• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

ËNDËRRA SHQIPTARE DJE DHE SOT

September 22, 2015 by dgreca

Nga  Eugjen Merlika/

Tema që dua të trajtoj sot me këtë shkrim të thjeshtë mbart në vetvete lashtësinë e një shekulli dhe shqetësimin e çdo dite, dikur në qendrën e jetës politike, kulturore e shpirtërore të një populli për tre dhjetëvjeçarë, më pas e lënë në harresë, madje e quajtur “dalë boje” dhe “e rrezikëshme” edhe për t’u menduar në pjesën tjetër të shekullit, e kushtëzuar nga rrethanat ndërkombëtare, fatkeqësisht gjithnji të kundërta, por edhe nga një mungesë vullneti e guximi nga ana e jonë, kryesisht në sferën politike.

Problemi ynë kombëtar lindi pak më shumë se një shekull më parë, në prag të Shpalljes së Pavarësisë, me pushtimin e tokave tona nga aleatët ballkanas, si pasojë e paaftësisë së Perandorisë Otomane për të përballuar sulmin e tyre, paaftësi në të cilën kishim dhënë edhe ne ndihmesën tonë me kryengritjet e vitit 1912, e duke u ligjëruar nga Konferenca e Londrës e pranverës së vitit 1913. Vullneti i shteteve fqinjë, i përkrahur nga Fuqitë e Mëdha, përcaktoi kufijtë e cunguara të Shqipërisë, duke lënë jashtë saj më shumë se gjysmën e trojeve shqipfolëse.

Njëqind vjet në historinë e Evropës kanë sjellë kaq shumë ndryshime në fizionominë e saj, sa që nuk mund të krahasohen me periudha shumë shekullore të së shkuarës. N’Evropë u kryen dy luftëra botërore, më shkatërrimtaret e historisë së njerëzimit, kaluan diktatura mizore, të shkurtëra në kohë, si fashizmi e nazizmi e më të gjata si komunizmi, por që sollën  pështjellime të mëdha në jetën e qindra milionë njerëzve, ndërmjet tyre edhe të tre milion shqiptarëve, sa ishin në mbarim të luftës së dytë botërore.

Rrëzimi i Murit të Berlinit, si simbolikë e shëmbjes së komunizmit, i dha shkas të tjera ndryshimeve epokale, të cilat duhen mbajtur parasysh në lidhje me gjëndjen tonë. Një çerek shekulli më parë Gjermania, e ndarë në fillim në katër pjesë e më pas në dy, fill mbas mbarimit të luftës së dytë botërore, me një vendim të Qeverisë e të Parlamentit të pjesës perëndimore të saj dhe me miratim të drejtuesve të mbifuqive të kohës, SHBA dhe BRSS, u bashkua në kufijtë e vendosura në Konferencën e Paqes së Parisit 1946.

Shkërmoqja e “perandorisë” komuniste të projektuar në Teheran dhe Jaltë nga tre fituesit e luftës, si pasojë e dështimit të ekonomisë e të kalbjes së sistemit, ndryshoi hartën e Evropës dhe të një pjese t’Azisë. Jugosllavia, krijesa e Versajës, si pasojë e prirjeve shkëputëse të popujve e qeverive të përbërësve të saj, nëpërmjet një proçesi relativisht të shpejtë e të dhimshëm, përsa i përket humbjeve njerëzore e krimeve të kryera, u kthye në një grumbull shtetesh të pavarura, përfshirë këtu, fatmirësisht, edhe Kosovën. Bashkimi Sovjetik, bashkësi e popujve sllavë të Lindjes e jo vetëm të tillë, i ngjizur nga vullnetet shumë shekullore të Carëve dhe i plotësuar nga duart e hekurta të bolshevikëve dhe Carëve të rinj të tyre, Leninit e më shumë Stalinit, nuk është më. Në vënd të krijesës së stërmadhe janë shtete të pavarura, në marrëdhënie miqësore apo armiqësore ndërmjet tyre dhe Rusisë. Republika Çeke dhe Sllovakia vendosën paqësisht ndarjen  në dy shtete të Çekosllovakisë. Sot prirjet shkëputëse janë ende të pranishme në Vende si Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Belgjika e ndonjë tjetër. Të gjitha këto ndryshime të statu – quos së Evropës, që u kryen në pajtim me vullnetet e popujve të ndryshëm të saj, nuk sollën “kataklizmat” e pritëshme, por ndihmuan në sjelljen e një ere të vërtetë lirie në kontinent e në përmirësimin e jetës së atyre popujve.

Në gjithë këtë përmbysje konjukturash, vendimesh e traktatesh ndërkombëtare, populli shqiptar pati një “mrekulli” në anën e tij, shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe pavarësinë e mëpastajme të saj. Të vetëdijshëm për përmasat e kësaj mrekullie, duke e quajtur atë si hapin e parë të madh në rrugën e gjatë të bashkimit të kombit, duhet të ngremë stekën e mëtimeve tona. Këtë mund t’a bëjmë nëse arrijmë të ndërgjegjësohemi si shoqëri e si komb se bashkimi i shqiptarëve nuk duhet të mbetet vetëm si ëndrra që përkundim që prej njëqind vitesh dhe gjithashtu se vendimet e diplomacive, qofshin këta edhe të Fuqive të Mëdha, nuk janë tabu të përjetëshme.    

Sot para nesh shtrohet pyetja : a jemi në gjendje t’a ringjallim, nëpërmjet një projekti largpamës e në ujdí me rrethanat bashkëkohore, strategjinë kombëtare për të hyrë në institucionet e kontinentit, jo si pakica kombëtare të shteteve të ndryshme, por si një shtet i vetëm ? A jemi të gjithë të një mëndjeje, qoftë edhe me sfumatura të ndryshme, se misioni ynë kryesor, krahas zhvillimit ekonomik, është ai i bashkimit ?

Para se të arrijmë në ftillimin e hollësive të atij projekti, duhet të shqyrtojmë e të mbajmë parasysh prirjet e vërteta  kombëtariste të shoqërive tona. Mbas njëqind vitesh nga vendimet e Konferencës së Londrës dhe 70 vjetësh të parantezës së shkurtër të Shtetit të Bashkuar shqiptar të kohës së luftës së dytë botërore, e gjysmë shekulli komunist, krejtësisht i pandjeshëm ndaj konceptit bashkim kombëtar, të pasuar nga një mërgim biblik i një shumice të shqiptarëve, shumë gjëra  kanë ndryshuar edhe në mendësinë e tyre. Ky fakt na detyron  të njohim prirjen e përgjithëshme të tyre për t’u bashkuar, në caqet e saj të vërteta. Kësaj mund t’i arrihet nëpërmjet hulumtimit të opinioneve nga institutet e posaçme. Nëse përgjigja e shqiptarëve, në të gjitha trevat e banuara prej tyre, do të jetë miratuese mund të fillohet hartimi i projektit dhe të ravijëzohen hollësitë e tij.

Pa hyrë në thelb të padrejtësisë historike që na detyruan të pranojmë diplomacitë e Evropës, tek të cilat sot janë varur shpresat tona, mendoj se nuk është rasti të rigjallërojmë prirjen për t’u hequr si viktimë, jo sepse nuk kemi arsye për t’a shpallur, por se duhet të dëshmojmë se jemi në gjëndje t’a kapërxejmë e të gjejmë forcat për t’i parashtruar kërkesat tona, duke u mbështetur në të drejtën tonë si popull e në të drejtën ndërkombëtare.

Ideja e Shqipërisë së bashkuar qé, deri në mbarimin e luftës së dytë botërore, flamuri i nacionalizmit shqiptar i cili, për t’a sendërtuar atë, nuk nguroi të bashkëpunojë edhe me pushtuesit italianë e gjermanë, gjë të cilën historiografia komuniste nuk i a fali kurrë edhe sot e kësaj dite. Por kundërshtarët e nacionalizmit, komunistët shqiptarë, që kishin si parim udhëheqës “internacionalizmin proletar”, nën drejtimin e Moskës apo të Beogradit, nuk nguruan asnjë çast që të shkatërronin krijesën nacionaliste, duke i rikthyer Jugosllavisë së Titos të gjitha krahinat të bashkuara me Shqipërinë në prill 1941 e në muajt e mëpastajmë.

Kjo është historia e mbajtur në sirtare për gati gjysmë shekulli, në të cilin shumica e qytetarëve të Shqipërisë as nuk e dinin se kishte qënë një periudhë gati katërvjeçare, prill 1941 – janar 1945, në të cilën administrata shqiptare kishte patur përfaqësuesit e saj në të gjitha trevat shqipfolëse me përjashtim të Çamërisë, të cilën italianët nuk deshën t’i a bashkojnë Vendit tonë. Ishte i vjeshtës së dytë 1943 i vetmi kuvend i zgjedhur me përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, atëherë të bashkuara, në gjithë historinë tonë, së cilës komunistët i u përgjigjën me gjuajtjet e topave, veprim për të cilin mburren edhe sot.

Për t’a bërë të mundshëm sendërtimin e projektit duhet jo vetëm vullneti i popullit por edhe gatishmëria e institucioneve dhe e politikës në përgjithësi për të marrë përsipër rolin e saj drejtues në përçuarjen e aspiratës së shqiptarëve në tryezat e vendimeve. Por a kemi ne një klasë politike me shtatin moral e profesional të përshtatëshëm për të çuar përpara çështjen kombëtare në ballafaqimin me diplomacitë e botës dhe me kundërshtimet skajore të fqinjëve ? A është ajo në lartësinë e detyrës që shekulli i ri, me të gjithë problemet e tij të ngatërruar, i ngarkon ? Ndoshta kjo është pika më e brishtë e projektit, sepse përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk ngjallin optimizëm edhe për faktin se me ndonjë përjashtim të rrallë drejtuesit e politikës shqipfolëse kujdesen më tepër të ruajnë “korrektësinë” me të huajtë se sa të bëhen zëdhënës të interesave të kombit të tyre. Teza e përdorur gjërësisht se hyrja në Evropë do të zgjidhë të gjithë problemet tona është një formë hashashi për të qetësuar shpirtërat e trazuar. Prandaj bëhet e domosdoshme që shtysa nga poshtë të jetë tepër e fuqishme dhe këtë shtysë mund e duhet t’a japin kryesisht të rinjtë e viseve shqiptare nëse janë të bindur se ëndrra e gjyshërve të tyre ka qënë domosdoshmëri edhe në të mirë të s’ardhmes së tyre.

Përtej termave “Shqipëri e madhe” apo “Shqipëri etnike”, që janë bërë gogoli që tundin para botës fqinjët tanë, sa herë flitet për kombin tonë, ne duhet të dëshmojmë, me vullnetin tonë mbarëpopullor, se nuk paraqesim rrezik për askënd, se asnjëherë nuk kemi patur synime grabitqare kundrejt fqinjëve, se duam të jetojmë së bashku në atë hapësirë toke në të cilën kemi qënë prej mijëvjeçarësh, sepse na bashkon gjuha, traditat, trashëgimia zakonore, historia e përbashkët, etj.

Këtë duhet t’a bëjmë nëpërmjet dokumentavet, që duhet t’i dërgohen organizmave ndërkombëtare, por edhe qeverive të Vendeve fqinjë me të cilët ndajmë problemet, ashtu sikurse atyre të Vendeve mike, të cilët   shpresojmë të tregojnë një farë mirëkuptimi. Mendoj se filozofia ndriçuese e kësaj përpjekjeje për të pohuar aspiratën tonë kombëtare, duhet të jetë ajo e ish Kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rruga e tij paqësore, krijimi i institucioneve paralele, bojkotimi i votimeve, pohimi kudo e para kujtdo të së drejtës sonë si komb, mendoj se përbëjnë një pasuri të çmuar, të vlefshme edhe për sot edhe për t’ardhmen. Koncepti i binjakëzimit të lirisë me luftën, i drejtë në pjesën më të madhe të historisë sonë, në kontekstin gjeopolitik të sotëm, nuk më duket frutdhënës. Po sjell këtu  një shprehje të një shkrimtari gjerman të shekullit të shkuar, Peter Rosseger (1843 – 1918), me të cilën pajtohem plotësisht : “ Un dua jo aq atë atdhetarí që nxjerr bijtë tanë në fushat e betejave e i thërret të vdesin, por atë që u mëson atyre të jetojnë për Atdheun.” E thënë me fjalë të tjera, kemi nevojë kryesisht për qytetarë të vetëdijshëm e të pregatitur për problemet kombëtare, më shumë se sa për luftëtarë me armë në dorë.

Duhet mobilizuar populli, sidomos rinia, që duhet të dalë në manifestime, jo me flamuj partish,  por me atë të Skënderbeut, e me pankarta, ku të shkruhet me gërma të mëdha : “DUAM BASHKIMIN PAQËSOR TË TROJEVE SHQIPTARE.” Këta manifestime duhet të jenë krejtësisht paqësorë e të zhvillohen të ujdisur njëherësh në qytetet e të gjitha trevave ku flitet gjuha shqipe. Në ta nuk duhen lejuar elementë skajorë që do të duan të përfitojnë nga rasti, nën shkakun e rremë të “zellit atdhetar”, për t’i dhënë tjetër drejtim apo të tjera qëllime. Vija paqësore e kërkesave duhet të jetë ngulmuese e na duhet të armatosemi me durim, sepse do të duhen vite për të arritur synimet tona. Ata tubime, në rregullsinë e vazhdimësinë e tyre do të jenë armët më të fuqishme për të vrarë tabunë e politikës botërore kundrejt kombit tonë. Nëse do të shfaqim vullnetin dhe dashurinë për çështjen tonë, pa u epur e pa dëgjuar sirenat gënjeshtare të ndryshme, do të mundemi t’i a arrijmë qëllimit, sepse “Në të gjitha sipërmarrjet njerëzore, nëse jemi në një mëndje për qëllimin, sendërtimi është një çështje e dorës së dytë.”, nëse më lejohet të parafrazoj një burrë shteti e historian gjerman të shekullit 19, Friedrich Cristoph Dahlmann (1785 – 1860), një nga hartuesit e Kushtetutës gjermane.

Në këtë projekt e strategji madhore të rilindjes së kombit të bashkuar në Evropën e shekullit XXI, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, në një të ardhme të afërt, mund të jetë një synim i arritshëm, nëpërmjet një referendumi në të dy shtetet. Një rezultat i lartë, me një pjesëmarrje shumë të gjërë të votuesve, do të ishte baza më e fuqishme për të kërkuar bashkimin. Madje do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që në këtë shprehje të mendimit mbarëpopullor të merrnin pjesë on line të gjithë shqiptarët që jetojnë nëpër botë. Të gjithë argumentat e rendit etnik, kulturor, gjuhësor e historik janë në anën tonë, nuk ka asnjë motiv të shëndoshë që dikush, në diplomacinë ndërkombëtare, t’i kundërshtonte një vullneti të shprehur hapur e pa mëdyshje. Duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje, që nga populli, sidomos mosha e re, deri tek institucionet e dy Vendeve. Do të ishte një ripërtëritje, në formë tjetër, në kah bashkëkohor, e përvojave më të arrira të shprehjes së  synimit përbashkues të shqiptarëve në shekuj, e kohëve të Gjergj Kastriotit e të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

Duhet të jemi të bindur gjithashtu, se ikjet përpara, nxitimet, ultimatumet apo iluzionet e forcës nuk i shërbejnë strategjisë sonë. Shumë kush sot në botën shqiptare i vesh luftës së U.Ç.K.-së meritën kryesore të pavarësisë së Kosovës. Pa e përjashtuar atë meritë dhe as sakrificat që lidhen me të, jam i mendimit se një përsëritje e asaj përvoje në proçesin e bashkimit, do t’a dëmtonte shumë synimin tonë e, ndoshta, do t’a varroste për jetë atë. Rrethanat e vitit 1999, që përcaktuan kahun e ngjarjeve në dobinë tonë, nuk përsëriten më, prandaj çdo iluzion i këtij tipi do të ishte shumë i dëmshëm për çështjen tonë kombëtare.

U mundova të skicoj shkurt një kuadër të problemeve tona madhore si komb. Mendoj se për të duhet hapur një diskutim i gjërë, nga i cili duhet të dalë një strategji e menduar mirë e, si e tillë, edhe fituese. Kritikat, mallkimet e sharjet e atyre që nuk e duan bashkimin e shqiptarëve, nuk duhet të na e fashitin vullnetin. Edhe se është shumë e vështirë, edhe se i kemi paguar shtrenjtë në të shkuarën pasojat e mosmarrëveshjeve me njëri tjetrin, edhe se sot nuk jemi ende të shëruar nga ajo sëmundje e rëndë, duhet të bëjmë një mundim të madh për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është një detyrë e jona kundrejt së shkuarës e brezave të saj, që i vunë themelet shtetit tonë, por është më tepër një detyrë kundrejt s’ardhmes e brezave që do të vijnë, sepse jeta e tyre do të jetë më e bukur në një atdhe të bashkuar e të mirëqeverisur.

Shtator 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: DJE DHE SOT, ËNDËRRA SHQIPTARE, Eugjen Merlika

ERION VELIAJ I VJEDH KALIN SKENDERBEUT

September 22, 2015 by dgreca

Kryetari i Bashkise së Tiranën i “vjedh” kalin heroit kombetar Gjergj Kastrioti por..i “dhuron” një biçiklete kineze!../

Nga Lek Gjoka/

Qeveritaret nga Shqipëria çfarë nuk i afrojnë qytetareve të saj që të “rreshtohen” me popujt e tjere.Kjo është diçka shumë e mirë por kur keto qeveritare fyejnë heronjë kombetare kjo nuk mund të kapërdihet dot.Dukë lundruar në internet kaloj për pak sekonda në profilin e kryetarit të ri të Bashkise se Tiranes zotit Erion Veliaj.Nuk iu besova syve.U çudita aq shumë së si një kryetar bashkie qe vjen disi enigmatik në politiken shqiptare ku në fund përfundoi në Partinë Socialiste parti që rrënjet i ka në diktaturen komuniste të beje një gafe të tille duke u munduar të reaklamoje një iniciative botërore “një dite pa makina”.Na afron në intragram në profilin e tij një foto të heroit kombetar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu hipur mbi një biçiklete kineze.Sigurisht e kuptoj disi zgjedhjen e një biçiklete kineze sepse që nga koha e diktaturen komuniste kishin rënë në dashuri me Kinen komuniste dhe dashurinë për atë diktatature të eger na e serviren para pak ditësh kur në “festen” e Konferences se Pezes na shfaqen me paturpsinë me të madhe me fotografine e diktatorit Hoxha por ti “vjedhesh” kalin heroit kombëtar Gjergj Kastrioti mu në mes të Tiranes dhe publikisht dhe ti afrosh një biçiklete kineze duhet jo vetem të japesh dorheqjen si kryetar bashkie por të përfundosh pas hekurave sepse ke fyer figurat të historise kombëtare shqiptare.Përsë?Me qindra fotografi mund të gjesh në internet të tilla dhe askush nuk shqetesohet sepse është e drejta e gjithkujt të përdorë fotoshop.Sigurisht është e drejta e çdo njëriu privatisht të bëjë gjëra që ai i mendon pa demtuar të tjeret por kur je përson publik madje i veshur edhe me pushtet duhet ti përmbahesh kushtetutes se atij shteti që përfaqson.Në asnjë menyre ketu në Jacksonville Florida kryetari i bashkise nuk mund të afrojë në profilin e tij publik një foto të heroit gjeneralit Andrew Jackson ku dhe Jacksonvilla mori emrin e tij mbi biçiklete sepse do të ishtë një fyrje publike për gjithe qytetaret e Jacksonvilles.

Atehere perse kryetari i bashkise së Tiranës “vodhi” kalin e heroit tonë kombëtar  Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe ia zevendesoi me një biçiklete kineze?

Perse shoqeria civile hesht në Shqipëri?

Perse partite politike heshtin ndaj një fyerje te tille?

Perse stafi i presidentit shqiptar hesht megjithese edhe presidenca shqiptare ka fyer heroin tonë kombëtar sa here që udheheqes të shtetit Turk vizitojnë Shqipërine dhe presidentin shqiptar ku pa pike turpi largojnë bustin e heroit kombetar Gjergj Kastrioti nga salla e pritjes ose ndryshojnë salle !.

Këmbanat e alarmit po fillojnë të bien.Kombi shqiptar po fillon të ndërgjegjsohet dhe nuk është një turme që politikanet me kërbaq dhe kulaq i sjellin si të duan.Sot brezi i ri nuk pranon me që politika ti fyej heronjtë ndaj të gjithë nuk duhët të bëjmë një sy qorr e një vesh shurdh por të reagojmë si një trup i vetem në shërbim të interesava kombëtare se vetem atëhere politikanet e korruptuar do të largohen nga skena politike dhe askush nuk do të guxoje me që heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu ti “vjedhe” kalin dhe ti “afroi” një biçiklete kineze !..

Jacksonville Florida

21 Shtator 2015

Filed Under: Featured Tagged With: Erion Veliaj, I VJEDH KALIN, Lek Gjoka, SKENDERBEUT

Kosovë-Rindërprehet seanca e Kuvendit për katër marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel

September 22, 2015 by dgreca

-Opozita proteston, gjuan me vezë drejt kryeministrit derisa ai fliste në Kuvend. Kundër marrëveshjeve edhe me afër 53 mijë nënshkrime në katër ditë/

-Presidentja e Republikës, Jahjaga dënon sulmin ndaj kryeministrit Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës/

-Qeveria dënon aktet e dhunshme të  deputetëve të opozitës,siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,  22 Shtator  2015/ Në Kuvendin e Kosovës, sot, kryeministri Isa Mustafa, e nisi informimin për katër marrëveshjet me Serbinë në Bruksel, por seanca u ndërpre me thirrjet e kryeparlamentarit Kadri Veseli për “10 minuta pushim”, pas reagimeve protestuese të opozitës në sallën e seancës edhe me gjuajtje vezësh  drejt kryeministrit. Kreu i qeverisë së Kosovës, nën mbrojtjen e sigurimit, u largua nga foltorja dhe salla e seancës. Mustafa gjatë pak minutave që foli në seancën e Kuvendit tha se marrëveshjet e dialogut në Bruksel më datën 25 gusht të vitit 2015 kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhenieve (të 19 prillit 2013).

“Në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015 ne i përfunduam marrëveshjet për katër dokumente: 1. Asociacioacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, parimet e përgjithëshme, përkatësisht elementet kryesore; 2. Konkluzionet e lehtësuesëve të Bashkimit Evropian mbi zbatimin e marrëveshjes për energjinë të vitit 2013 për heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë; 3. Plani i veprimit për telekomunikacionin; dhe 4. Konkluzionet për urën mbi Ibër, përkatësisht heqja e barrikadave nga ura e Mitrovicës”, tha Mustafa.

“Duhet të theksoj  para këtij Kuvendi se nuk kemi të bëjmë me marrëveshje të reja, por kemi të bëjmë me precizime të veçanta që derivojnë nga Marrëveshja e parë e ratifikuar me Ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këto katër dokumente, pra që kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë, janë nënshkruar nga dy shtetet, nga Republkika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dhe nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga kryeministrat e dy shteteve dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian”, vijoi ai.

Kryeministri Mustafa në seancën e Kuvendit arriti ta thotë edhe këtë në vazhdim: “Dakordimi mbi këto dokumente, si dhe të gjitha  tjerat në dialogun e Brukselit janë arritur në bashkëpunim të  ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  që njëherit janë edhe mbështetësit për zbatimin e plotë të tyre nga të gjitha palët.

Kjo pako (e marrëveshjeve) është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e vendit, me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun në Bruksel….”

DEKLARATË E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga në një deklaratë e dënon sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Presidentja Jahjaga e quan këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës ë Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë. “Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit”, shprehet ajo.

Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë deputetët dhe subjektet politike që “t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë”.

QEVERIA DËNON AKTET E DHUNSHME TË DEPUTETËVE TË OPOZITËS, FTON KUVENDIN E KOSOVËS QË TË KRIJOJË KUSHTE NORMALE TË PUNËS

 

Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se dënon aktet e dhunshme të zhvilluara sot nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po informonte deputetët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur më marrëveshjet e arritura në Bruksel.

 

Në komunikatën e dërguar, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet që tejkalojnë format demokratike të opozitarizmit të cilat dëmtojnë interesat e Republikës së Kosovës.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës fton Kuvendin e Kosovës që të krijojë kushte normale të punës, në mënyrë që sot të vazhdoj pa pengesa seanca e Kuvendit të Kosovës dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të informohen në detaje për përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se marrëveshjet e arritura në Bruksel, janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vlerëson se ato do t’i hapin rrugë integrimeve euroatlantike të vendit, dhe se janë mbështetur fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, përfundon komunikata nga Kryeministria kosovare.

 

A DO TË VAZHDOJË SEANCA E RINDËRPRERË E KUVENDIT?

Seanca e Kuvendit të Kosovës e nisur dhe e ndërprerë të enten e javës së kaluar, e rindërprerë sot, nuk po vazhdon as pas “10 minutave pushim” të dhënë nga kryetari Veseli, pasi opozita protestoi dhe e gjuajti me vezë kryeministrin Mustafa derisa po informonte për katër marrëveshjet e 25 gushtit Prishtinë-Beograd në Bruksel. Tashmë po kalon edhe ora e dytë nga ndërprerja e seancës.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, në një deklaratë pak më parë shprehu mendimin se seanca duhet të vazhdojë, por ndryshe është mendimi i kryetarit të grupit parlamentar të LVV, Glauk Konjufca. “Ne si opozitë kemi ardhur deri te një dakordim që ta bëjmë një aksion politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pra që t’ia ndërprejmë gënjeshtrat kryeministrit Mustafa”, u shpreh Konjufca poashtu pak më parë.

AAK: VEPRIMI I SOTËM I OPOZITËS NË KUVEND, HAP I DOMOSDOSHËM

 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në komunikatën e dërguar deklaron se Veprimi i sotëm i Opozitës në Kuvend, ka qenë një veprim i domosdoshme. “Ne deputetët e Aleancës por dhe të opozitës në përgjithësi, i kemi dhënë mjaft kohë kryeministrit që të reflektojë, por ai në vend të kësaj sot ka ardhur për të bërë lojë në Kuvend. Për më tëpër i ka futur mbrenda sallës së Kuvendit edhe pjesëtarët e sigurimit të tij përsonal, që është shkelja më e rëndë e këtij institucioni. Sikur të mos kishte asnjë arsye tjetër, vetëm kjo e fundit mjafton, që kryeministri të tërhiqej nga detyra.

Kërkesat e Opozitës janë të qarta; ai duhet ta tërheqë urgjentisht nënshkrimin nga marrëveshjet, që ne i konsiderojmë të dëmshme për Kosovën dhe t’i mundësojë Kuvendit që të japë kontributin e tij në riformulimin e këtyre marrëveshjeve.

Rikthimi i normalitetit në Kuvend, si dhe pengimi i esakalimit të mundshëm të situatës në përgjithësi, është përgjëgjësi eksluzive e Kryeministrit dhe Qeverisë së tij. Ne si AAK jemi të përcaktuar për një stabilitet politik, por vlerësojmë se qasja që e ka Kryeministri ndaj zhvillimeve të fundit, po e çon vendin në një krizë të re politike”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

“RAPORTIMI” APO “INFORMIMI”, PIKA E VETME NË AXHENDË

 “Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Marrëveshjet e arritura në  Bruksel më 25 gusht 2015”,  është sot  pika e vetme e axhendës së vazhdimit të seancës plenare të Kuvendit, të ndërprerë javën e kaluar, e që ka pritje të rivazhdojë pas rindërprerjes. “Raportimi” nuk është shprehje e qeverisë  në kërkesën e 11 shtatorit të Zyrës së Kryeministrit dorëzuar në  Kuvend “për të informuar deputetët lidhur me marrëveshjet arritura më 25 gusht 2015 në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kërkesa e Zyrës së Kryeministrit për të informuar që në seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor është dorëzuar në Kuvend së bashku me tekstet e të katër  marrëveshjeve, në tre gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.

Qeveria e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar përkushtimin e saj të plotë për transparencë, ka shprehur gatishmërinë për debat të hapur dhe me argumente për çdo pikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si edhe për proceset e tjera të rëndësishme në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës vlerëson se marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato do të fuqizojnë sovranitetin dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel të lartë kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.

Të enjten e javës së kaluar, tre subjektet opozitare të Kosovës, LVV, AAK e Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë protestuar në Kuvend dhe kanë bllokuar e ndërprerë seancën e parë të sesionit vjeshtor.

Kryesia e Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare u mblodhën dje për “caktimin e datës për vazhdimin e seancës plenare”, e cila u ndërpre pasi opozita pamundësoi votimin për shtyrjen e kërkuar nga pozita të “raportimit të qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”, i cili ishte në axhendë derisa mungonin raportuesit. Seanca udhëheqej nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, i grupit parlamentar të partisë në pushtet LDK,  i cili u “rrethua” dhe pengua nga deputetët opozitarë, që edhe u ulën në vendin e tij pasi dha “10 minuta pushim” dhe nuk ia liruan vendin e kryesimit  kur u rikthye.

Opozita, edhe në seancën e Kuvendit, edhe ne një deklaratë të përbashkët dhe në deklarata të tjera e debate, duke kundërshtuar “bosnjëzimin e Kosovës”, për një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd, të arritura në Bruksel, në raundin e 28-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që në shqip do thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Deklarata ka paralajmëruar “veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit” për  “t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike” dhe se, “opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i fillojë bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik”.

Opozita sot në seancën e Kuvendin e Kosovës, ku priten debate e replika edhe me fjalorin e ashpërsuar, “argumenton” edhe me afër 53 mijë (52, 918) nënshkrime të katër ditëve të qytetarëve që “po e shprehin masivisht vullnetin e tyre”, edhe në ditën e pestë, në peticionin e  organizuar me kërkesën që “qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.

Deklaratat nga opozita kanë paralajmëruar “protesta të fuqishme pas peticionit”,   por, sipas shtypit të sotëm kosovar, nënshkrimi i peticionit “nuk është ‘kandar’ që mat fuqinë politike të bllokut opozitar për organizimin e protestave të ardhshme”.

Filed Under: Kronike Tagged With: 4 marrveshjet, Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, nderpritet seanca

SHEH HYSEN KUÇI I DIBRËS SË MADHE

September 21, 2015 by dgreca

Me rastin e 102 vjetorit të pushkatimit ( 22 shtator 1913 ) nga pushtuesit serbë./

Nga Abdurahim ASHIKU*/

“Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibër, – shkruan gazeta “Përlindja e Shqipërisë” Nr.13 Vjeshtë e Parë -1913 ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen. Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt.
Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emënat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, SadullahStrazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”.
Në vitin 1878, në krah të Abdyl Frashërtin, të Iljaz Pashë Dibrës dhe të shokëve të tyre që shkonin drejt Prizrenit ecte edhe një djalosh i ri. Bisedat me Abdylin në shtëpinë e tij, ngrohtësia e fjalëve që i jepnin jetë idesë së bukur për një Shqipëri të lirë nga pushtuesit osmanlinj, e ngritën peshë zemrën e Hysenit 23 vjeçar. I ati, Myslimi, i kishte folur shpesh për kryengritjet kundër turkut, për heroizmin e dibranëve në luftë me Hajredin Pashën më 1844, kundër të cilit kishte marrë pjesë edhe ai vetë, për luftërat e mëvonshme, që mbinin herë në njërën krahinë e herë në tjetrën në të gjithë Shqipërinë, duke i mbajtur zaptuesit vazhdimisht në grykë të pushkës.
Jeta në qytetin e Dibrës, që në atëkohë, ishte një ndër pikat kyçe të rrugëkalimeve për në Kosovë, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Janinë, Selanik etj., ambienti i teqesë të sektit bektashi, ku lindi dhe u rrit, sekt i cili “për hir të propagandës armiqësore që zhvillonte kundër Portës së Lartë, të tolerancës ndaj feve tjera dhe dallimit, që bënte midis islamizmit dhe kombësisë” (Histori e Shqipërisë V-I) do të formonin rrëkenë, që më vonë do të hapte rrugën e veprimtarisë patriotike të Hysenit. Nga ana tjetër, pritja dhe përcjellja në shtëpinë e tij të shumë udhëtarëve, të cilët në bisedat e tyre rrihnin mendimet përparimtare të kohës, mendimet plot bukë të Rilindjes Kombëtare, takimi disa herë me Abdyl Frashërin, vajtja në Prizren me të, marrja pjesë në mbledhjen patriotike, në Kuvendin e Dibrës dhe në mbledhjen e qershorit 1878 në Prizren, ku figuron edhe firma e tij midis shumë firmave të tjera; të gjitha këto do të shënonin hapa të tjerë të sigurt në veprimtarinë patriotike të Hysen Shehut, ose të Sheh Hysen Kuçit, siç njihet në qytetin e Dibrës dhe në tërë krahinën.
Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sipas kujtimeve të bashkëkohësve, Hysenin e gjen në aktivitete të vazhdueshme në Prizren dhe në Dibër.
“Mbas shkatërrimit të Lidhjes së Prizrenit-shkruan IsmailStrazimiri,- nuk u fik shkëndija kombëtare në Dibër, por filloi me u këndellë si prushi nën shpuzë, derisa kur erdhi koha shkëlqeu”
Në këtë kohë Hyseni ndiqet nga autoritetet turke, arrestohet dhe internohet. Më vonë kthehet përsëri në Dibër. Në dokumentet e kohës ai paraqitet si njeri i qetë, “në hall të vet”, që merret me teqenë e fenë e bile një fetar që ka përkrahur sektin, që i shkonte më për shtat Portës së Lartë, sektin Elveti. Por Hyseni nuk i zbatonte ritet e këtij sekti. Nuk mbante ramazan dhe kur ishte puna për të zgjedhur midis fesë dhe ndërgjegjes së tij ai ngrinte zërin: “Më mirë të bëjmë rrugën se sa të agjërojmë ramazanin” (Ishte fjala për ndërtimin e rrugës për Gostivar që kundërshtarët kërkonin, të mos bëhej në atë kohë sepse ishte ramazan).
Hyseni, tashmë i formuar si Patriot, me ndjenjën e dashurisë për mëmëdheun do të kërkonte rrugë të reja për të çarë përpara. Lëvizja e gjerë për gjuhën shqipe, që siç shkruante dëshmitari bashkëkohës IsmailStrazimiri, kur flet për shkollën e SeitNajdenit dhe shkollat e tjera:
“Kjo shkollë ishte krejt e mçeft, klasat e saj ishin izbat e errëta të dyqaneve dhe odat e mçefta të shtëpive…”
“Çdo fushë, livadh morën trajtën e një shkolle, ku mblidheshin grupe-grupe djemnia e re dhe mësofshin gjuhën e bekueme”.
Kjo lëvizje do të përfshinte edhe Hysenin bashkë me të vëllanë, Zylfiun. Shtëpia e tyre u bë dalëngadalë një qendër për mësimin e gjuhës shqipe. U hodhën edhe themelet për ndërtimin e një shkolle. Por autoritetet turke kuptuan qëllimin e bërjes së ndërtesës dhe dërguan zaptijet dhe e shembën. Autoritetet turke e kërcënuan Hysenin, se do ta arrestonin dhe internonin.
Shkollimit të njerëzve me gjuhën amtare shqipe Hyseni do ti jepte pjesë nga jeta e tij edhe në vitet e mëvonshme e në veçanti pas vitit 1910, kur klubi i Dibrës mori iniciativën për të hapur 250 shkolla të reja shqipe.
Shpallja e Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912, bëri që të realizohej ëndrra shekullore e popullit, që luftoi me heroizëm për liri e pavarësi kombëtare. Dibra jetonte çastet e gëzimit të pakufi për lirinë e shumë pritur. Por shpejt gëzimi u prish. Një hordhi tjetër sulmoi Dibrën. Serbia synonte të dilte në Drin, Prat e Qafë të Buallit për të krijuar një urë lidhjeje për synimet e saj të mëtejshme drejt Durrësit. Dibra e cila ndjeu në palcë barbarinë dhe tehun e shpatës së re, nisi të përgatitej për luftë.
Në gazetat e kohës, me gjithë vështirësitë e komunikacionit dhe të ndërlidhjes, gjen një pasqyrim të mirë të luftës së dibranëve kundër pushtuesve serbë. Gazeta “G’iornaled’Italia” shkruan:
“Një notë zyrtare thotë se më 10 të muajit, ora 10 në mëngjes, u përpoqën shqiptarët me ushtrinë serbe afër Dibrës. Lufta u ba e rreptë dhe mbajti gjer në mesditë…Shqiptarët, nja 6000, hynë në Dibër”.
Hyseni në prag të kryengritjes ndodhet në Zerqan. Meqenëse njihte mirë qytetin dhe kishte influencë në banorët e tij, ai dërgohet nga kryengritësit për të organizuar popullin në kryengritjen që përgatitej. Kështu ai hyn ilegalisht në Dibër dhe nis aktivitetin.
I biri, Haki Shehu (Kuçi) në kujtimet e tij në dorëshkrim, shkruan:
“Për sa i përket vrasjes së babës tim unë mbaj mend…
Kishte kohë që baba nuk vinte. Një natë erdhi në shtëpi dhe ne fëmijët, shtatë vëllezër e motra, u gëzuam.Baba rrinte në dhomën nalt. Vinin njerëz dhe e takonin. Se çfarë bisedonin nuk e merrja vesh vetëm se mbaj mend mirë një ditë në mëngjes kur hapëm portën e oborrit dhe shikojmë se shtëpia ishte e rrethuar nga ushtria serbe. Ata hynë mbrenda dhe e arrestuan. Ne fëmijët filluam të qajmë. Mbas dy ditësh, në mëngjes ndigjuem krisma pushkësh. Babën e sollën kryengritësit, të Dibrës së Vogël dhe të Dibrës së Madhe që çliruan qytetin dhe e dëbuan ushtrinë serbe.
Më vonë kam marrë vesh nga xhaxhai dhe të tjerë se baba para se të vinte në Dibër ishte në Zerqan ku po përgatitej kryengritja e mbarë Dibrës kundër serbit. Baba erdh në Dibër për të ndihmuar në organizimin e kryengritje në qytet por spiunazhi e diktoi dhe e arrestuan së bashku me disa të tjerë. Prej këtyre u pushkatuan Ramiz Karafili, NumanHasani, SadullaStrazimirietj
Pasi hynë kryengritësit në Dibër morën trupin e babës dhe e prunë në teqe. Mbaj mend se atë ditë e shoqëronin mbi njëmijë burra nga qyteti i Dibrës dhe mbarë krahina, pjesëmarrës në kryengritje..” (Fragmend nga dorëshkrimi i mbajtur më 10 shkurt 1978)
Myslim Shehu, djali i Zylfiut, vëllai i Hysenit, lindur në vitin 1878, 35 vjeç në momentin e ngjarjes tregon…
“Mixha asht vra më 1913. Vjeshtë e parë ka qenë. E mbaj mend kur erdh naçalniku dhe e lidhi. Më tha “Amanet fëmijët se janë të vegjël”. Mixha ishte i lidhur me kryengritësit dhe kishte ardhë në Dibër për të organizuar kryengritjen. Kur doli jashtë e futën në mes zaptijet dhe e çuan në këshlla ku e vranë bashkë me disa të tjerë. Kur erdhën kryengritësit mixhën e kishin vra. E prunë në shtëpi shumë vetë. E varrosëm në tyrben e teqes. Tani e kanë hekvorrin prej aty se e kanë ba vendin shesh…” (Është fjala për qendrën e qytetit të Dibrës, lulishten e madhe ku sot janë vendosur buste të njerëzve që i dhanë nder e lavdi qytetit.)
Për qëndrimin burrëror karshi shovinistëve serbë të Hysenit dhe të shokëve të tij është shkruar në këtë kohë nga disa gazeta brenda dhe jashtë vendit si “Përlindja e Shqipërisë”, “KorrieredellePuglie”, “Kalendari kombiar 1914” etj.
“Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibër, – shkruan gazeta “Përlindja e Shqipërisë” Nr.13 Vjeshtë e Parë -1913 ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen. Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt.
Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emënat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, SadullahStrazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”.
Kryengritësit dibranë Sheh Hysenin dhe shokët e tij, që u pushkatuan nga serbët i gjetën para portave të këshllasë (kazermave). Në varrimin e tyre morën pjesë mijëra kryengritës dibranë dhe banorë të qytetit të Dibrës.
Ndonëse në lëvizjet demokratike të viteve njëzetë u bënë disa orvatje për ta përjetësuar emrin e Hysen Shehut, duke i dhënë nënprefekturës së Zerqanit emrin e tij, nderimet e merituara do ti jepeshin këtij aktivisti të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Luftës për Liri e Pavarësi Kombëtare vonë, në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit…
Në muzeun e vëllezërve Frashëri fotografia dhe të dhënat gojore për Sheh Hysenin qëndrojnë krahas dokumenteve të tjerë të vëllezërve pishtarë. Fotografia e tij qëndron gjithashtu në muzeun e dëshmorëve të tjerë të Luftës për Pavarësi Kombëtare.
Në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të themeluar në Prizren Hysen Shehu (Kuçi) u dekorua me medaljen “ Për veprimtari patriotike ”
*(Fragmente nga punimi në dorëshkrim SHEH HYSEN KUÇI I DIBRËS SË MADHE )

Filed Under: Histori Tagged With: Abdurahim Ashiku, I DIBRËS SË MADHE, SHEH HYSEN KUÇI

Politika italiane ndaj çështjes shqiptare 1897-1912

September 21, 2015 by dgreca

Shkruan: Dr. Niko Ferro/

 Perceptimi i “irredentizmit italian”/

Çfarë është irredentizmi?/

Termi irredentizëm tregon dëshirën e një populli për të përfunduar bashkimin e tij kombëtar dhe territorial; përvetësimin e tokave të cilat janë subjekt i një sundimi të huaj, e mbështetur kjo në identitetit etnik ose të një lidhjeje të mëparshme historike.Fjala “irredentizëm” u përdor për herë të parë në vitin 1877 nga Matteo Imbriani themelues i “Shoqërisë Pro Italia Irredenta”, që prej atëherë kjo fjalë është përcaktuese e popullsive të cilat flasin gjuhën italiane dhe që kishin ngelur nën sundimin e huaj.

Viti 1866, shënon fillimin e demonstrimeve të irredentistëve italianë e pasuar kjo me protesta, me incidente diplomatike, inate dhe tone nga më të egrit, të cilat vazhduan pa ndërprerje deri në fund të vitit 1914.

Ato lindën si pasojë e paqartësisë të marrëveshjeve fillestare të nënshkruara me Prusinë, ku në të cilën Italisë iu desh të “mohonte” aspiratat e saj territoriale për Trentinon dhe Histrian, por mbi të gjitha ajo që nxiti më shumë këto lëvizje ishte fundi i luftës e cila zhgënjeu në një masë të gjerë opinionin publik italian. Që nga ajo kohë Austria filloi një seri të gjatë kontestimesh, presionesh diplomatike, si e si për të detyruar qeverinë italiane të mbyste këto lëvizje që sipas saj cenonin integritetin territorial të saj. Në një shkresë zyrtare drejtuar qeverisë italiane, e cila përmbante në thelb qëndrimin që duhet të mbante Italia, përballë kërkesës së popullsive italiane që banonin në pjesën lindore të Adriatikut, thuhej: ‘Italia duhet të heq dorë dhe të përjashtoj absolutisht kërkesën e saj për aneksime të popullsive që flasin italisht sepse kjo do të sillte rrjedhimisht në popujt e Perandorisë Austro-Hungareze të drejtën për t’u shkëputur dhe se kjo ishte shumë e rrezikshme për mbajtjen e paqes në Evropë’.[1]

E vetëdijshme ose jo, Austro-Hungaria u njoh zyrtarisht me çështjen e irredentistëve italianë në vitin 1866.[2]

Me ardhjen e së majtës italiane në pushtet në vitin 1876, marrëdhëniet me Austrinë u përkeqësuan edhe më shumë. Mosbesueshmëria ndaj saj u shtua edhe më tepër pikërisht në momentin kur u emërua ambasador në Romë konti Enrico Haymerle. Në momentin e dorëzimit të kredencialeve te Mbreti Italian deklaroi: ‘Italia duhet ta konsideroj të zgjidhur çdo kërkesë territoriale me Austro-Hungarinë’. Në fakt kjo deklaratë e ambasadorit duhet të ishte bërë publike por ajo nuk u botua kurrë, ndoshta për shkak të tensionit që mund të krijonte ajo në “lëvizjet irredentiste”. Megjithatë pas këtij episodi gjërat shumë shpejt do ndryshonin, shkak për këtë u bënë konfliktet ballkanike dhe lufta ruso-osmane.

Qeveria ruse, e cila donte të ndalonte një ndërhyrje të Austrisë, e inkurajoj këtë të fundit të pushtonte Bosnje-Hercegovinën. Por Austria nuk e shikonte me sy të mirë shtimin e popullsisë sllave brenda saj. Ndërkohë, më 15 janar 1877, ajo pranon ftesën ruse. Lajmi i përhapur në kancelaritë evropiane të një marrëveshje austro-ruse bëri bujë të madhe si në opinionin publik ashtu edhe në qeverinë italiane. Pakënaqësia e shprehur nga qeveria italiane nuk e la indiferente qeverinë austro-hungareze, e cila deri në atë moment e konsideronte si të nevojshme mbajtjen e miqësisë me Italinë. Pikërisht kjo nevojshmëri u ndje më shumë kur Rusia fitoi mbi Perandorinë Osmane. Shtimi i influencës sllave në Ballkan, bëri që Austria të fliste me Italinë për kompensime territoriale, por nuk u gjet mënyra e të kuptuarit midis kabinetit Depretis-Crispi, e pasuar nga Drepetis-Nicotera. Italia, si ‘kompensime territoriale’ nënkuptonte marrjen e Trentinos dhe Isonzos. Si forca e Majtë politike, e cila ishte e lidhur ngushtë me lëvizjet irredentiste, ashtu edhe e Djathta, nuk donin t’ia dinin apo të merrnin në konsideratë një nismë të tillë. Pas përfundimit të Kongresit të Berlinit dhe fundit jo të këndshëm për Italinë, deputeti Jaccini shkruante: ‘Nuk mund të mendohej për Tunizinë pasi dihej kundërshtimi francez, por as Trentinon për shkak të Austrisë, e cila mbi të gjitha, pushtoi Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe me këtë akt përmbushte detyrimin për mbajtjen e paqes në Evropë’. [3]

Me ardhjen në pushtet të qeverisë Cairoli dhe me emërimin e kontit Corti në Konsultë, filloi një politikë e jashtme shumë e dobët dhe pasive ndaj Austrisë. U arrit deri në atë pikë sa të pohohej se Italia nuk kishte nevojë për asnjë kompensim territorial, dhe se qeveria italiane nuk donte më as Trentinon dhe as Tunizinë madje dhe Libinë apo lokalitete të tjera të Perandorisë Osmane përfshirë këtu “Shqipërinë”. Por objektivi kryesor i qeverisë italiane, ishte aneksimi i tokave irredentiste. Pa kaluar shumë kohë pas Kongresit të Berlinit, në vitin 1880 Italia u përball me një tjetër humbje, Tunizia. Pikërisht në këtë periudhë lëvizjet irredentiste morën një hov të mëtejshëm. Kudo shpërthyen demonstrata, në Romë, u protestua përpara ambasadës austriake, ndërsa në Venecia konsullata austriake u grabit nga protestuesit. Kjo ditë përkonte me themelimin e “Shoqatës për Italinë Irredente”. [4]

Futja e Italisë në Lidhjen Tripalëshe nuk i qetësoi shpirtrat e irredentistëve, madje idetë revolucionare u rikthyen përsëri në plan të parë. Një tjetër shkak që nxiti më tej këto lëvizje u bë dhe shtypi që informonte opinionin publik italian i cili tejkaloi çdo kufi për të denoncuar pasivitetin e qeverisë ndaj Austrisë, duke deklaruar se “Qeveria italiane kënaqej vetëm me injorimin e të drejtave të tyre”.[5] Faktet tregojnë se prapa shtypit italian sidomos atij milanez, qëndronte qeveria franceze e cila njëherazi e subvenciononte edhe me fonde.[6] Qëllimi i saj ishte prishja e Italisë me aleatët dhe shtimi i presionit ndaj saj. Kjo do ta detyronte atë të afrohej përsëri në orbitën e Francës.

Sakaq tokat irredentiste u kthyen përsëri një çështje e nxehtë për politikën italiane në ambientin evropian. Pavarësisht nga hipokrizia dhe rregullimet e bëra nga politika e kohës, kjo temë nuk u harrua kurrë.

Ajo që vështirësoi më shumë marrëdhëniet midis Austrisë dhe Italisë u bënë trazirat e studentëve të Insbruk, si dhe çështja e vështirë dhe e pa zgjidhur e Universitetit Italian në Trieste, të cilat e rritën më shumë tensionin e irredentistëve. Për pasojë kjo solli një ringjallje të krenarisë italiane në territoret e Perandorisë Austro-Hungareze. Sakaq, një vendim i qeverisë habsburge, i cili acaroi edhe më shumë gjakrat u bë politika favorizuese ndaj banorëve sllavë me banim në zonën e Triestes. Në atë zonë kishte edhe shumë interesa të tjerë të cilat preknin rolin e Italisë si një Fuqi e Madhe.

Argumenti historik i irredentistëve

Shekuj më parë, Roma u bë kryeqyteti dhe qendra intelektuale e gadishullit italian. Pas Luftës së Parë Punike, ajo u kthye edhe në fuqi detare. Pikërisht në këtë moment kur ajo kërkonte të sundonte si fuqi detare filloi të ndjejë, për shkak të piraterisë ilire, pasojat e inferioritetit në të cilën ndodhej.Mund të thuhet se ishte Roma ajo që ndihej e kufizuar në Adriatik për shkak të supremacisë së liburnëve. Ky fis ilir përgjatë shek. VII-V p. Kr, luajtën një rol kryesor në historinë e Adriatikut. Më saktë ishte Roma ajo që përvetësoi anijet liburne dhe jo e kundërta. Kuptohet qartë se pas termit “pirat” fshiheshin synime me qëllime ekspansioniste të cilat kishin në thelb kontrollin e “tregtisë” në Adriatik, dhe në rast se mund të ketë pasur pirateri, kjo nuk ishte specialitet i ilirëve, në atë kohë të tjerë popuj të Mesdheut ushtronin piraterinë.

Roma, e gjetur në këto rrethana, u detyrua në vitin 226 p. Kr. të fuste në punë marinën e saj për të luftuar kundër ilirëve, e ndjekur kjo edhe nga nëntë beteja të tjera, derisa qeveritarët e saj panë se ajo nuk do të kërcënohej më prej tyre. Kjo luftë përfundoi me dobësimin e ilirëve dhe pushtimin përfundimtar të bregut lindor të Adriatikut, pushtim ky që u krye në vitin 78 p. Kr. dhe që përfundoi me marrjen e plotë të prapatokës dhe me formimin e një province të re në vitin 10 m. Kr., që mori emrin “Dalmacia”.[7]

I njëjti problem iu shfaq Republikës së Venecias. Sapo siguroi pavarësinë e saj, filloi aktivitetin detar, aq sa ju desh shumë shpejt të bindej që para se të merrte ndonjë iniciativë për ndonjë zgjerim, sigurimi i saj kërkonte një zgjidhje që të ishte në favor të problemit Adriatik: dhe ja tentativat e dështuara të dogjëve Kandiano II dhe Kandiano III më 932-948: pushtimi përfundimtar i vetë Dalmacisë dhe të ishujve e qyteteve kryesore bregdetare të operuara nga Doxhi Orseolo (998- 1000), ku u shpall “Dux Dalmaties”. Përgjatë gjithë ekzistencën së saj Republika e Venecias mbajti lart më shumë se çdo gjë tjetër “ruajtjen e brigjeve dalmate”, ashtu siç tregojnë luftërat e saj shekullore kundër Hungarisë nga (1105-1409) dhe më pas me Perandorinë Osmane (1618-1718).

Edhe Napoleoni njohu me traktatin e Presburgut (1806) nevojën për të bashkuar Dalmacinë dhe Histrian me Mbretërinë Italike. Mund të themi se Dalmacia ruan prej mëse 2000 vjet pa ndërprerje latinizmin më saktë italianizmin, asnjëherë ky i ngatërruar nga askush, madje as dhe nga qeveria austro-hungareze të paktën deri në vitin 1866. Kjo e fundit pas kësaj date filloi përpjekjet për zbehur dhe për t’i treguar të shkrira karakteristikat e saj etnike, si për Venezian Giulia ashtu dhe Histrian.[8]

Për pyetjen se sa italianë jetojnë jashtë kufijve silleshin shifra të ndryshme nga të dyja palët. Sipas irredentistëve jashtë Italisë banonin të themi një milion, po bashkë me Maltën dhe Korsikën arrijnë shifrën e një milion e treqind mijë banorëve italianë. Malta me Gozon mund të jenë rreth njëqind e shtatëdhjetë mijë italianë indigjenë. Në Tiçino jetojnë njëqind e tridhjetë mijë italian, dhe janë lombard. Të shikojmë pak këtu, italianët e Trentinos, Venecia Giulias, të Triestes që përfshin Gorician, Histrian, Dalmacinë, që janë italianët e Austrisë, ata numërohen rreth shtatëqind mijë banorë. Këta shtatëqind mijë italianë të shpërndarë në një rreze prej 700 km gjysma e tyre jeton në Trentino dhe aty janë kompakt e përbëjnë pothuajse shumicën e popullsive që jeton aty. Pastaj kemi ladinët të cilët ngatërrohen me gjermanët, mund të themi në gjuhën e diplomacisë këtu kemi të bëjmë me një “provincë pothuajse austriake” e destinuar të jetë pjesë e Italisë së re. Të gjitha këto vende të lartpërmendura ku banojnë italianë, duhet të jenë të Italisë, sakaq thuhet që Italia mund t’i marrë ato vetëm me forcën e armëve. Nëse Austria arrin në Selanik, Italia arrin në Trento.[9]

Ndërkohë Austria, për të frenuar përhapjen e gjuhës italiane bëri të gjitha përçapjet për ta zëvendësuar atë me gjuhën gjermane. Natyrisht instrumenti më i vjetër dhe më efikas për pengimin e gjuhës italiane, ishte shërbimi ushtarak. Ky shërbim kryhej vetëm në gjuhën gjermane, si italianët ashtu dhe sllavët ishin të detyruar ta mësonin atë. Sakaq, qeveria austriake shpresonte që për një farë kohë “lëvizjet irredentiste italiane” në territorin e saj të ishin thjesht partiake dhe që të mos të ndikoheshin nga zhvillimi i ngjarjeve të brendshme dhe të jashtme të Italisë. Pas këtyre lëvizjeve të Austrisë fshihej interesi i saj i vërtet, që është “sigurimi i daljes në Adriatik”. Pra, ishte thelbësore që këto lëvizje të mbaheshin të izoluara pasi rrezikonin mbijetesën e saj. Austria ndjente që në det dhe në veçanti në Lindje (Ballkan), do t’i duhej gjithmonë të ndihmohej nga gjysmë italianët, me pak fjalë duhej frenuar “italianizmi” . Pikërisht për të ruajtur këto synime, Austria zgjodhi të ndihmonte më shumë elementin sllav si kundërpeshë ndaj elementit italian. [10]

Përveç Austrisë duket se edhe vetë Italia mund të kishte probleme me irredentistë të kombësive jo italiane të cilët banonin në Itali. Pikërisht në lidhje me këtë gjuhëtari italian Graciadio Askoli, shtroi këtë pyetje[11]:

Çfarë do bënte Italia nëse grekët dhe shqiptarët e Sicilisë dhe Kalabrisë do kërkonin të drejtat politike ose privilegje që mund të bien ndesh me kushtetutën e Italisë? A ishte ky një krahasim vërtet i çuditshëm i çështjes së irredentizmit ?

Për sa i përket grekëve ata janë një pakicë e vogël. Po për sa i përket shqiptarëve?

Pavarësisht se ata janë akoma dy gjuhë folës në pjesë më të madhe le të themi bëhen rreth njëqind mijë banorë. Është e vërtetë që ushtria e Napolit kishte regjimentin “Real Macedone” o “Illirico”, e cila ishte e njohur për praninë e lartë të shqiptarëve në radhët e saj. Nuk mund as të mohohet që ndonjë arbëresh të ketë ëndërruar “Shqipërinë e Madhe” apo të mos pranosh faktin që Garibaldi të mos ketë menduar për ndihmën që mund të jepnin shqiptarët e Kalabrisë e të Molizës kur ëndërronte një zbarkim në Epir. Nuk ka asnjë italian të mos ketë parë që shqiptarët janë njerëz guximtarë dhe që ndikojnë në ekipin e politikës së Italisë.[12] Për këto arsye qeveria italiane u kushtëzua t’u njihte disa privilegje.

Si përfundim, mbështetur në dokumentet e kohës mësojmë se qëndrimi i qeverisë italiane karakterizohej nga interesa të momentit. Pikërisht në këtë periudhë qëndrimi zyrtar i Italisë ishte për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me aleatët. Po sjellim si argument korrespondencën midis ambasadorit në Berlin Lanza, dhe ministrit të Jashtëm Tittoni. Aty thuhet:

“Qeveria Italiane mori të gjitha masat për të përhapur në Vjenë besim se kjo do dijë t’i vendosë fre manifestimeve irredentiste që përsëri po tronditin vendin… Qeveria italiane dëshironte të rivendoste në raportet midis Italisë dhe Austro-Hungarisë të njëjtët raporte harmonie dhe besimi që mbretëronin midis Italisë dhe Gjermanisë”. [13]

Me këtë lëvizje ministri Tittoni synonte të zhdukte çdo dyshim apo ndonjë keqinterpretim të gjithë elementëve të mundshëm, madje duke siguruar se nga ana e tij do merreshin të gjitha masat për të penguar çdo lëvizje të irredentistëve. Në fakt, ky qëndrim i Italisë ndikohej më shumë me situatën e Ballkanit, me shqetësimin se Austro-Hungaria “pa dëshirën e saj” mund të tërhiqej nga zhvillimi i ngjarjeve dhe të ndërhynte aty me armë. Kjo do të thoshte pushtimin e Ballkanit prej saj dhe fundin e ëndrrës së Italisë për t’u shtrirë në të.

Për të evituar një gjë të tillë, Italia nëpërmjet ministrit të Jashtëm,Tittoni riafirmonte politikën e sinqertë drejt Lidhjes Tripalëshe, e cila ishte baza kryesore e politikës së saj në të gjitha shfaqjet. Tittoni dëshironte që Austria, Gjermania dhe Italia të binin dakord në çështje të rëndësishme që interesojnë në mbajtjen e paqes në Evropë. Këtë gjë ai e lidhte me këndvështrimin e mbajtjes së status quo-së në Gadishullin Ballkanik dhe dëshirën që në rast të një aksioni ushtarak të ndërmarrë nga Austro-Hungaria përtej kufijve të saj të paraprihej nga një shkëmbim idesh me Gjermaninë dhe Italinë. Kjo nuk do të binte në kontrast me marrëveshjen austro-ruse. Për sa i përket reformave dhe detyrave për ruajtjen e paqes në Ballkan, Italia i ka kushtuar dhe do vazhdojë t’i kushtojë vëmendje. “Në lidhje me “Shqipërinë” i qëndrojmë paktit të bërë më parë”, deklaronte Tittoni .[14]

Por jo çfarë thuhet në politikë zbatohet me përpikmëri, jo zyrtarisht qeveria italiane punonte në fshehtësi për të rritur influencën në tokat irredentiste kufitare me Austrinë. Madje ajo nuk kurseu të vinte në punë reparte të tëra ushtarake në shërbim të politikës së saj. “Thuhet se ushtarët italianë silleshin si të ishin në shtëpinë e tyre” [15]

Impenjimi i ushtrisë e kthente atë në një element për shpresa nacionaliste. Por, njëkohësisht ishte një kartë tepër e rrezikshme dhe që binte në sy. Pavarësisht se bota zyrtare italiane e mohonte atë kjo bëhej për të mos qenë të kompromentuar.[16] Nga këto lëvizje të politikës italiane mund të kuptojmë se rritja e tensionit në marrëdhëniet politike midis Austrisë dhe Italisë, nuk erdhi si rezultat i shfaqjeve irredentiste, por nga politika ekspansioniste e Italisë për t’u shtrirë në Ballkan.[17] Parë edhe në një këndvështrim tjetër, politika irredentiste krijonte plotësimin dhe sqarimin e politikës ballkanike të Italisë. Dhe kundërshtari i saj ishte Austro-Hungaria.[18]

 

[1] Gazetta “La Stampa”, La storia dell’Irredentismo. Torino 15 dicembre 1932, f. 3.

[2] Pseud Adriaticus Adriaticus. Da Trieste a Valona. Il problema Adriatico e i diritti dell’Italia. Editore Alfieri & Laroix, Milano 1918, f. 114.

[3] Gazetta “La Stampa”, La storia dell’Irredentismo. 15 dicembre Torino 1932, f. 3.

[4] Po aty.

[5] Gazetta “Piemontese”, L’irredentismo e la triplice alleanza. Nr 183, 5 luglio Torino 1883, f. 2.

[6] DDI. Terza Serie 1896-1907 Vol VIII . Nr 45 L’Ambasciatore a Berlino, Lanza, al Ministro Degli, TittoniIl T. Riservato 2315/170. Berlino 3 dicembre 1903, f. 39.

[7] Pseud Adriaticus Adriaticus, Da Trieste a Valona…., f. 8.

[8] Po aty, f. 9.

[9] G. Ascoli, Gli irredenti. Nuova Antologia, Terza Serie, Roma 1895, f. 48.

[10] Po aty, f. 50.

[11] Po aty, f. 36.

[12] Po aty, f. 37.

[13] DDI. Terza Serie 1896-1907 Vol VIII . Nr 45 L’Ambasciatore a Berlino, Lanza, al Ministro Degli, TittoniIl T. Riservato 2315/170. Berlino 3 dicembre 1903, f. 39.

[14] DDI. Terza Serie 1896-1907 Vol VIII . Nr 205 Allegato L’Ambasciatore D’Austria-Ungheria a Roma, Pasetti a Ministro degli Esteri Austro-Ungarico, Goluchowski. febbraio 1903, f. 163.

[15] DDI. Terza Serie 1896-1907 Vol VIII . Nr 610 L’Ambasciatore a Vienna al Ministro degli Esteri Tittoni. R. 1302/597 Vienna 31 agosto 1904, f. 501.

[16] DDI. Terza Serie 1896-1907 Vol VIII . Nr 610 L’Ambasciatore a Vienna al Ministro degli Esteri Tittoni. R. 1302/597 Vienna 31 agosto 1904, f. 502.

[17] DDI. Terza Serie 1896-1907 Vol VIII . Nr 613 Il Ministro a Belgrado, Guccioli, al Ministro degli Esteri Tittoni. Allegato Belgrado 1 settembre 1904, f. 504.

[18] A. Wernicke, Teodor Ipen dhe Shqipëria në fokusin e Perandorisë Austro-Hungareze…., f. 80.

Filed Under: Histori Tagged With: 1897-1912, ndaj çështjes shqiptare, Niko Ferro, Politika italiane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT