Nga Ilir Vata/
TIRANË, 14 Shkurt -Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u takua sot me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ne kuader te vizites qe zyrtari i lartë amerikan po zhvillon në Tiranë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha pas takimit me Sekretarin amerikan te Shtetit, dha një prononcim për mediat ku u shpreh se vizita e sekretarit Kerry vjen në një moment kyç të demokracisë shqiptare.
“Falenderimet e mia më të përzemërta për sekretarin Kerry, për SHBA-ne, për administratën e Presidentit Obama dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhëne dhe i jep Shqipërisë dhe shqiptarëve. I sigurova në këtë takim se Partia Demokratike do të jetë në krye të përpjekjeve dhe të ruajtjes së standarteve euro-atlantike të demokracisë e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut.
Ashtu si në qeverisje edhe në opozitë, PD mbetet e përkushtuar ndaj këtyre vlerave jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, siç ishte rasti i procesit të dekrimnalizimit, proces kyc ky për të sotmen dhe të nesërmen e demokracisë shqiptare dhe që nuk do të ishte përfunduar me sukses pa mbështetjen e plotë dhe të gjithëanshme të SHBA-së”, tha Basha.
Në fokus të bisedimeve me sekretarin Kerry, tha Basha ishin çeshtje si 25 vjetori i rivendosjes së marredhënieve diplomatike, rekordi i angazhimit tonë si në qeverisje dhe në opozitë për të mbështetur çeshtje të përbashkëta të bashkëpunimit me SHBA. “Takimin me sekretarin Kerry e konsideroj një shenjë besimi të madh tek shqiptarët dhe Partia Demokratike”, tha kryetari i opozites shqiptare.
“Të tjera sfida të mëdha që e presin Shqipërinë janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit si parakusht i ecjes së Shqipërisë përpara drejt integrimit europian, si një kusht i forcimit të kapaciteteve të Shqiperisë për të ecuar përpara e denjë, një aleate e vërtete e SHBA-së, që jo vetëm konsumon por dhe kontribuon në sfida të përbashkta kundër ekstremizmit, kundër terrorizmit por në radhe të parë duke forcuar demokracinë e brendshme që është investimi më i mirë, më i fuqishëm në të ardhmen eropiane dhe Euro-Atlantike të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit. Në këtë kontekst ecim përpara me reforma të rëndësishme siç është reforma në drejtësi, në përputhje me rekomondimet, standartet, normat e pranuara bashkarisht, sic janë ato të Komisionit të Venecias si dhe çeshtja kyce sic është çeshtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të cilat opozita kërkon angazhimin e parterve tanë si një reformë kyce pa të cilën Shqipria nuk mund të bëjë përparë”, tha Basha.
Archives for February 2016
John Kerry: Jeni në rrugën e duhur; Rama: Në mars, reforma në drejtësi
Kerry: SHBA, krah Shqipërisë në rrugën e reformave; Rama: Në mars votojmë ndryshimet për reformën në drejtësi/
TIRANË, 14 Shkurt/ATSH-Maela Marini/.- “Reforma në drejtësi ka një rol kyç për qëndrueshmërinë dhe rezultatet e çdo reforme tjetër në Shqipëri”.
Kjo u konfirmua nga Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp në selinë e kryeministrisë, me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Kryeministri Rama vlerësoi ndihmën e SHBA-së për kryerjen e kësaj reforme, si dhe garantoi se “marsi do të jetë muaji kur do të votohet në Kuvend paketa e ndryshimeve Kushtetuese për reformën në drejtësi”.
Rama-Kerry-konference shtypi Foto Flori Abazi (3)“Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. U jemi mirënjohës SHBA-së për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë vendit tonë në rrugën e kësaj reforme dhe për punën e palodhur të ekspertëve amerikanë në ekipin teknik të reformës. Objektivi ynë i përbashkët është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese. Kam besim që do t’ja dalim dhe fakti që nuk jemi vetëm, por me SHBA në krah e bën të pakthyeshëm këtë sukses”, deklaroi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, deklaroi se zhvillimi i mëtejshëm i partneritetit mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, do të luaj një rol kyç në sigurinë e rajonit. Rama shtoi se shqiptarët u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara, pasi pa ta, shqiptarët në tërësi nuk do të ishin më të respektuar se kurrë më parë.
Rama-Kerry-konference shtypi Foto Flori Abazi (5)“Ne shqiptarët ndajmë me SHBA-në një histori të re marrëdhënie shumë të ngushta që në prill të vitit të kaluar njohën zhvillim të ri përmes dokumentit të Partneritetit Strategjik. Është e vetëkuptueshme se lidhja jonë speciale me SHBA-në na jep përgjegjësi të posaçme në rritjen e sigurisë. Prandaj shqiptarët u janë besnikërisht mirënjohës SHBA”, tha Rama.
Lidhur me bashkëpunimin dypalësh në fushën e zhvillimit ekonomik, Rama u shpreh se “ka një rritje të interesit të kompanive amerikane ndaj Shqipërisë”, ndërsa u zotua se “do të mbështesim fuqimisht shtimin e pranisë së tyre në vendin tonë”.
“Një prej pikave të bisedës ishte siguria energjetike. E informova Sekretarin e Shtetit për ecurinë shumë pozitive të projektit tonë të ndërveprimit rajonal në këtë fushë dhe rolin që Shqipëria është gati të luajë, si një pikë ndërlidhëse këtu në Ballkan me tregun europian të energjisë, në veçanti nëpërmjet gazsjellësit Trans-Adriatik. Po ashtu, edhe për rëndësinë e veçantë që ne i japim shtrirjes së linjës së gazit, lart në korridorin Adriatiko-Jonian, si një domosdoshmëri strategjike, për integrimin rajonal, në kuadrin më të gjerë të integrimit europian dhe euroatlantik”, deklaroi Kryeministri.
Kryeministri Rama theksoi se në fokus të bisedës ishte edhe thellimi i bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, edhe si pjesë e koalicionit botëror kundër ISIS. “E informova Sekretarin për masat e fundit që ka marrë Shqipëria në këtë drejtim, për forcimin e kuadrit ligjor, për punën e agjencive ligjzbatuese, për miratimin së fundmi dhe fillimin e zbatimit të strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe për bashkëpunimin rajonal në këtë kuadër”, tha ai.
Sa i përket zhvillimeve në rajon, ai tha se “jemi tejet të kënaqur që Mali i Zi është ftuar në NATO, dëshirojmë shumë edhe të njëjtën gjë për Maqedoninë”. “Ndërsa Kosova dhe Serbia do vazhdojnë dialogun e tyre për të shkuar drejt normalizimit. Ne do ta intensifikojmë bashkëpunimin me SHBA për konsolidimin e zhvillimit demokratik jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje. Në rajonin tonë rrjeti i bashkëpunimit nuk ka qenë asnjëherë më aktiv. Tirana ka ambicien të jetë gjithnjë e më shumë zëri i paqes”, tha Rama.
Ai deklaroi gjithashtu se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është një dialog i lehtë por është pa diskutim e vetmja rrugë për të arritur suksesin.
Kerry: SHBA, përkrah Shqipërisë në rrugën transformuese të reformave
Rama-Kerry-konference shtypi Foto Flori Abazi (2)Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Kerry vlerësoi se “Shqipëria është në rrugën e duhur të reformave, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit, korrupsionit dhe forcimit të ligjit dhe shtetit ligjor”.
Duke inkurajuar reformat në Shqipëri, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry shprehu bindjen se paketa e refomës në drejtësi, që është duke u shqyrtuar do t’i japë një goditje krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.
“Kjo kërkon mbështetjen e çdo shqiptari. SHBA janë të gatshme dhe unë jam këtu për t’ju konfirmuar se ne jemi përkrah jush në këtë transformim, por në fund, vetëm shqiptarët mund t’i miratojnë ligjet”, deklaroi sekretari Kerry.
Rama-Kerry-konference shtypi Foto Flori Abazi (6)Ai vlerësoi se “Shqipëria ka bërë shumë përparim”. “Nuk është e lehtë të ndërtosh një demokraci të fortë dhe është puna e shumë dhjetëvjeçarëve. Shqipëria ka bërë përparim domethënës dhe është qartazi e angazhuar. Nuk ka asnjë mëdyshje se ajo do të mbështetet te SHBA”, tha Sekretari Kerry.
Kerry apeloi që gjyqtarët dhe prokurorët t’u përmbahen rregullave dhe të gjithë të trajtohen me drejtësi, pavarësisht se cila parti është në pushtet”.
Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe, Sekretari Kerry u shpreh se “Presidenti Obama më ka thënë që të kujdesemi për Shqipërinë”. “Ndodhem këtu sepse jemi miq. Ne jemi aleatë dhe kemi interesa të përbashkëta. Ne përkujtojmë 25-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike. Shqipëria ka qenë në koalicionin kundër ISIS që nga fillimi dhe po qëndron bashkë me ne në Afganistan. Shqipëria nuk është thjesht një mike. Shqipëria është një vend anëtare e NATO dhe kjo sjell përgjegjësi të veçanta për rajonin”, tha ai, duke shtuar se “Shqipëria është duke lëvizur në rrugën e duhur”.
Mesazhi që la sekretari Kerry në librin e përshtypjeve në Kryeministri
Tirane, 14 Shkurt/ATSH/.- Në kryeministri, sekretari Kerry la sot edhe një mesazh në librin e përshtypjeve.
“Faleminderit popullit shqiptar për pritjen jashtëzakonisht zemërgjerë në vendin tuaj të bukur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë krenare për miqësinë tonë. Shqipëria është një aleate e shkëlqyer e NATO -s. Një partner në luftën kundër ekstremizmit dhe një mike e shkëlqyer. Përshëndetjet më të përzemërta. John Kerry”.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në Tiranë
Presidenti Nishani i uron mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit, Kerry/
Tirane, 14 shkurt 2016/
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike.
Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin.
Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.
20 vite të pranisë amerikane në Kosovë
Kosovë-Interesim i madh për vizitën e Sekretarit amerikan Kerry në Shqipëri/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Shkurt 2016/ Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, sot në Shqipëri, po përcillet me interesim të madh nga media në Kosovë, duke qenë lajm i parë, në kryetituj dhe në transmetime të drejtpërdrejta.
Sekretari John Kerry vizitoi Kosovën para pak më shumë se dy muajëve, në 2 dhjetor 2015, me ç’rast theksonte se, në emër të Presidentit Obama sjellte përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Tash, 20 vite më pas në këtë 17 shkurt Kosova feston 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë me 111 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së, që në orët e para shtet nga SHBA e Shqipëria.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë më 6 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, më 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Në 21 gusht 2015, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.
Derisa sot vizita e John Kerry në Shqipëri raportohet e transmetohet nga shumë media në Kosovën e lirë e të pavarur, kujtoj se në vitin 1991 për të përcjellë vizitën e Sekretarit amerikan James Baker në Tiranë nga gazeta e vetme shqipe në Kosovë në atë kohë “Bujku” dërguam ekipin në qytetin pranë kufirit të hekurt ndërshqiptar, në Gjakovë, atje ku mund të shihej Televizioni Shqiptar, i cili nuk mund të shihej në Prishtinë e në shumë rajone tjera kosovare.
Në kujtesën e Kohës- Kosova Duhet të Vendosë
“Sundimi i Ligjit” apo “Sundimi i Bandave”? Kosova Duhet të Vendosë/
Nga Ambasadori Xhon Menzis/
Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë/
Sot shënohet 57-vjetori i gazetës ditore “Rilindja”, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë. Kur filloi botimin në vitin 1945, Lufta e Dytë Botërore zhvillohej fuqishëm ende, bombat atomike ende nuk ishin hedhur, dhe Jugosllavia e Dytë ishte në formim e sipër. Shkurt, bota në të cilën u lind “Rilindja” ishte rrënjësisht e ndryshme nga bota në të cilën ajo jeton sot. Në këtë pjesë të botës, ndryshimet ndodhin shpejt dhe shpesh, dhe kurrë nuk dihet se kur do të jenë këto ndryshime për të mirë apo për të keq.
Si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që e ka “Rilindja” në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë. Me këtë rast të veçantë dëshiroj të flas lidhur me këtë rol të cilin duhet ta kenë mediumet në shoqëri.
Kosova e sotme është shumë më ndryshe se Kosova kohës kur u lind “Rilindja”. Kosova e sotme është shumë më e lirë, shumë më demokratike, thellë e futur në rrugën e formimit të institucioneve demokratike të vetëqeverisjes. Por poashtu, Kosova e sotme është një vend i ndarë keqësisht mes dy opcioneve – dhe mbetet të shihet se nëpër cilën rrugë do të shkojë ajo.
Çështja është se a do të gëzojë Kosova sundimin e ligjit apo do të bie nën sundimin e bandave.
Të premten e kaluar, bandat e demonstrantëve të padisiplinuar, me sa duket nën drejtimin e elementeve kriminale të vendosura që të shkatërrojnë sundimin e ligjit, janë turrur me tërbim nëpër rrugët e Prishtinës duke thyer dritaret, duke sulmuar policët ndërkombëtarë dhe ata kosovarë, dhe duke sulmuar kosovarët e tjerë të cilët nuk pajtoheshin me mendimet e tyre arrogante lidhur me kauzën e tyre të “drejtë”. Në vend se të mbronin tre të burgosurit, ish-anëtarët e UÇK-së, me anë të argumenteve, fakteve dhe me anë të mjeteve ligjore, ata do të përdornin vetëm forcën dhe taktikën e rrugës sepse me sa duket e dijnë se drejtësia nuk është në anën e tyre. Këta demonstrues zgjodhën grushtin, gurin dhe shufrën metalike për të argumentuar, e jo arsyen, debatin dhe institucionet e gjyqit.
Sidoqoftë, gjëja më e tmerrshme është se në rrahjen e shkaktuar nga demonstruesit u sulmuan dhe u lënduan dy policë amerikanë dhe pesë policë të tjerë ndërkombëtarë. Si mundi të ndodhë kjo? A harruan përnjëherë këta kosovarë gjithë atë që bashkësia ndërkombëtare – e veçanërisht amerikanët – ka bërë për ta që nga marsi i vitit 1999? A kanë harruar këta vagabondë të paktë, këta kriminelë, se amerikanët ishin të PARËT që erdhën në Kosovë në vitin 1996, dhe se përkushtimi i ynë ndaj paqës, drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë është i thellë dhe afatgjatë? Ky numër i vogël i kosovarëve – të cilët është e qartë se nuk i shprehin pikëpamjet e shumicës dërrmuese të popullit të Kosovës – a i kanë harruar ata pamjet dhe zhurmat e forcave ushtarake amerikane dhe të NATO-s duke e çliruar Kosovën nga shtypja? A kanë harruar ata se çfarë domethënie kishte këtu pamja e flamurit amerikan në vitet 1996, 1999, dhe përsëri tani gjersa ai valon mbi kulmet e shtëpive, në dritaret e dyqaneve të panumërta, madje edhe në veturat dhe veshjet e kosovarëve paqedashës dhe zbatues të ligjit? Kur këta banditë ngritën dorë të godasin një bashkëqytetar timin me gur, a nuk e panë ata flamurin në mëngën e tij dhe a nuk menduan ata se nuk po e sulmojnë vetëm një polic por vetë Shtetet e Bashkuara dhe gjithë njerëzit liridashës ? A kanë harruar ata se sa siguruese është për shumë kosovarë fakti se e shohin atë flamur në mëngët e qindra policëve dhe policeve që punojnë në Kosovë? Mua me duket se po, ata kanë harruar.
Tre të arrestuarit do të ballafaqohen në gjyq me akuzat, me ç’rast procesi gjyqësor do të përcaktojë fajësinë apo pafajësinë e tyre. Çdo kosovar duhet të jetë i lumtur që njerëzit e akuzuar në këtë mënyrë nuk do të merren më në “biseda informative” dhe se ata nuk do të torturohen, por do të kenë mbrojtje juridike, proces të rregullt, dhe përfaqësim të drejtë dhe kompetent në gjykata. Nëse kanë faj, ata duhet të dënohen, ashtu si do të dëshironte çdo njeri i denjë. Prap, nëse janë të pafajshëm, atëherë gjyqi do ta vendosë këtë dhe ata duhet të lirohen – ashtu siç dëshiroj unë dhe çdo njeri tjetër që beson në sundimin e ligjit.
Çka ka të bëjë e gjithë kjo me ditëlindjen e 57-të të “Rilindjes”? Shumë. Në një shoqëri që zhvillohet dhe transformohet në një shoqëri demokratike dhe shoqëri civile me sundim të ligjit dhe me institucione të vërteta të vetëqeverisjes, mediumet janë një ndër shtyllat mbështetëse të asaj shoqërie. Mediumet duhet të qëndrojnë gjithnjë si “roje” mbi institucionet e qeverisë, të veprojnë për interesa të popullit dhe të mbrojnë të drejtën e tyre për të ditur se çka ndodh në qeveri, se si punojnë udhëheqësit e tyre të zgjedhur, se çfarë vendimesh marrin ata në emër të popullit, dhe që të parashtrojnë vizionin lidhur me atë se ku shoqëria dëshiron të shkojë, dhe ta mbajnë atë vizion ashtu që të gjithë të mund ta shohin dhe ta diskutojnë.
Kur bandat dëshirojnë të kontrollojnë debatin, kur ato dëshirojnë të përdorin rrugaçërinë dhe dhunën për të shprehur vullnetin e tyre, kur ato dëshirojnë të mbysin zërin e kundërshtarëve dhe të frikësojnë të tjerët kur argumentet e tyre nuk qëndrojnë, atëherë mediumet duhet të jenë të parat që do t’i dënojnë dhe kritikojnë këto banda dhe kështu të mbrojnë sundimin e ligjit dhe ata të cilët e mbështesin sundimin e ligjit. Javën e kaluar e pamë sulmin e huliganëve kosovarë mbi forcën e re dhe trime policore të Kosovës. Ne kemi parë arrestimin e anëtarëve të TMK-së lidhur me veprat për të cilat është e qartë se nuk e kanë përkrahjen e TMK-së dhe të organizatës si tërësi, vepra këto të cilat shkojnë kundër po atyre vlerave mbi të cilat është ndërtuar TMK-ja. Në kohëra të tilla mediumet – TË GJITHA mediumet – duhet të marrin qëndrim dhe të apelojnë në të gjithë kosovarët që të dënojnë dhunën dhe të mbështesin sundimin e ligjit dhe të punojnë nga e para për të arritur krijimin e shoqërisë civile, gjë të cilën edhe ne edhe ju e dëshirojmë për Kosovën. Kjo vlen qoftë kur është fjala për trazira dhe sulme mbi policinë dhe njerëzit e pafajshëm, për frikësimin dhe madje vrasjen e figurave politike (madje edhe vrasjen e disa ish-komandantëve të UÇK-së) ose pjesëtarëve të grupeve tjera etnike, apo kur kjo ka të bëjë me çfarëdo forme tjetër të dhunës së përdorur si mjet i të shprehurit politik.
Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës “Rilindja”, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave.
***
Nga arkivi – gazeta Rilindja: Shkrim ekskluziv para 14 viteve nga Ambasadori Xhon Menzis Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë, në numrin-botimin festiv të 12 Shkurtit 2002 të 57 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës, Rilindja.
Në 12 Shkurt 2016 – ditën e 71 vjetorit të Gazetës Rilindja, foto e korrespondentit në Kosovë të Gazetës Dielli – Behlul Jashari: Ballina e gazetës Rilindja me shkrimin e Ambasadorit Amerikan, Menzis.
- « Previous Page
- 1
- …
- 46
- 47
- 48
- 49
- 50
- …
- 91
- Next Page »