• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

MBREMJE PREZANTUSE NE BUDAPEST

March 26, 2015 by dgreca

Mbrëmje letrare e prezantuese e romanit “217” i Driton Smakajt/
Shkruan: Hazir Mehmeti-Budapest/
UN-ELTE i Budapestit një dritare shprese për ringjalljen e aktiviteteve ndërkulturore mes dy popujve.Dr.Etleva Lala: “Krijimet letrare në mërgatë janë perla të jetës sonë këtu”. Dr.MusaAhmeti:. “Autori i romanit na e tregon të vërtetën përmes asaj që ai ka parë dhe nuk i shmanget përgjegjësisë”. Autori:”..unë vetëm kam dhënë pikëpamjen time…”
Pas Vjenës z.DritonSmakaj romanin e tij “217” e promovoi të mërkurën e kaluar në Budapest. Katedra e Albanologjisë në Universitetin ELTE të Budapestit ishte organizatore e këtij aktiviteti kulturor letrar për të parën herë siç u tha nga organizatorët. Mysafir ishin poet e krijues nga Austria pjesëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve “AleksanderMoisiu” me seli në Vjenë, anëtar të së cilës janë edhe krijues nga Hungaria e cila është edhe botuesi i romanit.Mbrëmjen promovuese letrare e pasuruan gjithashtu prezenca e profesorëve e studiuesve të albanologjisë nga kombe të ndryshme pranë katedres.Fjalën përshëndetëse në emër të nikoqirit e mbajti Dr.Etleva Lala, drejtuese e Katedrës. “Jemi të nderuar ta prezantojmë romanin e z.DritanSmakaj i cili jeton dhe vepron në Hungari me titullin sa intrigues, aq edhe domethënës “217”. Z.Smakaj nuk është i panjohur në fushën e krijimtarisë letrare. Ka botuar poezi, roman, tregime, novela. Krijimet letrare në mërgatë janë perla të jetës sonë këtu” Pjesëmarrësit dhe autorin e romanit i përshëndeti z.FatmirZajmi, konsull i ambasadës së Kosovës në Hungari. Fjalë rasti mbajti dhe z.AvniHafuzi, konsull nderi i Ambasadës së Shqipërisë në Hungari në temën: ”Shqiptarët në Hungari si krijues” Z.Hafuzi në temën e tij mes tjerash tha: “Është hera e parë në Hungari që prezantohet një roman i një shqiptari nga Kosova që jeton e punon këtu në Hungari dhe që shkruan në gjuhën shqipe. Është kjo diçka e bukur dhe me rëndësi, sepse tregohemi se ne jemi të gjithanshëm, jemi punëtorë të ndershëm, krijojmë vepra letrare e artistike që kanë vlera dhe na lartësojnë në mesin e krijuesve kombesh të ndryshme. Nuk kam hezituar të jem edhe unë si pjesë e donacionit për botimin e këtij romani për të cilin do flasin njohësit nga fusha përkatëse”. Në hungarisht lexoi poeziNemetNyibaSandor, kushtuar veprimtarit tonënë Hungari z.AvniHafuzi i cili e quan shpëtimtar të madh duke sponsorizuar 860 raste humane dhe kulturore. “Strehë dhe e ardhme për vlerat”- shkruan në një nga vargjet e tij. Në emër të LSHKSH “AleksanderMoisiu” Besim Xhelili, kryetar, dha një vështrim lidhur me veprimtarinë kulturore-letrare të vjetëve që nga themelimi i Lidhjes deri me tani. Studenti pranë Katedrës së Albanologjisë, z.RobertMarkus, dha vështrimin e tij rreth romanit “217” në gjuhën hungareze dhe shqipe.”Romani i z.DritonSmakaj, është, për mendimin tim, një roman shumë cilësor, i bukur dhe i dobishëm për studentët që studiojnë e mësojnë gjuhën shqipe këtu në UN-ELTE. Unë kam bërë një krahasim me romanet e këtij zhanri në hungarisht, dhe mund të them se ky roman nëse nuk është më i mirë se ata, është në nivel me ta.Dr.MusaAhmeti, profesor në AlbanianStudies Program, mbajti vështrimin kryesor rreth romanit. “Romani i z.Smakaj në vete ngërthen gjëra të bukura, gjëra reale nga përditshmëria, nga jeta, nga personazhet të cilat na rrethojnë e me të cilët jetojmë. Është paraqitur bukur shtrirja horizontale e romanit, përkatësisht fushë veprimtaria të cilën e ka ndërtuar autori. Ai shtrihet në tre kontinente dhe nuk është pak që ngjarja të ndërlidhet dhe bartët nga njëri në tjetrin kontinent, nga Europa në Amerikën Latine dhe nga atje në Azi. Vladivostoku nuk është zgjedhur si qytet i rastësishëm, por si qendër e asaj që po krijohet një e keqe me kodin 217-të. Në Europë, me mjeshtri autori e ndërlidhë atë që është mes Kosovës dhe arbëreshëve të Italisë, një “degë e këputur e një lisitë tharë” do thoshte De Rada. Autori duke e ndërlidhur traditën, ruajtjen e gjuhës dhe nxjerrjen e gjithë atyre personaliteteve të trashëgimisë sonë kulturore, të fjalës së shkruar të arbëreshëve që kurrë nuk u larguan nga përcaktimi i tyre kombëtar fillimisht e pastaj fetar, janë shembull për bashkëjetesë dhe për luftën e mbijetesës së kombit shqiptar. Ndërlidhjet mes personazheve nga vende të ndryshme është bërë me mjeshtri në rrethanat që zhvillohen në Europë, Amerikë e Rusi. Ndërlidhën e përditshmërisë z. Smakaje bënë me mjeshtri, bie fjala takimi me personazhin kryesor të veprës, Luli, i cili tani është figurë e njohur politike në Kosovë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në momentin kryesor në shpëtimin nga një katastrofë. Kurse Toni është vet Dritoni, autori i romanit i cili na e tregon të vërtetën përmes asaj që ka parë dhe nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reales”. Poeti dhe aktori shkodran RagipDragusha e freskoi mbrëmjen me recitimin e vjershës së tij “Breshka”. Një vështrim rreth romanit në kontestin historik e mbajti z.AntonMarkut, kurse autori i romanit z.DritonSmakaj, pasi falënderoj organizatorët, sponsorët, botuesin dhe pjesëmarrësit, ai në fjalën e tij dha një përmbledhje të rrethanave ku mori brumin romani. “Kisha fatin të jem pjesë e luftës dhe kam mbajtur ditar dhe përgjithësisht unë kam dhënë pikëpamjen time. Ai u ndal edhe rreth rrethanave shoqërore sot lidhur me vendlindjen. Me autorin rreth romanit u diskutua në një atmosferë miqësore.
Ishte kjo një mbrëmje e bukur e ngrohëse nga Budapesti, pas atyre skenaverrëqethëse të refugjatëve shqiptarësh nga Kosova. Miqësia hungareze ndaj gjuhës, kulturës dhe shqiptarëve jeton thellë në rrënjët shekullore të dy popujve.

Filed Under: Kulture Tagged With: e prezantuese e romanit “217”, Hazir Mehmeti, i Driton Smakajt, Mbrëmje letrare

Xho, heroi im

March 26, 2015 by dgreca

Ilir Levonja/Florida/
1) Emri i tij është Josef Manfredonia. Pjestari më i moshuar i skuadrës sime. Vjen nga Napoli i Italisë. Fëmijë emigrant i viteve të luftës së dytë botërore. Sa herë që rrëfen ikjen nga lagja e tij poshtë Vezuvit, i shkasin lotët në atë farë feje sa ti që e paragjykon një burrë duke qarë, do befasohesh. Xhosë i shkojnë për bukuri. Ngjan me Jezusin e madh, sidomos pasi heq syzat me skelet të praruar prej ari të bardhë. Tetëdhjetë e pesë vjeç, i drejtë, i pastër dhe i freskët. Gjithë pranverë në fjalët e tia. Nuk lë grua a vajzë pa u bërë komplimente. Nuk lë ditë mëngjesi pa e bekuar. Ka diçka të re për çdo datë. Të ndalon dhe gjithë kënaqësi nxjerr foton e nipit duke kënduar në një nga skenat e teatrove të Miamit. Të mbesës shkenctare. Të djalit apo vajzës në punët e tyre. Dhe prapë bekon Zotin. Dhe prapë loton kur kujton Vezuvin, mbrëmjet e Napolit.
2)Xho’ja apo Xho’xhoja siç i thërrasim ne…, ka punuar si manaxher i estetikës në një nga kompanitë më emër në Amerikë, Mejsi (Macy’s). Eshtë një pensionist i hershëm dhe punon me ne për të mundur ditët e zbrazta. Për të mundur edhe vdekjen. Ose siç thotë ai, për të mos u zënë me gruan në shtëpi. E cila nuk bën asgjë tjetër veç kullohet pas televizioneve italiane. Shan u bërtet politikanëve sikur t’i ketë aty. Unë gajasem kur ai mi tregon dhe i them se edhe ju në Itali bëni kështu. Ai më përgjigjet se Italia është e kalbur nga korrupsioni. Edhe pse ka shpirtin njerëzor më të bukur në botë.
Nge një makinë të madhe të markës Lincoln, ëndërr e hershme.
Ti kthehemi realitetit: ka edhe moshatarë të tij që punojnë për të plotësuar faturat. Dhe ata të thonë shkurt se, mirë që ka mundësi punësimi për moshën tonë. A nuk i del Xhosë pensioni? Pensioni i shtetit jo, por Xhoja ka aplikuar edhe të tjera rrugë. Fondet e pensionimeve private. Nga ana tjetër punën që bën tashmë e quan akoma më vlerë pasi mund ndryshkun e tavolinës ku luhet tavëll ose domino.
Kur flas unë me Xho’n është një dialog që i kënaq të tjerët. Xhoja e di që unë kuptojë shumë mirë italisht. Ndaj më flet në gjuhën e tij. Unë qesh dhe i përgjigjem në anglisht, pasi më ngatërrohen gjërat, mendimet. Të tjerët po ashtu qeshin. Megjithatë Xhoja vazhdon duke plotësuar edhe dëshirën time. Pasi i kam thënë dikur për shkak të mos komunikimit po e humbas italishten. Dhe ai sapo vjen më thotë buongiorno. Më pyet se si janë punët. Si jam unë. Dhe unë i përgjigjem një për një. Ndërsa nga ana tjetër prapë e ka një këshillë. Një frazë që ia vlen të përmendet. Sapo i them se gjithçka në rregull dhe unë nuk ankohem ai më përgjigjet. Nëse nuk ankohesh do të thotëse nuk sheh dhe nuk ndjen asgjë. Qeshim dhe atëhere biseda bëhet më e sinqertë. Prekim problemet e ditës, qejfmbetjet e njerëzve. Dhe Xhoja e ka një këshillë. Veç në fund prapë të thotë, mos bëj plane me mua. Bëj projekte, bëje plane, por jo me mua. Beji me këta të rinj e të reja që ke rreth e rrotull. Unë sot jam, po nesër nuk i dihet. Në vënd që të vi unë në punë, të vjen lajmi që kam shkuar me të shumtit.
Dhe në fakt ka ndodhur disa herë, kemi pritur me sytë nga dera, por ai nuk ka ardhur. Më vonë na kanë telefonuar nga shtëpia që Xhoja ndodhet në spital, një herë hemoragji stomaku, një herë diçka tjetër. Por ai gjithmonë është kthyer, ashtu i qeshur, gazmend duke përshëndetur gjithsecilin. Duke thënë… djema çfarë të bëj, i shkoj asaj viranes në derë por ajo nuk më pranon. Ik tutje më thotë se nuk të ka ardhur radha.
3)Përse Xho është heroi im? Përse…, edhe pse përciptas na shkon mendja tek pensionimet e shqiptarëve. Ja disa përfundime që mund të interpretohen nga vetë lexuesi.
-Të mos injorosh të ardhmen tënde, por të jesh i qartë për ‘të.
-A mendon për të ardhmen tënde aty ku punon?
-Nga ballafaqimi i situatave të trishton një shifër që del nga të dhënat e Zyrës për Çështjet Sociale në Shqipëri. 12 mijëlekshi i pensionimit. I vetmi dhe pa programe të tjera që të ndihmojnë pensionin. Që po sipas kësaj zyre, pas një reduktimi shpenzimesh të domosdoshme si fatura e ujit, e energjisë, e barnave etj. Një të moshuari i mbeten 6 dollarë për ushqim e argëtim.
-A ka ardhur koha që në atë vendin tonë të aplikohen edhe fondet e pensionimeve? Në bazë të punës së individit. Jo nga ato që i sjell një fëmijë, prindit?
Si përfundim:
-Ja arritjet tona.

