• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

PETRIT MALAJ, FITON POSTIN E DREJTORIT TE RTSH PERBALLE GELLCIT

June 29, 2015 by dgreca

TIRANË, 29 Qershor /-Këshilli Drejtues i RTSH-së zgjodhi të hënën Petrit Malaj në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Malaj u zgjodh me 6 vota pro kundrejt 5 votave që mori rivali i tij në këtë garë, Thoma Gëllçi.

Një javë më parë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së zhvilluan një dëgjesë të hapur ku 16 kandidatët për këtë post paraqitën vizionin dhe platformën e tyre për drejtimin e këtij institucioni.Konkursi për drejtues në RTSH ka qënë i hapur nga data 1-10 qershor, kohë në të cilën kandidatët kanë pasur mundësi të dorëzojnë pranë Këshillit Drejtues të Televizionit Publik Shqiptar, një cv ku paraqitnin platformën e tyre e një plan menaxhimi për institucionin.

Drejtori i Përgjithshëm u përzgjodh me 2/3 e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues për një mandat pesë vjeçar.

Filed Under: Kronike Tagged With: drejtor, Petrit Malaj, RTSH

Denisa Onjea, e kurorezuara në “Tu si que vales”

June 29, 2015 by dgreca

-“Tu si que vales” mbetet e eksperienca më e bukur e deritanishme/

-Jam labe dhe polifonia është pjesë e gjakut tim/

– Kam kënduar labçe që fëmijë me babanë dhe nënën në shtëpi/

-Jam ndjerë krenare përpara Shqipe Zanit, Kastriot Tushës,Edit Mihalit, Marjana  Lekës/

-Për muzikën lirike, rrugët më të  bukura janë  ato më  të  vështirat/

– Opera, nuk është  kthyer akoma solide në kulturën  shqiptare/

– Në shkollën tonë  lirike  kanë dalë vokale të  bukura dhe talente të jashtëzakonshme/

Nga Albert Z. ZHOLI/

Ajo është një vajzë që së largu rrëzëllen mirësi me buzëqeshjen e përhershme në buzë dhe fytyrë. Simpatike  dhe krenare për çka bën. Ashtu e njohin të gjithë miq, shokë të afërm dhe pedagogë. Një vajzë që shpërndan mirësi dhe dëlirësi. Nuk e mundon aspak “verbëria”, pasi ajo me punë, me studime, me korrektësi, me disiplinë mposht çdo pengesë dhe del triumfatore. Kurrsesi nuk do të nxjerrë në pak një mangësi fizike, përkundrazi, është dhe kërkon barazi dhe del mbi kohën me idetë, vizionin dhe kërkesat ndaj vetes, që kurrsesi nuk i sheh tek shumica e bashkëmoshatareve. Biseda me të më impresionoi dhe pse tashmë në profesion kam me mijëra intervista. Impresioni im është pasi ajo flet qetë, bukur, me një artikulim befasues, me një logjikë prej të rrituri dhe të një intelektualeje të formuar për të ecur denjësisht në jetë. Fitorja në ”TU SI QUE VALES”  nuk ishte e rastësishme, por tejet e merituar. Një vajzë labe, që këndon bukur polifoninë, por po aq bukur dhe këngën lirike. Kjo është me pak Fjalë Denisa Onjea, vajza që na bëri të lotojmë me performancën dhe zërin e saj magjik

Ju që në  fëmijëri keni nisur të merreni me muzikë, si ishte ky kontakt me muzikën, ishte një ndjesi brenda vetes, apo ishte një  shtysë e prindërve?

Që në  moshë të  vogël e kujtoj që këndonim bashkë  me prindërit të  tre. Edhe prindërit  e mi e pëlqejnë muzikën dhe këndonim bashkë me ta. Ata kuptuan se unë ndjeja  ritmin, muzikën, melodinë dhe në moshën katër vjeçare prindërit  më blenë një organo të cilën unë  e pata në shtëpi dhe  ajo kishte disa orkestrale të  vogla të regjistruara të cilat unë  i ndiqja duke kënduar. Në klasën e parë  fillova  studimet në  Institutin e të  verbërve në Tiranë dhe fillova të studioj edhe piano që prej asaj kohe. Pastaj mora pianon në  shtëpi dhe fillova të mësoj muzikën, notat . Mbarova  8 vjet për piano. Ahere kuptova që  kisha dëshirë më  shumë të  këndoja se sa të luaja  në  instrument, fillova liceun për kanto dhe  atje u  binda më shumë se kisha talent.

-Pasi studiuat 8 vjet piano, si vendosët të konkurronit në  lice për kanto?

E vendosa vetë dhe  prindërit u habitën. Ishte  edhe mësuesja  e pianos që më thoshte  që ti mund të jesh një këngëtare shumë e mirë . Dhe  unë  prandaj vendosa të konkurroj në lice.

-Çfarë pjese interpretuat në  ditën e konkurrimit dhe kush ishte në juri dhe çfarë  vlerësimi morët?

Në juri ishin të gjithë  pedagogët e liceut si Alma Strazimiri etj. Unë  interpretova disa pjesë të huaja dhe  një pjesë  shqiptare. Mbaj mend që mësuese Irida Spahiu (mësuesja  ime e kantos që  kemi  një  bashkëpunim të  shkëlqyer) më ka qëndruar pranë dhe më shtynte drejt një besimi të sigurt.  Ajo ka bërë një punë të  madhe  me mua se nuk kishte  eksperiencë me ne. Dua të  përmend edhe mësuese Desdemona Horieti  që e kam  pasur në 8-vjeçare e cila më ka  mësuar muzikë. Për më tej mësuese Xhovana  Dako mbetet  e  pazëvendësueshme  (e kam pasur në fakultet).

 -Gjatë  kësaj  kohe që  ju keni qenë  në  Lice, a keni marrë pjesë në aktivitete, po muzikën popullore  a e ke lëvruar?

Muzika  popullore më  ka  pëlqyer gjithmonë, kryesisht polifonia dhe përpara  2 vitesh në bashkëpunim me një  grup të  këngës polifonike  kemi  realizuar një  album me disa këngë shumë të  veçanta (me  10 këngë). Këto 10  këngë  ishin  polifonike  ku disa  ishin të  krijuara  nga vetë unë. Kryesisht këto këngë ishin të   krijuara  nga  babai im dhe  nga  Lefter Çipa. Unë  kam  qenë  në rolin e  këngëtares, pra të  marrëses.

-Po në Akademinë e Arteve çfarë kënge interpretove përpara   jurisë dhe çfarë vlerësimi more?

Kemi interpretuar një program më  të vështirë, kemi  interpretuar ushtrime  të stilit antik, pjesë shqiptare dhe pjesë të  huaja. Në juri ishin  profesoreshë Shqipe Zani,Kastriot Tusha,Edit Mihali, Marjana  Leka që ishte kryetare e komisionit dhe  mësuesja  ime Xhovana  e cila rrinte pas derës dhe priste  që të  konkurroja unë. Vlerësimi ishte me pikë dhe ishte vlerësim maksimal. Nuk më bënë  kritikë në konkurrim.

Ju jeni soprano apo mezosoprano?

Unë jam  soprano. Ky është timbri i zërit tim.

– A mendoni se ky profesion është më afër  dëshirës tënde sot, a mendoni se gjeni vetveten në këtë  gjini të këngës?

N.q.s ne  përpiqemi që të bëjmë  art të  vërtet, ne jemi ata  që e bëjmë  dhe  ne  do të  jemi ata  që do ta  popullarizojmë  atë. Unë  jam  shumë  optimiste për këtë, dhe  rrugët më të  bukura janë  ato më  të  vështirat.

-A  mendoni se do ta  gjeni  vetveten në Shqipëri?

Po, shpresoj  që po, sepse secili nga ne ka  dëshirë të punojë gjithçka  është e realizueshme.

-Keni menduar për  konkurrime jashtë  atdheut?

Pse jo, dua ta  provoj veten kudo që të mundem ,por dua të  krijoj një bazament këtu.

-A mendoni se populli shqiptar ka hyrë në një rrugë të pëlqimit  të operës?

Populli  shqiptar me hapa të ngadaltë ka filluar të  ndajë  muzikën e vërtetë nga ajo që nuk  është  shumë e vërtetë. Por, opera, nuk është  kthyer akoma në kulturën  shqiptare.

-Si mendoni për shkollat  shqiptare të  muzikës lirike?

Në shkollën tonë  lirike  kemi  vokale të  bukura dhe talente ka  nga  çdo lloj kategorie, por mendoj se ka shumë për t’iu bërë. Nuk duhet të studiohet  vetëm këngë  lirike, ku  në vendete  tjera  studiohet xhaz, bluz, kantri , muzikë  popullore  e mirëfilltë. Këtu nuk studiohet asnjë  lloj muzike  përveç asaj lirike.

-Ku ndjeheni më  mirë, kur këndoni  këngë polifonike apo këngë të muzikës së lirike?

Secila  nga  zhanret  ka bukurin   e vet, magjinë e vet, kërkesat e veta, fansat e vet, rëndësinë e vet.

-Ku është e  bukura  e këngës polifonike?

Këngën polifonike  unë  e quaj simfoni  vokale sepse është  një  muzikë  e  mrekullueshme ku  nuk përdoren instrumente, dhe njeriu përdor atë që i ka dhënë  natyra,  si zëra të shpirtit.

-A mendoni se femra  shqiptare  e sot e ka gjetur veten  në  realitetin  shqiptar?

Le për të dëshiruar këtë  pjesë  se  bëhet  e dhe diskriminime, por në  art them se është  pozicionuar mirë.

-Vazhdon ende të luash me piano?

Po, vazhdoj me piano, se një  këngëtar duhet të  dijë patjetër të luaj në piano. Harmonizon zërin me tingujt.

-Ke ndonjë peng në këtë rrugëtim?

Jo fatmirësisht deri tani jo. Jetën e kam para dhe besoj do arrij çka kërkoj.

-Kush është  dëshira  juaj  kryesore në  këtë  profesion të  vështirë dhe të bukur?

Të punoj për të  arritur aty ku unë  dëshiroj. Rruga e këngës është e bukur, por edhe e vështirë. N.q.s neglizhove je e destinuar të dështosh. Tashmë përfundimisht jeta ime është lidhur me këngën.

-Gjatë viteve të Universitetit a morët pjesë  në  aktivitete të ndryshme? Po suksesin e fundit si do ta përkufizoni?

-Kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të shkollës  dhe  si soliste dhe  në  kor dhe  së  fundi isha në  konkurrim në “Tu si que vales”

në  një  program në  Vizion  Plus. Ndoshta e keni dëgjuar  prezantimin tim të parë në këtë spektakël. Në finale këndova “Spente le stelle” dhe  vlerësimi ishte shumë i mirë. Kur mora vendin e parë nuk e besoja. Ishin emocione të pamenduara. Ishte një moment që rrallë përsëritet në jetë. Ishte një organizim i përsosur, një mënyrë komunikimi korrekte, një juri profesionale. Nuk di si të shprehem. Kjo fitore nuk ishte vetëm e imja, por edhe e familjes time, babit tim në mënyrë të veçantë, miqve të mi, të afërmve. Të gjithë këta më dhanë në një farë mënyre ndihmesë të jashtme aq të domosdoshme. Unë isha fituesja, të gjithë sa përmenda ishin pjesë e suksesit. Kur dëgjoja këngë të ndryshme, ose instrumentistë profesionistë gjithmonë mendoja se rruga për finale është e vështirë. Secili prej atyre që ishte aty, kishte vlera, kishte një profesion apo dhunti tepër të veçantë, por besimi në vetvete më rritej çdo ditë. Nuk di ç’të them më tepër. Në raste të tilla fjalët ngecin. Çdo event ka rëndësinë e vet, ka audiencën e vet, ka performancën e vet. Ishte nj eksperiencë e vyer që më ka lënë mbresa dhe më ka motivuar për të ardhmen. Një shkëndijë ndez zjarrin e dëshirës për të parë më larg, për të ecur më e sigurt në rrugën kaq të bukur por dhe po kaq të vështirë të artit.

 

Kastriot Tusha-tenor

Denisa ishte magjike në këtë spektakël të rrallë. Unë vazhdimisht e kam vlerësuar studenten time, por në rastin konkret ajo shfaqi në mënyrë perfekte vokalin e saj të bukur. E kam ndjekur në gjithë konkurrimet dhe ajo në natën finale ishte si një magjistare që di të jap dritë edhe aty ku errësira do të fshihet.  Ishte e sigurt, korrekte, racionale, pa stonime dhe me një zë harmonik. E meritonte vendin e parë dhe ndihem krenar që është studentja ime. Zëra të tillë duhen përkrahur, pasi ato janë melodi njerëzore, që qetësojnë shpirtrat dhe konkurrojnë yjet. Urime Denisa!

 

Nikolin Gurakuqi-pedagog

Denisa ka një inteligjencë artistike shumë të zhvilluar, që bie në sy në krahasim me shokët. Zëri i saj është i kultivuar dhe në finale performoi në mënyrë shumë profesionale. Tek ajo kam parë një vajzë punëtore me shumë kërkesa ndaj vetes. Nuk neglizhon në studim dhe në zhvillimet e reja artistike. Me këtë vullnet dhe zë besoj do ketë të ardhme si soprano.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Denisa Onjea, fituesja, në "Tu si que vales"

Kosovë-Shqipëri, ekspoforum për mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike

June 29, 2015 by dgreca

Nga: Behlul Jashari-Prishtine/

PRISHTINË, 29 Qershor.-Ekspoforumi “Mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike Kosovë-Shqipëri”  mbledhë sot në Prishtinë përfaqësues institucionalë të Kosovës dhe të Shqipërisë, kompani nga vendi e diaspora, si dhe donatorë, për t’i diskutuar objektivat strategjike të të dyja vendeve dhe mënyrat e financimit të projekteve të përbashkëta.Ekspoforumi është bashkorganizim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Konfindustrisë.

Ekspoforumit  i paraprin panairi, përkatësisht ekspozimi i prodhuesve nga diaspora në Kosovë dhe i ndërmarrjeve publike për zhvillimin e vendeve tona.Forumi do të zhvillohet në katër panele diskutimi, me tema të veçanta, si: Objektivat strategjike për sektorët e energjisë dhe të minierave; Projektet strategjike me interes të përbashkët; Metodat e financimeve, etj.

Në fund të punimeve, forumi do të dalë me konkluzione për mundësitë që ofron ky sektor, hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për stimulimin e tij dhe rolin e sektorit privat, me qëllim të promovimit të ideve inovative dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Filed Under: Rajon Tagged With: ekspoforum, Kosove, shqiperi

Si u dëbua predikimi shqip nga kishat ortodokse?

June 29, 2015 by dgreca

*Më tragjike ishte gjendja në Veri të Shqipërisë: në Dardaninë e Konstandinit të madh fjala shqipe u dëbua nga kishat ortodokse. Predikimi shqip u hoq edhe nga kisha ortodokse në tërë hapësirë gjeografike të Maqedonisë, të cilën e popullonin shqiptarët që nga Antika./

*Kisha Ortodokse Shqiptare – legatë greke në shtetin shqiptar: Kristofor Kisi, martiri që u vra në rrethana të dyshimta në kohën e regjimit komunist, ndërsa ishte shkencëtar i shquar, thuhet se i dha shumë Kishës Ortodokse Shqiptare. Ai bëri bisedime me Vatikanin për të krijuar një baraspeshë, sepse kishte presion nga Patrikana që të pastronte Kishën Ortodokse Shqiptare nga rryma e Fan Nolit dhe Visarion Xhuvanit./

Nga Gani  MEHMETAJ/

 Pas shumë peripecive, pas shumë sakrificave të priftërinjve e besimtarëve shqiptarë ortodoksë, Kisha Ortodokse  foli shqip. Për pavarësinë e saj nga tutela greke u bë luftë e guximshme e klerit shqiptar. Por para kësaj fitoreje të pjesshme, priftërinjtë grekë e shkishëruan gjuhën shqipe, i shkishëruan, apo vranë priftërinj shqiptarë, të cilët nuk e pranonin gënjeshtrën greke se Zoti nuk di shqip. Papa Kristo Negovani është njëri nga këta priftërinj martirë (pse nuk shpallet shenjtor ky prift patriot?!) Fitorja e fjalës shqipe në kishat ortodokse që e pjesshme, sepse predikimi e lutjet u thanë shqip vetëm brenda territorit administrativ të Shqipërisë së cunguar, apo në SHBA, kurse në territoret etnike, ku jetonin shqiptarët ortodoksë, Zoti u fliste serbisht ose greqisht. Po ashtu nuk u bë shkëputja e tërësishme, sepse ndikimi i Patrikanës e tutelës greke mbeti, por u bë një kompromis i dhimbshëm.

Më tragjike ishte gjendja në Veri të Shqipërisë: në Dardaninë e Konstandinit të madh fjala shqipe u dëbua nga kishat ortodokse. Predikimi shqip u hoq edhe nga kisha ortodokse në tërë hapësirë gjeografike të Maqedonisë, të cilën e popullonin shqiptarët që nga Antika. Kjo fushatë shkombëtarizuese nisi pas Luftës së Parë Botërore, vazhdoi me intensitet pas vitit 1945. Zgjimi i vetëdijes shqiptare të besimtarëve ortodoksë në Maqedoni, ishte sinjal i mjaftueshëm për të mobilizuar organizimin e Kishës Autoqefale Shqiptare që t’u ndihmonte bashkëkombësve të organizonin predikimin në gjuhën e tyre. Mirëpo, pavarësisht ftesave të shumta që bënë besimtarët nga Reka e Keqe e Mavrova, Peshkopata e Tiranës nuk pati gatishmëri të dërgonte priftërinj shqiptarë.

A mund t’i zgjojmë edhe ortodoksët shqiptarë në Dardani e në Krahinën e Nishit që e kanë braktisur gjuhën e tyre para njëqind vjetëve? Po malazezët, pjesa dërmuese e të cilëve para njëqind vjetëve flisnin shqip, madje nipërit e tyre edhe sot dinë të komunikojnë në gjuhën tonë.  E vlen të provohet. Pse të mos e ftojmë një prift nga Elbasani, nga Kisha e Atë Nikollë Markut, ose prift arbëresh, që do të merrej me zgjimin e vetëdijes kombëtare, duke u predikuar shqip.

Kisha Ortodokse Shqiptare – legatë greke në shtetin shqiptar: Kristofor Kisi, martiri që u vra në rrethana të dyshimta në kohën e regjimit komunist, ndërsa ishte shkencëtar i shquar, thuhet se i dha shumë Kishës Ortodokse Shqiptare. Ai bëri bisedime me Vatikanin për të krijuar një baraspeshë, sepse kishte presion nga Patrikana që të pastronte Kishën Ortodokse Shqiptare nga rryma e Fan Nolit dhe Visarion Xhuvanit. Presionet e Patrikanës e të kishës greke asnjëherë nuk kanë  pushuar. Herë- herë ke përshtypjen sikur selia peshkopale e Tiranës është bërë përfaqësi politike e Athinës  më shumë sesa qendër shpirtërore e shqiptarëve. Për emërimin e Janullatosit bëri trysni të paparë qeveria greke, për caktimin e shumë rregullave po ashtu bëri presion shteti grek mbi shtetin shqiptar. Presionet vazhdojnë me rrezik greqizmi të këtij institucioni shpirtëror të shqiptarëve ortodoksë.  Prandaj, pse të mos shihet mundësia nga elita kombëtare ortodokse që ashtu sikurse arbëreshët në Kalabri e Sicili e pranuan Uniatin e Vatikanit, edhe ata të tërhiqen nga Patrikana e Stambollit  dhe të rreshtohen me Vatikanin, pa ndryshuar asgjë nga ritualet e shërbesës fetare apo të rregullave kanunore.  Ose: pse të mos bëhet një Union i Kishave Ortodokse Shqiptare-Arbëreshe për t’iu kundërvënë presionit politik të Athinës?

Kisha Ortodokse Shqiptare, pas ardhjes së kryepeshkopit grek, sikur nuk është ajo e para, Kisha e himnizuar e Fan Nolit. Nga ngjyrimi kombëtar ka rrëshqitur në ngjyrimin politik, sepse atë nuk e ringjallën shqiptarët, por u ringjall me ndihmën e Greqisë. I pari i Kishës Shqiptare, greku Janullatos, e shkeli Kushtetutën e KOASH-it, sepse dihet fare mirë se kryepeshkopi duhet të jetë shtetas shqiptar. E dyta, depërtimi i frymës greke dhe ardhja e Janullatosit u bë me shantazhe ndaj kreut shtetëror  të Tiranës, kështu që u bënë kompromise të dhimbshme me pasoja të paparashikueshme. Është e vërtetë se Zoti u fliste shqip besimtarëve, mirëpo me kohë nisi t’ia dridhte greqisht kryepeshkopi i saj në kryeqytetin e shqiptarëve, apo bëheshin veprime që s’kishin të bënin fare me fenë, po me politikën hegjemoniste greke. Godina e Kishës Ortodokse Shqiptare në qendër të Tiranës ka ngjyrat e flamurit kombëtar grek, në vend se të ketë ngjyrat e flamurit kombëtar shqiptar, sepse është ndërtuar në tokën shqiptare për besimtarët shqiptarë. Shumica e kishave ortodokse që u ndërtuan Shqipëri pas vitit 1992 bëhen sipas traditës greke, sepse ndërtohen me paratë e shtetit grek.

Pas këtij agresioni shpirtëror e politik sikur janë zyrtarizuar dy kisha ortodokse shqiptare:  Kisha Ortodokse Shqiptare e Tiranës, me kryepeshkop Janullatosin dhe Kisha Ortodokse Shqiptare e Elbasanit me Atë Nikollë Markun në krye të saj, që e lufton greqizmin e shkombëtarizimin. Përderisa Kisha e Elbasanit me shumë kisha shqiptare në botë, duke nisur nga kishat arbëreshe në Kalabri e deri tek ato në Amerikën Latine kanë flamurin kombëtar e Gjergj Kastriotin, krahas kryqit si simbol të martirizimit, Kisha e Tiranës këto simbole i hoqi qysh nga ardhja e Janullatosit. Me agresionin e shprishjes kombëtare, po e shkretojnë altarin e Fan Nolit.  Është për keqardhje, madje herë-herë të vjen pështirosje kur dëgjon apo shikon në videoxhirime një grup intelektualësh, disa prej të cilëve anëtarë të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Shqipërisë se si i bëjnë elozhe kryepeshkopit grek, si dikur i bënin elozhe diktatorit Enver Hoxha. Ndonjëherë më bëhej, kur i shikoja në FB sikur ishin të njëjtët. Në vend se të ngrenë zërin për vartësinë gjithnjë e më të madhe të një institucioni aq të rëndësishëm për një pjesë të shqiptarëve, ata përpiqen të fshehin diellin me shoshë dhe të mashtrojnë opinionin. Në polemikat që nisin herë pas here për (pa)vartësinë e kësaj kishe, prapë disa prej polemikëve “ortodoksë”  përpiqen të heqin qafe kundërshtarët  në stilin: ti nuk je ortodoks,  po mysliman, s’ke pse përzihesh në çështjet tona të fesë! Kjo i bie sikur kur polemizohet për komunizmin, ndërsa komunistët të të thonë: ti nuk je komunist, s’ke pse përzihesh në debate të tilla.

Ortodoksia në Shqipëri nuk është pronë private e një grushti njerëzish, as tema të ndaluara. Sidomos institucionet shpirtërore kur instrumentalizohen nga një shtet tjetër, në këtë rast Greqia, nuk është vetëm çështje e një grushti njerëzish, kryesisht mercenarë, por çështje e të gjithë shqiptarëve.

Kisha me një vartësi të tillë shpejt mund të bëhet bombë me orë të kurdisur, ndërsa pasoja do të kemi të gjithë.

Fragmente nga libri: “A di Zoti shqip” t Gani Mehmetajt

Filed Under: Histori Tagged With: debimi i gjuhes shqipe, Gani mehmetaj, nag Kisha Ortodokse

NE FESTEN E MBYLLJES TE VITIT SHKOLLOR

June 29, 2015 by dgreca

*Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” festuan mbylljen e vitit mësimor akademik 2014-2015/

*Senatori amerikan Martin J.Golden dhe Ansambleisti i parë shqiptar i shtetit të Nju Jorkut z.Mark Gjonaj midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life”/

Nga Keze Kozeta Zylo/Mësuesit, Nxënësit, prindërit dhe bashkatdhetarët shqiptarë të shkollës shqipe “Alba Life” që operon në tri lagje të Nju Jorkut si: Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan festuan plot sukses dhe krenari përfundimin e vitit mesimor akademik 2014-2015.Aktiviteti tejet festiv u zhvillua në restorantin “Siriko” në Brooklyn.  Salla e rregulluar me plot shije dhe elegancë dominonte nga ngjyrat kuq e zi, ngjyrat e Flamurit tonë Kombëtar, ndërsa nxënësit dukeshin si degëza yjesh dhe e ndriçonin dhe më shumë atë mjedis të kulturuar.

Nxënësit të veshur bukur dhe me gezim të papërshkruar në ninëzën e syve të tyre takoheshin me njeri-tjetrin gjithë mall dhe dashuri.  Sa shpejt miqësohen fëmijët, sa shumë ata do t’i kujtojnë bangat e shkollës shqipe gjatë jetës, sepse aty ata u njohën me njeri-tjetrin, ata u njohën si shqiptarë.  Një ditë ata kur të rriten, të jenë bërë profesorë, inxhinierë, doktorë apo profesione nga më të ndryshmet, pse jo, dikush dhe President i Amerikës, mund të bëjnë një festë bashkimi dhe të kujtojnë me nostalgji vitet e arta të mësimit të Gjuhës Shqipe që edhe pse lindur dhe rritur larg Atdheut të të parëve, prindërit e tyre i sollën me kënaqësi pranë Shkollës Shqipe “Alba Life”.

Nuk ka qenë e lehtë për të arritur deri këtu, rruga ka qenë e gjatë me sakrifica, pasi vështirësitë janë nga më të ndryshmet, por fal përpjekjeve së bashku me mësueset dhe prindërit kemi arritur suksese të njëspasnjëshme.  Këtë vit nxënësit tanë dhanë një sërë programesh serioze para publikut si në festën e Flamurit, në festat e fundvitit 2014, ditën e 7 Marsit, Festivalin e Shkollave Shqipe në Diasporë dhe pjesëmarrjen energjike në Paradën Internacionale në Manhattan, ku parakalojnë të gjithë shqiptarët të udhëhequr nga organizata “Rrënjët” me president të saj z.Marko Kepi, dhe së fundi në mbylljen plot sukses te vitit shkollor.  Në Festivalin e dytë të shkollave shqipe, stafi i saj, mësimdhënësit e shkollës shqipe u vlerësuan me çmim mirënjohjeje nga Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut z.Mark Gjonaj.Kështu ndodhi dhe me këtë aktivitet në fundviti ku nxënësit u bashkuan në një mbrëmje të bukur festive ku kërcyen dhe kënduan në Gjuhën Shqipe.

Në këtë mbrëmje u shprehën falënderime për pjesëmarrje të shoqatave të ndryshme si: shoqata “Ana e Malit” me kryetar Ismet Kurtin, shoqata “Dibra” me kryetar të saj Musa Paçuku si dhe të disa personaliteteve që nderuan me ardhjen e tyre si Dr.Ismet Luka, aktori Marko Caka, pronarët e restorantit Mezzaluna Bistro në Nju Xhersi, Adi dhe shkrimtarja Sabije Veseli.Aktori i Marko Caka për të cilin TV Alba Life ndihet krenar që e ka dhënë të parin në intervistë para ekranit për teleshikuesit e tij përshëndeti gjithë nxënësit dhe stafin e shkollës dhe iu uroi atyre punë të mbarë.

Programi artistik në Shqip nga nxënësit 

Aktivitetin e moderoi Kozeta Zylo bashkëthemeluese e shkollës Shqipe dhe mësuese për dhjetëra vite pranë fëmijëve të Diasporës Amerikane.Programi u hap me Hymnet Kombëtare, Amerikane dhe Shqiptare interpretuar nga artistet Lindita Mezini Lole dhe Dëshira Ahmeti Kerliu shoqëruar nga të gjithë bashkatdhetarët që morën pjesë në këtë festë të bukur.Sipas traditës u këndua hymni i shkollës shqipe “Gjuha Shqipe Gjuha jonë” interpretuar nga dy nxënëse të talentuara Sabrina Lulanaj dhe Eda Kulla, kompozuar nga artisti Petrika Melo këngë që hap Festivalet e Shkollave Shqipe në Diasporë.Vazhdoi me këngën “Jam Shqiponja” kënduar nga Anisa Bacja, shoqëruar nga grupi i valltarëve të shkollës shqipe në Manhattan me mësuese znj.Liza Pllumbi ku më duhet të shtoj se shkolla shqipe në Manhattan u hap për herë të parë në historine e Diasporës në tetor 2014, në bashkëpunim me mësuesen Pllumbi. Recitoi plot konfidencë nxënësja Melinda Djinovic e cila ishte dhe prezantuese e programit për Shkollën Shqipe “Alba Life” në Festival.Sabrina Velo ka befasuar me recitimin e saj pasi ajo ka vetëm një vit që ka ardhur në shkollë dhe ka mësuar mrekullisht të kuptojë dhe të flas shqip.Nxënësi dibran Arsi Muda recitoi vjershë nga Asdreni, interpretimet e të cilëve u mirëpritën me duatrokitje nga arsimdashësit e shumtë.

Senatori veteran i shtetit të Nju Jorkut z.Martin J. Golden nderon me çertifikatë mirënjohjeje Shkollën Shqipe “Alba Life”

Ardhja e senatorit te shtetit te Nju Jorkut z.Martin J.Golden në këtë mbrëmje festive për mbylljen e vitit akademik shkollor 2014-2015 u prit me duartrokitje të nxehta nga të gjithë dashamirësit e shkollës Shqipe që ndodheshin në sallë.  Senatori Golden i dorëzoi themeluesit dhe drejtorit të shkollës Shqipe “Alba Life” z.Qemal Zylo çertifikatë mirënjohje me këtë motivacion:I jepet Shkollës Shqipe “Alba Life” në mirënjohje për vlerësimin e kontributit ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan dhe për përkushtimin dhe angazhimin në edukim.Dr.Valbona Watkins ka prezantuar para gjithë pjesëmarrësve Senatorin Golden dhe në emër të gjithë mësuesëve dhe nxënësve i ka uruar mirëseardhjen.  Dr.Watkins shtoi se Senatori Golden e ka për herë të dytë që viziton Shkollën Shqipe ku disa prej nxënësve që kanë qenë para tri vjetësh e kujtojnë me nostalgji dhe dashuri bashkëbisedimin e ngrohtë që Senatori Golden pati me ta në një ditë shkolle në Brooklyn në vitin 2012.  Ardhja e Senatorit Golden u përshëndet gjithashtu me një valle shqiptare me tekst “Një lahutë dhe një Flamur” kënduar nga Eda Kulla dhe shoqëruar nga nxënësit e shkollës shqipe në Brooklyn me koreografi nga Afërdita Kacupaj.

Qemal Zylo i ka dhuruar Senatorit Amerikan një shall shqiptar me ngjyrat e Flamurit Kombëtar i cili e ka mbajtur në qafë për sa kohë qëndroi aty.  Senatori Amerikan Golden ka përshëndetur gjithë shqiptarët dhe tha se ka shumë lidhje me komunitetin shqiptaro-amerikan  si dhe vlerëson dhe çmon traditat e mrekullueshme shqiptare që vazhdojnë t’i mbajnë gjallë dhe në Amerike në vendin më demokratik të botës.Me senantorin amerikan mësuesit dhe nxenësit bënë një fotografi së bashku në shenjë kujtimi.

Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut z.Mark Gjonaj midis nxënësve shqiptarë

Zoti Mark Gjonaj është si një shqiponjë në ballë të Flamurit pasi jo vetëm që është shqiptari i parë i zgjedhur në Ansamblenë e shtetit të Nju Jorkut, por me dashuri, krenari dhe përulësi merr pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetetet e rëndësishme që zhvillon Diaspora shqiptare në Nju Jork.  Ansambleisti Gjonaj merr pjesë jo vetëm në zonën elektorale të zgjedhësve të tij, por kudo ku ka shqiptarë.  Zoti Gjonaj të befason me energjinë pozitive që çliron dhe të frymëzon për te mos e ndalur punën e bukur dhe të kualifikuar.  Zoti Gjonaj shpeshherë më duket si një simbol i bukur shqiptar, ai duket simboli i Bashkimit Kombëtar, ngase di të komunikojë, të rrëmbejë zemrat e pjesëmarrësve dhe t’i bashkojë ata rreth Flamurit Kombëtar.  Përshëndetja e z.Gjonaj ishte tejet mbresëlënëse, frymëzuese duke falënderuar të gjithë pjesëmearrësit, prindërit, mësuesit, nxënësit e shkollave shqipe.  Mësojeni gjuhën shqipe, traditat e mrekullueshme të popullit shqiptar se duke u rritur me to bëheni më të ndjeshëm dhe më të ditur për rrënjët e të parëve tuaj vazhdoi Zoti Gjonaj.  Ai falënderoi themeluesit e shkollave shqipe Alba Life duke e quajtur drejtorin e saj z.Qemal Zylo si një superman  dhe njëkohësisht i uroi të gjithë ata për punën aq patriotike që po bëjnë.Qemal Zylo ka ftuar gjithë mësueset në skenë si: Aferdita Kacupaj, Lavdie Misku, Entelea Elezi, Liza Pllumbi, Dr.Valbona Watkins dhe asistentet si: Entela Neri, Laureta Cinari, për t’ju shprehur mirënjohjen për punën e tyre plot përkushtim dhe devotshmëri në mësimin e gjuhës shqipe dhe iu ka dhuruar secilës nga një buqetë me lule.  Një buqetë me lule i është dhuruar dhe mësuese Adelina Lacaj e cila ka qenë ndër bashkëpunëtoret e para të këtij programi mësimor të Gjuhës Shqipe.Në fund Qemal Zylo së bashku me z.Mark Gjonaj iu ka shpërndarë çertifikatat e mësimit të gjuhës shqipe të gjithë nxënësve që mbaruan vitin akademik mësimor 2014-2015.Secili nxënës kishte dëshirë dhe kënaqësi të kishte një fotografi me z.Mark Gjonaj fotograi që do të ngelet gjithë jetën në kujtesën e tyre. Sipas traditës mbi tavolinë është sjellë torta të cilën e ka ndarë nxënësi më i  vjetër i shkollës shqipe, një nxënës i shkëlqyer jo vetëm për shkollën shqiptare, por dhe për shkollën amerikane Oresti Salillari.Të gjithë dashamirësit e shkollës shqipe, prindërit, mësuesit dhe nxënësit janë argëtuar nga këngët e interpretuara nga artistja e talentuar Lindita Mezini Lole shoqëruar nga DJ artisti Andrea Lole.Të gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë plot gëzim dhe dashuri ngase kishin kaluar një ditë të bukur kulturore të mbushur plot me emocion, mbresa dhe krenari për shkollën Shqipe “Alba Life” e cila ka vite të tëra që u mëson shqip fëmijëve shqiptarë në Diasporë.

27 qershor, 2015

Brooklyn, New York

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT