• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2015

Nga lufta e reformave tek Maria e Ardenicës

July 22, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/
Që ta rilindësh atë vend Kryeministër, do ishte mire që statuti yt I fb. Herët sot në mëngjes , të hapej me bllokun e shënimeve të Maries nga Ardenica. Një familje pa drita. Pa të ardhura. Pa shpresë jete. Pa dashuri për të vazhduar aty. Aty ku u ngrit. Në Ardenicë. Në vendin me kodra që shohin fushën dhe buzën e detit. Në vendin e shenjtë. Aty ku vuri kurorë edhe Skënderi ynë. Gjergji i Kastriotëve. Një familje e degdisur, me djem nën mëshirën e kishave. Me një vajzë që luante me ëndrrat e saja. Që ishin poezia dhe Gjermania. Dhe që andej nga Bavaria, buzë Renit a buzë Spresë. Të shkruante për bukuritë e vendit të saj. Por nuk arriti. Nuk arriti se nuk kishte tavolinë, drita, ujë për tu larë. Ku në vendin tënd. Në vendin tonë. Dhe vendi i pashpresë Greqia, dukej si shpresë. Shpresë e bregut për ta hedhur në Gjermani. Shpresë e udhës përmes tokës. Ku mund të shkohet akoma në këmbë. Një familje, që sado e varfër, sado e papunë, sado e pa ditur. Prapë diçka e mënxyrtë ia mbesh duarve, pamundësinë për të patur tetëmbëdhjetëmijë lekë për tri pasaporta. Një pamundësi që ka emrin skamje. Jo varfëri. Dhe zgjidhja është folklori. Karvani…, shtegtimi. Rrugëtimi më këmbë. 
Çfarë është një reformë. Po e lë për pak arsimin. Sikur ato drita që digjni duke u zënë gjithë natën. T’ia kishit shpënë Maries. Ajo sot do ishte gjallë. Sikur ato romuze, fyerje, përdalje, pëprballje prej egoistash, që derdhi ditë e natë. T’i mbysnit lumenjëve tanë, gjoleve, apo tenderave familjare. Maria dhe qindra Marie të tjera, nuk do mbyteshin. Nuk do bëheshin prostituta. Nuk do vrisnin veten nga depresioni. Nuk do akuzoheshin e përgojoheshin edhe pse pa jetë. Për lezbike, gej etj. Edhe pse viktima të depresionit shoqëror. Edhe pse kufoma. Kufoma nën zinë e prindërve. Sikur ta kuptonit vetëm një here, se reforma më e madhe është jo kur I prek rrudhat një burri, babai, gruaje apo nëne të shtrydhur nga jeta. Për hir të votes që ju të ruani dietat e shtrenjta. Por kur qan me ata, qanë si ata, vdes si ata. Dhe njeh dhimbjen njerëzore.
Që ta rilindim atë vend qytetarë, do ishte mire jo të debatonit me Edin, por të bashkoheni me humbjen e familjes. Triumfi si dhe dështimi, janë pjesë e sl njëjtës familje. Ashtu siç bëjmë kur mburremi. Ashtu të bëjmë edhe kur turpërohemi. 
Maria është një këngë e pakënduar. Eshtë një vjershë e pa shkruar. Eshtë një libër i parealizuar. Reforma që kurrë nuk u bë.
Skamja jonë. 
Që ta rilindim atë vend qytetarë, mos u zini me njëri-tjetrin për prindërit. Për atë që u duket e pabesueshme se si një vajzë nuk ka di not.Edhe pse buzët detit. E ka thënë Noli, anës detit i palarë/ anës dritës i paparë. Dhe vdiq nën entuziazmin e lirisë mes ujrave të lumit. E bindur se mësoi notin. Eshtë gjëm. Gjëm dhe mjerë prindit që i ra për pjesë.

Filed Under: ESSE Tagged With: e Ardenicës, Ilir Levonja, Nga lufta e reformave, tek Maria

Kosovë-Hazirit, Departamenti i Shtetit: Gjykata Speciale duhet të ndodhë!

July 22, 2015 by dgreca

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Washington, DC, kryetari i komunës së gjilanit Lutfi Haziri, ka patur një takim të rëndësishëm me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, duke përfshirë edhe Thomas Yazdgerdi, drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore.
Në takim u biseduan disa çështje të rëndësisë nacionale për Kosovën, dhe ndër më kryesoret ishte çështja e Gjykatës Speciale, bën të ditur sot njoftimi nga Komuna e Gjilanit.
Yazdgerdi shprehu insistimin e thellë të SHBA-ve si miku më i madh dhe më kryesor i Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Ne kërkojmë me ngulm që Gjykata Speciale të krijohet përmes institucioneve të Kosovës dhe besojmë se kjo do të ndodhë. Përndryshe, çështja do të mbetej në duartë e OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit dhe kjo nuk do të ishte fare e mirë për Kosovën”, ka thënë Yazdgerdi.
Tutje ai ka shtuar se, “mosvotimi eventual i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës do të vinte në pikëpyetje të madhe kredibilitetin e SHBA-ve, dhe ne këtë nuk e meritojmë nga Kosova”.
Drejtori për Evropën Qëndrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Thomas Yazdgerdi, tutje ka falënderuar kryetarin Haziri dhe LDK-në për përkushtimin e tyre për këtë çështje, duke kërkuar që të njejten gjë ta bëjë edhe partneri tjetër i koalicionit, Thaçi.
Lutfi Haziri pasi ka falënderuar z. Yazdgerdi për përkushtimin dhe përkrahjen e parezervë të SHBA-ve ndaj Kosovë e ka siguruar atë se, “Kosova është ballafaquar me sfida të vështira edhe në të kaluarën dhe me sukses i ka kaluar ato. Edhe kësaj rradhe, unë besoj se Kosova do të dalë faqebardhë nga ky proces dhe Gjykata Speciale do të krijohen nga Kuvendi ynë”.
Ai me tej ka shtuar se, “ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë jetike që kanë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes SHBA-ve dhe Kosovës dhe se asnjë politikan apo përfaqësues i denjë i popullit të Kosovës nuk do të merrte ndonjë veprim që do t’i lëndonte as edhe pak këto marrëdhënie”.
Në fund, duke kujtuar bashkëpunimin e suksesshëm të tij me Hazirin që nga koha e bisedimeve për statusin në Vjenë, drejtori Yazdgerdi ka thënë se, “esenca e lidershipit të mirë e të suksesshëm mbërthen në vete marrjen e vendimeve të vështira dhe jopopullore, duke vënë në rend të parë interesin kombëtar dhe atë shtetëror para çdo interesi tjetër, duke përfshirë edhe atë personal apo partiak”./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Departamenti i Shtetit: Gjykata Speciale, duhet të ndodhë!, Kosovë-Hazirit

Një jetë…disa histori (Belkize ZENELI)

July 22, 2015 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/
Dua ta nis këtë cikël shkrimesh me historinë e Saj.Jo sepse është nëna ime,por sepse brenda saj jetojnë dhjetra histori disa prej të cilave kam bindjen se janë pjesë e përbashkët të shumkujt prej nesh.
Nuk dua ta quaj sukses, dështim,apo mbijetesë jetën e dikujt që përcjellin transmetimet nëpërmjet produksionit ”Një jetë …disa histori..” mundësuar nga Albanian Culture TV këtu në New Work .Qofsha e gabuar por kam konstatuar se suksesi i tjetrit nuk është se i gëzon shumë shqiptarët…duket sikur i shndërron ata në xhelozë , servilë , natyrisht ka edhe prej atyre që duartrokasin me ciltërsi.
Po kthehem te jeta e saj ku natyrshëm në themel qëndron familja Kadiu…Me rrënjët në Zerqan të Dibrës zonë e cila pa frikë mund të konsiderohet si zemra e Dibrës;- për nga pozicioni gjeografik,-bukuritë që i ka falur Zoti me ato burime ujrash të pastër e të ftohtë që e përshkojnë së larti si kurorë fshatin që shtrihet poshtë tyre e që gjelbëron cuditshëm,-si dhe për ato histori mjekësh, arsimtarësh dhe njerëzish të ditur që kjo trevë i ka falur progresit jo sistematik shqiptar.
Gjyshërit kanë një rol themelor në edukimin gjenetik të familjes ndër breza, ku dija edhe po nuk u trashëgua përmes bashkëjetesës me ta, është në gen.Prandaj e konsideroj fat të rritesh me ta…dhe të dhimbshme ngandonjëherë mungesën fizike të përkujdesjeve të tyre ku përvec cilësisë së rritjes të falin historitë e pashkruara të jetës së tyre. …E megjithatë ato histori ekzistojnë e të përkëdhelin me larminë,pasurinë, misterin … Janë dy emra në themelet e familjes Kadiu: Lefe dhe Besim që lindën rritën dhe shkolluan katër fëmijë të zgjuar nga ku njëri prej tyre ;(Ferit Kadiu) student në Itali,por që fati ia preu jetën në mes kur ishte vetëm 24 vjec ndërsa ndodhej me pushime në atdhe, Sofia që fati e la pëtej kufijve (Dibra e Madhe) që copëtuan Shqipërinë por edhe zemrat e prindërve dhe dy të tjeret që do jetonin këtu njëri gjyshi im të cilin unë nuk e njoha kurrë (arratiset nga Shqipëria në vitin 1959).
Lefe Kadiu ishte delegatja e Zerqanit në Kongresin e Parë të Gruas në Berat në vitin 1943. Një dibrane me qashë …një qashë Dibre në Berat…një fjalim brilant që do botohej pjesshëm dhe pa emrin e saj në një pëmbledhje që i kushtohet grave ,botuar rreth viteve 70 – 80. Janë shumë pse dhe sepse …por po i le të gjitha. Besim Kadiu ishte Kadiu i zonës dhe shtëpia e tij ishte baza ku predikohej fe e besim, moral dhe edukim që fatkeqësisht u varrosën në vitin 1967 , që personalisht e konsideroj si dramën më të madhe që ka pasur Shqipëria , madje gjykoj se derisa të iki nga kjo jetë personi i fundit që vuri dorë me kazëm dhe shpirt mbi ato ikona kulture trashigimnie dhe besimi…ne do vuajmë gjatë…Liria e besimit është baza nga ku lind mendimi i lirë .
Ky është terreni ku do lindte Ajo (viti 1946)me themele të forta ,por mbi një terren ”sizmik” .Ndonjëherë mendoj se internimi ishte një alternativë më e mirë sesa të jetoje mes njerëzve të tu ,por i abandonuar prej tyre.Internimi ishte kolektivizimi i njerëzve me histori të përbashkëta që mbase jetuan si të barabartë mes tyre …dhe pjesa tjeter ”e lirë” dhunohej gjithashtu duke ndjekur izolimin apsurd (ndjesë nëse gaboj ). Eksperimente të frikshme mbi jetë të pafajshme. Ky terren sizmik disa prej tyre i bëri më të fortë, më të mencur, më ëndërrimtarë…Kështu e konsideroj unë Belkize Kadiun Zenelin.Ajo vinte nga ky tunel i errët izolimi ndërkohë që familja e saj kishte plot bukuri e mencuri dhe dritë-fakte…Arratisja e të atit në vitin 59,,,ishte një goditje afatgjatë që erdhi deri tek ne duke na lënë pa të drejta shkollimi e shumë të tjera apsurditete që prodhojnë sistemet politike në Shqipëri. Arriti të behej mësuese në vitin 1966 pasi përfundoi shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër , dhuratë kjo e Simbolit të Arsimit dibran, me origjinë nga Zerqani, njërit prej idhujve të mi, besoj të të gjithë arsimtarëve dibranë, SELIM ALLIU për të cilin mendoj se ka gjithmonë vend pë të shkruar dhe falenderuar.
Por historia e saj u bë e dukshme duke marrë kuptim pas vitit 1990.Pikërisht atëherë kur sistemi ra por edhe duhej dënuar jo me sharje e mohime, as me revansh dhe spekulime…por edhe duke dëgjuar zërat që ajo kohë u mohoi të drejtën më shumë sesa të tjerëve .Ata që kishin provuar se cfarë është të rritesh pa prind dhe të ndjehesh fajtor apo ndëshkohesh,ata që edhe përfytyrimi, apo komunikimi me të ishte ëndërr e pamundur, ata që ishin bërë baba, motër vëlla ,bijë për nënën e tyre të pafat…Ka shumë të tillë , e di… A folën dot të gjithë ??? Unë nuk e di.
Isha studente në atë dhjetor kur do ”lulëzonin” këto lloj ëndrrash lirish dhe të drejtash.Dhe natyrshëm ime më ,të gjithë ne do ishim të parët përkrah asaj force politike që lindi si alternativë e të drejtës, e mendimit ndryshe , e lirisë. Ajo dhe të gjitha historitë e saj janë arsyje e involvimit tonë në PD, pa pendesë edhe pse PD nuk e kreu sic duhet misionin e saj, kjo është dhe arsyeja që vazhdoj ta konsideroj PD si një subjekt misionar.Kur në disa shkrime të mijat tentoj të përmend emra që i dhanë jetë Lidhjes Demokrate të Gruas Dibrane që Belkize Zeneli e drejtoi në kohë të vështira nuk kam si qëllim të lartësoj emra por dua të ruhet identiteti , historia dhe kontributet e asaj kohe kur këto lloj organizimesh kishin efekte dhe funksione që nuk duhen fshirë sepse janë identitet dhe qenësi. Janë disa standarte që i kanë munguar zhvillimit tonë në pëgjithësi. Inteletualizmi është edhe patriotik edhe kulturor edhe social edhe politik…dhe ka shumë individë të cilët me kontribute , investim dhe personalitet janë themele të forta ngrehinash nëse ka plan perpektiv pë ruajtjen e tyre si trashëgim ku natyrshëm mund të bëjnë pjesë edhe subjekte politike . Edhe disa histori njerëzore janë vlera të intelektualizmit patriotik, ato që fshehën dhimbjen dhe vështirësitë pa u viktimizuar si protagonistë por edhe pa qenë heronj, ata që folën jo me gjuhën e shpifjes, nënshtrimit ,fyerjes por me gjuhën e guximit dhe të drejtës . Diku këtu përmes këtyre përcaktimeve është ajo, nëna ime ,historia më e bukur që na bashkon në tërësi , brenda të cilës jetojnë dhjetra histori force, frymëzimi edhe me miqtë e saj,por që vetëm tek mua gjallojnë me vitalitet…
U bënë plot katër vjet që jetoj në SHBA dhe kam pasur rast te shkel në mjaft institucione publike këtu dhe në sejcilin prej tyre ka gjithmonë një histori ,,,dhe përpiqem ta lexoj, kuptoj edhe pse vetem pyes veten dhe mendoj pse -të e pafundme që më cojnë atje në vendin tonë të bukur të enigmave .Nuk është vetëm suksesi qëllimi i publikimit të një historie,por ruajtja e identitetit dhe zhvillimi i perspektivës. Ekzistojnë mjaft si unë që historia i frymëzon jo vetëm si narracion, por edhe si matematikë, si letërsi që simbolizon, si teologji që shëron, si fotografi që kronologjikon,por mbi të gjitha si DISIPLINE që na edukon me të VERTETEN.

Filed Under: Histori Tagged With: (Belkize ZENELI)., Marjana Bulku, Një jetë...disa histori

FASLLI HALITI, SI MAJAKOVSKI DHE ESENINI BESONTE NE NJE SOCIALIZEM ME FYTYRE NJEREZORE

July 22, 2015 by dgreca

LIBRI ME “POEZI TË ZGJEDHURA” I POETIT FASLLI HALITI, BOTOHET NË ROMË NGA SHTËPIA BOTUESE «EdilLet»NË PËRKTHIMIN DHE REDAKTIMIN E POETIT TE SHQUAR/
NGA GËZIM HAJDARI-ROME*/



Poeti Faslli Haliti besonte  ashtu  si Majakovski dhe  Esenini në një  socializëm  me fytyrë  njerëzore. Dy poetët  e Rusisë  sovjetike  kënduan  dhe  sublimuan  me zjarr të madh, ndonëse  për një kohë të  shkurtër, revolucionin  bollshevik dhe  shokun Lenin.
Në  gjurmët e majakovskit dhe Eseninit filloi  rrugën e vet  poetike edhe poeti i ri shqiptar  i Lushnjes. Ishin vitet 60-të kur Haliti  shkruante: «Per  voi ,(Partito ed Enver Hoxha),  noi dormiamo anche sul ghiaccio / Per voi noi ci copriamo con lenzuola di neve». (Ne për ju flemë/ Edhe në dyshekë akujsh/,Ne për ju flemë/ Edhe nën çarçafë dëborërash mbuluar! 

Poeti  i Lushnjës  ka dashur  shumë në  rininë e vet  këngëtarët e  nënës Rusi dhe, pas  fundit tragjik të komunizmit në Shqipërinë e tij, Haliti ia hodhi  fajin pikërisht mjeshtërve  të vet  sovjetikë  se kishte  besuar verbërisht tek ta,. Ashtu  si  Majakovski dhe Esenini edhe poeti  Haliti, ndonëse në një  përmasë  mjaft  të ndryshme  u bë “viktimë” e utopisë  marksiste që solli  dhjetramijëra të vdekur  në  Shqipëri duke  mbjellë  në  tërë vendin tmerr,  të vdekur, gjak dhe shkatërrim masiv.

Faslliu  shfaqet në  panoramën  poetike  shqiptare  në fund të viteve 60-të. Tamam  më 1969 botohet përmbledhja e tij e  parë «Sot». Vargjet e tij sjellin një frymëmarrje të re poetike në  panoramën e realizmit socialist, origjinalitetin, karakterin  sintetik  të  mendimit dhe gjithashtu një  ndjenjë të fuqishme kritike në marrëdhënie  me burokracinë e regjimit. Gjuha e tij  është  lapidare  dhe e mprehtë.

Forca e fjalës dhe veçantia e stilit tërhoqën  vëmendjen e lexuesve  dhe kritikës  zyrtare. Kjo përmbledhje me vargje  fitoi çmimin e dytë  kombëtar  për poezinë. Haliti është me origjinë  bujk i mesëm dhe, si i tillë, sillte  në tekstet e  veta  muzikalitetin e fshatit, zërat e jetës dhe  ankthin  ekzistencial të un-it të tij poetik si sfidë  për retorikën  e kulturës  zyrtare  të regjimit. Qëndresa dhe rebelimi bashkëjetojnë në  mesazhin e tij poetik.

Shumë  tekste të tij kanë qenë “manifeste” të  vërteta që godisnin pa mëshirë zemrën e  burokracisë së regjimit komunist. Mund  të thuhet  se pjesa më interesante e krijimtarisë së tij  si për  shumicën e poetëve  të bllokut  sovjetik, mbetet ajo e shkruar nën  diktaturën  komuniste dhe kjo s’është e rastit. Do të  mjaftonte , «Njeriu me kobure», për  të  kuptuar  forcën e  vargjeve  të tij dhe ndikimin që ky  tekst pati mbi lexuesit në  vitet 70-të. Këto vargje: Ai pret të fryjë era /Jo që të zhvishen pemët,/Jo që të shkunden gjethet e verdha, / Por që t’i ngrihet cepi i xhaketës, / Të duket pas brezit koburja./Ai pret të vijë pranvera,/Jo që të mbjellë e të korrë,/Por që të zhveshë xhaketën,/T’i duket pas brezit / Koburja/.(1972) Ky tekst  u quajt kryengritës dhe revizionist  dhe u kritikua ashpër  gjatë plenumit famëkeq IV të Partisë së Punës së Shqipërisë, më 1973 që dënoi me  burg  me dhjetëra  intelektualë dhe shkrimtarë  duke  i akuzuar se ishin  ndikuar  nga arti  borgjez i Perëndimit. 

Ishin vitet  kur  kritika zyrtare  këmbëngulte që  në art të pasqyroheshin edhe  më shumë mësimet dhe idetë e Partisë; vitet e planifikimit të estetikës së re shtetërore dhe të  afirmimit të njeriut të ri të socializmit, të mbrujtur nga Partia dhe të  farkëtuar  nën  kudhrën e klasës  punëtore  dhe fshatare: “njeriu muskuloz  dhe stakanovist” që  vigjëllon  ditë e natë për të mbrojtur  fitoret dhe atdheun nga armiqtë. Në veprat  letrare  temat  ekzistenciale dhe metafizike  si, bie fjala,  ndjenja e shtypjes dhe e pasigurisë së përditshme  ishin të ndaluara. Madje  edhe fjalët “dashuri”, “vdekje”, “errësirë”, “ngricë”, “ankth”  quheshin si të  rrezikshme. Ata që  guxuan  të thyenin “heshtjen e rëndë” që kishte  shuar  kujtesën  dhe  ëndrrat për liri, e paguan  shtrenjtë.  Vlera  e një vepre  matej me  forcën e saj për t’i  shërbyer partisë, masave dhe socializmit  real.  Parulla e “realizmit socialist” ishte  “Poeti duhet të jetë syri, veshi dhe zëri i klasës”,  parullë kjo që  s’do mend, buronte  nga letërsia mëmë  e Bashkimit Sovjetik.
                              
Terrori i vazhdueshëm  dhe sistematik  i regjimit lidhur me njerëzit e kulturës  mbyti  hapësirat dhe energjinë e Fjalës. Mbi skenën e përgjakur të  poezisë  shqiptare  luhej  tragjedia  më e  zymtë e kohës. Para  kësaj tragjedie njerëzore, kësaj shtypjeje të vazhdueshme, për të mbijetuar  shpirtërisht  dhe artistikisht poetët e kthyen  vështrimin nga  traditat dhe  poezia  e së kaluarës. Kështu  limfa e frymëzimit të tyre u bë  tradita  gojore dhe epika. Për  t’i shpëtuar  censurës, Haliti i drejtohet  mitit dhe  alegorisë  për  t’u shprehur.  Fjala e tij i fundos  rrënjët në mitin  klasik  greko-latin për ta  rilexuar realitetin; poezia e tij u bë  gati  një lojë  përrallash ku  ndërthuren realja dhe surealja. Po  censorët e regjimit vigjëllojnë, nuk lejojnë që t’i  kapësh  në befasi dhe e ndalin  në kohë  poetin  kryengritës.

Makina  inkuizitore  e Hoxhës  praktikonte me mijëra  forma të ndryshme  për të  shqyer “armiqtë  e kombit” dhe të  komunizmit. Syrit  vigjëllues të rojtarëve të regjimit s’u shpëtonte  asgjë. Me dhjetëra  poetë dhe shkrimtarë u larguan, u dërguan në  periferi apo  në fshat  për riedukimin ideor. Disa u burgosën dhe librat e tyre  u ndaluan. Lista e poetëve të persekutuar nga regjimi është e gjatë  dhe tragjike.

Milicitë  e Enver Hoxhës  kontrollonin  çdo  qoshe të jetës kulturore të vendit. Për  diktatorin, shkrimtari  ishte  thjesht një  vegël  në dorë të partisë për edukimin komunist të popullit, dora  e djathtë e pushtetit; për këtë pohohej se në Shqipëri, letërsia  kishte lindur më 1941 me themelimin  e Partisë Komuniste. Marksizmi  u bë  parimi i vetëm  estetik i poezisë dhe i artit.

Poetit  Haliti iu hoq  e drejta  për të botuar  për 15 vjet  me radhë: e dërguan në fshat për t’u  riedukuar si  njeri i padëshiruar  nga Partia.

Vite me radhë, ndonëse është profesori i italishtes dhe i frëngjishtes, punon pas qerres së tërhequr  nga qetë në  kooperativën  bujqësore  shtetërore në  Fiershegan, provincë  e Lushnjes. Askush  nga punëtorët  dhe fshatarët s’mund t’ia drejtonte  fjalën  se Partia e quante “reaksionar”. 

Preteksti  për ta goditur  poetin e Lushnjës  qe poema  «Il «Dielli dhe rrëkerrat», botuar  për herë të parë më 16 dhjetor 1972 në të përjavshmen  «Zëri i rinisë». Dalja e saj në gazetë  shkaktoi  rrëmujë midis drejtuesve  të lartë të partisë së  Punës së Shqipërisë. Ata  organizuan  mbledhje dhe debate  publike në të  cilat, qoftë poema, qoftë  autori, u  kritikuan  ashpër. Sipas  censurës,  “Dielli dhe rrëkerat » ishte  fryt  i një turbullimi ideologjik dhe politik i poetit që  shtrembëronte  realitetin  socialist dhe rolin e partisë  duke prishur  kështu unitetin e saj  me popullin. Vargjet e para të poemës «Dielli dhe rrëkerat», «Ndërsa qielli i atdheut tim /është i kaltër, optimist / Çatia e shtëpisë sime është qaraman», u bënë  një pretekst për të sulmuar dhe denoncuar autoren. Haliti kishte  guxuar  tepër. Me një  guxim të padëgjuar  fton  popullin  t’ia  thyejë “dhëmbët  buroktacisë”: Citoj:«Urdhër, / me grushtin e klasës punëtore/ thyejani dhëmbët burokracisë!» Komunistët e akuzojnë se është  një poet  rebel dhe anarkist, ndërsa  kritikët  shtetërorë afrojnë  tekstet e tij me ato të artit të sëmurë dhe dekadent të perëndimit. Haliti bëhet  një  çështje kombëtare. Në  vend  organizohen mbledhje  për të  denoncuar  poemën. Anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve ndahen në dysh: ata që admirojnë vargjet e poetit dhe ata që nuk  i miratojnë. Një grup  nxënësish  të liceut të qytetit të tij të lindjes, Lushnjes, boton një artikull denoncues  mbi  gazetën «La scintilla» (Shkëndija),  organ i  Partisë së Punës  së Shqipërisë. Të  vetmet  studentë  që  mbrojtën  me guxim  “Diellin dhe  rrëkerat”  qenë  Fatbardh  Rustemi, Tahsin  Xh.Demiraj etj. Tahsini, nga 74 në  89-ën  qe  regjizor  pranë teatrit  të qytetit të Lushnjes po e pushuan me urdhër të Partisë . 15 vjet me radhë punoi në një  ndërmarrje  të Durrësit  që prodhonte  materiale plastike.

Në një  letër  Rustemi  iu drejtua  Enver  Hoxhës  për të protestuar kundër  dënimit të poetit  Haliti;  Xhaferri, për ta  mbrojtur  poemën e tij, rrezikoi  përjashtimin nga  gjimnazi. Për ta  sulmuar  poetin tridhjetegjashtëvjeçar  të Lushnjes mobilizohen edhe forcat e rendit publik: kuestori i  qytetit Zija Koçiu    botoi një artikull mbi gazetën e partisë së diktatorit «Zëri i popullit» ku  denonconte  «veprën  reaksionare» të  bashkëqytetarit të vet.

Jehona e kësaj  ngjarjeje u shpërnda  në tërë  vendin.  Ranë si rrëke kritika  dhe denoncime nga qytete të ndryshme. Për ngjarjen  u fol edhe jashtë Shqipërisë.
Në Paris  më 1974, revista tremujore “Koha  jonë” e botoi poemën  “Dielli dhe rrëkerat” dhe, njëkohësisht, e dënoi  fushatën  denigruese të Partisë Komuniste të  Shqipërisë  kundrejt poetit  Haliti. Një vit  më vonë  në Romë, Ernest Koliqi, në revistën që drejtonte  “Shejzat” pohon se “zëri i Halitit ka qenë mbytur nga  Partia”.

Megjithatë poeti rebel  i Lushnjës  nuk  pushon së shkruari. Me  po atë guxim boton edhe tekste  të tjera  kundër  burokracisë dhe po aq të egër: «Il figliodel segretario» (Djali i sekretarit), «Io e la burocrazia» (Unë dhe  burokracia  «Edipio» , (Edipi)  e të tjerë.

Tekstet e Halitit  bëhen  objekt diskutimi, madje edhe në  Olimpin e Partisë. Më 1973, Fiqrete Shehu, gruaja e kryeministrit Mehmet Shehu kritikon  poezinë Vetëshërbim duke e përkufizuar  si “një  poezi  që s’ka  të bëjë  fare me artin  revolucionar”. Një vit më vonë, në revistën Rruga e Partisë ajo shprehet kundër poezisë  «Njeriu me kobure».
Në vitet e ardhshme vepra e Halitit do të  censurohet  gjithnjë. Partia  do t’ia  heqë  të drejtën e botimit dhe do ta  dërgojë  të punojë në fusha. Më 1985, pas  15 vjetësh  heshtjeje të detyruar, ai shfaqet  përsëri  në skenën e  kulturës  me përmbledhjen «Messaggi di campagne» (Mesazhe  fushe).  

Dënimi i gjatë me heshtje ka rënduar shumë mbi të ardhjen e tij dhe  fatin  e poezisë së tij.  Paraqitja e librit   të ri ngjet  në teatrin e qytetit. Duhet të ishte  festë  për poetin, përkundrazi qe edhe një herë  një proces i vërtetë. Më  kujtohet  si  sot ajo  mbasdite. Në  paraqitjen  merrte pjesë sekretari i Partisë së Punës, Rudi Monari,  i cili bashkë me “pseudo-poetin” N.Nezha, e talli mirë e mirë poetin  dhe librin e tij  të ri.  Tekstet që  kemi  zgjedhur  për lexuesin  përmbledhin  gjithçka më të mirë  nga poeti që shkon  nga libri i parë “Sot” (Oggi) 1969 deri në përmbledhjen (Se n’è andato) “Iku” 2004.

Zgjedhja për t’ia paraqitur  këtë poet  lexuesit italian  s’është e rastit, po bën pjesë  në një mision kulturor të saktë, atë  për të ndërtuar  kujtesën  historike dhe  kulturore të Shqipërisë sime,  si pjesë  integruese të kujtesës së kulturës evropiane.

Faslli Haliti dhe Besnik Mustafaj «Leggenda della mia nascita», (Legjenda e lindjes  sime), Edizione Ensemble 2012 nën kujdesin  e të nënshkruarit dhe e përkthyer po prej tij) bëjnë pjesë ndër ata  poetë që  ndonëse jetojnë  dhe shkruajnë  nën normën e  realizmit socialist kanë  arritur të krijojnë vlera letrare  me rëndësi  ndërkombëtare që   Qëndruan  edhe pas  shembjes së diktaturës së Enver Hoxhës, një nga  regjimet  më gjakatare  dhe të pamëshirshme  të Europës së shekullit të  kaluar.

***
10 KOMENTE

PËR POEZITË E LIBRIT «POEZI TË ZGJEDHURA» TË POETIT FASLLI HALITI BOTUAR NGA SHTEPIA BOTUESE EdilLet, ROME,
1.PAOLO STATUTI (përkthyes)
Duke lexuar poezitë e Faslli Halitit më duket sikur poeti të më vinte fjalët e tij, më ngjan sikur një sufler nga gropa e skenës të më sugjeronte llojin e poezisë që dua më shumë…

2. GEORGINA BUSCA GERNETTI
«Sythi shkrin borën me zjarrin e lules»
Ky varg ilustron imazhet e mrekullueshme të një natyre të afërt me shpirtin e poetit Faslli Haliti, e pikturon në paraqitjen e stinëve në të cilat, ai i përshkruan, pothuajse në lëvizje, shpërthimin e beftë të sythave që çelin lule dhe rritjen e degëzave dhe çdo metamorfoze tjetër të vegjetacionit. Të magjeps e të mallëngjen imazhi e fëmijës që admiron hënën e plotë në qendër të një reje të bardhë e, naivisht, mendon për vezën, me të cilën në atë kohë të vështirë, do të dëshironte të shuante urinë.
Poezi e vërtetë, kjo e Faslli Halitit.

3. MARIANO MENNA
Kam çmuar veçanërisht poezitë e Faslli Haliti dhe, shpresoj të mos jem tepër provokues duke theksuar se poetët shqiptarë që kam pasur mundësinë t’i njoh deri tani (Haliti e Hajdari) më kanë prekur më tepër se shumë poetë italian bashkëkohor.
Një “faleminderit” të përzemërt Giorgio Linguaglossas.

4. GIUSEPPINA DI LEO

Vërtet, unë pyes veten, sa e tmerrshme është kjo censurë mase jona që obligon poetët të shkruajnë dhe të botojnë prodhimet e tyre.”
Shumë të hidhur, Xhorxho, kjo konsideratë jotja, por krejtësisht e vërtetë. Gërshëra ekzistuese midis një prodhimi të madh poetësh të padukshëm dhe kritikës drejtuar zakonisht të shquarve, sigurisht jo të prirur në favor të të parëve.
Po eksperimentojmë një “censurë masive” dhe ti Xhorxho e thua se, në një vend, kushtuar një poeti i cili ka eksperimentuar në veten e tij izolimin, në një regjim totalitar.
Por në fakt do duhej të reflektonim të gjithë për shkallën e manipulimit, zbatuar nga shoqëria jonë e qetë demokratizuese, teknologjikisht e përparuar.

5. LETIZIA LION
Njohja ime, për poetët e shkrimtarët shqiptarë pasurohet me këtë personalitet të rëndësishëm, që të tre, së bashku me Gëzim Hajdarin (dhe në saj të tij) edhe me Ismail Kadarenë. Kjo më bën të mendoj se sa i denjë është projekti i Hajdarit për rikuperimin, dhe përhapjen e kujtesës- historike letrare dhe vlerës së saj të fortë politike duke pasur parasysh se Shqipëria është vrima e zezë në hartën letrare të Evropës.
Po flisnim ditë më parë për aksin Veri-Jug, në poezi dhe atëherë më erdhi në mend sa do të thellohej boshti tjetër, ai lindje-perëndim (Linguaglossa mund të na shkruajë një libër të mirë për këtë); mendoj për konsideratën që ka pasur intelektuali dhe poeti përtej “perdes së hekurt”, për forcën e ndikimit të rolit të tij në shoqëri, pikërisht në çastin në të cilin shtypet dhe detyrohet të heshtë; dhe në të kundërtën për rolin e tij sot, në shoqëritë ultraliberale, për poetët e padukshëm, për «vdekjet e panumërta, «vdekjet e bardha» televizive dhe mediatike të intelektualëve të shfuqizuar deri sa u bënë thashethemexhinj të orës së, «tregues» historish…
Por duke iu kthyer poezisë së vërtetë dhe intensive të Faslli Halitit, kaq e qartë dhe origjinale në metaforat, është tashmë poezi, vetë imazhi i këtij njeriu prapa parmendës, për pesëmbëdhjetë vjet! Prekëse historia e tij.
Të kemi parasysh, gjithashtu faktin, jo të parëndësishëm, se jemi duke lexuar vargje në përkthim dhe të gjymtuara, pra, nga akustika dhe muzikaliteti i tyre (si të shijosh vetëm një solo nga partitura ) kam parë grafinë e bukur të gjuhës shqipe, si dhe thurjen e disa vargjeve ku kuptohet me intuitë një punë prozodike prej shumë fjalëve të tilla që rendin njëra pas tjetrës dhe i thërrasin njëra-tjetrës… një gjuhë që është, pothuaj, një qëndismë, me shkronjat me pika të alfabetit të saj të ndritur.

6. G. LINGUAGLOSSA

Unë mendoj shumë thjesht që nëse pas 15 vjet pune të detyruar, për të shtyrë një plug pas qeve, njeriu arrin të mbijetojë, mirë atëherë, do të thotë se është njeri. Faslli Hliti ka demonstruar se është një njeri për të qenë, dhe një poet i vërtetë (në krahasim me letrarët italianë që bëjnë poezi, profesionalisht korrekte, por dhe profesionalisht të padobishme).
Siç shkruante Osip Mandelstam: «para se të jesh poet duhet të jesh qytetar. Por, le të pyesim, sa prej atyre të cilët, këtu te ne, shkruajnë poezi në revista prestigjioze, mund të përkufizohen «poet»?

7. ANTONIO SAGREDO

Poeti Faslli Haliti – mbase, si i ri entuziast – duhej ta kishte dalluar shpejt poetin-tribun dhe estet, nga poeti fanfarë, të cilin nuk i pëlqente as mikut të tij Pasternak. Nuk e di nëse Haliti ka lexuar se çfarë shkruante Ripellino (i plagosur nga ky poet në rininë e tij të hershme), mbi poetin, si për shembull ) ” Majakovski dhe teatri rus i avant-gardës”; që nga faqja e parë sllavisti (kështu e quanin, atëherë, poetin) hidhet kundër korbit, lepurit, tradhtarit që duan të na bindin se poeti qe «një lloj akademiku i shpëlarë… një prift i realizmit, një seminarist i lodhshëm, pedant, i zbërdhulët…» me qëllim që ta bënin skllav të kauzës së tyre.
Asgjë nga këto! – Por nuk jam unë mësuesi i Halitit: ai e ka bërë dhe e bën atë që di dhe i pëlqen të bëjë apo ndien të bëjë. Mund të them nga sa është publikuar këtu se në vargje dallohen pasazhe majakovskiane, nga ato të Eseninit, por na duhet përulësi studiuesi për ta thënë këtë. Poeti Haliti ka ripershkuar rrugën e shumë poetëve të tjerë që, në shembullin e atyre të dikurshmëve që kanë pësuar ngacmime dhe goditje të pajustifikuara dhe pra, është i vetëdijshëm se ç’duhet pritur! Nderim, pra për këta poetë duke ditur mirë se, rrethana të ngjashme në të ardhmen presin poetë të tjetër… në provë!
Sipas miqve të atëhershëm të sllavistit Ripellino: Asevi, Burljuku, Krucenychi, Kamenskij, Pasternàku…, Majakovskij «konsiderohej nga këta, një nga mjeshtrit e poezi, më bujari dhe më i ndershmi prej kalorësve të luftës sonë poetike» .
Majakovski dhe Esenini pushuan në kohë, në një «socializëm me fytyrë njerëzore» duke- flakur në hithra shumë prej besimit të tyre. E dimë që secili e pagoi me jetë, dhe me farsën e vetëvrasjeve të rreme !
Poeti Majakovskij. në radhë të parë gjatë revolucionit mbrojti me vendosmëri miqtë e cirkut me të cilët punonte, të cilët talleshin me ironi dhe parodi me mikroborgjezët e rinj filistenj sovjetikë, në numrat e tyre të cirkut dhe publiku argëtohej; Policia arriti deri aty sa vrau edhe një kloun gjatë shfaqjes… Publiku pandehu se ishte një nga numrat e shfaqjes … por i vdekuri ishte një aktor që vdiq me të vërtetë!; një paralajmërim ky, për atë që do të ndodhte, pak më pas, me të gjithë poetët, shkrimtarët dhe artistët të cilët nuk u rreshtuan … Kështu u ngjau edhe epigoneve të tyre në dekada, më shumë ose më pak të mëdhenj.

8. SALVATORE MARTINO

Falënderoj revistën l’Ombra që më njohu me këtë poet të jashtëzakonshëm i cili fatkeqësisht ishte i panjohur për mua. E kuptoj druajtjen, terrorin që vargje të tillë mund të zgjojnin në nomenklaturën komuniste shqiptare që ka qenë më e ashpër dhe më e verbrër, madje edhe më e ashpër se ajo Sovjetike. Midis shumë vargjeve të paharrueshëm, dua t’ju kujtoj së paku të mbani mend:
Lojë madhështore midis objekteve të përditshme dhe metafizikes hënë, ngrënë nga nata, kjo përpjekje për të arritur të pamundurën për të mbijetuar në realitetin dhe në ankthin shpirtëror. Madje edhe në përkthim nga një gjuhë, nuk është e ngjashme saktësisht, me tonën, na arri parfumi i padyshimtë i muzikës. Poezi e ëmbël dhe po aq e dhunshme, siç dinë të japin vetëm të Mëdhenjtë. Natyra, fshati, zogjtë, lulet e zeza, të vetmet që natyra nuk i ka, lidhjet e gjakut,fëmijë të cilët i besojnë përrallës së avullit të bukës; flamujt që në një fantazi surreale ndalen në vdekjen e babait të tij. Dhe pastaj kjo hapje e jashtëzakonshme i poezisë s tij: ” Unë mësuesi i fshatit”: ku imazhet dhe mendimi gjenerojnë një qark të shkurtër emocional abstragimesh dhe konkretizimesh, një kommos, ku balta, çizmet dhe, sidomos gjurmët e këmbëve që mbeten prapa, tregojnë një ëndërr të dëshpëruar e cila fshin kujtimin e poetit duke i besuar vetëm impresionin e shenjës në rrugë .

17 prill 2014

9. GIORGIO LINGUAGLOSSA

E pabesueshme vërtetë rezistenca e poetit të fushës me ngacmimet e censurës së regjimit, një shembull i pakrahasueshëm për ne që nuk jemi goditur, nga asnjë censurë, madje, jemi inkurajuar që të botojmë çfarëdo gjëje që na qëllon të shkruajmë, çfarëdo copë letre me disa fjalë të çastit të shkruara sipër, Sa e tmerrshme është vërtetë, pyes veten, kjo censura jonë e masës që detyron poetët të shkruajnë e të botojnë gjërat e veta!
Kur ju lexoni poezitë e një poeti të rangut, për herë të parë, kështu që, papritmas, kapeni si prej një mungesë të lehtë ajri. Por nuk është ajri që mungon, është si të marrësh një goditje nga bombola e oksigjenit dhe thith një gllënjkë ajër: ndjehesh i plotë, i fuqishëm dhe pak i shtangur, i dehur. Ky është efekti i oksigjenit të tepërt, mushkëritë tona dhe truri ynë nuk ishin mësuar me oksigjen të pastër dhe ata e marrin si një kundërgoditje, dehje. Një gjë e ngjashme më ndodh me mua me leximin e poezive të Faslli Haliti, ishte si i dehur me dy shishe verë të kuqe Brunello di Montalcino. Jam ende i habitur nga ajo penallti në trajtimin e imazheve dhe fjalëve, për atë besnikëri pa kompromis ndaj së bukurës dhe zgjuarsisë e thjeshtësisë së çiltër të gjërave, madje edhe të atyre të tmerrshmeve. mjaftojnë këto poezi për të afirmuar se Faslli Haliti është një poet i madh.

18 prill 2014

10. Prof. Dr. KLARA KODRA
Duke përkthyer këto komente të kolegëve italianë më lindi ideja që ta jap edhe vetë mendimin tim.
Unë kam pasur fatin ta njoh poetin Haliti që në vëllimin e tij të parë “Sot” me të cilin ai spikaste me zërin e vet të veçantë, midis korit të poetëve të rinj të pasluftës (të cilët mbetën në hije nga treshja Kadare-Agolli-Arapi), me freskinë e detajeve, muzikalitetin, përdorimin e sinestezive befasuese, me konçizitetin dhe mprehtësinë e realizmit.
Po edhe vetë Kadareja e përshëndeti në atë kohë poetin e ri si origjinal dhe jokonformist.
Ndërsa Agolli ka pohuar tani vonë se “Haliti na ka çuditur dje në socializëm, na çudit edhe sot në kapitalizëm” dhe shton se “poezia e tij nuk ka firo”, kurse M.Zeqo thotë në një shkrim të vetin Faslli Haliti, poezia që nuk vdes.
I uroj poetit që me këtë vëllim të përkthyer rrjedhshëm dhe qartë nga Gëzim Hajdari të komunikojë ndjeshëm me publikun italian.

Përgatiti dhe përktheu: Prof. Dr. Klara Kodra

PLUS

KATER KOMENTE PARA BOTIMIT TE LIBRIT:

Revista “L’Ombra delle Parole” botoi një cikël me poezi të zgjedhura nga krijimtaria ime(FH).
Autorët e 4 komenteve:
Salvatore Martino, Giuseppina Di Leo dhe dy komente nga George Linguaglossa, për poezitë e mia të zgjedhura, përkthyer e redaktuar nga poeti i shquar Gëzim Hajdari

1. Salvatore Martino

Falënderoj revistën l’Ombra që më njohu me këtë poet të jashtëzakonshëm i cili fatkeqësisht ishte i panjohur për mua. E kuptoj druajtjen, terrorin që vargje të tillë mund të zgjojnin në nomenklaturën komuniste shqiptare që ka qenë më e ashpër dhe më e verbrër, madje edhe më e ashpër se ajo Sovjetike. Midis shumë vargjeve të paharrueshëm, dua t’ju kujtoj së paku të mbani mend:

Avevo fame
tendevo le mani per spezzarne un boccone,
ma la luna veniva mangiata dalle notti
ed io non riuscivo ad averla !
Lojë madhështore midis objekteve të përditshme dhe metafizikes hënë, ngrënë nga nata, kjo përpjekje për të arritur të pamundurën për të mbijetuar në realitetin dhe në ankthin shpirtëror. Madje edhe në përkthim nga një gjuhë, nuk është e ngjashme saktësisht, me tonën, na arri parfumi i padyshimtë i muzikës. Poezi e ëmbël dhe po aq e dhunshme, siç dinë të japin vetëm të Mëdhenjtë. Natyra, fshati, zogjtë, lulet e zeza, të vetmet që natyra nuk i ka, lidhjet e gjakut,fëmijë të cilët i besojnë përrallës së avullit të bukës; flamujt që në një fantazi surreale ndalen në vdekjen e babait të tij. Dhe pastaj kjo hapje e jashtëzakonshme i poezisë s tij: ” Unë mësuesi i fshatit”:

Affronto il fango della strada.
I miei stivali vi sprofondano.
Dietro
Restano le mie orme,
Impresse nella memoria della strada,
Orme di stivali di gomma di Durazzo.

ku imazhet dhe mendimi gjenerojnë një qark të shkurtër emocional abstragimesh dhe konkretizimesh, një kommos, ku balta, çizmet dhe, sidomos gjurmët e këmbëve që mbeten prapa, tregojnë një ëndërr të dëshpëruar e cila fshin kujtimin e poetit duke i besuar vetëm impresionin e shenjës në rrugë .

17 prill 2014

2. Giuseppina Di Leo

Vërtet, unë pyes veten, sa e tmerrshme është kjo censurë mase jona që obligon poetët të shkruajnë dhe të botojnë prodhimet e tyre.”
Shumë të hidhur, Xhorxho, kjo konsideratë jotja, por krejtësisht e vërtetë. Gërshëra ekzistuese midis një prodhimi të madh poetësh të padukshëm dhe kritikës drejtuar zakonisht të shquarve, sigurisht jo të prirur në favor të të parëve.
Po eksperimentojmë një “censurë masive” dhe ti Xhorxho e thua se, në një vend, kushtuar një poeti i cili ka eksperimentuar në veten e tij izolimin, në një regjim totalitar.
Por në fakt do duhej të reflektonim të gjithë për shkallën e manipulimit, zbatuar nga shoqëria jonë e qetë demokratizuese, teknologjikisht e përparuar.

3. George Linguaglossa
(prof. poet dhe një ndër kritikët e mëdhenj të poezisë italiane)

Ju falënderoj, Gëzim Hajdari që bëtë të njohim këtë poet të jashtëzakonshëm, këtë Eesenin shqiptar, me lirikën e tij të pastër dhe të mprehtë si një meteor, të matur dhe të vërtetë, që ngrihet nga fakti i zhveshur i përditshëm i urisë së fëmijëve në metafizikën e ëndrrës.
E pabesueshme vërtetë rezistenca e poetit të fushës me ngacmimet e censurës së regjimit, një shembull i pakrahasueshëm për ne që nuk jemi goditur, nga asnjë censurë, madje, jemi inkurajuar që të botojmë çfarëdo gjëje që na qëllon të shkruajmë, çfarëdo copë letre me disa fjalë të çastit të shkruara sipër,
Sa e tmerrshme është vërtetë, pyes veten, kjo censura jonë e masës që detyron poetët të shkruajnë e të botojnë gjërat e veta!

18 prill 2014

4. George Linguaglossa (7 qershor 2014)

Kur ju lexoni poezitë e një poeti të rangut, për herë të parë, kështu që, papritmas, kapeni si prej një mungesë të lehtë ajri. Por nuk është ajri që mungon, është si të marrësh një goditje nga bombola e oksigjenit dhe thith një gllënjkë ajër: ndjehesh i plotë, i fuqishëm dhe pak i shtangur, i dehur. Ky është efekti i oksigjenit të tepërt, mushkëritë tona dhe truri ynë nuk ishin mësuar me oksigjen të pastër dhe ata e marrin si një kundërgoditje, dehje. Një gjë e ngjashme më ndodh me mua me leximin e poezive të Faslli Haliti, ishte si të isha i dehur me dy shishe verë të kuqe Brunello di Montalcino. Jam ende i habitur nga ajo penallti në trajtimin e imazheve dhe fjalëve, për atë besnikëri pa kompromis ndaj së bukurës dhe zgjuarsisë e thjeshtësisë së çiltër të gjërave, madje edhe të atyre të tmerrshmeve. mjaftojnë këto poezi për të afirmuar se Faslli Haliti është një poet madhe.
Përktheu : Klara KODRA
*


PARATHËNIA 
e librit shkruar nga 
Gëzim Hajdari
NE FOTO: Nga e djathta: Gezim Hajdari, Faslli Haliti, Jozef Radi che Dine Dine(Foto-Kortezi Jozef Radi)

Filed Under: ESSE Tagged With: botohet ne Rome, Faslli Haliti, nga Gezim Hajdari, parathenia

Tania Grossinger 1937-2015

July 22, 2015 by dgreca

Tania Grossinger 1937-2015/
by Sergio Bitici/
It is with great sorrow that I note the passing of our dear family friend Tania Grossinger on July 19, 2015.
Tania was an author of numerous books, a member of the American Society of Journalists and Authors, a freelance writer and public relations consultant. She appeared on many TV and radio shows, such as the Today Show, Good Morning America, 20/20 and others. What is not widely known is that Tania appeared on ethnic Albanian radio in NYC and wrote articles in Dielli and Liria, Albanian-American newspapers. Tania also visited Albania as a travel writer to welcome democracy, shortly following the fall of communism. Albania and Kosovo have lost a great supporter and activist and will be missed by my family and me. I had the pleasure of acquainting her with numerous Albanian political and social figures, including: the former late President of Kosovo Ibrahim Rugova, Anthony Athanas, Papas Antonio Bellusci, Tahir Kerrnaja and Ekrem Bardha among others.

My family and I first met Tania over 35 years ago, when she worked for us as our public relations agent. Despite our differing political views – she was a staunch liberal and I am a conservative – we had a mutual respect for one another. She was one of my best advisers and a family friend, who kept me informed on all matters restaurant-related, as well as news on Albania or Italy that occasionally slipped by me. We took the attached photo on May 10th during a lunch at my restaurant; it is likely the last picture she took before she became ill of heart disease.

As I write this, I can only imagine that she would have had made many corrections to this remembrance (she always edited my published work or advertisings). At the same time, I know she would have appreciated the kind words. We will miss her and she will always be in our thoughts and hearts.

Sergio Bitici
July 20, 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: by Sergio Bitici, Tania Gossinger

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT