• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

PJESMARRJA NE FESTIMIN E PAVARESISE SE KOSOVES ESHTE OBLIGIM PER CDO VATRAN

February 11, 2016 by dgreca

VATRA DHE BASHKËSIA SHQIPTARE KREMTOJNË PAVARËSINË E KOSOVËS/
Njoftohet Komuniteti Shqiptar në Nju Jork dhe rrethina se me 14 Shkurt 2016, Ditën e Dielë,duke filluar
nga mesdita, ora 12-5. pm, VATRA dhe BASHKËSIA SHQIPTARE organizojnë Festimin tradicional të Pavarësisë së Kosovës. Të pranishëm, mes komunitetit shqiptar, në këtë festim do të jenë Komunitetet
Fetare dhe Diplomatët Shqiptarë.
Festa organizohet në MAESTRO’S RESTORANT.
1703 Bronxdale Ave, Bronx, NY 10462
– Konsulli i Republikës së Kosovës z. Ylber KRYEZIU do të mbajë fjalën përshëndetse me rastin e 8 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
– Moderatore: Aida GASHI
Krahas argëtimit muzikor, kwngwve dhe valleve nwn drejtimin e DJ Bendis MANI, do të ketë ushqime dhe pije pa kufizim.
Të rriturit: $ 60.00
Fëmijët deri në 12 Vjeç- $20.00
Mund të rezervoni biletat në nurmat e telefonave të anëtarëve të Komisionit të festës.
KOMISIONI ORGANIZATOR
1- Kryetar:   Pashko Camaj-516- 902-0588
2-Zv/kryetar: Saimir Dashi,  cel :347-401-8519.
3-Anëtar: Marjan Cubi,  cel:914-316-0045.
4-Anëtar:         Hakik Mena,   cel:201-993-0833
5-Anëtar:         Isuf Rexhaj,     cel:917-626-5782
6-Anëtar:         Fuat Mamo,    cel:201-893-6776
7-Anëtare:       Arjana Elezi     cel:917-445-4126
8-Anëtar:         Fitim Krasniqi,  cel:347-755-1486.

SHENIM: Ju mund te njoftoni edhe ne zyren e Vatres: 718- 365-6852 ose I telefononi editori ne tel 917-254-6103 ose porositni ne Email: gazetadielli@gmail.com

Filed Under: Vatra Tagged With: Festa e Pavaresise se Kosoves, Vatra

Federata Vatra,Vizita e Sekretarit te Shtetit John Kerry në Tiranë

February 11, 2016 by dgreca

Në një deklaratë të lëshuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në SHBA, mbështetet vizita e Sekretarit të Shtetit, Kerry dhe kërkohet konsensus qeveri – opozitë për reformën në drejtësi. Gjithashtu Federata Vatra vlerëson lart punën e ambasadorit Donald Lu dhe e gjen vehten tërësisht në deklaratat dhe qëndrimet e tij. Lidhur me problemet e rënda të konstatuara gjatë zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, si kriminalizimi i listave të kandidateëve, shitblerja e votës, etj, Vatra shpreh bindjen se kjo temë do të jetë gjithashtu pjesë e bisedimeve me Sekretarin Kerry. Vetëm dekriminalizimi i politikës e institucioneve dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të ishin garancia e duhur për stabilitetin në Shqipëri, e më gjerë. Në vlerësimin e Vatrës, kjo vizitë është një mundësi e mirë për politikanët shqiptarë që të përmbushin detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe të vendosin çështjet e rëndësishme politike mbi interesat partiake dhe personale.

Ja Deklarata e plotë e Vatrës

“Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA përshëndet me mirënjohje të përzemërt vendimin e Sekretarit të Shtetit të SHBA, John Kerry, për të vizituar Shqipërinë, si një akt që tregon rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, si dhe synimin e SHBA për rritjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi. Kjo vizitë zhvillohet në një kohë, kur debati politik përmban një sërë çështjesh të rëndësishme ende të pazgjidhura dhe shqetësuese për partnerët dhe miqtë tanë, por edhe kur shoqëria shqiptare po përjeton një krizë të thellë besimi dhe ekonomike, e pasqyruar qartazi në rritjen e emigrimit të qytetarëve drej vendeve të BE. Kjo vizitë është një mundësi e shkëlqyer për politikanët shqiptarë për të rritur përgjegjshmërinë e tyre ndaj pubikut dhe përmbushjen e detyrave të marra përsipër.
VATRA pret që, në temat, të cilat do të diskutohen me këtë rast, të zërë vend me rëndësi realizimi i një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë, duke e parë atë si një rrugëdalje të mirë nga qerthulli i korrupsionit dhe padrejtësive, por edhe që do të ngrinte lart besimin e munguar të publikut tek institucionet e drejtësisë. Reforma në drejtësi do të hapte rrugën për ecje të mëtejshme drejt shkëputjes nga trashëgimia e rëndë e diktaturës së kaluar. Kjo reformë do të ishte jetëgjatë dhe e frytshme vetëm, nëse do të arrihej nëpërmjet një konsensusi mes qeverisë dhe opozitës, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Gjithashtu, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me problemet e rënda të konstatuara në zgjedhjet e fundit vendore 2015, veçanërisht shitblerja e votës dhe kandidimi i personave me rekorde kriminale, shqetësime të konstatuara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të një rëndësie jetësore për demokracinë dhe garantojnë stabilitetin e Shqipërisë. Çështja e sigurisë në përgjithësi është një temë e rëndësishme me interes për të dy palët, por, për palën shqiptare, përqendrimi i vëmendjes tek siguria në territoret shqiptare, ka një rëndësi të veçantë, duke patur parasysh rritjen e influences së organizatave terroriste dhe manipulimet nga armiqtë tanë shekullorë.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA e gjen tërësisht vehten në deklaratat e ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu, duke e falënderuar publikisht për punën e tij të shkëlqyer. Duke përfituar nga ky moment diplomatik, VATRA shpreh publikisht respektin më të thellë për punën dhe personalitetin e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, e siguron për ndjenjat më të thella të mirënjohjes për mbështetjen e saj të pakushtëzuar për çdo nismë lidhur me Shqipërinë dhe çështjen shqiptare. Së fundi, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, në traditën e saj më se njëshekullore, rikonfirmon qëndrimin e saj për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e miqësisë mes dy shteteve dhe popujve tanë”.(Botoi: Zeri I Amerikes, Bota Sot, Rilindja Demokratike, Gazeta MINERVA,Gazeta Dita, Gazeta 55, TV Kultura Shqiptare, Gazeta Dielli, Gazeta Illyria, City News, Gazeta Impakt,Koha) Opozita.com etj)

Filed Under: Vatra Tagged With: Vatra, vizita e Kerryt

Në 44-vjetorin e vrasjes nga UDB-ja e poetit dhe atdhetarit Alush Canaj

February 11, 2016 by dgreca

HARRESA KURRË S`DO TË BIE MBI POETIN ALUSH CANAJ. AI DO TË JETË I PËRHERSHËM/
Natën e 14 shkurtit 1972 pasi kishte dalë nga një qeli burgu i dërmuar nga dhuna fizike e psiqike, me dorën e fshehur ia mbushën gotën e helmit në shtëpinë vet. Dhe e vranë poetin Alush Canaj. Pastaj, në hotelin Evropa të qytetit, (Kristali i sotëm), autorët e krimit : Selim Brosha,Naip Hoxha,Ismail Mustafa e Muharrem Halili, festonin vrasjen e poetit duke pirë raki kumbulle me këpucë të një lavireje- këngëtare jo shqipfolëse, që i argëtonte me këngë të Shumadisë./
Shkruan: AVDUSH CANAJ/
U bënë 44 vjet kur ndodhi krimi makabër në Gjilan që tronditi gjithë Kosovën.Pikërisht në natën e 14 shkurtit të vitit 1972 UDB-ja vrau me gotën e helmit poetin dhe atdhetarin Alush Canaj që ende nuk kishte shijuar 20 pranverat e jetës, kishte 19 vjet e 6 muaj e 9 ditë.Një tragjikë e llojit të vetë që dinë ta bëjnë vetëm kriminelët ordinerë, me skenar e regji. E vranë sepse poeti që po vinte për të hyrë me hapa të sigurt në letërsi, ( punë këtë që e kishte nisur qysh në moshën 13 vjeçare), më një zë të veçantë prej një liriku të ndjeshëm, po i këndonte Tokës së vet, Atdheut të robëruar, ëndërronte lirinë dhe diellin e buzëqeshur mbi qiellin e Kosovës me plagë.Përmes vargjesh të qendisura me figura, i këndonte Nënës, asaj dashurie të madhe, prej së cilës na kishin ndarë padrejtësisht.Ishin të vetmit në botë që nuk guxonim të takoheshim me të e të mëndonim për të,për Nënëmadhën tonë, na kishin vënë në mes kufirin gjemborë të vdekjes.Dhe, pikërisht kjo, ishtë bërë shkas që poeti flokëkaqurel si prej dielli, të përcillej në çdo hap nga lakejtë e UDB-së, edhe në gjimnaz,edhe në orët letrare që aq mrekullisht i udhëhiqte e tubonte gjithë të rinjët e qytetit,edhe në shoqëri me shokët, edhe në kinema, edhe kur shkonte diku mysafir.Gjithkund. E, lakejë, për fat të keq kishte shumë, sa edhe qenë.
Ishtë simbol i zgjimit , atdhetar i flakët e intelektual i rrallë që kishte informacione për gjithçka.
Vargjet e tij bënin jehonë qiellit të errësuar të Kosovës.Mësoheshin përmendësh nga të rinjët të cilët e donin dhe e respektonin .Ishin këto poezitë Shqiponja e maleve,Skënderbeu, Për ty lapidar, Nëna Shqipni, Te Tirana e ndonjë tjetër.Ky ishte Alush Canaj, poeti që po hynte në letërsi me shpirtin e lirisë, por trazonte njerëzit besnik të UDB-së gjakpirëse, ata që kishin shpirtin te xhelati. U egërsuan si bishat të etura për gjak se te ai po e shihnin një rreze drite e pas tij atë diellin e madh të lirisë. Aq i bënte poetit me buzëqeshje rrezëllitëse e krenari si lisat, s`ndalej dot, kryente misionin e vet prej poeti dhe atdhetari, kishte vendosur që këtë punë ta qoj deri në fund, përkundër maltretimeve fizike e psiqike që po i bënte ndaj tij UDB-ja.
Fatalja ishte një letër nga Beogradi ku studionte shkencat politike, dërguar një shokut të bankës së gjimnazit, Mehmetali R., ku Beogradin e përshkruant si qytet të zi, e jo të bardhë siç e kishte emrin.” Ky qenka vetë korbi”. S`kishte faj Alushi, kishte thënë një të vërtetë të pamohueshme, i tillë ishte kryeqyteti i Jugosllavisë së Titos prej nga shkruheshin gjithë skenarët në dëmë dhe kurriz të shqiptarëve në Kosovë. Kjo letër po e bënte udhën e vet duke u lexuar dorë më dorë nëpër orët e mësimt në gjimnaz, derisa një ditë ia prish terezinë profesorit të gjuhës shqipe Haxhi V., dhe ky e dërgon atje ku duhet, në UDB.Pas kësaj, shtohen edhe më shumë dhuna mbi poetin, e kishin bërë edhe një argument më shumë në dosjen e tyre për Alushin, i cili tani më e kishte lënë Beogradin dhe ishte regjistruar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe, mezi priste të hyj në provime për të shkëlqyer.
Natën e 14 shkurtit 1972 pasi kishte dalë nga një qeli i dërmuar nga dhuna fizike e psiqike,me dorëb e fshehur ia mbushën gotën e helmit në shtëpinë vet. De e vranë poetin Alush Canaj. Pastaj, në hotelin Evropa të qytetit, (Kristali i sotëm), autorët e krimit : Selim Brosha,Naip Hoxha,Ismail Mustafa e Muharrem Halili, festonin vrasjen e poetit duke pirë raki kumbulle me këpucë të një lavireje- këngëtare jo shqipfolëse, që i argëtonte me këngë të Shumadisë.
Në agun e ditës së re, shpirti i Alushit u ngjit lart, në hapësirën qiellore.Atje është edhe sot e s`mund ta prek askush, na lexon vargjet që na vijnë poshtë te ne si cicërimë zogjsh.
Ata që ndihmuan në këtë akt makabër, duhët të ulin kokën.Duhet t`i brejë ndërgjegjja deri në vdekje.
Përgatiti dy përmbledhje për botim, por s`arriti t`i shoh të botuara, as ta shijoj lirinë e ëndërruar.
Harresa kurrë s`do të bie mbi të.Do të jetë i përhershëm. Të këtillë e bënë vepra e tij Valsi veror, janë vargjet e tij brilante me aromë dashurie. Është emër që ka hyrë në panteonin e letrave shqipe e të Atdheut. Është emër që duhet të jetë në ballë të ndonjë shkolle të qytetit apo të ndonjë rruge ose institucioni. Këtë e meriton poeti dhe atdhetari Alush Canaj.
Në këtë ditë kujtimi për të, u sjellim disa nga poezitë e tij të panjohura deri më sot për lexuesit,të gjetura nëpër fletorët e tij.

ALUSH CANAJ

TE TIRANA

Te Tirana,
Nana,
edhe motër Zana.

Atë dimër na ndanë
e lisat i vranë.

Më s`mund të duroj,
andej do t`fluturoj,

aty ku e kam Nanën,
e motrën time, Zanën,
Mëmdheun,
Skënderbeun.

Nëse ujku me vjen pas
do ta vras.

(1970)

NANA

Si dielli, si hana
Nana.

Si pranvera te thana
Nana.

Si rrezja në tëbana
Nana.

Krua i gëzimeve tona
Nana.

(1970)

HARABELI

Unë jam harabeli
me shtëpi te zabeli.
Me këngë bleroj barin,
luftoj me acarin.
Ma tregojnë kamxhikun,
s`e luaj dot qerpikun,
as s` shkoj në shtegtim,
rri në vendin tim.
Në token e lavdisë,
n`zemër të Ilirisë.

(1970)

DO T`BËHEMI RRUFE

Korbat mbushën qiellin,
retë zuren diellin.
Ia vunë zingjirët mirë,
të kemi veç errësirë.
Të na marrin si delet,
emri të na shkelet.
Në tokën e Arbërisë
pa rrezet e lirisë.
S`durojmë dot ne,
Do t`bëhemi rrufe.

(1970)

MARGARITA
Ti je ylli
i agimit tim,
ti je drita
e ditës sime,
ti je dielli
i jetës për mua,
ti je rrita
e këngës së zemrës,
lumturia,
bukuria:
Margarita.

(1970)

Avdush CANAJ

NË HETUESI

E kishin futur në një qeli të errët dhe ai priste.Priste të hynte dikush që ta merrte në pyetje. Kokën mbante lart, s`i luante as qerpiku. S`kishte bërë asgjë të keqe e as s`i kisht kujt borgj.
Sakaq dera e hekurt u hap.Hyri një njeri me mantel të zi si prej korbi.Edhe republikën në kokë e kishte të këtillë. U ul pranë tij.Nxori një cagare nga pakoja.Ia qiti tymin.Ishte vetë udbashi.
Ti je ai poeti që po flitet?- e pyeti.
Për kë po flitet nuk e di, por unë jam Alush Canaj. Shkruaj poezi e tregime për fëmijë.
Pasi thithi tymin me afsh e pjesën tjetër e qiti si nga shpella e tij,shllunga-shllunga, udbashi iu drejtua:
Për kë shkruan, or poet?
Për çdo gjë që më mundon, i tha dhe e shikoi në sy. I kishte të enjtur, të mavijosur.Sigurisht kishte pirë gjithë natën me cerberët e vet.
Përshembull, çka të mundon ty?- e provokoi
Liria, i tha shkurt
Si ?!- u çudit udbashi, s` e kishte pritur këtë përgjigje të drejtë. E thithi edhe një herë cigarën dhe e hudhi në dyshemenë e betontë,pastaj menjeherë e vuri këmbën në qafën e saj.Ia nxori shpirtin.
Liria, zotëri.Ajo na mungon. Atë s` e kemi.
Çka don ti, brinat, a?
Jo brinat, ato i kanë dikush tjetër, por lirinë siç e kanë gjithë popujt e tjerë. Të jemi zot në shtëpinë tonë e jo qiragji.
Sipas kësaj ti nuk qenke zot në shtëpinë tënde?
Jo.
E kush na qenka?
Beogradi.
Ai u tmerrua me këtë përgjigje. I ra tavolinës me grusht.
Ti me këtë poe e kërkon Shqipërinë, ë? Xhaxhi Enverin, ë?
Deshi ta qetësoi.
Mos u ngut.Nuk thashë kështu.
Ta lexova mendimin.Mos mendo se ne nuk dimë asgjë.Të gjitha i dimë. Edhe çka mendoni. Ti po e kërkon Shqipërinë këtu. Po e kërkon edhe përmes vjershave të tua. Po i lexojmë ne.Po na tregojnë. Po na zbërthejnë metoforat e simbolet e tua. I kemi na njerëzit tanë për këto punë.
Sa për këta të fundit, e di që i keni.Poezitë e mia janë të hapura, i lexoj nëpër orët letrare, i gjeni nëpër faqet e revistave.Flasin për dashurinë e nënës, Atdheut, tokës…
Po, po, për nënën Shqipëri .
Për nënën time, zotëri. Unë kam nënë.Nuk jam jetim.
Udbashi u zemërua.Damarin e zemërit ia pa në ballë.
Ore, ti, poet, edhe unë kam nënë, por nëna ime e ka emrin Jugosllavi e babai Tito. Edhe ti duhet të jesh kështu, a më kupton?-iu afrua të veshi.
S` të kuftoj. Unë ndryshe jam. Nëna ime është Vaxhideja, amvise, e ,baba Jonuzi, punëtor në Kombinatin e Duhanit.
Don të thuash se je irrident, nacionalist. E do Shqipërinë e jo vendin ku jeton e ha bukë.
U mbrojt.
Jam shqiptar, por tokën time e dua.
Do të thotë Shqipërinë. A ke qenë ndonjë herë atje?
Një buzëqeshje e dielltë iu shfaq në sy.
Ta merr mendja se kam qenë.
E si e kishe, pra, atë nënën tënde?- udbashit iu çel fytyra. Zemërimi i kishte ikur.Tashti i kishte rënë telit ku duhet. Do të gradohej për këtë që e kishte zbuluar tek viktima e tij, pa ndihmen e askujt.
Ishte për mrekulli. Zonjë e rëndë. U çmalla me të. U kënaqa. Si me nënën më. Në prehërin e saj të ngrohtë. Natën e benim ditë.
E Xhaxhi si ishte? Je pa me të?
Si jo. I forte. Çelik. Me grushtin lart.
Fërkoi duart me një buzëqeshje të zgërdhirë si prej ujku.
Eh, tashti me tre drejt, si arrite deri atje? Në çmënyrë? Kush të ndihmoi?
Shumë lehtë, zotëri. Nëpër atë kufirin gjemborë të vdekjes.
Nuk të diktuan qentë?!
Kisha me vete pipër. Dhe kalova pa një therrë në këmbë. Shkova tek Nënëmadhja jonë.
Dhe?
Kur hapa sytë, jorgani te këmbët. Ishte vetëm një ëndërr e mirë, asgjë më shumë, zotëri .
Udbashi u çart. Ulurinte si ujk i uritur. Thirri xhelatët.
Drama e trishtimit filloi.

Filed Under: ESSE Tagged With: ALUSH CANAJ, Avdush Canaj, harresa, UDB-ja

Kurz: Kosova, çështje e rëndësishme për Austrinë

February 11, 2016 by dgreca

-Austria përkrahje të plotë për zhvillimet demokratike në Kosovë/
-Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz u prit në takime të veçanta nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Shkurt 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Gjatë takimit, u bisedua për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen austriake në proceset integruese.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin e gjithanshëm të vendit.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu mirënjohje për përkrahjen shumë të madhe të Austrisë për Kosovën dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve.
Lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, kryeministri Mustafa e njoftoi për dy çështjet e ngritura më herët nga opozita dhe për adresimin ligjor të këtyre dy temave.
“Qeveria e Kosovës ka ftuar në vazhdimësi dhe është plotësisht e gatshme për dialog brenda institucioneve dhe për adresimin e të gjitha çështjeve duke mbrojtur plotësisht interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Sebastian Kurz, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Austrisë. Ministri Kurz tha së Kosova është çështje e rëndësishme për Austrinë, duke theksuar përkrahjen e plotë të shtetit të tij për zhvillim ekonomik dhe proceset integruese evropiane.
Ministri Kurz theksoi nevojën që opozita të distancohet nga dhuna dhe që zgjidhjet për të gjitha çështjet të bëhen me dialog.Edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi sot një takim bilateral me ministrin për Evropë, Integrime dhe Punë të Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz.
Zëvëndëskryeministri Thaçi falënderoi Austrinë për mbështetjen dhënë Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik, për rolin e saj në kuadër të EULEX-it dhe KFOR-it, si dhe në tejkalimin e sfidës së përbashkët të valës së migrantëve.
“Është e mirëseardhur që ministri Kurz viziton rajonin, shpresoj në mënyrë tradicionale, në fillim të çdo viti, për të konfirmuar interesimin e Austrisë për Kosovën dhe rajonin”, është shprehur Thaçi gjatë takimit.
Thaçi tha se Austria është ndër investitorët kryesorë në Kosovë dhe ndër partnerët më të rëndësishëm në ekonomi e në arsim.
Ndërsa, ministri për Evropë, Integrime dhe Punë të Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz falënderoi Kosovën për bashkëpunimin dhe suksesin e arritur në tejkalimin e sfidës se fluksit të migrantëve nëpër shtetet e BE-së. Ai e përgëzoi qeverinë kosovare për progresin e shënuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel.
Ministri austriak Kurz tha se Kosova po kalon në një moment të vështirë politik në planin e brendshëm dhe ftoi të gjithë spektrin politik për tejkalimin e situatës brenda instituticioneve, përmes frymës demokratike dhe dialogut.
Shefi i diplomacisë austriake theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet të brendshëm dhe një perspektivë të qartë evropiane, gjersa Austria është e gatshme që të ndihmojë në këtë drejtim.
Kurz tha se Austria mbetet në mesin e investitorëve të rëndësishëm në Kosovë.
Gjatë konferencës së përbashkët për medie më zëvendëskryeministrin Thaçi, ministri austriak, Kurz tha se Austria mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, se Kosova ka kontribuar ndjeshëm në këtë drejtim përmes përballjes së suksesshme me fluksin e migrantëve dhe se mbeten për t’u plotësuar kriteret e fundit.
Ministri austriak Kurz i inkurajoi autoritetet kosovare që të thellojnë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e sundimit të së drejtës, gjë që, sipas tij, do t’i sjellë Kosovës edhe më shumë investime në të gjitha fushat.
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz, mbërriti sot pasdite në Prishtinë, ku takohet me autoritetet më të larta të Kosovës.

Filed Under: Komente Tagged With: çështje e rëndësishme, Kurz: Kosova, për Austrinë

” N Ë   E M Ë R   T Ë   D A S H U R I S Ë “

February 11, 2016 by dgreca

(Tregim për Shën Valentinin )
NGA SOTIR ATHANASI/
Buqeta me lule qëndronte ende mbi tavolinë. Atë nuk e meritoi as tregimi I fundit që bënte fjalë për sakrificën ditën e Shën Valentinit. Njëzetë kilometra rrugë të përshkuara me këmbë për të takuar të dashurën, u lanë mënjanë e tregimi u rreshtua pranë të tjerave të rëna poshtë si gjethe nga buqeta.  Arsyetimi për t’a vlerësuar ishte jo vetëm llogjik,  por edhe i thjeshtë: Maratonomaku bëri 42 km. e kusur. Vërtet ai shpuri në Athinë lajmin e fitores, por të takosh të dashurën në distancë, mos vallë është më pak triumfuese?
Këtë dëshmi pranuar nga të gjithë, por edhe raskapitjen e  “Maratonomakut-dashnor”, e rrëzoi dikush. Shkaku? Gradiacion I pamjaftueshëm, – tha njëri nga ne që, vazhdimisht metaforat I gjente pranë shishes së rakisë. 
– Sepse të ka ndihmuar hapi I parë që duhet të ketë qënë si I çmëndur, por  veprimi s’qe prej të marri, – tha një I dytë, gjithashtu profesionist në të pirë, por që, kundërtinë e gjërave të dy e nuhasnin dbe dinin t’a argumentonin nga pozicioni I tyre që ua kishte zili çdo mashkull esëll.             Rrëzimi pra, ishte llogjik. Kërkohej e padëgjuara.
Ishim pesë burra dhe të gjithë kishim rrëfyer historitë tona. Secilit nga ne i qe dukur se do të tejshpinte caqet e konturimit në kuotën e buqetës me lule për heroizmin karshi të dashurës së tij.
Kur erdhi ai që do t’a meritonte vërtet këtë trofe-simbol, ( të cilin unë mezi e prisja ), të gjithë, thuajse e harruan shkakun pse ajo orkide zbukuronte dhe ermonte trapezën tonë. Edhe pse  klientela që vinte në lokal do të kthente, mepatjetër kryet nga ne. Zilia e sidomos  lakmia për t’a pasur atë që,  si një fqinjë e dashur për këdo, tundonte gjithkënd.
Se ishte dita e Shën Valentinit dhe kjo ndjehej kudo, sidomos në atë lokal mbushur me rini. Veçse. . .
Dikush madje, i kërkoi një buqetë lule kamarjeres  dhe kur ajo, ngrijti supet e hutuar, ai I tha:
– Të paktën sillna një buzëqeshje t’a vëmë mbi tryezën tonë.  Se është dita e Shën Valentinit.
Por ajo u hutua edhe më shumë për momentin. Kur e kuptoi, u zgërdhi, gjë që nuk kënaqi askënd, aq më pak  klientin. E qeshura e saj ngjante me një trëndafil të zhgaravitur nga shiu e të flakur në rrugë.
Gjithsesi. . . .
Ajo që do të dëgjoni, nuk mund të shpërblehet vetëm me një orkide. Jo. Asnjë kopsht I tërë me lule nuk e përmbush dot këtë rekord të ri e të paarritshëm.
Ne  porositëm birë dhe meze, se të parat I pimë ashtu, thuajse  thatë, ngaqë kamarjeri na kishte sjellë dy pjata mëlçi të përbashkëta.  Kuptohet që njeriu në shërbim u urdhërua të shtonte një racion  edhe për shokun tonë të sapombërritur.
– Është rradha jote të tregosh sakrificën për Shën Valentinin, – I thashë unë
Ai më hodhi një vështrim I befasuar.
– Vërtet s’e keni marrë vesh?
– Jo. Pse? Çfarë duhet të dinim?- bëra të paditurin dhe u bashkova me të tjerët që do të mësonin se ç’kishte ndodhur edhe sepse ai e dinte që Sekuritivi I porsaardhur, ishte baxhanaku im dhe bënte pjesë prej kohësh në shoqërinë tonë, ndonëse i një tjetër profili ai qe.
– Vërtet nuk e dini, apo kërkoni t’ua them unë? – përsëriti pyetjen ai dhe iu drejtua të tjerëve. Kësaj here, mesadukej, kërkonte të bindej që, sekreti nuk kishte dalë nga unë. Dhe nuk u gabua.
Për atë ngjarje, krejtësisht të pazakontë, për të mos thënë të jashtëzakonshme, duhet të fliste vetë i zoti.
Të gjithë ngrijtën supet dhe e siguruan se nuk dinim asgjë të veçantë për të.
– Këtë buqetë me lule do ta shpinit mbi varrin tim në qoftëse ditën e Shën Valentinit të vitit që shkoi, do të qe realizuar kurthi që më ngrijti, ish I burri I asaj që unë dashuroj dhe që do të bëhet së shpejti gruaja ime.
Mënjanë hatërmbetjes pse kishte heshtur një vit të tërë.
Kaq mjafton që të lëmë,  jo vetëm gotat, por edhe mbllaçitjen. Të mprehim veshët e të dëgjojmë.
Gara qëndron ende e hapur për fitoren e orkides . 
Porositë akoma nuk kanë ardhur dhe ne kemi gjithë kohën e mjaftueshme për të dëgjuar historinë.
ishim të ndërgjegjshëm se për emrin e së dashurës, burri I vërtetë, është I heshtur si shkëmbi. Në rastin konkret, edhe pse mund të bëhej përjashtim, ne nuk e kërkonim. Veprimin po.
Këtë atij ne ia kërkonim dhe s’kishte pse t’a mbante të fshehtë.
– Agjensia turistike ku punonte e dashura, ndodhej në katin e shtatë. Kurse, studioja ime e pikturës, siç edhe e dini, është një kat më sipër, por në një psllat dy kuadrate më tyrje.
Për dashurinë tonë, (kështu kujtonim ne )  nuk kishte dijeni njeri tjetër në atë godinë, përveç sekuritivit në hyrje. Edhe ky rastësisht, tek po dilte nga takimi me të dashurën e tij që punonte  në një OJQ-ë, në të njëjtin kat, na pa duke u puthur teksa ajo po më përcillte në ashensor.  Buzëqeshi dhe u largua.
Unë, me ‘të nuk është se kisha ndonjë shoqëri, edhe sepse rastiste ndonjëherë të uleshin në një trapezë, këtu si sot. Kjo më bënte që , gjatë hyrje – daljeve,  nuk ia kurseja përshëndetjet e mirësjelljes me buzëqeshje, si vërsnikë rioshë e tani, si të dashuruar rishtas.
Veçse, më duhet të pohoj që të dyve nuk na pëlqeu kjo. . . , flagrancë, të
tthemi. Se, në fund të fundit e tillë ajo qe.
Sekuritivi e kishte komshie atë dhe fatmirësisht, kur zbrita, ai do të më tregonte, se burri I saj kish një egërsi “të lindur”, do t’a emërtonte ai. Prandaj edhe fqinja ime,  e kishte hedhur dashurinë tek ju, z.piktor, – do të përfundonte fjalinë. 
Sekuritivi, I kishte vënë re  duke u grindur edhe tek zbrisnin nga ashensori. Se e sillte dhe e merrte vetë nga vëndi i punës. Xhelozia e tij e linte ku e ku atë që kemi parë tek Otello.
Të gjitha këto,  nuk është se s’i dija. Mbasi m’i kishte thënë edhe e dashura. Por sidoqoftë, vërtetonin fjalët dhe shkaqet e saj, pse s’mund të vazhdonte jetën me atë njeri. 
– Ji I  kujdesshëm,  por mos iu trëmb, se ai është frikacak dhe, atë që nuk ka guxim të t’a bëjë ty, i zbrazet asaj që ti dashuron.
Kjo  qe porosia e Sekuritivit.
Që kishte dorë, edhe unë e dija. Por, s’mund t’i dilja hapur nga që ai zyrtarisht  ishte i shoqi dhe serioziteti e kërkonte, të zhbëhej si i tillë. Ajo konsiderohej ende grua e martuar pavarësisht se jetonin të ndarë  secili në dhomën e vet, brënda një kulmi.
Kërcënimi se do t’a vriste, po t’a gjente në shoqërinë e dikujt, e tmerronte, me të drejtë, vajzën. ( Se, lavdi Zotit, ende nuk kishin fëmijë ).
Kësaj I trëmbej ajo deri në panik.
Gjyqi do të zhvillohej pas dy ditësh,   dhe unë nuk dëshiroja në asnjë mënyrë, që ajo t’a humbte atë proces të cilin e kishte thuajse të fituar për faj të tij.
Dhe ishim në vigjilje të ditës së Shën Valentinit.
Të nesërmen, unë kisha vajtur aty në kohën e drekës. Në dorë, siç shtë e kuptueshme, mbaja një orkide si kjo që keni vënë këtu mbi tavolinë.
Nuk kishim këmbyer ende mirë përshëndetjet dhe puthjet  e para, kur më bën zile Sekuritivi me të cilin sapo isha ndarë në hyrje, përpara se të merrja ashensorin.
E hapa celularin dhe dëgjoj zërin e tij që folii shkurt, por I alarmuar:
– Avulloju se po vjen nga shkallët  drejt teje!
S’ishte e nevojshme të pyesja se kush. Dihej për kë bëhej fjalë.
Gjëja e parë që më ra në mënd ishte: më paska përgjuar dhe më ka ndjekur nga pas. Xhelozia çfarë nuk bën. S’kishte kohë për fluturime filozofike. Kërkohej shpejtësi, fshehje të provave fluturimthi, nga unë, kërkohej.
Prandaj, së pari rrëmbeva ngutshëm, buqetën e luleve nga tryeza e punës së të  dashurës dhe e vendosa tek ajo  e bashkëpuntores tjetër karshi që, për momentin ishte larguar  me shokun e saj, si gjithë personeli në atë godinë zyrash, si ditë e shënuar që ishte.
Përvoja në shumëkatëshin ku banoj, më kishte bërë që të mbaja çelësin që e hap portën e kafazit të ashensorit kur ai difektohet me njerëz brënda. Nuk duroja dot thirrjet dhe alarmin e banorëve të bashkëmbyllur  në atë kabine metalike. Fakti që gjithë ditën e kaloj në studion time, më bën të dëgjoj, ndonëse jo shpesh,  komplet rastet  difektoze të atij mekanizmi qytetërues.
Angari, por falë asaj përvoje të bezdisshme, gjeta ganxhën e shpëtimit.
Çështja e së dashurës sime me burrin ligjor, zgjidhej nesër dhe rregullohej kështu një gabim biologjik.
Kurse, nderi I saj, me patjetër, duhet të mbrohej sot dhe mbante të pastër e të mbrojtur karakterin e saj moral.
Futa dorën në xhep dhe u sigurova se çelsi I ashensorit, ndodhej aty. Sfida kërkonte çmëndurinë. Unë e pranova atë.
Prandaj, instiktivisht me ngut e një shpajtësi-rrufe,  hapa portën e kafazit të ashensorit dhe u futa brënda. E mbylla atë dhe u kapa në kapriatat metalike. Dija që aty, një ganxhe mund t’i ndryshoje drejtimin që të pengonte ashensorin të ngjitej deri tek unë. E bëra, por a do të funksiononte?
Çështja ime të rrosh, a të mos rrosh, vendosej nga ai çast, menjëherë, aty.
. . . . . . .
Nga ai pus hekurash, shihja makaranë e çelniktë,  tek ulej në njërin krahë dhe kabinën metalike që ngrihej në krahun tjetër. Gjarpri po zbriste poshtë si të të donte të ushqente  përbindëshi I cili po ngjitej lart, drejt meje. 
Zemra  po më rrihte me aq shpejtësi, si të ishte  kthyer në një kundramekanizëm që do të qe në gjëndje të merrte në dorë fatin e jetës sime. Të kryente atë që s’bënin dot as mëndja dhe as krahët e mi. T’a ndalonte atë kosh metalik.
Në një çast, me të dhjetat e sekondit, arsyetova:
mjafton që unë të përqëndroj  shikimin te ajo masë gjigante e cila në një dekikë  të vetëm, m’u duk se nisi rrotullimin mbrapsht. Po.
Ndaloi dhe vetëm atëhere, kraharori im u  mbush me frymë.
Ç’kishte ndodhur? Ndonjë difekt. . . , ?
Apo ishte numurimi kryengulthi I sekondave të jetës sime?
Për një tjetër plasaritje, ( gjithmonë në të dhjetat e mbase qindtat e sekondit ) pashë të gjithë procesin gjyqësor që do të zhvillohej të nesërmen dhe fitorja e të dashurës që mori divorcin për shkak xhelozie dbe jo tradhtisë që mëtonte I shoqi I saj si shkakun e ndarjes.
Dhe, pas kësaj, vërtet ashensori u rinis dbe mua nuk më doli zemra nga kraharori, veçse tani, shpresëmadh te e pandodhura deri më sot e shihja me sy të zgurdulluar që ai të ndalej. Dhe. . .
O Zot i madh, ai u ndali një herë e mirë në katin e gjashtë. Kjo vinte pas dy stacioneve dhe ishte e treta, e vërteta
Frenimi I tij I beftë, çuditërisht më ngjau me hingëllimën e një duzinë kuajsh të stërlodhur,  që tërheqin një karrocë dhe që ndalen njëherësh, për të mos shkelur njeriun që u ka dalë befas përballë. Madje, unë kisha ndjesinë edhe të zmbrapsjes së tyre si shkakun e asaj hingëllime-protestë. Thuhet se kuajt nuk e shkelin kurrë me dëshirën e tyre njeriun. Aq më pak, kur nuk e ndjejnë rrezikshmërinë e tij. Të jetë kjo diçka hyjnore, a si paisje e veçantë për të përballuar të papriturat e jetës? Mundet që t’i ketë paisur Qielli këto qënie të çuditshme edhe me cilësi të tilla huazuar nga njeriu? Apo është zhballancim  që bën natyra për të kompensuar të keqen që mund të detyrohemi të përballojmë nga frymorë
të tillë mostra?
(Ndërhyn autori për të shpjeguar paqartësinë dhe hutimin e Personazhit ):
– Po, miqt e mi. Personazhi ynë, të cilin le ta quajmë Romeo, se dashuria e tij, thuajse një fat të ngjajshëm e një fund tragjik i kishte rezervuar. Është për këtë arsye që, ai me ndërgjeje e priste kështu, t’ia sillte fantazia e tij e trazuar në tru, përfundimin allogjik.
– Thashë unë, – ndërhyri shoku ynë i metaforave me pije. – Vetëm një i çmëndur ngs dashuria, mund të bëjë veprime të tilla. Se dehja nga dashuria, ia kalon të gjitha llojeve të pijeve. Ajo nuk është lëng. E një gjë që s’shtë lëng dhe ti e do, është shpirt që shpirtin tënd kërkon.  Prandaj edhe thuhet për një rioshe tërheqëse:  “ishte e bukur si shpirt”, QËNIA”! Dhe kur ky  shpirt të do siç edhe ti e do, atëhere vjen dehja. Pas saj dashuria,  hyn në garë me çmëndurinë.  Në finale asgjë s’mund të parashikohet.
– E vërteta, miqt e mi – nisi sërish autori, – ishte krejt ndryshe. Dhe ja sepse:
Otello ( le t’a quajmë kështu personazhin tjetër, xhelozin tonë, si mbeturinë e së shkuarës ),
– Atavist,  – ndërhyri e tha dikush,
Otello pra, nuk kishte marrë thikë me vete.:Se atë ia kishte lënë adashit të tij me ngjyrë, por trim.
Otellua  ynë, kishte dinakërinë e Odisesë. Prandaj, hapat e tij, tejet të vrullshme, frenuan te portat e përgjimit.
Aty nis e merr flatra dinakëria e Odisesë. Sapo qe njohur me metodën e nxjerrjes se njerëzve nga ashensori, që praktikonte ky piktor humanist. Si pasojë, mëndja e tij kishte përpunuar likuidimin e kundërshtarit duke përdorur, pikërisht aftësinë e tij shpëtuese.
Diallëzia përherë ka bashkëudhëtuar me mirësinë   në mos për t’a zhbërë, të paktën për t’a baltosur atë, të cilën e quante marrëzi.
– Akoma s’ka lënë, bashkë me shpirtin edhe kockat, pranë asaj që dashuron? – kishte thënë ai me vete dhe e mori ashensorin në katin e dytë. U nis nga shkallët, për t’a rimarrë në të katërtin dhe të gjashtin. Aty, I mbushur me vetësiguri për çfarë do të bënte, mori shkallët për në të shtatin. Ku ishte edhe vëndi I ekzekutimit.
Kur vajti në zyrën e gruas së tij në dorë mbante tufën me lule, përzgjedhja e së cilës i përkiste buqetave që shpien në funerale. Në fytyrë,  kishte maskën e shpërfillësit për atë që pritej të ndodhte, përzier me një buzëqeshje deri në skaj të shtirjes.
– Je gati e dashur? – I tha ai dhe I dha  tufën e luleve.
Ironia e atij shikimi përkthehej në fjalët: “Ke kuriozitetin të shikosh fundin, a budallallëkun e bandillit tënd?
Jargavitja në të folur dhe shtirja si ëmbëlsi, tek ajo përkthehej në ftesë për ekzekutim.
Shpirti I saj, atë sekondë Iu përgjigj:
“Po. Jam gati vetëm të më hiqesh sysh”. Por u përmbajt.
Tjetri s’qe I denjë as për ‘to. Prandaj, e zbehtë në fytyrë e mori
buqetën dhe si  e hodhi në koshin e mbeturinave shkresore i tha:
– Pse erdhe që sot, apo nuk të durohet deri nesër ku do të shihemi në gjyq?
Atij nuk I bëri përshtypje ky refuzim, ose u shtir si I tillë, se mepadurim priste t’i thoshte tjetër gjë.
– Bashk për kësi punësh kam ardhë.  Me të dhanë shkresën e Xhyqit për mos me mungue. Se e di se ti je ADALET femre dhe s’pyet as për asni  xhyqsh.
( Ndërhyn sërish autori për të spjeguar gjuhën e tipit ) :
– Miqt e mi. Në arsyetimet e këtij personazhi mos u çuditni kur shihni karakteristikat e një të dehuri. Jo. Është normal dhe ka gjuhën e tyre që, të diktuar nga rakia, kur duan të thonë ALAMET, për një femër, gjuha e tyre shkon si metatezë e thonë “ADALET femre”.
– Faleminderit, – tha ajo.- por s’ishte aspak e nevojshme se ma solli posta dhe unë mezi pres të të shoh nesër, në atë XHYQSH ( e talli ajo të folurën e tij ) .
Ai vazhdimisht me atë panatyrshmërinë e tij të pasuksesshme kërkonte të fshihte, por edhe të kapardisej me kurthin e ngrijtur fshehtësisht dhe sidomos djallëzisht, për të pangjarën deri tani.
– Marrim ashensorin dhe aty kam me t’a rrëfye NJI SURPRAIZË.
Ajo qeshi me sarkazëm e saj, tejet therëse.
“Do të më mburret, mbase me krimin e përgatitur”,- mendoi ato çaste dhe bashkë me dridhjen e zemrës ndjeu edhe një urrejtje e bindje të re në drejtësinë e vendimit të saj për ndarje. Përbuzja pranë kësaj pretenca qëndonte, neveria gjithashtu.
– Dhe, miqt e mi, ( u ngut të marri fjalën autori e të jepte një shpjegim më lehtësues për atë që do të ndodhte më pas ).
Otello iu drejtua ashensorit e madje shtypi edhe butonin e tij, që ai të vinte nga kati i gjashtë, si armën vrasëse nga qelia.
Asaj më shumë I klithi zemra, se sa zëri ndonëse me të gjithë fuqinë e shpirtit u mundua t’a lëshojë. Se për ‘të, mbërrijta e ashensorit në atë kat, qe baraz me zhbërjen e të dashurit, me humbjen e tij, me vdekjen e saj.
– Jo! Jo të thashë! – qe thirrja me sa kishte në kokë. – Do të ngjitem me këmbë në . . ., atë  GJYQIN E MADH.
Dhe u kthye në zyrë. Nuk arriti t’a mbylli portën, që mbeti për gjysëm hapur.
Mëndjen e kishte te bisturia me të cilën do të priste damarët e  dorës dhe do të shtrihej menjëherë në dysheme. Gjaku nuk e mbajti më në këmbë.
Qe e sigurtë se nuk do  të dëgjonte ulërimën e të dashurit të saj kur t’a zinte si në çark ajo masë e hekurt. Prandaj, parapëlqeu një fund të tillë, të butë për vete.
Nga dritareza e portës së ashensorit dukej koridori i gjatë që ishte gjysëm I ndriçuar, si zakonisht.
Tani isha I bindur se një kat më poshtë tij, qëndronte i pa lëvizur, ashensori, – do të shpjegonte Romeo.
Mrekullia ndodhi. Ajo nuk ishte e ujqërve, siç kemi dëgjuar të ketë ngjarë një, a dy shekulj më parë për të shpëtuar  nga “ujqërit e bardhë”  një zonjë të vërtetë aristokrate.
Romeo jonë pas asaj britma të së dashurës së tij, në vënd që t’i gëzohej kësaj mrekullie, shqetësohet dhe mundohet të shohi nga dritarja pas atij kafazi ku burgosi vetveten.
Vështrimin  atje e kishte  mbajtur gjatë gjithë kohës dhe nuk kuptonte ç’kishte ngjarë.
  I shqetësuar për  Zhuljetën ( le t’a pagëzojmë me këtë emër që I përafron fati I saj ),   Romeo, pas asaj thirrje, që po ia dëgjonte më zërin aq të ëmbël të së dashurës, hapi menjëherë kafazin dhe kur doli jashtë, përplasi portën që u  mbyll me rrapëllëmë.
Ndërkaq, mbërrijti Sekuritivi
Të dy u turrën menjëherë brënda zyrës ku panë Zhuljetën e shtrirë
në dysheme. Gjaku I kishte bërë një njollë të madhe mbi pantallona nga dora që s’rreshtte të rridhte dhe që ajo e kishte vënë mbi këmbë. 
Pranë, burri I saj ligjor me përhumbjen e një dudumi.
Ai nuk ngjante gjithaq me një kriminel. Mbase me një gabim biologjik ai shëmbëllente. Dhe juridiksioni nuk e dimë nëse ka ligje për raste të tilla.
Fytyra e tij e zbehtë si meit, nuk shprehte asgjë, edhe pse qe motivi I një krimi.
Romeo me një lëvizje të shpejtë, mënjanoi dudumin dhe ndërsa hoqi nxitimthi këmishën, e shqeu atë me dhëmbë siç do të dëshironte të bënte  me shkaktarin e kësaj drame dhe I lidhi dorën ëndrrës së tij të nëpërkëmbur. Trëndafilit të zhgaravitur në shi!
Kur u sigurua se pulsi në dorën tjetër punonte  mirë,
e mori Zhuljetën  përpara krahëve të tij  për të zbritur nga shkallët.
Por, s’qe e domosdoshme. Sekuritivi qe lëshuar prej tyre rrufe dhe qe rikthyer  në  katin e shtatë me ashensor.
Kuptohet nga lexuesi ynë I vëmëndshëm se: nuk kishte ndodhur asnjë mrekulli.
Heroi në këtë mes ishte Sekuritivi. Ai e kishte ndjekur rrugën e Otellos me dinakërinë e Odisesë, por me një qëllim tejet human. Ai kishte kujdes që ashensori të mos e kalonte katin e gjashtë. Në këtë pikë, ai uli automatin e siguresave, të cilin e ngrijti kur zbriti poshtë dhe mundi të vijë sërish në katin e shtatë.
Romeo me Zhuljetën përpara duarve, bashkë me Sekutivin u futën në ashensor.
Edhe natyra bën gabime. Burri biollogjik ishte një shëmbëll i gjallë. Ai mbeti përjashta dhe mori shkallët e zbritjes.
Shtatë kate nuk janë shumë. Se mund të ishin edhe shtatëdhjetë e shtatë.
Buqetën e luleve ne menduam se i takonte jo vetëm Romeos, por sidomos  Zhuljetës, të cilën pas kësaj, dëshironim t’a njihnim dhe t’a bënim pjestare të trapezës sonë krijuese, që nuk ka financë më shumë se një orkidë si shpërblim. Prandaj ia dhamë Romeos me kushtin që t’ia shpinte Zhuljetës
Kurse Sekuritivit, i takonte fjongua e saj.
Tek e fundit, detyrën e mbrojtësit të jetëve njerëzore ai ka. Dhe atë, ai bëri shkëlqyeshëm.
Athinë, 7 Shkurt, 2016!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ne emer te Dashurise, Sotir Athanasi, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT