• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

NOLI, EMBLEME E KOMBIT SHQIPTAR

December 31, 2015 by dgreca

*Theofan Stilian Noli, nuk qe vetëm një udhëheqës i shquar i bashkësisë shqiptaro-amerikane, por edhe një figurë madhore dhe e gjithanshme e letërsisë, kulturës, fesë dhe politikës shqiptare./
*Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare./
Ne Foto:Fan S. Noli duke hyrë në Selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë më 1924/
Fan Noli (1882-1965), i njohur edhe me emrin Theofan Stilian Noli, nuk qe vetëm një udhëheqës i shquar i bashkësisë shqiptaro-amerikane, por edhe një figurë madhore dhe e gjithanshme e letërsisë, kulturës, fesë dhe politikës shqiptare. Noli u lind më 6 janar 1882 në fshatin Ibrik Tepe, në jug të Edrenesë (Adrianopojë), në pjesën evropiane të Turqisë. I ati, Stilian Noli, ishte psallt i njohur në kishën ortodokse dhe i kishte futur të birit dashurinë për muzikën dhe traditën bizantine ortodokse. Fan Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene, dhe më 1900, pas një qëndrimi të shkurtër në Kostandinopojë, u vendos në Athinë, ku gjeti punë të rastit me pagë të ulët si kopist, sufler apo aktor. Me një teatër shëtitës që jepte shfaqje në ngulimet greqishtfolëse në Mesdheun lindor, Noli mbërriti për herë të parë në Egjipt. Në Aleksandri ai e braktisi teatrin, dhe nga marsi 1903 deri në mars 1905 gjeti punë si mësues i greqishtes dhe psallt i korit kishtar në Shibîn el Khôm, dhe nga marsi 1905 deri në prill 1906 në El Faiyûm, ku ishte vendosur një ngulim i vogël shqiptar. Këtu ai shkroi një numër artikujsh greqisht dhe përktheu në greqishte veprën e Sami Frashërit “Shqipëria – Ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, që u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Nga mësuesi i tij në Egjipt, murgu Nilos, Noli mësoi më shumë për traditat e muzikës bizantine që e tërhiqte aq shumë dhe vendosi të bëhej prift ortodoks. Atje ra në kontakt edhe me drejtues patriotë të bashkësisë shqiptare si Spiro Dine (1846?-1922), Jani Vruho (1863-1931) dhe Athanas Tashko (1863-1915), të cilët e nxitën të mërgonte në Amerikë, ku mund t’i përdorte më mirë talentet e tij. Noli i ri pranoi.
Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje botuesi Sotir Peci (1873-1932) i dha një punë me pagë minimale si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Financiarisht dhe personalisht, këta ishin muaj vërtet të vështirë për Nolin, i cili nuk ndjehej aspak mirë në Amerikë dhe po mendonte seriozisht të mërgonte në Bukuresht. Megjithatë, ai pak nga pak hodhi rrënjë në bashkësinë shqiptare dhe më 6 janar 1907 bashkë-themeloi shoqërinë Besa-Besën në Boston.
Në këtë periudhë, shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte gjithnjë e më shumë durimi me kontrollin grek mbi kishën e tyre. Tensioni arriti kulmin më 1907, kur një prift ortodoks grek nuk pranoi të bënte shërbesën në varrimin e një shqiptari në Hudson, Masaçusets, me arsyetimin se i ndjeri kishte qenë nacionalist, pra, rrjedhimisht, i shkishëruar. Me nismën e vet Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët vendosën të themelojnë Kishën Ortodokse Autoqefale (autonome) Shqiptare, me Nolin si klerikun e saj të parë. Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtëvjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në Knights of Honor Hall në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
***
Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje. Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën, që kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara më 1909, themeloi Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës, e cila shumë shpejt pati fatin të bëhej organizata më e fuqishme dhe më e rëndësishme e shqiptarëve në Amerikë. Fan Noli tashmë ishte udhëheqësi i pranuar i bashkësisë ortodokse shqiptare dhe njihej si shkrimtar e gazetar i afirmuar i lëvizjes kombëtare. Në nëntor 1912 Shqipëria u shpall e pavarur dhe Noli tridhjetëvjeçar, i sapo-diplomuar nga Universiteti i Harvardit, kthehet përsëri për në Evropë. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, ndër të tjera, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.
Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra që, me gjendjen kaotike dhe zbrazëtinë politike në Shqipëri, e konsideronte veten si një farë qeverie shqiptare në mërgim. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi (1892-1959). Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson (Woodrow Wilson, 1856-1924), përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur.
Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve Noli me të drejtë e konsideronte arritjen e tij më të madhe politike. Anëtarësimi në këtë organizatë i dha Shqipërisë për herë të parë njohje ndërkombëtare dhe, në retrospektivë, ai pa dyshim pati rëndësi më të madhe se shpallja e pavarësisë nga Ismail Qemal bej Vlora më 1912. Gazeta The Manchester Guardian,në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si ‘një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte’.
***

Suksesi në Lidhjen e Kombeve i dha Nolit vendin e figurës kryesore në jetën politike shqiptare. Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri, dhe nga 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën Vatra në parlamentin shqiptar. Më 1922 u emërua ministër i jashtëm në qeverinë e Xhafer bej Ypit (1880-1940), por disa muaj më vonë dha dorëheqjen. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit. Tani ishte njëkohësisht kreu i Kishës Ortodokse në Shqipëri dhe udhëheqës i një partie politike liberale, opozita kryesore kundër forcave konservatore të Ahmet Zogut (1895-1961), që mbështeteshin kryesisht nga çifligarët feudalë. Më 23 shkurt 1924 u bë një atentat kundër Zogut në parlament, dhe pas dy muajsh, më 22 prill 1924, u vra deputeti dhe patrioti Avni Rustemi (1895-1924), mendohet se nga forcat zogiste. Në varrimin e Avni Rustemit, Fan Noli mbajti një fjalim të zjarrtë që ngjalli zemërimin e papërmbajtur të opozitës liberale kundër Zogut, i cili u detyrua të arratiset në Jugosllavi gjatë të ashtuquajturit Revolucioni i Qershorit.
Më 17 qershor 1924 Fan Noli u shpall zyrtarisht kryeministër dhe pak më vonë, regjent i Shqipërisë. Për gjashtë muaj, ai drejtoi një qeveri demokratike që u mundua me të gjitha forcat t’i jepte zgjidhje problemeve katastrofike politike dhe ekonomike me të cilat përballej shteti i ri shqiptar. Por programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur pa tradita parlamentare. Më vonë ai i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”.
Me përmbysjen e qeverisë së tij nga forcat zogiste, natën e Krishtlindjeve 1924, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria dhe qëndroi disa muaj në Itali me ftesë të Benito Musolinit (1883-1945). Kur Duçja më në fund arriti një marrëveshje me Zogun për koncesionet e naftës në Shqipëri, Noli dhe pasuesit e tij e kuptuan se prania e tyre në Itali ishte e padëshirueshme. Pas kësaj, Noli qëndroi disa vjet në Evropën qendrore, kryesisht në Gjermani dhe Austri. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit, dhe më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara.
Me kthimin e tij në Boston, Noli themeloi të përjavshmen “Republika”, vetë emri i së cilës i bënte sfidë të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 u vetëshpall Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve. “Republika” u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, tashmë nën drejtimin e Faik Konicës, i cili ishte pajtuar me mbretin Zog dhe ishte bërë ministër i plotfuqishëm i Shqipërisë në Uashington. Me mbarimin e afatit të vizës, gjashtë muaj më vonë, Noli u detyrua të kthehet në Evropë dhe “Republika” mbeti nën drejtimin e Anastas Tashkos, deri sa u mbyll më 1932. Më 1932, me ndihmën e pasuesve të tij, mundi të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi edhe lejen për qëndrim të përhershëm. Noli u tërhoq nga jeta politike dhe nga ky moment iu kushtua përsëri detyrave si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në dhjetor 1933 u sëmur rëndë dhe nuk ishte në gjendje t’i përballonte shpenzimet trajtimit mjekësor për të cilin kishte aq shumë nevojë, deri sa mori si dhuratë 3000 franga ari nga Shqipëria, që për ironi të fatit ia dhuroi armiku i tij i betuar, Ahmet Zogu. Ky gjest arriti pikërisht qëllimin për të cilin ishte nisur: një farë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, si dhe një përmirësim të marrëdhënieve shpesh të acaruara të Nolit me Faik Konicën.
Në vitin 1935 Noli iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme – muzikës – dhe në moshën pesëdhjetetrevjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, nga i cili u diplomua më 1938.
Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Noli nuk u mjaftua vetëm me detyrat kishtare dhe filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Skënderbeun. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Noli pati marrëdhënie pak a shumë të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet për ta bindur qeverinë amerikane që ta njihte atë. Madje nami i tij si ‘peshkopi i kuq’ shkaktoi shumë armiqësi dhe ndarje në qarqet e mërgimtarëve në Amerikë. Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi në Fort Lodërdejll (Fort Lauderdale), Florida, ku vdiq më 13 mars 1965 në moshën tetëdhjetë e tre vjeçare.
Ky është incizimi i një fjalimit të Fan Nolit dhënë Shoqatës shqiptaro-amerikane Vatra në vitin 1962. Incizimi, i ruajtur nga Peter Prifti (San Diego), u dha në dispozicion të publikut nga Kryepeshkopia Ortodokse në Amerikë (Boston) dhe u digjitalizua në CD nga Avni Spahiu dhe Baki Jashari (Prishtinë), të cilëve jam mirënjohës për lejen për ta prezantuar këtu.(Kortezi: Zera Shqiptar- Robert Elsie)

Filed Under: ESSE Tagged With: E KOMBIT SHQIPTAR, EMBLEME, noli

Sfondi i konfliktit Italo-Grek

December 31, 2015 by dgreca

Nga Faik Konica*/
  Prej disa kohësh, ndërmjet Italisë e Greqisë po zhvillohet për Shqipërinë një përleshje paraprake me fjalë, gjë që mund të jetë pragu i një konflikti të armatosur. Italia ngre çështjen së Greqia mbante një pjesë të madhe territori që i përket Shqipërisë, ndërsa Greqia e mohon me zë të lartë këtë pretendim. Shumë amerikanëve u është dukur e çuditshme që, ndërsa zëri i italianëve dhe grekëve dëgjohej, nuk ndihej zëri i pavarur i Shqipërisë. Porse, a nuk ka thënë, njëherë, një autor anglez se një nga karakteristikat e shqiptarëve është se ata janë të “paartikuluar”? Kërkesave të përsëritura unë u jam përgjigjur se nuk kisha gjë për të thënë, ndërsa atyre miqve amerikanë, të cilëve ndjenjat e tyre dashamirëse u japin të drejtën të më pyesin përse ashtu, u jam përgjigjur se më kishte ardhur gjithçka në majë të hundës dhe se kisha vendosur që këtej e tutje të mbetesha një spektator i thjeshtë i tragjedive dhe i farsave të botës. Por tani një grup atdhetarësh shqiptarë më kërkon të bëj një deklaratë. Këta miq shqiptarë dinë për mua disa gjëra që miqtë e mi amerikanë nuk i dinë. Ata e dinë që unë kam lindur në zonën kufitare shqiptaro-greke, që bën pjesë në krahinën e vënë në diskutim; kështu që trojet ku unë kam luajtur si fëmijë janë fushat e betejave të ardhshme. Ata mendojnë se askush tjetër, më mirë se unë, nuk e njeh historinë e kësaj krahine dhe ata më përmendin vazhdimisht se, si drejtues i rinisë, unë njëherë e një kohë kam qenë mbrojtës i palodhur i tërësisë tokësore të Shqipërisë. Prandaj, ndonëse me lëkundje, vendosa ta thyej heshtjen dhe t’i paraqes popullit amerikan disa fakte të kontrollueshme rreth sfondit historik të konfliktit që po vjen rrotull.
 (I)
Siç dihet nga të gjithë, në periudhën e lashtë shqiptarët quheshin ilirë. Rajoni i diskutueshëm në lashtësi njihej si Iliria e Jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndrsa grekët kanë vendosur ta quajnë Epir, një emër që do të thotë “kontinent”; në zanafillë përdorej për këtë rajon nga banorët e ishujve të vegjël, përtej bregut të Shqipërisë, po ashtu si peshkatarët e ishujve Bahamas do ta quanin Floridën “kontinenti”, me një emër që nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në kontinentin në fjalë. Ky rajon, gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk, përbënte vilajetin ose provincën e Janinës, me qytetin e Janinës si kryeqendër.
 Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar nga gjuha dhe kombësia, por kufijtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përtej. Madje, edhe ishujt Jonianë kanë qenë kryesisht ilire. Në një libër të famshëm, që e njohin mirë studiuesit, “Fjalori i antikiteteve klasike” të Lybkerit, tek artikulli për Kërkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull “në zanafillë banohej nga ilirët”. Kurse ata, që do të marrin mundimin të lexojnë veprën e studiuesit të njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar në Lund më 1909 me titullin “Studime mbi historinë e Epirit të Lashtë”, do të shërohen nga prirje për të menduar se Epiri ka qenë ndonjëherë grek. Ky rajon e ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshuar; deri edhe kaq vonë sa i bie në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit, Leoni i Mençur, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë”. Pak nga pak, depërtimet greke nisën të ndiheshin në disa pjesë të këtij rajoni. Se si u bënë të mundshme këto depërtime, ne e dimë nga disa autoritete të dorës së parë.
 
(II)
Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Ju mund të dyshoni se mos këto ngjarje janë nxjerrë nga ndonjë legjendë shqiptare e shtembëruar ose nga ndonjë fletushkë propagandistike italiane. Aspak! Autoriteti që na e njofton këtë mizori është një grek besimtar dhe i ndershëm, Mihail Dukas, pjesëtar i Shtëpisë Perandorake Bizantine, me po atë emër, kronika e të cilit përfshihet në koleksionin e madh të historianëve bizantinë që ndodhet në Bon dhe mund ta studiojë çdo studiues. Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton të gjitha egërsitë dhe vrasjet që ka bërë Thanasi kundër popullsisë shqiptare të Janinës. Siç thotë Dukasi, një nga lojërat e tyre të parapëlqyera ishte t’u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t’i linte të vdisnin në agoni. Disa krerë feudalë shqiptarë e kërcënuan Thanasin me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do t’i ndërpriste krimet kundër shqiptarëve. Thanasi u përmbajt një farë kohe dhe e martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm të asaj kohe, me Gjin Shpatën. Pas njëfarë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë. Siç shkruan Mihail Dukasi, ndërsa Gjin Shpata mblodhi një ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë, nën flamurin e armëpushimit, i dërgonte Shpatës një shportë me sy të nxjerra nga kokat e shqiptarëve fatkeqë dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.
 
Siç e thotë historiani, ambicia e Thanasit ishte të fitonte nofkën e Albanoktonos që do të thotë Shqiptarovrases. Dukasi shton se despotit i pëlqenin shumë të huajt dhe të jashtmit, prandaj pati sjellë shumë prej tyre në qytet. Së fundi, thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbanë “të zbrazte” Janinën nga banorët e rrënjës. Natyrisht, zor se mund të shpikte një metodë më të efektshme për të ndryshuar përbërjen etnike të një vendi, porse “të drejta” të krijuara në këtë mënyrë, ta themi në formën më të butë, janë të një cilësie të dyshimtë. Krimet e përshkruara nga Mihail Dukasi kanë ndodhur më 1380, dhe në pak vite më parë.
 
Pas pesëdhjetë vjetësh, më saktë më 1431, një ushtri e fortë osmane erdhi me gjëmime te portat e Janinës, e cila, ndërkaq, ishte ripopulluar me të ardhur, dhe me një sulm qyteti u pushtua. Është për t’u shënuar fakti se, pasi i bënë një mbikëqyrje krahinës, turqit e klasifikuan atë si pjesë të Shqipërisë. Por ka edhe diçka më domethënëse dhe krejt të pakundërshtueshme. Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve e të fshatrave dhe emrat e këtyre vendeve kanë dalë më pas në botimet zyrtare në trajtat e tyre shqip e jo greqisht. Për shembull, le të marrim rastësisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena. Ato janë regjistruar përkatësisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershëm kanë qenë të përpiktë, me hollësi të madhe për shënimin e emrane të vendeve, duke parapëlqyer gjithmonë trajtat e mirëfillta popullore. Për shembull, pas rrethimit të parë të Vjenës, turqit nisën ta shkruanin Wian me një A të gjatë, që është trajta e vërtetë popullore dhe, sa kohë zgjati Perandoria Osmane, ata iu përmbajtën kësaj trajte, duke flakur trajtën artificiale Wien. Në traktatin e Ajzenburgut, të nënshkruar më 1664 ndërmjet Turqisë dhe Perandorisë Romake të Shenjtë e të hartuar turqisht e latinisht, kur numërohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan atë mbret të Bohemisë, porse në tekstin turqisht turqit kanë ngulur këmbë për ta thënë mbreti i çekëve.
 
(III)
Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye që janë tepër të gjata për t’i shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë myslimane; pjesa tjetër mbeti e krishterë. Në Veri, si besimtarë të kishës Perëndimore e në Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundësia për grekët që të shkombëtarizonin shqiptarët, duke e përsosur kishën si mjet të propagandës.
 
Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujqër, për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane. Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekët nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek.
 
Një nga marifetet më të padëgjuara të grekëve ka qenë dhënia e rryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje, edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip. Grekët ranë, madje, edhe më poshtë: nuk e kishin për gjë të kallëzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata t’i degdisnin në burgje të largëta.
 
(IV)
Pas luftërave ballkanike Turqia Evropiane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin, po të ishte e mundur, të zhvillonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë. Mirëpo ndodhi e kundërta. Duke përfituar nga fakti që Turqia, një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekë, e organizuar dhe e maskuar si njerëz civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara. Në Shqipëri, në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze, Meri Edit Durham, dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morrën vesh që t’ia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që këta e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara në të gjitha kohërat. Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por më 1920, me titullin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Miss Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë i kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër.
 
Pas Luftës Botërore, Greqia ua ndaloi shqiptarëve të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vijoi punën e saj për të eliminuar elementin shqiptar me çfarëdo mjeti. Një rast i rrallë iu paraqit grekëve nga Traktati i Lozanës, i cili nxiti shkëmbimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh, disa shekuj më parë, e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk e kanë mësuar turqishten. Mashtrimi i grekëve kishte për qëllim që t’i paraqiste si turq shumë myslimanë shqiptarë dhe t’i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi. Kjo është njësoj sikur të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët, edhe polakët, janë katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie. Komisioni Ndërkombëtar për Shkëmbimin e Popullsisë e zbuloi mashtrimin, në pak raste, dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri.
 
Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizura. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz (Stewart Hughes), ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta.
 
Ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes, Konicën, një vend i lashtë i cili mendohet nga disa studiues si Pukevili, se ka qenë në mesjetën e hershme kryeqyteti i Ilirisë Jugore. (Emri i vendit tingëllon në mënyrë të çuditshme si prusian, por kjo vjen ngaqë po ai ndikim sllav mbi toponiminë, ka vepruar në Prusi, ashtu edhe në Shqipëri). Hjuzi ka shënuar se Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku janë këta 75 % shqiptarë sot?
 
Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është Çamëria, të cilën grekët e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekëve, për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërise tani vonë, më 1913, ka qenë 96 % shqiptare. Ky përpjestim tani është ulur me akte dhune dhe unë mund të sjell si shembull shumë punëtorë që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri, më pak se një vit më parë. E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje, ende shqiptarët përbëjne 80 % të popullsisë së Çamërisë.
 
(V)
Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë, duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend dëmet që i janë shkaktuar kombit shqiptar dhe të rivendosë kufijtë natyrorë e historikë të Shqipërisë. Është e arsyeshme të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim. Por ndonjë mund të kundërshtojë se, megjithë metodat e dënueshme të përdorura nga grekët, ata kanë arritur që ta përmbysin gjendjen e kombësive në shumë vise të rajonit të diskutuar; kështu që të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re, nuk tingëllon aq mirë. Për këtë unë do të përgjigjesha se nuk mund të ketë një akt ligjor që të përligjë krimet e organizuara e të vazhdueshme.
 
Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhën e vet të lashtë. Këta njerëz kanë një mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptare. Ata mund të shkëmbeheshin me grekët e rajonit të diskutuar dhe, më së fundi, të gjithë do të ishin të kënaqur. Porse, siç pohojnë grekët, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Unë pajtohem me këtë plotësisht, por më duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për t’i bërë bisht çështjes. Çështja është a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë, automatikisht, kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët? Fakti i thjeshtë është se Italia ka këtu një argument të mirë e të fortë, sepse interesi i saj qëlloi të përputhet me një akt drejtësie ndaj Shqipërisë që duhet të ishte bërë me kohë. Kësaj here, perënditë e hakmarrjes janë në anën e legjioneve të Qezarit.
*(Gusht 1940)

Filed Under: Histori Tagged With: Faik Konica, i konfliktit Italo-Grek, Sfondi

PROFESOR SAMI REPISHTI DHE LUFTA E KOSOVËS PËR LIRI E PAVARËSI

December 31, 2015 by dgreca

SHKRUAN: DR. ELEZ BIBERAJ/*
DREJTOR I DREJTORISË SË EUROAZISË/
ZËRI I AMERIKËS/
E kam njohur Profesor Sami Repishtin që kur kam ardhur në këtë vend në vitin 1968 dhe jam me fat që kam ndjekur nga afër shumë prej veprimtarive dhe angazhimeve të tij. Kam punuar ngushtë me të për çështjen shqiptare, një kauzë shumë e dashur kjo për të dy ne. Gjatë katër dekadave të fundit kemi mbajtur kontakte të rregullta, jemi këshilluar dhe kemi bashkëpunuar për shumë çështje. Gjatë gjithë këtyre viteve, ne në Zërin e Amerikës kemi përfituar mjaft nga intervistat dhe komentet e tij të vyera mbi një gamë të gjerë temash. Personalisht, unë gjithmonë kam patur mbështetjen dhe inkurajimin e Profesor Repishtit, tek i cili kam vlerësuar edhe rolin prej mentori dhe për këto i jam mirënjohës.
Profesor Sami Repishti ka pasur një karrierë të gjatë, të shquar dhe shumëplanëshe: Ai është mbrojtës i madh i të drejtave të njeriut, luftëtar për demokracinë, dijetar i shquar, shkrimtar pjellor dhe avokat i dalluar i çështjes shqiptare. Profesor Repishti ka shfaqur një angazhim të paepur për vendosjen e një rendi demokratik në vendlindjen e tij Shqipëri, për vetëvendosjen dhe lirinë e shqiptarëve të përjashtuar padrejtësisht nga vendi i tyre amë dhe, vitet e fundit, për krijimin e shoqërive demokratike të gjalla e gjithëpërfshirëse në trojet shqiptare.
Sot dëshiroj të përqëndrohem te ndihmesa e Profesor Repishtit në luftën e gjatë dhe të vështirë të Kosovës për liri e pavarësi. Veprimtaritë e tij për Kosovën shtrihen në mbi pesë dekada, duke filluar nga koha kur ai sapo kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara e deri në ditët tona. Ai e promovoi çështjen e Kosovës me forcë, me kurajo të patundur, me përkushtim të thellë dhe me një qëllim moral. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka nxjerrë shumë veprimtarë të shquar, por pak mund të krahasohen me ndihmesen e shquar dhe aftësitë e jashtëzakonshme intelektuale dhe diplomatike të Profesor Repishtit. Ai krijoi një rrjet të gjerë kontaktesh profesionale dhe u njoh personalisht me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, anëtarë të shquar të Kongresit, ekspertë të politikës së jashtme dhe përfaqësues të mediave. Thellësia me të cilën ai e kuptonte politikën e jashtme amerikane dhe funksionimin e Uashingtonit si dhe shkalla e lartë e ndërgjegjësimit të tij politik kanë qenë të pakrahasueshme. Të gjitha këto ai i përdori me shumë efektivitet për Kosovën.
Profesor Repishti vepronte në disa nivele paralelisht. Ai angazhonte shqiptaro-amerikanë të tjerë të shquar, mobilizonte komunitetin për çështje me rëndësi të veçantë, ndihmonte krijimin e organizatave lobuese, shkruante, mbante ligjërata dhe kultivonte marrëdhënie me njerëz kyç të administratës amerikane e të Kongresit, me institucione studimore, me mjete të komunikimit si dhe me organizata të demokracisë e të drejtave të njeriut. Ashtu si edhe shumë grupe të tjera etnike, komuniteti shqiptaro-amerikan ishte politikisht i përçarë. Profesor Repishti shfaqi aftësi për të punuar me njerëz nga i gjithë spektri politik – me udhëheqës të partive politike, klerikë, studiues, studentë dhe biznesmenë – dhe arriti të krijojë mbështetje të konsiderueshme brenda komunitetit. Ai luajti rol të dorës së parë në krijimin e tri organizatave me rëndësi kritike: Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Nëpërmjet veprimtarive të tij të shumta shkencore dhe lobuese, Profesor Repishti u përpoq të arrijë disa objektiva të rëndësishëm:
• Së pari, të ndërgjegjësonte publikun amerikan dhe perëndimor për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve dhe kërkesat e tyre, duke iu kundërvënë rrëfimit konvencional negativ dhe paragjykimeve të dëmshme për shqiptarët që përhapte me mjaft agresivitet makina propagandistike jugosllave.
• Së dyti, të dokumentonte dhe demaskonte shtypjen sistematike të të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare të shqiptarëve.
• Së treti, t’u bënte thirrje Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar për të vendosur sanksione mbi qeverinë jugosllave për shkeljet prej saj të të drejtave të njeriut.
• Së katërti, të bindëte vendimmarrësit amerikanë mbi nevojën e ngutshme të veprimeve të rrepta për të shmangur një konflikt të armatosur mes shqiptarëve dhe serbëve, duke paraqitur argumentin se, në rast se nuk veprohej, kjo do të sillte rreziqe afatgjatë për paqen dhe qendrueshmërinë në rajon dhe do të minonte interesat strategjikë të SHBA.
• Dhe së fundi, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të nxiste zhvillimin e një shoqërie të drejtë dhe të një demokracie të gjallë me institucione të fuqishme demokratike, me shtet ligjor dhe mediume të lirë.
Kjo ishte një detyrë e vështirë, por Profesor Repishti dhe veprimtarë të tjerë të shquar që punuan me të i ndoqën këto objektiva me vendosmëri të patundur. Ndihëmesa e tyre është edhe më e madhe po të merren parasysh sfidat e shumta me të cilat ata ndesheshin dhe mjedisi politik në të cilin vepronin.
Deri në fund të viteve 1980, Jugosllavia gëzonte mbështetje të gjerë perëndimore. Nuk iu kushtohej vemendje e dukshme mbrojtjes se të drejtave të njeriut dhe nxitjes se demokracisë dhe pikëpamjet e Beogradit për ngjarjet në Kosovë pranoheshin gjerësisht. Politika amerikane ndaj Kosovës formulohej mbi bazën e pikëpamjeve kryesisht pozitive për Jugosllavinë dhe për rolin e saj ndërkombëtar. Pikëpamjet mjaft të favorshme për Jugosllavinë ishin në kontrast me ato kryesisht negative mbi shqiptarët e sidomos mbi regjimin totalitar të Enver Hoxhës. Mbështetja zyrtare dhe publike për Jugosllavinë në Shtetet e Bashkuara ishte e madhe dhe perëndimorët prireshin të ishin thellësisht skeptikë ndaj kërkesave të shqiptarëve. Shumica e mjeteve të informimit ishin në favor të Jugosllavisë dhe rrallë publikonin kritika për Beogradin. Për më tepër, ndikimi i komunitetit shqiptar në politikën amerikane ishte i papërfillshëm. Shqiptarët në SHBA nuk formonin një bllok të madh votuesish që të mund të ndikonte ndjeshëm në zgjedhjen e ndonjë kandidati në një post zyrtar. Prandaj, udhëheqësit shqiptaro-amerikanë u përballën me një betejë të vështirë në përpjekjet për të fituar mbështetjen e politikanëve amerikanë.
Profesor Repishti shkroi me dhjetra raporte dhe artikuj, dha leksione dhe intervista, mori pjesë dhe organizoi panele, seminarë dhe konferenca të shumta, formuloi skicë-ide dhe drafte politikash për zyrtarë të lartë amerikanë si dhe dëshmoi përpara Kongresit.
Në vitin 1982, profesor Repishti, së bashku me profesor Arshi Pipën, organizuan një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, ku morën pjesë studiues të shquar amerikanë, evropianë dhe shqiptarë, si Nicholas C. Pano, Martin Camaj, Safete Juka, Peter Prifti, dhe Anton Logoreci. Shumica e kumtesave janë përfshirë në përmbledhjen Studime mbi Kosovën, botuar në vitin 1984. Ky ishte një libër jashtëzakonisht i dobishëm dhe lexim i domosdoshëm për studiuesit dhe politikëbërësit. Vëllimi hedh dritë të re mbi çështjen shqiptare dhe marrëdhëniet e nderlikuara mes shqiptarëve dhe serbëve. Në kumtesën e tij, Profesor Repishti analizonte evolucionin e marrëveshjeve kushtetuese të pas Luftës së Dytë Botërore, që u mohonin shqiptarëve të drejta të barabarta me grupet e tjera etnike dhe në thelb i kthenin ata në qytetarë të klasës së dytë. Ai eksploronte marrëdhëniet midis të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje dhe këmbënguljes së Beogradit për një kornizë kushtetuese që do t’u mohonte shqiptarëve vetë-qeverisjen e vërtetë dhe të drejtat demokratike. Profesor Repishti bëri paralajmërimin e rreptë se konflikti do të ishte i pashmangshëm nëse Beogradi vazhdonte të mohonte kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese me grupet e tjera të mëdha etnike të Jugosllavisë.
Memorandumet e përvitshme që shkruante Profesor Repishti drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në emër të Rinisë Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, paraqisnin një histori të plotë të çështjes kombëtare shqiptare dhe një kronikë të detajuar të shkeljeve të të drejtave të njeriut në ish-Jugosllavi. Këto ishin raporte të dokumentuar mirë dhe shërbyen si këmbanë alarmi për shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve. Profesor Repishti bashkëpunoi ngushtë me organizatat që merreshin me të drejtat e njeriut dhe me nxitjen e demokracisë, si Freedom House, Amnesty International, apo Human Rights Watch si dhe me Zyrën e të Drejtave të Njeriut në Departamentin e Shtetit, duke u bërë një burim autoritativ për këto organizata. Ai botoi gjithashtu artikuj të shumtë në shtypin amerikan dhe në gazetat e emigrantëve shqiptarë.
Me analizën e tij të mençur, të hollësishme dhe të balancuar, Profesor Repishti u përpoq t’i kundërvihej rrëfimit negativ të nxitur nga Beogradi dhe t’i bënte njerëzit ta kuptonin më thellë natyrën e ndërlikuar të çështjes së Kosovës. Ai shfrytëzoi në këtë diskutim publik një kombinim të veçantë: njohuritë e tij personale e shkencore mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe me punën si një ndër zëdhënësit kryesorë të komunitetit shqiptaro-amerikan. Në shkrimet dhe deklaratat e tij publike Profesor Repishti hodhi rekomandime politike konkrete me shpresën që të ndikonte në formulimin e politikave amerikane për këto çështje. Para viteve 1990, ai argumentoi nevojën për sanksione kundër Jugosllavisë dhe kërkoi hapjen e një konsullate amerikane në Prishtinë. Në fillim dhe në mes të viteve 1990, Profesor Repishti ngriti argumentin që SHBA dhe NATO-ja të ndërhynin në Kosovë, duke theksuar se po të mos veprohej, kjo do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një konflikt të armatosur me rreziqe afatgjatë për paqen dhe qendrueshmërinë në rajon, duke dëmtuar interesat e përgjithshëm strategjikë të Shteteve të Bashkuara.
Në një kohë kur Kosova nuk kishte ndonjë përfaqësim të mirëfilltë zyrtar në Shtetet e Bashkuara dhe as mundësinë apo mjetet për ta ngritur çështjen e saj përpara qeverisë dhe publikut amerikan, Profesor Repishti promovoi dhe mbrojti të drejtën e Kosovës për vetëvendosje në mënyrë të shkathët, dinjitoze dhe të efektshme. Ai ishte gjithmonë i kujdesshëm për t’u dhënë bashkëbiseduesve informacion të besueshëm dhe objektiv. Kjo e ndihmoi të ndërtonte marrëdhënie besimi me njerëz të rëndësishëm, duke u bërë kështu një burim autoritativ. Ishte kryesisht rrjedhojë e punës së Profesor Repishtit dhe veprimtarëve e udhëheqësve të tjerë të shquar shqiptaro-amerikanë që bëri të mundur dëgjimin e zërit të Kosovës në Uashington.
Aty nga viti 1990, Jugosllavia filloi të humbasë mbështetje dhe imazhi i saj pësoi dëme të pariparueshme, ndërkohë që Kosova përjetoi lindjen e një udhëheqjeje të vërtetë përfaqësuese me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera. Këto zhvillime u pasuan nga ndryshime graduale, por të rëndësishme në qëndrimet amerikane ndaj shqiptarëve. Megjithëse kjo kthesë ishte pasojë e politikave shtypëse të Beogradit dhe e ndryshimit të shpejtë të peizazhit politik pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore, fushata e suksesshme e Profesor Repishtit dhe e veprimtarëve të tjerë shqiptaro-amerikanë ishte një faktor i madh kontribues. Komuniteti ishte mobilizuar dhe shqiptaro-amerikanët, duke punuar me organizata të shumta, si Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Vatra, po fitonin pak nga pak vëmendjen e anëtarëve me ndikim të Kongresit dhe të politikëbërsve në rangje të larta. Vitet 1990 mund të konsiderohen si epoka e artë e aktivizmit dhe e efektivitetit shqiptaro-amerikan.
Gjatë konfliktit në Slloveni e Kroaci dhe më vonë, gjatë luftës në Bosnjë, profesor Repishti vazhdimisht bënte thirrje që Shtetet e Bashkuara të ushtronin trysni politike dhe ekonomike për ta detyruar Beogradin të ndryshonte kursin e tij të rrezikshëm në Kosovë. Ai besonte fuqimisht se ndërhyrja ushtarake në Kosovë ishte absolutisht e nevojshme për të shmangur një zjarr të madh ballkanik. Profesor Repishti parashikoi saktë se përjashtimi i Kosovës nga procesi i Dejtonit do të kishte pasoja të rënda: nga njëra anë do të trimëronte Sllobodan Millosheviqin dhe nga ana tjetër do të bindëte shqiptarët se gjendja nuk mund të vazhdonte më si më parë, prandaj ata duhet t’i merrnin punët në duart e tyre.
Profesor Repishti u bë një mbështetës i patundur i udhëheqësve të Kosovës, veçanërisht i presidentit Ibrahim Rugova. Një pjesë e mirë e aktiviteteve të tij më pas u përqendruan në ndihmën për udhëheqjen e Kosovës që ajo të artikulonte qartë politikat dhe kërkesat e saj në takimet me zyrtarët e lartë amerikanë dhe në njoftimet e saj publike. Ai luajti rol të dorës së parë jo vetëm në lehtësimin e shumë takimeve dhe kontakteve për Presidentin Rugova, por ndihmoi gjithashtu në hartimin e skicë-ideve dhe memorandumeve të rëndësishme politike.
Ndërhyrja në Kosovë e NATO-s nën udhëheqjen e SHBA, çlirimi i Kosovës dhe më pas shpallja e pavarësisë së Kosovës, shënuan kulmin e veprimtarive të Profesor Repishtit dhe realizimin e ëndrrave të tij të hershme për lirinë e Kosovës.
Është për t’u habitur se pas euforisë që pasoi rrëzimin e komunizmit në Shqipëri në fillim të viteve 1990 dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Profesor Repishti nuk e pushoi aspak veprimtarinë e tij. Demokracia, respekti për të drejtat e njeriut dhe pajtimi kombëtar vazhduan të ishin çështje që trajtoheshin në shkrimet dhe veprimtaritë e tij publike. Ai u bë një promotor i fuqishëm për krijimin e demokracive të gjalla në të dy shtetet shqiptare. Duke njohur sfidat që ato kanë përpara tyre, Profesor Repishti ka theksuar domosdoshmërinë që shqiptarët të shfrytëzojnë mundësitë, të konsolidojnë orientimin e tyre perëndimor, të ruajnë dhe forcojnë harmoninë fetare dhe t’i kundërvihen çdo shenje të ekstremizmit fetar.
Në shumë prej deklaratave të tij publike, ai u ka bërë thirrje elitave të reja qeverisëse në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe udhëheqësve shqiptarë në Maqedoni të përballen me probleme të tilla të ngutshme, si korrupsioni dhe krimi i organizuar, që kërcënojnë strukturën e shoqërisë shqiptare; të nxisin rritjen ekonomike; të zbutin pabarazinë; të fuqizojnë rolin e gruas; të krijojnë një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme.
Profesor Repishti e shikon fuqizimin politik, shoqëror dhe ekonomik të shqiptarëve si diçka të lidhur ngushtë me marrëdhëniet strategjike dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara. Duke njohur rolin vendimtar që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara – së pari në mbështetjen dhe afirmimin e pavarësisë së Shqipërisë, në mbështetjen dhe nxitjen e demokracisë në Shqipëri, dhe më në fund rolin mjaft të rëndësishëm që Amerika ka luajtur në çlirimin e Kosovës dhe sigurimin e pavarësisë së saj – Profesor Repishti ka shfaqur një angazhim të fortë për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, por duke theksuar se kjo marrëdhënie nuk duhet dhe nuk mund të merret si e mirëqenë. E ardhmja dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve strategjike shqiptaro-amerikane bazohet në vazhdimësinë e vlerave të përbashkëta – respektimin e të drejtave të njeriut, vendosjen e sundimit të ligjit dhe qeverisjen e mirë.
Pas shumë dekadash si udhëheqës në fushën akademike dhe në mendimin e komunitetit, Profesor Repishti vazhdon të frymëzojë brezat e shqiptarëve në kërkim të një shoqërie më demokratike dhe më të drejtë. Ai është një shqiptaro-amerikan i madh, një patriot i vërtetë shqiptar, një dijetar i plotësuar, dhe një njeri i parimeve, i cili nuk e pushoi kurrë luftën në emër të asaj që besonte. Ka qenë nder i madh për mua që kam patur rastin të bashkëpunoj ngushtë me Profesor Repishtin dhe i jam shumë mirënjohës mbështetjes dhe miqësisë së tij të vazhdueshme.
*KUMTESË NË SIMPOZIUMIN ME RASTIN E 90-VJETORIT TË DITËLINDJES SË PROFESOR REPISHTIT
THE INTERNATIONAL HOUSE, NEW YORK
18 KORRIK 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Elez Biberaj, Lufta e Kosoves, per liri e Pavaresi, Sami repishti

SHQIPJA DHE SANSKRITISHTJA

December 31, 2015 by dgreca

36 gërmat e Gjuhës Shqipe si vetëtima drite nga sytë e prof.Petro Zhejit/
Përsiatje nga Keze Kozeta Zylo/
Prof. Petro Zheji qëndron mal kryelartë sepse është një gjeni i letrave shqipe, është një erudit i jashtëzakonshëm.
Tingëllima e Gjuhës Shqipe në librin e tij “Shqipja dhe Sanskritishtja” vjen si jehonë e largët qysh kur ka lindur njerëzimi. Sa pak janë njohur dhe lexuar kryeveprat e tij në gjallje, ndoshta do të vijë një ditë të lexohen dhe pas vdekjes, por dhe kjo më frigon pamasë, se a do të lahet ky mëkat një ditë nga vetë shqiptarët mëkatarë?
Megjithatë shpirti i tij endet në librat që na ka lënë është në fytyrën e tij të praruar, që dhe pse i ikur, ai rrezaton dritë, me zërin e tij që i tingëllon aq bukur, shqip.
E kishim para pak vjetësh librin e tij në Panairin e librit në New York, organizuar nga shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, sjellë nga miku i tij i afërt z.Eduard Dilo.
Çuditërisht jo shumë vizitorë e prekën atë libër, edhe ndonjë që e preku, duket që i rëndoi shumë dhe nuk ishte në gjendje ta ngrinte dot… Në fakt librat e tij peshojnë shumë, janë male, dhe malet nuk mund t’i luash dot prej vendit…
Fotoja e tij nga libri na vështronte heshtur, butësisht, dhe na përshëndeste me gjuhën mjaltë të Çajupit, që aq shumë studime i kushtoi eruditi zagorit Prof.Petro Zheji.
Kaluan pranë tij njerëzit indiferentë si në kohën e monizmit që shumë libra të tij nuk gjetën dritën e botimit, po ashtu dhe në shekullin 21…!
Megjithatë edhe po t’u afroheshin librave të tij, veçanërisht ky soj qe s’hap një faqe libri, ato duken sikur largoheshin, se eruditin zemërzjarrtë nuk mund ta prekësh dot, je mijëra kilometra larg tij, gati-gati si e pamundur…
Zjarrin e tij si Prometheu duket sikur ja kishte rrëmbyer, poeti tjetër i shpirtit njerëzor, Ndoc Gjetja…
Nuk ishte rastësi që në bibliotekën e poetit brilant lezhjan Gjetja gjatë vizitave për ngushëllime tek familja e tij, sipas gazetës “Standard” nipi i Ndocit iu tregoi krahas dorëshkrimeve të lëna dhe dy kapakë me fletë të hollë, të bardhë me shkrim dore ku shkruhej: “Portrete miqsh”, emrat e poshtëshënuar ishin: Ismail Kadare, Petro Zheji, dhe Petro Marko.
Papritur m’u shfaqën pranë dy shenjtë të letrave shqipe, që psaltojnë brenda shpirtrave tanë, ashtu të hijshëm dhe me besë burri.
Sa shumë na e kanë mikluar shpirtin, me fjalët mjaltë të gjuhës shqipe, atë nektar që jo kushdo di ta shijojë…ngase ndër ne mjerisht është një sëmundje tepër e vjetër, e pashërueshme, ngjitëse, që e fshehim, verbojmë pa mëshirë, DRITËN E SYRIT…
Prof.Zheji nuk mund të ikte nga kjo botë pa përkthyer dhe kryeveprën shqiptare të At Zef Pëllumbit, i cili si poliglot i gjuhëve botërore, ndihmoi shumë përkthyesen amerikane znj.Katheren Schank. Ja si shprehet Schank në intervistën që i ka dhënë znj.Elsa Demo: si në pyetjen: Si ka qenë përvoja me Zhejin përkthyes i jashtëzakontë?
“Petro Zheji më ka ndihmuar shumë fillimisht me përkthimin e vëllimit të parë të trilogjisë së Pater Zefit. Unë mësova nga eksperienca e tij, se është mjeshtër i përkthimeve dhe i gjuhëve, ka edhe shumë njohuri si shkrimtar. Pa atë s’do ta kisha bërë këtë përkthim në anglisht”. Opionioni i Schank te kujton shkrimtaren e famshme dhe modersniste e shekullit te XX-te Virginia Woolf e cila thote se: “Every secret of a writer’s soul, every experience of his life, every quality of his mind, is written large in his works”, qe perkthehet: Çdo sekret i shpirtit të shkrimtarit, çdo përvojë e jetës së tij, çdo cilësi e mendjes së tij, është shkruajtur me gërma të mëdha në punën e tij”
Sidoqoftë unë shpresoj ta gjejmë ngushëllimin siç dhe ndodh rëndom me njerëzit e mëdhenj, që i kuptojmë dhe i nderojmë pasi kanë rënë kryelartë në fushën e nderit për Atdheun e tyre, ndërsa plagët e prushta janë midis faqeve të librave që na lanë.
Prof.Petro Zheji dhe pse i ikur do të dërgojë nga qielli “Pegasin e bardhë”, si vetë shpirti i tij dëborë e bardhë në majë të Çajupit, aty ku mori frymëzimet e para…
Me siguri që ky do të jetë një rit i përjetshëm, rit që e ka privilegjin ta ketë vetëm kjo lloj race.
Nga gjoksi i tij me shpirt përmalluar do të vinë si vetëtima drite, 36 gërmat e Gjuhës Shqipe, për të cilat ai shkriu gjithë jetën e tij.

30 dhjetor, 2015
Staten Island, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Shqipja dhe sanskritishtja

Në Vitin e Ri 2016 lufta për ndriçimin e gjenocidit serb në Kosovë vazhdon

December 31, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Në muajin shkurt të vitit 2015 lexuesit shqiptar iu ofrua libri që zhvesh propagandën serbe kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe luftës çlirimtare të Kosovës në veçanti. Siç e kam theksuar në faqen e parë të librit «Mashtrimi i Madh», ky studim u realizua me ndihmën dhe kontributin e një numri të konsiderueshëm të miqve të mi. Falë mbështetjes dhe kontributit të tyre, argumentet shkencore për gjenocidin serb në Kosovë dolën në dritë.
Por, publiciteti ishte i domosdoshëm që përmbajtja e librit të njihej sa më shumë nga lexuesi shqiptar. Shfrytëzoj rastin në këtë fundviti t’i falënderoj përgjegjësit e mediumeve të ndryshme në gjuhën shqipe të cilat i dhanë një vend të rëndësishëm publicitetit lidhur me botimin e librit tim apo duke më dhënë hapësirën e nevojshme që ta shpalos përmbajtjen e librit në intervistat televizive. Një falënderim i veçantë u takon edhe bartësve të institucioneve të arsimit të lartë që më mundësuan të bëj promovimin e librit në Universitete të shumta publike dhe private dhe në manifestime të ndryshme kulturore në nivel komunal (në Kosovë dhe në Maqedoni) apo të karakterit ndërkombëtar siç ishte rasti kur albanologu tetovar ua shpërndau librin seminaristëve të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë në Prishtinë.
Meqenëse propaganda antishqiptare ishte e përmasave ndërkombëtare kufizimi vetëm në botimin e argumenteve në gjuhën shqipe nuk mjaftonte. Me qëllim që kjo vepër t’i ofrohet opinionit publik ndërkombëtare një numër gjithnjë e më i madh i miqve u mobilizuan rreth këtij projekti. Në mesin e tyre edhe bashkëveprimtarë të moçëm, aktualisht bartës të institucioneve të Kosovës. Angazhimi gjithnjë e më i madh i miqve bëri që të përfundojë përkthimi i librit në gjuhën angleze dhe atë frënge. Madje, në fillim të dhjetorit, ndërmarrja “Dukagjini” nga Peja shtypi 1500 ekzemplar falas të cilat kanë filluar të shpërndahen falas në qarqet diplomatike dhe njerëz me influencë në fusha të ndryshme. Lufta politike vazhdon.
Serbia kreu gjenocidin në Kosovë dhe ende nuk është dënuar për krimin më të rëndë që njeh njerëzimi. Faktet nuk flasin vet! Ato duhet t’i bëjmë “të flasin” për të nxjerrë në shesh të vërtetën e plotë për atë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës. Por, mbështetja ndërkombëtare në përpjekjet për të ngadhënjyer drejtësia është jetike. Për të rritur gjasat e mbështetjes ndërkombëtare zhveshja e mashtrimit të madh që është bërë me opinionin publik ndërkombëtar lidhur me luftën e Kosovës është e domosdoshme. Madje, kusht paraprak.
Në kontekstin e kësaj lufte politike shpërndarja e librit në sa më shumë gjuhë botërore është i domosdoshëm. Ky projekt është bërë projekt i përbashkët i shumë miqve të mi, të cilët rreth çështjeve tjera shquhen për divergjenca të shumta në mes veti. Uroj që në Vitin e Ri 2016 të realizojmë suksese të reja në luftën tonë politike për ngadhënjimin e të vërtetës lidhur me gjenocidin serb në Kosovë.
Me respekt të thellë dhe mirënjohje të veçantë për secilin nga miqtë e mi. Uroj për të gjithë shqiptarët, kudo qofshin në botë, një Vit të Ri plot suksese individuale dhe kolektive.

Filed Under: Analiza Tagged With: 2016, genocid serb, lufta per ndricimin, ne Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT