Pas rishikimit të hartave nga vitet 1940 e deri te të tashmet, duke përfshirë edhe atë të përdorura nga Komisioni për shënimin e kufirit, Departamenti i Shtetit ka ardhur në përfundim se kufiri i saposhënuar është në përputhje me kufirin e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974. Kufijtë të cilët i kemi pasqyruar prej vitit 2008 përputhen në hollësi me kufirin e propozuar të vitit 2015/
– Deklaratë rreth raportit të demarkacionit të kufirit Kosovë – Mal i Zi/
PRISHTINË, 21 Dhjetor 2015/ Ambasada e SHBA në Prishtinë në faqen e saj zyrtae ka botuar sot këtë njoftim:
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shqyrtuar shënimin e hollësishëm të vijës kufitare të kufirit Kosovë – Mal i Zi të përgatitur nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. “Ne e kuptojmë se baza për punën e Komisionit për shënimin e kufirit ishte Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974, e cila e përcaktoi kufirin e Kosovës nga kufijtë administrativë të komunave, të cilat janë ndarë në zona kadastrale. Kjo bazë për shënimin e kufirit është përdorur edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në vitin 2007 dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të vitit 2008.
Pas rishikimit të hartave nga vitet 1940 e deri te të tashmet, duke përfshirë edhe atë të përdorura nga Komisioni për shënimin e kufirit, Departamenti i Shtetit ka ardhur në përfundim se kufiri i saposhënuar është në përputhje me kufirin e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974. Kufijtë të cilët i kemi pasqyruar prej vitit 2008 përputhen në hollësi me kufirin e propozuar të vitit 2015. Ne vëmë në pah se përmbyllja e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit është kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian./b.j/
Archives for December 2015
AHTI I GJAKUT
(Tripti)/
Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
Sa shpejtësi ka, vallë, kjo adhurimplota Europë?
Dy, thonë kreatorët e betuar që e besojnë horizontin e bardhë. Dhe njohësit e dyshimtarët e saj, poashtu.
Të parës i prijnë gjermanët e ca të tjerë përreth, kurse të dytës, më të ngadaltë – ata të bllokut jugor a mesdhetar që kalon orë të dhimbshme nën trysninë e lojalitetit të vështirë.
Por, për ironi, doli të ketë dhe një të tretë, atë të mbramën: shpejtësinë e kërmilltë dhe, madje, cinike e hatërmbetëse për statusin që ka krijuar e, rrjedhimisht, duhet ta vuajë vetë!
Dhe Greqia është postamenti, emri e prova identifikuese e saj!
Njeriu i ri i këtij trualli të lashtë, me ç’duket, ka braktisur ose s’pat adoptuar kurrë vlerat sublime të ResPublica-s dhe filozofisë libertare. Që këtej dhe ky keqkuptim e kjo distancë ndanë qytetnisë demokratike të Europës së vjetër.
Kjo e ngadalta do të përnxisë, mbase, dhe diskursin e një përvijimi të mundshëm në larginë: mbijetesën turbulente të Europës me xhuxhër të shpejtësisë greke apo varrezën përkujtimore ku do prehej ëndrra e saj!
Sepse, vërtetë, kush mund të ndjekë kultin e punës, disiplinën e hekurt dhe turrin e rrëmbyer berlinez?
Mirëpo, përveç ligjit të poshtëm, të prekshëm e fizik, të shpejtësive, athua ka dhe një tjetër shtysë më të hirtë, më të thellë e më të epërme për rrokullimën greke?
Helenët, edhepse nuk janë bijë të kulluar të antikes, do të duhej të njihnin shenjat mitike a të kishin një përkitje me frymësinë e tyre tek zbret vranshëm ndër breza të vonë bastardhë: mallkimin që shestojnë legjendat e moçme!
Është, pra, një aht që merr prore hakun e pahumbshëm: zënja e gjakut! Ahti i tij i rëndë. Ahti i gjakut të huaj. I atij që derdhej nga thikë e tyre, apo e aleatëve të egër të krimit – thika vrastare serbiane. Sepse, më shumë se askush, ishte Athina e duhmave të ortodoksisë dhe fantazmave të madhështisë, që mbështeti, ngashnjeu e frymëzoi barbarinë e saj. E, megjithëse thikat ishin të ndryshme, të përbashkët e patën kauzën negative dhe viktimën e pafaj: shqiptare, pothuajse, gjithmonë!
Tani, së fundmi, greku që korr furtunën e, ndaj, gatitet për ti lënë tumirën Shtëpisë, nuk bën, mjerisht, jetën – por kopjen e saj të zbehtë. Dramatike gjithësesi, veçse një dramë aspak madhnore. Protagonistë, tashmë, nuk janë heronjtë e shpatës, të pegasëve flatrues, dashurisë, kështjellave të pushtuara… Por është turma amorfe e të uriturve që presin zymtor agun dhe urrejnë ditën e bukur që zbardh dheun!..
2. Doktrina e gabuar?
“Për tu paraqitur para jush, na u desh të vinim nga larg. Për këtë arsye, ne jemi më të vonuarit e Europës…të greminosur prorë n’kërkim të së vërtetës”!
Dhe shqiptarët, posi frëngjët e Kamysë së posacituar (ndonëse e thënë në një kontekst tjetër), vijnë nga larg. Me rrënjë e gjuhë të lashtë, ata shtegtuan shekujsh fisnikërie n’kërkim të vetmuar të së vërtetës. Madje, janë të rrallët që kanë ngritur këtë ngulm historie në doktrinë: të mos bëjnë mortin e tjetrit, si gjasë të lumnisë së vet!
Por, mjerisht, pa e ditur se fatet e kombeve – anise përherë në anën e tyre – nuk i vendosin: as e drejta, as e vërteta. Aq më pak dhimbja. Ato i farkojnë Mashtrimi e Fuqia dhe Armët e Ideologjia…
Nuk ka, ndaj, lokomotivë force, kanceleri që vijëzojnë hemisfera apo tryezë terrori të bardhë nënqeshjesh, që mund t’lëvizë nga lotët, përgjërimi, keqardhja apo mëshira…Askurrë!
Veçse, ndonjëherë, kur parimi fqinjëron interesin, formula shpëtimtare stoliset me diademën e rreme të shkëlqimit altruist…E pastaj, bien deri në qiell kumbonat shurdhuese të moralit, etikës a filozofisë së re humane tek pret në portat e s’ardhmes. Dhe ngjizen, poashtu, mitet e Oborreve të miqësisë së përjetshme dhe Gjeneralëve që admirojnë lulet paqësore t’kopshteve të largëta!..
3. Mbi armiqtë e vetëvetes…
Ndër vite e shekuj, është folur e shkruar shumë për shqiptarë: nga vullnetmirë e smirëzinjë, gjeneralë e njerëz letrash…Pastaj me tymnajë pezhorative, disa, apo me hymnizim fluturak, ca të tjerë…Por, ndërkaq, urrejtja nuk është kurrë argument, e as afeksioni pozitiv, poashtu..!
E, i thelli urtak Lamartin do ta jepte kështu, me pak fjalë, pikturën e qenies shqiptare: “Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak…Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë…”!
Por ç’të bëhet, Ti shpirt fisnik e mirëdashës i vjetër, kur vetë ata, me një perfeksion të organizuar e kombëtarisht pajtimplotë – marrin nëpër këmbë veten e tyre?!
Berlin, dimër 2015
ATY KU VDEKJA E FEMRËS KËRKON LLOGARIDHËNIE
Ajo vajze iku e pafajshme nga kjo bote, ndersa vrasësi shëtit i lirë, ndoshta ndihet edhe krenar, pse kjo vajzë ishte aq e pambrojtur e bëri një vepër të tillë…./
Shkruan:Saranda R.Shala/
Të jetosh në një vend ku diskriminimi, pargjykimi gjinor ka më shumë vlerë se jeta e njeriut,nuk është fare e lehtë.
Sikur të vdesë një djalë i ri, qoftë prej exheli, s’ndihet zëri, tjetra po të vdesë nje vajzë e re, gojët e liga nuk rrinë rehat, thonë dhe dhjetëmijë fjalë mbrapa. Fjalë nga më të ndryshme, vënë diagnoza që mendja njerëzore nuk e nxë. Një vajzë 23-vjeçare u vra,e ky nuk është vetëm një rast i femrës shqiptare ku paragjykimi nuk ka të ndalur.Në se dje i ka ndodhur kjo një vajze të re nga Deçani, nesër mund t’u ndodh motrave tuaja.Ata kriminelë që bëjnë vepra tilla, duhet sa më shpejt të marrin denimin e merituar. Të paragjykosh një vepër të tillë kriminale, vetëm se është femër, nuk është aspak e hijshme, e drejtë dhe e moralshme, sido që të ketë qenë problem, edhe sikur ajo vajzë mund të ketë bërë ndonjë mëkat. Sot jetojmë në kohë tjetër, ku liria nuk privohet, ku dashuria është e lire, ku mentaliteti i njerëzve është krejt ndryshe. Këta njerëzit duhet ta kuptojnë.
Tek shihja atë nënë që mundohej të ngrinte vdekjen e vajzës së vet, mua me preku thellë në zemer. Kjo nënë, në vend që të vajtonte të bijën që ndërroi jetë në mënyrë të dhunshme nga njerëz kriminelë, thoshte: “ Jam krenare që vdiq faqebardhë”. Në vend të lotëve të dhembjes, ajo mundohej të ngrinte lart moralin e vajzës së saj të pafajshme. Po njerëzit vazhdojnë të flasin e të flasin. A do të flisnin këta njerëz, nëse në familjen e tyre do kishte rënë një kob i tillë? Patjetër që jo, por do të rrinin në hallin e tyre. Atëhere, pse flasin? Që këtu kemi të bëjmë me njerëz që kënaqin gojët e tyre me fatkeqësinë e tjetrit.
Këto gjëra duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë. Ndërsa vrasësi shëtit i lirë, ndoshta ndihet edhe krenar, pse kjo vajzë ishte aq e pambrojtur e bëri një vepër të tillë. Nëse do të ishte ndryshe, ajo tani do të ishte gjallë, ndaj dhe nëna e saj ndjen krenari për vajzën e vet, edhe pse ajo nuk jeton më. Sa kuptimplote gjejnë fjalët e Migjenit të madh në situara të ndryshme: “Deri kur kështu ma”.
Këto rreshta të shkruara po me aq dhembje, le të jenë një apel për të gjithë ata që paragjykojnë femrën, por një apel më i fuqishëm për drejtësinë, e cila kriminelave të tillë, t’u jape vendimin e merituar.
Kosova uron hapjen e Universitetit të ri “Nënë Tereza” në Shkup
Mësimet në këtë universitet do jenë në tre gjuhë, atë maqedone, shqip dhe anglisht/
PRISHTINË, 21 Dhjetor 2015/ Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, ka uruar ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, për themelimin e Universitetit të ri “Nënë Tereza”, në Shkup, i cili do të fillojë të funksionojë nga viti akademik 2016/2017.
“Jam i sigurt se themelimi i këtij universiteti do t’i kontribuojë avancimit të arsimit shqip në Maqedoni, prandaj më lejoni që të shpreh gatishmërinë time si ministër i Arsimit të Kosovës, që edhe më tutje të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer ndërmjet dy ministrive tona respektive, për konsolidimin dhe rritën e këtij institucioni të rëndësishëm dhe për avancimin e sistemit arsimor në Maqedoni”, shprehet ministri kosovar.
Ai thekson se, arsimimi në gjuhën amtare është e drejtë themelore e popujve, prandaj hapja e këtij Universiteti, shënon një ngjarje shumë të rëndësishme në historinë më të re të arsimit shqip.
“Përvec që do të ju shërbejë të rinjve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, Universiteti ‘Nëna Terezë’, do të jetë një mundësi më shumë edhe për të rinjtë shqiptarë që jetojnë në shtetet e rajonit dhe më gjerë”, thuhet në urimin e ministrit Bajrami./b.j/
***
Sipas kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski mësimet në këtë universitet do jenë në tre gjuhë, atë maqedone, shqip dhe anglisht.
“Morëm vendim që të hapet edhe një universitet në Shkup, që do të quhet Universiteti ‘Nënë Tereza’. Do të jetë në tre gjuhë, në maqedonisht, shqip dhe anglisht. Do të ketë dimension serioz internacional, pasi do të ketë edhe profesorë dhe studentë shqiptarë, maqedonas, por edhe të huaj. Do të ketë profesorë të huaj, është e mundur të ketë dekan dhe rektor të huaj, pasi ligjin e lejon këtë gjë” u shpreh Gruevski.
Kryeministri maqedon gjithashtu ka paralajmëruar se do të ndërtohen edhe tre shtëpi studentore, njëra prej të cilave do jetë për studentët e Universitetit të Tetovës.
DOKTORI I VLORES LLUKË GJIDEDE
DOKTOR LLUKË GJIDEDE, PIER FOSHARD I STOMATOLOGJISË DHE PROFESOR I MIRËNJOHJES QYTETARE/
Nga MSc. Albert R. HABAZAJ/ sekretar i shoqatës “Labëria”, Vlorë/
Wikipedianët,me faqen elektronike universale WIKIPEDIA, na informojnë se stomatologjia është disiplina që studion, diagnostikon, parandalon dhe mjekon kavitetin oral. Termi stomatologji vjen nga Greqishtja e vjetër “Stoma” – gojë dhe “logos” – shkencë. Në ditët e sotme, termi “Stomatologji” është duke u zëvëndësuar me “Dentistri”. Për herë të parë veçimi i Stomatologjisë si disiplinë e veçantë nga mjekësia e përgjithshme u bë nga Hipokrati [Hippokrátēs: 460 – 370 pes, themelues i mjekësisë klinike në Greqinë e vjetër, që ndau mjekësinë nga magjia (nga shtrigat), “babai i mjekësisë perëndimore” në Epokën e Perikliut (Greqia klasike), një nga figurat më të shquara në historinë e mjekësisë botërore]. Sipas të dhënave arkeologjike, mendohet se stomatologjia ka filluar të praktikohet më tej se 7000 vjet Para Krishtit…Mjeku i famshëm francez Pier Foshard (Pierre Fauchard, 1678 – 22 mars 1761) është pagëzuar si “babai i stomatologjisë moderne”.
Doktor Llukë Gjidede është cilësuar si Pier Foshard i stomatologjisë në rajonin e Vlorës dhe më gjerë; ndërsa nga banorët e Topalltisë, të Myzeqesë e të Labërisë (ku përfshihet dhe Himara e tij dhe imja) njihet si Profesor i Mirënjohjes Qytetare. Për burra të lartë si Doktor Lluka, fjala shpreh e peshon. Me mendimet e tij kristaline dhe të vyera, me rrënjë të pashkulura në atdhetarinë dinjitoze, Doktori i Vlorës, penelin e shpirtit e ngjyen në mjaltin e mirësisë njerëzore dhe të mirënjohjes qytetare. Nuk kam ndërmend t’i bëj biografinë jetësore, shkencore, shoqërore apo atdhetare Doktor Llukës, sepse nuk u intereson vlonjatëve fare jetëshkrimi i Doktorit, ngaqë Ai është personalitet i qytetit, me plot gojën, është dinjiteti njerëzor, besimi për jetën. Kohë më parë në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë u zhvillua një veprimtari mbresëlënëse kushtuar veprës “Historiku i dentistrisë Vlorë” të Doktorit të Shkencave Mjekësore Llukë Gjidede. Folën shumë miq të Doktorit dhe intelektualë të qytetit. Thanë me dashamirësi dhe vërtetësi, që Doktor Lluka e meriton të ketë titullin Profesor. Shpreha dhe unë pak fjalë shpirti, ku në substancë thashë se mjeku nga vetë profesioni është natyrshëm i gatuar si human. Së pari, falënderova Dr. Asqeri Llanaj, që më mundësoi praninë në këtë takim të lartë simbolik. Së dyti, përmënda faktin që, një herë, kur u takova me Dr. Halit Harizaj, kirurg i njohur në Spitalin Rajonal të Vlorës, pas përshëndetjes, më tha: “Berti, dua të vij një ditë në Skelë, te puna jote, por mbasdite, të pimë një kafe në qetësi, dhe vetëm, se dua të më bësh një nder”. “Me kënaqësi doktor, je i mirëpritur”, – ia ktheva me respekt. Po mendoja se ç’nder mund t’i bëja unë doktor Halitit…Iishte nder t’i bëja unë nder. Erdhi një mbasdite dhe më ftoi të uleshim në një lokal të qetë, të pastër. Pimë kafe me doktorin dhe zhvilluam një bisedë shumë të përzemërt. Nga doktor Haliti merr kulturë të gjerë dhe edukatë të mirë, kur bashkëbisedon me të. Porositi raki dhe meze dhe, megjithë këmbënguljen time, pagoi ai. Cili qe nderi që më kërkoi doktor Haliti? “Të bëja një shkrim respektor për Doktor Llukë Gjideden”. Kaq. Dhe më falënderoi. A nuk duhet të isha unë ta falënderoja 100 herë për kujtesën fisnike. Ja këta janë doktorët e vërtetë të qytetit të Vlorës. Së treti, shpreha se u tha në këtë takim që, kryedentisti ynë, Doktor Llukë Gjidede e meriton titullin Profesor. Ashtu është, por do të bëj një korrigjim jo thjesht terminologjik. Profesorët janë të nderuar, por Doktor Lluka është profesor mbi profesorë, me botimet shkencore, me aftësitë profesionale, me shembullin personal, me modelin familjar, me identitetin krenar si shqiptar e bregas me rrënjë, me qëndrimin e lartë moral. Profesorët duhet të krahasohen me Doktor Llukën, jo metaforikikisht, por realisht e çdo ditë të jetës. Doktor Lluka është një kompozitë jo vetëm gjuhësore, por së pari një kompozitë intelektuale dhe qytetare sipërore. Qysh në vitin 1983, Ai ka mbrojtur disertacionin në kërkim të gradës shkencore “Doktor i shkencave mjekësore” me studimin “Anomalitë e zhvillimit të nofullave dhe vlerësim i metodave të mjekimit kirurgjikal” në 169 faqe (dispencë) me një aparat bibliografik të pasur, prej 194 autorësh, ndër ta shqiptarë, por shumica absolute të huaj, renditur sipas kriterit alfabetik. Në qoftë se shkencën e dentistrisë e krahasojmë me një reliev me fushëza, fusha, livadhe, kodrina, kodra, me male e me male të lartë, Doktor Lluka është sipër, mbi Bogonicë, afër Çikës, që qëndron ballëlart e kryerëndë si kurorë e hijshme e vargmaleve të Vetëtimave (Akrokeraunet). Ai e njeh pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e rajonin të Vlorës. Ai ka shkelur gati në çdo fshat, ka shëruar njerëz me shërbimin stomatologjik pa dhembje dhe me fjalën e ngrohtë, të ëmbël e vëllazërore dhe ka lënë gjurmë nderi e respekti, kudo ku ka shërbyer. Vlora është mirënjohëse ndaj mirëbërëse. Është dhe fodulle dhe nuk ta fal kollaj respektin. Shërbimtarëve dhe Shërimtarëve po. Mbahet mend e nderohet doktor Ali Mihali. Mbahet mend e nderohet Doktor Flloku, babai i artistit të madh dhe poetit Timo Flloko. Ata ishin shërimtarë të qytetarëve. Emrat e tyra janë përjetësuar dhe në institucione apo emra rrugësh në Vlorë. Mbahet mend dhe nderohet Doktor Lluka. Ai është shërimtar i qytetarëve vlonjatë, labë, himariotë e myzeqarë. Ai është mishërim i gjallë i sentencën Da Vinçiane: “Dituria është bijë e përvojës. E vërteta është bijë e kohës”. Nuk e bën “kabull” doktori t’i thotë Çikës: “O kryemal, të lutem, hapëm pak vend aty, te supi yt!” dhe pse e meriton. Çika më duket sikur i thotë: Urdhëroni, Fisnik, afër meje, të marrin njerëzit dritë e mirësi nga Bujaria Juaj Lartësore!” Dhe Doktor Lluka, me atë qetësinë e tij olimpike, me atë thjeshtësinë e tij hyjnore ia kthen Çikës: “Hirësi! Nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam mbledhur kallëza në një fushë të korrur”. E na kujton kështu filozofin e njohur gjerman Arthur Schopenhauerin me shigjetat e tij të mendimit. Nuk pretendoj të bëj promovimin e librave të Tij, se s’jam i zoti, as t’i bëj reklamë emrit të Doktor Llukës, se ai s’ka nevojë. Vlora dhe vendi, qytetaria jonë ka nevojë për të. Ai s’i ka dashur dhe si do kurrë spaletat, dekoratat, aq më tepër fjalët e fryra me tullumbace të bukura. Ai është i thjeshtë si e vërteta; i pastër si ujët e gurrës në Vale, mbi Iljazin e tij e mbi Tërbaçin tim; i ditur si Nestor i kohës; bamirës si Ai (nuk po i them si nënë Tereza, se Doktor Lluka përbën vetë një model të ri mirëbërësie). Ndoshta mund të mërzitet pak për këto radhë që po shkruaj e botoj për të, sepse ia di natyrën e tij, që i ka “zët” fjalët e mira e lavdërimet, sidomos nga miqtë, por s’ka gjë, do të kalojë, për hir të miqësisë shekullore të Iljaz Vunoit me Tërbaçin; për hir të të një lugë gjaku të përbashkët që kemi; për hir të miqësisë fisnike midis Gjidedëve dhe Habazajve; në vlerësim dhe në nderim të çdo 23 Shtatori, qysh nga viti 1979 deri më sot, që Doktor Lluka vjen me lule të frekëta për homazh në Tërbaç. Ai e meritonte njëqind përqind, dhe me kohë, biles, dekoratën më të lartë të vlerësimit moral që jep Shoqata Kulturore Atdhetare Kombëtare “Labëria”: “PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË”, që mori Dr. Llukë Milo Gjidede disa javë më parë, me motivacionin: “Si himariot, që ka demonstruar dashuri për atdhe. Për kontribut të tij të demonstruar në përgatitje intelektuale brenda dhe jashtë vendit, për kontribut shkencor e profesional në shkencën e shërbimit dentar. Për cilësitë organizative si drejtues i spikatur i institucioneve shëndetësore, për botimet shkencore që na ka dhënë, për veprat atdhetare dhe shkrimet me nivel kulturor”.
Faleminderit, Doktor Lluka, o vëllai im nga drita e përbashkët e malit të Çikës, që diellon mbi Vuno e mbi Tërbaç!
- « Previous Page
- 1
- …
- 23
- 24
- 25
- 26
- 27
- …
- 94
- Next Page »