Nga Keida Kostreci/
Në një vit kur gjendja e lirisë në botë pësoi rënie për të nëntin vit me radhë, Shqipëria dhe Kosova vazhduan të përfshihen në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira. Në raportin vjetor të organizatës Freedom House, vlerësimi për Shqipërinë nuk ka ndryshuar, ndërsa Kosova ka shënuar përparim, duke u përfshirë për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale.
Gjendja e lirisë në Shqipëri
Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.
Freedom House ia atribuon mosndryshimin e vlerësimit kombinimit të problemeve të rrënjosura institucionale dhe reformave pozitive por që janë ende në fazat e para.
“Sigurisht që ne do të preferonim që Shqipëria të kishte shënuar më shumë përparim”, thotë Arch Puddington, zv/president për kërkimet tek kjo organizatë.
Ai ia atribuon mungesën e përparimit, historisë së shtypjes së regjimit totalitar të Enver Hoxhës, që ai thotë ishte më i rëndë sesa vendet e tjera të Evropës Lindore.
“Mendoj se vendi ende po përpiqet të dalë nga ajo errësirë ku ishin zhytur nën regjimin Hoxha. Prandaj mund t’u duhet pak më shumë kohë. Ata kanë shënuar përparime të rëndësishme”.
Raporti nënvizon se qeveria e kryeministrit Edi Rama siguroi në vitin 2014, statusin e vendit kandidat pas tre shtyrjeve të mëparshme dhe është vlerësuar për masat ndaj krimit të organizuar, ligjit të ri për lirinë e informacionit dhe ligjit për proceset e konsultimit për hartimin e legjislacionit dhe strategjive të rëndësishme për politikat.
Megjithatë, vazhdon Freedom House, vendi vazhdoi të vuante pasojat e mosmarrëveshjeve politike, përfshirë bojkotimin e parlamentit nga opozita, mosndëshkimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe një trashëgimi emërimesh politike në postet e gjyqtarëve. Zoti Puddington thotë se nëse do që të anëtarësohet në BE, Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet.
“Por një nga gjërat që kemi mësuar është se kur një vend anëtarësohet në BE, ka prirjen t’i respektojë standardet demokratike në mënyrë të qëndrueshme, kështuqë ne shpresojmë që Shqipëria ta arrijë atë synim”.
Kosova, mes demokracive elektorale
Kosova konsiderohet si një nga vendet me përparim më të madh për zhvillimet e vitit të kaluar. Ajo për herë të parë është futur mes vendeve të konsideruara “demokraci elektorale” falë vlerësimeve për procesin zgjedhor dhe të drejtave politike.
Të drejtat politike kanë marrë notën 4 nga 5 për vitin e kaluar, falë zgjedhjeve relativisht të suksesshme të qershorit dhe marrëveshjes politike për qeverinë e koalicionit. Për liritë civile, vlerësimi ka qenë i pandryshyar në 4.
Freedom House thotë se 2014-a shënoi një kulminim të prirjeve pozitive dhe se përveç zgjedhjeve organizata vërejti edhe përmirësimin në pluralizmin politik, marrëdhëniet partiake dhe përgjegjshmërisë së qeverisë. Freedom House thotë se vlerëson faktin që PDK-ja bashkëpunoi, që udhëheqësi i opozitës u bë kryeministër dhe që qeveria po e shton transparencën ndaj publikut.
Zoti Puddington thotë se shumë vende si Kosova kanë pasur arritje që janë ende të reja në drejtim të demokracisë.
“Nëse një vend arrin përmirësim, ne e njohim atë përmirësim. Nëse vitin që vjen, gjërat lëvizin në drejtim të gabuar, nëse ka një rënie të shkallës së lirisë, ne do ta nënvizojmë atë”, thotë zoti Puddington.
Duke folur për ngjarjet e ditëve të fundit që u shoqëruan me dhunë, ai thotë se synimi i Freedom House nuk është të gjykohet nëse ndryshimet që janë realizuar do të vazhdojnë nga një vit në tjetrin.
“Pra ne e kuptojmë që ka një element brishtësie në demokracinë e Kosovës sot. Korrupsioni ka qenë gjithmonë problem madhor. Përsa i takon këtij akti të dhunshëm ditët e fundit, një pjesë e madhe e saj ka të bëjë me tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës”.
Zoti Puddington thotë se tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve janë diçka me të cilën zyrtarët e vendit duhet të përballen. Në fakt megjithë përmirësimin e kohëve të fundit, në raport thuhet se kushtet e serbëve retorika islamofobike ishin shqetësime për vitin 2014. Mes incidenteve shqetësuese përmenden arrestimi i imamëve të Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës dhe dëmet e varrezave ortodokse serbe.
Rënie e lirisë në shkallë globale
Në shkallë globale, Freedom House vlerëson se në vitin 2014 liria ka rënë për të 9-in vit me radhë, për shkak të taktikave agresive nga regjimet aurtoritare dhe shtimit të sulmeve terroriste. Raporti i Freedom House shqyrton gjendjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Zoti Puddington, thotë se pranimi i demokracisë si forma mbizotëruese e qeverisjes dhe e një sistemi ndërkombëtar ngritur mbi idealet demokratike, është nën kërcënimin më të madh që prej 25 vjetësh.
Raporti citon ndërhyrjen ruse në Ukrainë, dhe zhvillimet në Egjipt, Turqi dhe Kinë si shembuj.
Por Freedom House tërheq vëmendjen se demokracitë shpesh presin deri kur prirjet autoritare të kthehen në katastrofë ndërkombëtare para se të ndërhyjnë dhe kjo sipas kësaj organizate është për të ardhur keq sepse edhe regjimet më shtypëse kanë treguar se përgjigjen para presionit të popullit të tye dhe atij nga jashtë.(Zeri I Amerikes)
Archives for January 2015
Si duhet të sillemi me ariun Putin?
Nga/ John Peet – The Economist-
shefi i rubrikës Europë/
Pikërisht shkrimet më të mira të kësaj përmbledhjeje ju do t’i gjeni, duke filluar që tani tek “Lapsi.al”: “Si do të sillet Obama gjatë këtij viti (shkrimi i parë i botuar pak dite me pare shiko poshte)? Si po bëhet Gjermania një superfuqi (shkrimi i dytë)? Kush mund ta ndalojë Kinën ? Mësimet që duhen nxjerrë nga epidemia e Ebolas, shpikjet e reja të smartfonëve dhe Luvri që zbarkon në Abu Dabi këto janë disa nga temat e « The Economist » që do ti sjellë në shqip, Lapsi.al. Ne do të postojmë nga një artikull të ri, për të rrijuar një ide më të qartë se si do të jetë bota në ditët që do të vijne. Shkrimi i tretë i The Economist i takon Rusisë së Putinit dhe dilemës se si duhet të sillet Europa me të. Kërcënimi i Vladimir Putin do të ketë pasur si efekt shtyrjen e europianëve drejt bashkimit për të ashpërsuar tonin kundër Moskës..
Që prej krizës financiare, drejtuesit europianë kanë parë më shumë brenda sesa jashtë. Ata ishin shumë të zënë për të ndaluar rënien ekonomike dhe për të ruajtur monedhën e përbashkët. Por sot problemet e jashtme janë në krye të prioriteteve të BE -së. Arsyeja: Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe aneksimi i Ukrainës. Ka tre elementë të rëndësishëm në 2015.
Së pari, emergjenca e një kërcënimi tjetër rus do t’i nxisë vendet europiane të rrisin shpenzimet për çështjen e mbrojtjes, pas disa vitesh me probleme në ekonomi.
Së dyti, ata do të impenjohen për të diversifikuar burimet e energjisë së Bashkimit Europian, për të kufizuar varësinë nga gazi rus, dhe më përgjithësisht, për t’u bërë më pak të varur ekonomikisht nga Rusia.
Së treti, sanksionet kundër Rusisë duhen vazhduar, ndoshta edhe duhen shtuar, edhe nëse ata nuk kanë efekte të dëmshme vetëm për Rusinë, por edhe mbi ekonominë europiane ende të brishtë.
Për sa thamë më sipër ka shumë gjëra që të surprizojnë. Putin prej kohësh ka përçarë mjaftueshëm për të mbretëruar në Europë. Për të lehtësuar armiqësinë me Poloninë dhe vendet baltike në veçanti, ai po luan kartën e miqësisë me Gjermaninë dhe Italinë. Hungaria, Qipro dhe Bullgaria janë tradicionalisht pro -ruse. Shumë ndërmarrje europiane kanë bërë tregti dhe kanë investuar në Rusi. Dhe Franca ka ndërtuar për Moskën shumë anije të transportit ushtarak.
Ndryshimi i klimës
Kjo kohë ka kaluar. Agresioni në Ukrainë nuk i solli Putinit vetëm sanksione: ai i bëri të humbasë shumë miq në Europë. Franca e shtyu për më vonë dorëzimin e anijeve të transportit ushtarak. Por shembulli më i mirë i ndryshimit të kësaj klime është Gjermania, partneri më i madh i Rusisë dhe burimi i investimeve. Elitat gjermane kanë treguar prej kohësh “mirëkuptim” ndaj Rusisë, duke mbyllur sytë përballë karakterit autokratik dhe kleptokratik që dominon në regjimin e Putinit, me qëllim që të vazhdojë marrëdhëniet me Rusinë. Ngjarjet e vitit 2014 i dhanë fund këtij kompromisi. Kancelarja Angela Merkel është tashmë një nga zërat perëndimorë më kritikë ndaj Putinit.
Dikur partner tregtar i bezdisshëm, Vladimir Putin është kthyer dalëngadalë, por sigurisht, fqinji më armiqësor i ditëve të sotme. Por qëkur ai u kthye në Kremlin për të zëvendësuar Dimitri Medvedevin, si president i Rusisë, në mars të vitit 2012, qëndrimi i tij anti-perëndimor është përforcuar.
Prej disa kohësh duket qartë se Putin e sheh NATO -n si kërcënim. Por ai nuk kishte lënë të kuptohet se do të ishte po kaq armiqësor ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian drejt lindjes. Për këtë, si katalizator shërbeu Ukraina. Putin, i cili e cilësoi shkrirjen e Bashkimit Sovjetik si “katastrofë gjeopolitike”, gjithmonë ka qenë pak i prirur për të pranuar që Ukraina, djepi i mesjetar i Rusisë së Kievit të ishte një vend me të vërtetë i pavarur. Revolucioni portokalli ishte një nga kthesat më të rëndësishme të mandatit të tij të parë presidencial dhe ai u shfaq i kënaqur kur prorusi Viktor Janukoviç u bë president i Ukrainës, në 2010. Në këtë kontekst Bashkimi Europian nënshkroi marrëveshjen për tregtinë e lirë me Janukoviçin.
Unioni Euroaziatik
Putin ishte shumë armiqësor ndaj kësaj marrëveshjeje, sepse ajo mund të shërbente si një hap i parë drejt anëtarësimit të Ukrainës në BE. Veç të tjerash ai ka shumë nevojë që Ukraina, e cila numëron 45 milionë banorë, të hyjë në Unionin Euroaziatik. Prandaj, në fund të vitit 2013 ai ushtroi presione mjaft të forta mbi Janukoviçin që ta prishë marrëveshjen me BE -në. Kjo nxiti një kryengritje të re të ukrainasve, shumë të zemëruar pasi po shikonin që aspiratat europiane të vendit të tyre po shkonin në zero. Dhe kjo solli largimin e Janukoviçit dhe zëvendësimin e tij me Petro Poroshenkon. Putin përfitoi nga kaosi për të pushtuar dhe aneksuar Krimenë. Pastaj rusët nxitën një revoltë kundër Kievit, në zonën ukrainase të Donbasit, duke dërguar në mënyrë të fshehtë trupat e tyre ushtarake në anën tjetër të kufirit. Putin lëshoi një doktrinë të re, sipas të cilës ai i jepte vetes të drejtën për të mbrojtur të gjithë rusë-folësit kudo që ndodhen. Për vendet si Letonia dhe Estonia që kanë minoritete të rëndësishme rusë -folësish dhe që nuk e kanë harruar pushtimin sovjetik, kjo doktrinë paraqet një kërcënim shqetësues. Edhe pse luftimet në Ukrainën lindore janë qetësuar, ato e vunë Putinin dhe BE -në një përballje që do të zgjasë edhe në 2015 -ën. Putin nuk do të heqë dorë nga Krimeja dhe nuk do t’i braktisë rebelët prorusë të Donbasit, zona që do të fitojë një autonomi më të madhe. Bashkimi Europian dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje të re tregtare, por për të shmangur provokimin e Rusisë ato e kanë shtyrë aplikimin e saj përtej 2015 -ës. Europianët, duke mos qenë të gatshëm që të luftojnë për Ukrainën, kanë si opsion të vetëm sanksionet kundër personaliteteve dhe sipërmarrjeve ruse që janë afër Putinit (ndonëse sanksionet perëndimore dëmtojnë ekonominë ruse, e cila ishte në stanjacion në 2014 -ën dhe që pritet të ngrihet me vështirësi në 2015 -ën. Rusët u përgjigjën me bllokimin e produkteve europiane dhe kërcënojnë se do të ndërpresin gazin. Dyshimi i reciprok tani ka zënë vend.
Prej shumë vitesh, shumë njerëz, më shumë brenda se jashtë BE -së, janë ankuar për paaftësinë e BE -së për të udhëhequr një politikë të jashtme të unifikuar, duke përmendur qëndrimet e ndryshme (të vendeve të BE) kundrejt Rusisë, si shembullin më të dukshëm. Në mënyrë paradoksale, në 2015 -ën Bashkimi Europian do të jetë më shumë se kurrë pranë arritjes së këtij qëllimi. Dhe e gjithë kjo falë një njeriu të vetëm: Putinit, dora vetë.( The Economist)
Ministrija greke e Emigracionit: Nënshtetësi fëmijëve të emigrantëve
Dy ditë pas ardhjes në fuqi të radikalëve të majtë dhe krijimit për herë të parë të një Ministrie të Emigracionit, ministrja plotësuese e këtij dikasteri, Tasia Xristodhulopoulou, (në foto) ka ripërsëritur premtimin e kësaj force politike për të dhënë nënshtetësi gjithë brezit të dytë të emigrantëve, apo fëmijëve të tyre të lindur në Greqi, por edhe atyre që kanë ardhur në moshë të vogël me familjet e tyre.
“Më duket se kemi dhënë shembuj konkretë, si gjatë periudhës së mëparshme, ashtu edhe në Parlament, kur kemi bërë shumë presion të jepej nënshtetësia te këta fëmijë. Ne kemi dhënë fjalën se menjëherë do të zëvendësojmë këtë padrejtësi të paparë me këta fëmijë, që kanë lindur këtu, që kanë mbaruar shkollat dhe nuk kanë njohur asnjë atdhe tjetër, transmeton TCH. Këta janë fëmijët e brezit të dytë të emigrantëve, ndërsa kemi dhe fëmijët e një brezi tjetër, ata që erdhën të vegjël këtu, nuk njohën asnjë atdhe tjetër dhe gjithashtu kanë mbaruar shkollat këtu e kanë mësuar vetëm gjuhën greke, dhe janë njësoj si fëmijët grekë. Këtu u rritën, këtu mësuan gjuhën, këtu janë shokët e tyre”, tha Tasia Xristodhulopoulou, ministre plotësuese e Emigracionit.
Xristodhulopoulou, që ka qenë prej vitesh në postin e përgjegjëses për të Drejtat e Njeriut, të Aleancës së radikalëve të majtë, ka deklaruar gjithashtu në lidhje me refugjatet nga Siria, veçanërisht me fëmijët e pashoqëruar nga zona e luftës, se Greqia do të ndjekë tani e tutje të gjitha konventat ndërkombëtare, që parashikojnë mikpritje e përkujdesje, të cilat nuk janë zbatuar kurrë.
Protestat e Prishtinës ndërmjet pushtetit dhe opozitës
Nga Bekim Bislimi/
D itëve të fundit, mijëra qytetarë kanë protestuar me kërkesën ndaj kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të shkarkoj ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, për shkak të, siç është vlerësuar, deklaratave fyese ndaj familjarëve të viktimave të luftës.
Poashtu, në protesta është kërkuar edhe shndërrimi i kombinatit “Trepça, në ndërmarrje publike.
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se protestat e fundit, në të cilat kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, dhe që janë vlerësuar të organizuara nga partitë opozitare, kanë nxjerrë në pah antagonizmat e thellë ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se duke marrë parasysh që në demokraci, opozita është pjesë e sovranitetit të popullit, për aq sa ka numra në Kuvend, pushteti nuk ka të drejtë ta shtypë opozitën, për shkak se shtyp sovranitetin e popullit.
Por, në anën tjetër, sipas tij, opozita parlamentare, të cilës aktualisht i prin Lëvizja Vetëvendosje, përmes mitingjeve partiake po thirret në emër të popullit.
Sipas Matoshit, opozita nuk e ka këtë të drejtë, sepse nuk është instanca legjitime për tu thirrur në emër të popullit.
“Së këndejmi, duke luajtur rolin e një ‘pakice profetike’, opozita po rrëshqet në parlament të rrugës, sepse shumë më lehtë është ta bindësh turmën që të të brohoras, se sa ta bindësh një auditor të vogël, përkatësisht ta bindësh shumicën parlamentare brenda institucionit, përkatësisht në Kuvendin e Kosovës, se ke të drejtë”.
Por, Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se e drejta e qytetarëve por të protestuar është e pamohueshme dhe nëse partitë opozitare arrijnë të adresojnë përmes këtyre protestave pakënaqësitë e qytetarëve, ky do të jetë mesazh i qartë për Qeverinë e Kosovës dhe partitë në pushtet.
“Nuk besoj që është e udhës që në Kosovë të vendoset një kulturë e tillë e komunikimit me qytetarë, ku çdo qytetarë i cili proteston për një të drejtë të tij apo për një çështje të caktuar, të konsiderohet si kundër qeverisë dhe kundër institucioneve të Kosovës, si dhe në të njëjtën kohë , qeveria të filloj akuzat ndaj gjithë këtyre njerëzve,që po protestojnë për të shprehur pakënaqësitë e tyre, në kontekstin, siç është duke ndodhur në Kosovë”.
Megjithatë, analisti Matoshi, vlerëson se situata mund të përshkallëzohet jo për shkak të kërkesave që tash kanë partitë opozitare, por për shkak të pakënaqësive të qytetarëve për shkak të korrupsionit të madh, mos sundimit ligjit dhe për shkak të mjerimit ekonomik. Por, sipas tij, si pushteti, ashtu edhe opozita, po i keqpërdorin këto pakënaqësi..
“Opozita po i keqpërdor protestat e ashtuquajtura padrejtësisht ‘gjithë popullore’ për ta përmbysur pushtetin, përkatësisht për ta arritur pushtetin politik. Ndërkaq, pushteti po i përdorë disa segmente të protestave, për t’ua bërë me gisht se janë të dhunshëm, se po synojnë shkatërrimin e pronës, sidomos pronës private.”
“Do të thotë, që të dyja palët po mundohen që ta keqpërdorin protestën – qoftë ajo edhe me motive të mirëfillta qytetare- për qëndruar në pushtet, përkatësisht, për të ardhur në pushtet”.
Ndryshe, Doli ka theksuar se shfrytëzimi politik i protestave aktuale është më i paktë se sa në rastet tjera, të cilat mund të jenë tema të diskutueshme politike.
Trepça nuk mbrohet nga ata që e shkatërrojnë Prishtinën
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi sot në mbledhjen e qeverisë se Trepça nuk mbrohet nga ata që e shkatërrojnë Prishtinën dhe kanë marrë mandatin për ta ndërtuar atë.
Duke shprehur keqardhjen për dhunën e djeshme të shkaktuar nga protestuesit, Mustafa tha se “qytetarët po keqpërdoren nga partitë politike për të ardhur në pushtet me forcë dhe për të shkaktuar trazira në Kosovë”, nënvizoi Mustafa.
“Trepça nuk mbrohet me dhunë ndaj policisë dhe shkatërrim të pasurisë shtetërore. Trepça tashmë është mbrojtur me Ligjin që pamundëson likuidimin e saj dhe do të mbrohet përfundimisht me Ligjin e veçantë, për të cilin kanë rënë dakord qeveria, minatorët dhe menaxhuesit e kompanisë”.
“Qeveria po ashtu kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos bien pre e partive politike, të cilat prapa kërkesave të tyre, fshehin dëshirën për pushtet. Qeveria kërkon nga opozita që kërkesat e tyre t’i ushtrojnë dhe t’i zgjidhin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku kanë hapësirën ligjore dhe kushtetuese”, nënvizoi Mustafa.
Kreu i qeverisë kosovare u shpreh se “qeveria zotohet se do të përkrahë të gjitha institucionet shtetërore, për të garantuar një jetë normale për të gjithë qytetarët dhe prioriteti i saj nuk është demagogjia politike, por prioritet është zhvillimi ekonomik, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, sundimi i ligjit në gjithë territorin e vendit, zhvillimi i gjithëmbarshëm i vendit”.
Ai tha se qeveria shpreh keqardhje për të lënduarit dhe përkrah policinë në garantimin e pronës publike dhe pronës private, si dhe për të lënduarit nga radhët e policisë, ashtu edhe nga ana e protestuesve, në protestën e ditës së martë në Prishtinë, në kryeqytetin tonë, në protestën e organizuar e cila kishte qëllime kryekëput politike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por tendenca e përdorimit të protestave për të dëmtuar pronat publike dhe private, për të sulmuar Policinë dhe Shtetin, është e papranueshme në një shoqëri demokratike. Policia e Kosovës, si një institucion i pavarur kushtetues, e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë, për të mbrojtur objektet shtetërore dhe pronat publike nga partitë politike, të cilat po keqpërdorin qytetarët për përfitime politike, me qëllim që të krijojnë trazira dhe të vijnë në pushtet me forcë”, nënvizoi Mustafa.
Kreu i qeverisë tha se “në një vend ku sundon ligji, ultimatumet ndaj institucioneve të pavarura janë të patolerueshme. Sulmi i opozitës ndaj Policisë së Kosovës, është sulm kundër shtetit të së drejtës, është sulm kundër vlerave më të larta të demokracisë dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura”.
“Në protestën e të shtunës qytetarët ishin thirrur që të protestojnë për Trepçën dhe shkarkimin e një ministri për shkak të një deklarate të pamatur, për të cilën ka kërkuar falje dhe me të cilën ne nuk jemi pajtuar. Protesta e së shtunës ishte dëshmia e qartë se synimi i tyre ishte dhuna, ardhja në pushtet nëpërmes trazirave dhe kishte për qëllim provokimin e situatës. Prandaj në protestën e djeshme, opozitës nuk iu bashkuan nënat e të pagjeturve, veteranët e luftës, minatorët e Trepçës dhe asnjë organizatë civile, për shkak se ato nuk përfaqësonin interesin qytetar, por vetëm atë politik të subjekteve që e organizuan protestën”, tha Mustafa.
Mustafa theksoi se qeveria i garanton të gjithë qytetarët e Kosovës, se situata e sigurisë është nën kontroll të plotë, nga ana e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, dhe nuk do të tolerojnë anarkinë dhe destabilizimin, që ju shkon në interes minuesve të shtetit ligjor.
“Qeveria ka një partneritet të fuqishëm ndërkombëtar me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet tjera mike, për të forcuar sovranitetin tonë të brendshëm dhe për të prodhuar paqe në rajon dhe për të qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për luftimin e kërcënimeve globale të sigurisë. Shteti ynë, Republika e Kosovës, dhe populli ynë i shumëvuajtur, ka nevojë për paqe, qetësi, dhe ka nevojë për zhvillim që ofron jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit”, përfundoi Mustafa.
- « Previous Page
- 1
- …
- 10
- 11
- 12
- 13
- 14
- …
- 68
- Next Page »