Filed Under: ESSE Tagged With: heroi im, Ilir Levonja, Xho

Shfletime- Skafistët në Top Sekret nga Ylli Polovina

March 26, 2015 by dgreca

Për disa vjet, z. Ylli Polovina ka shërbyer në Përfaqësinë diplomatike të Shqipërisë në Romë dhe më tej në Ministrinë e Jashtëme. Nga Ditari i tij i Romës ka dalë edhe ky libër që mëton të pasqyrojë një dukuri kryesore në marrëdhëniet e shtetit demokratik shqiptar me fqinjën e tij të përtejdetit, për afro 10 vjet.
Unë vetë, mbase edhe shumë bashkëkombës të mij, që i kemi përjetuar ato ngjarje kryesisht përmes shtypit e TV, nuk mund ta kemi kuptuar kaq thellë sikurse autori i këtij libri dramën e madhe të betejës së shtetit me transportuesit ilegalë të klandestinëve nga bregdeti shqiptar në atë puliez-italian. Po ashtu të tensioneve politike ndërmjet qeverisë sonë dhe asaj italiane gjë që pasqyrohej në shtypin dhe median sidomos të vendit fqinj të madh dhe në opinionin vendas italian ndaj emigrantëve shqiptarë. Fatmirësisht kjo situatë mund të konsiderohet tashmë e kapërcyer. Shqiptarët, edhe ata në Itali, me punë e tyre të ndershme dhe mijëra bizneset e hapura nga ata e kanë përmirësuar dukshëm imazhin për ta dhe për Shqipërinë. Këtë e ndjej edhe unë personalisht, pasi të dy djemtë e mij jetojnë e punojnë atje që prej njëzetë vjetësh.
Sigurisht, kontrabanda gjallërohet dhe forcohet atëhere kur ka ndalesa, shtrëngime, në këtë rast edhe mungesë të liberalizimit të vizave. Gjithkush e ka vënë re se si ka ndryshuar qendrimi i qytetarëve të Shqipërisë ndaj problemit të emigrimit ilegal pas dhjetorit 2010 kur ata e fituan të drejtën të lëvizin lirisht në tërë zonën Shëngen.
Por edhe përmirësimi i kushteve të jetës në Shqipëri ka ndikuar ndjeshëm në këtë çështje.
Mjerisht bashkëkombësit tanë në Kosovë jetojnë ende në një “ishull” apo “geto” brenda Evropës, nuk kanë të drejtë të lëvizin përveç vetëm në katër vende fqinj. Ky fakt dhe papunësia masive shkaktoi edhe eksodin e tyre të vërejtur gjatë periudhës shtator 2014-shkurt 2015.
Z. Ylli Polovina jep fillimisht kronikën e një ngjarje të pazakonte gjatë 46 viteve të regjimit komunist: hyrjen në ambasadën italiane në dhjetor të vitit 1985 të gjashtë anëtarëve të familjes Popa, të cilët mundën të shkojnë në Itali vetëm në maj të vitit 1990. Mandej ai ndalet ne ikjet e tjera që kulmojnë në korrik 1990 me “invadimin” e ambasadave të huaja nga mijëra shqiptarë. Ato ditw unw dhe djali im i vogwl ndodhesha nw Itali si mysafir te tezja. Ngjarjen e mësova nga televizioni. Në fakt u befasova. Paskëtaj nxitova të kthehem në shtëpi nga droja për familjen dhe djalin tjetër më të madh. Nuk e harroj, kur kaluam me furgon në rrugën e Durërsit dallova një kordon të madh me skëndërbegas që kishin bllokuar hyrjen në rruhën Skëndërbej ku ndodheshin shumica e ambasadave të huaja. Disa ditë më pas na mblodhën në Shesh Skëndërbej për të “dënuar” veprimin e iksësve në ambasada. Vëllezërit e mij nuk kishin guxuar të hynë në ambasada gjithnjë duke dyshuar në një lojë të shtetit komunist. Ata ikën në emigracion me viza të rregullta.
Padyshim, viti 1991 shënoi eksodet masive biblike të shqiptarëve në Itali e Greqi. Të gjitha këto pasqyrohen në libër kronologjikisht me shifra dhe emocione.
Për dhjetë vjet (1992-2002) vijoi historia e transportit të klandestinëve me gomone e cila u shkaktoi mjaft kokëçarje si qeverive demokrate ashtu edhe socialiste, po ashtu atyre italiane, por mbi të gjitha u shoqërua edhe me shumë fatkeqësi njerëzore.
SHFLETIME- Ja disa fragmente nga libri:
f.41
Kontrabanda e shtetit komunist
Nuk ishte hera e parë që media italiane bënte të ditur se organizata e tyre mafioze Santa Corona Unita kishte bërë, që prej fillimit të viteve tetëdhjetë, një marrëveshje të fshehtë me shërbimin e fshehtë shqiptar, Sigurimin dhe të dy merreshin me trafik duhani.

f.64-65
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, faturat që shoqëronin një djath (të ndihmave italiane), tregonin se ai ishte paguar me 9000 USD /t kur në tregun evropian gjendej me 1300 USD/t.
“Kemi pritur ndihma për dhjetë miliardë lireta dhe ajo që ka arritur nuk e vlen as sa gjysma e kësaj shume”- vijonte ankesa nga Tirana. “I kemi magazinat plot me kuti sallatash dhe lëngje frutash, kur në të vërtetë kemi kërkuar grurë, miell, qumësht dhe mish. Nga këto pothuaj nuk ka mbërritur asgjë”.
..Organizmi me prestigj i OKB-së që merrej me mbrojtjen e jetës së fëmijëve, shpalli alarmin: në Shqipëri një fëmijë në tre vuante nga mosushqimi dhe vdekshmëria foshnjore dy vitet e fundit në këtë vend ishte rritur nga 24 në 34 për mijë.
f.67
Më 15 tetor, mes shumë përfoljeve, u bë e njohur se Prokuroria e Romës kishte nisur hetimet për ndihmat dhënë Shqipërisë gjatë vitit 1991 nëpërmjet shoqërisë “Levante Co”.
f.69
Mbytje në vitin e Ri 1993
(Më 30 dhjetor 1992) u mbyt një peshkarexhe vetëm 3 km larg brigjeve pulieze. Nga 15 vetë në bord shpëtoi vetëm njëri, 24 vjeçari S.K…Në vesh ende nuk i ishin shuar ulërimat e shokëve të tij, thirrjet për ndihmë dhe më në fund heshtja e rëndëe dallgëve të atij deti gjashtë ballësh, shiu që binte, i ftohti dridhës.
f.78
Në 24 prill (1993) në Shqipëri bëri një vizitë papa Vojtila, për të cilin një muaj më parë kuestura e Triestes kishte mbledhur disa të dhëna se donin ta vrisnin pikërisht gjatë kësaj vizite dhe se atentatorët do të ishin myslimanë…Por agjentët 007 verifikuan në vend situatën dhe nuk konstatuan ndonjë rrezik, po ashtu vunë re gatishmërinë miqësore që vihej re tek myslimanët shqiptarë për ta konsideruar Papën një mik të vendit të tyre.
f.91
Nga qershori (1995) deri në fund të javës së parë të gushtit buletinet e operacionit “Salento” regjistruan 1196 klandestinë të bllokuar. Ose njëzetë në ditë. Përfunduan në sekuestrim 90 skafe.
f.93
E megjithatë zbarkimet ilegale vijuan bashkë me mbytjet e radhës. Më 12 shtator një gomone tetë metra e gjatë dhe me 30 emigrantë mbi shpinë mori flakë dhe shumica e klandestinëve të pafat, përmes klithjeve e thirrjeve për ndihmë, humbën jetën mes territ dhe dallgëve. Tragjedia ndodhi në ujrat ndërkombëtare, njëzetë milje nga porti i Vlorës dhe njëzetetetë nga ai i Otrantos.
…Kur firmat piramidale atë vit nisën të jepnin 10-12 % interes në muaj shumë skafistë i shitën gomonet dhe i depozituan paratë në këto firma…Po kështu edhe emigrantët.
f.96
Kontrabanda e cigareve nga Mali i Zi konkuron
Në një rrugë një skaf kontrabande duhani nxirrte nga 500 milionë gjer 1.5 miliardë lireta fitim, kurse një gomone shqiptare me klandestinë deri në 30 milionë lireta.
f.105
Mbytja me goditje e “Katerit të Radës” në mars 1997 i mori jetën 106 vetëve nga 142 gjithsej që ishin në bordin e saj.
f.113
Me 11 dhe 12 dhjetor (1998) në bregdetin puliez u identifikuan dhe u bllokuan gjashtëqind klandestinë, me 27 – treqind të tjerë, duke bërë të rezultonte për të gjithë vitin 1998 një shifër prej 38 mijë njerëzish. Kjo donte të thoshte më shumë se dy herë nga një vit më parë.
Me ritëm të lartë gjatë vitit 1998 vijuan edhe jetëhumbjet. Më 19 janar një tridhjetëvjeçar nga Vlora u ça nga helika e skafit, ra në ujë gjatë një manovre të tij..Me 9 shkurt në mesnatë deti u egërsua dhe një skaf i gomtë u shfry nga njëra anë, shumë udhëtarë ranë në ujë, duke u përpjekur të mbaheshin me thonj te gomonia. Por për një pjesë deti u bë një vrimë e zezë përpirëse….Kur erdhën ndihmat vetëm 14 vetë kishin mundur të mbijetonin. Dy kufoma i gjetëm menjëherë tek notonin përreth gomones gjysmë të shfryrë, tre trupa të tjerë pas ca kohe dolën mbi ujë, por ranë dhe u zhdukën nën ujë sërish. Njëra nga viktimat quhej Mariola, njëzetë vjeçe. I ati prej vitesh jetonte e punonte në Itali dhe po e priste. Kur e pa trupin e saj në morgun e Brindisit dhe e njohu ja dha një ulurime rrënqethëse.
Më 2 mars një emigrant nga Durrësi, tridhjetëvjeçar, ra në det dhe helika e çau në përmes.
Më 25 tetor eksodi mori jetë të tjera (gjashtë vetë) kurse më 29 nëntor vdiqën të tjerë. (katër që ishin nga Shqipëria e Kosova)
f.127
Nuk kanë munguar edhe sjelljet kriminale, ku skafistë të veçantë, më shumë se të punësuar tek “bosët”, aventurierë të pavarur, t’i kenë lënë klandestinët e zbarkuar pa shoqërues, nëpër shkëmbinj larg bregdetit, i kanë çuar në ishuj shqiptarë dhe u kanë thënë “mbërritët në Itali”, i kanë kërcënuar me armë apo me thika.
f.163
Ana Oksa, (Hana Hoxha) fituese e festivalit të San Remos (1999) deklaroi para gazetarëve: Nuk janë shqiptarët ata që po prishin Italinë. Ajo që po kalojnë ata mund t’u ndodhë të gjithë popujve. Jepuni një dorë shqiptarëve, ndihmojini, sepse aajo që po ngjan me ta mund të ndodhë edhe me ju.
f.165
Gazetari Bruno Krimi:
Qeveritë greke, përfshi edhe atë të Kosta Simitis, janë aleatë me Millosheviçin, një nga armiqtë kryesorë të Uashingtonit.
f.175-176
Në 17 janar 2000 “La Gazzetta del Mezzogiorno” botoi shkrimin “Gomonia e mbytur” dhe rrëfimin tragjik: ishte një helikopekter i Rojes Financiare Italiane që kishte diktuar afër ishullit të Sazanit mbeturinat e gomones së shpërthyer dhe të përmbysur. Motovedeta që shkoi në vend, vuri re mbi shpinën e skafit kufomën e dekompozuar të një gruaje. Të dhënat e para flitnin për 59 të vdekur, shumica shqiptarë, pastaj katër vajza moldave, disa kinezë, jo pak kurdë.
Më 19 janar shumë nga gazetat kryesore italiane filluan të numëronin të gjithë klandestinët e mbytur në det gjatë vitit 1999. Ishin që të gjithë të ardhur nga Shqipëria: 177
f.199
Kataldo Mota, shef i distriktit të antimafies të Salentos: Lufta në det pothuaj është e pamundur, ndoshta duhet ndërhyrë seriozisht në Shqipëri. Mbase duhet rimenduar për ta ndryshuar radikalisht trajtimin e dukurisë së emigracionit në një mënyrë për ta nxjerrë nga këto kushte ilegaliteti.
f.203
..që nga janari i vitit 2000 në Itali ishin kapur 3780 klandestinë ose më pak se gjysma e periudhës së njëjtë të vitit të shkuar.
f.210
(Më 26 korrik gazeta “Corriere della Serra”) : Italia për Shqipërinë është një lloj Amerike…shqiptarët gjithsej janë sa banorët e Romës, toka e tyre është e madhe pak a shumë sa Siqelia, tre vetë në dhjetë nuk lexojnë dhe nuk shkruajnë, katër kryetarë familjesh në dhjetë janë të papunë..
..600 miliardët e shpenzuar nga Italia për Shqipërinë ose aq sa kanë dhënë së bashku amerikanët dhe grekët…300 miliardë shpenzime që prej vitit 1991, 470 miliardë të tjera për projekte në përfundim apo në prag të ekzekutimit..
f.215
Gazeta “La Repubblica” botonte një statistikë sipas të cilës: në Itali kishte 127 mijë emigrantë me leje qëndrimi të rregullt dhe 27 mijë klandestinë të dëbuar.
…Nuk i interesonte fakti që:
sa të ardhura i sillte vendit të tyre tregtia me Shqipërinë dhe sa ishin në vend fitimet e ndërmarrjeve italiane në Shqipëri, ku masivisht rroga mujore e shqiptarëve të punësuar në to nuk i kalonte 150 mijë lireta në muaj. Po ashtu, sa miliarda lireta kishin mbushur bankat italiane nga puna e ndershme e 132 mijë emigrantëve shqiptarë të rregullt, për të mos thënë më pas se për sa pleq përkujdeseshin ata, sa fëmijë mbaheshin prej tyre, sa shtëpi pastroheshin, në sa fusha mblidhej domatja e vilej ulliri, sa bagëti rritnin duart e tyre me kallo dhe sa tokave u shkulnin ferrat.

..Sipas Fondit Monetar Italia është konfirmuar si partneri i parë tregtar duke thithur 68 % të eksporteve shqiptare dhe duke kontribuar me 34 % në importet e këtij vendi.
f.239
Më 2001 shifrat dëshmonin se klandestinët e ardhur nga Shqipëria nëpërmjet skafeve ishin pakësuar tre herë, kurse 2002 u bë viti i tatëpjetës së tyre finale. Më 22 shkurt italianët Xhankarlo Korbeli, Graciano Pardini dhe tre bashkëpunëtorë të tyre u vunë nën pranga nga DIA e Barit me akuzën për furnizim me skafe të kontrabandistëve të cigareve në Greqi, Shqipëri e Mal të Zi.
…Sokol Koçiu, tashmë i arrestuar dhe i akuzuar nga një gjykatë në Tiranë për trafik droge do shërbente si fije e magjishme për t’i shpënë prokurorët italianë të Barit në kantierin “Regalo sh.p.k” në Shkozet të Durrësit.
f.235
Shqipëria nuk ishte më “Republika e Skafeve”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: ne Top Sekret, Skafistet, Ylli Polovina

Prof. dr. Ylli Vejsiuit iu dha Lamtumira e fundit

March 26, 2015 by dgreca

Ditën e mërkurë, dt. 25.03.2015 u nda nga jeta në moshën 73 vjeçare akademiku dhe politikani i shquar prof. dr. Ylli Vejsiu.
I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për matematikë dhe ekonomi Prof. dr. Ylli Vejsiu u bë i njohur si matematikan, ekonomist dhe
demograf. Ndër vite ka kryer punën e pedagogut në Fakultetin e Shkencave të Natyrës e më pas është transferuar në Drejtorinë e Statistikës si kryespecialist në Komisionin e Planit të Shtetit.
Pas zhvillimeve demokratike në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, Prof. Dr. Ylli Vejsiu u përfshi në politikë, ku zhvilloi një karrierë të shquar dhe plot kontribute. Në vitet 1992 – 1996 ai u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe ka mbajtur edhe postin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Ka qenë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
Si akademik është autor dhe bashkautor i njësërë monografive dhe teksteve mësimore. Që prej vitit 2009 ka qenë anëtar i Bordit Drejtues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC). Pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore në vitet e fundit, ai dha kontribut të vyer në Institut me staturën e tij si njeri i shkencës dhe i politikës.
Ceremonia funerale dhe nderimet e fundit u kryhen ditën e enjte, dt. 26.03.2015, ora 14.00, në adresën Rr. Mihal Grameno, 100 metra mbi shkollën e Baletit.
(Njoftim i INSTITUTIT SHQIPTAR TE MENDIMIT DHE QYTETËRIMIT ISLAM)

Filed Under: Kronike Tagged With: iu dha, Lamtumira e fundit, Prof. dr. Ylli Vejsiuit

Albert Stanaj kendon krah Chris Brown

March 26, 2015 by dgreca

Albert Stanaj, i thjeshtë dhe me ambicje duke kënduar krah Chris Brown, Drake dhe producentit Jay-Z/
LOS ANGELOS CA : Me shumë mundësi as që ia keni idenë se kush është Albert Stanaj, por të jeni të sigurt se ky djalë do të bëjë bujë këtë vit. Dhe këtë e paralajmëron në profilin e tij në Instagram, ku shihet duke kënduar krah Chris Brown, në shtëpinë e Drake dhe në krah të producentit Jay-Z, kompania e të cilit ka në menaxhim këngëtarë si Rita Ora, Rihanna, Kanye West e shumë yje të tjera të muzikës. “2015, vetëm jini gati,” shkruan djaloshi shqiptar duke lënë të kuptohet se emri i tij do të dëgjohet fort gjatë këtij viti.
Ai ka kënduar dhjetëra këngë të famshme të cilat i ka postuar në Youtube, Vine, Instagram etj. dhe mbështetëse e tij madje është edhe Kim Kardashian, e cila ka postuar videon e tij duke kënduar “Only One” të Kanye West në Twitter. 20-vjeçari Stanaj, në profilin e tij në Instagarm ka edhe foto me futbollistin Xherdan Shaqiri për të cilin thotë se është mbështetës i tij. Dhe ajo që duket qartë, është se talenti i tij është i jashtëzakonshëm. Ai jeton nw New York ku prej pak kohësh është diplomuar në shkollën e mesme Archbishop Stepinac në të cilën ka fituar brsë për talentin e tij të jashtëzakonshëm në teatër.
Stanaj është shfaqur edhe në “Dancing With the Stars” në rolin e këngëtarit pak kohë më parë. Gjatë një interviste për Creative Recreations, ai ka folur për idhujt e tij më të mëdhenj në muzikë të cilët ishin Michael Jackson, Maxwell dhe Whitney Houston. Grupet e produksionit The Stereotypes dhe Da Internz, me të cilët po punon Stanaj aktualisht, kanë punuar edhe me yje si Rihanna, Big Sean, Justin Bieber, Chris Brown etj. kështu që kjo, mund të jetë një mundësi e artë për 20-vjeçarin. Rita Ora, liro rrugën, një shqiptar tjetër po është gati të shkëlqejë në Hollywood.(Zach Frydenlund is a writer living in New York City and an elite blogger for Complex Music. Follow)

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Stanaj, kendon, krah Chris Brown

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT