• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

Figura e Skënderbeut që bashkoi Nolin me Konicën

June 22, 2015 by dgreca

Fletore koniciane nr.5./

Nga Fotaq Andrea/

Viti në vazhdim 2015, dhe konkretisht gjashtëmujori i parë, përkon me tre përvjetorë të shënuar: 610 vjetori i lindjes së Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, 140 vjetori i lindjes së Faik Konicës dhe 50 vjetori i vdekjes së Fan Nolit. Ndonëse njohim me saktësi datën e lindjes së Konicës, 15 mars 1875, ndonëse njohim po ashtu edhe datën e vdekjes së Nolit (13 mars 1965), jemi të detyruar të ngremë supet për datën e saktë të lindjes së Skënderbeut, përderisa nuk është gjetur gjer më sot asnjë dokument për të na e vërtetuar. E megjithatë, ja ku na vijnë në ndihmë, simbolikisht e me mjaft kuptim vetë Konica e Noli për të përcaktuar 6 majin 1405 si datën e lindjes së Gjergjit të Madh të Arbërisë! E më tej, si datën e festës kombëtare të Shqipërisë!

Nisur ndoshta nga tradita ortodokse që emri i pagëzimit të fëmijës vihej sipas emrit të shenjtorit që kremtohej atë muaj, Konica e Noli duket sikur e lidhin organikisht këtë datë me ditën e Shën Gjergjit, martirit të krishtërimit, pajtorit të kalorësisë dhe fitimtarit të çdo beteje, që mposhti dragoin, duke simbolizuar ngadhënjimin e së mirës ndaj së keqes. Konkretisht, në numrin 3, XI/1907, të Albania-s së tij (çuar për shtyp në qershor 1908), Faik Konica, në shkrimin Skënderbeu prej të përndriturit Fan S. Noli, do të vinte në dukje në paragrafin hyrës : ” Më 6 të Mait, ditën e Shën Gjergjit, e cila po njihet ngadalë për e kremtia kombëtare e gjithë Shqiptarëve, sikundërë ka qenë kurdoherë e kremtia vendore e myslimanëve dhe e krishterëve të shumë viseve të Shqipërisë së mesme e së poshtme – i Përndritshmi Fan S. Noli, përpara piktyrës së kuroruar me tyle të mbretit të pavdekshëm t’onë Gjergj Kastriotit, tha një fjalë të bukur, tekstin e së cilës jemi fat-mirë që mundim ta botojmë in-extenso këtu më poshtë. Dr. [Drejtori]”.

Për mendimin tonë, ky paragraf i Konicës në hyrje të fjalës së Fan Nolit për Skënderbeun në Kishën Shën Gjergji të Bostonit, si dhe pasqyra në gjuhën frënge e veprimtarive të organizuara në Amerikë me rastin e 6 majit 1908, botuar tek i njëjti numër i Albania-s – përmendim si veprimtari atë të shoqatës shqiptare në Jamestown, ku mbajti fjalën e rastit ish kryetari i saj S.A.Baldwin – janë tepër domethënëse në disa drejtime. Para së gjithash, ato dëshmojnë për një bashkërendim përpjekjesh paraprake Noli-Konica përqendruar rreth figurës së Kastriotit të Madh për t’i dhënë kësaj figure një përmasë të re frymëzimi kombëtar. Dhe në fjalën e tij panegjirike Skënderbeu (Fan Noli, Vepra, vëll. V), nga më spikaturat në Letrat Shqipe, Noli shkëlqen jo thjesht si prift i emëruar rishtas në krye të Kishës Ortodokse shqiptare në Amerikë, por mbi të gjitha e para së gjithash si atdhetar i flaktë e si veprimtar aktiv për çështjen shqiptare të shtruar për zgjidhje. Me fjalë poetike në gojë, plot emocionalitet, me thirrje nga shpirti në emër të Perëndisë dhe të “Nënës së dhembshëruar Shqipëri”, me këngë e vajtim njëherësh, Noli shfaqet madhërishëm në rolin e rilindësit pararojë, tek ndez në zemrat shqiptare kujtimin e “Babait të Kombit” siç e quan ai Heroin kombëtar, atë “trim mbi trimat”, atë “Mbret të Nënës Shqipëri”, atë “Aleksandër të Madh”, “Yll të Shqipërisë, shndërruar në diell”.

Nëse liturgjia e parë e Nolit 26 vjeçar në Boston (22 mars 1908) synonte kryekëput fjalën e goditur shqipe me psalme të përkthyera prej tij, që të kujtojnë pas pesëqind vjetësh robëri, formulën e pagëzimit po në shqip të Pal Engjëllit, liturgjia e tij e dytë (6 maj 1908, ditën e Shën Gjergjit) është himn për Skënderbeun, duke shënuar kështu simbolikisht datën e rilindjes apo të ringjalljes së kujtimit të tij, pikërisht në altarin e Kishës Ortodokse autoqefale shqiptare të Amerikës, që do mbante emrin e nderuar “Kisha Shën Gjergji”. Sepse shihej tashmë si nevojë e domosdoshme shpirtërore, për krejt Rilindjen Shqiptare të fillim-shekullit XX, të lidhej ngushtë, brenda një date të vetme, 6 majit, figura e Gjergj Kastriotit me Shën Gjergjin, kalorësin e hershëm ushtarak të krishterimit, apo, pse jo, edhe të njësoheshin të dy figurat në mënyrë emblematike, për vetë bëmat e larta kalorësiake në misionin e tyre fisnik. Dëshmon kështu medaljoni i Kishës Ortodokse shqiptare me figurën e Shën Gjergjit, rreth të cilit janë të shënuara fjalët: Albanian orthodox church of Amerika. Knights of Saint George (fig.1).

Dhe këtu, është më se e qartë se kalorës të Shën Gjergjit (knights) janë tërë besimtarët ortodoksë shqiptarë, po ata kalorës pasardhës të vetë Gjergj Kastriotit, përkrah tërë besimtarëve të tjerë, katolikë, muhamedanë e bektashinj, që e njihnin Kastriotin e tyre të Madh për Hero Kombëtar.

Në fakt, drejtori i Albania-s, e kishte bërë paraqitjen e Nolit të ri urdhëruar prift që në numrin paraardhës të revistës (Albania 2/XI, 1907 – botuar në prill 1908), ku kishte botuar jo vetëm një foto të posaçme realizuar bukur artistikisht (me diçiturën “I përndershmi Fan S. Noli”), por edhe një shënim hyrës në rubrikën Fleta e Dreqtorit, tek jep këtë cilësim për të: “I Nd. Fan S. Noli, i holli shkronjësi t’onë, prift-i-xgjedhur i Shqiptarëve të Amerikës…”. Po në të njëjtin numër të Albania-s, konkretisht në hyrjen e fjalës së Nolit titulluar “Kisha shqipe ortodokse”, Konica gjen rastin për të theksuar: “Të zgjedhurit e të Nd. Fan S. Nolit prej Shqipëtarve t’Amerikës dhe t’urdhruarit e tij si prift prej kryepeshkopit rus të New-Yorkut është një e ngjarë për të vënë ‘re, rëndësirën e tërë të së cilës bota do ta kuptojnë më mirë në disa vjet. I kërkova të dashurit atdhetar një “message” a lajmërim për Kombin dhe më dërgoi këtë që po botoj me gëzim më poshtë. Hoqa kryeartikullin që t’i bëj vend”. Kurse, tek Albania nr. 4 (1907), Konica vë në dukje (në frëngjisht): “… Z. Fan Noli, që shkruan një shqipe gjithë nerv e muskuloze, dhe që është për më tepër një njeri me kulturë të madhe…”.

Kësisoj, Albania, në vitin e parafundit të saj, shndërrohet në dy numra radhazi në tribunë për Nolin dhe për krejt veprimtaritë e zhvilluara në Amerikë me rastin e ditës simbol të Shën Gjergjit, gjë që shfaqet, për mendimin tonë, si një prelud i veprimtarisë së përbashkët atdhetare Noli-Konica që do realizohej me vajtjen e këtij të fundit në Amerikë më 1909.

Është e njohur se si Konica, si Noli nuk reshtën së shkruari për figurën e Skënderbeut, me penë të mprehtë plot frymëzim, sikurse gjithë rilindësit e tjerë. Konica jo vetëm solli dhe shpalosi në epokën e rizgjimit kombëtar flamurin e Skënderbeut, mbuluar nga pluhuri i historisë, jo vetëm i rindriti armët dhe përkrenaren e kryetrimit duke vajtur vetë në Vjenë për t’i kundruar, studiuar e për t’u frymëzuar, jo vetëm studioi toponiminë e fushatave të Skënderbeut, por ai krejt Albania-n e tij e bëri tribunë për tërë penat e ndritura të Rilindjes. Që më 1899, Konica 24 vjeçar shkruante me pendë të lehtë vargjet lapidar të poezisë “Flamuri”: “Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte. /  Ish e fortë, ish e zonjë / Kish në flamur një shqiponjë. / Një shqiponjë me dy krerë / Ai lirisht hapej në erë…”.

Po ashtu Noli, krahas studimit madhor Histori e Skënderbeut dhe një mori shkrimesh poetike kushtuar Heroit kombëtar, vetë “Himnin e flamurit” e sheh të lidhur ngushtë me emrin e Kastriotit të Madh, tek shkruan : “O Flamur gjak, o flamur shkabë, /  O vënd e vatr’ o nën’ e babë, / Lagur me lot, djegur me flagë, / Flamur i kuq, flamur i zi… / Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove.”

 Veçse Konica, të cilin me të drejtë Noli e quante “Ustai”, i kishte dhënë tashmë shenjat e para të binomit Gjegj Kastrioti-Shën Gjergj që në ilustrimet e revistës së tij Albania. Sepse kur i kërkoi në fillim të vitit 1898 mikut të tij të ngushtë, skulptorit dhe piktorit belg Paul Nocquet, – me të cilin kishte thyer sa e sa shpata gjatë ushtrimeve në skrim, siç e pohon edhe vetë në letrat drejtuar Apolinerit –, të ilustronte kryeveprën Albania, mjeshtri belg, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, realizoi, mbi bazën e ideve të Konicës, jo vetëm koren (ballinën) e saj të mrekullueshme (fig. 2) me portretin e Skënderbeut si emblemë të shqiptarit veshur me fustanellë, por edhe figurën e fuqishme të farëhedhësit shqiptar, si dhe një mori vinjetash (zbukurimesh) tipografike (fig. 3, 4, 5) të cilat nuk janë marrë asnjëherë në analizë, por që janë tepër domethënëse, tek shohim në to lulen shëngjergji (Convallaria majalis), simbolin e festës popullore të verës në mjaft vende të Europës (mygetat franceze të 1 majit), përfshirë edhe vendin tonë. Kjo lule është e përhapur edhe në pyjet e Shqipërisë e të Kosovës, siç na mësojnë specialistët e bimësisë pyjore Ferdin Liçaj e Përparim Çarçani, dhe njihet gjithashtu me emrin lot zoje, zambaku i luginave, lule me këmborë, ndërkohë që te keltët e lashtë njihej si lulja e fatit. (Sa për anekdotë, lulja shëngjergji u quajt edhe lulja e lumturisë kur mbretit Karli IX iu dhurua për t’i sjellë fat. Dhe që nga ajo kohë, në ballot e Europës, zonjave u dhurohej lule shëngjergji, duke simbolizuar dashurinë, djemtë tek e mbanin në thile të xhaketës dhe vashat në fustan të bardhë).

 

fig. 3, 4, 5 Lulja shengjergji (e çelur dhe e paçelur) në revistën Albania paraqitur në formë vinjetash.

Kur shkruante prozën poetike Dita e Verës, Konica e dinte fare mirë se në këtë festë popullore të hershme shqiptare nderoheshin jo vetëm perënditë e luleve që sillnin mirësi, por edhe kujtimi i të parëve dhe i kryetrimit shqiptar. Disa rubrika të Albania-s, sidomos në frëngjisht (Dokumente mbi folklorin shqiptar, Letërsia gojore shqiptare, etj.), trajtojnë ndër të tjera zakonet e lashta shqiptare, simbolet pagane me kafshë, shpendë, lule, të cilat Konica i ka me shumicë te Albania e tij në formë simbolesh tipografike, që nga kalliri i grurit në ballinë (me kryerubrikën Billni që të korrni), gjer te tërfili, luleshqerra, fluturat, dallëndyshet, shqiponjat, etj. etj. si dhe krejt pema e lulëzuar Albania apo vazoja plot lule Albania pasqyruar grafikisht nga Nocquet, si një bri i lulëzuar i bollëkut. Konica e njihte fjalën e Gjergj Kastriotit nën penën e Barletit kur iu drejtua krutanëve për herë të parë me thirrjet për bashkim e qëndresë dhe kur ndezi zemrat e tyre tek u tha që vetë Shën Gjergji i qe shfaqur atij në ëndërr për të mbrojtur Arbrin; se ky Shën Gjergj i Barletit ishte mbrojtësi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve; e dinte se vetë dita e Shën Gjergjit, 6 maji, është Dita e Verës për shkodranët; se kjo festë popullore kremtohej që nga koha e Ilirëve, tek të cilët ishte i përhapur “kulti i hyjnisë kalorës luftëtar” (Medaurusi tek Japodët); se mjaft kisha në Shqipëri e Kosovë (Fier, Vithkuq, Voskopojë, Korçë, Prizren, Ulqin, etj.) kanë mbajtur e mbajnë emrin e Shën Gjergjit, ashtu sikurse edhe vetë fshati Shëngjergj në Elbasan. Flet ai vetë aq bukur për ditën e verës, kur djem e vasha varin në qafë me pe të kuq kungullin e egër, lahen te burimi rrëzë shelgut a në ujët e kulluar të lumit, lozin e harbohen mes gjelbërimit të luadheve, bëjnë kurora me lule, ndezin zjarre, ngrenë shilarthe në pemë, teksa në ara lulëzojnë të lashtat e mbjella.

Jo rastësisht edhe Lkeni i Hasit (At Shtjefën Gjeçovi) boton te Albania (prill-maj 1902), poezinë “Pse ?!”, duke nderuar Ditën e Shën Gjergjit në Krujë, Ben, Shkeret, Nënujë (Nnuâj), Marshiq e në rrethe të tjera, tek shkruan: “Pse, un pves [pyes] me aq t’ madhe lumnii / Dit’n e Sh’Gjergjit Kruja é nnéeron,… / Mret i Shqypniis Gjergj Kastrioti /N’jeet kaa bajtun kët émn t’nnéerue…” . Nga ana tjetër, Konica na mëson, përmes një episodi të bukur  (Albania, 15, 1-15 korrik 1898), se malësorët dibranë festojnë Shën Gjergjin dhe jo Bajramin. “Në thelb, shkruan Konica në shkrimin e tij në frëngjisht Shënime rreth Kombësisë Shqiptare, malësorët tanë ende nuk dinë mirë se ku qëndron konkretisht feja myslimane dhe po ashtu, nuk dinë ç’është krishterimi. Ata vetëm dinë se një ditë e vitit quhet Bajram, dhe se atë ditë duhet dëfryer e bërë festë. Është e vërtetë se ata kremtojnë edhe Shën Gjergjin; dhe më kanë rrëfyer dikur lidhur me këtë çështje një anekdotë të bukur. Dihet se festat muhamedane nuk kanë datë të caktuar, por rregullohen sipas hënës. Mirëpo qëlloi që Bajrami dhe Shën Gjergji ranë në një ditë. Habi, siklet, rrahje mendimesh nga ana e malësorëve dibranë. Më në fund, ata vendosën të kremtojnë Shën Gjergjin, “sepse kjo festë, thanë ata, është e caktuar dhe serioze, ndërsa tjetra vjen e shkon, pa u ndalur kurrë…”.

Duke iu rikthyer emblemës së Shën Gjergjit, nuk ka si të mos përmendim personazhin e dytë të saj, dragoin e mposhtur, atë qenie mitologjike që është bërë historikisht burim frymëzimi për shumë shkrimtarë e artistë të shquar, madje edhe për disa urdhra kalorësiake të mirënjohura në Mesjetën europiane, që njihen si Urdhër i Dragoit, sidomos gjatë shekullit XV. Albanologu Auguste Dozon, në raportin e tij të dytë drejtuar Akademisë franceze më 15 nëntor 1872 (Deuxième Rapport sur une mision littéraire en Macédoine…), thekson se miti i Olimbisë molose që u ngjiz me një dragua-gjarpër (vetë Zeusi i metamorfozuar) për të lindur Aleksandrin e Madh, do përsëritej “njëmijë e shtatëqind vjet më vonë lidhur me Shqiptarin e Madh George Castriota…” (Archives des missions scientifiques… t. 1, f.204, Paris, 1873). Është fjala për ëndrrën e Vojsavës kur do lindte Skënderbeun: kësaj iu shfaq në gjumë një gjarpër aq i madh, thotë Barleci te Histori e Skënderbeut sa mbulonte me trupin e tij gjithë Arbrin dhe Epirin. Po ashtu, nuk është rastësi që një letrinë nga vepra e Barletit paraqet pikërisht simbolin e dragoit dhe ilustrimi i Historisë së Skënderbeut të Barlecit nga gravuristi i shquar gjerman Jorg Breu jep, ndër të tjera, edhe ëndrrën me dragoin-gjarpër të Vojsavës shtatzënë (fig.6).

Pas Barlecit që përdor mitin e dragoit-gjarpër te Histori e Skënderbeut, do të jetë Frang Bardhi, më 1636, që do ta cilësojë Kryetrimin shqiptar me epitetin Kulshedra e Arbënit, gjë që e përmend edhe Pukëvili në fillim të shekullit XIX në veprën e tij Udhëtim në More, Kostandinopojë e në Shqipëri kur flet për Heroin shqiptar. Sigurisht që ka dallim mes figurave mitologjike të dragoit, gjarprit, kuçedrës shqiptare apo lubisë, dhe Konica termin dragua e përdor si në kuptim pozitiv: ” Aj, Noc Kola trim drague” (Albania, nr. 4, 1904) dhe në kuptimin negativ: “Le të luftojmë turqit e rinj, shkruan ai në një artikull në frëngjisht, se sot ata personifikojnë dragoin”. Dhe si sinonimi të fjalës “dragon” në frëngjisht, ai ka vendosur në shqip mes kllapash termin “koudchedra” (Albania XII, nr. i fundit 1909).

A. Luka në studimin e tij “Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu, me epitetet gjarpri, dragoi, kuçedra”, e bën bukur fort dallimin e tërë këtyre figurave mitologjike, ndonëse shpesh në gojëdhëna

fig. 6. Jörg Breu, Endrra e Vojsavës , 1533.

 

këto qenie i shohim të pleksen me njëra-tjetrën në rolin e përbindëshit; veçse në thelb, të tëra shfaqin Kimerën e Homerit që villte zjarr nga goja dhe përhapte gjithandej tmerr, duke simbolizuar kështu forcën, fuqinë, guximin.

Një “Shën Gjergj shqiptar” që mposht dragoin e shohim konkretisht edhe te albumi me vlera të rralla i prof. Ferid Hudhrit Shqipëria dhe shqiptarët në vepra të piktorëve të huaj (Tiranë, 1987), ku autori na shfaq historinë e luftëtarit arbëresh Giorgio di Prenta Albanese (1470) që u rikthye në Shqipëri për të luftuar pushtuesin osman dhe që ra në fushën e betejës. E veçanta e kësaj tabloje (fig. 7) është se mban vulën e piktorit të shquar të rilindjes italiane Carlo Crivelli dhe se është porositur nga Salvatore de Prenta, ndoshta i biri i Giorgio Albanese për famullinë Porta San Giorgio, një fshat pranë qytetit Fermo banuar edhe nga arbëreshët.

Mitin e dragoit e jep bukur në frëngjisht Faik Konica që në fillim të Albania-s së tij (nr. 2, 1897) kur flet për Dy rapsodi shqiptare. Vasha (apo virgjëresha) po i këndon ëmbël në vesh djaloshit që fle mbi gjunjë të saj, i dërrmuar nga betejat, kur befas, shfaqet nga pylli përballë dragoi (kuçedra), gati për t’i përpirë. E tmerruar, vasha mundohet të zgjojë trimin në gjumë të thellë, por më kot; dhe veç “dy pika loti rrodhën nga sytë e saj turtulleshë e i bien trimit në vesh”. Kreshniku zgjohet, tendos harkun, vret kuçedrën. Pikërisht, kjo gurrë e pashtershme popullore, së cilës Konica i rikthehet aq shpesh te Albania, do të jetë edhe burimi kryesor që do ta frymëzojë e drejtojë atë natyrshëm drejt idesë së shkëlqyer për binomin Gjegj Kastrioti-Shën Gjergji, duke njëzuar e barazuar figurën e Kryetrimit Gjergj me Shenjtin Gjergj. Vite më vonë, më 1936, Noli, tek do përkthente Hymnore për kor të përzier, do të shqipëronte bukurisht edhe troparin e Shën Gjergjit: “Si çlirimtar i robërve dhe mbrojtës i të vobekëve, mjeku i të sëmurëve dhe përluftar i mbretërve, dëshmor i math Shën Gjergj trope-prurës, nërmejto te Krishti Perëndia jonë, të shpëtohen shpirtet tona”.

Është e njohur fotoja e Konicës veshur me fustanellë kur shkoi në Boston më 1909, ashtu sikurse shkrimet e tij për kostumin shqiptar “si pjesë e veshjes kremëtore”, tek larton para së gjithash figurën e Bajronit me këtë veshje. Autorë të huaj dhe piktorë me emër nuk kanë munguar të flasin për kostumin shqiptar dhe konkretisht për fustanellën shumëpalëshe nën gjunjë si një simbol i fuqishëm historik i popullit tonë përhapur nga Jugu në Veri të vendit. Janë mjaft domethënëse në këtë drejtim dy ikona të shekullit XIX që ndodhen në Arkivin e Muzeut Historik Kombëtar me “Shën Gjergjin e Janinës” siç emërtohen, veshur me fustanellën tipike shqiptare (fig. 8). Por po kaq kuptimplote dhe e rrallë është edhe një gravurë e vitit 1862, Skënderbeu me fustanellë, në librin Skënderbeu apo Heroi i Krishterë, i abatit Charles Guenot (fig. 9). Pra, është në këtë rast, fustanella shqiptare që bashkon Shën Gjergjin me Gjergjin e Madh Kastriot.

 

fig 8 fig 9

Më në fund, na e ka ënda ta mbyllim këtë shkrim me një portret tepër të rrallë, në të cilin studiuesi amerikan i artit oriental F.R.Martin (The Miniature Painting and Painters of Persia, India and Turkey from the 8th to the 18th Centry, London, Holland Press, 1912)  sheh portretin e Skënderbeut (fig.10). Edhe pse ky portret i realizuar ndoshta nga piktori fjorentinas Antonio Pollaiulo (më 1460) mban shënimin “Il gran Turco”, Martin vërteton se si portreti, si vetë shënimi nuk kanë të bëjnë aspak me Mehmet Fatihun, ngadhënjyesin e Kostandinopojës, i njohur me epitetin Turku i Madh. Për të, shënimi është shtuar shumë vite më vonë dhe nuk ka kurrfarë ngjashmërie me portretet e njohura të Mehmetit II, realizuar nga piktorët e Rilindjes Italiane, si veneciani Giovanni Bellini (fig.11). Në takimet tona (maj 2013) me specialistë të Topkapi Sarayi Müzesi Istanbul (që disponon këtë portret edhe me ngjyra), si dhe me miqtë tanë në Stamboll na u ripohua se portreti në fjalë nuk ka kurrfarë ngjashmërie me atë të Mehmet Fitimtarit. Ne nga ana jonë, shtruam si argumente jo vetëm dallimin në paraqitjen e hundës dhe të krejt portretit, por edhe faktin që simboli i dragoit në kapelën karakteristike të këtij portreti ishte

 

Fig. 10 Skënderbeu, sipas  F.R.Martin,

 

fig. 11. Mehmeti II.                           fig. 12

disi pa vend për një portret të fesë myslimane, që nuk pranon zbukurime nga fauna, por vetëm zbukurime florale, sikurse ndodh me ornamentet e institucioneve të kultit mysliman. Nga ana tjetër, ka specialistë që këtë portret e lidhin edhe me një medaljon të Pisanello-s (fig.12), ku është paraqitur perandori bizantin Joani VIII Paleolog (në vitet e mbretërimit të tij 1425-1448); por përsëri duket qartë që mungon ngjashmëria mes dy portreteve. Sa për kapelën e admirueshme me dragua të këtij portreti, mendohet se ajo “pasqyron njëfarë mode të kohës”, kur përkrenaret, në radhë të parë, zbukuroheshin ndër të tjera edhe me dragonj, “pa simbolizuar domosdoshmërisht ndonjë urdhër dragoi”. Për mendimin tonë, nuk kemi të bëjmë këtu thjesht me një zbukurim kape, sipas modës së kohës, sepse një gjë e tillë rrezik të thuhet edhe për përkrenaren e njohur të Skënderbeut me kokën e dhisë, kur në fakt, tek figurat e shquara, simbolika nuk mund të shmanget kollaj. Nga ana tjetër, dimë se shqiptari Millosh Kopiliqi që vrau sulltan Muratin I, brenda në çadrën e tij gjatë betejës së Kosovës (më 1389), kishte krijuar Urdhrin e fshehtë të Dragoit dhe mbante në përkrenare, së bashku me përkrahësit e tij, pikërisht simbolin e dragoit. Dimë gjithashtu se përkrenarja e Pirros së Epirit kishte figurën e dragoit, figurë të cilën e gjejmë të qëndisur edhe në xhubletën shqiptare që daton nga Lashtësia. Kemi të drejtë në këtë rast të shohim një vijueshmëri dhe lidhje tradicionale në simbolin e dragoit, sidomos një lidhje simbolike midis dy arbërve, Kopiliqit dhe Kastriotit, që të dy në luftë të paepur kundër Osmanëve. Dhe, në përfundim, do thoshim se nuk është aspak i rastësishëm vetë shënimi “Il Gran Turco” mbi portret, që zbulon njëfarësoj enigmën. Sepse, përderisa është shtuar si shënim vite më vonë në fund të tablosë dhe përderisa nuk i përshtatet aspak portretit të Mehmet Fatihut, e kundërta mund edhe të pranohet, duke qenë se i shkon për bukuri Atij me të cilin vetë Mehmeti II kaloi vitet e rinisë më të bukur, Atij që do të bëhej i barabarti dhe kundërshtari i tij më i rreptë, që do t’i ndalte rrugën drejt pushtimit të Europës, Atij që është cilësuar, siç vumë në dukje, “Kulshedra e Arbërit” dhe që fare mirë do mund t’i thoshin: “Il Gran Albanese”.  Pra, duke pranuar mohimin “Il Gran Turco” për të parin, do kishim në këtë rast tërthorazi një pohim të nënkuptueshëm për të dytin. Dhe dialektika e pranon: gjatë kalimit të vet nëpër mohim, pohimi arrin tek e vërteta. Nëse do pranohej që ky portret është ai i Skënderbeut (i fantazuar apo i porositur rreth vitit 1460, sikurse ndodhte shpesh me veprat e artit të kohës, për ta paraqitur si figurë heroi kreshnik me kapë të veçantë – a nuk ishte e veçantë vetë përkrenarja e Skënderbeut! – që po i bënte ballë Turkut të Madh), do kishim në këtë rast portretin e parë për Heroin tonë Kombëtar, kur dihet tashmë se pesë vjet më vonë më 1465, te kodiku De Romanorum Magistratibus, do të na shfaqej portreti i tij në miniaturë (këtë herë i realizuar me shumë gjasa në natyrë si portret origjinal, që është botuar për herë të parë nga prof. Sh. Sinani (bardhë e zi – fotokopje) në frontispicin e veprës së tij Beratinus, Argeta LMG, Tiranë 2004), portret që me të drejtë konsiderohet si i pari portret më pranë figurës së vërtetë të Heroit Kombëtar (I.S. Karanxha – fig.13).

Në përfundim, Skënderbeu, siç shprehet F. Konica, ky “Trim i pavdekshëm që Shqipëria e njeh si Kryeprinc dhe bota me gojën e Papës e quajti Mbret”, Skënderbeu, “Një nga fytyrat më të larta e më të bukura të Historisë së përbotshme” (E. Reclus, Albania, nr. 4, 1905), vjen e bashkon këndshëm me hiret dhe bëmat e Shën Gjergj Martirit dy korifenjtë e Rilindjes shqiptare, Nolin e Konicën, themeluesit e Vatrës përherë të ndezur të shqiptarizmës. / Qershor 2015.  

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq andtrea, Noli-Konica, Skenderbeu

Kaçamak elektoral në Shqipërinë e esnafeve

June 22, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI?
 Megjithë dilemat për mospjesmarrje, më së fundi vendosa të shkoj në qëndrën e votimit tek shkolla “Kristoforidhi”, në rrugën “Shyqyri Bërxolli”. Nuk u nguta. Kur u gjenda aty ishte ora 5 e pasdites. Ne të vërtetë gjithçka dukej e qetë, plot njerëz që dukeshin si sehirxhinj, por që në fakt ishin të interesuar e i vigjëlonin sytë për të parë ndonjë hile që mund të bënte kundërshtari. Pasi mora letrat, i vendosa shenjën e përzgjedhjes për kryebashkiak dhe për këshilltarë e dola në oborrin e shkollës. Aty u gjenda para një surprize. Në këndin e kundërt, përkundruall qendrës, por brenda oborrit të shkollës, ishte një kënd i improvizuar me një tryezë e me një kuti votimi. Më bëri përshtypje ndaj u afrova. Vajza në ballë të tryezës bisedonte me një çift, të cilët shënonin në ca letra. Pastaj papritur u kujtova se letrat ishin identike me ato që kisha plotësuar brenda në qendrën e votimit. M’u duk një gjë e parregullt, prandaj sapo çifti u largua e pyes vajzën, çfarë ishin ato letra që plotësuan ata njerëz. Fletë-anketime. – më tha. Çfarë anketimesh e kush i bën. Ora News bashkë me qendrën e anketimeve AA….nuk më kujtohen shënjat që më tha. Këto janë sondazhe. Po mirë, – i them, – këto sondazhe behën përpara votimeve e nuk është e pranueshme të ngrihen instanca paralele ditën e votimit, sondazhet janë prognoza jo realitete paralele, nuk mund të dualizojnët qendrat e votimit e KQZ-të. Mua kështu na kanë thënë, – tha ajo. Deri këtu biseda ishte e thjeshtë por mënyra se si po justifikohej nuk më pëlqeu, ndaj i shpreha dyshimin e dytë. Si është e mundur që flete anketimet të jenë identike ne ngjyre e format dhe me të njëtët emra si ato që unë sapo votova. Nuk e di, tha vajza. Dhe padyshim që ajo nuk e dinte. Atëherë dyshimi im u konsolidua dhe i thashë: bukur, le ta themi se është i mirëqenë dhe i ligjshëm ky paralelizëm ditën e zgjedhjeve. Më jep mua dy fletë, një për këshilltar e një për kryebashkiak që t’i mbush e t’i fus në kutinë që keni vendosur këtu në tryezë. Vajza më pa, dyshoi dhe më tha prerë: Jo. Nuk të jap fletët. Pse? – e pyeta. Pse, – më tha ajo, – se ata që i anketojmë i zgjedhim vetë. Po unë kam dëshirë të anketohem – i thashë. Kur unë këmbëngula ajo akoma më shumë kundërshtoi. Nuk donte të m’i linte në dorën time fletët e votimit (anketim) që ishin identike, siç thamë, me ato që hidheshin në kutitë e votimit. Epo, vazhdova kuvendimin me atë vajzë duke përdorur sarkazmën, o zgjedhje o zgjudhje, media private nuk ka pse gatuan kaçamak në punët e hyqymetit… Hodha sytë rreth e rrotull mos shihja ndonjë të policisë, që t’i pyesja a janë të rregullta këto zgjedhje paralele, kuti votimi paralele e fletë votimi autentike paralele në të njëtën qëndër votimi. Askund këmbë polici megjithëse isha në qendër të Tiranës. Po këto fletë votimi ku shkojnë e pyeta vajzën duke i treguar kutinë, ku mund ishin qindra fletëvotimi të mbushura. I dinë ata, nuk e di unë, – tha ajo. Po, – i thashë, – i dinë ata, por i përfytyroj edhe unë. Ajo vazhdoi punën e vet duke përzgjedhur njerëz, të cilët mesa duket i njihte dhe duke mbushur fletë votimi e duke i hedhur në kutinë e madhe mbi tryezë. Mirë mua më lindi një dyshim, po ata që janë të interesuar që zgjedhjet të mos manipulohen pse nuk u tërheq vëmendje fakti se fletët e votimit ishin autentike. Ku i kanë marrë, ku i kanë shtypur dhe a nuk ka rrezik që kjo arkë të futet fshehurazi në klasat e shkollës e të numërohet si kutitë e tjera? Po sa të tilla ishin në tërë Tiranën?! A mund këto të keqpërdoren për të manipuluar rezultatet? Këto gjëra kanë ngjarë prandaj të mos ju duket çudi të dilni se keni votuar dy here- thashë me vete. Dhe pastaj vazhdova arsyetimin: Se çfarë i duhet Ora News të përzihet në këto zgjedhje paralele nuk e dimë por e marrim me mend, sepse ajo për të përfituar e ka pas një kurs pro PD kur kjo ishte në pushtet, por menjëherë pasi këtij televizioni Ministria e Kulturës së qeverisë së sotme sapo erdhi në pushtet, i shiti në mënyrë të fshehtë e jashtë syve të publikut një pjesë të oborrit të Kinostudios për një çapë bukë, e ka kthyer timonin 180 gradë dhe është në shërbim mediatik të partive në pushtet. Me çfarë shohim përnatë aty gjendet e kapur si peshku në grep. Përndryshe e la veten të kapet nga pushteti me shumë dëshirë se nga pushteti burojnë milionat e reklamave. Ajo çfarë ndodhi me Televizionin “Agon” është edhe një mësim i mirë që po nuk bashkëpunove e pësove. Vajte për lesh. E, mos vallë, na ruaj zot se ne vetëm hamendësime po bëjmë, me këto kuti Ora News dëshiron t’i japë një dorë pozitivitet ndonjë kandidati të partive në pushtet. Mos më thoni që nuk është e mundur, sepse, si në asnjë vend tjetër në botë, nuk ka gjëra të pangjara në këtë Shqipërinë tonë të esnafeve dhe kasnecëve televizivë.
21 qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: kacamak elektoral, Kolec Traboini

Dibra e Madhe :’ Qendra për Diagnostifikimin e Kancerit “FLORINA RUSI – MARKE”

June 22, 2015 by dgreca

 E vetmja e këtij lloji në Maqedoni dhe në Ballkan që ofron të gjitha shërbimet falas dhe me një aparaturë të sofistikuar që familja Rusi e ka sjellë nga SHBA-të /
 Reportazh nga Beqir SINA /
 DIBER E MADHE : Më 15 nëntor të vitit 2003 z.Turhan Rusi, dhe tre djemtë e tij, Selimi, Ilirjani dhe Beniamin dhe z.Faton Marke, ishin ata që e përuruan në Dibër të Madhe, Qendrën për Diagnostifikimin e Kancerit “FLORINA RUSI – MARKE”, me financim të drejtpërdrejtë të familjes Rusi – nga Nju Jorku në SHBA.
Qëllimi dhe misjoni i kësaj qendre shëndetësore, ngritur në qytetin Dibër e Madhe, nga Amerika, ishte t’ju ndihmote grave në zbulimin e diagnostifikimin e hershëm të kancerit në gji, gjë, që është e vetmja mundësi për mjekim të suksesshëm, në këtë qendër e cila është më e madhja dhe e vetmja në Ballkan.
“Kjo Qendër për Diagnostifikimin e Kancerit, e para dhe vetmja klinikë në Ballkan, është e pajisur me personel të kualifikuar dhe me aparatet më të sofistikuara për zbulimin e kancerit në gji, sjellur këto nga familja jonë në SHBA”, thotë babai i katër fëmijëve, Turan Rusi, i cili këtë klinikë në mynyrë profetike, thotë se e bëri si dhurat “për shpirtin” e vajzës, së tij, që vdiq 10 vjetë më parë, nga kanceri në gji. Për , t’ua dhuruar dibranëve në qytetin e tij të lindjes, ngritur me kontributin e fëmijëve, për t’i shërbyer të gjitha grave si në Dibër e për rreth saj, Peshkopi, Bulqiz, Gostivar, Tetovë, Kërçovë, Strugë , Ohër, dhe të tjera viset shqiptare në Ballkan.
Familja Rusi, veç kësaj tregojnë dibranët ka një kontribut të madh edhe në strehimin dhe dhënjen e ndihmave  në luftën e Kosovës, me të larguarit, kohë kur qyteti i Dibrës, u bë streha dhe ndihma e tyre, aqsa për këtë është vendosur edhe një pllak mermeri në mes të qytetit, nga qytetarët e Kosovës, ku shkruhet” Qershor 1999 – Dibra, ishte Kosovë, dhe Kosova plagë e saj -” .
  Gjatë udhëtimit tim në trojet shqiptare, në një ndales në Dibër të Madhe, në këtë fillim qershori, takova në vilën e tij, e njohur në qytet si “Vila e Turhan Rusit”, pata rastin të bisedojë me zotin Rusi, i cili më spjegojë se :” Vizitat, kontrollet mjekësore dhe ndihma që ofron personeli i specializuar mjekësor në këtë klinikë, janë të gjitha falas, madje, shtoi ai kemi financuar edhe ndonjë operacion në gji – në spitalin e Shkupit, po me shpenzimet tona”.
 Ai e quan këtë qendër si një bërthamë e vogël e shërbimit onkologjik, model shembullor në botë. Nga ku ky lloj i bashkuar i asociacioneve të vogla kancerologjike edhe në SHBA-të, dhe ka gjetur aplikim të madh, ku femrat edukohen për vetëkontroll dhe kontroll të rregullt mjekësor, thotë Rusi.
Kurse, shtypi lokal ka shkruar se roli i kësaj klinike mbështetet në zbulimin dhe diagnostifikimin e hershëm të kancerit në gji tek femrat, si mundësi për ta parandaluar dhe mjekuar atë. Qendëra për diagnostifikimin në Dibër, është e pajisur me Eho dhe Manograf nga më të sofistikuarit, të sjellura aparaturat nga Shtetet e Bashkuara, dhe me personel mjekësor, të specializuar për këtë sëmundje, në Shkup e Dibër të Madhe .
Kures, një nga mjekët e kësaj klinike, i cili shërben në spitalin e Shkupi, nëpërmjet telefonit, sqaroi se kontrollet në ordinancën e tyre nuk kufizohen në paciente nga kurbeti dhe Dibra, por ka edhe të atilla që vijnë nga Tetova e Gostivari, ndërsa interesimi më i madh është te gratë nga Shqipëria, gjegjësisht nga viset kufitare.
“Gratë e viseve kufitare janë pacientet më të rregullta në ordinancën tonë. Çdo ditë numri i tyre rritet, përmend doktori i kësaj klinike duke vazhduar më tej  me sqarimet se përmes kontrolleve të tilla të grave, kanë zbuluar infeksione, tumore, kancer, ndërsa pacientet janë përcjellë në mjekim përkatës, ose sipas nevojës ka pasur edhe intervenime kirurgjike”.
Turan Rusi, i cili ka edhe rolin e Presidentit të Qendrës për Diagnostifikimin e Kancerit “FLORINA RUSI – MARKE” , na tha se në këtë klinikë, aktualisht punojnë 5 vetë – 2 doktora, sekretarët dhe tekniku, i cili bën incizimet dhe lan filmat e mamografive, të cilët punojnë në këtë klinikë që kur ajo është ndërtuar:  “Janë të njëjtët njerëz, që nuk kanë ndryshuar, dhe, ata janë Doktor Nikolla- i cili është drejtori  i sëmundjeve kanceroze të asesionit të Shkupit, për Maqedoninën, Dr. Bashkim Cami , sekretarja si edhe tekniku i mamografisë”, tregonë Rusi.
 Ndërkaqë, e pyesim atë se;”Ju thatë pak më përpara që keni përafërsisht 30 pacient në muaj – që i bie tek më shumë se 360 pacientë në vit, dhe se vit për vit është e njëjta situatë?”
Rusi, përgjigjet pa hezitim po, se “çdo vit është e njëjta gjë, këtu vijnë edhe emigrantet nga Italia, Zvicera, Gjermania, Franca, dhe SHBA, dhe bëjnë kontrolle pa para, mbasi në vendet ku jetojnë u kushton paksa më shumë, ose kan probleme burokratike dhe komunikimi”.
“Në muajt qershor dhe korrik, në Dibër dukshëm vijnë rritur kontrollet falas gjinekologjike, thotë ai dhe,, ajo që karakterizon këtë dukuri është fakti se thuajse gjitha gratë e kontrolluara janë ato që vijnë në këtë sesion nga mërgimi në shtetet e huaja.”
Më pas ai duke treguar mbi klinikën, na paraqiti edhe një raport botuar në një gazetë shqiptare, para disa vjetëve, ku thuhej se :”Deri tani në këtë ordinacë janë kryer me qindra vizita dhe kontrolle, që kanë rezultuar me zbulimin e hershëm të fibroadinomeve tumorbening tek me shumë se 100 femra, prej tyre afro gjysma janë diagnostifikuar me kancer në gji. Disa nga këto paciente, ka rezoltuar të jenë operuar me sukses dhe disa gjenden në terapi të rregullt me mundësi maksimale për tu shpëtuar jetën”.
Këtu vijnë të vizitohen pacientë nga Dibra, qytete e ndryshme nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe të gjitha zonat përreth, pa marë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare e konfesionale, ku te gjithe sherbimet dhe vizita mjeksore janë falas për të gjithë pacientet. Kurse, ajo që është më e rëndësishme per këtë qendër që të arrihet, është që te femrat të flaket mentaliteti i gabuar dhe të zë vënd kultura për tu vizituar rregullisht sa herë që lind dyshimi për kancerin në gji” pohon doktori i saj Dr. Nikolla, nga Shkupi.
Në një korrnizë në murin e klinikës, mes shumë fotografive duket edhe një fotografi e Znj. Teuta Arfi-t, ish Ministre e Integrimit, nga BDI-ja, dhe aktulisht Kryetare e Komunës së Tetovës, e cila ka qenë vetë një paciente e kësaj klinike, e egazimuar dhe e trajtuar me shumë sukses.
Më kujtohen fjalët e përurimit, thotë Rusi, i cili tha “që akoma pa u mbyllur plagët e vdekjes së vajzës sonë, u hap një ambulancë, që të ndihmojmë një nënë që të rriste fëmijët. Pasi më vdiq vajza kujton ai në muajin Maj – u hap ambulanca në qytetin e Dibrës së Madhe.  Një herë u hap në Dibër e pastaj në Amerikë.  Orari i punës , shërbimet dhe stafii i Qendra për Diagnostifikimin e kancerit në gji “Florina Rusi – Marke, nuk ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të punojë njëlloj siç ka punuar deri më tash dhe nuk do të ketë asnjë pengesë për të kryer misjonin dhe qëllimin tonë që i kemi vënë vetes” – theksojë  z.Rusi
Ndërsa, nuk nguron të shprehet hapur i pakënaqur, që Komuna e Dibrës, të “parët” e saj si i quan ai, nuk e kan vlerësuar asnjë her këtë kontribut të familjes Rusi nga Shtetet e Bashkuara, dhuratë e madhe kjo për mjekësinë në qytetin e Dibrës së Madhe.
Dhe shtonë, i “zëmëruar” “Jo ,asnjëhere, nuk na kan ardhur të na vizitojnë. Megjithëse, ata dinë vetëm të vijnë e të bëjnë ndonjë fotografi, kur vjen Ambasadori i SHBA, për çdo vit këtu, apo kur vjen ndonjë personalitet i lart nga Shkupi, të cilët kanë qenë personalitetet shqiptare të Maqedonisë, kur kanë ardhur të vizitojnë këtë qendër, sa her vijnë në Dibër të Madhe”.
Këtu, ai permend edhe faktin se kur u hap ambulanca, ka qenë Ali Ahmeti, deputeti i Peshkopisë z.Sali Shehu , kryetari i Peshkopisë Ilir Krosi, Ambasadori amerikan në Shkup, ish këshilltari i Presidentit Klintonit, edhe djali im Iliri, që ka qenë dhe kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe kryetar i Shoqatës Atdhetare Dibra në Nju Jork, spjegon Presidenti i klinikës, zoti Turan Rusi.
  Dhe kujton një thënje të ish- Ambasadorit amerikan, në Shkup, ambasdorit Volers, i cili ka thënë që më bën përshtypje që një qendër e tillë të ofrojë të gjitha shërbimet falas, duke pasur parasyshë koston e madhe të këtyre shërbimeve cilësore, të cilat kushtojnë shumë, dhe mos të ketë atë vlersimin e duhur nga komuniteti shqiptar “.
  A janë deri tani, kryesisht këtu grat e diagnistikuara, nga Dibra e Madhe, dhe zonat për rreth nga Shqipëria
    Po thotë Rusi,:”Shumicën e kemi nga Dibra, por edhe zonat kufitare nga Shqipëria. Dhe, ajo që më shqetëson,  këtu në Maqedoni, nuk mund t’i kuptoj disa hipokrit , mbasi si mundet të mos bëjnë diçka në lidhje me këtë klinikë, për të sjellur pacintetet, jo për neve se nuk kemi ndonjë interes, pasi për mua “sa me pak të vijn aq më mirë” i thonë një fjale, pasi unë paguaj , vetëm për një të ardhur të doktorit, nga Shkupi, për një vizitë më kushton 300 dollar, kurse tekniku merr 150 dollar në ditë”.
 Dhe, të gjitha shërbimet këtu janë falas?
“Po, po! çdo shërbim këtu është falas, si psh incizimet, madje kontribojmë edhe në operacione. Kemi pasur një rast të tillë, kur komunikova me një zonjë nga Buqliza, e cila më tha që e kishte probleme financiare në operacionin dhe sekretarja më informoi, dhe unë e telefonova duke paguar shpenzimet, e mija që të nisej për në Tiranë”, tregonë presidenti i Klinikës z. Turhan Rusi.
 Katër vjet më parë familja Rusi në Nju Jork ka themeluar edhe Fondacionin ” Florina Rusi-Marke Foundation”
  Fondacioni i Kancerit “Florina Rusi” është krijuar nga familja Rusi për të nderuar kujtimin e Florinës si një nje person me energji dhe optimizëm. Familja e saj, pas vdekjes së saj  në Nju Jork, themeloi Fondacionin e Kancerit që ka për qëllim grumbullimin e fondeve për mjekimin e kancerit nga klinikat e institute.
  Që nga viti 2003, çdo muaj gusht, në ditëlindjen e Florinës, ky fondacion çdo vit organizon në Nju Jork lojën e golfit, në të cilën marrin  pjesë personalitete të njohura që japin donacione për klinikat që luftojnë kancerin, në SHBA, dhe Dibër të Madhe dhe zonat për rreth saj në Maqedoni.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, Dibra e Madhe:, kancer, Qendra e diagnostikimit

Zgjedhjet vendore Vendoret, dalin fituesit e parë dhe raporti i vëzhgimit

June 22, 2015 by dgreca

Në 16 bashki fitojnë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, në 6 Aleanca për Punë dhe Dinjitet. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme publikoi raportin e vëzhgimit.

Komisionerët në Shqipëri përfunduan numërimin e votave në 22 bashki. Fitojnë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane në 16 prej tyre.

Bashkitë e Hasit, Pukës, Mirditës, Fushë-Arrëzit, Peqinit, Belshit, Skraparit, Policanit, Ura Vajgurore, Roskovesit, Delvinës, Himarës, Kolonjës, Libohovës, Konispolit dhe Pustecit do të kenë bashkiakë socialistë.

Fituesi i Skraparit Nesim Spahiu arriti rezultatin më të thellë me 84, 4 për qind të votave.

Po ashtu fituesi i bashkisë së Delvinës Rigels Balili mori gati 73 për qind të votave.

Himara rizgjodhi kryetarin aktual Jorgo Goro me 60 për qind. Fitoret e tjera janë me shifra më shumë se 50 për qind.

Aleanca për Punë dhe Dinjitet fitoi me kandidatët e saj në Vorë, Përmet, Klos, Mat, Selenicë dhe Tropojë. Kandidati i APPD, Niko Shupuli, fitoi në Përmet me rreth 60 për qind të votave.

Në bashkitë e tjera më të mëdha procesi i numërimit të votave po ecën shumë ngadalë ose nuk ka nisur ende.

Në disa bashki rezultatet e pjesshme janë shumë të ngushta, ndërsa të tjera shifrat janë thelluar qysh në fillim.

Të dyja aleancat konkurruese kanë deklaruar interesimin dhe angazhimin e tyre të madh për të zbatuar ligjin me nxjerrjen e rezultateve, ndonëse po ato vetë po shkaktojnë zvarritje, duke ndërruar vazhdimisht komisionerët, numëruesit dhe zyrtarë të tjerë në zgjedhje.

Vëzhguesit vendas po nxjerrin raportet e tyre mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dje.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qëndrueshme publikoi raportin paraprak të vëzhgimit mbi procesin e votimit në 21 qershor.

“Vëzhguesit e pavarur të Koalicionit nuk shënuan gabime të rëndësishme proceduriale as shkelje gjatë procesit zgjedhor” – pohoi Mirela Arqimandriti, drejtuese e Koalicionit për Zgjedhje të Lira.

Sipas raportit të Koaliconit, në 25 % të qendrave të votimit pati votues që nuk gjetën emrin në listë.

Në 57 % të qendrave të votimit votuesit me aftësi të kufizuar nuk mundën të hidhnin votën e tyre në mënyrë të fshehtë pasi këto qendra ishin të papërshtatura për ta.

Në 17 % të qendrave të votimit nuk u shpërnda kopja e procesverbalit për vulat e sigurisë te vëzhguesit e partive politike, ndërsa 10 % e qendrave të votimit nuk u hapën me numrin e duhur të komisionerëve.

Rreth 37 % e qendrave të votimit nuk kishte gra komisionere dhe vetëm në 15 % të qendrave të votimit gratë ishin kryetare në komisionet e qendrave së votimit.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme është një organizatë e pavarur, e përbërë nga 30 organizata dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë vendin.

Në këto zgjedhje ata kishin 90 vëzhgues afatgjatë dhe mbi 1000 vëzhgues afatshkurtër.

Ndërsa në mesditë pritet edhe një konferencë e misionit të vëzhguesve ndërkombëtare të OSBE/ODIHR-it.

OSBE/ODIHR së bashku me një delegacion nga Këshilli I Europës, shpërndan në të gjithë vendin afro 200 vëzhguesë, ndërkohë që dhjetra diplomatë të ambasadave të huaja në Tiranë, patën në qendër të vëmendjes disa zona potencialisht të nxehta gjatë fushatës zgjedhore.

Deri në orët e para të mëngjesit procesi i numërimit kishte nisur vetëm në një numër të kufizuar bashkish në të gjithë vendin.

Procesi i dorëzimit të kutive dhe dokumentacionit nga qendrat e votimit tek ato të numërimit pranë 90 komisioneve zonale ka kërkuar gati më shumë se 5 orë, duke paralajmëruar një fazë që duket se do të zgjasë.

Partitë kryesore kanë bërë thirrje që faza e numërimit të zhvillohet në respekt të ligjit.

Deputetja Olta Xhacka duke folur në emër të kryetarit të Partisë Socialiste tha se i bënte “thirrje të gjithë komisionerëve të jenë në lartësinë e ambicies sonë për Shqipërinë Europiane. Çdo votë duhet të numërohet me besnikëri të plotë ndaj votuesve dhe asnjë kandidat e asnjë subjekt që gjendet në fletën e votimit, nuk duhet të penalizohet me asnjë votë nga procesi i numërimit. Dua të nënvizoj se në nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të standardeve më të larta europiane ne numërimin e votave në të 61 bashkitë e reja të vendit tonë”, u shpreh deputetja Xhacka.

Edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha në një deklaratë të shkurtër për gazetarët pranë selisë së Partisë Demokratike nënvizoi rëndësinë që ka procesi i numërimit: “I bëj thirrje numëruesve të PD të qëndrojnë në lartësinë e detyrës sipas ligjit. I kujtoj të gjithë numëruesit zbatimin me përpikmëri të ligjit për të përfunduar leximin me transparencë të verdiktit në kutitë e votimit”, u shpreh zoti Basha duke ju drejtuar qeverisë, që sic theksoi ai “të mos përsërisë dhunimet dhe parregullsitë e vërejtura gjatë ditës” së votimit.

Nga ana e tij më herët, kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar “zgjedhjet e sotme më të mirat, më të lirat e të ndershmet që kemi zhvilluar deri më tani”.

Ecuria e procesit të votimit duket se ka qenë përgjithësisht normale. Raste problematike ka patur, që nga ato teknike, te mosmarrëveshjet mes komisionerëve, ndërprerje të procesve në disa qendra votimi apo dhe përplasje e tensione në zona të vecanta. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është detyruar të marrë vendim për problemet e lidhura me fletët e votimit në Rroskovec ku në krah të emrit të kandidatit të djathtë ishte vënë emri i koalicionit të majtë, apo në Tepelenë ku emri i një kandidati të pavarur nuk figuronte në fletën e votimit. Në të dy rastet KQZ –ja ka vendosur që procesi të vijojë. Institucioni qendror i zgjedhjeve është vënë ndërkohë në akuzë për rastin e Kurbinit ku kandidati i së djathtës mbeti jashtë. Sipas përfaqësuesit demokrat, KQZ-ja ka zëvendësuar në shkelje të hapur me ligjin dhe komisionerët e saj në këtë zonë. Partia demokratike megjithatë ka denoncuar një sërë rastesh që sipas saj kanë cënuar procesin. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka foli dje në mbrëmje për “kërcënime të votuesve nga zyrtarë të policisë apo funksionarë publikë, si dhe dhunë në disa dhjetëra raste”, apo dhe “njerëz që kanë votuar me karta identiteti false”.(Kortezi: Ilirian Agolli VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: fiton e majta, Zgjedhjet evndore

SHQIPTARET, ME TE MIRET E PARADES SE EMIGRANTEVE

June 21, 2015 by dgreca

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES”VATRA”, U PERFAQESUA NE PARADEN E EMIGRANTEVE ME TRE BREZA; ETER, BIJE, NIPER E MBESA/

Të shtunën me 20 Qershor, që në orët e para të mëngjesit, shqiptarët e Treshtetshit,dhe nga shtete të tjerë, madje dhe nga Florida e Michigani,u derdhën në rrugët e Manhattanit, për t’u sistemuar më pas në 43 Street dhe Avenunë e Gjashtë. Duhet thene qe ne fillim se shqiptaret me nje organizim te persosur , ishin dominues te Parades. Edhe pse mungojne ne kete kombe me emer te Europes, ne pergjithesi marrin pjese komunitete me pak te zhvilluar si Vietnami, Kamboxhia etj, shqiptaret konfirmojne mundesine se ka ardhur koha qe te organizojne Paraden e tyre, mundesisiht ne Diten e Pavaresise Kombetare. Ne kete Parade u perfaqesua edhe Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA”, e cila u perfaqesua me tre breza vatranesh, eter, bije, niper e mbesa. Pervec vatraneve te Nju Jorkut kishin ardhe edhe nga Florida(Jacksonville) Hartfordi dhe Waterbury.(Me shume do te elxoni ne Gazeten “Dielli” te Printuar )

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Parada, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT