• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

TIRANA IME E VOGËL

March 23, 2015 by dgreca

(Sa e vogel ne universin e madh)/
Shkruan:Englantina MANDIJA/
POETJA/
…Ato ishin vitet e pritjes pa fund të ëndrrave pa shpresë. E kur qielli u ça, u përballëm me një realitet të pa imagjinuar buzë një krateri, llava e të cilit që valonte tash sa mot, shpërtheu me një urrejtje e zemërim të frikshëm.
Shpirtra të trazuar, të shkretë e të humbur, që kërkojnë vetveten me delir, të çuditshme, me sy të marruar, gjysmë të verbër nga errësira e gjatë e jetës, në një përplasje të egër iluzionesh e disiluzionesh, për të vendosur një ekuilibër të ri.
Në nebulozën e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të XX, shqiptarët e gjetën veten jashtëzakonisht të pafuqishëm, të pa mbrojtur e krejtësisht të hutuar.
Vjeshtë Tirane, që çfarëdo të ndodhte, ishte aty si mali i Dajtit dhe përvijimet e detit që duken prej tij, një ngushëllim jo i vogël.
Pikërisht atëherë, u shfaqën nën qiellin me re të kryeqytetit, një Papë, një Shenjtore dhe një Zonjë e aristokracisë së lartë, një Poete.
Zonja elegante, me një gjerdan perlash në qafën e gjatë si të një mjellme, qe një ëndërr e prekshme, disi e besueshme, tek zbriste shkallët e hotel Dajtit, me një buzëqeshje gati hyjnore, një vegim yllësie me flokë të bardhë e fytyrën fisnike pa asnjë rrudhë, me sy të zinj depërtues, të butë e jashtëzakonisht inteligjentë, që dukej si një dhuratë nga Zoti, si një oaz shlodhjeje pas një rrugëtimi të gjatë.
E disa ëndërrimtarë, si puna jonë, që nuk u pat vdekur fare shpresa për mrekulli të rralla, u kuturisëm të bënim një dokumentar në TVSH për Nermin Vlorën. Po sikurse ca flluska të tjera edhe kjo mbeti e tillë, sepse grupi i xhirimit u shpërnda në “drejtime të panjohura” dhe mua më mbeti në dorë shkrimi me titull: “Tirana ime e vogël”, sipas një poezie brilante të saj:

TIRANA E VOGËL

Papritur një rreze dielli
Ndriçoi emrin tënd
Dhe rininë time të hershme
E të pashë krejt e habitur
Dëgjova nëpër ajër,
Tingujt e lashtë të një melodie,
Që kumbonte
E shoqëronte këngën
E myezinit
Simbolet e para të dashurisë,
Që më ngjitën drejt qiellit
E një lot ma njomi zemrën
Të thirra atëherë
Tirana ime e vogël
(Sa e vogël në universin e madh!)
Dhe prita të dëgjoj
Me dridhmë jehonën e Dajtit
Po dielli u zu
Dhe ndjeva
Një rrëqethje fantazmash
Gjoksin të ma shtrëngonte

Nermin Vlora, 1967

DITË ME SHI NË TIRANË

Shi, shi i rrëmbyer Tiranë. Një vajzë e vogël me emrin Nermin, mbetet befas matanë Lumit të Lanës, ndërsa nëna e saj, zonja Belkiz e pret në anën tjetër.Vajza e vogël e përlotur, s’di nga t’ia mbajë. Një burrë i moshuar e pyet:
– Ç’ke moj bijë?

Vajza dëgjon zërin e nënës dhe tregon, me dorën e vocërr, se nuk e kapërcen dot lumin e rrëmbyer dhe atje, atje tutje, është nëna e saj që po e thërret: “NERMIN!”…
Ç’qe ky episod i çuditshëm? Një shenjëz, një parathënie e viteve të mëvonshme të pritjes së gjatë, tepër të gjatë për takimin e shumëpritur midis nënës dhe bijës?
Asaj çupëze të vogël për vuajtjen dhe pritjen plot durim, fati i fali hapësirat e detrave, oqeaneve, kontinenteve dhe mundësinë e fjalës me yllësit…
Goca e Tiranës së vogël, u bë një zonjë e nderuar, intelektuale e ndritur, që me humanizmin, dijet enciklopedike, arriti të futej në thellësitë e shekujve, për të njohur të sotmen dhe për të parathënë të ardhmen. Forca kreative e Nermin Vlorës ka një opus shumë të gjerë, në fushën e gjuhësisë, prozës dhe veçanërisht, të poezisë. Me një sensibilitet të rralle poetik ku dendësohet malli e brenga njerëzore dhjetëra vjeçare, për Tiranën e vogël, nënën, gjyshen shkollën, shoqet,shtëpinë, atdheun e gjithçka shqiptare.
“Muza e poezisë sime lindi në Shqipëri. (Poezia e parë u botua këtu, në moshën 12 vjeçare), u rrit në Shqipëri, këndoi për Shqipërinë në masën e një harmonie midis popujve të Evropës, si qytetarë të Evropës që jemi”.
Kjo është më se e vërtetë. Në këtë kohë kur thirrja e brendshme e shpirtit të Kombit kërkon të ketë një Shqipëri të bashkuar “Si gjithë Evropa”, krijimtaria poliedrike e Nermin Vlorës, është një shembull i forcës kreative të këtij populli të lashtë e fisnik, bijtë e të cilit, siç ka shkruar Barleti: “Ndjekin gjurmët e fisit e gjakut të vet”.
Poezia “NJË KRIZË”, vjen pas pas lajmit të vdekjes së gjyshes në Tiranë. Fytyra e gjyshes është vizatuar në poemën “ARRATISJA”, që është vjershërimi më i bukur i vëllimit “NGA GJYSËMHËNA, TEK HËNA”,botuar më 1973.
Një ditar i plotë poetik, që lidhet me atdheun, fëmijërinë, rininë, dashurinë, martesën, arratisjen nga ardhja e nazistëve në Shqipëri me një mijë rreziqe, poema si një elegji, largimi nga lufta shkatërrimtare, e mjaftë për t’i dhënë njeriut që e ka parë në sy për të gjithë jetën të bëhet kundër saj, kundër kasapëve të njerëzisë.
Dhe kudo mesazhe të Atdheut, sado larg që të jetë, POETJA, sado që në poezinë e saj të fryjë flladi i kozmosit, i universit, yllësive, misterit të jetës dhe vdekjes, do të dali pa pritur një mall tjetër i largët që të kujton dhimbjen e thellë të ndarjes, siç qe vdekja e gjyshes Mevedet, aq e dashur dhe e respektuar nga Nermini.
Mevedeti, vajza e madhe të Ismail Qemalit, e vdekur në një varfëri ekstreme, sa që të bijës, Belkizit i pat mbetur peng në zemër, se nuk pati as sheqer për t’i bërë një çaj, në çastet e saj fundit, se gjithçka që patën, ua rrëmbeu pushteti popullor…
“Në mjegullën e kohës,
Ende kujtoj lamtumirën e gjyshes
Dhe buzëqeshjen e ëmbël të ngrirë
Nga hidhërimi, që s’e pashë më kurrë!”
Asgjë më tepër. Poezia e Nerminit, frymëzon ligjin e mirësisë:
“Vjersha është gjuhë ndërkombëtare. Vjersha nuk pranon dallime klasash. Vjersha nxirret nga burimi i misterit të krijimit, me forcën e artit, duke kaluar nëpër vijat e imta të fjalës, e cila dhuron atë që i është caktuar për të pushtuar vetveten, në kërkesë të vlerave madhështore të shpirtit”, shkruan autorja në parathënien e librit me vjersha “Zotëruesi i kohës”, botuar në vitin 1967.
Nga Tirana e vogël, në hapësirat e pafundme, shpirtin e etur të POETES nuk e pengon asgjë, për të kërkuar misterin e jetës e për të gjetur afërsitë shpirtërore në gjithësinë e pamasë.
“Në dritën e rrufesë
Sytë e tu pashë
Në një natë me stuhi
Pastaj zbardhi dita.
“Oh jo, o diell,
Ti i madh je
Dhe për njerëzimin në lëvozhgë
Cak i pakalueshëm, je
Po jo aq fort
Për mendimet
Shkëndija të shpirtit
Që hapësirën marrin
Përtej orbitës sate
Thesare duke kërkuar
Shekujve për t’u falur.”
Poezia është një bukuri që shihet me sy, futet thellë në zemër dhe pasuron shpirtin. Një shpirt i pasur, bëhet i mëshirshëm ndaj vuajtjes së të tjerëve.
“Poeti edhe kur është i vobektë nuk është kurrë i varfër, se ka mundësi të përvetësojë si madhështinë e pafundme, ashtu edhe të vuaj për mediokritetin dhe padrejtësitë e kësaj bote”, thotë Nermini.

NËNËS,
(Të gjitha nënave, që pushojnë në kopshtin e kujtimeve)
Kur s’isha,
Ti ishe
Kur linda,
Ti më buzëqeshe
Kur u rrita,
Ti më udhëhoqe
Kur gabova,
Ti më qortove
Se ti më deshe.

Dashurinë për gjithësinë,
Ti ma mësove
Bukurinë e ndjenjave,
Ti m’këshillove
Me universin n’harmoni t’jetoj,
Ti më urdhërove
Dritën e vërtetë,
Ti ma tregove
Pse ti më deshe.
Ti nënë, vëlla, motër, shoqe
Ti në lundrimet e vështira t’kësaj bote
Ti eksperiencën e flokëve t’bardha
Ma dorëzove.
Ti n’heshtje përgjithmonë u largove,
Pse ti më deshe.
Në gjirin e universit ti u ktheve,
Por prej meje
Ti kurrë s’u ndave
Në yjtë e qiellit xixëllojnë sytë e tu
Kudo n’ajër marr frymë shpirtin t’ënd
Sa shumë të paskam dashur!
Harku që përshkon dijet e Nerminit për lashtësinë, kulturat e hershme të botuara në librin e saj të fundit “LASHTËSIA E GJUHES SHQIPE”. Sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu, deri në Atlantik (Bardi Editore-Roma,Gusht 1991), është një nga kulmet e punës së imët hulumtuese prej një shkencëtareje të mirëfilltë. E të duket pak si çudi ku bashkohet poetja me studiuesen. Ndoshta tek ngulmimi i raportit të njeriut me botën, mesazhet që pret shpirti i etur nga universi, pyetjet e një zëri human, që kërkon të zbulojë misterin e fatit të njeriut, filozofinë dhe të vërtetën, e sa e sa pyetje që kërkojnë përgjigje si kjo:
Ku duhet kërkuar misteri i gjuhës ilire?
Ajo nuk u helenizua, megjithëse përdori shkrimin grek për shumë shekuj, nuk u latinizua pas zaptimit nga Roma, nuk u sllavizua, as nuk u turqizua.
Këtë gjë të mrekullueshme e kreu dashuria e shqiptarit për kulturën, traditat, nevojën shpirtërore dhe me ndihmën e maleve vigane, që mbrojtën një popull me një të kaluar po aq vigane.
Dhuna dhe egërsia i fshehin kulturat nën shkurre të helmatisura. Po kultura është dritë, që edhe kur duket e fshehur, nuk asgjësohet dhe shpejt a vonë, del dhe vezullon në një trevë kulture të zhvilluar me fisnikëri të vërtetë.
Fitimet tokësore të popujve shkojnë e vijnë. Fitimet shpirtërore mbeten të vulosura në kohë si dritë e vërtetë që nuk shuhet gjatë shekujve, po bëhet energji, shkencë, dituri.
Si përfundim, e gjithë vepra e kësaj humanisteje të shquar, Nermin Vlora–Falaschi, është një thirrje kundër dhunës, kundër çdo lloj mëkati e krimi, për të qenë i pastër, kur të përballesh me veten, përtej Robikonit.

ZBRAZËTIRA

Asgjëja
Dhe shpirti që në hapësirë udhëton
I etshëm për dituri
Hapat e parë
Të sigurt
Luhaten
Sikur mbështetje t’kërkonin
Por në asgjë mbështetje nuk ka
Zbrazëtira vend nuk zë
Dhe shpirti zhytet në përsosmëri
Në asgjë.
Atëhere vezullojnë yjet
Që ndriçojnë udhën
Drejt Asgjësë së madhe,
Që është gjithçka,
Që është, Dritë Hyjnore.
Fjala e mbajtur në Institutin e Gjuhësisë, me rastin e promovimit të librit: “LASHTËSIA E GJUHËS SHQIPE”.
Shkruar në Tiranë, shtator 1991
PROGRAMI KULTUROR I RADIO VATIKANIT MBI LASHTËSINË E GJUHËS SHQIPE
SHQIPTARËT JANË AUTOKTONË – BANUES MA TË PARË TË VENDEVE KU JETOJNË SOD, A POR T’ARDHUN MA VONË NË KËTO TREVA?
KUSH JANË TË PARËT E TYNE MA TË LASHTË?
Mbi këtë themë, të Premten më 16 Qershuer 1989, në përmes të mikrofonave të Radios së Vatikanit, Zonja fisnike Nermin Vlora Falaschi, e marrun në intervistë nga z. Gjon Gjomarkaj­ drejtor i Seksionit të Gjuhës Shqipe të R.V. – u ka folun shqiptarëve ë dhe të gjithë ndigjuesave mbrenda dhe jashtë Atdheut.
Po e riprodhojmë tekstualisht, këtë transmetim:
Ndigjues të dashtun,
Kemi sod në Studio, të përnderuemen Zojën fisnike, Nermin Vlora Falaschi, bijë e familjes së përmendun të Ismail Qemal Bej Vlorës, bashkëshorte e Ambasadorit italian Dr. Renzo Falaschi.
Zoja Vlora Falaschi asht shkrimtare e njoftun, autore e dhjetra e dhjetra librash, fituese e shumë çmimeve letrare, studjuese e gjurmuese e qytenimeve ma të lashta, e në mënyre të veçantë, të popujve e fiseve Ilire, Etruske, Trake, Dardane, Pellazgje, etj., e folmja e të cilëve -thohet se decifrohet vetëm e vetëm nëpërmes të gjuhës shqipe.
Mbasi jo të gjithë shkrimtarët e studjuesat e qytenimeve të lashta janë d’akord me këtë thezë, po i sjellemi vizitueses së nderueme me pyetjet:
Pyetja – “Zoja Nermin Vlora Falaschi, ilirët, etruskët, trakët, pellazgjit, dardanët etj. Janë fise të nji populli, a por popuj të ndryshëm t’ardhun n’Europë, apor autokton-vendas të parë të këtyne trevave?”

Përgjegjja: Kam lexuar shumë shkencëtarë që mirren me çështjen e prejardhjes të popujve të lashtë dhe çdonjeri prej tyre shpjegon e dokumenton tezën e tij.
Historia e njerëzisë është si nji spirale, ku nuk mund të dallohet saktësisht pika ku spiralja bahet e ngushtë, për të na dhanë mundësin t’i dallojmë veçoritë përkatëse. Prandaj, kur bëhen gërmime mbi prejardhjen e nji populli, çështja paraqitet e ngatërueshme, meqë njerëzit shkojnë atje ku ka kushte jetese më të mira dhe vijnë nga, të gjitha anët, por jo gjithë së bashku, në të njëjtën kohë.
Kemi shembullin e Shteteve të Bashkuara t’Amerikës, që sot kanë afro 300 milion banorë, prej racave dhe etnive të ndryshme. Por, mund të themi me siguri se këto 300 milion banorë, nuk kanë vajtur atje të gjithë së bashku, sapo u zbulua kontinenti i Amerikës. Ata erdhën dal-ngadalë, nga drejtime të ndryshme dhe gjithë së bashku formuan nji kulturë, nji gjuhë të përbashkët.
Nuk ka dyshim se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në kohërat e lashta. Grupe fisesh të ndryshme kanë kërkuar troje më të përshtatshme për jetesë dhe i kanë populluar brigjet e Mesdheut, duke formuar nji gjuhë, nji kulturë të përbashkët.
Nga ana tjetër, gjuha e popujve është arkivi dokumentor më i randësishëm, veçanërisht kur mungojnë dokumente të tjera, si në periudhën e lashtësisë.
Sot jemi në gjendje ta zbulojmë gjuhën e të parëve tanë dhe kulturën e tyre, me ndihmën e dokumenteve epigrafike. Këto mbishkrime të gdhendura mbi gurë, na dëshmojnë se në Mesdhe e në mbarë Evropën, flitet nji gjuhë e përbashkët, d.m.th. gjuha e Pelazgëve, të cilët Homeri i quante «Hyjnor».
Plini, plaku, në shekullin e parë shpjegon se germat e alfabetit fonetik i prunë n’Itali Pelazgët.
Edhe sipas

Filed Under: ESSE Tagged With: Englantia Mandija, TIRANA IME E VOGËL

REAGIM NDAJ DEKLARATËS SË PRESIDENTES JAHJAGA

March 23, 2015 by dgreca

-“Jahjaga: Jo bashkimi me Shqipërinë, por integrimi në BE është qëllimi ynë” /
-“NE DO TË PUNOJMË DHE DO TA COJMË NË VEND AMANETIN E TË PARËVE TANË DHE AMANETIN E DËSHMORËVE – DO TA BASHKOJMË SHQIPËRINË E PASTAJ I BASHKOHEMI EUROPËS TË KOMPLETUAR E JO TË MASAKRUAR”!
Opinion nga Makfire Maqedonci – Canolli/ New York/
Para pak ditësh hasa në një deklaratë të zonjës Atifete Jahjaga e cila kishte deklaruar ” Jo bashkimi me Shqipërinë, por integrimi në BE është qëllimi ynë”! Kërkoj falje qe nuk po e quaj Presidente por zonjë! Por si ta quaj Presidente një zonjë qe u vu në krye të shtetit tonë pa vullnetin dhe dëshirën e popullit, si ta quaj një zonjë presidente kur punon kundër dëshirës së popullit e aq më keq që jep deklarata kundër dëshirës dhe vullnetit tonë? Se nuk është prioritet i politikanëve tanë bashkimi me nënën Shqipëri këtë e kemi ditur gjithmonë por qe e thonë edhe haptas pa pikë turpi këtë nuk e kemi pritur, e aq më keq kur ato deklarata epen thua se edhe populli është duke i përkrahur apo e dëshiruar një gjë të tillë! Zonja Jahjaga deklaron pa nguruar duke e cekur se “Tani jetojmë në shekullin 21 dhe nuk është koha që të realizohen ide të shekullit të kaluar. Sipas saj qëllimi i Kosovës dhe i të gjithë banorëve të saj është integrimi në Bashkimin Evropian”. Mendoj se gabimi i saj është qe flet edhe në emrin e qytetarëve të Kosovës, sepse edhe të bërit Republikë e Kosovës ishte ide e shekullit të kaluar por ajo ide u realizua dhe ne nuk jemi fajtorë qe Jahjaga dhe bashkëpunëtorët e saj nuk ishin të interesuar që bashkimin me nënën Shqipëri ta bëjmë realitet në shekullin e kaluar! Jo zonja Jahjaga apo “Presidentja e zarfit” gabim jeni ju dhe gjithë ata qe mendojnë si ju! Nuk u burgosën vëllezërit tanë e nuk i lanë me gjak muret e burgjeve serbosllave e as nuk e tretën shëndetin dhe rininë e tyre për një Kosovë të tillë të ndarë në enklava e me pjesën veriore të Mitrovicës nën pushtetin serbosllav, as nuk na u vranë qindra dëshmorë në ballë me Bac Adem Jasharin në krye për një Kosovë të tillë, për një Flamur me yje e krejt “mavi-mavi” duke ja masakruar shqiponjën e duke ja fshirë ngjyrën e gjakut të shenjtë ku me atë gjak e lanë atë Flamur qindra dëshmorë breza me radhë. Trimat e UÇK-së nuk ia kthyen pushkën shkaut për bashkimin e Kosovës me Evropën pa u bashkuar me trungun e vet Shqipërinë! Dëshira dhe vullneti ynë qëndron dhe jemi të vetëdijshëm se akoma kemi punë për të bërë, akoma duhen sakrifica të reja aq më shumë kur juve dhe horrat tjerë i kemi të vendosur në krye të shtetit, aq më shumë kur asnjëri nga ju nuk shprehë dëshirë dhe vullnet për realizimin e ëndrrës sonë shekullore dhe amanetit të dëshmorëve për bashkimin me nënën Shqipëri, por një gjë ta keni të kjartë se ashtu siç nuk u burgosën vëllezërit tanë, si nuk u vranë qindra e mijëra të tjerë për bashkimin me Evropën për ta anashkaluar bashkimin e trojeve tona, ashtu as ne pasardhësit e tyre dhe as fëmijët tanë nuk do ta duam dhe nuk do ta përkrahim një gjë të tillë. Është e lehtë për ju të deklaroni një gjë të tillë sepse ju nuk e kishit as një nga familjarët tuaj në burgjet serbosllave, nuk e kishit as një në radhët e UÇK-ë e aq më pak ndonjë të vrarë, të masakruar apo ndonjë dëshmorë dhe nuk e keni parë nënën tuaj siç e kam parë unë në fëmijërinë time të paralizuar nga dhimbja sepse sa herë shkonte dhe i vizitonte djemtë e saj në ato burgje të mallkuara ajo e kuptonte se torturat më çnjerëzore bëheshin ndaj djemve të saj sepse ata e kërkonin bashkimin e trojeve tona. Nuk e keni parë nënën tuaj duke vdekur në moshën 49 vjeçe me mallë e dhimbje në zemër e duke ikur nga kjo jetë me lotë në sy sepse ashtu siç i shikonte tre djemtë e saj të burgosur padrejtësisht nëpër burgjet serbosllave me mijëra shokë e shoqe ashtu e shihte edhe Kosovën dhe mbarë popullin të burgosur! Ajo iku nga kjo jetë pa e shijuar Lirinë e djemve të saj dhe Lirinë e Kosovës, e si nëna ime nga kjo jetë ikën edhe shumë nëna tjera duke i lënë fëmijët e tyre nën prangat e robërisë! Dëshironi Ju apo jo, duan bashkëpunëtorët tuaj dhe servilët e BE=së e këlyshët e veglat e Serbisë, ne do të përpiqemi gjithmonë qe ëndrrën tonë shekullore dhe amanetin e prindërve , gjyshërve, stërgjyshërve dhe amanetin e dëshmorëve ta qojmë në vend dhe t’i bashkojmë trojet tona me një emër të përbashkët Shqipëri Etnike! Ne nuk po duam as Shqipëri të vogël as të madhe, por po e duam Shqipërinë natyrale ashtu siç na e dhuroi vetë Perëndia! Ne duam ta bashkojmë Atdheun tonë së pari e mandej të bashkohemi me Evropën si një trup i kompletuar e jo si një trup i masakruar!

Filed Under: Opinion Tagged With: Jahjaga, me presidenten, Mkafire Canolli, Replike

KASAPHANA ANTISHQIPTARE: “NACIONAL ÇLIRIMTARE” !

March 23, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
Ne Foto: Don Ndrè ZADÊJA (1891 – 1945)/
25 MARS 1945/
■HAPNI DOSJEN NR. 667…
“PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS/
DHE ARMIQTË E POPULLIT:/
1.Prekë Cali 2. Dom Ndre Zadeja 3. Luigj Gjeto Kastrati 4. Ndok Nik Bardhoku
5. Ndrekë Loka 6. Arif Selim Hyseni 7. Dedë Lulash Smajli 8. Gjok Nikaj
9. Dul Bajrami 10. Mark Luc Gjoni 11. Tomë Lekë Daka 12. Maliq Bajrami
13. Gjok Nikoll Voci 14. Pjetër Dedë Gjedashi.”
Ideali që i bashkonte këta burra ishte: “Rrnoftë Shqipnia!”

■Kjo afishe e madhe me këta Emna ishte në të gjitha anët e Shkodres me 25 Mars 1945!
■Gjykata Ushtarake e Shkodrës e përbame nga: kryetari Hamid Keçi, antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi, me datën 16 shkurt 1945 dha vëndimin: “Për të pandehurin Dom Ndre Zadeja, me vdekje, me pushkatim. I pandehuri kërkoi lehtësimin e dënimit.” (Dosja nr. 667, Tiranë 1998)
■Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 Mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas Murit të Gjakut të vorreve të Rëmajit, në oren 5 të mengjesit në Shkodër.
■Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, refuzon kërkesën.
Don Ndre Zadeja jo vetem, që u pushkatue pa iu zhvillue gjyqi fare, po Ai u pushkatue pa kalue vendimi formalisht në Gjykatën e Naltë… Sigurisht, me aprovimin e E. Hoxhës.
■Ndër këta pak rreshta do të kujtoj Ata Shqiptarë, që kujtojmë se një ditë vdiqën!
Këta janë pikërisht Ata Atdhetarë që e kishin kuptue me kohë e thanë me gojë se, pa Shqipe s’ka burra dhe pa burra s’ka Atdhé!
■Ata vdiqën vetëm para syve të atyne që i martirizuen.
Ata u kalbën në qelitë e Sigurimit përsëgjalli. Plagët e Tyne kulluen vetëm gjak, gjak të pastër shqipesh që i thërriste dhe i bashkonte në një ideal e gjuhë të përbashkët.
Për né asht e vështirë me e kuptue martirizimin shpirtnuer të Tyne, mbasi na nuk kemi provue vetminë e Tyne, dhimbjet e plagët e trupit Tyne, zanin e mekun drejtë fikjes së Tyne që përshpëriste thanjen e Mustafa Krujës: “Shqipni e andrrueme prej poetëve, e dishrueme prej atdhetarëve, e këndueme prej rinisë”, por realiteti në fakt kje vetëm mjerim, vuejtje e sakrificë! Këte a e di Rinia e sotme Shqiptare?!
■Me kohë Don Palë Shantoja paralajmëronte: “Mbasi Fuqitë e Mëdha kanë hjekë dorë nga drejtësia, Shqiptarët do të derdhin gjakun e vet shumë të Shenjtë!”
■Kjo, dhe vetem kjo, ishte arsyeja që shovenistët sllavokomunistë filluen vrasjet me disa nga Kolosët e Arësimit dhe të Kulturës Europjane Shqiptare, po bashkë me Ata Burra, shfarosën ajken e Atdhetarëve tanë, që kishte lindë njëheri me shkambijtë ku Shqipja, e kishte çerdhen e vet dhe u këndonte zogjëve Kangët e Rubës së Kuqe…
■Plumbat e tradhëtarëve t’ Atdheut në sherbim të Titos, kishin disa objektivë të vetët goditës dhe shkatrrues, tue fillue nga pushtimi i Trojeve tona në Veri, çarmatosja e tyne, pushkatimet dhe grabitjet e kullave e kryesisht: Vaditja e Tokës me Gjakun e Frikës…
■Vrasja e Poetit të Ambelsisë Don Ndre Zadejës, ishte vrasje e Shpirtit të Rinisë sonë, e cila këndonte njëheri me melodramat “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”, “Rrethimi i Shkodrës“, “Ruba e kuqe”, “Rozafa” dhe me dorëshkrimin “Shpella e Bogdanit”.
■Vritej muzika e kompozitorit Don Mikel Koliqi dhe shembej Teatri i vjeter i Jezuitëve, e bashkë me tá dhe fidanishta e Tyne, rreth 20 vjetë para “shkollës së parë të Korçës…”
■Vritej “Juda Makabe” e At Fishtës, muzika e At Gjokës e Mazrrekut… dhe hapej rruga per pushkatimin e aktorëve të parë të teatrit shkodranë… Histori endè e pashkrueme!
■Kjo detyrë urgjente ju ngarkue një komunisti me eksperiencë staliniste, besnik i kujtdo sllavë që njihej me te, e pranonte bashkpunimin per “pluralizem” ashtu si e donin edhe ata që nënshkruen pak ditë para në Jalta, “zhdukjen e Shqipnisë nga harta e Europës.” Ishte i perkëdheluni i Enver Hoxhës, që në ditët e para kur u projektue formimi i “njeriut të rinjë”, ishte Sejfullah Maleshova… që erdhi në Shkoder me formue “partinë demokristjane”, pra me hapë “thertorën jugosllave” me Klerin Katolik Shqiptar…
Kishte futë në thes një grup të madh Atdhetarësh në Tiranë gjoja me “social demokrate” etj… dhe erdhi në Maji të 1945, me vazhdue misjonin e tradhëtisë në Shkoder…
■HAPNI DOSJEN “ORGANIZATA ANTIKOMUNISTE ‘BASHKIMI SHQIPTAR”!
Ishte At Mati Prennushi që nuk pranoi me hy në kurthën sllavokomuniste të Sejfullah Maleshovës! E ky “Sejfullah”…Sa vetë çoi në plumb me “partitë e tij fantazma”?
Vrasja e Don Ndre Zadejës ishte edhe një sinjal antikombtar që iu bante shkollave të Shkodres dhe të Shqipnisë: “Ata që dishrojnë me punue me ne, ata janë e ardhmja!”
■E këte e provoi saktësisht 25 vjeçari i fundit i mashtrimeve “demokratike”…
***
■Koha provoi se Profetsia e At Mëshkallës, shkrue me 5 Prill 1967, në letren e dergueme Kryetarit Këshillit Ministrave të R.P.S. të Shqipërisë Mehmet Shehut, u realizue:
■“Sidomos pjesa e frikësueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhen sëpse, e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, sërvile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o “të prekun”. E kush po di se cilët janë! – Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX-të?…”(Marrë nga origjinali FR)
■Këte perkufizim sot e gjejmë tek trashigimtarët e qeveritarëve të asaj kohë, tek të gjithë ata që punojnë për “Rilindjen komuniste”, tek të gjithë ata që u lindën dhe u rritën me parimet e atyne shkollave antiatdhetare dhe antishqiptare…
■Këte perkufizim ka në kokë sejcili “dr. prof. e akademik” i formuem dhe i përgatitun nga shkollat sllavokomuniste të vendeve ku kultivoheshin parimet staliniste e enveriste…
■Kjo ishte fara e keqe që asht mbjedhë tash 70 vjetë në Shqipninë Europjane, dhe që po vazhdon me shkatrrue jetën dhe t’ ardhmen e Rinisë dhe Popullit Shqiptar!
*Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë… Pjesa VII -Vazhdon Pjesa e VIII…
Melbourne, Mars 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: KASAPHANA ANTISHQIPTARE:, nacional-clirimtare

Ali HADRI: “Një komb, një gjuhë, një tokë’

March 23, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“ Më urtë, më butë, se këta janë kriminel e të mbysin!“ Kur tankset e ushtrisë ish. jugosllave shkelnin e vranin shqipëtarë, profesori kokëlartë ecte me student e thoshte: : Po ç’jam unë më atdhetar dhe më trim se sa studentët, punëtorët, fshatarët, nxënësit…, të cilët i kërcenin tankut serb për çlirimin e Atdheut. (1981)
“E historia sikur po përsëritet “ thoshte me dhembje profesori, pas vitit 1981. Pas këtij viti, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në ish- Jugosllavi, u organizonin procese të shumta gjyqësore politike kundër studentëve dhe intelektualëve por nuk u kursenin as të tjerët. “Duhet shuar ky tru “, ishte futur në sistem dhe hapur e thoshin gjykatësit e pushtetarët serbë, dhe me zemërimin, egoizmin, urrejtjen e mllefin, instinkte këto, që në ato përmasa rrallë hasen tek njerëzit.
Historiani i shquar anglez Noel Malcom, e quan Akademik Ali Hadrin ne librin e tij: “Nje histori e shkurt e Kosoves”, “Intelektuali me prominent i Kosoves dhe viktima e pare e nacionalizmit Serb” ne spastrimet pas demonstratave te vitit 1981, shkruan shkrimtari i njohur anglez Noel Malcom.
Ne Kosove qarqet akademike dhe koleget e tij e pershkruajn ate si nje njeri te qete, por me guxim te papare ne avancimin e çeshtjes kombetare dhe njeri me shume ndikim ne jeten akademike, si themelues i Institutit Historik te Kosoves.

Akademik Ali Ragip Hadri, figurë emblematike e historiografisë shqiptare- armiku i hapur i mashtrimeve serbe . Vullneti e pasioni së bashku bënë që Akademik Ali Hadri brenda një periudhe 30 vjeçare të lerë një varg veprash dhe studimesh, të cilat për nga rëndësia dhe kontributi e radhitën atë ndër shkencëtarët e studiuesit më të shquar me përmasa kombëtare e evropianë. Ai për asnjë moment nuk e ndau veprimtarinë kërkimore nga ajo edukative duke dhënë leksione universitare e pasuniversitare, si dhe në veprimtarinë botuese – shkencore, që e nisi me veprën e tij dhe me qëndrimin ndaj rrjedhave të jetës nën pushtetin serb. Ai me veprën e tij dëshmoi përkushtimin dhe veprimin e pakompromis për t’u bërë ballë sulmeve e veprimeve shoviniste serbe ndaj popullit e kulturës sonë. (Prof. Dr. Nebi Dervishi )

Është me të vërtetë i madh numri i magjistrave, i doktorëve, i pedagogëve të historisë, i hulumtuesve në institutet tona shkencore që si historian janë ndërtuar nën kujdesin e Prof. Hadrit. Duke ia dhënë historisë dinjitetin e dijes, ai është kujdesur që të krijojë kuadrot të cilët atë dinjitet do ta përforcojnë me studimin e temave e të çështjeve të ndryshme historike, duke parë prej këndesh të ndryshme studimore. Edhe sikur të mos ishte vepra shkencore që la pas, emri i Ali Hadrit do ta bënte të paharruar numri i madh i nxënësve dhe studentëve që sot janë studiues të njohur në fushën e historiografisë shqiptare në trevat Lindore e Verilindore (Kosovë e Maqedoni).

Një kotribut të veçantë prof. Ali Hadri jep për epokën e Skenderbeut, i cili e ka parë të arsyeshme trajtimin e historisë ekonimike, shoqërore, politike e kulturore të shqiptarëve në shek. XV, e veçanërisht epokën e Skënderbeut jo vetëm se qenia shqiptare mesjetare u njësua në një individualitet të kristalizuar në shkallë kombëtare që njihet si “Lidhje shqiptare”, por u formua edhe shteti shqiptar mesjetar si strukturë më e lartë e vetëdijes shoqërore. Lëvizjen çlirimtare kombëtare në epokën e Gjergj Kastriotit, profesor Hadri e cilëson si periudhën më të lavdishme të historisë mesjetare shqiptare, por edhe pjesë të lëvizjes çlirimtare që zgjat prej kohës kur pushtuesi turk, pas Betejës së Maricës më 1371, filloi të depërtojë edhe në drejtim të territorit shqiptar e deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Beograd-Zemun Ostalo 1970 Istorija Srpski Strani Autor: Ali Hadri Izdavac: Zavod za udzbenike i nastavna sredstva
Ali HAadri i beri edhe serbet e viteve 1970 , te mesojnë drejtë historinë e Skënderbeut
Akademik Ali Hadri ishte ndër të parët që i doli në mbrojtje Flamurit Kombëtar, simbolit të patjetërsueshëm i popullit shqiptar, për përdorimin e lirë të tij, ku në mes tjerash shkruan: ”E drejta për flamurin kombëtar dhe për përdorimin e lirë dhe të barabartë të tij në një bashkësi shumëkombëshe siç është RSFJ, ka të bëjë me të drejtat elementare kombëtare. Periudha më e vështirë, por edhe më e ndritshme e akademik Ali Hadrit do të mbetet ajo pas vitit 1981. Ai si intelektual i kompletuar, i pari shqiptar iu kundërvu politikës shoviniste serbe dhe qarqeve të tjera Jugosllave. Por politika diferencuese kishte qëllim të qëllonte dy caqe me një të qëlluar; duke sulmuar Ali Hadri, tok me veprën e tij, të zhvlerësohej e të përdhosej ndihmesa e popullit tonë dhënë LANÇ-së, si faktor i qenësishëm për të drejtat e barabarta me popujt e tjerë të ish- Jugosllavisë, tezë kjo e afirmuar gjatë luftës kur ishte nevoja, por e injoruar tërësisht pas përfundimit të saj, pas 1945. Por ai vendosmërisht mbajti qëndrim parimor, të palëkundur për të drejtën e Kosovës dhe të shqiptarëve për Republikën e tyre, mendim që u avanca e u përkrah edhe nga masat e gjëra.

Në revistën “Novosti”nr.304, të 19 marsit 1987, akademik Ali Hadri boton reagimin e tij të gjatë me titull “Paraqitja e rrejshme për mua” (Lazhna slika o meni), duke përmbyllur reagimin kësisoj: “Aspak nuk do të shqetësohem nëse do të bëhem viktimë e sadizmit politik, sepse edhe në këtë mënyrë do të kem fatin tragjik të popullit tim”.

Dr. Ali Hadri, ishte profesor, doktor, mësues, pedagog, atdhetar, akademik, por mbi të gjitha ishte njëri ndër penat më të mbrehta të çështjes kombëtare. Ai ishte gur graniti, në grykë të hasmit, ai njeri nuk guxon të harrohet në asnjë kohë. Ai vdiq por pas tij mbetën librat, veprat dhe emri i tij i madh.

Ai ishte profesor, doktor, mësues, pedagog, akademik, por mbi të gjitha ishte penë e mbrehtë e çështjes shqipëtare. Në qëndresë ishte më i fortë se shkëmbi që i ka të mbjella rrënjët; në tokë e gur. Dr.Ali Hadri ishte shumë i madh dhe qiellin se pranonte kulm. Ai tërë jetën kërkoi dhe punoi për drejtësin, edhe pse jetoi e veproi në kohë të vështirë –të keqe. ( Ramiz Dërmaku)

Zakonisht ndodhë, kur shkruajmë apo flasim për ndonjë figurë të shquar të kombit, bëjmë analiza e trajtime gjithëpërfshirëse. Por, sot, do të ndalesha vetëm në angazhimin dhe mbrojtjen e simboleve kombëtare, çështje, në mesin e shumë çështjeve të rëndësishme, me të cilat u rrekë dhe u morë profesori i nderuar Akademik Ali Hadri.
Në qenien e njeriut është diçka që e determinon fatin dhe kahet e jetës. Është diçka, që vë në lëvizje njeriun dhe vetëdijen e tij. Janë këto ide apo ideale, që mund të formulohen me fjalët “Spiritus muvens”, apo shpirt që lëvizë. Jeta dhe vepra e profesorit, që ishte trinom i ecjes nëpër misteret e kohës, nëpër sfidat e paparashikuara të jetës dhe nëpër damarët e historisë kombëtare, njëmend e bëjnë këtë njeri Shpirt lëvizës prej hulumtuesi e shkencëtari elitar. (Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha )..
Hijet e urryera të së kaluarës kanë filluar të zgjohen!Hijet e urryera të së kaluarës kanë filluar të ngrenë kokë! Hijet e urryera të së kaluarës kanë filluar të flasin!Hijet e urryera të së kaluarës kanë filluar të bërtasin! Hijet e urryera të së kaluarës kanë filluar të kërcënojnë!
*****Në debat e sipër me Akademik Hadrin, Azem Vllasi i ishte drejtuar atij: -Nuk ke pasur nevojë që t`u shkruash letër dy
kryesive të shtetit! Do të mjaftonte që të shkruaje kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar dhe do të ishe i nderuar dhe i respektuar nga shteti?!…Ndërkaq Akademik Ali Hadri ia kishte kthyer: Unë nuk mund dhe nuk dua të shkruaj kundër popullit tim! Për këto punë të kemi ty?!…

Dhe kishte ndodhur ajo që do të ndodhte me secilin që kishte pasur guximin t`i kundërshtonte në atë kohë Azem Vllasit: Akademiku i nderuar Ali Hadri, ishte përjashtuar nga puna në Institut dhe më nuk i ishte lejuar për gjallje të tij të hynte në të! E atë institut e kishte themeluar vetë akademik Ali Hadri?!

*****
Medet per ne se sa pak kuptohesh o Ali Hadri , o Za i Atdheut , i te vertetes ! Sa shume te jemi ” Borxh ” por ma pare duhet ta kuptojme vleren tende !

Fahri Xharra 23.03.15 GJAKOVË

BIOGRAFIA

Lindi më 3 mars 1928 në Lushnjë. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Gjakovë. U diplomua në vitin 1956 në Fakultetin Filozofik të Beogradit dhe pastaj po aty u magjistrua në vitin 1960. Disertacionin e doktoratës Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë 1941-1945 e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në vitin 1970. Ishte dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, profesor ordinar i Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i Institutit të Historisë të Kosovës. Ishte drejtor i revistës “Përparimi”, kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” (seria historike) dhe kryeredaktor i revistës “Kosova”. Për shumë vite i drejtoi studimet pasuniversitare dhe udhëhoqi shumë magjistrantë dhe doktorantë.
Ishte delegat i Kuvendit Krahinor të Punës Shkencore, anëtar i Këshillit të Koordinimit të Shkencës dhe të Teknologjisë të Jugosllavisë, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të shoqatës jugosllave Shkenca dhe shoqëria, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Historianëve të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtor i një numri revistash historike.
Në fushën e shkencës së historisë botoi, duke filluar nga viti 1957, qindra punime. Botoi dhjetë vepra monografike dhe shumë tekste të historisë së popullit shqiptar për shkollën fillore dhe për shkollën e mesme. Ka marrë pjesë me referate e koreferate në simpoziume dhe në tubime të tjera shkencore.
Në pjesën më të madhe të punimeve të tij trajtohen probleme të historisë së popullit shqiptar, të historisë së Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës, të historisë së Kosovës midis dy luftërave, po ka edhe punime që janë kontribut në historinë e përgjithshme dhe në metodologjinë e historisë.
Për punën e tij shkencore e kulturore-shoqërore iu dha dy herë Shpërblimi Krahinor i Dhjetorit; u dekorua me Urdhrin e Meritave për Popull me Rreze të Argjendta dhe me Urdhrin e Punës me Flamur të Kuq. Ishte pjesëmarrës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare nga gjysma e dytë e vitit 1941, një herë si pionier e pastaj si skojist.
Vdiq në Pejë, më 2 dhjetor 1987. ( ASHAK)

Filed Under: Histori Tagged With: Ali HADRI: “Një komb, Fahri Xharra, një gjuhë, një tokë’

TAKIM ME AMBASADORIN FERIT HOXHA

March 23, 2015 by dgreca

Ambasadori i Misionit Shqiptar pranë OKB-së Z. Ferit Hoxha u premtoi përkrahje organizatave Shqiptaro Amerikane/
nga Rexhep Myftari, New York/
Organizatat Shqiptaro Amerikane “Shprese & Paqe” dhe “Duart e Hapura” pas takimit me Konsullën e Republikës së Kosovës në New York Znj.Vlora Çitaku, takuan edhe Ambasadorin e Misionit Shqiptar pranë OKB-së Z. Ferit Hoxha me ç’rast njoftuan Ambasadorin për mbarëvajtjen e projektit dhe kërkuan mbështetje në aspektin e gjetjes së lehtësive rreth transportit dhe logjistikes së ndihmave të mbledhura për të përmbyturit në Shqiperi.
Përfaqesuesja e Women’s Organization “Hope & Peace” Znj. Mimoza Dajçi dhe perfaqesuesi i organizates “Open Hands” z.Aleksander Nilaj njoftuan Ambasadorin Hoxha rreth te arriturave të deritanishme.
Znj. Mimoza Dajci pasi bëri një ekspoze të perpjekjeve të organizates që ajo drejton mbi dhunën në familje ndaj grave dhe mbrojtjen e të drejtave të saj e fëmijeve, ku në shumë raste dora e kësaj organizate ka luajtur një rol kyç për zgjidhjen e konflikteve u ndal edhe tek projekti humanitar i grumbullimit të ndihmave që po pregatisin për ti dërguar në shqiperi në zonat e permbytura nga lumenjtë.
Aleksander Nilaj ngriti kerkesen për perkrahje nga Ambasadori dhe theksoi se muaj me parë kur një aktivitet i ngjashem ishte organizuar për të përmbyturit në Bosnje, kërkesës së z.Nilaj i ishte përgjigjur pozitivisht Ambasada Turke e cila kishte bartur të gjitha ndihmat nga New York-u për në destinacion në Bosnje. Me tej z.Nilaj theksoi se projektit për ndihmë të përmbyturve në Shqipëri i janë përgjigjur shumë bashkëatdhetare në mesin e te cileve duhen të theksohen znj. Eleni Troja, z.Gani Perolli dhe Tush Musaj, Astrit Tota, Lideri i Partise Demokratike per Distriktit 80 Joseph McManus, Marilyn Anderson, Majfturie Daci, Xhani Demaliaj, e tjerë, te cilët ndihmuan projektin që në ditet e para.
Gjatë takimit u njoftua Ambasadori se deri tani janë grumbulluar rreth 200 paketa me veshëmbathje, materiale higjeno – sanitare, mjete didaktike, lodra për femijë dhe sende të ndryshme për nevoja elementare për të përmbyturit.
Ambasadori Hoxha falenderoi tre organizatat per bujarinë e gatishmerine e treguar për të ndihmuar njerëzit në nevoje si dhe e mirëpriti qysh në fillim bashkepunimin. Ai theksoi se do të bëj gjithçka është e mundur që ti ndihmoj këto organizata në realizimin e këtij projekti humanitar që ndihmat e grumbulluara të arrijne sa më shpejt në destinacionin e duhur në Shqipëri.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ferit Hoxha, Rexhep Myftari, takim me ambasadorin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT