Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 18 Gusht 2015/.- Shkon drejt shpërbërjes e ashtuquajtura ‘Mbrojtja civile”, strukturë ilegale e paramitare që prej vitesh vepron në veri të Kosovës e që serbët i thonë “Civilna zaštita”.
Sipas shtypit të Kosovës, “në miniqeveri do të transformohet Mbrojtja Civile. Brenda pak ditësh pjesëtarët e kësaj strukture paramilitare do të nisin të zhvillojnë ‘aktivitetin shtetëror’ në zyra të njëjta në veriun e banuar me serbë, ku kanë vepruar prej vitesh ilegalisht”.
“Deri tash institucionet shtetërore të Kosovës kanë lidhur 105 kontrata me ta. Në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave janë rekrutuar 80 e në Shërbimin Korrektues 25.
Në pritje të firmosjes së kontratave janë edhe 378 pjesëtarë të tjerë të Mbrojtjes Civile. Prej tyre 184 do të rekrutohen në 9 ministri. Të tjerë pjesëtarë do të shpërndahen në 7 agjenci, në Administratën Tatimore e në Doganë.
Ndërkaq një fond kontingjent do të përbëhet prej 50 pjesëtarësh që parashihet të marrin paga, por vendet e tyre përfundimtare të punës do të përcaktohen në sektorin publik përbrenda tre vjetësh.
Edita Tahiri, ministre për dialog, ka treguar të hënën se si do të kthehen në zyra qeveritare ndërtesat në të cilat Mbrojtja Civile ka zhvilluar veprimtarinë, e të cilat ndodhen në Mitrovicën Veriore, Leposaviç, Zubin-Potok e Zveçan”, shkruan sot gazeta Koha Ditore me kryetitullin “Mbrojtja Civile transformohet në ‘qeveri të veriut’.
Në 22 korrik, qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore dhe integrimin e tyre në institucionet e Kosovës. Këto konkluzione janë arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.
Vendimi është pjesë e përmbushjes së obligimeve të qeverisë së Kosovës që dalin nga dialogu dhe ofron bazën legale për institucionet e Kosovës që të bëjnë integrimin e 483 personave në institucionet legjitime të Republikës së Kosovës dhe shuarjen e këtyre strukturave ilegale.
Qeveria e Kosovës njoftonte në 26 mars 2015 se, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ishte arritur Marrëveshja për çështjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”. Me këtë rast ministrja për Dialogun Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr negociatat për këtë çështje ka deklaruar se, “arritja e kësaj marrëveshje mes tre palëve, Kosovës, Serbisë dhe BE-së e cila është përmbyllur ka një rëndësi të madhe sepse i jep fund strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile’ dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtareve të sajë në institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Marrëveshja parasheh procesin e zhbërjes së kësaj strukture paramilitare dhe procesin e integrimit të individëve në institucionet civile të shtetit të Kosovës, specifikon obligimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit. Marrëveshja parasheh mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015”, theksonte ministrja Tahiri.
Archives for August 2015
Sofra Poetike e Diellit”Elegji për Albert Verrinë”
Elegji për Albert Verrinë/
Nga Përparim Hysi/
1./
Lajmi i rëndë, buzën na qepi/
Krejt, papritur, shkoi Alberti!/
Shkoi e iku KAPEDANI/
Iku zemëroqeani./
2/
Ky, fieraku, nga “Vlora”/
Në gjithë rolet ia bën fora/
Më shumë role se sa jetë/
Por në role ishte Mbret!/
3/
I tilë ish ai në skenë/
Që i ri, u kthye legjendë!/
Sa serioz për të detyra/
Sikur kish “njëmijë fytyra?!”/
4
Se i jepte rolit shpirt
Nëpër natë seç sillte dritë
Që i ri,seç luante plakun
Po me rol zinte “buxhakun”
5
Nëpër role as që njihej
Se në role ai “fshihej”
Herë na bënte për të qeshur
Nëpër rol duke “përqeshur”.
6
Bert i dashur, si ia dole
Mbi njëqind e ca role
Dhe ti haje bukë veçan
Të mbetë”nofka” KAPEDAN!
7
Kapedan apo Soll Lili?
Kaporal Pelegrini
Jo,kështu nuk vazhdoj
Se të gjithë dot s’ i numëroj.
8
Tek shfletoj tëndin”Album”
Nëpër role zë e humb
Se më humb, o mik, mendimi
Aq i madh është pikëllimi.
9
Tani ike. Jo. S’ke ikur
Dua ta zbutë lajmin e hidhur
Përmend role që pas mbesin
Se Artistët kurrë nuk vdesin.
10
Ti dyfish do mbetesh gjallë
Se je shquar dhe si shkrimtar
Katër libra që botove
Me to vdekjen e dëbove.
11
Prehu i qetë, o miku im!
Ti je NDER për SHQIPËRINË.
Tek e mbyll, nuk ndihem mirë
S’të them dot:- Lamtumirë!
Tiranë, 18 gusht 2015
Emigrantët shqiptarë në Itali, 3.2 mld euro të ardhura
Italia është prej disa vitesh në recesion ekonomik, por emigrantët shqiptarë atje duket se i kanë rezistuar krizës. Një institut i specializuar kërkimor, Fondacioni “Leone Moresa”, raportoi se vitin e kaluar emigrantët shqiptarë në Itali deklaruan 3.2 miliardë euro të ardhura.
Kjo është sa 32% e prodhimit të brendshëm bruto në Shqipëri dhe krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat e shqiptarëve janë rritur me 2.8%. Ekonomikisht shqiptarët janë komuniteti i dytë më i fuqishëm në Itali, pas rumunëve, të cilët vitin e kaluar deklaruan 6.4 miliardë euro të ardhura. Por, nëse shifrat raportohen për frymë, atëherë ndër emigrantët që vijnë nga vendet në zhvillim shqiptarët janë ata që kanë të ardhurat më të larta. Përkatësisht, vitin e kaluar pranë organeve fiskale në Itali paguan taksa 243 mijë e 781 shqiptarë dhe e ardhura mesatare e deklaruar ishte 12 mijë e 930 euro. Në vend të dytë vijnë indianët me 11 mijë e 860 euro.
Studimi, i cili vjen në një kohë tensionesh brenda Bashkimit Europian për çështjen e emigracionit, del në përfundimin se emigrantët janë një burim i rëndësishëm ekonomik për vendet pritëse. Më konkretisht, vitin e kaluar në Itali ata paguan 16.5 miliardë euro në formën e taksave dhe tatimeve, ndërkohë që shpenzimet publike për emigrantët ishin 12.6 miliardë euro.
Greqia, ana tjetër e medaljes
Por, nëse në Itali shqiptarët i kanë rezistuar krizës dhe kanë zgjeruar të ardhurat e tyre, në Greqi bashkëkombasit tanë nuk kanë qenë kaq me fat. Ndonëse nuk ka të dhëna të hollësishme mbi të ardhurat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, një studim i Bankës së Shqipërisë gjeti se dërgesat që ata sjellin në atdhe kanë rënë me 3 herë vitet e fundit. Sipas Bankës, nëse në vitin 2007 emigrantët shqiptarë në Greqi dërgonin 45% të të gjithë remitancave që merrte Shqipëria, aktualisht pesha e tyre ka rënë në 25%. E përkthyer në vlerë monetare, kjo do të thotë se nga 440 milionë euro që dërgonin në vitin 2007, aktualisht emigrantët nga Greqia sjellin pranë familjeve të tyre më pak se 130 milionë euro në vit. Tkurrja e dërgesave nga Greqia ka qenë dhe shkaku kryesor i rënies së të ardhurave që Shqipëria merr nga emigrantët. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga 951 milionë euro që ishin në vitin 2007, në fund të vitit 2013 dërgesat e emigrantëve ranë në 541.7 milionë euro. Por problemi qëndron se, cfarë është bërë me ato miliarda Euro që emigrantët shqiptarë kanë dërguar në shqipëri këto 25 vite? Përgjigja është-Me to ofiqarët dhe politikuejtë shqiptarë kanë shirë si kau në lëmë.
Kosovë-Djali i Richard Holbrooke viziton Vitinë-kompleksin me emrin e babait, promovon në Prizren filmin “The Diplomat”
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 18 Gusht 2015/ David Holbrooke, djali i diplomatit të ndjerë amerikan Richard Holbrooke, viziton Kosovën dhe promovon filmin “The Diplomat”, kushtuar karierës dhe trashëgimisë së babait të tij.
Sot në Viti takoi kryetarin e Komunës, vizitoi kompleksin “Richard Holbrooke” dhe ekspozitën me këtë emër, ndërsa nesër në mbrëmje shfaqet filmi “The Diplomat” në Kino Lumbardhi në qytetin e Prizrenit.
Për të shprehur falënderimet që Komuna i ka bërë veprës së babait të tij, në Viti sot ka qëndruar djali i ish-diplomatit amerikan Richard Hoolbruk, David Holbrook. Fillimisht, vizita e pasardhësit të projektuesit të paqes në Ballkan nisi me një takim me kryetarin e komunës së Vitisë,Sokol Halitin, thekson njoftimi nga Komuna.
Pas takimit të zhvilluar në ambientet e Komunës, ata kanë vizituar edhe kompleksin dhe bustin e Richard Holbrooke të vendosur vitin e kaluar në qytetin e Vitisë. David Holbrook u shpreh krenar për veprën e babait të tij duke vlerësuar një kontribut të çmuar për të ndihmuar popullin e Kosovës. “Jam krenar për kontributin e babait tim të dhënë gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë. Ai e ka dashur shumë Kosovën dhe ka qenë tejet i kënaqur që në Kosovë ka pasur sukses puna e tij”, tha David Holbrook.
Ai duke kaluar me një shëtitje nëpër qendër të qytetit, i pritur nga një numër i madh qytetarësh, ka vazhduar në Galerinë e Arteve në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani”, ku u hap një ekspozitë me fotografi të diplomatit amerikan, e cila do të qëndroj e hapur për 10 ditë.
Në 22 korrik të vitit të kaluar Komuna e Junikut në Kosovë ka vendosur një pllakatë në odën ku diplomati amerikan Ambasadori Richard Holbrooke kishte takuar për herë të parë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një fotografi e tij përkrah një kryengritësi kosovar (Hajdin Abazit i njohur si Lum Haxhiu) kishte bërë xhiron nëpër botë.
Ambasadorja amerikane në Prishtinë Tracey Jacobson ka qenë e pranishme në odën e Junikut, ku është zbuluar pllaka.
Pak kohë pasi diplomati amerikan Richard Holbrooke ishte emëruar si emisar i Presidentit të SHBA-ve, ai kishte vizituar Junikun, ku ishte regjistruar edhe takimi i parë i tij me një ushtar të Ushtrisë Çlirimtare. Pllaka u zbulua në oden ku u zhvillua takimi, për nder të diplomatit amerikan që ndërroi jetë në vitin 2010.
Në 14 dhjetor 2010, atëherë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllonte Presidentin e SHBA-ve Barack Obama dhe popullin amerikan me rastin e vdekjes së diplomatit të lartë, Richard Holbrooke, të cilin e vlerësonte mik dhe zë mbrojtës i Kosovës.
“Richard Holbrooke ishte ndër diplomatët më të njohur në nivel botëror, që dha kontribut të shquar në të gjitha misionet, duke treguar cilësitë e larta individuale dhe përfaqësimin e denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e paqes anembanë globit”, theksonte Thaçi.
Më tej ai shtonte se “vdekja e veteranit të diplomacisë amerikane është humbje e madhe jo vetëm për SHBA-të, por edhe për popujt për të cilët ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e paqes dhe arritjen e lirisë”.
“Për qytetarët e Kosovës vdekja e Richard Holbrooke është humbje e një miku dhe një zëri mbrojtës të interesave të Republikës së Kosovës”, theksonte Thaçi.
330-Vjetori i Çetës së Profetë të Imzot Pjeter Bogdanit
Dr. At Zef Oroshi*/
Me 6 qershor 1965 ishte 280-vjetori i dërgimit në shtyp të veprës së parë monumentale të prozës shipe”Cuneus Prephetarum Christo Salvatore Mundi e Ejus Evangelica Veritate”(Vargu i Profetëve përmbi Krishtin Shelbues i Botës dhe të vërtetën Ungjillzore të tijen).Botimi u ba në dy vëllime, me objekt Dhajatën e Vjetër e të Re të Biblës.
Ky libër qe shkrue nga Imzot Pjetër Bogdani, i cili qe për njizet e nji vjetë Ipeshkëv i Shkodrës (dhe Administrator i Tivarit, si na thotë ai vetë) dhe mandej, me urdhën të Papës Inocenci XI, me 8 nanduer, 1677, qe transferue si Argjipeshkëv i Shkupit, dhe në të njëjtën kohë si Administrator i Serbisë. Me kete rasë Imzot Pjetër Bogdani merrte në dorëzim selinë e Ungjit të tij,Argjipeshkëv Andre Bogdani, që vdiq tri vjetë më para në moshën 80-vjecare. Pjetri në pararthanjen e veprës na tregon se Andrea para se të bahej Argjipeshkëv i Shkupit, kishte qenë Argjipeshkëv i Ohrit (këtu na del qartë se ky qytet ishte padiskutim shqiptar në kohnat e vjetra, dhe kishte ritin latin).
Vepra asht e shkrueme, nga vetë auktori, në dy gjuhë, në shtylla paralele, shqip-italisht.
Nga letrat e aprovimit kishtar të veprës, që Bogdani boton në hymjen e librit, nxjerrim tërthorasi, datën e dergimit në shtyp të librit.
Për pjesën shqipe qe censor Abat Gjon Bogdani, Vikar i Pergjithtë i kishës Metropolitane të Shkupit. Ky si nen titull shënon:”Missionario commune (sic) della S.Congregacione de Propaganda Fide”.
Këtu del në shesh se Shkupi qe m’atë kohë ishte vend misjonarësh për Selinë e Shejte. Dokumenti mban datën 1 tetuer 1684.
I dyti censor asht Nikollë Andrea Bratich edhe ky për gjuhën shqipe. Me gjithse emni i tij asht sllav, asgjamangut thotë se vepra e Bogdanit(shqip)asht në ..mia lingua natia(në gjuhën time amtare). “Thotë se asht nga Prizreni”, porse gjindej në Venedik. Censura e tii mban datën 1 prill 1685.
Censori për pjesën italishte qe “Franciscus Burlinus, notariu Episcopalis”(i Padues) , i cili qe autorizue për kete censurim me nji dekret të posacëm nga Kardinal Barbarigu. Ky dokument i u lëshue Bogdanit me datën 6 qershuer 1685. Derisa libri u shtyp me ndihmat bujare të Kardinal Barbarigo-s, kemi arsye të besojmë se, mbas këtij aprovimi libri i Imzot Bogdanit vojt edhe në shtyp po në të njajtin muej.
Bogdani i bani studimet theologjike në Romë, në Kolegjin “De Propaganda Fide”. Prandej italishten e zotnonte. Me gjithatë nuk qe kjo arsyeja për të cilen ai e përkthei vepren në italisht, tue vue në shtyp njiheri të dy pjesët e bashkangjituna, si u tha. Në parathanje na thotë qartë pse e bani dhe italisht: Mbasi kjo për hir Tinezot mbaruem vepra e n’kryem (krye) gjithë Arbenisht, m’urdhenoj Selia (Shejte) kuvend (Kongregacjoni De Propaganda Fide-shënimi i shkruesit) qi ende Italjanisht ta kthenje ashtu qi te mundeshin, jo vec t’Arbenisht me xan Italjanishten, por ende këta Arbenishten( rasti asht për misjonarët ktholikë të Huej-shenim i Shk.) tue u sherbyem posi t’ish nji Kalepi (Calepinus asht auktori i nji,ndër ma të parët fjalor Latin në gjasht gjuhë të ndryshme:prandaj Bogdani për të shënue fjalën fjalor, e shënon me fjalën Kalepi-shenim i shk.)Mu desht pra me djerse të madhe, me qitun mbe dritte shume fjale plaka e te harrueme …perse per te sherbyem dheut (Atdheut-shenim i shk.), deshirova mire filli quish po flasme Italjanisht, bukure të Kumbon(kumbojë) e të kallezone kallxojë Arbenisht…Andaj ende asht dale vepra pakeze e holle , ma tepere nde punete Theologjisë, për ta marre vesht: ende po drue se jo gjithe kuj e pelqyeshime, tue vote une mbas disa fjalkesh plaka te mos harroheje te dvarje(humbte)gjuha.
Tue dashtune i lumi Zot qi kjo vepre me te delte mbe drite, zu Nazeri(këtu fjala asht sundimtarin Turk i Skupse fort me më perzane(ndjeke), nde per ata veshteri te perzjarshime.
Bogdani e përmbyllë parathanjen me këta rreshta shum të mallengjyeshëm: “Te lutem pra letterari em i Urti, te me ndejeish, nde gjec fjalede qi te trazon veshefe..Pi vene roe se kusha na ka pushtuem e nde te kujet dhe jemi, ani me zemere aneki…(!)
Pjetër Bogdani leu në “Guri lexi; zhuri ) nde Hast’ , Sanxhakijet se Dukagjinit, Djecezit se Prezerendit” ne vjetin 1630. Sudjoi ma para në “Collegium Illyricum”të Loret-it, mandej në “Collegium Propaganda Fide’, Romë, ku mori doktoratën e theologjise.
Me gjiha ndjekjet që pat nga sundimi turk, e me cka duket ma tepër për ndienjat e tija kombetare e të gjuhës amtare, se fjeshtë për cashtjen e fesë, Bogdani nuk u nda nga librat e lavrimi i gjuhës shqipe. Qe si e pershkruan situatën e vështirë në të cilën gjindej…ky zot fort i urte (Andre Bogdani)me dha fort zemrat me vote paret (me vojtë para) nde kete vepere, ende tue me ndimuem pa kuer (pa masë) fort ne shume fjale t’Arbnesha, te si (j) lat i kishte udob e per duer, tue pasune bam ende aj (Andre Bogdani) nji grammatike fort te godicime Latin e S(h)qip. Ma (per) mbasi dviq (vdiq),13 dit nde Decembre 1683 mu desh mue deper pune te ushtrise e ndene Bec (Vjena), marrë nga serbo-kroatishtja që edhe sot kështu e quen kete qytet),shume here me n’grehun e cgkrehune(me ngrehë e me zhgrehë)Librarine teme, tgue jau porositune kjorevet (caranikevet ku fshatarët ndejnë qumshtin), gozhduem Arkavet e lidhun thasevet, e vete tue ikune Malevet; aqa, sa Gramatika nde kete te perzieme n’tretti si kryp nd’ujet. Kohnat në të cilat jetoi Bogdani ishin shume të vështira , sidomos për ata në zemrat e të cilëve nuk ishin shue ndienjat kombetare. E këtu po shenoj nji notë të nxjerrun e përkthye shqip nga At Mark Harapi(vallu i Antonit) prej “Illyricum Sacrum” i Ferlat-it,vllimi VIII,fq21 ,shtypë në “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, vjetë 50,Nr. 5 Majë, 1940. “Pjetri (Bogdan) me urdhen t’Inocencit Papë, dhanë me datë 8 nanduer 1677, prej djocezit të Shkodrës vojt me marrë nen sundim djocezin e Shkupit …Vlote gjithnji lufta e Turkut kundra Leopoldit (I). Peranduer, e republika e Venedikut ishte edhe ajo me drojë të kercenimeve të mënishme e rrenimqare të barbarevet prandje nji salvim (Peresekutim) i rrebët shperthej kundra katolikëve të djocezit të Shkupit, kështu që Pjetri s’mujti me i u vu me qeti detyrës e zyrës së vet”.Në fakt, fillë vjetin në të cilin vdiq Andrea Bogdani, Vjena qe rrethue nga Turqit, të cilët ishin në kulmin e fitorevet kundra Perendimit.
Botimi i Parë i veprës së Bogdanit qe ba në Padua, në shtypshkrojen e Seminarit. Në fakt mbasi Pjetri pat pregatit e mbarue, si u tha ma nalt duket se puna i ra në vesh, sundimtarit Turk në Shkup, kështu që ky kishte nderment të arrestojë Pjetrin. Por Pjetri u arratisë nder male dhe ma vonë arrijti në Venedik e qe pritë me dashuni atnore nga i famshmi Kardinal Gregur Barbarigu të cilin qysh atëherë Bogdani e përshkruan si njeri shejt(dhe në fakt Papë Gjoni XXIII e bani shejt në vjetin 1958).
Qe si e përshkruan Bogdani:”M’avitti ky zot fort i dashtun, tue me leshuem nde Padovet, shtepi,Trimeni (djem roje)Kual e Koçi (Karrocës), sidoe une tue pasune mal(1)n’e shtampese (malli i shtampës), gjithe atyne u ketheva faqen(shpienen, veçe ju lutshe te me shtampohej libri”. E qe si e përshkruan dhe Farlati (o.et.1.c)ketë pritje dhe përmbylljes e jetës së Bogdanit:”Madje kah kje përzanë,iku n’Itali e u shmangë në Padovë. Ipeshkëvi Kardinal i atij qyteti, L.Greguer Barbariga e priti me dashtni të madhe në pallatin e vet, ku edhe ndej deri ne vitin 1685;mandej kthej në Shkup. Pjetrit si mungoj deshiri i flakët me ju gjete ndihmë grigjës se vet e me ja lecue travajet që e kishin mbulue:por mbas nja tri vjetësh,shkri prej së këqijash e prej mundit, u da kso jete. Shkroi “LIBRIN PUNË E MADHE”—“EGREGUM LIBRUM”që ka për titull”Cuneus Prophetarum”. Imzot Pjetër Bogdani,pos qe mbetet nji nder fytyrat ma të bukurat e sympathilse të racës shqiptare gjate vjetëve t’okupimit Turk,ai qe edhe prijsi i prozës së lavrueme shqipe. Në pikëpamje teologjike koha e ka kapërcye dhe deri diku e kishte kapërcye edhe kur shkroi;por në pikëpamje të gjuhës sot për ne asht nji minjerë e pacmueshme,aq ma tepër se levizjet tija të shumta,dashtë e padashtë, e shtynë me udhëtue nder shumë krahina të Veriut të Shqipnisë, kështu me na lanë nji dokumentim të pasun të gjuhës shqipe t’asaj kohe. (Fjalori i Bashkimit për shum fjalë i detyrohet Bogdanit)
Pjetër Bogdani krahas me cështjet e fesë ka për zemer cështjen e gjuhës shqipe, të cilën tri herë e permendë në parathanjen e librit, dhe na tregon se kishte shkue tue mbledhë fjalët e rralla (plaka)që ishin tue humbë.
Pergatitja e tij humanistike asht nder ma të mirat e kohës, si shifet nga prumja e shumë frazavet gëdhenëse nga poetët e shkrimtarët latin në vepren e vet. Ribotimi i vepres në vjetin 1702,sigurisht ma tepër për të huejtë se për Shqiptarë,mbasi në Shqipni me shumë zori mund të hynte ndonji kopje e rrallë,tregon qartas se Bogdani mbahej në nderim nga shkrimtarët bashkohorë të Veriu t’ Italisë.
Përsa i përket gjuhës shqipe vepra e tij mbetet nji ndër burimet ma të pasuna të prozës së vjetër shqipe.
Imzot Pjeter Bogdani vdiq si Arqipeshkëv i Shkupit në vjetin 1689,në moshën 59-vjecare.
Nji biografi e dokumentume e Imzot Bogdanit do të lëshonte dritë të pamasë n’atë periudhë të Historisë sonë Kombetare,sidomos përsa i përket relatavet të Shqiptarëvet e Shqipnisë me fqijtë e Veriut. Tue u gjetë në situate aq të veshtira në zhvillimin e misjonit të tij si Ipeshkëve,Pjeter Bogdani gjatë jetës së tij i dërgoj nji shumicë të madhe relatash Kongregacijonit Shejt te Propaganda Fide që janë me të vertetë nji minjerë pershkrimesh të situatës s’atëherëshme (e ketë i nënshkruemi mund ta vërtetojë nga eksperjenca,masi pat nisë me ba kërkime mbi keta dokumenta).
Akademija e Zagrebit ka ba disa kerkime të përcipta nga këta dokumenta në botimet e vëllimeve Historike (që mjerisht i nënshkruemi nuk i ka këtu para) tue dhane numrin e arkivuer të dokumentevet, me nji përmbledhje të shkurtë të përmbajtjes së tyre.Por mbasi hulumtuesëve Kroat duket se nuk u pëlqen gjithaq ky dokumentim ose doshta nuk përkon me interest e cështjeve kufitare në mes dy shteteve fqinë, e kualifikojnë Bogdanin vetem “si agjent të Vatikanit”. Por në të vertetë Bogdani si fetar, difton të njejten simpathi si për katholikët Shqiptarë si pë rata “serb”kuer asht puna per ndjekjet Turke kundra kristjanevet. N’anen tjeter,tue pas Turkun si shqipe mbi krye, shovenizmi interballkanik nuk besohet që ekzistonte ende në ato kohna aq i theksuem.Bogdani në fakt tregon se qe i ndjekun dhe i persekutuem nga Turqit e nuk shprehë kurrgja të tillë kundra Serbvet që kishte ndonji farë arsyeje me shkrue kundra tyne. Por ndoshta shprehja kritikuese e shkenctarëvet Zagrebas mund të jetë ma tepër në përputhje me ideoligjinë komuniste të tashme se me të verteten, objektive të Bogdanit. Permbledhja dhe botimi i këtyne dokumentavet, nga dora e nji intelektuali shqiptar, edhe në gjuhën origjinale sikuer janë do t’i sherbente pamatshmenisht Historisë Kombetare dhe në të njejtën kohë historisë kishtare të Shqipnisë.
Vepra e Bogdanit u ribotue edhe dy herë mbas vdekjes se autorit nga të huejtë, por mjerisht nuk kemi mujtë me ribotue as pjesen shqipe të kësaje vepre. Ketë punë me randësi e pat nndermarrë, me pergatitje të plotë, At. Mark Harapi, por mjerisht Lufta e punë të tjera që erdhën mbas saj e nderprenë.
***
SHËNIM: Ky studim i Monsinior Dr.Zef Oroshit ishte botuar në gazetën “Dielli” në pranverën e vitit 1965,në përvejtorin e 280 të botimit të parë të “Çetës së Profetëve”të Pjetër Bogdanit. Sivjet në qershor u mbushën 330-vjetë të botimit të parë kësaj vepre monumentale të kulturës shqiptare. Autori i këtij studimi Msgr. Zef Oroshi bënte pjesë në plejadën e prelatëve më të spikatur të diasporës shqiptare. Bashkëpunoi me intelektualë, klrikë e atdhetarë të njohur në Evropë dhe në Amerikë.Ai ishte patriot dhe antikomunist i vertëtë. Msgr. Zef Oroshi kishte respekt të jashtzakonshëm për Imzot Pjetër Bogdanin. Në murin e sallës së kishës shqiptare në New York, Monsinior Zef Oroshi kishte vendosur portretin e Pjetër Bogdanit. Pastaj ky studim shumë serioz tregon edhe interesimin e madh të këtij meshtari shqiptar për Imzot Bogdanin. Monsinior Oroshi kishte vazhduar traditën e shumë prelatëve shqiptarë dhe të abatëve të mirenjohur të Mirditës sidomos atë të Imzot Preng Doçi. Zef Oroshi vdiq më 15 mars 1989, 6 muaj para se kjo Kishë të organizonte më 7 tetor 1989 Simpozium dhe nderime të posacme për 300-vjetorin e vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, ku ishin ftuar për të ligjëruar Arshi Pipa,Daniel Gjecaj Ibrahim Rugova, Martin Camaj, dhe Engjell Sedaj. Kjo mbledhje madhështore, solli për herë të parë në Shtetet e Bashkuara Dr. Ibrahim Rugovën. Këtë Simpozium shkencor në Universitetin Fordham e kishte organizuar dhe financuar Kisha Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës”në New York,nën drejtimin e Imzot Rrok Mirditës dhe Dom Pjetër Popaj. Edhe Komisioni Përgatitor në krye me Tonin Mirakaj dha ndihëmesë të madhe në organizim. Vlen për t’u shënuar se në këtë përvjetor madhërishëm të Imzot Pjetër Bogdanit filluan lidhjet e para historike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, lidhje këto që për më shumë se një cerek shekulli i sollën shumë të mira popullit shqiptar të Dardanisë. Thirrja hyjnore dhe lutjet e shpirtit të shejtë të Imzot Pjetër Bogdanit i bashkoi në Neë York në fund të shekullit të kaluar, intelektualët e Kosovës me intelektualët dhe prelatët shqiptarë të diasporës, dhe të gjitheë së bashku kënduan himnen e shpëtimit të shqiptarëve të kohës së Skënderbeut”ZOJA E SHKODRËS LUTU PËR NE”./Gjekë Gjonlekaj-New York/
* E dergoi per Diellin-Beqir SINA
- « Previous Page
- 1
- …
- 35
- 36
- 37
- 38
- 39
- …
- 89
- Next Page »