• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

BISEDE ME VELLEZERIT DRISHTI, OFICERE TE POLICISE NE NJU XHERSI

September 9, 2015 by dgreca

Ne Kujtim te Bahri Drishtit, qe nderroi jete ne ditet e para te shtatorit 2015 ne Nju Xhersi , SHBA dhe u varros ne Shkoder./

Nga Dalip Greca

Këto ditë komuniteti shqiptar i Amerikës përcolli drejt Shkodrës Bahri Drishtin, një ndër këngëtarët amator tepër të zëshëm në diasporën shqiptare, i njohur edhe si “mjeshtër” i pizzës. Të ndjerin kam pas fatin ta takoj disa herë. Në qershor 2003 ai pat bërë një vizitë në redaksinë e Gazetës ILLYRIA në Manhattan, i shoqëruar nga dy djemtë e tij oficera te policisë të Shtetit amerikan. Bisedë që organizova me policët Drishti,po e sjell si homazh për atin tyre, Bahri Drishti. Shkrimit nuk po i bej asnjë ndryshim, po e sjell sic u botua në Illyria.

***

Që ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh policë, që sigurojnë rendin e qetësinë  në Amerikë, kjo nuk përbën asnjë çudi. Ajo çka duket e habitshme konsiston në faktin se nga një familje shkodrane ka dalë jo një, por dy policë. Rastësia e dytë është se që të dy vëllezërit e kanë marrë vendimin për t’u veshur policë në një ditë, rastësia e tretë qëndron në faktin  se janë pranuar që të dy pa asnjë vërejtje.

Ata janë vëllezërit Edmond dhe Arben Drishti me banim në Nju Xhersi.

Biseda në redaksinë e Illyria-s nis me humor:

-Kot thonë se ban me ken shkodran, të tana i ban..përveç …polic, -qeshet Edmondi, njëri prej vëllezërve Drishti, i cili është pak më i madh edhe në moshë, por edhe në gradë. Edmondi ka gradën rreshter, ndërsa Arbeni sapo e ka fituar gradën e re dhe pret ceremoninë. Edmondi është mbikëqyrës dhe ka nën komandë disa policë.

Të dy vëllezërit vendimin për të shërbyer në polici e kanë marrë vonë, pasi kanë përfunduar fakultetet.

Pyetjes së përbashkët që u adresoj të dyve:Përse zgjodhët policinë për profesion?, u japin përgjigje të ndryshme, por në thelb me të njëjtën essence. Edmondi përgjigjet:

– Endërra ime nuk ka qenë policia. Kam pasë dëshirë  që të ecja në gjurmët e nënës time, që ka qenë një profesoreshë e pasionuar. Kam studiuar për mësuesi. Kjo ishte dëshirë edhe e nënës. Ajo ka qenë profesoreshë në Prishtinë. Dhe unë nisa studimet për shkencë, histori dhe biologji. Përfundova me rezultate të mira. Madje nisa të studioj për pak kohë edhe për mjekësi, por… daja, Shpëtim Dushaj ndikoi që unë të ndryshoja drejtimin e studimeve. Argumentet e tij ishin praktike: Policët kanë pagesë të mirë, kanë pushime, sigurime dhe gjithçka tjetër ju duhet në Amerikë. Pastaj edhe mosha e rinisë, ku merret në sy aventura, rreziku, ka pasë peshën e vet në marrjen e vendimit. Qyteti ku ne jetojmë na njeh për djem të mbarë dhe shërbimi aty do të kishte siguri.Ata do të na mbështesnin në detyrën e re, për t’u siguruar rend e qetësi.Dhamë provimin në një ditë së bashku me vëllanë. Dolëm shkëlqyeshëm.Ja, kështu u bëmë police,-përfundon rrëfimin Edmondi.

Arbeni, vëllai më  vogël, pat studiuar për degën e menaxhim biznesit, por edhe ai nuk e la të vetëm vëllain.Ai e pëlqen “aventurën” dhe ka shërbyer përherë në sektorë të vështirë.

Arbeni e formulon shkurt përgjigjen: Si mund ta lija vetëm vëllanë tim të madh?

Që nga viti 1997 kur e nisën rrugën e vështirë të policies, dy vëllezërit kanë njohur veç suksese. Ndërsa rrëfejnë çaste të vëshira nga përballja me krimin, ju drejtoj një tjetër pyetje të përbashkët:

– A ka pasur qoftë edhe një moment të veçantë, kur të jeni penduar pse keni marrë vendimin për t’u veshur policë ?

Përgjigja e Edmondit është e prerë:

-Jo, nuk  e kam e përjetuar ende pendesën. Që kur morëm vendimin për t’u veshur policë e morëm parasysh se po i hynim një aventure, që përmbante në vetëvete edhe rrezikun. Nuk them se detyra ishte e lehtë, përkundrazi, tepër e vështirë. Merre me mend, ne s’ishim mësuar që të rrinim natën jashtë, në çfarëdolloj moti, ftohtë apo nxehtë, që të përgjonim nëpër qoshe pa dritë, ku lëvizte elementi i kriminuar. Ka qëlluar që të rrimë tërë natën jashtë, nga 12 pas mesnate deri në mëngjes. Dhe errësira e natës mund të përballi me çdo lloj krimineli, i cili mund të tregohet më i shkathët dhe mund t’ na merrte jetën. E duke qëndruar me orë të vetmuar përballë kriminelit dhe errësirës, edhe mund të ketë kaluar vetëtimthi mendimi pse rrezikova, por jo pendesë nuk nuk ka pasur, – thotë Edmondi.

Plotëson  Arbeni:

– Ne nuk na çoi njeri me zor, vetë e zgjodhëm aventurën. Nuk kemi pse pendohemi. Unë kam pas çaste të vështira, por asnjëherë s’kam thënë pse e zgjodha policinë për profesion. Jam i ndërgjegjshëm se rreziku përgjon pas çdo rasti që më jepet për të siguruar qetësinë e qytetarëve amerikanë, por rreziku më ka bërë më të vëmendshëm, më syhapur ndaj kriminelëve.

Cili ka qenë rasti më i vështirë i karrierës tuaj?- e pyes Arbenin.

Pasi mendohet një hop, jep një përgjigje pa shumë detaje:

– Kam bërë shërbim në vende të vështira, ku elementët e krimit kanë vendqëndrimin e tyre. Shpesh ka blloqe të tëra të lagjeve të varfëra, kryesisht ato që janë projekte të ndërtuara nga shteti, ku lëviz shpesh elementi kriminal.Kam dhe një koleg tjetër shqiptar që punon me mua në ato lagje të varfëra. Kemi pasur raste të rrezikshme, por me guxim i kemi kaluar.

– Cili ka qenë rasti më i vështirë i karrierës 10-vjeçare?- e pyes Edmondin.

Përgjigja e tij:

– Rastet e rrezikshme i kemi bashkudhëtare në shërbim, por mendoj se i kemi provuar në fillim, sepse atëherë na mungonte edhe përvoja, emocionet dhe ankthi ishin shqetësuese. Ju kërkoni një rast? Mirë, po sjell një të atillë. Sapo kemi pasë dalë prej Akademisë së Policisë. Rasti ishte i tillë: Në radio morëm lajmin se ishte vrarë një mësues në lagjen pranë shkollës. Ishte në kërkim vrasësi.Ju thashë se ishim të rinj në detyrë nuk kishim përvojë në raste të tilla. Para sysh na kalonte mësuesi i shtrirë përtokë nën pellgun e gjakut dhe një kriminel që bridhte me pistoletë në dorë dhe nga çasti në çast mund të merrte jetë të tjera. Fantazia vepron pa limit në ato momente. Emocionet në këto raste kalojnë në ankth dhe gjendja shpirtërore rëndohet. Situata e rënduar vazhdoi për një kohë, por më në fund u mësua se vrasësi i mësuesit kishte vrarë veten.

Për Benin çasti më i vështirë ka qenë rasti kur një fëmijë 15 vjeçar largohet nga zyra e gjykatës. Më pas kujton dhe një  rast makabër, ku ka gjetë një çift kryeprerë.

– Po vetë a keni qenë ndonjëherë në rrezik?- drejtoj një tjetër pyetje të përbashkët për dy vëllezërit Drishti.

Përgjigjet Edmondi:

– Natyrisht që kam qenë në rrezik, por Arbeni ka qenë më i rrezikuar, sepse ka bërë shpesh shërbime në lagjet problematike. Policët gjenden të rrezikuar shpesh prej elementëve kriminalë, që nga njëherë veprojnë në grup dhe  dalin nga skutat tamam si ato kakarrocat në errësirë . Ka një ngjarje të vitit  1999, kur ai qe vërtetë në rrezik, por falë guximit i kaloi me qetësi ato.

Arbeni është polic i terrenit dhe i përballur shpesh herë me elementët e kriminuar. Kur i kërkoj që të sjellë ndonjë rast, kur ai ka qenë përballë elementëve të tillë, me modesti sjell një çast të tillë:

– Para ca kohësh, po ecnim në këmbë duke kontrolluar lagjen, ku kishim informacion se elementi kriminal ishte i organizuar. Ishim pak policë, një patrullë e vogël; ndërsa ata më shumë se 100. U ndjemë të rrezikuar. Kërkuam ndihmë dhe e kapërcyem situatën. Në një rast tjetër ishte e ekspozuar një kolege e policisë. Një tufë kriminelësh iu lëshuan   kapitenes dhe jeta e saj u vu në rrezik. Ndërhyra me gjakftohtësi duke u tërhequr vëmendjen kriminelëve dhe arrita që ta ndihmoj kapitetenen, ndërsa kriminelëve iu tregua vendi…

Ky rast është përshkruar edhe nga gazetat e Nju Xhersit.

***

Në Nju Xhersi tani banojnë shumë shqiptarë, sidomos të ardhur pas viteve 1990. Ka dhe nga ata që kanë ardhur që pas Luftës së Dytë Botërore, dhe mbetën në këtë shtet. Dy vëllezërit policë tregojnë se shqiptarët nuk shquhen për thyerje të ligjit. Në përgjithësi janë korrekt dhe i shmangen përplasjes me ligjet amerikane. Shkalla e kriminalitetit të komunitetit shqiptar është në shifra të ulta. Gjithësesi ua drejtova pyetjen:

– Ka qëlluar ndonjëherë gjatë shërbimit kur shkelësi i ligjit të ketë qëlluar shqiptar?

Përgjigjet Arbeni:

-Edhe ka qëlluar, sidomos në trafik. Pak kohë më parë më ka qëlluar një shqiptar i Kosovës. Në fakt në shërbim ne ishim që të dy  policë shqiptarë, që e ndalëm atë. U krijua një situatë pak e ngarkuar kur i thamë pse po i shkel rregullat e trafikut. Ai dukej i frikësuar dhe po përpiqej të justifikohej. Në fund, pasi i pamë dokumentet, e pyetëm nga ishte pasi anglishten e shqiptonte me aksent.

– Jam shqiptar,- na tha.

Kur i thamë se edhe ne ishim shqiptarë, atij i ndryshoi fytyra dhe filloi të na falënderonte. E udhëzuam të kishte kujdes tjetër here…

– Si reagojnë shqiptarët kur mësojnë se edhe ju jeni shqiptarë?

Flet Beni sërish:

– Një herë kam qenë civil në shërbim. Ma kanë parë shqiponjën tatu në krah dhe më kanë parë me një sy tjetër. Shkelësi i ligjit kur ma ka parë tatunë, i ka ndryshuar fytyra.

Ti je shqiptar? – më ka pyet.

Po, – i jam përgjigjur.

Po dhe unë jam shqiptar…Të lutem më ndihmo…

Jam përpjekur t’ia lehtësoj gjendjen, duke e lehtësuar masën e ndëshkimit, por nuk kam harruar ta porosis se para ligjit të gjithë janë të barabartë dhe të kishte kujdes tjetër herë.

Arbeni, duke qenë polic i terrenit ka pasë shpesh raste , kur ka shpëtuar jetë qytetarësh dhe kriminelëve u ka treguar vendin. Madje ka pasur disa raste kur shërbimi i mirë tek qytetarët ka merituar falënderim publik.

Dy vëllezërit policë tregojnë se armët pa leje mbeten një rrezik i përhershëm për jetën e  qytetarëve, prandaj ata i kushtojnë shumë vëmendje kapjes në flagrancë të këtyre rasteve dhe çarmatimit. Arbeni tregon se ka pasur me dhjetëra raste kur i ka zënë me revole elementët e kriminuar.

– Çarmatosja nuk është një veprim i lehtë dhe jo rrallë mbart rrezik për jetën. Kemi qenë me makinë  në një rast, duke kryer patrullimin. Dikush na ka treguar për një person se kishte pistoletë dhe se përbënte rrezik për qytetarët. Kemi lënë makinën dhe kemi filluar ta gjurmojmë të dyshuarin. E kemi kryer kontrollin në flagrancë dhe e kemi kapur armën. Befasia jonë nuk i dha kohë atij të reagonte. Por nuk ndodh gjithmonë kështu. Elementi kriminal përdor dredhitë dhe taktikat e veta dhe ndodh që mund të rrezikojë jetë policësh. Ka qëlluar një rast tjetër. Kam marrë informata se një person me këto e ato cilësi, me këtë paraqitje, e me këtë veshje, ka një pistoletë, me të cilën kishte  kërcënuar qytetarët. I jemi afruar me makinë. Në një moment të përshtatshëm  kemi dalë nga makinën dhe direkt i kam drejtuar pistoletën dhe i kam kërkuar t’i bindet kontrollit. Ai e kishte përdorur një dredhi. Nuk ia gjetëm me vete, por e detyruam të na tregonte se e kishte  fshehur në makinë pistoletën. Një tjetër rast na kishin treguar një person të armatosur, i cili kërcënonte një vajzë me pistoletë. Na morën në telefon. Shkuam.  E kemi ndalë personin e dyshuar, por partneri që kisha atë natë ishte një tip jo i shkathët dhe pak frikacak. Në momentin e kontrollit  ka qenë i papërgatitur ai kolegu dhe e kam lënë të kalojë personin e  dyshuar. E kam tërhequr mënjanë kolegun dhe i kam tërhequr vëmendjen duke i kërkuar që të mbledh veten.I them se do t’i kalojmë prapë afër dhe unë do t’i drejtoj pistoletën e ti do ta kontrollosh me kujdes. Kështu vepruam. E ndalëm në një kohë kur ai ishte i shkujdesur dhe nuk mendonte se mund të rikontrollohej.  Mirëpo kolegu im ende s’ishte çliruar nga gjendja e pasigurisë. Kontrollon dhe më thotë se nuk ka armë. I them kontrollo se diku aty e ka fshehur.Ka kontrolluar më me kujdes dhe ia ka gjetë të fshehur nën një xhep të posaçëm, – thotë Arbeni.

Si mund të jetë një ditë e zakonshme shërbimi për policet e Nju Xhersit?

Në fakt Edmondi erdhi në redaksi pas një nate shërbimi dhe ai tregon se çfarë të veçante pati në shërbimin e  tij.  Ja se si i përgjigjet ai pyetjes:

– Kam qëndruar në vendshërbim. Kam pritur dhe përcjellë lajmet që më vinin nga pikat e kontrollit të policisë. Jam marrë me rastet që më janë raportuar. Psh. një rast më njoftuan se një femër nuk kishte respekuar shenjat e trafikut dhe se po e ngiste makinën në gjendje të pijshme. Pra ishte e dehur. Më lajmëroi polici i kontrollit se ajo s’është ndalë në semafor edhe pse shenja ishte për të ndalur. E ka ndjekur polici. I thashë në radio shoqëroje dhe pas pak më ke aty. Shkova atje.E nxora nga makina. E pyeta se mos kishte ndonjë shqetësim shëndetsor, nëse është diabetike apo jo. M’u përgjigj se nuk ishte e sëmurë , por kishte qenë në një mbrëmje miqësh  dhe se kishte pirë 2-3 gota dhe kaq. Mirëpo ajo dukej se kishte pirë shumë. Ishte tapë, si i themi ne në shqip.I them qëndro me një këmbë dhe çoje këmbën tjetër 6 cm nga toka. E çon, por nuk e mban ekulibrin. Më fal, thotë, këtë këmbën e kam keq, nuk qëndroj dot.

Nuk të thashë të qëndrosh me këmbën që ke keq, mbështetu mbi këmbën e shëndoshë dhe ngi këmbën e keqe. Por asgjë s’ishte në gjendje që të bënte. Dukej se ishte e pijshme.

Pastaj i bëra një provë tjetër duke i treguar  pikën e lapsit. Ajo lëvizte kokën dhe s’mundëte që ta ndiqte vetëm me sy lëvizjen.

Në fund e pranoi se ishte e pirë. E ndalëm. E arrestuam.I bëmë matjen e alkolit dhe e ndëshkuam sipas ligjit.

Ky ishte rasti më flagrant, njoftimet e tjera ishin kryesisht informuese, –  mbyll rrëfimin e  shërbimit të fundit Edmondi.

***

Numri i shqiptarëve që shërbejnë në policinë amerikane po vjen duke u rritur. Edmondi dhe Arbeni tregojnë se janë  më shumë se dhjetë policë shqiptarë në Nju Xhersi dhe numri ka tendencë që të rritet. Edhe në Nju Jork ka disa policë shqiptarë, madje njëri është me gradë të lartë në qarqet drejtuese të policisë njujorkeze.

Dy vëllezërit po përpiqen që të krijonë një asosacion të përbashkët për policët shqiptarë. Është fjala për një Agjensi Shqiptaro-Amerikane për mbrojtjen e ligjit, agjensi që e kanë italianët, irlandezët ose kombësi të tjera këtu në SHBA.Synimi është që të gjithë policët shqiptaro-amerikanë të kenë një shoqatë të tyre, dhe  të krijonë mundësi ndihme për kolegët e tyre shqiptarë, ose për benefite të tjera që rrjedhin prej ligjeve amerikane.

Edmondi mendon se shqiptarëve u shkon për shtat dhe karakter detyra e policit. Shqiptari është trim prej natyre dhe për policin trimëria është arma më e mirë për t’u mbrojtur nga kriminelët.Kohët po ndryshojnë, policët merren me fakultet dhe numri i shqiptarëve që po kërkojnë të shërbejnë në polici pas kryerjes së fakulteteve, po vjen në rritje.

***

Dy vëllezërit e flasin gjuhën shqipe shumë bukur edhe pse kanë lindur në SHBA. Madje edhe fëmijët e  tyre flasin shqip. Kjo është një mrekulli sepse sigurohet mbijetesa e gjuhës shqipe edhe në brezin e  tretë. Edmondi thotë se nëna ka meritën që ata e flasin aq pastër gjuhën e bukur shqipe. Vetë Edmondi është këmbëngulës në ruajtjen e gjuhës shqipe. Ai kujton një rast kur ishte në moshën 12 vjeç. Kishte harruar fjalën ”çekic”.M’u duk se kisha bërë një faj, thotë ai. Fillova të bëhem më i interesuar për çdo fjalë në shqip. Atëhere dilte dhe gazeta e Legalitetit ”Atdheu”. Fillova  ta lexoj, kisha vështirësi. Përpiqesha që të lexoja më shumë. Dëgjoja edhe Hysen Mulosmanin dhe Rasim Sinën në Radion ”Zani i Atdheut”. Kur flisnin shpejt qëllonte që nuk i kuptoja të gjitha fjalitë. Atëhere bëja më shumë përpjekje për të mësuar më shumë duke folë me nënën.

Cili ishte motivi që ju shtynte të mësonit shqip? – e pyes Edmondin.

– Po qëllonte shpesh që takonim shqiptarë dhe nuk donim që të mbeteshim gojëmbyllur përpara tyre. Pastaj, mendonim se një ditë Shqipëria do të hapej dhe ne do të shkonim atje . Po ç’shqiptarë mund të ishim ne kur s’do të ishim në gjendje të flisnim shqip? Si do të komunikonim me ta? Dhe vërtetë kjo kohë erdhi. Ne nuk e patëm të vështirë të komunikonim me njerëzit tanë, ndërkohë që dy motrat që kishin lindur këtu, kur shkuan në Shkodër e Shirokë tek të afërmit s’dinin një fjalë shqip dhe iu desh të ktheheshin shpejt në SHBA.

Në familjet Drishti vazhdimësia e të folurit shqip është siguruar. Edhe fëmijët e tyre flasin shqip. Edmondi ka dy djem, Dante Drishti që është  6 vjeç e gjysëm dhe Luani, që bëhet 4 vjeç me 8 janar.

Ndërsa Arbeni ka një djalë 7 vjeç, që i ka vënë emrin e të atit, Bahri, dhe një vajzë katër vjeçe.

Si e kujtojnë vizitën e  parë në Shqipëri dy vëllezërit Drishti?

Përgjigjet Edmondi:

Nëna jonë  e mirë na përgatiti shpirtrisht para se të shkonim atje. Na tha se atje kishte vështirësi të shumta, prandaj të tregoheshim të fortë për të përballuar gjithçka.Kur shkuam atje nuk na bënë shumë përshtypje vështirësitë. Ne kishim mall për atdheun për të cilin na kishin folë aq shumë në familje. Vërtetë se ishim lindur këtu në Amerikë, por prindërit na kishin ushqyer me dashurinë për atdheun dhe kombin. Kështu që me këtë ndjenjë zbritëm në Shqipëri. Në Kosovë kishim shkuar edhe më parë, ndërsa në Shqipëri jo.

Edmondi kujton që kur ishte i ri kishte bërë kërkesë në ambasadën shqiptare në Francë që të shkonte të vizitonte Shqipërinë. Ata qesheshin me kërkesat e tij që i dërgonte me shkrim dhe i kthenin përgjigje mohuese standarte:Jo t’i nuk je për në Shqipëri. Ti nuk mund ta vizitosh Shqipërinë.

– E kuptova vonë se i biri i një të arratisuri politik nuk mund të vizitonte vendin e tij komunist,- thotë Edmondi.

– Si shkoi vizita e pare në Shqipëri?- e nxis bisedën më tej.

Përgjigjet Arbeni:

– Kur shkuam aje, çfarë të  shihnim! Lopë në aeroport, këmbsorë në rrugë makine, karroca dhe qerre mes qytetit. Pastaj mjediset higjenike mungonin. Banjot allaturke sa s’të shkonte mendja me shku as për një javë… Kur donim të bënim dush s’kishte drita. Shkonim në qytet dhe i drejtoheshim hotel Rozafës, ku paguanim nën dorë për një dush të shpejtë…

Edmondi tregon se gjatë vizitave në Shqipëri ka takuar shumë police shqiptarë. Ai shprehet plot respekt për policët shqiptarë, të cilët, siç thotë ai, e kryejnë shërbimin në kushte tejet të vështira dhe pa mjetet e domosdoshme të mbrojtjes nga kriminelët, kanë pagesa të ulta dhe janë pa benefite. Ata përballen me keqbërsit me mjete të pakta teknike dhe me rroga të vogla. Shumë policë janë vrarë përballë kriminelëve dhe fëmijët e  tyrë kanë mbetur jetimë. Nuk kanë sigurim për familjet e fëmijët e tyre. Shqipëria nuk mund të heqi korrupsionin po nuk rriti rrogat e policëve dhe t’u sigurojë jetën atyre.

Të dy vëllezërit Drishti me bashkëshortet, fëmijët dhe të atin, Bahrinë, shkojnë çdo verë në Shqipëri me pushime. Kanë ndërtuar një vile në Velipojë, ndërkohë që pëlqejnë edhe Sarandën, ku shkojnë e pushojnë çdo verë.

Botoi:Illyria, qershor 2003

Filed Under: Interviste Tagged With: BISEDE ME VELLEZERIT DRISHTI, dalip greca, ne Nju Xhersi, OFICERE TE POLICISE

Kosova, bashkëthemeluese e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione

September 9, 2015 by dgreca

-Marrëveshja rajonale do të nënshkruhet në 17 shtator nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Shtator 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës  miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes Rajonale për Themelimin e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione.“Themelimi i Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione është një nismë rajonale që synon të realizohet përmes marrëveshjes rajonale që do të nënshkruhet më 17 shtator të këtij viti në Split, Kroaci, nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia”, u bë e ditur sot në mbledhjen e qeverisë kosovare.U theksua se, “Qendra e Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione do të jetë një organizatë ndërkombëtare e pavarur, jofitimprurëse dhe në pronësi të palëve nënshkruese të marrëveshjes rajonale”.

“Kjo qendër do të mbështes fuqizimin e bashkëpunimit në nivel evropian dhe nivel ndërkombëtar, duke përmirësuar klimën e Ballkanit Perëndimor për hulumtime dhe inovacione”, deklaroi qeveria e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar sot mbledhjen e 48-të me radhë.

Me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës është aprovuar nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë për Transportin Rrugor Ndërkombëtarë të Udhëtarëve dhe Mallrave.

 Projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë ka marr miratimin e qeverisë. Sipas këtij projektligji, bashkësitë fetare ekzistuese dhe ato që regjistrohen të reja, kanë statusin e personave juridikë dhe kanë të drejtë të themelimit të institucioneve të ndryshme brenda tyre, me karakter humanitar, fetar, edukativ, apo karakter tjetër të ngjashëm, të cilat mund të fitojnë edhe vetë statusin e personit juridik. Shteti respekton të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Kosovës, njeh si përfaqësues të tyre vetëm personat e autorizuar nga bashkësitë fetare në Kosovë dhe garanton mbrojtjen e bashkësive fetare nga çdo person apo grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, logot dhe vulën e tyre.

 Në mbledhjen e sotme, qeveria ka emëruar drejtorët në Bordet e Ndërmarrjeve Publike: “Posta e Kosovës Sh.A”, “Aeroporti i Gjakovës” dhe “Hekurudhat e Kosovës – INFRAKOS Sh.A”.

  Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi vendimin për rishikimin e ndarjes së shtesave të cilat realizohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Pas kërkesës së ministrave të komunitetit serb, qeveria e Kosovës ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme miratimin e Ligjit për arsimin e lartë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ballakni Perendimor, bashkethemeluse, e qendres, kosova

Sistemi parauniversitar në Shqipëri përsëri me dy turne

September 9, 2015 by dgreca

Qindra nxënës të sistemit parauniversitar, edhe këtë vit të ri shkollor do të vijojnë mësimin me dy turne. Zhvillimi i zgjedhjeve lokale, gjatë qershorit, ka sjellë një ngadalësim të punimeve dhe shumë shkolla të vendit janë në proces rikonstruksioni. “Problematika do të kemi në rrethet e mëdha, pasi ende nuk kanë përfunduar shkollat, që fatkeqësisht janë një pjesë në rikonstruksion, për arsye se punimet kanë filluar me vonesë edhe prej fushatës dhe zgjedhjeve të pushtetit lokal. Firmat duket se kanë punuar më ngadalë, por do të doja shumë të gjeja mirëkuptimin e tyre dhe t’u bëja thirrje edhe kryetarëve të Bashkive, të marrin përsipër – në partneritet të fortë me Ministrinë e Arsimit – vendimmarrjet për të përshpejtuar punimet e firmave që janë duke punuar. Të ndihmojnë për kushtet e emergjencës”, u shpreh zëvenësministrja e Arsimit, Nora Malaj. Tri ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, në arsimin bazë janë regjistruar 306 mijë nxënës. Për herë të parë, Ministria e Arsimit dhe Sportit po ofron mundësinë që nxënësit, të cilët kanë përfunduar arsimin bazë, të mund të vijojnë gjimnazin “part-time”, si në arsimin profesional edhe në atë publik, ku deri më tani janë regjistruar 256 nxënës. “Edhe një pjesë të atyre të rinjve, që vijnë nga shtresat e margjinalizuara, ose që kanë pasur problematika për arsye nga më të ndryshmet, do të jetë sistemi ‘part-time’ shtetëror, e theksoj sepse nuk ka sisteme ‘part-time’ private, të cilat janë mbyllur të gjitha që vitin e kaluar”, deklaroi më tej Nora Malaj. Në të gjitha shkollat e vendit ka vijuar shpërndarja e teksteve. Ka mungesa vetëm në 10% të teksteve, të cilat brenda muajit shtator do të jenë në duart e nxënësve. Sh K

Filed Under: Komente Tagged With: Parauniversitaret, serish me turne

NJOFTIM I SHKOLLES SHQIPE NE BRONX

September 9, 2015 by dgreca

Drejtoria e Shkolles Shqipe ne Bronx, njofton te gjithe te interesuarit,  qe kane femije te moshave 6-14 vjet, dhe kane deshire t’i shkollojne femijet ne gjuhen shqipe, kete mundesi ua jep Shkolla Shqipe ne Bronx.

Shkolla Shqipe ne Bronx do te nise regjistrimet me daten 26 Shtator 2015 duke filluar ne ora 09:00 AM.

Adresa:

Columbus High School

925 Astor Ave, Bronx NY 10469.

Per informata me te hollesishme kontaktoni:

347-316-6686

423-747-5100

914-582-3985

ShkollaShqipeNeBronx@Hotmail.com

Ju Mirepresim,

Drejtoria e Shkolles Shqipe Ne Bronx

Filed Under: Komunitet Tagged With: ne Bronx, ne shkollen shqipe, NY, Regjistrimet

Agim Xh. Dëshnica: FLUTURIMI I KENGEVE

September 9, 2015 by dgreca

VARGJE ME MOTIVE POPULLORE/

Nga Agim Xh. Dëshnica/

KARVANI/

Rrjedhin lotët në lëndinë,/

shkon karvani në Follorinë!/

Shkon karvani me fshatarë,/

djem të rritur, baballarë!/

Shkon karvani përpjetë zalli,/

“Mos na qani për së gjalli!”/

Ecin udhës nëpër gurë,/

nëpër va e nëpër urë!/

Përtej grykash larg më larg

mushka, hejbe, njerëz, varg,

humbi fshati i bekuar.

Ikën djemtë e hutuar.

Qiraxhi, o qiraxhi,

ndave nusesh djemtë e ri!

Qiraxhi, të zëntë çarku,

humbe djemtë larg nga pragu!

* * *

Shkojnë vaporë e vijnë vaporë,

pret më kot nusja e gjorë!

Kokën ul e qan e tjer!

Në dritare – tok me vjehrë!

Kthen në fshat pa djem karvani!

Ç’u bënë Vaska, Guri, Jani!?

Nënë e dhëmbshur sheh e ngrirë,

nuse e bukur si e mpirë!

MALL SI MAL

Për ku shkon me gas kështu?

Shndrijnë e qeshin sytë e tu…

Ndalu pak se kam dy fjalë,

për një brengë- mall si mal.

Larg i ikur, mërgimtar,

kthehesh posi zog shtegtar

ku dhe dimrit borë e ftohtë,

të gëzon e të mban ngrohtë.

Nëpër qafa erë e rreptë,

dritë e hije, pyll i blertë,

shkëmb mbi det, zambak, liqen

turbull lumi posht’ tek vjen,

Grykat, gërxhet, gurë i thatë,

rrap i lashtë, plep i gjatë,

shtegu, lart tek ngjitet qerthull,

joshin tutje nëpër mjegull.

Strehë, dritare, pus e gurrë,

zë oborresh, park e mur ,

lule e bar, qull nga vesa,

arë e bukës, plugu e lesa.

Portat, pirgjet në kështjellë,

tek lartohen drejt për qiell,

të shërojnë e heqin mallin

shuajn’ dhimbje, të qajnë hallin.

Për ku shkon me gas ashtu ?

Shndrijnë e qeshin sytë e tu.

Ndalu pak se kam dy fjalë,

për një brengë- mall si mal.

MALLI I DARDHAREVE

Dardhë o Dardhë, në pllajë mali,

ndanë detit rrimë, na mori malli…

O Dardhë e largët, e ëmbël -mjaltë,

vashat flutur, shtatin e gjatë.

E ëmbël Dardha? I hidhur mërgimi,

shtëpi e mbetur, djepi, burimi,

këndon këndezi si i shastisur,

del e pret më kot, nënë e molisur.

Na dogji malli, o Dardhë e bukur,

për kambanë e kishë, udhën e humbur,

për gurë e gardhe, ugaret e plisat,

korijet me bar, ahet e lisat,

gjethet e blerta, lulet në maj,

borën mbi bredha, pishat me majë.

Për grigjën, tek merr përpjetë,

fyellin e drunjtë e murron e sertë,

krismat në pyll, piskamën e shuar,

trokun e kalit, mezhdës lëshuar.

Mbi Gurin e Rrahut, Gurin e Vjeshtës

Gurin e Mprehtë, nën drurë gjineshtre,

sodisnim Devollin tej shpeshherë,

fushën e Korçës, Moravën me erë.

Kafè e Peros me mysafirë,

hotel Betelli me muhaxhirë,

raki e kumbullës, deh pleq e të rinj,

me vrap për shkollë, rendnim fëmijë.

Pas fluturash bridhnin ca bandillë ,

nën dritare posi bilbilë

serenatë, kitarë e violinë,

me këngë dhe mandolinë.

Shtatë gurë lëviz, lumi i Izvorit,

mulliri i Xegos, nxjerr mundin e plorit,

me trak e truk e me oshëtimë,

ashtu si dallgët buzës tek rrimë.

.

Frymë përmallimi, çan oqeanin,

burrat e gratë, qajnë për vatanin.

Për male e fusha, lumej e pyje,

të parët e shtrenjtë, të ndritur ndër yje.

Shpirti i Pecit, pranë portash ndalet,

te Kishë e Shën Gjergjit, ulet e falet.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Agim Xh Deshnica, Fluturimi i kengeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT