• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2015

KOSOVA DO VAZHDOJË DIALOGUN ME SERBINË, POR ZBATIMI I MARRËVESHJEVE ËSHTË I DOMOSDOSHËM

July 24, 2015 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në konferencë për shtyp deklaroi edhe se:/
-Kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë me pushime para se të vendosë Kuvendi për Gjykatën Speciale/
-Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfunduar negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është arritur Marrëveshja/
-Marrëveshje edhe me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim/
Në foto: Kryeministri i Kosovës, Isa-Mustafa dhe ministri i Financeve, Avdullah Hoti në konferencë shtypi-Foto nga B.Jashari/
—
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Korrik 2015/-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi sot se dialogu në Bruksel me Serbinë do të vazhdojë, por zbatimi i marrëveshjeve është i domosdoshëm.
“Dialogu do të vazhdojë, mirëpo çdo vazhdim i dialogut ndërlidhet me kërkesën tonë në Bruksel që të bëhet zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese. Këtë e kemi biseduar edhe me përfaqësuersit e BE-së edhe me SHBA-të. Fuqishëm na mbështesin në këtë pjesë. Zbatimi i marrëveshjeve është i domosdoshëm”, theksoi Mustafa.
Gjatë një konference shtypi, në përgjigje të interesimit për mosfillimin e zbatimit sot të marrëveshjes Prishtinë-Beograd për njohjen reciproke të policave të sigurimit, Mustafa tha se “kemi mospërmbushje të marrëveshjes nga ana e Serbisë”.
“Serbia nuk i është përmbajtur afateve që sot të fillojë përmbushja e marrëveshjes. Nuk kemi anulim dhe as pezullim të marrëveshjes. Serbia ka informuar se nuk është në gjendje, nga dita e sotme, të zbatojë marrëveshjen, për arsye se duhet të punojë që t’i përmbushë edhe disa prej detyrimeve që janë në të”, tha Mustafa në konferencën për shtyp.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera, kreu i qeverisë së Kosovës tha se, “çështja e Gjykatës Speciale është ajo mbi të cilën po punohet”.
“Ajo që mund t’ju them sot për sot është se ne kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë me pushime para se të vendosë Kuvendi për Gjykatën Speciale, përkatësisht para se ta riprocedojmë në Kuvend.Nuk mund të flasë për data, por po flas për një përkushtim tonin që kjo çështje të kryhet dhe jemi të përkushtuar që të përfundojë para pushimeve të Kuvendit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Në konferenca për shtyp, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka prezantuar realizimin e prioriteteve të Qeverisë së Kosovë në fushën e ekonomisë, veçmas në fushën e politikave fiskale dhe rezultateve që priten nga këto politika. Në fillim të konferencës po ashtu ka theksuar se në ditët në vijim, opinioni publik dhe mediat do të informohen edhe për çështjet e tjera të rëndësishme aktuale.

FJALA HYRËSE E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA NË KONFERENCËN PËR SHTYP:

Ne si Qeveri jemi angazhuar në mënyrë përmbajtjesore që të realizojmë programin tonë qeverisës gjatë kësaj periudhe kohore, veçmas i kemi dhënë prioritet ndryshimit të politikave fiskale dhe pakos së re fiskale, faljes së borxheve, investimeve strategjike dhe krijimit të kushteve për investime strategjike dhe ndërtimit të fondeve mbështetëse për zhvillim ekonomik.
Kemi aprovuar një pako të re fiskale e cila nxit bizneset dhe poashtu balancon kapacitetin e konsumit familjar.
Përshkallëzimi me Ligjin e TVSH-së ofron normë të zvogëluar prej 8% për një numër të konsiderueshëm të mallrave dhe shërbimeve që konsiderohen si bazike për konsumin e qytetarëve. Poashtu, ulja e TVSH-së në mënyrë direkte do të ndikoj në uljen e çmimeve të produkteve, dhe poashtu do të ndikoj edhe çmimet e energjisë elektrike të cilat do t’i paguajnë qytetarët tanë, që janë më të ulëta për pjesën e TVSH-së se sa që kanë qenë më parë.
Për të stimuluar sektorët prodhues, të gjitha makineritë që do të përdoren në procesin e prodhimit në pajisjet teknologjike dhe Teknologjinë Informative si dhe në lëndët e para, do të kemi lirime nga TVSH-ja.
Këtë e kemi bërë me qëllim që të nxisim sektorin privat të prodhimit, dhe poashtu të ngrisim pajisjen teknologjike të ekonomisë.
Kemi bërë ndryshime edhe në Ligjin për Tatimin e të Ardhurave Personale dhe në Tatimin mbi të Ardhurat e Korporatave.
Ligji mbi Faljen e Borxheve i aprovuar seancën e fundit të Kuvendit, konsiderojmë se është një ligj i cili është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bizneseve dhe i cili krijon një momentum të ri, dhe një atmosferë dhe klimë të re, sa i përket ngritjes së disiplinës financiare të personave fizik, përkatësisht qytetarëve tanë, në përmbushjen e obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ndaj kompanive publike.
Ne e kemi bërë rishikimin e Buxhetit në këtë vit, e kemi finalizuar atë dhe ky rishikim është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Buxheti tani është në një vlerë prej 1 miliardë e 535 milionë euro. Kemi ulur parashikimin për Buxhetin prej 52 milionë euro, si parashikim që është vlerësuar se është real edhe nga ekspertët tanë edhe nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Krahasuar me vitin e kaluar, ne kemi të hyra më të larta prej 14%.
Me anë të rishikimit si dhe me programin e FMN-së, ne kemi bërë një kursim prej 49 milionë eurosh. Ky kursim ka të bëjë veçmas me shpenzimet rrjedhëse, përkatësisht shpenzimet korrente, mirëpo përkundër këtij kursimi, ne do të arrijmë që të përmbushim të gjitha detyrimet tona sa i përket investimeve kapitale, do të paguajmë me rregull pagat deri në fund të vitit, me përvojën e punës të cilën ne kemi filluar ta paguajmë, do të paguajmë të gjitha subvencionet për kategoritë e veçanta sociale dhe ato shoqërore, do të kemi furnizim të rregullt me barna dhe material tjetër, si dhe me material shpenzues për institucionet e Republikës së Kosovës.
Raporti 6 mujor financiar, i aprovuar këtë javë në Qeveri, tregon poashtu për një progres të dukshëm për sa i përket realizimit të buxhetit si në të hyra ashtu edhe në shpenzime. Sa i përket shpenzimeve, mund të them se kemi arritur që të ulim shpenzimet për 3 për qind, që kanë të bëjnë kryesisht me shërbimet dhe efektet e uljes së këtyre shpenzimeve arrijnë në 3 milionë eurove gjatë vitit. Është fjala për uljen e shpenzimeve të telefonisë, shpenzimeve për derivate, shpenzimeve për udhëtime, shpenzimeve për blerje të mobileve dhe shpenzime të tjera.
Kemi përgatitur poashtu përmes Ministrisë së Financave edhe Strategjinë e Kontrollit të Brendshëm Financiar që synon që për 4-5 vitet e ardhshme të përmirësoj sistemin e menaxhimit financiar dhe të kontrollit me qëllim të mbrojtjes së burimeve publike, përkatësisht parasë publike, që është në harmoni me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe poashtu në harmoni me kërkesat e donatorëve të jashtëm financiar.
Qeveria në mbledhjen e fundit poashtu ka bërë ndryshimin e akcizave, dhe me këto ndryshime ne do të kemi efekte pozitive sa i përket buxhetit, sa i përket mirëqenies sociale, dhe sa i përket aktiviteteve ekonomike, mirëpo nuk do të kemi asnjë efekt negativ, përpos ata të cilët merren me lojëra të fatit, me kazino dhe me fishekzjarre, do të paguajnë më shumë se sa që kanë paguar deri më tani.
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfunduar negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është arritur Marrëveshja. Ne këtë Marrëveshje e konsiderojmë se është shumë pozitive për Kosovën, sepse me këtë Marrëveshje ne arrijmë që të bëjmë ndryshimin e Rregullës Fiskale, e cila lejon që Qeveria për investime publike për projekte kapitale, të rrit financimin e saj përmes agjencive të ndryshme financuese, përkatësisht përmes shfrytëzimit të burimeve të jashtme, dhe poashtu përmes kësaj Marrëveshje përmirësohet dhe ruhet stabiliteti fiskal dhe stabiliteti financiar, duke ngritur nivelin e rezervës fiskale dhe duke e përmirësuar strukturën e Buxhetit. Pra, është modifikuar Rregulla Fiskale, tani jemi në fazën që po e përgatisim Ligjin për Pagat, dhe këtë Ligj për Pagat do ta procedojmë para muajit shtator në Kuvend, me të cilin do të unifikojmë tërë sistemin e pagave në institucionet e Republikës së Kosovës, dhe në fund të vitit do të fillojmë me aplikimin e prokurimit elektronik, që është poashtu një prej objektivave tona shumë të rëndësishme.
Tani jemi në një fazë të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare për kredi për financimin e projekteve të ndryshme investive. Kemi arrit marrëveshje me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim sa i përket financimit të hekurudhës, kemi dhënë garancionet e Qeverisë lidhur me blerjen e autobusëve të Trafikut Urban për Prishtinën, dhe poashtu jemi në marrëveshje me këtë bankë për programet zhvillimore që kanë të bëjnë me efiçiencën e energjisë, që kanë të bëjnë me ujësjellësin dhe që kanë të bëjnë me kanalizimin në zonat rurale.

Tani në Qeveri kemi aprovuar Planin Inicial për krijimin e Agjencisë së të Hyrave, me cilin plan ne planifikojmë që të bashkojmë drejtorinë e të hyrave dhe drejtorinë e doganave në një drejtori të përbashkët, me të cilën ne do të racionalizojmë sa i përket organizimit të administratës së këtyre dy drejtorive të deritanishme, sa i përket mbulimit të terrenit, dhe sa i përket ngritjes së mëtutjeshme të disiplinës në grumbullimin e parasë publike dhe të efiçiencës së parasë publike.
Po punojmë edhe në projekte të tjera për të cilat unë më gjerësisht do t’iu informojë së bashku me ministrat përkatës. Po punojmë në Ligjin për Investime Strategjike, që ka për qëllim që të krijomë kushte për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për thjeshtëzimin e procedurave të tërheqjes së këtyre investimeve.
Po punojmë për Ligjin mbi fondin e garantimit të kredive, në mënyrë që sa më shpejtë të përmbyllet edhe kjo, dhe poashtu po punojmë edhe në projektin e “Kosovës së Re”, në mënyrë që të sigurojmë energji elektrike në mënyrë perspektive për Kosovën.
Jemi poashtu edhe në negociata në mënyrë që të shohim mundësitë edhe të zhvillimit të projekteve tjera, edhe për “Kosovën A”, pastaj në projektet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor 6 që përfshijnë hekurudhën, transmisionin 400 kilovoltësh, rrugën Prishtinë-Shkup dhe Autostradën për në Merdar, dhe në projektet tjera, për të cilat do të shfrytëzojmë rastin, edhe ato që kanë të bëjnë me bujqësi, që t’iu informojmë së bashku me ministrat e ministrive përkatëse.
Faleminderit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dialogu me Serbine, Kryeminsitri Mustafa, zbatimi i marrveshjeve

Kosovë-Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama në “George Marshall”

July 24, 2015 by dgreca

Ne Foto:Gjeneral Rama dhe gjeneral Breedlove në konferencën për Siguri/
PRISHTINË, 24 Korrik 2015/-Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama mori pjesë në punimet e Konferencës së dytë për siguri të Evropës të organizuar nga Komanda Evropiane e ShBA-ve për Evropë (EUCOM), që u mbajt në qendrën , “George Marshall” , në Garmisch, Republika Federale Gjermane.
Njoftim dërguar nga Ministria e FSK-së thekson se, Konferenca për siguri kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave në mes të shteteve partneresi dhe çështjet e tanishme dhe të ardhshme të mbrojtjes për t’u përballur me kërcënimet bashkohore të sigursë.
Gjithashtu, synim i konferencës ishte edhe avancimi i marëdhënieve dhe ngritja e bashkëpunimit mes partnerëve evropianë dhe ShBA-së në mënyrë që të arrihen qëllimet e përbashkëta të sigurisë.
Në këtë konferencë morën pjesë shefat e Mbrojtjes të ushtrive të shteteve të Evropes oficer të lartë të EUCOM si dhe komandantët e gardës kombëtare të SHBA-së.
Në këtë konferencë së bashku me general Ramën ishin edhe kolonel Ilir Qeriqi, shef i Departmentit për Bashkepunim Ndërkombëtar dhe Sigurisë si dhe kolonel Bashkim Shillova, shef i Departmentit të Operacioneve dhe Trajnimeve në Komandën e Forcave Tokësore, të cilë vitin e kaluar kanë diplomuar në Kolegjin e Luftës në ShBA./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: “George Marshall”, gjeneral Rama në, i FSK-së, Kosovë-Komandanti

55 vjet më parë u rivra Çamëria

July 24, 2015 by dgreca

Si e kujton sot Gjen. Rrahman Parllaku atë ngjarje/
Ne Foto: Rrahman Parllaku & Hyqmet Zane, Tirane 2015/
Përgatitur nga Hyqmet ZANE/*
Përballjet e opinioneve në lidhje me sjelljen e pushtetit ndaj komunitetit çam sot dhe në të shkuarën, kanë si frymëzim atë hedhjen e komenteve tipike të urrejtjes shoqërore që mbolli sistemi komunist në Shqipëri dhe që është pasojë e filozofisë sllavo-ortodokse antishqiptare. Herë pas herë sjell në mendje shumë ngjarje të kohës, të atyre që i kam përjetuar vetë dhe të atyure që mi kanë rrëfyer prindërit, të afërmit dhe shumë e shuëm miq të mi. Çuditërisht ka shumë njerëz që ma dinë emrin tim, por jo historinë time, jo historinë e paraardhësve të mi, historinë e të parëve tanë e kanë dëgjuar të thënë se çfarë kemi bërë, por është e qartë se në tërësinë e tyre jo të gjithë e dinë se çfarë kemi përjetuar. Është e qartë se në Shqipëri në shumicën e rasteve qytetarët e dinë se ku jemi, por gjithësesi nuk dinë se nga vijmë, cila është gjeografië dhe historia e Çamërisë. Ne çamët jemi tamam shqiptarë si gjithë tëe tjerët dhe shpesh paraqitemi duke qeshur, por çuditërisht pak e dinë ose nuk e dinë se sa kemi vuajtur, por shumë e shumë nuk rreshtin së ma gjykuari në formën dhe mënyrën e tyre a thua kemi ardhur nga ndonjë planet tjetër dhe jo që jemi shqiptarë e bij shqiptarësh me gen e gjuhë, ne gjeografi e histori shqiptare, edhe pse zyrtarisht në tekstet shkollore pak ose aspak nuk flitet për gjeografinë dhe historinë e Çamërisë që është aty, e gjallë, e tëra dhe e freskët që nga thellësitë e shekujve.
Të gjitha këto që ndjej dhe përjetoj i them se kanë kaluar 55 vjet nga një ngjarje e madhe që hyri në historinë shqiptare si i ashtuquajturi “grupi çam i Teme Sejkos dhe Tahir Demit”. Kush ishin, çfarë bënë, përse u ekzekutuan aq makabrikisht, kush ishte faji i tyre dhe përse një popullatë e tërë u anatemia si të ishte e keqja e madhe e ardhur nga lart qiellit. Jo, ishte një skenar tipik i sigurimit të shtetit, tipik, i frymëzuar nga njerëz tipik në rrethana tipike që janë bërë disi të qarta, por që ka mbetur e pathëna, mosmirënjohja shtetërore për personalitet që ishin të luftës dhe të penës, ishin bij të një toke që ka historinë dhe personalitetet e veta potencialë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, por që një dorë e zezë e padushme i ka trazuar dhe ka dheur helmin në qumshtin e shqiptarëev.
Nuk janë thjesht 63 të arrestuar të atij të ashtuquajturi grup apo 11 të pushkatuarit apo 1250 vite burg të të gjithë të ashtuquajturit “grup çam”ose persekutimet tërësore të familjeve çame që jetonin në Shqipëri, por është faji i mbetur jetim, që është provuar me dhjetra e dhjetra dëshmi që provojnë sajesën e tij për shkaqe të politikave të brendshme dhe ndërkombëtare të “udhëheqjes” së kohës që donte të paraqitej e justifikuar për qëndrimet që mbante. Askush nga të arrestuarit e asaj ore 11 të datës 28 korrik 1960, nuk kishte menduar ndonjëherë që të bënin nodnjë paudhësi nga ato që më pas i dëgjuan në gjyq dhe i pranuan nga druri dhe torturat çnjerëzore.
Shumë e shumë artikuj dhe prononcime janë bërë dhe shumë e shumë mashtrime janë hedhur në formën e fallsifikimeve të dokumentacioneve, veç të gjtiha këto dushime kanë qenë të organizuara nga duart e zeza të mendjeve të mbrapshta të mbruajtura me ligësi profesionistësh që në Shqiëpri krijuan e krijuan grupe armiqësore pafundësisht si një urrejtje e madhe e udhëheqësit të komuniste për të bërë diktaturën sa më të qëndrueshme.
Në mënyrat e tyre, nga kontaktet që kam pasur dhe nga analizat e bëra të realiteteve të ndoshura, i gjithë skenari u krijua nga sigurimi i shtetit që pas ardhjes së Nikita Hurshovitnë vitin 1959 dhe nga xhelozia e krijuar për opinionet që dha ai për lidershipit shqiptar. Në një bisedë të drejtpërdrejtë me Lutfi Sejko pas vitit 1962, kur ai është arrestuar dhe pas arrestimit edhe të Halim Xhelos që ishte pjesëtar i lartë i sigurimit të shtetit, ky i fundit i ka thënë “e gjitha për Teme Sejkon u formatua në kohën pas bisedës me Hurshovin në Sarandë. Nga Vlora Temja, si kundëradmirali i zoti që ishte, shkoi me Hurshovin me anije drejt Sarandës dhe Enveri ne të tjerët, Kadriu dhe unë, ikëm nga Llogaraja. Sa u takuam me Hurshovin, ky i drejtyohet Enverit “tshoku Enver, këtë (drejton gishtin nga Teme Sejko), ke për kryeministër dhe jo këtë (Mehmetin) që ti më ankohesh mua se është kokëfort e nuk të dëgjon e të tjera si këto”. Mbeti Enveri i habitur se ia nxorri në shesh ankesat që i kishte bërë Hurshovit për Mehmet Shehun. Kaq u desh dhe menjëherë nisi nëj plan i fshehtë, sidomos kur filluan edhe konfliktet me rusët dhe Enveri kërkonte të gjente një pretkst që të tregohej se ishte i madh dhe hartoi planin. Janë pohime të vërteta dhe të thëna në gjendje paanësie kur të dy personazhët e thënë më sipër ishin të barabartë, të burgosur.
Pas ekzekutimit të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, ka qenë vetë diktatori Hoxha që ka pranuar se në rastin e grupit të Teme Sejkos, nuk kishte informacionin e duhur dhe “u nxituam në pushkatimin e tyre”, duke ia faturuar këtë gjë si frut të sigurimit të shtetit dhe personalisht kreut të saj Kadri Hasbiut. Edhe helmimi i Hilmi Seitit ishte pjesë e skenarit që kishte bërë sigurimi i shtetit për të zbatuar një plan ogurzi me qëllim për t’i kthyer përgjigje Hurshovit dhe rusëve se ne jemi syhapur dhe nuk shitemi tek imperializmi për “30 aspra”. Bile u përkthye edhe një libër në rusisht më 1961, që, që këto vitet e fundit është edhe në shqip me titullin “Dështimi i rradhës, Komploti i Teme Sejkos” që vërtetonte se sigurimi dhe diktatori ishin të interesuar të bënin publik siç edhe e bënë se si eleminuan një “grup armiqësor” imagjinar.
Sajesa përmes xhelozisë çoi në krijimin e grupit që nuk e pranoi ta udhëhiqte Hilmi Seiti (të cilin e helmuan) dhe që me dajak e të futura në arkivol të gjallë e pranoi Teme Sejko. Pasi vëllai i madh i Temes, Taho, morti vesh se çfarë broçkulliste i vëllai në hetuesi për sajesën që i kishin servirur, shkëmben replikë duke i thënë “çfarë të kan bërë more vëlla që pranon këto broçkulla”. Tahon e zhdukën pa e nxjerrë në gjyq, ashtu si edhe Shaban Ademin që nuk e pranoi planin e sajuar të sigurimit.
Sot, pas 55 vjetësh, përsëri me sajesa dhe me intriga del pinjolli Auron Tare që kërkon të bëjë pis dhe riakuzojë për të vërteta sajesat e Enver Hoxhës dhe sigurimit të shtetit, duke hamendësuar me një të ashtuquajtur mision të së “premtes’ në Konispol më 23-26 korrik 1954. Se çfarë lidhje ka ky mision me Teme Sejkon dhe të ashtuquajturin grup të tij, këtë Auroni nuk ka se si ta sqarojë, por vetëm hamendëson. Pse e them këtë? Sepse nga hetimet në gjyq të Teme Sejkos e të tjerëve, nuk ka dalë kurrë një gjë e tillë që na e nxjerr si alibi Tare me një lloj sjellje tipike si të sigurimit të shtetit që sajonin dhe kërkonin që të pranoheshin këto sajesa.
Sa për kujtesë, duhet thënë se pas 10 muajsh arrestimi të atij 28 korriku 1960 në orën 11, hetimi dhe shantazhizmi barbar në dhomat e inkuizicionit komunist, diktatori dha verdiktin e pushkatimit të grupit të ashtuquajtur “grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit”. Ka qenë 30 dhe 31 maji i vitit 1961 që togat e pushkatimit do të zbraznin karikatorët e armëve të tyre mbi bijtë shqiptarë të nënave çame. Ishin Teme Sejko, Tahir Demi, , Avdul Resuli, Ali Xhelo Arapi, Hajri Mane, që pas atij gjyqi të fund majit 1961 do të pushkatoheshin, ashtu siç nuk viteshin as edhe kuajt e jo më njerëzit. Shumëkush ka hamendësuar përmes copëzave të bisedave dhe historive të treguara dhe të shkruara se vrasjet e këtyre djemëve të Çamërisë kanë qenë të formave të ndryshme dhe në vende e kushte të ndryshme nga më çnjerëzoret dhe makabre. Për Teme Sejkon ka edhe më shumë se kaq, se janë kujtime të njerëzve që kanë qenë edhe dëshmitarë se çfarë mënxyrash nga më të paimagjinueshmet që mund t’i bëhen një njeriu, një shqiptari nga pseudoshqiptarët, një luftëtari antifashist dhe kundëramiralit të vetëm që kishte flota shqiptare që përfundoi aq tragjikisht pa nam e pa nishan.
Eleminimi i këtij të ashtuquajturi grup armiqësor, ishte edhe një avokati e shkëlqyer që qeveria e Enver Hoxhës me altopolante dhe radio i bënte tezës greke për eleminimin e elitës intelektuale çame që kishte dalë nga lufta antifashiste dhe që ishin përfaqësuesit e atij angazhimi të kësaj krahine në luftën antifashiste gjatë Luftës II Botërore. Ishte kjo tezë që ende edhe sot e kësaj dite qarqet zyrtare greke e thonë dhe rithonë sa herë që vjen fjala tek çështja çame dhe zgjidhja e saj. Është rasti për të thënë se shumë nga ata që u cilësuan armiq ishin në strukturat drejtuese të luftës dhe që së bashku me pjesën tjetër të komunitetit çam të organizuar në Batalionin 4 të Regjimentit 15, përbënin edhe pjesën e rëndësishme të kontributetve të Çamërisë në këtë luftë. Do të doja të fiksoja këtu luftën 55 ditore të Konispolit ndaj focave gjermane, ku edhe ranë 55 dëshmorë. Ishte një luftë e vërtetë si asnjë luftë tjetër e ta ashtuquajturës ushtri shqiptare.
Për fatin e madh të ditëve të sotme, një intervistë me Gjeneral Rrahman Parllakun na jep një tablo tjetër të asaj se çfarë ka ndodhru me të ashtuquajturin “grup armiqësor të Teme Sejkos dhe Tahir Demit.
“Me Teme sejkon kishim marredhënie kolegu në Divizionin e Gjirokastrës ku Temja ishte shef i zbulimit. Pas një kohe Temja u emërua komandat i flotës detare. E vazhduam njohjen tonë. Pas kësaj po kriohej skenari për të goditur çamët. Unë e quaj skenar se jemi në një moment kur marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik po lëkundeshin. Doli një pretekst që thoshim se neve jemi të kërcënuar nga greku dhe anijete huaja po hynin tek ne. Është edhe koha kur vdiq Hilmi Seiti, një nga çamët më të zgjuar, më trim, më dinjitoz që kam njohur unë, jo vetëm nga çamët, por edhe nga kolektivi ku unë kam opunuar. E kam apsur komandat batalioni në Brigadën e tretë kur unë komandoja divizionin. Po të shkoja në Kukës ku isha deputet, kaloja nga Shkodra dhe, pa takuar Hilmiun, nuk mund të rrija. Kishte muhabet të shkëlqyer, që rrija edhe gjithë natën me te. Ishte hata e madhe kur më lajmëroi Kadriu (Hazbiu) që vdiq Hilmi Seiti. Më tha që të marr Temen e të bëjmë varrimin. Na dhanë një version që Hilmiu ishte në mbledhjen e byrosë së partisë së Shkodrës, shkoi në banjo dhe atje pati një atak në zemër. Nga analizat që që u pretendua që u bënë u tha që ka pasur një difikt të lindur në pjesën e zemrës. Mua më çuditi fakti që e gjithë Shkodra po epërcillte në varreza, pashë edhe gra në ballkone e dritare që e qanin drejtorin e punëve të brendshme. Karakteri i tij ishte i tillë që ai nuk godiste njeri me informacione kot. Ishte babaxhan si njeri dhe sillej shumë mirë me njerëzit. Si vdiq ka mbetur enigëm, është e dyshimtë, kam mendimin që atë lojë që bënë me Temen kanë daashur ta bëjnë me Hilmiun, por ai nuk ka pranuar. Ai ishte njeri që kishte influencë. E likuiduan Hilmiun dhe më pas e vazhduan me Temen.
Unë kurdoherë kudo ku shkoja shoqërohesha me Temen, kudo, në stadium, edhe pasdite rrija me Temen. Kishte vajtur në Akademi në Trianë dhe unë do shkoja në një stërvitje në Vlorë dhe i them Temes që hajde me mua që edhe të qëdnronte pranë familjes në Vlorë. Më tha që më ka dhënë një material Petriti (Dume) ishSshefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe pa ia dorëzuar atë material nuk vij. Petriti ishte në Durrës me pushime. Shkojmë e takojmë aty dhe sa na pa Petriti u habit se Petriti e dinte. E kishin sjellë në Tiranë për ta patur nën vëzhgim dhe po ndiqej që ta kishin nën kontroll që ta arrestonin. E mora në Vlorë dhe prapa barkaz në makinë na ndiqte Halim Xhelua që më ka thënë gjithçka ai. Sa herë që ti dilje dhe kudo ku shkoje me Temen, ishit në ndjekje.
U arrestua Temja, u akuzua, dihen të gjitha ato. Çudia ishte se Temja pranoi të gjitha akuzat. Aty ishte edhe Tahir Demi, ishte edhe Abdyl Hakiu që e kisha pasur në ushtri e të tjerë e të tjerë. Por si foli Temja, nuk u përmend fare Tahiri. E ndoqëm gjyqin dhe u zhgënjyem se si u soll Temja.
Kjo ndodhi për ta goditur grupin çam dhe për të justifikuar para opinionit ndërkombëtar dhe Bashkimin Sovjetik se ne jemi të kërcënuar nga grekët dhe po bëhet komplot kundër Sdhqipërisë dhe ata po përdorin agjenrurën kundra Shqpërisë që e drejtonte Teme Sejo këtu. Mënyra se si u suall e si pranoi Temja për momentin, ne u zhgënjyem se e mendova si të vërtetë.
Më pas mendoj se ka qenë një regjizurë e përgatitur me qëllim për të goditur grupin e çamëve se dolën që ka huyrë anija në Vlorë etj. Këto të dhëna u përgatitën ëpr opinionin ndërkombëtar. Më pas u goditën edhe njerëz të tjerë. Unë i njihja mirë karakterin e çamëve, ata ishin dinjitoz dhe trima e të zgjuar dhe nuk kisha asnjë mendim se mund të ishin të vërteta ato që u thanë dhe që doli se ishin të sajuara.
Kanë kaluar shumë vite, dhe nuk është mirë që ata, ai gjyq nuk është shfajësuar. Unë e bëra një gjë të tillë dhe nuk pranoja që të më mbetej neni i tradhëtisë. Kjo duhet bërë edhe me Temen dhe të tjerët që u akuzuan ën atë gjyq të montuar.
Unë jo sot, por edhe sot e 25 vjet më parë e them që ajo ishte e kurdisur, është krijuar një regji, që ka pasur një plan për situatën e brendshme dhe atë ndërkombëatre. Nuk e besoj kurrë që Teme Sejko ka qenë një agjent. Si e detyruan Temen, sa e mbajtën, sa e troturuan, janë të gjtiha sajesa. Dihet si u krijuan grupe të tjera nga Enver Hoxha. Ai krijonte grupe siç krijoi edhe grupin tonë në ushtri, që përfshiu kuadrot më të mira në ushtri. Për çdo gjë Enver Hoxha kriojonte një grup, e restauronte me sigurimin, i krijonte të gjitha situata e më aps vinte goditja”.
Sa e sa herë kemi ndigjuar këshillën popullore se Asnjëherë në botë urrejtja s’ndalet përmes urrejtjes, urrejtja ndalet përmes dashurisë, por më së shumti kjo ka mbetur si një relikë se sa një realitet, aq më tepër mes nësh shqiptarëve që më kujton vargjet e një poeti popullor shqiptar që shkruan “Përjetësisht në urrejtje i bashkuar,/ Çuditërisht në dashuri i ndarë!”

Filed Under: Histori Tagged With: 55 vjet me pare, Hyqmet Zane, Rrahman Parllaku, u rivra Cameria

KUPTIMI I NDÎESÌS KOMBTARE

July 24, 2015 by dgreca

Shkroi:MUSTAFA KRUJA*(U botua me 1909 me pseudonimin A. Xh. (Ajn Xhim)/
Z. Sulejman Nazif beut/
Zotní,/
Më ka gzue për së tepri “nji veré” e Juej qi këndova në “Tasvir – i – Efkjar”- in e sodshëm. Na thoni se “prej fjalve e letrave” qi keni pasun “prej shumkuj” keni kuptue se artikulli qi kishit botue këto dit mbi “Shqiptarët” “paska shkaktue mendime e gjykime të ndryshme ke disa bashkatdhetarë”. M’epni lêjën pra të ju pohoj se edhe un jam nji nga ata bashkatdhetarë qi nuk pajtohen me Jue në sa keni shkrue n’at artikull.
Më duhet me pohue se kam mbetun tepër i turbulluem kur kam këndue artikullin t’Uej, jo me ndiesín e Shqiptarit ekstremist por me mendësín e nji Osmanlliu të matun. Por turbullimin t’em as i a shfaqa kuj as ju a shkrova Juve. Më ka pëlqye të rrij gjithmonë mbë nj’anë nga disa qëllime e deshire qi kanë pushtue trût e zêmrat e nji shumice të madhe nga të gjitha shtratet e popullit t’onë në të katër anët e vêndit qyshë prej shpalljes së Kushtetís e këndej, si edhe prej polemikash qi kanë rrjedhun soje. Veçse shënimi i sodshëm i juej po m’a kthen në nji detyrë ça mâ parë m’ishte dukun si punë e padobishme, mbasi Ju po zotoheni me i largue, n’artikujt qi do të botoni mbas këndej, ato dyshime qi kanë lemë prej artikullit të botuem parandej. Nuk m’u duk pra punë e urtë mos me përfitue prej këtij premtimi t’Uej edhe un.
Mâ së pari më bâhet se kryej nji detyrë tue Ju falun nderës për ato fjalë të mira qi keni pasun mirsín me shkrue mbi kombin t’em, i cili âsht nji pjesë e padame dhe mâ besnike e mbretnís othomane; e në këtê jam i sigurtë se ndërpretoj ndîesít e gjithë bashkëkombsavet të mij.
Dhe tash më përket detyra tjetër me Ju dëftye n’artikullin t’Uej, të shkruem, jam krejt i bindun, me qëllimet mâ të mirat, ato pika qi kurrsesi s’kam mundun t’i pajtoj me logjikën e të vërtetën. Jam i sigurtë se nuk do të m’a kurseni nji ndriçim të mjaftueshëm mbi secilin dyshim qi kam për të Ju shfaqun.
1. “Në nji kohë kur pandehej se me Kushtetín othomane të tâna ngatërresat e mbrêndshme do të merrshin fund, në horizontin e atdheut t’onë filluen me u dukun disa kërkesa e tendenca të reja. Ndîesija kombtare e shfaqun prej bashkatdhetarvet t’anë shqiptarë në këto vjetët e fundit âsht nji nga ato. Ajo âsht tue marrë nji formë qi mâ fort se botën othomane po fut në rrezik vetë të qênët e Shqiptarvet”. Kuptimi i ndîesís kombtare qi thoni, në mêndjen t’Uej, do të jetë pa dyshim tendenca e Shqiptarvet me u shkëputun prej mbretnís othomane. Ndryshe nuk do t’a kishit futun në rradhën e ngatrresavet të mbrêndshme qi puell Kushtetija e nuk do t’a kishit quejtun të rrezikshme deri për të qênët e kombit shqiptar. A s’âsht kështu, Zotní? Në qoftë se Shqiptarët, nji pjesë apo të gjithë, me të vërtetë kanë ushqye “këto vjetët e fundit” nji mendim të këtillë, Ju s’i keni tregue shkaqet e faktorët e ksaj gjâje e as un nuk po i gërmoj. Vetëm se Ju kujtoni qi nji tendencë e këtillë ndër né âsht fakt, apo jo?
2. “ Gegët s’e kanë aqë të fortë ndîesín e gjuhës e të kombsís sa me i u kërcnue atdheut të përgjithshëm”. Don me thânë pra se edhe dashunija e gjuhës qênka gjithaqë e dâmshme sa dhe ajo e kombsís, qi për Jue s’ka ndryshim nga lakmija e autonomís dhe e indipendencës!
3. “ Kjo pjesë fisnike e Shqiptarvet në kongresin e Dibrës e provoi se mâ parë se gjithça âsht e don me mbetun othomane.” E po Toskët athue s’patën marrë pjesë n’atë kongres? Apo pretenduen atje se s’ishin ase nuk dojshin mâ me qênë Osmanllij?
4. “ Por ata të Jugës, sadoqi e kanë provue gjithmonë se janë Osmanllij me zêmër e me mênd, tash janë tue dhânë do shênje egoizme qi na bâjnë me u trêmbun për t’ardhmen.” Vallë a mund t’a marrim vesht natyrën e atyne shênjeve egoiste? Dhe nji nga to mos âsht vallë ajo shpallja e njohun për të cilën bâni fjalë? N’âsht kështû a do të thoni se të gjithë Shqiptarët e Jugës kanë pasun gisht n’atë shpallje a së paku qi e kanë pëlqye të gjithë? Apo do të gjêni nji tjetër spjegim për thesën t’Uej?
5. “ Po në këtë shpallje ngatrrestare kërkohet me të ngulun kâmbë qi nëpunsit e Shqipnís të dijnë edhe gjuhën shqipe, don me thânë të jenë Shqiptarë.” Pra kështu kush ka nxânë të flasë shqip u dashka të jetë me do e mos Shqiptar! E të këqijat qi mendoni se do të rridhshin prej këtij fakti a janë vetëm ato qi numroni n’artikullin t’Uej apo ka edhe tjera? A shihni nji ndryshim të madh ndërmjet ksaj kërkese të shpalljes “ngatrrestare” dhe nenit 5 – bis të vêndimevet të kongresit të Dibrës, të cilin të tânë e pëlqyen nji zâni me të përplasun duersh n’emën t’othomanís edhe Ju bashkë me ta?
6. “ Ata qi kërkojnë gjuhën shqipe me shkronja latine janë sidomos ata qi i shërbejnë nji mendimi t’atillë ase të gënjyem prej ksish.” Para se me Ju bâmë pyetjet e mija përmbi këtë pikë, due me Ju diftue se pjesa qi me të tânë mënderën e kobin e saj i ka vramë mâ tepër Shqiptarët n’artikullin t’Uej ka qênë sigurisht kjo. A e dini Ju, Zotní, se sa janë prej dy milûj e gjymsë Shqiptarësh dhe sa prej intelektualve të tyne ata qi e duen shqipen me gërma latine e sa ata qi s’e duen, tue fillue qyshë prej atyne qi kanë mbarue nji gjymsë gjymnazi e deri tek ata qi kanë krye mësime të nalta, qofshin pleq apo të rij? Ka mbasandej gjind të squet qi, sado të pashkollë, dijnë t’a çmojnë se ku âsht e drejta dhe e mira e tyne e përbashkët. Ju siguroj se as ndërmjet ksish nuk do të gjêni njerí kundra shkrolave latine për gjuhën shqipe. Sa për pjesën tjetër, kush mund t’a mohojë se as ata nuk mund të shpëtojnë nga influenca e të parvet? Kemi fakte qi na e provojnë se s’kanë mundun të shpëtojnë, me gjithë kshillat miqsore (!) të disave. Edhe ata e kanë kuptue se kombsíja e tyne nuk mund të qëndrojë veçse tue shkue asaj udhe. Kur âsht puna kështu, mbas mendimit t’Uej, pra, populli shqiptar, në shumicën e tij, u shërbyeka qëllimevet e deshirevet t’Austrís, ashtu? E atëherë deri Naim e Sami bej Frashri s’paskan qênë veçse vegla të lakmivet austrijake ase të mashtruem prej atyne veglave, apo jo?
7.“ Në qoftë se pranohen këto gërma, shkrimi e këndimi i kuranit do të bâhen të pamundshëm dhe në këtë mënyrë do të shkonte në vênd edhe qëllimi i atyne qi duen të shtrijnë influencën e vet tue i kthye Shqiptarët të krishtênë. Ky komb, qi mâ tepër âsht i dhânë mbas fés se mbas kombsís, dalkadalë e pa u kujtue aspak kishte me humbun gjân mâ të shêjtë e mâ të shtrêjtë qi ka : fén.” Ju e dini mâ mirë se un qi i ndjyemi Shinasí, për me u provue kundërshtarvet të vet se ishte i zoti të shkruente edhe mbas mënyrës së vjetër, ka hartue “ “Barika – i – Zafèr” – in. Athue keni dashun edhe Ju t’epni nji provë me kët’artikull se dijni të shkrueni edhe për vullgun? Ndonse pênda e Juej zakonisht âsht mësue të shkruej për pjesën mâ të zgjedhun t’atyne qi dijnë të këndojnë. Veçse në këtë rasë a m’epni lêjen të pretendoj qi edhe vullgun mâ fort se me e kënaqun keni pasë ndër mênd t’a gënjeni? Kam shpresë se n’artikullin e dytë qi premtoni do të keni mirsín t’a provoni thesën t’Uej kaqë të rândsishme edhe me disa argumenta të bindshëm.
8. “Nuk duem t’i shquejmë e t’i numrojmë këtu mjetet e intrigat tjera qi përdorin Austria dhe Jezuitnit”. Ato mjete e intriga qi Ju s’dashkeni t’i përmêndni në fletoren t’Uej na Shqiptarët ka motmot qi po i këndojmë hollsisht në gazetën shqipe “Lirija” qi boton në Selanik Mid’hat be Frashri, i bir’i Abdyl beut. Vetëm Ju do të mundeni me na ndriçue se si bâhet qi kjo gazetë gati në çdo numër të saj të flasë kundra intrigave t’Austrís në Shqipní, kurse, simbas mendimit t’Uej, nji fletore shqipe nuk duhet të jetë veçse nji organ qi u shërben qëllimevet t’asaj mbretnije!
9. “ Çë do të fitojshin vallë Shqiptarët në qoftë se nji Reshid – Akif pashë, b.f., do t’a kufizonte aktivitetin e tij vetëm në ndonji vilajet të Shqipnís, sepse âsht Shqiptar, dhe vilajetet tjera të mbretnís t’a humbshin dobín qi u vjen nga veprat e gjenishme të tija? Kurrgjâ! Me sa bota otomane kishte me u dâmtue… dhe tepër fort”. Po qe se Shqiptarët kanë vetëm nji Reshid – Akif pashë a s’âsht nji deshir krejt i natyrshëm dhe legjitim qi t’a kenë atê në vilajetin otoman të Kosovës mâ parë se n’atê të Sivasit? Jo po në qoftë se burra Shteti shqiptarë janë mâ se nji si ai, për ç’arsye na do t’u a kursyekemi tepricën vilajeteve tjera të mbretnís? Për mêndimin t’em âsht nji parim shumë i drejtë i shqencës administrative qi jo veç në Shqipní por në secilën krahinë të Shtetit të zgjidhen nënpunës qi dijnë gjuhën e vêndit, e vetëm kur këta mos të mjaftojnë të çohen ata qi s’e dijnë. Mbasi keni dashun të kritikoni “ Shpalljen”, vallë a nuk paskeni mundun të gjêni asnji pikë tjetër mâ të dâmshme se këtë për t’a bâmë objekt kritike? Mund të Ju siguroj se ajo “ shkresë ngatrrestare” s’ka gjetun pëlqimin e Shqiptarvet as nji për mijë. Veçse ajo pikë qi kritikoni Ju âsht nji nevojë administrative, mbi të cilën guxoj t’i tërhjek verén edhe qeverís.
10. “ Le t’a nxânë Shqiptarët e t’a përhapin gjuhën e vet po deshën. Veç le t’a dijnë edhe se në mes të gjuhvet qi fliten prej popujve të ksaj mbretnije ka asosh qi janë aqë të mbarueme e të përparueme sa kurrë shqipja nuk mund të matet me to. Nji gjuhë parake kurrë nuk mund të bâhet gjuhë zyrtare. Dhe nji gjuhë qi s’âsht e përdorun zyrtarisht, edhe në qoftë se dikur ka qênë por mâ vonë e ka humbun atë funkcjon, ajo âsht e dënueme me u ndalun e me shkue gjithnjí ma poshtë.” Atbotë qênka për të na ardhun keq mâ së pari për emnat e Naim e Sami bej Frashrit qi qênkan përpjekun kot t’a ngjallin nji gjuhë të dënueme me vdekë, pa qênë të zotnit me e kuptue kët’aksjomën t’Uej, edhe së dyti për kombin shqiptar qi s’paska kurrkênd të zotin me e pamë atë greminë të mëndershme vdeket ku qênka tue u rrokullisun për me i a ngjitun dorën në kohë!
11. “Kur Shqiptarët po e humbasin kohën tue u mundue me zgidhun e ndoshta me e caktue çâshtjen e gjuhës, nji bir fisnik e i squet i atij kombi si Sulejman – Fehmi beu, mundimeve të të parve qi na kanë mbledhun e përpilue rregullat e bukurít letrare të gjuhës s’onë po u shton nji vepër të ré e të shëndoshë me titullin “ Letërsí ”, nji vepër të kryeme me dituní e mjeshtrí. Ky fakt âsht nji nder për Shqiptarët dhe për Turqit nji element qetësues.” Madje këtë Shqiptarët e quejnë nji shênj të mirë edhe për gjuhën e tyne. Sh. Sami beu, qi me sa shokë tjerë i vû themelet gjuhës së vet e me gjithë pengimet e regjimit despotik shkroi disa vepra n’atë gjuhë, po ai Sh. Sami me “ Fjalorin turqisht” forcoi themelet e kalbët qi kishte turqishtja para tij dhe la për turqishten e ré nji vepër të pavdekshme. Bashkëkombtari i tij Sulejman – Fehmí beu e vazhdoi e e zbukuroi veprën e të parit. A thue s’âsht lêja me shpresue qi ky i fundit ka për të bâmë gjithashtu edhe për gjuhën e vet? Nji Shqiptar qi qênka i zoti me u shtue nji vepër të ré e të shëndoshë rregullavet e bukurivet letrare të gjuhës turqishte pse mos të mundet me bâmë gjithaqë edhe për shqipen e vet?
*A. Xh. (Ajn Xhim) 1909

Si erdhi ideja e kësaj letre ?
Ja spjegimi i autorit :
Nji Kyrd mohues i kombsís së vet, nji ndër shtyllat mâ të forta të letërsís turke moderne, Sulejman – Nazifi, kishte nisun të botonte në gazetën “Tasvir – i – Efkjar” të Stambollit nji varg artikujsh ndën titullin “Shqiptarët”. Mbas të parit artikull qi botoi lên me kalue ndonji ditë dhe mbasandej me nji veré lajmon se me gojë e me shkrim shumkush i kishte pasë bâmë kundrështime mbi sa kishte pasë shkrue e se ai për së shpejti kishte për t’u u përgjegjun të tânve n’artikujt tjerë qi do të botonte. Mbas këtij premtimi të gazetarit M. M. Kruja merr guximin, ndonse student i ri e i pazoti me u matun me nji kolos të letërsís turke si Sulejman Nazifi, edhe ai me i bâmë verét e kundrështimet e veta. I a shkroi në trajtë të nji letre private. S’ishte askund rasa me shpresue se do t’a botonte. Kur qe, jo mâ vonë se në të parin numër të gazetës së tij, nesret, letra e Mustafës po na del e botueme fjalë për fjalë e me nji shënim përkëdhelës : e botonte për vlerën letrare qi çmonte në tê. Letra ishte e ndënshkrueme me dý siglat A. Xh. (Asim Xhenan ka qênë pseudonymi i Mustafás në ndonji shkrim të vogël letrar të përparshëm në gjuhë turke). “Un nuk besoj, na shkruen vetë Mustafa, t’a ketë shtŷmë përnjimênd vlera letrare e shkrimit anmikun t’onë në nji gjest fisnikije t’atilë siç ka dashun t’a tregojë ai vetë. Mâ fort më thotë mêndja se disi i hŷni frika nga Shqiptarët “e marrë”, siç na quejshin neve Turqit, edhe kërkonte rasën të prapsej me nji farë nderi për mos me vijue fushatën, e këtë rasë duket se i a dha letra e ime. Mjerisht gazeta qi e pat botue atë shkrim më pat humbun.”

Filed Under: Kulture Tagged With: A. Xh. (Ajn Xhim), Kruja, Kuptimi i ndiesise Kombetare, Mustafa Merlika

EDHE 86 STUDENTË NË UNIVERSITETET AMERIKANE PREJ KOSOVE

July 24, 2015 by dgreca

– Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, kërkoi nga përfituesit e bursave për studime në ShBA që më pas të kthehen e të transformojnë lidershipin-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Korrik 2015/-Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga USAID për grupin e dytë të studentëve, të cilët kanë përfituar bursa nga Programi për Transformimin e Lidërshipit – Bursat dhe Partneritet (TLP-SP), dhe janë gati të nisen për studime master në universitetet amerikane.
Ministri Bajrami iu tha studentëve se kanë arsye për t’u gëzuar, sepse tani kanë një mundësi jetësore për të marrë një arsim të lartë të avancuar të modelit amerikan dhe kjo do t’iu ndërrojë atyre jetën. “Jam i sigurt se ju do të jeni lidërët e së ardhmes. Kur të ktheheni do t’i qaseni jetës pak më ndryshe. Më shumë se sa një diplomë masteri e universiteteve amerikane, është një kulturë e re që do të sillni, një ndërrim i mentalitetit. Do të shihni se të pamundurat bëhen të mundura me përkushtim, me qasje dhe me angazhim”.
Ministri, po ashtu porositi përfituesit e bursave që të jenë të përkushtuar gjatë studimeve, të përfaqësojnë Kosovën në mënyrë dinjitoze dhe të jenë edhe ambasdorë të Kosovës për kohën sa zgjasin studimet. “Mos harroni se ju duhet të ktheheni në Kosovë dhe të kontribuoni në vendin tuaj”.
Ministri Bajrami u shpreh i gëzuar që Qeveria e Kosovës ka mundur që bashkë me USAID-in të ndihmojë në këtë Program dhe iu premtoi studentëve se pas kthimit në Kosovë do të bisedojnë për angazhimin e këtyre studentëve në sfera të ndryshme, për të mundësuar transformimin e lidershipit dhe zhvillimin e vendit.
Drejtori i Misionit të USAID-it, James Hope, tha se këta studentë kanë kaluar nëpër një proces të vështirë të përzgjedhjes, ndërsa u shpreh i sigurt në suksesin që do të tregojnë gjatë studimeve në universitetet më të mira amerikane
Programi i TLP-SP implementohet në partneritet me World Learning, Agjensionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe MASHT-in. Me grupin e dytë nga ky Program, 86 studentë do të ndjekin studimet master në universitetet amerikane.

Filed Under: Kronike Tagged With: EDHE 86 STUDENTË, Kosove, NË UNIVERSITETET AMERIKANE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT