• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2015

Martin Schulz takon Ramen dhe Presidentin Nishani

July 13, 2015 by dgreca

TIRANË, 13 Korrik/– Kryeministri Edi Rama priti të hënën pasdite në një takim Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Rama ripërsëriti në një prononcim pas këtij takimi edhe një herë zotimin e mazhorancës për të përfunduar në vjeshtë reformën në drejtësi.
“Folëm për sfidat që ka vendi, ku kryesfida është reforma në drejtësi dhe ne këtë kryesfidë do ta kalojmë në vjeshtë”, tha Rama.Kreu i qeverisë shtoi se, kjo reformë shërben për ta transformuar një herë e përgjithmonë Shqiperinë, për ta kthyer në një vend të gatshëm për t’u bërë pjesë e BE.
Ndërsa kreu i PE, Schulz, theksoi se ishte kënaqësi që mbajti premtimin e bërë për të ardhur për herë të parë në Tiranë.
“U nisa sot në mëngjes nga Mynihu vetëm pak minuta pasi u arrit marrëveshja në Bruksel me Greqinë”, tha Schulz, i cili shtoi se, “me anë të kësaj marrëveshje u arrit të shmanget një krizë edhe më e thellë e BE”.
Schulz theksoi se, “ky është një lajm i mirë, pasi kriza do të prekte edhe Shqipërinë dhe është lajm i mirë për të gjithë BE-në, pasi tashmë mund të vazhdojmë punën për të hartuar një paketë tjetër për Greqinë dhe për të ecur përpara”.
“Pata një shkembim të hapur dhe të mirë me z. Kryeminsitër dhe ramë dakord për çdo gjë”, tha Schulz, i cili vlerësoi rolin konstruktiv që luan Shqipëria në rajon dhe në veçanti ai falenderoi Kryeministrin për rolin që luan qeveria e tij në këtë fushë.
Po ashtu, Schulz falenderoi Kryeministrin Rama dhe Shqipërinë për mbështetjen tepër të qartë që i ka dhënë BE-së për marrëdheniet me Rusinë, ku Shqipëria ka mbajtur të njëjtën linjë si ajo e BE. Gjithashtu, Schulz ka falenderuar Kryeministrin Rama edhe për transformimin që i ka bërë Kryeministrisë duke treguar se është një njer i artit dhe që e vlerëson shumë artin

Presidenti Nishani priti Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz/

TIRANË, 13 Korrik/ -Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot dhe zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz.
Presidenti Nishani uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite të Presidentit Schulz në Tiranë, duke përkuar me një moment të rëndësishëm si për BE-në, ashtu edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pasi përcolli përgëzimet për marrëveshjen e arritur sot në mëngjes me Greqinë, Kreu i Shtetit u ndal gjerësisht në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.
Presidenti Nishani theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën të vetmen alternativë dhe zgjedhje për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe në këtë kontekst kjo ambicie shërben si një shtysë e fuqishme për realizimin e reformave të thella që nevojiten në të gjitha fushat.
Ai informoi mbi përpjekjet për zbatimin e 5 prioriteteve, duke e u ndalur në veçanti në fushën e zbatimit të ligjit, dhe posaçërisht tek reforma në drejtësi. “Si Kreu i Shtetit dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbetem plotësisht i angazhuar për të bërë çdo përpjekje për realizimin cilësor dhe me ritmin e duhur të kësaj reforme kyçe për vendin”, theksoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu se Bashkimi Evropian dhe procesi i integrimit evropian mbeten mekanizmi më i shkëlqyer garantues për suksesin e reformave të nevojshme për vendin, që nisin me ndërtimin institucional dhe vihen në funksion të konsolidimit të demokracisë në vend.
Duke u ndalur tek zhvillimet në rajon, Presidenti Nishani cilësoi se Ballkani Perëndimor sot është përpara një shansi historik për të ndërtuar mbi mentalitetet e përparuara të shoqërive tona. Dhe në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka një rol kyç në ndërtimin dhe inkurajimin e këtij realiteti pozitiv nëpërmjet proceseve respektive të anëtarësimit.
Presidenti Schulz përcolli vlerësimet për zhvillimin që ka njohur Shqipëria, parë edhe nga këndvështrimi i një qytetari evropian që i ka përjetuar ndryshimet e mëdha historike. Ai theksoi se dy ishin mesazhet që donte të përcillte nëpërmjet kësaj vizite: ndërtimi i demokracisë dhe ripajtimi.
Në këtë kontekst, zoti Schulz veçoi se në rrafshin e brendshëm pret që Shqipëria të shënojë përparim në vendosjen e shtetit ligjor, në të gjithë elementët e tij, përfshirë reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, si dhe në vendosjen e kulture evropiane të dialogut politik. Në kontekstin rajonal Shqipëria vazhdon të luajë një rol shumë pozitiv për ndërtimin e një dialogu konstruktiv e ripajtues. Këto dy elementë do të rrisin besueshmërinë dhe rolin e Shqipërisë si në rajon ashtu edhe në raport me Bashkimin Evropian, dhe Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer për ta arritur këtë.
Presidenti Nishani, duke falënderuar për mesazhet inkurajuese dhe të gjithë mbështetjen që Parlamenti Evropian dhe vetë Presidenti Schulz kanë dhënë në vazhdimësi për Shqipërinë, e siguroi edhe një herë për të gjithë angazhimin e tij personal për t’u fokusuar në agjendën integruese në përgjigje edhe të pritshmërive të mëdha që kanë qytetarët shqiptarë ndaj këtij procesi. Njëkohësisht Kreu i Shtetit shqiptar siguroi se Shqipëria do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe do të vijojë të bashkërendojë politikat e sigurisë me ato të Bashkimit Evropian.

Filed Under: Kronike Tagged With: Rama -Schulz, Takimi

Victoria Nuland, në Tiranë, takime me Nishanin dhe Ramën

July 13, 2015 by dgreca

Ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit për Çështjet Europiane dhe Euro-aziatike, zonja Victoria Nuland, e ka nisur këtë të hënë vizitën e saj zyrtare në Tiranë, në kuadër të turit ballkanik, me takimin me Presidentin Bujar Nishani.
Gjatë takimit u diskutua kryesisht reforma në drejtësi, ku kreu i shtetit shprehu angazhimin dhe nevojën që kjo reformë të jetë cilësore, premtuese dhe gjithpërfshirëse.
“Reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese. Ajo nuk mund të ndahet në politike dhe teknike, pasi sfida kryesore ka qenë gjithmonë e lidhur me procesin e implementimit të ligjeve e reformave, që është përgjegjësi dhe vullnet politik”.
Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe pjesëmarrjen së fundmi të opozitës në komisionin parlamentar të posaçëm për reformën në drejtësi.
Me interes u trajtuan edhe nevoja e bashkëpunimit për parandalimin e shtrirjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe elementet terroristë. Presidenti Nishani evidentoi nismat e ndërmarra për të inkurajuar klerikët e lartë të vendit për të dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim dhe forcuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes njerëzve.
Presidenti shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zhvillimeve në vendin tonë, duke theksuar se, “falë kësaj vëmendjeje, në Shqipëri po avancojnë çështje shumë principiale, që lidhen me reformat, forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe lirisë ekonomike të tregut”.
Presidenti vlerësoi nënshkrimin e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve, duke e konsideruar si tepër të rëndësishme për vendin tonë veçanërisht.
Duke u ndalur në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit theksoi se “Prania dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet jetike, pasi tentativat për destabilizimin e këtij rajoni mbetet një sfidë shumë serioze”.
Shqipëria, – tha Nishani – si pjesë e NATO-s, është tepër e interesuar për të dhënë kontributin e vet në kuadër të Aleancës, duke ruajtur dhe respektuar standardet buxhetore të sanksionuara prej pjesëmarrjes në këtë Aleancë.
Ndërkaq, në orën 15.30, znj. Nuland u takua me kryeministrin Edi Rama, në selinë e qeverisë.
Nga Presidenca dhe Kryeministria pritet të ketë në vijim një njoftim për shtypin mbi temat e diskutuara në këto takime.
Në fillim të turit rajonal, znj.Nuland mori pjesë në “Forumin Kroacia 2015”, në Dubrovnik, nga ku përcolli mesazhe të rëndësishme për Ballkanin.
Ndërsa të shtunën, znj. Nuland u ndal në Srebrenicë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për 20-vjetorin e masakrës së forcave serbe, të cilat vranë mbi tetë mijë burra myslimanë.
Turi vijoi të dielën në Kosovë e Shkup, ndërsa pas Tiranës, zyrtarja e DASH do të udhëtojë drejt vendeve të tjera të rajonit.(SH.K)

NJOFTIM NGA ZYRA E PRESIDENTIT
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë, Nën Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe ato Euroaziatike, zonjën Victoria Nuland, e cila shoqërohej në këtë takim nga Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane për Mbrojtjen, zonja Evelyn Farkas.
Biseda me zyrtaret amerikane, të cilat po zhvillojnë një vizitë në Shqipëri në kuadrin e një turi ballkanit, u përqendrua në çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe ato të sigurisë, zgjedhjet vendore, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët.
Presidenti i Republikës përshëndeti vizitën në Shqipëri dhe rajon të zonjave Nuland dhe Farkas dhe shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zhvillimeve në vendin tonë, duke theksuar se falë kësaj vëmendjeje, në Shqipëri po avancojnë çështje shumë principiale, që lidhen me reformat, forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe lirisë ekonomike të tregut.
Gjithashtu, Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen edhe për Partneritetit Strategjik të nënshkruar pak muaj më parë mes dy vendeve, duke e konsideruar atë një ngjarje tepër të rëndësishme dhe mundësi shumë të madhe për Shqipërinë.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për çështjet e sigurisë. Kreu i shtetit i siguroi zyrtaret amerikane se Shqipëria dhe shqiptarët do të vijojnë të kontribuojnë e të jenë një aleat i besuar i Shteteve të Bashkuara në në kuadrin e NATO-s dhe në përballimin e sfidave rajonale e globale të sigurisë. Duke u ndalur në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit theksoi se “Prania dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet jetike, pasi tentativat për destabilizimin e këtij rajoni mbetet një sfidë shumë serioze.”
Presidenti i Republikës theksoi se: “si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është shumë e interesuar për të kontribuar për sigurinë e vendit dhe të Aleancës, por është gjithashtu e vëmendshme edhe për të respektuar standardet buxhetore të Aleancës”. Kreu i Shtetit garantoi se: “si President i Republikës ai do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në buxhetimin e forcave të armatosura të Shqipërisë konform standardeve të NATO-s, pasi vetëm me një angazhim të përbashkët mund të përballohen sfida të përbashkëta”.
Presidenti Nishani shprehu një vlerësimin të veçantë edhe për kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe misioneve amerikane si ICITAP dhe OPDAT, për ekspertizën e shkëlqyer që kanë sjellë në Shqipëri, por edhe të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për angazhimin e drejtpërdrejtë dhe inkurajimit që i kanë bërë reformës në drejtësi. Kreu i Shtetit theksoi se “reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese. Ajo nuk mund të ndahet në politike dhe teknike, pasi sfida kryesore ka qenë gjithmonë e lidhur me procesin e implementimit të ligjeve e reformave, që është përgjegjësi dhe vullnet politik.”. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe pjesëmarrjen së fundmi të opozitës në komisionin parlamentar ad-hoc për reformën në drejtësi.
Gjatë takimit u bisedua edhe mbi zgjedhjet vendore në Shqipëri, ku Presidenti Nishani theksoi nevojën e leximit me përgjegjësi nga të gjithë aktorët politik të raportit të OSBE/ODIHR-it, për të evidentuar dhe adresuar problematikat reale. Dduke vlerësuar edhe angazhimin e Ambasadorit amerikan në Tiranë, Presidenti i Republikës evidentoi dekriminalizimin si një prej betejave reale të shoqërisë shqiptare. Kreu i Shtetit vuri në dukje se: “dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve publike shqiptare mbetet një prej sfidave shumë e rëndësishme për vendin, pasi përfshirja e elementëve kriminalë në skenën politike dhe institucionet shqiptare përbën një kërcënim real për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare”.
Me interes u trajtuan edhe nevoja e bashkëpunimit me komunitetet lokale për parandalimin e shtrirjes së influencës nga ekstremizmi i dhunshëm dhe elementet terroriste. Presidenti Nishani evidentoi nismat e ndërmarra për të inkurajuar klerikët e lartë të vendit që të japin ndihmesën e tyre në këtë drejtim dhe forcuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes njerëzve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Nuland, presidenti Nishani, Takimi

Ndihmës Sekretarja Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland:THEMELOJENI GJYKATEN SPECIALE!

July 13, 2015 by dgreca

Mustafa-Nuland: Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj
PRISHTINË, 13 Korrik /ATSH-B. Jashari/.- Ndihmës Sekretarja Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, dje pasdite në Prishtinë zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Presidenten e Republikës Atifete Jahjaga, Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, Zëvendëskryeministrin e parë e Ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi dhe me Kryetarin e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu falënderimet e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se për këtë mbështetje të përhershme, Republika e Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse.
Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin Qeverisë së Kosovës për fuqizimin mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.
Komunikata e dërguar nga Kryeministria kosovare thekson se, gjatë takimit u bisedua për proceset aktuale në Kosovë dhe më gjerë. Kryeministri Mustafa dhe Ndihmës Sekretarja Amerikane Nuland biseduan për progresin që po arrihet në Kosovë, zhvillimet në rajon, proceset integruese rajonale dhe euroatlantike, si dhe për progresin në dialogun për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kryeministri Mustafa dhe Ndihmës Sekretarja Nuland biseduan edhe për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe rëndësinë e madhe që ka për Kosovën themelimi i tyre, pasi që kjo dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare si dhe për të ecur përpara në integrimet euroatlantike. Në këtë kontekst, Kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosova do t’i marrë të gjitha obligimet që ka dhe do të ecë sigurt në rrugën e saj drejt të ardhmes euroatlantike.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland edhe për hapat konkretë që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, vlerësoi progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Kosovë-Jahjaga në takim me Nuland: Pres që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe të rendit dhe krijimin e Gjykatës Speciale, sfidat në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane.
Njoftimi i dërguar nga Presidenca kosovare bën të ditur se, Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit dhe qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në veçanti në përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe se pret që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale për t’i adresuar akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe për të shmangur që një hap i tillë të merret nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është e përkushtuar në këtë proces dhe kërkon zbatim konkret të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Ajo tha se shkalla e zbatimit të marrëveshjeve duhet të jetë kushtëzim për rrugën evropiane të Serbisë, e cila edhe më të tutje vazhdon të mbështes strukturat ilegale serbe në Kosovë.
Presidentja Jahjaga theksoi se konsolidimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës është i rëndësishëm dhe vlerësoi se rruga evropiane e saj, sikundër edhe i gjithë rajonit të Ballkanit duhet të jetë e qartë dhe e sigurt, për të mos lejuar ndikime të tjera të jashtme. Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe njëlloj me shtetet e tjera të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane dhe theksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të vendit në përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kushteve në rrugën evropiane.
Nuland-Veseli:Kosova dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pati poashtu takim me Ndihmësen për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit, John Kerry, Victoria Nuland.
Kryetari Veseli falënderoi Nuland për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria amerikane është duke dhënë për Kosovën në avancimin e proceseve politike dhe ekonomike të saj.
Sipas njoftimit zyrtar nga Kuvendi, në takim u theksua nevoja e ecjes përpara të shtetit të Kosovës, në integrimet euroatlantike dhe për këtë Nuland ofroi mbështetjen e plotë të SHBA-së.
Po ashtu Nuland shprehu nevojën që shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese dhe zhvilluese të Kosovës, siç janë procesi i dialogut dhe gjykata speciale.
Duke u ndalur në këtë të fundit, Nuland theksoi se është e nevojshme që Kosova me vendosmëri ta mbyllë këtë kapitull në mënyrë që vendi të ecë përpara, ndërsa kryetari Veseli theksoi se Republika e Kosovës do të kapërcejë këtë sfidë me përgjegjësi shtetërore në partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
Në takim u bisedua edhe për çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si parakusht themelor për të ndërtuar një ambient më kredibil për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Nuland gjithashtu shprehu vlerësimet e Qeverisë amerikane për rolin shumë pozitiv dhe rezultativ që është duke dhënë shteti i Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe ideologjive të tij. Ajo siguroi se edhe në këtë rrafsh mbështetja amerikane për Kosovën do të jetë e plotë.
Thaçi: Kosova dhe SHBA-të kanë partneritet strategjik
Zëvendëskryeministri i parë e Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar:
“U takova me Zëvendës Sekretaren e Shtetit Victoria Nuland për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon përfshi procesin e dialogut në Bruksel, Forcat e Armatosura, krijimin e dhomave të veçanta si dhe zhvillimin ekonomik”.
“Kosova dhe SHBA-të kanë partneritet strategjik bazuar në vlera të përbashkëta”, ka shkruar Thaçi në ‘Facebook’.
Haradinaj: Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të
Edhe Kryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për takimin me Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, ka njofuar në mbrëmë në ‘Facebook’: “Sot, pata nderin të pres në takim, Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland.
Mirënjohje dhe respekt për punën dhe angazhimin e znj. Nuland. Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të”, është shprhur ai.
Nuland intervistë për RTK-në: Më mirë themelojeni vet Gjykatën sesa OKB-ja
Ndihmës sekretarja e shtetit amerikan Victoria Nuland ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të zhgënjyer kur nuk janë votuar ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Spesiales.
Në një intervistë për RTK-në Nuland tha se themelimi i Gjykatës do ta ndihmojë edhe SHBA-në në mënyrë që Kosova të ecë përpara.
“Është shumë me rëndësi që të themelohet Gjykata dhe shpresoj se do të ketë edhe një votim tjetër për këtë para pushimeve verore”, ka thënë Nuland.
Ajo po ashtu ka thënë se nëse Kosova nuk e krijon vet Gjykatën, atë do ta bëjë OKB-ja dhe se marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje
“Ne nuk duam që të ndodhë kjo sepse ne duam që Kosova të ecë përpara me Evropën dhe me neve”, ka thënë Nuland.
Ajo ka folur edhe për korrupsionin si dhe dialogun me Serbinë.
Nuland tha se nëse Kosova dëshiron që të ketë investime nga jashtë atëherë duhet të luftohet korrupsioni.
Zyrtarja amerikane ka folur edhe për terrorizmin ku sipas saj Kosova ka marrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Shtypi: Nuland merr premtime për themelimin e Speciales
“Nuland merr premtime për themelimin e Speciales”, është një nga kryetitujt e shtypit të sotëm të Prishtinës.
“Presidentja Jahjaga, kryeministri Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Veseli, i kanë premtuar ndihmëssekretares amerikane, Victoria Nuland, se Kosova do ta themelojë vetë Gjykatën Speciale”, thekson shtypi i sotëm kosovar.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Jahjaga, Mustafa, ne Prishtine, Ramushi, Thaci, vizita e Nuland

Ç’pamje kishte Vlora në vitet 1940-44?

July 13, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1.Ç’pamje kishin qytetet shqiptare në vitet 1940-44?Afërmendsh më duhet të them se në dimensionet e kohës është një periudhë historike ,por e mbetur ende nën tisin e harresë,mbuluar mjerisht nga një mjegullnajëe çuditshme.Në thelb, ky ishte gjëmimi i shekullit të XX,kumbimi i të cilit të copëtonte shpirtin. Kurrsesi, ky gjëmim,kjo rrapëllimë nuk mundej të kalonte pa i vrarë edhe veshin dhe syrin një krijuesi si Luan Çipi me profesion ekonomist,autor i 9 librave,”Mirënjohje e qytetit të Vlorës”,ky autor sjell një histori të shkurtër të disa qyteteve jugore në periudhën e viteve 40-44,në një këndvështrim krejt ndryshe.Hija e qyteteve shqiptare në vitet” 40 përthyhej me tisin e errtë të kohës.
2.Ndërtimet dhe arkitektura e Vlorës në vitet ’40.Luan Çipi në botimin” Rrëfenja dhe tregime” sjell nga kujtesa e një fëmije 6-7 vjeçarë pasqyrën e qytetit të Flamurit në kohën e luftës së përbotshme. Nga Lagjja Karabash,thotë L.Çipi ku banonim fillimisht me qira, në Muradie ku u mbartem me vonë, apo ne Vrenez, Varosh, Topana, kur shkonim në tëafërt e miq, apo kur shëtisnim me araba me kuaj gjate rruge se Skelës, apo kur me shëtiste babai me veturën e tij Fiat 22 me 7 vende, për deri ne Ujë te Ftohte, nga Qafa e Topit, Pusi Mezinit, ne Narte, apo Kanine. Një rrugë e shkurtër hekurudhore, me platforma tëtërhiqeshin me kuaj, ca kohe, qarkullonte nga Vlora ne Skele dhe zgjatime te tjera kalonin deri ne kripore te Nartës, ndërsa njëtjetër hekurudhe me vagonë dhe lokomotive, lidhte Vlorën me Selenicën, nga sillej bitum për deri ne Portin e Skelës…
Qyteti ipërshkruar nga L.Çipi edhe në foto historike të ruajtur nga dëshmitarë të kësaj periudhe tregojnë fytyrën e qytetit, pak të njohur ,të errtë të historisë. Urbanistika e katër lagjeve të hershme tregon përfund katër kodrave( Qafës së Koçiut,Msovunit,Budakut dhe Kuzumbabasë)shtiriej e banesave qytetare dhe ka njëarsye që shqyrton këtë shtrirje të qytetit detarë.Deti ka qën sundimtar i mjaftë ha tokë.Një gravurë e hershme paraqet kalanë e Skelës në Vlorë,kur deti atëherë kishte nën sundimin e tij, sipërfaqe të tëra toke . Dallgët e detit arrinin deri pranë, ndërkaq anijet nëpërmjet një kanali lundronin për të shkuar drejt ngrehinës ,me një formë piramide .Nga kalaja e Vlorës, sot nuk ruhet asnjë gjurmë mbi tokë, pasi më 1905, gurët e saj u përdorën për të shtruar rrugën Vlorë-Skelë.Urbanistika e një qytetet detar sigurisht që do të pranonte si zgjidhje shtrirje të qytetit larg kërcënimit të detitkështu konstrukti i qytetiut do të gjente vend dhe bazë për të qëndruar larg dihatje dhe zëmërimit të detit.
Ndërkaq ata që kanë jetuar pranë detit ja njohin huqet atij.Ligësia e vetëtimave shpaloste egërsinë e moteve të luftës.
Autori tregon urbanistikën e qytetit ,përbëhej nga banesa qytetare :”I mbaj mend shtepite 2-3 katesh,thotë autori, te qytetit te Vlorës, te vendosura si ne një grope, ne pllajënpërfund kodrave te “Qafes së Koçiut”, “Mesovunit”, “Budakut” dhe “Kuzbabasë” nga njëra ane dhe detit, nga ana tjetër. Duke qene nën nivelin e detit dhe pa sisteme kanalizimesh dhe derdhje shtytëse ujerash, qe me rënien e shirave te pare, qyteti përmbytej dhe gjithë pjesa jugore e perëndimore e tij kthehej ne një liqen te madh e te pafund te lidhur me kënetën e Nartës dhe me detin…përmbytjet e qytetit nuk janë ndalua ndonëse një rrjet inxhinjerik kanalesh ka përshkruar qytetin.Treguesi i një urbanistike jo shumë funksionale.Të dhëna tëtilla u vijnë në ndihmë,edhe arkitektëve dhe urbanistëve të sotëm .
3.Si mund të shfaqej ndryshe një qytetet shqiptar në vitet’ 40?Po madhështia e kulteve në qytet, çfarë shprehte?Me një kthjelltësi gati të habitshme,moshë minore ai shquan nëhorizont,kambanat dhe minaret ,katër Xhami dhe dy Kisha Ortodokse e një Katolike si dhe një duzine godinash komode, të ngritura vitet e fundit kryesisht nga pasanike çifute,thotë autori.Nëse rilindasit kishin një arsye më shumë,që të kërkonin,që në ditët e Lidhjes së Prizrenit, të luftohej ndarja fetare,ku propaganda e këtyre institucioneve,kishte krijuar një tis të hollë me kufij religjoz. Por, që në një farë mënyre u shërbenin atyre shteteve,nga ku drejtoheshin selitë e tyre. Kisha ortodokse e Greqise.Kisha katolike ,Italisë , ,xhamia ,turqëve ,xhonturqëve.Kjo në një farë mënyre kishte krijuar tek shqiptaret një dëshpërim.Përse Zoti nuk ishte me fatin e tyre? Përse i kishte dënuar? Braktisur,po përse? Prej kohësh,zemra,që tundeshin pa energjinë e shpirtit.Aso kohe duke mos gjetur dot,ndonjë formulë,u kërkua nga rilindësit,të kishin një besim. Ky përputhej me interesat e shqiptarëve.Të kundërmonte erë nga parfumosja hyjnore.Sidoqoftë, të posedonte frymën mistike.Por të ishte i tëri shqiptar,i prirë nga shenjtorë shqiptare.Por tharmi i tij ishte:të flisnin gjuhën e mëmësisë së tyre. Ëshët një fakt që në pavarësi klerikët kontribuuan për mëvetësin. Në ato pozicione, njëqind mote më larg në vendstrehimet e dikurshme janë sot, ngrehinat religjioze të qytetit historik.Këto pamje i kemi parë nëpër foto të kohës,por ende nuk dimë mirë kontributin e tyre në dobi të qytetetarëve në vitet ’40.
Të ngulitura në kujtesë shquajnë një pjesë reale një fotografim të shpejtë nga pamja e qytetit të hirtë . Autori më tej si në një film pa zë ,shfaqe banesat e tjera qytetare Shtëpitë e tjera ishin me dy dhe e shumta me tre kate, te ndërtuara me mur guri te gjere, lidhur me balte e traversa druri dhe te mbuluara me tjegulla vendi. Rrugët ishin te ngushta dhe me kalldrëm. Rruga Vlore – Skele ishte gjithashtu me gur dhe çakëll e kufizuar me kanale te hapura, ndërsa paralel me te kalonte një hekurudhe e ngushte, qe përshkohej nga 2-3 vagonë te tërhequr me kuaj. Për distanca të gjata përdoreshin karroca me kuaj dhe shumë pak autovetura e autobusa…
Një album i arkitektit P.Stefa për Vlorën e vjetër kanë ato imazhe ,që ne kemi imagjinuar për banesat karakteristike qytetare tëkohës.Për banesat qytetare vlonjate,studiuesi i fotografisë Qerim Vrioni aty nga viti 2007,në një nga sarajet e vjetra të Vlorajve,hapi një ekspozitë.Shumë prej atyre banesave janë sot monument kulture.Këto banesa ende i rezistojnë kohës. Ndonëse në shumë prej tyre karakatinë,fishkëllen era . Vargmali Shashicës ,që përsëritet vazhdimisht çuditshëm.Qafa që çdo stinë ,ripërtërijnë mbulesën gjelbëroje.Erëra jugore,që çdo stine përcjellin mërzinë.Mjegullat e dendura “sinoptika”e motit ,çdo kohë varen përmbi pikëllimin e detit.Pamjet mëngjesore, me mbrëmje të freskëta. Një këndvështrim për qytetin është si një dritare. Pas qelqeve ndjehet, aroma e detit.Në listën e trashëgimisë Grand hotel”Korça”nuk figuron dhe as si godinë nuk gjendet më në këtët qytet.Ku ishte grand hoteli, cili e ndërtoi,sa shtretër dispononte ai?Autori L.K.Çipi thotë se hoteli u ndërtua në lagjen Muradie,afër xhamisë së madhe dhe bashkisë në fillimin e rrugës kryesore të qytetit ,që nga lindja tëçonte drejt qafës së Koçiut,hotel “Korça” u hap në vitin 1914 kishte 25shtretër,tre kate ,sallë dhe restorant,ishte pronë e I.Çipit ku emrin e mori për shkakun e përpjekjeje patriotike të korçarëve në mbrojtje të republikës së Korçës,kundër aneksimit.Në këtë hotel u strehuan patriotë e luftëtarë,burra shteti si Fan Noli dhe kishin selitë e tyre shumë shoqëri patriotikesi:”Djalëria e Vlorës”,’Bashkimi’,”Opinga’,’Mësuesit e Labërisë’,”Labëria” etj.Luan Çipi sjell në kujtesë një histori që zgjati33 vjet por që u shua me shtetëzimin e tij në vitin 47,dhe ju hoq emri i miratuar nga bashkia Vlorë në vitin 1914.
4.Zënia e luftërave të përbotshme,lufta e parë ,lufta e dytë ,pra ishte më tepër se llaftari.Flamuj shtetesh pollën motet.Regjistrohen, malazezët, francezët, austro-hungarezi, greku, sërbi,italiani,gjermani.Pasqyra e pushtimeve:përveçse sulme e pushtime varre të hapura, morte të rënduar,arkëmorte të rëndë.Fytyra e tyre, pasqyronte :ushtri që infektonin vdekjen.Në këtë babiloni pushtuesish,pushtimet do të klasifikoheshin,përveçse të egra,të përbindshme pushtime.Ata,që janë të pushtuar e dinë se çfarë ngjyre ka në të vërtetë,pushtimi. Sillen për këtë kohë shumë faktorë përcaktues,por lihet në hije,vet tharmi i saj,vullneti i krijuesit tonë.Rrjedhat, që do të shoqërojnë zhvillimet shqiptare kanë edhe dorën e Perëndisë.Ndërkaq kjo nuk predispononte se kombi ynë ishte i zgjedhuri i Perëndisë.Por urën e mbarësisë e qëroi vetë Perëndia.Po përse Zoti i dha këtë dorë mirësie kombit tonë ?Ishim një popull i vuajtur në mes fqinjëve tinzar-pushtues.Nëse ky bekim nuk do të kishte ardhur asnjëherë,a do të kishte jetuar kombi ynë ?Nëse, jetuam është edhe fryma shpirtërore dhe qëndresa e kahershme e jona.Kanë ardhur shumë kombe.Jetuan një pjesë,tek të tjerët zbriti nata. “Shumë kombe janë shuar, por shqiptarët kanë patur uratën e Zotit,që mbenë e kombi ynë,s`ka rënë poshtë.”thotë N.Frashëri. Në fytyrën e tokës shqiptare, shfaqet fryma e një bukurie ballkanase,por me fytyrë mesdhetare,brenda suazës së Europës.Ka parametra gjeografik të mrekullueshëm vendi ynë,por si shfaqen ato në vitete trishta
Autori L.Çipi përshkruan Vlorën qytetin e pushtuar nga italianët.Qyteti imilitarizuarqendër e flotës dhe e aviacionit ushtarak italian u bë i pasigurt.Fillimi i luftës italo-greke është koha kur aviacioni anglez filloi të mitraloj qytetin.Në bregdetin e sotëm të gjiut të Vlorës ende janë gjurmët e një anije spitaliera, që gjendet e fundosur nga bombardimet e aviacionit anglez.Qyteti detar njëkohësisht historik filloi të boshatisej, thotë autori nga popullata.Informatat, që sjell autori L.K.Çipi, shprehin interes.Bombardimet angleze janë përmendur pak si faktorë, që ndikuan për pakësimin e rezistencës pushtuese përmbi popullatën vendase.
Autori Luan.K.Çipi si një historian i vërtetë,por dhe një krijuesi i këndshëm sjell bindshëm duke piktuar historinë e disa qyteteve qyteteve të tjera,fqinje të afrim dhe tëlargët me qytetin e Flamurit në vitet ’40-‘44 si Fieri,Gjirokastra.Këndvështrimi është i thjeshtë.Një fëmijë i vogël i endur në tollovit e viteve ‘40 mes epidemisë së luftës dhe ngjarjeve, që koha sjell pandërprerë.Ndryshe nga fëmijët e tjerë bashkëmoshatarë të tij, autori ka një sy të mprehtë për të vëzhguar ngjarjet dhe për ti rrëfyer, 70 mote më vonënë formën artistike.Ndoshta detaje më të habitshme në lidhje me ngjarjet dhe ky angazhim i sinqertë në librin tij, është për tu vlerësuar.Kadare është njësuar me Gjirokastrën ,pikërishtnga një roman si:“Kronikë në gurë” stili dhe sjella e jetës qytetare në vitet e luftës .Nëse themi: Gjirokastra, na shfaqen përshkrimet e qytetit të gurtë nga dora e një shkrimtarit, tëhuajt që nuk ekanë parë kurrë e përfytyrojnë qytetin e gurtë ,sterrat e tij, banesat e ndërtuara ndryshe,urbanistikën e tij të çuditshme ,përshtatur me terrenin.Luan.K.Çipi ndjek këtë drejtim për të mërritur në destinacion.Ai rrëfen,çfarë ka parë, pornë të vërtetë ato janë fotografime historike,dëshmi autentike,ato tregojnë jetën e një qyteti në kohët e pa rrëfyera , ende të panjohura,siç janë vitet ’40 të shekullit të shkuar.

Filed Under: ESSE Tagged With: 1940-44?, Ç’pamje, Gezim Llojdia, kishte Vlora në vitet, Luan Cipi

In Memoriam

July 13, 2015 by dgreca

PALOK TRABOINI-(Hot, 10 prill 1888 – Shkodër, 14 korrik 1951)/
Mësues, sekretar i Ded Gjo Lulit, flamurtar e luftëtar i Deçiqit, publicist dhe poet./
Palok Traboini ka lindur në prill të vitit 1888 në Traboin të Hotit, në trojet që ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në një familje që i takon fisit Gojçaj. Ka mbetur jetim në moshë të vogël dhe e ëma Nora, gjendur në varfëri, deshi ta çonte në Shkrel tek gjinia e vet, por vojvoda i Traboinit, Dedë Gjo Luli, që kishte mendimin për të shkolluar një njeri nga Hoti, ku të gjithë ishin analfabetë veç priftit, ndërmjetëson dhe e dërgon në Shkodër, në Shkollën Tregtare Italiane, e ku ky vogëlush hotjan do të jetonte në shtëpinë e profesorit zemërmirë Andrea Skanjeti (i vjetri), italian ky i martuar me një vajzë shqiptare, atë bukuri qytetare shkodrane që tashmë të gjithë e njohin si Xhokonda shqiptare, “Motra Tone” e Kolë Arsen Idromenos. Me të mbaruar shkollën në vitin 1908, në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për gjuhësi, siç aspironte, kish arritur të mësonte 5 gjuhë, me ndërmjetësimin e Kolë Idromenos emërohet mësues në shkollën e fretënve. Po këtë vit martohet me vajzën e profesorit të vet, Katrinën, çfarë e afroi familjarisht me rrethin e elitës aristokrate shkodrane, bartëse e kulturës dhe traditave që prej kohës së venecianëve, se Shkodra dihet, ishte një Venecia e vogël, madje e ngjashme edhe nga rrethimi me ujra; tre lumenj e një liqen përreth qytetit që frymëmerrte prej daljes përmes Bunës në det, duke u bërë qendra tregtare ndër më të njohurat në Ballkan. Shërbeu si mësues në Prizren në vitet 1910-11 dhe u gjend në mes të luftëtarëve në Hot kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe, më 24 mars 1911. Dedë Gjo Luli, të cilit i shërbente si sekretar (sipas shkrimeve të Gjush Sheldisë që mbajnë vitin 1959), duke qënë se ishte i vetmi hotjan i shkolluar, njohës i shumë gjuhëve dhe i pari mësues i Malësisë së Madhe, e ngarkon me detyrë të sjellë flamurin kombëtar të porositur muaj më parë nga Kolë Ded Gjo Luli gjatë një vizite që kishte bërë në kancelaritë e oborrit perandorak në Vjenë. Por, disa hotjanë të moshuar, luftëtarë të kryengritjes antiosmane, thonin se flamuri ishte porositur në një punëtori artistike të kryeqytetit perandorak me përkujdesjen e pretendentit si pasardhës i heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut. Ky pretendent për kurorë në Shqipëri që mbante një emër të gjatë aristokratik Juan Alardo Castriota de Perez y Valesco, më herët kishte patur lidhje me Faik Konicën, por më pas shkrimtari ynë e kishte satirizuar thekshëm. Flamuri që solli Palok Traboini është pikërisht ai që njihet si “Flamuri i Dedë Gjo Lulit “ dhe është fiksuar në fotografi nga Kel Marubi me shënimin “Flamuri që u ngrit në Deçiq”. Ai flamur është shpalosur së pari tek Kisha e Traboinit në Hot, dhe luftëtarët …’e ngritën disa herë në Majën e Bratilës, duke i paraprirë kështu shpalljes së pavarësisë e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë me 1912”. (sipas Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, 2002).
Palok Traboini ish mik e bashkëluftëtar me poetin Hilë Mosi, tribunin Luigj Gurakuqi, shkrimtarin e botuesin e shquar Dom Ndoc Nika, me luftëtarë si Prel Keri e Ndoc Deda, i afërt shpirtërisht e familjarisht me Kolë Idromenon, inxhinjerin Zef Skanjeti e Jak Zorbën, koleg me mësuesit Mati Logoreci, Lazër Lymezi, Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Lukë Lukaj, Kolë Laca, Pjetër Pali (mësues ekzekutuar nga diktatura menjëherë pas luftës së dytë botërore) e tjerë.
Ka qënë një prej bashkëpunëtorëve të gazetës “Koha – Bashkimi“, Shkodër 1910, ku gjenden koleksionet e shkrimeve, të cilat bashkë me poemën epike “Lufta e maleve“ për kryengritjen e vitit 1911, përbën krijimtarinë e tij të zbuluar deri më tash, si autor i para pavarësisë. Palok Traboini është bashkëthemelues i Internatit (ose siç quhej në Mirditë ) Konviktit “Mirdita”. Konvikti “Mirdita u themelue në vitin shkollor 1925-1926 në një pjesë të Qelës së Abacisë. Në atë vit shkollor Kolë Dema ishte drejtor, Cin Çapeli dhe Palok Traboini mësues (AQSH, F.586, viti 1930, D.105, f.1).
Veç Oroshit të Mirditës(1925-26) ka qënë mësues në shkollën Franceskane, në Barbullush (1923-1924), në Shirokë( 1930-31), Bërdicë, Bajzë të Kastratit, Hot i Ri, në fshatrat shqiptare në Mal të Zi dhe Traboin të Hotit( 1940-1942).
Është propozuar për t’u dekoruar pas vdekjes nga veteranët kombëtarë të Hotit të Ri, në vitin 1962, si luftëtar për pavarësi, por edhe si i pari mësues i Malësisë së Madhe, por Kuvendi Popullor i atëhershëm e ka lënë në harrim, ashtu siç vazhdojnë ta lënë në harrim edhe sot e kësaj dite shtetarët e kohërave të reja, edhe pse demokracia shumë gjëra i ka rishikuar për të shmangur denigrimet e qëllimshme historike.
Shpirti, idetë e atdhedashuria e zjarrtë i kanë mbetur derdhur në esè e vargje, ndërsa trupi i luftëtarit që kish marrë edhe plagë, më 14 korrik 1951 shkoi të pushojë në Rrmaj, në varrezën katolike të Shkodrës.
Falë librit të çmuar të Petraq Pepos, shkrimeve historike të At Donat Kurtit, kujtimeve të botuara apo të lëna, të luftëtarit kryengritës Martin Ujk Çeku-Traboini, regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti që ruajti dhe ma dorëzoi kopjen e vetme të poemës së humbur “Lufta e maleve” të vitit 1911 të Palok Traboinit, falë fondit të çmuar të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë ku m’u vunë në dispozicion numrat e gazetës “Koha Bashkimi”, Shkodër, të vitit 1910 dhe revista “Hylli i dritës”(1937), falë thesarit tonë kombëtar Fototekës “Marubi”, e, për të mos i harruar, ish nxënësit e miqtë e tij në të gjallë si Pjetër Hil Pali, Gjergj Gjok Shabani, Palok Prel Vuçetaj, Kolë Duku dhe Preng Gruda që më vunë në dorë dëshmitë e dorëshkrimet e tyre është bërë e mundur që në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë të botohet libri “Flamuri në Deçiq” me autor Palok Traboini (Gojçaj). Gjithçka që ka të bëjë me krijimet e Palok Traboinit janë botuar pjesërisht më parë apo kanë mbetur në dorëshkrim dhe i takojnë viteve 1908-1911. Libri përfshin katër kapituj që paraqesin aspekte të ndryshme të krijimtarisë e të jetës së këtij autori. Promovimi i librit të Palok Traboinit “Flamuri në Deçiq” është bërë në Prizren ku ka shërbyer mësues para pavarësisë si dhe në Tuz të Malësisë, ku është dhe vendlindja e tij.
Nuk ka asnjë dekoratë apo vlerësim nga shteti shqiptar dhe megjithëse propozuar nga veteranët e Pavarësisë në vitin 1962, nuk ka asnjë shkollë me emrin e tij, anipse është mësuesi i parë malësor dhe shkollën e Hotit të Ri e ka themeluar me inisiativën e shpenzimet e veta.
Mosmirënjohja njerëzore është cilësia më e keqe që mund të kenë njerëzit, por kur kjo mosmirënjohje ndodh nga shteti, kjo konsiderohet më e rëndë. Sepse kur një shtet nuk nderon atdhetarët, kështu ai harron e çnderon vetveten përkarshi popujve e kombeve të tjerë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Inmemoriam, Palok Traboini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT