• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

Kuvend, replika të ashpra Meta-Topalli

May 21, 2015 by dgreca

TIRANË, 21 Maj/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, ish-kryeparlamentare, shkëmbyen sot replika të ashpra në seancën plenare. Deputetja Topalli e akuzoi kreun e Kuvendit se po tenton të blejnë votat në Shkodër.
I menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë ka qënë reagimi i kryeparlamentarit, i cili mes të tjerash i kërkoi deputetes së qarkut të Shkodrës, që faktet që disponon t’i çojë në prokurori.
“Jozefinë është e drejta jote të jesh e pacipë, por mos harro se na njeh Shkodra, por nëse ke fakte të tilla t’i denoncosh në polici e prokurori. por ti ke hall tjetër se do të justifikosh më 21 qershor rezultatin e partisë tënde. Shkodra do ta japë përgjigjen më 21 qershor. Atë që ti e quan mafie në Shkodër dhe që dikur të ka bërë ty moldave, sot e ke aleatin më të ngushtë. Unë nuk flas asnjëherë, por meqë zonja më përmendi drejpërdrejtë emrin dhe ka disa seanca që shpif këtu, iu përgjigja”, deklaroi kreu i Kuvendit.
Topalli e akuzoi Meten:Ti je Mafia!

Ahmetaj: Qeveria e vendosur të vijoje me reformat per rimekembjen e ekonomise

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj deklaroi të enjten në Kuvend se qeveria është e vendosur për të vijuar me reformat për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Beteja me rritjen ekonomike do të vazhdojë, sepse një rritje prej 2 apo 3 % nuk është e mjaftueshme, prandaj kemi guximin e kurajon të vazhdojmë reformat e vështira e të dhimbshme po tejet të domosdoshme”, deklaroi Ahmetaj. Sipas tij ka shumë kompani të huaja të cilat kanë shfaqur interes për të investuar në disa fusha të ekonomisë, si turizëm, energjitikë, etj. Ministri Ahmetaj po ashtu i bëri thirrje Presidentit të Republikës të firmosë dekretin që i hap rrugë negociatave me kompaninë kineze për ndërtimin e rrugës së Arbërit.
Dekreti i Presidentit që kthen për rishqyrtim në parlament ligjin “Për shërbimin e jashtëm” është çështja e radhës në rendin e ditës së seancës së sotme plenare, ndërsa diskutimet e deputetëve, në prag dhe të nisjes së fushatës zgjedhore, janë përqëndruar në akuzat e ndërsjella mes palëve për projektet e parealizuara gjatë qeverisjeve respektive.
Në këtë kuadër, deputetja e Partisë Demokratike(PD), Albana Vokshi denoncoi atë që ajo e cilësoi ‘vjedhje e fondit të ilaçeve përmes recetave false’. Sipas saj, kjo përbën skandalin më të madh të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, i përllogaritur “në një dëm ekonomik prej rreth 1.5 miliard lekësh”. Kjo skemë vjedhje, tha Vokshi, aplikohet përmes recetave false, pikërisht me kartën e shëndetit, dhe ka nisur tre muaj pas marrjes së pushtetit nga qeveria ‘Rama’.
Ligji “Për standartizimin”, Harito:Reforma në administratë me ecurinë më të mirë
Kuvendi në nisje të seancës së sotme Diskutoi disa ndryshime në ligjin “Për standardizimin”, që synojnë përqasjen e tij me ligjin “Për nëpunësin civil”.

Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito vlerësoi se reforma në administratë ka njohur ecurinë më të mirë, krahasuar me reformat në fusha të tjera. Ky fakt, sipas saj, është konfirmuar edhe nga Komisioneri Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn.
Në përgjigje të akuzave të opozitës për largimin nga puna të punonjësve të administratës, Harito tha se janë futur në administratën publike duke përfituar statusin e nëpunësit civil 10 mijë të punësuar që janë gjetur në vendin e tyre të punës, nën një monitorim të rreptë nga Bashkimi Europian.
Ministrja hodhi poshtë edhe akuzat e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, i cili foli në emër të grupit parlamentar të PD-së, për moszbatim të vendimeve të gjykatave lidhur me administratën.
Sipas Haritos, ishte pikërisht kjo qeveri e cila solli amendimet në ligjin “Për nëpunësin civil” në janar të këtij viti, të cilat e bënin të detyrueshme zbatimin e vendimeve të gjykatave.
“Çdo vit qeveria paguan 20 milionë dollarë vetëm nga moszbatimi i vendimeve të gjykatave”, deklaroi ministrja.
Më herët në fjalën e tij, deputeti Bylykbashi akuzoi qeverinë për largim me motiv politik të rreth 7 mijë të punësuarve në administratë. Sipas tij, për të spastruar administratën nga profesionistë dhe për të emëruar militantë, qeveria nuk e futi në fuqi ligjin “Për nëpunësin civil” në tetor të 2013-s, ligj ky i miratuar me konsensus në prag të zgjedhjeve të dy viteve më parë.
“Nëse ligji do të hynte në fuqi në atë kohë atëherë do të kishin përfituar statusin 17 mijë punonjës të administratës dhe pushtetit vendor”, u shpreh Bylykbashi.

Demet nga breshëri, Ulqini: Fermerët do të dëmshpërblehen sipas ligjit
Deputeti socialist i Qarkut të Elbasanit, Musa Ulqini shprehu sot shqetësimin në parlament për dëmet e mëdha që shkaktuan ditët e fundit reshjet e dendura të breshërit në zonën e Belshit dhe sidomos në fshatin Sulovë. Duke shprehur solidaritetin me fermerët e goditur nga kjo fatkeqësi natyrore, deputeti socialist i garantoi ata se “pavarësisht axhendës së nxehtë politike për shkak të zgjedhjeve, ata nuk janë braktisur nga qeveria dhe institucionet, të cilët po monitorojnë gjithshka. Evidentimi i dëmit do të bëhet në gjithë hapësirën dhe dëmshpërblimi do të jetë sipas ligjit, larg çdo avashllëku dhe politizimi’, tha ai.
“Janë dëmtuar rëndë 250 hektarë të mbjella me vreshta dhe po ashtu qindra hektarë me pemë frutore. Sot, ekipe me specialistë të bujqësisë janë në terren për të vazhduar monitorimin e dëmeve në zonën e prekur më rëndë”, vërejti Ulqini.

Kuvendi zgjedh sot nënkryetarin e ri nga PDIU

Gjithashtu Kuvendi pritet të votojë sot dhe propozimin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit, kryetar i kësaj force politike, në postin e zëvendëskryetarit të Kuvendit.
Në këtë mënyrë, organeve drejtuese të parlamentit i shtohet dhe nënkryetari i tretë, (dy nga të cilët i përkasin maxhorancës parlamentare), krahas Vangjel Dules të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ). Ndërsa nënkryetari i tretë i takon opozitës parlamentare.
Në fund të seancës pritet të miratohet dhe kalendari 3 javor (22 maj-12 qershor 2015) i punimeve të Kuvendit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Replika ne Kuvend, Topalli-Meta

Ku janë shqiptarët e Maqedonisë?

May 21, 2015 by dgreca

Nga Emin Azemi/
Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Tek shqipztarët ka politikanë, por nuk ka lidership. Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune. Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë të vonuar politikisht dhe të hutuar kombëtarisht. Përpjekjet e deritanishme për të siguruar status të barabartë në politikëbërjen shtetformuese të këtij shteti kanë rezultuar të pasuksesshme. Elitat politike shqiptare që udhëhoqën dhe që aktualisht po udhëheqin, kanë një handikap të madh në formatimin e vullnetit politik të shqiptarëve. Ata edhe sot nuk kanë krijuar një konsensus minimal, ndërmjet veti, për problematikat nevralgjike, ndërkohë që gjithë karrierën e tyre politike e kanë ndërtuar duke bashkëqeverisur me faktorët politikë maqedonas, të majtë e të djathtë, liberalë e konservativë.
Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune.
Lidershipi politik shqiptar në Maqedoni ende mendon se ardhja në pushtet automatikisht heq nga rendi i ditës problemet që shqetësojnë popullatën shqiptare. Përkundrazi, praktika ka dëshmuar se jo gjithmonë ua sheh hajrin populli atyre që vijnë në pushtet. Kështu ishte në vitet ’90 dhe kështu vazhdon të jetë aktualisht. Vetëm te shqiptarët në Maqedoni ndodh që njerëzit të votojnë një strukturë të caktuar politike dhe pastaj të jenë të pakënaqur me pozitën e tyre politike, ekonomike e sociale. Vetëm në Maqedoni ndodh që partia shqiptare në pushtet, në situata të caktuara, të sillet si opozitë. Komunikimi përmes komunikatave, duke shprehur njëfarë pakënaqësie ndaj asaj çka ndodh në terren, e bën partinë shqiptare në pushtet qesharake në sytë e opinionit publik. Nga kjo kuptojmë se në bashkëqeverisje hyhet pa ndonjë marrëveshje të qartë dhe pa një plan konkret bashkëveprimi në fusha të caktuara që rregullojnë jetën e përditshme të njerëzve. Fundja, atë që e thotë aktualisht, përmes kumtesave, partia shqiptare në pushtet, lidhur me problemet rreth emërtimit të shkollave, bie fjala, e kanë thënë gazetat dhe mediat e tjera në gjuhën shqipe dhe na duket paradoksale sensi opozitar i këtyre reagimeve.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë të vetmuara në gjysmëkauzat e tyre. Ato kanë si synim marrjen e pushtetit, por nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të administruar deri në fund, përmes bashkëqeverisjes, kërkesat politike të shqiptarëve. Një gjysmëkauzë e tillë po e ndjek edhe partinë opozitare (PDSH) shqiptare, e cila assesi nuk po mund të lirohet nga sindromi i keqmenaxhimit të politikëbërjes nga lidershipi i saj. Në vend se opozitarizmi i kësaj partie të vendosej mbi parime afatgjate dhe të profiluara në pikëpamje të programit dhe doktrinës politike, ajo për çdo cikël zgjedhor reprodukon nga një teatër absurdi ku ardhja në pushtet premtohet ende pa u numëruar votat dhe ende pa filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re. Duhesh të jesh në lëkurën e anëtarësisë së kësaj partie për ta kuptuar dhe duruar tmerrin që vjen nga kjo filozofi e çoroditur e politikëbërjes dhe për mendimin tim këta janë heronjtë e vërtetë të demokracisë, sepse pranojnë t’i harxhojnë nervat dhe vitet e rinisë pranë një lidershipi që nga viti në vit shtreson humbjet në topin e madh të borës që vjen duke u rrokullisur në greminën e bilancit politik negativ.
Shqiptarët kanë shumë arsye të mos votojnë në të ardhmen anarkinë dhe dezintegrimin që po i ngulfat nga viti në vit, por këtë nuk mund ta bëjnë pa u ndryshuar rrënjësisht mentaliteti i elitave që e prodhojnë këtë gjendje.

Shqiptarët – pa platformë dhe strategji për veprime afatgjata

Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Emrat e politikanëve, që radhiten pas liderit partiak, tek shqiptarët, nuk shkon gjatë kohë dhe avullohen në punëtorinë a klonimin e lidershipit. Ata i bluan ambicia iracionale e liderit për të menaxhuar partinë me anonimusë, pa kurriz etik e qytetar, pa “background” profesional dhe pa përvojë në ndonjë fushë të caktuar jashtë politikës.
Politikat hermafrodite të shqiptarëve që ‘avullohen’ në paradhomat e politikës maqedonase, janë të destinuara të krijojnë surrogate të politikëbërjes gjoja pragmatike, që në fakt prodhojnë një boshësi pa kurrfarë tingëllime substanciale. Në mungesë të një “kompasi” strategjik e ideor, partitë shqiptare jo rrallë humben në planimetrinë politike maqedonase dhe për pasojë faturën e tyre e paguajnë zgjedhësit.
Si do të silleshim ne po të ishim në vend të Gruevskit? A do të kërkonim që të zgjatej kjo amulli dhe ky dezintegrim politik i shqiptarëve? A do të kërkonim që jetëgjatësia e liderëve të tillë shqiptarë të trajtohej me kujdesin më të madh, sepse vetëm me një filozofi të tillë politike të shqiptarëve, maqedonasit i arrijnë synimet e tyre perfide, që herët a vonë do të mund të prodhojnë edhe krizën më të madhe në periudhën mbi 20- vjeçare.
Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Nëse politika e feudalizuar shqiptare në Maqedoni e injoron elektoratin e vet me sjellje të tilla arrogante, mospërfillëse, jokonsensuale, atëherë çfarë mund të presim nga politikanët maqedonas? Si do ta trajtojnë ata procesin e barazisë etnike në rrafshe të ndryshme institucionale, konstitucionale e praktike?

Këneta e bajraktarëve

Hermafrodizmi i partive politike shqiptare, sigurisht që e ka edhe koston e tij. Përfituesit më të mëdhenj nga ky hermafrodizëm janë kryeministrat maqedonas, të cilët punën e parë që e bëjnë kur i ftojnë në kabinet ministrat shqiptarë, është heqja e çfarëdo lloj “veshjeje” doktrinare-nacionale nga “gardëroba” e tyre partiake. Prandaj, me siguri iu ka rënë të shihni për këto 20 vite plot ministra shqiptarë, se si janë sorollatur nëpër kabinetet e kryeministrave maqedonas të “zhveshur” nga të gjitha nuancat identifikuese politike e ideologjike. Kjo “nudo” politike e shqiptarëve ka promovuar që herët një hedonizëm të veçantë në këtë kënetën tonë të madhe të bajraktarizuar nga bishti i aftësive dhe shterpësive.
Me këtë hermafrodizëm ideor e strategjik, partitë politike shqiptare në Maqedoni zor se do të arrijnë të ndërtojnë ndonjë strategji stabile veprimi, pikërisht në kohën kur po ndodh ballafaqim i fortë në mes të dy blloqeve të mëdha politike maqedonase. Pyetja e natyrshme që shtrohet me këtë rast është nëse politikanët shqiptarë do të pranojnë të bëhen “material” harxhues i këtij sanduiçi që të zë frymën, apo do të refuzojnë rolin inferior të sehirxhinjve. Kauza politike e opozitës së ardhshme maqedonase do të ndërlidhet drejtpërdrejt me fatet fondamentale të Maqedonisë, edhe si identitet, edhe si ardhmëri, edhe si konfiguracion gjeostrategjik, ndërkohë që askush s’e ka të qartë se cila është kauza e opozitës shqiptare në këtë vend të lodhur nga grindjet dhe antagonizmat. Pikërisht mbi këta antagonizma po projektohen edhe parametrat e veprimit institucional të Maqedonisë si shtet.

Interesat shqiptare në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjes

Përderisa Marrëveshja e Ohrit arriti të amortizojë në masë të ndjeshme antagonizmat etnikë, janë antagonizmat politikë ata që do të trandin nga themelet këtë shtet. Kësaj radhe antagonizmi do të jetë në mes të vetë maqedonasve, por kjo assesi nuk u jep të drejtë politikanëve shqiptarë të ndjehen komod. Përkundrazi, mobilizimi i tyre politik do të duhej të orientohej në dy linja angazhimi – e para, në drejtim të konsolidimit të brendshëm për të projektuar dekalogun e interesave fondamentale kombëtare dhe, e dyta, për të ridizenjuar dhe fokusuar fuqinë politike brenda një blloku të madh e të pandashëm politik.
Shqiptarët nuk kanë llogari dhe interes që pafundësisht të paguajnë faturat e mosmarrëveshjeve të brendshme maqedonase. Stina e ardhshme politike do të duhej të ridimensiononte pikërisht krijimin e koordinatave në mes të qëllimit për të kontribuuar bashkërisht në zhvillimin e politikave eurointegruese të Maqedonisë, dhe të interesave mbipartiake dhe afatgjata kombëtare të shqiptarëve në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjeve. Por, me një kusht që politika e shqiptarëve të mos ketë objektiv domosdoshmërisht pjesëmarrjen në bashkëqeverisje, madje edhe atëherë kur nga ajo nuk kërkohet që të heqë dorë nga parimet dhe doktrinat fondamentale nacionale. Sepse, pa këto të fundit, partitë politike shqiptare do të mund të ngelnin lakuriq nën diellin përcëllues të kuazi-bashkëqeverisjes.
Për pasojë, në sipërfaqe po del hapur tendenca maqedonase për ndarje të shtetit, duke i përjashtuar shqiptarët nga institucionet e përbashkëta të vendimmarrjes. Ky qëndrim maqedonas ndaj shqiptarëve është rrjedhojë e politikave të gabuara që kanë udhëhequr partnerët e koalicionit brenda këtyre 12 vjetëve pas 2001-shit, duke mos u dhënë përgjigje adekuate çështjeve të mprehta për të cilat edhe ndodhi konflikti. Tani kanë ngelë dy alternativa: ose shqiptarët të organizohen dhe të bëjnë një koalicion të përbashkët i cili do të përgatiste një platformë që do t’i jepej si ofertë faktorit politik maqedonas, ose t’u rikthehen ideve politike që ishin në qarkullim në prag të 2001-shit.
Përgjegjësia e forcave politike shqiptare për të koalicionuar me partnerët e ardhshëm maqedonas, nuk është e njëjta si ka qenë deri më tani. Kjo përgjegjësi tash e tutje do të duhej të mbështetet në një moral më të fortë njerëzor e kombëtar për të vendosur disa korniza brenda të cilave do të përfshiheshin do interesa më të gjëra, mbipartiake. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të evitohej epërsia agresive e politikave maqedonase kundrejt shqiptarëve, por edhe do të eliminoheshin lidhjet e nëndheshme klienteliste të politikanëve të caktuar shqiptarë me oborrin e lakmive maqedonase.

Kakofoni dhe mosbashkëpunim në shoqërinë shqiptare

Zëvendësimi i ideve me shantazhe publike e bën të kollajshëm zanatin e marrjes me politikë te shqiptarët, ndërkohë që maqedonasit po punojnë me të madhe për ta shndërruar Maqedoninë Lindore në parajsë të investitorëve të huaj, ose për t’i bërë krejt vendbanimet maqedonase sikur pjesa europiane-urbane (Zhdanec, Përzhino, Vodno, Taftaligje) e Shkupi. Pasqyra më e mirë e politikave që udhëheqin shqiptarët në shtetin e quajtur Maqedoni, janë lagjet e mjerimit migjenian të Serovës, Dizhonit, Shutkës, Gazi Babës në Shkup dhe ata politikanë shqiptarë që rrahin gjoks se e kanë menaxhuar mirë besimin e popullit, këtë duhet ta sprovojnë në këto dhe lagjet tjera suburbane të shqiptarëve, sepse vetëm atje jepet provimi i politikëbërjes.
Shtëpitë si kasolle, rrugicat e ngushta pa ndriçim publik, mungesa e asfaltit dhe kanalizimit, superdendësia urbanistike pa një metër katror hapësirë të gjelbër publike, janë pyetjet e vështira të cilave duhet t’iu përgjigjen politikanët shqiptarë, e jo të kërkojnë mandate angari, për punë të tyre personale që ata i kryejnë nëpër akçihanet, qebapqihanet dhe leblebiqihanet e Shkupit.
Vula e politikës shqiptare në Maqedoni ka rrezik të zbehet më shpejt se sa kohëzgjatja e mandateve politike të zgjedhurve tanë dhe, ata nuk mund t’i shpëtojnë as zgjedhjet e parakohshme. Sepse ajo që ngel si e paskohshme është llogaridhënia për dremitjet në kolltuqet qeveritare.
Një qendërsim i munguar i mendimit politik, që është edhe pasojë e kakofonisë së inteligjencisë shqiptare këtu, por edhe një mosbashkëpunim i skajshëm ndërmjet faktorëve relevantë shqiptarë, ka prodhuar kaos qëndrimesh në taborin politik shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: e maqedonise, Emin Azemi, ku janë shqiptarët

ISMAIL KADARE NDEROHET NE KONGRESIN AMERIKAN

May 21, 2015 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo-Capitol Hill, Washington DC/
Të nderosh kulturën e popullit shqiptar në zyrat e kongresit amerikan është ogur i mirë për Kombin tonë dhe kjo në saje të penës brilante të shkrimtarit Kadare./
Shkrimtari i shquar botëror, SHQIPTARI Ismail Kadare nderohet për vepren e tij në Washington DC në zyrat e kongresit amerikan në Capitol Hill.
Në nderim të veprës së tij të jashtëzakonshme u valëvit Flamuri amerikan mbi Capitol Hill.
Ndonëse shpesh herë në Washington kemi vajtur të organizuar në demonstrata në kërkim të të drejtave tona, të Pavarësisë së Kosovës, të cështjes kombëtare etj, këtë herë në muajin më të bukur të vitit, në Majin e luleve, shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në nderim të veprës së Kadaresë organizuar nga gazeta e mirënjohur “Illyria” me botues z.Vehbi Bajramin dhe ligjvënësi i Kongresit amerikan Eliot Engel, miku i ngushtë i shqiptarëve. Të nderosh kulturën e popullit shqiptar është ogur i mirë për Kombin tonë dhe kjo në saje të penës brilante të shkrimtarit Kadare.
Programi në nderim të personaliteteve të shquara në zyrat e kongresit amerikan në Capitol Hill ka filluar qysh në vitin 1937 me propozim të një anëtari të Kongresit amerikan. Dhe erdhi dita që në shekullin e XXI midis shumë personaliteteve të shquara amerikane të nderohet dhe një jo amerikan siç është SHQIPTARI Ismail Kadare.
Moderimin e ceremonisë e kreu editori i gazetës Illyria” analisti i njohur z.Ruben Avxhiu. Në fillim Z.Avxhiu ka ftuar artistin Gjon Krasniqi i cili ka interpretuar dy hymnet kombëtare: amerikane dhe shqiptare.
Pas hymneve kombëtare ka përshëndetur përkthyesi i veprave të Kadaresë, prof.David Bellos profesor në universitetin e mirënjohur Princeton, Nju Xhersi.
Prof. Bellos me fjalë të zgjedhura përshkroi veprën e Ismail Kadaresë si vepër dinjitoze botërore dhe ka ditur të zbërthejë vuajtjet e popullit nën diktaturë, si dhe të një sistemi të tërë totalitar në të cilën jetoi dhe vetë shkrimtari Kadare. Përkthyesi dhe profesori Bellos tha se Kadareja është një shkrimtar i njohur në të gjithë botën dhe nëpërmjet veprave të tij nuk njihet vetëm Kadareja, por dhe vendi i tij Shqipëria. Ai renditet ndër shkrimtarët më të famshëm të botës duke filluar që nga antikiteti e deri në ditët e sotme.
Prof.Bellos me përkthimet e tij prestigjioze e ka sjellë Kadaren të njihet dhe në botën anglishtfolëse dhe të fitojë miliona lexues rreth botës.
Pas fjalës së prof.Bellos Editori i gazetës “Illyria” Avxhiu ka ftuar për të përshëndetur kongresistin amerikan Eliot Engel.
Kongresisti amerikan Eliot Engel është anëtar i lartë në zyrën e Komitetit të punëve të jashtme dhe shërben në komisionin e të drejtave të njeriut. Kongresisti Engel është gjithashtu mik i ngushtë i shqiptarëve i cili ka ndihmuar shumë në çështjen tonë kombëtare.
Kongresisti Engel ndihej i nderuar që këtë ceremoni ia kushtonte shkrimtarit të shquar botëror Kadares.
Kongresisti Eliot Engel tha se miku im personal Vehbi Bajrami më frymëzoi për ta berë të njohur veprën e shkrimtarit të shquar Kadare në dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan ne Washington DC dhe në nderim të shkrimtarit të valëvitej flamuri amerikan mbi Capitol Hill. Kam qenë shumë i impresionuar me veprat e Kadares që kam lexuar, vepra që e kanë bërë shkrimtarin me famë në gjithë botën. Ndërsa kongresisti Engel fliste me konsideratën më të lartë për veprën e Kadarese ndihesha krenare që bota e qytetëruar ka arritur ta vlerësojë me çmimet më të larta të nderit dhe të kutpojë shpirtin e lirë të një shkrimtari të madh që jetoi dhe krijoi nën diktaturë. Ajo kutpoi botën e një shkrimtari nën diktaturë, i cili i diktonte asaj të mësonte të vërtetën nga tempulli i i tij i letërsisë me gjuhën hyjnore artistike si psh: tek “Laokoonti” që shkruan:
Më shihni tek mbytem nga gjarpërinjtë/ në muze të Luvrit në Madrid, në Nju-jork/
para syve tuaj e aparate turistësh/ qindra vjet kam që vuaj/ nga që sflas dot/ Si të flas/a mundet një nofull mermeri/ të lëvizë nje grimë, të korrigjojë diçka/ vini re sytë e mi, te zgavrat e thella/ një enigmë, si amebë të tharë atje ka/ Një të fshehtë të madhe ndrydh brenda gjoksit/ para syve tuaj, në Paris, në Madrid/ Ah, do të doja dyfish të m`i shtonit,
veç sekretin e madh të shkarkoja një ditë/.
Kongresisti Engel ne emër të tij i dorëzoi botuesit të gazetës “Illyria” z.Bajrami flamurin amerikan që u valëvit krenar mbi Capitol Hill për shkrimtarin e famshëm botëror Kadare dhe një kopje të deklaratës, dhuratë për Ismail Kadarenë, që u mirëprit me duartrokitje nga miqtë dhe të ftuarit në sallë.
Z.Vehbi Bajrami i dhuroi kongresistit Eliot Engel veprën e shkruar nga Ismail Kadare “Tri këngë zie për Kosovën”.
Në këtë veprimtari morën pjesë ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Washington zonja Floreta Faber dhe Ambasadori i Kosovës z.Akan Ismaili.
Veprimtaria u mbulua nga Zëri i Amerikës dhe TV Alba Life, New York.

19 Maj, 2015
Capitol Hill, Washington DC

Filed Under: ESSE Tagged With: Ismail Kadare, Keze Zylo, nderohet ne Kongres

Gjuha Kosovare e Nexhmedin Spahisë…

May 21, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA*/
Diktatura komuniste me politiken e saj veçuese u perpoq ta armiqesonte popullin shqiptar me gjithe boten, kryesisht me Europen Perendimore, por nuk ia doli dot. Pas renies se komunizmit, populli shqiptar deshmoi ndaj te huajve europiane dhe amerikane po ate ndjenje miqesore te dikurshme.


Gjuha Kosovare e Nexhmedin Spahisë !

Mjaft i kishim ngacmimet , cyetjet , shemtitë tjera kur pa “pritmas” na del nëske në një “bard” i kombit që dëshiron ta bëjë historinë- lindjen e një kombi të oa qenë kurrë – Kombit Kosovar.
Ide origjinale e tij ? –Jo. I mishërusr nga dikush ? – nuk e dij ,,ndoshta.
Por fatbardhësisht ideja e lindjeve të kombeve të pa qena në Ballkan , nuk pati sukses. Vdic si pa lindur .
Dhe Agim Doçi shkroi :

PARALAJMERIM PER NEXHME(pa)DIN SPAHIUT!
Nexhme(pa)din!
Me librin e “ri” qe na dashke me e promovue dhe ne Qytetet e Republikes se Shqiperise, te porosis:
1.- Qe ne titull (per tu ba interesant) “Foshnjeria e kombit kosovar” mendoj qe Ti duhet te ndrrosh urgjentisht ilaçet se qenke shume semure me “pordhe çubrilloviqiane”.
2.- Ku te çon mushka?! Mos gabo me ardh ne Shtetin Ame, me promovue at liber monster pa marr leje (dozvole) nga Demir Fazlliq!…
3.- Mos me ofendo Vorret e te Pareve te mij, se ashtu si kam komponue “Marrshin e UCK-se”, ta dedikoj enkas per Ty “Marrshin Funeber”….! Shqiptaret e Kosoves jane Etnik or Nexh(pa)din Spa-thiu!
4.- Te kam respektue si Intelektual i Shquar – por po me rezulton se je kthye ne Intelektual i Shqyer!
5.- Kaq per sot! Do ta shkund e tund opinionin shqiptar te Kosoves,kundra Teje, sepse nuk e kam dijte qe ndan e copton Kombe Liridashese!
A nuk po shef se si po i keqtrajtojne shqiptaret ne Maqedoni, Kosove, Mal te Zi e gjithandej???!!!…
Na del edhe Ti me at liber qe Beogradi do te baj Qytetar Nderi – Mohues i kombit Shqiptar!
Ma shta da radish gospo(pa)din?!…

Ndësa( Prof.Dr. Eshref Ymeri) shkruan “Si është e mundur, ore Profesor Nexhmedini, që juve nuk ju bëjnë përshtypje reagimet shoviniste të Beogradit, të Moskës dhe të Athinës, sa herë që në Shqipëri dëgjohen zëra për ribashkimin e trojeve tona etnike? Vallë nuk ju shqetësuaka fakti që pikërisht shovinistët grekosllavë janë ata që u bien kambanave kundër këtyre zërave në të gjitha udhëkryqet e Evropës e deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sepse pikërisht ata vazhdojnë të mbajnë ende të kolonizuara një pjesë të mirë të trojeve tona etnike? Vallë të mos jeni i bindur ju që fqinjët tanë grekosllavë nuk e duan të bashkuar kombin shqiptar, se gjatë një periudhe mbinjëshekullore ata kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë si pikësynim që kombi shqiptar të mos ngrihet kurrë më këmbë, por të vazhdojë të zvarritet, si deri tani? Rusisë shoviniste, për interesat e grekosllavizmit, i intereson një komb shqiptar i përçarë, varfanjak, i telendisur, i nëpërkëmbur se kështu krijohen kushtet për mpakjen ca nga ca të kombit tonë dhe zbrazjen tërësore në perspektivë të trojeve tona etnike prej elementit shqiptar.

Ky është më i butë “Prandaj, profesor i nderuar, si shqiptar, ju këshilloj të hiqni dorë nga shpikja e “kombit kosovar” dhe potencialin tuaj intelektual t’ua kushtoni përpjekjeve për ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur. Ju, po të dëshironi, mund të merreni me një problem të parrahur absolutisht deri tani dhe që është mjaft shqetësues për mbarë kombin shqiptar” ( Prof.Dr.:Eshref Ymeri)


*Epoka e turpit para gjyqit- Pjesa e tretë



Fahri Xharra,21.05.15

Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Gjuha Kosovare e Nexhmedin Spahisë

Nëse tradhton do të mësosh si të tradhtojnë

May 21, 2015 by dgreca

PERSONAZH/ Flet regjisorja dhe aktorja, Eliona Thomaraj: Tradhtia nuk është një trend i kohës/
-Dashuria e vërtet ekziston./
-Pluhuri i kohës nuk duhet të zverdhi forcën e dashurisë së vërtetë/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Sot vihet në skenën e teatrit komedia e Dario Fo “RIKONSTRUKSIONI I CIFTIT” me regji të Eliona Thomaraj, skenograf Bledar Gerxaliu, dhe me interpretim të Herion Mustafaj dhe Eliona Thomaraj. Ka ditë që në të gjitha ambientet artistike diskutohet vënia në skenë e kësaj komedie, e cila është tepër aktuale. Regjisorja Thomaraj kishte kohë që mendonte për vënien në skenë të një vepre të Dario Fo dhe duke parë me vëmendje problemet aktuale sociale në Shqipëri, mendoi se kjo vepër ishte mëse e përshtatshme. Në rolin kryesor regjisorja ka zgjedhur aktorin e mirënjohur Herion Mustafaj, i cili ka kohë që qëndron jashtë skenave shqiptare.
Një komedi shumë e njohur dhe me një hapësirë shpirtërore interesante. Cili ishte synimi juaj për spektatorin shqiptar?
Kjo është një komedi brilante e Nobelistit Dario Fo “Cifti i Hapur” të cilën mendova ta risjell për spektatorin shqiptar të përshtatur si një “Reallity show”.
Si do ta cilësonit rolin tuaj?
Roli im është i një gruaje e cila pas 25 vite martese ndjen që bashkëshorti i saj nuk e dëshiron dhe për më tepër e tradhton dhe do të përligji tradhëtin e tij si një trend i kohës…. Të rikonstruktojnë çiftin. Pikërisht kjo sjell humor të hollë dhe situatë komike.
Pse pikërisht zgjodhe Erjon Mustafaj për këtë rol? Ka ndonjë specifik?
Herion Mustafaj kishte vetëm një pretendim…”MALLI PER SKENËN SHQIPËTARE” dhe interpretimi i tij përpara spektatorit ndjehej që ishte nostalgji dhe mall i dyanshëm. Publikut tonë i ka munguar gjithë këto vite Herion Mustafaraj.
Kjo vepër tingëllon aktuale në çdo kohë, apo ishte thjeshtë një dëshirë personale?
Unë si regjisore shikoj dhe kërkoj më të mirën e mundur për t’ja servirur spektatorit artdashës. Kjo është një vepër aktuale e cila u bë e mundur të vihet në skenë vetëm nga dëshira e mirë e disa miqve tanë dhe pasionit të padiskutueshëm të aktorëve….
Pra ku konsistoi vënia në skenë?
Është vënë në skenë vetëm nga dashuria e madhe për artin…
Cili është mesazhi i kësaj vepre kaq shumë të diskutuar?
Mesazhi i veprës është se dashuria e vërtet ekziston. Pluhuri i kohës nuk duhet të zverdhi forcën e saj. Nëse tradhton do të mësosh si të të tradhtojnë.
Kjo vepër ka pak personazhe, por shumë ngjarje, ku qëndron intriga?
Kjo vepër ka vetëm një çift në qendër të saj të cilët rrëfejnë se çfarë ju ka ndodhur në një moment kritik në jetën e tyre bashkëshortore.

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Z. Xholi, do të mësosh, Nëse tradhton, si të tradhtojnë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT