• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Kosovë-Kuvendi, pushim fundviti

December 17, 2015 by dgreca

-Veseli: Kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë/
-Kuvendi emëron Bordin e e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nis pushimi i fundvitit/

-Kuvendi pas seancës së veçantë të fjalimit vjetor të Presidentes së Republikës së Kosovës, vazhdoi seancën e ndërprerë të hënën rreth mesnate në mungesë kuorumi/

-Presidentja Jahjaga: Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Dhjetor 2015/ Kuvendi i Kosovës  në sallë alternative vazhdoi seancës plenare të ndërprerë rreth mesnatës së të hënës në mungesë kuorumi dhe sot me shumicë votash, 64 pro, 4 kundër e 3 abstenime, bëri emrimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Të zgjedhurit në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë: Petrit Gashi- kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skender Komoni, Ismajl Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Gjokiç dhe Bajram Zejnullahu – anëtarë.

“Mandati i kryesuesit e zëvendësit është tre vjet, ndërsa i anëtarëve 2 vjet”, bëri të ditur  kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pasi konstatoi rezultatin e votimit.

“Aktulisht nuk kemi asnjë çështje në pritje për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit. Shkojmë në pushimin, të cilin e kemi dimëror”, u shpreh ai.

“Në të njëjtën kohë, kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë”, tha kryeparlamentari Veseli.

Pas zhvillimeve me gaz lotsjellës në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se,  “numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”.

“Pas 20 minutash do vazhdojmë seancën e mbetur plenare të 14 dhjetorit 2015”, paralajmëroi kryeparlamentari Kadri Veseli, pas fjalimit vjetor të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një seancë të veçantë, pa opozitën, në sallën plenare.

“Ky adrsim është i fundit imi para këtij Kuvendi në prag të përmbylljes së mandatit tim si Presidente e Republikës së Kosovës”, tha Jahjaga.

“Në këto pesë vite nuk ka pasur nder më të madh për mua se të jem Presidentja e Kosovës. Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se nuk ka pasur privilegj më të madh se të qëndroj në ballë të një shoqërie që, nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vet ekzistencës, asnjëherë nuk u zmbraps nga ëndrra e të bërit shtet. Që vazhdon të mbështetet fuqishëm në vlerat më të avancuara të njerëzimit. Që me krenari e lartëson partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që synon pa u dekurajuar integrimin në Bashkimin Evropian. Që edhe sot, përkundër vështirësive dhe debatit të ashpër për ta trasuar rrugën e vet, është e palëkundur në përpjekjen për ta bërë Kosovën vend të denjë për të jetuar”, përmbylli fjalën e saj Jahaja.

Presidentja e Republikës, fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës  e nisi me një përshkrim dramatik të situatës: “Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre.

Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji. U sfiduan sërish.

Në këtë Kuvend, qytetarët e Kosovës, në vend se të gëzojnë mundësinë historike të fituar me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra të jenë zot të vetvetes për ta çuar vendin e tyre përpara, u shndërruan në spektatorë të një tensionimi të skajshëm, të një tronditjeje të thellë, të një dhune të pashembullt, të një arrogance të paparë në historinë tonë të re. Në këtë moment kritik për të ardhmen e Kosovës, a kemi nevojë për një thyerje të tillë? A është e mundur që njerëzit, të cilëve qytetarët e Kosovës ua besuan të bërit shtet, ta sfidojnë mu atë shtet për të cilin dikur sfiduan çdo frikë dhe bënë çdo sakrificë?”, tha fillimisht Jahjaga në fjalën e saj.

Para se të procedohet me rendin e ditës, në vazhdimin e seancën në sallë alternative, fjalën e mori zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Taçi, i cili theksoi se, “tash e tutje, me të vërtetë,  asnjë argument Bashkimi Evropian nuk e ka për të shtyrë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Zëvendëskryeministri e ministri Jashtëm, Thaçi, foli sikur edhe dje në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ku u miratua një deklaratë e qeverisë së Republikës së Kosovës me rastin e publikimit të konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian mbi Zgjerimin.

Të hënën, në 14 dhjetor, në rrethanat e tre hedhjeve të gazit lotsjellës nga opozita gjatë ditës në sallën plenare e atë alternative dhe të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në përmbyllje të punimeve të seancës së dytë të  zhvilluar rreth mesnates, u paralajmërua se, “në mungesë të kuorumit, shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pritet të bëhet të enjten, më 17 dhjetor, pas adresimit të Presidentes Atifete Jahjaga në Kuvend”.

Në mbledhjen e qeverisë, dje, gjatë shqyrtimit të pikës lidhur me vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare për Privatizim, kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se kjo pikë duhet të riformulohet, pasi qeveria ka vendosur dhe i ka dorëzuar Kuvendit propozimin lidhur me  këtë bord.

“Nuk bëhet fjalë për propozim të ri të vendimit, por vetëm që të shtohet se ky Bord do ta ketë fuqinë e marrjes së vendimit, pas hyrjes në fuqi të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, dhe se propozimi i qeverisë bazohet në Rregulloren e punës së qeverisë së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, të hënën, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në parim në seancën e parë, ku u vendim për shmangie nga rregullorja e punës,
që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke krijuar mundësinë për shqyrtimin e miratimin tij edhe në leximin e dytë brenda ditës.

Në kohën e pushimit midis dy seancave, projektligji është shqyrtuar nga komisionet përkatëse dhe i është rekomanduar Kuvendit miratimi i tij. Me shumicën e votave të deputetëve, Kuvendi ka miratuar për herë të dytë këtë projektligj, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.

*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Fundviti ne kryeqytetin e Kosoves, Prishtine – dhjetor 2015

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, pushim fundviti

DIASPORE-Shoqata e Shkrimtareve dhe artistëve shqiptar në Suedi

December 17, 2015 by dgreca

*Periudhë e suksesshme katërvjeçare e Shoqatës së shkrimtareve dhe artistëve në Suedi/

*Anëtarët e kësaj shoqate kanë arritur që të botojnë libra të shumtë të zhanreve të ndryshëm, punime artistike, piktura si dhe revista e broshura e posaçërisht vlen të theksohet botimi i katër veprave voluminoze “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Kryetar sërish u zgjodh Hysen Ibrahimi/

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi i XI Albani” në Suedi vërtetë është bërë një thesar i çmuar, e cila me mençuri, me shkathtësi të mendjes dhe me një freski të shpirtit po di aq mirë ta lartësoj aq bukur kulturën, historinë e traditat shqiptare këtu në dhe të huaj, ky ishte vlerësim i të gjithë oratorëve në Kuvendin Zgjedhor të këtij asosacioni, që u mbajt në qytetin universitar të Lundit të këtij shteti skandinav. Sipas raportit katërvjeçar të punës dhe aktivitetit të anëtarëve të kësaj shoqate, që e paraqiti z. Hysen Ibrahimi, kryetar, doli në dritë se i gjithë ky sukses i arritur ka kulmuar edhe me botimin e katër veprave voluminoze të titulluar “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Këta libra kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të mërgimtarëve tanë që u angazhuan aq shumë për të kontribuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës. I gjithë materiali, përkatësisht shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal, i cili si i tillë është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar. Këta libra janë vlerësuar lartë nga shumë kritik, institucione, dijetar, politikanë e individë të ndryshëm.  Po ashtu, në të gjitha përurimet që u bënë në shumë qytete në Shqipëri, Kosovë e troje tjera etnike shqiptare këto vepra u priten mirë, gjë që dëshmon prania e madhe e qytetarëve në ato evenimente. Më pas, z. Hysen Ibrahimi vuri në dukje se krijuesit e kësaj shoqate janë shumë të angazhuar në botimin e librave të zhanreve të ndryshëm, punimeve artistike e piktura si dhe revista e broshura. Kështu, deri me tash ata kanë shkruar mbi 200 vepra të tilla nga gjinitë e ndryshme letrare, por kanë krijuar edhe vepra të tjera artistike që janë të përmendura në opinionin suedezë. Për realizimin e këtyre synimeve, pos dëshirës e vullnetit, kontribut të madh po japin edhe biznesmen shqiptar me ndarjen e mjeteve të konsiderueshme për botimin e librave dhe mbajtjen e sesioneve shkencore për çdo vit si dhe të organizmit të tubimeve të ndryshme me rëndësi për komunitetin shqiptar që jeton e vepron në këtë shtet të largët. Nuk ka munguar as bashkëpunimi por edhe ndihma konkrete e Ministrisë së Diasporës, që i dha kësaj shoqate, tha në vazhdim Hysen Ibrahimi. Nga kjo vister aktivitetesh përmbajtësore të zhvilluara gjatë periudhës katërvjeçare, shihet qartë se kjo shoqatë është njëra ndër më aktivet në Suedi  në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në mërgim.

Në këtë Kuvend zgjedhor të pranishmit vlerësuan lartë punën e palodhshme që ka dhënë Kryetari Hysen Ibrahimi, pastaj Fetah Bahtiri, Saranda Iseni, Sokol Demaku dhe shumë anëtarë të tjerë të devotshëm që gjithnjë kanë vepruar e punuar duke i shërbyer kombit e atdheut. Shi për këtë, kjo shoqatë ndau shumë lëvdata e falënderime për kontributin e dhënë të këtyre anëtarëve. U pranuan edhe tre anëtarë nderi në këtë shoqatë si dhe u aprovua raporti financiar.

Në fund të këtij tubimi Kuvendi zgjodhi  organet udhëheqëse të shoqatës, ndërsa Kryesia e re Kryetar sërish zgjodhi z. Hysen Ibrahimi, sekretar Fahredin Berishën, arkëtar Rrahman Rrahmani.

Filed Under: Mergata Tagged With: ne Suedi, Shoqata e shkrimtareve shqiptare, Xhavit Citaku

Veteshkaterrimi, vetevrasja e nje shteti te ri

December 17, 2015 by dgreca

“Shume gjera te keqia nuk do te kishin ndodhur kurre, sikur te mos ishin bere ne emer te nje kauze te mire.”- (Shandor Petefi (1823 – 1849) – poet dhe revolucionar hungarez)/

Nga Sadik ELSHANI/

Gjendja e trazuar, e acaruar ne Kosove eshte per cdo shqetesim dhe per cdo kritike. Kjo nuk eshte Kosova qe e kemi enderruar, kjo nuk eshte Kosova e aspiratave, perpjekjeve e lufterave tona shekullore per liri e pavaresi. Neper shekuj Kosova eshte shkaterruar, djegur e pjekur. Armiqte tane na keqtrajtuan e na vrane, na i bene njeqind te zeza, por nuk arriten te na thyejne shpirtin, te na mbysin shpresen. Edhe ne ditet me te erreta te historise sone, populli kishte shprese se do te vije edhe dita jone, do te vije liria e demokracia. Pas perpjekjeve mbinjerezore, lufterave te panderprera, erdhi edhe ajo dite – Kosova u shpall shtet i pavarur. Si shtetin me te ri te nje kontinenti te vjeter, e pagezuan “Newborn” (i porsalindur). Por ky fare “Newborni’, ky shtet foshnje, per t’u rritur i shendosh, ka nevoje per kujdesin, dashurine e te gjitheve. Veprimet e politikaneve tane te te gjitha ngjyrave dhe orientimeve politike, qeveri – opozite, me veprimet e tyre te papergjegjshme jane duke e mbytur kete te porsalindur. Veprimet e tyre te rrezikshme jane veteshkaterrimi, vetevrasja e ketij shteti te ri. Ate qe nuk arriten te na bejne te tjeret, armiqte tane, ne po ia bejme vetes sone, po ia vjedhim, po ia mbysim shpresen vendit tone, popullit tone. Nje komb vdes kur i vdes shpresa, kur i vdes e ardhmja. Kurrkush nuk ta ben ate qe ti ia ben vetes tende – thote nje fjale e urte e jona. Pavaresia e nje vendi eshte kurorezimi i te gjitha perpjekjeve per liri, por te mos harrojme se ajo eshte vetem hapi i pare ne rrugetimin e gjate e te pambarim per te ndertuar nje shtet te lire, demokratik, funkcional e te qendrueshem.

Secila pale e perfshire ne kete rreth te cmendurise i ka fajet dhe pergjegjesite e veta. Pozita eshte zgjedhur per te qeverisur, per t’i sherbyer popullit dhe jo per t’u sjellur me arrogance si sundimtare me pushtet te pakufijshem. Duhet te jete e tejdukshme (transparente) dhe t’i trajtoje te gjithe me dinjitet, perfshire edhe opoziten. Ne bashkebisedimet me Serbine duhet te jete teper e matur, teper e kujdesshme dhe te keshillohet edhe me opoziten, me ekspertet e lemive perkatese dhe kurresesi nuk duhet te nenshkruaj marreveshje qe e demtojne sovranitetin e Kosoves. Ne marredhenjet me europianet perfaqesuesit tane duken sikur vuajne nga kompleksi i ultesise (inferioritetit) dhe sillen me nje lloj servilizmi. Perkundrazi, duhet te bashkebisedojne nga nje lartesi morale, sepse ne jemi pala e vuajtur, pala qe ishte dhe eshte ne anen e drejte. ShBA-ve dhe aleateve perendimor do t’u jemi gjithmone mirenjohes per te gjitha ato qe kane bere per Kosoven, por me shume njerezi e miqesi duhet t’u themi se disa gjera jane te pepranueshme, te demshme per ne dhe duhet te jene te papranueshme edhe per ata.

BE-ja nuk ka nje qasje te drejte e serioze ndaj Kosoves dhe me veprimet e tyre te pamatura po mundohen te shkaterrojne ate per te cilen kane investuar shume gjate dy dhjetevjecareve te fundit. Vertet Europa misheron vlera te larta njerezore, por sic duket ka edhe nje segment qe cilesimi i At Gjergj Fishtes i shkon mire per shtati. Krijimi i enklavave, zonave, rezervateve te pastra ne baze te perkatesise kombetare nuk pasqyrojne dhe nuk misherojne vlerat njerezore, vlerat europiane. BE-ja qe ka per synim bashkimin e nje kontinenti ne nje shtet te vetem, perkrah dhe kerkon ndarjen e nje shteti te vogel. A ka absurd me te madh?! E perkedhelin Serbine sikur te mos kishte ndodhur asgje, sikur nuk eshte ajo Serbi qe kreu krimet me mizore ne kontinentin europian qe nga Lufta e Dyte Boterore, kreu gjenocid ndaj popujve te pafajshem. Edhe ne i kemi fajet tona. Deri kur te tjeret do te na kryejne punet qe ne duhet t’i kryejme vete?! Si do te na trajtojne te tjeret me seriozitet e respekt  kur ne nuk jemi serioz, nuk e respektojme veten tone?!

Shqetesimet, kerkesat e opozites sado qofshin te drejta, mjetet qe ata perdorin nuk kane vend ne institucionet e nje shteti demokratik. Dhuna dhe gazi lotsjelles nuk kane dhe kurre nuk duhet te kene vend ne Kuvendin e Kosoves. Sjellje te tilla nuk i kane hije nje deputeti, ose deputeteje qe perfaqeson nje pjese te popullsise ne institucionin qe duhet te jete Tempulli i Shenjte i Demokracise. Dhuna e nxit dhunen dhe gjendja del jashte kontrollit, sic eshte duke ndodhur sot ne Kosove. Pamje te tilla, tym e flake, japin nje pasqyre shume te shemtuar per te gjithe, qytetaret e Kosoves dhe miqte e perkrahesit tane, te cilet pak nga pak jane duke e humbur durimin me ne. Sjelljet e papergjegjshme te opozites jane duke e kaluar cdo kufi: Gjella me kripe, kripa me karar, thote nje fjale e urte popullore. Kundershtimin e dy marreveshjeve, ata po mundohen ta shfrytezojne si nje casus belli per t’i arritur disa qellimi te tjera, permbysjen e qeverise. “Shume gjera te keqija nuk do te kishin ndodhur kurre, sikur te mos ishin bere ne e mer te nje kauze te mire”, ka thene poeti dhe revolucionari hungarez, Shandor Petefi.  Edhe sot ne Kosove, shume gjera te keqija jane duke ndodhur ne emer te ceshtjeve te Kosoves. Sic po duket udheheqesit e disa partive politike opozitare (edhe te pozites) jane te etur, te dehur per pozite, per pushtet. Ne demokraci qeverite “rrezohen” me voten e lire dhe procedurat tjera demokratike e kushtetuese. Me sjelljet e tyre opozita po tregon se nuk eshte nje alternative e denje per te qeverisur. Bllokimi i Kuvendit te Kosoves nuk eshte fitore e askujt, por eshte vetem humbje e te gjitheve. Dy te keqija nuk bejne nje te mire. Me demagogji e retorike bombastike, nuk zgjidhen problemet, mosmarreveshjet, nuk arrihet pajtimi. Shkaterrimtaret nuk mund te behen ndertues te mire.

Kosova si shteti me i ri i kontinentit, qe ka vuajtur shume gjate tere historise se saj, tani ka nevoje per qetesi. Ajo po ballafaqohet me sfida e probleme te shumta: papunesia, varferia korrupsioni, mungesa e ligjit, e shume te tjera. Ndersa udheheqesit tane sillen si kalamaj, sillen sikur Kosova te ishte prone e tyre. Kemi shume per te bere, koha e azganise ka kaluar. Tani duhet te jete koha e urtesise, mencurise, perkushtimit per te ndertuar nje shtet funkcional me institucione demokratike. Kete cdo dite na e thone edhe ata qe na duan te miren, miqte tane. Kete e tha edhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjate qendrimit te tij ne Kosove pak dite me pare. Por sic duket disa i “perkthyen” fjalet e tija, ashtu si u pelqen atyre. Me kete gjendje te rende e kaotike jane duke u kenaqur vetem kundershtaret dhe armiqte tane te shumte.

Zgjidhja e vetme e kesaj gjendje te rende eshte bashkebisedimi i cilter, serioz e pa doreza, vullneti i mire per te ecur perpara, per t’i tejkaluar se bashku te gjitha sfidat per te miren e Kosoves. Zenkat meskine, perleshjet, lufterat, revolucionet i kane dale per hunde popullit tone. Kompromisi, mirekuptimi, bashkepunimi, respekti per njeri – tjetrin, forca e argumenteve, fakteve (jo forca e muskujve) duhet te mbizoterojne ne skenen politike e publike te Kosoves. Ata qe vertet e duan Kosoven, nuk e shkaterrojne ate, por punojne me kembengulje e perkushtim per ta ndertuar ate. Mjaft me me keto veprime te  pakuptimta, veteshkaterruese, vetevrasese per shtetin e ri te Kosoves!

Philadelphia, 16 dhjetor, 2015

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Sadik Elshani, vetevrasja e Kosoves

Mbyllet me sukses stërvitja shqiptaro-amerikane “Delfini-2015”

December 17, 2015 by dgreca

Mjeshtra amerikanë dhe specialistë shqiptarë përgatiten për përballimin e emergjencave të ndryshme detare/

Nga Shefqet Kërcelli/

Më datën 16 dhjetor në Qëndrën e Simulimeve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua faza finale e stërvitjes “Delfini-2015”. Në këtë stërvitje të drejtuar e organizuar  nga QNOD, {Qëndra Ndërinstitucionale Detare Operacionale} dhe Qendra e Simulimeve, morën pjesë specialistë të institucioneve përbërëse të kësaj qendre, Kordinatorë dhe specialistë nga Forca Detare, Policia Kufitare, Kapitenaria e Porteve, Antikontrabanda Detare, personel i Forcave Ajrore, Inspektoriati i Peshkimit, Inspektoriati i Mjedisit, Qendra Kombëtare e Emergjencave, etj. Për mëse një jave pjesmarrësit mbi bazë të skenarëve të parapregatitur për situate të ndryshme në det, provuan aftësitë vendimarrëse e organizuese të tyre në lidhje me variantet e parashikuara si dhe përdorimin efikas të mjeteve në përdorim. Shefi i trajnimeve në QNOD, zoti Petrit Baduni dhe Kordinatori i FD në këtë Qendër, Kapiten i Rangut të III-të, Urim Bulica, sqaron se, e vecantë e kësaj stërvitje ishte se u planëzuan dhe realizuan variante taktike të operacioneve të kërkim-shpëtimit SAR si dhe ato kundër trafiqeve njerzore, të cilat përkojnë dhe me situatat aktuale rajonale, nga të cilat vendi ynë nuk është i përjashtuar. Me theks të vecante u pa bashkëveprimi midis të gjithë aktorëve shtetërorë që veprojnë në det gjatë këtyre operacioneve, dhënia në kohë optimale e ndihmës për personat në rrezik, përzgjedhja e mjetit më të përshtatshëm, monitorimi i situatave komplekse të krijuara nga këto emergjenca detare, kërkim-shpëtimi në përputhje me Manualin SAR, ndërveprimi dhe bashkëpunimi i të gjitha agjencive përgjegjëse për menaxhimin e këtyre situatave, etj. Gjithashtu në stërvitjen “Delfini-2015”, vend të vecantë zunë situatat dhe operacionet për kontrollin e kufijve detarë, si ato për kalimin e paligjshëm të qenieve njerzore e refugjatëve gjatë kufirit detar, rastet kur në bordet e anijeve ka dhe persona të armatosur, por dhe rastin kur vetë anija pëson avari dhe e rëndon më tepër situatën detare. Në përputhje me situatat e dhëna nga kordinatorët e stërvitjes u përcaktuan dhe mjetet e Forcës Detare, të Policisë Kufitare, Antikontrabandës dhe Kapitanerisë, që u përdorën në cdo rast. Është stërvitja e tretë që institucionet tona detare zhvillojnë në Qendrën tonë të Simulimeve, një nga asetet më të mira të FA, që i ka dhënë frymëmarje të vecantë gjithë procesit stërvitor në ushtrinë tonë. Madje spektri i veprimeve të saj e ka zgjeruar shtrirjen deri në rajon, sic ishte stërvitja “Joint Reaction-2015”. Major Lulëzim Salihi, një nga specialistët e Qendrës së Simulimeve që në krijimin e saj, theksoi se, shohim që nga stërvitja “Pulëbardha-2014”, “Adrijon-2015” deri tek “Delfini-2015”, ka një përmirësim të procedurave dhe rritje të aftësivë profesionale të personelit të këtyre institucioneve. Sigurisht në situatat që japim në monitorë përpiqemi ti përafrohemi ngjarjeve reale në det. Gradualisht, Qendra e Simulimeve po familjarizohet me skenarë të tillë, anasjelltas dhe detarët shqiptarë ndjehen mirë gjatë ushtrimeve në kabinetet dhe sistemin dixhital të Qendrës. Stërvitjet në Qendrën tonë, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA, kanë mjaft vlera në të gjitha aspektet stërvitorë, thotë majori. Së pari shkurtohet koha e stërvitjes, ulet kostoja e saj disa herë, mënjanohet dëmtimi i mjedisit, zbatohet standartet e NATO-s për këto lloj stërvitje, gjithashtu, si Drejtuesit e operacioneve apo Komandantët e anijeve dhe sikur te bëjnë gabime në vendimarje, kanë mundësinë ti korigjojnë ato, pa shkatuar konseguenca në ecurinë e operacionit, sic mund të ndodhte në një situatë reale. Nën drejtimin e specialistëve amerikanë, ishushtarakë, {Tony Darlington e Dee Esplind}, si dhe personelit të Qendrës së Simulimeve, u arrit që të realizohen objektivat e stërvitjes, ku bazë ishte përmirësimi i aftësive individuale dhe bashkeveprimit midis institucioneve tona ligjzbatuese në det, gjatë misionit dhe detyrave të tyre parësore. Në konkluzionet e stërvitjes pjesmarrësit falenderuan personelin e Qendrës së Simulimeve dhe nxorrën disa mësime për ti korigjuar në të ardhmen si, dhënien në kohë të situatave, saktësimin e kordinatave të objekteve të ndryshme në det, futjen e shpejtësisë reale të cdo mjeti detar në Database, përmirësimin e legjislacionit e rregulloreve, të sistemeve të komunikimit, shkëmbimi i informacionit, përdorimi i helikopterevë për zbulim detar, përafrimi i punës nga ajo c’ka bëjmë tek Qendra e Simulimeve me zbatimin e detyrave funksionale në QNOD, etj. Kapiten Besnik Deda e vlerësoi këtë stërvitje si një eksperiencë të re dhe me perspektivë në përgatitjen e personelit të institucioneve detare të shtetit shqiptar. Nuk është e paktë të përgatisësh dhjetra kuadro e specialistë në përballimin e emergjencave të ndryshme detare, theksoi kapiteni. Ndërsa Drejtori i Antikontrabandës Detare, zoti Ylli Hatellari nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve detare, verifikimin e saktë të situatave e objekteve dhe planifikimin e aseteve të duhura për cdo operacion. “Delfini-2015”, mbylli siparin e 13 stërvitjeve të zhvilluara në Qendrën e Simulimeve gjatë vitit 2015. Në këtë kuptim, kjo qendër është nga më produktivet në Forca tona të Armatosura.

Filed Under: Reportazh Tagged With: “Delfini-2015”, Shefqet Kercelli, stervitja

Arrestohet ne SHBA Martin Shkreli me akuzen per rritje çmimesh të ilaçeve

December 17, 2015 by dgreca

Shkreli u arrestua me akuzen per rritje çmimesh të ilaçeve, mashtrimi i sigurimit të pacientëve.32-vjeçari i dyshuar për plaçkitje të ilaçit “Retrophin” për të paguar borxhet/
Beqir SINA New York City/

NEW YOTK CITY : Martin Shkreli, një CEO, i kosideruar si shqiptari më i urryer në SHBA,  përr rritjen e çmimit të ilaçit që kuronte Sidën – AIDS , deri çmimin stratosferik të një pilulë që mbron pacientët nga sëmundje të tilla si edhe ajo e kancerit dhe AIDS, është arrestuar, mbrëm pas mesnate në shtëpinë e tij në Nju Jork.
Simbas autoritetve amerikane dhe një raporti të policisë thuhet se Shkreli është arrestuar me  akuzen rritje çmimesh të ilaçeve, mashtrimi i sigurimit të pacientëve.
32-vjeçari shqiptar në SHBA, është i dyshuar për plaçkitje të ilaçit “Retrophin” për të paguar borxhet e tij thuhet në akuzë.
Martin Shkreli, sipërmarrësi i një kompanie farmaceutike, i bërë shumë i urryer si pasojë e skandalit të rritjes së çmimit të pilulës, e cila është simbas mjekeve për të shpëtuar jetën nga të smurët me SIDA dhe kancer me çmimin më shumë se 5.000% nga ai i tregut u arrestua për mashtrim të letrave me vlerë, sipas raporteve.
Martin Shkreli, CEO i Turing Pharma i cili bleu një lloj albumi Wu Tang-së për tëcilin tha se pagoi  2 milion dollar në fillim të këtij muaji, është marrë në paraburgim të FBI-së të enjten herët në mes të një hetimi federal lidhur me ish-kompanitë e tij.
Ndërsa të njohur për punën e tij në krye të kompanisë farmaceutike, thanë se akuza ndaj  Shkrelit për mashtrim vjen nga puna e tij të mëparshme, si njeriu kryesor në firmën Biotech dhe një fond rreth ilaçit “Retrophin”
Prokurorët pretendojnë se 32-vjeçari në mënyrë të paligjshme mori përqindjen e lartë të aksioneve nga Retrophin Inc, një kompani bioteknologjike të cilën ai themeloi në vitin 2011, njoftoi Bloomberg.
Ai pastaj dyshohet se përdori fondet Swiped për të paguar borxhet nga fondi i tij i dështuar,  në kompaninë MSMB Capital Management.
Shkreli u akuzua në fillim të këtij viti, pasi kompania Turing Farmaceutikë ngriti çmimin e Daraprim për  13 dollar amerikan për tabletë në 750 dollar. Daraprim është një medikament 62-vjeçar që lufton të gjitha sëmundjet e rrezikshme për jetën dhe mbron pacientët e kancerit dhe AIDS –
Pilula kushton rreth  1 dollar  për ta prodhuar thonë specialistët e farmacuetikës.
Më parë këtë muaj, “bro Pharma”, duke ja hedhur gjithë fajin 32 vjeçarit shqiptar dhe “hequr” nga vetja fajin, tha se ai (Martin Shkreli )dëshironte të ngritnte çmimin edhe më shumë, dhe kjo nuk ishte në planet e kompanisë.
“Unë mund të kemë ngritur atë çmim pilule më lartë se sa duhej dhe ky çmim bëri më shumë fitime për aksionerët tanë, e cila është detyra ime parësore”, tha ai.  Por, :”Askush nuk dëshiron të thotë atë, askush nuk është krenar për këtë, por kjo është një shoqëri kapitaliste, sistemi kapitalist dhe rregullat kapitaliste, dhe investitorët e mi presin  nga unë për të maksimizuar fitimet.”

Filed Under: Kronike Tagged With: Arrestohet ne SHBA, Martin Shkreli, me akuzen, per rritje çmimesh, të ilaçeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT