Shkruan: Entela Binjaku*
“Kultura është thesari më i çmuar i njeriut të qytetëruar, është stolia e mendjes, lartësimi i shpirtit, shkathtësia e ndjenjave, freskia e spiritës…”,- kështu thoshte më 1938 një ndër personalitetet e kulturës dhe gazetarisë shqiptare, z. Tajar Zavalani.
Por, si arrihet tek kultura? Si mund mbërrihet që ky mendim të kthehet në mendësi dhe bindje shoqërore?
Ky shkrim lindi pikërisht nga një refleksion i mbështetur në nevojën për të njohur shoqërinë në disa dimensione, siç është aftësimi emocional falë kulturës, leximit, si qëndron gjinia femërore në këtë lëmi etj.
Stimulimi emocional që arrihet falë teatrit, filmit, artit muzikor, librit etj., është një domosdoshmëri për vetë ekzistencën e njeriut si një qënie e përmbushur shoqërore. Në mungesë të këtij stimulimi, jeta karakterizohet nga një egërsi dhe agresivitet që shkon vetëm në rritje.
Edhe pse në dukje një parim i universalizuar dhe larg realitetit tonë, një vështrim në jetën e shoqërisë shqiptare mund ta pohojë këtë ide. Raporte ndërpersonale që tensionohen falë moskuptimeve apo keqkuptimeve, ndjesi të pashprehura falë varfërisë në fjalor, empati e kufizuar, indiferencë ndaj përjetimeve emocionale të tjetrit etj., janë disa nga elementët që përshkruajnë tablonë tonë shoqërore.
Edhe pse në këtë çerekshekulli jeta në Shqipëri njohu mjaft aspekte liberalizuese, sërish agresiviteti në shoqëri ka qënë gjithëherë i pranishëm dhe i shfaqur në mënyra e intensitete të ndryshme.
Po të vështrohet jeta e qytetarëve shqiptarë në të gjithë vendin, do të vihet re se për aspekte të stimulimit emocional nuk është menduar aspak, përkundrazi kësaj mungese i janë shtuar vështirësitë ekonomike, të përballimit të mbijetesës, të cilat në kushtet e zbrazëtisë shpirtërore bëhen edhe më të vështira. Shkaku i kësaj apo arsyet për këtë mund të gjenden kudo por në mënyrë të përmbledhur do të thoshim se vetë ngritja e kufizuar kulturore e shoqërisë dha premisa për këtë gjendje.
Pak ose aspak kinema, pak ose aspak shfaqje teatri, pak ose aspak shfaqje të muzikës serioze…kjo është situata e përgjithshme në çdo cep ku jetojnë qytetarët shqiptarë, edhe pse nevoja shpirtërore e tyre është e krahasueshme me cilindo qytetar evropian kudo ku jeton.
Megjithatë gjatë kësaj periudhe një ndër fushat që u pasurua mjaft në vendin tonë, ishte fondi i letërsisë në gjuhën shqipe.
Tituj të panumërt nga fusha të ndryshme të aktivitetit njerëzor, autorë nga më të vlerësuarit në botë, emra përkthyesish që u bënë të njohur, qëndrojnë përkrah emrave nga më mirët e fushës së përkthimit, etj.
Gjatë këtyre viteve shoqëria u njoh me emocionet e”Nobelit”, me konceptin e librave “më të shitur”, u njoh me letërsinë që vinte nga të gjitha anët e botës, duke pasuruar bazën e asaj letërsie klasike me të cilën ishte edukuar shoqëria që në periudhën e para viteve ’90 etj.
Por, a është kuptuar rëndësia e të lexuarit tek shqiptarët? Më tej akoma, në morinë e lexuesve, sa janë gra dhe vajza duke qenë se ato kanë një përgjegjësi të madhe edhe në edukimin e fëmijëve?
Për t’ u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve është e udhës të japim disa përcaktime lidhur me rëndësinë e leximit. Ashtu siç veprojnë edhe studiues të ndryshëm në botë, edhe ne kemi nevojë të rekomandojmë në mënyrë të vazhdueshme lexuesit lidhur me efektet e letërsisë dhe të të lexuarit.
Duke i mëshuar universalitetit të rëndësisë së leximit, nisur edhe nga boshllëqet e sipërpërmendura, duke theksuar idenë se shoqëria ka nevojë për gra dhe vajza që lexojnë, letërsia bëhet një aspekt i domosdoshëm për përparim tek ne.
Jo vetëm si një element i zhvillimit të imagjinatës, as thjesht si mundësia e pasurimit të fjalorit, por tek letërsia qëndron fuqia e pasurimit të botës shpirtërore të njeriut.
Studiues nga kultura të ndryshme në botë kanë arritur në përfundime të rëndësishme sa i takon ndikimit të letërsisë në aspektin psiko- emocional të njeriut.
Konkretisht, disa studiues nga Universiteti i Torontos janë të mendimit se “vlera e letërsisë së lexuar qëndron në përpjestim të drejtë më aftësimin e lexuesit për të kuptuar dhe deshifruar veprimet e të tjerëve”. Sipas tyre, “sa më e vlerë të jetë letërsia e lexuar, aq më e lartë është shkalla e njohjes së përjetimeve emocionale tek të tjerët dhe tek vetja”. Gjatë punës së tyre ata panë se një letërsi e zgjedhur, rriste ndjeshmërinë ndaj emocioneve të të tjerëve duke ju dhënë madje atyre edhe shpjegime mjaft të thelluara.
Duke shqyrtuar edhe lexues të letërsisë “komerciale” e asaj fantastike-shkencore u vu re se edhe pse këto lloj letërsie figurojnë në krye të listës së “librave më të shitur”, nuk mund të japin pot ë njëjtin përfundim si lexuesit e rastit të sipërpërmendur.
Duke u kthyer në vendin tonë, shoqëria duhet të kuptojë se të lexuarit nuk është një mënyrë “për t’u arratisur nga realiteti”, as edhe një mënyrë “për të kaluar kohën”, por është mjeti për të rritur ndjeshmërinë njerëzore dhe forcën shpirtërore për të përballuar veprimtaritë e jetës.
Letërsia, duke na dhënë mundësinë të vendosim veten në vendin e personazheve, na ka ndihmuar të zbatojmë ndjesitë e përjetuara dhe aftësitë e fituara falë tyre, edhe gjatë gjithë aktivitetit tonë jetësor.
Duke njohur agresivitetin e jetës shqiptare gjatë kësaj periudhe, është e domosdoshme të ndihmohet jeta shoqërore duke jua bërë të qartë qytetarëve tanë këtë korelacion që ekziston midis ndjesive emocionale që kultivohen dhe procesit të të lexuarit.
Për të parë efektet që ka letërsia tek lexuesit, studiuesit e universitetit të Torontos shqyrtuan në mënyrë të krahasuar reagimet e lexuesve të letërsisë së lëvruar nga nobelistja Alice Munro, me të cilën është njohur edhe lexuesi shqiptar, me reagimet e lexuesve së një letërsie që kishte përftuar edhe cilësimin “best-seller”.
Elementi kryesor që i dallon këto dy lloj letërsish është fokusi: tek Alice Munro përqëndrimi është më shumë tek personazhet sesa tek veprimi apo intriga në vetëvete. Sipas studiuesve, rrëfimi i saj nuk vendos ato kufij të autoritetit që i kanë të nevojshëm shkrimtarët e tjerë që lëvrojnë letërsinë e tipit ‘best-seller”.
Vetë nobelistja e vitit 2013, Alice Munro me të cilën lexuesit tek ne janë njohur përmes romanit “Virgjëresha shqiptare”, nuk të thotë çfarë të besosh, por ashtu siç ndodh edhe në jetë, ajo nxit vetë lexuesit të paraprijnë reagimin e personazheve.
Është e pamohueshme që letërsia nxit fleksibilitetin emocional i cili është bërë kaq i nevojshëm në këto kohë kur raportet ndërpersonale mes njerëzve janë kthyer në thjesht formale, dhe ku vetë përfshirja emocionale në to është e ulët.
Librat janë një ushtrim i mirë për imagjinatën, e cila njihet për rëndësinë që ka në rezonancat afektive tek njeriu.
Ndaj qytetarët shqiptarë në përgjithësi duhet të kuptojnë se të lexuarit ndikon në kultivimin e atyre cilësive që kanë një rëndësi të madhe në dinamikën e jetës, siç është ndjeshmëria, empatia, thellimi tek aspektet emocionale, aftësia për të paraprirë reagimet e tjetrit etj.
Nëse në radhët e lexuesve, numri më i madh do të ishte nga gjinia femërore, kjo e dhënë do ta shtonte optimizmin tonë për një grua më të edukuar kulturalisht, të pajisur me një botë shpirtërore të pasur, emocionalisht më të përmbushur, me aftësi shprehëse të admirueshme etj.
Në kushtet kur jeta shoqërore në vendin tonë, nuk njeh shumë mundësi stimulimi emocional nga të tjera fusha të artit e kulturës, së paku leximi mund të plotësojë atë pjesë që mbetet në mungesë të tyre.
Një shoqëri më e lexuar në përgjithësi dhe një grua e lexuar në veçanti do të ndihmonte shumë edhe aspektet e tjera të zhvillimit kulturor. Ajo është një domsodoshmëri për shoqërinë, jo vetëm për ekzistencën e saj njerëzore, por edhe për aspektin e saj si qënie shoqërore. Një grua që lexon, ndër të tjera nënkupton një nënë të ardhshme me një botë shpirtërore të pasur, me një fjalor të edukuar, me emocione për të përcjellë, me ndjeshmëri ndaj së bukurës etj.
Për këtë arsye leximi rekomandohet dhe nxitet përmes agjencive të ndryshme që ka ndërtuar shoqëria, siç është edhe media, pjesë e së cilës janë edhe revistat. Ndaj për të mbërritur të përcjellim si një mendësi shoqërore pohimin e z. Zavalani është e nevojshme të “shfrytëzohet” çdo mjet që shoqëria ka krijuar për të përcjellë mesazhin e kulturës dhe të një shoqërie që leximit i avitet me dashuri dhe vullnet.
*Drejtore e Fondacionit “Harriet Martineau”.
Archives for April 2015
150 vjet nga vrasja e Presidentit Abraham Linkoln
Përgatiti për “Diellin”, Shefqet Kërcelli/
Më 14 prill të vitit 1865, u vra Presidenti Abraham Lincoln. Një shekull e gjysëm më vonë, ai konsiderohet si një nga udhëheqësit më të dashur të Amerikës, legjitimiteti i të cilit vazhdon të frymëzojë presidentët amerikanë dhe udhëheqësit botërorë. Në vijim po i hedhim një vështrim arritjeve kryesore të presidentit Linkoln dhe si po e përkujton atë një kinema-ikonë e Uashingtonit këtë ngjarje historike. Njëqind e 50 vjet më parë, më 14 prill, u vra presidenti amerikan Abraham Lincoln, kur bashkë me të shoqen po shikonte një shfaqje në kinemanë Ford në Uashington. Ndërsa vrasë si i tij, John Wilkes Booth largohej nga skena e krimit, zotin Linkoln e çuan në një shtëpi pranë kinemasë, ku ai vdiq mëngjesin e së nesërmes. Vdekja e tij ndodhi pikërisht në momentet kur ai po e udhëhiqte vendin drejt daljes nga Lufta Civile, gjatë së cilës u vranë mbi 620 mijë ushtarë amerikanë. Shpëtimi i Unionit ishte një prej arritjeve më të shquara të presidencës së tij, thotë Michelle Krowl, historiane në Bibliotekën e Kongresit. “Në se vendi do të ishte udhëhiqur nga një burrë më pak i fortë, më pak i vendosur, më pak mendjemprehtë, shumë thjesht mund të kishte ndodhur ndryshe. Por ai i pa Shtetet e Bashkuara si një eksperiment i demokracisë, që ai po e mbështeste, një çështje që baballarët e kombit e kishin filluar dhe ai nuk donte që ky ekperimentim i demokracisë të dështonte.” Presidenti Lincoln ndihmoi gjithashtu që t’i jepej fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Proklamata e Emancipimit e publikuar më 1 janar të vitit 1863, i hapi rrugën lirisë së afrikano-amerikanëve. Më vonë, po atë vit, zoti Lincoln mbajti fjalimin historik të Getisburgut, katër muaj pasi ushtarët e Unionit mundën forcat e Konfederatës në betejën më të rëndësishme të Luftës Civile. “Kur lexon fjalimin e Getisburgut, Lincolni thotë se “kjo është qeveria e popullit, e zgjedhur nga popullit dhe në shërbim të popullit”, ai e nënkuptonte këtë. Lincolni ishte një njeri i cili donte t’i zgjeronte të drejtat e popullit. Ai donte që Shtetet e Bashkuara ta përmbushnin me të vërtetë potencialin e tyre demokratik, për të qenë një vend që përmbush Deklaratën e Pavarësisë, ku thuhet “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”. Për të shënuar 150 vjetorin e vrasjes së Presidentit Lincoln, muzeumet dhe institucionet historike të mbarë vendin kanë hapur ekspozita të veçanta, ku jepen edhe shfaqje. Një nga më të rëndësishmet është kompleksi i Teatrit Ford. Këtu, objektet paraqiten së bashku për të parën herë që nga ajo mbrëmje tragjike. Mes tyre është edhe një pistoletë e vogël, me të cilën John Ëilkes Booth vrau Presidentin. “Domenthënia e kësaj arme është se ajo ka ndryshuar drejtimin e historisë; në një moment të vetëm, një nga presidentët tanë më të madh e rrëzuan, duke e vrarë.” Tracey Avant, kuratore e ekspozitës, thotë se po ashtu janë ekspozuar shumë nga objektet personale të zotit Lincoln, mes tyre dhe kapelja e tij karakteristike. “Kjo është një kapele-ikonë. Të gjithë e përfytyrojmë Abraham Lincolnin me kapele. Por ajo që e bën atë më të bukur, është se ai i vuri kapeles këtë shirit për të kujtuar djalin e tij Willie, i cili vdiq në vitin 1862 nga ethet e tifos. Kjo tregon se sa shumë e ndjeu ai humbjen e djalit.” Një objekt tjetër i preferuar i vizitorëve janë syzet e Presidentit Lincoln. “Bishti i syzeve ishte thyer, prandaj ai përdorte një copë spangoje për t’i lidhur. Për mua ky është një detaj që e bën atë shumë njerëzor.” Ndërsa jeta e tij u pre në mes, legjitimeti i zotit Lincoln vazhdon të jetojë, si një nga presidentët më të mëdhenj në historinë e Shteteve të Bashkuara. Për të janë shkruar më tepër libra se sa për çdo president tjetër amerikan. Fytyra e tij është gdhendur tek monedha amerikane. Miliona njerëz e vizitojnë memorialin e tij në Uashington. Ndërsa amerikanët shënojnë 150 vjetorin e vdekjes së presidentit të tyre të 16-të, shumë besojnë tek vizioni i Abraham Lincolnit dhe i paraardhësve të tij, – për një vend ku të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, -se një ditë do të realizohet. Nërkohë Presidenti Abraham Linkoln do mbetet dhe për shqiptarët kudo që janë, vecanërisht për shqiptaro-amerikanët, simbol i demokracisë, i së drejtës, i sakrificës, i barazisë dhe humanizmit njerëzor.
Ekonomia joformale dhe pastrimi i parave!
Shkruan:Faik KRASNIQI/
Prania e ekonomisë joformale në vend dëmton konkurrencën e lirë të tregut!
Evazioni fiskal në Kosovë është në përmasa shumë të mëdha, do të thoja në masa tepër shqetësuese. Rreth 40 deri në 45 për qind llogaritet të jetë ekonomia informale në vend, por kjo përqindje mund të jetë edhe më e lartë. Dhe kjo e dëmton shumë biznesin e rregullt në Kosovë, buxhetin e shtetit. Konsideroj se indikatorët që kanë favorizuar këtë situatë grupet e caktuara të interesit dhe disa nga bzineset që janë të lidhura direkt me oligarkët e politikës, të cilët në mënyrë indirekte janë të lidhura ngushtë me këto biznese, prej pasluftës kanë krijuar monopol në ekonominë e vendit, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe shtetin e Kosovës, dhe njëkohësisht duke i dëmtuar rëndë edhe bizneset e ndershme! Shumë prej bizneseve të ndershme shkaku i këtyre marifeteve dhe standartit të dyfishtë të aplikuar nga pushtetet e deritanishme, në raport me bizneset e lidhura ngushtë me politikën dhe bizneset e ndershme, kanë falimentuar dhe janë detyruar t’i shuajnë bizneset e tyre! Kurse një pjesë e tyre për të shpëtuar nga falimentimi, kanë zhvendosur bizneset e tyre jashtë Kosovës, pasi në ato shtete qeveritë e atjeshme, ju kanë ofruar kushte shumë të favorshme për të bërë biznes! Deri më tani Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë masa për të ulur këtë përqindje të lartë të ekonomisë joformale në vend! Nëse Qeveria e Kosovës nuk merrë masa për ta ulur këtë përqindje të lartë të ekonomisë joformale dhe shuarjen e gjitha monopoleve të krijuara në Kosovën e pasluftës, nga biznesmenët matrapazë të lidhur me peshqit e mëdhenjë të politikë, komplet ekonomia e Kosovës rrezikon të rrëshqas drejt një ekonomie që do të kontrollohet nga mafia politko-ekonomike! E nëse na ndodh një gjë e tillë, atëherë mos të presim as zhvillim ekonomik, e as zbutje të papunësisë, por do të kemi vetëm përkeqësim të mëtutjeshëm të ekonomisë dhe thellim akoma më të madh të papunësisë, sepse nga jostabiliteti ekonomik dhe me një ekonomi të dominuar dhe të kontrolluar nga mafia politiko-ekonomike, mos të presim që do kemi investime nga jashtë e as nga brenda, por do shuhen me mijëra biznese të ndershme dhe me shuarjen e tyre, do të thellohet akoma më shumë papunësia, e që mund të shkojë deri në tetëdhjetë për qind numri i të papunëve!
Sektori i ndërtimit, parajsë e pastrimit të parave!
Konsideroj që politikanët kryesorë të Kosovës, kanë lidhje me sektorin e ndërtimit në mënyra të ndryshme, për të mos thënë se më së shumti kanë lidhje me këtë sektor të ekonomisë, sepse pjesa më e madhe e biznesit të ndërtimit është kryefjalë e ekonomisë joformale. Nëse marrim parasysh pasurinë e vetëdeklaruar të politikanëve, e të gjithë e dimë se politikanët kryesorë të Kosovës posedojnë edhe pasuri marramendëse, por të fshehur, atëherë kjo tregon qartë se ata paratë e pista do t’i pastrojnë disi! E mënyra më e mirë e mundshme, sot për sot në Kosovë, është sektori i ndërtimit, ku ata më së lehti mund t’i pastrojnë paratë, pasi që pjesa më e madhe e kompanive të ndërtimit, prej pasluftës kanë qenë të lidhura ngushtë me njerëzit kryesorë të politikës, por kemi shumë kompani të ndërtimit që janë në pronësi të shumë politikanëve, por edhe në pronësi të familjarëve dhe miqve të tyre, dhe shumica e tenderëve janë marrë nga ata! Prandaj e kanë të lehtë edhe pastrimin e parave, përmes sektorit të ndërtimit, sepse prej që nga paslufta në Kosovë, kemi pasur ndërtime të shumta dhe ndërtimet s’po ndalen fare, por po vazhdojnë me intensitet shumë të lartë, e sidomos në Prishtinë, por njëkohësisht është edhe sektori më fitimprurës! Mjafton të shikojmë vetëm lagjet periferike të Prishtinës, se çfarë ndërtimesh të larta janë ndërtuar deri më tash, e me qindra ndërtesa të tjera që po ndërtohen! E kur t’ja shtojmë kësaj edhe keqpërdorimet miliardëshe të bëra për gjashtëmbëdhjet vjet rresht nga keqpërdoruesit e politikës, si në nivelin qendror por edhe në atë lokal, atëherë dyshimet bëhen edhe më të forta që prapa atyre ndërtimeve fshihet dikush, e kush tjetër pos politikanëve keqpërdorues! Vetëm kur ta kemi një shtet ligjor, me prokurori dhe gjykata të pavarura, që s’do të jenë fare të ndikuara nga politika, mund të zbardhen të gjitha krimet ekonomike dhe politike, por deri sa s’të kemi një shtet të fortë ligjor, keqpërdorimet kurrë s’do të ndalen dhe matrapazët e politikës dhe biznesit, bizneset e tyre vetëm do t’i lulëzojnë akoma më shumë, sepse do ta shfrytëzojnë mosfunksionimin e ligjit, prandaj prej përfundimit të luftës e kanë kapur drejtësinë, në mënyrë që ta keqpërdorin pushtetin në maksimum!
A KANË “IDEAL” KOMUNISTËT ?!
Nga Fritz RADOVANI*/
■HAPNI DOSJET ! Aty keni me gjetë edhe “idealin” e këtyne dy miqëve!
■Kur shkoi në Francë per studime Enver Hoxha deklaroi: “Unë do bëhëm terrorist!..”
Ky ishte “ ideali” i tij, që iu plotsue dhe u realizue mbi 500.000 viktima Shqiptarësh nga viti 1941 e deri 1985, kur drejtoi PKSh (PPSh), terror të cilin, e vazhdoi Ramiz Alia, derisa mbylli sytë tue i sherbye shovenistëve sllavë, sovjetikë, kinezë, arabë e antishqiptarë…
■E bija e Stalinit deklaroi në 1989 se: “Baba im Stalini, ishte vrasës i miljona rusëve…”
E bija e Enverit deklaroi në 1991 se: “U zgjuan kafshët…”
■Enver Hoxha deklaroi në 1967 se: “Shqipëria është shtet ateist..” dhe, në 1984 boton:
në librin “Shenime për Lindjën e Mesme”: “Shqiptarët duhet t’i referohen Kur’anit…”
■Ramiz Alia në vitin 1970 nderton në Shkoder “Muzeun Ateist” i vetmi në Botë… dhe mbasi vrasin, masakrojnë e burgosin me Enverin dhe Nexhmijen 138 Klerikë Katolik…
Me 2 Dhjetor 1992, dy presidentët anadollakë, Ramiz Alia dhe Sali Berisha shpallin: “Republika e Shqipërisë antare e Konferencës Islamike”… Nexhmia zemrohet…e heshtë: “Nuk duhet të zemrohemi, për ideal të partisë, né jemi vëllezër gjaku me turqit…”
■Në vitin 1990 kur Rinia Shkodrane kerkon heqjen e diktatorëve Stalin dhe Enver, asht ky Ramiz Ali terroristi barbar, që lanë me gjak piramidat kufitare dhe Shkodren heroike me Gjakun e Dëshmorëve të 2 Prillit 1991, Arben Broci me shokë.
■Gjaku i paster i Rinisë Shqiptare ishte “ideali” i komunistëve tradhëtarë e terroristë!
Ky ishte dhe asht “ideali” i trashigimtarëve të tyne atëherë dhe sot! A kerkoni fakte?
HAPNI DOSJET !
■Ja fjalimi i terroristit Ramiz Alia, në Byronë Politike të K.Q. të PPSh, në vitin 1989:
Shokë, pushteti ka qenë dhe do mbetet yni!
Strategjia e ndryshimit… “Partitë dhe të tjerët që do të vijnë të kontrollohen nga ne.
Sali Berisha, Fatos Nano dhe pasuesit janë dhe do të mbetën veglat tona besnike…
■Si do ta përjetësojmë komunizmin? – “Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë! Sistemi ynë tanimë është drejt kapitullimit përballë sistemit kapitalist. Kështu na lind si detyrë që të ndryshojmë strategjinë tonë. Ndryshimet do të jenë në dy drejtime kryesore: në krijimin e pluralizmit politik dhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Me këto të fundit edhe mund të abuzohet, pasi të drejtat janë gjëra që rregullohen brenda për brenda me ligj, por pluralizmi duhet të vendoset patjetër. Le të krijojnë kundërshtarët tanë parti të djathta, të majta apo të qendrës, madje do t’i nxisim dhe ne vetë, por kryesore është që të gjitha këto parti të kontrollohen nga ne vetë. Për këtë, edhe programet e themelimit duhet t’i formulojmë ne. Për drejtimin e këtyre partive duhet të gjenden njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin, jo vetëm që është e lirë të shajë pushtetin, por këtë ta bëjë fort, sepse kështu do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës antikomuniste. Dhe e dini pse?! Sepse sapo të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren…Në zbatim të drejtave të njeriut, duhet t’u japim kompensimin në para, të burgosurit polikë t’i kompletojmë me komoditetet banimi. Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por prona vetëm në pak duar do të bjerë, pasi ligji do t’i ngatërrojë njëri me tjetrin…Kësaj kategorie mendoj që t’i japim pasaportë për t’u larguar nga Shqipëria më mirë dhe me kaq do të jenë të kënaqur. Pasuria e tyre na përket neve, sëpse ne e bëmë.
■Gorbaçovi më dërgoi disa dokumente e plane dhe po i studioj prej kohësh…Kjo është një mbledhje vetëm për ne më të besuarit, ndaj le të flasim hapur. Ne kemi kuadro sa për shtatë Komitete Qendrore, pra frika nuk duhet të ekzistojë. Shumë intelektualë do të na kundërshtojnë, por me ta do të rregullohemi duke u dhënë punë e ngritur paksa rrogën. Problem mund të jenë intelektualët pensionistë. Këtyre do t’u ofrojmë krijimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe të Punës…
■Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Është punë e tyre, ne e kemi programin dhe platformën tonë. Strategjia është e qartë dhe kemi përcaktuar rrugët për zbatimin e qëllimit misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste.
■Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjislaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë ne pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, gjithnjë e sigurt, sepse për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe pasardhësit tanë. Po rastisi që të na e përvetësojnë pushtetin apo të rrezikohemi, atëhere mos u gëzofshim asnjëherë, nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë fitoret e arritura, qoftë edhe me grykën e pushkës, si në rininë tonë të hershme. Ndaj, për të mbrojtur mbajtjen e pushtetit duhet të jemi të përgatitur në të dyja anët; në rrugën paqësore dhe në atë të luftës së armatosur.
■Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët; kemi njerëzit e vendosur dhe guximtarë, të cilët i kemi përgatitur me sakrifica e mund për vite me radhë, por kemi edhe organet tona të dhunës. Ndaj, mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen. Jua them këtë që të mbani lart moralin dhe asnjëri prej jush të mos ketë frikë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, që ju i dini mirë se sa na kanë ndihmuar. Pavarësisht konflikteve të fundit që kemi patur me ta, duhet ta dini se na bashkon kauza e pushtetit të komunistëve, pavarësisht nga nuancat dhe përplasjet e përkohshme. Përveç aleatëve ideologjikë, do të kemi edhe mbështetjen e aleateve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha. Këta të fundit do t’i përdorim vetëm nëse do të jetë shumë e nevojshme. Shoku Enver dikur, dhe unë sot, i kemi ruajtur këto lidhje që të garantojnë pushtetin tani edhe në të ardhmen, përgjithmonë! Ju garantoj se pavarësisht nga rrethanat e vështira aktuale, sidoqë të shkojnë punët, ujë do të rrjedhë në mullirin tonë. Për këtë jeni të garantuar sot e përgjithmonë. Kërkoj nga ju që të mos keni frikë, të shtrëngoni radhët dhe të mos dekurajoheni… në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni. Ju uroj punë të mbarë, mobilizim dhe mendje të kthjellët!
■Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona! Do bisedojmë prap…
***
■Fanari ndriçues i marksizëm – leninizmit thotë: “Shqiptarët t’i referohen Kur’anit!”…
Shikoni me kujdes foton naltë…Kush ishin ata dy…Dhe, kush po e drejton Shtetin sot!..
■Ka pasë thanë Ai Plaku i Grisë, “qeeeni që han robtë e shpiiisë… Do vraaa!!”
Vazhdon Pjesa XII…
Melbourne, Prill 2015.
* Nga cikli: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…, Pjesa XI
Komunitet- Ndërroi jetë vatrani Nazmi Derti
Tërë jetën në shërbim të familjes traditës dhe të kombit!/
Nga Beqir SINA/
PASAIC NEW JERSEY : Familja Derti, miq dhe dashamirë të saj – qindra njerëz, me të gjitha nderimet e përcollën të dielën – për në jetën e amnueshme, njeriun më të dashur të tyre, Nazmi Derti. I cili, lindi në katundin Blliqe – Peshkopi në 15 Maj 1933 dhe vdiq të premten (10 prill 2015) në një spital në kantonin Allentown – Pennsylvania – SHBA, i rrethuar nga bashkëshortja, fëmijët, nipat e mbesat e tij.
Ngushllimet, dhe shërbimet fetare, për dy ditë me radhë u mbajtën në Xhaminë “Qendrës islame Shqiptare” në Garfield, nga Imam Rifat Halili . Kurse, ceremonia mortore dhe varrimi u krye në Laurel Grove Memorial Cemetery Totowa NJ, në të cilën morën pjesë mbi 300 vetë. (vlen për t’u permendur me këtë rast – ndihma e policisë “Passaic County Sheriff'” në shoqërimin e kortezhit – në rrugën për në varreza me makinat e policisë, nga oficeri i policisë, Lirim Kaba)
Nazmiu, u nda nga jeta duke u bërë i njohur, si një veprimtar dhe intelektuali i shquar, sidomos për punën e tij të palodhshme, në ruajtjen e familjes, traditës kombëtare, dhe sedrës dibrane, arsimimit dhe intelektualitetit të tij shqiptar, në Diasporë.
Ai, shkollën katërvjeçare e kreu në fshatin Blliqe, tetëvjeçaren në Kastriot, kurse të mesmen në Normalen në Prishtinë, e cila, më vonë u bë sic dihet edhe djepi i diturisë pra Universiteti i Prishtinës.
Ndërkohë, që mbasi përfundojë shkollën Normale në Prishtinë, për disa vjet deri sa qendronte me familjen e tij në Maqedoni – punoi si mësues i gjuhës shqipe në rrethinat e Shkupit, dhe në veçanti në fshatrat e Tetovës, ku dha një kontribut të madh në arsimimin e brezave të rinj dhe mësmin e gjuhës shqipe në mesin e shqiptarëve.
Shkollimin e lartë, Nazmiu, e mori duke filluar me studimet e tij, në Universitetin e Brukselit, dhe Parisit, dhe duke i përfundur ato në Filozofi në Universitetin “State University of New York at Geneseo”, ku Nazmi Derti, diplomua, aty duke qenë një student i dalluar në mësime.
Nazmiu, së bashku me familjen, e tij, axhallarët, dhe shumë anëtar të familjes në vitin 1949, u arratisën fillimisht, dhe dolën e qendruan për disa vjet në Maqedoni, më pas emigruan në kampet e refugjatve në Itali, deri sa u vendosën në Belgjikë, Francë, dhe, më vonë emigruan në SHBA, ku ai edhe e mbylli jetën e tij, në kantonin Allentown – Pennsylvania.
Gjatë, gjithë jetës së tij, Nazmiu u dallua si një njeri me të gjitha vyrtytet, bile ng ato më të vyera burrërore, kombëtare, dhe krahinore.
Duke u shquar si një prindër shembullor, i dashur , fjalë ëmbël dhe human i madh. Veprimtar dhe intelektual, i palodhshëm në punën e tij, burr i traditës dhe sedrës dibrane, arsimimit dhe intelektualitetit shqiptar në Diasporë. Ai ishte një patriot i flakët, i cili e donte shumë, Shqipërinë, Kosovën, dhe viset shqiptare, ashtu si donte edhe këtë vend të bekuar SHBA. Gjithashtu, donte dhe e kujtonte me mall gjithmon Dibrën, vendlindjen e tij, “Dibrën e lashtë, Dibrën e mençurisë , trimërisë, Dibrën e bëmave historike”, që thoshte shpesh her, ai.
Duke qenë i lidhur familjerisht me familjet më të mira në Dibër (parinë e Dibrës), Kaloshi, Ndreu, Kaziu, Spata, Lita, e për rreth saj, Kukës, e tjer, ndërsa, për sa qendroi në Maqedoni, me shumë familje të njohura nga Kosova dhe Maqedonia, qe gjithmon i afruar rreth patrioteve të njohur, dhe figurave më eminente të diasporës edhe në emigrim, në Itali, Francë, Beligjikë dhe SHBA. Nazmiu, u bashkua gjithmonë me ta, në të gjitha veprimtaritë e përpjekjet e tyre, për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë, çlrimin dhe pavarësinë e Kosovës, për Çamërinë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ku në këtë aspekt një kontribut të paçmuar, ka dhënë ai dhe vëllai i tij, një veprimtar mjaft i njohur në diasporë, Dinë Derti.
Në kujtesën e tërë atyre, që e njohën të ndjerin Nazmi Derti, natyrisht që ai do të mbetet një prindër shëmbullor, një familijar i mirë, mik dhe shok i fortë me të gjithë shqiptarët. Ai ishte një intelektual, dhe studiues i shkencës së Filozifisë, njeri i ndershëm, patriot dhe publicist i dalluar në shtypin shqiptar në, diasporë, Maqedoni dhe Shqipëri. Zotronte dhe fliste shumë mirë, shqip, anglisht, frengjisht, italisht, serbo-koratisht, maqedonisht.
Në fjalën e lamtumirës, para arkivolit me trupin e tij – Faik Lita, do ta quante atë mentorin e tij .
Lita, duke e portretizuar atë në mes emocionesh të mëdha, tha se :”Nazmiu, mbi të gjitha ka qenë një burrë i ndershëm, i zgjuar, punëtor, dhe serioz njeri me tiparet më të larta njerëzore dhe shqiptare; njeri i fjalës, dhe i besës, mik i përjetëshëm i dashur dhe i respektuar me të gjithë”, tha ai.
Për, Nazmiun, duket se gjithçka në këtë botë fillonte, qysh nga familja, të cilën në çdo aspekt të saj, të cilën ai e ndërtojë si një familje të shëndosh në mënyrën më shëmbullore, tha Lita. Ndërsa, shtoi se “Nazmiu, ishte besnik deri në vdekje ndaj bashkëshortes fisnike Lies, ishte një babë i mrekullueshem i tre djemëve ; Bashkimit, Gëzimit dhe Petritit, dhe një vëlla i dashur dhe i respektuar i motrës – Majunes, dhe i vëllait të tij Dinës” që e kishte edhe si një shok të pandarë gjatë gjithë jetës së tij.
Mirëpo, gjatë fjalës së lamtumirës, Lita, “zbuloi” atë se përveç familjes Nazmiu, kishte edhe disa pasione të tjera të veçanta për jetën e tij: siç ishin u shpreh ai :”Çështja kombëtare, Filozofia për të cilën ai studioi dhe u diplomua, librat që ai i donte aq shumë dhe sporti i Golfit, që e luante me shumë pasion”
Nazmiun , Faik Lita, e quajti “njeriun e dashuruar me librat”, dhe sidomos me ato të veprave të shkrimtarëve të mëdhenjë, qofshin ata shqiptarë apo të rangut botërorë. Duke marr si shembull disa prej tyre si: Fan Noli, Faik Konica, Patër Gjergj Fishta, Tajar Zavalanin, e të tjerë. “Ai, kishte lexuar më shumë se 1000 vepra të shkrimtarëve më të mëdhenjë botëror, ku Lita veçojë, Spinotin, Montanin, Hygoin, Servatesin, Shekspirin dhe Volterin, e të tjerë. Ndërsa,, ai kishte studiuar mirë Aristotelin dhe Platonin, shpesh her thoshte se ata janë shqiptarë” tha Lita në fjalën e lamtumirës.
Duke u ndarë me lot në sy dhe me mirënjohjen e thellë shpirtërore për tërë atë që ai ka bëre, çdo njeri në lamtumirën e fundit përcjelljen për në botën e amnueshme përshpëriti :”Të qoftë e lehtë toka këtij vendi të bekuar, që ti e adhuroje për tërë jetën”.
I ndjeri u varrosë me të gjitha nderimet, duke i hedhur një dorë dhe, dhënë lamtumirën e fundit, dhe lutur për shpirtin e tij – nga bashkëshortja fisnike Lija, fëmijët me emrat e bukur Gëzimi, Bashkimi dhe Petriti,( fëmijë të cilët ai i edukojë dhe shkollojë, në universitet më larta amerikane), vëllau dhe shoku i jetës, veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Dinë Derti, motra e dashur Majunia. Por, edhe në praninë e të gjithë familjarëve, nipave e mbesave, farefisit dhe shokëve e miqve të shumtë nga Dibra, Kosova, Shqipëria dhe shumë qytete të Maqedonisë, Malit të Zi, e viseve të tjera.
* PS: I ndjeri Din Derti ishte vatran i regjistruar ne degen e Queeinsit,NY, duke qene se ne Pennsylvania nuk ka dege te Vatres.
- « Previous Page
- 1
- …
- 31
- 32
- 33
- 34
- 35
- …
- 70
- Next Page »