• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

Receta e Sekretarit Kerry për politikanët shqiptarë

February 15, 2016 by dgreca

Nga Zenel Çeliku/
Vizita e Kryediplomatit amerikan në Tiranë, vërtetë ishte vizitë shumë e shkurtër, por shumë e rëndësishme nga pikamja politike, sepse sot politika shqiptare eshte gati në kolaps dhe shthurje totale. Shqiptarët kishin sytë, vëmëndjen dhe besimin tek Sekretaru Kerry, cfar do ti thotë Ai politikanëve tanë? Përse takimi Nishani-Kerry u bë në një vënd të papërshtatshëm, aq shumë I shkurtër, dhe cfar shkëmbyen palët? Kush janë sugjerimet dhe këshillat e amerikanëve për Tiranën zyrtare? Cfar I sugjëroi Kerry opozitës shqiptare në takimin e shkurtër? Misioni shumë I rëndësishëm I përfaqësuesit të lartë amerikan, a gjeti mirkuptim, gadishmërinë dhe premtimin e palëve për konsensus që Reforma në Drejtësi dhe krijimi I Byros së Hetimit, të mbyllen si cështje shumë debatuese?
Në gjykimin tim, mendoj se takimi I Presidentit Nishani në shkallët e avionit me Sekretarin Kerry, ishte I sforcuar. Mendoj kështu sepse Presidenca jonë mundet të ketë kërkuar me ngulm që Presdidneti Nishani të takojë Sekretarin Kerry për pak minuta, qoftë edhe në këmbë dhe pse jo, edhe tek shkallët e avionit. Para një kërkese të tillë, mundet që pala amerikane të ketë pranuar një takim Nishani-Kerry të shkurtër ashtu si edhe ndodhi. Një gjë duhet të kemi të qartë ne shqiptarët, amerikanët ndryshojnë shumë në politikë, në mentalitet, në gjykime dhe në prakticizëm e të tjera, nga ne shqiptarët. Ndryshe Amerika nuk do të ishte shteti më I fortë në botë, ndaj edhe politika e nivelit të lartë në Shqipëri, duhet ti lexojë mirë dallimet ndërmjet zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe atyre amerikan, dhe të nxjerin mësime.
Z. Kerry nuk e kishte në axhendë takimin me Kryeparlamentarin Ilir Meta, po kjo nuk mund të konsiderohet neglizhencë. Në esencë mundet të marrim me mënd se dicka lëviz këtu, sepse nuk mund te themi se rroli I Kryeparlamentarit ështe I rënësishmë.Por amerikanët në vizita tej serioze si kjo e dy diteve më parë në Tiranë, ndërtojnë axhanda shumë serioze dhe I qëndrijnë shumë strict, ndaj nuk është korekte që të diskutohet gjatë ky moment.
Takimi I Sekretirt të shteti me Kryeministrin dhe me Ministrin e Jashtëm, me siguri ka qënë takimi më kryesor, sepse Qeveria jonë ka shumë për të bërë, ndërkohë që partneri strategjik I yni, pret që reformat për të cilat Amerika I ka finacuar, të bëhen sëbashku me opozitën, pa u zvarritur me justifikime medioker dhe pa asnjë argument, sigurisht edhe pa humbur kohë. Pa dyshim, edhe maxhoranca qeverisëse ka marë sugjërimet dhe këshillat e duhura nga Kerry, të cilat duhet ti ketë mirë në vëmëndje për ti zbatuar me korrektësi për qëverisje të pa korruptuar dhe efikase.
Takimi I Sekretarit Kerry me grupin opozitar me Bashen në krye, sigurisht ka rëndësi të madhe, sepse opozita kudo duhet dëgjuar dhe respektuar. Kreu I diplomacies ameriakne, me siguri ka dhënë këshillat e tija shumë miqësore për opozitën, por edhe ka dëgjuar cfar ankesash ka opozita. Për akerikane ka më shumë rëndësi të dinë se cfar duhet të kontribuojë opizita për reformat, cfar opozitarizmi duhet të bëjë, se sa të dëgjoja akuzat banale direkte për figrat më të tjera të qeverise, sepse amerikanët dinë gjithshka për politikanët tanë.

Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit-John Kerry në Shqipëri, tregon shumë vëmëndje për shqiptarët në përgjithësi, dhe për fatet e shqiptarëve në të ardhmen e afërt dhe afat gjatë. Vizita e Z. Kerry do të ketë mjaft efekt në thellimin e mëtejshëmm të bashkëpunimit të Qeverisë Amerikane me Shqipërinë. Kjo është arësyeja qe Kerri dhe SHBA-të duhen falenderuar pa masë sepse ata këmbëngulin dhe inkurajonjë reformat e anti-korrupsionit, dekriminalizimin, Reformën në Dretësi dhe krijimin e Byros Kombetare të Hetimit. Gjithkush që kupton politikën, e vlerësojnë këtë vizitë tepër të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi. Kjo sepse flet për kujdesin që Amerika ka për këtë rajon, për zhvillimin demokratik, zhvillimin ekonomik, integrimin euroatlantike të vëndeve respective të rajonit. Jo vetëm kaq, por qellimi I Ëashingtonit është për thellimin e miqësisë të Amerikës me këto vende. Kryediplomati amerikan jashtë cdo parashikomi dhe protokoli, takoi rastësisht një qytetarë kosovar, dhe me pak fjalë I tha :
“Nepermjet teje përshëndes qytetarët e Kosovës, dhe uroj që Kosova të vazhdojë rrugen e sajë të drejtë që ka nisur”,pra, meazhi I Kerrryt ishte shuë I qartë edhe për Kosovën. Vitës së Sekretarit Kerry në Shqipëri I jane bërë shumë jehonë në mediat ndërkombëtare, citoj ketu Associated Press, një mëdie mjaft prestigjoze amerikane e cila thekson se, Xhon Kerri është duke bërë një ndalesë të dielën në kryeqytetin shqiptar për t’i bërë thirrje qeverisë dhe partive opozitare për të mbështetur paketën, e cila tani është në pritje në parlament. Mjaft të rëndësishme e vlerësojnë edhe media si Reuters, e të tjera media të cilat I bëjnë komente shumë vleresuese vizitës se Z. Kerry në Tiranë.
Gjithkush e ka shumë të qartë se eformat do të jenë një hap i rëndësishëm që Shqipëria të hecë përpara dhe drejt anëtarësimitr në Bashkimin Evropian. Parlamenti Shqiptar I mbështetur nga eksperë të BE dhe amerikan, po japin një kontribut shumë të mirë pikërisht për të realizuar reformat e lartpërmendura të cilat konsiderohen shumë të rëndësoshme për Shqipërinë. Për këtë qëllim, Qeveria Amerikane I ka dhënë 20 MLN $ ndihma ekonomike për Shqipërinë, por këto ndihma konsitojnë edhe për të reformuar gjyqësorin dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri.
Ne shikimin e një gazetari, mundet të shprehem optimist, se politikanët tanë e kanë lexuar mirë e bukur vizitën shumë të ngjeshur të kryediplomatit amerikan. Le të shpresojmë se, edhe me sforce politike, Byroja e Hetimit do të miratohet së shpejti në Parlamnet, gjithashtu edhe reforma në Drejtësi do të fillojë në Mars, atëhere kur është parashikuar. Edhe pse politika shqiptare shpesh është e pa parshikueshme, nuk besoj se papërgjegjshmëria politike do të vazhdojme me meselen e vjeter banale të debateve shterp që dëmtojnë dhe godasin shpresën e shqiptarëve.

Tirane, 15 Shkurt 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: për politikanët shqiptarë, Receta e Sekretarit Kerry, Zenel Çeliku

Në Ditën e të dashuruarëve në Long Wood në Pennsylvania

February 15, 2016 by dgreca

Në një nga Kopshtet më spektakulare të luleve në botë, Long Wood në Pennsylvania/
Lulet janë medicina e shpirtit…/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Dita e të dashuruarve që simbolizohet në botë me Shën Valentinin e bën pak më ndryshe ta presësh ditën nga të tjerat, ngase eshte një ditë që duhet të mbushet plot me dashuri dhe mirënjohje për gjithcka që të është afruar. Dashuria është jeta dhe lëvizja e njerëzimit. Oscar Wilde do te thotë: “Keep love in your heart. A life without it is like a sunless garden when the flowers are dead”, që do të thotë: “Mbaje dashurinë në zemrën tënde. Një jetë pa atë është si kopshti pa diell ku lulet vdesin”…
Së bashku me miqtë tanë, çiftet Likollari dhe Pira, menduam t’i iknim pak larg dimrit të ngrirë, pemëve me brymë të bardhë, netëve të akullta nju jorkeze dhe të shkonim pranë luleve dorëzonjëza që dinë të sjellin atmosferë dashurore…
Në këtë ditë me aromë dashurie ne zgjodhëm të vinim në një kopsht me parfum lulesh botanike, sidomos midis mijëra llojesh të tipit Orkide që rriten nga lulishtarët plot kulturë dhe dashuri për lulet.
Ndonëse temperaturat jashtë ishin nga më të ultat pothuajse nën zero, lulet të çudisnin me komunikimin e tyre aq të ngrohtë dhe delikat…
Është tejet impresionuese gati mbetesh pa frymë kur futesh brenda godinës “Conservatory” sic do ta quanin ata, vendin ku rriten lulet në kushte krejtësisht të natyrshme dhe bio, të të shfaqen perpara petale, orkida me ngjyra marramendëse. Kopshti është 436 hektar dhe 4.2 km² mbushur me lule ekzotike dhe pemë nga më të lartat. Për mijëra vjet është përdorur nga vendasi amerikan fiset Lenni Lenape që gjuanin në pyll dhe mbillnin lule në fushë. Evidenca gjendet në pasurinë e Kopshtit Longwood Gardens.
Ndërsa duke ecur mbi kokë të vareshin si shandanë të shndritshëm vazo të mëdha lulesh që mbanin buqeta nga më të bukurat me orkide. Në hyrje të sallës të priste altari i rrethuar me kurorën plot me orkida me petale të bardha e konceptuar për ditën e Shën Valentinit, ku të dashuruarit mund të pozonin për ta pasur kujtim në jetë. Ndërsa shandanet me lulen orkide të vareshin në kokë, poshtë në dysheme me ujë të mëndafshtë pasqyroheshin petalet me ngjyrë rozë që ishin në lëvizje magjepsëse…
Ciceronja amerikane plot shkathtësi dhe mirësjellje tha se janë mijëra lloje orkidesh dhe se jane marrë nga vendet aziatike ku përmendi dhe Taivanin. Lulja e Orkides ka qenë e preferuara e aromës mbretërore në Kinë. Petalet e tyre dhe nën petalet janë si të pikturuara me dorë, ato janë lule Zoti, janë petale që kanë ndërmjet tyre petalen buzë ose labellum…
Të çudit puna për rritjen e tyre, ato duket se e kanë rrënjen me ajrin dhe e duan atë që të ketë lidhje me tavanin dhe ajrin, si dhe duan pak dhé, por më shumë sfungjer dhe dru…
Kopshti botanik Longwood është krijuar nga çifti Pierre dhe Alice Du Pont. Pierre Du Pont vinte nga një familje me tradita të pasura, dashuria për lulet, pemët, kopshtet u bë dhe më pasionante tek Pierre me profesion inxhinier. Në kompleksin e tyre botanik në vitin 1919 ata krijuan hapësira të rehatshme për miqtë e tyre ku organizonin mbrëmje, shfaqeshin teatro dhe luhej muzikë pianoje, i cili luante vetë.
Në këtë kopsht mungonte lulja e orkides e cila në Amerikë nuk rritej, prandaj duhej tregëtimi i saj për ta sjellë nga vendet aziatike. Ato ishin tejet të kushtueshme dhe duheshin njerëz të specializuar në rritjen e tyre.
Lulja e orkides Cattleya me petale të bardha u soll për herë të parë, më 1920.
Mjaft lule të orkides u rritën në vitin 1924 nga Louis Jacoby ku dhe sot ruhen në muze, shënime të tij rreth zhvillimit të tyre.
Sot mbledhja e orkideve në kopshtin “Longwood” përmban mbi 6000 bimë. Lulëzimi i Orkideve nuk pushon në cdo stinë të vitit. Shumë studentë, praktikantë nëpërmjet ekranit televiziv mësojnë nga përvoja e jashtëzakonshme e profesorit të luleve Louis Jacoby. Ajo është një punë gati një shekull rreth 95 vjet.
Çdo vizitor që shkon atje intrigohet nga bukuria e mahnitshme, delikate, aromatizuese, ndjellëse dhe sheh nga afër “Orchid Extravanza”!

Longwood Garden një nga kopshtet më të famshme botërore me lule

Misioni i Longwood Gardens është trashëgimia e gjallë e Pierre S.du Pont, që frymëzon njerëzit nëpërmjet dizajneve te përsosmërisë, kopshtarisë, arsimit, si dhe artit”.
Aty ka programe për arsimin dhe zhvillimin e kulturës së mëtejshme.
Kopshti “Longwood” u ideua nga Pierre Du Pont i cili ka lindur në vitin 1870 në Delware Pennsylvania. Du Pont ishte një figurë shume e rëndësishme në suksesin e kompanise “General Motors”. Kur ai doli në pension kompania “Gjeneral Motors” ishte më e madhja në botë. Ai ishte i magjepsur nga bukuritë natyrore kjo falë kulturës së familjes që kishte përvojë dhe dashuri të pakrahasueshme me kopshtarinë. Longwood e para “Conservatory” ishte ndërtuar në vitin 1914.
Me ndërtimin dhe përdorimin e dizajneve nga më artistiket ai krijoi mjedise teatrale me lule shumëngjyrëshe të cilat dukeshin sikur vallëzonin nën tingujt e muzikës elegante. Në vitin 1923 ai ndërtoi një dhomë muzike elegante me veshje me derrasë arre, ndërsa muret i lyeu me ngjyrë trëndafili ku tavani kishte lidhje të hapur me boshtin qendror të serrës kryesore.
Publiku vinte në grupe grupe të mëdha për të parë mrekullinë e Du Pont, ndërkohe aty ishte krijuar pistë vallëzimi ku petalet e luleve dhe njerezit ishin në harmoni perfekte.
Gjithmonë kopshti ka qenë në ndryshime të vazhdueshme, në ndërtime me kopshte të reja si Silver Xhennet, kopshti tropical Cascade, kopshti me harlisje mesdhetare si dhe kopshti për fëmijë. Në 20 vjet u vunë 2 milionë llamba të vogla që duken sikur ka zbritur qielli plot me yje mbi kopësht.
Gjatë Krishtlindjeve aty vezullon cdo gjë, dritat e shumëngjyrta, vizitorët e shumtë, zjarret e oxhaqeve, fëshfërima e ujit i japin dhe më magji kopshtit.
Tingujt e Grand Piano, një piano prodhuar nga kompania Steinway dhe Sons në Queens, dhe blerë nga Pierre Du Pont New York e bënin dhe më të gëzueshme pranimin e vizitorëve të luleve. Pianoja ka muzikën dhe qualitetin më të lartë të zërit.
Vetë hartuesi dhe ndërtuesi i kopshtit të luleve ka luajtur gjatë në piano i cili është shoqëruar nga kori recital.
Në vitin 2009 aty kanë ardhur pianistë të talentuar nga Instituti “Curtis” i muzikës të njohur botërisht Jazz pianist McCoy Tyner, Van Clibum pianist ndërkombëtar, Haochen Zhang fituesi i medaljes së artë, dhe pianisti rus Olga Kern.
Du Pont bleu piano dhe organo nëpërmjet një komisioni të posaçëm. Koleksioni i tij ka 10,010 që përfshihen gjithë tingujt në një orkestër duke përfshire dhe Piano Astor, një nga pianot më të vjetra në Amerikë.
Pierre Du Pont ndërtoi dhe kullën Chimes bazuar dhe frymëzuar nga një strukture kulle që kishte parë në France. Kulla ka pësuar konstruksione të herëpashershme derisa në vitin 2001 është ndërtuar një Carillon me 62 zile. Dy ekrane vidio janë siguruar jashtë kullës dhe shfaqin 8 minuta historinë e kullës dhe këmbanat tregojnë se si zilka Longwood ka luajtur meloditë. Koncertet zyrtare inaguruese bëhen në ditët përkujtimore, por aty zhvillohen koncerte në verë dhe në vjeshtë ku unaza Carillon bie mekanikisht çdo 15 minuta nga ora 9 paradite deri 6 mbasdite.
Megjithatë ferma e blerë nga Pierre Du Pont në vitin 1906 gjithmonë evolon në përshtatje me kohën. Buxheti i saj vjetor është 50 milion dollarë dhe ka një staf prej 1300 punëtorë, studentë dhe vullnetarë.
Longwood Garden është një nga vendet më të vizituara me kopshte spektakolare, me orkide, zambak uji, me ujëvara dhe burime të argjendta, me lule dhe petale aromatizuese, për ne ishte një shetitje gati qiellore.
Kur ecje midis luleve, buzëqeshje me petalet, shihje burbuqet e tyre, medoemos ndiheshe sikur ishje në një qetësi olimpike…
Duke parë “Orchid Extravanza” mendon se sa prindër, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, poetë, shenjtorë janë frymezuar prej luleve, ndër tok ka qenë dhe bamirësja e madhe e njerëzimit shqiptarja me emër, syth luleje, Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza e cila thotë: “Ne kemi nevojë të gjejmë Zotin, atë nuk mund ta gjesh në zhurma dhe nervozizëm. Zoti është miku i qetësisë. Shikoni natyrën, pemët, lulet, barin si rriten në qetësi, shikoni yjet, Hënën dhe Diellin, si lëvizin në qetësi… Ne kemi nevojë për qetësi të jemi të aftë të prekim shpirtin”.
Shumë mbresa të vecanta më la dhe pllaka e mirënjohjes vendosur në një pjesë të dukshme në mur me një vazo të madhe me lule orkide përpara, dhuruar ciftit Du Ponte nga gjithëqytetarët “Longwood” me guvernatorin e tyre.
Në këtë vizitë si në parajsë ne prekëm bukurinë hyjnore, ndjemë aromën e luleve, ecëm qetësisht pranë tyre, pamë punën e jashtëzakonshem të çiftit Ponte dhe njëkohësisht se si ruhet me aq fanatizem trashëgimia që ata i lanë njerëzimit. “Longwood Garden” është një pasuri e pallogaritshme jo me pallate, gradaçiela, avione, bomba dhe tanke lufte, por është një pasuri me lule që të magjeps bukuria e tyre, është “Orchid Extravaganza”, është medicina e shpirtit të dashuruar me lulet.

14 Shkurt, 2016
Staten Island, New York

Filed Under: Reportazh Tagged With: e të dashuruarëve, Keze Zylo, Ne diten, në Long Wood, në Pennsylvania

KONICA DHE KONGRESI I MANASTIRIT

February 15, 2016 by dgreca

Nga Naum Prifti/
-Ripublikohet me rastin e Vitit të Konicës(2016),shpallë nga Federata Panshqiptare e Amerikës/
Kongresi i Manastirit krijoi alfabetin e gjuhës sonë me kritere shkencore në harmoni me tingujt e shqipes. Deri atëherë, si rrjedhojë e mungesës së një shteti të organizuar dhe të institucioneve shkollore, qarkullonin një mori alfabetesh. Buzuku, Budi e Bogdani, shkrimtarët tanë të hershëm, i shkruan librat e para shqipe me alfabetin e latinishtes, por me kombinime ose shenja diakritike që t’i afroheshin gjuhës së folur. Sot ata mund të lexohen vetëm me ndihmën e transkriptimeve, apo transliterimeve. Formula e Pagëzimit e Pal Engjëllit, dokumenti më i vjetër i gjuhës shqipe, i zbuluar deri më sot, gjindet i shkruar me shkronja latine.
Historiku i alfabeteve është i pasur dhe i larmishëm. Më shpesh u përdorën germa latine, e cila qe gjuha e kulturës dhe e akteve administrative për një kohë relativisht të gjatë, por krahas tyre u përdorën edhe shkronjat greke, madje dhe arabe. Bejtexhinjtë i shkruan veprat e tyre me shkronja arabe, duke hasur vështirësi të ndryshme, mbasi alfabeti arab shkruan vetëm bashkëtingëlloret. Mirëpo asnjë nga alfabetet e gjuhëve të tjera nuk u përshtatej plotësisht fonemave shqipe, çka i shtyri dijetarët e shkrimtarët tanë të nisnin përpjekjet për të hartuar alfabete origjinalë. Më i hershmi deri tani njihet alfabeti i Theodhor Haxhifilipit, përndryshe i Dhaskal Todrit. Në fund të shek. XVIII ai krijoi një alfabet për nevojat e përthimeve të ungjijve dhe për korrespodencën personale. Nuk qe fort i përdorshëm për shkak të njësive të shumta grafike, por gjithsesi qe krejt origjinal. Naum Panajot Haxhi Bredhi nga Vithkuqi, ose Naum Veqilharxhi, hartoi abetaren e parë, (1835) dhe krahas saj edhe alfabetin përkatës me 33 shkronja. Më pas e vazhdojnë tragën arbëreshët Gjergj Guxeta, Kamarda, Zef Serembja e De Rada. Ata problemin e tingujve shqip e zgjidhnin me kombinime dyshkronjëshe të alfabetit italian. Vaso Pasha, guvernatori i Libanit, veç poemit patetik të njohur “Shqypnisë,” hartoi edhe një alphabet për t’iu përgjegjur nevoja kulturore. Vetëm 8 germa janë ndryshe nga alfabeti që kemi sot. Revista “Besa” e Kairos, (1904) përdori një alphabet, të afërt me alfabetin e tanishëm, ku ndryshojnë vetëm tre shkronja. Konica që botoi revistën “Albania” 1897, Bruksel përdori alfabetin latin, me disa ndryshime për tingujt e shqipes. Revista “Albania” lexohet edhe sot pa vështirësi nga çdo njeri që di shqip.
Fundi i shek. XIX shënon zhvillimin e vrullshëm të alfabeteve. Në atë kohë qarkullonin disa alfabete, sikurse i Stambollit, që nga 1879, i Jezuitëve, i Shoqërisë Bashkimi dhe i Agimit, po në Shkodër. Përpjekje e projekte për një alfabet të veçantë që të shprehte saktësisht tingujt e gjuhës sonë, bëjnë edhe arbëreshët, arvanitasit, edhe shqiptarët e Zarës.
Germat ose simbolet grafike u përdorën së pari nga fenikasit, sipas parimit një shenjë – një tingull. Kjo gjetje ishte më e lehtë dhe më e praktike se shkrimi piktografik, ose kuneiform, prandaj u përhap shpejt dhe pushtoi Lindjen e afërt dhe Evropën. Sot, pak vende në botë vazhdojnë të përdorin hieroglifet për arsye tradite apo për krenari kombëtare. Shenjat grafike janë mjet, marrëveshje midis njerëzve për të lehtësuar komunikimin midis tyre, simbole që në vetvete nuk kanë asnjë kuptim.
Kongresi i Manastirit qe finalja e një rruge të gjatë e të spërdredhur për miratimin e një alfabeti modern. Njëjësimi i alfabeteve qe bërë nevojë e ditës për hir të zhvillimit të kulturës dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Nisma erdhi nga gazeta “Kombi” e Manastirit dhe komisioni i ngritur për këtë qëllim u dërgoi ftesa gjithë personaliteteve që mendonte se ishin në gjendje të jepnin ndihmesë për çështjen në fjalë, kjo sigurisht ndikoi që Manastirit t’i takonte nderi të priste përfaqësuesit nga krahina të largëta dhe nga kolonitë shqiptare. Autoritetet zyrtare më të larta të vendit, sikurse Valiu dhe Kajmekami, për fat të mirë ishin shqiptarë dhe ata morën pjesë në punimet, u takuan me delegatët e dhanë pritje për ta.
Shpallja e Kushtetutës, (Hyrietit) nga Turqit e Rinj në korrik të atij viti, i ndihmoi shqiptarët të sanksiononin të drejtat e tyre legjitime. Xhonturqit kishin nevojë për përkrahjen e shqiptarëve, prandaj në muajt e parë u treguan tolerues.
Punimet e Kongresit filluan më 1 nëntor dhe vazhduan deri në 9 nëntor me kalendarin e vjetër gregorian, të njohur si alla-turka, pra nga 14 deri më 22 nëntor. Qenë tetë ditë të gjata të ngjeshura me mbledhje e diskutime e po ashtu edhe tetë ditë feste për ngjarjen e madhe.
Para delegatëve shtrohej detyra të shqyrtonin tre alfabetet kryesore dhe prej tyre të hartohej alfabeti i ri. Rrugët qenë tre, pohon Gjerasim Qiriazi, nënkryetar i kongresit.
1) Nëse duhet të përshtatnin njërin nga tre alfabetet kryesore: të “Stambollit,” të “Bashkimit” dhe të “Agimit.”
2) Nëse duhet t’i kombinojnë të trija në një.
3) Nëse duhet t’i lenë mënjanë të trija dhe të adoptojnë një tjetër krejt të ri.
Diskutimet vazhduan gjatë për disa shkronja, me argumente pro e kundër. Së fundi u pa se qe e pamundur të shkriheshin në një dhe atëherë u vendos të mbahej alfabeti i Stambollit me disa ndryshime dhe krahas tij të përdorej një tjetër me shkronja latine, si më praktik për shtypjen e librave dhe transmetimin e telegrameve me kodin Mors. Kjo zgjidhje kompromisi qe e domosdoshme që Kongresi të mos dështonte. U vendos të mbahej një kongres tjetër në Janinë pas dy vitesh për gjuhën e letërsinë e ndërkohë të shihej ecuria e alfabeteve të miratuar. Për shkak të Luftës Ballkanike kongresi i paracaktuar në Janinë nuk u mbajt, po ndërkohë alfabeti latin u konfirmua gjerësisht, ndërsa ai Stambollit u la mënjanë, u harrua.
Kushdo mund të pyesë: Si ngjau që Faik Konica, një nga dijetarët më të përgatitur në fushën e gjuhës dhe letërsisë, nuk pranoi të vinte në Kongres, madje e sulmoi ashpër, duke i cilësuar delegatët “Xhon Turqit e Manastirit”? Letra e datës 10 nëntor 1908, e rizbuluar tani së fundi në Arkivin e Shtetit dëshmon qëndrimin e tij. Faik Konica shpreh rezerva të forta për rezultatet e Kongresit dhe parashikoi se alfabeti nuk do të jetonte gjatë, çka nuk u vërtetua. Besohet se ai u zemërua që ftesën ia dërguan vetëm ditët e fundit, sa për të larë gojën. Pandehmat janë se komiteti nismëtar e mënjanoi Konicën, për arsye të acarimeve midis tij dhe Mitat Frashërit, president i Kongresit. Nga letra e Konicës del se qënka zemëruar me të edhe Gjergj Qiriazi, “për arsye të Antologjisë që botoi Konica dhe ca me tepër se mori anën e priftit shqiptar.” Nuk dihet për cilin prift e ka fjalën Konica, po ndofta për Fan Nolin. Më tutje shpërthen. “Pas kokës së Qiriazit duhet të bëhemi të gjithë agjentë të Biblës.” Qirjazët s’i kanë kërkuar kurrë askujt të kthehej protestant, ndërsa nderimi që shfaqnin ndaj Shoqërisë Biblike, buronte nga mirënjohja që ajo shoqëri siguroi lejën nga qeveria Turke për hapjen e Mësonjtores së parë në Korçë. Te letra tjetër e datës më 11.XII.1908 dërguar po atij personi, ka të ngjarë Lef Nosit, Konica shkruan: “Shoh se Xhon Turqit e Manastirit muarnë, përveç abesë, (abecesë) së Stambollit, edhe atë që përdora unë, me nja dy ndryshime në mot të ri të Albanies, nga e keqja. Është e tepërt të ju thom që pas mendjes sime, një abe e tillë nuk mund të jetë përveç se e kohëshme. Por duke pritur, mund të punojmë me këtë abe për të qeshur.” Ironia e tij si gjithmonë është e mprehtë, por kësaj here e pa saktë, sepse alfabeti latin, të cilin ai e ndërmend me fjalët “atë që përdora unë” i qëndroi kohës dhe përfundimisht u bë alfabeti i gjuhës sonë.
Supozohet se Konica u prek në sedër, u fye që nuk e përfillën, që komiteti nismëtar i Manastirit ia dërgoi ftesën shumë vonë, sa për të larë gojën, vetëm disa ditë para kongresit. Ka të ngjarë që komiteti hezitoi ta ftonte Konicën nga druajtja se ai do të kërkonte t’u impononte alfabetin e përdorur prej tij. Ka një fakt që flet në të mirë të këtij pohimi: alfabeti i Konicës nuk u përmend në punimet e Kongresit, sikur të mos ekzistonte fare.
Komisioni nuk e kopjoi në mënyrë mekanike alfabetin e Stambollit, po kreu disa thjeshtësime dhe pasurime përpara se t’ia paraqiste mbledhjes plenare të Kongresit. Luigj Gurakuqi qe ai që shpalosi para delegatëve germat e të dy alfabeteve te dërrasa e zezë që u vendos në krye të sallës.
Pranimi i dy alfabeteve, sado që qe një zgjidhje komprosi, u bë që Kongresi të mos dështonte, prandaj dhe nuk ngjalli reagime. Ndërkohë nuk mungonin as shembujt pararendës. Gjermanët, për shembull, prej kohësh përdorin dy alfabete, njërin latin e tjetrin Gothik dhe askujt s’i shkon mendja të ankohet.
At Gjergj Fishta dhe Dom Ndre Mjeda, të dy shërbyes fetarë dhe dijetarë të shquar, mbajtën qëndrime të kundërta përsa i përket alfabetit. Shkaku qe se ata u përkisnin dy klubeve të ndryshme, At Gjergj Fishta qe i “Bashkimit,” ndërsa Dom Ndre Mjeda i shoqërisë “Agimi.”
Prof. Shaban Demiri, autoritet në fushën gjuhësore shkruan se Kongresi i Manastirit vlerësohet me të drejtë si ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit tonë, sepse forcoi e çoi edhe më tej lëvizjen kombëtare. “Fryma e mirëkuptimit që karakterizoi delegatët e Kongresit pa dallim krahine dhe feje, dëshmon qartë se shqiptarët dinë t’i kapërcejnë dasitë dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët, kur ngrihen mbi pikëpamjet e ngushta vetjake. E ky është mesazhi më kuptimplotë që na ka përcjellë Kongresi i Manastirit.”

New York, 13 nëntor 2008

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE KONGRESI I MANASTIRIT, Konica, Naum Prifti

MESAZHI I JOHN KERRY-T NË TIRANË

February 15, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/*
Të Djelën që kaloi, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry vizitoi Tiranën, vizitë e cila u tha se i shërbeu thellimit të mëtejshëm të marrëdhënjeve të ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve. U theksua gjithashtu se vizita e kryediplomatit amerikan në Shqipëri, u bë në kuadër të fillimit të festimeve me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Shqipërisë Marsin e vitit 1991, pothuaj 50-vjetë pas prishjes së atyre marrëdhënjeve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Megjithëse vizita e Shefit të diplomacisë amerikane në kryeqytetin shqiptar ishte një vizitë e shkurtër por e rëndësishme për nga përmbajtja dhe mesazhet,qëndrimi i tij atje u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, ashtu siç e kanë zakon shqiptarët të presin mikun, e sidomos një përfaqsues të lartë të një vendi mik, që historikisht ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm për fatin historik të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
John Kerry u takua me udhëheqsit më të lartë të qeverisë shqiptare, në krye me Kryeminisitrin Edi Rama dhe me përfaqësues të opozitës politike, të udhëhequr nga Lulzim Basha.Kryeministri Rama u shpreh se, “Me Shtetet e Bashkuara nuk na ndanë asgjë dhe na bashkon gjithçka”, ndërsa Presidenti Bujar Nishani, i cili kishte dalur për ta pritur zyrtarin e lartë amerikan në aeroportin “Nënë Tereza”,theksoi, “mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer”, të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë. Gjatë bisedimeve, Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi marrëdhënjet e ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve ç’prej rivendosjes së tyre, 25 vjetë më parë. Kryediplomati amerikan nënvijoi veçanërisht bashkpunimin e ngushtë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në përballimin e sfidave të përbashkëta me të cilat përballet sot bota, veçanërisht sfidat në fushën e diplomacisë ndërkombëtare,të sigurisë, të politikës ushtarake dhe në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.
Një aspekt tjetër me rëndësi dhe tepër pozitiv nga vizita e John Kerry-t në Tiranë, ishte edhe takimi i tij me përfaqsues të shoqërisë civile, një grup të rinjsh e të rejash të cilët kanë studiuar në Shtetet e Bashkuara. Shpresoj që këta t’i kenë paraqitur Sekretarit Amerikan të Shtetit një pasqyrë ndryshe nga paraqitjet zyrtare për situatën aktuale në Shqipëri dhe rekomandimet e tyre për përmirësimin e veprimtarisë së tyre dhe për rolin që duhet të luaj shoqëria civile në Shqipëri. Ishte ky një takim simbolik, por tepër i rëndësishëm për të venë në dukje mbështetjen e fortë të diplomacisë amerikane për rolin që duhet të luajë shoqëria civile në një vend siç është Shqipëria.
Media të ndryshme shqiptare trumpetuan lajmin se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Sekretari Amerikan i Shtetit kishte mbështetur reformat në Shqipëri. Pse mos të mbështeste John Kerry reformat. Kjo ka qenë politikë e Amerikës ç’prej fillimit, qoftë nga administratat demokrate, qoftë nga ato republikane. Është kjo një politikë që nuk ka ndryshuar nga administrata në administratë, gjatë çerek shekullit të kaluar. Mbështetja e Amerikës për reformat të vërteta dhe për zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe për shqiptarët në përgjithësi, është përsëritur aq shpesh, pothuaj me çdo rast që takoheshin përfaqsues të lartë të dy vendeve. Kështu kanë bërë gjithnjë zyrtarë të ndryshëm amerikanë gjatë këtyre 25-viteve të kaluara, qoftë në Tiranë, qoftë gjatë vizitave të zyrtarëve të lartë shqiptarë në Washington. John Kerry nuk mund të fliste ndryshe në Tiranë as pas një çerek shekulli marrëdhënjesh midis dy vendeve, veçse të përkrahte përpjekjet e Shqipërisë për reforma serioze, sidomos në fushën e drejtësisë, duke thënë se vendi është në rrugë të drejtë. Nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin edhe më fuqishëm reformat e miratuara me ligj dhe reformat e zbatuara në fakt — nga mbarë politika dhe drejtësia shqiptare. Por dita më e mirë në marrëdhëniet amerikano-shqiptare do të jetë atëherë kur — në takimet zyrtare të përfaqsuesëve shqiptarë dhe amerikanë — të mos flitet më për reforma, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, për zbatimin e ligjit dhe për transparencë në sistemin ligjor dhe në zbatimin e drejtësisë në Shqipëri. Shpresohet që premtimet e dhëna nga Tirana zyrtare gjatë kësaj vizite për nismën e reformave në drejtësi, të mos jenë vetëm, “fjalë të mira e gurët në strajcë”. Historikisht, sidomos para të huajve, politikanët shqiptarë janë shprehur me fjalë të bukura sikur të ishin ndjekës të Xhefersonit, por me vepra janë treguar zhgënjyes. Premtimi për reforma pa një ligj dhe angazhim serioz për zbatimin e ligjit të reformave themelore, në të gjitha nivelet, nuk ka kurrfarë rëndësie.
John Kerry u premtoi zyrtarëve shqiptarë dhe nepërmjet tyre edhe popullit shqiptar se Shtetet e Bashkuara mbështesin reformat në drejtësi dhe siguroi bashkbiseduesit se, “Shtetet e Bashkuara janë absolutisht të gatëshme dhe të vullnetshme për të premtuar edhe në emër të Presidentit Obama, se ne jemi me ju në këtë transformim dhe në këtë rrugë.” Por mesazhi kryesor besoj unë i Kryediplomatit amerikan gjatë qëndrimit të tij në Tiranë ishte se, ndonëse Shqipëria ka mbështetjen e patundur të Amerikës në këtë projekt-transformim të reformave në sistemin e drejtësisë, “Në fund të fundit, janë vet shqiptarët ata të cilët duhet të miratojnë ligjet – ligjet e duhura – dhe njëherazi të ngulin këmbë dhe të jenë serioz për zbatimin e tyre”, tha John Kerry. Kjo, shtoi ai, “Është e vetmja rrugë e cila garanton se do ta çojë Shqipërinë në të ardhmen, drejtë partneritetit të plotë me Europën dhe me botën, por edhe drejtë begatisë dhe mundësive më të mira për mbarë popullin shqiptar.”
Amerikanët janë zakonisht optimistë dhe theksojnë pozitiven, natyrisht pa harruar sfidat me të cilat përballet Shqipëria. Në këtë frymë, John Kerry me të drejtë nënvijoi arritjet e Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve ç’prej nënshkrimit të rivendosjes së marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane. Megjithë vështirsitë me të cilat është përballur vendi, janë të dukshme sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe, ç’prej Marsit të vitit 1991 kur për herë të parë në 50-vjetë, në tokën shqiptare shkeli delegacioni i parë amerikan në Tiranë, pjesë e të cilit kisha nderin dhe privilegjin që të isha edhe unë. Ndryshimet që janë shënuar në atë vend në kragasim me Shqipërinë e vitit 1991 janë si dita me natë. Si një prej sukseseve të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, është përmendur vazhdimisht antarësimi i Shqipërisë në NATO, ashtu siç e përmendi edhe John Kerry. Pa dyshim një arritje historike për kombin shqiptar në fushën ndërkombëtare, sidomos në fushën ushtarake, një arritje kjo që nuk do të kishte ndodhë pa mbështetjen e fortë të Shteteteve të Bashkuara. Por progresi i Shqipërisë në rrugën drejtë Europës nevojitë më shumë se kaq. Krahasimi nuk duhet dhe nuk mund të bëhet me periudhën para 91-isht, siç krahasonte regjimi i Enver Hoxhës, “arritjet e mëdha” të komunizmit me kohën e Zogut. Pyetja duhet të jetë ku është Shqipëria dhe ku duhej të ishte Shqipëria sot në fillim të shekullit 21. Moskomunikimi i mirëfilltë dhe mungesa e respektit për njëri tjetrin, në radhët e politikanëve shqiptarë, kanë qenë dhe janë pengesat kryesore për konsolidimin dhe funksionimin e shtetit demokratik.

Duke pranuar se as shoqëria dhe demokracia amerikane si sistem qeverisës nuk janë të përfeksionuara dhe se madje edhe Amerika i ka sfidat e veta, është e rëndësishme, u tha krye-diplomati amerikan shqiptarëve, që të diskutojnë haptas me njëri tjetrin mbi problemet e vendit dhe të veprojnë së bashku për të zgjidhur çështjet dhe shqetësimet me të cilat përballet populli. Fatkeqsisht kjo nuk është hera e parë që Tirana zyrtare i ka dëgjuar këto këshilla nga miqët amerikanë.

Andaj lindë pyetja — dhe këtë pyetje duhet t’ia bëjë vetes çdo politikan i kësaj periudhe, sado krenar që të jetë për arritjet e tyre personale ose të partive të tyre — se si është e mundur që 25 vjetë pa shëmbjes së komunizmit anë e mbanë Europës, në Shqipëri gjithnjë flitet për “konsolidimin e shtetit” demokratik? Pse nuk ka arrijtur Shqipëria ato që kanë arritur vende të tjera ish-komuniste siç janë vendet baltike, Kroacia e Sllovenia e madje edhe Bullgaria e Rumania të cilat, përveç antarësimit të NATO, janë tanimë anëtare edhe të Bashkimit Europian. Çka i mungon Shqipërisë që të mos jetë tanimë anëtare e plotë me të drejta dhe përgjegësi në të gjitha institucionet euro-atlantike? Duke marrë parasyshë të kaluarën e Shqipërisë dhe të një regjimi të ashpër komunist që sundoi me dorë të hekurt vendin, Shqipëria duhej të kishte qenë e para që të plotësonte kushtet për një antarësim të tillë. Në të vërtetë, duke parë shkatërrimin fizik dhe shpirtëror që kishte shkaktuar regjimi komunist mbi shqiptarët 25-vjetë më parë, mendohej se Shqipëria e çliruar nga komunizmi do të ishte vendi që do të shkëputej i pari nga ajo histori dhe nga mentaliteti i atij regjimi, pasojat e të cilit mund të shihet kudo edhe sot, përfshirë edhe në jetën politike. Fatkeqsisht, kjo nuk ndodhi megjithëse politikanët shqiptarë e dinë mirë se ç’duhet bërë dhe se është në duarë të tyre që të distancohen nga politika konfliktuese dhe inatete personale dhe të angazhohen seriozisht për drejtësi dhe demokraci të vërtetë në vend.
Por, më mirë vonë se kurrë, nëqoftse qëndrimi i Shefit të diplomacisë amerikane të djelën në Tiranë do të ndihmojë që të mos humb edhe ky rast historik për bërjen dhe zbatimin e reformave të nevojshme në Shqipëri, atëherë vizita dhe takimet e tija me udhëheqsit shqiptarë do të konsiderohen si të sukseshme. Në këtë 25-vjetor të rivendosjes së marrëdhënjeve dypalëshe, sikurë donte të vinte në dukje rolin hidtorik të komunitetit shqiptaro-amerikan në këto marrëdhënje, John Kerry pohoi se kishte shumë miqë me prejadhje shqiptare në Amerikë, të cilët i kishin bërë atij gjithmonë thirrje që të vizitonte Shqipërinë, ndërsa shprehu mirënjohjen për pritjen që iu akordua në Tiranë dhe theksoi edhe njëherë se Shqipëria mund të llogarisë në miqësinë dhe në mbështetjen e plotë të popullit amerikan dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në rrugën e reformave. Në këtë 25-vjetor të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike shqiptaro-amerikane, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry — duke reflektuar mbi marrëdhënjet e forta aktuale midis dy vendeve — në Tiranë, shprehu optimizmin e tij se në të ardhmen, “Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të shtojnë dhe do të forcojnë mëtej marrëdhënjet e veçanta që kemi sot”. Marrëdhënjet shqiptaro-amerikane — me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së tyre — do të shënonin një përparim dhe forcim të paparë deri më sot, nëqoftse klasa politike në Shqipëri dhe shqiptarët në përgjithsi, më në fund heqin dorë nga konfliktet politike, nga interesat personale dhe partiake dhe t’i përkushtohen seriozisht mirëqenjes së vendit dhe interesave kombëtare. Kjo do të ishte dhurata më e mirë në këtë përvjetor!
*Foto: Siç duket në këtë foto të ditës, mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry në Tiranë — drejtuar të gjitha forcave politike të vendit — ishte: Nëqoftse ia doni të mirën vendit tuaj, punoni së bashku për një të ardhme më të mirë për këtë fëmij dhe të gjithë fëmijtë anë e mbanë Shqipërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: MESAZHI I JOHN KERRY-T NË TIRANË, rank Shkreli

Kosovë- Ja si si do të organizohen festimet e 8 vjetorit të Pavarësisë

February 15, 2016 by dgreca

-Prej sot, deri në 17 shkurt, në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse/
-Kosova këtë javë, pranverë në dimër/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Shkurt 2016/ Në Kosovë këtë javë ka shumë organizime aktivitetesh për festimet e 17 Shkurtit, ditës historike kur në vitin 2008 në Kuvendin e saj shpalli Pavarësinë. Këshilli Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, i themeluar nga qeveria, ka bërë të ditur për Gazetën Dielli axhendën e manifestimeve.
Prej sot, deri në 17 shkurt, në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse.
Sot, 15 shkurt, nga ora 10:00 zhvillohet ceremonia e dhënies së çmimeve letrare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në ora 11:00, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Amerikane në Kosovë dhe Odën Gjermano- Kosovare, organizon panairin e punës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, në Prishtinë.
Po në këtë Pallat, nga ora 17:00, Federata e Futbollit të Kosovës, organizon turneun tradicional në Futsal.
Në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, jepet shfaqja mysafire “Zemra e Huaj” nga Teatri i Sarajevës. Regjia, Dino Mustafiq.
Në 16 shkurt, ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat do t’i kushtohet Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në orën 19:00, Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës organizojnë pritje për korin diplomatik dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe mbahet koncert festiv i Filarmonisë së Kosovës.
Në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, do të paraqitet Ansambli i Këngëve dhe Valleve TOBI nga Tirana.
Në 17 shkurt 2016, në ora 10.00, në Prishtinë, sipas vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës do të bëhet parakalimi i kuadrateve të FSK-së dhe njësive të Policisë së Kosovës. Parakalimi përcillet edhe me aktivitete të tjera akrobatike të kadetëve në shesh si dhe nga bendi muzikor i FSK-së.
Në ora 10:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” hap ekspozitën e librit “Kosova në Udhën e Pavarësisë”.
Homazhe, në orën 11:00, në Prishtinë, i bëhen Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, ndërsa në orën 12:00 Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të rënëve të tjerë të familjes Jashari në Prekaz.
Në orën 12:00, Ansambli Shota do të defilojë në Prishtinë në sheshet Zahir Pajaziti, Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova.
Në ora 20:00, Baleti Kombëtar i Kosovës në Teatrin Kombëtar shfaq baletin “Dasma” me regji e koreografi të Mehmet Ballkan.
Në komunat e Kosovës:
Në orën 09:00 bëhen homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës;
Autoritetet komunale bëjnë vizita në familjet e dëshmorëve;
Komunat ndërmarrin aktivitete për dekorimin e rrugëve, parqeve dhe shesheve për datat 15-17 shkurt 2016 me flamuj. Bëjnë edhe dekorimin e shesheve dhe rrugëve me logo të 8 vjetorit të Pavarësisë;
Më 17 shkurt 2016, në ora 10:00, kuvendet komunale mbajnë mbledhje solemne me mysafirë të ftuar;
Nga 11 shkurti deri më 17 shkurt, shkollat organizojnë ekspozita me punimet e nxënësve lidhur me përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës;
Komunat ndajnë mirënjohje dhe dekorata për personalitete të vlerësuara komunale në shenjë të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës;
Manifestime të ndryshme sportive dhe kulturore në varësi të mundësive të komunave.
Po në 17 shkurt, delegacionet e larta të institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Kabineti Qeveritar, do të bëjnë homazhe tek varrezat dhe përmendoret e dëshmorëve.
FSK do të angazhojë pjesëtarët e saj tek varrezat dhe komplekset e dëshmorëve.
Në 19 shkurt, në ora 13:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, do të dekorojë me medalje personalitete të shquara.
Protokolli i Shtetit është në dispozicion për të mbështetur të gjitha aktivitetet dhe ceremonitë shtetërore.
Këshilli Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës thekson se axhenda mund të jetë subjekt i ndryshimeve.
Tradicionalisht, në çdo 17 shkurt ka edhe koncerte dhe njerëzi në festë mbushin sheshet dhe rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë.
Në këto ditë festimesh, sipas Institutit Hidrometeorologjik, në Kosovë do mbajë mot pranvere në dimër.

—

Koha- Kosova këtë javë, pranverë në dimër/
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016/ Kosova këtë javë, gjatë pesë ditëve, do të jetë nën ndikimin e masave të ngrohta të ajrit me origjinë nga jugperendimi, me temperatura pranverore, minimalet 4 deri 7, kurse maksimalet 17 deri19 gradë celcius.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në njoftimin e dërguar thekson se, të hënë në pjesën e parë të ditës do të fryjë erë herë-herë me vrull nga drejtimi i jugperendimit me shpejtësi mbi 15 metra në sekondë, do të ketë reshje shiu vetëm në jug dhe jugperendim të vendit, kurse të martën dhe të mërkuren sipas imazheve satelitore dhe situatës sinoptike parashihet të mbajë mot kryesisht me diell.
Nga dita e enjëte do të ketë vranësira të dendura, pasdite vende-vende reshje shiu, të cilat do të vazhdojnë edhe të premten. Era do ta ndërroj kahun nga jugperendimi në drejtim të veriut dhe verilindjes dhe do ndikojë edhe në uljen e temperaturave./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, festimi i pavaresise, Ja si do te realizohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT