NGA BAHRI OMARI*/
Shumë atdhetarë nga koha në kohë përpiqen t’i hedhin gurë Vatrës dhe kërkojnë të dinë se ç’ka bërë Vatra. Federata Vatra është e vetëmja shoqëri që ka përhapur arësimin midis shqiptarëve. Gjysmët e atyre që dinë të shkruajnë e të këndojnë këtu n’ Amerikë, pa dyshim janë mësuar nga pemët e propagandës kombëtare që ka përhapur shoqëria jonë më të katër anët e Amerikës.
Instituta jonë u mësoi parimet konstitucionale gjithë shqiptarëve t’Amerikës. Sot më çdo kolloni që të vesh, gjen shqiptarë të stërvitur mirë, të cilët dinë të organizojnë një mbledhje, dhe dinë pak a shumë t’i mbajnë bisedimet pas parimeve të shoqërive.
Shqiptarët e Amerikës në kanë marë pjesë në jetën shoqërore, s’ka asnjë dyshim që e kanë fituar me anën e Vatrës. Edukatën që u mungonte nga Vatra e kanë marë. Njëherë e një kohë shumë pak do gjenje shqiptarë që të dinin të shkruanin e të këndonin, po sot ka me qindra, me mijëra.
Nofta disa do duan ta xhveshin Vatrën nga këto shërbime që i ka bërë kombit duke thënë se lëvizjet nëpër kollonitë i bën njëri e tjetri. Dhe këtu është moskuptimi. Vatra është si një general që komandon një ushtëri, e cila, po të dalë fitimtare, nderin e math e merr generali dhe jo ushtarët, të cilët derdhin edhe gjak, se ay është timoni i punës, ay është që bën plane për të dërmuar armikun.
Pastaj Vatra është ajo e vetëmja shoqëri që e ka bërë të njohur në qarket dipllomatike të Evropës çështjen tonë dhe të drejtat me çdo farë mënyre. Për këtë qëllim ka derdhur mijëra dollarë. Me t’atilla veprime Vatra u bë shoqëria që simbolizon një politikë fjeshtë kombëtare, duke mos anuar as nga nonjë anë dhe duke mos u bërë vegël e asnjë propagande të huaj.
Cilado qeveri që ka pandehur ta bënte vegël për politikë të saj shoqërinë tonë, e mori vesh që i goditte sëpata më gur. Armiqtë tanë e kanë halë në sy se e çmojnë që, në ka një organizim që t’i japë jetë çështjes shqiptare, është Vatra. Sot çdo qeveri, si Amerika dhe të tjera, Vatrën pyesin për çështjen tonë, nga ajo shpresojnë që munt të marrin informata të plota dhe të sigurta.
Situata e Shqipërisë i rëndon barrën shoqërisë sonë që të bëjë detyrën e qeverisë dhe ta kapërcejë kufin’ e programit. Vatra shërben më tepër se ç’e detyron programi i saj. Prandaj meriton me të vërtetë të jetë Kruja e Shqiptarëve, se gjithë andej presim të dalë ëngjëlli i lirisë dhe t’i japë frymën shënjtërore Shqipërisë.
Shoqëria jonë e lavdëruar, e ka rrëfyer që është mpështetja jo vetëm e anëtarëve të saj, po e gjithë shqiptarëve, se ka ndihmuar me sa i është mundur çdo shqiptar me çdo rasje. Përveç shërbimeve të para, Vatra, në këto dy vjetët e fundit, u përpoq t’i mirëpriste dhe t’i lehtësonte gjithë shqiptarët që vinin n’ Amerikë, duke emëruar një përfaqësonjës të saj në zyrën e imigratës të New Yorkut. Pastaj që të muntte të kërkonte të drejtat e Shqipërisë për s’afërmi, bëri atë punën më të madhe duke emëruar tre delegatë n’ Evropë, dhe për këtë gjë mblodhi një fond që s’e ka mbledhur asnjë organizim tjatër i shqiptarëve.
Pra Vatra është e vetëmja shoqëri që e përfaqëson çështjen tonë në të huajtë. Ajo është që u interesua të çajë orizontet me qindra telegrame kur ka ardhur rasti. Dhe gjithë këto, Vatra i ka bërë midis shqotave dhe furtunave, se gjithënjë grindavecët kanë dashur ta luftojnë. Prandaj ndihmojeni shoqërinë tonë të madhe duke u bërë anëtarë të saj, që të mundë të vazhdonjë veprën e saj të shenjtë.
* Ish editor i Gazetes Dielli. Ky shkrim ishte editorial i Diellit te 19 dhjetorit 1917
Archives for February 2016
“Zika” në SHBA, rasti i parë i transmetimit të virusit
Një pacient është diagnostikuar me virusin “Zika” në Teksas, pasi ishte infektuar duke pasur marrëdhënie me një tjetër person të diagnostikuar më parë, kanë thënë ekspertët shëndetësorë. Ky është rasti i parë kur ky virus është transmetuar ndërmjet marrëdhënieve seksuale dhe jo nga pickimi i mushkonjave. Ky rast në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është konfirmuar nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Personi nuk kishte udhëtuar në zonat e infektuara, por partneri i tij ishte kthyer nga Venezuela. Deri tani, ishte raportuar se 6 persona ishin prekur me virusin “Zika” në Shtetet e Bashkuara pasi më parë kishin udhëtuar në vende të cilat janë të prekura, ndërsa rasti i fundit është i pari që personi është infektuar pa qenë në zonat e prekura. “Ne tani e dimë se virusi “Zika” mund të transmetohet ndërmjet marrëdhënieve seksuale, kjo e rritë fushatën tonë për ndërgjegjësim dhe edukimin e publikut për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, tha pas konfirmimit të rastit të fundit një zyrtar i shëndetësisë në Dallas. Një ditë më parë, sëmundja e lidhur me virusin “Zika”, që ka shpërthyer kryesisht në vendet e Amerikës Latine, është shpallur emergjencë globale. Ekspertët janë të shqetësuar se, virusi po përhapet me shpejtësi dhe në shumë vende, duke shkaktuar edhe pasoja shkatërrimtare. Infeksioni është i lidhur me rastet e mikrocefalitit, në të cilat fëmijët lindin me tru të pazhvilluar. OBSH-ja e vendosi emergjencën nga Zika në të njëjtën kategori shqetësimi siç vendosi Ebolan pak kohë më parë. Kjo do të thotë se është e nevojshme të ndiqen kërkimet shkencore të nevojshme për të luftuar infeksionin. Anembanë botës janë më shumë, por vetëm në Brazil janë rreth 4.000 raste të raportuara me mikrocefalit që prej muajit tetor të vitit të kaluar. Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan e quajti “Zikën” si një “ngjarje e jashtëzakonshme”, që kërkon një kundërpërgjigje të koordinuar.
Prishtinë, përmbyllet konferenca ndërkombëtare “Germia Hill”
-Tema e konferencës ishte Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale. “Germia Hill” synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e axhendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë në debatet e rëmdësishme të sigurisë rajonale/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Shkurt 2016/ Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës,Skender Hyseni, mori pjesë në përmbylljen e konferencës ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me institutin me renome botërore, Aspen Institute.
Konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, këtë vit është fokusuar në çështjet e sigurisë.
Me këtë rast, ministri Skender Hyseni tha se Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ai tha se MPB është e fokusuar në luftimin, parandalimin e radikalizmit të shoqërisë kosovare, me synim parësor ndalimin dhe parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmin me premisa dhune, që në faza të caktuara të zhvillimit shndërrohet në veprime të dhunshme që marrin format e akteve makabre terroriste.
Gjatë fjalimit të tij në këtë konferencë ndërkombëtare, ministri Skënder Hyseni, është shprehur se krizat dhe konfliktet në Ukrainë dhe në Siri, kanë ndikuar edhe në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
“Është fakt që Kosova për kokë banori ka prodhuar shumë pjesëtarë për luftërat e huaja, mirëpo, tani ne e kemi situatën nën kontroll. Kemi identifikuar gati secilin qytetar që është vrarë në Siri apo që është kthyer nga atje. Do të bëjmë gjithçka që nevojitet që ta mbrojmë vendin nga kjo e keqe”, tha ministri Hyseni.
Ministri Hyseni tha se është detyrim esencial i shoqërive të të gjitha shtresave dhe organizimeve të ndryshme sociale e politike që të bëjnë më shumë në parandalimin e radikalizmit të pjesëtarëve të shoqërisë sonë.
Ndërsa, drejtor ekzekutiv i Institutit Aspen në Gjermani, Ruediger Lentz, tha se për vendin e tij kriza e refugjatëve është më e vështira.
“Kjo po e tregon fytyrën e vërtet të Gjermanisë”, tha Lentz, duke shtuar se Evropa është në rrezik si kurrë më parë.
Konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me institutin me renome botërore, Aspen Institute, është hapur mbrëmë në Prishtinë. Konferencën që vazhdoi edhe sot e hapi kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndëra mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, si dhe përfaqësuesit nga vendet tjera të rajonit.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisë panelin e parë me temë “Sfidat globale dhe rolet e NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor”.
Tema e konferencës ishte Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale. “Germia Hill” synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e axhendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë në debatet e rëmdësishme të sigurisë rajonale.
Mbresa nga vepra: “Françeskanët e mëdhaj”e autorit Át Zef Pllumi
“Françeskanët e Shqiperisë e kanë prej vetes pregjudicialen e atdhetarizmit dhe kundërshtarët e tyre nuk mund ta mohojnë veprën e dobishme që këta kanë zhvilluar per liri e unjisi të kombit”.
Faik Konica/
Nga KOLEC ÇEFA/
Jeta e njerëzve të mëdhaj e vepra e tyne të terheqin në rrugën e idealeve; jeta e virtytshme dhe pastërtia shpirtnore të tërheqin në rrugën e moralit; forca e karakterit e vuejtja per ta mbajtë të paperlyem atë, të terheqin në rrugën e së drejtes. Këtê hov shpirtnor shijon lexuesi, tue lexue veprën e Át Zef Pllumit “Françeskanët e mëdhaj”.
Nostalgji kujtimesh, episode bashkëjetese, copa jete e jetë idealistësh, ide e projekte martirësh personazhe, ndiesi vlerësimi e stime ia ngrohën zemrën fratit të persekutuem; ia ndezën mendjen e lodhun nga ndeshtrashat; ia forcuen dorën e pafuqishme e Pader Zefi shkruen per Imzot Vinçencin e ndiejshëm e të dashun që u shue në burgun e vuejtjeve e të dhimbjeve tue kërkue “Mehr Licht”; per Át Antonin që thonte: “Sulmet ma të mëdha popullit nuk ia bajnë anmiqtë, por veset”, e vetë hyni në Regjencë me sandale e kambëzbathë e doli nga Regjenca po me sandale e kambëzbathë; per Át Ambrozin per të cilin Justini në një autobiografi “ad simplicem usum” shkruente: “Mësuesi em, kolegu em, frati per zemër teme, ma i miri e ma i meçmi i Provincës… Kam shkue me pa aulën (ku ka dhanë mësim në Romë, K.Ç) e e kam puthë me nderim ku kishte mësue Dogmatikë…”; Át Justinin e paralizuem, por sistematik e me vullnet pune të palodhshëm që punoi me piskërr gjuhëtari per të zbulue visaret e gjuhës sonë; Át Marinin e butë e të dhimbshëm ndaj vuejtjeve njerëzore, por të fortë e të paperkulshëm ndaj dhunës komuniste; Pader Bernardinin e Pader Donatin, falë zellit të të cilëve sot shijojmë ajkën e folklorit tonë; Pader Palin, nyjë e pastër historike që na fali ditarin e vet objektiv e plot vertetësi ngjarjesh historike; Pader Benediktin, të palodhunin enciklopedist e Pader Gjon Shllakun e shkëndijave të gjenialitetit e mbi të gjitha: kolosët shpirtnorë e kulturorë të popullit tonë: Fishtën e Gjeçovin.
Këta françeskanë me zemër të madhe, mendje të ndritun e emën të paharrueshëm, jetuen në atë Kuvend shndërrue në burg ku dhuna u mundue të shuente shpirtin e dashunisë, ku mediokriteti vulgar desh të zhdukte ajkën e intelektualizmit shqiptar, ku antivlera desh të errësonte e të perlyente vlerën e njëmendtë e të shkatërronte atë vend ku idealet e verteta të binomit “Fe e Atdhe” lulëzuen perherë plot gjallní, freskí, fisnikërí.
Pader Zefi, i rritun ndër ta, na tregon, se ata françeskanë të thjeshtë e të vuejtun qenë etën të mëdhaj, etën të fesë, të kombit, të kulturës e të karakterit tonë; etën që ruejtën virtytet tradicionale; e ata etën nuk mund të vdesin, nuk mund të perlyhen, nuk mund të harrohen! Ata qenë “drita e krypa” e shoqnisë sonë shqiptare!
Kush i njohu, i deshi; kush i studioi, perfitoi; kush i shkoi mbrapa, u ba i dobishëm, sepse ata qenë idealet “Fe e Atdhe” me fjalë, me shembull, me jetë. Ata harxhuen tanë energjitë e veta njerëzore: forcën e virtyteve të tyne shpirtnore, forcën e dijeve të tyne, fitue me mund në universitetet ma të mira europiane, forcën e karakterit të tyne të pathyeshëm, të paperkulshëm, farkue gjatë një jete të vështirë, plot vuejtje e ndeshtrasha.
Autori i këtyne mbresave ka pasë fatin e bardhë të njohë mirë e të rrijë me: Pader Justinin, letrat e reliket e të cilit i ruen me dashuni e i shikon sa herë “kur vjen ma i thershëm malli me më trazue”; Pader Vitorin i cili i shkruente, në atë kohë, letër Justinit: “Çka të keshë, thueja Kolecit se ai di ku me më gjetë”; Pader Marin Sirdanin të cilit i fsheha librat në arkën e pajës së nanës; Pader Donatin që më fali dorëshkrime; Pader Franon që na thonte me nervozitet: “Shkolla juej (shtetnore) ka qitë nxanësit me flamur me pritë fashistat, shkolla jeme (ka qenë drejtor i shkollës së fretenve) nuk ka pranue me i nxjerrë”; Pader Benediktin, vepra e të cilit u muer në raftet e Degës së Punëve të Brendshme e u botue në emen të tjerakuj; Pader Agustinin e heshtun që vuente në shpirt martirizimin françeskan e Pader…, Pader…
Sa herë kaloi kah ai Kuvend, mendoj per ata virtyte që nuk u perlyen; per ata penda të papagueme që nuk rrëshqiten; per ata karaktere që nuk u thyen, e tham me vete:
Këtu kanë jetue françeskanët e mëdhaj!
FAIK KONICA DHE LIBRI I TIJ” “Shqipëria, Kopshti Shkembor i Evropës Jugolindore”
LETRA DHE SHENIME TË FAIK KONICËS RRETH PËRPJEKJEVE PËR BOTIMIN E LIBRIT TË TIJ: “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë ”/
NGA IDRIZ LAMAJ*/
Libri i Faik Konicës: “Shqipëria – Kposhti Shkëmbor i Evropës Juglindore”, botuar pas vdekjes së autorit nën kujdesjen e Qerim Panaritit, mbështetur në letrat e Konicës dhe të shtëpisë botuese, “Robert Mc. Bride & Company”, mban titullin: “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë”.
Në parathënien e kësaj vepre, Panariti thotë se “titulli i librit nuk është i Konicës”, por është i tij. Ai citon edhe dy letra midis Konicës dhe shtëpisë botuese, “Robert Mc. Bride & Company” të Njujorkut, ku bëhet fjalë për prejardhjen librit dhe vështirësit që ka ndeshur në përgatitjen e librit.
Për të shkruar pakë më gjersishtë se Panariti lidhur me zanafillën e këtij libri dhe planet për botimin e tij, shfletojmë një dosje me letra e shenime të Faik Konicës, të cilën ma dhuroi Petro Kolonja këtu e një çerek shekulli më parë. Këto letra e shenime të pa botuara deri tashi vëjnë në dukje përpjekjet e Konicës për botimin e librit dhe ofrojnë mundësi për analizimin e shkaqeve të mosbotimit të tij.
Në vazhdim sjell korrespondencën, ato pakë letra që kam në dorë, midis pronarit të shtëpisë botuese, “Robert Mc Bride & Company” dhe të Konicës.
* * *
Robert Mc. Bride i shkruan Konicës letrën e parë me 19 nëntor, 1935:
I dashur zotëri:
Me rekomandimin e z. Hito Sadik, Sekretar i Konsullatës në Boston, po ju shkruaj këtë letër lidhur me projektin e një botimi që do të ndërmarim.
Jemi shumë të interesuar për të siguruar dhe botuar një histori të sotme me karakter popullorë për Shqipërinë, që në veçanti do të vërë në dukje përparimin e bërë nga vendi në situatën e re, me të cilën ballafaqohet si pasoj e luftës.
E dijmë se vendi juaj asnjë herë nuk është treguar në literaturën angleze siç i takon dhe ato botime që janë për të anglisht, janë kryesisht të vjetruara.
Natyrisht, gjetja e një historiani është shumë e vështirë dhe sigurimi i shitjes së librit, pasi të shkruhet dhe të botohet, është një çështje me rëndësi të madhe për ne. Duke shpresuar se Ju jeni të interesuar të shihni botimin e një libri serioz, ju kërkoj me anë të kësaj letre të na rekomandoni një person të përshtatshëm për këtë punë dhe të na jepni mbështetjen tuaj për shitjen e librit, gjë e domosdoshme për sigurimin e shpenzimeve dhe nxjerrjen e fitimit ekonomik.
Përfitojmë nga çdo këshillë e juaja për këtë çështje.
Me nderime, Robert Mc. Bride
Konica i përgjigjet z. Mc. Bride, me 21 nëntor, 1935:
Zotëri:
Kam nderin t’ju njoftoj se mora letrën tuaj të datës 19 nëntor, 1935.
Projekti juaj për botimin e një “Historie Moderne Popullore të Shqipërisë” më intereson jashtëzakonisht dhe shpresoj të rializohet sa më parë. Jam i një mëndimi me ju për nevojën e një libri të tillë.
Kur z. Hito Sadik ju rekomandoi mua, ndoshta ai ka patur në mend se unë, për më tepër se gjysëm shekullit, kam mbledhur materail për një histori të Shqipërisë, dhe tani kam aritur në shkallën e klasifikimit të lëndës së mbledhur dhe paraqitjen e formës së librit. Sidoqoftë, libri im do të jetë një libër shkencor i cili kryesisht iu sherben studiuesëve të historisë si një studim udhëzimi e reference për gjurmim të mëtejshëm. Natyrisht, këtë mund t’a këthej shumë lehtë edhe në një botim të lezeçëm për rrethe më të gjëra lexuesish, duke lënë jashtë të gjitha shqyrtimet dhe pikat që mund t’i interesojnë një specialisti. Por, për të shkruar një libër të formës gazetare, i cili pak a shumë do të përfshinte paraqitjen e sotme të përparimit mekanik të Shqipërisë, mua nuk me intereson aspak. Nëse ju kuptoj mirë, ju keni në plan pak a shumë vepër të tillë, për shkrimin e të cilës unë iu rekomandoj z. Nelo Drizari, instruktor i shqipes në Univerisitetit Columbia, person i përgatitur në gazetari dhe i aftë për të shkruar një vepër të thjeshtë dhe të letë për t’u lexuar. Adresa e tij është: Z. Nelo Drizare – Philosophy Hall, Columbia University, New York City.
Këtu vëj në dukje, ju do të keni përkrahjen time morale për inkurajimin e shitjes së librit të z. Drizari dhe shpresoj se një vepër e tillë do të gjëjë blerës midis turistëve dhe njerëzve kurioz.
Nëse, nga ana tjetër, ju preferoni që unë t’a shkruaj librin, ashtu siç theksova në paragrafinë e mësipërm, jamë i bindur se libri do të gjëjë blerës në kolegje, biblioteka dhe studiuesë të historisë, dhe pastaj, me një ritëm më të ngadalshëm, besonjë se do të shitën një numër i konsideruar kopjesh. Tërë çështja është nëse ju dëshironi një vepër serioze që përmbanë lëndë origjinale, apo dëshironi një libër të mbështetur në shkrime të përsëritura dhe të botuara nëpër gazeta e revista. Nëse më dërgoni dy-tri libra mbi vendet tjera, si një shembull ose model që ju keni në mënd, do të jem në gjëndje më të mirë për t’iu këshilluar si duhet.
I juaj me nderime, Faik Konitza
Me 26 nëntor 1935, Mc. Bride i shkruan Konicës përsëri:
I dashur zotëri:
Ju falenderoj përzemërsisht për mirësinë që patët t’na shkruani gjër e gjatë.
Ne nuk dëshirojmë një libër gazetarik, të përcipët, por një studim origjinal dhe serioz mbi të kaluarën dhe të tashmën e Shqipërisë, të shkruar me sa më shumë dramë njerëzore, me sa më pak të dhëna të parëndësishme, me detaje të specifikuara traktatesh, me fakte politike të brëndëshme, dhe me një theks të veçantë në vet historinë e popullit; pra, një studim të vërtet historik që trajtojnë shumica e historianëve. Thejshtë, ne dëshirojmë një vepër origjinale historike të shkruar për shtresën e lexuesëve të përgatitur dhe jo një libër të formës gazetarike.
Për të mos diskutuar më rreth kësaj çështjeje, ne dëshirojmë që librin t’a shkruani Ju dhe mos të kërkojmë gjetk.
Këtu shtrohet një pyetje të cilës duhet t’i gjëjmë përgjigjen para se të fillojmë punën. Duket se fillimisht libri do të ketë një numër të vogël shitjeje që nuk i mbulon shpenzimet e botimit. A do të ishte praktike për Qeverinë Shqiptare të siguronte kopje të mjaftueshme për konsullatat e veta në vendet që flitet anglishtja, për të na ndihmuar kalimin e vështirësive të botimit ?
Unë do të thoja se një libër relativisht i përmbledhët në vëllim, mund të shitet dy dollarë kopja. Sikur Qeveria të blente tre-katërqind kopje, me çmim tregu $1.20 cent, do të na garantonte mundësinë e fillimit të punës. Ju e dini se ana ekonomike është vëndimtare për sigurimin e shpenzimeve të botimit.
Sinqerisht i juaj, Robert Mc. Bride
Konica i përgjigjet z. Mc Bride me 30 nëntor, 1935:
Zotëri:
Ju njoftoj se mora letrën t’uaj të 26 nëntorit 1935, për të cilën ju falenderoj.
Jam i sigurt se Qeveria Shqiptare do të blejë dy-treqind kopje të një libri të shkruar nga unë, e, në qoftë se jo, nja dy organizata Shqiptare do të realizojnë atë që nuk realizon Qeveria. Unë mendoj ashtu, sidoqoftë, kjo nuk bëhet para botimit të librit, por dy-tre javë pasi libri të dali në qarkullim.
Libri, ashtu si e përfytyroj unë, do të shtrohet në këtë mënyrë: Do të jetë një parathënje e shkurtë, një ose dy faqe. Pastaj, një kapitull hyrës në të cilin gjuha, raca, kostumet dhe veçoritë e popullit Shqiptar, si dhe klima e karakteristikat fizike të vendit, do të përshkruhen shkurti- misht; ky kapitull zënë nja 20 faqe. Mbas kësaj do të jenë nja 200 faqe mbi historinë, ngjarjet, përpjekjet dhe luftat e popullit Shqiptar nga kohët më të lashta deri më sot. Një kapitull i shkurtë i fundit do të përmbledh gjëndjen e sotme. Në fund të librit, – në një farë mënyre të shkëputur prej tij, që do t’ju sherbej vetëm studiuesëve serioz, janë nja 20 faqe shenime, të cilat, spjegojnë me referenca të sakta, disa pika kontestuese historike, për të cilat bëhet fjalë në zemrën e librit. Në vazhdim do të jenë dy faqe bibliografi dhe 10 faqe treguesi sipas rendit të alfabetit.
Ju do të shihni nga parashtrimi se libri, ashtu si e mendoj unë, do t’ju përgjigjet mirë kërkesave tuaja; i vetmi lëshim që kërkoj është të më jepet vend për shenimet dhe treguesit, përndryshe vepra do të ketë pamjen e një pune amatori, gjë së cilës dua t’i shmangem vendosmërisht.
Nëse më dërgoni vërejtjet tuaja lidhur me pikatë e mësipërme, do të shikoj për ndonjë modifikim të mundshëm të planit tim.
Sinqerisht i juaj, Faik Konitza
Me 18 dhjetor, 1935 z. Mc. Bride i shkruan Konicës:
I dashur z. Konitza:
Kërkoj ndjes për vonimin e përgjegjës time letrës t’uaj të 30 nëntorit. E kam shikuar si të domosdoshme nga ana financiare shitjen e një tirazhi sado të vogë të librit të kolegët tonë në Angli para se t’iu bëjë ofertën e sigurtë.
Sa të marrë përgjigje nga ata, do t’ju shkruaj në hollësi.
Sinqerisht i juaj, Mc. Bride
Me 6 shkurt, 1936, z. Mc. Bride i dërgon Konicës marrëve- shjen (kontratën) e nënshkruar nga ana e tij. Kontrata e Shtëpisë Botuese, dy faqe të formatit të madh, përmban detaje si çdo kontratë e zakonshme e firmave amerikane. Nga 11 pikatë e marrëveshjes dhe 7 shtojca, z. Mc. Bride vënë në dukje vetëm dy pika të cilave duhej t’iu përmbahej Konica; titullit të librit: “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë” dhe të ardhurave nga shitja e librit. Sipas marrëveshjes, Konica do të paguhej 10 përqindë nga të ardhurat e librit nëse shtëpia botuse do të shiste një tirazh prej 2000 kopjesh dhe 15 përqind nëse ajo do të shiste 3000 kopje. Në dy shtojca të marrëveshjes, z. Mc Bride shenon edhe disa detaje të së drejtës rreth shitjes së librave nga ana e autorit.
Konica e nënshkruan marrëveshjen dhe e poston pas dy ditësh.
Më 17 shkurt ,1936, z Mc. Bride i shkruan Konicës:
I dashur z. Konica:
Më duket se kontrata e jonë është pak e pështjelluar në një shtojcë të rregullores së vet. Ajo që shenoni Ju në pikën tre, thjeshtë nuk përfshihen të drejtat e shitjes së librave jashtë shtetit. E drejta e shitjes së librave jashtë shtetit përfshihet në paragrafet e pikës së katërt dhe të pestë; në gjyshmën e faqës së dytë të kontratës.
Shpersoj se ajo sqaron shumë mirë pozitën e autorit.
I juaj sinqerisht, Robert Mc. Bride
Me 18 shkurt, 1936, Konica i përgjigjet edhe kësaj letre:
Zotëri:
Ju njoftoj se mora letrën tuaj të datës 17 shkurt, 1936. Ju falnderoj për spjegimet, këtu iu dërgoj kontratën e nënshkruar prej meje.
Lidhur me referimin për botimin e librit, besoj se dorëshkrimin do t’a përfundoj deri nga fundi i korrikut, pasi tërë lëndën e kam mbledhur me kohë, tani me mbetet vetëm t’i jap formën.
I juaj, Faik Konitza
Me 27 maj 1936, Konicës i shkruan z. Tom Davin editori i shtëpisë botuese, “Robert Mc. Bride & Company”:
I dashur z. Konitza:
A mund t’na dërgoni brënda dy-tri ditësh kapitullin e parë të librit? Shitësit e botimeve tona fillojnë udhëtimet brënda dy javësh. Ata duhet të kenë me vete listat e botimeve të vjeshtës ku përfshihet edhe libri i juaj. Ne duhet të kemi një pjesë të materialit për të përgatitur reklamën e librit, të cilën ata duhet t’a ken me vete.
U jemi mirënjëhës gjithashtu pa na treguat se kur mund të na dërgon dorëshkrimin e plotë.
Me nderime, i juaj, Tom Davin, Editori
Konica i përgjigjet z. Davin me 28 maj, 1936:
Zotëri:
Këtu po ju dërgoj parathënien dhe kapitullin e parë të librit, sipas kërkesës t’uaj në letrën e 27 majit, 1936. Ju di për nderë nëse më dërgoni bocat e korrigjuara.
Dorëshkirmin e plotë të librit shpresoj se mund t’ju dërgoj nga fundi i korrikut.
I juaj me nderime, Faik Konitza
Me 5 qershor 1936, z. Davin i shkruan Konicës:
I dashur zotëri:
Ju falenderoj për dërgimin e parathënies dhe kapitullit të parë të librit. Titulli i lirit është “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë”, vazhdim i serisë së historive të shkurtëra që ne botojmë. Na nevojitën edhe dy informata nga zotëria juaj: 1). A mund të na dërgoni sa më shpejt titujtë e kapitujve të librit, kështuqë shitësit tonë mund të kenë një ide të përgjithëshme mbi përmbajtjen e librit? Me këtë, do t’ju dija për nderë sikur të na dërgoni një përshkrim nja 200 fjalësh mbi përmbajtjen e librit, në të cilin do të bazohet përpilimi i katalogut tonë. 2). Ju lutëm, a mund të na këshilloni se cila do të ishte harta më e përshtatshme e Shqipërisë për botim në librin tuaj. A duhet t’i vëjmë emrat e qyteteve sipas shqiptimit të gjuhës shqipe, italishte, apo ka ndonjë traditë të shqiptimit në gjuhën anglishte? Kjo varet plotësisht në dëshirin tuaj.
Këto të dhëna na nevojitën sa më parë, besoj se do të na i dërgoni deri të hënën, me 8 qershor.
I juaj sinqerisht, Tom Davin, Editori
Konica i përgjigjet z. Davin me 9 qershor, 1936:
Zotëri:
Letra e juaj e 5 qershorit me erdhi të nesërmen, me datën 6-të. Kërkoj ndjes që nuk mund t’u përgjigjsha menjëherë, të hënën, për arsye se në funksionin tim si diplomat kisha një angazhim që nuk mund t’i shmangesha letë.
Një fjali në parathënien time nuk i përgjigjet titullit të librit. Po ju dërgoj faqen e parë të korrektuar të parathënies; ju lutën grisnje faqen e parë që e keni dhe përdornje këtë që po iu dërgoj. Titulli është në rregull dhe i pëlqyeshëm nga ana ime.
Brënda dy ditësh do t’ju përgjigjem lidhur me pjesën tjetër të letrës t’uaj.
I juaj sinqerisht, Faik Konitza
Po me datën 9 qeshor, Konica merr këtë telegram nga shtëpia butuese:
“ Urgjentisht na nevojitet materiali i kërkuar në letrën e 5 qershorit. Ju lutëm na dërgoni ç’ keni të gatshëm. Ju falemnderit – Robert Mc. Bride & Company”.
Konica i përgjigjet telegramit me 12 qershor, 1936:
Zotëri:
Në zarf keni hartën e Shqipërisë me një shenim rreth shkrimit të emrave të qyteteve, gjysmën e lëndës së librit dhe përshkrimin 200 fjalësh të përmbajtjes. Së shpejti do t’iu dërgoj pjesën tjetër. Ju lutëm m’i ktheni bocat për shikim të fundit.
Me nderime, Faik Konitza
* * *
Për mue këtu zhdukën gjurmët e korrespondencës Mc. Bride & Konica rreth botimit të librit: “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë”. Sipas Qerim Panaritit, Konica i shkruan z. Mc. Bride edhe me 8 prill, 1939:
“Meqë Shqipëria, për shkak të rethanave të sotme tragjike, ka dalë në qendër të vemendjes, dëshiroj të di nëse do të miratoni një sugjerim nga ana ime”; domethënë botimin e librit, por “botuesi hodhi poshtë me mirësjellje sugjerimin e tij dhe dorëshkrimi mbeti mënjanë”. ( Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore, Boston, Mas., 1957).
Tani, para se të themi diçka për disa shenime të Konicës të cilat besoj se kanë të bëjnë me çështjen e librit, kthehemi edhe një herë të letra e parë e tij dërguar z. Mc. Bride. Këtë letër Konica e shkroi në dy vërsione; versioni i parë i letrës, që më vonë shëndrohet në pika mbështetëse për versionin e dytë, është tre paragrafe më e gjatë. Në një paragraf të shkurtë, Konica nuk pranon asnjë përgjegjësi financiare për shtyp duke i shpjeguar qartë arsyet e veta:
“Librin e shkruaj pa pretendim fitimi por duhet të keni parasysh, nuk marrë asnjë përgjegjësi shpenzimi për shtypin për arsye se jamë në gjëndje të hollë ekonomike. Unë rroj me një rogë të vogël të Qeverisë s’ime me të cilën mëmzi përballoj jetesën e përditëshme.”
Siç duket, Konica nuk e dërgoi këtë letër për arsye se ishte e gjatë, kishte bërë në të disa korrigjime me dorë dhe mund t’a shkurajonte pronarin e shtëpisë botuese, duke u shmangur që në fillim nga përgjegjësit financiare. Versioni i dytë i letrës, dërguar z. Mc. Bride, mbështetet në versionin e letrës së parë.
Thuhet se shumë njerëz të penës kur janë në tavolinë të punës të zhytur në mendime të thella rreth projekteve krjuese dhe halleve të jetës, ‘zhgaravitin’, shenojnë e ‘vizatojnë’ në ndonjë letër që kanë aty pranë. Kur ato letra i shpetojnë shportës është vështirë të konstatohet se ç’kishin në mend të thonin ata në ato raste të veçanta.
Ky ‘fenomen’ sigurisht duhet të ketë ndodhur edhe me Faik Konicën. Në dy fletë shkrimi të pastra gjëndën tri zhgaravitje të vogla me laps, një lule e vizatuar dhe disa shenime në anglisht. Pas mendimit t’im, bazuar në qartësinë e fjalive, Konica kishte në plan t’u shkruante për çështjën e librit dy miqëve të tij. Ai shkruan në një fjali: “Bënë mirë të folësh me Vasilin dhe Kriston, ndoshta mund të më ndihmojnë përkohësisht”. Në qoftë se qëndron ky mendim, atëherë ai kishte në plan t’i shkruante z. Hito Sadiku, Sekrtetar i Konsullatës së Shqipërisë në Boston. Vasili dhe Kristo duhet të jenë Vasil Pani e Kristo Thanas, të dytë në gjëndje të mirë ekonomike dhe miqë të tij. Edhe fjalia tjetër: “Lëre këtë punë, kur të vi atje shohim e bëjmë, … duhet të mendosh mirë,… më shkruaj…”, ka mundësi të bëj me këte çështje. Po aty, në ato fletë, plani për t’i shkruar Nelo Drizarit, prof. në universitetin Columbia në New York, është i qartë: “Të kam dërguar materialin e ardhë nga Shqipëria. Na gjëj katalogun me emrat e kolegjeve amerikane; të interesuara sipas mendimit tënd. Me datën ? (pikëpyetja është e Konicës – il.) do jem në New York, duhet të shoh vet ç’ bëhet atje. Nevojitën dy ditë pushim pune”. Dihet se Drizari ishte në dieni të projktit për botimin e veprës së Konicës; ai i kishte shkruar Petro Kolonjes për këtë çështje.
Tani bëhet pyetja, pse nuk u botua libri? Megjithëse mbeten vetëm spekulime, kam përshtypjen se z. Mc. Bride, pas analizave financiare, duhet të ketë ardhur në përfundim se libri jo vetëm që nuk ishte fitimprurës për firmën e tij por nuk i nxjerte as shpenzimet e shtypit. Nga ana tjetër, atë e brente edhe ndërgjegja morale ndaj Konicës, sepse vet i kishte propozuar atij për shkrimin dhe botimin e librit.
Po të lexohen me vemendje dy pika të kontratës së nënshkruar midis z. Mc Bride dhe Konicës, shihen hollësit e përgjegjësisë së autorit për mblulimin e shpenzimeve të shtypit nëse shtëpia botuese nuk siguronte në parapagim shitjen e një tirazhi 500 kopjesh për një libër 200 faqesh. Megjithëse z. Mc. Bride dhe Konica nuk bëjn fjalë në letrat e tyre për ato dy pika të kontratës, vetvetiu lënë të kuptohet se botimi i librit mund të pezullohej, për arsye se nuk ishte mbledhur asnjë para si parapagesë.
Ndërkaq, edhe zotimi i Konicës për sigurimin e një pjese të shpenzimeve me blerjen e librit nga ana e qeverisë shqiptare, duket i pa shpresë. Mjafton të izolojmë fjalinë e letrës së tij, “Jam i sigurtë se Qeveria Shqiptare do të blejë dy – treqind kopje të një libri të shkruar nga unë, e, në qoftë se jo, nja dy organizata Shqiptare do t’a realizojnë atë që nuk realizon qeveria.” Z. Mc. Bride, fjalia e thjeshtë midis paragrafit të mësipërm, “në qoftë se jo”, duhet t’i ketë tërhe- qur vrejtjen që në fillim. As mbështetja e autorit në “nja dy organizata Shqiptare” nuk duhet të ketë mjaftuar për të.
Largimi i Konicës ndaj përgjegjësis së financimit, lë të kuptohet, se, ai s’kishte kujt t’i drejtohej për ndihëm. Me qeverinë i kishte ftohur marrëdhëniet si pasoj e kritikave që i bënte Mbretit Zog me letra private. Me shokët më besnik të “Vatrës”, grupin e Refat Gurrazezit, ishte prish për arsye të afrimit të tij me Nolin dhe me vatranët e moderuar. Organi- zimi i një fushate për mbledhjen e të hollave ndoshta i dukej iluzion për arsye të krizës së thellë ekonomike që kishte përfshirë Amerikën. Megjithë këtë, nuk kemi të dhëna nëse Konica mori ndonjë hap konkret për sigurimin e shpenzimeve të botimit.
Shpesh është thënë: “Konica ishte dembel, nuk i shkonte punës në fund, nuk i përfundonte shkrimet e veta”. Në këtë rast pohimet e tilla nuk qëndrojnë. Vllimi i librit për të cilin bëhet fjalë, sipas kontratës, nuk duhej të kalonte 230 faqe. Ai i dërgoj shtëpisë botuese të paktën 120 faqe të gatshme për shtyp.
Ndërsa, puna e rënd dhe vështirësit e Panaritit për plotësimin e zbraztësive dhe përgatitjen e librit të Konicës, botuar 15 vjet pas vdekjes së tij, duhet të jenë reale. Jam i mendëmit se pjestë e gatshme të librit, të cilat Konica ia kishte dërguar shtëpisë botuese, kanë ngelur në shtypshkronj dhe më në fund janë hedhur në shprotë. Konica herë pas here i kërkon shtypshkronjës bocat, pjesët e përgatitura, për shikim të fundit, por nuk insistonte në kthimin e tyre, me shpresë se libri mund të botohej një ditë.
Përfundimisht, kalimi i këtyre letrave nga një dorë në tjetrën, udhëtimi i tyre i gjatë nga një qytet në tjetrin, gjumi i tyre i rënd, afër 70 vjet, nëpër dosje të grisura dhe të zvërdhuara nga pluhuri i kohës, lenë të kuptohet se shumë letra të Faik Konicës janë zhdukur pa gjurmë. Edhe këto letra të botuara më lartë nuk e ndriçojnë tamam planin e Konicës për botimin e librit të tij, “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë”.
* * *
NJË LETËR PËR LIBRIN KONICËS TË BOTUAR NGA PANARITI
Lidhur me librin e Konicës: “Shqipëria, Kopshti Shkembor i Evropës Jugolindore”, botuar nga Qerim Panariti, janë bër vitet e fundit shumë thashetheme të pa mbështetura në burime të besu- eshme. Panarit është akuzuar për shperdorim të lëndës së këtij libri të cilin e botoi me shumë mundim. Sjellim këtu një letër të Nelo Drizarit, e cila është në kundërshtim edhe me mendimin tim për këtë çështje.
I dashuri mik:
Më parë dua t’ju falem nderit për të gjitha sa më thoni në letrën më të fundit. Me falni që kam vonuar përgjigjen. Kjo ka ngjarë nga mungesa e kohës – gjer sa mbarova librin mbi Kreshnikun t’onë me famë. Po gjith’ashtu, edhe nga hidhërimet e tjerea: Humbja e një shoku e miku të çmuar Mihal Marku – si edhe nga grindjet e intrigat e Patrikanës.
Libri në fjalë është gati për shtyp. Besoj të dalë në disa muaj. Por nuk dua të dihet gjer sa të botohet. Sa dëshiroj me gjithë zemër sikur t’ish gjallë Faik Konica! Besoj që do t’a lëvdonte.
Sa për librin e tij, Albania: The Rock Garden of Europe, e bleva fare rishtas. Kur e këndova, më ra pika. Kuptova që nuk është libri i tij i plotë. Është vetëm një kaptinë nga disa kaptina që më kish dëgftuar në zyrën e Legatës. Një nga kaptinat e tij ish ajo që ka dalë në shesh nën emrin An Albanian Letter, gjoja e shkroijtur nga Hito Sadiku. Ku janë të tjerat?.
Nevonja tani e lyp me shpejt të gjendet drejtimi i sekretares së tij – Zonjës Charlotte – e cila ka daktilografuar kaptinat e librit. Ndoshta Peter Tykoja mund t’ja gjejë drejtimin, me që ndodhet në Washington. Lutem ia njoftoi këtë nevojë..
Për fat të zoi, shoh edhe disa shenja të liga në Boston. Dielli dhe Vatra nuk përfillen me aqë rëndësi sa na thonë seimënët. Kisha Ortodokse është në rrezikun e math – ashtu siç është edhe Toskëria – sepse propaganda Greke n’ Amerikë, është e tmerrshme kundër Shqiptarëvet Në një kohë të këtillë, na dalin edhe “veteranët” e Bostonit me një dekllaratë qesharake se gjoja janë neutral. Cili shqiptar i vërtet munt të mbetet neutral kur t’i humbasë Shqipëria e Jugut.
Me të fala të përzemërta. Juaji me besë, Nelo Drizari.
Shenim: Kjo letër botohet për të vu në dukje edhe disa mendime të ndryhme nga mendimi im i mësipërm lidhur me botimin e veprës së Konicës nga qerim Panariti, 15 vjet pas vdekjes së autorit. Pas mendimit tim mllefet e vjetra politike midis Prof. Drizarit si mbështetës fanartik i Konicës dhe kundërshtarëve të dikurshëm të Konicës reflekton në këtë letër.
*Nga Libri i gazetarit, studiuesit, anetaret te keshillit te Vatres, Idriz Lamajt” Vatra dhe vatranet”, botim 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 83
- 84
- 85
- 86
- 87
- …
- 91
- Next Page »