Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 18 Gusht 2015/ David Holbrooke, djali i diplomatit të ndjerë amerikan Richard Holbrooke, viziton Kosovën dhe promovon filmin “The Diplomat”, kushtuar karierës dhe trashëgimisë së babait të tij.
Sot në Viti takoi kryetarin e Komunës, vizitoi kompleksin “Richard Holbrooke” dhe ekspozitën me këtë emër, ndërsa nesër në mbrëmje shfaqet filmi “The Diplomat” në Kino Lumbardhi në qytetin e Prizrenit.
Për të shprehur falënderimet që Komuna i ka bërë veprës së babait të tij, në Viti sot ka qëndruar djali i ish-diplomatit amerikan Richard Hoolbruk, David Holbrook. Fillimisht, vizita e pasardhësit të projektuesit të paqes në Ballkan nisi me një takim me kryetarin e komunës së Vitisë,Sokol Halitin, thekson njoftimi nga Komuna.
Pas takimit të zhvilluar në ambientet e Komunës, ata kanë vizituar edhe kompleksin dhe bustin e Richard Holbrooke të vendosur vitin e kaluar në qytetin e Vitisë. David Holbrook u shpreh krenar për veprën e babait të tij duke vlerësuar një kontribut të çmuar për të ndihmuar popullin e Kosovës. “Jam krenar për kontributin e babait tim të dhënë gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë. Ai e ka dashur shumë Kosovën dhe ka qenë tejet i kënaqur që në Kosovë ka pasur sukses puna e tij”, tha David Holbrook.
Ai duke kaluar me një shëtitje nëpër qendër të qytetit, i pritur nga një numër i madh qytetarësh, ka vazhduar në Galerinë e Arteve në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani”, ku u hap një ekspozitë me fotografi të diplomatit amerikan, e cila do të qëndroj e hapur për 10 ditë.
Në 22 korrik të vitit të kaluar Komuna e Junikut në Kosovë ka vendosur një pllakatë në odën ku diplomati amerikan Ambasadori Richard Holbrooke kishte takuar për herë të parë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një fotografi e tij përkrah një kryengritësi kosovar (Hajdin Abazit i njohur si Lum Haxhiu) kishte bërë xhiron nëpër botë.
Ambasadorja amerikane në Prishtinë Tracey Jacobson ka qenë e pranishme në odën e Junikut, ku është zbuluar pllaka.
Pak kohë pasi diplomati amerikan Richard Holbrooke ishte emëruar si emisar i Presidentit të SHBA-ve, ai kishte vizituar Junikun, ku ishte regjistruar edhe takimi i parë i tij me një ushtar të Ushtrisë Çlirimtare. Pllaka u zbulua në oden ku u zhvillua takimi, për nder të diplomatit amerikan që ndërroi jetë në vitin 2010.
Në 14 dhjetor 2010, atëherë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllonte Presidentin e SHBA-ve Barack Obama dhe popullin amerikan me rastin e vdekjes së diplomatit të lartë, Richard Holbrooke, të cilin e vlerësonte mik dhe zë mbrojtës i Kosovës.
“Richard Holbrooke ishte ndër diplomatët më të njohur në nivel botëror, që dha kontribut të shquar në të gjitha misionet, duke treguar cilësitë e larta individuale dhe përfaqësimin e denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e paqes anembanë globit”, theksonte Thaçi.
Më tej ai shtonte se “vdekja e veteranit të diplomacisë amerikane është humbje e madhe jo vetëm për SHBA-të, por edhe për popujt për të cilët ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e paqes dhe arritjen e lirisë”.
“Për qytetarët e Kosovës vdekja e Richard Holbrooke është humbje e një miku dhe një zëri mbrojtës të interesave të Republikës së Kosovës”, theksonte Thaçi.
shefqet says
Nje aktivitet perkujtimor dhe mirenjohes per kontributin e jashtezakonshem qe dha zoti Holbrooke ne momentin me te veshtire e historik te popullit shqiptar te Kosoves.
Nje aktivitet qe i tregon qarte Davidit, djalit te Richardit, se ne shqiptaret nuk i harrojme njerzit qe na jane ndodhur ne dite te veshtira. Kjo eshte merita dhe vlera kryesore e ketij aktiviteti, simbolika e tij.
Nderkohe pres qe nje dite te bukur, dikush qe e ka ne dore, ti jape titullin Nderi i Kombit, zotit Richard Holbrooke, te cilin ta marre Davidi dhe familja e tij, por dhe Richardet e tjere, me dhe pa uniforme, qe ndihmuan popullin e Kosoves ne ate kohe vendimtare per te ardhmen e tij ne liri.
Shefqet Kercelli