• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

Ambasadori Donald Lu i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Nishani

January 13, 2015 by dgreca

TIRANË, 13 Janar/ Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu, me të cilin zhvilloi dhe një bisedë të ngrohtë dhe shumë miqësore.
Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Kreu i Shtetit i uroi Ambasadorit Lu suksese për fillimin e mandatit të tij në Shqipëri, si dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare në përmbushjen e axhendës së tij diplomatike në Tiranë, në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e madhe që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë në kryerjen e reformave të nevojshme për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Presidenti i kërkoi Ambasadorit Lu që t’i përcillte Presidentit Barack Obama përshëndetjet e tij më të mira e të përzemërta, dhe garancinë se Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeten gjithmonë miq të mirë dhe të sinqertë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatë të ngushtë në të gjitha veprimet e ndërmarra prej saj në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë në botë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasadori Donald Lu i paraqiti, letrat Kredenciale, Presidentit Nishani

Papa Françesku: Bashkëjetesa fetare është e mundur.Shqipëria, shembull i saj

January 13, 2015 by dgreca

Në kulmin e debateve për rolin e feve në shoqëri, pas sulmit terrorist në Francë, Papa Françesku ka thënë se bashkëjetesa fetare është e mundur të arrihet. Dhe për këtë, ai ka marrë si shembull pikërisht Shqipërinë.
“Një dëshmi të vërtetë se kultura e bashkëjetesës është e mundur, unë e kam provuar gjatë vizitës sime në Shqipëri. Një komb me të rinj, të cilët janë shpresë për të ardhmen.
Pavarësisht vuajtjeve dhe dhimbjeve në historinë e tyre, shqiptarët janë karakterizuar nga ‘bashkëjetesa dhe bashkëpunimi paqësor mes besimeve të ndryshme’.
Në një klimë të respektit dhe besimit reciprok mes katolikëve, muslimanëve dhe ortodoksëve. Është një shenjë e rëndësishme, që një besim i sinqertë në Zot gjeneron dialog, i cili vepron për të mirën e të gjithëve.
Ndërsa dhuna lind gjithmonë nga mistifikimi i fesë, me pretekstin e projekteve ideologjike, që kanë si qëllim të vetëm dominimin e njeriut mbi njeriun”, është shprehur Papa Françesku gjatë një takimi me përfaqësitë diplomatike të akreditura në Vatikan.

Filed Under: Komente Tagged With: Papa Françesku: Bashkëjetesa fetare është e mundur.Shqipëria, shembull i saj

MYSAFIR NE NEW YORK

January 13, 2015 by dgreca

Shkruan: Ruzhdi Jata, Londer/
Shume shqiptare te Anglise, vecanerisht te Londres, vitet e fundit, i kane shtuar vizitat te miqte e te afermit e tyre ne New York dhe shtete te tjera te Amerikes dhe anasjelltas.
Ne prag te Krishtlindjeve dhe te Vitit te Ri 2015 edhe familja ime udhetoi drejt New York dhe Washington, ndersa shoku im nga Richmond- London – per ne Dallas, ndoshta per vendqendrim te ri. Pune plot, rroga te larta, shtepi te medha, shkolla te mira,- keshtu tregonin disa qe kishin qene me pare, pa harruar ushqimet e lira, aq sa me njeqind pound mund te mbushesh nje karroce me ushqime dhe te jetosh per disa dite. Edhe racionet, jane me te medha. Atje, ne Amerike, han ne restaurante te medha dhe, me pak dollare, kenaq gjithe familjen. Thoshin, porosisni per 3 persona e hani kater qe te mos e hidhni ushqimin se ju del e tepron…
Ta them qe ne fillim, mua nuk me doli keshtu sepse ne nje Irish pub ne Manhaten bashke me kusherin tim pime nga 3 birra me nga nje meze dhe paguam njeqind dollare e nuk mbeti asgje per te hedhur, vetem per t’i dhene nje bakshish kamarierit.
Kush eshte ai qe nuk deshiron ta provoje?
Por, le ta leme New York dhe te tregojme pak per Londren. Ka qene nje kohe, disa vite me pare, vertete nje parajse. Por tani, me zgjerimin e Bashkimit Europian, gjithcka ka ardhur duke u veshtiresuar, vecanerisht strehimi qe kushton me shume se ne cdo vend tjeter. Por nje pjese e shqiptareve me te ardhura te pakta ekonomike, akoma ndihmohen nga shteti dhe jane mire.
Edhe punesimi, eshte veshtiresuar. Perpara, po te doje te punoje, e gjeje nje pune ne Londer, ndryshe nga Italia, Franca,apo Gjermania. Sot duhet te kesh kualifikim te larte per te gjetur nje pune te pagueshme mire e me perspektive. Tani strehimi me banese shteterore nga keshilli, sic quhet ketu, eshte pothuajse i pamundur. Per familjet e medha – akoma me te veshtire.
… Ishim miq ne familjen kuksiane Ahmeti ne Middletown ne nje shtepi te madhe dy kateshe. Vajzat e mija u kenaqen me kushtet mjaft te mira, me pritjen vertete me zemer te bardhe, me dhurata e gjithcka tjeter duke e kaluar festen ne menyre fantastike.
Kastrioti kishte punuar 10 vjet ne nje fabrike ne Michigan bashke me te shoqen. Ndersa Besniku, edhe pse kishte mbaruar Universitetin per drejtesi, punonte ne biznes. Po te jesh i ri dhe po te kesh zanat pune gjen dhe jeten e ben te mire. Pa pune ketu ne Amerike nuk mund te jetosh, ndihma nuk ka. Keto fjale i thoshte Kastrioti here pas here.
Edhe pse e kishin arritur moshen e pensionit, zoti Cenalia i Kukesit e doktori kardiolog, zoti Jata ne Ringwood nuk e kishin lene akoma punen.
Amerika ka cfare don e cfare kerkon. Shtepi te medha e me toke ne qytetet ne zhvillim, ndersa ne New York – te ashtu quajtura apartamente vagon, apo edhe dhoma 3 meter katror ne Manhaten qe, po t’i marresh me qera, ta masin mire rrethin e kokes. Kane pase thene te paret, vetem nene e babe nuk gjen ne Amerike. Zoti ne qiell e dollari ne xhep.
“ Une nuk e nderroj Ameriken me Angline”,- me tha gazetari M. Tanushi ne Waterloo disa dite para se te nisesha per New York. Ai e kishte vizituar 2 here Ameriken. Nje qytet me gradaciela, nje qytet ne nuk pushon dite e nate, si te thuash kryeqyteti i Botes, por Londren e bekofte Zoti.
Takova shoke qe nuk i kisha takuar per shume vite. Me gazetarin e talentuar e poetin e mirenjohur Sami Milloshi folem me telefon, me z. Dalip Greca, kryeredaktor i gazetes “Dielli” u takuam diten e fundit. Ishte privilegj dhe nder per mua informacioni qe shkembyem me njeri-tjetrin per gazetarine ne pergjithesi , per shoqaten Vatra si dhe per Forumin e Shoqatave te Londres.
Kredoja e bisedave ishte perparimi i femijeve ne shkolle e jete, puna e shkelqyer e intelektualeve te bashkuar, e krijuesve te shumte qe ka Amerika per ruajtjen gjalle te kultures dhe traditave shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: MYSAFIR NE NEW YORK, Ruzhdi Jata

14 JANAR 1990 – 2015- 25 VJETORI I DEMOSTRATES Së PARE ANTIKOMUNISTE Në SHKODER

January 13, 2015 by dgreca

1944 – 1991/
Nga Fritz RADOVANI*/
14 JANAR…
■Profesor Petro Fundo ka thanë për tiranin Enver Hoxha:
“Diktatorët si ay, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjes!”
Kjo foto duhet të na zgjojë edhe natën për të na rikujtue atë tirani të pashoqe që ka sundue dhe po vazhdon me robnue një Popull në Europë, që luftën për Liri asnjëherë nuk e ka pushue por, edhe ka derdhë gjak ma shumë se asnjë shtet tjetër.
■Ngjarjet e fundit të vitit 1989 në Rumani, ishin sinjali i zgjimit të pritshem në Shkoder!
Maska e hipokrizisë së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, mbas prishjes marrveshjes me Shtrausin e Gjermanisë tue kalue në prehen të Onekerit Gjermanisë Lindore, dhe të gjitha perpjekjet e mëshefta me blokun komunist si dhe vendet islamike, kishin krijue tek Shqiptarët bindjen se thanja e Don Lazer Shantojës në Janarin e vitit 1945, asht e padiskutueshme që: “Të gjithë komunistët janë tradhëtarë!”
■Vransinat e zakonshme të Janarit në Shkoder, nuk do të munden me pengue rrezet e një “dielli” që kishte perëndue prej 46 vjetësh në Shqipninë e Gjergj Kastriotit. Rinia e Shkodres Martire kishte vendosë me u vetsakrifikue për Liri dhe Demokraci, por në një
kah gati të harruem prej vitit 1945, kur kasapët e Jaltës e lane nën robninë komuniste të
shovenistëve sllav të Titos, me sherbëtorin e tij anadollak Enver Hoxha. Ishte pikërisht kahu i Atyne Martirëve që thirrën që në 1911 në Deçiq, përkrah Dedë Gjo’ Lulit të Hotit: “Duem një Shqipni të Bashkueme!”… “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”…
■Ishte data 14 Janar 1990, kur Sheshi i Deshmorëve në qendren e qytetit Shkodres kishte që në orët e para të mengjesit disa mija vetë të rijë rreth monumentit të tiranit Stalin.
Fatkeqësisht, Partia e Punës e Ramiz Alisë, një fanatiku anadollak i pashoq, dhe pikrisht sëpse ishte i tillë pasoi Enver Hoxhën, me anën e sigurimit të shtetit kishte mërrijtë me shmangë nga kjo Protestë në heshtje, një zonë të madhe të qytetit ku perfshihej Parruca, Xhabijej, Perashi dhe Dudasi. Komunistët atje i kishin dhanë Protestës ngjyrë fetare.
Ata persona që mendoheshin organizatorë të Protestës një natë përpara u arrestuen nga vetë kriminelët zevendësministri i mbrendshëm Zylyftar Ramizi, dhe kryetari i Degës së Mbrendshme të Shkodres Çapajev Taçi, që vazhdonn me “zbatue” ligjin. U arrestuen shumë të rijë nder të cilët kujtoj: Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Nikolin Thana, Tonin Dema, Flamur Elbasani, Nikolin Pergjini, Klaudio Daka, që mbasi u derguen në Tiranë ku, u masakruen barbarisht në hetuesi atje, me urdhen të vetë ministrit mbrendshëm Simon Stefani, edhe u dënuen me shumë vite burg.
■Në këte Demostratë të vertetë antikomuniste Ramiz Alia, u mundue me i dhanë edhe botës së jashtme idenë e një organizimi nga Kleri Katolik që porsa ishte lirue nga burgu, tue u mundue me fajsue edhe dy klerikët Don Simon Jubani, i njohun si antikomunist i pathyeshem në burgun e Burrelit, si dhe Don Zef Simoni, i liruem nga burgu i Spaçit, ku vite perpara e ekzekutuen katër Heroj në Revolten e atij kampi shfarosje. Kur tek Don Simoni ka shkue një natë para Ndrekë Bazhdari me i kerkue me shkue në Demostratë, Don Simoni i ka thanë: “Jo, mue nuk më lejohet që të vij se jam klerik dhe me që demostrata apo protesta ka karakter politik unë nuk mund të marrë pjesë. Po të ishte se do të protestojmë për lejimin e fesë, hapjen e kishave e objekteve të kultit, unë vij i pari me Ju, dhe nuk kam asnji kundershtim”. (Dishmi gojore nga Don S. Jubani)
Sigurisht, u bane dhe arrestime tjera si vllaznit Haxhi, Kol Margjini, Paulin Palushi, Mati Prennushi, Leonard Kalaj, etj., që fatkeqësisht me emnat e tyne nuk mungojnë edhe shumë emna vajzash të reja, që nuk po kujtohen nga askush per Heroizmin e Tyne: “Pjesmarrës në Demostraten e Parë Antikomuniste me 14 Janar 1990, në Shkoder!”
■Masat e sigurimit shtetit ishin ma ekstremet. Sjellja e forcave speciale dhe vendosja e armëve goditëse nder tarracat e turizmit, PTT, Sahatit Inglizit, etj., pesë ambulancat e mbushuna me armatime para turizmit (që i kam pa vetë me sy), apo forcat tjera në rrethina të Shkodres të gatëshme per kasaphanë, tregojnë etjen per hakmarrje që ishte e brumosun me një urrejtje të pashoqe 46 vjeçare, që në Janarin e Vitit 1945 me Prekë Calin, e që vazhdoi me zhdukjen e Demokratit Parë Shqiptar Mark Çuni, kur thëmeloi Organizatën e Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” në Shkoder në Maji 1945.
■Demostrata e Janarit 1990 ishte vertetë Antikomuniste, sëpse në gjiun e saj ajo nuk pat “pulëbardha”… që nga fundi i vitit ato u vishën me “pardysytë e bardha”.
■Që Ajo ishte e tillë e verteton edhe qendrimi i turpëshem ndaj Heroit të Pavdekshëm e Shkodranit Rin Monajka, i cili nuk ka asnjë shenjë kujtimi tash 25 vjetë në Shkoder!
■Shkodranët nuk duhet të presin nderime dhe kujtime nga masakruesit e Tyne!
■Historianët le të mos e shkruejnë kurrë një rresht për këte Demostratë Historike, mbasi edhe kjo asht në Nderin dhe Lavdinë e Rozafës Antikomuniste e Liridashëse!
■Shkoder! Kurrë mos e harro thirrjen: “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”
■Historia e Shkodres Antikomuniste e shkrueme me Gjak Herojsh, asht e Perjetëshme dhe e Lavdishme nder shekuj të shekujve! Lavdi Herojve të Saj!
Melbourne, 13 Janar 2015.
* Ne vijim te rubrikes:
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Histori Tagged With: 14 JANAR 1990 – 2015- 25 VJETORI I DEMOSTRATëS Së PARë, Antikomuniste", Fritz radovani, ne shkoder

Jeta para vdekjes

January 13, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA*/
Gjyshi im (oficer në pension) ka shkruar për mallëngjimin, humbjen, ikjen (nën presion), dhe mërgimin e pavullnetshëm prej Shqipërie në Amerikë (1943). Historia e jetës së tij, është një prej rasteve të shumta të tragjedisë shqiptare. Tani është i moshuar, megjithatë poezitë e tij manifestojnë dëshirën e zjarrtë dhe vuajtjet masive që pulsojnë në të gjitha zemrat mërgimtare.
***
Gjyshi rrëfehet: “Së pari duhet të them se unë gjatë gjithë jetës në emigrim kam ndjerë dhe ndjejë një mallëngjim të hatashëm për prindërit e mi me të cilët nuk jam takuar më kurrë prej asaj ditës kur u detyrova ta braktisi atdheun tim të dashur. Mallëngjehem për katër stinët në Shqipëri. Mallëngjehem për të gjitha rrugët dhe të gjithë njerëzit atje, për Shkodrën time. Kur unë mendoj për Shqipërinë, unë shoh shumë fotografi të gëzimit dhe lumturisë në mendjen time. Unë gjithashtu mendoj se shteti është atje. Për shkak të gjendjes gjatë sistemit monist, nuk pata siguri për jetën të vizitoj prindërit e mi derisa ishin gjallë. Kam vizituar dhe i putha varret e tyre. Një gjë është se unë nuk isha aty kur ata vdiqën. Problemi është se unë nuk isha pranë tyre, kur ata jetonin. Të jem me ta në jetën para vdekjes.
Ndoshta ti nipi im je kureshtar se pse unë shkruaj disa gjëra të këqija nga atdheu im, por ti duhet ta mbash mend se unë e dua Shqipërinë. I dua të gjithë njerëzit atje por kam problem edhe me qeverinë e tanishme të korruptuar dhe antikombëtare. Nëse do të kishim burrështetas të mirë, shqiptarët do të mund të jetonin në atdheun tonë. Shqipëria natyrale boshatiset, zotëron mjerimi, rinia ikën në Perëndim, nataliteti zvogëlohet. Së fundi, kur unë mendoj për Shqipërinë kam kujtime të dyfishta, të mira dhe të këqija, por zemra ime rreh për Shqipërinë. Shqipëria, atdheu im.”
***
Jam lindur në Sydney, Australi, Nëntor 1976 dhe prej moshës 8 vjeçare kryesisht jetojë në USA. Me prindërit u shpërngula nga vendlindja ime, qyteti im, miqtë e mi dhe çdo gjë tjetër të dashur për mua. Vendlindjen të cilën sipas gjasave do ta përkujtojë në pjesën tjetër të jetës sime.
Prindërit e mi sakrifikuan shumë për mua dhe vëllain, motrën time. Unë jam mirënjohës dhe i kënaqur që jetoj në një vend si USA. Unë ndoshta nuk kam një emër tipik amerikan, një pamje angleze. Ndoshta nuk kam një besim tradicionalisht të lidhur me SHBA, një gjuhë amtare të lidhur me SHBA-të, megjithatë unë jam amerikan – dhe australian. E dua shumë Australinë dhe Amerikën por njëherësh e dua shumë edhe atdheun e gjyshërve të mi. Shqipëria është ende atdheu i tyre. Gjithashtu i imi
Kur disa dëgjojnë se unë jam shqiptar etnik me prejardhje, më pyesin për vlerat shqiptare. Unë jam rritur me vlerat si: ndershmëri, tolerancë për njerëzit e tjerë, barazisë, bamirësi, se duhet të punojmë shumë, se familja është e rëndësishme, që ne kujdesemi për fqinjët, se nuk duhet të dëmtojnë askënd, të respektojmë të moshuarit etj. Këto janë vlerat që prindërit mi dhanë mua, dhe këto janë vlerat sipas së cilave unë jetojë. Këto janë vlera të mirëfillta shqiptare. A nuk janë këto edhe vlera të mirëfillta amerikane?
Unë kam gjak shqiptar në venat e mia, por unë jam njësoj si një amerikan i mirëfilltë këtu. Unë nuk jam një prej tyre, unë jam njëri prej nesh. Është një ditë kur unë festoj atdheun tim Amerikën apo Australinë. Ditën tjetër festoj atdheun e gjyshërve të mi, Shqipërinë – është ajo dita kur unë jam një njeri patriotik shqiptar.
***
Çfarë është një – diaspora?
Diaspora, fillimisht një term për hebrenjtë e përhapur në mesin e kombeve të tjera. Tani paraqet gjithashtu pakicat fetare apo kombëtare që jetojnë në një mjedis të panjohur.
Diaspora ishte rezultat i dëbimeve dhe arratisjes, por edhe emigracionit vullnetar për të kërkuar fatin në tokë të huaj.
Diaspora shpesh përkufizohet si një grup që e kanë lënë atdheun e tyre, herë pas here në rrethana dramatike. Njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre dhe vendin e tyre për shumë arsye, duke përfshirë: për shkak të konflikteve, për të kërkuar punë, për mundësi më të mira tregtare apo për të kolonizuar territore të tjera.
Për t’u përcaktuar si diasporë duhet që një grup të ketë një mit të përbashkët në lidhje me vendin e tij, ta idealizoj atë dhe të jenë të gatshëm për të mbështetur atë, nëse është e nevojshme edhe me jetën.
Një grup i tillë duhet të ketë gjithashtu plane për t`u riatdhesuar, kanë një identitet të fortë etnik, dhe herë pas here një marrëdhënie problematike me vendin pritës nëse ai vend ka një politikë jomiqësore ndaj atdheut të tyre; dhe tregojnë solidaritet me anëtarët e diasporës në vendet e tjera. Një faktor tjetër i rëndësishëm është shkalla e organizimit të këtij grupi, si në vendin e tyre të ri pritës dhe në aspektin ndërkombëtar. Sipas një qasje të tillë të gjitha grupet etnike jashtë vendit nuk mund të konsiderohen si diasporë, vetëm ata që plotësojnë kërkesat e mësipërme.
Diaspora është një lëvizje, emigrimi apo shpërndarjeje e një populli nga vendlindja e tyre ose nga tokat e tyre stërgjyshore. Termi ka ardhur për të referuar në emigrimet historike, të dhunshme, dramatike në shkallë të gjerë dhe shpërndarja e njerëzve me rrënjë të përbashkëta, sidomos lëvizjet të cilat në thelbin e saj janë të pavullnetshme si për shembull dëbimin masiv nga trojet e veta të shqiptarëve për në Turqi, etj.
***
Historia e gjyshit tim është e rrallë, ai do të vriteshe sikur të vizitonte prindërit, e tani kohërat kanë ndryshuar. Emigrantët që nuk kontaktojnë-vizitojnë prindërit nuk mund të arsyetohen para vetes dhe Perëndisë.
Një numër i konsideruar i prindërve të mërgimtarëve shqiptarë që kanë mbetur të braktisur, gjatë kohë shtrihen të vdekur në shtëpitë e tyre pa ditur dikush në lidhje me të.
Karakteristika të përbashkëta të shumë prej atyre që pas shumë kohe janë gjetur të vdekur në shtëpitë e tyre, është se ata jetonin të vetmuar. Disa ishin pa familje të ngushtë.
Shumë emigrantë u premtojnë prindërve që do t`i vizitojnë ama “nuk mund të gjejnë kohë” për të sëmurët dhe të moshuarit e tyre. Por, kur vjen puna për të trashëguar, papritmas gjejnë kohë me tepricë, i blejnë lulet për në varrezë dhe udhëtojnë në atdhe me taksistin e parë që e takojnë në rrugë. Të vdekurit kishin me u thënë: “Duheshe të gjendesh afër meje, të më ndihmosh dhe të më japish lule kur unë jetoja, e tani pasi kam vdekur kisha me dashur të më lavdërosh vetëm për atë që unë jam.”
Çfarëdo konfliktesh apo sa pak kohë të këmbimit keni ju me pleqtë e familjes së juaj, duhet të parafytyroni se si do të ndjeheshit ju nëse në momentet e fundit të jetës nuk keni asnjë familjar afër jush që të komunikoni. Njerëzit e vetmuar nuk marrin një urim për Krishtlindje, për Bajram, për Vitin e Ri apo një telefon kur ata jetojnë, por kurora të mëdha dhe fjalët lavdëruese se si ata ishin të mrekullueshëm dhe se sa shumë ata u mungojnë – pas vdekjes së tyre.
* Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: ESSE Tagged With: Aurel Dasareti, Jeta para vdekjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT