• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

AMBASADA AMERIKANE MIREPRET VENDIMIN E PARLAMENTIT PER LIGJIN E DEKRIMINALIZIMIT

December 17, 2015 by dgreca

Deklaratë e Ambasadës së SHBA në Tiranë/

Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e guximshëm të parlamentit shqiptar për miratimin e ligjit për dekriminalizimi. Ky ligj është më i ashpri në Europë kundër kriminelëve në politikë. Ndërkohë që ky ligj është rezultat i punës së madhe si nga shumica ashtu edhe nga opozita, në fund të fundit ai është një fitore për qytetarët shqiptarë që duan qeverisje të pastër dhe fundin e korrupsionit. Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë në luftën e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit, ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend.

U.S. Embassy Statement

The U.S. Embassy welcomes the courageous decision of the Albanian Parliament to pass the law on decriminalization. This law is the toughest law in Europe against criminals in politics. While it is the result of the hard work by both the majority and the opposition, ultimately it is a victory for the Albanian people who want clean government and an end to corruption. While much work still remains in Albania’s fight against crime and corruption, this law represents a bold step in reducing the influence of criminal elements in the country.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasada amerikane, mirepret vendimin, per dekriminalizimit

Shqiptaret ne Mal te Zi- Bardhi i dergon ftese Cungut

December 17, 2015 by dgreca

BARDHI E FTON CUNGUN  NË BISEDIME NË TAVOLINËN E KOALICIONIT/

Nisur nga interesimi i njëmendt i anëtarëve dhe qytetarëve tanë për situatën aktuale disajavëshe jo të mirë e shqetësuese në Koalicionin e Qeverisjes Vendore aktuale të Ulqinit, përpjekjet tona, të Lidhjes Demokratike në MZ, ishin  dhe janë të vazhdueshme për të sqaruar me bisedime e besueshmëri të ndërsjelltë problemet  dhe të tejkalohen. Në këtë drejtim kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, në cilësinë e kryetarit të njërit nga subjektet  bashkëqeverisëse, bëri disa takime me udhëheqësit më të lartë të subjektit politik,  të Forcës së Re Demokratike, subjektit më numrin më të madh të mandatëve në KK të Ulqinit, në këtë Koalicion Qeverisës,  madje iu drejtua edhe me një shkresë Nazif Cungut, kryetarit dhe Genci Nimanbegut, nënkryetarit të Forcës, të cilëve, sipas asaj që doli në shtyp dhe asaj që deklaroi nënkryetari i Forcës dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, z.G. Nimanbegu, janë iniciatorë të nismës për votëbesimin kryetarit të komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjekës, me të cilën i fton të ulemi në tavolinën e bisedimeve, aty ku u lidh edhe Koalicioni, se vetëm aty është vendi ku duhet të sqarohen dhe eliminohen ose jo mosmarrëveshjet.

Në shkresën, të cilën po e bëjmë publike, sqarojmë se ishin dhe janë arsyet objektive qëllimmire vendimtare për bërjen e saj publike (sot, pas disa ditësh).

Më poshtë po ju njoftojmë me shkresën në tërësi.

Nga ZYRA e  LD në MZ-së PËR INFORMIM

Ulqin, më 15. 12. 2015

LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI

                       DEMOKRATSKI SAVEZ U CRNOJ GORI

DEMOCRATIC LEAGUE IN MONTENEGRO

Nr.   203 -15

Ulqin – Tuz , më  7. 12. 2015

                                     FORCËS SË RE DEMOKRATIKE

                                             Kryetarit z. NAZIF CUNGU

                                                                                         U l q i n

Lënda: Propozim për bisedime për ruajtjen e Koalicionit ekzistues – shqiptar në nivelin e

Qeverisjes  Lokale në Ulqin

I nderuari z. kryetar,

Me datën 17 nëntor 2015, e martë, nënkryetari  i Forcës së Re Demokratike dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, sot në Malin e Zi, në mjetet e informimit publik ( në të përditshmen DAN, prej kah u shpërnda pothuaj nëpër gjithë portalet e rrjetat shoqërore) deklaroi se  deri në fund të këtij muaji mund të niset apo do të niset iniciativa për votëbesimin e kryetarit të komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka. Pastaj se Kryetari i DPS-it të Ulqinit kishte thënë, po për këtë gazetë, se pushteti aktual në Ulqin po numëron ditët e fundit… e kështu me radhë.I shqetësuar për këtë, për të ardhmen e Koalicionit, nuk gjeta ndonjë përgjigje precize, as të subjektet e tjera, përbërëse të Koalicionit, por edhe thanë se e kanë lexuar këtë deklaratë të z. G. Nimanbegu, madje ka të dhëna se të tetë këshilltarët e FORCËS e kanë nënshkruar Iniciativën për votëbesimin  kryetarit aktual Fatmir Gjekës, i cili u zgjodh në këtë funksion qeverisës, pas formimit të Koalicionit Shqiptar  me votat e këshilltarëve të këtij Koalicioni, pra edhe me votën e këshilltarit të LD në MZ, z. Hajredin Kovaçi dhe ia kanë dorëzua DPS-it, si ofertë për një koalicion të ri  me ata!?

Për ne kjo ishte befasuese dhe e papranueshme, mu për faktin se një gjë e tillë, nuk ishte propozua nga ana e FORCËS që shqetësimi i tyre e jo më Iniciativa për votëbesim të shqyrtohej në tavolinën e Koalicionit, ashtu siç ishte dhe se ku ishte lidhë Koalicioni, çka do të ishte normale dhe rendi obligimi ndaj përbërësve të Koalicionit dhe bazë e  parimit demokratik, po edhe kombëtar, pa prejudikua që t’ia marrim dikujt të drejtën e aq më pak FORCËS, e cila në kuadër të Koalicionit si subjekt ka më së shumti këshilltarë në KK të Ulqinit (8) dhe ka të drejtë të ketë vërejtje, kërkesa, të propozojë ndryshime, madje edhe të ndërrojë mendimin e vendimin, deri në shkëputje a shpërbërje të Koalicionit, por elementare do të ishte që edhe kjo apo këto të bëhen, se pari, në tavolinën e bisedimeve, aty ku edhe u lidh Koalicioni.

Duke u nisur nga sa më lart dhe duke marrë parasysh, faktin se LD në MZ si subjekti më i vjetër politik në përbërje të këtij Koalicioni,  të hënën, më 23.11. 2015, mora iniciativën  dhe i propozova z. G. Nimanbegu, nënkryetarit të FORCËS dhe kumtuesit të lajmit për votëbesim të Kryetarit të Komunës dhe Kryetarit të KKSH-së, që të ulemi e të pimë nga një kafe.

E falënderoj z. Nimanbegu i cili shprehu gatitshmërinë që të takoheshim madje menjëherë. Takimin e bëmë në lokalet e KKSH-së, ku i shpreha shqetësimin tim, dhe jo vetëm timin për iniciativën e tyre për votëbesim Kryetarit të Komunës, pasi kjo mund të sjellë deri të shpërbërja e Koalicionit dhe i propozova që ta shikojnë edhe një herë me kryetarin dhe udhëheqjen e partisë këtë çështje.Po atë ditë, po në lokalet e KKSH-së bëmë edhe një takim, ku ishit edhe Ju zotëri kryetar, ku edhe Ju po ashtu  iu  shpreha shqetësimin tim për Iniciativën Tuaj dhe fatin e vazhdimit të Koalicionit. Ju z. Nazif, paraqitët  disa vërejtje për  punën e Kryetarit të Komunës z.F.Gjeka dhe pohuat se e kishit nis Iniciativën për votëbesimin e tij. Në fund, pas një bashkëbisedimi jo edhe të shkurtër, kërkova dhe iu propozova që të mendoni dhe të analizoni edhe një herë, edhe sukseset edhe mossukseset, edhe të metat e mangësitë edhe anët pozitive madje edhe rezultatet po edhe pasojat që do të kishte një prishje a shpërbërje e Koalicionit. Të ulemi dhe të bisedojmë, të shohim ku janë gabimet dhe çka duhet të ndërmerret për me vazhdua më tej, – ju thashë me dashamirësi, sinqeritet dhe përgjegjësi.

Zotëri kryetar i Partisë, zotëri Nazif Cunga, nisur nga fakti se pas këtyre kontakteve me Ju po edhe me palët e tjera të Koalicionit dhe me kryetarin e komunës, z. Fatmir Gjeka, nga Ju nuk arriti edhe asnjë iniciativë që të ulemi të gjithë së bashku e të shohim çka mund të bëjmë, prandaj sot  vendosa që edhe një herë t’ju drejtohem me propozim që të ulemi e të bisedojmë për me tejkalua problemet, nëse është e mundshme, deri sa ende besoj se nuk është vonë. Mund të shpëtojmë atë çka është më e nevojshme, UNITETIN, veprimin e përbashkët, kur dimë faktin se së shpejti, në pranverë ose në vjeshtë, do të kemi zgjedhjet parlamentare. Këtë e kërkon logjika e shëndoshë, rrethanat aktuale, ardhmëria, kombëtarja e demokracia.

Me respekt.

Ulqin, më 7. 12. 2015

MEHMET BARDHI, prof., kryetar i LD në MZ

PS:Dërguar: 1 x  Genci Nimanbegut, nënkryetar i FORCËS dhe KRYETAR I KKSH-së

Filed Under: Rajon Tagged With: Bradhi fton Cungun, Shqiptaret ne Mal te Zi

Kosovë-Shqipëri, projektet energjetike për zhvillimin ekonomik

December 17, 2015 by dgreca

-Kosova inauguron “autostradën” energjetike drejt Shqipërisë/

 -Kryeministri kosovar Isa Mustafa: Kam kënaqësinë e veçantë që sot të marrë pjesë në përfundimin e punëve  në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, dhe po ashtu do të kem kënaqësinë që para mesit të vitit të ardhshëm edhe në Shqipëri të gëzojmë përfundimin e këtyre punëve, në mënyrë që sistemi të jetë operativ në tërësi/

-Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, ka përcjellur urimet e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ministrit Damian Gjiknuri për përfundimin e punimeve në Kosovë në linjën interkonektive 400 kV, duke paralajmëruar edhë përfundimin e punimeve në Shqipëri në pranverë/

-Nesër nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për Termocentralin ‘Kosova e Re’ në mes të Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik dhe kompanisë amerikane Contour Global/

 Nga BEHLUL JASHARI/ PRISHTINË, 17 DHJETOR 2015/ Në Kosovë, është inauguruar sot pasdite “autostrada” energjetike, projekti “Rregullimi sekondar frekuencë-fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Ceremonia solemne u zhvillua në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B, në Kastriot, afër Prishtinës, i cili do lidhet me Nënstacionin Tirana 2 – te kryeqyteti shqiptar.

Kryeministri kosovar Isa Mustafa ka vlerësuar rëndësinë e madhe që kanë për Kosovën këto zhvillime, të cilat do të përmirësojnë sistemin energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe do të krijojnë lidhje të veçantë ndërmjet dy vendeve dhe me BE-në.

“Kam kënaqësinë e veçantë që sot të marrë pjesë në përfundimin e punëve  në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, dhe po ashtu do të kem kënaqësinë që para mesit të vitit të ardhshëm edhe në Shqipëri të gëzojmë përfundimin e këtyre punëve, në mënyrë që sistemi të jetë operativ në tërësi. Kosova dhe Shqipëria tanimë kanë marrë obligimet por edhe po krijojnë kushtet për fuqizimin dhe furnizimin e sistemit me energji elektrike, po krijojnë kushte për standard më të lartë dhe arritjen e standardeve të vendeve të zhvilluara, si të prodhimit, transmisionit dhe shpërndarjes tek konsumatori. Qëllimet tona janë që të arrijmë nivel të lartë të cilësisë së furnizimit, të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe mjedis të pastër të prodhimit të energjisë elektrike, në suaza të pakos së tretë, që përfshinë edhe vendet tjera në rajon”, tha kryeministri kosovar.

Kryeministri Mustafa theksoi se linja e interkoneksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri është një mundësi me shumë përparësi për të dy vendet tona, duke u bazuar në diversitetin e resurseve energjetike, që janë kompatibile për t’u arritur një nivel më i lartë i rendimentit të prodhimit të energjisë elektrike dhe të këmbimit të energjisë elektrike.

“Përfundimi i kësaj linje konsideroj se është një sukses i yni i përbashkët, i cili do të mundësojë optimizimin e këtyre dy sistemeve, jo vetëm në ngritjen e sistemeve transmetuese, por edhe në ngritjen e besueshmërisë së ekonomisë dhe qytetarëve tanë, për t’u furnizuar në mënyrë të rregullt me energji elektrike”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur mirënjohje për qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në mëvetësimin e sistemit energjetik të Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Mustafa, ka falënderuar posaçërisht qeverinë gjermane për financimin e këtij projekti në një shumë të madhe të parave dhe Bankën Gjermane për Zhvillim, për një shumë prej 33.5 milionë eurove, e cila në një formë ndahet në dysh ndërmjet donacionit të qeverisë gjermane dhe Bankës Gjermane për Zhvillim. Kryeministri Mustafa theksoi se ky është një kontribut i drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në prosperitetin e Kosovës, duke shprehur konsiderata të larta edhe për punën e përkushtuar të të gjithë profesionistëve dhe menaxhmentit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT për një periudhë të gjatë në realizimin e këtij projekti.

“Konsideroj se, si rezultat i kësaj autostrade energjetike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, do të mundësohet një këmbim shumë më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve tona, dhe sidomos një mundësi e ngritjeve të kapaciteteve gjeneruese të planifikuara. Po ashtu, vlerësoj se ky është një hap shumë i mirë që ne të punojmë në të ardhmen bashkërisht, jo vetëm në sistemin e transmisionit, por ndoshta edhe në sistemin e prodhimit të energjisë dhe gjenerimit të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar mundësitë alternative Kosovë-Shqipëri, përkatësisht resurset tona që i kemi komplementare, dhe të cilat pastaj do të mundësojnë që ne të pavarësohemi tërësisht dhe të sigurojmë energji elektrike”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se ky është një hap shumë i rëndësishëm i furnizimit të qytetarëve dhe ekonomisë.

Ministri kosovar  i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka përgëzuar të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në kuadër të këtij projekti për ta bërë të mundur realizimin e tij.

“Kjo ngjarje, së bashku me ngjarjen e ditës së nesërme (nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për Termocentralin ‘Kosova e Re’ në mes të Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik dhe kompanisë amerikane Contour Global), përbëjnë një kapitull të ri në sektorin energjetik të vendit tonë, një kapitull në të cilin ne përfundimisht do ta transformojmë për ta bërë gati për zhvillimet e ardhshme.  Të gjithë ne këtu, e në veçanti partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë kontribuuar në realizimin e këtij projekti, e dinë që edhe proceset ndërkombëtare, proceset e integrimit, në të cilat ne marrim pjesë së bashku me Republikën e Shqipërisë kanë për qëllim që të gjithë ne në një të ardhme të afërt të jemi pjesë e një tregu rajonal duke i plotësuar tre kushte themelore: 1) që të kemi siguri të furnizimit me energji elektrike, 2) që të bëjmë një ndërlidhje sa më të mirë të rrjeteve tona, dhe 3) që të bëhemi pjesë e një tregu rajonal po ashtu edhe me kushte të reja të operimit duke liberalizuar tregun”, tha Stavileci. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, po ashtu, tha se në këtë drejtim Kosova dhe Shqipëria po bëjnë hapa progresivë dhe po japin një shembull për shtetet tjera të rajonit lidhur me avancimin e axhendës së Traktatit të Komunitetit të Energjisë, duke bërë të ditur se ky projekt i interkoneksionit, i kësaj  linje të transmisionit është njëri në mesin e 35 projekteve më të rëndësishme që i kanë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, po ashtu, ka vlerësuar lartë rëndësinë që ka kjo ngjarje për të dy sistemet energjetike, duke pas parasysh edhe zhvillimet e mëtejshme dhe rëndësinë që ka nënshkrimi i marrëveshjes midis të dy qeverive.

Bejtja foli për përfitimet që do të kenë dy vendet nga ky bashkëpunim dhe për mundësitë e fuqizimit të mëtejmë të sistemeve energjetike të dy vendeve që ato të jenë pjesë e Bashkimit Evropian si paraprijëse të proceseve tjera integruese. Ai, po ashtu, ka përcjellur urimet e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Damian Gjiknuri, për në inaugurimin e projektit dhe përfundimin e punimeve në linjën interkonektive 400 kV, duke shprehur besimin se e njëjta gjë do të inaugurohet në Shqipëri në pranverë.

Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Mustafë Hasani, tha se vënia në funksion i linjës 400 kV dhe projekti i rregullimit sekondar me një kosto kapitale 33.5 milionë eurosh janë projektet më të mëdha pas luftës, për sistemin elektroenergjetik të Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Ndërtimi i kësaj linje interkonektuese  të tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve ndërmjet dy vendeve, rajonit, ngritjen e sigurisë, besueshmërisë, sistemeve tona elektroenergjetike, si dhe do të mundësojë zhvillimin e tregut  të të dyja vendeve, dhe tregut rajonal dhe panevropian”, tha Hasani.

Përfaqësuesja e qeverisë gjermane, Henriette Kotter, theksoi se sektori i energjisë është një prej shtyllave kryesore të zhvillimit në Kosovë dhe se kjo është arsyeja pse një linjë si kjo është shumë me rëndësi.

“Qeveria Gjermane bashkë me qeverinë e Kosovës ka zgjedhur energjinë si një prej zonave kryesore të fokusit  për zhvillim. Gjermania ka mbështetur Kosovën në këtë sektor që nga viti 1999 me mbi 150 milionë euro. Ne patëm filluar 15-16 vjet më parë me masa emergjente në miniera qymyri, dhe në termocentrale dhe së bashku kemi ofruar masa për energji efiçiente dhe për ngrohje të qytetit. Rrjeti i transmisionit do të përfshijë rrjetin e Kosovës dhe kjo është në pajtim me axhendën e bashkëpunimit që promovohet nga Kancelarja e Gjermanisë për shtetet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e Konferencës së Berlinit dhe Konferencës së Vjenës së këtij viti. Linja mes Kosovës dhe Shqipërisë do të lidh edhe pjesë të tjera të Ballkanit dhe do të krijojë kushte për të shkëmbyer ngarkesën e energjisë nga qymyri dhe nga hidrocentralet në Shqipëri. Për Gjermaninë kjo paraqet një prej projekteve më të mëdha”, tha Kotter.

Esther Gravenkoetter, drejtoreshë e Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, e ka quajtur nder për këtë Bankë që të jetë pjesë e një prej projekteve më të rëndësishme në Kosovë, së bashku me pjesën shqiptare, në një projekt të rëndësishëm edhe për rajonin. “Ky projekt ka qenë i mundshëm vetëm falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer. KOSTT është njëra prej kompanive më të mira që keni këtu në Kosovë, dhe duhet të jetë shembull edhe për kompanitë në rajon.

Ne shpresojmë se do të vazhdojmë bashkëpunimin me KOSTT-in, me qeverinë e Kosovës, në vitet në vijim, me projekte të rëndësishme për Kosovën dhe për gjithë rajonin”, tha Gravenkoetter.

Administratori i Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri, Engjëll Zeqo, tha se fillimi i këtij projekti të rëndësishëm për sistemet e transmetimit të dy vendeve shënon edhe fillimin e materializimit të këtij projekti të veçantë dhe të rëndësisë siç është optimizimi i punës të dy sistemeve,  rritja e besueshmërisë dhe sigurisë së këtyre dy sistemeve.

Kosova ka përfunduar “autrstradën” energjetike drejt Shqipërisë, në 14 dhjetor  u bë energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik  dhe të  mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë gjithë “autostradën” energjetike, paralajmëronte kryeministri kosovar Isa Mustafa, i pyetur nga korrespondenti në Prishtinë në një konferencë për shtyp në  verë, muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.

“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në 10 mars 2015, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të shoqëruar edhe nga drejtuesit e operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të energjisë të të dyja vendeve, kanë vizituar nënstacionin 400/220kV – Kosova B në Obiliq, ku janë njoftuar për së afërmi me punën që po bëhej për realizimin e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri.

Me atë rast u theksua se ecuria e mirë e punimeve në ndërtimin e  linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri, ku 1/3  e projektit ishte përfunduar, rriste pritshmëritë se deri në fund të këtij viti do të përfundonte pjesa nga Kosova dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm edhe pjesa e Shqipërisë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Shqipëri, projektet energjitike

Klima dhe qëniet e gjalla

December 17, 2015 by dgreca

Pasojë  e veprimit të lëvizjes dhe vetëlëvizjes së materies/

Nga Prof. Dr. Azbi Shehu- New York/Materia në sajë të lëvizjes dhe vetëlëvizjes krijon klimën në atmosferën e tokës, por vetë materia e pëson nga veprimi i klimës. Klima është në varësi të proçeseve të materies nga:

  1. Faktorët jashtë tokës sonë (Diellit, yjeve, planetëve, etj. të Universit)
  2. Energjia e materies brënda globit tokësor

III. Qëniet e gjalla

  1. Gjelbërimi në koren tokësore

Shkencëtarët kanë vërtetuar se forcat e gravitacionit të planetëve dhe yjeve të Universit kanë influencuar në riformimin e orbitës së planetit tonë duke i shkaktuar asaj një anim apo pjerrësi të aksit të rrotullimit e shprehur në 23 gradë dhe  27 minuta dhe si rrjedhojë u formuan stinat vjetore.

Burimi kryesor nga faktorët jashë tokësor është Dielli. Ai furnizon me energji planetin tonë dhe atmosferën rreth tij. Sasia dhe shkalla e nxehtësis, që bie mbi tokë paraqitet e variushme, në rajone dhe zona të sipërfaqes së globit. Vetëm 50% të rrezeve të Diellit thithen nga sipërfaqja e Tokës që shkaktojnë ngrohjen e saj dhe të atmosferës. Ndërsa 30% kthehen mbrapsh në hapsirë si rrjedhojë i kundërveprimit të reve, akullit dhe ujit. Kurse 20% i nxehtësisë së rrezeve të Diellit thithen nga avulli, uji,  ozoni, retë, pluhuri dhe molekulat e ajrit. Avulli ujor dhe karboni i dioxit në atmosferë ndërpresin disa nga rrjedhjet e rrezeve Diellore që do të sillnin ngritjen e temperaturës në atmosferën e tokës dhe në vetë tokën, fenomen që shpreh efektin e serave. Energjia Diellore e nxeh, e nxit dhe e vë në lëvizje atmosferën e tokës në një shkallë të gjërë planetare dhe krijon sistemin e lëvizjes të erërave në distanca ndërkombëtare.

Sistemi i erave globale punon si një motor gjigand pandërprerje për të harmonizuar kontrastet e temperaturave midis zonave tropikale dhe atyre polare. Nxehtësia e Diellit kthen ujin e oqeaneve në avull. Ky avull ngrihet lart në atmosferë dhe udhëton në drejtim të kontinenteve. Si rezultat i ftohjes, sipas stinave, ai kthehet në formë të shiut ose të dëborës në tokë duke gjallëruar jetën në globin tokësor. Rrezet e Diellit mund të forcohen ose të dobësohen; në përputhje me energjinë e brendshme të vetëlëvizjes së materies Diellore. Kjo shprehet me anë të njollave Diellore që hap pas hapi influencojnë në shpejtësinë ose ngadalësimin e motorit atmosferik. Ajri i ngrohur në zonat Tropikale ngrihet lart në Atmosferë dhe lëviz në drejtim të Poleve. Aty ai ftohet dhe zbret ose ulet në pjesët e poshtme. Rrotullimi i Tokës duke vepruar mbi këto rryma i shmang ato brënda qelizave të ajrit lëvizës.

Rrjedhjet ajrore lëvizin në mënyrë alternative përqark Tokës duke kaluar mbi oqeane dhe kontinente. Ato i ngjiten vargjeve malore zhyten drejt fushave dhe rrëshqasin në sipërfaqjen e ujrave të oqeaneve, liqeneve, etj. Kështu në çdo hap të udhëtimit të tyre krijojnë ballafaqimet e motit të atmosferës për çdo rajon në përputhje me stinat vjetore. Ky cikël përsëritet çdo vit duke krijuar format klimaterike të dallueshme për secilën zonë të planetit. Të tilla janë nxehtësitë e jashtëzakonshme të Saharas, mjergullnajat të shoqëruara me shira në pyjet e Amazonit, musonat Aziatike në tokat e pafundme në fushat e mëdha të Amerikës veriore, etj.

Ajri që ndodhet mbi një rajon zotëron cilësitë e temperaturës dhe të lagështirës. Kur një masë e tillë ajri homogjene lëviz drejt rajoneve të tjerë eventualisht modifikon, por në një farë shkalle dhe e ndyshon ajrin atje. Kështu p.sh. të ftohtit dhe masa e ajrit të thatë që e kanë origjinën në Kanada shpesh lëvizin drejt Jugut në SH.B.A. Në intervale kohe të ndryshme ato zhvendosen nga masat ajrore të nxehta dhe me lagështirë, që vijnë nga oqeanet tropikale. Masat ajrore zakonisht formojnë një front të ngushtë që shtrihet në kufijtë e mijëra kilometrave mbi sipërfaqjen e tokës. Herë herë fronti shkakton stuhi bubullimash.

Masat e ajrit të nxehta dhe me lagështi në lartësi të ndryshme topografike formojnë stuhi lokale intensive në formën e një lulelakre të karakterizuara nga re me shira të fuqishme dhe herë herë të shoqëruara dhe nga breshëri. Lumenjtë e ajrit me gjerësi relativisht të ngushtë nga 8 deri në 15km., duke udhëtuar në drejtim të Lindjes me shpejtësi nga 160 deri 300km/orë, shpeshtojnë stuhitë e ftohta Dimërore dhe Tornadot Pranverore. Rrymat ajrore e rrisin shpejtësinë duke udhëtuar në drejtim të Lindjes. Stuhitë Dimërore krijohen nga rrymat e ajrit që në lartësi të ndryshme formojnë një front moti në formën e nje vorbulle me diametër rreth 2000km dhe me një shpejtësi të akseleruar (duke u rrotulluar në drejtim të kundërt të akrepit të sahatit në Hemisferën Veriore). Erat ngrejnë lart masën e nxehtë me lagështi duke krijuar një sistem re që derdhin shi dhe dëborë në sipërfaqen e tokës.

Këto rrjedhje atmosferike reflektojnë historinë plot ngjyra të klimës që shprehet me variacionet vjetore nga akujt shekullorë në lëvizje në ashpërsinë e dimrave të ftohtë dhe deri në stinën e nxehtë të verës. Si rrjedhojë shkaktohen erërat, të cilat forcohen ose dobësohen nga dita në ditë, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit, duke sjellë “kohë të mirë ose të keqe” shprehet populli. Jo rrallë herë erërat e fuqishme kanë hapur ose çarë, rrugë të panjohura gjatë periudhës së akullnajave. Ky dinamizëm ka shkaktuar përtëritjen dhe gjallërimin e planetit duke krijuar kushte për zhvillimin e bimësisë, poleneve, etj. në fundin e liqeneve, etj. Natyra e rrjedhjeve atmosferike llogaritet e paqendrueshme nga viti në vit. Ka një mospërputhje ndërmjet ajrit atmosferik mbi oqeane dhe të atij mbi akujt Polarë që kanë shkaktuar dhe sjellë ndryshime të lëvizjeve klimaterike.

Oqeanet lëshojnë nxehtësinë e thellësisë në sipërfaqje që zgjat me muaj, herë herë dhe me vite. Drejt ekstremiteteve pollare oqeanet mbulohen nga një perde e akujve dimëror. Fushat e shkëlqyera të akujve Polar i kthejnë mbrapsh rrezet e Diellit në hapsirë. Këta akuj gjithashtu bllokojnë rrjedhjen e nxehtësisë dhe lagështisë nga thellësia e oqeaneve. Të dy këto proçese ndihmojnë akullin që të gjallërohet rreth viteve.

 

  1. Energjia e Kores Tokësore (në saj të vetëlëvizjes së materies).

Oqeanet lëshojnë nxehtësi nga thellësia drejt sipërfaqjes së tyre. Kjo nxehtësi është pasoj e vetëlëvizjes së tokës që shprehet si rrjedhojë i lëvizjeve të pllakave tektonike brenda kores tokësore. Këto pllaka duke u përplasur, hipur ose zhytur njëra mbi ose nën tjetrën krijojnë nxehtësi. Pjesët e ngurta të materies pranë zonës së kontaktit të pllakave, në saj të nxehtësisë së jashtëzakonshme, shkrihen dhe kalojnë në gjendje të lengshme. Si pasojë zmadhimi i volumit i masës së lëngshme që çon në rritjen e presionit karshi shkëmbenjve të ngurtë kërkon rrugë të reja për të lëvizur. Kjo do të shkaktonte çarje në drejtim të shkëmbenjve me kundërpresion më të vogël. Nga studimet e kryera ka dalë se rrugët drejt sipërfaqjes së tokës janë më të mundshmet për të lëvizur shkëmbinjtë e lëngëzuar ose e ashtuqujtura “Lava e vullkaneve”. Rrugët akoma më të shkurtëra për në sipërfaqjen e tokës janë ato drejt oqeaneve.

Vullkanet dhe tërmetet në globin Tokësor ndodhen kryesisht gjatë zonave të kontaktit midis pllakave tektonike dhe pranë tyre. Ato paraqiten më të përqendruara në pllakat tektonike brenda oqeaneve p.sh. në zonën e kontaktit të pllakës tektonike të oqeanit Pacifik me pllakën e Filipinëve dhe ate të Karolinës, ose pllaka e Somalisë me atë të Indo-Australisë brënda Oqeanit Indian, etj. Jo më pak vullkane dhe tërmete janë regjistruar në zonat e kontakteve dhe pranë tyre dhe midis pllakave tektonike brenda oqeanit Atlantik. Gjithashtu përqendrime të vullkaneve dhe të tërmeteve janë regjistruar dhe në kontaktet e pllakave tektonike të oqeaneve me brigjet e kontinenteve. Shembull tipik i këtyre kontakteve janë zonat e përplasjeve midis pllakës të oqeanit Pacifik dhe pllakave “Nazka” dhe “Kococ” që ndodhen brënda oqeanit Pacifik me brigjet e Amerikës ose më konkretisht me pllakën e Amerikës Veriore dhe të asaj Jugore.

Vullkane dhe tërmete janë të përhapur dhe në zonat e kontakteve dhe pranë tyre dhe midis pllakave në sipërfaqjen e kontinenteve. Si shembull përmendim zonën e kontaktit midis pllakës tektonike të Euro-Aziatike me pllakën Afrikane dhe me ate Arabike, etj. Faktikisht nga studimet e kryera është vërtetuar se në dysheme ose në fundin e oqeaneve ndodhin më shumë shpërthime vullkanike dhe tërmete se sa në sipërfaqje të kontinenteve. Ky është shkaku, përse nga oqeanet konstatohet dhe rrjedh më shumë nxehtësi. Kjo lavë e nxehtë dhe lëkundjet e fuqishme të tërmeteve reflektohen në ujin e oqeaneve e trazojnë, e qarkullojnë atë dhe krijojnë stuhi dhe urragane të fuqishme, që lëvizin drejt bigjeve të kontinenteve. Këto Urrugane që formohen në oqeane ku shpërthen nxehtësia e lavës vullkanike e shoqëruar me lëkundje të tërmeteve shprehin mekanizmin efishient, që tërheq teprimet e nxehtësisë nga oqeani për ti kaluar ato deri në pjesët e sipërme të atmosferës. Erërat e fuqishme me shpejtësi rreth 300km/orë, lëvizin në formë të një spiraleje ose të një syri dhe shoqërohen me shira të fuqishëm dhe të rrëmbyeshëm. Ato shtrihen me qindra km. të zgjatur në formën e një bishti prapa syrit në qendër të spirales dhe lëvizin ngadalë drejt Perendimit ndërsa më vonë me shpejtësi drejt Poleve. Në sipërfaqje të kontinenteve ato shkaktojnë deme të mëdha si në materiale dhe në njerëz, sepse veprojnë shpejt dhe janë të paparashikueshme, ndërsa në oqeane veprimi i tyre shuhet në gropat e oqeaneve pa shkaktuar demtime.

Nga regjistrimet e kryera është konstatuar se vullkanet dhe tërmetet ndodhen në zona të ndryshme të sipërfaqes të globit tokësor. Në këto rajone ku ato shpërthejnë, sjellin ndryshime të jashtëzakonshme, madje katastrofike në sipërfaqjen e tokës dhe në atmosferë. Ka shumë raste për tu përmendur, por më tipike dhe shumë katastrofike paraqiten zonat ku kanë vepruar vullkanet dhe tërmetet në krahinat e Japonisë. Në këto krahina vullkanet dhe tërmetet janë të vazhdueshme, por lëkundjet herë forcohen dhe herë dobësohen. Duke u futur në atmosferë këto gazra e keqësojnë klimën e atyre zonave ku veprojnë. Në disa raste kur vullkanet dhe tërmetet paraqiten shumë të fuqishëm kanë shkaktuar zhdukjen e ishujve ekzistues ose krijimin e ishujve të rinj.

Pra faktori i dytë që kondicionohet nga proçeset gjeologjike të vetëlëvizjes së materies brenda kores së Tokës; si rrjedhojë i veprimit të pllakave tektonike luan një rol specifik të rendësishëm në klimën e atmosferës dhe mbi sipërfaqjen e rruzullit tonë Tokësor.

 

III. Qëniet e gjalla.

Qëniet e gjalla nga mikroorganizmat e deri tek njeriu veprojnë në mënyrë aktive mbi sipërfaqjen e tokës dhe atmosferën e saj. Ato gjatë veprimtarisë jetës tyre, por dhe mbas vdekjes dhe transformimit në nje formë tjetër të ekzistencës nxjerrin nga organizmi gazra e plehra dhe i derdhin ato në sipërfaqe të tokës dhe atmosferë. Të gjitha këto prodhime të qënieve të gjalla ekzistuese dhe ato të transformuara influencojnë negativisht në klimën e Tokës sonë. Ndryshimet e klimës nga nxehtësitë e larta në ngrica të jashtëzakonshme influencojnë direkt në materien e çdo forme që ndodhet në Tokë (e ngurtë, e lëngët, e gaztë, qënie të gjalla, etj) dhe e shkatërron, e copëton, e dërrmon, etj. Kështu p.sh. malet të përberë nga shkëmbinj me fortësi të jashtëzakonshme duke ju nënshtruar nxehtësisë së lartë dhe ngrirjeve, herë bymehen dhe herë tkurren. Në këto kushte do të krijohen çarje dhe nën veprimin e agjenteve atmosferik (erat e fuqishme, stuhitë, etj) do të rrëzohen në drejtim të pjeseve më të ulta duke kaluar drejt deteve dhe oqeaneve. Ndryshimi i klimës vepron në të njejtën mënyrë dhe me llojet e tjera të materies si uji, avulli, etj.

Qëniet e gjalla veprimet e klimës i ndjejnë në saj të organizmit të instiktit të brendshëm reflektues. Ata kërkojnë që ti përshtaten klimës. Për këtë zhvendosen duke kaluar nga nje rajon (p.sh. i nxehtë) në një rajon të freskët. Ose për të jetuar në vende të nxehta përdorin kondicionera, ndërsa për rajone të ftohta pëdorin aparatet ngrohës. Kafshët e rregullojnë jetën e tyre të ambjentimit, kryesisht me anë të çvendosjes ose largimit për në rajone me klimë të përshtatshme. Duhet theksuar se ndryshimi i klimës nga nxehtësi të jashtëzakonshme në ngrica dhe anasjelltas shkakton shqetësime në trupin e qenieve të gjalla, të cilat shprehen me dëmtime në fizikun e tyre, por dhe në gjendjen shpirtërore. Kjo është një nga arsyet kryesore që influencon në shëndetin duke shkaktuar infeksione, sëmundje të renda deri në vdekje. Prandaj kryesisht njeriu shpik mjete ose aparate speciale për të jetuar në kushte të një jete normale për trupin dhe trurin e tij.

Ashtu si Toka jonë me anë të vetlëvizjes së saj të brendshme krijon nxehtësi dhe qeniet e gjalla me anë të vetlëvizjeve të tyre krijojnë nxehtësi. Kështu kur atmosfera në sipërfaqje të tokës paraqitet e ftohtë, njeriu e detyron trupin të lëvizi dhe të krijojë një klimë të përshtatshme brenda trupit të tij. Kjo tregon se me anë të vetlëvizjes së trupit njeriu rregullon mënyrën e jetësës së tij kudo që të ndodhet. Të gjitha llojet e gazrave apo të plehrave që prodhohen dhe lëshohen në natyrë nga qëniet e gjalla janë proçese fiziologjike që as vetë njeriu edhe sikur të dojë nuk mund ti ndali. Duhet thenë se këto janë të lidhura me vendndodhjen ekzistuese të qenieve të gjalla, prandaj janë dhe të lokalizuara. Këto prodhime ndodhen kryesisht pranë qyteteve të mëdha ku ka një numër të konsiderueshëm të njerëzve ose në pyjet ku jetojnë kafshë me shumicë.

Probleme shumë serioze janë prodhimet e gazrave, tymit, plehrave, etj., nga aparatet që kanë shpikur shkencëtarët dhe që po përdoren në masë nga njerëzimi (makinat, aeroplanet, raketat, etj]. Të gjitha këto lëshojnë në sipërfaqjen e Tokës dhe atmosferë mijra tonelata gazrash në sekondë. Ato e ndryshojnë klimën duke e berë më të demshme dhe për vetë njeriun. Fabrikat e panuëurta që janë ngritur, po ngrihen dhe do të ngrihen, janë një burim tjetër jashtëzakonisht i madh të cilat prodhojnë gazra dhe plehra që hidhen në sipërfaqje të kores Tokësore dhe në atmosferë. Por sikur nuk mjaftojnë këto që përmendëm më sipër, sepse njeriu po e tregon veten akoma më i pangopur duke ju turrur dhe vetes së tij me ndërgjegje të plotë. Ai pa ndjenja njerëzore dhe i pamëshirshëm po krijon të tjera gazra dhe tymra nga mjetet më moderne që po përdor në luftat e sajuara po nga ai vetë. Nga këto lufta gjakatare që po sjellin shkatërrimin e njerëzimit, prodhohen qindra mijëra ton plehrash si rrjedhojë i njerëzve të vrarë duke qenë krejtësisht të pafajshëm.

Për të gjitha këto fajtor është njeriu, por jo populli i thjeshtë që siç shprehet vet populli “Eshtë mish për top”. Janë egoistat që nuk ngopen me poste dhe pasuri. Janë ata që kanë sjellë dhe do ti sjellin fatkeqësi të tilla njerëzimit. Eshtë fatkeqësi që pikërisht këta njerëz të cilët përmendimin tim nuk duhet të ekzistonin fare në globin tonë tokësor sot kudo dhe në çdo shtet kanë frenat e jetës njerëzore dhe drejtojnë botën.

 

  1. Gjelbërimi i kores Tokësore

Natyra i ka falur njeriut jo vetëm jetën me të gjitha të mirat materiale, por i ka dhuruar dhe gjelbërimin, frymarrjen e jetës në Tokë. Gjelbërimi qëndron më lartë se një qenie e gjallë. Pemët dhe bimësia na qeshin, na flasin, na përkëdhelin çdo ditë. Tek ato ne gjejmë shpirtin e vërtetë që duhet të ketë njeriu, gjejmë frymëmarrjen e shëndetshme dhe të pastër, gjejmë buzëqeshjen që nuk e kuptojnë të gjithë. Përkundrazi njeriu i keq në vend të buzëqeshjes përdor sëpatën për t’ja prerë frymarrjen që ato i dhurojnë çdo sekondë njeriut mosmirënjohës. Pikërisht kështu ndodhi kur erdhi Demokracia në vendin tonë. Në vitet 1990-1991 njerëzit e pandërgjegjëshëm i prenë pemët i rrëzuan përtokë, sepse i përkisnin regjimit Komunist. Njerëzit e degjeneruar dhe të papjekur, politizuan dhe pemët dhe gjelbërimin tek i cili të gjithë gjenin frymëzimin, gëzimin dhe frymarrjen.

Nga të gjitha llojët e materies që ekzistojnë në rruzullin Tokësor vetëm pemët, bimësia e përtërijnë ajrin në atmosferë i kthejnë buzëqeshjen asaj. Në verën e nxehtë njerëzit turren tek hijet e pemëve, ndërsa në dimër harrojnë ti përqafojnë për ti mbrojtur nga të fohtit e egër. Sa mosmirënjohës! Por nuk duhet të çuditemi shumë, sepse ata urrejnë njeri tjetrin duke vrarë dhe jo të presin mirënjohje dhe mëshirë pemët dhe bimët. Fëmijët i afrohen luleve, i buzëqeshin trandafilit, e përkëdhelin dhe e puthin. Nuk e këpusin se janë të padjallëzuar, janë të pastër në shpirt dhe ju vjen keq. Ata duan ta shohin të lulëzuar, po ta këpusin ai vdes dhe nuk do ta shihnin përherë. Kurse ne i afrohemi e këpusim pa i buzëqeshur, madje nuk e kthejmë as kokën të paktën për ta përshëndetur, për sjelljen tonë brutale. Trëndafilin e mbajmë në dorë dhe vijmë vërdallë për ti rrëmbyer zemrën ndonjë vajze duke i dhenë dhuratën e vjedhur.

Tek pemët, karafilat dhe trëndafilat shkrimtarët dhe poetët kanë gjetur dhe gjejnë frymëzimin. Sa poezi janë shkruar për dashurinë platonike nën hijen e pemëve. Të gjithë presin pranverë me gëzim, sepse shpërthen gjelbërimi. Çelin gjethet dhe lulet e pemëve, na mbushet gjoksi me aromën e karafilave apo trëndafilave. Gjethet e pemëve duke fëshfëritur sjellin flladin e freskët mbi trupin tonë, fytyrën dhe gjoksin tonë. Këtë kënaqësi fizike dhe shpirtërore e gjen vetëm në mes të pemëve dhe bimësisë, e gjen në mes të pishave në pyjet shekullorë. Gjithë këtë bukuri shpirtërore na i jep vetëm gjelbërimi, përveç interesit ekonomik si dru apo përdorimet e në ndërtimet.

 

Literatura

  1. Buckley, B.; Hopkins, E.J.; Whitaker, R. 2004. Weather.
  2. Pollack, H. 2009. A World without Ice.
  3. Simon, S. 2006. Earthquakes.
  4. Rosi, M.; Pappale, P.; Lupi, L.; Stopato, M. 2003. Volcanoes.
  5. Peters, E.K. 2012. The Whole story of climate.
  6. Scientific American. 2007. The Whole story of climate.
  7. Scientific American. 2007. Critical perspectives on World climate.
  8. Kraynak, J.; Tetrault. W.K. 2003. The Oceans.
  9. National Geographic Society. 1981. Atlas of theWorld.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azbi Shehu, Klima dhe qëniet e gjalla

Kush mban përgjegjësi për rrugaçërinë që shohim në Parlament?

December 17, 2015 by dgreca

Nga Pirro Dollani-Las Vegas/

Një nga kontributet e vyera që kemi fituar gjatë këtyre 25 vjetëve në “demokraci” është se u mësuam me fyerjet, sharjet, ulërimat, grushtet, etj. jo vetën në rrugë, por kudo, deri atje lart në Parlament. Parlamenti është shndërruar në një arenë ku janë mbledhur gangsterë adoleshentë që duan të tregojnë forcën e tyre, jo përpara një njeriu apo grupi, por para të gjithë shqiptarëve. Si çdo grupim gangsterësh edhe këta kanë fanellat (më fal, “flamurët”) e tyre. Ca mbajnë flamurë vishnje, ca blu, të tjerë mbajnë copëra rreckash të fëlliqura, të shkëputura nga këto dy flamurë. Dhe as skuqen e as nuk zverdhen fare edhe kur e dinë se i shikon një popull i tërë. E jo vetëm ne, por mbarë bota. Por ky nuk është turpi i tyre, por KRYETURPI ynë. Po, po i Yni; i çdo shqiptari që ka votuar e voton për njerëz të tillë. Këta gangsterë adoleshentë nuk erdhën nga hëna, ne i votuam. Madje me votime me “standarte demokratike.” Vërtet?

Vetëm po të bësh një përqasje të thjeshtë ndërmjet “demokracisë” në periudhën e komunizmit, me këtë “demokracinë” e sotme njëzetepesë vjeçare, vërejmë se do të ishim të “lumtur” nëse në kohën e tanishme, procedurat për zgjedhjen e kandidatëve për deputet, të paktën, FORMALISHT, të afroheshin me procedurat “demokratike” që zbatoheshin nga diktatura. Mënyra sesi bëhet seleksioni brenda partive në zgjedhjen e kandidatëve nuk është aspak demokratike, për të mos thënë që nuk gjen as më të voglin element demokratik. P. sh. Në komunizëm kandidatët për në Kuvendin popullor zgjidheshin nga organizatat e partisë në rrethe (sado formal që ishte ky proces) dhe pastaj shpalleshin emrat e tyre për çdo zonë elektorale. Paskësaj, kandidatët bënin takime me popullin e zonës së tyre, kështuqë votuesit e kishin të qartë se për kë votonin, pavarësisht se nuk kishte asnjë rëndësi nëse votoje për Fuatin, Prengën, apo traktoristin Ibrahim, pasi roli i tyre ishte vetëm një: të ngrinin dorën sa herë u kërkohej kjo gjë. Edhe pse zgjedhjet elektorale në komunizëm ishin pa asnjë vlerë, madje ishin një farsë, pasi rezultati dihej qysh para se të fillonte procesi i votimit: 99.99%, megjithatë diktatura përpiqej që formalisht të krijonte përshtypjen se zbatohen procedurat demokratike.

Po tani në këtë periudhë demokratike, si procedohet? Ja kështu: kryetarët e partive bëjnë lista rendore sipas midesë së tyre, duke vënë në krye ata individë që do ta duartrokasin edhe kur kryetari të bëj një. . . P- të madhe! Përpilimi i listës nga një individ është shpata e Demokleut që u rri në kokë secilit. Dhe me këtë shpatë, kryetarët e partive të sotme, s’kanë nevojë të qëndrojnë në krye të partive për 40 vjet a 20 vjet, ata në çastin që zgjidhen, fitojnë një pushtet absolut! Dhe ironia është se kjo dukuri ndodh në këtë periudhë që e quajmë postkomuniste. Prandaj, askush  nuk ka më guxim të bëjë një kritikë sado të vogël, sepse kanë frikë që s’u futet më emri në listat e kandidatëve. Dhe për të mbijetuar duhet të duartrokasin kryetarët e Partive edhe kur vendosin në krye të listës idiotë, puthadorë, analfabetë, hajdutë, vrasës, trafikantë! Dhe ditën e votimit, ne si popull, (ngaqë kemi qenë gjysmë shekulli nën diktaturë, jemi mësuar ta përkulim kurrizin deri te këmbët e qelbura jo vetëm të kryetarit të partisë, por të çdo anëtari fanatik), shkojmë me atë entuziazëm bolshevik në votime dhe hedhim votën tonë: jo për një individ të caktuar, me mish e gjak, por për ca “iniciale të vdekura” që përfaqësojnë kufomat e partive që kanë vite që kanë vdekur. Në fletat e votimit nuk ka emra konkretë! Ka vetëm “frymë të vdekurish”: PS, PD, LSI, etj. Dhe ne si popull me kulturë demokratike pranojmë të votojmë. Dhe pikërisht, ky është MËKATI ynë, e njëkohësisht TURPI e KRYETURPI ynë! Prandaj kur t’i shohim në Parlament sesi zihen, rrihen, shahen, përflasin njëri-tjerin si bushtra, etj.etj. s’duhet t’u vemë asnjë faj, pasi ne, sikur të jemi të verbër, votojmë për ta! Prandaj këta gangsterë adoleshentë tallen me ne, me mbarë një popull, pasi e dinë se çdo katër vjet, ne përsëri do të shkojmë të votojmë, jo për njerëz konkretë, që i njohim, por për lista të përpiluara plotësisht nga kryetarët e partive! Ja pse ne të gjithë duhet të mbajmë turpin për rrugaçërinë e parlamentarëve tanë në Parlament e kudo!

Filed Under: Analiza Tagged With: Pirro Dollani, Rrugaceria ne Parlament

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT