– Çeshtja Doshi para se penale është një aferë politike tinzare/
Nga KOLEC TRABOINI/
Kur dëgjon nga prokurorët që nuk sjellin asnjë fakt të qenësishëm para Këshillit të Mandateve të Kuvendit Popullor, por përsërisin pafundësisht si robotë të telekomanduar se duam ta arrestojnë deputetin Tom Doshi se kështu e kërkon procedura, me të vërtetë drithërohesh se kështu flisnin vetëm prokurorët e Enver Hoxhës pa asnjë nuancë dallimi, ndoshta me shkakun, le të hamendësojmë, se këtë punë si prokurorë e kanë bërë zellshëm edhe në kohën e diktaturës komuniste dhe përballë kishin një njeri që kishte në rrethin familjar e fisnor 5 të pushkatuar nga regjimi monist. Nuk duam të paragjykojmë por më thoni ju lutem që të kthjellohem, në cilin vend të botës, veç diktaturave tipike, mund të paraqitet një akuzë e tillë budallaqe dhe pas disa orësh deputeti të shkojë në qeli. Nuk marr përsipër të them cila është e vërteta, e sajimit apo ekzistimi të një plani të Ilir Metës për eliminimin fizik të deputetit të Shkodrës, njëkohësisht as të marr në mbrojtje kauzën e Tom Doshit se ai i ka avokatët e tij të specializuar, por jam sinqerisht i trishtuar me këtë gjendje katastrofave në institucionet tona të drejtësisë që janë themeli i shtetit, ku ligjet interpretohen në mënyrën më banale dhe mjerane madje edhe të dënueshme. Të arrestohesh se ke thënë kështu e jo ashtu, fort e lemeritshme kur ke parasysh se një Fullan, mik darkash e drekash i politikanëve të lartë, e nxorën nga qelia ani pse ishin vjedhur jo pak por mbi 7 milion dollarë në Bankën e Shtetit. Po kush pyet sot për paratë e popullit? A keni parë të lëviz prapanicën nga kolltuku ndonjë nenpunës në Kontrollin e Lartë të Shtetit që duhej të ishte më i fuqishëm e rigoroz se vetë prokuroria. Po le të vazhdojmë me linjën e arsyetimit të çeshtjes së deputetit Doshi, që kërkojnë ta dënojnë për një fjalë e the – nuk e the, kur vetë drejtori i policisë së shtetit tha publikisht një të pavërtetë spektakolare, që nuk e kam takuar dëshmitarin Bami të cilin më vonë doli se e kishte takuar. Pse nuk ndalohet edhe ky bashkë me Tom Doshin me të njëjtën akuze sepse në të vërtetë kemi një delikt verbal. Po a ka ndonjë pikë dinjiteti funksioni i një shtetari apo nënpunësi, ndërkohë që deputeti që ankon kundër kryeparlamentarit se ky ka kurdisur një atentat, arrestohet pamëdyshje për dyshimin që kish, kur dyshimi nuk përbën krim. Pra kish bërë të njëjtën gjë si drejtori i policisë së shtetit. A mundet ligji të interpretohet ndryshe në të njëjtën kohë e për të njëjtën çeshtje ku janë përfshirë të dy palët? Meqë ndodh kësisoj, atëherë në këtë vend nuk duhet të flasësh as kur kërkon të mbrosh jetën tënde e të familjes, se po vihet në funksion neni 55 i lemeritshëm që po folë për shtetarët të pret burgu. Mesazhi ogurzi për popullin dhe intelektualët është i qartë: Mos guxoni të flisni. E frikshme për opinionin publik! Dëshiroj të jem i gabuar në hamendësime por ndjej një instalim sado në zanafillë të diktaturës, sepse të mos harrojmë diktaturat nuk janë vetëm pjella të komunizmit, i pjell edhe kapitalizmi kur pushteti bie në duar autokratësh e sistemi demokratik nuk funksionon, i pjell edhe ambicia për pushtet të individëve të mbështetur nga forca të errëta apo të verbra. Kemi parë se si Italia, një vend demokratik, ka kaluar në diktaturën e Musolinit, Gjermania shkallë shkallë me demagogji në atë të Hitlerit, Greqia me grusht shteti në Juntën e Jorgo Papadhopulos e plot shembuj të tjerë. Kur institucionet e shtetit marrosen e dalin jashtë kontrollit, do të ndodh që, “Republika të lëngojë për vdekje, ata që i rrinë mbi krye janë mikrobet e saj. Poshtë tellallët tallen me delet e molisuna që ecin kryeulëta e shohin kah qielli me do sy pa shprehje. Në nji vend të tillë edhe gabimisht me e thanë të vërtetën s’ta falin”, siç thotë R. Michels. Pra nëse nuk e kundërshton të keqen, nëse intelektualët janë në frikë, nëse media kapet nga pushteti dhe hesht, diktatura është pas dere. Ajo vjen pak e nga pak, fiton terren dhe një ditë zgjohesh nga ëndrrat e këqija e thua nga na erdhën e si na mbiu kjo e keqe. Se ja del deputeti i LSI-s që e kemi edhe në krye të komisionit të sigurisë kombëtare (na ruaj Zot)dhe ja përforcon edhe kryetari i parlamentit duke shfaqur në publik dokumentat personale të qytetarëve a një deputeti në kundërshtim me ligjin mbi fshehtësinë e informacioneve familjare apo individuale. Pyes a ma jep mua njeri çertefikatën familjare të Metës apo kartelën e tij shëndetësore nëse unë dyshoj se ai ka ca probleme serioze me shëndetin në bazë të asaj që shoh kur del e jep intervista në një gjendje jashtë kontrollit dhe dinjitetit të kryeparlamentarit. Nuk besoj. Por edhe unë nuk besoj se jam aq i pamend të bëj këtë marrëzi, jo se do të dënohesha me burg por se nuk ma lejon ndërgjegja personale as ajo profesionale si gazetar. E shihni pra si vepron ai që është në krye të Parlamentit pa i hyrë ferr në këmbë. Po prokurorët pse heshtin. Kuptohet se edhe ata tashmë janë si dele e butë ndaj pushtetarëve, pjesë e tufës së madhe të frikës publike. Kësisoj e jo ndryshe vjen një ditë dhe vendoset pushteti absurd që e ka emrin diktaturë. Por nëse e lëmë të ndodh kjo atëherë nuk do të ketë alibi askush. I duhet thënë ndal para se të jetë vonë, para se të na tufëzojnë, siç bënte diktatura komuniste, përndryshe kthehemi sërish në epokën e errët ku pushteti dhunon popullin e vet.
Archives for March 2015
Mesi radikal
7 të për7shme për të mos qenë i për7shëm për të papër7shmit. Renditur siç do të mund të donte gazetari Alfred Lela/*
Nga Atjon V. Zhiti/
1- Si vendas them se më vjen shumë keq për mjedisin që keni gjetur, por ky është realiteti dhe, po ta mbroja, do gënjeja, dhe veten.
Fatkeqësisht dhe fatmirësisht askush nuk u shpëton këtyre ligjeve.
Filozofia, me bindje them, se më mbush, kam filluar të shkruaj, po mundohem të shkruaj sesi prekonceptet, relativizmat, konformizmat, largojnë njeriun nga njeriu. Janë të mjaftueshme per il “me stesso” iniziale, por në një stad më të mëvonshëm duhet tejkaluar dhe vetvetja jonë, duhet të zhvishet prej tyre pikërisht për t’u njohur me të dhe sidomos në një nivel meno calpestato si subkoshienca. Deri tani këtë zhveshje e kam gjetur tek skizofrenia, por s’jam akoma gati momentalisht për të. Aimè, shkrim i thënçin, se informacioni që kam gjetur e arritur, është i pakët, po ashtu ineksperienca dhe një sërë faktorësh të tjerë që Ju i dini shumë më mirë sesa unë, më pengojnë, por dëshira mbetet. – Nga një letër dërguar shkencëtarit hebre, Dr. M. S.
2- …do të mundohem të njoh gjithçka, por nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, nuk kam kohë për paragjykime, tabu e budalliqe të tilla.
Puna e diplomatit nuk është për mua, është e bukur, por nuk më duket me shumë sostancë. Në situatën që jemi tani, në qoftë se do punoja në shtet, do të dëshiroja diçka më vendimmarrëse. Dhe njëkohësisht, po aq sa do të doja të provoja të gjitha punërat, po aq nuk do doja asnjërën, e rëndësishme është të jetoj me mendimet dhe çka kam brenda.
…edhe po të doja, nuk kam aq mundësira sa për të bërë Don Kishotin, megjithëse ai kthehet dhe në simbol që të tjerët e kuptojnë dhe e bëjnë më mirë akoma atë çka donte ai, ama më duhet dhe mbështetje, jo vetëm morale…
Ah, se harrova, nuk ka pse të të duket sikur do bëj diplomatin, e vetmja arsye përse ndjek këto gjëra, është sepse janë të bukura dhe jetë-bërëse, por nuk jam tamam në brendësi të tyre, plus janë eskamotazhi më i mirë që kam për të udhëtuar. -Nga një letër dërguar babait të tij.
3-Lideri i opinionit publik, tregon Richart Hoggart (sociolog anglez), ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij.
A nuk mendoni se ky pohim u përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin për administratën shtetërore për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë? – Nga përgjigjja, dhënë me sms ca shokëve, që e pyetën për këtë çështje.
4-Duhet kuptuar shoqëria për të folur për një fenomen shoqëror, të paktën sado pak. Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh.
Spektakli, në këtë rast programi juaj, për shembull, nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real.
Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion.
Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në saje të kthimit në mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës.
Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit zëvendësohet nga dukja.
-Mesazhi që donte t’i dërgonte një emisioni të njohur televiziv në Tiranë, 16/12/2014 ora 23:12:43.
5- Si jeni? Si je? Ça bëhet? Ça nuk bëhet? Ça zhbëhet? Ça rikonstrukturohet? Ça vritet? Ngjallet? Balsamoset? Shkallmohet? Qetësohet?
Unë mirë. Shkollë. Shtëpi. Planifikime eksperiencash jetësore nëpër Europë dhe jo vetëm plane.
…Ndërkohë dy letrat e zotit Eugjen më lumturuan shumë. Por po aq sa më ka “bërë qejfin”, po aq më lë një përgjegjësi shumë të madhe mbi shpatulla…por në raste të tilla, besoj, duhet vetëm guximi inicial, një shkëndije “marrëzie”, sa për të patur atë impuls, pastaj gjenden mënyra për të mos lejuar peshën të të shtypë, por të shndërrohet në mirësi e dobi etj., etj… vërdallë ka shumë të rinj më të aftë, me më shumë ëndrra, dije…
Xhaxhi Mërgimit shumë faleminderit. Amanetin e tij (për të mos përdorur fjalë të huaja në shkrime) e dëshiroj, nuk dua vetëm të më “tejkalohet”, por nuk e di se sa leksiku im më lejon, ama dëshira është shumë, shumë e madhe.
Denisi më thotë që ti jo vetëm akuzon… por i sfidon “pa turp” në dije e në kulturë, lëshon një predhë dhe s’ke frike nga kundërpërgjigjia. …
Një tjetër mik më tha që je personifikimi i elegancës agresive e jo i agresivitetit elegant. Mos ndrysho!
…por, kur mendoj përshkrimin e ç’produkti jam, nuk jam totalisht dakord. Po të isha vetëm produkt i prindërve, do të isha shumë më i mirë seç jam, por besoj pak më i mefshtë, (kjo nuk është aspak fjala e duhur). Po e po që falenderoj prindërit për ato që më kanë krijuar e mundësuar, takimet e ndryshme që kanë patur shumë influencë tek mua, por paralelisht dhe në kontrapozicion ka qenë dhe “ambienti i rrugës”, që nuk dua ta përshkruaj, sepse do skandalizoheshit. Pra ky pluskim i vazhdimtë, kjo luhatje e pambarimtë mjedisesh, më kanë krijuar një panoramë shumë piktoreske dhe me shumë variacion, që më lejon shumë gjëra e nuk më mban të mbyllur. Përkundrazi më bën të jem i hapur karshi çdolloj situate. – Pjesë nga letra dhe mesazhe të ndryshme, nga të fundit…
6…Pamundësia e votimit prej moshës nuk i bën të rinjtë të mospërfshirë në politikën e vendit të tyre, ata duan të jenë pjesë e saj, pasi janë pjesë e saj.
Personalisht besoj në aftësinë tonë si popull për të bërë zgjedhjen më të mirë, një të përbashkët. Nesër nuk pranoj kurrsesi një “rivdekje” të vendit tim, duke gabuar, sepse besohet ende në disa relike të paafta dhe hipokrite të diktaturës komuniste. Ka patur një Rilindje Kombëtare, ka patur dhe në dhjetorin e ‘90-s, lëvizja për demokraci, që vazhdon…
Unë besoj në rrugën e nisur, unë besoj në idealet e demokracisë, unë besoj në ndryshimet e bëra…
Përpara, përpara, përpara!
…Këto ditët e fundit jam kthyer nga Barcelona, ku mbahej sesioni i fundit ndërkombëtar i Parlamentit Rinor Europian, pjesë e delegacionit shqiptar, përvojë e bukur.
Përmbas shkurtova rrugën për shtëpi duke bërë një interrail nëpërmjet Francës, Gjermanisë, Holandës, Republikës Çeke, Serbisë e në fund Republikës së Kosovës.
Takimin tjetër të Parlamentit Rinor Europian do ta mbajmë në Korçë. Kam filluar punë dhe shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne. – Nga mesazhet dhe bisedat…
7- Mesi radikal synon bashkimin qytetar për të sugjeruar zgjidhje të problematikave të ndryshme që na rrethojnë, duke synuar të mirën e përbashkët. Mesi radikal është emër i frymëzuar nga rryma filozofo-politike “radical middle”, e cila merr të mirën e çdo bindjeje politike.
Termi ‘radikal’ i referohet vullnetit e dëshirës për reforma themelore institucionale, ndërkohë, ‘mesi’ – besimi që zgjidhjet e duhura kërkojnë realizëm e pragmatizëm, jo vetëm idealizëm e ndjenja.
Ne jemi një grup të rinjsh të zhgënjyer nga realiteti, që ama ende besojnë, e duan sadopak të kontribuojnë në ndryshimin dhe përmirësimin e tij.
Janë të politizuar, por apartiakë, që udhëhiqen nga ndërgjegjia.
Mesi Radikal është një idealizëm pa iluzione. – Nga faqja informative e gazetës elektronike “Mesi Radikal”, e themeluar nga Atjon Zhiti në fillim të vitit 2014, por…)
…aksidentalisht e vrau mesi i rrugës, betoni i autostradës Tiranë-Durrës, që riparohej, pa asnjë sinjalistikë as natën, ndërsa Atjoni udhëtonte pas një feste, e kishte marrë në motorin e tij një bashkëmoshatar, 19 vjeç dhe ai, që ishte rrëzuar dhe herë të tjera. Dikush nga miqtë e Atjonit tregoi se ishin nisur për në Durrës për të parë agimin si do të dukej në det dhe mbeti në natën ku hodhi ai që ngiste motorin, pegasin modern të çmendur.
Megjithatë, Atjon V. Zhiti po rendte drejt dritës, mbase po vazhdon…
(V. E. përzgjodhën e përgatitën këto 7 mendime e ndjesi nga Atjon Zhiti, i cili, kur vinte me pushime në Tiranë, e parapëlqente kafenenë-librari “E përsh7shme, ku teksa merrte ndonjë çaj a pije, shfletonte librat dhe ndiqte ndonjë veprimtari të sajën dhe dëshironte të botonte ndonjë gjë në MAPO si student, kur dhe u promovua…)
*Kortezi: MAPO
Kujtesë- NJERËZ DHE DALLGË TË ZEZA TË 28 MARSIT ‘97
– Sipas përjetimit të Eduart Sulës*/
… Ulur në një ballkon lokali që zgjatet mbi det, fytyrëndriçuar nga shpata rrezesh dielli në perëndim, në shoqëri të Shpëtimit, Eqremit dhe Eduartit, gjerbim kafenë e ngrohtë servirur nga Lenci. Një çast i bukur meditimi dhe çlodhjeje. Eduart Sula më përmend Ostrenin e Vogël dhe të dy, pa u “marrë leje” të pranishmëve ngjitemi në atë kodër të bukur me shtëpi në dy pode, tipike gollobordase, zbresim poshtë për të pirë ujë të pastër gurre, ujë që i jep gjelbërim luginës deri në Tuçep e Lladamericë, madje edhe tej kufirit shtetëror, ujë që jep edhe dritë nëpërmjet hidrocentralit të Tuçepit, takohemi me Fitim Sulën dhe Duro Ibrahimin, skulptorë dhe piktorë të njohur në Dibër…
Dhe ndërsa biseda jonë, tashmë përballë diktofonit, ecte për t’u ndalur në punën dhe biznesin e Eduartit në Saranti, fshatin e bukur piktoresk në bregdetin e krahinës së Thivas, në mes na futet një ngjarje që do të më lindte dhembje e do të mi mbushte sytë me lot.
Nuk e kisha jetuar pranë e pranë tragjedinë e 28 marsit 1997. Nuk isha në Shqipëri, isha në një ishull të Greqisë fare pranë Athinës, në Salaminë ku lajmet nga Shqipëria vinin të komentuara nga gazetarë pamorë grekë që ato ditë të kobshme mbulonin tërë jugun e Shqipërisë, krismat dhe gjëmimet e të gjitha llojeve të armëve, tragjedinë kombëtare shqiptare. Gazetat e pakta shqiptare asokohe ishin të ndaluara të dilnin në tregun e Tiranës e jo më të vinin në Greqi. BBC dhe VOA, të vetmet që kishin zë deri tek ne, ato ditë nuk thanë thuajse asgjë për tragjedinë e 28 marsit…
Më vonë do të lexoja për ngjarjen, por në kujtesë gjithçka do të kalonte si një “udhëtim në mjegull”…
Kur Eduarti u fut thellë ngjarjes nuk guxova ta ndërpres. E lash të flasë i ngushur mes kujtimesh e lotësh. Dhe, ndërsa ai fliste unë herë e dëgjoja e herë fluturoja kujtimesh të dhembshme të marsit 1996, të një viti më parë, të atij marsi që Otrantoja kishte marrë tridhjetë djem dibranë varr i të cilëve u bë deti i zi. I bashkova të dy dhembjet dhe u ngusha në një rrëke lotësh. I përjetova atë ditë. Po i përjetoj edhe sot tek zbardh në letër tregimin e gjallë nga një i mbijetuar i tragjedisë që ndodhi dhjetë vjet të shkuara.
Lexuesin do ta ftoja që, nëse e ka detin pranë, të këpusë një lule të freskët e ta hedhë mbi ujë në kujtim të të gjithë atyre që humbën jetën mes ujërave të zeza të kohës sonë. Dhe në qoftë se nuk e ka detin pranë të ngjitet në një kodër dhe të ulë për disa sekonda kokën në shenjë kujtimi për të gjithë ata që humbën jetën, jo vetëm deteve por edhe maleve të emigracionit shqiptar në kohëkalimin midis dy shekujve…
* * *
Më thatë se jeni nga Ostreni i Vogël në malet e bukura të Gollobordës. Ç’far të kujton Ostreni ?
Unë jam me origjinë nga Ostreni i Vogël. Jam lindur e rritur në Patos të Fierit. Shpesh herë babai dhe nëna na çonte në Ostren për pushimet e dimrit apo për ato të beharit, na çonte më shumë për tu njohur me vendlindjen e babait, një vend i bukur, vend i mirë, sidomos në ato vite, një vend i begatë…
Sa vjeç je ?
– Tridhjetë e gjashtë.
Kur ka ikur familja juaj nga Ostreni ?
– Babai im ka ikur në vitin 1955. Ka ikur si murator, zanat i të gjithë gollobordasve. U vendos në Fier, në Patos. I dhanë një shtëpi dhe punonte në ndërtim bashkë me mamanë. Kaluan vitet, në vitin 1966 lindi vëllai i madh, Fiqiriu. Në vitin 1970 linda unë. Ngelem në ato vite në Patos dhe vazhdojmë edhe sot e kësaj dite në atë vend.
Si vazhdoi jeta juaj nga Patosi e deri në Saranti ?
– Unë mbarova shkollën tetëvjeçare në Patos. Merresha me sport, me futboll me ekipin e para të rinjve të Patosit. E doja futbollin. U stërvita fort, me lodhje të mëdha, kapa normat dhe shkova në shkollën e futbollit “Loro Boriçi”. Pesë vjet i kalova në mjeshtërinë sportive. Në të njëjtën kohë vëllait tim, pasi mbaroi shkollën e mesme të naftës në Patos, i doli e drejta për studime të larta në Tiranë dhe mbaroi studimet për inxhinieri nafte. Mbaruam në të njëjtën kohë unë shkollën e mjeshtërisë sportive kurse ai fakultetin e inxhinierisë së naftës. Mbaruam në vitin 1989.
Erdhi viti 1990-1991. Shqipëria hyri në rrugën e ndryshimeve. Si e përjetuat dhe çfarë rruge morët ?
– Si të gjithë të rinjtë e atyre viteve edhe unë mendoja për diçka më tepër, për liri më tepër. Ideja dhe mendimi më çonte tek emigrimi. Unë, me disa shokë, në shkurt të vitit 1991, morëm rrugën e kurbetit. Katër ditë udhëtuam në këmbë dhe erdhëm në Greqi
Ku u vendoset fillimisht ?
– Në fillim isha në Athinë. Ndeja tre-katër muaj. Por duke parë se gjithçka ishte e zymtë, nuk mund të përballohej, u shpërngula dhe erdha në periferi të Athinës, në bregdetin e Thivës, në Saranti. U njoha me një grek vendas dhe fillova punën në lokalin e tij. Duke punuar, duke përvetësuar edhe gjuhën, zakonet, u bëmë pothuajse njerëz të këtij vendi edhe ne.
Sa vjet ndeje këtu ?
– Këtu ndeja nga viti 1991 deri në vitin 1996
Më pas ?
– Më pas u ktheva në Shqipëri. Thashë të krijonim variantet dhe të punonim në Shqipëri, në vendin tonë. Vajtën 5-6 vjet larg, nuk na mbante më kurbeti. Të rinj ishim. Në vitin 1994 u martova. Martesa pati një djalë. U kthyem në Shqipëri për të punuar e jetuar atje… ( tund kokën mendueshëm dhe sytë ia mbërthen detit, diellit në perëndim )
…Nëntëdhjeteshtata na i prishi të gjitha planet, të gjitha ëndrrat. Filluan trazirat. Humbëm shumë lekë nëpër firma. Jeta u bë shumë e rëndë. Nuk mund të jetonim më prapë aty. Nuk na mbante dot më vendi. Na lindi ideja të largoheshim, të iknim prapë, bashkë me familjen, me gruan dhe me djalin. Të shpërnguleshim, të iknim diku në një shtet që mund ta quanim një çikë më evropian, më të lirë. Në Greqi emigrimi ishte më i mbledhur, më i kontrolluar, më i vështirë, kishte racizëm dhe ksenofobi më shumë se sa në vendet e tjera të Evropës. E vendosëm të iknim në Itali edhe për shkak të asaj gjendjeje që u krijua me krismat, hasmëritë, vrasjet, dhunimet e ndryshme që shfaqeshin kudo gjatë janarit, shkurtit, marsit. Vendosëm të iknim në Itali me anije, me skaf me çfarë të mundnim. Këtë mënyrë e gjetëm nëpërmjet një anijeje në Vlorë, më 28 mars 1997, bashkë me familjen time, me djalin e xhaxhait 17 vjeç, me vëllanë tim Fiqiriun. Ai nuk donte të shpërngulej, donte të më shoqëronte deri në Itali dhe të kthehej prapë, por s’ishte e shkruar të ndodhte ajo…
Erdhi kjo, anija e zezë siç i thonë dhe na mori. Ishim gjithsej 105 veta në anije. Jemi nisur nga moli i Vlorës drejt Italisë nga ora tre e gjysmë – katër, mbas dite. Pothuajse të gjithë njerëzit ishin me familje, me fëmijë, njerëz që donin tu largoheshin trazirave, zhurmës së madhe që kishte kapur Shqipërinë në ato ditë…
Duke ecur në det, pas dy orësh na shfaqet një anije e madhe italiane e cila ishte brenda ujërave shqiptare, mbrapa Sazanit dhe po na shoqëronte. Na bënte sinjale që ne nuk i kuptonim nëse duhet të ndalonim apo jo. Deri në këtë moment ata ishin shumë paqësorë. Po ashtu edhe ne duke ngritur flamurin e bardhë, duke nxjerrë e treguar fëmijët në bord. Në një moment na lë kjo anije dhe shikojmë që drejt nesh po vinte një anije, nga ujërat italiane drejt ujërave tona. Kjo ishte anija ushtarake “Sibila”. Ajo na merr nën patronazh për të na shoqëruar. Kjo na mori në një mënyrë shumë agresive. Na priste rrugën, flisnin në megafon në gjuhën e tyre, italisht. Nuk e di se çfarë flisnin dhe thoshin. Ne, gjithnjë me atë idenë që të shkonim drejt Italisë dhe atje do t’i nënshtroheshim ligjeve e rregullave që ka ai shtet. Nuk e di se kush e drejtonte anijen tonë por ne ecnim drejt Italisë duke iu shmangur shpesh herë edhe goditjes së anijes se na dilte përpara duke bërë zik-zake nëpër det….
…Rreth orës shtatë, shtatë pa një çerek, isha jashtë bashkë me gruan dhe disa miq të tjerë në bord. Fëmijët dhe gratë ne i futëm tek dhomat e poshtme të anijes që të jenë ngrohtë. Në këtë moment del një shoku im dhe më thotë “të lutem, më ka zënë deti, futu bashkë me gruan tek dhomat ku rrinë fëmijët dhe gratë dhe më nxirr një çikë gruan jashtë se unë nuk mundem”. Në këtë moment futem bashkë me gruan. Poshtë kisha edhe djalin që flinte gjumë bashkë me djalin e xhaxhait kurse sipër në kuvertë ishte vëllai. Po zbrisnim shkallët dhe gruaja vajti direkt për të marrë gruan e shokut tim për ta nxjerrë jashtë. Në këtë moment dëgjoj një goditje të fuqishme, një tronditje të madhe. Kthej kokën nga dera për të dalë lart sipër shkallëve…. Punë sekondash… Shikoj një rrymë të madhe uji që na goditi. E kisha kapur gruan prej dore por rryma ma merr nga dora dhe e përplas brenda në dhomë. Për dy- tre sekonda çdo gjë mbyllet në errësirë, mbytet në ujë…
…Isha kapur pas hekurave të shkallëve. Nuk e shkëputa dorën. Duke mbajtur frymë, duke u munduar, duke dhënë shpirt, si i thonë shqip, u mundova, u përpoqa dhe gjeta derën për të dalë. Kur dal jashtë shikoj se çdo gjë ishte mbytur. U ndodha në sipërfaqe të detit, midis dallgëve të ftohta të dimrit. Shoh se çdo gjë ishte e përpirë nga dallgët. Kishte ngelur një pjesë e anijes akoma në sipërfaqe, e përmbysur, anije që nga çasti në çast shkonte drejt fundosjes. Përmbledh forcat dhe hidhem në not duke bërtitur, duke dëgjuar klithmat tmerruese të njerëzve, thirrjet e emrave të njerëzve të tyre të dashur. Dal në sipërfaqe me mendjen se gruaja, djali, vëllai dhe njerëzit e tjerë mbetën aty brenda. Thërrisja vëllanë pa marrë asnjë përgjigje. E mblodha veten, përmblodha forcat, notova për të kaluar vorbullën e mbytjes së anijes, vorbull e cila mori me vete shumë njerëz, përveç atyre që ishin brenda dhomave. Duke notuar, kishte shumë dallgë, kishte tetë ballë det, duke notuar, duke hapur njerëzit e mbytur me duar. Shikoja njerëzit e mbytur midis dallgëve dhe njerëzit e gjallë duke klithur e thirrur të dashurit e tyre, gra, vajza, djem të rinj. Ajo anije kishte 25 fëmijë nga mosha tre muajsh deri në dy vjeç. Të gjithë nënat ishin nëna të reja, me fëmijën e parë.
Notonim me shpresë të ndonjë ndihme. Ishim në Kanalin e Otrantos, sapo kishim kaluar ujërat tona, ishim në ujërat ndërkombëtare. Pashë shumë njerëz që notonin, pashë edhe tre djem që ishin kapur në një nga fuçitë që mbajnë anijet. Dallgët e çonin fuçinë në anë të kundërt me anijen që na goditi. Pas çdo dallge shikonim vetëm drita se ishte natë, errësirë. Shikonim dhe u drejtoheshim me not dritave. Ata ishin dritat e anijes që na goditi e cila pasi na mbyti nuk qëndroi por iku. Notonim me shpresë se mund të shpëtojmë. Kur po ndienim se forcat po na binin, forcat fizike, shpirtërore, biologjike, po mbaronin të gjitha, në atë moment kthehet anija, pas afro një ore, dhe nxjerr dy varka, nga ato varkat e mëdha të ndihmës së shpejtë. Varkat nuk i dërgon për të mbledhur njerëzit rreth e qark që thërrisnin e bërtisnin për ndihmë por i mban të lidhura pas trupit të anijes. Na thërrisnin “hajdeni këtu”. Si mund të vinte një njeri i mbytur, i shkatërruar fizikisht e moralisht, deri atje? Hidhnin edhe salvaxhente, nga ato shpëtueset. I hidhnin në krahun e kundërt nga shkonte dallga. Ato në vend të afroheshin tek ne largoheshin prej nesh, humbnin në errësirë e detit. I hidhnin vetëm sa për sy e faqe. Kush arriti deri tek varkat ishte me fat…
Kur arritëm, ushtarët e asaj anijeje, ata që kryenin detyrimin ushtarak u munduan jashtëzakonisht shumë për të na ndihmuar, për të na ngjitur në anije. Rrëzuan disa rrjeta litarësh që të hipnim sipër në anije sepse ishte anije fregatë e madhe.
Kur ngjitem në bordin e anijes, me atë ndjenjën e asaj që ndodhi, fillova të shaja në italisht duke u thënë kriminelë, na vratë fëmijët dhe gratë. Në këtë moment hidhet një që më vonë e mora vesh se ishte kapiteni i anijes dhe na thotë “kriminelë jeni ju dhe jeni të arrestuar”. Në këtë moment, dikush nga marinarët i kundërvihet kapitenit dhe i thotë “ Çfarë kriminelësh janë këta kur në anije gra e fëmijë kishte”? Kapiteni e përzuri me të bërtitura. U mblodhëm dhe nga koha e gjatë që u ndodhëm në det, në mes dallgëve dhe ujit të ftohtë të marsit më ra të fikët…
Kur erdha në vete mora vesh se na kishin ndarë në dy dhoma duke na dhënë ndihmën e shpejtë. Shpresë kisha se mos vëllai im kishte shpëtuar. Duke njohur edhe fizikun e tij, të rrahur me punën e me detin, mendoja se do të kishte shpëtuar. Ishte e kotë. E kërkova në dhomën tjetër se në dhomën ku isha unë ai nuk ishte. Iu shmanga marinarëve që ishin aty dhe shkova tek dhoma tjetër. Edhe në atë dhomë nuk gjeta njeri. Gjeta vetëm atë shokun që mu lut për të nxjerrë gruan nga dhoma. E pyeta dhe ai më tha “Mos kërko se të gjithë janë poshtë, në det, janë të mbytur”. Atëherë e s’takova trurin. Çdo gjë kishte mbaruar. Prisnim që edhe vetë ne, nga mënyra e të sjellit dhe trajtimin që na bënte kapiteni bashkë me tre katër të tjerë rreth tij, nuk e di se çfarë ishin oficerë apo nënoficerë të pësonim të njëjtën gjë. Sjellja e tyre ishte e tillë që edhe ne duhet të ekzekutoheshim për të humbur gjurmët e krimit të tyre.
Pas afro një gjysmë ore, nuk mund ta llogaris mirë kohën, na thërret kapiteni, na zgjedh nja katërmbëdhjetë djem të rinj, na merr nga anija dhe na fut në një skaf nga ato të guardia di financiar që kontrollojnë detin. Brenda ishin katër ushtarakë, dy nga të cilët ishin me automatikë, kurse dy të tjerët, njeri fliste me radio dhe tjetri ngiste skafin. Na bënë një udhëtim shumë shumë të dyshimtë. Udhëtuam një orë, një orë e gjysmë, kohë e cila po të ishte për të na çuar në Brindisi ishte më se e mjaftueshme. Ata duhet të na çonin për një gjysmë ore, e shumta. Gjatë udhëtimit na kërcënonin duke na thirrur e bërtitur “ Mos lëvizni ! Do t’ju godasim”. Flisnin me qendrën me radio dhe pyesnin se çfarë do të bëjnë me ne. Nga ana e tjetër e radios thoshin të vazhdonin rrugën. Në një moment, pas një bisede në radio skafi bëri një kthesë dhe na çoi drejt Brindisit. Siç mësuam më vonë, ishte fati ynë që dikush kishte marrë në telefon një nga këta ushtarët dhe ishte lidhur me dikë në tokë dhe pasi ishte marrë vesh gjithçka nuk u bë asgjësimi ynë.
Kur zbritëm na prisnin shumë gazetarë, njerëz të medies nga e gjithë bota. Pas kësaj njohjeje botërisht të tragjedisë trajtimi ynë filloi më ndryshe por vetëm në atë moment. Pas një jave trajtimi filloi në të njëjtën ide siç e kishin në fillim kur na goditën duke na thënë se ju ishit një anije me kriminelë, e mbushur me armë dhe që kishit ardhur për të bërë terror në Itali. E çfarë terrori mund të bënim ne duke i dërguar Italisë fëmijë ? Po i çonim fëmijë Italisë, nuk po i çonim armë dhe kriminelë. Edhe prokurori i Brindisit tha që mua më kanë thënë se ju keni qenë një anije me kriminelë, me armë dhe të tjera. Arma më e madhe atje ishte biberoni i fëmijës, arma më e fuqishme që mund të përdorej kundër Italisë ishin biberonët që u gjendën më mbrapa në anije…
Pastaj na futën në një kazermë që kishin qenë dikur policët italianë, aty na strehuan na dhanë ndihmën e shpejtë mjekësore. Ata të hetuesisë na merrnin shenjat e gishtave sikur ne të ishim banda më e madhe që mund të ekzistonte. Nejse ato ishin gjërat formale që ata bënin si shtet.
Më mbrapa erdhi ambasadori jonë në ato vite Pandeli Pasko i cili, për mendimin tim u mundua jashtëzakonisht shumë, pavarësisht nga forca që kishte si ambasador. Në atë kohë shteti ynë ishte inekzistent, një shtet siç ma tha një gazetar anglez duke na marrë në intervistë: “E di si është puna or mik. Po të kishte ndodhur jo me kaq por me një shtetas të vetëm anglez Italia në këtë moment do të ndahej përgjysmë, por ju jeni shqiptarë “. Kaq fjalë tha edhe iku. Më dha të kuptoj që ne jemi kot. Në ato çaste ne ishim popull kot që kushdo mund të dilte, kushdo: italian qoftë, grek qoftë, siç edhe e kanë bërë, të vriste, të priste, të bënte çfarë të donte me këdo shqiptar. Bile, mund të them, edhe presidentin mund ta trajtonte si një njeri pa identitet fare.
Kërkesa jonë më mbrapa ishte thjesht nxjerrja e anijes dhe nxjerrja e të vërtetës. Për të nxjerrë të vërtetën duhet të nxirrej anija nga fundi i detit. Deri në ato vite nuk kishte dalë një anije e tillë nga 850 metro thellësi ku kishte rënë ajo.
Në këtë kohë na u ofruan, mua personalisht por edhe të tjerëve shuma parash që kjo çështje të mbyllej, të lihej ashtu siç ishte. Kjo do të thoshte që ata njerëz që u mbytën të liheshin në fund të detit. Gjithë kjo tragjedi të kalohej në heshtje dhe ne të gëzonim ato pare që na jepte Italia. Këto unë i refuzova ashtu siç i refuzuan të gjithë me radhë. Kërkuam që këto para të hidhen në nxjerrjen e të vërtetës. Dhe nxjerrja e së vërtetës bëhej me mënyrën e vetme, nxjerrjen e anijes nga fundi i detit. Pse? Se ata thoshin se atje ka armë, kurse ne thoshim që atje ka vetëm fëmijë dhe bebilina e biberonë që i jepet një fëmije, ushqime për fëmijë dhe asgjë tjetër më shumë, mor as edhe një thikë po të them, një thikë që mund të thoshe se e kisha marrë për të qëruar një mollë. Pse ? Se ashtu u nisëm. Ishim të gjithë familjarë, u nisëm për një qëllim, për të jetuar sa më të lirë, sa më të qetë. Nuk u nisëm për të bërë terror.
Me kalimin e kohës, me gjyqet, morëm një avokat, më pas morëm një tjetër, u ndërruan avokatët. Pastaj u turrën avokatët dhe politikanët, çdo gjë përreth ashtu siç edhe na dukej por edhe tetëdhjetë për qind ishte e vërtetë, që të gjithë u turrën për të zhvatur diçka nga kjo ngjarje, nga kjo fatkeqësi që njerëzit, asnjë, as politikan i vendit tonë, as…si mund ta them, përveç miqve dhe shokëve tanë, njerëzit tanë që erdhën me gjithë mend nga ana njerëzore për të na përkrahur, asnjë person tjetër juridik si mund ta themi, nuk erdhi për të na përkrahur. Të gjithë erdhën për interesat e tyre. Vjen presidenti i Shqipërisë në ato vite Rexhep Mejdani, se më vonë u nxor anija, dhe do të bëhej njohja e viktimave dhe e sendeve të tyre. Aty ishim mbledhur të gjithë ne që shpëtuam, të afërmit e atyre. Vjen Mejdani dhe thotë që të mos flasim keq për Italinë se Italia ne po na mban me bukë. Çdo të thotë kjo? Pse duhet të vdesin 81 vetë që të ushqehen të tjerët? Iu drejtova me një pyetje të thjeshtë zotit Mejdani të rrethuar nga bodigardët e vet “Atëherë fëmija im, këta 81 vetë që u mbytën sipas jush qenkan baras me një vapor miell që solli Italia në Shqipëri? Janë fëmijë të një qytetari të thjeshtë, të një shqiptari të thjeshtë kurse fëmija jot, që është fëmijë presidenti duhet të kapi dy vaporë patjetër. Atëherë pse nuk e jep ti fëmijën tënd në këmbim të dy vaporëve me miell që të ushqehen shqiptarët?” Aty u krijua një konfuzion. Ne ishim edhe të irrituar…
Nejse, iku ajo punë. Nuk shikonim asnjë interesim nga shteti ynë. Më pas çdo gjë u bë me mundësitë tona, me miqtë, shokët tanë që kishim. Kapëm ndonjë avokat në të cilët ne nuk kishim edhe fort besim. Pse? Si mund që një italian të gjykojë veten e vet. Jo italian por kushdo, një njeri të gjykojë veten e vet? Nuk mund ta gjykojë drejtësisht. Kështu që nga mosnjohja dhe mos përkrahja u detyruam të merrnim avokatë italianë dhe siç edhe sot e kësaj dite akoma, kur kanë kaluar dhjetë vjet, dhe ngjarja ka ngelur po ashtu: Me kapitenin e anijes të lirë duke bredhur me limuzinën e vet, vilave të veta, me fëmijët e vet vikendeve dhe duke shijuar jetën e tij private. Dhe ne duke menduar akoma se 24 persona nga ata që u mbytën nuk u gjendën. Dhe duke menduar akoma se ku do të jenë vallë këta njerëz që nuk u gjenden.
Nga familja juaj kush u gjend ?
Gruaja, djali dhe djali i xhaxhait tim, u gjendën, kurse vëllai nuk u gjend se ai ishte lart në bord. Të gjithë ata që humbën ishin ata të bordit që qëndronin në anije sipër. Vëllai im dhe 23 të tjerë nuk u gjendën. Ata u shpallën të humbur….
Më vonë, me një dekret të parlamentit, nga një luftë e madhe edhe nga ana jonë, edhe nga opinioni, edhe nga shtypi e media. E vetmja ndihmesë nga ana e medies ka qenë gazeta Republika. Ata na kanë përkrahur në çdo ambient, në çdo përvjetor duke e kujtuar këtë ngjarje dhe duke e nxitur shtetin tonë që të dali e vërteta në radhë të parë, të merren masa për ata që e bënë këtë tragjedi. Kush e organizoi këtë vrasje?
Vëllai a kishte fëmijë ?
Jo, nuk ishte i martuar. Më i madh se unë ishte por nuk ishte martuar. Ishte inxhinier në naftë. Punonte bashkë me një shok të tij i cili ishte bashkë me të në anije.
Në Itali sa kohë ndenjët?
Në Itali, nga momenti që ndodhi tragjedia unë ndeja afro një muaj. Nuk mund të rrija dot më aty. Doja të ikja patjetër por nuk na lejonin sepse nuk kishim dokumente, pasaportat e gjithçka na kishin humbur në det. Ishim edhe të survejuar. Çdo hap yni kontrollohej nga policia italiane. Kudo që shkonim, bile më ka thënë një fjalë avokatja, që më mbushi me dyshime. Më tha që për çdo lëvizje duhet të më njoftosh mua ose prokurorinë e Brindizit, përndryshe do të kesh pasoja. Përse duhet të kisha pasoja? Pak vranë ata, donin të vrisnin akoma?. Donin të na eliminonin edhe neve një nga një dhe mos hapej çështja? Ata akoma ishin me idenë që ajo ishte anije me kriminelë nuk ishte anije me njerëz paqësorë.
Nga Italia ku shkove ?
I vetmi mendim ishte të kthehesha në shtëpi. Kisha lënë dy prindërit e mi, dy pleq të vetëm të cilët e morën vesh tragjedinë nëpërmjet televizionit. Ata më luteshin të kthehesha menjëherë. Në të vërtetë desha të shkëputesha fare. Për mua në atë gjendje që isha nuk ekzistonte as Shqipëri, as botë. Nuk doja të dija se kam vend a s’kam dhe se nga jam. Doja të zhdukesha përfundimisht, të ikja diku ku të mos më njihte njeri, të mos…
Por, disa miq që mu ndodhën pranë, më mblodhën si i thonë, dhe u detyrova të kthehesha prapë. Ika nga Italia me një avion ushtarak. Në këtë kohë lidhej një marrëveshje për atë misionin e famshëm “Alba” që do të vinte në Shqipëri, gjasme do na rregullonin italianët ne, do të na rregullonte bota. Po nuk u rregulluam vetë ne nuk na rregullon njeri në botë or burrë. Po hajde, ashtu i bënin politikanët tanë punët. E mendova ikjen edhe nëpërmjet ambasadorit, Pandeliut, i cili më afroi me ata ushtarakët edhe mua. Ai vetë më shoqëroi deri në Tiranë. Aty me xhipin e tyre të ushtrisë më ka shoqëruar deri në shtëpinë time me tre njerëzit e vet.
Vajta në shtëpi (loton)…
Ua tregova ngjarjen njerëzve të mi ashtu siç ishte. Ata thoshin jo ka shpëtuar ky, jo ka shpëtuar ai. Në të vërtetë asnjeri nuk kishte shpëtuar përveç meje nga fisi im dhe familja ime. Kështu edhe ata e ndanë mendjen.. Ai çast ka qenë shumë i vështirë për mua dhe prindërit e mi…
Pastaj, më vonë, u detyrova të shkoj prapë në Itali. Krijuam një shoqatë, “Shoqata e 28 marsit” e cila filloi të organizojë dhe të punojë për të nxjerrë në pah këtë ngjarje, për të sensibilizuar opinionin për ngjarjen, për tu thënë se ndodhi kjo tragjedi dhe mos u gënjeni nga fjalët. Anija doli në sipërfaqe pas tetë muajsh. Trupat e pajetë erdhën në Shqipëri. I varrosëm në vendin tonë, me një ceremoni madhështore që e bëri vetë populli shqiptar. Se e ndjenin prandaj edhe e bënë. Ajo ishte një nga tragjeditë më të mëdha që populli ynë nuk e kish jetuar aq ashiqare, duke të të vrarë për hiç gjë.
Kam shkuar disa herë në Itali, më dhanë edhe soxhornon, edhe atë të survejuar dhe të specifikuar për probleme të drejtësisë, duke u paraqitur herë pas here në degët e policisë italiane. Për mua pak rëndësi kishte më emigrimi, ndenjja atje. E vetmja rëndësi e atij dokumenti ishte që unë të shkoja e të denoncoja ngjarjen tragjike në proceset e pafund gjyqësore që bëheshin për ngjarjen.
Kjo vazhdoi deri në një far kohe kur pastaj, jo u lodha, po u zhgënjeva dhe besova tek ajo që peshku i madh e ha të voglin. Se pas kaq viteve mund të them se asnjë, asnjë, asnjë politikan i atyre viteve nuk merrte mundimin të merrej me këtë tragjedi. Kështu që ishte e kotë. Sa mund të luftoja unë kundra një shteti? Lufta ime ishte si një pikë ujë në mes të detit, ishte gjë e kotë. Edhe jeta po më merrte shumë përposhtë…
Kështu u detyrova të shkëputesha. Në vitin 2000 u ktheva prapë këtu në Greqi. Krijova familje të re, jetë të re. Jam martuar dhe shyqyr zotit tani kam tre fëmijë. Jeta ime pothuajse ka ndryshuar një çikë: Jo një çikë por shumë. Edhe jeta e prindërve të mi, pavarësisht se ata janë më të shkatërruar dhe të brengosur nga kjo tragjedi dhe nuk mund të ndryshojë kollaj. Po ajo, si i thonë, fëmijët e mi në sytë e tyre, sikur u sjell një çikë më shumë lumturi. Vazhdoj të jetoj këtu në Greqi me familjen time, I qetësuar.
Kur e ke filluar punën në këtë lokal të bukur buzë detit ?
Lokali e ka emrin Faros. Është psarotaverna Faros në një bregdet të Thivës që quhet Saranti, fshat me pak banorë vendas por me shumë shtëpi që muajt e beharit mbushen me turistë. Ka njerëz që vijnë dhe e frekuentojnë këtë plazh. Punoj në këtë restorant. Jam bashkëpronar me një grek. Punojmë të dy këtu. Në marrëdhënie me lokalin pothuajse i gjithë personeli është nga vendi im, nga Shqipëria. Në muajt e beharit punojnë deri në shtatë vetë, që janë shqiptarë. Dy-tre janë bullgarë, grekë. Gjatë dimrit kam vetëm dy veta në shërbim, një djalë, Lencin edhe një grua që e kemi në kuzhinë, e cila jeton këtu me burrin dhe familjen. I shoqi është peshkatar. Kalojmë mirë. Mundohemi të punojmë sa më mirë duke i plotësuar klientelës të gjitha kushtet. Kuptohet edhe në favor të biznesit tonë.
Ju faleminderit, me suksese dhe përshëndetje babait dhe nënës.
Faleminderit juve!
Saranti, Thiva, Greqi, mars 2007
* Marrë nga libri “Rrëfimet e Komshiut” f. 28-42
Abdurahim Ashiku
a_ashiku@yahoo.gr
Mark Frroku dhe Tom Doshi Shkojnë në Shtëpi
Tom Doshi doli duke qeshur nga ambjentet e Gjykates, ndersa Frroku, pa pompozitet. Ka mundesi qe ai te prangoset serish dhe te deportohet per llogari te drejtesise belge, ku akuzohet per vrasje./
E Shtune 28 Mars 2015- Gjykata e Lartë ka vendosur lirimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Froku duke dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie. Lajmin e dhanë avokatët e dy deputetëve, të cilët edhe pse u dha kjo masa u shprehën të pakënaqur.
Deputetët e Tom Doshit, Vladimir Meçi dhe Ferid Muçaj deklaruan se çështjen do ta çojnë në Gjykatn Kushtetuese dhe atë të Strazburgut.
Do të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Strazburgut. Në këtë rast po diksutoheshin kërkesat e Prokurorisë. Masa e arrestit në shtëpi, është i padrejtë dhe i pambështetur në ligj. Ne u njohëm me provat dhe ka prova të tjera që vërtetojnë ato që ka thënë Tom Doshi. Në këto kushte e konsiderojmë vendimin të pabazuar.
Tom Doshi doli duke qeshur nga ambjentet e Gjykates, ndersa Frroku, pa pompozitet. Ka mundesi qe ai te prangoset serish dhe te deportohet per llogari te drejtesise belge, ku akuzohet per vrasje.
Avokatët e Mark Frrokut u shprehen “U vendos arresti shtëpiak, nuk jemi dakord për këtë vendim. Prokuroia i qëndroi qëndrimit të saj, hetimi vijon. Ne do ta kundërshtojmë, pasi Prokuroria ka ushtruar presion. Të gjitha provat janë në favorin tonë.Të gjitha provat ishin në favor të klientiti tonë. Ngjarja është fals dhe klienti nuk ka lidhje me këtë. Por ne jemi të pakënaqur edhe pse trupi gjykues vendosi lirmin e tij.”
Ndërkaq Gjykata pritet të vlerësojë ligjshmërinë e ndalimit nga Prokuroria e Përgjithshme për deputetin Tom Doshi.
I pari që ka mbërritur në organin e gjyqësorit për tu njohur me masën e sigurisë ishte deputeti Mark Frroku.
Rreth orës 12:58 ai ka zbritur nga makina e policisë me pranga ne duar, për tu drejtuar para 5-shes së gjyqtarëve të përcaktuar për këtë çështje.
***
Mark Frroku është deputeti i parë në 25 vitet e demokracisë shqiptare që rrezikon të arrestohet për llogari ektsradimi në një vend tjetër. Belgjika ka kërkuar zyrtarisht prangosjen e deputetit të grupit socialist, por i zgjedhur në Pukë nën siglën e PKD duke e akuzuar për vrasje dhe trafik prostitucioni.
Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se në adresë të Mark Frrokut tashmë i arrestuar për dëshmi të rreme, autoritetet e Brukselit kanë firmosur nëpërmjet Interpolit kërkesën për të zbatuar arrestin ndërkombëtar firmosur prej disa kohësh për të.
Tashmë Prokuroria i ka përcjellë Kuvendit kërkesën për autorizim për arrestimin e deputetit Mark Frroku për këtë akuzë të re.
Pritet që të zbatohet e njëjta procedurë si në rastin e mëparshëm po me arrestimin e Frrokut dhe kolegut Tom Doshi për akuzat e dëshmisë së rreme dhe shtrengimit për dëshmi të rreme.
Këshilli i Mandateve do të mblidhet nesër në orën 16:00 për të vendosur vendosë më pas nëse do të japë lejen për arrestim dhe në momentin kur të jetë kryer e gjithë procedura parlamentare, Mark Frroku do të detyrohet të riprovojë prangat dhe me shumë mundësi edhe ekstradimin për në Belgjikë.
Frroku i dënuar me 10 vjet burg, ngjarja në 1999
Në kërkesën drejtuar Kuvendit thuhet se “Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit ka ngritur akt-akuzën kundër shtetasit Mark Frroku I njohur me identitetin e rremë Besnik Morina, i akuzuar për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, të shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në Bruksel, në datën 05. Mars 1999.
Për këtë ngjarje, autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë.Të akuzuarit janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, në 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vjet burgim”.
Dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe shtetasi Mark Frroku, kanë apeluar këtë vendim, me arsyetimin se avokatët e tyre kanë qenë kontradiktorë në mbrojtjen e klientëve të tyre, pa shprehur qartësisht kundërshtimin e akuzës. Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim.
Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të Brukselit, në datën 31 janar 2014, ka vendosur fillimisht që shqyrtimi i kësaj çështje të fillojë në Shkurt 2015, por pak javë më parë, gjyqtari ka vendosur që ky proces të fillojë në muajin Tetor 2015.
Sipas materialeve hetimore, rezulton se kjo vrasje është pasojë e përplasjeve së grupeve që merren me prostitucionin në Bruksel.
Rreth një vit më parë kjo akuzë u përfol mediatikisht, por autoritetet nuk bënë asnjë veprim deri në momentin e fundit kur arrestimi i tij për çeshtjen Doshi riktheu vemendjen belge për të rikërkuar arrestimin e deputetit.
Me një arrestim dhe ekstradim të mundshëm, Mark Frroku rrezikon edhe mandatin e deputetit i cili në rast se ndodh do ti kalojë emrit të tretë në listën e PKD, pasi edhe emri i dytë i kësaj partie është vëllai i burgosur i Mark Frrokut, Arben Frroku që nuk mundet ta përfitojë dot vendin në Kuvend.
“HEJ, JU PUSHTETARË, MOS MA DENIGRONI ZANATIN!“
Nga Fadil LUSHI-Tetovë/
Fjala a nocioni “psikiatër” nuk i takon etimologjisë së gjuhës sonë standarde, por po ta kërkosh domethënien e saj shqip, atëherë të del se me të kuptohet: “Mjek i specializuar për mjekimin e sëmundjeve mendore…” Një specialist, për punë të tilla, dikur moti e kishin angazhuar në oborrin diktatorial të Enver Hoxhës. Meqenëse ai nuk i parapëlqente fjalët e huaja, këtë mjek e kishte quajtur si “trushtrydhës-i, by…zbutës, hajt të mos themi, ko…zbutës”(!?). Ata që i kishin shërbyer dhe që e njihnin për së afërmi “xhaxhin”, thonë se ai me kësi nofkash tallëse e kishte më lehtë ta perceptojë këtë njeri me privilegje paksa të veçanta. Edhe ne jemi “kundër” kësaj shprehjeje, jo pse nuk është jona, jo pse nuk ia “gjejmë fijen”, jo pse nuk ia “gjejmë kuptimin”, por pse nuk na hyn në punë.
Kur jemi te Enveri dhe bashkëkohanikët a edhe bashkëmendimtarët e tij, këtij paragrafi do t’ia “shtojmë” edhe një vaki që llafos mençurinë e një të riu gjirokastrit. Krerët e Partisë së Punës kishin vendosur që “prej këtij të riu” të “bëjnë një gazetar investigues” (edhe kjo shprehje nuk është jona) “tebdil” dhe njëkohësisht të merrte rolin e “hafijes”, diku nëpër ndejat a mexhliset e katundeve. Sipas “tyre”, detyra parësore e tij konsistonte në “zbulimin e vendeve nga ku ngjallen krimbat e gjirizeve imperialiste” (!?). Një ditë prej ditësh, ky “qerrata” në vend që të bënte “gazetarinë hulumtuese”, në një “mexhlis burrash”, duke qenë në siklet dhe në zor, i “kishte ikur” pordha dhe lëre që e kishte kundërmuar ndejën, por edhe “nuk ia kishte dëgjuar” zërin. Këtë nuk e kishte “bërë nga qejfi”, po thjesht e kishte bërë nga halli!? “I zoti i mexhlisit” aq shumë ishte sikletosur nga budallakia e këtij “haberdhënësi dhe lajmmbledhësi fjalësh që dalin nga goja gjysmë e mbyllur e miletit”, saqë ishte çakërdis nga mendtë dhe për këtë ia “kishte lëshuar ca qyfyre” (ofendime): “Ti do të ishe një çun i mirë, sikur të mos i përngjaje atij dylberi nga Stambolli dhe nga Kavaja…, ti, katundar do të mbetesh, o derëzi”. Çuditërisht, gjirokastriti nuk reagoi. Kjo ndejë kishte një “mangësi” – nuk ishte “sade mexhlis burrash”(!?). Në të ishin dukur edhe gra të kooperativës së fshatit dhe ca shërbyes me sjellje prej kalamani. Gratë, ulërinin dhe qeshnin, ndërkaq burrat kohë pas kohe zgërdhiheshin pa vend e pa shkak, duke shtrembëruar fytyrën e duke nxjerrë dhëmbët jashtë, ca prej të cilëve sikur ishin me “ngjyrë teneqeje”. Në këtë ndejë nuk merrej vesh se kush kujt i bënte “karshillëk”, nuk “diktohej mirëfilli” se kush kujt ia shante mamanë, nuk merrej vesh se kush kujt ia bënte me “isharete”, por ama se kush kujt i pëshpëriste në vesh, kush kujt ia bënte me sy, kush kujt ia “merrte masën e samarxhiut “ shihej “ashiqare”. Thonë se Enveri këtë gazetar asnjëherë nuk “e qortoi për pordhën dhe as që e akuzoi” për kallëzimet e tij të “rreme”, sepse në kohën e tij nuk kishte gazetarë që “përcillnin lajme të sajuara”…, aq më tepër kur dihet se në ato mote nuk ekzistonin mediume të selektuara, qofshin ato të shkruara a pamore. Ai në vend të qortimeve dhe akuzave, e dërgoi në Spaç, ndërkaq familjen ia syrgjynosi!?.
E gjithë kjo histori e “gazetarit gjirokastrit” na kujton fabulën e Ezopit ”Katundari dhe gomari”. Një katundar për çdo javë me gomarin e tij kishte bartur mallra nga fshati në shehër dhe anasjellas. Një ditë kishte vajtur në shehër për të blerë kripë. Dhe pasi e kishte ngarkuar gomarin e tij, kishte marrë udhën drejt katundit. Duke u kthyer, i del përpara një përroskë i vockël, por e rrëmbyeshme. Gomari, nga që kishte peshë të rëndë, pengohet dhe bie në një gropë me këmbët përpjetë. I zoti u mundua në çdo mënyrë dhe sa më shpejt ta çonte gomarin në këmbë, vetëm e vetëm që të mos i tretej kripa. Mirëpo gomari nuk po e bënte këtë gjë. Fatkeqësisht, kripa tashmë ishte tretur. Pasi mori fund ky telash, ata vazhduan rrugën për në katund. Gomari ecte shpejt dhe shumë i gëzuar nga shkaku se barra e tij u bë shumë më e lehtë. Fytyra e katundarit ishte e zymtë dhe e trishtuar, kurse mendja rrëmujë nga fakti se “biznesi” i qe bërë çorap. Një ditë një shehërli leshpunues e kishte porositur katundarin që, kur të vijë në shehër, t’i sjellë lesh. Katundari në sabah herët e ngarkon gomarin dhe merr udhën për në shehër. Gjatë rrugës, atyre prapë u doli përpara përroska. Gomarit, iu kujtua rrugëtimi paraprak dhe hë për hë i çoi këmbët vetë përpjetë, duke menduar se edhe kësaj radhe do t’i lehtësohet barra, por ama, leshi aq shumë thithi ujë sa që u bë plumb i rëndë. Për këtë, kur katundari u ndërgjegjësua se me këtë farë gomari (që nuk vihej dot binarëve) “biznesit” të tij nuk i dilte hesapi, u detyrua ta dërgojë në Pazar, ta shesë dhe të blejë një tjetër. Megjithatë nuk i eci zari, pasi që harroi se edhe tjetri “veshmadh” emrin e kishte gomar.
Para se ne të diskutojmë për veprimtarinë publicistike të gazetave dhe revistave të Ballkanit, nëse na lejohet, do t’i referohemi një mendimi të Jerry Horst-it, përndryshe ish-sekretar shtypi i presidentit Gerald Ford dhe njëherit një prej ikonave të medies amerikane, i cili dikur moti, pos të tjerash, kishte thënë: “Një shtyp që hiqet si i pavarur nuk ka asnjë detyrim të mbrojë politikën e shtetit dhe pushtetarët, siç nuk ka edhe asnjë detyrim që të ngurrojë kur vjen rasti për ta mbrojtur atë”. Ky mendim sot e kësaj dite frymon në shtetet që njihen dhe shquhen me demokraci mediatike…, andaj mediet e tyre të shkruara a edhe ato elektronike me plot të drejtë do të konsiderohen si “pushteti i katërt, pas legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit”. Ndonëse kjo thënie e Horstit është shumë humane dhe mbase edhe emancipuese, nuk do të thotë se me çdo kusht duhet të “frymojë” në shtetet ku mediet janë të kontrolluara dhe të varura nga pushteti dhe pushtetarët. Ç’është e vërteta, gazetarët, opinionistët dhe editorialistët që marrin guximin të shkruajnë kundër pushtetit po edhe që nuk shkojnë në një vijë me qëndrimet e politikës aktuale, përgjithmonë ngelin “hyzmeqarë pa dinjitet”, pa emër dhe pa bukën e kalamajve të tyre. Së fundi ata “detyrohen” që “lirinë e tyre të shprehjes ta shndërrojnë në liri të gënjeshtrës”(!?) siç me të drejtë kishte thënë Giovani Sartori në një vështrim të tij. Diku në një rrugë të Tiranës, një gazetar shakaxhi kishte dalë në protestë me një pankartë, ku kishte shkruar një parullë paksa komike: “Dua të më blini një kasolle për lopën time”(!?). Se çfarë ishte ajo “lopë”, askush nuk e mori vesh, por një është e vërtetë, në kryeqendrën e shqiptarëve nuk ka lopë, nëse “pankartisti” nuk ka aluduar te zonjusha me taka të larta!? Se “cili budalla e kishte blerë gomarin e Ezopit, se ç’ndodhi me trushtrydhësin e Hoxhës, se ç’ndodhi me gjirokastritin dhe me gazetarin që kërkonte një kasolle për…,” asnjëherë nuk u dhanë prova. Ne që bëjmë përpjekje të shkruajmë diç për lexuesin e nderuar, kemi një provë: ”Demokraci pa liri të shprehjes dhe pa media të lira nuk ka” dhe as që do të ketë ndonjëherë. Ku ta dimë!
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- …
- 80
- Next Page »