• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

Dekomunistizimi sjell dekriminalizimin!

March 27, 2015 by dgreca

Nga Hakik MENA*/
Pavarësisht se kush janë dhe kë përfaqësojnë deputetët Doshi dhe Frroku, mënyra e arrestimit të tyre, është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje e frikshme, deri dhe terrorizuese për shoqërinë shqiptare. E them këtë sepse ky akt është bërë, sipas vlerësimit të ekspertëve më të mirë të ligjit, por edhe arsyes njerëzore, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore e krejtësisht në mënyrë arbitrare. Një arrestim i tillë, i transmetuar “live” nga Tv-të, brezit të vjetër i ka sjellë ndërmend ditët e para të instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Këtij skenari, deri tani i mungojnë veç skenat e “zbulimit të armëve në kisha”, por pjesa tjetër është pothuajse një “rilindje” e aktorëve të vjetër të Sigurimit, me prokuror Aranitin e kryexhelat Koçin. Në këtë situatë kaotike institucionale e ligjore që po kridhet sot shteti shqiptar, logjikshëm shtrohet pyetja: ku e gjejnë guximin ky mishmash politikanësh, deputetësh, prokurorësh e madje edhe ish-kalecësh Sigurimi, – të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me ish byronë e Partisë komuniste – për të orkestruar arrestime të tilla, të ngjashme me reprezaljet e kohës së diktaturës komuniste?! Mos vallë pushtetarët e sotëm, pinjoj të byroistëve, duke menduar se kanë përballë veç një opozitë të plogësht, të pa vendosur, pa identitet, e kanë ndarë mendjen ta hedhin edhe hapin e fundit drejt çimentimit të pushtetit të tyre politik?! Dhe si për ta vërtetuar perceptimin tonë për mungesë rezistence, këtë tentativë për përjetësim të pushtetit, “djemtë e byrosë” po rreken ta bëjnë pa u maskuar hiç, krejt ashiqare, e pa ua “bërë syri tërr”, duke kërcënuar, arrestuar madje me tentativa për të eliminuar deputetë të kuvendit, që janë tekefundit përfaqësues të popullit?! Në këtë pikë më ngjan e detyrueshme pyetja nëse vërtet neokomunistët në pushtet po kuturisin të hedhin hapin e fundit drejt një sistemi diktatorial, të kamufluar si “pluralizëm shumëpartiak” por që në thelb është e njëjta gjë si modeli “demokratik putinian” apo ish-diktaturat amerikano-latine! Unë dëshiroj dhe uroj të mos jetë aspak e vërtetë, sepse pasojat dhe sakrificat njerëzore do të ishin katastrofale për shqiptarët. Por me ngjarjet e fundit, shihet se këtu kemi të bëjmë me një synim të prekshëm për ringjalljen e ish-diktaturës në formën e saj më të dukshme: – vendosjen e një pushteti personal, në shërbim të “njëshit” të partisë! Sjellje të tilla arbitrare, me shkelje kaq të trasha të ligjeve të shtetit, e në dhunim flagrant të së drejtës dhe lirisë së individit si nocione universale, nuk mund të jenë rastësi apo paaftësi e një institucioni si prokuroria! Kjo e fundit duhet thënë se ngadalë por vendosmërisht po rrëshqet në prehrin e pushtetit të mazhorancës, saqë të krijon bindjen se paditë kërrehen në zyrat e qeverisë, për t’u cicëruar të nesërmen në sallat e gjyqit. Dosja “Doshi”, – ku akuzohen nga prokuroria dy deputetë për dëshmi të rreme, kurse në fakt, në gjykimin publik, kjo ngjarje është një tentativë e mirëfilltë kriminale për zhdukjen e deputetëve rebelë, – është vetëm një përshfaqje simptomatike e trendit të rrezikshëm që ka nisur për të vendosur një pushtet absolut. “Doshi” është vetëm pika e vlimit, kurse në fakt plani ka nisur të formësohet që herët, me ndryshimet në një sërë ligjesh e kodesh me synim ngushtimin e lirisë së qytetarëve dhe sidomos krijimin e një situate ankthi e terrori shtetëror ndaj të gjithë shoqërisë shqiptare. Nuk janë rastësi tamtamet për energjinë, gjobat e makinave, sanksionet absurde e krejt të zhbalancuara në kod penal, e ligjet e tjera organike që rregullojnë marrëdhëniet mes qytetarit e shtetit. Një mendje djallëzore ka punuar fort që të na këllasë në këtë xhungël pasigurie ku ndodhemi sot, ku shumica dërrmuese po mendon kryesisht se si mund të arratiset nga vendi me ç‘të mundë. Le të sjellim në vëmendje të publikut gjithashtu dhe faktin se skenari i asgjësimit të drejtësisë në Shqipëri, po realizohet me nxitjen dhe mbështetjen e krerëve më të lartë të pushtetit neokomunist, por sidomos edhe me “aprovimin” e Parlamentit të Xhikeve, Lenkave e Bab-Lymave të vitit 2015. Këta të fundit, në rolin e palakmueshëm të “lolove publikë”, nuk po druhen aspak të vetëdiskreditohen në sytë e gjithë botës shqiptare duke votuar “grusht-bashkuar rreth partisë!” sipas direktivave të “të madhit!” Asnjë zë për be, nuk del kundër. E kjo s’mund të jetë rastësi. Kjo gjë ndodh vetëm në rastet kur krerët e një force politike synojnë të vendosin një pushtet absolut. Ndokush mund të thotë se po e ekzagjerojmë me akuzat për diktaturë dhe mund të na kujtojë madje se mazhoranca e sotme ka ardhur në pushtet me zgjedhje të lira. Po e vërtetë… të gjithë e kemi parë fitoren me “vota” të mazhorancës PS-LSI në 2013, të pagëzuar si fitorja e “një milion shpullave”. Por po ashtu kemi të dokumentuar në histori “déjà vu”-në në formën e diktaturës naziste, që erdhi në pushtet me anë të “votës”, por që më pas e ktheu pushtetin në armë për zhdukjen e kundërshtarëve dhe “armiqve” të pafaj me kampe shfarosjeje e gjenocid ndaj më të dobtëve. E kemi të provuar madje edhe në kurrizin tonë këtë histori pushteti, kur në 1944, një bandë plaçkitësish mizorë nga e ashtuquajtura Zonë e Parë Operative, – e orientuar politikisht nga armiqtë shekullorë serbët dhe rusët, – arriti të vendosë një diktaturë çnjerëzore, e cila për 45 vjet e transformoi vendin në skëterrë antinjerëzore. Këta të sotmit, e dinë të gjithë madje, edhe ata vetë e pranojnë, se janë pjellë gjenetike dhe politike e gjakatarëve të 44-ës. Ata të “parët” ishin ekspertë në krijimin e “fajtorëve pa faj”. Mjeshtra në sajimin e grupeve të “armiqve të popullit”. Ustallarë për të torturuar çdo qytetar me vlera. Me qëllim krijimin e një terrori permanent në të gjithë vendin, i cili duhet thënë se funksionoi në atë kohë. Por edhe këta të sotmit nuk po “zhgënjejnë”. Nuk e kanë harruar aspak “zejen” e tyre të torturës dhe të terrorit fizik e psikologjik mbi njerëzit. Në 1945-ën kjo gjë funksionoi ndoshta edhe për shkak të mungesës së opozitës së kohës dhe papjekurisë së shoqërisë shqiptare, që nuk dinte ç‘ishte komunizmi. Prandaj mund të thuhet se sot kushtet janë të ndryshme, në raport me kohën kur erdhi në pushtet çeta e Enver Hoxhës. Në atë kohë, për hir të së vërtetës, duhet thënë se komunistët “origjinalë” gëzonin mbështetjen e kampit socialist, dhe kjo nuk ishte e paktë për atëherë! Por sot po shohim në një formë tjetër që përkrahja nga kampi socialist i dikurshëm, është konvertuar tashmë me mbështetjen nga kampi social-demokrat në gjirin e BE-së ku gjendet më shumë se një duzinë vendesh ish-komuniste. E si për bela, burokratët evropianë që caktohen të mbajnë në patronazh Shqipërinë, shumicën e rasteve qëllojnë nga vendet e Traktatit të Varshavës! Dyshimit tonë për një diktaturë ndokush mund t’i kundërvihet me arsyetimin se sot nuk ka më një kriminel gjakatar si Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij. Por unë kam bindjen se nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes Edvin Ramës e Enver Hoxhës apo mes Ilir Metës e Mehmet Shehut. Njëlloj janë në etjen e tyre për pushtet e sundim absolut, madje edhe në vese e tendenca kriminale deri kundër shokëve e bashkëpunëtorëve më të ngushtë. Në këtë skemë na mungojnë disi tipa lombrozianë si Aranit Çela, Nevzat Haznedari, etj të cilëve vazhdojnë t’u rrjedhin duart gjak. por nga ana tjetër, pasardhësit e tyre në Prokurori të përgjithshme, – të cilët vijnë gati 99% nga shkolla komuniste – nuk u lënë gjë mangët në diabolizëm e perversitet “mësuesve” të tyre. Do të ishte e mjaftë të kujtonim seancën në këshillin e mandateve të parlamentit ku një prokuror gjuhëtrashë, nuk i jepte qëllimisht përgjigje as pyetjes se për çfarë akuzohen deputetët që kërkohej të arrestoheshin! (Sic!) Prokurorë të tillë janë për rekorde “guiness”. Kjo histori me deputetë, skenarë vrasjesh nisi si një aksion për të pastruar radhët e partive nga të “fortët”, nëpërmjet të ashtuquajturit “dekriminalizim”. Në fakt ky “dekriminalizim” s’është gjë tjetër veçse përsëritja e një kënge të vjetër, që këndohej me iso labçe në çdo fshat të krahinave antikomuniste të veriut të vendit, kur zona e thënë pushtohej prej partizanëve. Nuk është e nevojshme t’i përsërisim ato vargje, por më ngjan shumë i dyshimtë fakti që në mbledhjen e këshillit të mandateve në parlament, kishte 9 deputetë përfaqësues nga Zona e Parë Operative, që do të gjykonin për fatin e 2 reaksionarëve “katolikë” nga Mbishkodra. Kjo gjë ra në sy të të gjithëve, megjithëse askush nuk e përmendi, ndoshta nga sikleti, atë shprehjen e djaloshit të përrallës së Andersenit për rrobat e mbretit! Meqë jemi në këtë pikë, nëse ndonjë “babaxhan” ambasadash nga ndonjë vend perëndimor mik i shqiptarëve, dëshiron të purifikojë parlamentin, institucionet shqiptare, partitë e politikën, duhet të nisë fillimisht me dekomunistizimin e tyre. Kriminalizimi i parlamentit, institucioneve, partive e politikës, nuk ka ardhur nga “të fortët” por nga komunistët që kanë veshur mantelin e demokratit. Si përfundim, do të thoja se pa u bërë dekomunistizimi nuk mund të bëhet dekriminalizimi, dhe deri atëherë, ne do te jemi thjesht një shtet rrumpallo-mafioz. Nji gjë është e sigurt, po të kishte ekzistuar dëshira dhe qëllimi i mirë i politikës shqiptare për të bërë dekomunistizimin e vendit që prej viteve ‘90, – kjo edhe me shtytjen e mbështetjen e sinqertë të vendeve mike të Shqipërisë – vendi ynë do të kishte pasë tjetër zhvillim e tjetër histori. Çdo eksperiment “dekriminalizimi”, për fat të keq është i destinuar të dështojë dhe për këtë do të binden shumë shpejt edhe babaxhanët e ambasadave. Nëse këta të fundit, veprojnë kësisoj thjesht për të lehtësuar komunikimin me lojtarët kryesorë të politikës shqiptare, duke u bërë pa dashje palë më to, atëherë s’bëjnë gjë tjetër veçse po vënë në dyshim edhe këtë kuazi-demokraci që ekziston ende këtu. Nëse do vazhdohet me këtë filozofi të mbrojtjes së interesave duke bërë allishverishe edhe me djallin, dihet se fundi i kësaj rruge do të jetë i ngjashëm me skenat danteske. Kjo nuk është as e drejtë dhe as dobiprurëse, si për miqtë tanë, ashtu edhe për miliona shqiptarë që kanë fatin e keq të sundohen nga kjo klikë antikombëtare.

* Kryetar i Partise Levizja e Legalitetit ne SHBA

Filed Under: Opinion Tagged With: Dekomunistizimi, hakik Mena, sjell dekriminalizimin!

“KLANI” RREMBEU DREJTIMIN E FONDACIONIT TE PLAVE E GUCISE

March 27, 2015 by dgreca

Komunitet- Letër e hapur drejtuar bashkëvendasëve të Plavë e Gucisë/
Shkruan: Mustaf Salihi Ahmetaj/
Te nderuar anëtar,/
Te nderuar/a motra dhe vëllezër,
Raport për zgjedhjet e kuvendit të Fondacionit Plavë-Guci të mbajtura në New York me datën 22 Mars 2015/
Bazuar sipas rregullores, mandatit dhe statutit të Fondacionit Plavë – Guci, ne thirrëm Kuvendin e anëtarëve te shoqatës tonë.
Mledhjen e hapi Gjovalin Nikçi i cili propozoi kryesuesin e zhvillimit të punimeve Xhevat Kukaj qe të drejton kuvendin.
Kryetari i FPG, Esad Gjonbalaj propozoi për dy grupe të punës të përbëra nga jo-anëtarë të kryesisë. Njëri për administrimin e zgjedhjeve, dhe tjetri numërimin e votave, ku u aprovua nga të gjithë anëtaret.
Esad Gjonbalaj ua bëri me dije pjesëmarrësve se bazuar në statutin e FPG-së, të drejtë vote kanë vetëm anëtaret e FPG-së. Klani me gansterët e vet filloi me pyetjet e tyre se a duhet ne që nuk jemi anëtarë ta lëshojmë sallën. Ne të gjithë anëtaret u përgjigjem njëzëri se vetëm mund të shikoni.
Klani filloi ndërhyrjet dhe me akuzat e tyre fallce drejtuar kryetarit Esad Gjonbalaj dhe sekretarit Mustaf Ahmetaj duke shkelur rëndë në normën ma demokratike në statutin e FPG-së duke deklaruar se gjoja askush nga këta zotërinjë se ka parë këtë statut.
Ishte befasuese edhe pjesëmarrja ulët e anëtarëve të FPG-së, nga e cila merrnin pjesë vetëm 31 anëtarë të rregullt.
Klani kishte sjellur bashkëvendës(jo anëtarë të FPG-së) të cilët i kishte marrë nga rruga e që numëroheshin mbi 38 veta.
Klani me kapot e veta ne krye ishte i përbërë nga një njeri mbi të cilin qëndrojnë akuza me dy raste te krimeve. Edhe kreu i Deponisë në Martinaj i drejton pjesëtarët e klanit të cilët ishin anëtarë të kryesisë së FPG-së për ta kidnapuar këtë fondacion.
Klani kishte organizuar dhe sjellur bashkëvendës që nuk ishin anëtar dhe që kurrë nuk kanë qenë anëtarë të FPG-së të votojnë për ta dhe për pjesëtaret e tyre.
Klani kishte intimiduar në mënyra te ndryshme anëtarët e FPG-së para mbajtjes së Kuvendit.
Kuvendi mori skaje gangstere prej Klanit dhe tensioni shkoi deri në atë pikë sa u krijua gjendje shumë e keqe.
Pjestarët që nuk ishin në kryesi (Gazmend Gjonbalaj, Shpend Haxhaj, Hatmane Prelvukaj, Salih Gjonbalaj, Hysen Ulaj, Beqir Gjonbalaj etj) u munduan të qetësojnë situatën por pa sukses. Klani kishte agjenden e vet të kidnapimit të fondacionit tonë.
Gjovalin Nikçi kërkon mbledhjen e Kryesisë jashtë sallës së Kuvendit. Kur dolëm jashtë, ai prononcoi se sot do të mbahen zgjedhjet. Gjovalini kërkoi mendimin e të gjithë anëtarëve dhe pastaj propozoi te votojmë për të shkelur statutin e FPG-së dhe të lejohet e drejta e të gjithë të pranishmëve për të votuar. Unë ju fola se ky veprim paska qenë i parapërgatitur dhe nuk e njoh ketë vendim ilegal.
Brenda, njëri ndër pjestarët e “Grupit Qëllim Mirë” Hysen Ulaj në fjalimin e tij u tregoi të gjithëve se një javë më herët është vendosur se akuzat për mos funksionimin e mirë të FPG-së të mbyllen dhe të tërhiqen nga rrjetet sociale.
Gjovalini merr fjalën dhe ju deklaron se Kryesia ka marrë një vendim të jashtë- zakonshëm.
Katër anëtarë të rregullt të FPG-së e lëshuan kuvendin para votimit ne shenje proteste me kete vendim ilegail. Ata ishin Shpend Haxhaj, Ismail Brahimi Qosaj, Gzim Balia Qosaj dhe djali im Flamur Mustafa Ahmetaj.
Klani, tërë kohën vazhdoi me akuza dhe gënjeshtra duke i njollosur të tjerët dhe fshehur veprat e tyre duke pasur agjenda personale.
Flet-votimi mbaroi dhe në fund filloi dorëzimi i tyre ku një pjestar i klanit u pa kur solli shtat(7) flet-votime kurse të tjerët vetëm nga një.
Shkeljen e statutit të FPG-së nga disa anëtarë u tolerua sepse ishim të gjetur në një presion dhe nuk donim që të ndodhë diçka e keqe. Kryesia jo-legjitime u formua prej Klanit në emër të komunitetit. Shikoni fotot nëpër facebook ku mund të shihni vetëm Klanin. Vallë a është ky komuniteti i Plavë e Gucisë?
Inçizimet e zërit dhe fotografitë e postuara në facebook janë si evidencë se çka ndodhi me 22 Mars 2015 në kuvendin skanadaloz të shoqatës tonë të respektuar.
Klani ka penguar aktivitetin e FPG-së duke filluar prej vitit 1997 (vjeshtë) e deri sot. Unë jam dëshmitar për këtë sepse isha anëtar i kryesisë rreth 16 vite pa ndërpreje.
Të nderuar atdhetarë bashkëvendas, brenda disa ditësh do të shikoni dokumentet, proces-verbalin, kopjet, inçizimet e zërit dhe fakte të tjera përmes e-mail dhe rrjetit social facebook se si ka vepruar në mënyrë gangstere Klani që erdhi në Fondacionin Plavë e Guci.
Në shërbimin tuaj dhe të vendlindjes
Mustaf Salihi Ahmetaj

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fondacionin, Klani i gangstereve, Mustafe Salihi, Plave e Guci, rremben

Takim ndërfetar midis studentëve të Teologjisë Islame dhe asaj Katolike

March 27, 2015 by dgreca

Nga Gjergji Mima/ -Studentët e Shkencave Islame të Universitetit ‘Bedër’ dhe studentët e Teologjisë Katolike nga Seminari Ndërdioqezian Shkodër zhvilluan me 26 Mars 2015 një takim miqësor të organizuar për të promovuar dialogun ndërfetar, nëpërmjet hapave konkret të njohjes dhe prezantimit të studentëve të teologjisë.
Të ftuarit nga Seminari Ndërdioqezian “Nëna e Këshillit të Mirë”, përbëheshin nga rektori i këtij Seminari Don Leonardo Falco, Drejtori i Institutit Filozofiko-Teologjik dhe pedagog i teologjisë dogmatike Atë Mario Imperatori, rektori i Seminarit “Redemptoris Mater” në Lezhë Don Lorenzo Rosseti, pedagogu i teologjisë dogmatike dhe i dialogut ndërfetar Don Robert Kola, si dhe rreth njëzet studentë të teologjisë katolike.
Ata janë pritur nga stafi pedagogjik i Departamentit të Shkencave Islame, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, Drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Selman Kuzu, Drejtori i Qendrës për Studime Islame Dr. Atakan Derelioglu, pedagogu z. Elton Karaj, si dhe studentë të Shkencave Islame në Universitetin Bedër.
Gjatë takimit në një nga auditorët e universitetit, pas njohjes dhe prezantimit nga të dyja palët, studentët kanë prezantuar secili departamentin e tyre, mësimet dhe leksionet që marrin, duke u njohur kështu më mirë me aspektin arsimor dhe atë të literaturës të teologjisë Islame dhe asaj katolike.
Gjatë kësaj vizite, stafi pedagogjik i delegacionit katolik, është pritur edhe nga rektori i Universitetit ‘Bedër’, Dr. Ferdinand Gjana.
Të dyja palët e kanë vlerësuar si mjaft të frytshëm këtë takim, duke e cilësuar si hapin e parë të kalimit nga dialogu teorik në atë praktik, pikërisht nëpërmjet takimit dhe njohjes midis stafit pedagogjik dhe studentëve të Shkencave Islame dhe të Teologjikë Katolike në vendin tonë, duke u bërë një shembull konkret i harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri.

Filed Under: Komunitet Tagged With: asaj Katolike, midis studentëve, Takim ndërfetar, të Teologjisë Islame dhe

NGA PARLAMENTI I LUSHNJES TEK PARLAMENTI I METES

March 27, 2015 by dgreca

95 vjet Parlamentarizëm shqiptar/
Ne Foto: – Këshilli Kombëtar i Lushnjës (Senati) (27 mars 1920-20 dhjetor 1920) /
Nga Anila STRUGA*/
TIRANË, 27 Mars/ATSH/.- 95 vjet më parë, më 27 mars 1920, u krijua Parlamenti i parë shqiptar, i dalë nga Kongresi i Lushnjës. Organi i parë legjislativ për Shqipërinë përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit dhe mund të quhej një shprehje e vullnetit të shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta.
Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme, ku akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjes që përbënte një ligj kushtetues.
– Kuvendi Kombëtar i Vlorës (1912) –
Institucioni i parlamentarizmit në Shqipëri ka histori relativisht të shkurtër dhe të lidhur ngushtë me evolucionin e shtetit shqiptar. Gjatë kësaj periudhe ai ka pësuar ndryshime të vazhdueshme duke iu përgjigjur sistemeve të qeverisjes apo dinamikës së kohës, duke krijuar përvojën e tij në mënyrën e organizimit dhe funksionimit dhe duke u kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend.
Institucioni i parlamentarizmit në Shqipëri i ka fillimet e tij prej ditës së pavarësisë, me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Si organi i parë përfaqësues i popullit, ai mori përsipër realizimin e detyrës së rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ai zgjodhi Qeverinë e Përkohshme, të kryesuar nga Ismail Qemali.
– Shteti shqiptar nën Princ Vidin dhe Statuti Organik i Shqipërisë (1914) –
Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës, parlamentarizmi si institucion u sanksionua në të gjitha statutet që pasuan konsolidimin e shtetit shqiptar. Për herë të parë ai parashikohet në Statutin Organik të Shqipërisë, të hartuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, më 1914, megjithëse, fillimi i Luftës së Parë Botërore e bëri të pamundur krijimin e një organi të tillë.
Sipas statutit, Asambleja Kombëtare, si organ legjislativ, përbëhej nga anëtarë të zgjedhur nga populli, anëtarë të emëruar nga princi dhe anëtarë “ex officio” (gjithsej 36 anëtarë).
Pas shpalljes së pavarësisë vite të tjera të vështira do të vinin për Shqipërinë. Megjithëse Traktati i Londrës kishte përcaktuar kufijtë e saj, dëshirat ekspansioniste të shteteve që donin të përfitonin më shumë territore ishin ende aktive duke ëndërruar përsëri ndarjen e saj. Në këto rrethana më 27 mars 1920 u mblodh Kongresi i Lushnjes.
Kongresi i Lushnjes, i mbledhur më 27 mars 1920, krijoi Senatin, Parlamentin e parë shqiptar (më vonë Këshilli Kombëtar), si organ legjislativ, i cili përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit. Kongresi shprehu në formë të organizuar politike vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta.
Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjes që përbënte një ligj kushtetues. Veprimtaria legjislative e Këshillit Kombëtar mori fund në dhjetor të vitit 1920, kur Këshilli u shpërnda për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri (mars 1921).
Këshilli Kombëtar (21 prill 1921-30 shtator 1923) – Statuti i Zgjeruar i Lushnjës
Nga zgjedhjet që u zhvilluan në mars të vitit 1921, vendi u përfaqësua me 78 deputetë. Që nga kjo periudhë, parlamenti filloi të shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli, me detyra të përcaktuara qartë në statutin e kohës. Zgjerimi që iu bë Statutit të Lushnjës, i cili në histori njihet si statuti i shtetit shqiptar i vitit 1922, e shndërroi këtë akt në një kushtetutë të mirëfilltë me fuqinë më të lartë në shtet dhe sanksionoi plotfuqinë parlamentare.
Organi më i rëndësishëm që ushtronte pushtetin legjislativ, i quajtur “Këshill Kombëtar” mori emrin “Parlament”. Si organ i vetëm legjislativ ai përbëhej nga një dhomë deputetësh të cilët zgjidheshin nga populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme (votim i tërthortë).
Në fushën legjislative, veprimtaria e Këshillit Kombëtar u përqëndrua në nxjerrjen e ligjit për organizimin gjyqësor, në plotësimin e rregullores ekzistuese me elemente të reja për transparencën e veprimtarisë parlamentare, betimin e deputetëve përpara Këshillit, etj. Në shtator të vitit 1923, Këshilli Kombëtar i mbylli punimet e tij në përfundim të legjislaturës 2 vjeçare për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të reja për Kuvendin Kushtetues, të cilat u mbajtën në dhjetor të po këtij viti.
Kuvendi Kushtetues, i përbërë nga 100 deputetë, ushtroi veprimtarinë e tij në dy periudha (21 janar-2 qershor 1924 dhe dhjetor 1924-2 mars 1925). Detyra kryesore e tij ishte hartimi dhe miratimi i një kushtetute të shkruar (prej së cilës mori dhe emrin) ku të sanksionohej forma e qeverisjes.
Objektivi nuk u arrit në periudhën e parë të veprimtarisë së tij për shkak të acarimit të situatës politike në vend me vrasjen e Avni Rustemit dhe atentatit që iu bë kryeministrit të asaj kohe Ahmet Zogu.
Më 2 qershor të vitit 1924 Kuvendi mbylli punimet e periudhës së parë. Pas shpërbërjes së Qeverisë, Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria, duke mbetur në ilegalitet deri në dhjetor të vitit 1924. Gjatë kësaj periudhe erdhi në pushtet Qeveria e Fan Nolit, e cila pati një jetë të shkurtër (qershor-dhjetor 1924).
Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, moment që shënoi në histori të ashtëquajturin “triumf të legalitetit”, rifilloi punimet Kuvendi Kushtetues. Ai arriti të përmbushte detyrën për të cilën ishte krijuar: miratimin e Statutit Themeltar të Shtetit dhe përcaktimin e formës së tij.
Statuti afirmonte formën e qeverisjes duke e përcaktuar Shqipërinë si Republikë Parlamentare “e kryesueme prej një kryetari sovraniteti i së cilës buronte prej popullit”. Me një vendim të posaçëm të Kuvendit Kushtetues, Ahmet Zogu u zgjodh në krye të shtetit. Parlamenti, për herë të parë dhe të fundit në historinë parlamentare të Shqipërisë, paraqitet i përbërë nga dy dhoma: Senati dhe Dhoma e Deputetëve.
Sistemi dydhomësh pati një jetë të shkurtër parlamentare dhe përbënte eksperiencën e vetme në historinë parlamentare të Shqipërisë. Dhoma e Deputetëve (Dhoma e Ulët) përbëhej nga 57 deputetë të zgjedhur nga populli ndërkohë që Senati (Dhoma e Lartë) përbëhej nga 18 senatorë, 2/3 e të cilëve zgjidheshin nga populli, ndërsa 1/3 nga Kryetari i Republikës.
Statuti afirmonte një sistem dydhomësh perfekt, por që në raste të caktuara i jepte përparësi Senatit, duke e vënë Dhomën në pozita inferioriteti. Një organ tjetër i Parlamentit ishte ai i mbledhjes së dy dhomave në një seancë të përbashkët, të quajtur Asamble Legjislative, që paraqitej në statut si organ më vehte.
Gjatë kësaj kohe parlamenti miratoi një sërë ligjesh me rëndësi ndër të cilat mund të përmenden: ligjin mbi bankën kombëtare, ligjin e pensioneve civile, etj. Ai u karakterizua nga mungesa e pluralizmit dhe për shkak të problemeve të mëdha të sistemit zgjedhor, ruajti një karakter përfaqësues fiktiv. Mungesa e partive politike karakterizoi të gjithë periudhën e sundimit të Ahmet Zogut si Kryetar Republike e më pas si Mbret i Shqiptarëve.
Shpërndarja e Parlamentit të Republikës erdhi pas debateve për ndryshimin e formës së qeverisjes, duke i lënë vendin zgjedhjeve të reja për Asamblenë Kushtetuese.
– Periudha e Mbretërisë Shqiptare 1928 – 1939 –
Asambleja Kushtetuese, e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928 me 58 deputetë, sanksionoi në statut formën “monarkike” të qeverisjes, dhe parashikoi sistemin njëdhomësh parlamentar. Shqipëria shpallej “mbretëri demokratike, parlamentare, dhe e trashëgueshme”, ndërkohë që Mbret i shqiptarëve sanksionohej “LartMadhëria e tij Zogu I, nga familja e famshme shqiptare Zogu”. Ajo i dha fund punimeve më 1 dhjetor 1928, duke u transformuar në parlament. Në këtë periudhë u miratuan akte të rëndësishme si kodi civil, kodi tregtar, kodi penal, apo kodi i procedurës civile të cilët shënuan shkëputjen drastike nga legjislacioni i periudhës osmane. Për këtë arsye, parlamenti i kësaj kohe u quajt nga Zogu I si “parlament konstruktiv” e “parlament reformator”.
Pas pushtimit Italian të Shqipërisë në prill të vitit 1937, Mbreti Ahmet Zogu I u largua nga Shqipëria. Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III, iu ofrua kurora e Shqipërisë.
– Parlamenti në periudhën e luftës –
Sipas statutit themeltar të mbretërisë shqiptare të akorduar nga mbreti, Viktor Emanueli III, shteti shqiptar ishte monarki kushtetuese. Pushteti legjislativ ushtrohej nga mbreti në bashkëpunim me Këshillin e Epërm Fashist Koorporativ. Më vonë, më 16 tetor 1943 me ardhjen e pushtuesve nazistë u mblodh Kuvendi Kombëtar me 247 anëtarë, i cili rivendosi krijimin e Këshillit të Lartë si kryetar shteti. Ai u kthye në parlament, duke ushtruar pushtetin legjislativ së bashku me këtë organ. Kjo periudhë karakterizohet nga mohimi i parimeve të parlamentarizmit.
– Parlamenti në periudhën e pasluftës –
Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të pasluftës u zhvilluan më 2 dhjetor 1945. Për herë të parë në votim morën pjesë edhe gratë. Në këtë periudhë u miratua kushtetuta e 14 marsit 1946, ku Asambleja Kushtetuese u kthye në Kuvend Popullor. Në kushtet e mungesës së pluralizimit politik në vend, Kuvendi Popullor ishte një organ formal i cili mblidhej në sesione vetëm dy herë në vit. Në vitin 1976 Kuvendi Popullor miratoi Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e cila ruajti më tepër tiparet e një programi politik plotësisht të ideologjizuar me ideologjinë e kohës. Roli i parlamentit mbetej fiktiv, sa kohë që nuk sanksionoheshin zgjedhje të lira dhe as që mund të flitej për pluralizëm. Pas 5 dekadash në Shqipëri shfaqen shenjat e para të rilindjes së parlamentarizmit. Pas një periudhe 67 vjeçare mblidhet parlamenti i parë pluralist i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 (250 deputetë). Ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, i miratuar në këtë vit solli ndryshime në kuadrin e organizimit demokratik të shtetit. Ai u plotësua gradualisht nga një sërë ligjesh të tjera kushtetuese, deri në miratimin e një kushtetute të re tërësore.
Më 21 tetor 1998 Kuvendi Popullor miratoi Kushtetutën e re, të hartuar edhe me ndihmën e organizmave ndërkombëtarë. Kushtetuta e re krijoi mundësinë për të kuptuar më mirë sistemin politik në Shqipëri dhe rolin e aktorëve të tij. Emërtimi Kuvend Popullor ndryshohet në Kuvend i Shqipërisë (njëdhomësh, 140 deputetë).
Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kuvendi, si organi më i lartë i Pushtetit ligjvënës, vazhdoi procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve. Gjatë këtyre viteve roli i Kuvendit është rritur ndjeshëm në krijimin e një kuadri kushtetues e ligjor, si premisë për vendosjen e shtetit juridik. Ai është kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend. Veprimtaria legjislative është bërë një nga instrumentët më aktivë në konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të integrimit euroatlantik.
*Titulli i redaksise se Dielli

Filed Under: Histori Tagged With: 95 vjet, Nga Parlamenti i Lushnjes, Parlamenti i Metes

Kush ia zgjodhi kriminelët Ramës

March 27, 2015 by dgreca

Nga Armand Shkullaku/*
Edi Rama duhet të jetë vërtetë në një hall të madh. Ai mezi arriti të lidhte disa fjali të enjten në Kuvend, kur nisi të fliste për pensionet dhe doli tek 21 janari. Në më pak se dy vjet në pushtet, kryeministri që mori përsipër Rilindjen e Shqipërisë po shikon t’i vërtetohen çdo ditë akuzat e kundërshtarëve të tij se ai synoi pushtetin si qëllim të vetëm, pavarësisht mjeteve për ta arritur atë. Se pranoi të bëjë aleancë edhe me djallin dhe tashmë ndodhet brenda lojës së tij.
Të enjten, pas votimit në Kuvend për t’i hapur rrugën arrestimit të dy deputetëve të shumicës, shqiptarët panë kryeministrin e tyre që foli se duhej të fliste, por në fakt nuk tha asgjë. Atë që nuk e tha me fjalë, Rama e demonstroi me nervozizmin e tij, me akuzat bajate ndaj opozitës, me rikthmin e 21 janarit për të balancuar politikisht prokurorinë dhe me mungesën totale të një ndjese publike. Ai u detyrua, faqe gjithë botës, të gëlltisë lugën e parë të çorbës që ka gatuar vetë.
Edi Rama është në hall në radhë të parë me aleatin e tij kryesor, Ilir Meta, të cilin dy vjet më parë e sulmonte me zemër dhe sot është i detyruar ta mbrojë fare pa zemër. Rama është gjithashtu në hall edhe me deputetët e tij. Ai i vërtiste fjalitë të enjten në gojë pa thënë asgjë, sepse nuk mund të fliste dot hapur për Tom Doshin, një nga njerëzit e tij më të afërt, të cilin e prezantonte dy vjet më parë si një nga Rilindasit e shquar të ekipit të tij, ndërsa tani i ka hapur rrugën për ta dërguar në qeli. Nuk flet dot as për Mark Frrokun, të cilin e bëri aleat për kokë, ndonëse e dinte që në partinë e tij, i dyti në listë ishte një individ i akuzuar për vrasjen e një oficeri të lartë policie. Nuk u del për zot as dy deputetëve me të cilët krenohej kur goditën kolegun e opozitës dhe tani me heshtjen e tij ka dhënë “miratimin” për dënimin e tyre.
Kryeministri do duhej t’u tregonte sot shqiptarëve atë që po ngjet me mazhorancën e tij. Se si ndodhi që ajo përfshi në një spirale të tillë skandali ku çdo ditë shfaqet një i akuzuar i ri dhe nuk dihet se ku do të përfundojë zinxhiri. Dhe për ta bërë këtë, Edi Rama kishte vetëm një mënyrë. Të fliste hapur dhe të kërkonte ndjesë publikisht. Të pranonte se ai e ka ditur që në fillim se çfarë individësh po u ofronte shqiptarëve për të votuar në listat e tij. Se çfarë aleancash lidhi për të ardhur në pushtet dhe deri ku u detyrua të shkojë për disa mijëra vota më shumë. Ai do të duhej të pohonte se gjithë kjo telenovelë e pështirë që po zgjat me javë është kësti parë i kredisë së lartë që Edi Rama ka marrë për të ardhur në pushtet. Dhe duke pranuar këtë, angazhimi i tij për një distancim nga bota e krimit në të ardhmen do të ishte më e besueshme. Pse jo, mund të kishte edhe mbështetje më të gjerë nga opinioni publik.
Në vend të ndershëmrisë politike në një moment kritik për Shqipërinë, kryeministri zgjodhi të bëjë atë që di më mirë. Ta shkarkojë përgjegjësinë tek të tjerët dhe të ndezë motorrin e lodhur të propagandës. Ai u përpëlit para Kuvendit duke mos gjetur asnjë argument bindës për atë që po i ndodh brenda vathës së tij. Mbajti një leksion të stërpërdorur mbi të djathtën, përsëriti batutat bajate me Shqup, u kujtua të kërkojë drejtësi për 21 janarin, provoi të bëjë herë grindavecin e herë strategun, por në fund nuk tha se si ndodhi që Rilindja sot po kthehet në Riciklim. Madje kulmin e arriti kur akuzoi opozitën se po bëhej zëdhënësja e Durim Bamit, një gangsteri nga Fushë- Kruja.
Në fytyrën e kryeministrit dallohej qartë se as ai vetë nuk i besonte ato që thoshte, por ishte i detyruar të thoshte diçka. Meqë nuk mund të shpjegonte dot se përse ky gangsteri nga Fushë Kruja, me dijenë e tij, pra të vetë kryeministrit, ishte takuar tri herë me ministrin e Brendshëm e me drejtues të lartë të policisë dhe ata e kishin pritur me kafe e muhabet në zyrat e shtetit, ateherë rrugëdalje e vetme mbetet propaganda dhe armiku i klasës. Në të kundërt, kryeministri do të duhej të shpjegonte edhe përse ai, ministri Tahiri dhe drejtori i policisë nuk bënë kallzim në prokurori për dëshmitë e gangsterit nga Fushë- Kruja, të cilin tani kërkon t’ia faturojë opozitës. Ky është vetëm një shembull nga logjika e hallit që e ka zënë kryeministrin. Sepse ka shumë e shumë të tjerë.
Në thelb të gjendjes në të cilën gjendet sot shumica dhe kryeministri, nuk është as mënyra se si bën opozitë PD dhe as se çfarë thotë apo nuk thotë Durim Bami. Problemi i vërtetë qëndron tek aleanca e dikurshme me djallin për të cilën ka ardhur momenti për të dhënë llogari. Sa më shumë të fshihet Edi Rama pas gishtit aq më të vështirë do ta ketë shkëputjen nga rrjeta që ka thurrur vetë. Në fjalën e tij në Kuvend kryeministri sugjeroi të mos përdoret fjala dekriminalizim i parlamentit sepse, tha ai, “populli nuk ka zgjedhur të përfaqësohet nga kriminelë”. Kjo është e vërtetë. Populli ka zgjedhur të votojë përfaqësuesit që i caktojnë kryetarët e partive. Se kë ka caktuar Edi Rama, sigurisht nuk është faji i popullit. Populli tashmë po rri e vështron. Dhe sot po sheh një kryeministër në hall.
*Kortezi-Koha Jone

Filed Under: Editorial Tagged With: Armand Shkullaku, kriminelët Ramës, Kush ia zgjodhi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT