Facebook i beson mirëmbajtjen e rrjetit, shkodranit 14 vjeçar Nilidon Pepushaj/
PRISHTINË, 8 Shkurt/ATSH/.- Një fëmijë i zakonshëm është Nilidon Pepushaj, 14 vjeçari shkodran që dëshira për të krijuar dita-ditës po e bënë të veçantë. Pepushaj ka aftësi të mëdha në përdorimin e kompjuterit, aq sa stafi i rrjetit më të madh social, Facebook, e ka vënë atë në listën e njerëzve të besuar dhe tashmë ai ka qasje në mirëmbajtjen e këtij rrjeti.
Pepushajt i është kërkuar nga Facebook që të mbyllë faqet jo-reale. Programet kompjuterike edhe aftësinë e tij për t’i zotëruar ia dedikon profesorit të tij, Arben Çokaj dhe librave të tij. 14 vjeçari shkodran përdor programet e fundit hollivudiane për krijimet e tij kompjuterike, të cilat i publikon në kanalin e tij në youtube.
“Unë kam kanalin në youtube ku hedh video dhe shpjegoj probleme kompjuterike. Profesori Arben Çokaj më ka ndihmuar shumë. Dy librat që ai ka botuar janë tepër të vlefshme”, ka thënë Nilidon Pepushaj, njofton Oranews.
Gjithashtu është shpërblyer nga youtube, ku edhe ka përfituar pagesë për të cilat paguan edhe taksa. Pasioni i Nilidonit 14 vjeçar, nuk është vetëm bota kompjuterike. Letërsia zë gjithashtu një vend të veçantë në kohën e tij. Ai ka botuar tre libra deri tani dhe është në botim të katërtit.
‘Zoti i zi në Shtëpinë e Bardhë’ është botimi i parë i tij i frymëzuar nga filmat vizatimorë. Botim i dytë është romani ’15 minuta lojë me kohën ‘
Lirikën e ka shfaqur në vëllimin me poezi të titulluar ‘Qesh e Qaj me mijëra djaj’. Një libër i tij i preferuar është edhe një libër i presidentit amerikan,Barack Obama, i cili ka lënë shenjë në memorien e Nilidonit për triumfin e tij si njeriu më i fuqishëm në botë. Një libër që do t’ua sugjeronte fëmijëve të moshës së tij është Tom Sojeri.
Rasti i Nilidon Pepushajt nga Shkodra është një rast i veçantë për të gjithë fëmijët shqiptarë, po ashtu edhe një rast frymëzues, se si me punë dhe dëshirë mund të arrish shumë sukses.
Nilidon Pepushaj është një 14 vjeçar nga Shkodra. Ai vazhdon klasën e tetë në shkollën jopublike të quajtur ‘Zemra e Krishtit’.
Archives for February 2016
Regjistrimi i emigranteve, Opozita: Ligji cënon të drejtat e njeriut
Nga Arbi Fortuzi/. Pr/ligji për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është një detyrë patriotike, tha Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, teksa për opozitën është një tentativë manipulimi për zgjedhjet.
Por çështja e votimit të emigrantëve kryefjalë e debateve në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, ku Ministri i Punëve të Brendshme prezantoi pr/ligjin për t’i ardhur në ndihmë emigrantëve.
Në nisje të punës së komisionit, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se drafti i paraqitur nga Ministria e Brendshme nuk duhet të shqyrtohet nga Komisioni në fjalë, por nga Komisioni posaçëm për reformën Zgjedhore.
Kjo, sipas Bylykbashit, pasi për ligji në mënyrë direkt ndikon në votimin e emigrantëve dhe i cënon të drejtën e votës atyre, ç’ka është dhe shkelje të drejtave të njeriut. “Ne nuk jemi që ky ligj mos të kalojë, por jo në këtë komision, pasi ligji cënon të drejtat e njeriut që lidhen me votën dhe ne kemi rënë dakord të reformojmë kodin zgjedhor dhe për këta arsye ky draft duhet të diskutohet në atë komision”, tha Bylykbashi.
Kërkesa u hodh poshtë nga deputetët e mazhorancës dhe Ministri Tahiri i cili mori fjalën për të prezantuar draftin në fjalë.
Në krye të fjalë së tij, Ministri i Punëve të Brendshme tha se ligji nuk ka lidhje me proçesin zgjedhor, por është një gur themeli, që në një të ardhme të votojnë edhe emigrantët. “Kjo është më pakta që mund të bëjmë. Ne sot nuk kemi asnjë informacion mbi numrin e tyre. Ne sot dimë që në Shqipëri janë regjistruar 4.2 milion banorë, një pjesë e mirë e të cilëve nuk e dimë nëse janë apo jo në Shqipëri. Ne dimë që nga viti 1990 deri më sot kanë lindur 250 mijë fëmijë shqiptarë jashtë vendit dhe vetëm kaq”, tha Tahiri, teksa shtoi se për këto shqiptarë nuk garantohet asnjë e drejtë, ç’ka tashmë me ligj do ti garantohet.
“Pra, në qoftë se deri më sot për votën e emigrantëve janë bërë fushata, deklarata politike konstante, janë angazhuar energji pafund nga shoqëria civile, partitë politike, e thuajse çdo mazhorancë, ky është projektligji i parë që shtron gurin e themelit për të shkuar deri atje. Që do të thotë: për të shkuar tek vota e emigrantëve, fillimisht duhet të dimë kush, sa dhe ku banojnë emigrantët tanë. Kështu e ka bërë gjithë bota, nuk është se po shpikim ne. Por nëse kjo ndodh apo jo, varet nga sistemi i reformës në sistemin zgjedhor”, tha Tahiri.
Ai gjithashtu tha se qëllimi ligjit është të hapi diapazonin e shërbimeve për emigrantët. “Ne duam të kthejmë mbrapsht borxhin historik që i kemi emigrantëve. Janë kontributorë të rëndësishëm në buxhetin e shtetit. Por, kur vjen puna tek të drejtat që iu kthejmë mbrapsht është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë ç’është e mundur. Dhe kjo është barra e shtetit shqiptar: të bëjmë ç’është e mundur që emigrantët të mos vuajnë për shërbime. Rropaten dyerve të ambasadave, mbajnë radhë me turne, me orë të tëra, e fillojnë radhën në fundjavë për të kapur të hënën. Kjo e gjitha ndodh sepse ne nuk kemi zhvilluar asnjë mundësi për t’u shërbyer emigrantëve siç duhet, me dinjitet. Emigrantët meritojnë dinjitet! Dhe në qoftë se këtë dinjitet nuk ua garanton më së pari shteti shqiptar, është e kotë që ne të bëjmë nacionalistin kur shtete të tjera ua cenojnë dinjitetin shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë”, tha Tahiri, duke i hapur rrugën pyetjeve dhe debateve, të cilat zgjatën për më shumë se dy orë.
Partia Demokratike përmes deputetëve të saj, Oerd Bylykbashki, Eduard Halimi dhe Arben Ristani shprehën shqetësimin e tyre se ligji cënon të drejtën themelore të njeriut votën. Në argumentat e sjella nga të djathtët mbizotëronin dy element bazik se përse ky pr/ligj nuk mund të votohej. Sipas Bylykbashi, pr/ligji është në kundërshtim me kodin zgjedhor. “Nuk mund të votojmë një ligj, që i përjashton emigrantët nga vota. Këtë e them se, në kodin zgjedhor thuhet, që lista e zgjedhësve përcaktohet në bazë të vendbanimit brenda territorit Shqiptarë dhe në përkatësi me zonën zgjedhore. Pra, në rast se ky shqiptarë jeton jashtë vendit, automatikisht nuk ka zonë zgjedhore dhe për deduksion ky person eliminohet nga votimi dhe i shkelet e drejta”, tha Bylykbashi.Nga krahu tjetër, Deputeti i P_MG_1505D-së, Arben Ristani tha se vendosja e afateve, 3-6 muaj për regjistrim është një shkelje tjetër e të drejtave të njeriut. “Nuk ka qeveri në botë që kërcënon qytetarët e saj se po nuk u regjistrove nuk merr shërbimet dhe nuk ka kryeministër që ta pretendoj këtë, pasi nuk mund ti thuash asnëriu që ti je shqiptarë, por smund të marrësh shërbime nga vendi yt”, tha Ristani.
Ndërkohë, ish-Ministri Drejtësisë, Eduard Halimi shtoi se problem i qenësishëm i këtij i drafti është fakti se vetë Ministri nuk e ka të qartë se çfarë po bënë, pasi në letër shkruan diçka tjetër dhe në artikulim thotë diçka tjetër. “Në relacionin e bashkangjitur këtij drafti lexohet dhe është firmosur nga vetëm Ministri Tahiri se, ky pr/ligj ndihmon edhe në futjen e emigrantëve në procesin e votimit, ndërsa këtu ai tha se nuk lidhet me çështjen e votimit, por është një gur themeli, pra është kontradiktor dhe është e qartë, që gjithë ky draft, që futet me nxitim në rend të ditës, që sillet me nxitim për tu shqyrtuar dhe për të kaluar në senacën plenare fsheh pas dëshirën për të manipuluar listat zgjedhore dhe për këtë faktet janë të shumta”, tha Halimi, duke kujtuar listat zgjedhore në Durrës, Kavajë..etj.
“Ju dini fare mirë si u shtuan 2000 qytetarë në Durrës në kohën zgjedhjeve, disa jetonin në kontinenti e portit, disa në pallate të pabanueshme. E njëjta gjë ndodhi edhe në Kavajë. Ju e dini fare mirë se si shumë emigrantë edhe pse nuk ishin në vendin tonë votuan dhe kështu me radhë, pra ju këtë kërkoni. Dhe ju prap e dini se si prokuroria pasi i dërgova unë dokumentat që faktonin manipulimin fjeti mbi dosjet”, tha Halimi.
Në përgjigje të pretendimeve të deputetëve të opozitës, Ministri i Punëve të Brendshme tha se, lidhur me afatin (3 – 6 muaj), ai ka absolutisht lidhje me kohëzgjatjen minimale të deklarimit të banimit të përhershëm (rezidencës), për të shmangur eventualitetin kur qytetarë shqiptarë shkojnë jashtë Shqipërisë dhe detyrimin që kanë për t’u regjistruar.
“Ne themi se duhet të regjistrohen ata qytetarë shqiptarë që shkojnë më shumë jashtë Shqipërisë për kaq kohë që është minimumi. Kjo ndodh në të gjithë botën, është e detyrueshme, përndryshe do të hynim në një rreth vicioz të vetë deklarimit të qytetarëve sa herë dalin jashtë. Gjë që vende shumë të zhvilluara ne Europë e kanë: në qoftë se largohesh për një kohë minimum (që disa vende e kanë 1 muaj disa e kanë pak më shumë), ke detyrimin të shkosh në konsullatë dhe të deklarosh “Unë jam shtetas gjerman, kam ardhur në Shqipëri, do të jetoj këtu një muaj, dhe kjo është adresa ime”. E kanë me detyrim. Ne nuk po shkojmë deri këtu, pasi ky shtet nuk ka këllqe_MG_1494 ta bëjë ende. Nëse kjo punë do të kishte nisur 25, 20, 15 apo 10 vite me parë, do të vija me një ndryshim në ligj ku do të thoja: “Cilido shtetas shqiptar që del jashtë Shqipëri për më shumë se sa një muaj duhet të shkojë në ambasadë në shtetin ku do jetojë një muaj, dhe të thotë: “Unë jam Saimir Tahiri, do vij të jetojë këtu për një muaj, dhe kjo është adresa ime për shtetin tim në rast se duhet të më gjejë”. Ju e dini: kjo ka efekte në procesin gjyqësor, në sistemin fiskal, në sistemin e pasurisë së paluajtshme, dhe në tërësi në tregun e pasurisë. Kjo ka efekte të shumëfishta në marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarit kudo ku është (rezident jashtë apo në vend)”, tha Tahiri.
Depuetetët e Partisë Socialiste, Ulsi Manja, Dashamir Peza, Pandeli Majko dhe relatori i çështjes, Bashkim Fino u shprehën se qeveria nuk mund të mos votoj një ligj, pasi opozita është e pasigurisë se çdo ndodhi. “Unë mund të bashkohem me opozitën dhe frikën e saj, por sndjehem aq i fortë sa ti them shqiptarëve që jetojnë jashtë, vazhdoni ju s’po ju regjistrojë, vijoni në të errësirë, jepni lekë, por skeni shërbime sepse opozita ka frikë se nuk e votoni atë. Jo, unë them ti regjistrojmë dhe këto ankesa shprehini në komisionin e reformës zgjedhore”, tha Peza. Në të njëjën linjë u shprehën dhe deputetët e tjerë të krahut të majtë.
Në fund, deputetët e mazhorancës votuan pr/ligjin dhe i hapin rrugë kalimit të tij në seancë plenare të enjten.
Reforma në drejtësi, Kukan dhe Fleckenstein nisin takimet në Tiranë
Tirane, 8 Shkurt 2016-Dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan kanë mbërritur sot në Tiranë ku kanë një agjendë të ngjeshur takimesh me krerët më të lartë të politikës shqiptare.
Flcekenstein dhe Kukan do të kenë në fokus të takimeve të tyre disa çështje të rëndësishme, para së gjithash implementimin e reformës në drejtësi. Pak para se të takohen me kryeministrin Edi Rama, eurodeputetët janë takuar me ambasadoren e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin.
Ata kanë pranuar se takimet e tyre do të orientohen te reforma në drejtësi. “Është shënuar progres për reformën në drejtësi, por duhet të presim Komisionin e Venecias. Reforma në drejtësi do të jetë në fokus të takimeve tona. Vlerësojmë çfarë është bërë deri më sot”, ka deklaruar Fleckenstein.
Po ashtu eurodeputeti gjerman ka folur edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, duke theksuar se ajo “duhet të jetë e pavarur”.
Në orën 12: 00 dy eurodeputetët kanë takuar ambasadoren e BE, Romana Vlahutin, më pas do të takojnë në orën 14: 45 kryeministrin Edi Rama, në 15: 30 takimi me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta e më pas me liderin e opozitës Lulzim Basha.
Rreth orës 16 15 minuta doi të mbahet konferenca e përbashkët për shtyp mes rapotuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein me kreun e Kuvendit Ilir Meta.
Mitrovica – komuna më e varfër në Kosovë
Mitrovica, dikur komuna më e zhvilluar industriale në Kosovë dhe me numrin më të madh të të punësuarve, sot është qyteti pothuajse më i goditur nga papunësia dhe varfëria.
Bazuar në marrëveshjet politike dhe procesin e decentralizimit, Mitrovica është ndarë në dy komuna – atë veriore, të banuar nga shumica serbe dhe Mitrovica jugore, e populluar nga shumica shqiptare.
Përderisa për pjesën veriore, nuk janë ofruar shënime nga autoritetet lokale, sipas të dhënave zyrtare të muajit dhjetor të vitit 2015, në pjesën jugore të komunës së Mitrovicës, afër 2000 familje me rreth 10 mijë anëtarë janë të përfshirë në skemat sociale, shifër kjo që e radhit në vendin e parë krahasuar me komunat tjera.
Kurse, punëkërkues të regjistruar llogariten të jenë mbi 6700 sosh.
Ndryshe, komuna e Mitrovicës (jugu) numëron mbi 72 mijë banorë me 46 vendbanime.
Se Mitrovica është me shkallën më të lartë të varfërisë, pajtohet edhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Mitrovicës, Miran Salihu.
“Shkalla e varfërisë ekstreme në Mitrovicë dallon nga qytetet tjera. Vetëm varfëria ekstreme mund të sillet deri në 18 për qind”, deklaron Salihu për Radion Evropa e Lirë.
Që nga vendosja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në qershor të vitit 1999, Mitrovica mbeti një prej komunave më të tensionuara duke u ndarë dy pjesë, atë jugore dhe veriore.
Problemet e vazhdueshme politike në këtë komunë, vlerësohen të jenë një prej arsyeve që kanë çuar edhe në ngecjen e zhvillimit ekonomik.
Por, ekspertët e ekonomisë fokusohen sidomos te shkalla e zhvillimit ekonomik si problemi kryesor pse mitrovicasit ballafaqohen më së shumti me probleme sociale.
Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se problem kryesor në këtë qytet mbetet politizimi.
Në këtë qytet, më shumë zhvillohet politikë se sa ekonomi, thotë Gërxhaliu, duke shtuar se në këtë kuadër mungon edhe një dialog i mirëfilltë ndërmjet komuniteteve.
Ai, madje, thekson se Oda Ekonomike ka rekomanduar që në qytetin e Mitrovicës, në lumin Ibër të krijohet një zonë ekonomike.
“Vetëm ekonomia dhe zhvillimi ekonomik mund të jetë mekanizimi kyç i përafrimit të interesave të të gjithëve që jetojnë në Mitrovicë dhe më gjerë. Ne, si Odë Ekonomike, kemi kërkuar që në Mitrovicë të zbatohet modeli i Traktatit të Romës, ku ekonomia dhe zhvillimi ekonomik i përafron kombet, i përafron interesat dhe të gjithë të mendojnë për ardhmërinë dhe jo për të kaluarën”, thekson Gërxhaliu.
Niveli i lartë i papunësisë dhe varfërisë, sipas Gërxhaliut, burimin e vet e ka te jofunksionaliteti dhe jofunksionimi me kapacitete të plota i kombinatit “Trepça”.
Kombinati metalurgjik “Trepça”, ishte i njohur në Kosovë në vazhdimësi si gjigant i zhvillimit ekonomik-industrial. Sektorët e këtij kombinati gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit të Mitrovicës.
Aty, para viteve ’90, kanë punuar 25 mijë veta, ndërkaq aktualisht, sipas shifrave zyrtare, ka rreth 1,435 punëtorë. Përderisa rreth 1200 veta, marrin pensione qoftë edhe të parakohshme.
“Ne jemi duke pasur kontakte të shumta me komunat dhe vërtet një ndër shkaktarët kyç pse jemi në këtë situatë, është procesi i privatizimit. Në këtë drejtim, nëse analizohet viti 1990 kur në Trepçë kanë qenë më tepër se 20 mijë të punësuar dhe sot kur në Trepçë nuk janë të punësuar as 1500 persona, është përgjigjja më e mirë se çka ka ndikuar në këtë varfëri apo gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike në Mitrovicë”, potencon Gërxhaliu.
Komuna e Mitrovicës, përveçse është e pasur me minerale dhe xehe, është vend i pasur edhe me argjend dhe plumb.
Duke u bazuar në pasuritë e Kombinatit “Trepça”, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë fushatës parazgjedhore, kishte premtuar se do të gjeneronte mijëra vende pune duke ulur kështu papunësinë dhe varfërinë.(Nadie Ahmeti)
KOSOVE-Takimi i liderëve te presidentja, përfundon pa marrëveshje
Takimi i liderëve të partive politike në pushtet dhe në opozitë në Kosovë, i cili është organizuar me ftesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përfunduar pa ndonjë rezultat që do të shënonte përparim në drejtim të daljes nga kriza politike në vend.
Në takim me presidenten Jahjaga kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe lideri i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ftesës së presidentes Jahjaga nuk i janë përgjigjur kryetarët e dy partive tjera opozitare, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Fatmir Limaj nga partia Nisma.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është përqendruar më shumë në çështjet e tjera, sesa ato që kanë të bëjnë me gjetjen e ndonjë zgjidhje politike.
Ai ka ftuar opozitën që ta ndalë dhunën, në mënyrë që vendi të mund të ecë përpara me zbatimin e rekomandimeve evropiane, në lidhje me liberalizimin e vizave dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Në asnjë rast, Mustafa nuk ka folur për ndonjë ofertë që mund t’i bëhet opozitës në lidhje me tejkalimin e gjendjes së krijuar.
“Kërkuam që të hiqet dorë nga dhuna, sepse me dhunë nuk mund të zgjidhen problemet në Republikën e Kosovës, as me gaz lotsjellës në Kuvend dhe as me shishe të molotovit dhe me përdorim të mjeteve të tjera të dhunshme ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Kemi nevojë të punojmë bashkërisht për zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asoocim”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë pas takimit që forcat politike në pushtet dhe opozitë duhet t’i tejkalojnë dallimet që i kanë, për hir të interesit shtetëror të Kosovës.
Sipas Thaçit, përfaqësuesi i opozitës në këtë takim, Ramush Haradinaj, nuk i ka ngritur fare si shqetësim temat që më së shumti përplasën skenën politike muajt e fundit, siç është çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe ajo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Thaçi ka thënë se Haradinaj më shumë ishte i përqendruar në çështjen e marrjes së pushtetit.
“Ne kemi propozuar që, së paku, Aleanca (për Ardhmërinë e Kosovës) të marrë pjesë në komisionet e përbashkëta për shkruarjen e statutit të këtij Asociacioni, bashkërisht, që do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”
“Në të njëjtën kohë, të marrë pjesë edhe në një komision kombëtardhe ndërkombëtar, që do të formohet nga presidentja e vendit, për demarkacionin, në mënyrë që ta japë kontributin e vet. Ndërsa, çështjet tjera le të diskutohen në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit,Thaçi ka ripërsëritur se do të respektohet afati ligjor dhe procedurat kushtetuese. Kjo ka lënë të nënkuptohet që koalicioni qeverisës ka mbetur tek qëndrimi i mëhershëm që për këtë post, kandidat i vetëm të mbetet vet Hashim Thaçi, përkundër kundërshtimeve nga opozita.
Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili doli i pari nga takimi, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të shpërndahet, dhe rrjedhimisht të shpallet edhe data e zgjedhjeve.
Gjithashtu, ai është zotuar se opozita do të mbetet e bashkuar, duke thënë se nuk ka ndryshime, si dhe duke nënvizuar se me 17 shkurt do të protestohet nga opozita, me kërkesën që qeveria aktuale të japë dorëheqje.
“Kam kërkuar që menjëherë të shpërndahet parlamenti dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza. Po ashtu, kam kërkuar që presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë.
“Me këtë ardhje në takim, unë e kam shprehur vullnetin tonë të mirë, për të ndihmuar për të dalë nga kriza aktuale. U kam dhënë edhe propozimin. Shpresoj që këta që ishin vendim marrës ose që ishin prezent, do të reflektojnë. Opozita mbetet e bashkuar. Shihemi me 17 shkurt. Aleanca është e vendosur që ta ndihmojë kundërshtimin e mëtejmë të degradimit të shtetit”, ka thënë Haradinaj.
Takimi i thirrur nga presidentja Jahjagaështë thëne se ka si qëllim gjetjen e një zgjidhjeje politike, në mënyrë që Kuvendi t’i kthehet normalitetit, pas bllokimit të punës nga ana e opozitës.
Po ashtu, funksionalizimi i plotë i Kuvendit në këtë fazë, shihet si jetik për Kosovën, ngaqë brenda një muaji, ky institucion duhet të zgjedh presidentin e ri të Kosovës. Në të kundërtën, vendi do të zhytej në një krizë të thellë institucionale e politike.
Në takimin e së hënës, në Zyrën e Presidentes, ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.
Roli i faktorit ndërkombëtar, sidomos atij amerikan, ishte përcaktues edhe në momentin e lidhjes së koalicionit aktual qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.(Kortezi:Bekim Bislimi- Europa e Lire)
- « Previous Page
- 1
- …
- 67
- 68
- 69
- 70
- 71
- …
- 91
- Next Page »