Nga Reshat Kripa/
Duke dëgjuar fjalët e bashkëvuajtësve të mi, më dalin para syve, si në një ekran, portretet e paharruara të dy të përndjekurve politikë, Xhemal Mustafarajt dhe Fadil Ndreut që, megjithë kërcënimin e forcave të sigurimit të zi të shtetit, që ende ishte në fuqi, më 27 nëntor 1991, hipën në shtizën e flamurit, grisën yllin e urryer të komunizmit dhe ngritën lart flamurin e kuq me zhgabën dykrenore, ashtu siç e kishte ngritur dikur edhe Plaku i Urtë i Vlorës. Më dalin pamjet e ditës kombëtare të 28 nëntorit të po atij viti, kur ish-të përndjekurit politikë të Vlorës i thanë:
-Ndal!-kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, komunistit
Mezan Malaj, duke mos e lejuar të ngrinte flamurin e Skëndrbeut.
-Duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e
Ismail Qemalit–i thanë atij dhe flamurin e ngritën duart e pastra të Altin Kokoshit, birit të ish- të burgosurit politikë, Burim Kokoshi dhe nipit të nënshkruesit të Aktit të Pavarësisë dhe drejtuesit të Luftës Patriotike të Vlorës më 1920, Qazim Kokoshit.
Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje:
-Mos harroni! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi
pinjollët e tyre janë ata që sot ndodhen në krye të shtetit për të ringjallur përsëri figurën e diktatorit të përmbysur dhe një nga këta është edhe Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri, Edi Rama, ati i të cilit, Kristaq Rama, ishte ai që firmoste, pa nguruar aspak, dënimin me varje të poetit Havzi Nelaj në gushtin e vitit 1988, në një kohë kur komunizmi në botë kishte filluar të merrte rrokullimën. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit tanë politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot janë mbledhur rreth Partisë Socialiste për t’i bërë gropën demokracisë në vendin tonë, për të restauruar kohën e përmbysur.
Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat social-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Valter Harrizin, Lutfi Rapajn, Besim Çerën, Adem Shehun dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura politike dhe demokrate, një masakër e vërtetë që pasoi me nxjerrjen nga burgu të autorëve përgjegjës të dhunës komuniste dhe dëmshpërblimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar dy vjet më parë, i cili nuk i lejonte këta persona të merrnin pjesë në administratën shtetërore, pushimin nga puna të mijra të përndjekurve politikë e të tjera.
Zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është shprehur
: Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë
demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Vini veshin!
Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë, – thotë zoti Benesh.
Ndaj ju bëj thirrje: Rruhuni nga thirrjet e kobshme të këtyre korbave të zinj që na kanë rrethur nga të gjitha anët. Ata i dëgjojmë të këlthasin për gjoja tmerret që paskan jetuar në të kaluarën, në një kohë që ishin ata që i shkaktuan, për të drejtat e njeriut në të sotmen, për liri dhe barazi në një kohë që jo shumë vjet më parë çirreshin, kush më tepër t’ia kalonte shokut, për “sukseset e socializmit”, dhe për “mësimet e Partisë dhe të shokut Enver”.
Ndodhemi në prag të çeljes së fushatës për zgjedhjet vendore. Mos harroni këto që përmenda më lart. Dilni në zgjedhje dhe votoni për të ardhmen tuaj. Kush është kjo e ardhme? Është aleanca me në krye Partinë Demokratike. Kjo aleancë ka bashkuar demokratët, republikanët, ballistët, legalistët dhe të gjithë ata që përpiqen për një Shqipëri me të vërtetë demokratike, për një Shqipëri ku të sundojë shteti ligjor dhe jo shteti i krimit siç është sot.
Filozofi Friedrich Nietzsche, qysh në vitin 1906, shkruante në librin “Vullneti për pushtet”:
“Kam fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një “jo” dhe te një “po”.
Unë ju mësoj që ti thoni “jo” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron.
Unë ju mësoj që t’i thoni “po”çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës.”
Ndaj, t’i themi “Jo” pushtetit të kriminelëve që kanë zaptuar shtetin. T’i themi “Jo” korrupsionit që mbizotëron në vendin tonë. T’i themi “Jo” mashtrimit dhe hipokrizisë shtetërore. T’i themi “Jo” blerjes dhe vjedhjes së votës së lirë.
Le t’i themi “Po” rivendosjes së shtetit ligjor të së drejtës. T’i thermi “Po” rivendosjes së të drejtave të njeriut. T’i themi “Po” Shqipërisë europiane.
Ndaj, le t’i flakim tutje të gjitha mospërputhjet e mendimeve që mund të kemi me njeri-tjetrin dhe të bashkuar le të përsërisim 28 nëntorin e vitit 1991, të votojmë për kandidatin e Partisë Demokratike dhe partitë e koalicionit të djathtë, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë realitet ëndrrën tonë shekullore për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe moderne. Përndryshe, nesër do të jetë shumë vonë.
Mos harroni!
Mbajtur në konventën e organizuar në Vlorë nga Departamenti i të Përndjekurve Politikë i Partisë Demokratike dhe Shoqatat e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë me famil,jet e përndjekura nga regjimi komunist.
Archives for April 2015
Beteja për TIRANEN
Beteja për të drejtuar kryeqytetin do të zhvillohet mes Erion Veliajt nga PS dhe Halim Kosovës nga PD. Dy emrat u prezantuan në të njëjtën ditë dhe thuajse në të njëjtën orë nga drejtuesit e partive kryesore në vend. Kreu i PD-së dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zgjodhi të prezantoj mjekun e njohur Halim Kosova, në një takim me demokratët në qendër të kryeqytetit. Shumë pikëpyetjeve për emrat e tjerë që u përfolën nga djathta, Basha u ka dhënë përgjigje mjaft shkurt. “Qytetarët kërkuan një mjek dhe jo një politikan”, tha ai. Vetëm pak minuta më pas, Kryeministri dhe kreu i PS-së Edi Rama i ka dhënë fund dilemës për kandidatin socialist. Ai deklaroi nga selia rozë, se kandidati i koalicionit të majtë do të jetë Erion Veliaj. Në prononcimin e shkurtër për mediat kryesocialisti Rama u kujdes të vinte në dukje se Veliaj nuk është vetëm kandidati i Partisë Socialiste. “Kemi rënë dakord edhe me aleatët dhe kandidati ynë është Erion Veliaj”,- tha ai. Pak më herët, Kreu i Kuvendit dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta konfirmoi se kandidati i së majtës do të jetë gjithëpërfshirës. Një deklaratë në dukje rutinë, por mëse e nevojshme duke pasur parasysh se në zgjedhjet e kaluara, aleatët luajtën jo pak rolë në fitoren dhe humbjen e kandidatëve të dy forcave kryesore.
Teksa ethet e emrave kanë marrë fund në selinë e PS dhe PD ka mjaft qejfmbetur që nuk u vunë në listë, por tashmë gara ka hyrë në një tjetër etapë. Atë të programeve elektorale, projekteve dhe premtimeve për të ndryshuar kryeqytetin. Ende kandidatët nuk kanë paraqitur platformat. Por ajo që mund të thuhet në nisje të fushatës është se Kosova dhe Veliaj pritet të sjellin një garë qytetare për kryeqytetin. Të dy kandidatët bëjnë pjesë në ata personalitete që në politikë nuk njihen për sherre, skandale, apo aq më pak abuzime dhe akuza korruptive. Janë figura të vlerësuara në kampet e tyre politike, por mbi të gjitha është se Veliaj dhe Kosova, ndryshe nga të tjerët dinë të vlerësojnë dhe kundërshtarin. Ndaj kjo betejë do të jetë një spektakël elektoral dhe një përballje mes vlerave civile e qytetare në politikë. Pavarësisht se kush do të humbasë, kjo është një fitore për të dy.
Mjeku i njohur, Halim Kosova edhe pse është deputet i PD-së njihet për profilin e tij larg politikës konfliktuale dhe stilit sherrxhi të PD-së. Nga foltorja e selisë blu apo ajo e Kuvendit nuk është parë ndonjë herë të dalë dhe të shajë apo akuzojë kundërshtarët me retorikë politike. Një administrator i vlerësuar në drejtimin e spitalit “Mbretëresha Geraldinë” dhe një ministër që qëndroi pak muaj në detyrë. Kosova ka profil të ulët si politikan, por që kompensohet me profilin e lartë të një intelektuali dhe humanisti. Nëse e krahasojmë me emrat e tjerë që ka nxjerrë PD-ja në vite për Tiranën; Albert Brojka, Sali Kelmendi, Spartak Ngjela, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, dalim tek mendimi se Halim Kosova është njeriu më pak militant dhe politik, që e gjen veten tek puna dhe jo tek oratoria apo politika aktive. Për një PD që kërkon të hedh pas të shkuarën problematike, emri i Halim Kosovës duket se është gjetja e mirë për tu dhënë qytetarëve një ofertë të re.
Një rrugë tjetër nga ajo e Halim Kosovës ka pasur karriera e Erion Veliaj, por jo më pak të vlerësuar. Është ndër të rinjtë që në vitet 2000 i dha kuptim termit aq shumë të abuzuar në vend “shoqëri civile”. Preferoi të mos ndiqte karrierën pas shkollimit jashtë vendit në SHBA dhe Angli, por u kthye në Shqipëri dhe në krye të një grupi djemsh dhe vajzash arriti të krijonte një lëvizje civile me emrin “Mjaft” që i shkundi mirë zyrtarët e korruptuar të asaj kohe. Krijoi një model reagimi civil që nuk njihej deri në ato vite dhe u bë simbol i të rinjve. Mesazhi ishte i qartë, ky vend nuk bëhet vetëm nga institucionet. Para së gjithash, që shteti të funksionojë duhet të ketë qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm. Të njëjtën filozofi vendosi në zbatim dhe më pas kur i hyri karrierës politike. Fillimisht me një force të re politike, “G 99” dhe më pas si pjesë e strukturave të Partisë Socialiste. Sot si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, edhe pse ende nuk ka dy vite në detyrë, Erion Veliaj ka një bilanc pozitiv. Mjaftojnë vetëm dy reforma për të përshkruar profilin e tij si vendimarrës dhe praktikë. Është ministri që mori përsipër zbatimin e reformës së pensioneve, një nga problemet me emergjente për sistemin në vend, si dhe paraqiti zyrtarisht në Kuvend nismën për hapjen e dosjeve të ish-komunizmit.
Nga dje gara është e hapur. Pas prezantimit pritet që kandidatët të shpallin platformat që kanë për administrimin e qytetit më të madh në vend, Tiranës. Kosova pritet të vërë në funksion përvojën si administrator i institucioneve, saktësinë e një mjeku dhe recetat strikte për zhvillimin. Ndërsa Erion Veliaj me energjinë, vizionin dhe formatin perëndimor të vendimmarrjes,pa harruar prakticitetin për të shkuar në çdo qoshe shpie për të biseduar e gjetur zgjidhjen e halleve. Mbi të gjitha dhe me pasionin e një të riu që ka hyrë në politikë për të lënë gjurmët e veta në historinë e Tiranës.
Beteja është hapur që sot! (Kortezi: Koha Jone)
NJOFTIM PER KOMUNITETIN- FILMI PER SKENDERBEUN SHFAQET ME 9 MAJ
Film – Dokumentar – Premiere/
(Per Heroin tone kombetar Gjergj Kastrioti – Skenderbeun)/
Regjisor – Producent: Vladimir Prifti – Mjeshter i madh i artit
Punuan per filmin studiues, historiane dhe aktore nga te gjitha trevat shqiptare
Muzika: Aleksander Peci
Vendi: Monroe College, 2501 Jerome Avenue
Bronx. NY 10468
Nr. Tel: (718) 933 – 6700
Data: 9 Maj 2015
Ora: 1 pm – 4 pm (mesdite)
“CERTIFIKATË PAFAJSIE” APO “CERTIFIKATË PASURIE”?
Në Kuvendin e Shqipërisë, e prej andej në mjetet e komunikimit masiv, vazhdojnë ngjitjet në tribunë me “Certifikata pafajësie” e me “Certifikata fajësie” si në skenën groteske të filmit “Ballë për ballë”.
Askush nuk del të flasë e bërtasë me “Certifikatë pasurie” në dorë me adresa të plota, me emër e mbiemër për të denoncuar të ardhurat nga krimi e korrupsioni të ngjizura në to./
Nga Durim Madhi/
Foto shoqeruse :Demonstrate nga Forumi i Emigranteve/
Në faqe të parë të shtypit të shkruar dhe lajm të parë në ekranet e vegjël tokësorë e satelitorë (një hapësirë e mirëpritur e lirisë) përditë përballemi me “Certifikata pafajësie” nga njëra anë dhe “Certifikata fajësie” nga ana tjetër si në atë skenën e njohur në filmin “Ballë për ballë”.
Protagonistë të “Certifikatave” kanë ngjyra politike, të majta e të djathta, dhe “zë në efir” gazetat, radiot e televizionet mbrehur si qetë në “krahun e vet” duke tërhequr zvarrë parmendën e drunjtë.
Ka tashmë, diku tek një vit apo më pak, që foltorja e Kuvendit zhurmon për “Të tetëmbëdhjetët”. Vikat në atë masë sa në korridore kërcet shpulla e kamerat e sigurisë përcjellin deri në seanca gjyqësore pamje spektakli që ia ka zili edhe rruga.
Ka disa javë që mediat belge shkruajnë për një vrasje me adresë të një deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu siç ka po kaq kohë që fluturon në efir “Certifikata e pafajësisë” dhe një avokate nga Belgjika ka ardhur të “mbrojë” honorarët e profesionit…
Plasi edhe këto ditë “dueli” midis pakicës dhe shumicës kur njëra palë përcjell dënime gjykatash të vendeve të tjera dhe pala tjetër, me “Certifikatë pafajësie” ngul këmbë në të kundërtën si “dhia në urën e telit”.
Një vizatim me dorë të lirë mbi fytyrën e politikës dhe politikanëve shqiptarë nxjerr në pah se një pjesë e madhe (nuk guxoj të them shumica) kanë ardhur në drejtim të pushtetit e shtetit nga “Udhëtimet jashtë vendit”, udhëtime që i kanë nginjur ekonomikisht, sa jo vetëm të bie në sy, por edhe të frikëson.
Nuk flitet për mërgimtarë të thjeshtë që me djersën e ballit dhe me sakrifica të panumërta kanë ndërtuar ndonjë “vilë trekatëshe” në “Bathore” apo në “Kënetë”, kompletuar për jetesë modeste vetëm në katin përdhes, ndërkohë që katet e “larta” janë në “katër mure”….
Flitet për njerëz të pushtetshëm jo vetëm me vila madhështore në bregdet e në bjeshkë, por me pasuri të jashtëzakonshme, qindra milionë euro apo dhjetëra miliarda lekë siguruar në banka të “sigurisë së lartë”, banka që as “Lista La Garde) nuk i regjistron dot…
Një “Certifikatë pafajësie”, në këtë botë ku korrupsioni bën qarkoren e tokës rreth diellit, është shumë e lehtë të sigurohet. “Paratë çajnë detin”-thotë populli. Por edhe sikur të marrim të “pamundur” sigurimin e një “Certifikate pafajësie” në rrugën e allishverisheve, në të gjitha kodet ligjore të shteteve ka një “kohë vdekjeje”, kohë pas së cilës (pesë apo edhe dhjetë vjet) bëma e krimit shuhet nga sistemet kompjuterike dhe personi jo thjeshtë lahet por edhe parfumohet aq bukur sa pamja fizike dhe aroma shkrihen në një.
Ajo që nuk shuhet, nuk parfumohet, nuk mund të hiqet as nga shikime e as nga dëgjimi, është pasuria e vënë në rrugë të panjohura, me “miell të bardhë” e me “mish të bardhë” siç është përfolur dhe vazhdon të përflitet për njerëz të të “katër pushteteve”.
“Certifikata e pafajësisë” e tundur në erë si flamur përpara kamerave të shumta televizive ashtu si edhe “Certifikata e fajësisë” e tundur në të njëjtën mënyrë, nuk janë asgjë tjetër veçse një “tymnajë” mbi sytë e popullit dhe një “zhurmues” në veshët e tij. “Tymnaja” dhe “zhurmimi” janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen të mbulojnë korrupsionin, vjedhjen, dhunën e krimin.
“Certifikata e pasurisë”, deklarimi i saj deri në qindarkën e fundit nga secili individ që synon jo vetëm karrige në shtet e në pushtet, në gjyqësor e në media, është e vetmja që flet për të gjithë veshët dhe reflekton për të gjithë sytë.
Kushdo, përpara se të dalë në skenën e madhe të popullit, me synimin për të zënë karrigen e deputetit, të kryetarit të bashkisë, apo në ofiqe të tjerë paga e të cilëve rrjedh nga “xhepi i popullit”, nga taksapaguesit shqiptarë, duhet të ketë me vete “Certifikatën e pasurisë”. Tu tregojë të gjithëve se si e ka siguruar pasurinë e tij, si është bërë pronar i madh vilash, si është bërë biznesmen i suksesshëm në fusha të ndryshme.
Ekziston de juro një Inspektorat i Verifikimit të Pasurive, Inspektorat që deri tani, edhe kur ka nxjerrë nga “thellësia e truallit të korrupsionit” ndonjë detaj (Bode-rasti më i fundit) është mbrojtur dhe mbrohet me “Certifikatë pafajësie”.
Plazhi më i preferuar i politikës mbi të cilin media “fluturon me helikopter”, plazhi i Gjirit të Lalëzit, është tipik për tu kërkuar çdo pronari të politikës shqiptare “Certifikatën e pasurisë”, rrugën e secilit për ndërtimin dhe pajisjen e vilave deri edhe me “ullinj shekullorë” sjellë nga ajri.
Shqipëria është vendi tipik në botë ku kapitalet e vëna janë në sy të popullit, ku diferenca e njerëzve krahasuar me “startin kapitalist” ’90-të, është e dukshme, ku njeriu me “dy divane me shtrojë llastiku e kashtë thekre” u ngjit duke pushtuar tregun dhe duke krijuar mirëqenie sheik-u vendesh arabe.
Në Kuvendin e Shqipërisë, e prej andej në mjetet e komunikimit masiv, vazhdojnë ngjitjet në tribunë me “Certifikata pafajësie” e me “Certifikata fajësie” si në skenën groteske të filmit “Ballë për ballë”.
Askush nuk del të flasë e bërtasë me “Certifikatë pasurie” në dorë me adresa të plota, me emër e mbiemër për të denoncuar të ardhurat nga krimi e korrupsioni të ngjizura në to.
Askush sot…
Askush nesër…
Askush mot e motmot…
Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë…
15 prill 2015
ENVER HOXHA DHE BAHRI OMARI
“ENVERI DONTE TA ZHDUKTE BAHRI OMARIN PA MBARUAR LUFTA”“ENVERI DONTE TA ZHDUKTE BAHRI OMARIN PA MBARUAR LUFTA”/
Nga: Fatmira Nikolli/*
Një libër i ri hedh dritë mbi Bahri Omarin. Autorja, Donika Omari (nusja e të birit) tregon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kush ishte ai përtej ‘kunatit të Hoxhës’, arsyet pse u bë ministër i qeverisë nën pushtimin gjerman, këndvështrimi i tij për bolshevizmin, të pavërtetat e thëna për të ndër vite, a mund të ishte shmangur fundi tragjik, dokumentet që hedhin dritë mbi synimet e Enver Hoxhës, një sqarim për legjendat urbane mbi gruan e Bahri Omarit dhe përmasat e ‘panjohura’ të intelektualit.
Është përmendur për lidhjet familjare me Enver Hoxhën, por një libër i ri sjell kontributin e tij në publicistikë, si patriot, veprimtar. Pse vendosët të sillnit këtë studim për Bahri Omarin?
Emri i Bahri Omarit më ka shoqëruar qysh në fëmijërinë time, kur dëgjoja që transmetohej me megafon në rrugët kryesore të Tiranës gjyqi dhe dënimi i tij kapital, dhe në familje flitej me tronditje për këtë. Ishte një figurë që gëzonte vlerësim e nderim të veçantë te njerëzit. Dhe qysh atëherë e më vonë, megjithëse ishte e rrezikshme ta përmendje se Partia Komuniste e kishte damkosur si tradhtar, kam dëgjuar për të vetëm fjalë admirimi. Tani, në kohën e demokracisë, shoh se në gjykimin e figurave historike vazhdon prirja për të përgjithësuar, për të përjashtuar, për të damkosur, pa u marrë mundimi të shqyrtohet veprimtaria e veçantë e secilit dhe rrethanat në të cilat veproi. Një tipar i trashëguar i ne shqiptarëve për ta pasur të vështirë t’i rishikojmë gjërat, tipar që u theksua me shpëlarjen e truve gjatë diktaturës, vazhdon të pengojë sot arritjen e një shqyrtimi objektiv të historisë e të figurave të veçanta, që kanë pasur një rol në të. Kjo dukuri ndodh te ne pavarësisht kaheve politike. Nga ana tjetër, në shtypin tonë janë dhënë herë pas here gjëra të pasakta për Bahri Omarin. Me këtë libër jam përpjekur të tregoj kontributin e tij të shquar si patriot, si veprimtar politik, si publicist e botues. Si edhe të sjell nga jeta e tij të dhëna autentike.
Çfarë mund të ve-çoni sa u takon arti-kujve të tij për çësht-jen çame?
Atdhedashuria e Bahri Omarit është vërtet prekëse kur shkruan për çamët e Çamërinë. “Çamëria s’mundet të bëhet Greqi. Çamëria është vendi m’i bukur i tërë atij anëdeti, gjithë valët e Adriatikut atje në baltën e ëmbël të Çamërisë kërkojnë të mpështeten dhe të prehen.” E quan: “Çamëria trime, Çamëria e bukur, diamandi i vyer i Shqipërisë…” dhe i bën thirrje Konferencës së Paqes ta ndreqë gabimin e madh të Konferencës së Londrës dhe ta bashkojë me nënën e vet, Shqipërinë, duke e shmangur nga barbarizmat e shovinistëve grekë. Shqetësimit për fatet e Çamërisë, por edhe të Kosovës, që i shikon si të pashkëputshme nga fati i Shqipërisë, i kthehet herë pas here në editorialët e tij.
Si ka qenë puna e tij në drejtimin e gazetës “Dielli”?
Në gazetën “Dielli” ai është zgjedhur dy herë si editor dhe ka pasur barrën më të rëndë për tri arsye: Ka mbajtur sasinë më të madhe të numrave, me 1074 numra. Ka përballuar vështirësitë që krijonte përçarja mes vetë shqiptarëve të Amerikës. E ka ushtruar këtë detyrë në periudhën e Luftës së Dytë botërore, dhe pas saj, kur fati i Shqipërisë varej kryesisht nga interesat e Fuqive të Mëdha. Por jo krejtësisht, – hedh thirrjen e përsëritur editori, që përpiqet të sensibilizojë shqiptarët, se është edhe në dorë të tyre të ndikojnë, duke u dhënë zë të fuqishëm kërkesave të tyre të drejta. Vlerësimeve entuziaste për atdhetarët e vërtetë ua zënë vendin artikuj plot zemërim për ata që shkojnë kundër interesave të Shqipërisë, demagogjia e të cilëve ndodh që edhe zë vend në njerëz të paformuar intelektualisht.
Shkrimet e tij nuk kanë karakter vetëm politik, por edhe kulturor. Ai shqetësohet për gjendjen e ulët arsimore të bashkatdhetarëve, përpiqet t’ua lehtësojë përballjen me zyrtarët amerikanë, shpreh nevojën e ngritjes së cilësisë së jetës në një vend të zhvilluar si Amerika etj.
Një temë e veçantë në editorialët është ajo lidhur me fenë. Mesazhi i tyre është ai rilindas. Besimet e ndryshme fetare: faktor bashkimi, jo ndarjeje. Solidariteti i shqiptarëve duhet të shprehet në ndihmën ndaj të dyja komuniteteve, mysliman e të krishterë. Në gazetë ai boton edhe vërejtjet që i bëhen atij si editor, kritikat për tonin plot nervozizëm ndaj kundërshtarëve të “Vatrës”. Gjatë detyrës si drejtor i gazetës, Bahri Omari u shqua për një klimë mirëkuptimi vëllazëror mes personelit, që nga nëndrejtori deri te punëtorët e shtypshkronjës, çka nuk arrihej gjithnjë lehtë mes shqiptarësh. Për këtë ai shpreh mirënjohje në lamtumirën e tij, kur jep dorëheqjen nga ajo përgjegjësi e rëndë dhe e zgjatur në kohë.
Ka artikuj të tij edhe për situatën e Shqipërisë dhe orientimin e shqiptarëve. Si tingëllojnë sot?
Duke ndjekur shkrimet lidhur me gjendjen në Shqipëri, dalin në pah vështirësitë e komunikimit në atë kohë. Herë vonesë e madhe e lajmeve nga Shqipëria, herë të tjera dizinformim nga ndonjë gazetë etj. Sidoqoftë, ngjarjet në Shqipëri ndiqen me interesin dhe shqetësimin më të madh. Sepse shumë të mëdha ishin edhe rreziqet që kalonte vendi, i rrethuar prej fqinjësh lakmitarë, i rrezikuar prej intrigave dhe kontradiktave mes Fuqive të Mëdha. Në këtë libër janë përfshirë ata artikuj që pasqyrojnë zhvillimet në teatrin ndërkombëtar të luftës e të pas luftës që lidhen me Shqipërinë. Ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri në atë kohë na vijnë tani të gjalla në penën e editorit të “Diellit”. Herë pas here ai tërheq vëmendjen për të meta e plagë që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot: “Përpara bashkim të plotë, pastaj politikë.” “Në një vend të paditur vendin e udhëheqësve e zënë sharlatanët.” etj. Në shkrime si “Qytetërimi”, “Ç’do me thënë votë”, “Gjakmarrja është shenja e paqytetërimit” etj. përpiqet të ngrejë nivelin qytetar të bashkatdhetarëve.
Ka qenë pjesë e parlamentit shqiptar në vitet 1921-1923, kohe kur Shqipëria hyri në rrugën e konsolidimit si shtet pas pushtimit të gjatë, Pavarësisë e Luftës së Parë Botërore. Cili ka qenë kontributi i tij në këtë periudhë?
Në fillimet e vitit 1921, Bahri Omari doli fitues në zgjedhjet parlamentare, duke pasur përballë një përfaqësues të rrymës konservatore, Myfit bej Libohovën, që kishte një përvojë të madhe politike. Në parlamentin e ri ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve si Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Statutit të Lushnjes, që njihen si Statuti i zgjeruar i Lushnjes dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike.” “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje që vlejnë edhe për ditët tona. Po kështu është edhe vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose vërejtja për lirinë e shtypit: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.” E shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të deputetit që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që tregojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.
Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur, kur del në disa raste kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndroi besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve.
Një periudhë e vështirë e jetës së tij ishte Shqipëria e fillimviteve 1940, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë bolshevike. Si mund ta përshkruani ju këtë kohë të qenit në vështirësi? Këtë kohë kur u vendos shumëçka për të dhe për Shqipërinë?
Natyrisht që kjo është një temë që u takon historianëve ta trajtojnë me paanësi, me saktësi, me njohje të mirë të ngjarjeve. Ajo zgjedhje e vështirë vazhdon të diskutohet edhe sot. Ishte aq e ndërlikuar situata, saqë as sot nuk jep dot një përgjigje të prerë. Ndryshonte nga ajo e vendeve të tjera. Nga një anë pushtuesi sillte bashkimin e tokave shqiptare. (Bahri Omari shprehet qysh në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmërën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Jakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjve të saj lakmonjës.”) Me një këndvështrim të tillë nacionalistët shqiptarë nuk mund të mos e merrnin shumë në konsideratë këtë faktor. Një shqetësim i rëndësishëm ishte pastaj frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura as në një vend të madh e të fuqishëm si Bashkimi Sovjetik; një ideal i lartë e i bukur për barazi, solidaritet, vëllazërim midis njerëzve, por utopik, që aq më pak mund të gjente zbatim në një vend të varfër, të prapambetur, të vogël, të pafuqishëm si Shqipëria. Ishte një perspektivë që vinte në kundërshtim me vetë teorinë marksiste të revolucionit, i cili mund të triumfonte me sukses vetëm në vendet më të zhvilluara të Evropës, dhe në disa vende e jo në një të vetëm. Ndërkaq, në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, distancën që ndante komunizmin teorik nga ai real e njihnin më mirë antikomunistët se ata shqiptarë që vriteshin për të.
Nga ana tjetër ishte rreziku se duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.
Lidhur me këtë mundësinë e fundit, kam mendimin tim modest, të pasigurt, se ata faktorë që e bënë Shqipërinë më 1912, pra “lufta e thelave”, siç e quan Bahriu atë “tërhiq e lësho” të Politikës së Madhe, po ata faktorë, pra ato kontradikta mes të fuqishmëve, pavarësisht nëse qenë fitues a humbës të luftës, do ta mbanin përsëri më këmbë si shtet të pavarur. Se raportet dhe interesat mes tyre ishin historike, ndërsa lufta ishte një episod. Por duhet pasur fort parasysh rreziku se mund të mbetej Shqipëria shtet i pavarur por shteti i cunguar. Sidoqoftë, kjo mbetet një çështje shumë e diskutueshme, që, mbi të gjitha, kërkon gjakftohtësi e objektivitet.
Cilat qenë shkaqet e fundit të tij tragjik?
Siç dihet, pjesëmarrja në anën e kundërt të fitimtarëve të luftës, pra në Ballin Kombëtar, si edhe pranimi i funksionit si ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Por më shtrenjtë akoma i kushtoi lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili, përpara jetës së njeriut, vuri pandehmën e shpikur se propozimi për t’i shpëtuar jetën të kunatit ishte kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht! Askush nuk e kërkonte dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim po, por jo kapital. Në libër do të gjeni dëshmi të personave të ndryshëm që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me E.Hoxhën gjatë dhe pas luftës. Por janë edhe vetë letrat e E.Hoxhës që tregojnë synimin për ta zhdukur fizikisht të kunatin qysh pa mbaruar lufta. A mund të shmangej dënimi i tij kapital? Në kushte të një shteti demokratik, gjyqi do të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur për patriotizmin e tij, si politikan i ndershëm e demokrat. Do të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë e, veç rrezikut, nuk i sillte asnjë përfitim. Për më tepër do të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes klandestine kundër pushtuesit, vetë kreut të kësaj lëvizjeje, kur shtëpia e tij u bë bazë mbledhjesh e takimesh të komunistëve. Me këto kontribute, me simpatinë e konsideratën që gëzonte në popull, Bahri Omarin do ta kishte mbrojtur vetë emri i tij i dashur e i nderuar. Por shteti shqiptar i pas 1944-ës jo vetëm që nuk ishte demokratik, por nuk ishte ende as i ligjshëm, s’ishte zgjedhur ende me votat e popullit se s’ishin bërë ende votimet, sado formale që u bënë më vonë.
Është shpallur ‘Nderi i Kombit’ nga presidenti. Si u prit ky nderim nga familja?
Me gjithë zhvleftësimin që ka marrë ky urdhër, meqë janë pak si tepër emrat që qëndrojnë krahas majave të tilla si Nënë Tereza dhe Ismail Kadare, prapë qe një kënaqësi e veçantë marrja e kësaj dekorate. Qe emocionues takimi me trashëgimtarët e atyre që patën fatin e përbashkët të dënoheshin nga një gjyq që urdhrat i merrte nga lart. Ceremonia me rastin e dhënies së këtij urdhri ishte e trishtuar dhe e gëzuar njëkohësisht. U jemi mirënjohës vatranëve, që e morën këtë nismë.
Në gjithë këto vite në media kanë dalë dokumente, rrëfime, dëshmi për të. Çfarë është e pavërtetë nga ato që janë publikuar?
Ndër të vërtetat ka edhe shumë të pavërteta. Duke nisur nga Wikipedia. Aty, në skedën e tij thuhet: – Profesioni: Publicist, tregtar, politikan. I saktë është vetëm profesioni publicist. Është një çudi se kujt i ka shkuar në mend ta quajë tregtar. Ndërsa politikan nuk është profesion. – Te Fëmijët: nuk shënohet djali i dytë: Fatosi. – Koha si ministër i Jashtëm: jo 1943-‘44. Qe vetëm pesë muaj ministër: shkurt 1944 – qershor 1944.
Në biografinë e tij përsëri një sërë gabimesh: prefekt i Himarës, por Himara nuk ishte prefekturë, pra: nënprefekt i Himarës. Në SHBA nuk shkoi më 1914 por në 1915. Në zgjedhje përfaqësoi partinë e Myfit bej Libohovës. Është e kundërta: E pati përballë beun, si përfaqësues i opozitës. Gjatë qeverisë së Fan Nolit u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokrat-Nacionale dhe kryeredaktor i gazetës “Shekulli”. Në fakt ai e themeloi këtë parti të re dhe botoi e drejtoi gazetën “Shekulli”. Shtëpi e marrë me qira Qazim Mulletit. Shtëpia ishte e Ali Mulletit, kushëri i largët i Qazimit.
Në shtyp është shkruar se E.Hoxha telefonoi nga shtëpia e Bahri Omarit për të kallëzuar te italianët Q.Stafën. Por në shtëpinë e B.Omarit nuk ka pasur fare telefon. Ka pasur edhe shkrime të tjera dezinformuese lidhur me figurën e tij, por nuk është se i kemi mbajtur shënim.
Me këtë rast dua të ndreq edhe një të pavërtetë lidhur me të shoqen e Bahri Omarit, Fahrien. Ka qenë një thashethemnajë shumë e përhapur, që vazhdon edhe sot si “fakt” i sigurt, se ajo dilte me peshore për të fituar bukën e gojës. Çka nuk është e vërtetë. (Kjo lindi nga një ngjashmëri fizike e Fahries me një zonjë me peshore, e cila, për më tepër, mbante në kokë një shall të zi që e shtonte ngjashmërinë). Gjatë kohës që Luani ishte student, familja, e mbetur pa asnjë të ardhur, mbahej ekonomikisht prej Enver Hoxhës.
Shpesh është thënë, a është pyetur, pse Luan Omari nuk flet për Bahri Omarin. A ka ky libër një rrëfim të tillë, apo është libri juaj ky rrëfim?
Të dhënat, ndonjë rrëfim, ndonjë hollësi i kam marrë kryesisht nga im shoq, Luani. Pastaj nga persona të tjerë që kanë pasur të tregojnë diçka të jetuar që lidhet me B.Omarin. Luani në ndonjë intervistë është shprehur për dënimin e padrejtë që iu bë të atit. Nëse ka folur pak për të kjo varet edhe nga natyra e njeriut. Ai i ndenji pranë të atit deri në fund, fotografia e Bahriut nuk u hoq asnjëherë nga bufeja me xham e dhomës së pritjes, u interesua pranë Komitetit të të Përndjekurve për të bërë lapidarin e të dënuarve të Gjyqit special…
Mund të thuhet se askush nuk mund ta dijë se ç’ndien njeriu brenda vetes. Në fund të fundit ajo që ka rëndësi është pyetja nëse ka qenë një bir i denjë i të atit? Bahri Omari shquhej për ndershmërinë, qëndru-eshmërinë e karakterit, ndjeshmërinë ndaj problemeve të të tjerëve, ndërgjegje në detyrat që ka pasur. Ndofta nuk më takon mua ta them por mendoj se këto cilësi karakterizojnë edhe të birin, Luanin.
*Bahri Omari ishte editor I Gazetes Dielli(Kortezi:Gazeta Shqiptare)
- « Previous Page
- 1
- …
- 21
- 22
- 23
- 24
- 25
- …
- 70
- Next Page »