• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

Nje leter nga Presidenti Obama

February 12, 2016 by dgreca

Një letër e presidentit Obama për një bashkëpunëtor të “Dielli”-it/
E gjykoj të arësyeshme se kjo letër i dedikohet mijëra shqiptaro-amerikanëve, që me mund, djersë e sakrifica kanë ndërtuar jetën në SHBA, njëkohësisht janë bartës të vlerave më të mira të popullit shqiptar dhe qytetarisë amerikane. Ndaj dua ta ndaj këtë lajm me gjithë shqiptaro-amerikanët./
Nga Shefqet Kërcelli/
Në letrën e dërguar më datën 10 shkurt në adresën time të emailit, presidenti Obama midis të tjerave shkruan: Si sot nëntë vjet më parë, unë duke hedhur hapat në Kapitolin e Springfield, të shtetit të vjetër të Illinois, përcolla kandidaturën time për President të Shteteve të Bashkuara. Unë ju kërkova ju të bashkohemi me mua, që të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për amerikanët, duke konsoliduar bashkimin tonë. Përgjatë kësaj rruge, Amerikanët si ju e kanë bërë atë duke luajtur rol të rëndësishëm në demokracinë tonë, – rolin e qytetarit model. Ju keni ecur me përpikmëri në rrugën e progesit. Ju keni ndihmuar në ndryshimin dhe zhvillimet që ka pasur vendi në fusha kryesore, në forcimin e ekonomisë amerikane dhe shpëtimin e saj nga një tjetër Depresion i madh, në mbrojtjen e planetit tonë nga rënimi dhe në faktin që miliona Amerikanë më tepër marin sigurim shëndetsor. Sigurisht që unë e kam të qartë se ky udhëtim nuk ka qenë gjithmonë i lehtë, vecanërisht kur politika jonë mund të duket kaq e vogël. Por unë akoma kam shpresë që politika jonë mund të reflektojë mirësjelljen e vlerat bazë të popullit Amerikan. Prandaj unë po shkoj përsëri tek Springfield sot, – sepse përmirësimi i politikës sonë nuk mund të presë. Dhe unë akoma besoj se ne mund ta bëjmë atë së bashku. Unë shpresoj se ju do të e ndiqni këtë sot në orën 2:30, mbasdite Lindore.
Presidenti Barack Obama

***
WHITE HOUSE

 Nine years ago today, I stood on the steps of the Old State Capitol in Springfield, Illinois, to announce my candidacy for President of the United States.
I asked you to join me in taking up the unfinished business of perfecting our union — to work together to build a better future.
Along the way, Americans like you have done that by playing the most important role in our democracy — the role of citizen. You’ve taken on the painstaking work of progress. You’ve helped us find that middle ground where real change is won — change like rescuing our economy from the brink of another Great Depression, protecting our planet, and helping millions of Americans gain health insurance.
I’ll be the first to admit that this journey hasn’t always been easy, especially when our politics can seem so small. But I’m still hopeful that our politics can reflect the basic decency of the American people.
That’s why I’m going back to Springfield today — because fixing our broken politics cannot wait. And I still believe we can do it together.
I hope you’ll tune in today at 2:30 p.m. Eastern.
President Barack Obama

This email was sent to shefqetkercelli@gmail.com.
Unsubscribe | Privacy Policy
Please do not reply to this email. Contact the White House
The White House • 1600 Pennsylvania Ave NW • Washington, DC 20500 • 202-456-1111

Filed Under: Opinion Tagged With: leter nga presidenti Obama, Shefqet Kercelli

CA VLERA TONAT “MEDIOKRE”

February 12, 2016 by dgreca

Nga Fadil Lushi/
Të nderuar lexues, besoj se edhe kësaj radhe do të bëj përpjekje që kuptimin e përmbajtjes së këtij vështrimi të gazetës të mos e shtrembëroj, pavarësisht se do të ndërtohet me një fjalor paksa denigrues dhe me një nëndialekt krahinor.
Para shumë vaktesh një shqiptar mendjendritur, dhomën e miqve a të burrave e kishte “trajtuar gjegjësisisht e kishte karakterizuar si një shkollë të parë të brezave të rinj për të hyrë në jetë, si parlament të tyre të parë…, si një mejtep, si një xhami, si një manastir, si një teqe, si një kishë a edhe si një kuvend ku rrëfehej e kaluara jonë heroike përmes episodesh të ndryshme trimërie nga gjyshërit, xhaxhallarët tanë, nga mysafirët e ndryshëm, që gjithmonë ishin të mirëseardhur në odat tona…, aty ku hidhej fara e dashurisë për vendin, për njerëzit…, aty ku hidhej fara e besnikërisë, bujarisë, trimërisë, guximit, durimit, mikpritjes etj.”. 
Në vaktin e Ahmet Zogollit, kur monarkia e tij u shpall mbretëri kushtetuese, parlamentare dhe e trashëgueshme dhe kur fukarallëku i skajshëm kishte prekur a kapur për fyti popullatën shqiptare sidomos atë provinciale, diku në një fshat përreth Shkodrës, një varfanjak kishte filluar të ndërtoj një odë burrash dhe me të përfunduar të saj kishte parapëlqyer t’i ftojë miqtë e tij më të afërt, për t’u shtruar një darkë. Një rrugëtar nga një vend i largët, e kishte zërë nata. Ky fshatar fisnik ia kishte hapur dyert duke e strehuar dhe vendosur në krye të odës së burrave. Pasi darkuan, dikush e pyeti pronarin se ç’madhësi kishte oda. Përgjigjja e tij ishte jo “tamam”…, dhe njëri, këmbëngulte në kërkim të përgjigjes së saktë. Meqenëse asnjëri nuk kishte asnjë provë karshi përmasave të odës, atëherë “jabanxhiu” duke bërë zë, tha: “…, ja po jua them unë, kjo hapësirë ka tridhjetë palë prapanicash!?”. Një plak mendjefemër, duke e kuptuar fare mirë këtë “xhevap të mysafirit të paftuar të kësaj ndeje”, i tha: “si bëhet që e gjithë kjo hapësirë të matet me b..thë…, dhe të lus që edhe njëherë ta lakosh këtë filozofi të kësaj shprehjeje popullore a proverbiale, që edhe të tjerët ta kuptojnë me tamam!”. Ky ia ktheu, “eh, ç’më ngushtove, he burrë, aman xhanëm ç’më vure në siklet…, por para se të të jap shpjegime plotësuese më duhet të them se kur pronari i odës së burrave më vendosi në kryemindenderin e odës, thash sikur ky njeri kinse më bëri nder, por njëkohësisht me pahir më turpëroi mes për mes mexhlisit…, sikur m’u duk vetja si një njeri që nuk e meritoja atë vend, sikur mendova se nuk do të kem takatin shpirtëror dhe mental t’i dal zot këtij muhabeti të gjatë, thash se këtë muhabet do ta bëj tërkuzë e lesh e li dhe së fundi do ta prish si të tillë…, sikur e dija se disa axhaminj, prej meje do bëjnë ardhacak me by..thë prej pambuku, sikur e dija se ashtu pahiri do ma ndërrojnë vendndejën, sikur paragjykoja se vendin e kam jangllësh…, sikur ndihesha i pasajdisur e të tjera!?”. Plaku sikur filloi ta humbë gjakftohtësinë a durimin karshi përgjigjes së vonuar dhe tha: “pa më thuaj se si e bëre këtë matje!” Mysafiri tha: “shumë thjeshtë…, sa herë që futej një nga njerëzit e ftuar, unë detyrohesha që të lëviz nga vendi për një palë b..thë, për t’u liruar vend njerëzve të shtëpisë, dhe ashtu nga kryekolltuku (nuk ishte kolltuk berberhane-nënvizim ynë) u detyrova të zë vend në fund të odës së burrave…, toptan ishin njëzetë e nëntë palë b..thë, hiq mënjanë prapanicën e pronarit të odës i cili padrejtësisht u turpërua nga burrat e fisit të tij”. Ata që e kishin lakuar këtë mesele thonë se “mysafiri” kishte dalë nga oda e burrave pa përcjellje dhe ishte humbur pa nam e nishan.
Dikur moti, njerëzit e mençur nuk uleshin dot kollaj në kolltukun e odës së burrave, në odën e Kanunit, në odën e malësorëve fisnikë, sepse i frikësoheshin fjalës së dhënë, fjalës së nderit, fjalës së burrit, i druanin forcës së fjalës, kulturës së fjalës, kishin druajtjen se mos u ngecë fjala në buzë, në fyt e në gojë, frikësoheshin se mos bën vaki e nuk e mbarojnë a përfundojnë fjalën, frikësoheshin se ndoshta mos vallë nuk do e presin fjalën me sëpatë, frikësoheshin se ndoshta mos vallë nuk e gdhendin fjalën para se t’u dalë nga goja, frikësoheshin se ndoshta me fjalë mund të mjerojnë kalamajtë jetim, ndoshta mjerojnë fukaranë, sakatin, ndoshta fjalët ua merr era, ndoshta fjala e tyre u bie përdhe, ndoshta fjalët u thartohen…, ndoshta fjala e tyre merr “havanë!”
Duke mos e kontestuar dhe duke mos e nëpërkëmbur a anashkaluar vlerën e odës së burrave sipas atij shqiptari mendjendritur, i cili atë odë e kishte perceptuar si një institucion shpirtëror, neve na duhet të themi se ky institucion sot mbase është shndërruar në vlerë denigruese, në një kështjellë në rrënim e sipër, në një “mejtep pa talebe”…, në një shkollë pa mësues, në një manastir dhe kishë pa kambanë, në një teqe pa dervish, në një odë mëhallësh ku bëhen muhabete “jallane nga jallanxhinjë”, muhabete të cilët sot meritojnë t’i vrasësh me pushkën e gjahtarit të cilit zagari nuk ia gjen dot kollaj gjahun…, këto oda burrash sikur janë shndërruar në tabela për qitje, këto hapësira janë shndërruar në oda për fëmijë, për gra, për pseudo-“sevapçinj, për tyxharë”, për thashethemexhinj dhe për pseudo-intelektualë të cilët në “sabah” bëjnë hunjtë e në “aksham” i djegin, të cilët ulurinë, bërtasin dhe vajtojnë në kor të kaluarën e tyre…, si dhe kërkojnë lirinë e vonuar të vatanit!??
A mos vallë, sot shqiptarët detyrimisht kanë nevojë të ndërtojnë një odë burrash si të atij varfanjaku që jetonte në fshatin përreth Shkodrës, a mos vallë shqiptarët e shkapërderdhur si dhentë nëpër kodra, nuk kanë nevojë të ndërtojnë një odë intelektualësh, a mos vallë nuk na duhet një odë për shqiptarët që janë ndarë në pikë e pesë…, një odë të përbashkët për toskë, për gegë, për myslimanë, katolikë, ortodoksë, për bektashinj, për kosovarë, për jabanxhinj a mysafirë dhe për të tjerë shqiptarë të harruar e të lënë pas dore. A mos vallë shqiptarët nuk kanë nevojë për një odë politikanësh me mendje të trazuara, me mllefe dhe inate homerike, a mos vallë nuk kemi nevojë për një odë autoritetesh, për një odë ku do të qortohen politikanët inatçorë…, a mos vallë kemi nevojë për një odë nënash shqiptare, a mos vallë shqiptarëve u duhet një odë për njerëz të arsyeshëm, një odë për familjen shqiptare “namusqare”…, për njerëz që do t’i dalin zot çështjes kombëtare…, a mos vallë shqiptarëve u duhet një manual krejt i ndryshëm karshi filozofisë së politikëbërjes më humane dhe më emancipuese. Dhe nëse nuk do të kemi nevojë për odat e mësipërme, atëherë na mbetet ta “gëzojmë” odën e shpifjeve, odën e gënjeshtrave dhe së fundi na mbetet ta “urojmë” odën e varfanjakut që kishte strehuar atë rrugëtarin që e kishte zënë nata në vend të gabuar dhe te njerëz të gabuar, rrugëtari që iku a u zhduk nëpër terr…, rrugëtari që qe i detyruar ta maste me bythë hapësirën “jallane” të fukarait…, njerëzit e të cilit odën ia shndërruan në “vend ku mbreti shkon në këmbë!?”

Filed Under: Opinion Tagged With: CA VLERA TONAT “MEDIOKRE”, Fadil Lushi

Kosovë-Veseli vazhdon takimet me ambasadorë perëndimorë

February 12, 2016 by dgreca

-Bisedohet për proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës/
-Shtypi kosovar në kryetituj: Pushteti do zgjedhjen e presidentit para 17 shkurtit. Opozita: Te presidentja, vetëm për zgjedhje/
PRISHTINË, 12 Shkurt 2016-B.Jashari/ Kryeparlamentari kosovar, Kadri Veseli, vazhdon sot takimet me ambasadorët perëndimorë në Prishtinë, me tre prej të cilëve dje bisedoi për proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryetari Veseli sot takohet me ambasadoren e Gjermanisë, Angelika Viets, ambasadoren e Francës, Maryse Daviet dhe me ambasadorin e Italisë, Andreas Ferrarese.
Në takimet gjatë ditës së djeshme, ambasadori SHBA-ve, Greg Delawie, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, si dhe ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu, sipas njoftimit dërguar nga Kuvendi, theksuan domosdoshmërinë që të hiqet dorë nga përpjekjet që përmes dhunës të diktohen vendimet politike, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjet, sepse kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike. Përpjekje të tilla janë duke e dëmtuar shumë imazhin e vendit dhe përparimin e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin demokratik të shtetit, theksohej në njoftim.
Në këto takime u bisedua edhe rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Ambasadorët kërkuan që ky proces të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa kryetari Veseli theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik, transparent dhe inkluziv.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe shpërndarjen e Kuvendit e shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërkohë që ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.
Ndërsa, “Pushteti do zgjedhjen e presidentit para 17 shkurtit”, thekson sot në një kryetitull balline shtypi kosovar.
Koha Ditore shkruan se, pushteti është në fazën finale përgatitore për seancën plenare, në të cilën ka për synim ta zgjedhë Hashim Thaçin për president të shtetit. Seanca do të organizohet brenda pak ditësh.
Tashmë janë bërë gati ftesat për ligjvënësit e mysafirët, ka thënë një burim i gazetës të enjten.
Ka treguar edhe për anulim të të gjitha vizitave jashtë vendit, të planifikuara nga deputetët e subjekteve që qeverisin, apo nga zyrtarët e lartë të Ekzekutivit. Edhe skenari është gati.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka nisur turin përfundimtar të konsultave me ndërkombëtarët. Burime të gazetës kanë thënë se kryeparlamentari ka marrë dritën jeshile për të ecur përpara me çështjen kryesore që e ka në axhendë Kuvendi, raporton gazeta.
Liderët kosovarë ritheksojnë qëndrimet e mbajtura deri tash kundër qeverisë, kundër seancave të Kuvendit e kundër zgjedhjes së Presidentit, edhe pasi Presidentja aktuale e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi në 8 shkurt 2016 një takim të përbashkët me drejtuesit e subjekteve politike parlamentare, për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend. Në tryezën e përbashkët të dialogut ishin liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dhe në këtë përpjekje të tretë të Presidentes që nga fundvera 2015, për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj.

Për takimet tjera që priten, sipas një kryetitulli tjetër sot në shtypin Kosovar, opozita tash ka qëndrimin: “Te presidentja, vetëm për zgjedhje”.

Gazeta Zëri shkruan se, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka paralajmëruar vazhdimin e takimeve me krerët partiakë për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend.

Megjithatë, përfaqësuesit e tre subjekteve opozitare thonë se kryetarët e këtyre subjekteve do të pranojnë të takohen me drejtuesit e koalicionit qeverisës vetëm nëse në rend dite do të jenë modalitetet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ndryshe, sipas opozitarëve, takimet e organizuara nga Presidentja Jahjaga janë të kota sepse nuk prodhojnë asnjë rezultat.

Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se Jahjaga do të vazhdojë angazhimin e saj për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e krizës, por nuk tregon se kur do të thirret takimi tjetër i liderëve partiakë, pas atij që u mbajt të hënën. “Presidentja Jahjaga do të vazhdojë angazhimin e saj për dialog ndërmjet partive politike parlamentare për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentes.
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka mbajtur asnjë seancë plenare në sesionin pranveror, duket në pritje të një zgjidhje për krizën politike, që po vazhdon nga fundvera e vitit të kaluar.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare.
Ndërsa, Kuvendin e Kosovës e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pasi Presidentes aktuale i kalon mandati pas më pak se dy muajsh, në 6 prill. Sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Kushtetuta përakton edhe se, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë 13 deputetë opozitarë, të cilët ndërkohë janë liruar.

Filed Under: Komente Tagged With: me ambasadoret, Veseli, vijojne takimet

Vështrim mbi romanin Krastakraus të Bilal Xhaferrit

February 12, 2016 by dgreca

Prof.dr. Resmi Osmani/ Sprovë/
Bilal Xhaferri, “Nderi I Kombit”, (1935-1986), vitin e shkuar pati tetëdhjet vjetorin e lindjes. Ai ka lënë trashëgiminë letrare, që përbëhet nga një trinitet: romani “Krastakraus”, vëllimin me poezi “Lirishta e kuqe “ dhe vëllimin me tregime”Njerëz të rinj tokë e lashtë”. E tërë krijimtaria e tij,është përmbledhur në një botim me pesë vëllime, nën kujdesin e Prof dr. Bashkim Kuçukut. Megjithatë, ky shkrimtar i shquar, vazhdon të mbetet për lexuesin e sotëm, pak i njohur dhe pak i lexuar.
Objekt të kësaj sprove,do të bëjmë romanin “Krastakraus”
Bilali e shkroi shpejt e me ngut romanin, për konkursin e vitit jubilar të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.Pjesa e pare e romanit perfundoi në muajt e parë të vitit1968. E paraqiti në shtëpinë botuese.Redaktori e pëlqeu dhe e vlerësoi si një krijim shumë të arrirë. I dhanë dhe një paradhënie. Romani u miratua për botim. Por pas diskutimit ne Lidhjen e Shkrimtarëve për “Dasmën” e Kadaresë, botimi u ndalua. Për të nis kalvari i persekutimit: u internua dhe ju hoq e drejta e botimit. Sigurimi i shtetit e përndiqte. Që t’i shpëtonte burgut, në shtator të vitit 1969 u arratis.
Autori, veç kopjes së dorëzuar në shtëpinë botuese, kishte dhe dy të tjera. Njërën ja dorëzoi për ta ruajtur të kushërirës, gazetares Ballkiz Halilit.Tjetrën e mbajti vetë dhe e mori me vete kur u arratis per në Amerikë.
Romani mbeti i panjohur. Për tu botuar , priti 25 vjet, në vitin 1993. Këtë vit, zotëruesja e së vetmes kopje, Ballkiz Halili, plotësoi amanetin e Bilalit që nuk jetonte më . Tok me Shefki Hysën, bënë redaktimin dhe e hodhën në qarkullim dhe ky roman u bë pronë e lexuesve. Në vitin 1995 u botua edhe ne Kosovë me emërin “Ra Berati”.
E lexova fill pas botimit dhe u mrekullova. I jam rikthyer shpesh dhe çdo herë gjej në të vlera të reja. Me studimin dhe evidentimin e vlerave të këtij romani, janë marrë disa studjues si A.Kallulli, Sh.Hysa, S. Hamiti, B. Kuçuku, V.Muça etj, që secili në këndvështrimin e vet ka hulumtuar e vënë në dukje veçoritë dhe mesazhet që ky roman i përcjell lexuesit, bukurinë artistike dhe stilin e veçantë. Por shqyrtimi i një vepre letrare, asnjëherë nuk është shterrues. Impresionet dhe kënaqësinë artistike që më ka dhënë ky roman, ashtu si i gjykoj, vendosa ti ndaj me lexuesit.
Subjekti i romanit, është historik dhe është marrë nga epoka zulmëmadhe e Skëndërbeut. Është një roman shumëplanesh, që pasqyron me realizëm kohën së cilës i përkushtohet, në mbarë hapsirën arbërore, por kryesisht luftën për jetë a vdekje kundër barbarisë turke. Kohës së luftës së shqiptarëve, sa tragjike dhe dramatike, por ndryshe nga autorë të tjerë, ai ka zgjedhur të shkruajë një fragment të trishtuar të asaj epopeje. Njerën nga humbjet më të mëdha e të përgjakshme. Betejën fatkeqe, nën muret e kalasë së beratit dhe zallishtet e lumit Osum, ku lanë jetën dhjetë mijë luftëtarë shqiptarë dhe dy mijë artilierë napolitanë.Pas kësaj humbjeje vijnë braktisjet e princave bashkëluftëtarë dhe tradhëtitë.Moisi Golemi u hodh me turqit dhe u hapi rrugë tradhëtive që do të vinin më pas.Lek Dukagjini, në ruajtje të interesave të principatës së vet u tërhoq nga lufta. Venediku intrigonte dhe bënte lojë të dyfishtë.Papa dërgonte bekime apostolike. Burimet ekonomike dhe njerzore po shterrnin. Fati dhe liria e vendit ishin në rrezik Skena ku luhet drama e braktisjes vendoset, në Lezhë, aty ku u lidh më parë besëlidhja.Duhej zgjedhur midis jetës dhe vdekjes, lirisë dhe skllavërisë, shpresës dhe guximit apo disfatizmit, barbarisë që vinte nga shkretëtirat e Azisë apo, përparimit dhe qytetrimit europian. Pas takimit në lezhë dhe braktisjes nga lek Dukagjini, I mbetur pa ndihma, vjen vendimi si një klithmë e shpirtit: Do shembemi e do të mbulohemi nën muret e kështjellave tona, por nuk do të bëhemi kurrë”Skllevër të lumtur” nën pushtimin e armikut. Kryetrimi zgjodhi qëndresën dhe luftën. U humb kalaja e Beratit por jo kalaja e besimit! Besim, besim! Ai nuk u braktis nga populli i tij që i shkoi pas. Bashkë me besimin fitoret u kthyen përsëri.
Vetvetiu lidd pyetja: Përse autori zgjedh pikërisht këtë periudhë të zymtë, humbjeje e dëshpërimi të Skënderbeut dhe jo një periudhë tjetër heroike e me fitore të bujshme që nuk mungojnë në luftërat e tij? Besoj se kjo zgjedhje është refleks i bindjes dhe jetës së autorit. Sado e çuditshme të ngjajë, i tërë romani është një metaforë e luftës së të mirës me të keqen, e jetës me vdekjen. Midis këtyre dy mokrave shtypëse, duhej gjetur edhe pak hapësirë për gëzim dhe dashuri, për të zbutur dhimbjen dhe helmin e jetës. Për lumturi as duhej ëndërruar.Për vëtë shkrimtarin e vlen të përmëndim se jeta ishte një katastrofë. Mallkimi i luftës së klasave dhe përndjekjet nuk i ndaheshin.Të njëjtin fat kishin edhe të motrat dhe të afërmit e dashur që u burgosën apo u internuan. Rinia e tij, nuk ishte pranvera e jetës, por një vjeshtë e trishtuar që do të kthehej në dimër të acartë. A nuk ishte jeta nën sistemin totalitar një “Skllavëri e lumtur”?. I ndodhur në këtë gjendje dëshpëruese e thuajse të braktisur, atij i lindi pyetja:Të dorëzohej, të bënte një jetë të rëndomtë, të vegjetonte si një frymor, apo të luftonte për jetën dhe artin e tij? Për t’i dhënë përgjigje kësaj dileme, ai pa prapa dhe i kërkoi heronjtë në të tjera kohë dhe përgjigja ishte një: Qëndresë dhe vetëm qëndresë! Këtë duhet t’ua kumtonte të përndjekurve dhe të dëshpëruarve të tjerë. Arma e tij e luftës ishte arti I fjalës. Fitorja me siguri një ditë do të vinte. Ai besonte në këtë. Parë në një rrafsh më të gjerë, lexuesi i kultivuar të cilit i drejtohej, do të dinte të lexonte midis rreshtave atë që nënkuptohej.
Personazhet. Janë thuajse të pakët, gati gjysma e tyre nab ëhen të njohur që në faqet e para. Janë njerëz të thjeshtë, ushtarë, oficerë, malësorë por edhe klerikë, vajza të popullit, por edhe gjeneralë, princër , princesha e fisnikë. Këta personazhe, me individualitetet e tyre, i mjaftojnë autorit që të paraqesë shoqërinë shqiptare të asaj kohe, me shtresimet shoqërore, psikologjike e morale. Personazhet autori i ka paraqitur dhe tipizuar në funksion të zhvillimit të ngjarjeve dhe ideve që ka dashur të materializojë. Ata janë të gdhendur si me daltë, me veçori e individualitet të spikatur, që me ligjërimet dhe veprimet e tyre, të bëjnë të mendosh dhe ti kujtosh gjatë. Pa u ndalur te secili personazh me veçotitë e tij vetiake, të dhënë mjeshtërisht , le të ndalemi te Skënderbeu, që në roman është e ndryshme nga ajo sesi ishte bërë zakon të shkruhej për të, si një prijës I idealizuar dhe I kthyer në mit.
Skënderbeu edhe pse fizikisht shfaqet ne kreun e tretë, me emrin, bëmat dhe lavdinë e tij, është i pranishëm si një jehonë, nga kreu deri në fund të romanit, si shpirt i luftës dhe qëndresës shqiptarte. Është e rëndësishme të theksohet dhe të vihet në dukje se autori nuk e idealizon as e mitizon heroin e vet, ai nuk është hero, mbinjeri, por një njeri gati i zakonshëm, i lodhur dhe i dëshpëruar nga prapësitë e fatit, brakltisja e bashkëluftëtarëve dhe tradhtitë, intrigat dhe dredhitë, por që ka marrë përsipër një vepër të madhe: Luftën e arbërorëve kundër perandorisë më të madhe të kohës, jo vetëm për të mbrojtur popullin dhe vendin e vet, por edhe qytetërimin perëndimor. Lexuesit gati I dhimbset dhe ndjen keqardhje per të. Duke e ditur se lexuesi ka formuar një stereotip për portretin nga paraqitjet e shumta të Skënderbeut ne artet figurative, autori e shmang përshkrimin e portretit fizik dhe pamjes, por me disa detaje, paraqet nëpërmjet së veçantës atë që është tërësore, ose që lexuesi nuk e di. Kur pyetet një ushtar nga vasha e tij sesi është Skënderbeu ai përgjigjet”Si një luftë”.Kaq. Një fjalë e vetme, por një simbol i fuqishëm që nxit fantazinë dhe përfytyrimin për një prijës luftëtar. Në Lezhë ai duket sikur bëhet njësh me shkëmbin ku është mbështetur. Aludimi dhe paralelizmi këtu është fare i qartë. Zëri I tij ishte një zë basi, i gjerë,si një kambanë bronzi. Paraqitet i thjeshtë e si njeri në nevojë, që përjeton me dhimbje dramën e popullit të tij, duke fajësuar edhe veten për vuajtjet që i kishte sjellë. Ai në Lezhë, pa qibër e krenari, e pranon se ka shkuar të kërkojë ndihmë. Ai ndjehet disi në faj, dhe e sheh veten si “Të mundur e dëshpëruar”. Megjithatë, bota e tij shpirtërore është e pasur. Ai e di se populli beson shumë te ai, prandaj edhe ai duhet të besojë shumë te ata. Ai vërtet është prijës, por luftën e bëjnë malësorët dhe fshatarët, ajo ka karakter popullor dhe se ajo luftë bëhet për lirinë e atyre malësorëve dhe fshatarëve.
Kjo mënyrë e parsqitjes së figurës së Skënderbeut, është bërë qëllimisht, kundër kultit të individit, glorifikimit të prijësit,”Njëshit”, për të rrëfyer lexuesit se nuk janë cilësitë e rralla e të jashtëzakonshme vetjake burimi I heroizmit, por karakteri dhe qëllimi I luftës, besimi në drejtësinë e kauzës, përfaqësimi I interesave të popullit, sigurimi I lirisë së tij dhe vendosmëria për ti realizuar ato. Këtu ishte çelësi I fitoreve kundër një armiku barbar e shumë më të madh në numër e në fuqi.
Me shumë art, dashuri e përkushtim janë trajtuar edhe personazhet e tjerë, ata që vijnë nga radhët e popullit, qofshin oficerë apo ushtarë të thjeshtë. Virtytet e tyre janë nderi, burrëria, besnikëria, bindja, ndjenja e detyrës deri në vetsakrifikim e flijim. Megjithse të përfshirë në luftë ku gjaku derdhet lumë dhe trupi u mbulohet me plagë, ku jetën një fill e ndan nga vdekja, atyre nuk u thahet shpirti, por mbeten njerëz me botë të pasur, me shpirt të ndjeshëm , që dashurojnë dhe urrejnë dhe që shkojnë drejt rrezikut përballë armikut ”Me dhanë jetën si me le”në mbrojtje të lirisë dhe të atdheut. Me këtë autori don ti thotë lexuesit se ishin këta trima dhe bij të popullit, gjëja më e mirë e tij, palca e ushtrisë, që në kohë të hershme apo të vonshme, sa herë që atdheu ka dhënë kushtrimin, kanë derdhur gjakun për të çimentuar themelet e Shqipërisë. Ky ishte çmimi I lirisë!
Personazhet femërore trajtohen me shumë fisnikëri, delikatesë dhe dashuri. Ajkuna është e bukur si e dalë nga përrallat e zanave.Bora,simotra e dashur e Stresit, është rrezatuese, e dashur, e ndjeshme, fisnike, Ela përfaqëson vajzat e vegjëlisë, të popullit. Nxjerrja në reliev e hijeshisë dhe bukurisë femrore, është pjesë e asaj dashurie dhe përkushtimi që Bilali kishte për motrat e tij fatkeqe , jeta e të cilave qe e mbushur me halle e derte.
Lufta dhe betejat. Lufta është strumbullari i romanit. Si një gjeratore e përbindshme, për njëzet e pesë vjet, ajo gëlltiti jetë njerëzore dhe gjithë burimet ekonomike të vendit. Ç’do brez bëri betejën e tij dhe i pagoi luftës haraçin e gjakut. Luftën autori e sheh si një të keqe të domosdoshme. Edhe Kastrioti në një çast dobësie(kishte dhe ai të tilla) pyet veten “Pse e ngriti ai në këmbë këtë popull, në një gjakderdhje të tillë të tmerrshme? Përgjigja duhej kërkuar te mbrojtja e lirisë, nderit, trojeve, gjësë e pasurisë nga hordhitë e turqve që vinin valë-valë nga thellësia e Azisë, me flamurin e gjysmëhënës,të shtyrë nga lakmia per pushtim hapësirash dhe pasurisë së kombeve të tjerë, për t’i vënë nën thundër popujt, për t’i vënë nën vargonj burrat e gratë që t’i shisnin në tregjet e skllevërve. Prandaj duhej luftuar. Shqiptarët, njerëz të lirë e krenarë, gjetën te Skënderbeu prijësin e luftërave të tyre.
Xhaferri, ka zgjedhur dy beteja të kësaj lufte: disfatën e Beratit dhe luftën e Oranikut. Të parën për të rrëfyer se humbja e një beteje, nuk është humbje e luftës dhe se me humbjen e një beteje, me rënien e nje kialaje, nuk duhet humbur kalaja e besimit! Për të është i papranueshëm disfatizmi. Lufta e Oranikut, mbyll pjesën e parë të romanit. Xhaferri me mjeshtëri të habitshme dhe forcë të madhe krijuese arrin që në faqet e fundit të romanit të na japë atmosferën, gjëndjen shpirtërore të luftëtarëve para betejës, psikologjinë, ankthin e pritjes, padurimin për tu ndeshur. Beteja e oranikut jepet si një ndeshje për jetë a vdekje. Oraniku ishte pragu i atdheut. Autori na thotë:”Beteja e Oranikut duhej fituar, po të mundeshin këtu, nuk kishin ku të shkonin më. Këtu ishte pragu i shtëpive të tyre, këtu ishte pragu i zemrave të motrave të tyre, të grave dhe nënave. Këtë e dinin të gjithë, se po të mos e dinin, ishte e kotë të qëndronin e të luftonin për të fituar” Beteja dallohet nga disa karakteristika që rrëfejnë mjeshtërinë autoriale dhe pikpamjet e tij në rolin e prijësit dhe masës në luftë, parësore del masa e luftëtarëve. Beteja dhe fushëbeteja janë epike, duket sikur zhvillohet në një dekor të vendosur midis tokës dhe qiellit, ku lufton gjysmëhëna me shqiponjën dykrerëshe. Ku përzjehen njerëz, kuaj, vringëllima armësh, ku janë të pranishme shtrëngata, mugëtira, rrëketë e shiut, pishtarët e vetëtimave, furtuna, breshëri me shkëlqim verbues, ylberi si një hark triumfi e lavdie. Në këtë sfond gati surreal ushtarët kacafyten për jetë a vdekje, pellgjet mbushen me ujë e gjak. Kuajt kapërcejnë mbi trupat e të vdekurve. Mund të them, se pershkrimi I kësaj beteje është një model I paarritshëm, i denjë për tu krahasuar vetëm me ato të “Luftës dhe Paqes “ të Tolstoit.
Si në gjithë romanin, edhe në këtë betejë, autori i shmanget mitizimit të figurës së Skënderbeut. Ai i printe ushtrisë në këtë luftë, por nuk duket në episode luftarake me bëmat dhe trimërinë e tij. Ai është symbol i asaj lufte dhe shpirti i ushtrisë. Këtë autori e rrëfen me dy pamje kalimtare por shumë domethënëse: në kampin e fushimit të Oranikut, shatorrja e madhe dhe e kuqe e Kastriotit, ndrinte si një diell. Nën harkun e ylberit, në mes të fushës së luftës, duket një përkrenare me brirë dhie që ngrihej pranë flamurit me shqiponjën dykrenore.
Tradhëtia. Kjo fjalë me peshë të rëndë emocionale dhe përcaktimore, pluskon në dallgët e romanit në caste sprovash, dëshpërimesh dhe humbjesh.Në Berat, në Krujë, në Lezhë dhe Oranik. Ajo fytyrëzohet me Moisi Golemin, më pas me Hamza Kastriotin, Lek Dukagjinin. Duke u zhytur në thellësi të historisë së etnosit, Xhaferri mençurisht ka arritur të kapë disa përhershmëri që shfaqen në mënyra të ndryshme dhe në vijimësinë e kohëve, pavarësisht nga ndryshimi i tyyre,ato kanë të njejtin cilësim: tradhëti. Etnosi Iliro-arbëror-Shqiptaqr, në udhëkryqet e historisë së tij të lashtë apo moderne, shumë herë është gjendur i tradhëtuar. Këto tradhëti u kanë kushtuar atyre lumenj gjuaku dhe humbje të territoreve.Në luftën Iliro-Romake, mbretëreshën Teuta e tradhëtoi gjenerali i saj Dhimitër Fari, në kryengritjen dardane kundër romakëve tradhëtoi njëri nga Batot. Edhe pas Skënderbeut, tradhëtitë kanë vijuar: Ali Pashën e Janinës e tradhëtoi Omer Pasha Vrioni, me armën e tradhëtisë luajti edhe Esat Pashë Toptani. Tradhëtarë e kuislingë pati edhe gjatë pushtimit faqshist. Tradhëtarë dhe “armiq” zbulonte regjimi komunist që nga paranoja e frikës shihte kudo tradhëtarë, në një kohë që këtij populli i kishte bërë tradhëtinë më të madhe, që në vend të demokracisë së premtuar, e vuri nën sundimin e diktaturës.
Autori, pikpamjen e vet për tradhëtinë na e jep me fjalët e kapiten Stres Pirolit.”Tradhtia-mendonte Strezi- kështu i ka ndodhur gjithmonë popullit tonë, që nga kohët më të largëta e deri sot. Sa herë që gjoksi i tij mbushet me shtrëngatën e lirisë, pas shpine përdridhet gjarpri i reumatizmës së tradhtisë, që i paralizon shtyllën e kurrizit. Tradhtia! Ah sikur ta shtypja me dhëmbët e mi kokën e këtij gjarpri!” Xhaferri bën thirrje: njerëz, jini syçelët!
Dashuria. Dashuritë në jetën e Xhaferrit ishin të pafat.Në moshën e rinisë, autori pati disa vajza. I deshi me shpirt dhe i bëri heroina të poezive dhe tregimeve të tij, por ajo tingëllon me trishtim e shprehet me dhimbje që hap plagë në shpirt e jo si lumturi. Dashuria që është e pranishme në gjithë faqet e romanit, e kanë emrin Ajkuna dhe Eli. Ajkuna bijë e një familje princore, e bukur si zanat e përrallave, e mençur, e ndjeshme, e dhimbsur, dashurohet me kapiten Stresin, djalë nga populli. Eli vajzë nga populli dashurohet me ushtarin,luftëtarin e thjeshtë. Mund të themi me bindje, se faqet ku përshkruhet dashuria e dy të rinjve Stres-Ajkuna, janë nga më të bukurat e letërsisë shqipe. Të frymëzuara, plot ndjenjë, dridhje e tërheqje shpirtërore pasionante, me atë molisje të ëmbël por të përmbajtur e të qetë, pa hove e dalldisje. Janë si një fllad që fryn në roman për të shpërndarë mjegullën e zymtësisë dhe për të shkrirë akullin e dhimbjes së shkaktuar nga humbja e njerëzve të dashur në luftë. Janë ca çaste lumturie në detin e së keqes që kish pllakosur vendin.
Stili dhe mjeshtëria artistike.Edhe pse e shkroi me ngut, në këtë roman, Bilal Xhaferri paraqitet si një stilist befasues, njohës dhe përdorues mjeshtëror I shqipes së bukur, si një yll i ndritur në yllësinë e shkrimtarëve bashkëkohorë. Fjala e bukur, e zgjedhur, e bën fjalinë tingëlluese. Është si kërkuesi i arit , që shplan e shosh rërën për të gjetur kokrrizat e arit, qëmton nga shqipja fjalën e duhur.Fjalitë janë si ca vargje rruazash,ku janë varguar margaritarë me shkëlqim rrëzëllitës, që shprehin një mendim, një gjendje të caktuar, apo një përshkrim të natyrës apo njerëzve. Çdo faqe ka bukuri, cilësia dhe teknika e të shkruarit ruan njëtrajtësinë, nuk ka askund prozë mediokre. Dhe gjithçka duket e natyrshme, e pa sforcuar, duket se bukuria dhe ndjeshmëria artistike, i burojnë së brendshmi, janë të vetvetishme. Kjo mundëson që lexuesi ta përfytyrojë atë që lexon dhe përfytyrimi i tij rikrijon tablotë e paraqitura me aq art. Figurat, metaforat, krahasimet s’kanë të sosur, janë njëra më e bukur se tjetra. Natyra, peisazhi, mjedisi, janë të pranishme në gjithë romanin, me bukurinë, harmoninë por edhe ashpërsinë e tyre. Ato nuk janë sfond, por duket si të jenë pjesmarrëse dhe përcjellëse të ngjarjeve. Ai ka një prirje të habitshme për të aplikuar një lloj animizmi që i bën sendet jofrymore si të gjalla, në to është e pranishme lëvizja si një element dinamik: fusha ecën, kështjella afrohet e përkundet, pylli lëkundet si i dehur, shkëmbenjtë hedhin valle mbi humnera….Imazhet shpesh janë me përmasa kozmike e fantazmagorike, në ‘to përfshihen yjet, hëna, toka dhe qielli. Në këtë hapsirë gjithmonë në lëvizje, shfaqet njeriu në kërkim të fatit të vet.
I tërë romani është shkruar si një prozë poetike, i mungon vetëm elementi ritmik për të qenë i tillë.
Për nga struktura dhe kompozicioni, është ndërtuar thjesht si një roman modern. Fjalitë përgjithësisht janë të shkurtra dhe paragrafët me kalim harmonik te njeri-tjetri për të përcjellë mendimin nëpërmjet veprimit. Sabri Hamiti, me të drejtë e quan romanin: “Vepër që mund të cilësohet menjëherë si klasikë moderne e shqipes.”
Në mbyllje të kësaju sprove për romanin Krastakraus(Ra Berati), dua të ve në dukje se ai është kryevepra e tij. Bilal xhaferri ishte dhe mbetet një talent i rrallë dhe se vepra e tij i takon fondit të artë të letërsisë shqipe.
Nga leximi i këtij romani kanë të gjithë se ç’të mësojnë, që nga nxënësit e deri te letrarët dhe shkrimtarët fillestarë apo të afirmuar. Edhe pse kanë kaluar afro pesëdhjetë vjet nga koha që u shkrua, ai si gjithë veprat e mëdhaja vjen plot mesazhe domethënëse, bukuri e hijeshi, si një burim i freskët ku lexuesi do të mundë të shuaj etjen e vet.
Tiranë,shkurt 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Resmi Osmani, të Bilal Xhaferrit, Vështrim mbi romanin Krastakraus

Kosovë-SHBA-Projekte dhe marrëveshje, partneritet strategjik

February 12, 2016 by dgreca

-Ministri Hyseni përmbylli vizitën në Washington me një ligjëratë në “George Washington University”/
Washington, 12 Shkurt 2016/ Në përfundim të vizitës së tij në Washington, ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Departamentit për Drejtësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtarë të “George Washington University”.
Duke trajtuar temën e migracionit në përgjithësi, e në veçanti atij nga Siria dhe Iraku, ministri Hyseni është përqendruar kryesisht në implikimet që ka kjo krizë për sigurinë në Evropën Juglindore, sidomos në Kosovë.
Ministri Hyseni me këtë rast i është përgjigjur interesimit të madh të pranishmëve rreth perspektivës së zgjidhjes së krizës së refugjatëve nga Siria. Në veçanti, kishte interesim të fokusuar në përpjekjet që Kosova po bën për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.
Njoftimi i dërguar thekson se, në audiencë kishte personalitete të shquara që janë marrë me Kosovën në të kaluarën e afërt dhe kjo prani e bëri debatin edhe më dinamik dhe interaktiv.
Kjo ligjëratë shënon edhe fundin e vizitës zyrtare të punës që ministri Hyseni pati në Washington D.C., duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe duke bashkërenduar veprimet në rrafshe të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë.
Krejt kjo pritet të rezultojë në projekte konkrete dhe marrëveshje tjera të bashkëpunimit në të ardhmen në kuadër të partneritet strategjik Kosovë-SHBA./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Kosovë-SHBA-Projekte dhe marrëveshje, Ministri Hyseni, partneritet strategjik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT