• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2015

DORUNTINA SHFAQET NE NEW YORK

April 26, 2015 by dgreca

Intervistë me Drejtorin e Teatrit ODA nga Prishtina, Florent Mehmeti – mbas shtatë vjetësh me dramën “Doruntina”/
* “Doruntina” e teatrit ODA nga Prishtina në “dashuri” me teatrin “Blessed Unrest” në Nju Jork/
Intervistoi Beqir SINA/
NEW YORK CITY : Drama “Doruntina” rikthehet pas 7 vjetësh me një version të ri në teatrin “Interart” në qytetin e Nju Jorkut dhe në teatrin “Emelin” në Weschester. Në ndërkohë gazetari ynë në New York, Beqir SINA, sjell përsëri një intervistë me bashkëregjisorin e shfaqjes, Florent Mehmeti, i cili flet se përse zgjodhën dramën e bazuar në romanin, “Kush e solli Doruntinën”, të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, e cila tha ai trajton temën e familjes, dashurinë e ndaluar dhe fuqinë e premtimit, besës shqiptare. Mehmeti gjithashtu tregon se si e kan realizuar shfaqjen në bashkëpunim me kompaninë teatrale “Blessed Unrest”. Gjithashtu, ai dhe publiku thonë se janë të impresionuar me aktrimin e trupës amerikano – shqiptare, e cila përbëhet nga katër aktorë amerikanë dhe katër aktorë shqiptarë, duke plotësuar dhe rolet dytësore. Doruntina po të shfaqet në metropolin e botës Nju Jork, dhe pastaj do të udhëtojë për në veri të Nju Jorkut, Weschester nga 23 prilli deri më 10 maj.

Cili është rrugëtimi i teatrit “Oda” në këto shatë vite pas shfaqjes së fundit në Nju Jork?

Gjatë kësaj kohe ne këmi vazhduar të sjellim për publikun tonë punë artistike të llojeve të ndryshme, në 5-6 vitet e fundit Teatri ODA është duke bërë edhe punë artistike me partnerë nga Evropa në kuadër të rrjetit IN SITU me 17 anëtarë ku ne jemi anëtari i vetëm jashtë shteteve të Bashkimit Evropian. Puna që kemi bërë në këtë rrjet është punë ndërkombëtare e dedikuar për hapësirë publike. Përpos kësaj mbajmë repertor të rregullt në Prishtnë me shfaqje bashkëkohore të rregullta, si dhe ngjarje tjera kulturore që ndodhin në hapësirën tonë në Prishtinë

Drama e shfaqjes suaj është e bazuar në romanin, “Kush e solli Doruntinën”, të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, e cila trajton temën e familjes, dashurinë e ndaluar dhe fuqinë e premtimit, besës shqiptare. Përse e zgjodhët këtë dramë dhe Kadarenë ?

Ideja për të zgjedhur si temë Doruntinën dhe mitin e Konstatinit ka rrjedhë si kërkim i joni për të rajtuar një temë unike shqiptare për t’iu prezantuar publikut amerikan. Besa si fuqi e premtimit në kulturën shqiptare si e tillë nuk ekziston në kultura tjera dhe kjo e bën këtë teme shumë interesante dhe të veçantë. Inspirimi nga romani i Ismail Kadaresë na ka dhënë të dy teatrove tona shtyës të madhe për t’u marrë me këtë temë dhe për ta trajtuar artistikisht.
Si u mundësua bashkëpunimi i teatrit tuaj me teatrin njujorkez “Blessed Unrest”?Në bashkëpunimin me kompaninë teatrale a ka pasur realizime të tjera prej se kur ju gjetët njeri tjetrin ?.

Bashkëpunimi i Teatrit ODA me Blessed Unrest ka tashmë një histori më se 10 vjeçare. Pikë takimi jonë i parë ka qenë në Prishtinë më 2004 ku jemi takuar rastësisht pasi drejtuesit e Blessed Unrest kishin ndërmarr një udhëtim nëpër Ballkan duke dashur që të zbulojnë botën teatrore. Kur kanë parë punën tonë dhe gjatë besidave tona kemi rënë “në dashuri” artistike dhe kemi filluar bashkëpunimin fillimisht duke sjellur shfaqjen e Blessed Unrest “Lying” në Prishtinë dhe duke inkorporuar një aktor shqiptar në të në rolin e narratorit / përkthyesit. Më pas filluam bashkëpunimin e plotë në shfaqjen “Doruntina” që e kemi kurorëzuar në Nju Jork më 2008 dhe pastaj e kemi shfaqur në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë më 2009. Meqenëse është pritur shumë mirë dhe ka pasë kërkesë të vazhdueshme për ta shfaqur sërish kemi vendosur që ta risjellim për publikun njujorkez edhe tash më 2015. Në ndërkohë në vitin 2012 kemi bashkëprodhuar “Burrneshat” shfaqje kjo që ka trajtuar fenomenin e burrneshave në kulturn shqiptare e cila është shfaqur në trojet shqiptare në viin 2012. Gjatë gjithë kohës së bashkëpunimit tonë kemi pasur përkrahjen e institucioneve si në Kosovë ashtu edhe në Nju Jork por edhe të artdashësve shqiptarë në Amerikë, të cilët shpresojnë se do të vazhdojnë të përkrahin punën tonë edhe kësaj radhe.
Trupa e juaj përbëhet nga katër aktorë amerikanë dhe katër aktorë shqiptarë, si arrini t’i mbuloni të gjitha rolet dhe hapsirën e shfaqjes në skenë me këta 8 aktorë dhe si arrini të kombinoni përdorimin e dy gjyhëve në të njëjtën shfaqje ?
Në shfaqjen tonë ne e këmi përpunuar dhe e kemi integruar aspektin dygjuhësor në kuadër të konceptit artistik të shtrimit të shfaqjes. 8 aktorët kanë rolet e tyre parësore dhe pastaj luajnë edhe role dytësore që shërbejnë për rrjedhën e rrëfimit, praktikë kjo shumë e shpeshtë në krijimet bashkëkohore teatrore. Shfaqja është e konceptuar asisoji, që të kuptohet nga të dy gjuhët ndaras dhe mendoj që përvoja më e mirë e mundshme është për shqiptaro – amerikanët të cilët i flasin të dy gjuhët. Përvoja e dëgjimit të gjuhës shqipe në skenë edhe nga ana e pjesës amerikane të publikut përjetohet në mënyrë shumë të veçantë.
Çfarë duket se ka ndryshuar në këtë shfaqje nga ajo e shtatë viteve më parë ?
Përderisa ky ri isnkenim i Doruntinës pas 7 vitesh sjell gjetje të reja artistike në skenë, lojë më të pasur të aktorëve me fizikalitetin e tyre, rrëfimi mbetet po ai që ka qenë. Dallimi tjetër është që aktorët kanë ndryshuar në masë të madhe, pjesa amerikane është komplet me aktorë të rinj, përderisa te pjesa shqiptare kemi një aktorë të ri, por edhe ndërrim rolesh ku tash në rolin e Nënës kemi Ilire Vinca Çelaj.
Si e vlersoni shfaqjen tuaj në syrin komunitetin e artistëve shqiptar në Nju Jork, pra si si u prit shfaqja kësaj radhe?
Shfaqja jonë ka sjellur emocione të papërshkrueshme tek komuniteti shqiptar në Amerikë, pas shfaqjeve ne po bisedojmë me publikun dhe ata pa hezitim po i shfaqim vlerësimet e tyre shumë të larta sa i përket përvojës së tyre në shfaqje. Ndjenja e krenarisë për prezantimin e kulturës sonë në Nju Jork dhe në format të tillë duke e bërë atë së bashku me artistët amerikanë është diçka që mbizotëron tek të gjithë të pranishmit.
“Doruntina”, si u arritët ju të gjeni një gjuhë të përbashkët aktrimi mes dy kulturave që janë kaq larg njëra-tjetrës?
Duke qenë se gjuha e artit është gjuhë univerzale në e gjejmë një gjuhë të përbashkët të shkelqyer mes veti, dhe edhe pse për kohë të shkurtër kemi punuar së bashku me aktorët Amerikanë, këtu para shfaqjes së parë e kemi ndjenjën që njihemi e punojmë që shumë kohë së bashku. Ne kemi punuar edhe paralelisht në Prishtinë e Nju Jork, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe duke kordinuar punën në detaje fale mjeteve të teknologjisë moderne dhe internetit.
“Doruntina” u prit më mirë në Nju Jork, para shtatë viteve apo mendon tani?
Nuk mund të bëjë një krahasim meqenëse sapo kemi filluar ta shfaqim tani, në 2008 është pritur jashtëzakonisht mirë dhe tash në 2015 shenjat e para janë të jashtëzakonshme prej publikut dhe jam shumë i sigurtë se do të vazhdojë kështu, gjë që edhe neve na bën të jemi jashtëzakonisht të kënaqur.
Cilin aktor do të veçonit nga trupa juaj?
Është e vështirë të veçosht ndonjërin aktor dhe me të vërtetë për ata që e kanë parë shfaqjen dhe do ta shohin mund të pajtohen me mua se secili prej tyre shpalos nga diçka jashtëzakonisht të fortë e të fuqishme nga vetja dhe në këtë mënyrë i gjithë ansambli rrezaton shumë mirë duke e fuqizuar shumë rrëfimin e rrugëtimin e Doruntinës dhe Konstantinit.
A mundet të na rrëfeni sekretin e teatrit ODA?
Nuk mendoj që kemi ndonjë sekret. Kur puna jonë është e suksesshme ajo është e bazuar në një impenjim serioz e të palodhshëm me shumë pasion, dashuri e sinqëritet.
Cilat janë planet e tuaja për të ardhmen ?
Gjatë kohës sa po qëndrojmë në Nju Jork, kemi planifikuar disa punëtori së bashku me artistët e Blessed Unrest për të kërkuar tema, qasje e mënyra të bashëkpunimit tonë në të ardhmen. Rezultatet e këtyre punëtorive do të na shërbejnë për të planifikuar bashkëpunimin tonë të radhës.
Me çfarë mesazhi do kishit dëshirë tju drejtoheni artëdashësve shqiptaro – amerikan ?
Unë do të doja që artdashësit shqiptaro – amerikan në Nju Jork e në Westchester, ku gjithashtu do të shfaqim shfaqjen me 2 Maj në Teatrin Emelin në Mamaroneck, të mos e humbasin këtë shansë për të përjetuar diçka shumë të këndshme që për bazë ka kulturën e veçantë shqiptare e të njëjtën kohë i flet botës edhe në anglisht e me gjuhën univerzale të artit. Duke qenë se bashkëpunimet e këtilla si ky i joni janë shumë të vështira për t’u organizuar dhe kërkojnë shumë financa, prandaj edhe nuk mund të ndodhin shumë shpesh do të ishte mëkat që të mos përjetohet ky rrugëtim artistik.
Teatri ODA dhe Blessed Unrest shfaqin shfaqjen dy gjuhësore “Doruntina” në Nju Jork, SHBA.
Një martesë që e refuzon traditën, një udhëtim i pamundur mbi kalë, një vëlla që e sfidon varrin. Inspiruar nga legjenda shqiptare siç është e shkruar nga Ismail Kadare, DORUNTINA është një rrëfim mitik i dashurisë së ndaluar dhe rrezikut të Besës që nuk mund thyhet kurrë.
Luajnë: Ilire Vinca Çelaj, Kevin Chu, Eshref Durmishi, Nëntor Fetiu, Njomëza Ibraj Fetiu, Tatyana Kot, Poppy Liu, and Nathan Richard Wagner.
Regjia: Jessica Burr dhe Florent Mehmeti
Shkruar nga: Matt Opatrny dhe Lirak Çelaj
Më shumë informata në blessedunrest.org
23 Prill – 10 Maj, 2015
The Interart Theatre
500 West 52nd Street, NYC
Gjithashtu më 2 Maj në Emelin Theatre në Westchester (http://www.emelin.org/events-view/theatre)
Shfaqja organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës së Qeverisë së Republikës së Kosovës. “Doruntina” është një bashkëprodhim i Teatrit ODA dhe Blessed Unrest nga Nju Jorku

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, Doruntina, Flornt Mehmet

Demokracia shqiptare në 25 vjet: Sfida dhe mundësi

April 26, 2015 by dgreca

Nga: Dr. Elez Biberaj/*
Ju falënderoj nga zemra që më ftuat të marr pjesë në këtë konferencë të rëndësishme. Ju falenderoj gjithashtu për prezantimin bujar që më bëtë. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në shoqërinë e personaliteteve të njohura dhe të miqve e kolegëve. Për mua është nder i veçantë të jem këtu në një ngjarje të jashtëzakonshme – 25 vjetorin e tranzicionit të Shqipërisë nga një shtet diktatorial, njëpartiak, në një sistem demokratik shumëpartiak.
Është e natyrshme që njëzet e pesë vjet pas rënies së komunizmit t’i hedhim një sy rrugëtimit demokratik të Shqipërisë për të parë sukseset dhe vështirësitë me të cilat ajo është përballur. Do të përpiqem të bëj një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë gjatë çerek shekullit të shkuar si dhe të flas për sfidat me të cilat ajo ndeshet tani dhe në të ardhmen e afërt për konsolidimin e plotë të demokracisë. Kjo analizë bëhet nga këndvështrimi i një vëzhguesi të jashtëm, por thellësisht të interesuar në përparimin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Gjithmonë jam ndier jashtëzakonisht me fat dhe shumë mirënjohës për mundësinë që Zëri i Amerikës më ka dhënë për të ndjekur nga afër zhvillimet në atdheun tim. Zëri i Amerikës ka qenë i lidhur ngushtë me zhvillimet në Shqipëri, duke qenë një prani e vazhdueshme në periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha më e paharruar e mbulimit nga Zëri i Amerikës të çështjeve shqiptare ka qenë ajo pas vdekjes së Enver Hoxhës, dhe më konkretisht ngjarjet dramatike të vitit 1990. Zëri i Amerikës iu kundërvu propogandës së regjimit duke thyer mitet e tij dhe duke theksuar se sundimi komunist i kishte shtypur aspiratat e shqiptarëve për të ndërtuar një vend modern, të bazuar në pluralizmin politik dhe ekonominë e tregut. Kështu, Zëri i Amerikës shërbeu si një forcë ndikuese e jashtme dhe një faktor ndryshimi, duke sfiduar me sukses monopolin e regjimit mbi lajmet dhe informacionin. Ai u bë një mbështetje për mendimin opozitar dhe nxitës i idealeve të një shoqërie të lirë, pluraliste dhe demokratike. Megjithatë, Zëri i Amerikës ishte vetëm një nga faktorët e shumtë të brendshëm e të jashtëm që së bashku kontribuan në rrëzimin e komunizmit.
Rënia e sistemit komunist të Shqipërisë çliroi një vrull demokratik dhe çoi në krijimin e një peizazhi politik të larmishëm dhe dinamik. Me mbështetjen e rëndësishme politike dhe financiare të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimi Evropian, Shqipëria hyri në rrugën e reformave të shpejta politike dhe social-ekonomike, siç ishin: rimëkëmbja e rendit kushtetues; ngritja e një sistemi të ri qeverisjeje, me tre degë të pavarura pushteti, krijimi i masave mbrojtëse për të drejtat dhe liritë themelore dhe reforma e gjyqësorit. Gjithashtu, Shqipëria e riintegroi veten në komunitetin ndërkombëtar, duke ndjekur një kurs të qartë pro-perëndimor dhe duke zhvilluar lidhje të ngushta politike dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Një varg reformash të shpejta u pasua nga çrregullime shoqërore dhe nga një rënie e institucioneve në vitin 1997, që për pak sa nuk e ktheu Shqipërinë në një shtet të dështuar. Kriza solli si pasojë një fragmentim politik dhe një gërryerje dramatike të pushtetit shtetëror. Megjithatë, Shqipëria e mori veten nga kriza e skemave piramidale brenda një periudhe relativisht të shkurtër dhe vazhdoi programin e reformës, duke bërë përparim në shumë fronte. Ajo është tani anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rëndësia e saj në nivel rajonal është rritur ndjeshëm.
Shqipëria e ka kapërcyer tashmë fazën e tranzicionit. Njëzet e pesë vjet pas rënies së komunizmit, mendoj se përdorimi i termave “tranzicion” dhe “pas-komunist” është tashmë i debatueshëm dhe pa ndonjë vlerë analitike. Një vend, i cili ka mbajtur tetë zgjedhje parlamentare që nga viti 1991, me rotacion pushteti mes dy partive më të mëdha politike, që është anëtar i plotë i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian, nuk mund të klasifikohet si “vend në tranzicion” ose si vend “pas-komunist.”
Pyetja është se çfarë lloji regjimi është krijuar në Shqipëri? A i kanë arritur shqiptarët plotësisht aspiratat e tyre demokratike? Dhe, a është sistemi i tanishëm apo niveli i tanishëm i demokracisë forma më e lartë e një rendi demokratik që mund të arrijnë shqiptarët?
Zhvillimet në Shqipëri gjatë çerek shekullit të fundit duhet të shihen brenda kontekstit më të gjerë rajonal, evropiano-lindor. Tranzicioni politik i Evropës Lindore ka krijuar disa lloje regjimesh: demokraci të plota, hibride dhe regjime autoritare. Vendet baltike, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe dy ish-republikat jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia, kanë pasur një tranzicion relativisht të shpejtë dhe të suksesshëm dhe kanë arritur në një masë të madhe konsolidimin e rendit të tyre demokratik.
Shqipëria, nga ana tjetër, ka mbetur dukshëm prapa, dhe kalimi i saj drejt demokracisë ka qenë i ngadalshëm dhe me më shumë sfida. Shqipëria është pjesë e një kategorie vendesh ish-komuniste, si Armenia, Bosnja, Gjeorgjia dhe Mali i Zi, që kanë deficite demokratike dhe mund të klasifikohen si “regjime hibride.” Mëgjithëse “regjimet hibride” qëndrojnë më lart në treguesit e demokracisë sesa regjimet “autoritare,” të tilla si Rusia apo republikat e tjera ish-sovjetike, ato karakterizohen nga struktura politike gjysmë-demokratike; nga zgjedhje që jo gjithmonë përputhen plotësisht me standardet ndërkombëtare për votimet e lira, transparente dhe të besueshme; nga mosmarrëveshje të zgjatura pas-zgjedhore; nga mungesa e sundimit të ligjit; nga një sistem qeverisjeje ku tre degët e pushtetit, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyësori nuk funksiojnë si duhet; nga korrupsioni i përhapur; nga një shoqëri e dobët civile dhe nga qeveri, që në masë të madhe nuk janë të përgjegjshme ndaj qytetarëve.
Ritmi i ngadaltë i demokratizimit të Shqipërisë ka qenë pasojë faktorësh të lidhur me njëri-tjetrin, që shkojnë përtej natyrës totalitare të regjimit të Hoxhës dhe mungesës së një tradite demokratike. Ata përfshijnë një mori elementësh politikë, shoqërorë dhe ekonomikë. Këto pengesa, së bashku me dështimin e përgjithshëm të elitave politike për të thelluar institucionet demokratike, për të siguruar një qeverisje të efektshme dhe për të sjellë rritje më të madhe ekonomike, kanë rënduar ndjeshëm mbi demokracinë shqiptare.
Këtu nuk është as koha e as vendi për të hyrë në hollësi, por më lejoni të përmend vetëm disa faktorë që vazhdojnë ta pengojnë demokratizimin e Shqipërisë. Vazhdimësia në pushtet e elitës së vjetër ka ndikuar negativisht në përparimin demokratik të vendit. Shumë njerëz në poste drejtuese kanë qenë pjesë e nomenklaturës komuniste që bënë një kalim të butë në sistemin pas-komunist. Këto elita në përgjithësi nuk shfaqën pikëpamje demokratike për natyrën e politikës. Ata e treguan veten si politikanë të dobët me prirjen për të mos e vlerësuar si duhet kompromisin në qeverisjen demokratike. Ndërsa premtonin se do t’u përmbaheshin idealeve demokratike, me të ardhur në pushtet udhëheqësit politikë bënin përpjekje për të kontrolluar të gjitha levat e pushtetit, për të imponuar kontroll mbi median e biznesin dhe për të përçarë e izoluar kundërshtarët e brendshëm si dhe opozitën. Elitat në Shqipëri kanë treguar prirjen e shkatërrimit të kundërshtarit, shpesh duke përdorur një retorikë tepër konfrontuese, akuzuese, populiste dhe arrogante. Pak prej udhëheqësve të lartë mund të shihen si model për pjesën tjetër të shoqërisë.
Politika shqiptare mbetet e bllokuar dhe thellësisht jofunksionale. Në thelb, ajo ka degjeneruar në një luftë për pushtet midis dy partive më të mëdha politike të vendit, ndonëse ato nuk ofrojnë më alternativa të dallueshme nga njëra-tjetra. Ndryshimet kushtetuese dhe të kodit zgjedhor në vitet 2008-2009 sollën përqendrimin e pushtetit te krerët e partive, duke çuar në një degradim të rëndësishëm të demokracisë brenda partive. Udhëheqësit e partive kontrollojnë dhe përcaktojnë listën e kandidatëve, çka u dëshmua edhe në procesin e tanishëm të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore të qershorit. Ata reklamojnë ose instalojnë në pozita të larta njerëz personalisht besnikë ndaj tyre. Anëtarët e parlamentit mbështesin fort pozitat e udhëheqësve të tyre dhe në të gjithë spektrin rrallë shikon politikanë që të marrin qendrime të pavarura.
Korrupsioni ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë. Pasuria dhe qasja ndaj pushtetit janë përqendruar në duart e një grupi të vogël, ndërsa pjesë të konsiderueshme të popullsisë ende jetojnë në varfëri. Kjo gjendje ka krijuar pakënaqësi të gjerë dhe është politikisht destabilizuese. Ekziston perceptimi i përhapur se të gjithë janë të korruptuar. Ky sigurisht është një thjeshtëzim i tepruar, por shpesh perceptimet mund të jenë po aq të rëndësishme sa realiteti.
Shkelja e ligjit si dukuri e përhapur është bërë pengesë mjaft serioze për qeverisjen e mirë dhe për një shpërndarje të drejtë të burimeve të vendit. Vetë institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit – zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, parlamenti, partitë politike, gjykatat, gjyqtarët, prokurorët dhe policia – e kanë minuar luftën kundër korrupsionit.
Megjithëse sfidat e tanishme nuk duhet të errësojnë përparimin që ka bërë Shqipëria në çerek shekullin e kaluar, realiteti dëshmon gjithnjë e më shumë se shqiptarët nuk janë të kënaqur me nivelin e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik që ka arritur vendi.
Pyetja tani është: a do të mbijetojë sistemi i tanishëm, apo do të evoluojë ai në një regjim më pak ose më shumë demokratik? Duke pasur parasysh sfidat e shumta të brendshme me të cilat përballet Shqipëria, prirjen globale dhe rajonale të rrëshqitjes së demokracisë dhe forcimin e alternatives autoritare, a ka të ngjarë që Shqipëria të shohë një përkeqësim në ecurinë e saj demokratike?
Në të ardhmen e afërt, shanset për një ndryshim të shpejtë dhe të madh politik duken të vogla. Duket qartë, dhe këtë e them me dhimbje, se elitat e tanishme nuk kanë gjasa ta ndryshojnë me themel kulturen politike, stilin e qeverisjes dhe mënyren se si e trajtojnë njeri tjetrin. Ato janë ngurosur në qëndrimet e tyre dhe politika në Shqipëri mbetet tepër informale dhe personale. Ritmi i demokratizimit përgjithësisht e ka humbur vrullin, duke çuar në një gjendje politike të sëmurë dhe në një përparim me hope të zhvillimit demokratik. Ndërsa në fazën fillestare ekzistonte vullneti politik dhe oreksi për reforma radikale, tani duket se ka një mungesë vullneti për të kaluar në një nivel më të lartë të reformave të thella. Nuk ka shenja se udhëheqësit shqiptarë janë duke kërkuar rrugë për të hequr dorë nga marrëdhëniet mbi bazë përçmimi midis koalicionit qeverisës dhe opozitës, për t’u angazhuar në një debat gjithëpërfshirës dhe për të arritur një konsensus kombëtar në çështjet kryesore, që do ta bënte më të lehtë realizimin e ndryshimeve politike të rëndësishme, thellimin e demokracisë dhe përmirësimin e qeverisjes.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 u panë gjerësisht si një ndryshim i rëndësishëm. Megjithatë, vendi rrëshqiti shpejt në stilin e vjetër të politikës konfliktuale. Bllokimi i tejzgjatur politik, rritja e ngadaltë ekonomike, shtimi i sfidave shoqërore dhe një seri skandalesh korrupsioni e kanë dëmtuar rëndë qeverisjen.
Bashkësia ndërkombëtare ka investuar mjaft në procesin e demokratizimit të Shqipërisë. Por komuniteti ndërkombëtar po tregohet gjithnjë e më pak i prirur të përdorë levat e rëndësishme që ka për të ndikuar tek udhëheqja shqiptare, pasi siç duket ka krijuar bindjen se situata në Shqipëri ndryshon tepër ngadalë. Kjo përforcon mendimin se Bashkimi Evropian nuk ka gjasa ta pranojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, duke patur parasysh problemet e saj politike dhe institucionet e korruptuara.
Prandaj, ndryshimi i vërtetë do të duhet të arrihet nga brenda. Që të realizohen reforma radikale, do të ishte e nevojshme një shkundje në themel e sistemit të tanishëm. Por, megjithë pakënaqësitë në rritje ndaj gjendjes politike dhe ekonomike, nga poshtë vërehet pak trysni që do t’i detyronte politikanët shqiptarë të ndryshonin rrënjësisht kursin. Shoqëria civile është tepër e dobët për të ndërgjegjësuar elitat që ato të marrin masa serioze për t’i dhënë fund praktikës së dëmshme të kontenstimit të vazhdueshëm të zgjedhjeve, mosmarrëveshjeve të tejzgjatura dhe bojkoteve. Në të njëjtën kohë, edhe shoqëria në përgjithësi duket se i toleron politikat e gabuara të politikanëve, dritë-shkurtësinë e tyre, përplasjet jo parimore midis partisë në pushtet dhe opozitës, grykësinë dhe korrupsionin.
Nëse këto prirje negative vazhdojnë, më e mira që Shqipëria mund të presë në të ardhmen e afërt do të ishte një ecje e vështirë, herë pak më shpejt e herë pak më ngadalë. Por një status quo e tillë do të vononte integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të rëndonte problemet e brendshme dhe do të inkurajonte qeverisjen e keqe. Polarizimi përçarës dhe marrëdhëniet helmuese që karakterizojnë politikën shqiptare mund të çojnë në rrëshitjen prapa të demokracisë dhe në një humbje graduale të përparimit që ka bërë vendi. Korrupsioni i thellë, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit paraqesin një kërcënim qenësor për demokracinë në Shqipëri. Disa njerëz madje mund të joshen për t’i vënë në dyshim vlerat dhe normat demokratike dhe për t’i parë sistemet më pak demokratike apo autoritare si alternativa që funksionojnë.
Kjo na bën të shtrojmë disa pyetje provokative: A janë shqiptarët të aftë për të sfiduar me vepra tezën e përhapur se “ky vend nuk bëhet?” A e kanë shqiptarët aftësinë dhe vullnetin politik për të arritur një nivel më të lartë pjekurie demokratike dhe për të zbatuar reforma themelore që do ta shtynin vendin drejt një demokracie të plotë?
Megjithëse problemet me të cilat ndeshen sot shqiptarët janë mjaft serioze, ekzistojnë disa faktorë që, në një vështrim më afatgjatë – e theksoj: më afatgjatë – mund të nxisin një demokratizim të qëndrueshëm.
Shqiptarët nuk ka të ngjarë ta pranojnë vazhdimin e gjendjes së tanishme. Ekziston një pakënaqësi e përhapur ndaj statukuosë, sidomos mes të rinjve, e cila mund të çojë në kërkesa gjithnjë e në rritje për udhëheqës më të përgjegjshëm, të cilët të përqendrohen te respektimi i institucioneve dhe ligjeve, te zhvillimi ekonomik dhe që të kenë aftësinë të punojnë në të mirë të publikut.
Shqipëria ka një brez të ri dinamik dhe të edukuar, që priret të mendojë në një kontekst perëndimor e demokratik dhe që është gati të zerë pozita me ndikim në shoqëri. Dalja eventuale e një brezi të ri udhëheqësish politikë dhe ekonomikë është një faktor premtues. Si rrjedhojë e ndikimit të globalizimit, inovacionit teknologjik dhe studimeve jashtë vendit, shumë të rinj shqiptarë kanë ide të reja dhe një vizion të ri për të ardhmen e vendit. Gjithashtu, klasa e mesme në rritje me sipërmarrësit e saj inteligjentë dhe mjaft të motivuar, ka të ngjarë të kërkojë transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe nga ana e zyrtarëve dhe e politikanëve.
Ndonëse Shqipëria ka dëshmuar rritje ekonomike – këtë vit prodhimi i përgjithshëm bruto mund të rritet 3 për qind – ajo nuk ka përjetuar një zhvillim të rëndësishëm ekonomik. Hendeku mes atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen është mjaft i madh. Shumë qytetarë e ndjenë veten të papërfaqësuar, dhe pikërisht ata mund të kërkojnë të kenë një zë në të ardhmen e vendit dhe të ndikojnë në vendimet politike që lidhen me interesat e tyre jetike.
Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian vazhdon të shërbejë si një shtysë e fortë për të zbatuar reformat e nevojshme. Shqiptarët nuk mund ta humbasin një rast të tillë dhe elektorati nuk do t’i falte politikanët, në qoftë se ata e humbasin. Për shumicën e shqiptarëve, nuk ka alternativë tjetër në rrugën e tyre demokratike, evropiane.
Zhvillimet në Shqipëri janë me rëndësi dhe mund të kenë ndikim në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ndërsa sistemi i tanishëm nuk ka gjasa të pranohet nga shqiptarët si caku përfundimtar i demokracisë, Shqipërisë do t’i duhet një korrigjim themelor i kursit për t’u bërë demokraci plotësisht e konsoliduar. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës të aftë dhe me vizion për ta çuar vendin përpara. Por që kjo të realizohet, udhëheqësit e saj duhet të marrin masa serioze për të çrrënjosur korrupsionin, për të krijuar besimin e publikut te shteti dhe institucionet e tij, për të siguruar qeverisjen e mirë, për të nxitur përgjegjshmërinë ndaj të gjithë qytetarëve dhe për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik, që do të çonte në rritje të mundësive dhe në një standard më të lartë jetese. Kjo është një detyrë e vështirë dhe këto objektiva nuk arrihen lehtë.
Shqipëria po përjeton një kohë sfidash dhe mundësish të veçanta. Për shqiptarët ka dy rrugë: ose të pranojnë gjendjen e tanishme dhe t’i nënshtrohen fatit, ose të kapin momentin, të shfrytëzojnë arritjet e rëndësishme të çerek shekullit të fundit, të rifitojnë vrullin demokratik, dhe ta kthejnë në realitet vizionin e tyre demokratik.
Ju faleminderit!
* Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë/
Zëri i Amerikës/ Fjala kryesore në Konferencën mbi 25 vjetorin e tranzicionit në Shqipëri
Universiteti Europian i Tiranës
Tiranë, 24 prill 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokracia shqiptare, Elez Biberaj, në 25 vjet:, Sfida dhe mundësi

JANKULOVSKA: HIQ DORE NGA SKENARET ANTISHQIPTARE

April 26, 2015 by dgreca

SHSHA -ja porositë Jankullovska mos u merrni me skenarët antishqiptare të Serbisë/
Shkruan: Skënder KARAÇICA/
SHSHA-ja në Çikago me indijatë po i përcjell ngjarjet politike dhe orët e kurdisura të regjimit sllavomaqedonas në Shkup që kanë të bëjnë me çështjen e popullit shqiptar në hapësirën e vet etnike,që për fatin e keq ka mbetur i pambrojtur dhe në margjinat e kohës përballë vetëdijes së paçliruar nga mendësia totalitare moniste dhe të ngarkuar me psikologjinë anarko-liberaliste.
Për shkak të përbuzjes së vazhdueshme të Jankullovska ndaj popullit shqiptar në Maqedoni,me hidhërim dëshmojmë se populli shqiptar nuk është ,,fis e as idianë,,por popull i lashtë që tash e një shekull me qendresë ka kundërshtuar shtypjet politike që ndër vite mori formën e një gjenocidi të hapur ,si dhe përpjekjet në fushën politike,të arsimit dhe të kulturës për të përblluar ndikimet asimiluese sllave në Ballkan,thekson zëshëm SHSHA në Çikago.
Duhet të ketë të qartë Jankullovska se populli shqiptar në hapësirën e vet etnike gjendet para projektimit të ardhmërisë kombëtare dhe me parimet e vlerave të lirisë e të demokracisë,ku shqiptarët si popull i lashtë,duan po aq sa kanë edhe të tjerët në Maqedoni,që deri tash nuk ka shenja të rrafsheve të reja të demokratizimit të marrëdhënieve ndëretnike me tiparet e sëndertimit të demokracië dhe të shkëputjes nga sistemi totalitar komunist dhe me skenarët e njohur antishqiptare të Serbisë.Në këto vija po qendron besnike Jankullovska dhe pa hezitim ka harrur se populli shqiptar është populli i dytë shumicë dhe nuk është rentierë në tokën e vet entike,rithkson për opionion SHSHA-ja.
Populli shqiptar,duhet të dijë jankullovska se është popull autotkon,që jeton me shekuj në trojet e veta dhe që ka vazhdimësi historike.Historia me burimet e lashtësisë që nga antikiteti e deri më sot ka dëshmuar se shqiptarët në Ballkan janë pasardhës të ilirëve,kurse ,,populli,,i Jankullovska kanë ardhur shumë shekuj më vonë në këtë gadishull.Po ia shpjegojmë se çfarë thotë udhëpërshkuesi anglez H.N.BRAILSFORT në librin e tij,,Maqedonia,racat e saj dhe ardhmëria e tyre,të botuar në Londër(1906)thekson:,,Një nga racat që jetojnë sot në Maqedoni,vetëm shqiptarët mund të thuhet se janë autoktonë,,.Për këtë rithkeson SHSHA-ja në Çikago,a mjafton më shumë për ty Jankullovska?

Problemi i çështjes së (pa)zgjidhur shqiptare në Maqedoni,ka tendenca sikundër kjo e Jankullovska që të fusë zjarrin tek këmbet e veta ashtu si vepronin dikur qarqet nacionaliste serbe të dirigjuara nga Beogradi,që sollën deri tek shpërberja e Jugosllavisë që vetë e krijaun dhe vetë e shkatërruan.Mos të hezitojë Jankullovska se çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur në Maqedoni dhe tërë kolovajza politike po sillet me orën e kurdisur që sa më shumë propaganë antishqiptare dhe sa më shumë skenarë për të mashtruar botën demokratike dhe popujt liridashën në BE dhe SHBA,por kjo nuk do të pijë ujë Jankullovska!
Me sjelljet dhe avazin e vejtër të njohur për ne,thekson SHSHA-a në Çikago,nëse nuk zgjidhet çështja shqiptare në Maqedoni me trajtim të barazisë në të gjitha fushat e jetës dhe në të gjitha nivelet e organizimit dhe të funskionizimit të saj,pra konstituimi si subjekt i barabartë politik,me të drejtë sovrniteti si element shtetformues,atëherë po ia rikujtojmë Jankullovska se Maqedonia do të shpërbehet dhe do të ketë fatin e ish-Jugosllavisë,thot zëshëm në këtë deklaratë SHSHA.
*Skënder Karaçica
Executive Director
Albanian-American Association

Filed Under: Analiza Tagged With: antishqiptare, Jankulovska, Karacica Skender, skenaret

Vater e ngrohte atdhedashurie

April 26, 2015 by dgreca

Persiatje ne ditelindjen e 103-te te Vatres/
Shkruan:Sadik Elshani, Philadelphia/*
Me 28 prill Vatra feston 103 vjetorin e themelimit te saj – 103 vite ne sherbim te bashkesise shqiptaro – amerikane, ne sherbim te ceshtjeve madhore te kombit tone. Vatra eshte nje emer i dashur, i nderuar, eshte nje institucion kombetar, eshte sinonim, eshte identiteti i bashkesise shqiptare te Amerikes. Emri i saj eshte i lidhur ngusht me disa nga fytyrat me te ndritura te kombit tone, si: Noli, Konica, motrat Qiriazi e shume figura te tjera. Nder vite ajo luajti nje rol te rendesishem, thene me mire, te pazevendesueshem per ruajtjen e gjuhes, traditave tona, identitetit tone kombetar ketu ne Amerike, si dhe ne ngritjen e ndergjegjes kombetare dhe zgjimin kombetar ne pergjithesi. Rreth Vatres dhe ne gjirin e Vatres shqiptaret u brumosen me idete atdhetare dhe nder vite mbajten gjalle frymen dhe qenjen shqiptare, ndersa gazeta Dielli qe ajo botonte (dhe vazhdon ta botoje edhe sot) perhapte rrezet e diturise e te perparimit ne te gjithe boten shqiptare – u bente thirrje shqiptareve qe me arme ne dore te luftonin per clirimin e Shqiperise nga zgjedha e huaj shumeshekullore. Per rolin e saj qe luajti gjate historise sone kombetare, Vatra u be simbol, u be shembull udherrefyes se si duhet organizuar e vepruar per te miren e atdheut, per mireqenjen e kombit. Vatra u formua me nje qellim te larte, per te krijur nje shtet shqiptar te pavarur, te lire e demokratik. Ne periudhat e veshtira e kaotike te historise sone, ajo shpesh luante rolin e nje qeverie shqiptare, Ministrise se Puneve te Jashtme te Shqiperise dhe gjithmone ishte dhe mbeti nje ambasadore e denje e vlerave tona kombetare, kujdestare dhe mbrojtese e ceshtjes kombetare. Sot kemi dy shtete shqiptare, Shqiperine dhe Kosoven. Edhepse Shqiperia dhe shqiptaret jane ne nje pozite me te volitshme se kurre ndonjehere me pare ne historine tone, ende kemi per te bere shume – vellezerit tane ne Mal te Zi, Sanxhak, Luginen e Presheves, Maqedoni e Cameri ende nuk i gezojne te drejtat e tyre. Misionet kombetare nuk kryhen kurre, ato kalojne nga nje shkalle ne shkallen tjeter, marrin forma e trajta te ndryshme. Kombi, shteti gjithmone jane ne ndertim – ndertimit te kombit, shtetit kurre nuk i hiqen skelat.

Vatra u krijua ne kohen kur shqiptaret nuk kishin parti politike, por kombi, Shqiperia ishte partia e shqiptarit dhe shqiptarizmi ishte ideologjia e tij. Kete tradite, kete fryme atdhetare Vatra duhet ta vazhdoje edhe sot. Shqiptaret edhe sot kane nevoje per nje Vater te organizuar mire ku mund dhe duhet te mblidhen te gjitha mendjet e ndritura te kombit tone dhe me devotshmeri e perkushtim kembengules u qasen ceshtjeve madhore te kombit tone. Kete rol, asnje organizate, asnje institucion nuk mund ta luaje me mire se Vatra, sepse ajo ka me shume se nje shekull ne sherbim te kombit dhe gezon adhurimin e besimin e shumices se shqiptareve. Pervjetoret e Vatres kane dicka te vecane, sepse nuk i shenojme, nuk i festojme vetem pervjetoret e themelimit te nje organizate qe emri i saj eshte i shkruar me shkronja te arta ne faqet e historise sone kombetare, por edhe per faktin se kjo organizate ende jeton, ende eshte vaktive ne mesin tone. Kjo eshte magjikja e Vatres! Kjo eshte ajo ura e forte, ura e vetme shpirterore qe lidh periudhen e Rilindjes Kombetare me kohen e sotme.
Shoqatat si Vatra qe karakterizohen me nje program, platforme, angazhim, vizion kombetar, i perballojne me sukses te gjitha sfidat, dallget e stuhishme te historise dhe dramave njerezore, gezojne jetegjatesi e perjetesi, ndersa shoqatat qe ndjekin politiken e dites, shuhen shume shpejt, sikur vete dita qe shuhet me perendimin e diellit. Kjo eshte formula e jetegjatesise se Vatres, por eshte edhe per faktin se Vatra u themelua, zhvilloi dhe ende po e vazhdon veprimtarine e saj ne nje shtet demokratik si Amerika, shtet qe nuk te pengon, por te ndihmon per ruajtjen e gjuhes, traditave kombetare dhe qendron larg intrigave e prapaskenave meskine. Vatra beri shume per shqiptaret dhe Shqiperine – tani ne duhet te bejme me shume per Vatren qe gjithmone ta mbaje te ndezur zjarrin e atdhedashurise, te rrezatoje vlera te larta kombetare e njerezore dhe ta vazhdoje me sukses misionin e saj fisnik kombetar, duke e mbajtur gjithmone lart e me lart flamurin e shenjte te shqiptarizmit. I urojme asaj mbaresi e perjetesi!
Philadelphia, 26 prill, 2015
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: atdhedashurie, Sadik Elshani, Vater e ngrohte

Letër drejtuar Deputetëve të Dibrës për Rrugën e Arbërit

April 26, 2015 by dgreca

Letër drejtuar Deputetëve të Dibrës për Rrugën e Arbërit/
Shkruan:Dr.Gëzim Alpion/
Të nderuar Deputetë të Dibrës:/
z. Shkëlqim Cani
z. Bedri Hoxha
z. Roland Keta
z. Ulsi Manja
z. Sherafedin Shehu
z. Përparim Spahiu
Po bëhet një vit që nga Tryeza e Rrumbullakët që organizuam në Tiranë për Rrugën e Arbërit ku, katër nga ju dhe një deputet me origjinë dibrane, patët mirësinë ta ndiqni dhe të kontribuoni në diskutime.
Që nga ajo kohë ne nuk kemi pushuar së lobuari për Rrugën. Megjithëse jo gjithmonë nga burime qeveritare, ne vazhdojmë të jemi të mirëinformuar për çështjen e fondeve.
Në mungesë të një marrëveshje përfundimtare me palën kineze, ngurrimi i deritanishëm i Kryeministrit Edi Rama për të na pritur, pavarësisht reagimeve negative që ka ngjallur, deri tani ka qenë deri diku i kuptueshëm nga ana jonë.
Ne i përshëndesim përpjekjet e Qeverisë dhe të z. Shkëlqim Cani, në postin e Ministrit të Financave, për vazhdimin me sukses të negociateve me palën kineze, si dhe vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për t’i hapur rrugën një marrëveshje të posaçme për vazhdimin e ndërtimit të Rrugës së Arbërit.
Në këto kushte, ne mendojmë se është në dobi të Rrugës së Arbërit dhe të Qeverisë aktuale që z. Rama të na presë në një kohë të përshtatshme në mënyrë që t’i dorëzojmë formalisht peticionin, i cili tani është përkrahur nga më se 10,000 nënshkrues online dhe në formularë. Peticioni ynë, në një formë, e ka bërë efektin e tij, aq më tepër që ky është peticioni më i gjatë në historinë e Shqipërisë që ka qëndruar larg influencave politike. Në këtë drejtim, peticioni do të ngelet i njëjtë deri në mbylljen e tij, kur të përfundojë me standarde Rruga e Arbërit.
Këtë radhë po ju shkruaj në emër të intelektualëve dibranë, që e kanë mbështetur pa rezerva këtë peticion mbarë popullor, si dhe të të gjithë përkrahësve të shumtë, që ju të ndërmjetësoni një takim me z. Rama. Përveç dorëzimit formal të peticionit, takimi me z. Rama do të jetë një rast shumë i mirë për të ndarë me të disa shqetësime në këtë fazë të finalizimit të marrëveshjes. Ne jemi të gatshëm të kthehemi në Tiranë kurdo që të jetë e përshtatshme për z. Rama deri në fund të vitit në vazhdim.
Ne jemi të hapur për të ndarë mendimet tona edhe me palën kineze po qe se shtrohet nevoja.
Shprehim bindjen se në këtë moment kaq të rëndësishëm, ju do të ngriheni mbi gjithçka që ju ndan politikisht, për të dëshmuar para elektoratit dibran se jeni në lartësinë e duhur për të përmbushur detyrimin tuaj me integritet dhe vendosmëri.
Për ne do të ishte kënaqësi dhe privilegj që në takimin që po kërkojmë të ndërmjetësoni me Kryeministrin të merrni pjesë të gjithë ju Deputetët e Dibrës.
Me respekt,
Gëzim Alpion (Dr)
https://www.facebook.com/DrGezimAlpion
____________
Ju lutemi nënshkruani peticionin për ndërtimin sa më shpejt dhe me standarde të Rrugës së Arbërit
https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

Filed Under: Opinion Tagged With: deputeteve te Dibres, leter, Rruga e Arberit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT