Archives for February 2016
Kosovë-Regjistrohet diaspora
-UNDP dhe MeD zbatojnë së bashku fushatën për regjistrimin e diasporës/ -Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë, procesi vazhdon edhe në vitin 2016/-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, por, numri është më i madh, meqë nuk ka përfshirë edhe një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit/
PRISHTINË, 22 Shkurt 2016-B.Jashari/ Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Ministria e Diasporës e qeverisë së Kosovës nënshkruan sot një marrëveshje për bashkëpunim në zbatimin e projektit Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin Ekonomik.
Marrëveshja, që kap vlerën prej 75,000 euro, u nënshkrua nga Alessandra Roccasalvo, Zëvëndës Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së dhe Osman Shahini, sekretar permanent në MeD. Kjo shumë do të kontribuojë në realizimin e fushatës informuese dhe sensibilizuese për promovimin Regjistrimit të Diasporës që do të zbatohet gjatë vitit 2016 nga projekti DEED.
Projekti DEED është duke u zbatuar së bashku nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Ky projekt synon ofrimin e mundësive për kosovarët që jetojnë jashtë vendit për të qenë aktivë në zhvillimet ekonomike të Kosovës duke përkrahur krijimin e vendeve të punës dhe ndërmarrësisë përmes investimeve dhe ndryshimit të shfrytëzimit të dërgesave për konsumim, thekson njoftimi dërguar nga UNDP.
Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë. Procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017, ka paralajmëruar ministria.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun ku u refuzua, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Kosova para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë së vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.
Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk!
Nga Ilir Levonja-Florida/
Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk! Kështu është…
Kujt t’ia dedikojmë këtë gjysmanllëk? Shoqërisë civile dje? Apo opozitës sot? Kujt?
Gjysmanllëk, sherr, estradë…
Tek ne çdo gjë kthehet në sherr gjysmak. Sherr gjelash dhe klithmash. Aq sa asnjëherë, asgjë nuk merret seriozisht. E për rrjedhojë, është krijuar një gjëndje e atillë, një soj jete, ku nuk ka mbetur më, këmbë burri apo robi që t’i peshojë fjala. Të gjithë vetëm se shajnë dhe bërtasin. Të gjithë duket sikur përdorim njëri-tjetrin. Ndaj dhe pamja është e atij trenit me vagonat e ndryshkur. Një soj butaku që zvarritet gjerdhishtave të avllive nëpër lagjet katrahurë në Shqipëri.
1) Shoqërisë civile … (dje) Ne na pëlqen të krahasohemi. Sheshi Taksim në Stamboll. Protestat e 2013-ës. Parku nga kodrat e liqenit. Duhet apo nuk duhen aty, një kënd lojrash për fëmijët? Indinjata ndaj atij që i besuat me 1 milion vota etj.
Në fakt e mira e do që, sikur edhe njëqind veta të kundërshtojnë…, të përfshihet në biseda shoqëria civile. Të përfshihen edhe institucionet e memories së trashëgimisë kulturore. Për të biseduar. Për të vendosur me votë të përbashkët po apo jo. Dhe kaq. Nuk ka përse gjithçka të kthehet në sherr gjelash. Apo parodi estrade me tipit të dinim djalë për së mbari.
Janë një milion vota që ju i dhatë. Një milion. Por puna është se, këto vota ju i jepni me inatin e postulatit shqiptar. Që, për inat të sime vjerre, po shkoj të fle me mullixhiun. Sa vjet në pushtet e mbajtët shoqërinë Rama dhe Veliaj. E pra …, sot nuk keni përse habiteni. Nuk keni përse kërkoni edhe ndjesë publike. Pasi kjo puna e të kërkuarit ndjesës, tek ne përkthehet edhe një dekadë më shumë pushtet.
Sheshi Taksim është një histori e madhe. Për shkak të trashëgimisë kulturore që nga otomanizmi. Mirëpo arsyeja më e parë e kundërshtisë civile turke, ishte fakti i një rezultati të hidhur nga eksperienca Erdogan. Ky ka të bëjë me prerjen e pemëve. Ai njihet tashmë si ish kryeministri shfarosës i pemëve shekullore në ndërtime rrugësh, aeroportesh apo dhe tregje tregtare të tipit Moll. Që ndryshe përkthet pazar madern si ay që ne i themi Tegu. Në këtë drejtim keni pikëpjekje. Megjithëse jo vazhdimësi. Ne Turqinë e marrim gjithmonë si referencë. Kur duam të tregojmë diçka që i ka ikur koha. Por fakti është ndryshe. Turqia dhe koha ka fluturuar vet. Kurse ne akoma.
Sado e vogël qoftë historia e pyllit, parkut në kodrat e liqenit. Eshtë mirë të ruhet siç njihet. Si pylli i lirizmit dhe i shfrenimit të dashurisë. Por me sa di unë, ajo qetësi ka mbaruar me kohë. Qysh sa tek nisi rrugën e përvujtuar e ashtuqujtura demokracia jonë. Kënde lodrash duhet të ndërtohen pranë banesave. Sot praktika aktuale përfshin kënde lojrash, kudo, më së pari në ndërtimet e reja. Por nuk përjashtohet edhe parqet e mëdha, ato të argëtimit dhe pikniqeve etj. Dhe këtu nuk asgjë të keqe.
Ndaj nga do që të kthehesh, ka vetëm një zgjidhje…, bisedim dhe vendimarrje pa sherr.
2) Opozitarizmit … PD-ës, duhet popull për protestë jo dhëndurrë. Jo statute fb. Jo djem nomeklature që akoma flasin për luftë klasash. Ata që e shpikën luftën e klasave. Duhet popull. Duhet revansh. Duhet frymë. Duhet energji. Dhe këto vinë nga gjindja. Gjindja që ka vraga, vrrata, lot. Gjindja e lodhur nga tranzicioni i përjetshëm. Nga pronësimet e shpronësimet. Nga gjindja e papunë. Nga gjindja që ecën më këmbë. Jo gjindja me Volsvagen Tuareg. Ajo që ka shtëpi këtu, shtëpi atje. Duhet gjindja që kollitet herët në mëngjes. Ajo që vuan nga mos kultura e të ushqyerit. Duhet popull… Jo kontesha plot pudër, të provuara e stërprovuara. Gra që flasin me mendësi prej burri patriarkal. Duhen nëna që japin gjak për të rritur fëmijët. Nëna që janë kthyer obeze nga papunësia në shtëpi. Nëna me halle njerëzore. Jo me halle librezash dhe sallone mode. Duhet popull. Fytyra të reja. Jo xhekata të kthyera. Duhen njerëz që dinë të qajnë. Jo domate me hormone.
Duhet gjindje nga ata që përmbytjet e vitpasvitshme, i nxorrën ugareve të Zejmenit, Çermës. Ugareve të Gjanicës dhe Vjosës.
Duhet gjindje nga ajo që ndahen dita ditës në lëndinën e lotëve shqiptare.
Duhet mërmërimë tërmeti që kërkëllon bulevardet.
Opozitarzmi kështu? Me dhëndurrë, etj. Duket si një strategji për të mbajtur në pushtet pikërisht këtë që po shajmë, pështyjmë, përdhosim njëzet e katër orë. Papushim, me prag shtëpie.
Edhe një herë…., opozitarizmi është populizëm.
Kjo qeverisje do kishte rënë me kohë nëse opozita do bëhej me popull. Por me sa duket që pikërisht këtë nuk do opozita jonë.
Gjysmanllëk babam, gjysmanllëk.
Fundi i diktatorëve!
Propaganda kundër Hashim Thaçit i ka rrënjët në Beograd
Nga Bardhyl Mahmuti/
Në të gjitha momentet vendimtare të historisë së re të Kosovës udhëheqësit e saj janë sulmuar në mënyrën më të ulët të mundshme. Janë përdorur të gjitha mjetet për të denigruar personalitetet, të cilët, në këto momentet, kishin pozita kyçe.Kështu, gjatë periudhës së luftës çlirimtare në Kosovë dhe fill pas përfundimit të saj, Shërbimi Sekret Serb përgatiti dhe të orkestroi një fushatë histerike kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Azem Sylës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Rexhep Selimit, Elmi Reçicës, Adem Grabovcit dhe bartësve tjerë të UÇK-së.
Mbi 27 mijë faqe materiale të përgatitura në formë CD-shë dhe mbi 2000 faqe në formë libri të përgatitura nga Shërbimi Sekret Serb u shpërndanë zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Boshti kryesor rreth të cilit pështillej propaganda serbe kishte me për qëllim që udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës të paraqiten herë si terroristë dhe udhëheqës të një strukture terroriste (UÇK-së), e herë si kriminel dhe udhëheqës të një strukture kriminale. Shkurt, në shkrimet e përpiluesve e Shërbimit Sekret Serb, liderët politikë dhe ushtarak të UÇK-së ishin në të njëjtën kohë terroristë dhe udhëheqës të klaneve kriminale. Sipas propagandës serbe ata “ ishin përgjegjës për vrasjen e civilëve të pafajshëm, për rrëmbimet e shumta, për burgosjet e paligjshme, për trafikimin e organeve njerëzore të civilëve serbë…ata merreshin me trafikimin e drogës, me emigracionin ilegal, me tregtinë me armë…”Sa i përket kësaj propagande, ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë ishte indikatori më i fuqishëm për dështimin e shpifjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret serb kundër udhëheqësve të UÇK-së. Por, intervenimi i NATO-s për të ndërprerë politikën e gjenocidit në Kosovë mobilizoi filozofë, publicistë, politologë, sociologë, historianë e politikanë të orientimeve politike të majta e të djathta, që kishin emërues të përbashkët «antiamerikanizmin», të mobilizohen në “mbrojtje të Evropës nga imperializmi amerikan.” «Antiamerikanizmi», si këndvështrim i tyre ideologjik, bëri që përkundër divergjencave që kishin në fusha dhe tema të caktuara, të dalin me qëndrim të përbashkët se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Elmi Reçica, Adem Grabovci dhe bartësit tjerë të UÇK-së “ janë spiuj të amerikanëve” që mundësuan ndërhyrjen e amerikanëve në “territorin e Evropës” duke krijuar kushtet për “ndërtimin në Kosovë të bazës më të madhe ushtarake amerikan në Evropë.”
Akuzat kundër udhëheqësve të UÇK-së për “terrorizëm”, “krim të organizuar” dhe si “spiun të amerikanë” shkuan duke u intensifikuar pas përfundimit të luftës. Gjatë procesit të përcaktimit të statusit politik të Kosovës akuzat e tilla arritën një shpërndarje shumë të madhe dhe arriti KULMIN pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kulmi i kësaj fushate filloi me Carla Del Ponten. Një muaj e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ish- Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla del Ponte botoi librin e saj «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës». Në këtë libër, sa i përket udhëheqësve të lartpërmendur të UÇK-së, Carla Del Ponte i përvetëson fjalë për fjalë akuzat e ngritura në «Librin e Bardhë» të Shërbimit Sekret Serb. Nga publikimi i këtij libri pasoi i ashtuquajturi “Raporti i Dick Marty-t”, që paraqet një sintezë të shpifjeve dhe sajimeve të Shërbimit Sekret Serb, “Sintezë shpifjesh” që u shndërrua në Raport të Këshillit të Evropës, për të vazhduar me Task Forcën Hetimore Speciale dhe votimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së!
Vlen të përmendet se përkundër proceseve të montuara gjyqësore kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Rrustem Mustafës dhe kundër shumë luftëtarëve të lirisë shpifjet e lartpërmendura nuk çonin peshë te opinioni publik shqiptar. Përkundrazi. Të bindur për faktin se shpifjet dhe akuzat e tilla ishin sajuar nga Shërbimi Sekret Serb, proceset gjyqësore kundër luftëtarëve të lirisë kishin efekt revoltën e madhe të popullit të Kosovës. Kjo revoltë shprehet më së miri në pritjet madhështore që ju bënë të gjithë të liruarve nga akuzat e fabrikuara nga Shërbimi Sekret Serb.
Të gjitha problemet e lartpërmendura i kam trajtuar hollësisht në pjesën e dytë të librit tim (Mashtrimi i Madh f. 397-560). Të interesuarit për vërtetësinë e pohimeve që solla në këtë shkrim të shkurtër mund t’i konsultojnë referencat që sjell në libër.
Ajo që më shtyri të reagoj duke rikujtuar shpifjet dhe akuzat që u sajuan nga Shërbimi Sekret Serb ka të bëj me një fushatë histerike që përpiqet ta paraqes Hashim Thaçin si “spiun të Francës…” E shoh të udhës të reagoj sepse këtu kemi të bëjmë me një kontekst të ri historik dhe me një periudhë të re të luftës speciale kundër luftës çlirimtare të Kosovës.
Për dallim nga periudha paraprake kur ish-udhëheqësit e UÇK-së kishin një minimum solidariteti përball padrejtësive që u kanoseshin, përkundër divergjencave që kishin në mes tyre në fusha të ndryshme, tani kemi një situatë ku divergjencat rrezikojnë të shndërrohen në armiqësi “brenda llojit”. Nuk më takon mua “të ndaj drejtësi” se kush është “më shumë” apo “më pak” fajtor për situatën e krijuar. Ajo që shihet është e tmerrshme. Shpifjet dhe akuzat e sajuara nga shërbimet antishqiptare po shpërndahen edhe nga njerëzit që vepruan për dekada të tëra në të njëjtat struktura organizative. Qëllimi im nuk është të polemizoj me asnjërin prej tyre sepse kjo histeri shpifjesh ka kaluar caqet individuale. Prandaj nuk po ua përmend emrat. Por, siç thotë një shprehje popullore «Në kofsh Bektesh e merr vesh»!
Nuk ka turp më të madh ku shpifjet e një ish-Zëvendës Drejtor Teknik të njërit nga Shërbimet Sekrete të Francës (Shërbimit të Jashtëm) të përhapen në mediet shqiptare me tituj bombastik se gjoja “ sipas ish –shefit të shërbimit francez Pierre Siramy, Hashim Thaçi është agjent i Francës!” Poshtërsia është edhe më e madhe kur të njëjtën dezinformatë e shpërndajnë njerëzit me të cilët kemi vepruar bashkë.
Sikur t’u kishte interesuar e vërteta lidhur me këto “pretendime” secili do të kishte mundur të bindej se prapa Pierre Syrami-t nuk qëndron asnjë shef i Shërbimit Francez por bëhet fjalë për pseudonimin e Maurice Dufresse, një ish Zëvendës drejtor TEKNIK, i pensionuar për “çështje shëndetësore” dhe i cili ka botuar një libër, ndaj të cilit janë ngritur disa padi për shpifje.
Sikur t’u kishte interesuar e vërteta, para se të botonin shpifje të rënda, do të ishin bindur se në librin “Dëshmia e Pierre Siramy-t, 25 vjet në shërbimet sekrete” në 793 faqe të shpërndarë falas përmes internetit (http://data.over-blog-kiwi.com/0/94/25/77/20140225/ob_8bd82e_25-ans-dans-les-services-secrets-siramy-pierre.pdf), as edhe një fjalë e vetme për Hashim Thaçin!
Kujt i shkon përshtati që në kohën kur pritet që të themelohet Gjykata Speciale të futë thika të tilla me qëllim që divergjencat e ish shokëve tanë të shndërrohen në armiqësi. Meqenëse disa ish bashkëveprimtarë më janë drejtuar publikisht nëpërmes profileve të tyre të Facebook-ut që të jap mendimin tim lidhur me “pretendimet” se gjoja “Hashim Thaçi është spiun francez” e shoh të udhës që të shprehem publikisht rreth kësaj çështjeje.
Gjatë veprimtarisë së përbashkët diplomatike me Hashim Thaçin (si përfaqësues politikë të UÇK-së, në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe në kuadër të PDK-së) Hashim Thaçi ka dëshmuar një konsekuencë të vazhdueshme në qëndrime. Në qindra takime që kemi pasur me përfaqësues të nivele të ndryshme politike dhe shtetërore ndërkombëtare Hashim Thaçi ka mbrojtur qëndrimin se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhje e vetme e mundshme që do të garantonte stabilitetin në Ballkanin Perëndimor; Në të gjitha takimet që kemi pasur pas luftës Hashim Thaçi insistonte me ngulm për lirimin e menjëhershëm të gjithë shqiptarëve që ishin marrë peng nga regjimi i Millosheviqit dhe në mesin e tyre, në çdo takim ka përmendur Albin Kurtin dhe Nahit Hasanin. Në të gjitha takimet diplomatike Hashim Thçi insistonte në domosdoshmërinë e presioneve ndërkombëtare për ndriçimin e fatit të atyre që konsideroheshin të zhdukur dhe në këtë kontekst nuk e lente pa përmendur rastin e politologut Ukshin Hotit dhe veprimtarit të njohur Xhavit Haziri…
Për mua është e qartë se prapa Pierre Siramy-së dhe të gjithë atyre që bëjnë propagandë e lartpërmendur qëndron Serbia. Të gjithë bashkëveprimtarëve u drejtohem me një këshillë: divergjencat eventuale që mund të keni mes nesh nuk duhet të na verbojnë deri në atë shkallë sa të heshtim para shpifje, për të cilën thellësisht jemi të bindur se janë të sajuara nga shërbimet sekrete antishqiptare.
Është e drejtë e secilit prej nesh të ketë mendimin e vet se çfarë presidenti i duhet vendit. Dikujt mund t’i duke e arsyeshme që Hashim Thaçi të zgjidhet në këtë funksion në përputhje me marrëveshjen PDK-LDK; dikujt mund t’i pëlqente që në vend të tij të ishte Isa Mustafa, në përputhje me marrëveshjen e përparshme të VLAN-it, e dikujt tjetër mund t’i pëlqejë një i tretë. Kjo është çështje pikëpamjesh dhe pozicionesh në garën politike. Por, të gjithë e dimë se Hashim Thaçi nuk është spiun as i Francës e as i ndonjë shteti tjetër siç e dimë se propaganda që bëhet kundër babait, gjyshit dhe stërgjyshit të Hashim Thaçit është propagandë e sajuar në Beograd pikërisht për shkak të veprimtarisë që Hashim Thaçi ka zhvilluar kundër Serbisë gjatë luftës çlirimtare, gjatë procesit të përcaktimit të statusit final të Kosovës, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës…
Propaganda e Shërbimit Sekret Serb ka vërshuar Kosovën. Nëse dikush pa vetëdije ka ra në grackë të kësaj propagande është momenti që të tërhiqet, sepse kjo fushatë histerike nuk mund ta pengojë Hashim Thaçin të bëhet president i Kosovës.
Ndërsa, ata që me vetëdije (me pagesë apo pa pagesë) shpërndajnë këtë propagandë, jam plotësisht i vetëdijshëm se do të vazhdojnë avazin e diktuar nga padronët e tyre! Atyre u them: qafën e thefshi!
- « Previous Page
- 1
- …
- 18
- 19
- 20
- 21
- 22
- …
- 91
- Next Page »