• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

Isa Buletini, një shekull rrugëtim për në vendlindje

June 9, 2015 by dgreca

Isa Boletini (1864-1916)/
Shkruan:Gani Qarri/
“Unë nuk kam ardhur në Londër për fshatin tim, por për bashkimin e të gjitha tokave të atdheut në një shtet, ku edhe shqiptarët mund të jetojnë të lirë si në shtëpi të vet!
Nëse Evropa nuk do ta zgjidhë drejt çashtjen e Shqipnisë, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi! sepse unë edhe njëqind jetë të kam, të gjitha atdheut di t`ia fali!”.
E, se fati i heroit është i njëjtë me fatin e mbetur pezull të Atdheut, më së miri flet çështja ende e pazgjidhur shqiptare, të cilën përjetësisht e pati dokumentuar ai vet, me shprehjen e tij profetike, që pikërisht tani më shumë se çdo herë tjetër, po dëshmohet dhe merr vlerë të njëmendët, se me sa të drejtë, qysh për gjallje të tij pati thënë:
“Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria”!
Në të vërtetë, shprehja e tij, po vihet në sprova të njëpasnjëshme tani e 14 vjet me radhë, fakt që për kaq kohë, la mbi shpinën e dashamirëve, të barten me thes eshtrat e tij, pa u rehatuar deri më tani askund.
Para disa vitesh, me të kuptuar se varrezat, ku ndodhej i mbuluar trupi i Isa Buletinit, të cilat tanimë do rrafshoheshin tërësisht dhe zhdukeshin përgjithmonë edhe gjurmët e fundit të mbetjeve mortore të tij, nën betonin e “mbindërtimeve” malazeze, me nismën personale të presidentit të atëhershëm të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ishte formuar një grup i punës i cili pati për detyrë zhvarrimin e eshtrave të heroit dhe sjelljen e tyre në Prishtinë.
Për realizimin me sukses të kësaj detyre madhore, Presidenti atëbotë dha edhe dymijë Euro, për mbulimin e shpenzimeve të tërheqjes së pjesëve të trupit të heroit.
Madje, ai vet pati kërkuar që varrimi i eshtrave të Isa Buletinit, të bëhej në vendlindje,aty ku ende bëjnë hije kullat e tij madhështore, tanimë të vetmuara,që nga paslufta e këtej, dhe kërcënuara nga bandat serbe, të cilat ende sundojnë të pa shqetësuar, Veriun e Kosovës.
Për shkak të gjendjes atje, nuk ishte mundësuar varrimi, ani pse tani flitet se edhe familjarët, paskan kërkuar analiza të detajuara, për vërtetësinë e eshtrave të tij.
Më 24 nëntor të vitit 2012,në pjesën jugore të Mitrovicës së ndarë të Isë Buletinit, pranë lumit Ibër dhe Urës e cila dikur bashkonte, kurse nga pas lufta,ajo ndanë si me istikame fronti, në dy pjesë këtë qytet, në kujtim të luftës dhe veprës së madhe për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, u përurua përmendorja jo fort origjinale e heroit, sikur ai qytetit të ndarë me urën e bllokuar nga maskaradat serbe, sikur dëshiron ti ngushëlloj memuzikë Harfe.
Kurse tani ,pas 14 vitesh, bartje me thes mbi shpinë, sa andej sa këndej, eshtrat e tij pas shumë ecejakesh do të varrosen në Vendlindjen e tij, pranë hijes së Kullave madhështore të Isa Buletinit.
Ai siç nuk u trajtua në mënyrë të merituar në rang kombëtar ashtu siç i pati hije luftës dhe kontributit të tij për formimin e shtetit shqiptar dhe lirinë e kombit tonë , me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë për të cilën Isa Buletini luftoi deri në rënien e tij heroike, këtij Burri të Kombit, nuk iu bë një vend nderi as në Tiranë apoVlorë,edhe me rastin e festimit jubilar të kësaj ngjarje madhore historike e cila pa luftën dhe kontributin e Isa Buletinit, kush e di se si dhe në çfarë rrethanash do të mund të festohej, sot.
Atdhetari, luftëtari, organizatori dhe udhëheqësi i shquar, patriot i dalluar, aktivist i madh dhe prijës i paepur i, lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtar, heroi Isa Buletini, u lind në vitin 1864 në fshatin Buletin afër Mitrovicës, vend që njihet si treva e Shalës.
Ai, vinte nga një familje e njohur patriotike e cila gjithmonë dha shumë për kombin e atdheun dhe lirinë e të gjithë shqiptarëve.
Bijtë e saj, përherë u flijuan trimërisht me armë në dorë, duke mos u dorëzuar asnjëherë dhe ranë heroikisht në fushën e nderit për liri dhe bashkim kombëtar.
Isa Buletini, ishte njëri nga figurat më të shquara të faqeve më të ndritura të historisë sonë të lavdishme, i cili për qëndresën e tij të vendosur kundër sunduesve osmanë dhe tendencave okupuese të qarqeve shoviniste serbe, më 1901-1902, do të vihej në krye të rezistencës popullore të shqiptarëve në Kosovë.
Ai luftoi pareshtur kundër ndërhyrjeve të Serbisë dhe Malit të Zi në trojet tona, sidomos në mbrojtjen e tokave shqiptare, të cilat kufizoheshin me këto dy shtete shoviniste.
Të gjitha ngjarjet me rëndësi për popullin shqiptar dhe trojet tona etnike, mbajnë vulën e emrit të Isa Buletinit.
Lufta e tij nuk u kufizua vetëm në një pjesë të atdheut por ishte kudo e pranishme si para edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.
Ai, bllokoi edhe marshimin e ushtrisë pushtuese serbe, aty ku bashkohen dy Drinët Shqiptar, të cilët kishin mësy Shqipërinë e mesme, me qëllim të marrjes së bregdetit dhe daljen në Durrës, mbrojti burrërisht bregdetin jugor të Shqipërisë nga grekët,ndihmoi formimin e gardës kombëtare, dhe luajti rol të rëndësishëm në shumë ngjarje me rëndësi kombëtare, emri i të cilit, zë vend parësor në to.
Isa Buletini,qysh i ri mori pjesë në të gjitha aktivitetet atdhetare të kohës, duke dhënë shembullin e një kombëdashësi të përkryer dhe luftëtari të devotshëm popullor.
Përpjekjet e tij,datojnë që nga mosha 17 vjeçare, kur me 21 prill të vitit 1881, ai si njëri ndër luftëtarët më të ri, u dallua për trimëri në betejën heroike të Slivovës, e cila udhëhiqej nga heronjtë Mic Sokoli, AliIbra dhe Sefë Kosharja, kundër forcave pushtuese turke të gjeneralit gjakatar të Perandorisë Osmane, Dervish Pashës.
Ishte përkrahës i madh i Haxhi Zekës, të cilit i doli krah edhe gjatë formimit të Lidhjes Shqiptare të Pejës në vitin 1889.
Me shpresën për realizimin e aspiratave kombëtare përmes reformave të premtuara nga Xhonturqit, Isa Buletini ishte njëri ndër udhëheqësit dhe organizatorët kryesor të Kuvendit të Ferizajt më 1908,ku u kërkuan reforma dhe ndryshime në pushtet.
Isa Buletini si luftëtar 17 vjeçar në luftimet e Lidhjes

Pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si ngjarja më e rëndësishme kombëtare shqiptare, ajo formoi edhe Qeverinë e saj të Përkohshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Megjithatë, ajofatkeqësisht, jo vetëm nga Perandoria Osmane, por as nga Fuqitë e Mëdha të kohës dhe shtetet shoviniste ballkanike ,të cilat kishin qëllimet e tyre ekspansioniste, jo vetëm se nuk u pranua por ato edhekërkuan nga Perandoria Osmane shtypjen e Lidhjes Kombëtare Shqiptare.
Sidoqoftë, nuk pati presion as forcë që këtë Lidhje, ta largonte nga qëndrimet e saj kombëtare.Madje, ajo organizoi edhe çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe mbrojtjen e tyre me armë nga Perandoria turke.
Ndaj, qysh në orët e para të luftimeve të Lidhjes kundër marshimit të ushtrisë pushtuese osmane, edhe pse Isa Buletini ishte i ri dhe vetëm në moshën 17 vjeçare, ai do të luftonte në trimërisht në Slivovë e Shtime krah për krah me trimat dhe heronjtë e Lidhjes dhe të kombit shqiptarë, si Mic Sokoli, AliIbra, Sefë Kosharja, etj., në mbrojtjen e tokave amtare nga sunduesit barbarë osmanë.
Isa Buletini, në Slivovë,pati rastin të shihte me sytë e tij trimëritë e rralla të heroit Mic Sokoli, i cili u hodh mbi grykë të topit turk, për t’u dhënë zemër bashkëluftëtarëve trima, të cilëve u bëheshin gjithnjë e më të pakta armët dhe municionet, por jo trimëria dhe ishin të gatshëm të vdisnin për vend “si me le”.
Poashtu pa edhe plagosjen e AliIbrës në mbrojtjen e istikameve shqiptare për ndalimin e kalimit të ushtrisë armike andej, i cili nuk i ndalonte luftimet as atëherë kur i shkonte gjaku për zinxhi. Përjetoj edhe varjen e Sefë Koshares,duke ndërruar jetë si hero i varur në litar nga pushtuesi, për të mos e dënuar qëndresën e Lidhjes shqiptare, siç kërkonin gjeneralët osman dhe për të mos e tradhtuar atdheun e tij të robëruar, i cili luftonte për liri.
Këta ishin shembujt më sublimë, që do ta frymëzonin përjetshëm Isa Buletinin atëherë të ri, për tu ngritur në hero të shumë betejave dhe luftërave të papërsëritshme historike,zhvilluar në të gjitha tokat e Atdheut, të cilave ai do t’u printe kurdoherë në ballë, duke u bërë shembulli më i shkëlqyer i trimërisë dhe simbol i vetë sakrificës,që te ky burrë nuk mungoi asnjëherë,deri në çastet e fundit të jetës së tij heroike.
Edhe pse 20 mijë ushtarët turq me topa e artileri dhe armatimin më modern të kohës, për shkak të mungesës së armatimit, municionit dhe numrit të pa mjaftueshëm të kryengritësve të armatosur, do të thyenin përkohësisht mbrojtjen shqiptare, ndjenja e atdhedashurisë dhe rezistenca kombëtare, të udhëhequra nga trima si Isa Buletini, nuk do të shuhej kurrë, deri në përzënien përfundimtare të Turqisë nga trojet tona.

Isa Buletini në Lidhjen e Pejës

Me gjithë shpërndarjen e Lidhjes së Prizrenit, gatishmëria për qëndresë, luftë çlirimtare dhe mbrojtjen e trojeve të rrezikuara shqiptare nuk u shua kurrë.
Ishte koha, kur vendi kishte më shumë se asnjëherë më parë, nevojë për një mbrojtje të organizuar, sidomos në pjesët veriore të tij, të cilat sulmoheshin pa ndërprerë nga shovinistët serbo-malazez.
Për këtë arsye atdhetari Haxhi Zeka, në vitin 1889, organizoi formimin e një Lidhje të Re Kombëtare në qytetin e Pejës e cila do t’u dilte zot tokave të rrezikuara shqiptare nga shtetet shoviniste fqinje. Në këtë tubim mori pjesë edhe Isa Buletini në krye të delegacionit nga Mitrovica, prania e të cilit nuk ishte vetëm nderim i madh, për këtë ngjarje të rëndësishme kombëtare, por edhe fakt parësor, i realizimit të vendimeve të saj historike për mbrojtjen e trojeve tona etnike.
Por për fatin e keq të shqiptarëve mu në momentet fatlume të forcimit të Lidhjes dhe shtrirjes së saj gjithandej, prijësi i saj Haxhi Zeka, në një prit të organizuar më 21 shkurt të vitit 1902 do të vritej në mes të qytetit të Pejës, nga tradhtari i shitur Adem Zajmi.
Kurse, në vitin 1895, pra dy vite më vonë, me urdhrin e Valiut të Kosovës, Hafiz Pashës, do të sulmohej pa pritur edhe Isa Buletini, mu Ditën e Bajramit në shtëpinë e tij nga majori turk, Mehmet Efendi, i cili ishte nisur në krye të një tabori ushtarësh turq për ta kapur në befasi Isa Buletinin.
Por, Isa Buletini si luftëtar me përvojë që ishte, nga përpjekjet e gjata me pushuesit turq,ai i njihte mirë tradhtitë e tyre, ndaj duke qenë i përgatitur për çdo befasi,i kishte zënë pritën me kohë ushtrisë turke të Mehmet Efendiut.
Në betejën e zhvilluar me shumë mjeshtri, shqiptarët e udhëhequr nga Isa Buletini, jo vetëm që kishin asgjësuar shumë ushtarë turq, por ata do ta vrisnin edhe vet majorin osman Mehmet Efendiun, i cili la kokën në luftë me Isa Buletinin.
Pas kësaj ngjarje, Isa Begu e kishte ftuar për “vizitë” edhe Valiun e Vilajetit të Kosovës, duke i premtuar bujarisht edhe atij, pritje të ngjashme apo edhe më të “ngrohtë”, se vet atë të majorit Mehmet Efendi.

Jo Konsullit rus në Mitrovicë
Në vitin 1902, përveç sulmeve të herëpashershme turke, shqiptarët do të provokoheshin edhe me hapjen e një përfaqësie ruse dhe emërimin e oficerëve të tyre si konsuj në tokat shqiptare.
Kësaj radhe,Perandoria Osmane kishte lidhë një marrëveshje me qeverinë ruse për hapjen e një qendre konsullore dhe dërgimin e një oficeri të lartë të artilerisë ushtarake ruse, si konsull në Mitrovicë.
Kjo shqetësoi aq shumë shqiptarët, sa që ata kundërshtuan edhe me forcën e armëve, hapjen e konsullatës dhe ardhjen e konsullit rus në Mitrovicën e tyre, ndaj të cilës qysh atëherë kishte pretendime qeveria serbe.
Kundërshtimit të banorëve shqiptarë i printe Isa Buletini me bashkëluftëtarët e tij. Vendosja e konsullatës ruse, me udhëheqës një oficer të lartë artilerie në Mitrovicë, kishte për qëllim mbledhjen e informatave dhe ofrimin e ndihmës praktike Serbisë,për pushtimin e atyre trojeve.
Por, Isa Buletini ia kishte bërë me dije Valiut turk të Kosovës, se shqiptarët për asnjë çmim nuk do ta lejonin hapjen e konsullatës cariste, as ardhjen e kongjallozit rus në Mitrovicë!
Ndaj, qeveria osmane kishte vendosur që ta internonte dhe largonte qoftë edhe përkohësisht,Isa Buletinin nga Kosova.
Ajo pas shumë përpjekjesh, me arsyetimin se prania e Isa Buletinit nxiste trazira të shpeshta në ato anë, duke i premtuar Isa Buletinit se nëse ai pranonte shkuarjen e përkohshme në Stamboll, Qeveria turke, në shenj kompromisi do të anulonte hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, e kishte bindur atë që të shkonte gjoja për një qëndrim të “shkurtër” në Stamboll.

Mirëpo pas shkuarjes së Isa Buletinit në Stamboll, osmanët nuk e kishin mbajtur premtimin e dhënë, madje ata jo vetëm se e kishte hapur konsullatën, por me gjithë kundërshtimin e shqiptarëve, ata kishin sjellë edhe vet oficerin e artilerisë ruse si konsull në Mitrovicë.

Vrasja e Kongjallozit rus

Isa Buletini nga Stamboll, tanimë nuk e dinte se ç`ndodhte në qytetin e vet. Por populli shqiptar, edhe pa praninë e tij fizike, ishte ngritur kundër hapjes së konsullatës ruse, për çka ushtria turke e bindur se në mungesë të Heroit, do t`ia dilte lehtë mbanë me shqiptarët,ishte përpjekur t’i detyronte me dhunë që ta pranonin hapjen e konsullatës, gjë që ata nuk e kishin pranuar pa luftë.
Ndaj, ardhja e oficerit të artilerisë ruse, GrigorShçerebin, si konsull në Mitrovicë, i cili më parë kishte shërbyer edhe në Shkodër e Selanik, do ta ndërlikonte aq shumë gjendjen, sa që shqiptarët e kalitur nga prijës si Isa Buletini edhe pa praninë e tij, do të zhvillonin një kryengritje të përgjakshme, kundër konsullit të padëshiruar rus.
Madje, “diplomati” Shçerebin, të cilin garnizoni osman, në Bair të Mitrovicës, bëri sikur nga presioni i shqiptarëve vendor,u detyrua ta strehonte në kazermat ushtarake, me rastin e shpërthimit të përleshjeve ndërmjet ushtarëve të Perandorisë dhe kryengritësve shqiptar, kundër vendosjes së tij në Mitrovicë,ai si oficer i artilerisë ruse që ishte, përkrah Seid Beut, do të komandonte vet me topçinjtë e garnizonit osman, duke bërë kërdinë,me hudhje predhash të artilerisë, jo vetëm ndaj kryengritësve, por edhe kundër banorëve civil dhe grave e fëmijëve të pafajshëmshqiptarë.
Gjakderdhja, që po u shkaktonte oficeri i maskuar si “konsull”, bashkëkombësve të tetarit Ibrahim Muhaxhiri (ose Karadaku), mbiemri i të cilit përshkruhet në disa mënyra, pasi që familja e tij, vetëm disa vite më parë ishte dëbuar me dhunë nga vendbanimet shqiptare të rrethit të Nishit dhe vendosur si “refugjat” në një fshat në afërsi të Gjilanit, ai me sytë e errësuar nga trishtimi, heq pushkën dhe vret në vend, “konsullin” rus.

Trimërisë dhe guximit të këtij ushtari, populli do të këndonte:

Në Mitrovicë na rrehi teli
Kongjallozin e vrau neferi
Me bori na u mblodhë asqeri

Me bori na janë mbledh tetanë
Kongjallozi hala gjallë ish kanë
Kush të ka shti djalit i paska thanë

s`më ka thanë kush, as nuk më kanë shti
Kongjalloz të kam pa vet me sy
kur gjujshe top mbi vllaznit e mi
vrajshe gra e vrajshefmi
Me dorë time të kam ra allti

Pas këtij akti trimëror dhe heroik të tij,Ibrahim Muhaxhiri mori një nga dënimet më të rënda nga ushtria perandorake dhe syrgjynosnë kazamatet e Kalasë së Gazipashës afër Shkupit,prej nga nuk do të dilte më, ku thuhet se pas dy vitesh, trimi shqiptar do të vdiste i dërmuar nga torturat e oficerëve osmanë, vetëm pse kishte penguar gjakderdhjen e bashkëkombësve të tij ,nga oficeri rus.
Edhe pas këtyre ngjarjeve, kur shqiptarët tanimë e kishin vrarë dhe hequr qafe “Kongjallozin” rus, megjithatë Qeveria turke dhe Sulltani vet i kishin premtuar pasuri e ofiqe dhe ofruar titullin “Pasha” Isa Buletinit, me kusht që ai të mos kthehej më në Kosovë.
Por, Isa Buletini, nuk kishte pranuar asnjërën nga to dhe pas katër vitesh, më 1906,përfundimisht do të kthehej nga Stambolli,kohë kur Rusia e kishte humbur luftën nga Japonezët. Me tu kthyer në Atdhe, ku shtypja, varfëria dhe mjerimi, gjatë atyre viteve ishin rënduar edhe më tepër nga sundimi osman, shqiptarët e lodhur nga vuajtjet e shumta që u shkaktonte regjimi turk, ishin të gatshëm në çdo moment, t’i bashkoheshin thirrjes së tij për kryengritje kundër pushtetit osman.

Roli i Isa Buletinit në Kuvendin e Ferizajt më 1908

Zgjatja dhe vazhdimi i pareshtur i mundimeve nga sundimi i Sulltan Hamiti, i cili kishte shumë kohë që ishte bërë i padurueshëm për popujt nën perandori e sidomos për shqiptarët, që u mohohej çdo e drejtë njerëzore dhe kombëtare nga qeveria e tij, në vitin 1907,një grup politikanësh opozitar, formuan të ashtuquajturën partia e Xhonturqve, apo Turqve të rinj, të cilët me programin e tyre partiak u premtonin edhe shqiptarëve të shtypur nën Perandorinë Osmane liri dhe barazi kombëtare.
Duke shpresuar në premtimet e Xhonturqve, shumë shqiptarë, jo vetëm se ishin anëtarësuar në partinë e tyre, por edhe patriotë të mëdhenj dhe intelektualë të shquar të kohës në Vilajetin e Manastirit dhe atë të Kosovës, organizuan tubime të mëdha në përkrahje të ndryshimeve me shpresë se do t’i realizonin të drejtat e tyre të mohuara.
Për këtë qëllim,në vitin 1908, nën udhëheqjen e Isa Buletinit, do të organizohej një Kuvend i madh edhe në Ferizaj,ku do të arrinte t’i tubonte shumë patriotë dhe intelektualë si dhe afro 30 mijë banorë të Kosovës,me ç ‘rast u mor vendimi që një telegrami ultimativ,nënshkruar nga rreth 1500 pjesëmarrës, t’i dërgohej Qeverisë Turke të Sulltan Hamitit, për shpalljen e menjëhershme të Kushtetutës, e cila parashihte të drejtat kombëtare dhe njerëzore edhe për shqiptarët, për ndryshe ata do të niseshin ta çlironin Shkupin dhe Kosova do ta fillonte menjëherë luftën kundër tij dhe Perandorisë Osmane.
Sulltani i shqetësuar nga ky tubim kaq i madh, duke kuptuar zemërimin e shqiptarëve, nga frika e shpërthimit të ndonjë lufte të re me përmasa të mëdha, pa vonesë shpallë Kushtetutën dhe zgjedhjet e reja parlamentare në Perandorinë osmane.
Pas shpalljes së Kushtetutës,menjëherë filloi hapja e shkollave në gjuhën shqipe në të katër Vilajetet e Shqipërisë etnike dhe formimet e klubeve të shumta shqiptare, të cilat luftonin për ngritjen e çështjes kombëtare. Në hapjen e shkollave shqipe si gjithë rilindësit tanë,kontribut të madh do të jepte edhe Isa Buletini, i cili përveç hapjes së shkollës shqipe në Mitrovicë, ato do ti hapte edhe në fshatin e tij të lindjes dhe të gjitha fshatrat përreth.
Me gjithë hapjen e shpejt të shkollave gjithandej trojeve shqiptare dhe zellin e madh të shqiptarëve për të mësuar gjuhën, shkrim-leximin dhe historinë e tyre kombëtare, gëzimi i shqiptarëve edhe kësaj here do të shkurtohej që në nisje.
Turqit e rinj edhe pse falë përkrahjes së fuqishme të shqiptarëve, kishin fituar zgjedhjet në Perandorinë Osmanë, hapi i parë (i turpit të tyre) që do të ndërmerrnin ata pas konsolidimit të pushtetit, ishte mbyllja e të gjitha shkollave dhe klubeve shqiptare, përkundër premtimit që u kishin dhënë shqiptarëve para zgjedhjeve.
Qëllimi i xhonturqve, nuk ishin të drejtat e popujve, siç kishin premtuar para zgjedhjeve, por turqizmi i kombeve të tjerë që gjendeshin nën sundimin e Perandorisë Osmane.
Ndaj vendimi i qeveris-xhonturke për mbylljen e shkollave shqipe me dhunë, hasi në rezistencë të fortë të shqiptarëve, për çka qeveria xhonturke do të dërgonte ekspedita të mëdha ndëshkuese, nën udhëheqjen e Xhavit Pashës, i cili jo rastësisht,sulmet e para i nisi pikërisht në Shalë, kundër Isa Buletinit.
Por pasi që aksioni i tij atje dështoi, ai do ti kthehej Rrafshit të Dukagjinit për të djegë dhe shkatërruar çdo gjë që gjente përpara, deri me arritjen në Lumë, ku hasi në një rezistencë të fortë dhe ushtria e tij u thye keq, duke e detyruar atë të kthehej me turp në Stamboll.
Pas këtyre ngjarjeve, shqiptarët ishin bindur përfundimisht se vetëm me luftë mund të arriheshin të drejtat e tyre të mohuara njerëzore dhe kombëtare, ndaj nën udhëheqjen e Isa Buletinit dhe IdrizSeferit,filloi organizimi i kryengritjes kundër turqve, e cila në vitin 1910 do të përhapej në të gjithë Kosovën.
Vendimi për fillimin e luftës ishte marrë në mars të vitit 1910, në një takim të mbajtur në Klubin Kombëtar të Prishtinës në mes të Isa Buletinit, IdrizSeferit dhe kryetarit të klubeve kombëtare për Rrafshin e Kosovës, NazimGafurrit, ku ishte vendosur që për këtë shkak të mbaheshin dy kuvende të mëdha, njëri në Rrafsh të Dukagjinit dhe tjetri në Gjilan.
Kuvendi në Gjilan do të mbahej nën udhëheqjen e IdrizSeferit, kurse ai në Rrafsh të Dukagjinit nën udhëheqjen e Isa Buletinit, ku si pikë të parë veprimi, kishin marrë për detyrë pajtimin e të gjitha gjaqeve dhe ngatërresave në mes të shqiptarëve, në mënyrë që t’i kishin duart e lira për t’u orientuar në luftën për çlirim nga Turqia.
Ata përgatitën edhe kërkesat për autonominë e të katër vilajeteve të Shqipërisë, të cilat, para se përmes intelektualit dhe atdhetarit NazimGafurri, t`ia drejtonin Qeverisë së Xhonturqve,zunë pritat në vendet më strategjike si Gryka e Kaçanikut, Jezercit dhe ajo e Carralevës, pas zënies së të cilave do të fillonte lufta mbrojtëse nga mësymjet e ekspeditave turke.

Kërkesat ishin:

1. Shqiptarët nuk lëshojnë asnjë pëllëmbë tokë pa gjak.
2. Të lirohen të gjithë të burgosurit shqiptarë
3. Një delegacion i përzier me shqiptar të bëj vlerësimin për dëmshpërblimin e luftimeve nga Xhavit Pasha.
4. Shqipërinë duam ta qeverisim vetë, pa përzierjen e Sulltanit në punët tona të brendshme.

Kuvendi në Rrafsh të Dukagjinit

Sipas marrëveshjes që kishte me IdrizSeferin dhe atdhetarët e tjerë shqiptarë, heroi Isa Buletini që në mars të vitit 1910 në vendin e quajtur “Te Verrat e Llukës”, i cili gjendet në mes të Gjakovës dhe Pejës, me parinë e asaj ane, kishte organizuar një kuvend të madh për Rrafsh të Dukagjinit. Aty atdhetari i madh kishte mbajtur një fjalim të zjarrtë patriotik, duke i ftuar të gjithë shqiptarët që pas 500 vjetësh robërie të ngriheshin për lirinë dhe të drejtat e tyre kombëtare, me pushkë në dorë, ngase të gjitha format e tjera dhe kërkesat për të drejtat e shqiptarëve, ishin refuzuar nga Turqia.
Mijëra të pranishëm e kishin mirëpritur thirrjen e Isa Buletinit. Aty ishin falë gjaqe e ngatërresa, duke lidhur Besën për kryengritje të armatosur kundër pushtuesve osmanë. Pas këtij tubimi kombëtar, Isa Buletini me mijëra kryengritës ishte nisur nga Rrafshi i Dukagjinit për të zënë pritat në Grykën e Carralevës, nga e cila kalon rruga për Fushë-Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit, kurse IdrizSeferi, pas tubimit dhe besëlidhjes së arritur në kuvendin e mbajtur në Gjilan, bashkë me mijëra kryengritës të atyre anëve, kishte zënë pritat në Grykën e Kaçanikut.
Njëkohësisht edhe Perandoria osmane, duke mos pranuar kërkesat e shqiptarëve për të drejtat e tyre, kishte nisur një ekspeditë të madhe prej 100 batalionesh me ushtarë turq të armatosur deri në dhëmbë me armët më moderne të kohës, për t’i nënshtruar shqiptarët dhe shuar kërkesat e tyre kombëtare e njerëzore.
Derisa atdhetari, HasanBudakova kishte zënë Grykën e Jezercit, IdrizSeferi me bashkëluftëtarët e tij kishte zënë pritat në Grykë të Kaçanikut përmes së cilës kalon rruga nga Fushë Kosova për në Shkup, kryeqytetin e atëhershëm të Vilajetit të Kosovës.
Të gjitha këto përgatitje për luftë dhe organizimi kaq i përpiktë dhe i lartë patriotik, ishte bërë falë vendimeve të dy kuvendeve dhe marrëveshjeve të arritura në to nga shqiptarët, të cilët të vendosur në pozicionet e tyre mbrojtëse ,tanimë prisnin sulmet e ushtrisë pushtuese të xhonturqve.
Lufta e Carralevës
Kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga IdrizSeferi, në luftimet e zhvilluara në Grykë të Kaçanikut, u kishin dhënë goditje aq të rëndë pushtuesve osmanë, sa që ata kishin arritur t’i shpartallonin mese 20 batalione të ushtrisë së Turgut Pashës. Ndaj,gjeneralët turq nuk kishin mundur t’i vazhdonin sulmet e mëtejme drejt Grykës së Carralevës, pa pritur për disa ditë me radhë, deri më 7 maj të vitit 1910 ardhjen e 40 mijë forcave të reja nga Selaniku.Me bindjen se mund të gjenin ndonjë rrugë depërtimi, më 8 maj të vitit 1910, forcat turke ishin nisur në drejtim të Carralevës, ku i priste Isa Buletini me rreth 3000 bashkëluftëtarët e tij, për t’i dhënë edhe ky një leksion të ri ministrit të luftës MahmutShefqet Pashës dhe gjeneralit gjakatar osman Turgut Pashës bashkë me ushtrinë e tyre pushtuese me të cilën forcat mbrojtëse nën udhëheqjen e Isa Buletinit, për dy ditë dhe dy net rresht kishin zhvilluar luftime shumë të ashpra, duke i thyer dhe kthyer disa herë mbrapsht forcat e shumta turke në zonën Shtime-Carralevë.Më gjithë përpjekjet dhe vënien në veprim edhe të garnizoneve perandorake nga Ferizaj, Prizreni dhe Mitrovica, të cilat luftonin anëve të Grykës së Carralevës, ushtria pushtuese turke për disa ditë me radhë nuk kishte arritur t’i rrethonte kryengritësit shqiptarë i kishin bllokuar forcat turke të Ferizajt në mes Shtimes dhe Carralevës duke i detyruar ato të kthehen mbrapsht, kurse pjesa tjetër e forcave osmane,nuk ishte lejuar të depërtonte në drejtimin Jezercë-Budakovë për t’u rënë kryengritësve prapa krahëve.Falë taktikës luftarake dhe shfrytëzimit të terrenit që kishin përdorë me mjeshtri udhëheqësit e kryengritësve shqiptarë, kjo i kishte ndihmuar ata që për një kohë, të përballonin epërsinë e ekspeditës turke në njerëz dhe armatime, duke i sjell në një gjendje të pa shpresë repartet turke.
Rezistenca e fort e luftëtarëve shqiptar të udhëhequr nga Isa Buletini e IdrizSeferi, e kishte detyruar Ministrin e luftës, MahmutShefqet Pashën, që të vihej vetë në krye të operacioneve luftarake.
Por, me gjithë trysninë e sulmeve të pareshtura të ushtrisë osmane dhe të goditjeve të zjarrit të fortë të artilerisë ushtarake, edhe pse shqiptarët gjendeshin përballë një armiku me epërsi, shumë herë më të mëdha në njerëz dhe armatime, mbrojtësit e Grykës së Carralevës qëndruan në këtë pikë trimërisht ku zhvilluan luftime të rrepta për disa ditë me radhë, duke mos i lejuar turqit të kalojnë andej pari.
Qëndresa e kryengritësve kombëtar ishte aq e fortë dhe e pamposhtur, sa që, megjithëse Perandoria Turke kishte dërguar edhe Dërgut Pashën me shumë forca të tjera në ndihmë ushtrisë turke, as ai nuk kishte mundur t’i thyente shqiptarët, dhe nën këto rrethana, Qeveria e Turke kishte nisur vet Ministrin e luftës, MahmutShefqet Pashën me 40 mijë forca të reja ushtarake, të cilat me gjithë shtimin e forcave që kapnin shifrën nga 90-100 mijë ushtarë, nuk arrinin dot t’i thyenin 3000 kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Isa Buletini dhe 3000 të tjerë me në krye heroin IdrizSeferi.
Por, mjerisht siç ndodhi disa herë në historinë e shqiptarëve, kësaj radhe kjo do t’i ndodhte edhe heroit Isa Buletini, të cilin pasi që nuk arritën ta thyenin turqit me luftë, atë do ta mundnin shqiptarët me tradhti.
Megjithëse RrustëKabashi,SylejmanBatusha (sylejmanbatusha- është tjetër dhe nuk ka të bëj me SylejmanVokshin) si dhe Shaban Binaku, kishin marrë pjesë në Kuvendin e mbajtur te “Verrat e Llukës” në momentet më delikate, ata e kishin penguar kryengritjen, duke i lënë pa armë, municion dhe ushqime kryengritësit si dhe duke penguar mobilizimin e vullnetarëve shqiptar, për t’u shkuar në ndihmë luftëtarëve të Isa Buletinit dhe IdrizSeferit në Grykën e Kaçanikut dhe atë të Carralevës, edhe pse aty luftohej për jetë a vdekje dhe vdisej si me le, me arsyetimin banal, se IdrizSefer dhe Isa Buletini, gjoja kishin për qëllim dëbimin e Turqisë dhe sjelljen e Serbisë në Kosovë.
“Derisa forcave osmane u vinin përforcime,Isa Buletini priste kot ndihmën e forcave kryengritëse të udhëhequra nga SulejmanBatusha e Shaban Binaku, të cilat kishin arritur deri në Suharekë, dhe aty ishin ndalur.Nën ndikimin e propagandës së huaj se “Isa Boletini lufton për të sjellë KralPetrin e Serbisë” kishte bërë që edhe Haxhi Rrustem Kabashi t’i kthejë mbrapsht 8000 lumjanët që ishin nisur në krye të RamadanZaskokut për t’u shkuar në ndihmë vëllezërve të tyre”. (www.forumishqiptar.com)
Të rënë në hall nga mungesat e armëve, ushqimeve e municionit dhe luftëtarëve të cilët nga ora në orë binin dhe plagoseshin në luftime, pas një heroizmi të papërsëritshëm kombëtar, kryengritja do të thyhej, kur edhe turqit tanimë kishin lënë me mijëra ushtarë të vdekur dhe 80 oficerë të lartë në fushëbetejat historike të Kaçanikut dhe Grykës së Carralevës, siç thuhet në historinë tonë kombëtare, e cila bazohet në dokumentet ushtarake të kohës së Perandorisë Osmane.
Mungesa e municionit dhe e ndihmave që nuk vinin, e kishte bërë të pamundur qëndresën e mëtejme dhe përballimin e sulmeve nga forcat turke, kështu që më 10 maj, pas një lufte që zgjati gjatë tërë ditës, turqit kishin arritur me numrin e madh të ushtarëve që kishin vërshuar nga të gjitha anët t’i rrethonin përkohësisht kryengritësit, të cilët me luftimet e tyre heroike në errësirën e mbrëmjes, kishin çarë rrethimin duke tërhequr edhe të plagosurit gjatë zhvillimit të luftimeve të pandërprera në të cilat një plagë kishte marrë edhe Isa Buletini, i cili edhe këtu ishte treguar si udhëheqës e komandant i aftë dhe i talentuar ushtarak, duke udhëhequr operacionet luftarake edhe në gjendjen që ishte, pa u tërhequr për asnjë moment nga beteja.
Ministri i luftës, MahmutShefqet Pasha, dhe gjenerali ShefqetTurgut Pasha me një forcë të përbërë prej 50 mijë ushtarësh dhe 70 baterish artilerie, vetëm pas luftimeve të përgjakshme afro tri javëshe,kur shqiptarëve u ishin mbaruar edhe ushqimet e municioni, dhe nuk u erdhën më përforcime me vullnetarë, kishin arritur të hynin në qytetin e Prizrenit, kurse më 1 qershor edhe në Gjakovë e Pejë, ku për frikësimin e popullsisë vendase dhe hakmarrje ndaj shqiptarëve, dënuan me vdekje qindra kryengritës dhe shqiptarë të pafajshëm.
Për krimet e bëra nga gjeneralët gjakatar turq, Dergut dhe Shefqet Pasha ndaj popullsisë dhe kryengritësve shqiptarë, këngëtari popullor do të këndonte:
N`Kaçanik deri n`Buletin,
krejt Kosova u mblu me tym
U mblu me tym e na i dul flaka
E dogj me topa Dergut Pasha

Por, përkundër mungesës së armëve, ushqimeve e municionit dhe tradhtisë së disa udhëheqësve me emër, të cilët qëllimisht penguan edhe vullnetarët t’u shkonin në ndihmë kryengritësve shqiptarë, nën udhëheqjen e IdrizSeferit dhe Isa Buletini, lufta e Kaçanikut dhe ajo e Carralevës,ishin ndër luftërat më të rrepta që ka bërë populli shqiptar i Kosovës.
Madje heroizmi i qëndresës së paparë deri atëherë , edhe nën ato kushte, zgjati më se tri javë, ku shqiptarët me forca dhjetë herë më të vogla dhe mungesë të theksuar municioni e armatimi, luftuan edhe me bajoneta e gurë, duke bërë një qëndresë të rrallë historike dhe thyer shumë herë turqit në Grykën e Kaçanikut dhe atë të Carralevës.

Luftimeve të zhvilluara atje edhe trup më trup, ku deri në përfundim të tyre Isa Buletini edhe vet,mori dy plagë të rënda,këngëtari popullor do t’u këndonte kështu:

Çka kanë retë që po vetojnë
Dy dragoj po luftojnë
N’Kaçanik deri n’Caraleveë
Isa Beg e idrizSefer
Dergut Pasha me njëqind mijë
Isa Begu me shqiptari
Kadal Pashë se s‘je n ‘Rumeli
Tash po sheh shqiptarë me sy
Që Djegin vetën e të përvëlojnë ty

Udhëheqësi kryesor i kryengritjeve

Isa Buletini në tubimin gjithë-popullor të Dukagjinit, i cili u mbajt në vendin e quajtur “Verrat e Llukës” i cili ishte organizuar nga ai, do të deklaronte se tokën që e kishte shkrumbuar turku për 500 vjet,shqiptarët nuk arritëm ta njomin kurrë me lotët e tyre, ndaj tani kishte ardhur koha që pas 500 vjetësh robërie, ta çlironin Atdheun e tyre me gjak nga sundimi turk. Edhe gjatë viteve1911-1912, jeta e Isa Buletinit ishte luftë, luftë të cilën ai jo vetëm se e mbështeste, por në çdo kryengritje kudo që ajo shpërthente në trojet shqiptare, ai do të merrte pjesë në to, bashkë me bashkëluftëtarët e tij. Pranvera e vitit 1912, pothuajse si çdo pranverë e viteve të fundit, popullin shqiptar do ta gjente në lëvizje dhe përgatitje masive për luftë të përgjithshme kombëtare.
Ndaj në Kuvendin e mbajtur nga 21-25 maj në Junik, ku morën pjesë mbarë paria e Kosovës, u vendos për kryengritje të përgjithshme kombëtare. Hartues i planit të kryengritjes ishte emëruar Isa Buletini, si njëri ndër organizatorët më të zot dhe udhëheqësit më sublim të kryengritjeve shqiptare. Por me të kuptuar të planit, nga 30 qershori deri më 2 korrik të vitit 1912, 4 000 forca turke, të pajisura me artileri, nën komandën e Fadil Pashës, kishin rrethuar kullën e Isa Buletinit, dhe më 3 korrik, kishin filluar një bombardim të ashpër artilerie ku për afro dymbëdhjetë orë kishin hedhur rreth 1200 predha mbi kullën e Isa Buletinit.
Isa Buletini sipas planit të hartuar në Kuvendin e Junikut që në nisje të kryengritjes, ai me trimat e tij, fillimisht kishte çliruar Tregun e Ri (Novi Pazarin), pastaj, brenda pak ditëve, Mitrovicën dhe Vushtrrinë i cili si me shpejtësinë e stuhisë, kishte ndezë e zgjeruar flakët e luftës edhe në kodrat e Llapit dhe të Gollakut.
Kurse në fund të korrikut,bashkë me forcat e Bajram Currit, kishin çliruar edhe Prishtinën, duke hapur rrugën kështu për marshimin triumfal drejt Shkupit. Në këtë luftë për herë të parë, forcat ushtarake dhe politike shqiptare kishin vepruar të bashkuara me njëra tjetrën, ndaj edhe çlirimin e trojeve kombëtare e kishin kurorëzuar me shumë sukses. Më 14 gusht, Isa Buletini në krye të 6000 kryengritësve, do të hynte triumfalisht edhe në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, në Shkup.
Megjithatë gëzimi i fitoreve për shqiptarët nuk do të zgjaste shumë, ngase që më 13 mars të vitit 1912, në Traktatin e fshehtë të miqësisë dhe aleancës ndërmjet Serbisë e Bullgarisë, ishte nënshkruar një marrëveshje, me një “aneks të fshehtë” për ndarjen e tokave shqiptare midis këtyre dy shteteve pushtuese. Më 29 maj të po atij viti u nënshkrua edhe Traktati greko-bullgar kurse në korrik të vitit 1912, edhe ai në mes të Malit të Zi dhe Bullgarisë, për copëtimin e tërësishëm të tokave shqiptare.
Kështu që tmerri i luftërave Ballkanike, për copëtimin e trojeve tona etnike, do të fillonte që në tetor të vitit 1912, me sulmet e Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë për pushtimin e e sa më shumë territoreve tona, copëtimin e të cilave do ta vuloste Konferenca e Londrës së vitit 1913.
Bllokimi i ushtrisë serbe dhe
shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
Forcat pushtuese serbe, të cilat kishin dijeni për përgatitjen e aktit madhor të thirrjes së mëvetësisë së shqiptarëve, fatkeqësisht edhe ditën kur duhej të shpallej pavarësia e shtetit kombëtar të tyre, nën udhëheqjen e gjeneralit gjakatar serb BozhidarJankoviq, me qëllim të pushtimit të Shqipërisë së Mesme dhe marrjes së portit të Durrësit, kishin depërtuar thellë në Shqipëri deri në hapësirën, ku bashkoheshin të dy lumenjtë shqiptar, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi.
Depërtimi i mëtejmë i ushtrisë serbe, rrezikonte edhe shpalljen e paraparë për ato ditë,të Pavarësisë së Shqipërisë, kështu që për mundësimin e kësaj ceremonie kombëtare, duhej ndaluar marshimi i mëtejmë i ushtrisë serbe. I vetmi personalitet që mund ta bënte këtë ishte Isa Buletini, i cili bashkë me gjeneral MehmetDerallën, i kishin zënë pritën gjeneralit serb Jankoviq dhe ushtrisë së tij pushtuese në vendin e bashkimit të dy Drinëve duke bllokuar dhe thyer turrin e ushtrinë serbe aty.
Të shqetësuar nga ofensivat pushtuese sllave,IsmailQemali me bashkëpunëtorët largohen nga Durrësi ku shpallja e Pavarësisë ishte bërë pothuajse e pa mundur nga frika e depërtimeve serbe.
Ndaj, ai me shumicën e delegatëve, ishin vendosur në vendlindjen e tij në Vlorë, ku më 28 Nëntor të vitit 1912, shpallën edhe Pavarësinë e Shqipërisë.
Por,Isa Buletini, për të mundësuar shpalljen e mëvetësisë kombëtare,mbeti i angazhuar në luftime me serbët të cilit i duhej ta pengonte depërtimin e më tejmë të tyre në brendësi të vendit në mënyrë që të mos rrezikohej shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndaj, ai do të dërgonte gjeneral MehmetDerallën në ceremoni,duke qëndruar vet në ballë të frontit të luftimeve me serbët, për të arrit me disa nga bashkëluftëtarët, vetëm një ditë më vonë, në Vlorë.
Isa Buletini do të luftonte në të gjitha trojet e Shqipërisë etnike që nga Malësia e Madhe kundër malazezëve si dhe në Kosovë dhe Shqipërinë e Mesme kundër serbëve e deri në jug të Shqipërisë kundër marshimit grek, në bregdetin shqiptar. Kurse në tetor të vitit 1912 kur në emër të luftërave ballkanike po pushtohej Kosova nga ana e Serbisë, Isa Buletini u printe çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtuesit serbo-malazezë, edhe pse pak kohë më parë shqiptarët ishin detyruar të çarmatoseshin, sipas kërkesës së Fuqive të Mëdha.
Ai, si njeriu më i besueshëm i IsmailQemalit që ishte, pas kërkesës së tij,do të vihej edhe në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës, ngase siç rrezikohej tërësia territoriale e trojeve shqiptare, pothuajse në të njëjtën masë rrezikohej nga çdo anë edhe Qeveria e sapo dalë kombëtare.
IsmailQemali e kishte ngarkuar Isa Buletinin edhe me formimin e gardës së parë të ushtrisë shqiptare, me të cilën ai që në fillim do t’i pastronte zonat bregdetare të shtetit shqiptar ku atëbotë ishin vendosur forcat pushtuese greke, gjë që ai për kohë të shkurtër dhe me shumë sukses, do ta kryente këtë detyrë jetike shtetërore.
Duke njohur përvojën e gjatë organizative dhe luftarake si dhe vendosmërinë e tij, IsmailQemali i kishte ofruar Isa Buletinit edhe Ministrinë e mbrojtjes, por heroi ynë,si njeri i arsyeshëm që ishte, nuk pranoi këtë detyrë, duke kuptuar rëndësinë që kishte ushtria për mbrojtjen e shtetit të ri në formim, ndaj dhe ishte përgjigjur: Jo! -Ismail Bej! Për këtë post duhen ushtarakë të shkolluar!
Madje ai vet,i kishte propozuar MehmetDerallën, i cili ishte oficer karriere me gradë gjenerali, gjë që edhe ishte pranuar me dëshirë nga IsmailQemali.
Në vitin 1913 Isa Buletini me IsmailQemalin dhe një delegacion shqiptar do të udhëtonin për në Londër, ku do të protestonin me forcë kundër copëtimit të Shqipërisë etnike nga Fuqitë e Mëdha. Madje kur Lordi anglez e kishte pyetur Isa Buletinin se ku binte në hartë Mitrovica e tij, Isa Buletini ishte përgjigjur: “Zotëri, unë s’kam ardhur në Londër për Mitrovicën time, por kam ardhur për bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një shtet kombëtar”.Ministri anglez, SirEdwardGrey, duke dashur të bënte pak shaka me Isa Buletinin,shoqëroi atë deri te vendi ku deponoheshin armët personale të delegatëve dhe bashkëbiseduesve nga vende të ndryshme, para hyrjes në ministri.
I bindur se edhe Isa Buletini ,me të hyrë aty, kishte dorëzuar revolen, ministri Grey i thotë; Isa që nesër do të shkruajnë të gjitha gazetat e Londrës se si Isa Buletinin, të cilin nuk arriti ta çarmatoste as gjenerali turk Shefqet Pasha, në të gjitha luftërat që zhvilloi kundër shqiptarëve, e çarmatosëm që ditën e parë, ne në Londër.
Por Isa Buletini duke buzëqeshur kishte nxjerrë revolen tjetër nga xhepi, të cilën nuk e kishte dorëzuar te hyrja, duke befasuar si rojet, ashtu edhe vet ministrin Grey.
Pasi që sulmet e shteteve fqinje nuk do ta linin të qetë vendin e tij, krahas angazhimeve për forcimin e shtetit dhe ndihmesën në krijimin e organeve të reja shtetërore në Shqipëri, ai herë pas here do të kthehej edhe në Kosovë ku do të organizonte qëndresën popullore për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtimet barbare sllave, të cilat pa të drejtë,kishin okupuar tokat tona.
Atij, i duhej të luftonte në Kosovë dhe Shqipëri, në njërën anë kundër pushtimit serb, e në anën tjetër kundër atyre që përpiqeshin ta pengonin me çdo kusht, forcimin e shtetit shqiptar.
Sipas F. Dervishit, Isa Buletini me ndihmën e oficerit holandez, gjeneralit Thomson, në vitin 1915 do të formonte xhandarmërinë e parë shqiptare, kurse më 1916 do t’i kërkohej të shkonte në Shkodër për të organizuar çlirimin e saj nga malazezët, ku pabesisht do të përgatitej edhe vrasja e tij.
Dhe atje, një hero i tillë si Isa Buletini, bashkë me dy djem të tij Halilin e Zahidin, dy nipërit Jonuzin e Halitin si dhe tre bashkëluftëtarë të përbetuar që nuk iu ndanë asnjëherë ,kudo që ai shkoi, do të vritej pabesisht nga malazezët më 23 janar të vitit 1916, në Podgoricë,në momentin kur pa të keq dhe pa i shkuar mendja se çfarë tradhtie ishte organizuar ndaj tij, kalonte urën e ashtuquajtur të Ribnicës.
Kjo vrasje jo vetëm se kishte bërë jehonë tepër të rëndë në të gjitha forcat çlirimtare shqiptare por kishte ndikuar shumë edhe në organizimin dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të tyre.
Vrasja me tradhti e heroit Isa Buletini
më 23 Janar 1916 në Podgoricë
Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe pushtimit të Shkodrës në vitin 1915 nga malazezët, Isa Buletini sipas udhëzimeve, kishte shkuar atje për organizimin e kryengritjes dhe çlirimin e Shkodrës, mirëpo në ndërkohë, forcat Austro Hungareze pushtuan Shqipërinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera përreth, ndaj Isa Buletini u këshillua të dilte në një vend neutral.Sipas librit të S. Luarasit “Isa Buletini” të botuar në vitin 1971, pasi që për të dalë jashtë, heroit i duhej ndihma ndërkombëtare,ai së pari e takon konsulli francez, Bikok, në Shkodër, i cili kishte bashkëpunim të ngushtë me malazezët, dhe mu ai e porosit Isa Buletinin që të shkonte në ambasadën franceze në Cetinë, e cila atëbotë ishte kryeqyteti malazez për marrjen e vizës dhe daljen e përkohshme jashtë Shqipërisë.
Kështu që Isa Buletini me dy djem, dy nipat dhe tre bashkëluftëtarët e tij nisen për Cetinë, duke arritur ta vizitojnë ambasadën franceze atje. Anglezët duke dyshuar në lidhjet e francezëve me malazezët, i ofrojnë mbrojtje Isa Buletinit, por ai sipas traditave të besnikërisë shqiptare,duke dashur që ta respektonte atë që i ofroi ndihmë i pari,për fat të keq, nuk e kishte pranuar ofertën angleze për të hyrë nën mbrojtjen e tyre e cila do të ishte fatale për jetën e tij dhe atyre që e shoqëronin.
Megjithëse më 16 Janar të vitit 1916,ushtria e këtij vendi pati nënshkruar kapitullimin e pakusht, para forcave austro-hungareze, mjerisht një numër i pjesëtarëve të saj dhe xhandarmërisë malazeze kishte ngelur ende në uniformë dhe e armatosur, kinse për të ruajtur rendin dhe qetësinë, derisa forcat austro-hungareze ta merrnin në dorëzim edhe atë pjesë, të jashtë qytetit.
Gjenerali antishqiptar RadomirVeshoviq, shfrytëzoi edhe mundësinë e fundit, që ta likuidonte edhe heroin më madhor kombëtar të asaj kohe, si për luftërat e mëparshme të tij, edhe me qëllim, që shqiptarët të mbeteshin pa trimat e dëshmuar dhe udhëheqësit me përvojë, të cilët me ndryshimin e rrethanave mund të krijonin gjendje të favorshme, për konsolidimin e shtetit dhe bashkimit të trojeve shqiptare.
Ndaj, derisa Isa Buletini po kalonte urën e Ribnicës këmbë bashkë me dy djemtë dhe dy nipër të tij, si dhe me tre bashkëluftëtarët besnikë, të cilët nuk iu kishin ndarë gjatë gjithë jetës, u gjend i rrethuar me tradhti dhe i vënë pabesisht nën breshërinë e armëve të ushtarëve malazezë të komanduar nga i njëjti gjeneral, i cili rreth 6 muaj më parë pothuajse në rrethana të ngjashme,në të njëjtën ditë,e më saktësisht, më 15 korrik të vitit 1915, në mëngjesin e hershëm e kishte vrarë çerçizTopullin e Mustafa (Muqo) Qullin, kurse mbasdite, antishqiptari RadomirVeshoviq, dha urdhër për masakrimin e Mehmet Shpendit, Marash Delisë, Çun Nikës dhe gjithë atyre që i shoqëronin ata, bashkë me 72 banorët e pafajshëm të vendit të quajtur Plan, burra, gra dhe fëmijë, duke mos bërë asnjë përjashtim.
Tani i kishte ardhur radha Isa trimiti cili edhe pse me trupin e bërë shoshë nga plumbat e pabesisë sllave, nuk kishte rënë nga goditjet, as rënkuar nga plagët, por kishte nxjerrë revolen dhe qëlluar disa herë me dorën e djathtë, e pas plagosjes së saj, edhe me të majtën,mbi ekzekutorët e tij të pabesë, derisa kishte vdekur me armë në dorë si hero legjendar.
Kjo tragjedi, ndodhi pikërisht më 23 janar të vitit 1916,në kohën kur trupat austriake, tanimë kishin pushtuar pa luftë Malin e Zi dhe në momentet kur gjenerali RadomirVeshoviq, duhej ta nënshkruante dokumentin e kapitullimit pa kushte,por si antishqiptar i tërbuar që ishte,ai edhe në çastet e fundit, para se të kërkonte vend për vete, kishte nxituar që së pari ta vriste Isa Buletinin.
Mjerisht vetëm pak orë më vonë, Heroit i kishte shkuar mendja se diçka e keqe,ndaj tij po përgatitej, sidomos kur në mëngjes kishte parë shtëpinë në të cilën rrinin se ishin rrethuar nga ushtarë dhe xhandarë malazezë, të cilët Isain dhe shoqëruesit e tij i marrin dhe i dërgojnë në Nikshiq, duke i mbajtur gjithnjë nën mbikëqyrje. Nga aty së pari, ata i kishin dërguar në Danilograd dhe pastaj në Podgoricë.
Më 23 Janar sipas rrëfimit të nipit të Isa Buletinit, i cili kishte mbijetuar ngjarjen tragjike, në librin e Luarasit thuhet: “Derisa unë me dy vëllezërit përmes urës së Ribnicës nga duhej të kalonim, po ktheheshim në shtëpinë ku na mbanin, rreth 80 xhandarë malazezë kishin zënë pritat në të dy anët e urës, dhe patrulla e cila qëndronte në fillim të urës, papritmas na ndali me ç ‘rast xhandarët ngritën armët të qëllonin, duke pyetur, se cili nga ne ishte Isa Buletini?”!
Por oficeri që e njihte Isën, sqaroi se asnjëri nga ne nuk ishte Isai. Mjerisht ne edhe pse e kuptuam qëllimin nuk kishim si ta lajmëronim Isa Buletinin që të mos vinte andej, sepse nën kërcënimin e armëve na mbyllën në një shtëpi. Mu në kohë kur ata i kishin mbyllur në atë shtëpi, Isa Buletini me dy djemtë e tij, dy nipa dhe tre shoqërues, do të vinin mu andej dhe sapo kishin hipur mbi urë, xhandarët serbo-malazezë, pa asnjë paralajmërim e kishin bllokuar urën, para dhe prapa krahëve të Isa Buletinit, në mënyrë që ata të mos kishin mundësi dalje në asnjërën anë.
Pas kësaj një oficer u kishte kërkuar Isa Buletinit dhe shoqëruesve të tij që t’i dorëzonin armët, por Isa Buletini ishte përgjigjur me një JO të vendosur, duke sqaruar se në jetën e tij të cilën e kishte kaluar nga lufta në luftë, nuk kishte ndodhur asnjëherë t`ia dorëzonte armët asnjë ushtrie apo pushteti, ndaj pa vdekë, nuk do t`ua dorëzonte ato, as grupit të tyr
Dhe sipas Tafil Buletinit, i pari kishte gjuajtur njëfarë PeroBuriqi, të cilit Isa Buletini iu kishte përgjigjur flakë për flakë. Po ashtu kishin vepruar edhe shoqëruesit e tij edhe pse e dinin se do të vriteshin, ngase ishin të rrethuar nga të gjitha anët.
Vetëm brenda pak minutash ishin vrarë të gjithë, Isa Buletini, me dy djem të tij, Halilin dhe Zahidin 18 vjeçar, i cili kishte qenë student në Vjenë të Austrisë, dy nipërit, Jonuzi dhe Haliti, kunati i Isa Buletinit, HajdarSelimRadisheva së bashku me djalin e të vëllait, IdrizRadisheva dhe Idriz Bala nga Isniqi i Deçanit. Kurse nga ana e shovinistëve malazezë, sipas dëshmitarit, kishin mbetur 8 xhandarë të vrarë dhe rreth dy herë më shumë të plagosur.
Respekti ndaj trimërisë së Isa Buletinit
Isa Buletini, ishte hero i përmasave të tilla, për trimëritë e të cilit, tregonin respekt edhe armiqtë e tij, siç kishte ndodhur me të atin e MillovanGjillasit, i cili në librin “Toka pa drejtësi”, të botuar më 1958 në versionin anglisht në Nju Jork, kështu e përshkruan madhështinë e trimërisë së Isa Buletinit:
Edhe pse beteja e Isa Buletinit me bashkëluftëtarët e rrethuar, me gjithë heroizmin e rreptë të shqiptarëve, nuk kishte zgjatur shumë, ai ishte vrarë duke luftuar trimërisht, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm e i rrethuar nga të gjitha anët dhe nga shumë armiq.
Ai edhe i plagosur me shumë plagë në trup, ishte ngritur në gjunjë dhe qëllonte me revole, që të vriste ndonjërin nga armiqtë e tij, para se të jepte shpirt si kreshnik.
Baba im ishte turrur me vrap drejt tij, pasi që dora e djathtë e Isa Buletinit ishte copëtuar nga plumbat e malazezëve, por shqiptari i pamposhtur edhe në atë gjendje nuk ishte dorëzuar, por kishte kapur revolen me dorën e majtë, ani pse plagët e shumta e kishin mundur dhe nuk kishte forcë që të shtinte më tej, ai e kishte shikuar rreptë babin tim me sytë e tij të mëdhenj dhe të përgjakur, duke folur diçka në gjuhën e tij, edhe kur nga plagët e shumta po jepte shpirt.
Organizator i vrasjes së Isa Buletinit ishte ministri i luftës, gjeneraliRadomirVeshoviqi,të cilit nuk i mungoi as ndihma e ndonjë shqiptari të shitur.
Patriotizmi i Isa Buletinit
Trimi i shumë luftërave dhe betejave kombëtare,do të varrosej me shumë nderime nga shqiptarët në Podgoricë. Por eshtrat e tij, edhe pse të tërhequra që para 14 vitesh nga atje, as sot e kësaj dite ende nuk janë varrosur në vendlindjen e tij, që njëherë e përgjithmonë të gjejnë prehje në qetësinë e atdheut për të cilin gjatë gjithë jetës ai luftoi pareshtur.
Varrimi i Isa Buletinit,i këtij atdhetari të madh, i cili që nga Novi Pazari, Buletini i tij, Shkupi e Vlora dhe deri në Londër, nuk pushoi asnjëherë së luftuari dhe s`u lodhë kurrë së kërkuari lirinë dhe bashkimin atdheut të tij të copëtuar, ende nuk ndodhi në përmasat që ai meriton, ani pse veproi ashtu si përherë thoshte: “Me dekë për atdhe më duket si me le”..
Me moton e tij patriotike, “Unë njëqind herë jetën e jap, por kurrë flamurin dhe atdheun tim,jo!…” edhe në momentet vendimtare, kur bëheshin përgatitjet e fundit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Isa Buletinit, me dhjetëra luftëtarë, kryesisht të rinj dhe dy djem e dy nipa të tij, do të qëndronte në istikamet e luftës të gërmuara në hapësirat e Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi, për t`ua ndalur turrin pushtimeve sllave që kishin mësyrë ta pushtonin Shqipërinë dhe dalë në bregdetin e saj, gjë që rrezikonte edhe shtyrjen e Shpalljes së Pavarësisë.Ndaj, megjithëse nuk mbërrini të ishte pjesë e aktit të shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit kombëtar, Isa Buletini në Vlorë, arriti vetëm ditën e nesërme, ku u përshëndet me duartrokitje frenetike nga vlonjatet e entuziazmuar, për luftën e tij të vendosur, kundër ushtrisë pushtuese serbe.
Kur, Isa Buletini pas kryerjes së internimit nga muaji nëntor i vitit 1902 deri në vitin 1906, dëshironte të kthehej në vendlindje, qeveritarët turq e kishin lutur që të rrinte në Stamboll ku i kishin premtuar para, pasuri dhe jetë të mirë e të begatë, duke i thënë se s`kishte çfarë të kërkonte në Buletin, ngase atje nuk mund të jetonte mirë, Isa Buletini, duke refuzuar Stambollin ishte përgjigjur: Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia!
Edhe Ibrahim Pasha, kur kishte kërkuar nga Isa Buletini dhe bashkëluftëtarët e tij që të mos niseshin për në Shkup, duke u premtuar shpërblime, poste dhe shumë para e flori, Isa Buletini ishte përgjigjur: “Efendi, Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnis. Nuk lypi shpërblime për vete!”.
Kur IsmailQemaili i propozoi postin e ministrit të luftës, Isa Buletini ishte përgjigjur: Për këtë post duhen njerëz me shkollë, Ismail Bej! dhe kishte propozuar gjeneral MehmetDerallën.
Isa Buletini ishte ai të cilit me rastin e shkuarjes në Londër, edhe ministri i jashtëm anglez, EduardGrey, pasi do ta pyeste se ku qëndronte Mitrovica në hartë, gjoja për ti shprehur keqardhjen Isa Buletinit, pasi që vendlindja e tij ishte larg kufirit dhe nuk mund t’ia bashkonte atë Shqipërisë, Isai i revoltuar për copëtimin e padrejtë të tokave shqiptare, do përgjigjej me gjaknxehtësi: Unë nuk kam ardhur këtu vetëm për Mitrovicën time, por për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet kombëtar! Duke shtuar se: Nëse Evropa nuk do ta zgjidhë drejt çashtjen e Shqipnisë, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi! sepse unë edhe njëqind jetë të kam, të gjitha atdheut di t`ia fali!”.
Dhe më në fund, një hero të tillë, do na e vrisnin malazezët, me një formë kaq monstruoze të tradhtisë, e cila nuk është vetëm vrasje e një heroi, por edhe një poshtërim i përsëritur i llojit, i cili nga shqiptarët, nuk duhet harruar kurrë ngase nuk ka çmim që mund ta shpaguaj një fyerje kaq të rëndë kombëtare për një popull dhe komb.
Më 24 nëntor të vitit 2012, edhe në Mitrovicën e ndarë të Isës, pranë lumit Ibër dhe Urës e cila si dikur edhe tani do duhej ta bashkonte këtë qytet, në kujtim të luftës dhe veprës së madhe për çlirim dhe bashkimin e trojeve shqiptare, u përurua përmendorja e tij. Por, si u trajtua ky hero në rang kombëtar, a iu bë vend atij edhe në Tiranë e Vlorë, me rastin e përvjetori jubilar dhe festimit të 100 viteve pavarësi, të cilat pa luftën dhe kontributin e Isa Buletinit, kush e di se si dhe sa vite do festoheshin sot ?!
Po në Vendlindjen e tij, pas 14 vitesh të hedhjes në thes të eshtrave të heroit dhe bartjes së tyre në shpinë, sa andej sa këndej, në çfarë rangu organizimi dhe mënyre varrimi, do të kryhet përjetësimi i tij, në amshim?!

Gani Bajram Qarri, Cyrih

Filed Under: Histori

RESPEKT PËR PUNËN E AMBASADËS GJERMANE NË SHQIPËRI

June 9, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli?
Javën që kaloi Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Zyra e OSBE-së në kryeqytetin shqiptar njoftuan financimin nga qeveria e Gjermanisë të një projekti për nixtjen e dialogut publik rreth të kaluarës komuniste në Shqipëri. Në një deklaratë për media thuhet se, “Veprimtaritë e projektit do të nisin me një sondazh në shkallë vendi për të matur njohuritë e publikut, perceptimet dhe pritshmëritë e tij për diskutimet rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri. Thuhet se “Rezultatet e sondazhit priten të ofrojnë një panoramë të qartë të nivelit të njohurive të segmenteve të ndryshme të shoqërisë rreth të shkuarës, si dhe një thellim drejt shpresave dhe shqetësimeve në trajtimin e trashëgimisë të regjimit të mëparshëm.Gjithashtu, rezultatet e sondazhit do të ofrojnë një bazë të qëndrueshme për nisma të mëvonshme në këtë fushë”, theksohet në deklaratën e përbashkët të ambasadës gjermane dhe Zyrës së OSBE-së në Tiranë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se OSBE-ja në Tiranë, si enti përgjegjës që do të zbatojë këtë projekt, do të veprojë në bashkëpunim me organizata të ndryshme të shoqërisë civile shqiptare dhe do të organizojë takime nëpër shkolla të mesme dhe në komunitet, për të nxitur, sipas saj, shqiptarët që të diskutojnë mënyrat për të trajtuar historinë e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, të cilat do të kulminojnë, sipas njoftimit, në një debat të madh televiziv në fund të këtij viti.
E gjithë kjo veprimtari nga ana e Gjermanisë për tu përpjekur që të zbardhet sadopak e kaluara kriminale e regjimit komunist shqiptar, është meritë e ambasadort të saj në Tiranë, Hellmut Hoffman dhe e fondacioneve gjermane, përfshir edhe fondacionin Konrad-Adenauer-Stiftung. Kjo nuk është hera e parë që Ambasadori Hoffman — ndryshe nga ambasadorë tjerë perëndimorë në Tiranë — ka bërë deklarata dhe ka marrë pjesë në veprimtari të cilat kanë për qëllim nxitjen e dialogut në radhët e elitës politike dhe të shoqërisë shqiptare për një transparencë mbi këtë kapitull të zi të historisë së kombit shqiptar si dhe për hapjen e dosjeve të regjimit komunist. Duke njoftuar projektin në fjalë, Ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann, ofroi përvojën gjermane në këtë fushë, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën dhe shtoi se, “Përballja me të shkuarën e vështirë nuk është një detyrë e thjeshtë, por ne e dimë gjithashtu se nëse bëhet në mënyrë të frytshme, kjo mund t’i shërbejë njerëzve dhe shoqërisë në tërësi.” Por, ambasadori gjerman paralajmëroi se ndonëse gjermanët me përvojën e tyre mund të ndihmojnë, përballja me të kaluarën e regjimit komunist në Shqipëri është një detyrë që, nëse do të dalë me sukses, duhet të ndërmerret nga vetë shqiptarët, duke theksuar se, “ndërsa ne jemi të lumtur që mund të japim mbështetjen tone në këtë mes, u takon vetë shqiptarëve të vendosin saktësisht se si dëshirojnë ta trajtojnë këtë detyrë”. I vetdijshëm për një mungesë të vullnetit të mirë të klasës politike shqiptare të këtyre 25-viteve të fundit për tu përballur me historinë dhe me krimet e regjimit komunist si dhe të një mungese debati të mirëfilltë mbrenda vendit në lidhje me këtë periudhë të errët të historisë shqiptare, Përfaqsuesi i OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Florian Raunig, ndonëse kujtoi se ndihet një interesim i ri për të trajtuar shkeljet e të drejtave të njeriut nën regjimin komunist në Shqipëri, ai theksoi se nevojitet diçka më shumë në këtë drejtim. Ndërkaq, ai citohet të ketë thënë se, “Ne po fillojmë këtë projekt sepse besojmë se ka nevojë për dialog kombëtar gjithëpërfshirës rreth qëllimeve dhe pritshmërive të shoqërisë në përgjithësi, rreth nismave të ndryshme që janë propozuar për të trajtuar këtë histori të vështirë”, ka thënë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Raunig.
Autoritetet shqiptare tani dhe gjatë këtyre 25 viteve, vazhdimisht janë shprehur se përvoja gjermane është dhe mbetet si më tërheqse nga përvojat e vendeve të tjera, për tu përballur me të kaluarën e hidhët komuniste të Shqipërisë. Por përpjekjet e Tiranës zyrtare në këtë fushë kanë mbetur të tilla përfolje, vetëm propozime, deklarata, fjalë boshe për konsumim publik të mbrendshëm dhe të jashtëm, pa asnjë vullnet as veprim konkret për tu përballur me të kaluarën, përfshirë dhe miratimin kohët e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë të një ligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit komunist shqiptar, i cili organizonte dhe drejtonte shtypjet mbi popullatën.
Për të theksuar rëndësinë e përballjes me të kaluarën komuniste, ambasada gjermane në Tiranë kishte sjellur ditët e fundit në Shqipëri të ngarkuarin Federal të Gjermanisë për dosjet e sigurimit të shtetit, Z. Roland Jahn, një aktivist i njohur në procesin e rrëzimit të diktaturës komuniste në ish-Gjermaninë Lindore, e të cilit sipas Deutsche Welle, (DW) me 93 përqind të votave në parlamentin gjerman, i është besuar mbikqyrja dhe trajtimi i inventarit të dokumentacionit sekret të STASI-t famëkeq të Gjermanisë lindore ish komuniste.
Në seminarin e organizuar në Ambasadën gjermane në Tiranë javën që kaloi, ku u tha se hapja e dosjeve është në interesin e publikut në përgjithësi, ish-gazetari Jahn duke u bazuar në përvojën gjermane, sipas DW, u tha të pranishëmve se procesi i hapjes së dosjeve duhet të jetë një ndërmarrje e hapur dhe multidimensionale, duke theksuar se, trajtimi i së shkuarës nuk është thjesht punë shqyrtimi dosjesh, pasi në qendër janë njerëzit, janë viktimat e prekura — që atyre t’u garantohet një impakt pozitiv nga procesi. Nëse nuk bëhet kjo, atëherë lind natyrshëm pyetja: përsa na vlen hapja e këtij dokumentacioni. Duke folur për përvojën gjermane ai u shprehur tekstualisht kështu: “Bëhet fjalë për rreth 2 milion njerëz të prekur nga sjellja dhe qëndrimet e STASI-t. Ne duhet t’i jepnim akses këtyre njerëzve për të njohur më mirë të shkuarën e tyre, në shumë raste edhe të tmerrshme e të paimagjinueshme.Kjo ishte një sfidë shumë e madhe për zbatimin e ligjit të dosjeve.Në hedhjen dritë mbi dosjet është dhe qasja shkencore, vënia në dispozicion për hulumtuesit, por dhe për mediat e prodhuesit kinematografikë. Pra, ka një trajtim multidimensional në bërjen e transparencës, që njerëzit të mësonin sa më shumë nga padrejtësitë e bëra nën diktaturë”.
Në raportin e DW thuhet se për të ngarkuarin federal gjerman me Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, trajtimi i së shkuarës vlen dhe për pastrimin e administratës dhe shërbimit publik nga njerëzit me të kaluar kriminale. Kjo krijon besim te qytetarët për institucionet dhe rendin demokratik, që të mos depërtojnë në shërbimin publik ish-anëtarë të policisë sekrete. “Kjo përbën ende një objektiv madhor në punën tonë.Sa më mirë ta kuptojmë diktaturën aq më mirë formësojmë demokracinë”, citohet të ketë thënë, i ngarkuari gjerman me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në një intrevistë me DW, i ngarkuari Federal i qeverisë së Gjermanisë për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit në ish-Gjermaninë lindore komuniste, Roland Jahn, gjithnjë duke folur për përvojën gjermane u shpreh se, “Hapja e dosjeve të STASI-t mundësoi ndërrimin e elitave politike e shoqërore”, ndërsa në lidhje me seminarin dhe takimet në ambasadën gjermane, Roland Jahn vlerësoi se: Ishte një takim shumë interesant, që tregoi se në Shqipëri ka probleme lidhur me trajtimin e diktaturës komuniste, por rruga e zgjidhjes do të ishte biseda dhe dialogu mes palëve, pasi zbardhja e së shkuarës komuniste mund të realizohet vetëm duke qenë me njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri-tjetrit”, përfundoi ai intervistën me DW.

Filed Under: Analiza Tagged With: ambasada Gjermane, Frank shkreli, respekt, Tirane

115 vjecarja mirditore

June 9, 2015 by dgreca

Shkruan:Ahmet ZANI/
Kjo është Gjela Mhilli, e moshuar nga fshati Tarazh i Mirditës, mbase ju ngjane e pabesueshme por është tërësisht e vëtetë. Me datën 9 mars kjo mbushi plot 115 vite të jetës së saj ndërsa nga paraqitja, kjo grua mirditore nuk ngjanë për aq vite sa mbanë mbi supe. Ka kujtesë të fortë, shikon dhe dëgjon mirë, ushqehet pa ndihmën e të tjerëve dhe lëviz në oborrin e shtëpisë, madje përpiqet të ushqejë dhe bagëtitë.
Shtëpia e Gjok Mhillit, djalit të dytë të Gjelës, ndodhet pranë një kodrine të fshatit Tarazh të shpërndarë në disa kodrina. Gjoka është fëmija më i madh i Gjelës ndërsa janë dhe tre fëmijë të tjerë të kësaj gruaje e cila të sjell në kujtime kohën kur ajo ka ardhur si nuse tek bashkëshorti i saj nga një fshat i Pukës. Jetonim si mos më keq pa ngrënë një shtëpi ishte për të gjithë familjarët kur jam martuar ndërsa nuk e njihte ish- bashkëshortin që është ndarë nga jetë prej kohësh. Në atë kohë mungonin mjetet apo shërbimet shëndetësore një varfëri e jashtëzokonshme por me vullnet tregon se ajo rriti fëmijët dhe i qëndroj fort varfërisë duke u ushqyer me hithra, madje për medikamnete ajo ka përdorur disa rrënjë të pemëve të malit, pasi për një lloj ilaçi do të udhëtojë deri në Lezhë apo dhe në Tiranë.
Historia e kësaj nëne të rrallë është e pafundme nga sa tregon ajo, madje të thotë ajo sistemi i Enver Hoxhës ishte më i mirë sa i përket qetësisë. Berisha ka një gabim të madh, nën pushtetin e tij janë armatosur popullata gjë e cila e ka shqetësuar më së shumti atë. Sistemi i shtetit mbretëror në kohën e Zogut tregon Gjela ishte shume i varfër ajo ka përjetuar dhe mungesën e kafshatës së gojës duke jetuar me disa lloje gjethesh si hithërat apo dhe rrënjë që gjendeshin në këto zona.
Ajo ka folur dhe për rininë e sotme duke e komentuar një pjesë të saj si të padenjë nga mungesa e punësimit në vendin tonë dhe kjo masë e rinisë po gëlltitet në dyert e europës duke u shendërruar si shembull negativ për shoqërinë.
Gjela ka rreth 100 nipër dhe mbesa dhe tashmë është stërgjyshe dhe i kujton të gjithë ndonëse janë larguar dhe në emigracion. Nuk merr pension pleqërie pasi me fillimin e ish- kooperativave ajo kishte mbushur moshën e pensionit të pleqërisë ndaj nuk përfiton dhe një ndihmë prej 2500 lekësh pasi duhej të figuronte e vetme, ndërsa djali i saj nuk e ka pranuar këtë variant. Për këto zona dëshmohet si fenomen i rëndë vendosësh ndasinë me nënën për të përfituar një shumë minimale parash, siç veprohej në kohën e diktaturës në përfitimin e një pakoje kafeje.
Gjoka është fëmija i dytë i Gjelës pasi më i madhi nuk jeton dhe ai duhej të ishte sot plot 92 vjeç, ndërsa Gjoka është 72 vjeç i cili tregon për nënë e tij duke rrëfyer se është një rast shumë i rrallë ndërsa nëna e tij ende është e fortë ndonëse këto ditë po kalon epidemi gripale. Gjela është e paisur dhe me kartën e identitetit në këtë fillim vit pasi për një moshë të tillë strukturat e qeverisjes duhet të mbështesin me pension të veçantë.
Jemi shumë pranë zgjedhjeve vendore por Gjela 115 vjeçarja nuk gëzon të drejtën e votës, ndonëse asnjëherë nuk ka refuzuar të paraqitet pranë kutisë së votimit.
Gjoka në ditën e lindjes me nëntë mars përgatiti tortën në 115 vjetorit një surprizë nënës së tij siç është dhe kjo grua në vendin tonë mbase një eveniment i rrallë të një gruaje që ka sfiduar kohën.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 115 vjecarja, Ahmet Zani, mirditore

GJIROKASTRA NA BASHKOI TË GJITHË SHQIPTARËT

June 9, 2015 by dgreca

Shkruan:Bajram Gashi/
Grupe folklorike nga mbarë trevat shqiptare, brenda e jashtë kufinjëve dhe nga diaspora, në ditët e fundpranverës të Majit 2015, vërshuan në kalanë e Argjiros për të shpalosur folklorin tonë të pasur, të bukur në pamje e të magjishëm në shpirt.
Privatisht udhëtova për në Gjirikastër. Kisha deshirë të shoqëroja e të shikoja grupin kosovar të Rrashbullit, i cili së bashku me disa grupe folklorike të tjera, përfaqsuan Qarkun e Durrësit në festivalin folklorik. Ishte një nostalgji për vitet e shkuara, kur unë isha pjestar i këtij grupi, krahas disa djelmoshave kosovarë nga fshatrat përrreth Durrësit. Ky grup me në krye rapsodët Dervish Shaqja dhe Demush Neziri ishte bërë mjaft i njohur në mbarë hapsirën shqiptare, duke marrë pjesë në të gjitha koncertet dhe festivalet që organizoheshin në ato vite. Asgjë më shumë veç trashëgimi e folklorit të Kosovës, të ruajtur ndër vite, e të sjellë aq bukur artistikisht nga legjenda e mirënjohur Dervish Shaqja me shokë.
Mëngjez 11 Maj 2015. Udhëtuam drejt Gjirokastrës, mirë e rehat sa nuk e ndjemë kohën dhe lodhjen. U kënaqëm, jo thjesht për rrugën e shtruar aq mirë, por mësëshumti për gjallërinë, shakatë dhe këngët që na shoqëruan gjatë gjithë rrugës, deri në mbërritje.
Të nesërmen paradite do bëheshin provat gjenerale. Rrugën për në kala e bëmë në këmbë. Interesant! Mirë të rinjtë, por edhe ne të thinjurit, pa u lodhur i ngjitëm qetë-qetë rrugët e qytetit, shtruar me kalldrëmin karakteristik. Kënaqeshim me madhështinë që të ofron ky qytet i gurtë e i magjishëm. Në të dy anët e rrugës dyqanet plot mallra, njerëz që hynin e dilnin papushim, zbukurime plot, banderola “Agjiro fest”, dhe përshëndetje të gjirokastritëve mikpritës.
O zot, ç`Pamje fantastike! Kush i ka parë e nuk është mahnitur e mrekulluar? Tregimet dhe filmat nuk janë asgjë para asaj që rok syri. I gjithë qyteti, lugina e Drinosit dhe malet përkarshi, si në pëllëmbë të dorës, me të gjitha ngjyrat që sjell kulmi i pranverës.
Jep shfaqje Grupi i shqiptarëve të diasporës nga Amerika. Na u dridh trupi dhe u mek fjala kur ushtuan vargjet e këngës:
“O vëllezër, mos e lshoni vendin tuaj!
S`ka gjë ma të ëmbël se dheu juaj!………”
Më datën 12 të Korrikut, konkuroi Qarku i Durrësit. Grupi “Pleqtë e Krujës”, çamët e Rrogozhinës, grupi i Manxës, grupi i Shijakut, me këngë autoktone të zonës Manskuri – Shkallnur, së bashku me ta edhe “Grupi kosovar” me pjestarë nga kosovarët e Qerretit të Durrësit, Shënavlashit dhe të Rrashbullit. Janë të rinj, por vazhdues të trashëgimisë artistike të ansamblit të dikurshëm. Sot ata përbëjnë një grup të vogël: Syl Hasani instrumentist i shkëlqyer dhe mjeshtër i sharkisë e çiftelisë, Nazim Gryka më i vjetri pjestar i grupit prej 45-vjetësh, pjesëmarrës në disa fetivale në Gjirokastër e gjetkë, Rasim Idrizi me dy djemtë e tij Dardanin dhe Isën, më tej Nazmi Blaka, një djalë energjik dhe i papërtueshëm dhe në fund rapsodi i njohur Rahman Shima me origjinë nga Burreli, mjeshtër i fyellit. Pak prova kanë bërë, por e kanë gjetur mirë njëri – tjetrin, duke kombinuar zërat dhe instrumentat, sidomos në këngët me temë patriotike, aq të dashura për ta dhe për publikun që i mirëpret e i përcjell me duartrokitje.
Menjëherë porsa grupi ynë mbaroi koncertin, prapa skene na priste grupi kosovar i ardhur nga Suedia. Ata na rrethuan duke na përshëndetur:
– O ku jeni bre kosovarë !? – dhe pa pritur përgjigje, nxitojnë të pyesin:
– Po ku është Dervish Shaqja e Demush Neziri!? – Një pyetje që s`ka nevojë për përgjigje. Është një kujtim e nderim për dy figurat e shumënjohura të festivaleve, si në teritorin shqiptar e aq më shumë në Kosovë, në trojet etnike shqiptare e kudo në diasporë. Dhe ne ju përgjigjëm:
– Qe ku i kemi: për Dervishin, Sylën dhe për Demushin, Nazmiun…..
– Unë jam nga Deçani, – thotë një i ri, pjestar i grupi ardhur nga Suedia. – E kam njohur Dervishin dhe Demushin përmes valëve të Radio-Tiranës dhe Radio-Kukësit, që i dëgjonim fshehurazi shkaut dhe hafijeve të tij. Në këto fjalë e sipër, Nazmiu nuk priti ma dhe ia dha piskamës me kangën e Bajram Currit. U dridhën telat e çiftelisë. Kaq mjaftoi dhe i gjithë grupi ia nisi këngës. Nuk u çuditëm kur rreth nesh u mblodhën aq shumë njerëz sa ndesh na morrën frymën. Magjia e këngës popullore i bashkon njerëzit, madje kur kanë brenda edhe prrushin mëmëdhetar, e ndez zjarrin e shpirtit te çdo shqiptar. Duhet të ndodhesh aty që të prvosh morrnicat që të ngjethin shtatin. Vetëm pranë tyre mund ta njohësh e ta prekësh pasurinë shpirtërore të shqiptarëve të ruajtura me fanatizëm në këngët dhe vallet, e njëkohësisht të ndjesh pranë krenarinë, dhimbjen dhe frymëmarrjen e kombit tënd.
Largohemi për në hotel në Picar. Në hollin e lokalit, në një kënd të tij ishin grumbulluar mjaft pjestarë të grupeve të festivalit. Ishte pronari i hotelit që po bisedonte shtruar me ta. Askush nga ne nuk e njihte, ndaj u bëmë kurioz, u afruam dhe hymë në bisedë edhe ne.
– A e di se kush është ai? – Më thotë Syla.
– Jo, i them.
– Është Dasho Aliko, kryetari i komunës së Lazaratit, – më thotë.
– U befasova! Më dukej fytyrë e njohur, po hajde thirri kujtesës. Me pak mundim u kujtova se e kisha parë në TV, këtu e një vit më parë. U afrova edhe më shumë dhe pavarësisht mosnjohjes nga afër, i them:
– Eja more burrë se të njohim se kush je! Eja se duam edhe ne të bisedojmë me ju e t`u dëgjojmë zërin. M`u përgjigj flak për flak, duke u ngritur në këmbë:
– Po do të vij edhe te ju kosovarët e Durrësit, se ju nderoj shumë, jeni burra e trima të paepur. – dhe vazhdon: kam njohur mjaft kosovarë në kohën e luftës, këtu e 15 vjet të shkuara, pasi kam pritur disa familje në shtëpinë time. Pasi u çlirua Kosova kam qënë disa herë aty, dhe më kanë pritur aq bukur, ashtu siç dinë të presin veç kosovarët. Eh, Kosova jonë! Është vend i bekuar, i pasur dhe me njerëz me shpirt e shtat të bukur.
Në këto muhabete, kënga kish pushuar. Veç kur dikush ja krisi telave të çiftelisë dhe sharkisë, duke e shoqëruar me vargjet:
“Mbi tropojë majë një shkrepi
Sokol djema rrit prej djepi”…….
U ndamë duke u përshëndetur miqësisht, si shokë e miq të njohur prej kohësh. Gjirokastra na bashkoi, ndaj uruam: kënga e vallja shqipe të mos reshtet kurë. Ditë më të mira për shqiptarët kudo që janë.
Përgatiti
Bajram Gashi
Durrës më: 30. 05. 2015

Filed Under: Kulture Tagged With: GJIROKASTRA NA BASHKOI, shqiptaret, te gjithe

Panos Kamenos në ujërat e turbullta të Sulit

June 9, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA*/
Të shtunën në Sul të Janinës u përkujtua lufta e suliotasve shqiptar kundër ushtarëve osmanë të viteve 1820. Në këtë ceremoni ishte ministri i mbrojtjes së Greqisë, Panos Kamenos, kryetar i partisë Grekët e Pavarur që i përkasin grupit ekstremistë të djathtë dhe shumë figura të politikës greke. I ftuar në këtë ceremoni ishte kryetari i OMONIA, Leonidha Papas.
Gjatë kësaj ceremonie sipas medieve ministri Kamenos kërcënoj fqinjin e saj Shqipërinë, por Panos Kamenos harron se ishte në Sul të Janinës, që dikur banohej nga çamët. Dhe ajo festë kombëtare tregon rezistencën e shqiptarëve ortodoksë të familjeve Boçari, Xhavella, Andruços, etj, kundër ushtrisë Osmane.
Për fatin e keq Greqia ende kërcënon Shqipërisë për luftë me fjalime pompoze kur i jepet mundësia, duke harruar se Shqipëria dhe Greqia janë partner dhe aleat në NATO. Në Greqi ndodhen më shumë shqiptar se sa vetë forca ushtarake greke. Demografia e shekullit 21 po tregon se shqiptarët janë më shumë në numër se grekët në Ballkan dhe nuk do të ishte mirë që Greqia të ngrejë kurthe apo ti zërë pritë Shqipërisë në rrugën e saj drejtë anëtarësimit në BE. Për këto arsye nazistët e Agimit të Artë dhe ekstremistët e Pano Kamenos nuk mund të kërcënojnë Institucinalishtë por edhe privatisht Shqipërinë dhe shqiptarët. Historia ka treguar se atje ku dështon shteti del në dukje kombi në momentet e fundit si
Në rastin e fjalimit të ministrit të mbrojtjes Panos Kamenos, ai na i çojë të vdekurit e mëdhenj të Sulit prej varri që ti shfrytëzojë për nevojat e veta duke i paraqitur në versione në cilat këta të vdekur nuk kanë qenë asnjëherë. Nëse Kamenos do i dilte përballë Boçarët, Andruçot dhe Xhavellat e do dëgjonin nga ky ,,grek,, broçkulla të tilla kundër shqiptarëve, ata do ta mbysnin me thonj. Do dëgjonit se si suliotasit do thërrisni: ZJARR, ZJARRË MORE DIEMTË, ZJARR BIR, ZJARR, MUTIN DO NA HANI… Këto fjalë shqiptarët e Sulit i përdornin gjatë betejave kur shikonin se rrezikoheshin familjarët e tyre, fara fisnore, shtëpitë e pronat. Historia di diçka më shumë se Panot edhe ndonjëri që mohon origjinën shqiptare të heronjve të 1821, 90% e të cilëve ishin shqiptar të krishterë dhe myslimanë. Shqiptarët morën pushkën dhe i dhanë lirinë Greqisë. Grekët duhet të pyesin se kush nuk janë shqiptar në Greqi dhe jo sa shqiptar ka Greqia.
Nëse ka ndonjë keqkuptim apo gjë të rëndësishme në lidhje me kërcënimin e Pano Kamenos do të ishte me interes që të prononcohej kryetari i OMONIA-s, Leonidhas Papas i cili ishte i pranishëm në fjalimin e ministrit Kamenos.

Arben Llalla, Historian dhe Publicistë

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Panos Kamenos, ujrat e Sulit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT