• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2015

Njëqind nëna promovojnë gjidhënien në Times Square

August 3, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA –New York/
Njëqind nëna dhe mbështetësit e tyre që janë për ushqimin e fëmijëve të porsalindur me qumështin e nënës u mblodhën për të festuar festën vjetore e cila quhet “BIG Latch On” në zemër të qytetit New York, Times Square. Sipas organizatorit, kjo është një ngjarje e sinkronizuara në të gjithë botën në të njëjtën kohë.
Kjo lëvizje është krijuar nga organizata “Global Big Latch On” dhe “Breastfeeding World”, dhe ngjarja kryesore u mbajtë në sheshin e famshëm ‘Times Square’, në ditën botërore “Të ushqejmë fëmijët me gji”.
Shtypi njujorkez shkruan sot se “Global Big Latch On” dhe “Breastfeeding World”, e ka parë gjithmonë të ushqyerjen me gji, si mënyrën më të mirë për të rritur fëmijë sa më të shëndetshëm. Këto demonstrime publike, mbajtur në të gjithë botën thuhet se janë bërë për të promovuar dhe treguar tek të gjitha nënat e botës për përfitimet e ushqyerjes me gji. Në këtë demostrim në Times Square – Nju Jork, të gjitha nënat kishin fëmijët e tyre duke i ushqyer për 60 sekonda në Broadway në mes të 43 dhe 44 Streets, në publik, në mes kamerave dhe aparateve fotografike, dhe aparateve iPhone dhe iPod .
Raporteri i njohur njujorkeez Gretchen Robinette, tha se “Policia nuk ka ndërhyrë, edhe pse ata të gjithë u bashkuan deri në frontin e stacionit të policisë pa lejen e tyre ” nëpër rrugë duke ushqyer fëmijët, Robinette, shton se kjo ishte një ngjarje shumë shume e qetë”.
Organizatorët “Global Big Latch On” dhe “Breastfeeding World” thanë, se “Qumështi i gjirit kontribuon në rritjen dhe zhvillimin normal të foshnjave dhe hulumtimet tregojnë se fëmijët të cilët nuk janë ushqyer me gji janë më të rrëzikuar ndaj sëmundjeve dhe vdekshmërisë foshnjore, mbipeshës, diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare, osteoporozën, kancerit të gjirit, dhe kancerit ovarian (për të dy nënë dhe foshnjen).
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon ushqyerjen me gji ekskluzivisht për gjashtë muajt e parë të jetës së një fëmijë dhe sipas preferencës së nënës edhe deri në moshën dy vjeçare. Pastaj thonë ata, kjo duhet të vazhdoj për aq kohë sa është e dëshiruar reciprokisht nga një grua dhe fëmijën e saj.
“Në Nju Jork, ligji lejon femrat që ti japin gji foshnjave edhe në publik, edhe në çoftë se kjo i bën njerëzit e tjerë të pakëndshme, thotë NYCLU, duke shtura se: ”gratë mund ti ushqejnë me gji fëmijën e tyre në çdo vend publik ose privat, kur atyre ia kërkon fëmija. Kjo përfshin dyqane, qendrat e kujdesit ditor, zyrat e mjekëve, restorante, parqe, kinematë dhe shumë vende të tjera”.
Askush, me ligj në Nju Jork, nuk mund t’ju thotë se keni për tu larguar për të lënë një nga këto vende, sepse ju jeni me fëmijë në gji, dhe askush nuk mund t’ju thotë, ligjerisht, se duhet të u jepni gji foshnjave në një banjo, një bodrum ose një dhomë private. ” Gjithashtu, ju keni të drejta të ushqeni fëmijën me gji edhe në punë” thekson kjo organizate qe nxit nenat per te ushqyer femijet me qumesht gjiri.
Profesor dhe mjekët botërorë flasin për rëndësinë dhe përfitimet që sjell ushqyerja me gji.
Pas një periudhe shtatzënie prej 9 muajsh, sjellja në jetë e një qënie engjëllore është një gëzim i pashtershëm i nënës dhe i të gjithë familjes. Shtatzënia është koha e ndryshimeve në jetën e çdo gruaje. Jeta e përditshme nuk i përgjigjet tashmë vetëm nevojave personale por edhe nevojave të një krijese të re.
Një ushqim i mirë në shtatzëni, është i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës në barkun e nënës dhe më tej, ndikon në shëndetin e fëmijës gjatë jetës së tij. Gjithashtu një ushqim i mirë është, jo më pak i rëndësishëm edhe për shëndetin dhe mirëqenien e vetë gruas.
Por, cili është ushqimi më i përsosur për foshnjet e porsalindura? Përgjigja është e thjeshtë: për fëmijën, qumështi i gjirit të nënës është dhurata më e mirë. Në natyrën e çdo nëne, ekziston ushqyerja me gji e foshnjës. Qumështi i nënës është ushqimi më i mirë natyral për fëmijën, pasi është shumë ushqyes. Nuk ka asnjë ushqim që mund ta zëvendësojë, vetëm qumështi i nënës mund të plotësojë në maksimun kërkesat e fëmijëve.
Ushqyerja me gji është shumë e lodhshme dhe nënat e reja duhet ta kuptojnë se kjo sakrificë është në të mirë të foshnjave të tyre.
Profesoresha e universitetit te Pekinit Dr. Chen thotë se disa nëna mund të mendojnë se qumështi i farmacisë përmban shumë vitamina dhe minerale, por në fakt, ky është një keqkuptim. Nëse i ushqejmë foshnjat me qumësht farmacie, rritet probabiliteti i infeksioneve, alergjive të rënda të tilla si astma, ekzemë etj.
Studimet kanë treguar se qumështi i gjirit përmban ushqyes shumë të pasur, deri tani janë gjetur mbi 1 mijë elementë ushqyes, 400 prej tyre nuk mund të kopjohen me shkencë dhe teknologji, kështu që qumështi i gjirit është i pazëvendësueshëm .

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, ne Times Square, Njëqind nëna, promovojnë gjidhënien

IA MBAJNË LART EMRIN BABËS E FISIT TË VET

August 3, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Erdhi me qeshje dritë. me energji rinore. U ul aty, në atë tavolinë skej Rrugës së Dibrës në Tiranë. Më befasoi qyshce në takimin e parë. Ai e donte një pemë gjeanologjike të fisit të tij të Ponarëve në rrethin e Tropojës. E për ma tepër për dhjetë ditë kohë: në “Të dyzetat” e babës së tij, Kadri Qerim Ponari – një njeri i fismë që ndrroi jetë ende i ri, i mbajtun, i fortë.
Kreshniki ishte i qartë, i vendosur, aktiv, pasionant e korrekt në nismën e tij. Djalë 31 vjeçar, i pashëm, i ditun, i shetitun. Prej vitesh jeton, punon e veprimtaron në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër. Ai donte me i njohë brezat e vet Ponari me rrënjë e degë, nga ma i pari i fisit Leka e dekterit tek djali i tij, Ayrtoni i vogël, i bukur e i lumtur. E, çka është ma e veçanta: e donte një njohje të tillë brezash: vertikalisht dhe horizontalisht, me degëzime për çdo derë e individ të fisit të Ponarëve, deri në dekadën e dytë të shek. XXI. Ai dëshironte mos me e harrue kërrkend: as ata që për arsyena të ndryshme nuk kanë lanë trashëgimtarë.
E, tjetra, ma e pazakonta: Kreshniki donte me i pasë degë breznie jo vetëm në linjën e gjakut, po edhe të tamlit (qumështit). Pra, dhe bijat e Ponarëve, me nipa e mbesa, me stërnipa e stërmbesa. Kjo nuk ka ngjarë në traditën etno-historike të Veriut. Po kjo ndodhi tek Kreshniki: ai në degëzimet Halilukaj (Qerim Q. Zenunit, Halit Q. Zenunit, Arif H. Bajramit, Azem Sh. Bajramit…), Hysenukaj, Metibraj, etj. i paraqiti dhe bijat e Ponarëve me brezni të tyne. Kjo tregon kulturën e tij qytetare, emancipimin e tij bashkëkohor. Një tjetër qasje të tij ndaj etno-historisë së fisit e të kohës.

2.
Aty, në krye të saj, e kisha futë një thanie: “Ponarët janë fisi më i vjetër në Malësinë e Gjakovës”. Menjëherë Kreshniki më dveti: a është e vërtetë kjo?! Kur i shpjegova se Krasniqja (dhe fisi Nikaj), Gashi e Bytyçi kur erdhën në brigje të Valbonës, në Lugun e Malësisë, i gjetën aty Ponarët e, përndryshe: prej atyhit u shpërndanë në vendbanimet e sotme të Tropojës, etj. ai u ndje ma i qetë, krejt i sigurtë. Ai donte që çdo fjalë për fisin e tij të ishte fakt, realitet, pa shtesa e nënkuptime. Ai nuk donte asgja të tepërt, të pa merituar e të pa faktuar, për fisin e tij.
Kjo anë e personalitetit të Kreshnik Kadri Qerimit të Ponarëve ishte një tjetër gëzim që më dha njohja me të, si një djalë i kohës, i të ardhmes.

Njohja me Kreshnikin ishte e rekomanduar për mirë nga daja i tij, Besnik Bajraktari, një nga djemtë ma inteligjentë jo vetëm të Tropojës, një jurist i zoti që ka marrë pjesë dhe në kongrese ndërkombëtare, një shahist i rrallë që luajtur dhe me Garry Kasparov – ma i madhi mjeshtër i shahut në të gjitha kohërat. Pra, Kreshniki e ka nanën e tij të shenjtë bash nga dera fisnike e bajraktarit të Shipshanit: e Din Bajram Bajraktarit, e Bekë Din Bajraktarit, e Tahir Bekë Bajraktarit, e Sali Tahir Bajraktarit, të cilët ishin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Kryengritjet e Mëdha të Veriut, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Duket se dhe Kreshniki, ky ponaras i fort i veçantë, ka marrë shumçka dhe nga genet e dajëve të vet. E, për të dyja, le të ndihet krenar i përjetshëm: edhe si djalë ponaras, edhe si nip i derës së Bajraktarit të Shipshanit.

Takimi ma i fundit me Kreshnikun ishte tek fillesa e “Tregut Çam”, kah rruga “Myslym Shyri”, tek një repart pune i specializuar për korniza të llojeve të ndryshme. Aty i kishte përgadit dy korniza me përmasa 60 cm x 80 cm, në të cilat kishte vendos skemën (pemën gjeanologjike) të fisit të Ponarëve. Iu kishte vnue dhe kambalec mbajtës, pasi dy kornizat si ekspoze do t’i vendoste në dy anët e hyrjes në lokalin në Tropojë, ku do të kryenin “Të Dyzetat” për babën e tyne Kadri Qerim Ponari, njeriut emërmirë, shpirtpastër, dinjitar në brezni. Atë ditë, në atë sallë, për kulla e brezni ponarase do të shpërndanin si dhuratë dhe 40 skema (pemë gjeanologjike) të tilla, si nderim, si homazh, si mesazh. Ky ishte një akt tejet i veçantë, që nuk e kam parë në asnjë rast tjetër në jetën time, në brezat tanë, në kohën tonë.

3.
Kastriot Ponari, ma i madhi ndër tre djemtë e Kadri Qerim Ponarit është biznesmen i mbarë, i punës, i fjalës. Është humanist, njerëzor, shoqëror. Me fitime të firmës së tij “Kassel Albania”, me kursimet e tij familjare, ka pak kohë që po punon për hapjen e një rruge 1.9 km të gjatë, 6 metra të gjanë, me standarde të nivelit të lartë: me kanalazime, tubacione të mëdha, etj. Kjo rrugë humaniteti, amaneti, hyjnore niston nga kulla e Qerimit e të çon për tek Varrezat e Ponarëve në Dushaj të Epërm po ecë drejt përfundimit. Në të vërtetë ka qënë një nismë e vet Kadri Qerim Ponarit, ndaj është me vend të mbajnë dhe emrin e tij.

Ai e ka dhe dy sipërmarrje: Pastrimin e Gështenjave të Ponarëve dhe me i hapë pesë puse për ujë në truallin e fshatit të vet, tek Ponarët. Në këtë vendbanim skej Drinit e Valbonës dhe veprës energjitike të Fierzës, ka legjenda e realitete për një kishë katolike të moçme të Dioqezës së Pultit dhe për ujin që vinte prej matanë Drinit, që u shterrë në një kohë, etj.

Kadri Qerim Ponari i ka lanë pesë fëmijë: dy çika e tre djemë. Ma e madhja Majlinda (me dy fëmijë Igli e Erisi). Pastaj vjen Mimoza. I treti është Kastrioti, babë i ri, me katër fëmijë: Kersli, Esteri, Haidi, Klestli. I katërti është Kasmeti, i martuar, e ka një djalë: Rigelsin. Kreshniki është ma i vogli, dhe ky me një djalë: Ayrtonin. E paçin njani-tjetrin kaq mirësisht, si deri më sot. I pastë gjithmonë kaq dinjitarë edhe dera e vet, nana e vet fisnike, fisi i vet emblematik, koha jonë shqiptare
E, me e lidh fillin aty ku e lame, themi se këto nisma si kjo për Skemën (gjeanologjia), Rrugën e re për tek Varrezat e Ponarëve, pesë puset në Dushaj të Epërm, pastrimi i Gështenjave të Ponarëve, e kanë një të veçantë: Ato po marrin udhë e disa sish kryhen për “Të Dyzetat” e babës së tyne, Kadri Qerim Ponari. Si rrallëherë e rrallëkund pesë fëmijët, veçmas Kastrioti e Kreshniku, i kanë ba të tillë homazh nderimi babës së vet në një kohë përkujtimore kaq të afërt: në 40 ditë, e medoemos ndonjë merr ma shumë kohë. I rëndësishëm është humanizmi, mesazhi i tyre.
Kastriot Ponari në faqen e tij në FB e cilëson Rrugën “një nismë e babit” dhe na e jep krejt motivin e humanitetin e ndërtimit e përfundimit të saj: ‘Shkoftë për shpirtin tënd, babi”! Kjo është një arsye tjetër ma shumë që të vlerësohet nga Bashkia e Tropojës emri i Kadri Qerim Ponarit, nisma e tij, këto kontribute humanitare të djemëve të rinj të fisit të moçëm të Ponarëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: BABËS, E FISIT TË VET, IA MBAJNË LART EMRIN, Ramiz Lushaj

Presidentja Jahjaga përshëndet miratimin e amendamenteve kushtetuese për Gjykatën Speciale

August 3, 2015 by dgreca

*Gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Gjykatës Speciale, me më shumë se dy të tretat – 82 vota pro, 5 kundër e 1 abstenim dhe u mblodh sonte edhe në seancë të jashtëzakonshme për dy ligjet për Specialen/
PRISHTINË, 3 Gusht 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, përshëndet vendimin e Kuvendit të Kosovës për të miratuar amendamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, si një përmbushje të obligimeve ndërkombëtare të vendit.
Presidentja Jahjaga, në një deklaratë sonte, vlerëson se themelimi i Gjykatës Speciale, bazuar në kuadrin legjislativ, dëshmon përkushtimin e Kosovës në parimin drejtësi për të gjithë.
Presidentja Jahjaga thekson se Gjykata Speciale do të adresojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe ajo nuk do gjykojë përpjekjen tonë kolektive për çlirim dhe liri./b.j/

Kuvendi i Kosovë nis seancën e jashtëzakonshme për dy ligjet për Specialen

-Tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma për Kosovën, të cilat kundërshtojnë Gjykatën Speciale, nuk po marrin pjesë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Gusht 2015/ Kuvendi i Kosovës sapo nisi sonte seancën e jashtëzakonshme, në të cilën do të shqyrtohen në parim dy projektligje për Gjykatën Speciale, me procedurë të përshpejtuara.
Seanca mbahet me kërkesë të kryeministrit Isa Mustafa, me këtë rend dite: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara. Këto dy ligje u miratuan në mbledhjen e sontme të qeverisë dhe u proceduan në Kuvend.
Gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Gjykatës Speciale, me më shumë se dy të tretat – 82 vota pro, 5 kundër e 1 abstenim dhe u mblodh sonte edhe në seancë të jashtëzakonshme për dy ligjet për Specialen, të cilat po pas shqyrtimit në parim pritet të kenë sonte edhe të dytin dhe të miratohen.
Tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma për Kosovën, të cilat kundërshtojnë Gjykatën Speciale, nuk po marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Filed Under: Kronike Tagged With: amendamentet, Gjykates Kushtetuse, pershendet, Presidentja Jahjaga

SERBIA SHPËTIMTARE E PERANDORISË TURKE

August 3, 2015 by dgreca

Shqiptarëve që gënjehen prej erërave mikluese e mashtruese që fryjnë në të katër horizontet, dëshirojmë tu themi: mësoni ta lexoni historinë e të mos bini viktimë e rivaliteteve herë të hapura e herë të fshehta të shteteve ballkanike e më gjerë që punojnë për interesat e veta e jo për shqiptarët. Nuk ka pse të ngulmojmë në mendimin se Turqia është miku ynë dhe armik i serbëve. Në aparencë të duket se shteti serb nuk ka interesa dhe aleanca e ndonjë miqësi fort të madhe me Turqinë, por ne duhet të dimë si ta lexojmë historinë./
Ne Foto:Sulltan Bajaziti I dhe gruaja e tij serbe, Princesha Olivera/

Nga Kolec TRABOINI /

Ka ngjarje në histori të kaluara në gjysëm heshtje e në të kundërt mjaft prej të tjerave thirren në evidencë për qëllime të ditës e të realizimit të planeve gjeostrategjike në Ballkan. Në këtë mosnjohje historike po ndodhin dhe precedentë nga më të çuditshmet dhe më të dëmshmet. Shumë ndër shqiptarë të nxitur nga inkursionet e të huajve po bëhen zëdhënës e trumbetues të krijimit të hegjemonive të reja, duke ëndërruar krijimin e një bashkësie shtetesh në Ballkan ngjashëm me perandorinë osmane, e stimuluar kjo nga politika Erdoganit dhe përhapja e ideve e parullave mjaft agresive, ndër të cilat “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”. Këto qarqe që kërkojnë revanshe historike nuk dalin të shpjegojnë se ku qëndron kjo sentencë, mbi çfarë baze historike dhe ku duan të arrijnë me të. Gjithsesi, ky synim është mjaft i dëmshëm për çështjen shqiptare, ende e pazgjidhur përfundimisht në trojet e veta të ndara si plaçkë tregu dhe trofe luftërash prej shtetesh ballkanike, që mesa duket ende nuk paskan të ngopur me trojet e të parëve tanë ilire. Natyrisht krijimi i kësaj psikoze, se Turqia e Erdoganit ka ambicie për krijimin e një formacioni të madh në aleanca mbështetur në popullsinë myslimane të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, i shkon sipas orekseve qarqeve të Beogradit, por edhe Athinës për gjoja rrezikun që përmbajnë shqiptarët në prirjen e tyre për të krijuar një kalifat ballkanik mysliman. Ata e shfrytëzojnë këtë ide të stisur me qëllim të fusin panikun në shtetet e tjera ballkanike, por edhe Evropës dhe Amerikës, madje edhe duke u shtirë si të frikësuar, duke u paraqitur pas masakrave e gjenocidit që ka bërë mbi shqiptarët, mundësisht edhe si një viktime. Kjo është një politikë tinëzare që ne si shqiptarë duhet të dimë si ta kundërshtojmë dhe ta demaskojmë, sepse shqiptarët nuk kanë asnjë dëshirë t’i bashkohen asnjë lloj grupimi a bashkimi veç asaj të BE-së dhe aleancës historike me Amerikën, si shpëtimtarët e popullit shqiptar të Kosovës. Shqiptarëve që gënjehen prej erërave mikluese e mashtruese që fryjnë në të katër horizontet, dëshirojmë tu themi: mësoni ta lexoni historinë e të mos bini viktimë e rivaliteteve herë të hapura e herë të fshehta të shteteve ballkanike e më gjerë që punojnë për interesat e veta e jo për shqiptarët. Nuk ka pse të ngulmojmë në mendimin se Turqia është miku ynë dhe armik i serbëve. Në aparencë të duket se shteti serb nuk ka interesa dhe aleanca e ndonjë miqësi fort të madhe me Turqinë, por ne duhet të dimë si ta lexojmë historinë. Historinë tonë, por edhe historinë e të tjerëve. Po t’i ndjekim me kujdes faktet historike, na del se Serbia jo vetëm nuk ka qenë ndonjë armik i përbetuar i Turqisë, por nje aleat që të paktën në një çast historik ka qenë edhe shpëtimtare e Perandorisë Turke. Nuk duam të bëjmë historizëm po le t’i hedhin një vështrim marrëdhënieve serbo-turke. E vërteta është se ka pasur një betejë në histori e kthyer në mit të sforcuar si betejë vetëm serbe; është fjala për betejën e aleatëve ballkanikë dhe forcave të perandorisë turke në Fushë Kosovë në vitin 1389, e cila doli humbëse për aleancën ballkanike në mes të cilëve qenë dhe shqiptarët, por veçmas fatale për serbët, të cilët humbën Car Lazarin në fushë të betejës. Por edhe turqit megjithëse e konsiderojnë betejën të fituar, lanë në fushëbeteje sulltan Muratin e I. Këtu shquhet emri i luftëtarit shqiptar të kthyer në legjendë Millosh Kopili, që nëpër analet osmane quhet edhe Bilesh Kyble. Në këtë betejë pashallarët turq kishin në komandë edhe dy djemtë e Sulltan Muratit, Jakub Çelebiu dhe Bajaziti. Të ndodhur përpara alternativës se cilin duhej të zgjidhnin sultan, pashallarët turq e vranë vetë Jakub Çelebiun dhe shpallën sulltan Bajazitin e parë. Nga kjo betejë Serbia pranoi vasalitetin dhe vajza e Car Lazarit të vrarë ju dha Bajazitit, i cili e mbajti në harem si një nga tre gratë e veta. Vetë Bajaziti e kishte nënën greke. Pikërisht tek kjo grua serbe, vajza e vogël e Car Lazarit të Serbisë, Mileva Olivera Llazareviq, turqit e quanin Despina Hatun, do të nisë një miqësi mes serbëve dhe turqve. Pavarësisht martesës së saj, ajo kurrë nuk u konvertua në Islam. Ajo kishte një ndikim të madh te sulltani, i cili ndihmoi njerëzit e saj, vendin dhe familjen për të mbijetuar. Në këtë kohë në krye të Serbisë, ishte vëllai i saj Stefan Lazari si aleat i turqve. Në 20 korrik të vitit 1402, mes forcave kalorësiake të fiseve tartare të Timurit dhe atyre të Sulltan Bajazitit, u zhvillua një betejë vendimtare, e quajtur sipas vendit ku u zhvillua, beteja e Edrenesë. Në krah të Sulltan Bajazitit ishin si aleatë forcat serbe të Stefan Lazarit, por edhe princët shqiptarë që kishin pranuar vasalitetin, si Gjon Kastrioti, Koja Zaharia (babai i Lek Zaharisë), Dhimitër Jonima dhe mendohet edhe Tanush Dukagjini. Ishte një nga betejat më të përgjakshme. Historianët shënojnë se brenda një ore u vranë prej furisë së kalorësve të Timurit afro 50 mijë ushtarë turq. Ndodhur në këto kushte forcat aleate ballkanike arritën të dalin nga rrethimi që u kishte bërë Timurlengu, i konsideruar një ushtarak shumë i zoti. Madje historianët shënojnë se cprinci serb Stefan Lazari, vëllai i gruas së sulltan Bajazitit, i kërkoi këtij që të tërhiqeshin për të shpëtuar nga ndonjë grackë e mundshme e Timurlengut. Por nga sedra e madhe, sulltan Bajazitit, i njohur për shumë fitore në kohën e sundimit të tij, nuk e la fushën e luftës dhe vazhdoi qëndresën pa u tërhequr. Kjo do t’i sillte shkatërrimin. I mbetur me jo më shumë se disa qindra kalorës, i rrethuar nga forcat armike, ai zihet i gjalle megjithë shpurën e tij, me gruan serbe dhe me një nga djemtë. Kesisoj erdhi shkatërrimi i perandorisë turke, e cila për 11 vjet do të vazhdonte të ishte në kaos. Sulltan Bajaziti u mbajt rob, por mbas disa muajsh, në vitin 1403, ai vdiq nga hidhërimi. Pas kërkesave të shumta nga Serbia, Timurlengu pranoi të lërë të lirë gruan serbe të Bajazitit dhe një nga djemtë e tij mbetur rob. Në këtë periudhë ndjehet roli i sulltaneshës Despina Hatun në riformimin e perandorisë turke, e cila ndodhej në luftë civile e rivalitete pushteti mes katër djemve të sulltan Bajazitit që zgjati deri në vitin 1413. Për këtë princeshë serbe dhe grua sulltani është botuar një libër në vitin 2009 në Beograd me titull “Princesha Olivera, heroina serbe e harruar”. Serbët e përkrahën njërin nga djemtë, Mehmetin, i cili i mundi të vëllezërit një e nga një, i vrau dhe u shpall sulltan Mehmeti i parë. Me vdekjen e Timurit në moshën 69 vjeç, ndërsa ishte duke përgatitur 300 mijë trupa për të sulmuar Kinën, perandoria turke nën sulltan Mehmetin e parë e rimori veten falë edhe kontributit që serbët dhanë për ripërtëritjen e saj. Jo më kot Serbia e ka lejuar gjithëherë turben që u ngrit nga turqit në vendin ku u vra sulltan Murati i I nga shqiptari Milosh Kopili. Ishte tyrbja e babait të Sulltan Bajaziti i I, dhëndrrit të Serbisë ku çuditërisht falen edhe sot e kësaj dite shqiptarët myslimanë të Kosovës pa e ditur krejt çfarë bëjnë në këtë ironi të historisë, se ky sulltan është i afërt i serbëve e jo i shqiptarëve. Dhe që ta dimë mirë historinë, sulltan Bajaziti i lejoj serbët të pushtonin Shkupin sepse i konsideronte aleatët më të besuar në Ballkan, çfarë historia a vërtetoi me ndihmën që këta dhanë me ringritjen e perandorisë osmane me sjelljen në pushtet të Mehmetit e I. Miti i betejës së Kosovës në vitin 1389 i ka shërbyer Serbisë jo si armiqësi ndaj turqëve, por vetëm e vetëm për të mbajtur të pushtuar tokat shqiptare. Ja pra që historia ka edhe dritëhijet e veta. Lidhjet serbo-turke disa ndër shqiptarët e Kosovës nuk arrijnë t’i dallojnë, por ato aty janë, në histori. Ndaj të mos na vijë çudi që Perandoria Osmane ua lejoi serbëve pavarësinë, ashtu si më parë grekëve, por kurrën e kurrës nuk mendonte ta bënte këtë gjë me shqiptarët, me mendimin se tashmë shqiptarët ishin shkombëtarizuar, ishin tjetërsuar, ishin kthyer në turq dhe nuk kishin asnjë lloj identiteti. Të mos e harrojmë devizën e sulltanëve turq që “vendi të shkatërrohet e asnjë shqiptar gjallë të mos mbetet”, e cila shprehte mllefin e egër thuaj shtazarak të pushtuesve ndaj një çerek shekulli rezistencë të shqiptarëve dhe disfatave të hordhive të lindjes. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që në trojet shqiptare me ushtri të panumërta të shfaqeshin vetë sulltanët e jo një here, por disa herë dhe të kthyer me turp andej prej nga kishin ardhur. Analet historike, shënimet e udhëtarëve, kronikanët e sulltanëve e përshkruajnë me tone urrejtjeje deri dhe patologjike Gjergj Kastriotin, atë që mbante emrin e Aleksandrit të madh, Iskander- Skënderbeu. Ato përshkruajnë masakrat që janë bërë ndaj shqiptarëve prej hordhive sulltanore por nuk gjendën te njëjtat trajtime asnjë herë në kronikat e tyre në trojet e ndaj popullsisë serbe. Mizoria ndaj shqiptarëve e pohuar prej tyre në arkivat osmane janë një mizori e vërtetë me një dëshirë të egër për zhdukjen e kësaj popullsie nga faqja e dheut. E nëse shqiptarët arritën të shpëtojnë si komb ishte, siç e përshkruajnë kronikanët turq, se shqiptarët që shpëtuan prej kokëprerjeve shkuan në malet e lartë e në pyje të dëndura ku nuk mund të depërtonte këmbë ushtari. Në këto anale historike populli që urrenin më shumë, që e përshkruanin si më të egrin me të cilët kishin luftuar ndonjëherë e që meritonte të shfaroseshin qenë shqiptarët. E kjo histori është e shkruar me dorën e tyre e nuk mund të vihen në dyshim as faktet që sjellin e as urrejtjen që shprehin. Ka që hedhin dyshime se shkrimet e Marin Barletit tonë të madh janë subjektive, se masakrat nuk kanë qënë dhe aq sa përshkruan tek “Skënderbeu” dhe “Rrethimi i Shkodrës”. Lexoni kronikanët e vjetër turq Ahmedi (1334-1413), Shukrullah(1386-1459), Oruçi, Mehmet Neshri, Tursuni, Këvami, Idriz Bitlisi(? – 1520), Kemal Pashazade (1468-1534), Hoxha Sadeddin(1536-1599), Ali ( 1541-1600) e plot të tjerë për të mësuar skena vrasjesh e tmerresh të pafundme, biblike ndër shqiptarët. Vetëm këto kronika po të paraqiteshin para opinionit publik ndërkombëtar do të mjaftonte për ti konsideruar pesë shekuj pushtim si pesë shekuj gjenocid të turqëve mbi shqiptarët. Edhe në qindvjeçarin e shtetit shqiptar janë parë aleanca turko-serbe në dëm të interesave të shqiptarëve. Le të kujtojmë konventën jugosllavo-turke të vitit 1938, e cila ishte në kuadër të programit shovinist për spastrimin e Kosovës prej shqiptarëve. Dhe e vërteta është se turqit i ndihmuan serbët të zbojnë nga Kosova me qindra e mijëra shqiptarë duke e zvogëluar numrin e popullsisë. Por edhe më pas Luftës së Dytë Botërore ka marrëveshje si ajo e quajtur Pakti Ballkanik mes tre shteteve: Turqi-Jugosllavi-Greqi, në sajë të të cilit u bë shpërngulja e mbi 400 mijë shqiptarëve nga Kosova duke u dhënë kalimin në Turqi. Historia e ka treguar se miqësia nuk është ajo që shprehet me fjalë të bukura nëpër vizita e mitingje, por ajo që realizohet në praktikë dhe ajo në të vërtetë është se anipse në Turqi jetojnë mbi 5 milionë shqiptarë, as nuk diskutohet që ky komunitet i madh shqiptarësh të ketë ato të drejta që gëzojnë të gjitha komunitetet në vende të qytetëruara. Kështu që, megjithëse në aparencë Greqia e Turqia shtiren se kanë kontradikta, kur bie fjala për qëndrimin ndaj shqiptarëve që gjenden në këto shtete, të dy këto mbajnë një qëndrim arrogant, mospërfillës dhe as që flitet për respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Çdo iluzion i krijuar nga propagandat që inspirojnë ekspansione e kërkojnë të ngjallin fantazmat historike si perandoria osmane apo megaloidheja, e më tej përrallisje si Kosova- djepi i Serbisë, duhet të na bëjnë të jemi syçelë e të mos e humbim mendjen pas miqësive të rreme të atyre që natën të vrasin e ditën të qajnë.

Filed Under: Histori Tagged With: E PERANDORISË TURKE, Kolec Traboini, SERBIA SHPËTIMTARE

Kosovë-Kuvendi mund të mblidhet sot edhe në seancë të jashtëzakonshme

August 3, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Gusht 2015/-Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot edhe në seancë të jashtëzakonshme për dy ligje të proceduara po sot nga qeveria, nëse në seancën plenare të nisur sot paradite e që po vazhdon do të votohen me dy të tretat – së paku 80 vota pro ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Gjyakëtës Speciale.
Shqyrtimi i propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i riproceduar të premtën në Kuvend nga qeveria e Republikës së Kosovës, është pikë e vetme e axhendës së seancës plenare të Kuvendit që po zhvillohet me debate pro dhe kundër.
“Menjëherë pas aprovimit të amendamenteve kushtetueese qeveria do të mblidhet për ta shqyrtuar Projektligjin për Dhomaat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Qeveria menjëherë pas kësaj do të kërkojë që sot të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për të trajtuar edhe këto dy ligje”, tha kryeministri Isa Mustafa në debatin në Kuvend.

Opozita edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës u deklarua në “mbrojtje të demokracisë” dhe kërkoi mosriprocedum dhe “të mos shkelet Kushtetuta me riprocedim të Gjykatës Speciale pa respektuar procedurat”.

Por, nga koalicioni qeverisës u deklarua se, “Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. Nga Lista Serbe dhe komunitetet tjera pakicë të grupit Gjashtë Plus nuk pati deklarime grupesh parlamentare.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të nisur paradite, nuk kaloi mocioni i opozitës lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë i nënshkruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
dhe Nisma për Kosovën, që të hyjë si pikë e parë e rendit të ditës para Gjyakëtës Speciale që ishte dhe mbeti pikë e vetme axhendës. Mocioni u rrëzua me shumicë votash, 55 kundër, 42 pro e 5 abstenime.
Gjatë debatit në seancën që po vazhdon nuk ka shumë prani të deputetëve në sallë, si vërejnë edhe disa nga diskutuesit, por pritet numër i mjaftueshëm në momentin kur do votohet. Pak më parë, derisa diskutonte, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili u rideklaru kundër Speciales dhe bëri thirrje të mos votohet, prezantoi në foltoren e Kuvendit edhe fotografi të krimeve të shumta të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë. Pas këtij diskutimi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dha një orë pauzë, për të vazhduar seanca me debate pasdite.
Gjykata Speciale u rikthe në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku në 26 qershor për miratim munguan 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e 120 deputetëve, përfshirë ato të 20 përfaqësuesëve të komuniteteve pakicë, 10 prej tyre serbë. Në procesin e votimit opozita nuk mori pjesë, ndërsa nga pozita, subjekti politik më i madh i koalicionit qeverisës PDK, 7 deputetë ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin. Para mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës Thaçi ritakoi grupin parlamentar të partisë së tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • …
  • 89
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT