• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Kosova nuk e kushtëzon BE-në për dialogun

January 20, 2016 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/
Ende mbetet e pasigurt nëse brenda muajit janar do të mund të ketë raund të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe po ashtu mbetet i pasigurt edhe niveli i përfaqësimit në një takim eventual, në qoftë se ai caktohet tash e tutje, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë, ata kanë hedhur poshtë pohimet e disa medieve në Kosovë, të cilat, siç thonë ata, kanë theksuar se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk do të marrë pjesë në një takim eventual në fund të janarit në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, në rast se Kosova nuk merr përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, janë të ndërtuara mbi bazën e partneritetit dhe jo mbi bazën e kushtëzimeve.
“Çështja e liberalizimit të vizave është çështje shumë e rëndësishme, të cilës kryeministri i Republikës së Kosovës i ka kushtuar rëndësi të madhe, por edhe qeveria”.
“Ne besojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët e Kosovës tu jepet mundësia, si gjithë qytetarëve tjerë të komunitetit evropian. Megjithatë, ne nuk do të zhvillojmë marrëdhënie kushtëzimi me Bashkimin Evropian, por marrëdhënie partneriteti”, ka theksuar zëvendësministri Gecaj.
Megjithatë, zëvendësministri Gecaj, nuk ka pohuar as mohuar nëse kryeministri i Kosovës, Mustafa do të marrë pjesë në takimin e parë të sivjetshëm në Bruksel me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.
Ai ka theksuar se dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel do të vazhdojë, ndonëse nuk dihet kur, për shkak se, sipas tij, ende nuk është konfirmuar ndonjë datë e takimit të ardhshëm eventual e as niveli i përfaqësimit.
“Nuk është e konfirmuar ende se do të ndodhë takimi në fund të këtij muaji. Por, dialogu do të vazhdojë. Se kur do të ketë takime, do të shohim, megjithëse ai dialog mund të vazhdojë në nivele të ndryshme. Pra, nuk është e sigurt se do të ketë takim në fund të këtij muaji, të kryeministrave. Tash për tash nuk është i konfirmuar takimi i nivelit më të lartë”.
Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike Imer Mushkoloaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, përkujton se zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kanë kushtëzuar dialogun me Serbinë edhe më parë, por sipas tij, vetëm në mënyrë deklarative.
Sipas tij, një kushtëzim deklarativ nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ishte bërë edhe lidhur me shuarjen e strukturave jolegale serbe në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës ose zyrtarët e saj – ndonëse, mund të mos ketë dalë si qëndrim zyrtar në ndonjërën nga mbledhjet e qeverisë – kryesisht deklaratat e tilla i kanë bërë për konsum të brendshëm, por që nuk ndikojnë drejtpërdrejtë në dialogun me Serbinë”.
“Nuk është se duhet të merren seriozisht edhe nëse vinë si të tilla. Aq më pak, nuk duhet të merret seriozisht ose të konsiderohet serioze ndonjë deklaratë eventuale që mund të jetë e tipit se ne nuk do të vazhdojmë dialogun për shkak se ende nuk janë liberalizuar vizat për kosovarët”.
Analisti Mushkolaj, ka shprehur mendimin se, deri më tash, Qeveria e Kosovës është dashur që në mënyrë të vendosur të kushtëzoj vazhdimin e dialogut me Serbinë, në shumë raste, për shkak obstruksioneve të Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, sipas dinamikës së paraparë.
Në anën tjetër, sipas tij, nëse shihen me kujdes hapat që ka bërë Serbia në drejtim të integrimeve evropiane, atëherë shihet qartë se Serbia ka përfituar nga dialogu në Bruksel.(Europa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Bislimi, Kosova nuk e kushtëzon BE-në, për dialogun

E vërteta e Kongresit të Lushnjës

January 20, 2016 by dgreca

NGA IZET SHEHU*/
Në tryezën ngjyrë dhelpre të Konferencës së Parisit më 1919-tën, po luhej një nga tragjeditë më absurde mbi shpinën e kombit tonë, nga më të vjetrit, më krenarët dhe nga më bujarët në Gadishullin e Ballkanit. Fuqitë e Mëdha u treguan kasapë të pamëshirë me kufijtë e Shqipërisë në vitin 1913-të. Qeveria e Turhan Pashë Përmetit u tregua e qulltë për të mbrojtur çështjen kombëtare. Në këto rrethana, Shqipëria kërcënohej nga dhëmbët prej ujku të fqinjëve shovenë. Këtë detyrë jashtëzakonisht të vështirë dhe kyçe e mori Komisioni Organizator i Mbledhjes Kombëtare, që përbëhej nga patriotë të kulluar me emër, si: Eshref Frashëri, Sheh Ibrahim Karbunara, Ferid Bej Vokopola e Nebi Sefa. Më 1 janar 1920 komisioni i drejtoi vendit thirrje për një mbledhje kombëtare. Pse u caktua pikërisht Lushnja për këtë eveniment historik mjaft të rëndësishëm?
E para, se ishte në qendër të Shqipërisë. Pra, faktori gjeografik. Në një letër që “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më 7 janar 1920 i drejton komitetit thuhet se: “paria e Lushnjës tregoi në krahasim me vendet e tjera një kurajë civile më të madhe e prandaj duhet me i çue asaj një letër përgëzimi e mirënjohjeje”.
Pra, thamë, pozicioni kyç. Arsyeja e dytë: në këtë qytet kishte atdhetarë të vendosur.
Së treti: populli i kësaj treve ishte aktiv në Rilindjen Kombëtare. Në fillimet e shek. XIX, Abaz Bej Lushnja drejtoi “Besëlidhjen e Beratit”, apo pjesëmarrja aktive e banorëve të kësaj treve, etnikisht e pastër, shqiptare, në aktin historik të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 me përfaqësuesit e saj: Nebi Sefa, Ferid Vokopola etj.
Së katërti: Lushnja është zonë tranzitore, ku përzihen gegë e toskë.
Duke pasur këto përparësi, patriotët lushnjarë u lidhën me personalitete kombëtare nga më të spikaturit e kohës.
Dua të theksoj në këtë trajtesë se, në dhjetor të vitit 1919-të në teqenë me emër të Ibrahim Sheh Karbunarës, u bënë disa takime pune për organizimin e këtij Kuvendi Kombëtar, ku ishte i pranishëm dhe konsulli anglez M. Iden, i cili përkrahu pa rezerva këtë ide kombëtare. Komitetin Organizator e kryesoi Sheh Karbunara. Rol në këtë komsion luajti Eshref Frashëri, i cili në këtë kohë punonte në Lushnjë. Duke qenë anëtar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ai bashkëpunonte me atdhetarë me emër, si: Hoxha Kadria e Sali Nivica. Pra, siç e thashë që në fillim, kjo veprimtari me përmasa kombëtare synonte mbrojtjen e viseve shqiptare nga shovenë grekë e serbo-kroato-sllovenë.
Meqë s’kishte ndërtesë të përshtatshme, shtetërore, Komisioni caktoi shtëpinë e Fugëve, sepse plotësonte kushtet.
Në çastet kur jam duke hedhur në letër këtë trajtesë, kam ndër duar një dokument autentik arkivor për këtë Kongres, nga më themelorët e historisë sonë.
Dihet se 1913 na sakatoi pa mëshirë, na cungoi, na preu gjymtyrët. Edhe sot, jetojmë të shpërndarë në pesë shtete. Jemi unikalë për këtë fatkeqësi në mbarë planetin.
Ia bëmë vetes apo ramë në grackën e atyre që as na kanë dashur, as na duan dhe as kanë për të na dashur kurrë. Se ne i kemi tashmë të qartë miqtë dhe armiqtë tanë tradicionalë. Delfinët dhe peshkaqenët. I kemi të qartë. Po, atëherë, përse luajmë rolin e të paditurit? Përse? Përse në muzetë historike ende vegjetojnë mediokër e të molepsur? Të parët që duhen ballafaquar me dosjet e diktaturës duhet të jenë ata!
Po iu citoj disa rreshta nga procesverbali arkivor i ditës së parë të Kongresit të Lushnjës:
Çelja e I-rë e Mbledhjes Kombëtare
Lushnje, 21/01/1920
….Sot, ditë e Mërkurë 21/01/1920 ora 10 p. Drekë, tue qenë dita e caktueme për çeljen e Mbledhjes Kombëtare, me gjithë vonesën e letërthirrjeve nuk kanë arritur shumica e Delegatvet, delegatët e arrijtun u mblodhën më Sallën e Mbledhjes në shtëpi të Z. Kaso Fugës, e, pasi u bë një lutje prej të përndershmit Sheh Ibrahim Karbunarës, Zotnië Ferid Bej Vokopola, në emën të Komisjonit të Lushnjës, mbajti një ligjëratë për mirëseardhjen e Delegatvet. Shkëlqesia e Tij Z. Aqif Pasha Elbasani, ju përgjigj kësaj ligjerate me fjalë patriotike të flakta. Mbas kësajë ceremonie, komisjoni i përmendun u hoq e mbledhja filloj nga punët.
Përkohësisht u emnue si sekretar i Kuvendit Z. Ferid Vokopola. Për të këqyrun letërpërfaqësimet e Delegatve u zgjodh një komision i posaçëm prej (5) pesë vetash:
Irfan Bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotta, Fasli Frashëri dhe Adem Peqini. Mbas kësaj zgjedhje u vendos që mbledhja t’i pushojë punët për derisa të mbrrijë shumica e Delegatvet”.
Morën pjesë në këtë Kongres gjithsej 37 delegatë. Delegatët e Shkodrës dhe të Lezhës s’mundën të mirrnin pjesë. Senatorët e këtyre Prefekturave u la të zgjidhen nga vetë Prefektura.
Mbas këtij vendimi Z. Xhaferr Ypi, delegati i Durrësit propozon “që me qenë se Lushnja mori iniciativën për këtë Kongres t’i jepet për nderim e drejta me u përfaqësue veçanërisht në Senat.
Delegati i Lushnjës i përndershmi Sheh Ibrahim Karbunara, tue iu falë Mbledhjes së Kombit, thotë se Lushnja nuk e bani për shëpagim, por e quajti për detyrë. Atëherë Z. Eshref Frashëri, delegat i Korçës, propozon t’i shkruhet popullit të Lushnjës një letër falnderimi prej anës së Mbledhjes Kombtare që t’i mbetet kujtim n’arkiv të katundaris së Lushnjës.
Delegate i Mallakastrës, Z. Bektash Cakrani, propozon në kabinetin qeveritar zotrinjtë: Sulejman Delvina, Iliaz Virjoni, Amet Zagolli, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica. Z. Iliaz Virjoni për shkaqe të veçanta nuk pranoi: u propozua Z. Hoxha Kadria, i cili u pranua.
Votimi u bë çeltazi (fjalë në dokumentin origjinal). U bë betimi i delegatëve dhe i Këshillit të Naltë.
U zgjodh kabineti:
Kryeministër Z. Sulejman Bej Delvina
Zëvendës Z. Eshref Bej Frashëri
Ministër i P. Mbrendshme Z. Ahmet Bej Zagolli
Ministër i P. të Jashtme Z. Mehmet Bej Konica
Ministër i Arsimit Z. Sotir Peci
Ministër i Drejtësisë Z. Hoxha Kadria
Zëvendës Z. Hysen Bej Virjoni
Ministër Finance Z. Ndoc Çoba
Zëvendës Z. Idhomen Kosturi
Kongresi u hap më 21/1/1920 dhe mbaroi punimet më 31/1/1920.
Duke paraqitur në këtë trajtesë disa çaste të marra nga burimi arkivor, autentik, dua të hedh dritë mbi ca të vërteta. Për falsifikatorë e retushues të këtij Kongresi dhe protagonistëve të tij të shquar do të merrem në një shkrim tjetër. Koha është si deti. Herët a vonë gjërat i nxjerr në breg. Herët a vonë.(Dielli arkiv-Janar 2010)
* Izet Shehu, ish mësues i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, ish deputet i Partisë Demokratike nga viti 1992-1996,ndërroi jetë me 25 Nëntor 2012 në Tiranë. I ndjeri është autor i librave:
• “Çiltërsi lirike”, përmbledhje poetike
• “Vjeshtë njerëzore”, përmbledhje poetike
• “Ëndrra trëndafilash në borë”, përmbledhje poetike
• “Brohorima e një dimri”, përmbledhje me tregime dhe novela
• “Troku i fatit të verbër”, përmbledhje poetike
• “Mjegulla e trishtimit”, përmbledhje me tregime
• “Fatkeqja e bukur”, novelë
• “Perëndimi në zabelin plak”, përmbledhje me tregime
• “Mbi qerpikë çlodhet agu”, përmbledhje me poezi
• “Drithërime muzgu”, përmbledhje poetike.
• Vetëm një grua-roman 2007
• Trikani, tregime dhe esse-2008
• Hija e Korbit të bardhë-Publicistikë dhe esse
• Kundër frymës mohuese- Publicistikë letrare 2010
• Bari mbi rrënoja- Poezi 2012
• Antologjia 10×10

Filed Under: Histori Tagged With: E verteta e Kongresit te Lushnjes, Izet Shehu

TRAMI I TIRANËS DHE TROLEI I ATHINËS

January 20, 2016 by dgreca

Në dëshirë që të shkojë në syrin e Erion Veliat, krybashkiak i Tiranës…/
Shkruan nga Athina:Abdurrahim Ashiku/
Vite më parë, me masën e një njeriu evropian, kur Basha shpalli se do të ndërtonte “Tramin e Tiranës”, vrisja mendjen se nga do të kalojë dhe si do të kalojë trami rrugëve të Tiranës. Veçanërisht sa e sa herë përshkoja rrugën nga Kinostudioja në Kombinat, rrugë e cila flitej se do të bëhej “rrugë trami”.
Me vështrimin modest tashmë njëzetvjeçar si banorë i Athinës, mbi transportin qytetës në një qytet 8-10 herë më të madh se Tirana, me një popullsi sa dy herë Shqipëria, mendimi më bën frena e nuk bëj dot përpara.
Transporti qytetës në Athinë ka një shumëllojshmëri evropiane: me autobusë me naftë, me autobusë me gaz, me trolei, me tren elektrik, me metro e së fundi edhe me tram…
Transporti qytetës në Shqipëri bëhet vetëm me autobusë me naftë që lënë pas ngado që shkojnë një shtëllungë të zezë nafte të padjegur duke e bërë Tiranën kryeqytetin më të ndoturnë Evropë.
Në Shqipëri politikanë të radhës së parë kanë folur, kanë rrahur gjoksin para elektoratit në ditë zgjedhjesh kuvendare për “tren elektrik” deri në…Kavajë (Berisha) apo për tren elektrik deri në…aeroport (Nano). Tash (para disa ditësh) u fol për hekurudhë deri në Korçë (është folur edhe për hekurudhë deri në Kosovë), për lidhje hekurudhore me Maqedoninë, Malin e Zi, Greqinë… Dhe nuk është çudi që ndonjë ditë do të flitet për hekurudhë edhe me…Italinë.
Për të folur e për të premtuar nuk na e kalon kush në botë, jemi absolutisht të parët.
Për të bërë jemi absolutisht të fundit. E thëna me të bërën, duke qenë në skaje të drejtëzës, bashkohen.
Politikanët tanë janë shumë ëndërrues, janë siç thotë populli “vrik kungull e vrik në gardh”.
Athina ka një sistem hekurudhor që në shekullin e 19-të. Dhe e ka të gjithë në shfrytëzim, për pasagjerë e për mallra.
Diametri i Athinës (nga Kifisia në Pire) menjë gjatësi sa Tirana me Durrësin, përshkohet tash rreth një shekulli me tren elektrik. Nëntoka e Athinës në 3-4 drejtime përshkohet nga metro bashkëkohore që vazhdojnë ditë për të ditë të ecin përpara drejt bregdetit e qendrave të tjera të qytetit. Mbitoka e Athinës përshkohet në të gjitha drejtimet me autobusë dhe trolejbusë komodë, të ngrohtë në dimër e të freskët në verë.
Athina ka një urbanistikë ndërtimesh e rrugësh që lejon, në linja të veçanta nga linjat rrugore të automjeteve, rrugë të hekurta për sistemin e transportit qytetar me tram.
Tirana nuk i ka këto hapësira, nuk i ka mundësitë e transportit qytetar as me metro, as me tren elektrik, as me tram. Rrugët e Tiranës nuk mund të mbajnë shina trami e sistem elektrik ushqyes të vagonëve të tramit. Në rast se këto linja do të vendoseshin nga Kinostudio në Kombinat, ose në unazën e Tiranës ato do të shkaktonin një kaos të pandreqshëm lëvizjeje të mjeteve të tjera, të lehta apo të rënda.
Trami, në kushtet aktuale të urbanistikës dhe të rrugëve të Tiranës, nuk është gjë tjetër veçse një barrë e rëndë për taksapaguesit shqiptarë, një dështim i rëndë ekonomik.
Trenat elektrikë, metroja dhe format bashkëkohore të transportit qytetës janë gjë e mirë, por jo për brezin e sotëm por për brezin e ardhshëm kur të krijohen hapësira urbanistike.
Lëçitësi i këtyre radhëve me siguri do të thotë: “Këto i dimë…”
Kanë të drejtë, por ata nuk dinë si funksionon një linjë tashmë më se pesëdhjetëvjeçare e transportit me autobusë elektrikë në Athinë, transporti me trolei.
Trolet janë autobusë që udhëtojnë në të njëjtat rrugë me autobusët dhe mjetet e tjera të lehta e të rënda në një sërë rrugësh të Athinës nga qendra në periferi. Nuk lëvizin mbi shina siç lëvizin trenat e tramet. Lëvizin mbi rrota gome siç lëvizin autobusët. Lëvizjen e marrin nga një dyshe telash elektrikë me rrymë të vazhdueshme, rrymë si rryma e troleve në miniera, e pa rrezikshme. Telat elektrikë fiksohen në shtylla hekuri në të dy anët e rrugës dhe varen mbi rrugë, pa prishur pamjen. Trolet janë komodë, me ngrohje dimrit e me kondicionerë verës. Në rastet e ndërprerjes së rrymës nuk të lënë në rrugë por venë në lëvizje motorin me djegie të brendshme dhe bëjnë përpara. Duke përdorur rrymën elektrike trolet nuk ndotin atmosferën nga djegiet e karburantit duke e bërë qytetin dhjetëra herë më të pastër se Tirana.
Trolet mund e duhet të jenë mjetet e transportit urban në pjesën më të madhe të rrugëve të Tiranës, në rrugën nga Kinostudioja në Kombinat, në Unazë, Unazën e Re, në drejtim të Laprakës e Doganës, rrugën nga stacioni i trenit në Tiranën e Re, e të tjera.
Investimi është shumë më i pakët se sa ai me tram. Nuk do të ketë shtrirje shinash, nuk do të ketë pajisje elektrike në lartësi me kosto shumë më të lartë, nuk do të ketë kosto shumë të lartë vagonësh elektrikë…
Nuk do të ketë ndërtime rrugësh të posaçme e dëmshpërblime të larta për prishje ndërtesash dhe biznesesh private.
Kryetarin aktual të bashkisë e kam parë disa herë në Athinë e në udhëtime elektorale nëpër Greqi. Ai e nxori (me të drejtë) tramin nga rrugët e Tiranës.
Për ta nxjerrë është e lehtë, një fjalë goje shoqëruar me argumente ekonomikë. Por Tirana ka nevojë urgjente për shtim e përmirësim të transportit qytetës, ka nevojë urgjente për pastrimin e ajrit, për mushkëri të pastra qytetare.
Alternativa e përdorimit të troleve meriton të studiohet nga bashkia dhe qeveria. Jam i sigurt se do të jetë një investim me vlerë në ekologjinë e qytetit dhe në transportin e udhëtarëve.
Ky është mendimi im. Pres ta mbështesin apo kundërshtojnë si qytetarët po ashtu edhe pushtetarët.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 20 janar 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, DHE TROLEI I ATHINËS, TRAMI I TIRANËS

Këto ditë në Davos: Nuk janë ditët më të mira të ekonomisë globale

January 20, 2016 by dgreca

Këto nuk janë ditë të mira për ekonominë globale, këtë e kanë konfirmuar delegatët që në ditën e parë në Forumin Botëror të ekonomisë, i cili po mbahet në qytetin Davos të Zvicrës.
Revolucioni i katërt industrialë ishte boshti kryesor i bisedave mes ekspertëve të ekonomisë e po ashtu sulmet terroriste, kriza e refugjatëve dhe zhvillimi shumë i shpejtë i teknologjisë bëri që të mblidhen bashkë në qytetin alpin zviceran shumë nga biznesmenët më të fuqishëm botërorë, udhëheqësit politikë apo edhe aktivistë të ndryshëm. “Shumë marrëdhënie janë ndërtuar në këtë takim” dhe kryetari i firmës konsulente KPMG. Pjesëtarët mbrojtën argumentin se paqëndrueshmëria është ajo e cila kërcënon përkeqësimin e ndjeshëm të financave.Tashmë edhe ekonomia kineze nga e cila ishin pritshmëritë më të mëdha nuk ka më rritje spektakolare. Për ekonominë kineze rritja në vitin që sapo u mbyll rritja ishte 6.9 përqind krahasuar me 7.3 përqind të vitit 2014, duke shënuar kështu ritmin më të ngadaltë në çerekshekulli. Avancimi i Kinës do të ishte një shtysë e rëndësishme për ekonominë globale, ndaj dhe investitorët e shohin me shqetësim ngecjen e saj. Po ashtu, nga ana tjetër paneli i Davos konstatoi se borxhet dhe kreditë janë rritur ndjeshëm, ndërkohë që të ardhurat janë pakësuar duke nxjerrë kështu një bilanc negativ. Dilema që kishin ekspertët u vërtetua edhe me raportin e një dite më parë të “Oxfam”, i cili fliste për pabarazinë e madhe. 62 miliarderët më të pasur kanë të ardhura më të larta se sa gjysma e popullsisë globale. Po ashtu në Davos u theksua fenomeni se në vendet në zhvillim ekonomitë kanë pasur rritje të ngadalta ose në rastin më të keq nuk kanë pasur farë. Maurice Obstfeld, krye-ekonomisti i FMN-së tha se tregjet financiare janë tronditur që në fillim të vitit dhe një balancim i tyre është një proces që do të marrë kohën e tij. Në ditët në vijim panelit të madh të ekonomisë në Davos pritet t’u bashkëngjiten John Kerry, përfaqësues të Iranit dhe të Arabisë Saudite, si dhe Kryeministri izraelit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Davos, ekonomi globale

LUMNI BARBARE!

January 20, 2016 by dgreca

(Një ndarje folklorike brezash të heronjëve)/
Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin, kallnor 2016/
1.Koha rrjedh pa fill e fund dhe, ashtu si lindja e diellit, ndërrimi i stinëve, lulet a vyshkja e gjethnajës – pa pyetur për asgjë, vjetron sistemet, shoqëritë, idealet…
Çdo gjë që ndodh, ndaj, ka një qëllim. Dhe vdekja. Vdekja për liri, mbase, më t’sublimtin gjithësesi!
2.”Mjafton perandorinë të kqyrësh nga ky vend i lartë: duket si një makth ku zotëron i ligu ndër të liq…
Një vjedh kopena, tjetri edhe gra,
shandan, kungajkë e kryqin n’altar
dhe mburret që ka bërë e pa ndëshkim shpëton…
Paditësit n’gjykatë turren
e gjyqtari veç krekoset n’seli,
ndërsa furtunë e kryregritjes përhapet me furi…”!
Kështu thotë Kancelari tek “Viset e bukura” në Faustin e Gëtes. Ky fragment dëshmon për rrëzoma të rënda që kanë jetuar dhe popuj historikë. Veçse, ndryshe prej tyre, në Kosovë klientelizmi dhe nënshtrimi popullor i mbyll despotisht shtigjet “furtunës kryengritëse që përhapet me furi”!
A ishte, vallë, ky qëllimi, që të rënët në fushëluftën e mbramë të Kosovës, do ta gravonin plumbash, si një ëndërr të ndaluar, në gjokset e tyre?
Një nga fyerjet e pafundme, që u bëhet atyre dhe miqëve të armës, por të tillëve që nuk u kontrabanduan në oligarkë frymëmbytës të Republikës foshnjore, është poshtërimi i ndarjes…
Ndarja, madje, nuk shenjohet sipas brezave, por dhe brënda një kohe a emblemës së saj. Sidomos do të sythojë kjo, lodhshëm e pikëllimtë, në sistemin e ri të partive, klaneve, oxhaqeve, kooperativave, flamurëve, kartelave, mandej të nëntokës, vegëzimit mafiokratik, trafikut të përtejdhéut a kupolës që mentoron gjithëçka…Dhe në përkitje të këtij reliefi, ata përvetësohen: për mburrje mejhanesh apo për investurë ngjitjeje në nomenklaturën pushtetare…
Të pafaj gjithësesi, këta do t’jenë heronjët e motit tonë: të shkrirë në buste apo të ngujuar në kasolla vorfnore. Ndanë tyre, ndërkaq, hierarkët tinzarë, kanë një qasje ndryshmore. Të parët glorifikohen sepse nuk mund të flasin, kurse të dytët poshtërohen, sepse më keq se vdekja është humbja e statusit skamnor. Ka, mjerisht, një tjetër rrokullimë akoma më të tmerrshme e t’paderë: është unaza ftyrëverdhë e urisë.
Pastaj, nëse ndër ata që i ka mbuluar pluhuri, do të ketë patur dhe të tillë që ose nuk patën idenë e fisme të luftës për pavarsinë ose do të vriteshin pas krahëve, për ti hapur udhë atyre që ky truall do ti mallkojë si bastardhët e saj të shekullit – të dytët do të mbeteshin gjallë. Mirëpo në këmbim të jetës, duhej përfillur paktin e pashkruar: të heshtnin duke marrë më vete andej të fshehtat e komandantëve të shumtë, si laraskat pas stuhisë…
Dhe së fundmi, ndërsa të dytë bashkë bëjnë brejën e përjetshme të ndërgjegjes kombëtare – është një galeri tjetër që desh të gëzonte: edhe Lavdinë, edhe Fuqinë! Janë uzurpatorët e vlerës çlirimtare: manipulatorë, sehirbërës, spijuj, profiterë, trafikantë armësh, dhuntarë të çdo pasioni, ordinerë që kapën çastin…
3.Ç’t’iu bëhet tani atyre, kandidatëve të ardhmë të busteve? Heronjëve të shpifur të luftës dhe martirëve realë të hajnisë?..
Duke u identifikuar me kombin e historinë, ata kanë dëbuar heronjët e kohëve të ikura dhe kanë uzurpuar sheshet e vogla që presin të tjerë në një kohë të dytë.
Që këndej, nuk bëzanë kush më për heronjët e brezave pararendës. Ata mbështillen nga pelhura e heshtjes e harrimit, për t’mos u bërë hije këtyre të epokës së re. Ç’është ende më zi, do të smirohen, urrehen e dyshohen. Vetë Kryeheroi kombëtar Kastrioti kontekstualizohet fetarisht si hero i të krishterëve, ndërkohë që sakrifica e Luftës së dytë botërore, cilësohet kotnare: një vetëmohin i turbullt për kauzën e huaj sllave…
Ndërkaq, nuk besojnë të vijnë më pasrendës ftomash që s’prajnë kurrë. Zbrazti e terr do pllakosë gjithandej. Vetëm llampa e tyre do ndrijë mbi sfondin e zi e profan…
4.Por, megjithë pietetin e thellë për fllijimtarët e vërtetë që nuk jetojnë më ose vegjetojnë margjinash sociale, dhe paraardhësit e tyre kjenë përfalur me besë në pragun e atdheut. Ndonëse përpjekjet për liri të çdo populli të nëpërkëmbur, janë pjesë e vetë lirisë së Europës, heronjët e vezullisë së sotme, janë vetëm lokalë. Kundër Serbisë nuk u bashkua e gjithë bota që prirej afeksionesh të teatrit të moçëm, ndërkohë që kundër lubisë naciste kjenë rrjeshtuar të gjithë: nga Uashingtoni, nëpër Londër e Paris, e deri në Vladivostok. E, rrjedhimisht dhe kremta e tyre do të jetë e dyfishtë: nacionale dhe, poashtu, Festë e përbashkët reflektive: Ditë e Europës së lirë!

Ata do t’bënin zgjedhjen e anës strategjikisht tejpamëse e moralisht diellore: anën e përtëritjes së të korrave në fushnajën e djegur, “pëllumbave që prehen në Katedralen e Salzburgut, trëdafilave që sërish çelin në luginat e Shlezisë” dhe, natyrisht, që mes shqiptarësh të mos kishte kurrë më kufi të përgjakur…

Por ishte vetmia, fataliteti gjeopolitik (“është bukuria ime që më vrau”, këlthet Margarita në Ditën e zymtë, prapë tek Patriarku i letrave të Europës,) që mbi idealin e tyre, të binte sërish satra e Rendit të ri botërorë dhe vullneti i hemisferave të interesit duke copëtuar edhe shqiptarët edhe Europën vetë!..

E ky i riu Rend i botës, krejt ndryshe nga të kryehershmit, sikur rezultoi të ishte dhuratë historie në ndërrim mijvjeçarësh. Po më pas do të shpaloste ai sfidat e thonjëta: globalizmin, kapitalin transnacional e rrafshues, shfytyrimin e qetë të individualiteteve të vogla, pushtimin virtual të resurseve, tashmë, pa tanke, çizme a gjeneralë…

Dhe ato nuk gjejnë ndër kastat politike, qendrestari në kufijtë e arsyes a përshtatje konjukturale për interesin e kalvarosur publik. Përkundrazi. Aty prorë strehon një gatishmëri zvarritëse për bashkërrënim dhe, poaq, një snobizëm kolektiv për ti ngjasuar vetëm mimikrisht prurjeve të qytetnisë së re…Është e pagjasë, që këtej, të mos evokosh Sokratin e Apologjisë, tek thotë: “Ju, o qytetarë të Athinës ëndërroni, kurse unë shoh, dhe krejt gjërat i gjej të shëmtuara…”! Dhe ne, mijëra vjet më pas, do gjejmë shëmtinë e lëkurëtrashëve që fjala s’i gërvish e s’i shtyn dot nga e skeptri sundtar, të njëjtësuar me të drejtën atnore mbi truallin e njerëzit e tij…
A nuk është, pra, deshpëruese, si ndjente një tjetër shpirt lashtësie (Glykon), lumnia e të Keqit”?
E, maharagjët e personelit politik të Prishtinës, janë, vërtetë, barbarisht të lumtur..!

Filed Under: ESSE Tagged With: LUMNI BARBARE!, Rexhep Kasumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT