. Rozi vazhdoninjë aktivitet të mirë letrar në USA. Ajo është anëtare e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, anëtare e Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë dhe ka botuar në vazhdimësi në Gazetën DIELLI, Illyria dhe në revistën “Pena” të të shoqatës së Shkrimtarëve. Po ashtu, boton në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” . Ka qenë pjesmarrëse e përhershme në aktivitetet kulturore të shtetit të Massachusettsit. Për vitin 2005 Rozi Theohari është nderuar nga Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë me çmimin “Pena e Artë” për librin “Mbi thinja fryn erë”. Rozi Theohari në vitin 2006 fitoi Honour Prize në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të “Maison Naaman Pour la Culture”, duke u bërë dhe Anëtare Nderi e kësaj shoqate.
Katër libra të Rozit ndodhen në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Washington DC.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, LE TE LUTEMI PER SHKRIMTAREN, Rozi Theohari

Rozi Theohari: Erdhëm t’u kerkojmë “të falur” për sharjet nën buzë qe u kemi bërë baballarëve…

December 6, 2014 by dgreca

INTERVISTË E RAIMONDA MOISIUT ME SHKRIMTAREN ROZI THEOHARI*/
Përshëndetje, Rozi, këto vitet e fundit kanë qenë mjaft prodhimtare në krijimtarinë tuaj letrare, sidomos në poezi dhe në publicistikë. Keni botuar librin publicistik “Jehona Skënderbegiane” në vitin 2006 dhe “Lotët e Rozafës mbi Drin”, vëllim poetik në gjuhen angleze, rumune dhe shqipe, botuar ne Rumani më 2007, librin “Më shumë se një jetë” kushtuar bashkëshortit tuaj të ndjerë dr. Viktorit, më 2008, vëllimin me poezi në gjuhën angleze “Do leave out my right hand” më 2010. Por kanë qenë për ju edhe vite me surpriza, mbushur me çmime, dhe janë tre brenda 2006-s: “Pena e artë” nga shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë për librin publicistik “Mbi thinja fryn erë”; çmimi ndërkombetar i nderit “Naji Naaman Literary Award” për poezi në gjuhën angleze; çmimi për poezi në gjuhën angleze nga revista “Fotjonart”. Këto janë pasuar nga çmimi “Migjeni” në tetor të 2007-s për poezi ne gjuhën angleze, dhënë nga revista “Kuvendi” në Detroit. Si ndjeheni per keto arritje?
Përgjigje- Jam ndier e nderuar…,e, mbasi kam falënderuar, jam përqëndruar në shkrimet e mia të përditshme që presin radhën mbi tavolinë.
Pyetje- Libri juaj publicistik “Mbi thinja fryn erë”, i cili fitoi çmim, është vlerësuar së tepërmi edhe nga lexuesit, brenda atdheut e në diasporë. Mund të na tregoni sa kohë ju mori përgatitja dhe shkrimi i këtij libri voluminoz, si dhe çfarë tematike keni zgjedhur në të?
Përgjigje- Këtë libër e fillova qysh në vitin 1994, kur shkela për herë të parë në SHBA, dhe e perfundova në 2004. Çdo faqe e librit është një pasqyrë, reflektim i Amerikës në sytë e një të huaje, të një emigranteje shqiptare. Jam përpjekur ta paraqes Amerikën në dy plane: e para, Amerika është vendi i lirisë e i demokracisë, i mbështetur në ligje të palëkundshme, është vendi i shkrimtarëve e poetëve që i kënduan lirisë e dinjitetit njerëzor, dhe, e dyta, është atdheu i dytë i mijëra emigrantëve shqiptarë, duke filluar që prej njeqind e ca vjetësh më parë, të cilët punuan rëndë, u edukuan, u emancipuan dhe patën lidhje të ngushta shpirtërore me këtë vend gjigant. Duke përshkruar edhe punën e jetën jo të lehtë të emigrantëve mbërritur në SHBA në vitet e fundit, kam nxjerrë në pah se shqiptari ka manifestuar një qëndrim korrekt e dinjitoz, ka manifestuar talente, energji, vullnet dhe ndjenja thellësisht humane.
Pyetje- Si ju lindi ideja e këtij titulli tejet intrigues e domethënes?
Përgjigje- Titulli lidhet me kushtimin e këtij libri. Në faqen e parë lexohet: “Ia kushtoj gjyshes sime, Katerina Laço, dhe mamasë, Aleksandra Çeku, nënë e bijë, të cilat u thinjën duke pritur tërë jetën t’u ktheheshin bashkëshortët nga Amerika”. Por ky titull shkon edhe më tej…në vitet e femijërise sime…Isha vajzë e vogël, në fillore, kur, me një fletore nën sqetull dhe shishen e bojës e penën në dorë, shkoja nëpër shtëpitë e gjysheve dhe tetove të fshatit Dardhë, e shkruaja letra të diktuara nga buzët e tyre e të lagura nga lotët e ngrohtë, për burrat e djemtë syrgjynosur në kurbet, në “Ameriqi”. Edhe tani i mbaj mend ato letra: “I ndershmi burrë…” (Ato kishin turp të shkruanin fjalën “i dashur”)…”I ndershmi burre…, sot dola në bahçe…kishin pikuar nga pema dy dardha të ëmbla mjaltë, njera për mua e tjetra për ty…, po ku je tinë?… “; “ I ndershmi burrë…nga dimri i shkuar na ra avllia e oborrit…, por e ndërtova vetë si prej ustai…” Kjo e dyta ishte një nga letrat e gjyshes Katerinë…Në vitin 1995, gjatë një udhëtimi me miket amerikane në shtetin e Nju-Hempshrit, u ngjita me teleferik në një nga pyjet e Maleve të Bardhë, ku gjyshi im, Petro Laço, punonte si druvar 90 vjet më parë. Prekja një dru a një gur duke perfytyruar se atë ndoshta e kishte prekur edhe dora e gjyshit. Ndjeva si në endërr oshetimën e sëpatave.
Pyetje- Si vendosët të vini në SHBA?
Përgjigje- Shumica e shqiptarëve emigrojnë për një jetë më të mirë, kurse ne bijtë e bijat që i kemi pasur baballarët tërë jetën në Amerikë, erdhëm në këtë kontinent nga kurioziteti për të njohur vendin ku frymuan e punuan aq rëndë ata. Erdhëm të vizitojmë varret e tyre në qimitiret amerikane, të ulemi më gjunjë për të përkëdhelur gurin e të vendosim aty një buqetë me lule. Erdhëm t’u kerkojmë “të falur” për sharjet nën buzë qe u kemi bërë baballarëve sa herë plotësonim dokumentet e shkollës apo të vendeve të punësimit e detyroheshim të shkruanim: “i emigruar në SHBA”. Kur isha në gjimnazin e Korçës, kam qarë sepse nuk më lejonin të futesha në organizatën e rinisë për shkak të babait tim “kapitalist” në Amerikë.
Pyetje- Ju keni qenë nje penë e mirënjohur pa emigruar nga Shqipëria. Tashmë ju jetoni në Boston ku ka hedhur rrënjë emigracioni shqiptar qysh në shekullin e 19-të…, ku kanë jetuar e kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre atdhetarë e njerëz të letrave shqipe, që nga eruditet Noli, Konica e shumë të tjerë. A mund të përshkruani shkurtimisht Bostonin, si zemra e emigracionit shqiptar në Amerikë?
Përgjigje- Dihet se emigrantët e parë shqiptarë në SHBA u vendosën kryesisht në zonën e Bostonit, duke u shpërndarë më vonë në qytetet e tjera te Massaçusettsit, si dhe në shtetet e tjera. Emigrimi masiv drejt Perëndimit e sidomos në Amerikë, në fillim të shekullit të kaluar, ishte një ngjarje tronditëse për çdo vatër shqiptare, një ndryshim me efekte emocionale, demografike e social-ekonomike brendapërbrenda familjeve të fshatrave e qyteteve, që bëri të rishfaqej edhe një herë historia e matriarkatit. Ndërsa burrat e emigruar jetuan e punuan të vellazeruar, me shqetësimin për fatet e Shqiperise, me dashurinë dhe mallin për gratë, fëmijet dhe kujtimet e femijerise, grave iu desh të mbanin tërë barrën e shtëpisë, të familjes dhe të jetës në përgjithësi…Në janar 1905 u organizua në Boston “Vëllazëria mirëbërëse e Dardhës”, e cila ishte shoqëria e parë e shqiptarëve e krijuar në bazë fshati…Ardhja e Fan Nolit në Amerikë më 1906 dhe fillimi i veprimtarisë së tij në Boston, është një moment i rëndësishëm historik që shënoi edhe fillimet e bashkësisë etnike të emigrantëve shqiptarë në vitet e para të shekullit të kaluar. Dalja e gazetave të para “Kombi” e më vonë “Dielli”, si dhe aktiviteti i “Vatrës” dhe i shoqërive dhe organizatave të tjera patriotike u realizuan me perpjekjet e Fan Nolit dhe bashkepunëtorëve të tij Faik Konica, Sotir Peci, Kol Tromara, Josif e Vasil Pani, Goni Katundi, Kristo Dako, Petro Nini Luarasi, Kostandin Demo e shumë të tjerë…Bostoni, djepi i demokracisë amerikane, u be baza e fortë e perpjekjeve për pavaresinë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Është pa mbarim lista e aktiviteteve me karakter politik e social-kulturor të kryera në diasporën shqiptare të Massaçusettsit, ashtu siç është pa mbarim edhe numri i shoqatave, organizatave, organeve të shtypit etj., te krijuara në periudha të ndryshme kohe, duke shtuar ketu edhe institucionet fetare. Dhe s’ke si te mos provosh një ndjenjë krenarie. Është krenaria që të frymëzon tradita shekullore, nderimi i bashkatdhetarëve tanë për kombin dhe vlerat e tij…Federata “Vatra”, e larguar disa vjet më parë, sot zhvillon aktivitetin e saj ne Nju-Jork. Bostonit i ka mbetur vetëm emri i mire i para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Iku “Vatra”, por kanë mbetur “vatranët”, të vjetrit e të rinjtë, të cilët po mundohen ta kthejnë Bostonin në një qendër kulturore për shqiptaret. Kohëve të fundit, një nga veprimtarët e dalluar të komunitetit, bisnesmeni z. Stefan Koçi, është emëruar Konsull Nderi i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Massaçusetts. Tashmë është themeluar shoqeria “Besa”- Shoqeria shqiptaro-amerikane e Massaçusettsit, shoqata “Kombi” e Usterit, funksionojnë Dega e Bostonit e Organizates Kombetare Shqiptaro-Amerikane (OKSHA), Dega e Massaçusettsit e Keshillit Kombetar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), Shoqata për të drejtat e njeriut- “Çameria”, Shoqata e shqiptarëve kosovarë të Bostonit, Klubi i studentëve shqiptarë në Universitetin e Bostonit, Klubi i studentëve të Universitetit të Harvardit- “Harvard College Albanian Club” etj. Veprimtaria e tyre na rrit besimin e palëkundur se vlerat e kombit dhe vetëdija jonë kombëtare do të trashëgohen e do të çohen më tej nga brezat që do të vijnë.
Pyetje- Është e natyrshme që një mjedis i tillë, plot ndjenja patriotike, të ketë ndikuar edhe në krijimtarinë tuaj. Më kujtohet se çfarë ka shkruar për ju profesor Peter Prifti në parathënien e librit tuaj “Jehona Skenderbegiane”.: “Rozi Theohari i takon një kategorie shkrimtarësh që gjejnë lëndën e shkrimeve të tyre jashtë shtëpisë, si pasojë e “kerkimeve në terren”…, sepse ajo është një zonjë e shoqëruar që ndien kënaqësi kur takon e njihet me njerëzit…sepse është e pajisur nga natyra me një talent të rrallë për të hyrë në botën e brendshme të njerëzve e për t’u miqësuar me ta.”
Përgjigje- Mjafton të vizitosh restorantin “Pier 4” të patriotit dhe ikonës së Bostonit Anton Athanasit dhe do të ndiesh se çdo sallon, derë, parmak, dritare a pikturë “flet” e “tregon” për qindra takime shqiptarësh, të moçëm e të rinj, gjatë drekave e darkave që janë shtruar për kremtimet e festave kombëtare…Atje dëgjohet ritmi i valleve tona, kumbon zëri tronditës i Fan Nolit, i cili dikur recitonte poezitë e veta para bashkatdhetarëve. Kurse sot, në koncerte e ditë festash, ato salla mbushen nga zëri i fuqishëm i tenorit Xhoni Athanas…Mjafton të shkosh në kishën e Shën Gjergjit në South Boston e të dëgjosh meshën e të përndershmit At Liolin, pasuesit të Fan Nolit dhe një nga hierarkët më të dalluar të ortodoksisë sonë kombëtare. At Liolini nuk është vetëm një prift predikues. Me aftësitë e tij organizuese e ka kthyer kishën sa në një tempull besimtarësh aq edhe në një organizatë kulturore të shqiptaro-amerikanëve, pavaresisht nga besimi fetar apo trevat nga kanë ardhur…Të vizitosh shkollat shqipe, në Boston e në Lynn…të takohesh me nxënësit shqiptarë me sy të përshkënditur e të lexosh hartimet e tyre…Të takosh e të intervistosh pjesëtarë të brezit të vjetër ardhur në shekullin e 20-te, pjesëtare të brezit të dytë e të tretë, lindur ketu në SHBA me prejardhje shqiptare, si dhe emigrantët ardhur kohëve të fundit, të cilët i quajnë “bostonianët e rinj”…Të takosh e të tokësh dorën me shqiptaro-amerikanin 80-vjeçar zotin Mekllaf, i cili ishte shqiptari i fundit që preku trupin e Fan Nolit. Z. Mekllaf punonte në një funeral- home dhe kur vdiq Fan Noli, ai e përgatiti dhe e veshi trupin e pajetë të peshkopit…
Pyetje- A i keni numëruar botimet e shumta të shkrimeve tuaja?
Përgjigje- Ky vit është viti i 16-të i ardhjes sime në SHBA dhe kam botuar librin e 16-të. Që prej 1994-s kam botuar mbi 350 shkrime: artikuj, portrete, reportazhe, intervista, tregime, poezi etj. në organet e shtypit shqiptar, atij amerikan dhe gjetkë. Kjo nuk është “mburrje”. Është puna ime e perditshme, e lodhshme, raskapitëse…të të rrjedhë sumbulla e djersës në ballë edhe në ditët e janarit…
Pyetje- Shkrimet tuaja më të rëndësishme të kohëve të fundit?
Përgjigje- Reportazhi për Ismail Kadarenë në shqip e në gjuhën angleze dhe intervista me poetin rus Aleksander Esenin, birin e Sergei Eseninit.
Pyetje- Intervista juaj me Aleksander Eseninin është pëlqyer e vlerësuar nga shkrimtarë, intelektualë e lexues të tjerë shqiptarë. Si arritët të realizonit këtë intervistë?
Përgjigje- Takimi me Aleksander Sergejeviç Eseninin ishte një ngjarje e rrallë e jetës sime. Të bësh një intervistë me njerëz të veçantë siç ishte A.S.Esenini, shkencëtar, filozof, matematikan, poet i degjuar, disident e legjendë ruse, nuk është aq e lehtë…Deshira ime e papërballueshme per t’i marre atij nje intervistë zgjati gati një muaj sepse plaku Esenin nuk i pelqen intervistat dhe gazetarët. Por me këmbënguljen time, taktin, kujdesin dhe sjellshmerinë, arrita ta takoja Eseninin e të bisedoja me të mbi një orë e gjysmë si dhe recituam së bashku poezitë e të atit, Sergei Eseninit, ai në rusisht, unë në shqip. Mora informacion të rrallë nga jeta e tij: i burgosur, i torturuar, pesë herë i mbyllur në institucionet psikiatrike…shpirti i tij mjekohej vetëm prej poezisë. Arrita t’ia incizoja zërin gjatë recitimit të një poezie shkruar nga ai gjysmë shekulli më parë. Intervista me poetin Esenin më ka prekur e emocionuar…Ishte një tejndjeshmëri…
Pyetje- Keni fituar disa herë çmime per poezi ne gjuhen angleze. Si ia keni arritur ketij suksesi?
Përgjigje- Kur vazhdoja studimet në kolegj, ndoqa edhe kursin për poezinë. Më kujtohet, kishim nje pedagoge këmbëngulëse, nje poete zezake, e aftë dhe e dashuruar pas poezisë. Posa hynte në klasë, shkruante në dërrasën e zezë temën e poezisë dhe, me kronometër në dorë, priste që për pesë minuta të kishim përfunduar së shkruari poezinë. Sigurisht, në fillim për mua ishte vështirë, por ky disiplinim i fortë ishte një “stërvitje” e mirë që më mësoi t’i shkruaja poezitë drejt e në gjuhen angleze. Qysh nga ajo kohë jam anëtare e klubit të poetëve të kolegjit dhe të qytetit…Në Nju-Ingland, ku banoj, përmenden një numër i madh poetësh amerikanë që kanë lindur ose banuar këtu, si Emili Dikenson, Robert Frost, Henri Longfellou, Edgar Allan Poe e shumë të tjerë. Në një muzeum kam prekur fustanin e mendafshtë të Emilisë dhe ndjeva fëshfërimën e gjetheve të vjeshtës në kopshtin e saj. Gjatë një udhëtimi në qytetin Akton, MA, u ula në një lëndinë e mblodha lule, aty ku Frosti ka shkruar poezitë e tij të pavdekshme. Në plazhin përballë shtëpisë sime, në vitet 1850 poeti Longfellou bënte shëtitjet e mbrëmjes buzë oqeanit…
Pyetje- Cila është dita më e gëzuar e vitit për ju?
Përgjigje- Treqind e gjashtëdhjet e katër ditë shohim të valëvitet kudo flamuri amerikan. Vetëm një ditë, më 28 nëntor, e shohim e i gezohemi valëvitjes së flamurit tonë kuq e zi në një shtizë të lartë, në qendër të Bostonit. Pra, kjo ditë është e shenjtë për ne. Aq më tepër lumturohem kur vijnë e më marrin në shtëpinë time dy familje shqiptare kosovare me femijët e tyre veshur me kostume kombëtare. Pasi parkojmë në qendër të Bostonit, me femijët per dore drejtohemi te “sheshi i Flamurit”, ku takohemi me bashkatdhetarët e tjerë, brohorasim dhe hedhim valle. Më 28 Nëntor 2007, komuniteti shqiptaro-amerikan i Bostonit e ka nderuar dhe ia ka lënë radhën e ngritjes së flamurit shqiptar shoqatës së shqiptarëve kosovarë.
Pyetje- Si e kaloni kohën e lirë?
Përgjigje- Kur je mes miqsh amerikanë ose me gratë e grupeve etnike, sigurisht që ndonjëherë do t’u pergjigjesh edhe ftesave të tyre për party ose ditë gëzimesh. Qysh në kolegj, kemi ngritur nje grup simpatik me pjesëmarrës polakë, italianë, rusë, nigerianë, grekë, australianë, kinezë, hungarezë, filipinas etj….Kam hequr vallen e Vangjelosë me gratë greke në festivalin e komunitetit grek në Pibadi, MA …Kam kënduar këngën “O sole mio” me italianët në festivalin italian në Lynn, MA, …Kam ngrënë llokumet e dasmës të nigerianes Shika kur martoi vajzën e saj (jo tamam llokume, por petale të bardha lulesh të embla e aromatike.)…Kam recituar poezi në shqip e në rusisht në klubin e poetëve rusë në Revere, MA…Por më mbresëlënëse ka qenë dita e diel kur jam ftuar nga kori i kishes se ishullit te Nahantit, MA, ku jam anëtare, për të kënduar së bashku një himn për Nënë Terezën, me muzikë të kompozitores së Nju-Inglandit Jane Marshall, me tekstin e poezisë së Nënë Terezës, “The Simple Path”. Marr pjesë gjithashtu në korin rus të Bostonit të veriut, me emër “Fargenign”.
Pyetje- A duhen shtuar këtu edhe shëtitjet tuaja buzë oqeanit?
Përgjigje- Ato janë të përditshme…, por ndonjëherë gjen edhe të papritura. Gjatë shëtitjes takova një ditë dy shoqet e mia, pedagoge të kolegjit, të cilat më propozuan të uleshim në barin “Seaside” aty pranë. S’kisha qenë ndonjëherë në bar…Ato të dyja porositën koktejl martini e filluan bisedën me personat qe u ndodhën aty afër si të njiheshin prej kohësh. Se si u ndjeva dhe, kur u afrua baristi, një djalë brun me një vështrim të urtë e të paqmë shqiptari, e pyeta: “Mor bir i nënës, ç’bëjnë këto gra këtu?” “…Pinë, bisedojnë, luajnë “keno”…të kuptova që ishe shqiptare, nga mënyra se si reagon”, -tha ai. “Vijnë gratë tona këtu?”- e pyeta. Ai tundi kokën ne shenjë mohuese.
Pyetje- Si e cilësoni organizatën e Botës se Gruas Shqiptare- “Pan Albanian Women Network”, themeluar nga Merita B. McCormack?
Përgjigje- Një nga arritjet e emancipimit te femrës shqiptare në shekullin e 21-te.
Pyetje- Gjatë jetës në Amerikë, kur e keni ndier veten mes emocionesh të forta?
Përgjigje- Shumë herë. Atë mengjes maji 1994 kur e pashë për herë të parë tokën amerikane nga aeroplani, mbi qiellin e Nju-Inglandit dhe e përshëndeta “Mirëmëngjes, Amerikë!”…Duke soditur Niagarën, në gusht 1995, duke e parë kataraktin nga poshtë, nga vapori…perveç mahnitjes nga masa gjigante e reve te bardha ujore dhe zhurma tronditëse e ujit, të hyn paniku mbasi të duket sikur gjithë ajo ujvarë e pamëshirshme do të të bjerë në kokë…Kanë qenë vertet ditë me emocione kur kam marrë dy letra përshëndetëse nga Zonja e parë e Amerikës, Laura Bush…Kur takova senator Eduard Kenedin dhe i dhurova një poezi kushtuar tre vellezërve Kenedi. Senatori më dërgoi nga Senati një letër falënderimi dhe vlerësimi për poezinë…Kur mora një letër falënderimi nga Presidenti Obama, për poezinë që ia kisha kushtuar…Po ashtu, jam takuar e kam biseduar me senatorin John Kerry dhe kongresmenin John Tierney gjatë vizitës së tyre në kolegjin tonë…Vitet e fundit gjashtë librat e mi janë pranuar në Librarinë e Kongresit Amerikan, në Vashington DC….Më kujtohet edhe një ndodhi nga viti i fundit i studimeve në kolegj, në degën “Artet liberale”. Duhej të jepja një provim duke thënë përmendsh essenë të shkruar nga unë me temë: “Prezantimi para publikut i presidentit amerikan.” Unë solla nga shtëpia nje xhaketë të kuqe, e vendosa mbi një karrige në podium dhe u thashë të pranishmëve në sallë se do të prezantoja një presidente grua të SHBA-së. Gjatë debutimit, herë pas here ktheja kokën me nderim nga xhaketa e kuqe, gjë që shkaktoi humor e të qeshura në sallë, por që më shkarkoi nga emocionet dhe u vlerësova me nje notë shumë të mirë.
Pyetje- Sikur ia parandolle zonjës Hilari Klinton kandidaturën per presidente…Ç’rol luan sot në shoqëri gruaja amerikane?
Përgjigje- Bashkë me emigrantet e hershëm erdhi në Amerikë edhe tradita evropiane e familjes. Kështu, diskriminimi i gruas në jetën familjare dhe publike hodhi rrënjë në shoqërine e re që u krijua në kontinentin e ri. Megjithëse Amerika është vendi më demokratik i botës, vetëm në vitin 1920 u lejuan femrat të votonin e të kishin të drejtat të barabarta me burrat. Qysh atëhere e deri sot grave u eshtë dashur të luftojnë kundër dukurive të diskriminimit racial e gjinor, për pagese jo të barabartë me burrat për të njëjtën punë, për pasojat e divorcit, për të drejtën e abortit, të edukimit të femijëve etj…Sot, lëvizja feministe disaplanëshe u mëshon dallimeve ndërmjet burrit e gruas dhe jo ngjashmërive, aftësive intelektuale të barabarta që ata kanë…Në këtë drejtim, disa gra shkrimtare e juriste janë lidere të grupeve të caktuara që mundohen të tërheqin vemendjen e medias për lëvizjen e të drejtave civile të gruas, të ndjekura nga një masë e gjerë grash…Sot bota po ndryshon për gjithsecilin duke kërkuar aftësi të reja vetjake dhe menyrë të re jetese, qoftë kjo edhe bashkëshortore…Gratë intelektuale sot kanë marrë pozicionin qe u takon, të kenë nën kontroll familjen, shoqërinë. Në erën e re të ndarjes njëlloj të përgjegjësisë burrë-grua, gruaja ka marrë rol të ri në organizimin e jetës së familjes dhe më tej, të jetës sociale…Pjesëmarrja e grave në fushën e politikës vite më parë kishte një kufi, një “tavan qelqi”, i cili sot ka filluar të krisë e të çahet. Shembull ishte sekretarja e Shteteve te Bashkuara te Amerikës Kondoleza Rajs, e cila është cilësuar “princesha luftëtare”. Ajo triumfoi mbi racizmin e mbi diskriminimin gjinor…Po ashtu, sekretarja tjetër, Hilari Klinton luftoi në fushatën zgjedhore për presidente të Amerikës. Hilari, dikur një vajzë ambicioze, gjatë rritjes së saj në moshë, u rrit edhe si lidere dhe sot konsiderohet një zonjë e fortë dhe shumë e përgatitur. Dekada më parë në Amerikë vetëm burrat mund të zhvillonin fushata zgjedhore e të mblidhnin të ardhura financiare për zgjedhjet. Hilari arriti të kryesonte fushatën duke mbledhur 22 milionë dollarë…Në qoftë se dekada më parë gruaja nuk kishte ambicie personale për politikë, sot gratë në Kongresin amerikan kanë fituar pozicione lidershipi…Sot në një shoqëri të hapur globale civilizimi ka shumë nevojë për përparimin e femrës, e cila është një kapital njerëzor dhe luan rol parësor në ecjen përpara të shoqerisë… Këtu besoj, gjen përgjigjen edhe pyetja që më bëtë pak më parë për rolin e femrës intelektuale dhe krijuese shqiptare në diasporë. Intelektualja shqiptare është përfshirë në kulturën e shoqërise në vendin e huaj ku banon e punon. Ajo jep idetë, kontributin dhe energjitë për përparim e mirëqënie, duke kthyer gjithnjë kokën prapa, drejt vendlindjes, ” me një dëshirë e një qëllim…”
Pyetje- Sa herë keni votuar për zgjedhjen e një presidenti amerikan?
Përgjigje- Më kujtohet, ishte tetor i vitit 1992. Unë, motra, dy vëllezërit dhe disa tiranas të tjerë që kishin përfituar nenshtetesinë amerikane, ecnim si në një ditë feste përgjatë rrugës së Elbasanit e ndalëm hapat tek kangjellat e hekurta të ambasadës amerikane. Aty takuam edhe disa familje të tjera shqiptare ardhur nga rrethet e vendit. Të gjithë mbanim në dorë pashaportën amerikane dhe prisnim të votonim për presidentin e ri amerikan. Kur u hap dera me nje zhurmë të metaltë e na ftuan të hynim brenda, na u duk sikur i hidhnim hapat në ajër. Të afërmit e miqtë na kishin porositur e na ishin lutur që votën t’ia jepnim kandidatit Klinton. Po për ne ndoshta nuk kishte aq rëndësi emri i kandidatit se sa forca e ndjenjave, impulsi i të cilave na rikujtonte jo shumë larg në kohë, sharjet dhe mallkimet për imperializmin amerikan dhe për presidentet…Qysh atë vit kam votuar pesë herë.
Pyetje- Dy fjalë për familjen. Para disa vjetësh keni humbur bashkëshortin, një plagë e shpirtit, të cilën e kam provuar dhe vetë në jetë.
Përgjigje- Humbjen, e cila u bë pjesë e dytë e jetës sime tok me dhembjen ia kam drejtuar krijimtarisë, por mbi gjithçka kam gëzimin e nipit të vogël 9-vjeçar. Ai më telefonon shpesh nga Anglia në orën 3 pas dite e kembengul t’i tregoj një përrallë në gjuhën shqipe, mbasi do të shkojë në shtrat të flerë (aty ora është 8 e darkës). Vajza ime është martuar me një profesor gjerman dhe që të dy jetojnë në Liverpul.
Pyetje- Cilat janë planet tuaja letrare për të ardhmen?
Përgjigje- Një roman, një vëllim me poezi në gjuhën angleze, dhe më tej, atë që kam më për zemër e më të dashur, vëllimin humoristik me rrëfenja për teto Kalinën e Amerikës, së cilës kushedi se kur do t’i vijë radha…
Ju faleminderit dhe suksese në krijimtarinë tuaj!
* Faleminderit Monda qe na solle Rozin tone te mire ne kete interviste! Rozi, shkrimtarja, gazetarja, poetja,po kalon caste te veshtira ne Nahant Hospital Jesmond Nursing House ne Boston. Le te lutemi per Rozi Theoharin, miken tone te mire, qe vec mire shkroi!

Filed Under: Interviste Tagged With: baballarëve..., Erdhëm, nën buzë qe u kemi bërë, për sharjet, Rozi Theohari, t’u kerkojmë “të falur”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT